• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2025

Shqiptarët për Amerikën avokojnë për çështje kryesore gjatë ceremonive të betimit në Kongres

January 6, 2025 by s p

Washington, D.C. – 3 Janar 2025 – Anëtarët e Albanians for America (AFA) patën kënaqësinë të marrin pjesë në ceremonitë e betimit të Kongresit të 119-të këtë javë, duke u angazhuar drejtpërdrejt me ligjvënësit për të promovuar çështje të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Përfaqësuesit e AFA-s diskutuan mbi sigurinë, demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe rritjen e pjesëmarrjes së shqiptarëve-amerikanë në zgjedhje dhe në poste publike në nivel lokal, shtetëror dhe federal. Takime të rëndësishme u zhvilluan me disa anëtarë të Kongresit, përfshirë Rep. Brian Mast (R-FL), kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ka një rol jetik në avancimin e angazhimit të SHBA-së me Kosovën dhe Shqipërinë. Ambasadori i Shqipërisë, Ervin Bushati, dhe i Kosovës, Ilir Dugolli, gjetën kohë nga axhendat e tyre të ngarkuara për të na pritur për diskutime.

AFA gjithashtu u takua me Rep. Pete Sessions (R-TX), Sen. Shelley Moore Capito (R-WV), Rep. Pat Fallon (R-TX), Rep. Zach Nunn (R-IA), Rep. John James (R-MI), Rep. Keith Self (R-TX), Rep. Brandon Gill (R-TX) dhe Sen. Elissa Slotkin (D-MI), të cilët përfaqësojnë distrikte të ndryshme dhe sjellin perspektiva dypartiake në komitete kyçe si ato të marrëdhënieve të jashtme, të mbrojtjes dhe buxhetimit. Këto biseda theksuan ndikimin në rritje dhe zërimin e unifikuar të shqiptarëve-amerikanë mbi çështjet ndërkombëtare dhe kombëtare. Gjithashtu, anëtarët e AFA-s festuan betimin e Senatores Slotkin në Muzeun Ndërkombëtar të Spiunazhit së bashku me drejtues të shquar shqiptaro-amerikanë si Suzana Shkreli, Drin dhe Rialda Kukaj, Gëzim Rushiti, Gino Mulliqi dhe Doc Vranici, duke theksuar unitetin dhe përkushtimin e komunitetit ndaj angazhimit qytetar.

Shqiptarët Për Amerikën vazhdojnë të shtyejnë përpara promovimin e prioriteteve shqiptaro-amerikane në Capitol Hill. Bashkohuni me ne për të fuqizuar zërin tonë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për komunitetin shqiptaro-amerikan. Për të mësuar më shumë dhe për të u bërë anëtar, vizitoni AlbaniansForAmerica.org.

Filed Under: Emigracion

EKSKLUZIVE/  HISTORIA E HARRUAR E VRASJES SË PABESË TË ISMAIL BEJ VLORËS

January 6, 2025 by s p

NGA EVARIST BEQIRI*

Këtë shkrim ia kam kushtuar një personazhi dhe një ngjarjeje shumë të rëndësishme kombëtare, por të lënë krejtësisht në harresë nga historiografia dhe institucionet shqiptare. Po sjellim sot vetëm dy, nga një sërë artikujsh të shtypit evropian lidhur me ngjarjen që i dha goditjen e parë dhe vendimtare, përpjekjes  së parë për pavarësimin e Shqipërisë. Gazeta e Milanos (Mars, 1829) dhe Gazeta e Firences (nr. 29, 7 mars 1829), në shkrimet e tyre që po i publikojmë për herë të parë, pasqyruan vrasjen e pabesë të Ismail Bej Vlorës, në Janinë, më 5 janar 1829. Po në të njëjtën periudhë, po të njëjtin lajm e pasqyruan edhe disa gazeta të tjera europiane, si Gazeta Piemontese, Gazeta e Provincës Breshiane, Courrier D’Orient etj.

Ali Pasha Tepelena u ekzekutua më 24 janar 1822. Pas rënies së tij, në shumicën e trojeve të Toskërisë, pushteti i vërtetë mbeti në duar të asaj që William Meyer, konsulli britanik në Prevezë, e quajti “Liga e Toskërisë”, një oligarki ushtarake e përbërë nga udhëheqës të pakënaqur, që dikur kishin qenë pjesë e oborrit të Ali Pashës. Siç ishin mbajtësi i shpatës së Ali Pashës, Zylyftar Iljaz Poda, mbajtësi i vulës, Muhurdar Ago Vasjari, thesarmbajtësi Omer Vrioni, kreu i rojeve, Tahir Abazi, komandanti i rendit publik, Elmaz Meçe, si dhe disa krerë ushtarakë si Dervish Hasani dhe Sulço Gorça. Duke qenë fqinjët më të afërt të grekëve të rebeluar, si edhe duke mbajtur ende shumicën e forcave ushtarake operacionale në rajon pas shpërbërjes së qeverisë së Ali Pashës, qëndrimi i tyre kundër Revolucionit Grek ishte i një rëndësie kyçe.

Ismail Bej Vlora (1778-1829), shfaqet në këtë periudhë si udhëheqësi kryesor shqiptarë në Toskëri. Nga ana tjetër, osmanët forcuan aleancën me Omer Pasha Vrionin, si kundërpeshë. Ismail Bej Vlora ishte ngarkuar nga qeveria osmane për të luftuar Revolucionin Grek (1821–1829). Ai nuk pranoi që t’i kundërvihej kryengritjes greke dhe të vendoste në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve. Ai u largua nga fronti osmano-grek, bashkë me afro 4 mijë trupat e tij. Për shkak të rebelimit të tij, që në vitin 1822, Sulltani firmosi dy fermanë të ndryshme që duhet të zbatoheshin sipas situatës, njëri parashikonte internimin, ndërsa tjetri vrasjen e Ismail Bej Vlorës dhe të vëllait Beqir Bej Vlorës. 

Udhëheqësit shqiptarë pasi u tërhoqën nga fronti i luftës greko-osmane, ishin të interesuar për faktin se deri ku do të shtrihej revolucioni grek dhe deri sa mund ti kërcënonte tokat shqiptare. Nga burime greke mësojmë se në vitin 1827, vëllai i kryetarit të parë të shtetit grek, Kapodistrias, kishte hyrë në bisedime me Ismail bej Vlorën, për të negociuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj kryengritjes greke. Po këto burime bëjnë me dije se në bisedimet e zhvilluara ishte arritur marrëveshje mes palëve për paprekshmërinë territoriale të njëri-tjetrit. 

Në vjeshtën e vitit 1828, kur u bë e qartë se çështja greke po shkonte drejt zgjidhjes përfundimtare, udhëheqësit shqiptarë të Toskërisë, nën kryesimin e Ismail Bej Vlorës, Zylyftar (Iljaz) Podës dhe Shahin Bej Delvinës, mblodhën një kuvend në Berat. Ata diskutuan për kthimin e të drejtave që paria shqiptare kishte gëzuar tradicionalisht nën sundimin osman. Ismail Bej Vlora ishte kryetar i Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit (6–8 nëntor 1828). Ky kuvend krijoi organizatën politike me emrin “Lidhja Shqiptare”, e kryesuar po nga Ismail Bej Vlora. Ajo kundërshtonte pushtetin e centralizuar të sulltanit, si edhe punoi për shtrirjen e rrënjëve të saj në krahinat e tjera të Shqipërisë. Fatkeqësisht, kjo ngjarje vendimtare, për fatet e kombit tonë është anashkaluar gjithmonë. Ajo mbetet edhe sot e gjithë ditën e pavlerësuar nga historiografia dhe autoritetet zyrtare…

Në nëntor 1828, 84 vite para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, nga qyteti i Beratit, shqiptarët kërkuan pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ata kërkuan krijimin e një shteti shqiptar, që si bërthamë territoriale do të kishte territoret shqiptare ku kishte sunduar Ali Pasha Tepelena. Në një letër të vitit 1828, Ismail Bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemal Bej Vlorës) i ftoi krerët shqiptarë të mos silleshin si nëpunës të shtetit osman, por si pjesë e udhëheqësisë së Shqipërisë, e cila kishte fuqinë dhe detyrimin të merrte vendime për të ardhmen e saj: “Mos u nxitoni për t’i shkatërruar dhe asgjësuar komitët [grekë], pasi sikurse e dimë të gjithë, ajo që po ndodh me punët e grekëve do të na ndodhë edhe neve. Që punët e popullit shqiptar të rregullohen ashtu siç duhet dhe të merren nën kontroll të plotë, jam marrë vesh me [Iljaz] Podën,… Ngaqë edhe ju jeni pjesë e parisë së Shqipërisë, hapini mirë sytë për të mbrojtur atdheun tonë.”

Ismail Bej Vlora filloi projektin për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Prandaj, Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në “Masakrën e Janinës” (5 janar 1829), së bashku me 18 njerëz të shpurës, në kështjellën e Janinës nga Reshit Mehmet Pasha (1780–1839). Menjëherë pas këtij akti, Reshit Mehmet Pasha (Kütahi), u emërua në postin e Vezirit të Madh nga Sulltani. 

Vrasja pabesisht e Ismail Bej Vlorës, u konsiderua si një fyerje kombëtare për shqiptarët. Ajo ngjalli zemërim të thellë në Jugun e Shqipërisë. Megjithatë, krahina e Vlorës do të mbetej një kala e pamposhtur për turqit edhe pas vrasjes së Ismail Bej Vlorës. Vëllai i tij, Beqir Bej Vlora e çliroi  krahinën e Labërisë nga turqit. Gjatë kësaj periudhe osmanët u shfaqën të pafuqishëm për ta nënshtruar Vlorën. Në një raport që veziri i madh i drejton Stambollit më 12 shtator 1830, dëshmohet se: “Beqir Vlora (vëllai i të vrarit Ismail Vlora)… nuk do të lëshojë nga dora anët e Vlorës, që i ka në pushtetin e tij…” 

Vrasja e Ismail Bej Vlorës (1829), “Masakra e Manastirit” (gusht 1830), ku u masakruan pabesisht mijëra krerë shqiptarë, dhe rënia e Pashallëkut të Shkodrës (1831), treguan qartazi se osmanët do ta shtypnin dhunshëm çdo tentativë për shkëputje të trojeve shqiptare nga perandoria. Gjithsesi, Ismail Bej Vlora ka meritën e madhe që i dha për herë të parë çështjes shqiptare ngjyresën kombëtariste.

Kuvendi i Mesaplikut (1847), i cili krijoi “Lidhjen Kombëtare Shqiptare”, shënon një tjetër ngjarje politike ku manifestohet publikisht nevoja e bashkimit politik të të gjithë shqiptarëve për të realizuar shkëputjen nga shteti osman. Në programin kombëtar u shpreh qartë domosdoshmëria e bashkimit të shqiptarëve të të gjitha besimeve. Në këtë kryengritje, për herë të parë u shfaq kërkesa për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Mahmud Bej Vlora, i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, ishte një nga krerët kryesor të kësaj lëvizje, prandaj, si pasojë e qëndresës së familjes Vlora ndaj reformave të Tanzimatit, Mahmud Bej Vlora, Muhamet (Mehmet) beu dhe kushërinjtë, Selim Pasha Vlora dhe Mustafa Pasha Vlora, u internuan në Konia. 

Kryengritja e vitit 1847, me qendër në Labëri, kundër masave që parashikonte Tanzimati dhe për vetëqeverisjen e Shqipërisë, është nga përpjekjet e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Më pas, duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët, u frenuan përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane. Prandaj, Mahmud Bej Vlora, i biri i Ismail Bej Vlorës dhe i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje, në vitin 1853-1854, u rreshtua krah trupave osmane në Thesali, për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, e cila kërkoi të përfitonte nga angazhimi i ushtrisë osmane në Luftën e Krimesë. 

Ndjenja e mirëfilltë e përkatësisë kombëtare nis të zhvillohet te shqiptarët përgjatë shekullit të XIX-të, ku ka fillesat edhe Rilindja Kombëtare. Shqiptarët zhvilluan luftëra të pandërprera lokale kundër autoriteteve turke, sidomos gjatë kohës së zbatimit të reformave të Tanzimatit. Karakteristikë për këtë armiqësim është një dokument, i cili gjendet në bibliotekën e parlamentit grek në Athinë. Ai është një vendim i Kuvendit të Labërisë (1847), nën kryesinë e Mahmud Bej Vlorës (i ati i Ismail Qemalit), të Abdyl Bej Delvinës dhe të Myslym Gjonlekës (i biri i Zejnel Gjonlekës), ku i bëhet thirrje mbretit grek të mbështesë kryengritjen shqiptare kundër Turqisë, në këmbim të krijimit të “Mbretërisë greko-shqiptare”, brenda së cilës secili komb do të qeverisej në mënyrë të pavarur dhe vetëm personi i sundimtarit, si edhe ushtria e marina do të ishin të përbashkëta. Kërkesën e kanë nënshkruar 44 figura të shquara shqiptare (ndër ta edhe pesë ortodoksë). Kryeministri i atëhershëm grek, gjenerali Koletis, e përkrahu këtë kërkesë. Por, kolegët e tij dhe parlamenti grek nuk e pranuan statusin e veçantë që kërkonin shqiptarët brenda kësaj mbretërie.

Vizioni është një element thelbësor i lidershipit. Shpesh, idetë që përbëjnë vizionin janë aq të fuqishme sa kapërcejnë shekujt dhe bashkojnë breza të tërë njerëzish drejt realizimit të tyre. Vizioni i lirisë kishte hedhur rrënjë të thella në familjen Vlora, duke përfshirë të paktën tre breza në këtë kauzë madhore. Ismail Bej Vlora u vra, por nuk u mposht. Ideali i tij për një Shqipëri të pavarur u bë realitet 84 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, nga nipi i tij, Ismail Qemal Vlora. 

Periudha para Pavarësisë së Shqipërisë është një kapitull kyç në historinë tonë, e mbushur me ngjarje të rëndësishme që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar. Duhet siguruar që të gjithë kontribuuesit në çështjen tonë kombëtare të marrin vlerësimin e merituar. Njohja e thellë e së shkuarës është çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të begatë. Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme.

Në një kohë kur kujtesa kolektive është më e rëndësishme se kurrë, ne shqiptarët kemi nevojë për një histori kombëtare më të plotë dhe më të drejtë. Periudha para Pavarësisë është një pasqyrë e aspiratave, sakrificave dhe dëshirës për liri të të parëve tanë. Me shpresën se viti 2025, do të shënojë një kthesë në këtë drejtim, duke përdorur tashmë si duhet edhe teknologjinë e avancuar, si Inteligjencën Artificiale, ne duhet që t’ju bëjmë drejtësi të gjithë atyre që kanë kontribuuar në formimin e kombit tonë. 

Kjo është një detyrë e rëndësishme për të gjithë ne, si individë dhe si shoqëri. Njohja e historisë është vendimtare në forcimin  identitetit tonë kombëtar. E vërteta historike dhe drejtësia historike janë të domosdoshme për të pasur një shoqëri të plotë dhe të drejtë…

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

Filed Under: Histori

Sot ditëlindja e Fan Nolit – Rent o Marathonomak….

January 6, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Imzot Noli, idetë dhe vizionet e tua për Shqipërinë ende shqetsojnë “shakaxhinjtë e përparimit” që nën petkun e historianëve, kritikëve , estetëve përpiqen të zvogëlojnë veprën tënde.

Fan Noli iu duk i çuditshëm në shoqërinë shqiptare , si i rënë nga qielli kur u thoshte shqiptarëve se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do t‘u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin, ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”.

E deshën shumë pak fqinjët se do t’u vinte kufirin tek thana, ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic, Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”, politikë të drejtë dhe sukses të tyre.

E cilësuan aventurier, sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai s’i njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari, që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë tjetrin sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.

Gjithsesi Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin mizerabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”.

I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte, duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që s’e deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues” të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë.

Imzot Noli ju mbeteni gjallë në ndërgjegjen e kombit, një maratonomak që përcjell lajmin e fitores të së mirës mbi të keqen, të së drejtës mbi padrejtësinë, të përparimit mbi prapambetjen.

RRENT, OR MARATHONOMAK

Rent, or rent, rent e u thuaj

Se u çthur ordi e huaj,

Se betejën e fituam

Dhe qytetin e shpëtuam!

Rent, or rent,

Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine

Dhe vërtitesh ndaj Athine,

Nëpër fush’ e brek mi brek

Këmba tokën as t’a prek,

Hip’ e zbrit,

Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s’e the,

Djers’ e gjak pikon për-dhe;

Do që ti të jesh i pari,

Për triumfin lajmëtari

Flamur-gjak,

Kuqo, Marathonomak!

T’u tha gryka, po s’të pihet,

T’u mpi këmba, po s’të rrihet,

Se mileti po të pret,

Ankthi zëmrat ua vret,

Vrer e tmerr,

Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s’dogji djelli

Dhe si plumb s’rëndovi qjelli,

Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj

Hij’ e lisit edhe kroj;

Turru tej,

Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin

Ferra çjerr e guri grin

Afsha gjoksin përvëlon

Syrin avulli verbon;

Ur’ e prush,

Furr’, or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn

Prej Vullkani flag’ e tym

Se ç’vëngon e se ç’gulçon,

Zëmra brinjët t’i çkallmon

Me tokmak,

Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,

Ngrehin krahët të të ndalin,

Mos, se s’janë veç Najada

Magjistrica dhe Driada;

Lark, or lark,

Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,

Ja qyteti e njerëzia

Që të pan’ e që të çquan

Dhe fuqinë t’a rishtuan

Ha dhe pak,

Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:

Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!

“E fituam!”, brohorite

Dhe për tok’ u-përpëlite;

Vdiq, or vdiq!

Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, dyke bërtitur,

Nëpër shekuj faqe-ndritur,

Se i vogli shtrin viganin

Dhe i shtypuri tiranin,

Veç e tok,

Tok, or Marathonomak!

Filed Under: Opinion

Masakrat në Çamëri e Kosovë, një roman mbi fatin tragjik të trojeve

January 6, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Populli shqiptar nuk vuan nga kompleksi i gjenocidit, kjo është një pasuri shpirtërore e tij. Ky është mesazhi që përcjell shkrimtari Pajtim Çaushi nga Konispoli, nga pjesa e mbetur e Çamërisë. Romani “Robina e ëngjëjve”, që sapo është hodhur në qarkullim, vjen pas disa botimeve të sukseshme të autorit në prozë e poezi (tetë romane, pesë vëllimeve me poezi e katër novela).

Eshtë një prozë e gjatë me subjekt interesant, që lidhet me fatin tragjik të trojeve shqiptare si rezultat i masakrimit të popullsisë autoktone dhe i coptimit të trojeve etnike përgjatë viteve të shekullit të njëzetë.

Sfondi gjeografik i vendosjes së ngjarjeve është jugu dhe verilindja e Shqipërisë. Përmes ngjarjeve reale të ndodhura në territoret tona përgjatë një shekulli, shenjohen artistikisht pasojat tragjike që ranë mbi kombin shqiptar si rezultat i zbatimit të vendimeve të Konferencës së Londrës përmes lojës së Fuqive të Mëdha për të plotësuar orekset shoviniste të fqinjëve Jug e Veri.

Autori e realizon bukur artistikisht imazhin e coptimit të atdheut duke e përqasur me veprimin e hanxharit të mishtarit që pret copat e gjallesës së therur dhe i hedh andej këndej në gojën e grabiqarëve me uri të panginjur.

Rrëfimi është thurrur mbi bazën e paraleleve të ngjarjeve historike që kulmojnë me qershor – marsin e viteve 1944 – 1945 dhe janarin e pranverën e vitit 1999. Datimi i parë ka si objekt tregimi masakrat e bandave zerviste ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore – qershor ’44 – mars ’45. Pika toponimike ku kryhet masakra është qyteti i Paramitit (Paramithia). Objekti i masakrës dhe dëbimit janë shqiptarët çamë të besimit musliman.

Datimi i dytë i ka përqëndruar linjat e rrëfimit në fshatin Raçak të Kosovës kur ushtria kriminele serbe në janar të vitit ’99, në përfundim të mijëvjeçarit të dytë, kreu masakrën gjakatare ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare duke lënë të vrarë 46 fëmijë, gra e të moshuar.

Ndonëse në kohë të distancuara e territore të largëta, të dyja ngjarjet kanë një emrues të përbashkët, atë të organizimit të masakrave deri në shfarrosje të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.

Edhe mjetet janë të njëjta: grabitje, tortura, vrasje, përdhunime, dëbime me dhunë, poshtërime masive…Urë lidhëse për ngjizjen e rrëfimit bëhet personazhi i Nanë Fatës e cila është përfaqësuese e të gjithë femrave shqiptare që përjetuan masakra e përdhunime tek të afërmit dhe tek vetja.

Fata masakrën e bandave zerviste në Paramithi e në gjithë Çamërinë e ndieu realisht në moshën e adoleshencës. Një vajzë paramithiote në kohën e ëndrrave të bukura për pranverën e jetës, bie papritur në errësisën mesjetare të veprimeve barbare e shtazarakëve të kanibalëve zervistë.

Ndërsa masakrën dhe dëbimin nga trojet shqiptare të Çamërisë e jetoi në moshën e ëndrrave për të ardhmen, masakrën e Raçakut e Drenicës në Kosovë nga fashistët serbë të Milosheviçit e përjetoi në moshën e vonshme të pjekurisë e pleqërisë. Në moshën kur njeriu është më pranë jetës së tejme, më pranë momentit të takimit me Zotin e Madh.

Pikëisht, kjo shërben si bërthamë narrative lidhëse mes të djeshmes e të sotmes, jetës dhe tejjetës.

Me ndihmën e katër ëngjëjve shoqërues Nanë Fata mundi të shkojë tek Empiriumi, Kryeselia e Zotit të Madh. Atje jep shpjegimet e kërkuara nga ëngjëll Dosja për krejt rrjedhën e masakrave zerviste mbi shqiptarët muslimanë në Çamëri.

Bërthamat e shumta narrative që lidhen me udhëtimin e Nanë Fatës nga Toka në Empirium si tek mali i zhveshur, dukja e nepërkave, ardhja e katër ëngjëjve, udhëtimi në qiellin e pritjes, kalimi i urës së perit, Pallati i mjegullt me 999 kate, takimi me Zotin, bisedat me ëngjëll Dosjen janë ndërtuar mbi bazën e teknikave artistike të drejtimit letrar të Realizmit Magjik. Ndërthurren natyrshëm dukuritë e ngjarjet njerëzore me ato tejnjerëzore.

Linja tokësore e subjektit realizohet jo mbi bazën kompozimit linear të ngjarjeve, por me teknikën e krijimit të një kompleksi mozaik. Skenat e ndërtimit të Urës së Mesit nga tre Çelot, ngjarja interesante e tri nuseve me tre vëllezërit, tragjikja e Mujit dhe Bardhës, rrëfimi për xha Fanin e Janin, udhëtimi dhe përballja e Sarës e Bojkos e plot skena të tjera harmonizojnë realizmin, me legjendën, mitin e rrëfimin bisedor, dokumentin dhe shtypin, intervistën dhe telegramet, konferencat e shtypit dhe gazetat e kohës.

Autori bën kujdes për të qënë sa më objektiv dhe realist në trajtimin e marrëdhënieve mes popujve dhe lidhjeve miqësore të tyre.

Krahas vrasjes së papritur e të pabesë të shqiptarëve Bardhi dhe Ylle, tregohet edhe për denigrimin e përdhosjen e grekut të thjeshtë e të drejtë xha Fanit, komshiut e mikut të familjes së Kadri Seitit. Njëherësh Maria, e shoqja e tij, e qan si birin e vet Bardhin që e kishte rritur në duart e saj me dashurinë e një nëne të mirë.

E njëjta edhe me fqinjin nga veriu. Krahas vrasjes tragjike të kosovarëve Muji dhe Bardha, krijohet edhe bërthama rrëfimtare për serbët Velko e Sara të cilët përjetojnë nga ushtarët bashkëkombës të kllonuar me urrejtje e instikte shtazarake tmerre e tentativa përdhunimi pavarësisht etnisë së njëjtë.

Mesazhi që përcillet është tërësisht njerëzor e miqësor: Populli shqiptar nuk vuan nga kompleksi i gjenocidit, kjo është një pasuri shpirtërore e tij.

Popujt, pavarësisht nga besimi dhe emri, kombësia dhe ngjyra përballë të keqes që buron nga instiktet e errësirës i nënshtrohen të njëjtit fat: përdhunimit, denigrimit e dëbimit nga vatrat amëtare. Por principet e humanizmit janë më superiore dhe të plotfuqishme se primitiviteti i shovinizmave të ndryshëm, që janë edhe një rrezik potencial dhe real për një deformim të historisë moderne.

Teknikat rrëfimtare që ka përdorur autori janë të larmishme dhe tërheqëse për çdo kategori lexuesi. Dimensioni leksikor dhe morfologjik është i përcaktuar nga një model i jashtëzakonshëm i një sintakse të brendshme, lakonike. Brenda subjektit harmonizohen rrëfimi linear me atë në retrospektivë, lutjet dhe ditari, njoftimet dhe kronikat, urdhrat e deklaratat. Çdo detaj dhe çdo çast në këtë roman merr një reliev plastik në hullitë e dramatikes e tragjikes, ku syrit të shkrimtarit nuk i shpëton as dhe ngjyrimi më i vogël; ndjeshmëria e tij e mprehtë nuk humbet as lëvizjen më të vogël.

Në përgjithësi romanet e P. Çaushit nuk janë thjesht kimi eksperimentuese, por alkimia e realitetit, me një realizëm gati demoniak, ku fati vizaton çdo dhimbje. Si shkrimtar me përvojë, gjithçka e sheh nga brenda duke na dhënë përfytyrime me saktësi stenografike, që nuk kanë nevojë për shumë vizatim. Në romane si “Robina e Engjëjve” shikon me tmerr se në sipërfaqen e qetë të kësaj bote, ka një botë tjetër që është një purgator martirizimi dhe flakët e aktakuzës ngjiten deri te ata që drejtojnë botën e ngritur mbi padrejtësi dhe egoizma misterioze force e antihumanizmi.

Filed Under: LETERSI

Në lavd të Gjuhës Shqipe…

January 6, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Në kohën kur bota rrotullohet nën hijen e gjuhës angleze, gjuhë që sundon teknologjinë, tregtinë dhe mendjet e shekullit tonë, një zë i thellë dhe i heshtur ngrihet nga malet tona, nga lugjet e Shkëlzenit dhe valët e Drinit: është gjuha shqipe.

E lashtë sa vetë shpirti i këtij populli, shqipja nuk kërkon të dominojë; ajo përbën një qëndresë. Fjalët tona, të ruajtura në gojëdhëna dhe këngë kreshnikësh, nuk kanë dëshiruar të bëhen globalisht të njohura, por kanë ndërtuar kulla të mendimit të thellë dhe të thjeshtësisë madhështore. Shqipja nuk është e fuqishme si anglishtja, por është sublime.

Pyesim veten shpesh: Si mbijetoi shqipja, kjo gjuhë e vogël në numër, kur shumë të tjera u shuan në hidhësinë e kohërave? Përgjigjja qëndron te mençuria shqiptare. Një pleqëri që s’e ke gjetur në akademitë e mëdha, por në sofrat e malësorëve, ku një fjali bartte një botë. Kur një i moshuar shqiptar thoshte: “Fjala është më e rëndë se shpata”, ai nuk mburrej, por ruante një kod etik, një traditë që sfidonte shekujt.

Gjuha angleze mund të jetë anija kozmike që udhëheq globalizimin, por shqipja është rrënja, mali që qëndron pa u tundur nga stuhitë. Anglishtja mund të fluturojë, por shqipja qëndron e përjetshme, si vetë toka që e mban.

Faleminderit atyre që ruajtën këtë thesar. Faleminderit gjyshërve tanë, që në heshtje, me punën e tyre, me urtësinë e tyre, e mbajtën të gjallë gjuhën dhe identitetin tonë. Ata nuk ndërtuan perandori, por na lanë diçka më të madhe: një fjalë që nuk shuhet dhe një shpirt që nuk dorëzohet.

Kush e kupton fuqinë e kësaj gjuhe dhe mençurinë e këtij populli, nuk ka nevojë për miliona fjalë të tjera. Ai e kupton që, mes perandorive të mëdha dhe fuqive globale, shqiptarët ruajnë krenarinë e tyre, jo si një iluzion i madhështisë, por si një të vërtetë të pashlyeshme.

Shqipja është e vogël në numër, por e madhe në shpirt. Dhe për këtë, unë përulem para saj.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT