• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Në kujtim të Hal Hobson Banks ish-drejtorit të Zërit të Amerikës në New York

March 20, 2025 by s p

Nga Gjekë Gjonlekaj / New York/


Fundjavën  e kaluar vdiq në New York në moshën 95 vjeçare Hal Hobson Banks. Ky kolos i gazetarisë amerkane kishte shërbyer për një kohë të gjatë si drejtor i Zërit të Amerikës në New York ku VOA kishte filluar për herë të parë transmetimt në vitin 1942, bile edhe ne gjuhën shqipe. Washingtonit ishte zyra më e madhe e këtij radio-emisioni ndërkombëtar me famë botërore. Është kjo një koincidencë e dhimbshme ngase pikërisht  në fund javën së kaluar pushoi së ekzistuari edhe Zëri i  Amerikës që disa gazeta e cilësuan si fundjava e përgjakshme e VOA. Ky akt tronditës u bë me urdhërin ekzekutiv të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Me Hal Banks u njoha për erë të parë ne fillim të vitit 1987 kur pas disa vjetësh shërbimi në Washington fillova punën në 26 Federal Plaza në katin 30 ku ishte zyra kryesore për gjithë rajonin verilindor të Shteteve të Bashkuara. Në zyrën Zerit të New Yorkut punonin shumë gazetarë amerikanë, por edhe nje numër i dukshëm gazetarësh në gjuhë të huaja ku  puna jonë ishte shumë e lidhur me zyrat e gjuëve të huaja në Washington. Hal Banks kishte punuar edhe në Bashkimin Sovjetik kryesisht në Moskë ku kishte takuar dhe intervistuar disa personalite të larta të shoqërisë komuniste sovjetike, por edhe me diplomatë të huaj  që shërbenin ne kryeqytetin sovjetik. Zoti Banks ruante kutime të jashtzakonshme për ish ambasadorin Averell  Harriman dhe specialistin e çështjeve sovjetike George Kennan. Hal Banks për një kohë të gjatë punoi në Washinhton, bile edhe korrespondent pranë Shtëpisë së Bardhë. Ai kishte një zë radiofonik shumë të fuqqishëm, bile te gjitha emisionet në hapje dhe në mbyllje perdorornin zërin e tij të mrekulleshëm. Natyrishit se ato bëheshin anglisht. Edhe korrespodentët në Kombet e Bashkuara ishin pjesë  e VOA  në New York. Nga përvoja për më shumë se katër dekada Hal Bank kishte përvojë të  madhe në administrimin e punëve të përditshme. Ai i kuptonte shumë mirë problemet  etnike të Ballkanit. Në këtë zyrë punonte edhe korrespondenti për gjuhën sërbo-kroate. Nuk e them për urrejtje, por për të vërtetën e Zotit se Mr. Boshkoviqi siç e quanim të gjithë ishte mendjemadh (prepotent) dhe arrogant. Ishte anti-shqiptar i lindur. Bile e vinte në dyshim edhe perkatësinë kombëtare të Nënës Tereze. Në një rast e kishte pyetur Hal Banks për origjinën e saj, por zoti Banks ishte përgjigjur në mënyrë sarkastike, duke i thënë këtij sërbi shovinist kujdes kur flet ashtu se mund të dëgjojë zoti  Gjonlekaj. Për faktin se z.Boshkoviq kishte punuar për televizionin jugosllav në Beograd, atje kishte mësuar të gjitha të zezat për shqiptarë. Kurdo gjënte shkrime në shtypin amerikan kundër shqiptarrëve i fuste në adresën time për qëllime të mbrapshta. Ai  nuk kishte respekt as për gazetarët amerikanë. Kishte frikë autoritetin dhe vendosmerinë e Hal Banks, përndryshe do të krijonte ngatrresa e skandale të mëdha. Situata të këtilla mbase edhe më të vështira kanë kaluar edhe shqiptarët e VOA  në Washigtonit. Ministria e Jashtme e Jugosllaisë ankohej natë e ditë në Departmentin e Shtetit se në VOA në gjuhën shqipe punonin disa irredentistë që duan shkatrrimin e Jugosllavisë. Këtu pësuan më së shumti ata që e drejtuan Seksionin Shqiptar. Gjatë viyteve kur punova në New York brenda mundësive të mia bëra përpjekje për të dhënë kontributin tim për këtë institucion që  deshta aq shumë. Në realizimin e projekteve të mia ndihmuan shumë Hal Banks dhe Elez Biberaj. Ata gjithëmonë i merrnin parasysh kerkesat e mia, bile në atë kohë Dr. Biberaj kishte thmeluar: “Rubrikën Shqiptarët e Amerikës”. Unë punova shumë për këtë rubrikë, duke vizituar shqiptaro-amerikanët,  nga New Yorku e deri në San Francisko të Kalifonisë. Për lidhjet e mia e me shqiptarët e këtij vendi ka merita të mëdha Hal Banks sepse me inkurajonte për të marrë pjesë si gazetar  i VOA kudo kishte aktivitete shqiptare. Ai më kishte falur për gabimin që në vitin 1989 kisha bërë duke folur nga telefoni i VOA me Dr.Ibrahim Rugovën. Kisha folur dhjetëra herë kishte asnjë lloj arsytimi për ato lidhje pothuajse të përditshme. Zotni Banks më tha kam për ta falur këtë gabim por mos thirrë më. Kurdo vinin shqiptarët për vizita të ndryshme në New York, ai ftonte për biseda shoqërore dhe për intervista edhe me gazetarë amerikanë. Kështu veproi me Adem Demaçin. E  priti te dera e VOA, duke i thënë ku je Zotni Demaçi që të  pres tash 30 vjet  me të pa dhe me të përshëndetur dhe vazhdoi duke thënë jam shumë i lumtur që po të shohë gjallë e të lirë. Kush e kishte  paramendur se do të shihem pas pothujase 30  burgimi. Me këtë rast zotni  Demaçi u intervistua në studione madhe të VOA nga 5 gazetarë amerikanë dhe të huaj. Kështu kishte vepruar edhe me Pjetër Arbnorin dhe shumë shqiptar të tjerë. Asnjë herë në jetë nuk më tha ndonjë fjalë të keqe. Çdo të hënë mbanim mbledhjen e javës dhe më pyeste mua çka kemi nga bota shqiptare? E kujtoj me shumë respekt këtë burrë amerikan që për mendimin tim ishte burrështeti, fisnik dhe profesionist i përkryer. Lusim Zotin t’i japë paqë e dritë në përjetësi për ilustrim po ribotoj letrën që e shkroi për largimin tim nga VOA  në gusht 1992. Nga dhimbja që përjetova për mbylljen e VOA javën e kaluar të kujtoj edhe më shumë.

Filed Under: Reportazh

FAIK KONICA DHE GJUHA SHQIPE

March 20, 2025 by s p

Prof. Shefkije Islamaj/

Konica, gjuha dhe atdheu

Faik Konica është përfaqësues i veçantë i kulturës, i gjuhës dhe i historisë kombëtare. Me punën e tij të zellshme e këmbëngulëse në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij shoqërore, kulturore e letrare, ai zë vend nderi. Vend nderi zënë edhe admirimi e dashuria e tij për Shqipërinë, për kulturën, për historinë e për gjuhën shqipe. Shqipërinë do ta dojë me ”pasion e xhelozi”, me të mirat e me të këqijat; kulturën, historinë e gjuhën e saj do ta dojë me “mendje e zemër.” Këtë e dëshmon më së bindshmi puna që do ta bëjë ai gjatë në të mirë të të gjitha këtyre. Gjuha do të jetë, prandaj, njëra ndër preokupimet parësore të tij. Kontributi i tij do të shtrihet në shumë drejtime në fushën e albanologjisë, dhe me të drejtë në historinë e re të gjuhësisë shqiptare ai do ta ketë vendin e merituar.

Faik Konica i dinte mirë detyrimet morale e kombëtare të intelektualit të nivelit të tij. E dinte mirë se detyrim moral e kombëtar është edhe qëndrimi ndaj gjuhës amtare, prandaj, në shkrimet e tij, shqipja, me natyrshmërinë, qartësinë, zhdërvjelltësinë, epshmërinë, ritmin e sidomos me pastërtinë, do të arrijë shkallë të lartë të dëshmimit si gjuhë kulture e një qytetërimi të zhvilluar, që s’mbetet anash gjuhëve të tjera të kohës, gjuhë që do të arrijë nderimin e adhurimin e secilit lexues të shkrimeve të tij edhe sot. Qëndrimin e tij ndaj gjuhës amtare e dëshmon edhe ky mendim, njëri ndër shumë mendimet e tij antologjike për gjuhën shqipe:

“E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor –është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. “

Faik Konica, “Albania”1, 1897

Puna e tij e madhe në fushëveprimtarinë e në fushëkrijimtarinë kulturore zbardh edhe personalitetin e tij gjuhësor dhe është dëshmi e një ndërgjegjeje artistike të formuar me kohë, që vitet me dramat e rrjedhën e tyre arritën t’i japin forcë e përsosmëri. Përvoja e gjatë krijuese dhe njohja e thellë dhe e gjithanshme e jetës shoqërore e letrare shqiptare do të përvijohen qartë e me porosi në gjuhën e tij të dallueshme dhe gjedhe frymëzuese për shqipfolësit e shqipdashësit.

Ç’është e vërteta, rilindësit patën sendërtuar një gjuhë letrare të kohës, gjuhë në të cilën Konica gjeti pararendësen e gjuhës së tij të zhvilluar dukshëm më tej, të zonjën e të denjën për të ndihmuar zhvillimin e mendimit politik e shoqëror, kritik e letrar, një gjuhë që do të ketë aftësi të peshojë e të shprehë thellë edhe shqetësimet e brengat, edhe gëzimet e dëshirat e popullit në një kohë tepër të rëndësishme për shqiptarët. Prandaj, shkrimet e tij, në dukjen e parë, kanë pamjen e një ditari intim lirik dhe të një kronike të jetës shqiptare, ku ai haptas, sinqerisht e me vërtetësi, ka regjistruar, jo vetëm, çdo shqetësim e trazim të brendshëm të tij e të popullit të tij, po ka paraqitur edhe ngjarje e momente të rëndësishme të kohës, duke mbështjellë me fjalën e tij të ngrohtë e të gjallë, të ashpër e të valë jehonën e fuqishme që zgjojnë ”të ngjarat” (siç do të thoshte ai) në brendinë e tij, provokimet e përhershme që i kanë shkaktuar atij dhe atdheut.

Ai e dinte mirë se idealet më të mëdha që vënë në lëvizje një komb, një popull, duhet të shtrohen në mënyrë të tillë që të kuptohen prej tij. Duke e ditur këtë, Konica do të bëhet zotërues i përsosur i gjuhës, lëvrues e krijues i rrallë. Nëpërmjet gjuhës së tij, ai do të paraqesë e do të përfaqësojë denjësisht atdheun e tij në një kohë plot trazime e ngjarje me jehonë.

Shqipja në dorën mjeshtërore të Konicës

Konicën do ta kenë zemëruar (e ai zemërohej lehtë, shpesh, siç na del në shkrimet e tij) fjalët që u thanë nga disa (armiq – do të thotë ai) me rastin e botimit të së përkohshmes së tij Albania: ”Albania do të mbetet në mes të udhës si gjithë punët kombiare të Shqipërisë: gjuha shqipe s’ka kurrë për të vajtur përpara: është plakë tepër e s’ka këmbë për të ecur, as dhëmbë për të ngrënë…” (Faik Konica, Vepra, Tiranë, 1993, f.92). Konica do të dëshmojë të kundërtën. Do të dëshmojë se ai ishte i zoti të nxirrte një revistë me autoritet të lartë si Albania plot dymbëdhjetë vjet, që ishte më shumë se revistë e suksesshme, një kronikë e saktë e jetës kulturore, letrare e shoqërore me interes, jo vetëm për kohën; do të dëshmojë dijen e mundësitë e tij, erudicionin e mendjemprehtësinë e pashoqe për çështje e probleme nga më të ndryshmet; do të dëshmojë se shqipja me lashtësinë e saj, edhe pse me këmbë të këputura nga trungu i parë, edhe pse e rrahur nga rrebeshe të pamëshirshme nëpër mote, jo vetëm se s’është plakë, jo vetëm se ka dhëmbë për të ngrënë, po ajo qëndron e fortë në këmbët e veta rrënjore, përtyp lehtë brumin e vet të pasur gjuhësor, të pasuruar nëpër mote e breza pararendësish, dhe se, që në krye të herës, qe e mbeti për nderim, jo vetëm nga shqipfolësit, po edhe nga dashamirës e studiues të huaj.

Shquhet, prandaj, përkushtimi dhe këmbëngulësia në punën e tij në shumë fusha të gjuhësisë: do të merret me shumë kompetencë me probleme të përgjithshme e të veçanta të gjuhës, me çështjen e njësimit të dy dialekteve (“për standardizim e njëjtërim” do të thotë Konica), me çështjen e alfabetit, me probleme të drejtshkrimit, me histori të gjuhës, me gramatikë, me terminologji e, sidomos, me pastërtinë e gjuhës, ndonëse ndihmesa e tij më e madhe qëndron në zhvillimin, në pasurimin, në përsosjen e gjuhës, në gdhendjen e mendimit shqip e në skalitjen e fjalës shqipe.

“Kurioz i madh, i shqetësuar, i pagjumë, një kalorës i albanologjisë dhe i procesit konvergues i gjuhës letrare shqipe.” (Jehona, 5-6, Shkup, 1992, f. 92), do ta vlerësojë një studiues i tij. I tillë është Konica edhe në gjuhën e shkrimeve të tij. Ashtu siç diti “të depërtonte e të kridhej në hapësirat e të gjitha qytetërimeve, në epoka dhe dukuri kulturore e artistike nga më të ndryshmet” (Faik Konica, Vepra, f. 14), ashtu diti të depërtojë e të kridhet në fshehtësitë e në mrekullitë e fjalës shqipe (në një shkrim të tij për poezinë antologjike Fyelli i bariut të Çajupit, Konica, mes tjerash, do të shkruajë: “Ae njihni nonjë vjershë me hije fushore, me erë gjethesh më të fortë se kjo.” (Faik Konica, Vepra, f. 30).

Duke e njohur mirë shqipen, Konica ai krijoi dhe futi në përdorim, kuptohet në masë të ndryshme, gati të gjitha gjedhet e mjetet që zotëronte shqipja asokohe. Sigurisht se koha i shoshiti e i shmangu mjaft nga ato dhe jo të gjitha formimet e tij mbetën, megjithëse ato ishin e janë, plotësisht, të kuptueshme dhe, në mos për tjetër, për kohën e vet dhe në vendin e përdorur qenë të shpjegueshme e të pranueshme. Shumë krijime gjuhësore të tij edhe sot e gjithë ditën janë pasuri e vlefshme e shqipes.

Në procesin e krijimit të fjalëve të reja, mjeshtëria e vërtetë e Konicës u dëshmua në njohjen e në shfrytëzimin e mundësive të mëdha shprehëse të shqipes, në zotësinë e tij të rrallë për të veçuar, përzgjedhur, gërshetuar e për të bashkuar mjete të panumërta të fjalësit të shqipes e të ndërtimit gramatikor të saj, për të zgjedhur e për të spikatur mjete të veçanta stilistike e gjuhësore, për të hetuar e për të përdorur me vend frazeologjinë popullore e për të gjetur shprehësinë e lartë artistike deri të tingujve, të formave e të shprehjeve (mënyra të pafundme lidhjesh e gërshetimesh), të ruajtura me xhelozi nëpër mote.

Veçori të përgjithshme të gjuhës

Duke i lexuar shkrimet e tij, që nga poezitë, shkrimet eseistike, kritikat, tregimet, prozat më të gjata e përkthimet, hetojmë se Konica u drejtohet njësoj të gjitha shtresave leksikore të shqipes. Kur themi kështu, kemi parasysh faktin se elementet leksikore shqipe, që edhe sot e gjithë ditën përbëjnë bazën e gjuhës letrare, përbëjnë edhe pjesën kryesore të fondit leksikor që përdori Konica në shkrimet e tij. Një vend të papërfillshëm në fjalësin e tij e përbëjnë dialektizmat dhe fjalët e huaja, të përdorura në pajtim me nevojat reale të gjuhës në kohën e tij. Ajo që bie në sy shpejt, që në takimin e parë me gjuhën e Konicës, është fondi i hetueshëm i neologjizmave të krijuar me invencion gjuhësor, supozojmë nga vetë autori, apo edhe nga pararendësit, paraqet, pa dyshim, një begati të ndjeshme në këtë drejtim, duke dëshmuar kështu njohje të thellë gjuhësore të ligjeve brenda e jashtëgjuhësore (kujto fjal (kujto fjalëkrijimet e tij edukator, i famshëm, hapësirë etj.).

Shumica e krijimeve të tij nga lënda e shqipes u përshtat aq mirë, duke u bërë të zakonshme në përdorim, ndërsa një numër tjetër me vlera të caktuara gjuhësore e kuptimore pret të aktivizohet e të bëhet pronë e përhershme e shqipes së sotme. Të tilla janë, sidomos, një numër krijimesh të fushës së mendësisë. Ka edhe raste të ndërtimeve kalkore. Edhe pse Konica nuk qe purist i skajshëm, ai u angazhua për një gjuhë relativisht të pastër. Këtë e provon edhe vepra e tij Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale (Jehona, f.180), e cila, për fat të keq, mbeti e panjohur deri vonë. Në këtë vepër shquajmë shkrimin Ç’është pastërtia e gjuhës, ku Konica merret me shtrembërimet e gjuhës nga huazimet leksikore, pa të cilat natyrisht nuk mund të kalojë asnjë gjuhë. Ai insiston në parimet e së bukurës absolute të fjalëve burimore.

Njohjen e thellë gjuhësore dhe pasurinë e madhe leksikore të veprës së tij e dëshmon mirë përdorimi me vend i fjalës shqipe, ndërtimi i fjalisë, fjalitë e shkurtra e periudhat e gjata e të sakta, ndërtimet frazeologjike. Ai shfrytëzoi mirë edhe thesarin popullor. Edhe në këtë aspekt vepra e tij ofron lëndë të pasur për studim. Mblodhi me kujdes fjalë të rralla e të vjetra dhe kishte një respekt të denjë për mbledhësit e folklorit.

Në penën e Konicës gjuha shqipe, në të shumtën e herës, ka funksion artistik. Fjala shqipe rrallë ku lëviz lehtë e bukur si në fjalinë e tij plot jetë e gjallëri. Lakonizmi është tipar dallues gjuhësor i tij. Besoj se e dëshmon këtë mirë edhe ky tekst që mbahet mend: ”S’di ç’të mungon, s’di ç’të duhet. Një trishtim ta mbulon fytyrën, e pikësëpari herë-herë, pastaj më dendur e më në fund shpesh, e pothuaj kudo e kurdo, kujtimi i prindërve, i miqve, e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindën, ku u rritën, ku qajtën si foshnjat e ku lozën djem, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron mirë një shqiptar.”(Faik Konica, Vepra, f. 68)

I natyrshëm e spontan në shkrimet e tij të rrjedhshme, i rreptë në bukurinë e ashpër të fjalës, i mprehtë në përfundimet mendore dhe i ndjeshëm në botën e tij të karakterizuar prej kundërshtish, Konica na del i papërsëritshëm edhe në përdorimin e vlerave të shumta gjuhësore që ofron shqipja: në krijimtarinë individuale gjuhësore.

Risitë gjuhësore – tipar dallues i gjuhës së Konicës

Konica krijoi fjalë të reja ose kuptime të reja mbi bazën e fjalëve të njohura si në shembujt vijues: ç’kombëzim e i ç’kombëzuar, ç’përfundje, i ç’sojësuar, ç’pengoj, të thekurit (rrezitja), oborrësi, vjershëri, zakonësi (etikë), pemuri, vjetëri, shëndoshësi, masëri, mendësi, e pritmja (e ardhmja); krijoi përdorime të veçanta fjalësh e togfjalëshash, si: këngë ngushëllore, jetë grarishte, besë e rrënjuar, miqësi e qëruar, ushtri mundëtore; krijoi njësi leksikore e gramatikore, si: qeptor (rrobaqepës), përshëndosh, trimoshe, pafletar, ç’morrit, kryepunëra, vogëlira, mirësira, ditëra, gjuhëra, lakmira, gojëbuall, barkrrumbull, etj.; përdori ndërtime e figura të ndryshme gjuhësore e letrare, p.sh.: mendjehollë e zemërqëruar e fjalëkripur – thotë Konica për Naimin, festë hiroshe për Ditën e Verës, “Yjtë shpojnë qiellin e pikëlojnë dritë”, mustaqe majetatpjetë, mushkë xanxare etj.; krijoi formime kompozitore shumë prodhuese të tipit: vdekjesjellës, vetëvrarë, veskeq, mendjepalarë, moskujtim (harrim), kartënxirës (shkrues i pazotë), të mirëbërat, keqthënie e të tjera. Këto krijime e rikrijime në numër shumë, përmbajnë edhe informacion të duhur letrar.

Shqipja në penën e vyeshme të Konicës, ka dëshmuar se ka mundësi të mëdha për fjalëkrijime të këtilla. Një krijim të tillë, një prirje të tillë e hetojmë, sidomos, te pasardhësit e tij të denjë punën me gjuhën, si Ismail Kadare. Dritëro Agolli, Rexhep Qosja e shumë të tjerë.

Në fushën e krijimtarisë gjuhësore të Konicës dallojmë tipa të ndryshëm të fjalëkrijimit, krijime njëfjalëshe, ndërtime tipike kompozitore, për të cilat besojmë dhe shpresojmë se do të bëhen studime të duhura e të veçanta nga gjuhëtarët e stilistët, ashtu si përgjithësisht për shumë probleme e çështje që ngre më vete vepra komplekse e Konicës. Ajo meriton një vëmendje të tillë, sepse me fuqinë e vet sfidoi kohë e sisteme.

(Shkrim shënjues i lexuar në sesionin shkencor kushtuar 120 vjetorit të lindjes së Faik Konicës, mbajtur në Institutin Albanologjik, në Prishtinë më 28 prill 1995 dhe botuar në librin “Faik Konica, jeta dhe vepra”, IA, Prishtinë 1996 dhe më pas në librin tim “Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës”, Toena, Tiranë, 2002.

Filed Under: Politike

Te Qendra Kulturore Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York, të dielën më 23 Mars në ora 2pm promovohet Libri “Livia” i autorit Mark Pashku – Lucgjonaj

March 20, 2025 by s p

Te Qendra Kulturore Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York, të dielën më 23 Mars në ora 2pm promovohet Libri “Livia” i autorit Mark Pashku – Lucgjonaj.

Filed Under: Komunitet

† THEOFANI i Filomilisë dhe Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave mesazh urimi Fortlumturisë së tij Kryepiskopit Joan Pelushi me rastin e zgjedhjes si kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

March 20, 2025 by s p

Boston, MA. 18 mars 2025/

“Kjo është dita që e bëri Zoti; Le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të” (Psalmi 117:24)

Fort Lumturia Juaj, Kryepeshkop i Zgjedhur, Vëlla i ynë i dashur dhe Bashkëmeshëtar në Krishtin Zotin tonë,

Në përfundimin e Liturgjisë Hyjnore Hierarkike të së dielës së kaluar në Kapelën e Shkollës së Teologjisë Orthodhokse të Kryqit të Shenjtë në Brookline, Massachusetts, morëm lajmin e gëzueshëm për zgjedhjen tuaj në Fronin e Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Që kur lajmi i madh u bë i ditur në mbarë botën, zemrat dhe mendjet tona janë mbushur me shumë gëzim dhe lumturi shpirtërore, duke falënderuar Zotin tonë Jesu Krisht, Kryepriftin dhe Atin e Tij të përjetshëm që dërgoi Ngushëllimtarin e Tij, mbi anëtarët e nderuar të Sinodit të Shenjtë, duke u dhënë atyre Providencën Hyjnore për t’ju zgjedhur juve si pasardhës i denjë i paraardhësve tuaj.

Fortlumturia Juaj! Roli që do të merrni dhe Froni në të cilin do të ngjiteni, do të sjellë ajër të freskët, do të fillojë një epokë e re, do të forcojë dhe ripërtërijë marrëdhëniet e vjetra dhe tradicionale, ndërsa do të krijojë miqësi të reja, do të sjellë shpresa dhe pritshmëri të reja që do të vijnë me shumë sfida të kësaj bote të trazuar, por ne jemi të bindur se Shpirti i Shenjtë dhe Hyjnor, Këshilltari i Madh, Shpirti i së Vërtetës, i Cili buron prej Atit, do t’ju drejtojë me mençuri në udhëheqjen tuaj, duke lundruar anijen e Besimit tonë të të parëve në këtë det të stuhishëm, me trimëri, shoqëri dhe guxim, duke e drejtuar atë drejt horizonteve të reja të limanit të Shpëtimit tonë.

Me shpresën e sinqertë se do të takohemi në një të ardhme të afërt, lutemi që Perëndia i Tërëfuqishëm t’ju japë shumë shëndet dhe forcë për të barituar grigjën tuaj dhe, në emër të klerit tonë dhe të gjithë popullit besimtar të Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave, ju urojmë një shërbesë Kryebaritore të frytshme, të bekuar dhe të suksesshme për shumë vite.

Duke ju përqafuar vëllazërisht, ju themi me gëzim: AXIOS! I DENJË!

Në dashurinë e Krishtit dhe të Mëmëdheut tonë të përbashkët, mbetemi përherë i juaji, Vëllai i juaj Bashkëmeshëtar

† THEOFANI

i Filomilisë dhe Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave

Filed Under: Kronike

PUSHTETET NË MAL TË ZI SHKOJNË E VIJNË, POR POLITIKA NDAJ ULQINIT NUK NDËRRON KURRË PËR TË MIRË !

March 20, 2025 by s p

Xheladin Zeneli/

Pas gjendjes së krijuar kohëve të fundit me tenderin e NP ‘Të Mirat Detare ‘ lidhur me plazhat në Ulqin, mendoj se ia vlen të bëhet një analizë e shkurtë asaj se cili është burimi i të gjithave të këqiave kur është në pyetje ekonomia turistike e këtij qyteti dhe si në vazhdimësi është vepruar dhe po veprohet kundër interesave të këtij vendbanimi me shumicë shqiptare.

Edhe përkundër faktit se Ulqini është qyteti dhe komuna e cila ka resurse dhe kapacitetete të mëdha natyrore, të pakrahasueshme me komunat e tjera në Mal të Zi, vazhdon të jetë një ndër komunat më të pazhvilluara në këtë shtet. Ulqini ka vijën më të gjatë bregdetare në krahasim me qytetet e tjera në Mal të Zi, e cila e predispozicion këtë qytet që të jetë një ndër komunat më të zhvilluara turistike në Mal të Zi, por sipas shumë indikatorëve ekonomik, ky qytet është prapa qyeteteve të tjera bregdetare si Tivari, Budva, Kotorri e Herceg Novi.

Si e legalizoj pushteti qendror plaçkitjen e zonës bregdetare të Ulqinit

Dëmi më i madh ekonomik që iu është shaktuar Ulqinit tash më shumë se tre dekada, i ka ardhur nga ‘Ligji i të Mirave Detare’, ( i aprovuar në parlamemtin e Malit të Zi në vitin 1992) përmes të cilit rreth 13% e territorit të Kumunës së Ulqinit është shndërrar në pronë administrative shtetërore. Sipas ligjit në fjalë qeverisë lokale nuk iu lejojet që të administrojë me pjesën më të mirë të vijës së vet bregdetare . Padrejtësia qendron në ate se bregdeti i Ulqinit përbën 17.4 % e bregdetit të përgjithëshëm të Malit të Zi, por pjesa e territorit të kësaj komune që i takon territorit të të ‘Mirave Detare’ është 57.32% , çka e pozicionon këtë komunë në garë të pabarabartë drejt përparimit ekonomik,me komunat e tjera në Mal të Zi. NP ‘Të Mirat Detare’ me seli në Budva ka mbledhur dhe përfituar në formë tatimeve dhe të ardhurave të tjera financiare me dhjetra miliona euro ,gjatë tre dekava të fundit ,nga bregdeti i Ulqinit dhe ka kthyer shumë pak prapa në formë investimesh.Pra , ligji i ashtuquajtur i të ‘Mirave Detare’ de fakto ka bërë legalizimin e plaçkitjes së resurseve të bregdetit të Ulqinit.

Vlen të theksohet gjithashtu se ‘Ligji për të Mirat Detare’ është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, kokretisht kundër nenit 116 dhe 117 të saj ku flitet për kompetencat dhe pavarësinë e qeverisjes lokale (komunave). Njëkohësisht ky ligj është edhe kundër të drejtave për vetëqeverisjen lokale të Kartës Europiane.

Pushtetet e Malit të Zi, kundër interesave të Ulqinit, në vazhdimësi !

Pa marrë parasysh kush vjen në pushtet dhe kush drejton me qeveri, Ulqini trajtohet në mënyrë të pabarabartë në vazhdimësi. Ishte pushteti 30-veçar i DPS-it ( Partisë Demokratike të Socialistëve) gjatë së cilës kohë është aprovuar ‘Ligji për të Mirat Detare ’ dhe gjthashtu gjatë pushtetit të saj janë shkatërruar hotelet emblematike të tij për tu mos rindërtuar kurr deri më sot. Edhe pushteti i ri, i udhëhequr nga PES-i ( Levizja ‘ Eurapa Tani’) po ndjek rrugën e paraardhësve të tyre në raport me Ulqinin duke uzurpuar,shfrytëzuar dhe përfituar nga resurset e tij natyrore.Pra si para vitit 2020 ashtu edhe ma pas kur erdhi deri te ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi, është ndjekur dhe gjithënjë vazhdon të ndjeket politikë e njëjtë ndaj Ulqinit.

Gjatë periudhës së tre dekadave, Ulqinit iu është premtuar shumë në aspkektin e zhvillimit ekonomik dhe turistik të tij, por në realitet deri më sot nuk është bërë asgjë. Ulqinit iu janë bërë ‘master plane’ të ndryshme dhe pushtetarët kanë folur shpeshëherë për investime kapitale, me deklarata pompoze të tyre se si Ulqini do të bëhet si ‘ Dubai’ etj. por për fat të keq ky qytet vazhdon të jetë në pritjen gjatë të lulëzimit të vet ekonomik dhe turistik që e meriton.

Kur për një kohë të gjatë pushteti qendror udhëheq një politikë degresive ndaj Komunës së Ulqinit, atëherë me të drejtë qyetarët e kësaj komune pyesin se a i intereson Pogoricës zhvillimi ekonomik i Ulqinit apo shfrytëzimi i resurseve natyrore të tij ?

Pra, janë premtimet boshe si dhe dështimet e shpeshta, në të kaluarën të investuesëve të huaj në Ulqin që ka ndikuar te qytatarët e kësaj komune ta shohin me skepticizëm dhe me rezervë çdo investues të radhës që Podgorica sjellë në qytetin e tyre.

Vendimi i njëanshëm i NP ‘Menaxhimi i të Mirave Detare’ për dhënien me qira të plazhave të Ulqinit një investitori nga Emiratet e Bashkuara, duke iu mohuar të drejtën qiramarrësve vendas për të vazhduar me menaxhimin e plazheve të cilat i kanë menaxhuar vite me radhë, flet më së miri se ky pushtet (ashtu si edhe pushtetet e mëparshme të Malit të Zi), veprojnë kundër interesave jetike të qytetarëve të këtij qyteti.

Pushteti lokal i Komunës së Ulqinit, qytetarët, veçanarisht ata që janë dëmtuar nga tenderi i fundit i plazhave, tani me të drejtë po kërkojnë anulimin e këtij tenderi , por njëkohësisht ata dhe jo vetëm ata, duhet që të kërkojnë njëzëri dhe fuqishëm anulimin e ‘Ligjit për të Mirat Detare’, si diçka që i ka sjellur vetëm të këqia këtij qyteti.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT