• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Francezi Kouchner dhe marka gjermane (DM) monedhë zyrtare në Kosovë (1999)

January 9, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

“Që në ditët e para, në shtator 1999, vendosa që monedha zyrtare e Kosovës të ishte marka gjermane. Ishte një e papritur e këndshme për ekonomistët, një rast për të protestuar për botën politike. Një breshëri fyerjes u nis nga të afërmit e president serb Milosheviç. Maria Bakëroja sillte në Prishtinë, në këtë vend të rrezikshëm, valixhet me marka gjermane, ose me aeroplanin e linjës ose me helikopterët e OKB-së, në fshehtësi dhe pa pikë mbrojtje. Në qoftë se misioni ynë ia arriti pjesërisht qëllimit, kjo u përkushtohet trimërive të tilla dhe përshtatjeve që iu bënë ligjit.

Çdo gjë eci vaj, DM-ja qarkulloi me bollëk…Kalimi në euro u bë pa asnjë pengesë, si në të gjitha vendet evropiane.

Një nga çështjet e rralla, të cilat i mendova mirë dhe mora vendim përpara se të vija në Prishtinë, ishte futja e markës gjermane si monedhë zyrtare për Kosovën. Për të rindërtuar dhe rimëkëmbur buxhetin e Kosovës, na nevojitej një monedhë me vlerë. Cili do të ishte ai investues që do të interesohej për dinarin jugosllav, i cili nuk këmbehej kurrkund! Zhgënjimi i disa francezëve u shpall me fjali të tillë: “Pse nuk e fute frëngen franceze?” Zgjuarsi e madhe! Në Kosovë qarkullonte marka për shkëmbime financiare në më shumë se gjysmën e Kosovës, ndërsa franga nuk ishte e njohur,” shkruar ish-shefi i UNMIK-ut, francezi Bernard Kouchner, në librin e tij,” Les guerriers de la paix. “(2002), të cilin e kishte shkruar për miqtë e tij të vdekur në Bagdad dhe me të cilët kishte bashkëpunuar gjatë jetës së tij në Ballkan dhe Kosovë. “Gjatë dy vjetësh, nga Kosova në Irak, ata luftuan hap pas hapi për të propozuar një jetë pa vrasje, një jetë me më pak urrejtje, për popujt që historia i kishte hedhur për shekuj me radhë në përplasje. Pata privilegjin të punoja me këta aktivistë të botës, këta “luftëtarë të paqes”. Kur mendoj për ta, them me vete: nuk kemi dështuar.”

Filed Under: Histori

Informacioni, dinjiteti dhe rënia e murit të turpit…

January 8, 2025 by s p

Agim Baçi/

Çfarë duhet të bëjmë kur ne si prindër dhe mësuesit nuk kemi më autoritetin e duhur për t’u shpjeguar fëmijëve se çfarë është më e rëndësishme në jetë, se çfarë është “e mirë” – “e keqe”, apo “e dobishme” – “e padobishme”? A po mendojmë ne se si të sillemi me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit, një treg që plak gjithçka brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar një botë të pafundme ankthi te ata që i besojnë vetëm këtij tregu?

Filozofi dhe psikoanalisti i famshëm italian, Umberto Galimberti, teksa thekson vështirësinë për komunikimin e vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë, sjell në vëmendje gabimin që bëjmë ne si të rritur, duke mos lexuar realitetin e vështirë përballë spektaklit, por u kujtojmë atyre edukimin që kemi marrë ne dikur apo prindërit tanë.

Por a jemi ne sot të vetëdijshëm që fëmijë kanë sot një fjalor të mangët shpjegimi për gjendjen e tyre emocionale? A i dëgjojmë ne për ankthin që i shkakton bota e spektaklit, e videove yë atyre që vrapojnë vetëm pas famës?

Edhe më të vështirë e kanë komunikimin ata prindër që janë rritur me një komunitet që ka bashkëvepruar, që ka folur e lozur me njëri-tjetrin në moshën e fëmijëve të tyre, dhe tashmë gjendet përballë fëmijëve që qëndrojnë gjithnjë e më shumë vetëm dhe që kanë thuajse gjatë gjithë kohës kufje në vesh ku mund të jenë duke dëgjuar muzikë apo duke ndjekur video njëra pas tjetrës.

A mundemi ne të rriturit t’i ruajmë nga admirimi që mund të krijonë për rrugën më të shkurtër për t’u bërë të famshëm dhe me para, si personazhet që ata dëgjojnë e shohin gjatë kohës me vetminë e tyre.

Por, kushdo që mendon se kjo situatë është thjesht individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, rrezikon të gjykojë gabim e të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi në një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh. Në lumin e pesimizmit dhe moskumunikimit fiton vetëm ankthi i përkohshmërisë, vetëm zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti.

Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi që na është bërë ne si brez dikur për një të ardhme më të mirë, nuk vlen me të njëjtën gjuhë me fëmijët e sotëm, të cilët janë të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, që në fund rezultojnë një amfiteatër vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit dhe konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do e kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer tanishmërinë në një diktaturë padurimi.

Ne të gjithë prej kohësh shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes. Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit.

Eshtë përgjegjësia jonë, në shtëpi e shkollë, t’u themi se informacioni nuk është mençuri, por thjesht një mundësi. Duhet t’i themi me qetësi se është reflektimi ndaj asaj që shohim që mund të na japë më shumë dritë në atë që duam të ndjekim, dhe jo eksitimi i gjithanshëm që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do u kërkojmë më pas.

Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizimi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë qe ata na kërkojnë ata për shkak se janë bijë të kohës së tyre. Dhe, siç shkruan dhe Galmberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, për të kuptuar sa të rëndësishme janë në jetë raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që për fëmijët tanë të jetë baby-sitter televizioni apo aparati celular.

Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit. Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.

Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se, të kesh sa më pak rroba në trup, të të duket më shumë nga lakuriqësia jote, nuk do të thotë se je i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se, të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar. Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.

Filed Under: Fejton

URAN KALAKULLA, NJË JETË VUAJTJE DHE DINJITET NJERËZOR

January 8, 2025 by s p

Shpendi Topollaj/

In memoriam – Uran Kalakulla, vdiq gati pa pritur në një ditë pranvere. Në jetë kishte vuajtur shumë, por kurrë nuk qe thyer. Pas përmbysjes së diktaturës, me shkrimet dhe librat e botuara, u bë një figurë mjaft e njohur. Personalisht jam i lumtur që këtë luftëtar të lirive dhe të të drejtave të njeriut, e kisha mik. Për cilësite e tij të jashtëzakonshme, karakterin, kulturën, qartësinë e ideve, dashurinë për atdhe; pra për këtë demokrat të kulluar, po të më qe dhënë mundësia, në varrimin e tij do të kujtoja fjalët e paharruara që Hygoi tha për vdekjen e Volterit: “…Me qënë se nga fronet vjen nata, le të vijë drita nga varret.” Dhe jam plotesisht i bindur se duke thënë kështu, nuk do të gaboja aspak. Edhe te grekët e lashtë Urani personifikonte Perëndinë e Qiellit, prej nga toka merrte dritën. Por në jetë, ashtu siç ndodhte shpesh në mitologji, ata që synonin të shpërndanin dritën për të tjerët, vetë ndëshkoheshin me errësirë.

Librin e tij “21 vjet burg komunist” që më dërgoi e lexova duke kujtuar se ai njëherë më pat thënë që “shumë krime u bënë te ne. Por ajo që ngjau qe edhe një provë e madhe e atyre që vuajtën. Burgu tregoi karakterin e secilit. Pati nga ata që hynë me dinjitet dhe dolën prej tij akoma më dinjitozë. Lum ai që arriti të shpëtoje shpirtin”. Uran Kalakulla, siç del gjatë gjithë librit, mbeti aq i paprekur në nderin e tij, sa ai vlerëson pa drojë të tjerët, qofshin të dënuar, qofshin ruajtësit e tyre. Ai shkruan: “Kur ndodhet para rrezikut njeriu, dhe ai me pak trimi, po të ketë disi dinjitet në veten e tij, shtrëngon dhëmbet dhe mundohet ta shohë në sy rrezikun, duke u munduar t`i bëjë ballë, apo të paktën ta durojë a sa të jetë e mundur më mirë. Ajo trimëria klasike apo romantike e kalorësve të lashtësisë apo të mesjetës, më duket se ka perënduar prej kohësh dhe nëse ka qënë ndonjëherë e vërtetë. Kështu kam pasur prej kohësh dhe vazhdoj të kem mendimin se trimëria e vërtetë nuk është aspak te shpata e muskujt e bëshëm të trupit, por te zemra e shpirti i tij. Kam parë gjatë kohës së burgut jo burra, por meshkuj, që kishin alamet fiziku dhe para një kapteri xhuxh dhisnin gjak! Ashtu siç kam parë djem, që fizikisht jo vetëm që ishin mesatarë e nganjëherë të dobët, aq sa një erë e fortë mund t`i merrte me vete, por kur vinte puna para rrezikut e mundimit shtrëngonin dhëmbët dhe qëndronin si burra të vërtetë”.

Koincidoi që librin e Uranit “21 vjet burg komunist” e lexova fill pas librit të bujshem te F. M. Dostojevskit “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”. Cilido lexues që ka një farë formimi letrar, do të shohë se kam shumë të drejtë që them se vuajtjet në burgjet e periudhës komuniste në Shqipëri, janë shumë më të rënda se ato të burgjeve të kohës së Carit në Rusi, dhe se Uran Kalakulla ynë, s`bie aspak më poshtë në të përshkruarit artistik të tyre, se vetë gjeniu rus. Ai është një mjeshtër i jashtëzakonshëm i penës. Analizat dhe përshkrimet e tij, janë të paqortueshme, aq sa vetiu të lind pyetja: Përse i duhej bërë një dëm kaq i madh kulturës tonë, duke mbyllur në qelitë e ftohta, talente kaq të fuqishme. Duke parë se “Shqipëria e viteve 60 – të ishte e gjitha një dëshpërim, Urani, që komunizmin e quante një fatalitet historik, së bashku me shokë të tjerë si Pjetër Arbnori, Agim Musta, Tanush Kaso etj. në ilegalitet të plotë dhe me një guxim të pabesueshëm, po të kemi parasysh kohën, formuan një grup opozitar, kryetar i të cilit u zgjodh Urani. Ky grup kishte një program, i cili synonte atë ideologji që do t`i çonte në një pozicion mes të majtës ekstreme dhe të djathtës ekstreme. I kishin hyrë një pune edhe pse përsërisnin herë pas here një thënie të Çernishevskit, se në regjimet popullore politika nuk ështe një shetitje më biseda të kendshme në bulevardin “Nevskij”, por është në burg, tortura, plumba dhe litar! Dhe ashtu doli vërtetë.

Më 27 Maj 1961, ata, në rrethana ende të paqarta, u arrestuan. Dënimi dihej: Ai dhe Pjetër Arbnori me vdekje, të tjerët me afate të gjata burgimi.

Të flasësh për llahtaren e burgjeve shqiptare të kohës së diktaturës, nuk thua ndonjë gjë të re. Janë me dhjetra e qindra dëshmitarë që kanë treguar e përshkruar fytyrën e vërtetë e çnjerëzore të tyre. Urani ka marrë përsipër diçka më shumë. Ai zbërthen karakteret njerëzore pasi “Laryshia e botës njerëzore bie fort në sy, më mirë se kudo tjetër në burg. Dhe, për pasojë, askush nuk është hero kur bie në burg, por mund të bëhet atje, ose mund të shkojë drejt skajit tjetër, pra nga njeri në vemje, në një krimb qe tërhiqet rrëshqanë, vetëm e vetëm, që të mund të shpëtojë ekzistencën e tij njerëzore. Kështu, për pasojë burgu ka dy fakultete atë të nderit dhe të burrërisë dhe atë të turpit dhe poshtërsisë”. Të kalosh plot 21 vjet mes kapterrëve dhe minjve të gjirizeve, nuk i thonë shaka. Siç nuk është shaka dhe qëndrimi i lidhur me pranga “gjermanesha”. Por më shumë se sa dhimbjet fizike, Urani përshkruan gjendjen psikologjike. Në këtë fatkeqësi që e ka gjetur, në një moshë fare të re, ai çuditërisht kupton se nuk ndien aspak frikë. Brënda vetes së tij ai ndihet stoik. Ai ndiehet krenar që ideja për t`a pritur të pashmangeshmen me qetësi, gjakftohtësi, kurajo e dinjitet, e shoqëron edhe brënda dhomës së vdekjes. “Dëshpërimi, leqendisja, lotët, të qarat e të thirrurat si prej gruaje, më janë dukur (në raste të tilla), jo vetëm shenja të një paaftësie absolute të vetes për t`u përmbajtur, por të një dobësie të tillë që i ka rrënjët sa në një dashuri të pafund ndaj vetes (e, për pasojë, edhe një dhëmbshurie e tejskajshme), aq dhe nga mungesa absolute e seriozitetit dhe respektit për vetveten.” Vetë ai e pret vdekjen si në legjenda. Nga që e di se ditën nuk vinë për ta marrë e për ta ekzekutuar, bën si bën mes sfilitjeve, e pushon pak. Kurse natën qëndron në këmbë, me fytyrën e kthyer nga dera, që kur ta hapnin, ta gjenin përballë, të gatshëm e jo ta hiqnin zvarrë.

Ai e priste vdekjen ashtu si Mersoi i Kamysë, i cili veçse uronte që ditën e ekzekutimit të tij të kishte sa më shumë njerëz, paçka se ai po dënohej i akuzuar për vrasje, por në të vërtetë s`kish bërë asnjë krim, vetëm se nuk kish qarë në varrimin e së ëmës. “Pastaj, – shkruan ai – kisha vendosur të hidhja disa parulla që të dëgjonin të gjithë të dënuarit. Sa të më hante gryka, ashtu si dhe para skuadrës së pushkatimit”. Në jetën e përditshme njeriu e ka shumë më të lehtë të ruajë dinjitetin e vet. Ka shumë gjëra që për t`i bërë, a për t`iu shmangur, e ka ai në dorë. Kurse në burg, puna ndryshon. Je i mbikqyrur në çdo hap, i izoluar nga bota, i detyruar të zbatosh urdhrat e të tjerëve, shpesh edhe të injorantëve, s`u bën dot bisht provokimeve e ngacmimeve. Pa dashjen tënde, mund të bëhesh pre e sherreve, e zënkave pafund. Të fyejnë e të poshtërojnë, të fusin për hiçmosgjë për një muaj në birucë. Por dhe kur ti numëroje edhe orët që të kishin mbetur për t`i kaluar në ate ferr, mund të të ridënonin pa të keq me pesë, me gjashtë, me shtatë, me tetë, me nëntë e me dhjetë vjet burg të tjera. Bile, mund edhe të të vrisnin fare e të të linin pa varr, qe të të mos të gjendej as nami e as nishani. E në këto kushte, i shkreti njeri, është në hall. Të ulë kurrizin? Të serviloset? Të provokojë e spiunojë të tjerët? Pra, të humbë nga vetja diçka shumë të vyer: nderin, që më pas nuk ke se ku ta gjesh? Tani zgjidh e merr. Dhe Urani diti të zgjedhë, ndaj nuk kurseu askënd, si ata që ulën kurrizin, e u bënë dëm shokëve, si xhelatët që quheshin prokurorë, hetues, gjyqtarë, komandantë burgu, operativë e deri gardianë. Të tërë s`ka pse t`i ruajë. I përmend me emër e mbiemër, në të kundërtën përgjegjësia e krimit do të shpërndahej ose vetë ai do të mbetej anonim. Në këto raste pena e Uranit është e hidhur.

Dhe sa e këndshme bëhet kjo penë kur flet për një superintelektual, që i bën nder gjenit shqiptar, si Mustafa Bajraktari, të cilin e kishin përplasur si shumë të tjerë, në burg.

Për atë që s`ka qënë ndonjëherë në burg, është e vështirë ta besojë se atje ka një pafundësi tipash e ndodhish, për të mos thënë një univers i tërë. Pikërisht këtë univers na jep Uran Kalakulla. Çdo kapitull do të qe më se i mjaftueshëm për të shkruar skenarin e një filmi mbresëlënës. Libri “21 vjet burg komunist” përbën ndofta më mirë se çdo libër i llojit të tij enciklopedinë e burgut. Parakalojnë para syve të lexuesve, trima e frikacakë, xhelatë e viktima, besnikë e të pabesë, të mirë e të liq. Shohim aty grupin e pleqve të burgut, të rënët nga fiku, njerëzit e zotit, shkrimtarë e “doktrinarë” marksistë, të huaj që besonin te “parajsa” shqiptare, por dhe horrat e burgut. Duke u marrë me këta, si dhe me gjeneralët e zinj e prokurorët e kuq, të cilët sot duhet të turpërohen me ato që kanë bërë, Uran Kalakulla, i bën një shërbim të madh historisë tonë. Ai tregon se si duhet shkruar e vërteta dhe u jep një goditje përfundimtare të gjithë atyre që thonë se u lodhëm me letërsinë e burgut. Urani sikur u thotë atyre: Ju nuk u lodhët njëherë për të na nxirë jetën ne, dhe mërziteni vetëm pse ne shkruajmë përsa kemi parë e hequr në kurrizin tonë? Ata duhet ta dinë thënien e Tit Livit se “E vërteta mund të errësohet për një kohë, por kurrë nuk shuhet”.

Filed Under: Emigracion

Prof.Dr. Kopi Kyçyku, in memoriam…

January 8, 2025 by s p

Raimonda Moisiu/

“S’më mbetet tjetër përveçse të perifrazoj porositë e njerëzve më të mençur e më të ditur se unë, që botës shqiptare nuk i kanë munguar kurrë: Atmëmëdhtarì të pacak, përkushtim e besim në vlerat e veprimtarisë krijuese, ndershmëri, modesti dhe zell, palodhshmëri”.

Akademik Prof.Dr. Kopi Kyçyku

Kam ndjerë një trishtim të thellë dje, kur lexova për ndarjen nga jeta të Eruditit, Akademik Prof. Dr. Inxh. Kopi Kyçyku. Kam pasur fatin dhe privilegjin ta njihja Profesor Kopin, madje kam zhvilluar edhe një intervistë dhe kur vija në Shqipëri, kemi pirë edhe kafe tek “Europa Café”, në qendër të Tiranës. Akademik Prof. Dr. Kopi Kyçyku është një autor me një shumëllojshmëri zërash mahnitës plot jetë dhe energji, me visionin madh unik, historik, social dhe harmonik të jetës, i cili, qoftë edhe vetëm në përvojën e leximit duket i mjaftueshëm si lexim i përvojës. Akademik Prof. Dr. Kopi Kyçyku është një penë e njohur për monografitë historike ballkanike dhe më tej, deri në Azinë e largët, në dy gjuhë: shqip dhe rumanisht, sikundër:”Mustafa Qemal Ataturku; Me Ataturkun; Kryengritja e armatosur e Ilindenit (Maqedoni) e vitit 1903; Republika e Turqisë në vitet 1945-1985; Pater (Emil Konduraqi); Midis strehësh e trandjesh; Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik; Arumunët në optikën shqiptaro-rumune; Një vështrim në marrëdhëniet shqiptaro-rumune gjatë shekujve; Historia e Shqipërisë; Historia e Maqedonisë; Historia e Azerbajxhanit; Algjeria: e shkuara dhe e sotmja; Marrëdhëniet inter-etnike shqiptaro-italiane dhe dygjuhësia; Ataturkizmi dhe Turqia e Mijëvjetshit të Tretë; Hajdar Alijev – një Ataturk i kohës sonë; Hristo Botev – pena dhe pushka; etj; Përveç kësaj, ai radhitet ndër shkrimtarët e poetët që ka lëvruar disa zhanre, me:

-Dhjetra vëllime poetike dhe në prozë për fëmijë e të rritur; drama e komedi me një akt, skeçe, novela, pamflete dhe fejtone, reportazhe, përshkrime, artikuj kritikë, ese etj;

– Rreth tridhjetë vepra letrare dhe shkencore të përkthyera nga gjuhët e huaja në shqip dhe anasjelltas;

– Tekste universitare për gjuhët italiane, rumune dhe turke;

– Mbi treqind artikuj shkencorë dhe studime për gjuhësinë e krahasuar, për historinë ballkanike dhe botërore, për gjeokiminë etj, të botuara në organe të shtypit të specializuar në Shqipëri, Rumani e në vende të tjera.

– Mbi dyzet referate dhe kumtesa shkencore, të paraqitura në konferenca, simpoziume dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare, pa lënë mbas dore marrjen sistematike me publicistikë. Ka filluar të krijojë që në fëmijëri, me ambicjen e vërtetë për t’u bërë shkrimtar e poet dhe një pasardhës i denjë i dy kolosëve të letrave shqipe, bashkëqyetarëve të tij: Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli. Kontribues me një karrierë tashmë të gjatë krijuese, me ndikimin e mençur të mendimit artistik e filozofik në letërsinë shqipe e rumune, zotërues i shumë gjuhëve të huaja, veprat origjinale në disa zhanre, në shqip, por edhe dygjuhëshe, e kanë bërë të mirënjohur akademik prof. dr. Kopi Kyçykun jo vetëm në mjediset shqiptare, por edhe në ato ballkanike dhe eurojuglindore, madje në mbarë Evropën e në botë. Personazhet e veprave të tij letrare janë njerëz të thjeshtë, të mitur e të rritur, me magjinë e plotfuqishme plot jetë në të kaluarën e të tashmen, të cilët kanë lirinë, ëndrrat e përvojat jetësore përkatëse.

Ngushëllime Familjes Kycyku, Miqëve, kolegëve dhe komunitetit të letrave shqipe.

Lamtumirë, Akademik Prof. Dr. Inxh. Kopi Kycyku, autor i shumë vëllimeve me poezi, tregime, drama, pamflete, artikuj kritikë për letërsinë e artet, si dhe studimesh shkencore; përkthyes i mjaft veprash letrare, historike dhe gjeologjike nga disa gjuhë, në shqip, rumanisht dhe italisht.

Mirënjohje dhe nderim për mikun dhe kolegun tonë të cmuar, Akademik Prof. Dr. Inxh. Kopi Kycyku, hija e veprës së tij do të shquhet ndër breza si një vlerë kombëtare e historike.

Ti do tè mbetesh perhere një penë e njohur për monografitë historike ballkanike dhe më tej

Qofsh i paharruar! Të Ikurit si Ti mbeten Jetësisht të ardhur!

U prehsh në paqe Profesori ynë i mrekullueshëm!

Prehu i qetë në Liqenin e dritave dhe mes ëngjujve të Parajsës

Ëngjëjt të këndofshin në çdo agim!

Pranë familjes Kycyku

Filed Under: Kronike

“E shkuar e pakryer”

January 8, 2025 by s p

Ergys Mërtiri/

Kur mora në dorë librin e Ermal Hasimes “E shkuar e pakryer” nisa ta lexoj me idenë se do gjeja thjesht rrëfime mbi ngjarje interesante nga një e kaluar e cila na prek të gjithëve. Por, leximi më zbuloi talentin e fshehur të një shkrimtari të vërtetë i cili di të rrëfejë bukur e madje edhe ta trondisë lexuesin, përveç se edhe të pasurojë mendimin dhe shijen e tij. Ai të fton në reflektime të thella mbi fatin njerëzor, mbi jetën, lirinë, të drejtën, mbi politikën, mbi shoqërinë shqiptare, mbi të kaluarën dhe të ardhmen e këtij vendi dhe këtë e bën në një mënyrë tepër njerëzore me thjeshtësinë e njeriut që urtësinë e ka nën lëkurë.

Romani i tij është një histori e dhimbshme e familjes së tij, e rrëfyer me ndjeshmëri të hollë dhe shumë aftësi përgjithësuese. E ardhur nga Kosova, si shumë të tjera, familja kalon një kalvar persekutimi, dëshpërimisht të ngjashëm me atë të serb. Përveç persekutimit, si shumë të tjerë, asaj i duhet të përballet me mallin për pjesën tjetër të familjes të mbetur jashtë kufinjve, me të cilën personazhi kryesor, Ana, arrin të takohet vetëm pas 40 vitesh, pasi ka humbur krejtësisht kujtesën për shkak të sëmundjes së Alzhermerit.

Metafora këtu është goditëse. Kujtesa e shkatërruar e Anës, është jo vetëm sëmundja (si dhe ilaçi) e saj (harresa shfaqet tragjikisht si e vetmja mundësi për të shpëtuar prej vuatjes), por është në fakt një sëmundje e mbarë shoqërisë shqiptare, e paaftë të njohë dhe vlerësojë të shkuarën e vet, çfarë, për rrjedhojë, e bën të paaftë të ndërtojë të ardhmen.

Përtej të gjithave, romani ofron gjithashtu edhe material antropologjik mbi jetën e përditshme në komunizëm, atë jashtë persekutimi, të cilën e kemi kaluar të gjithë. Aty rijetohen rradhat e qumështit, vajgurit, bukës etj, kanoçet e televizorëve dhe antenat me varakë nëpër kabëll për të kapur kanalet italiane, ripërtypen çamçakizët cigare që mbaheshin me javë nëpër gota uji për tu ripërdorur pas buke dhe pas gjumi, risillet në kujtesë ruajtja dhe shpërndarja e farës së kosit për amvisat, telefonatat tek komshinjtë apo edhe frigoriferët Obodinë që ruanin mishin e gjithë lagjes.

Romani ka një tipologji të veçantë që, më shumë se ngjarje konkrete, rrëfen kohën dhe jetën e një brezi të tërë. Për nga struktura, por edhe mënyra e rrëfimit, ngjan shumë me romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies” e Milan Kunderës. Hasimja ka rrëfyer Shqipërinë e 45 viteve nëpërmjet halleve, vuajtjeve, sakrificave, por edhe gëzimeve e arritjeve të vogla të përditshme të njerëzve të familjes së vet. Ky roman është një kontribut, në letërsinë e varfër shqitpare, por edhe në kujtesën tonë kolektive mbi përfytyrimin e së shkuarës. Ministria e Arsimit duhet ta përfshijë patjetër në listën e literaturës së sugjeruar për shkollat, si një mjet për t’iu ndihmuar të rinjve të bëhen më të kthjellët e të vetëdijshëm mbi të kaluarën dhe rrjedhimisht edhe qytetarë më të mirë për këtë vend.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT