• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2025

EMRAT ASNJANËS DHE GABIMET TONA ME TA

February 22, 2025 by s p

Në një shfaqje televizive në një nga televizionet tona kombëtare, para konkurrentëve të konkursit u shtrua pyetja: “Sa gjini ka emri në gjuhën shqipe?”. 

Kjo ishte një pyetje e vështirë për konkurrentët e atij konkursi televiziv, të cilët ishin shqiptarë, shqipfolës, që lëndën e gjuhës shqipe e kanë bërë për 8-9 deri në 12 vjet nëpër shkolla. Përgjigjja e konkurrentit ishte: “Dy gjini: gjinia femërore dhe mashkullore”. 

Nga kjo përgjigje mora shkas të trajtoj këtu edhe gjininë asnjanëse të emrave në gjuhën shqipe, që ky konkurrent, ashtu si një pjesë e madhe e shqipfolësve, siç duket, nuk e dinë që ekziston. 

ATËHERË, emri në gjuhën shqipe ka tri gjini: gjinia mashkullore, gjinia femërore dhe gjinia asnjanëse. Edhe pse gjinia asnjanëse është drejt zhdukjes, këta emra ekzistojnë ende në gjuhën shqipe.

EMRA ASNJANËS janë kryesisht emra të nyjshëm, që kanë ardhur nga:

1. emërzimi i pjesoreve të foljeve: të ecurit, të ardhurit, të qarët, të qeshurit, të menduarit, të qenët etj.;

2. emërzimi i mbiemrave duke ruajtur nyjën përpara, p.sh.: të errëtit, të kuqtë, të zitë etj.

Përveçse shumë shqipfolës nuk e dinë që këta janë emra asnjanës, por edhe kur i përdorin nëpër rasa të ndryshme gjatë të folurit apo të shkruarit, i përdorin gabim. Ndaj e shoh me vend të sqarojmë dhe të kuptojmë më mirë nga vijnë këta emra dhe si t’i përdorim drejt ata.

Në literaturë dhe jo vetëm hasim plot raste, kur përdorimi i këtyre emrave nëpër rasa të ndryshme është gabim. Kështu hasim:  /Ishte ënjtur nga të qarit./ Të qenit njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./

Në këto dy fjali këta dy emra asnjanës, “të qarit” dhe “të qenit”, janë shkruar gabim. 

Për ta kuptuar se si shkruhen saktë, le t’i lakojmë sipas rasave emrat e këtyre dy grupeve:

  1. Grupi i parë: emrat që vijnë nga pjesoret e foljeve

Emërore: të qenët/të qarët/të ngrënët  

Gjinore: (i/e) të qenit/të qarit/të ngrënit

Dhanore: të qenit/të qarit/të ngrënit

Kallëzore: të qenët/të qarët/të ngrënët

Rrjedhore: të qenit/ të qarit/të ngrënit etj.

Shohim që në rasën emërore dhe kallëzore këta emra asnjanës dalin më –ët, kurse në gjinore, dhanore e rrjedhore dalin më -it. (Morfologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave)

Pra, te dy fjalitë më sipër kemi përdorimin e gabuar të trajtës së gjinore-dhanores në vend të emërores e kallëzores. Këta emra asnjërës saktë do të ishin: 

/Ishte ënjtur nga të qarët./ Të qenët njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./

Por, KUJDES! Duhet pasur parasysh se në rastin e emrave asnjanës që vijnë prej pjesoreve më –ur, -uar, -yer (p.sh.: të folurit, të ecurit, të menduarit etj., trajta e gjinore-dhanores dhe trajta e emërores e kallëzores përputhen:

Emërore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Gjinore: (i/e) të folurit/ecurit/të mësuarit

Dhanore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Kallëzore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Rrjedhore: të folurit/ecurit/të mësuarit etj.

Pra, për t’i përdorur saktë nëpër rasa emrat asnjanës prejfoljorë, duhet parë se nga vijnë: 

  1. nga pjesore që dalin më -ë, (qenë-të qenët; qarë-të qarët; parë-të parët, pirë-të pirët, sharë-të sharët, ngrënë-të ngrënët etj.), që në emërore dhe kallëzore dalin më -ët, kurse rasat e tjera më -it;
  2. nga pjesore që dalin më -ur, -uar, -yer (folur-të folurit; menduar-të menduarit; ecur-të ecurit, vrapuar-të vrapuarit, të lyerit etj.) Këta emra dalin më -it në të gjitha rasat, pra dalin njësoj. 
  1. Grupi i dytë: emrat që vijnë nga emërzimi i mbiemrave 

Këta emra dalin njësoj nëpër të gjitha rasat. 

Emërore: të errëtit/të kuqtë

Gjinore: (i/e) të errëtit/të kuqtë

Dhanore: të errëtit/të kuqtë

Kallëzore: të errëtit/të kuqtë

Rrjedhore: të errëtit/të kuqtë etj.

Pra, kjo kategori emrash asnjanës dalin në formë të ngurtësuar, njësoj në të gjitha rasat, sa shumë specialistë të fushës mendojnë të hiqet kategoria gramatikore e rasës të këtij grupi emrash.

Mirëpo në literaturë hasim edhe disa trajta të këtyre emrave asnjanës prejfoljorë, të llojit: të ftohurin, të vonuar, të menduarin etj. 

Këto trajta përdoren kur i referohen emrit që përcaktojnë dhe duam të shmangim përsëritjen e këtij emri. 

Nxënësi i ftohur: i ftohuri: Atë të ftohurin mos e merrni në ekskursion!

Nxënëse e menduar; e vonuar: Të vonuarën qortoje, të menduarën lëre të mendohet!

Përgatiti: Sevi Lami Agolli

Filed Under: Sofra Poetike

Filmi “Pasaporta” shfaqet në New York më 25-26 Shkurt 2025 me pjesmarrjen ekskluzive të regjisorit Eduart Grishaj dhe Arbana Osmanit

February 22, 2025 by s p

Edoni dhe Vlera janë dy të rinj që duan të largohen nga Shqipëria, në mënyrë ilegale. Ata lidhen me një grup mafioz të strukturuar të cilët do t’i çojnë drejt Kanadasë me pasaporta fallco. Edoni dhe Vlera duhet të bëjnë sikur janë një çift. Rruga është plot me peripeci dhe sfida. Ata dashurohen me njëri-tjetrin, pa marrë parasysh rrezikun që u kanoset.

Linku për biletat:

https://eventa.al/…/8d6eda50-6fd5-4ae8-a5d5-66163807d681

Filed Under: Kulture

Tallja e cinizmi, sfida jonë përballë fëmijëve!

February 22, 2025 by s p

Agim Baçi/

Nuk besoj se ata prindër të atyre fëmijëve që kanë tallur Irsan për varfërinë e saj, e cila u vetëvra vetëm se nuk mund të duronte më bullizimin prej bashkëmoshatarëve të saj, mund të flenë të qetë as sonte e as për shumë kohë. Nuk është e lehtë për askënd nga ne që as nuk e ka njohur, e jo më për prindërit e saj dhe prindërit e bashkëmoshatarëve, të lexojnë ato rreshta ku Irsa ka rrëfyer se përse kish vendosur ta linte këtë botë, duke rrëfyer se prindërit që e donin kishin bërë gjithçka, por pa mundur t’i sigurojnë më shumë. Irsa Muçollarin sot nuk e gjykojmë dot. Për të vetëm mund të lutemi, që Zoti ta falë e ta marrë pranë vetes. Por ama, mënyrën se si flasim me fëmijët, duhet të mos e shmangim, nëse nuk duam që të jemi dëshmitarë të ngjarjeve si ajo që ndodhi me Irsan.

Nuk është e lehtë padyshim që të frenojmë këtë dëshirë të fëmijëve për të vënë në lojë të tjerët. Mbaj mend që unë jam sfiduar nga im bir kur kam dashur t’i flas se si duhet të sillemi me ata që bashkëudhëtojmë në përditshmërinë tonë. “Të them diçka babi? – Ti nuk e kupton fare brezin tim!”, më tha disa kohë më parë im bir, Marini, atë kohë katërmbëdhjetëvjeçar, teksa i flisja lidhur me efektin e keq që mund t’i shkaktojë kujtdo prej nesh ndjekja e vazhdueshme e videove të pakontrolluara në internet, plot xhirime me provokimeve, ku shfaqet hapur dhuna, tallja dhe seksualizimi i shoqërisë së sotme.

Fjalët e tij më shtynë që të përpiqesha që më parë duhet të kuptoja se përse isha kaq larg kuptimit të asaj që i interesonte brezit të tim biri.

E teksa i kërkova që të më shpjegonte diçka se përse nuk e shihte mundësinë që bashkë me mua të xhironim disa filma të shkurtër për të shfaqur pasojat e bullizimit në marrëdhënien mes fëmijëve, apo nevojën që kanë fëmijët me aftësi ndryshe për t’u bërë pjesë e shoqërisë, ai më tha hapur frikën që kishte: “Nëse do shfaqem me këto filma apo me video të tilla, shokët e mi mund të tallen me mua! Sepse kështu bëjnë të gjithë moshatarët e mi – tallen me gjithçka, vënë në lojë këdo”.

Ndoshta në këtë pozitë si unë janë vënë shumë prindër kur kanë dashur të largojnë fëmijët nga videot që kanë në qendër të shfaqjes së tyre vënien në lojë të të tjerëve, pa kursyer as të lindurit me aftësi ndryshe.

Padyshim që nuk është aspak e lehtë në fakt t’i mbushësh sot mendjen një adoleshenti se bota zgjidhet duke besuar më shumë te vetja. Ndoshta nuk e kanë pasur kaq të lehtë as prindërit tanë me ne vite më parë, kur edhe ne na dukej sikur dinim gjithçka, pa pasur nevojën e mençurisë dhe përvojës së tyre për të gjykuar botën. Madje ka shumë të rritur që ndoshta nuk e kanë gjetur kurrë në jetë besimin as te vetja e as te tjetri edhe pasi janë bërë prindër.

Dhe duhet ta imagjinojmë se sa vështirë e kanë fëmijët e sotëm ku përmes internetit në telefon, ku transmetohen në çdo kohë gjendjen dhe fjalët tona, tallja nuk mbetet thjesht në një ambient të vogël, por bëhet publike, shpërndahet duke tronditur këdo, sidomos të vegjlit, që nuk arrijnë të kuptojnë fuqinë e gabimeve të çastit, sidomos të gabimeve që kanë të bëjnë me botën e tyre në rritje e plot enigma për mendjen dhe trupin e tyre. Ndoshta këtë fakt e kanë ndeshur me dhjetëra prindër, sidomos në këtë kohë teknologjie. Dhe për dikë mundet që tallja të ketë krijuar një hendek të madh jo vetëm të fëmijëve me prindërit, por edhe të atyre vetë me ëndrrat e veta, me dëshirat për të bërë diçka të mirë.

Por a është e mundur t’i ndihmojmë fëmijët të mos enden me këtë cinizëm në kokë? Si mund të besojmë te vështrimi i tyre me dashuri për veten dhe tjetrin kur në mes është bota vrastare e talljes?

Teksa rreshtoja dhjetëra mendime pas asaj që im bir më tha për brezin e tij, i lashë mënjanë projektet e çastit dhe po përpiqesha t’i thosha diçka lidhur me fuqinë e madhe që ka dashuria në jetët tona, duke i rrëfyer se si gjatë historisë njerëzore, ai apo ajo që kanë arritur të pengojë talljen e një shoku apo shoqeje, apo të keqen ndaj dikujt, janë ndjerë gjithnjë më mirë se të tjerët, pasi shpirti i tyre ka notuar në qetësi. Ashtu mbaj mend se iu drejtova, sikur ta kisha njëkohësisht afër dhe larg, duke i kërkuar që të mos jetojë kurrë me urrejtje dhe frikë dhe se edhe shokët duhet t’i kërkojë të tillë:

Biri im, çdo qytet në botë ka shpirt dhe shpirti i qytetit tonë je ti dhe shokët e tu, ata që janë më të vegjël se ty, ata më të rritur se ty, ata që jetojnë në lagje të ndryshme e që kanë ardhur nga shumë qytete e fshatra të këtij vendi ku kemi lindur. E nëse ne të rriturit jemi treguar të pakujdesshëm që ta mbajmë këtë qytet me një shpirt të pastër, me njerëz që të adhurojnë të mirën, apo që kemi heshtur përpara së keqes së përditshme, atëherë mundet që këtë pakujdesi tonën, këtë gabim tonin, ta ndreqni ju. Sepse, biri im, nëse jeton në një qytet me zemra të errësuara dhe që humbin besimin se ia vlen të jetosh duke menduar dhe vepruar mirë, atëherë ti nuk do ndjehesh kurrë i qetë, e aq më pak i gëzuar që po jeton këtu.

Biri im, shpesh njerëzit justifikohen se nuk kanë faj përballë së keqes, sepse nuk kanë bërë ndonjë gjë të keqe. Por në jetë ka gabime nga veprimet, aq sa ka edhe nga mosveprimet. Sepse shumë gjëra ndodhin kur ne mbyllim sytë ndaj talljes së një shoku apo një shoqeje, ndaj vjedhjeve, ndaj së keqes apo ndaj së ligës, duke mos e ditur se ajo është errësira jonë, që na mbulon të gjithëve e na pengon të lëvizim drejt një vendi me dritë.

Ne të gjithë kemi gabimet tona. Por asnjë gabimmi yni apo i shokëve e shoqeve nuk duhet t’ia hapë derën cinizmit që na pengon drejt dëshirës për të jetuar më mirë me veten dhe me të tjerët. Le të jenë sado të shumtë ata që duken sot se argëtohen nga tallja. Bota ka pasur gjithmonë të tillë e do të ketë. Por të kërkoj që të mos e helmosh zemrën tënde me cinizëm, por të kalosh nga rruga e dashurisë.

E di, nuk është kurrë e lehtë të ecësh duke besuar në fitoren e së mirës, por, dije ama, se është një rrugë që ia vlen të ecësh edhe nëse rrëzohesh, sepse është një rrugë që nuk do të ta çojë kurrë shpirtin tënd në qorrsokak, por do të të japë vetëm mundësi.

Thjesht, biri im, dua të të them që nëse do të përpiqesh t’i zgjidhësh problemet në jetë me dashuri, do të kuptosh se zemra do të të mbrojë që ligësia të të mos bëhet streha jote.

…Këtë debat të gjatë me tim bir ma risolli ngjarja e vetëvrasjes së Irsa. Ikja e saj nga turpi i talljes nga bashkëmoshatarët e saj është edhe dështimi ynë, si prindër, që nuk u flasim fëmijëve për një botë me sytë nga Dashuria. Dhe do vijojmë të turpërohemi nëse nuk bëjmë diçka që tallja mos të jetë shtroja e mendimeve dhe e hapave të tyre…

Filed Under: Sociale

Tash me gjilpanë, jo me gërshanë

February 22, 2025 by s p

Fatmir Konja/

“V”-ja e gishtave u bo gërshan “, tha Albin Kurti në një takim me zgjedhësit gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. E kishte fjalën për aktet e qeverisë së drejtuar prej tij kundër korrupsionit. Ndoshta ishte edhe një përgjigje ndaj komenteve mediatike se në periudhën para zgjedhjeve nuk po i ndaheshin nga dora lopata dhe gërshërët për të përuruar investimet e kryera nga qeveria e drejtuar prej tij. Simbolika e gërshërëve iu bashkëngjit në këtë mënyrë simbolit “VV” për të fituar “500k ❤️“. Me gjasë u pëlqye nga votuesit e bindur të partisë së tij, por votuesit e pavendosur nuk i shkuan pas fijes euforisë dhe mujsharisë së Kurtit, i cili kërkoi gjithçka ose asgjë. Nga ana tjetër, Kurti dhe Vetëvendosja, të ardhur në pushtet me fitore plebishitare katër vite më parë, i kishin përdorur “gërshërët” rregullisht kundër çdo mundësie bashkëpunimi me kundërshtarët politikë, deri edhe për çështje thelbësisht të interesit shtetëror, ku spikat çështja e koordinimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Revanshi i Kurtit, i yshtur nga numrat në Kuvend, nuk u la asnjë hapësirë përpjekjeve të partive të tjera politike për t’u dëgjuar dhe për të kontribuuar në këtë fazë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Jo vetëm kaq, po edhe në momente kritike të marrëdhënieve edhe ashtu të tendosura me kancelaritë perëndimore, nuk ndërmori asnjëherë një konsultim të sinqertë me faktorët politikë të vendit. Në këtë kontekst, Kurti bëri copash me “gërshërët” e tij edhe kostumin e dikujt që nga baza e zgjedhësve të Vetëvendosjes thirrej “Albin baba”, duke mos i respektuar, e shpeshherë duke i tallur kundërshtarët politikë. Pikërisht për shkak të kësaj sjelljeje, edhe pse ka marrë dyfishin e votave të partisë së dytë në radhë, partitë opozitare janë bërë bllok kundër tij dhe asnjëra prej tyre nuk po jep asnjë shenjë se mund të hyjë në bisedime për të ndërtuar një qeveri me Kurtin kryeministër. Sikur të mos mjaftojë kjo, përfaqësuesit e kancelarive perëndimore duket se nuk kanë ndërmend të mbështesin krijimin e një qeverie të re të drejtuar nga Kurti, për të mos thënë se ka prej tyre që po përcjellin mesazhe që e minojnë këtë mundësi. Tanimë, shumë më gjerë se në rrethet politike apo diplomatike, po përpiqet të zërë rrënjë ideja se një qeveri e re me kryeministër Albin Kurtin nuk do të shihej si partnere e besueshme as e Brukselit, e as e Uashingtonit. Nuk është e tepërt të themi se rivalët politikë janë duke pritur edhe ndonjë ndërhyrje direkte nga përtej Atlantikut për të rrëzuar përfundimisht përpjekjet e Kurtit për një qeveri të re të ndërtuar prej tij. Duhet shtuar fakti se rrëzimin e Kurtit e dëshirojnë njëheraz, por për arsye të ndryshme, edhe qeveritë e Beogradit dhe të Tiranës. Këtë të dytën dhe emrin e kreut të saj, me shumë elegancë nuk e përmendi kurrkund as ish-drejtori i VOA, Elez Biberaj në analizën e para dy ditëve mbi idenë e tij se marrëdhënia e veçantë e Kosovës me SHBA, nën qeverisjen Kurti është shndërruar në një marrëdhënie të ndërlikuar. Është fakt se aventurieri politik i Tiranës i ka bërë boll dëme Kosovës me nismat e ndërmarra për të siguruar kredo politike ndërkombëtare për qeverinë e tij. Thënë të gjitha këto, Albin Kurtit i duhet të hedhë tutje gërshërët, dhe të përpiqet tanimë me gjilpërë t’i qepë vetes një kostum të ri, të një politikani jo vetëm të gatshëm për kompromis me opozitën për krijimin e një qeverie të re, por të përulur para nevojës urgjente që ka Kosova për një zë të përbashkët të të gjithë faktorëve politikë të vendit përballë sfidave dhe rrethanave të reja gjeopolitike.

Filed Under: ESSE

Evropa si fushëbetejë e mundshme kontinentale dhe mundësit e mbrojtëjes të shtetëve anëtare të BE-së nga agresioni rus

February 22, 2025 by s p

C:\Users\Lenovo\Desktop\M.R-BUDAPEST.jpg

Prof.Dr.Muhamet Racaj,

Gjeneral major

Mundësia e një lufte klasike në përmasa rajonale është në rritje përshkak të agresionit Rus ndaj Ukrainës dhe këcnimeve të vazhdueshme ndajë shetëve të BE-së, për sa kohë që ekziston edhe mundësia më e vogël që të ndodhë një skenar i tillë, duhet pasur kujdes dhe të merren parasysh të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në rrjedhën dhe rezultatin përfundimtar të saj.

Fushëbeteja mund të përkufizohet si hapësirë ose zonë ku zhvillohen ngjarje të rëndësishme ushtarake ose zonë tokësore, detare dhe ajrore në të cilën kryhen operacione ushtarake, zonë ose vend në të cilën ndodhin ngjarje të rëndësishme ushtarake.

Me kalimin e kohës si ka përparuar teoria ushtarake, është formuar një përkufizim përgjithësisht i pranuar për fushëbetejën. Fushëbeteja mund të përfshijë tërësinë e hapësirës ajrore, tokësore dhe ujore, në të cilën kryhen operacione ushtarake ose janë zona potenciale ku do të kryhen operacionet ushtarake. Sipas teorisë ushtarake bashkëkohore, fushëbeteja përkufizohet si hapësirë tokësore, ujore, ajrore dhe eventualisht kozmike në të cilën kryhen veprime ushtarake-luftarake të palëve (shteteve) ndërluftuese dhe angazhohen forcat e tyre të armatosura dhe burime të potencialit ushtarak. Fushëbeteja përkufizohet edhe si hapësirë gjeografike në të cilën është zhvilluar, zhvillohet dhe do të zhvillohet lufta, së bashku me potencialin e përgjithshëm ushtarak dhe burimet e tij përfshirë edhe potencialin tjetër të palëve ndërluftuese. Për sa i përket hapësirës gjeografike në të cilën kryhen operacionet ushtarake-luftarake dhe përcaktohen palët në përplasjen, fusha e betejës mund të klasifikohet dhe ndahet në fushë betejën e përgjithshme, e cila përfshinë hapësirën e përgjithshme të palëve ndërluftuese dhe fushëbetejën e veçantë e cila paraqet pjesë të fushëbetejës të përgjithshme. Për sa i përket fokusit të veprimeve luftarake të llojeve të forcave të armatosura, fushëbeteja mund të jetë tokësore, detare (ujore) dhe ajrore. Gjithashtu fushëbeteja mund të klasifikohet edhe sipas llojeve të luftës. Dhe kështu në aspekt të llojeve të luftës, fushëbeteja mund të jetë botërore,kontinetale, rajonale dhe lokale.  

Struktura dhe elementet e fushëbetejës 

Fushëbeteja në kuptimin ushtarak paraqet kategorinë më të lartë të hapësirës. Fushëbetejën e përbëjnë fushëbeteja, fushëluftim, fokusi ushtarako-gjeografik, objektet ushtarako-gjeografik dhe drejtimet e veprimit.

Fushëbeteja (Theatre of operations) është pjesë – element i fushëbetejës dhe paraqet pjesë të caktuar të hapësirës tokësore, detare dhe ajrore, në të cilën kryhen operacione ose veprime ushtarake të përmasave më të gjera. Me dimensionet dhe karakteristikat e saj, fushëbetejën më shpesh e përbëjnë tërësia operacionale (strategjike) dhe gjeografike (ekoniomike) dhe përfshin 1-2 drejtime strategjike dhe disa drejtime operacionale. Madhësia dhe kufijtë e fushëbetejës përcaktohen në kohë paqeje nga plani ushtarak ose plani fillestar i operacionit. Fushëbeteja në parim e përbëjnë më shumë fushaluftimi. Mund të jetë tokësore, detare dhe ajrore. 

Me vetë shfaqjen e luftës, lindi nevoja nga përkufizimi i hapësirës në të cilën organizohen dhe kryhen operacione ushtarake. Përpjekjet e para për përkufizimin e asaj hapësirës, në shekullin XVIII i bëri mendimtari dhe teoricieni i famshëm ushtarak, gjeneralmajor prusian Carl von Clausewitz, në librin e tij “Për luftën”, ku fushëbetejën e përkufizon si pjesë të hapësirës në të cilën luftohet dhe e cila ka kufijtë e vet të mbrojtur. Mbrojtja përbëhet nga fortesa ose pengesa natyrore. Hapësira në të cilën luftohet mund të jetë e ndryshueshme, në varësi të rrjedhës të luftës dhe luftimit.

Fushëluftimi (Battlefied, battleground) paraqet hapësirë tokësore, detare në të cilën zhvillohen luftime ose beteja në përmasa më të vogla. Kjo paraqet pjesë të fushëbetejës, qoftë si pjesë të hapësirës në të cilën zhvillohet betejë ose është e pavarur. Emrin e merr sipas objektit gjeografik më të afërt ose më të spikatur rreth të cilit zhvillohet beteja. Fokusi ushtarako-gjeografik është një pjesë ose pjesë të hapësirës gjeografike ku më shumë janë të përfaqësuara veprimet luftarake të palëve ndërluftuese, gjegjësisht paraqet objektivat themelore strategjike të veprimit luftarak të palëve ndërluftuese. Objektet ushtarako-gjeografike janë varg i objekteve strategjike (fushëbeteja, drejtimi komunikuese – udhëtuese, hekurudhore, ajrore) që janë me rendësi ushtarako-strategjike. Objektet strategjike janë pjesë më të rëndësishme të fushëbetejës, gjegjësisht fushëluftimit. Objektet operacionale janë elemente themelore – objekte në zonën e operacioneve, ndërsa taktike janë objekte ushtarake me rendësi më të vogël ushtarake, objekte me rëndësi taktike.

Drejtimet e veprimit paraqesin hapësirën tredimensionale në të cilën forcat e armatosura lëvizin, furnizohen dhe veprojnë luftarakisht. Drejtimet e veprimit mund të jenë divirgjente, të cilët nga brendësia zgjerohen drejt objekteve ndaj të cilëve veprohet (më shpesh gjatë kryerjes të depërtimit ose nxjerrjes të forcave). Drejtimet e veprimit mund të jenë konvergjente, të hapësirës të gjerë rrethore ose gjymsërrethore drejt objektit ndaj të cilit veprohet, për shembull, gjatë raportit të favorshëm të forcave për tejkalim sa më të shpejtë të objektit në të cilin veprohet (sulm në vendbanim, desantë ajrorë, etj.). drejtimi strategjik i veprimit është hapësirë e rripit tredimensional me rëndësi strategjike, të drejtuar drejt një ose më shumë objektivave strategjike dhe mund të jenë tokësore-ajrore dhe detare-ajrore. Drejtimi strategjik i veprimit duhet të mundësojë mundësi hapësinore për pranimin e forcave me përmasa strategjike dhe kryerjen e operacioneve strategjike. Duhet gjithashtu të mundësojë sigurimin e kushteve të favorshme për arritjen e objektivit strategjik. Fushëbeteja mund të përkufizohet si hapësirë ose zonë ku zhvillohen ngjarje të rëndësishme ushtarake ose zonë tokësore, detare dhe ajrore në të cilën kryhen operacione ushtarake, zonë ose vend në të cilën ndodhin ngjarje të rëndësishme ushtarake.

Karakteristikat e fushëbetejës Evropiane

Një nga faktorët e shumtë që do të ndikojnë në luftën eventuale, sigurisht, janë edhe faktorët gjeografik të shqyrtuar nga aspekti ushtarak. Karakteristikat fizike-gjeografike të Evropës bëhen pikënisje nga ku fillon të ndërtohet aspekti ushtarako-gjeografik i Evropës. Përveç karakteristikave fizike-gjeografike, Evropa specifikën e saj e ndërton edhe me kompleksitetin e pozitës politike-gjeografike dhe gjeostrategjike. Të gjithë këto faktorë ndikojnë në situatën momentale politike në Evropë, ndërsa në rast lufte të përmasave më të vogla ose më të mëdha definitivisht do të ndikojnë edhe në vendimin për atë ku dhe me çfarë forca të veprohet. Gjithashtu, sipas tyre, në masë të madhe përcakton se cila pjesë e Evropës ka përparësinë më të madhe në luftë, dhe cila pjesë do të shërbejë për arritjen e këtij prioriteti.

Kjo analizë kryesisht vë në dukje karakteristikat fizike-gjeografike të Evropës dhe ndikimin e tyre në veprimet e mundshme ushtarake, të gjitha këto janë të ndërthurura më tej me kushtet politike dhe ekonomike të parë nga një këndvështrim ushtarak. Pas shpërbërjes së sistemit bipolar ushtarako-politik botëror (i cili si dukët përseri po kthehët), në kontinentin evropian, përveç fushëbetejës të përhershme të veçantë të NATO-s, janë shfaqur numër më i madh i fushëbetejave të veçanta që në fakt, janë përfaqësuar me territoret të shteteve evropiane që kanë qenë anëtare të ish Paktit të Varshavës:  Polonia, Rumania, Hungaria, Bullgaria, si dhe shtetet e sapokrijuara që dolën nga copëtimi i ish-federatave të BRSS, RSFJ dhe Republika e Çekosllovakisë, edhe atë: Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Estonia, Letonia, Lituania, Çekia, Sllovakia, Moldavia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Sigurisht këtu në vend të parë duhet të theksohët se pjesa më e madhe e hapësirës të fushëbetejës të veçantë të ish Paktit të Varshavës së bashku me potencialin e madh ushtarak tani i takon fushëbetejës të veçantë të pjesës evropiane qe mundë të sulmohët nga Rusia.

Çdo hapësirë, së bashku me të gjitha resurset e saj, në të cilën është zhvilluar, zhvillohet ose përgatitet të zhvillohet luftë të përmasave botërore, paraqet fushëbetejë (të përgjithshme) kontinentale ose botërore. Evropa, së bashku me zonën e saj ujore dhe ishujt, paraqet fushëbetejë të mundshme kontinentale dhe botërore më të rëndësishme. Rëndësia ushtarake-gjeografike në kontinentin evropian rrjedh nga pozita e saj gjeografike, ndërsa pastaj nga heterogjeniteti politik, ekonomik, kombëtar, fetar dhe qytetërues, si midis i shteteve individuale, ashtu edhe në strukturën e brendshme shtetërore të faktorëve të lartpërmendur pothuajse në secilin prej tyre.

Kompleksiteti i faktorëve të lartpërmendur jep shenjë të fushëbetejës të përgjithshme evropiane si hapësirë në të cilën, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kundërshtohen interesat e një numëri të madh të shteteve evropiane ose jashtë-evropiane dhe asociatave ndërkombëtare. Ndër to, më i rëndësishëm është aleanca ushtarako-politike NATO dhe SHBA si anëtare udhëheqëse në atë së bashku me Britaninë e Madhe, pastaj Bashkimi Evropian ku mbizotërojnë interesat e Gjermanisë dhe Francës, ndërsa këtu duhet të kihen parasysh në veqanti interesat e Rusisë. Fushëbeteja evropiane është hapësirë që përfshinë të gjithë tokën evropiane, brendësinë dhe bregdetet me pjesë të zonës ujore oqeanike së bashku me ishujt dhe hapësirën ajrore mbi tokë dhe detë. Karakteristikat themelore të fushëbetejës të veçantë të Aleancës të NATO-s do të mund të definohen me konstatimet vijuese: në kuptimin hapësinor kjo fushëbetejë përveç pjesës qendrore përfshinë pjesën perëndimore, jugore dhe juglindore të Evropës që karakterizohet me numër të madh të gadishujve të mëdha dhe të vogla, deteve, ngushtica, gjire dhe ishuj, që për shkak të hapësirës të madhe dhe relievit heterogjen karakterizohet me dobësi operacionale-strategjike të rëndësishme. Kjo hapësirë ​​është e vendosur midis deteve në perëndim dhe tokës së gjerë në lindje që i përket Rusisë dhe fushëbetejave të tjera të veçanta të shteteve që nuk janë anëtarë të kësaj aleance ushtarako-politike. Kjo fushëbeteje ka një strukturë relievore të pafavorshme, pasi kryqëzohet nga një numër i madh vargmalesh malore (skandinave, pirenej, alpe, shar-pindus, karpate dhe male të tjera). Hapësira e madhe (veri-jug rreth 6500 km dhe lindje-perëndim 3500 km) e ndërlikon komandimin dhe dislokimin strategjik të trupave, prandaj krahët veriorë dhe jugorë varen shumë nga transporti detar, i cili është mjaft i ngadaltë. Pjesa më e madhe e fushëbetejës i mungon thellësia e nevojshme, e cila në pjesën verilindore të Greqisë është reduktuar në përmasa taktike, pasi në disa drejtime është vetëm 40-50 km, në Norvegji rreth 50 km, etj. Duke shkuar nga lindja në perëndim, hapësira bëhet gjithnjë e më e ngushtë, gjë që në rast të një ofensive të përgjithshme nga lindja ulë ndjeshëm kapacitetin e frontit për të dyja palët në një konflikt të mundshëm, për të cilën duhet të mbahet llogari. Për arsyet e theksuara, mbrojtja e fushëbetejës me forca konvencionale është mjaft e ndërlikuar, veçanërisht duke pasur parasysh ndjeshmërinë e saj të lartë ndaj depërtimit në zona të cekëta.

Një nga anët negative të fushëbetejës të veçantë të NATO-s është shpërndarja mjaft e parregullt hapësinore e potencialit ushtarak, sepse resurset kryesore urbano-ekonomike dhe demografike janë vendosur në pjesën qendrore dhe në hapësirë mjaftë të vogël, ndërsa në krahët e potencialit ushtarak janë të shpërndara, me përqendrim më të madh në pjesën juglindore të skajshme. Në çdo variant të luftës botërore (bërthamore ose klasike) pjesa më e ndjeshme të fushëbetejës të veçantë të NATO-s është pjesa e evropës qendrore, veçanërisht zonat urbane-industriale në lindje nga Rhien. Gjithashtu, duhet të dihet se ndjeshmëria e kësaj fushëbeteje rrit edhe varësin e saj transportuese nga rajonet e jashtme tejeoqeanike logjistike. 

Ana e favorshme e kësaj fushëbeteje është që mbulon të gjitha daljet detare nga Evropa drejt deteve të ngrohta. Ana pozitive e saj është se mund të shërbejë si një urë e mirë për pranimin e forcave të mëdha që do të silleshin nga perëndimi. Gjithashtu, ana pozitive është që në formë gjysmërrethore përfshinë fushëbetejat tjera dhe që në hapësirat e krahut mbizotëron terren malor. 

Mundësitë dhe nevojat mbrojtëse të Evropës nga agresioni Rus.

“Mos u mashtroni, Presidenti Trump nuk do të lejojë që dikush ta shëndërrojë Xhaxha Semin në një ‘financier të përhershëm dhe të pafundëm'”, tha  në një konferencë për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes i SHBA-ve Pit Hegset, me 13.shkurt  2025 duke aluduar në shetet e BE-s anëtare të NATO-s. Ai theksoi se Evropa duhet të jetë kryesisht përgjegjëse për mbrojtjen e kontinentit evropian.

Nga fillimi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare, të shtyrë nga interesi për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin mbrojtës nisën etapën e re në procesin e integrimit, duke vënë një bashkëpunim më të fortë ndërnacional dhe ndërshtetëror. Në Mastriht në vitin 1992 me marrëveshjen për Bashkimin Evropian qëllimi ka qenë një bashkim ekonomik dhe monetar (si shtyllë e parë e BE), politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë (shtylla e dytë) dhe bashkëpunimi i ngushtë në jurisprudencë dhe në punët e brendshme (shtylla e tretë). Në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë u bë e mundshme që në një moment të caktuar në të ardhmen të instalohet politika e përbashkët mbrojtëse, e cila do të ngrihej në nivel të mbrojtjes së përbashkët.

Vlerësimi rreth kërcënimeve dhe sprovave të sigurisë, me të cilat do të ballafaqohet Evropa në vitin 1992 nuk e përcakton mundësinë për një sulm masiv ndaj Evropës, por Bashkimi Evropian ballafaqohet me kërcënime të reja, mjaft të paparashikueshme dhe të llojllojshme, me përplasje regjionale, përhapje të armëve për shfarosje në masë, rënien e shteteve dhe krimin e organizuar.

Pas agresionit Rus ndaj Ukrainës ky vlersim është rishikuar dhe ndajë Evropës mundë të ketë një sulmë masiv nga Rusia me të njëjtën strategji si në Ukrain.Përpjekjet për të zgjidhur kërcënimet kyçe e nxitën nevojën për të rishikuar mundësitë dhe nevojat mbrojtëse të Evropës. Gjurmëve për të gjetur mekanizma të rinj mbrojtës, planifikuesit e mbrojtjes, teknologët dhe industrialistët çdo ditë anë e mbanë Evropës marrin vendime, të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në mundësitë mbrojtëse dhe krijojnë bazën teknologjike dhe industriale për njëzet vitet e ardhshme. Atyre që marrin vendime të këtilla, të quajtur “ krijues të së ardhmes “ u nevojitet ndihma më e madhe e mundshme, që të kuptojnë të ardhmen për të cilën marrin vendime që sot.

Për shembull tezë kryesore që përdoret në studime të këtilla është se do të vazhdojë procesi i globalizimit. Shumë lehtë është që të parashihen skenarë që këtë hipotezë e vënë në pikëpyetje: pandemi masive të pakontrolluara, përdorim i tepruar i armëve për shkatërrim në masë, ose përforcimi i regjionalizmit në marrëdhëniet globale ekonomike(Bashkpunimi evro-aziatik ne mes Rusisë dhe Kinës), me të cilin shtetet do të mbroheshin nga zhvillimi jo i barabartë global dhe nga shfrytëzimi. Shumë studime mbështeten në tezën se procesi i globalizimit është i pandalshëm se një gjë të këtillë të gjithë e kanë pranuar si diçka të kryer. Globalizimi në mënyrë vendimtare ndikon edhe në formimin e Politikës së Sigurisë dhe të Mbrojtjes Evropiane (European Security and Defence Policy, ESDP). Në fakt kapacitetet dhe aftësisë mbrojtëse evropiane përcaktohen nëpërmjet Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes Evropiane.

Me ardhjen e presidentit Tramp insistohët qe Evropa duhet të jetë kryesisht përgjegjëse për mbrojtjen e kontinentit evropian. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes i SHBA-ve Pit Hegset, me 13.shkurt  hodhi poshtë kritikat ndaj strategjisë negociuese të Uashingtonit me Rusinë për luftën në Ukrainë dhe paralajmëroi Evropën që të mos e trajtojë Amerikën si “të paaftë”, duke e bërë atë përgjegjëse për mbrojtjen e saj.

“Mos u mashtroni, Presidenti Trump nuk do të lejojë që dikush ta shëndërrojë Xhaxha Semin në një ‘financier të përhershëm dhe të pafundëm'”, tha Hegset në një konferencë për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai theksoi se Evropa duhet të jetë kryesisht përgjegjëse për mbrojtjen e kontinentit evropian.Hegset shkaktoi një stuhi kritikash në Evropë pasi qe deklaroi se kthimi i kufijve të Ukrainës në gjendjen e para vitit 2014 është i parealizueshëm dhe se administrata e Trump nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të zgjidhjes për luftën e shkaktuar nga agresioni rus.Kritikët e Hegsetit argumentojnë se këto deklarata nënkuptojnë se Shtetet e Bashkuara po heqin dorë nga fuqia e tyre negociuese me Rusinë edhe para se bisedimet të fillojnë, duke e cilësuar këtë si një fitore të madhe për presidentin rus, Vladimir Putin.

Me 13.shkurt 2025, Hegset mbrojti komentet e tij si një pranim të realitetit të fushëbetejës dhe la të hapur mundësinë për lëvizje nga SHBA në negociata që mund të shihen si lëshime, duke përfshirë çështje si furnizimet amerikane për Ukrainën dhe prania e trupave amerikane në Evropë.
“Mendoj se do të ishte e drejtë të thuhet se çështje si financimi i ardhshëm – më pak ose më shumë – mund të jenë pjesë e bisedimeve,” tha ai.

Me 12.shkurt 2025, Trump bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke u kërkuar negociatorëve amerikanë të fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund pothuajse tre viteve të luftës.

Hapja e njëanshme e Trump ndaj Putinit, e shoqëruar me lëshime të dukshme për kërkesat kryesore të Ukrainës, shkaktoi alarm si në Kiev ashtu edhe tek aleatët evropianë të NATO-s, të cilët shprehën shqetësimin se Shtëpia e Bardhë mund të arrijë një marrëveshje pa pjesëmarrjen e tyre.”Ne, si një shtet sovran, thjesht nuk do të mund të pranojmë ndonjë marrëveshje pa ne,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për gazetarët në Ukrainë. Zyrtarët evropianë mbajtën një qëndrim të ashpër ndaj përpjekjeve të Trump për paqe, duke deklaruar se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohej nëse ata dhe ukrainasit nuk do të përfshiheshin në negociata.

“Çdo zgjidhje e shpejtë është një marrëveshje e pistë,” tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, për gazetarët në selinë e NATO-s.Hegset hodhi poshtë idenë se po minon NATO-n apo sigurinë evropiane.

“NATO është një Aleancë e madhe, aleanca më e suksesshme mbrojtëse në histori, por për të mbijetuar në të ardhmen, partnerët tanë duhet të bëjnë shumë më tepër për mbrojtjen e Evropës,” tha  Sekretari Amerikan i Mbrojtjes i SHBA-ve Pit Hegset, Përshkak ndryshimit  të qasjes të Uashingtonit ndaj mbrojtjes evropjane dhe luftës në Ukrainë. NATO po teston aftësinë e saj për dislokim të shpejtë në Evropën Lindore – pa ndihmën e drejtpërdrejtë të SHBA-së .Stërvitjet gjashtëjavore “Steadfast Dart 2025” nëpër Bullgari, Rumani dhe Greqi po zhvillohen ndërsa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet kufirit trevjeçar.

Gjithsesi në këtë proces janë përzier edhe nevojat individuale të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe kërkesat e aleancës së NATO-s. Kështu pak a shumë fitohen vizione, plane dhe programe të pavarura, të cilat bashkërisht përbëjnë mundësitë aktuale dhe të ardhshme të shteteve të Bashkimit Evropian.

Realisht mund të thuhet se pas plotësimit të nevojave individuale të shteteve dhe nevojave të NATO-s, në radhë vjen shqyrtimi i nevojave të Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes Evropiane. Nga ana tjetër pozitiv është edhe fakti që nevojat e NATO-s dhe të Politikës së Sigurisë dhe të Mbrojtjes Evropiane janë dhe duhët të jenë identike.

Për shkak të gjendjes momentale politike në Bashkimin Evropian është fare pak e sigurt se në një të ardhme të afërt nevojat e Politikës së sigurisë dhe mbrojtjes evropiane do të ngrihen mbi nevojat e aleancës së NATO-s dhe të nevojave të veçanta të vendeve anëtare. Edhe përkundër kësaj anëtaret e BE-së kanë mundur të gjejnë qëllimin kryesor dhe strategjinë evropiane të sigurisë e cila ka për të mbuluar një numër të madhe të sprovash sigurie dhe detyra të mundshme. Kjo përfshinë mundësinë e ndarjes së detyrueshme të palëve në konflikt. Kjo mundësi bazohet në themelet e përvojës të vitit 1999 dhe të nevojave të atëhershme që me forcë të vendoset paqe në Kosovë.

Strategjia parasheh edhe kryerjen e operacioneve të stabilizimit në shtetet në të cilat për shkak të veprimeve terroriste shkaktohet një dobësim ose rënie e sistemit shtetëror. Kjo mjafton që Politika e sigurisë dhe mbrojtjes Evropiane të hartojë një plan mjaft të gjithanshëm për veprim.

Me objektiva të këtilla që në fakt ofron vetëm bazën, janë propozuar themelet në të cilat duhet të ngrihen aftësitë e reja të sigurisë, duke përfshirë edhe analizat e hollësishme të reja të cilat do të çonin në udhëzime më efektive dhe efikase. Plotësimi i këtyre rekomandimeve do të sjellë zhvillimin e mundësive dhe kapaciteteve mbrojtëse në të ardhmen.

Në kontekstin global

Për çfarë Evrope bëjmë fjalë dhe për çfarë bote? Vetëm nëse ngec globalizimi apo nëse merr një drejtim të kundërt, bota në vitin 2025/30 me siguri do të jetë më e pabarabartë, me tepër e varur në mënyrë reciproke që do të shkaktonte pabarazi edhe më të mëdha. Parashikimet për rritjen e bruto prodhimit kombëtar kinez tregon qartë se Kina do të jetë ekonomi e dytë më e fortë , India mund të arrijë Japoninë dhe të zë vendin e tretë. Evropa edhe më tutje do të ketë rritje të qëndrueshme – në të ardhurat kombëtare bruto, ndoshta edhe anëtarët e saj, por përparësia e saj teknologjike në lëmin e teknologjisë informatike, bioteknologji dhe nanoteknologji dalë nga dalë po shkrihet.

Evropa në fakt do të ngecë për shkak të shkallës së dobët të rritjes ekonomike që momentalisht në Evropë është 1,5 %. Numri i popullsisë mund të stagnojë për shkak të lindjeve të pakta, por edhe për shkak të zgjatjes sa më të madhe të jetës. Deri në vitin 2025-30 përqindja e popullsisë me aftësi punuese (nga 15 deri 64 vjet dhe mbajtja e kufirit për marrje të pensionit) do të rritet nga 37 në 48 për qind. Kështu evropiani mesatar do të jetë me moshë 45 vjeçare. Evropa në vitin 2025 ka vetëm 6 për qind të popullsisë së botës. Pleqëria dhe zvogëlimi i numrit të popullsisë do t’i detyrojë qeveritë evropiane të ‘importojnë” të rinj dhe punëtorë të arsimuar. Gjersa mungesa e forcës së punës mund të neutralizohet me “import”, forcat e armatosura do të gjenden në një pozitë edhe më të vështirë. Në fakt në vitin 2025, në Evropë numri i personave të aftë për t’u rekrutuar (nga 16 deri 30 vjet) do të zvogëlohet 15 për qind.

Trendët e këtillë demografik do të kenë ndikim në sferën e financimeve publike, për shkak se do të kërkohet sigurimit shëndetësor dhe të pensioneve. Këto kompensime gjatë katër dekadave të ardhshme mund të rriten nga 11 dhe 16 për qind e të ardhurave bruto kombëtare sa janë sot deri në 17 dhe 33 për qind. Rritja e ulët ekonomike dhe rritja e numrit të të papunëve do të ishin si presion shtesë ndaj shpenzimeve shtetërore dhe do t’i detyrojnë ligjvënësit të ndajnë më tepër për të papunët dhe për programe sociale, që patjetër do të shkaktonte ngarkesë për tatimpaguesit dhe kjo gjithsesi do të shkaktonte pengesa edhe për të ndarë mjetë për rroga dhe shpenzime të tjera për personelin ushtarak. Globalizimi padyshim se do të ketë ngadhënjyes dhe të humbur, qoftë ndërmjet shteteve, rajoneve qoftë ndërmjet shoqërive. Sistemet e reja komunikuese edhe më shumë do t’i thellojnë dallimet. Rajonet rreth Evropës do të jenë para sprovave të veçanta. Për shkak të shtimit të madh, numri i popullsisë në Afrikë rritet më shumë se në cilindo vend tjetër të botës, dhe deri në vitin 2025 ëstë rritur rreth 48 për qind, duke arrirë 1,3 milion njerëz, edhe përkundër sëmundjes së sidës. Mosha mesatare e afrikanit është 22 vjet. Ngrohja globale dhe zgjerimi i shkretëtirave, do ta detyrojnë popullsinë të shpërngulet nëpër qytete më të mëdha (pritet se Afrika derin fundë të vitit 2025 do të ketë 11 megaqytete me më shumë se 5 milion banorë). Shumica e popullsisë do të jetë e papunë. Gjithsesi ky do të jetë një vend ideal për të përhapur brengosjen, ku do të krijohen kriza të mëdha humanitare dhe migrime në rajonet më të pasura.

Për nga shkalla e shtimit, Lindja e Mesme do të shtohet edhe më shpejtë se sa Afrika. Popullata e aftë për punë do të shtohet edhe për 50 për qind. Kjo do të shkaktojë problemet e njëjta me papunësinë, ndërsa afër 70 për qind e popullsisë do të vendoset nëpër qytete deri në vitin 2030. Nga ana tjetër , Rusia deri në fundë të vitin 2025 me siguri do të humb 10 për qind të popullsisë. Nuk duhet ndonjë aftësi paragjykuese për të prognozuar tensionet dhe presionet e mëdha migruese të rajoneve përreth Evropës. Njëkohësisht Evropa do të bëhet gjithnjë e më shumë e varur nga pjesët e tjera të botës, veçanërisht për t’u furnizuar me energji. Vlerësimet janë se deri në vitin 2030 konsumi i përgjithshëm i energjisë do të rritet 50 për qind. Konsumi i naftës do të rritet 40 për qind, ndërsa shpenzimi i gazit do të rritet deri 90 për qind.

Burime të naftës dhe të gazit ka me bollëk, por sa do të ketë qasje tek ato. Në vitin 2025 Evropa do të duhet të importojë 90 për qind të naftës dhe 80 për qind të gazit. Njëkohësisht Kina dhe India do ta rrisin në mënyrë konstante shpenzimin e këtyre emergjentëve, duke kërkuar burime të reja në Azi, Afrikë dhe në Lindjen e Afërt. Gjithsesi interesat e sigurisë evropiane do të cenohen drejtpërdrejtë ose tërthorazi nga tensionet në rritje jo vetëm rreth saj, por edhe në përgjithësi. Njëkohësisht Evropa po bëhet gjithnjë e më shumë e varur nga bota, fqinjët e saj gjithnjë e më tepër do të jenë problematik në veqanti Rusia, liderët e saj do të jenë më të ndjeshëm rreth çështjeve për të ndërmarrë ndonjë intervenim ushtarak. Operacionet ushtarake, veçanërisht jashtë BE do të jenë subjekt i një mbikëqyrje më të madhe nga ana e politikanëve, mediumeve dhe qytetarëve. Do rriten shqetësimet e shoqërive dhe të qeverive rreth çështjeve të sigurisë nacionale dhe bashkëjetesës sociale, që do të shkaktonte refuzimin e mundësive për intervenime ushtarake jashtë rajonit të Unionit, veçanërisht në rajonet nga vinë ose do të vijnë numri më i madh i emigrantëve. Pritet që të bëhet vazhdimisht edhe përhapja e kapaciteteve bërthamore, biologjike dhe kimike, që do të komplikonte edhe më shumë marrjen e vendimeve për intervenime ushtarake.

Si pasojë e globalizimit, këtu do të përfshihet gjithashtu edhe çështja e së drejtës ndërkombëtare dhe aspekti legal i ndërhyrjes ushtarake në rajonet e shteteve të pavarura. Kështu , çdo operacion ushtarak, apo vetëm ndonjë veprim që nuk do ta lejonin Kombet e Bashkuara do të konsiderohet si ilegal, që do të shtonte antagonizmat edhe më shumë. Në zbatimin e operacioneve ushtarake vëmendje më e madhe do t’i kushtohet proporcionit dhe logjikës së përdorimit të forcës, duke i dhënë mundësi përforcimit të përgjegjësisë individuale, jo vetëm të drejtuesve politik dhe eprorëve më të lartë ushtarak, por edhe oficerëve dhe nënoficerëve të niveleve më të ulëta të komandimit. Ndjeshmëria e operacioneve ushtarake në raport me dëmin e ndërsjellë do të përforcohet edhe më tepër.

Kujdesi i shtuar për ruajtjen e sigurisë kombëtare gjithashtu do të zvogëlonte dallimin ndërmjet asaj që është shënuar si fushë e “mbrojtjes” dhe asaj që quhet fushë e “sigurisë”, veçanërisht nëse fitohet përshtypja se po rritën kërcënimet “konvencionale” siç është mundësia për ndonjë sulm të drejtpërdrejtë ndaj Evropës nga Rusia.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT