• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, Kosova dhe çështja shqiptare

March 31, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” është një nga organizatat më të vjetra dhe më me ndikim të diasporës shqiptare, e cila ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare dhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Që nga themelimi i saj në vitin 1912, “Vatra” ka ndikuar në politikën e jashtme të SHBA-së në lidhje me shqiptarët, duke qenë një faktor vendimtar në disa momente historike kyçe. Ajo ka shërbyer si një urë lidhëse midis shqiptarëve dhe institucioneve amerikane, duke ndihmuar në krijimin e një perceptimi të favorshëm për çështjen shqiptare në qarqet politike dhe diplomatike në Uashington.

Në këtë analizë të detajuar, do të shqyrtojmë me gjerësi kontributin e “Vatrës” në çështjen shqiptare, duke përfshirë lobimin për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, përpjekjet për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës në periudha të ndryshme historike, rolin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, si dhe ndikimin që ka pasur në procesin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, do të trajtojmë edhe angazhimin e “Vatrës” pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe sfidat e saj në raport me qeveritë e Kosovës dhe politikën amerikane.

I. THEMELIMI I “VATRËS” DHE ROLI NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE (1912-1945)

1. Lidhja me Pavarësinë e Shqipërisë (1912-1913)

Federata “Vatra” u krijua në Boston nga një grup patriotësh shqiptarë, të cilët e panë të domosdoshme organizimin e diasporës shqiptare në Amerikë për të ndikuar në zhvillimet politike në atdhe. Themeluesit kryesorë të “Vatrës” përfshinin figura të shquara si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako dhe të tjerë, të cilët ndanë një vizion të përbashkët për krijimin e një organizate të fuqishme që do të vepronte si një institucion përfaqësues i shqiptarëve në SHBA.

Lobimi për njohjen e Shqipërisë – Në vitin 1913, përfaqësuesit e “Vatrës” ndërmorën një fushatë intensive për të lobuar pranë Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe fuqive të mëdha evropiane për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur. Me anë të peticioneve, memorandumeve dhe takimeve me diplomatë të huaj, ata kërkuan të sigurojnë njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë dhe të shmangin copëtimin e mëtejshëm të territorit të saj.

Misioni i Fan Nolit në Evropë (1919) – Gjatë Konferencës së Paqes në Paris, Fan Noli, si përfaqësues i “Vatrës”, u përpoq të ndërgjegjësonte fuqitë e mëdha për rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së Shqipërisë dhe për të mbrojtur Kosovën nga rreziku i aneksimit nga Serbia. Ai loboi për mosndarjen e Shqipërisë dhe për garantimin e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë.

2.Mbështetja për Shqiptarët e Kosovës nën Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (1918-1941)

Pas vendimeve të Konferencës së Londrës në vitin 1913, një pjesë e madhe e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar, kryesisht nën sundimin serb. Kjo situatë krijoi një krizë të vazhdueshme për shqiptarët në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi.

Denoncimi i kolonizimit serb – Në vitet ’20 dhe ’30, “Vatra” përdori gazetën e saj “Dielli” për të denoncuar kolonizimin serb në Kosovë dhe dhunën sistematike ndaj popullsisë shqiptare. Përmes raportimeve të hollësishme dhe analizave politike, gazeta “Dielli” informonte komunitetin ndërkombëtar për represionin e ushtruar ndaj shqiptarëve nga autoritetet jugosllave.

Ndikimi në politikën amerikane – Në vitin 1928, “Vatra” i dërgoi një memorandum Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ku përshkruhej gjendja e vështirë e shqiptarëve në Kosovë dhe bëhej thirrje për ndërhyrje diplomatike për të mbrojtur të drejtat e tyre.

II. “VATRA” DHE LUFTA E DYTË BOTËRORE – MBROJTJA E ÇËSHTJES SHQIPTARE (1941-1945)

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Vatra” vazhdoi të ndjekë me vëmendje zhvillimet politike që prekën Shqipërinë dhe shqiptarët e Kosovës. Përfaqësuesit e “Vatrës” mbajtën kontakte me qarqet politike amerikane për të siguruar që çështja shqiptare të mos anashkalohej në përfundimet e luftës.

Lobimi në SHBA kundër rikthimit të Kosovës nën Jugosllavi – Pas Konferencës së Jaltës (1945), përfaqësuesit e “Vatrës” kërkuan nga administrata amerikane që të mos lejonte aneksimin e Kosovës nga Tito.

Fan Noli dhe Çështja Shqiptare – Në vitet ’40, Fan Noli vazhdoi përpjekjet diplomatike për të mbështetur çështjen shqiptare dhe për të parandaluar izolimin e Shqipërisë nga Perëndimi.

III. “VATRA” DHE LUFTA E KOSOVËS (1980-1999)

Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe rritjen e dhunës ndaj shqiptarëve në Kosovë, “Vatra” intensifikoi përpjekjet për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në qarqet politike amerikane.

Lobimi në Kongresin Amerikan (1991-1992) – Përfaqësuesit e “Vatrës” u takuan me senatorët amerikanë për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës dhe për të ndikuar në politikën amerikane ndaj Serbisë.

Mbështetja për UÇK-në (1998-1999) – Gjatë luftës së Kosovës, “Vatra” mbështeti ndërhyrjen e NATO-s dhe organizoi tubime në SHBA për të ndërgjegjësuar opinionin amerikan mbi masakrat serbe në Kosovë.

IV. “VATRA” PAS PAVARËSISË SË KOSOVËS (2008-2025)

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, “Vatra” ka vazhduar të mbështesë lobimin për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Mbështetja për integrimin e Kosovës në NATO dhe OKB.

V.“VATRA”, NJË ALEAT I PËRHERSHËM I KOSOVËS

Nëse Kosova dhe diaspora shqiptare arrijnë të bashkëpunojnë më ngushtë me “Vatrën”, ndikimi i shqiptarëve në politikën amerikane do të jetë edhe më i fuqishëm.

Filed Under: Emigracion

“Paniku i shtirur i z.Vuçiç nga aleanca ushtarake Kroaci – Shqipëri – Kosovë”!

March 31, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sigurisht e kam ndjekur me përgjegjësi të shtuar, trufullimar e radhës së Presidentit Aleksandër Vuçiç, mbas nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake midis Republikës së Kroacisë, Kosovës dhe të Shqipërisë. Në pamundësi t’ju pergjigjem veçmas interesimit mediave brenda dhe jashtë vendit, në vijim gjeni një përgjigje të përbashkët mbi burimin të panikut të shtirur dhe kërcënimeve delirante të z. Vučič si dhe rekomandime për paqen dhe ardhmërinë Euroatlantike të popujve të ballkanit perendimor.

Asgjë e re nuk ka ndodhur! I llahtarisur nga oshilacionet që ende bubullojnë nga “bombat e perëndimit mbi bunkrerin Milloshevicit 26 vjet më parë”; nga paranoja ballkanike e përjetësimit të pushtetit si dhe i tmerruar nga revoltat masive që pushtuan beogradin dy javë më parë, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vučič demostroi: “revoltën e Beogradit ndaj një garë armatimesh ne rajon” duke ju referuar marrëveshjes së nënshkruar nga respektivisht 3 ministrat e Mbrojtjes në Tiranë më 18 mars.

Nuk ështe hera e parë (ka me dhjetëra në 26 vitet e fundit të pas clirimit të Kosovës nga USA/NATO) dhe sigurisht s‘ka për të qënë as e fundit. Për ta ilistruar riciklimin e dalldisjes së radhës, po sjell në vëmendje turfullimin e Tij në Janar 2024 kur: “DASh/SHBA konfirmoi shitjen e 246 raketave Javelin me vlerë prej 75 milionë $ për Forcat e Sigurisë së Kosovës, “vetëm” për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse të Kosovës dhe ndërveprueshmërinë me NATO-n”!

Duke shprehur mbështetjen dhe komplimenta ndaj 3 ministrave nënëshkrues, në kapacitetin e ekspertit për çështjet e SK, Rajonit dhe USA/NATO (pra jo revolte patriotike), me vijim po paraqes vlerësime, përgjigje si dhe këshilla strategjike ndaj panikut të shtirur të z.Vučič.

Së pari, e këshilloj Vuçiç të vetë përmbahet, të mos vijojë të bëjë as viktimën e llastuar, as trimin e tërbuar dhe as donkishotin e moderuar duke u vetë-barazuar me Trump-in në Ballkan. Në fakt “rolin e viktimë, pra nga palë humbëse/përgjegjëse për krime ndaj njerëzimit, nuk e ka ushtruar keq dhe Serbia ka përfituar jo pak deri në 2014”! Por mjaft është mjaft !

Së dyti, në asnjë pikë, asnjë rresht dhe asnjë gërme të marrëveshjes në fjalë nuk gjej, pasi nuk ka asnjë qëllim kërcënues ose armiqësor ndaj sovranitetit dhe interesave të Serbisë. Në të kundërt, kjo marrëveshje ka pêr qëllim VETËM për ta forcuar bashkëpunimin mes 3 vendeve për: “promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive ushtarake, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen pêr integrimin euro-atlantik”, përfshi sigurisht Kosovën (meqënëse kjo e tërbon Beogradin) nga çdo kërcënim potencial, që për fat te keq, mbetet e vetë-indetifikuar Serbia.

Thënë këtë, edhe pse të ashpër diplomatikisht, e gjej të qartë përgjigjen e kryeministit të Kroacisë, Andrej Plenkoviçit, që po e citoj: “Nuk ka asnjë natyrë armiqësore, dhe nuk ka nevojë të pyesim askënd, as Serbinë dhe as NATO-n”.

Së treti, për sa kontekstin e ankesës në Bruksel:“se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”, e gjej si delirancë profesionale të këshilltarëve të z. Vuçiç (ose si të gjithë autokratët e ka zënë sëmundja e të gjithëditurit), si ekspert me eksperiencë më shumë se modeste në NATO, konfirmoj se iniciativat, marrëveshjet dhe projektet rajonale janë të inkurajuara nga Koncepti Strategjik i NATO-s por dhe të imponuara nga qasja pragmatike e Presidentit Trump. Si i shëmbull, përmend marreveshjet ushtarake ndermjet 3 vendeve Balltike; 3 vendeve Nordike, 7 vendeve te Vishegradit, që pavarësisht se të gjitha anetare te NATO-s, kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi!

Së katërti, përpara të bëjë potere për/në NATO, do duhet që Beogradi zyrtar, të qartësojë disa PSE (?) për marrveshjet e: “bashkëpunimit ushtarak (Mig-29, Raketa, Tanke) me Rusinë (?); prodhimin e raketave & dronëve me Kinën (?) blerjen e 12 avjoneve të gjeneratës së fundit “Rafalo” me Francën (?), etj! Ndërkohë, që të gjitha këto janë armatime sulmuese/vrasëse që jo vetëm kërcënojne tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës por edhe hedhin në erë status-quonë gjeopolitike, investimin dhe interesat USA, NATO dhe BE për paqen, stabilitetin dhe axhendën Euroatltantike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Edhe me praktikisht do duhet të konfirmohet zyrtarisht ndaj SHBA/NATO/BE por edhe popullit Serb, pse Beogradi harxhon mbi 1.5 Miliard € në vit (pra më shumë se Kroacia, RSh dhe Kosova së bashku), për armatosjen deri në dhëmbë (me Tanke, Mig-29, Helikopter luftimi Mi-35, raketa Pantsir-s, FK-3, etj) (?); kur dihet që Serbia ka ZERO, kapacitete ose këllqe të sfidojë fuqinë ushtarake të USA/NATO/UK.

Së gjashti, ndërsa për përpjekjet për të testuar kohezionin mes 32 vendeve të NATO-s, përfshi edhe tentativën e fundit për bashkëpunim ushtarak me Hungarine, nga kapaciteti ekpertit garantoj se edhe kjo do të dështojë me turp para se Vucic të ketë ikur nga pushteti. Kjo pasi në këtë rast (për ti hedhur benzinë Ballkanit), Hungaria nuk do të tolerohet jo vetëm nga vendet e Rajonit por edhe nga Presidenti Trump, UK, Gjermania dhe jo vetëm.

Së shtati, pretendimin e presidentit Vuçiç se “ky memorandum shkel marrëveshjen e armëve të vitit 1996 të nënshkruar në Firence mes Kroacisë dhe Republikës së atëhershme Federale të Jugosllavisë, Bosnje dhe Hercegovinës (?!!)”, e gjej teresisht qesharak, pasi RFJ (që përfshinte edhe Malin e Zi) ka mbaruar/kapitulluar bashkë me të gjitha marrëveshjet në fushen e mbojtjes dhe sigurisë. Thënë këtë, është Beogradi që nën orkestrimin e Moskes ka shkelur me të dy këmbet marrëveshjen dhe miliarda $ investime të SHBA-ve për ndërtimin e masave të mirëbesimit reciprok në Ballkan (SCBM)!

Së teti, shtatë gjetjeve të sipërpërmendura, po ju shtoj edhe 3 këshilla strategjike ndaj Beogradit zyrtar: (a) Të heqë dorë nga oshilacionet për: “kufijtë e rinj shtetëror në rajon si dhe kërcënimet ushtarake ndaj sovranitetit të Kosovës”, e cila prej 1999 mbetet nën përgjësinë e KFOR/NATO-s; (b) Të mos harxhojë kot para nga taksat e popullit Serb, për armatime moderne, pasi asnjë nga 3 vendet nënshkruese dhe as të treja së bashku nuk e kërcënojmë ushtarakisht Serbinë. Në të kundërt armatosja deri ne dhëmbë e Serbisë, i shërben vetëm “luftës për përjetësimin e pushtetit ne Beograd, interesave te Kremlinit në Rajon, krimit të organizuar si dhe të ultra-nacionalistëve jo vetëm në Serbi”; (c) Revoltat e studentore, i hoqen maskën pazareve të z. Vučić, si faktor i vetëm i moderuar përkundër “rivaleve ektremistë në Beograd si dhe përpjekjeve të Tij për të pirë nga 5 nëna (Moska, Brukseli, Pekini, Parisi dhe Washingtoni)!

Në SHTESË, duke përsëritur konsiderat më të sinqerta ndaj 3 ministrave te mbrojtjes, do të këshilloja Zagrebin, Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, që përkunder “përpëlitjeve dëshpëruese dhe kërcënimeve delekuente të Beogradit”, ta zgjerojne këtë marrëveshje edhe me 2 vendet e tjera NATO-s në rajon (Mali Zi & Maqedonia e Veriut), si dhe përtej “shpërdorimit politik” do duhet ta materializojnë me projekte konkrete si për policimin ajror, emergjencat civile, sigurinë kibernetike, ndaj të cilave asnjë nga vendet tona nuk është imun dhe as mundet kurrësesi të zhvillojë kapacitete për t‘u mbrojtur më vete.

Ndërsa posacërisht për Ministrin z. Vengu, jo vetëm që shpreh publikisht komplimente të merituara për kurorëzimin e kësaj përpjekje në Tiranë, por edhe e inkurajoj që RSh të iniciojë një vlerësim strategjik (bashkarisht me Kroacinë, Malin e Zi dhe MV rreth kërcënimeve të rajonit (e ngjashme me atë të PMR qe zhvillon NATO) për ta kërkuar/prezantuar në një mbledhje të posaçme të NAC/Bruksel. Më konkretisht në këtë vlerësim, do duhet të konsiderohen edhe shqetësimet për armatosjen deri në dhëmbë të Serbisë si dhe shpërdorimi për interesat Ruse në Rajon, etj, në mënyre që të miratohet nga 32 vendet (përfshi Franca, Hungaria, etj), si një direktivë e përbashkët ku të konfirmohen jo vetëm qëndrimet e vëndeve anëtare ndaj këtyre kërcënimeve por edhe vendosmëria zyrtare për të forcuar kohezionin dhe përpjekjet për paqen dhe axhendën e integrimit Euro-Atlantik edhe të 6 vendeve të ballkanit perëndimor.

Ndërsa faktorët politik, aktorët zyrtarë dhe strategjistët/kolegët në Zagreb, Prishtinë, Tiranë, Washington, Bruksel, etj do t’i sugjeroja që perspektivën e stabilitetit në rajon dhe bashkëpunimin me Serbinë do duhet ta para-kushtëzojnë me rikthimin e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave “Beogradi Zyrtare të imponohet” se: (1) Do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake sulmuese (armatime, si Mig -29, raketa Pantsir-S dhe FK-3, etj) deri në nivelin që të mos kërcënojë integritetin territorial; (2) Nuk do të vendos instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë ndër-shtetërore mes vendeve të rajonit.

Nga ana tjetër, do t’i këshilloja vllazërisht faktorët e Prishtinës zyrtare që: “riciklimi i panikut të shtirur si dhe kërcënimeve delirante të Beogradit ndaj kufive shtetëror të Kosovës”, kurrësesi të mos i konsiderojnë si dhurata, por si përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne, përtej prezencës së NATO-s (që nuk mundet të jetë e përjetshme), vendin ku qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin të rolit të Kosovës nga konsumatore në kontribuese për paqen, stabilitetin demokrartik dhe për integrimin në NATO dhe BE!

Në të njejtën kohë, do të ri-këshilloja faktorët institucional në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare, të tejkalojnē axhendar/epshet e politikës për mbajtjen/marrjen e Pushtetit por të përulen në gjunjë para përgjegjësive shtetërore duke jetësuar Platformën e përbashkët: “2-Shtete sovrane 1-Komb i vetëm”, duke e konsultuar dhe garantuar SHBA dhe NATO se kjo “qasje/smart e vonuar” nuk kërcënon Serbinë, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit.

Me këtë rast, rikonfimoj se, mbetem edhe me i përkushtuar për të kontribuar me përgjegjësi, përulësi dhe eksperiencën Euroatlantike për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare si dhe për forcimin e partneritetit strategjik me USA/NATO-n!

Nga*: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Analiza

Motrat Ujkaj nga Malësia synojnë trofetë së bashku

March 31, 2025 by s p

Këtë vit, pjesë e skuadrës kampione të Kosovës në hendboll janë edhe dy lojtare shqiptare nga komuna e Tuzit, Malësia – Suzana dhe Dijana Ujkaj.

Motra e madhe, Suzana Ujkaj, iu bashkua Istogut para shumë vitesh, duke fituar trofetë më të rëndësishëm: titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Qyteti i Istogut u bë shtëpia e saj e dytë, ku tashmë është banore e përhershme dhe anëtare e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës, duke dhënë një kontribut të çmuar. Për tre vite, ajo zhvilloi karrierën e saj në Francë, por këtë sezon është rikthyer te Istogu, kësaj radhe së bashku me motrën e saj më të vogël, Dijanën.

Dijana Ujkaj ndërtoi një karrierë të suksesshme me skuadrën dy herë kampione të Evropës, Budućnostin e Podgoricës. Ajo ka luajtur mbi 70 ndeshje në garën më prestigjioze evropiane, Champions League. Për disa vite, Dijana ishte pjesë e disa prej ligave më të forta evropiane, si ato të Francës dhe Rumanisë. Ajo gjithashtu përfaqësoi Malin e Zi në arenën ndërkombëtare, në një periudhë kur kjo kombëtare ishte ndër më të mirat në Evropë. Me kombëtaren malazeze, Dijana mori pjesë në ngjarjet më të rëndësishme, si Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore dhe Evropiane.

Tani, motrat Ujkaj kanë bashkuar forcat te Istogu, duke synuar t’i sjellin klubit trofetë e radhës. Istogu është një nga klubet më të suksesshme të hendbollit kosovar pas luftës, me gjithsej 11 trofe dhe tetë vite radhazi përfaqësim në kupat evropiane.

Edhe këtë sezon, Istogu është në garë për të gjitha trofetë, dhe me motrat Ujkaj në ekip, skuadra ndihet edhe më e fortë dhe më e sigurt drejt suksesit të radhës.

Suzana dhe Dijana Ujkaj janë një vlerë e shtuar jo vetëm për skuadrën kampione, por edhe për vetë qytetin e Istogut. (KHF Istogu)

Filed Under: Sport

DIPLOMATI I HARRUAR KRISTO MEKSI DHE APELET DREJTUAR FUQIVE TË MËDHA PËR SHQIPËRINË

March 31, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Labova e Madhe, ose Labova e Zhapës, është një fshat në komunën Odrie, rreth 650 metra mbi nivelin e detit, në rrethin e Gjirokastrës. Ky fshat ka një histori të pasur dhe të veçantë, por shpesh është lënë në hije nga ngjarjet e sotme. Rreth 500 vjet më parë, ka pasur rreth 450 shtëpi dhe, para 200 vjetësh, ka pasur edhe një shkollë pedagogjike. Shumë labovitë kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme, si Vangjel Zhapa dhe Konstandin Zhapa, të cilët janë të njohur për pasurinë që fituan dhe për kontributin e tyre të madh në çështjet kombëtare, si dhe për bamirësitë e shumta. Prej tyre, fshati mori dhe emrin “Labova e Zhapës.”

LABOVA DHE SHTYLLAT E LABOVITËVE

Fshati është i banuar kryesisht nga shqiptarë ortodoksë dhe ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës shqipe. Një nga personalitetet e shquara të Labovës është mjeku i Ali Pashës Vangjel Meksi por edhe mjeku dhe studiuesi Apostol Meksi, i cili, së bashku me Kristoforidhin, mësoi gjuhën shqipe Hahn-it. Materialet e tij janë përdorur nga Johann von Hahn për të përhapur studimet për shqiptarët në të gjithë Evropën, përmes librit të tij “Studime Shqiptare” në vitin 1854.

Pas Apostol Meksit, shumë labovitë u angazhuan në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si dr. Dhimitër Meksi, toger Petro Meksi, gazetari Jorgji Meksi, dhe shumë të tjerë, të cilët ishin të njohur si mjeshtër të penës, pushkës dhe fjalës. Ndër ta po veçoj diplomatin dhe politikanin e disi të harruar Kristo Meksi, dy libra të së cilit me apele drejtuar Konferencës së Paqes në Paris me tituj me një frëngjishte klasike përfekte i zbulova gjatë hulumtimeve të mia për periudhën e Pavarësisë e më tej. Këto dy libra që i drejtohen fuqive të mëdha për të njohur të drejtat e kombit shqiptar për liri dhe tërësi territoriale, libri Hristo Mexi Le droit de la nation albanaise (E drejta e kombit shqiptar / Kristo Meksi, Botuar Bukuresht: Instituti i Arteve Grafike “Speranţa”, 1918 dhe Hristo Mexi, Mémorandum à l’usage de monsieur le président et de mess ieurs les membres de la Conférence de la paix : ainsi qu’á celui des commissions accessoires (Memorandum për përdorimin e zotit President dhe anëtarëve të Konferencës së Paqes: si dhe atë të komisioneve ndihmëse , Bukuresht 1919, më bënë të thellohem më tej në zbulimin e aktivitetit të tij patriotik.

Labovitët, një komunitet autokton shqiptar, janë krenarë për identitetin e tyre dhe kanë kontribuar vazhdimisht për atdheun dhe gjuhën shqipe. Një tjetër personalitet i shquar nga Labova e Madhe është dhe ish kryeministri Aleksandër Meksi por edhe Fedhon Meksi, mjek dhe studiues shkencor, i cili ka shkruar librin “Labova e Madhe dhe Labovitët, gjurmime në vite,” duke ofruar informacion të rëndësishëm për historinë dhe traditat e këtij fshati dhe të figurave të tij.

VEPRIMTARIA PATRIOTIKE E KRISTO MEKSIT

Kristo Meksi (1849–1931), ishte një politikan i njohur i fillimit të shekullit të 20-të, ishte një nga delegatët e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe një nga diplomatët e parë të shtetit shqiptar. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të shkollës shqipe dhe ka financuar libra dhe abecedarë në gjuhën shqipe. Po ashtu, ka kontribuar në themelimin e Shkollës Normale të Elbasanit dhe ka qenë një nga ata që mirëpriti Ismail Qemalin për shpalljen e Pavarësisë. Kristo Meksi ka qenë edhe emisari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë në Kongresin Shqiptar të Triestes dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë.

Po patrioti Kristo Meksi i dorëzon Ismail Qemalit 500 mijë frangash ari këtu dhuratë të kryeministrit rumun Taqe, për ngritjen e shtetit të ri Shqiptar. Me 27 Nentor 1912, Kristo Meksi, një prej Diplomateve dhe Politikave te pare shqiptar se bashku me Luigj Gurakuqin dhe 25 shqiptarë të tjerë, priti në Bukuresht Ismail Qemalin i cili vjen nga Trieste për Komunitetin Shqiptar të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë. Kristo Meksi udhëtoi për në Shqipëri për të marrë pjesë në Deklaratën e Pavarësisë dhe u bë një nga delegatët e kuvendit të parë. Më 4 dhjetor 1912, u zgjodh anëtar i Senatit Shqiptar. Kristo Meksi ishte emisari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë në Kongresin Shqiptar të Triestes në 16 shkurt 1913, i cili siguroi njohje për këtë qeveri. Në fjalën e tij shprehu besimin se qeveria provizore së shpejti do të përcaktojë kufijtë e Shqipërisë.

Në shtëpinë e Kristo Meksit në Bukuresht, më 7 Dhjetor 1909, u themelua shoqëria patriotike “Bashkimi”. Në vitin 1911 Kristo Meksi mbështeti kryengritjen e Kosovës dhe shkoi atje ku u takua me krerët e saj.

Ne foto poshtë nga e majta në të djathtë: Filip Gjeka, Pandeli Evangjeli, Dervish Biçakçiu, Kristo Meksi, Luigj Gurakuqi, dhe Sotir Pllati.

Meksi ishte emisar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë në Kongresin Shqiptar të Triestes më 16 shkurt 1913, i cili siguroi njohje ndërkombëtare për atë qeveri. Një vit më vonë, më 1914, Meksi ishte këshilltar i princit Wilhelm Wied. Punoi në qeverinë e Zogut si këshilltar. Vdiq në Tiranë në vitin 1931, pasi ishte verbëruar plotësisht në vitet e fundit.

Nga libri, E drejta e kombit shqiptar / Kristo Meksi, Botuar Bukuresht: Instituti i Arteve Grafike “Speranţa”, 1918, kam shkëputur për lexuesin fragmente dhe apelin e tij për fuqitë e mëdha, dhe mënyrën si në këto memorandume ai analizon qëndrimet e fuqive ballkanike kundër një Shqipërie të lirë dhe të pavarur, ia lexuesit të shijojë thellësinë e analizës e të interpretimit dhe të paraqitjes para fuqive të mëdha, situatën e kombit shqiptar në Ballkan dhe gjendjen e tij. Dhe thirrja dhe apeli i tij për fuqitë e mëdha, nuk është një lutje por një apel në ndërgjegjen e diplomacive të Evropës. “Le të bëjë, pra, bota e qytetëruar një gjest dashamirësie dhe drejtësie dhe të ngrejë zërin në favor të këtij populli në venat e të cilit rrjedh gjaku i një race fisnike!”

SHKAKU I TRAZIRAVE TË VITIT 1914 NË SHQIPËRI

“Kam treguar më lart se kombi shqiptar që popullon në bregun e detit Adriatik gjithë këtë hapësirë të madhe nga kufijtë e Serbisë së vjetër deri në Gjirin e Artës, përveç se cilit territor i përket më shumë se territoreve të Greqisë, iu desh të duronte vuajtjet më të mëdha, iu desh të kalonte peripecitë më fatkeqe për shkak të pushtimeve të ndryshme, kundër të cilave duhej të luftonte me të gjitha forcat për t’i rezistuar, për të mbrojtur ekzistencën e saj kombëtare, duke dhënë me këtë një provë të qartë të këmbënguljes dhe vrullit të racës së saj; dhe tani do të jap disa shpjegime për shkaqet, të cilat e penguan popullin shqiptar të ketë fatin që i ishte caktuar.

Gjatë gjithë jetës së tij, ky komb është përpjekur dhe ka arritur të ruajë të paprekura traditat e tij dinjitoze dhe të ndershme, sukses kjo falë dashurisë së pandryshueshme të popullit shqiptar për familjen dhe atdheun. Kjo shpjegon kuptimin e ekzistencës në Shqipëri të atyre të ashtuquajturve “fise” që përbëhen nga pesëqind deri në gjashtëqind familje, si dhe të atyre krerëve të quajtur “bajraktarë” (bartës të flamurit), të cilët sillen sipas zakoneve dhe ligjeve, të cilëve deri më tani nuk u është shuar fuqia.

Kombi shqiptar, i cili për shkak të jetës së tij etnike dhe cilësive të tij të jashtëzakonshme, duhej të kishte mbase më shumë ndikim në Gadishullin Ballkanik se Greqia, Serbia, Mali i Zi apo Bullgaria, pas kushtetutës si shtete të këtyre popujve të fundit kufitarë, mbeti në një gjendje izolimi të plotë, i mbështjellë si nga një mjegull në mes të ajrit, sepse nuk donte të përfitonte as nga ajri i fqinjëve të përparimit, sytë e fqinjëve hodhën mbi të një vështrim urrejtjeje dhe zilie dhe këta fqinjë u përpoqën t’i shkaktonin telashe të destinuara për ta rraskapitur. Nëse rastësia ka dashur që ky komb të mos ketë një besim të vetëm, por popullin e tij ta ketë të ndarë në tri kategori fetare (muhamedanë, katolikë dhe ortodoksë), kjo ka qenë një nga mjetet e përdorura për të mos e lënë në qetësi, në mënyrë që ai, në bazë të harmonisë së plotë, të arrijë qëllimin e rilindjes dhe përparimit.

Fqinjët e Shqipërisë, të udhëhequr nga pikëpamje të kufizuara, kanë zhvilluar përjetësisht një luftë kundër saj që synonte ta asgjësonte! Mali i Zi, i cili e quajti veten një shtet të qytetëruar, u përpoq shumë herë ta joshë popullin shqiptar në kurthe. Udhëheqësit e këtij shteti, kur bëhej fjalë për shërbimet që mund të bënin shqiptarët, merrnin parasysh shqiptarët, qofshin ata myslimanë apo ortodoksë, të cilët i kishin si fqinjë, mbanin parasysh rregullat e miqësisë, konsideronin bajraktarët e ndryshëm, i prisnin si mysafirë sipas rregullave të mikpritjes së vërtetë, por kur vinte puna për atë që shqiptarët mendonin për veten e tyre për një çast, ata ishin të gatshëm t’i akuzonin ata për t’i bërë ata muslimanë apo zot, të Shqipërisë së Veriut. Serbia u soll në të njëjtat linja, mjeti me të cilin ajo punoi me dëshirë ishte rruga e klerit ortodoks, rruga e peshkopatave serbe në varësi të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, (Patriarkana e përshkruar aq mirë nga z. senator italian Carafa d’Andria në fjalimin e tij të panumërt 1913). u përdor dhe intrigat dhe propaganda e së cilës u zhvilluan kudo, në Stamboll si në të gjithë Gadishullin Ballkanik, veçanërisht në Maqedoni, Shqipërinë Jugore dhe Veriore. Ishte kleri grek ai që, siç dihet përgjithësisht, në bazë të privilegjeve të dhëna nga Porta e Lartë, ishte luftëtari më kokëfortë, veçanërisht kundër kombit shqiptar.

Kishte raste kur grekët e fanariotët luanin rolet më të tmerrshme në Turqinë evropiane, veçanërisht në Maqedoni dhe Shqipëri, kështu që Perandoria Osmane nuk mund të dallonte se çfarë të ardhme do të kishin popullsitë e këtyre dy krahinave. “

“Këta katër shtete fqinje me Shqipërinë, të cilët gjithmonë u përpoqën për madhështinë e tyre në dëm të kombit shqiptar, duke mos arritur të merrnin rezultatin e dëshiruar për planet e tyre që kërkonin shfarosjen e popullit shqiptar për shkak të vigjilencës së po këtij populli, i cili me gjithë shtypjet dhe pengesat e tmerrshme, mundi të punonte ose në brendësi të vendit, ose kishte zgjedhur një rrugë të madhe të mbështetjes së Italisë, në lidhje me Austrinë e të kombit shqiptar dhe krijimit të një shteti të pavarur shqiptar, imagjinuan një projekt mizor që për fat të keq edhe ata e ndoqën dhe që e solli Shqipërinë, e cila megjithatë do të ishte strumbullari i përparimit par excellence në Gadishullin Ballkanik, në gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet sot.

Dhe ndërsa shqiptarët u trazuan për të arritur një zgjerim të dobishëm dhe për përparimin e tyre në të njëjtën kohë Turqia kushtetuese donte të zgjidhte çështjen e arsimit shkollor në Perandorinë e saj; ndërsa xhonturqit, transformatorët e kësaj Perandorie, kërkonin t’i kufizonin këto privilegje të ndyra që i jepeshin klerit ortodoks, i cili përbënte një shtet brenda shtetit në Turqi, dhe ndërsa shqiptarët me këtë rast luftonin për të dëgjuar zërin e tyre, pengesa e parë që plani i fqinjëve u rezervonte atyre, tregoi: se shqiptarët prej kohësh kishin përvetësuar gjuhën e tyre mënyrën e të shkruarit duke përdorur shkronja latine. Por grekët, siç kujtojnë lexuesit, pretenduan dhe bënë propagandë të gjerë në këtë drejtim, që personazhet e përdorur nga shqiptarët të zëvendësoheshin me shkronja greke. “

“Shpalljet sipas faktit nëse e bëri Austria, apo Italia apo Franca që shpalli republikën në një krahinë shqiptare; Sot si atëherë, kur diplomacia evropiane gjendet në rrethana kaq të vështira, mund të mohojë edhe veprat që ajo vetë ka krijuar në të kaluarën? Populli i pafajshëm shqiptar deri tani ka qenë i shtrirë në një pellg gjaku, sikur Shqipëria të ishte toka e një shteti luftarak. Shqipëria ka duruar torturën më të madhe që mund të imagjinojë një mendje njerëzore dhe kërkon ndihmë! Ata që kanë mundësinë të kryejnë një veprim humanitar dhe të drejtë ndaj Universit, le të duan të lehtësojnë menjëherë rivendosjen e Shqipërisë në të gjitha pikat e ligjit të saj të vendosur, duke e përjashtuar kështu Shqipërinë nga të qenit objekt i pretendimeve grabitqare dhe duke hequr shkaqet e mosmarrëveshjeve në të ardhmen në Ballkan, sepse në rastin kur populli i tij sot nuk do ta rimëkëmbë të drejtën e tij, sepse të drejtat që janë të shenjta për ta do të vazhdojnë të shërbehen me mjete gjithnjë e më të dëshpëruara dhe gjaku do të rrjedhë sërish në fushat e Ballkanit.

Diplomacia evropiane gabon krejtësisht kur beson se Shqipëria nuk ka burra të aftë, se Shqipëria nuk është ende gati të vetëqeveriset. Vetëm nëse popullit shqiptar i jepet liria reale, Shqipëria do të mund t’u tregojë të gjithëve pasurinë e fryteve të saj intelektuale. Dhe drejtësia le të vihet në vend të Shqipërisë sepse i detyrohemi njohjes së të drejtave të saj.” Në kohën kur Beqir Agën (Grebeneja) në Vlorë e zbuluan oficerët holandezë dhe anëtarët e Komisionit të Kontrollit, e kapën dhe e burgosën me gjithë bashkëpunëtorët e tij, për shkak të së cilës ish-kryetari i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare u largua nga Shqipëria, i përfshirë padashur edhe në veprimet e grekëve dhe serbëve – menjëherë serbët e lokalitetit të Dibrës u përpoqën të irritonin më mirë në Shqipëri penën e brendshme të Shqipërisë. Grekët filluan në të njëjtën kohë të mobilizonin “batalionet e tyre të shenjta” nga Shqipëria e Jugut dhe ndërsa shqiptarët donin, të ndërgjegjshëm për detyrën, të çlironin atdheun e tyre nga kriminelët e huaj, komandanti grek Papulea, me ndihmën e ushtrive të rregullta greke, erdhi për të bombarduar lokalitetet shqiptare, për të vrarë vendasit.

Janë të papërshkrueshme, rrënimet e shkaktuara nga bandat e sjella në krahinat e Shqipërisë së Jugut! Në lokalitetin Hormovë, brenda 3 orësh, këto banda masakruan 220 të rinj dhe pleq të pafajshëm, të paarmatosur, sikur të vrisnin dele, ndërkohë që karrocat e transportonin pasurinë e këtyre fatkeqve jashtë kufirit shqiptar! Oficerët holandezë, të cilët ishin njerëz të paanshëm, bënë raportime të ndryshme në këtë drejtim, të cilat jepnin prova të qarta të fajit të fqinjëve të Shqipërisë për shkakun e ngjarjeve në atë vend.”

”Në momentin kur anija që mori Princin legjitim të Shqipërisë larg popullit të tij, u largua nga porti i portit të Durrësit, ministri i Serbisë në Durrës, u përgëzoi hapur “sepse serbët e tyre grekë i kanë konsideruar plotësisht si të suksesshme shqiptarët”. Diplomacia evropiane, e cila duhet të kishte shqyrtuar më nga afër dhe me shumë më tepër dashamirësi, interesat e Kombi shqiptar, populli që meriton të jetojë një jetë të lumtur si në shtëpitë e veta, ashtu edhe në shoqërinë në tërësi, me indiferencën e tij u dha mundësinë njerëzve të pangopur që lakmonin tokat shqiptare të thonë se shqiptarët janë të paaftë, se shqiptarët nuk meritojnë asgjë më shumë se një zgjedhë, se nuk mund të jenë të pavarur edhe sepse nuk ndahen kurrë në tri kategori fetare, diçka që nuk mund t’i bashkojë. Me rastin e trazirave të vitit 1914 në Shqipëri, shqiptarët u akuzuan se ishin ata që provokuan revolucionin, se ishin ata që nuk donin të konsolidonin shtetin e tyre, sepse duke qenë të konfesioneve të ndryshme, krijuan parti të ndryshme. “

Por që fajtorë ishin vetëm shqiptarët, këtë askush nuk ka të drejtë ta pranojë, sepse nëse kjo hipotezë është e saktë, atëherë ekzistimi i kombit shqiptar konsiderohet prej shekujsh. duhet të kishte përfaqësuar një spektakël krejtësisht të ndryshëm nga ai që dëshmonin njerëzit që e admironin, do të ishte e nevojshme që ne sot të kujtonim vetëm me habi, një komb që do të ishte zhdukur, asgjësuar nga bijtë e vet që do të masakronin njëri-tjetrin për mungesë bashkimi. Në ekzistencën e këtij kombi, megjithatë, pasqyrohet vazhdimisht se shqiptarët, pavarësisht se kanë qenë të besimeve të ndryshme, e kanë jetuar jetën e tyre etnike në harmoninë më të përsosur, kanë respektuar të njëjtat parime, kanë pasur të njëjtin organizim të familjes dhe komunitetit dhe i kanë dhënë botës burra me vlerë, të cilët, qofshin muhamedanë, ortodoksë apo katolikë, kanë ndriçuar emrin e shqiptarëve.

“Prandaj, diplomacia evropiane, kur bëhet fjalë për të ardhmen e kombit shqiptar, nuk duhet të mendojë kurrë se nëse i jepet liria e vërtetë, ndonjë arsye, qoftë edhe ajo e feve të ndryshme të Shqipërisë, mund të trazojë ekzistencën e tij si shtet i pavarur, sepse ndonëse ekzistenca e kaluar e popullit shqiptar ishte e privuar përjetësisht nga kontakti me botën perëndimore, ndërkohë që ai nuk u turpërua nga qëllimet e këqija të fqinjëve të tij më harmonikë. Le të bëjë, pra, bota e qytetëruar një gjest dashamirësie dhe drejtësie dhe të ngrejë zërin në favor të këtij populli në venat e të cilit rrjedh gjaku i një race fisnike! Bukuresht, 30 nëntor 1918.”

Filed Under: Komente

Siguria e rreme në marrëdhëniet njerëzore dhe iluzioni i qëndrueshmërisë…

March 31, 2025 by s p

Irena Dragoti/

Në rrjedhën e pandalshme të jetës njerëzore, miqësitë, shoqëritë apo dashuritë shpesh perceptohen si diçka që na përket dhe që do të mbetet e pandryshuar pavarësisht kohës, rritjes apo sjelljeve tona. Kjo lloj sigurie, që shpesh nuk analizohet, është kultivuar deri diku nga shoqëria ku jetojmë. Ajo na ka mësuar të kemi zemrat më të mëdha se plagët tona! Natyrshëm lind pyetja se çfarë e justifikon këtë siguri? A është produkt i reciprocitetit të vërtetë apo formë e kamufluar e egoizmit tonë?

Njeriu ka prirjen të mbështetet tek të tjerët për ndjenjën e përkatësisë dhe vazhdimësisë, në këtë kuptim, një mike, shoqe apo partnere perceptohet si një element konstant i ekzistencës sonë ndaj kemi prirjen drejt shoqërizimit i cili presupozohet të frymojë mbi reciprocitetin. Në çastin që marrëdhëniet e krijuara mes mikesh, shoqesh apo partnerësh i marrim të mirëqena, biem në qasje të njëanshme, të interesuar për pritshmëritë tona. Kjo ndodh si prej egoizmit e nënvlerësimit, ashtu edhe prej mosnjohjes së vehtes a personalitetit të dyfishtë tek disa syresh. Kjo ndodh kur mendojmë se gatishmëria njerëzore në kujdes e përkushtim na përket si lider vlerash. Me dashje apo pa e shndërrojmë sigurinë e marrëdhënies në iluzion që zgjat deri në momentin kur vetëdija për brishtësinë e tyre na godet me forcë.

Por, a kanë qenë ndonjëherë reale këto marrëdhënie përderisa arrijnë pikën e humbjes apo zvarritjes? Kjo qëndron si dilemë morale dhe ekzistenciale. Si individë të prirur ndaj vetëkënaqësisë dhe harresës nuk kultivojmë një ndërgjegjësim më të madh për vlerën tonë jashtë këtyre mardhënieve. As nuk kuptojmë se ndjenja e dorëzimit ndaj një marrëdhënieje në dukje “perfekte” duhet të ngacmojë e ndezë mekanizma psikologjikë njëjtë me antitrupat për të neutralizuar në mendje“ virusin e zvarritjes”

Marrëdhënie në dukje ideale, na bëjnë që shpesh të heqim dorë nga shumë pjesë të vetes si liria, shpengimi, rebelizmi, madje dhe vetëbesimi, duke i shndërruar në një garë me vehten për ta mbrojtur nga humbja. Në thelb, ky është iluzioni. Sakrifikojmë veten për një siguri që në fakt nuk ekziston por e fantazon frika. Marrëdhëniet e ndërtuara mbi frikën e humbjes janë forma të varësisë emocionale. Ne dorëzohemi, pranojmë më pak sesa meritojmë, duke u transformuar në një version të deformuar karakterial të vetvetes. Kur arrijmë këtë pikë, shpesh nuk e pëlqejmë më veten tonë, duke u bllokuar edhe në rrugëdalje.

Miqtë, shokët apo partnerët që na bëjnë të ndiejmë se vetëm ata mund të na japin plotësinë e vetes shndërrohen nga bekim në pengesë për rritjen.

Pse është kaq e vështirë të shpëtojmë prej mardhënieve tilla?

– Varësia emocionale:

Kemi dorëzuar veten tek të tjerët si burimin kryesor të lumturisë sonë.

-Frika nga boshllëku

– Besimi i tepruar që mund të rezultojë shantazhues

Ti ke ekzistuar dhe do të ekzistoje nëse nuk do të manipuloje vehten. Marrdhënia më e rëndësishme që kemi në jetë është ajo me veten. Nëse ndiejmë se jemi shndërruar në dikë që nuk e duam por as e njohim më, kjo është prangosja me e rëndë e rritjes sonë. Shumë njerëz nuk duan liri, parapëlqejnë nënshtrimin nga autoriteti i një individi njëjtë si ajo nga një strukture si një lloj “sadomazokizmi”mendor që i jep kënaqësi e lumturi nëpërmjet dhembjes. Atëherë ky individ edhe nëse i shpëton njërës mardhënie ka gjasa që gjithë jetën të ndertojë të njëjtë gjë. Siç ka individë që bëjnë beteja të vazhdueshme mes logjikës e emocionit, argumentojnë qartë rrugën e duhur por i mungon forca.

Shohim përsosjen në papërsosje mardhëniesh!

“Asgjë nuk është më e rrezikshme se miqtë që ndihen të sigurt në vendin e tyre,- thotë Baltasar Gracián

Në shumë raste, trajtimi si “prani e garantuar” nuk vjen nga një person i vetëm, por nga një dinamikë më e gjerë shoqërore. Disa na mbajnë pranë “si barnë”sepse janë të lënduar diku tjetër, disa si “rrezik” që duhet mbajt nën kontroll, disa si mëshire, apo vrarje ndërgjegjeje e disa prej naivitetit tonë. Në çastin që siguria diku tjetër sfunon gjitha këto, menefregizmi institucionalizohet. Madje faturohesh edhe nga pjesa e fajit për shkak të:

1- Vetëmbrojtjes a vetjustifikimit

Njeriu, thuhet nga psikologë të njohur, ka një mekanizëm të lindur mbrojtës që e ndihmon të shmangë dhembjen e vetëpranimit. –

2- Barrës së reciprocitetit

3- Egocentrizmit dhe ndjenjës së viktimizimit

Shpesh njerëzit ju trajtojnë pikërisht ashtu siç ata kanë “precipituar” nga mungesat e tyre, por kjo nuk duhet të na bëjë t’i justifikojmë. Thjesht duhet të ndalojmë së qeni naiv, apo së pranuari modelet si rastësi. Kur një mardhënie njerëzore ju tregon kufijtë, besojeni atë . Reciprociteti nuk do tju bënte kurrë të pyesni veten se ku e keni vendin…

Filed Under: ESSE

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT