• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare

March 6, 2025 by s p

Albin Kurti/

Tre breza të Jasharëve, 59 veta gjithsej, rreth gjysma gra e fëmijë, u flijuan me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, për çlirimin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin.

Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare. Shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan, por edhe gjithandej në mërgatë, e njëkohësisht edhe u vetëdijësua dhe ndërgjegjësua edhe publiku ndërkombëtar edhe diplomacia botërore.

Sot, baca Shaban do të ishte 100 vjeç, e sivjet Hamza do të bëhej 75 vjeç e Ademi 70 vjeç. Ata nuk i kemi më fizikisht, por ata kanë vetëm ditëlindje: e kanë 2 prillin, 19 prillin dhe 28 nëntorin. Ndërkaq vdekja e tyre, rënia e tyre heroike është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tash ndonëse nuk e kemi kryekomandantin, Adem Jashari, bacën Shaban e Hamzën dhe të gjithë të tjerët të Jasharëve që u sakrifikuan para 27 vjetëve, e kemi bacën Rifat që do ta vizitojmë në shtëpinë plot nipa e mbesa, por mbi të gjitha e kemi Kosovën Republikë, me demokraci dhe zhvillim.

Lavdi kryekomandantit Adem Jashari! Lavdi familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!

Filed Under: Opinion

PORTRET I MEDIAS POETIKE

March 6, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Poetët dhe shkrimtarët janë të brishtë, tregojnë vetëm pjesën e ajsbergut mbi ujë, janë sa “Arctic” po aq edhe “Tropical”. Ndjeshmëria e tyre nuk ka njësi matëse, ndërsa limiti i panjohur është jo vetëm përgjegjësi vetjake, por edhe e opinionit publik, i cili me mekanizma socialë i trysnon “duke i shtrydhur” dhe përfituar prej tyre dritën e udhës së botës së ardhshme. Poezia nuk është një mozaik shkronjash, por një mozaik emocionesh. Në Francën “balzakiane” poetët më ngjajnë me ca rioshë plot mistere në kërkim të rrugëve të shpërfaqjes së poezisë së tyre dhe suksesit të pritshëm. Po kështu edhe shkrimtarët enden midis mendimit të çimentuar në dëshira stoike dhe shtypit të kohës për të treguar madhështinë “e kalbur” të Francës.

Në një roman të Balzakut, përpjekjet pragmatiste të poetit Lucien De Rubempre, janë në të gjitha planet për të fituar emrin që meriton nëpërmjet sfidave të njëpasnjëshme. Hyrja në shoqërinë e lartë duket si një rrugë që nuk vazhdon kurrë dhe as ndalet kurrë. Bashkëpunimi me pronarët e mediave, me menaxherët e tyre, punësimi në gazetat e kohës ishte njëra nga rrugët kryesore për të percjellë emrin letrar.

Mundësia për të qenë më kreativ, për të përdorur më shumë imagjinatën, për të shkruar romane përtej shkrimeve gazetareske, për të qenë më shumë zot i vetvetes dhe ambicia për të gjetur famë dhe pasuri, ishte arsyeja e punësimit në redaksitë letrare të kohës, arsyeja e një stazhi të domosdoshëm për karierën në rrugën e letërsisë.

Charles Dickens, Mark Twain, Bram Stoker autor i “Dracula”, Maya Angelou, Anna Quindlen fituese e çmimit Pulitzer, Gabriel Garcia Marquez dhe shumë të tjerë, kaluan nga redaksitë e gazetave dhe vazhduan në lartësimin e emrit nëpërmjet asaj rruge. Ernest Hemingway punoi reporter i luftës në Spanjën frankiste dhe ka shkruar për njësinë ku bënte pjesë edhe Petro Marko, me të cilin janë takuar në Albacete.

Përshkrimi i rrugëve të jetës të këtyre ikonave të letërsisë tregon se arti është biri i lirisë. Edhe pse kanë kaluar shumë kohë, eksperiencat e tyre janë monumentale për lartësimin e figurës së shkrimtarit dhe poetit në planin e veprimit teorik e praktik. Duke njohur këtë situatë, përpiqem ta krahasoj me mediat e vendit tim dhe më duket se është më e lehtë të gjesh rrugën e artit në Francën e Lucien De Rubempre se sa në Tiranën e sotme, kur diferenca në kohë rezulton prej dy shekujsh. Të duket sikur sot mund të braktisësh shpresat shumë më lehtë se shekuj më parë.

Nuk të ngjall askush entuziazmin se ka detyrimin “homerian” të përcjellë “ Trojën” e sotme në breza mijëvjeçarësh. Përpjekjet sporadike individuale kanë vlerën e kuanteve të dritës në një hapësirë pa atmosferë. Pronarët e mediave, portaleve apo të ndonjë mënyre tjetër publike duhet të kuptojnë se iu takon të jenë simbol autoriteti letrar në një publik që valencat me letersinë i zvogëlon në përpjestim të drejtë me kohën. Duhet frenuar rënia e lirë e vlerës së kapitalit kulturor të individit në një shoqëri të trazuar, nën ndikimin e erozionit të antivlerave. Koha dhe batica nuk presin njeri, ndërsa arti dhe letërsia, gjithmonë presin. Duhet të jesh një detektor i vërtetë në zbulimin e talenteve, Robin Hudi modern në arte dhe letërsi.

Vlen të sjell për ju filozofin Soren Kierkegaard: “Një kritik i ngjan poetit për një fije floku. Atij i mungon vetëm vuajtja në zemër dhe muzika në buzë”.

Ndaj duhet të ekzistojnë marrëdhënie të balancuara midis palëve, nisur nga Kierkegaard. Preferencat estetike në suportin e artistëve, tregojnë se nuk janë zgjedhje personale të rastësishme, por lidhen me kapitalin kulturor, pozitën dhe historinë shoqërore ndividuale, që pronarët e këtyre mediave kanë trashëguar ose fituar. Në udhëtimin e individit drejt një kuptimi më të madh të jetës, janë përgjegjës të gjithë ata që hapin trasenë e asaj rruge. Ndërkohë inekzistenca e mekanizmave shtetërore realisht në këtë treg vlerash, që udhëheq superstrukturën e një populli, të frikëson. Ajo ka krijuar një varr të zbukuruar me kujtime të vyshkura, duke revokuar kohën e diktaturës në raportin e individit me kulturën.

Një hapësirë shoqërore duhet strukturuar mbi bazën e esesë së famshme të filozofit Bertrand Rusell, i cili vendos theksin në atë që artet lindën pikërisht nga borgjezia sepse kishte kohë të lirë dhe varfëria, thotë ai, nuk sjell art, por skllavëri mentale.

Arti zhvillohet nga mendje lakuriq që nuk pranojnë të bëhen krahu i armatosur i askujt. Idealizmi duhet të mbizotërojë përballë meskinitetit klientelist që prodhon mediokritet në dëm të së ardhmes nga talentet e vërteta. Nuk mund të jetë një kapitalizëm kaubojsish, ku zgjedhim midis preferencës subjektive dhe indiferentizmit të urrejtjes me ndihmën e pushtetit që na jep teknologjia në media të cilat orientohen drejt krijimtarisë në arte dhe letërsi. Duket sikur kjo gjë, që realisht ka ngjyrën e një masakre sociale, apo gjenocidi artistik, ndodh në komunitetin tonë të poetëve e shkrimtarëve. Për të përcjellë artin e vërtetë nesër, duhet të humbasim në pushtetin vendimarrës nga sa më pak duar, sot.

“Mos më thuaj se hëna po shkëlqen; më trego shkëlqimin e dritës në xhamin e thyer.” shkruan Anton Chekhov, para më shumë se një shekulli dhe në pjesën e dytë të fjalisë janë poetët e vërtetë, ndaj hapini perdet që ata t’ju tregojnë dritën. Poezia është gjithmonë një dhembje nën fluks prozhektorësh me fytyrë të bukur. Ajo me fuqinë e saj shërben edhe vetë si një portal për tu lidhur me lexuesit dhe transmetuar atyre solidaritetin artistik, duke bashkuar universe me të njëjtën ngjyrë shpirtërore, pas të cilës çliron ide sociale konstruktive. Poetët ndoshta janë kategoria më e veçantë njerëzore, të cilën e shoqëron ankthi i krijimit, i eksplorimit, i të bukurës, i suksesit dhe ankthi është marramendja e lirisë dhe e arsyes.

Arti botëror na sjell shembuj inkandeshent orientimi në botën e vlerave që kërkojmë të ndërtojmë. Në filmin “Aromë gruaje” koloneli Frank Slade (Al Pacino) mban një fjalim historik për fuqinë e Amerikës, kur deklaron se deformimi që drejtori Mr.Trask iu bën studentëve me anë të presionit për bursë dhe avantazhe në shkollë në këmbim të spiunimit nga ata te drejtori, nuk krijon liderë të vërtetë të Amerikës. Stili është çelësi i mënyrës së një autori për të parë botën, ndaj ka ardhur koha që stili i mediave të ndryshojë nën peshën e ekzistencës së tij te poetët dhe shkrimtarët. Poetëve dhe shkrimtarëve iu pëlqen të jetojnë në një botë pyetjesh dhe idesh, të cilave iu japin zgjidhjen “zhylverniane”. Kohët janë “perëndimore” dhe nuk pranojnë më tej Orientin me ngjyra bizantine. Artistët shqiptarë do të shkojnë në Evropë me krijimin e monumentit të lirisë, që i jep formën më të bukur të ardhmes dhe në mes tyre poetët… këta “çmendurakë” të vërtetë, që nuk gjejnë prehje as në prehjen e përjetësisë.

Filed Under: Kulture

Hulumtim i poetikës melodike Noliane

March 6, 2025 by s p

Behar Gjoka/

Përmbledhja me poezi, Albumi i Nolit ose Mall e brengë, siç e përcaktoi Kuteli, në vitin 1943, kur e botoi poezinë e autorit, pra “veprën ëndërrore”, simbas formulimit të Konicës mbi krijimtarinë autoriale, përfaqëson pasqyrën e verbit poetik, të këtij mjeshtri të fjalës, i cili shkroi dhe na la poezi që e pasurojnë pentagrimin estetik të letrave shqipe. Shfletimi i poezive të poetit vullkanik (një term i Kutelit), që madje në tanësinë e vetë sendërgjon poezinë tingullore/ritmike, vetiu na sjellë në mendje sugjerimin e Harlod Bloom, teksa shprehet: …poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare.. (2008: 69), madje pavarësisht ngjyresave personale dhe toneve kushtruese, që përgjithësisht përçon materia letrare e librit me poezi të Nolit, kësaj figure me shumëplanësi, kontributesh dhe veprash, për atdheun, kombin, kulurën dhe letërsinë shqipe. Megjithatë, kundruar në distancë kohore, madje edhe të konteksteve të leximit dhe interpretimit, tashmë ama poetike e F. S. Nolit, mund të zbulohet dhe kundrohet në brendësinë e ligjërimit, nëse e vendosim në marrëdhënie me semantikën dhe shprehësinë që bart, varësisht disa aspekteve:

I – Rileximi si shkas imediat me hetu vatrat e larmisë ligjërimore

II – Premisa për kalimin e poezisë shqipe, nga lëvrimi klasik në ligjëratën moderne

III – Poezia melodike dhe ritmike noliane

IV – Gjurmë të poetikës autoriale

V – Atmosfera poetike e kohës së shfaqjes së Nolit si poet

I – Rileximi si shkas imediat me hetu vatrat e larmisë ligjërimore

Letërsia, në përgjithësi dhe, veçmas poezia, si perëndeshë e artit të fjalës, zbulohet dhe ridemensionohet pas secilit lexim, e sidomos të rileximeve të pandërprera, ky i fundit, parë si proces i domosdoshëm nga dija letrare, si një akt përlindës i vatrave të shumëngjyrta të teksteve letrare, pra edhe të peozisë së Nolit. Në procesin e rileximit, pamëdyshje ka vlerë sugjerimi i C. Klark, kur në mes të tjerash, nënvizon: “Koha e veprave nuk është koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve.“ (2001: 63, tek libri Qytetërimi, Shtëpia e librit, Tiranë 2001.) Në këtë proces, të leximit dhe vlerësimit të krijimtarisë së shkrimtarit, gjithashtu nuk duhet harruar ideja e Friedrich Nietzsche: …dija jonë artistike në të vërtetë është iluzore, sepse si të tillë, nuk jemi identikë me qenien, që duke qenë krijues i vetëm dhe shikues i vetëm i kësaj komedie arti, krijon në të dhe gjen në të kënaqësi të përjetshme. (2001: 61, pohim i bërë në librin “Lindja e Tragjedisë”), që realisht na jep dorë me hy në marrëdhënie me atmosferën poetike të përmbledhjes Mall dhe brengë, e po kaq në shtegtimin e poetikës së librit, në kohë dhe hapësirë. Rileximi i materies poetike të librit Album, është një shkas tjetër, me shku më përtej leximit tematik, autobiografik dhe problemor, mënyra të verifikimit dhe interpetimit të pranishëm, por ndërkaq procesi rilexues, shërben si shtysë me u ndal te tekstet poetike, vetëm të materia letrare, si oaze të pasura shprehësie. Në këtë gjendje letrare të përveçme, të rileximit në distancë kohore dhe po kaq, në kontekste të tjera, kuptojmë:

– Se Mall dhe brengë, është model i lirikës së një spektri të gjerë, duke zënë fill qysh nga lirika politike, shoqërore, elegjiake, biblike, satirike, madje edhe intime, duke pasuruar kështu lirikën e poezisë shqipe.

– Dëshmi e unit poetik aktiv (të angazhuar), që madje shkon gjer në rebelizëm të pamëshirë, në hetimin e vesit dhe plagëve shpërfytyruese të genit arbnor.

– Materia poetike shqipton përmasat e poezisë ritmike, që shpesh zbret në tone kushtruese/luftarake, me gjasë e shkrimit poetik tingullor.

– Shprehësia poetike, shpalos një ekuilibër të pazakontë të mesazhit që shpallet hapur, me mënyrën ritmike të thënies, që dukshëm ridimensionon poezinë e vargjeve të matur, gjithsesi me anësim të beftë kah ligjërimi i poezisë së mendimit, gjë që shpaloset me ritmikë të brendshme dhe të jashtme, duke tonifikuar kështu poezinë melodike dhe me ritëm të theksuar.

II – Premisa për kalimin e poezisë shqipe, nga lëvrimi klasik në ligjëratën moderne

Substanca e gjerë poetike e vëllimit Mall dhe brengë, tashmë e parë në brendësinë e vetë, sidomos në skicimin dhe plasimin e shqetësimeve të atit shpirtëror dhe të njeriut të angazhuar, në trajtimin e problematikave të kohës, e lidhur ngushtë me shprehësinë, emocionale dhe melodike, përçon shenja letrare unike:

E para, materia letrare, e tanësisë dhe secilit tekst me poezi, shënon cakun më të ngritur të ligjërimit poetik, me vargëzim të matur, ku madje teksa ndeshesh me vrundullimën e vargjeve kushtruese, ke ndjesinë e një rimishërimi të lavrimit letrar, që më në fund i ka braktisur “liqenet e qeta” andërrimtare të romantikës së shekullit të 19 dhe troket në portat e jetës së njeriut të revoltuar ndaj padrejtësive, duke i shpallur dhe demaskuar pa hezitim ato. Prania e poezisë melodike, në një kuptim, e përafron me poezinë e Mjedjes, vetëm në aspektin e muzikalitetit, që të poezia e Nolit, vjen me vrundullima vullkanike, kurse ritmika e shtuar, e jashtme, por edhe e brendshme, tonet uluritëse të thënies, të problematikave të mprehta politiko-shoqërore, në një aspekt tjetër, natyrshëm e shpien nga poetika migjeniane, gjithsesi duke mbetur një ligjërim vetjak. Porse në të dyja rastet, pra të pranisë melodike, nuk është fjala këtu për pikëpërkime, por kryeisht për klimën e shkrimit të poezisë, në pjesën e parë të shekullit të XX, që pati shumë rryma, larmi ngjyrash dhe praktika shkrimi të poezisë.

E dyta, libri poetik Album, ndërkaq përfaqëson një premisë të beftë shkrimore, me gjasë një pikëtakim të poetikës së vargut të matur, me kahje të ligjërimit modern, pra të anësimit dhe hapësirës së poezisë së vjershërimit të lirë. Hetimi i kësaj situate, të pazakontë në lavrimin e poezisë, gjithsesi parashtrim i një hipoteze, deri në momentin e shkrimit të poezive nga autori, gjellon dhe shpirtëzohet në lexim, rilexim dhe interpretimin e teksteve me poezi, që trashëgojmë nga F. Noli. Megjithatë, në sugjerimin për ta parë si premisë, në mes dy poetikave të vargëzimit klasik dhe atij modern, realisht ka disa nuanca dhe shenja domethënëse, që e justifikojnë hedhjen e kësaj hipoteze, të qenësisë si premisë për kalimin e ligjëratës së poezisë shqipe, tashmë në poetikën e modernitetit:

– Anësimi i rrokshëm në hapësirën e teksteve, të ligjëratës poetike noliane nga mendimi, që madje shprehet hapur, pa kurrëfarë droje, gjithsesi pa e braktisur ndjenjën dhe emocionet, gjë që preket në pjesën dërrmuese të poezive të F. Nolit, që sendërtojnë një rebus poetik, të bashkëlidhjes së emocioneve me mendimin e drejtëpërdrejtë.

– Sendërgjimi i teksteve poetike, pra pjesa më e madhe e poezive të përmbledhjes Mall dhe brengë, edhe me një ritmikë befasisht të brendshme, tipar i poezisë moderne, por edhe me ritmikë të jashtme, që është më e thekur, gjë që tregon shenjat e ligjërimit tradicional, duke përvijuar kështu tipologjinë e poezisë unike.

– Shprehësia e tonifikimit të poezisë melodike, thellësisht tingullore dhe ritmike, brenda një vargu, që e buçet mendimin dhe emocionin, por edhe e shtrirë në tekstet e poezive, të librit Mall dhe brengë, si një tipar krejt vetjak, në shkrimin e poezisë në kohë dhe hapësirë, në letërsinë shqipe.

III – Poezia melodike dhe ritmike noliane

Hapësira tekstologjike e përmbledhjes Album, pjesa dërrmuese e poezive të autorit, krahas aspekteve formësuese që theksuam, është një vatër ligjërimore, ku sendërtohet poezia melodike dhe ritmike. Prania e shenjave të tilla, është vënë re qysh në vitin 1943, në parathënien përcjellëse të botimit të librit, M. Kuteli, kur analizonte poezinë Thomsoni edhe Kuçedra, në mes të tjerash shkruan:… ka sulm retorik dhe vargje që na japin, intuitivisht, përshtypjen e zhurmës së detit që rreh pa pushuar, me rreptësi, anët, ose si zhurma e bombardimit të një kështjelle. (1998: 10), gjë që vihet re edhe në poezi të tjera të Nolit, mbase në shumicën e tyre. Thurja e një poezie të tillë, ku ngjizet dhe shqiptohet linja melodike, përngjiturazi me të poetika ritmike, madje shpesh herë me tonet e trompetës luftarake, të cilat dinamizojnë shkallën emocionale dhe shprehëse poetike. Ngjyresa melodike/ritmike, e tingujve të fortë, shpesh tejet luftarak, shpalohet në disa mënyra:

A – Anësimi i shprehësisë së tanësisë së vargjeve poetike të përmbledhjes Mall e brengë, nga shkalla e ngritur emocionale, madje gjer në shpërthime bubullitëse dhe vullkanike, që kanë lidhje me tipin e un-it tepër aktiv, shpesh herë tepër zemërak. Shkalla e ngritur emocionale, ndërkaq përcillet me densitet figurimesh, të hartimit të poezive, pothuajse formaliste, në kuptimin e artikulimit melodik të gjendjeve, të cilat vijnë përmes rrokjeve dhe fjalëve ritmike, një tipar që bartet në gjithë poezinë e Nolit.

B – Një shenjë tingullore e dukshme, është edhe prania melodike/ritmike, midis vargjeve të ndryshëm, apo edhe të strofave. Kështu në strofën e parë të poezisë Hymni i Flamurit: O Flamur gjak, o flamur shkabë,/O vënd e vatr’ o nën’ e babë,/Lagur me lot, djegur me flagë,/Flamur i kuq, flamur i zi. (1998: 27), ku madje me kaq denduri figurash, e sidomos me praninë e ritmikës melodike, e apostrofimit dhe të rimës së puthur, në trevargëshin e parë, elementë të shprehësisë poetike, të cilat ndikojnë për të fanitur para lexuesit imazhin e flamurit. Situatë të qartë melodike, gjithsesi varësisht ritmikës së rrokshme, shpaloset edhe në vargjet e poezisë Rent, or Maratonomak: Rent, or rent, rent e u thuaj./Se u-çthur ordi e huaj,/Se betejën e fituam/Dhe qytetin e shpëtuam,/Rent, or rent,/Rent, or maratonomak! (1998: 54), ku duket qartësisht se melodia ritmike realizohet me anë të përsëritjes së fjalës –rent, që përsëritet pesë herë, në këtë strofë, plus një herë, në refrenin përmbyllës. Melodia tingullore, përcillet edhe përmes rimës së puthur të katër vargjeve të para të kësaj poezie, ritmike dhe melodike. Kurse, apostrofi thirrmor, Or Maratonomak, bashkë me epitetet karakterizuese, shpërndërrohet në një refren ritmik, melodik të toneve kushtruese, që bashkëshoqëron dhe formëson ritmikën e pazakontë të materies poetike.

C – Melodia ritmike, brenda vargut, ndërkohë përfaqëson mënyrën adekuate për sendërtimin e poezisë tingullore dhe ritmike noliane. Tipari stilistik, i tingëllimës brenda vargut, gjendet i shtrirë në shumicën e poezive të vëllimit Mall e brengë. Vëmë re se në dyvargëshin e poezisë Hymin i Flamurit: O Flamur gjak, o flamur shkabë, ku kemi të pranishëm përsëritjen e apostrofit: O Flamur, që vetiu e shton shprehësinë e vargut, por që ndërkaq pasohet nga theksi ritmik trokaik, tek fjalët –gjak, -shkabë. Në vargun tjetër: O vënd e vatr’ o nën’ e babë, ku melodia ritmike vjen kryesisht nga bartja e apostrofit, si dhe nga ritmi trokaik i tetërrokëshit. Ose në dyvargëshin e poezisë Thomnsoni dhe Kulçedra: Te Ura, te Ura,/Vraponi, o burra, kemi të shprehur melodinë brenda vargut, si përsëritje e frazës -Te Ura, si dhe bashkëtingëllimën midis dy vargjeve, nga prania e rrokjes –ra, në të dy vargjet. Në vargun e parë të poezisë Shën Pjetrri në Mangall: Fryn’ e çfryn veriu, melodika tingullore dhe ritmike përftohet nëpërmjet antinomisë –fryn dhe –çfyn, si dhe të përsëritjes së rrokjes –ry. Po ashtu, në vargun e parë të poezisë Marshi i Barabbajt: Allalla, o rezil e katil, allalla, ku ritmika melodike fitohet nga përsëritja e fjalës –allalla, dhe prania e gërmave –ll (4 herë), – l (2 herë). Kurse vargu: O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu, tashmë e përçon gjendjen tingullore përmes aliteracionit, njëherit e paraprirë edhe nga pasthirrma. Në vargun e poezisë Syrgjyn-vdekur: Syrgjyn-gjallë e syrgjyn-vdekur, kemi të përftuar melodinë ritmike, brenda vargut, kryesisht nga përsëritja e fjalës –syrgjyn, me të gjithë tingujt përbërës. Teksti i poezisë Shpell’ e Dragobisë, është ilustrimi më i qartë i ritmikës melodike, që bart materia poetike, por që fiton peshë të pazakontë në vargjet: Dif dragonj i Dragobisë, ku aliteracioni e shqipton qartazi ritmikën melodike, të një mesazhi kushtrues/luftarak. Po ashtu, në vargun e parë të poezisë thelbësisht melodike: Rent, or Maratonomak: Rent, or rent, rent e u thuaj. , kemi të shpallur melodinë ritmike, brenda njësisë së një vargu, që plasohet nga përsëritja e fjalës –rent. Po te kjo poezi, ndeshim në ligjërimin e pazakontë: Gryka si gjyryk të çfryn, që e shqipton hapur dhe me vrundullimë, melodinë ritmike, me anë të përsëritjes së rrokjes –ry (3 herë), si dhe të tingullit –y (4 herë), që duket se përftojnë aliteracionin unik të poetikës noliane.

IV – Gjurmë të poetikës autoriale

Poezia e F. Nolit, e përmbledhur në librin Album, të përcjellur nga M. Kuteli me titullin Mall e brengë, në udhëtimin e gjatë për te lexuesi, ka dëshmuar ndikimin e vetë, që para së gjithash lidhet me endjen e një poetike vetjake, e një shenje të mëvetësishme autoriale, e cila gjendet brenda vargjeve të librit, si dhe në hapësirën e komunikimit me lexuesin. Në mes gjurmëve të poetikës noliane, do të veçoja:

Së pari: Komunikimi i hapur parak dhe, pa ekuivok, që gjendet në shtypin e kohës, kryekëput si një reagim i atypëratyshëm, në lidhje me ndodhitë për atdheun dhe jetën personale. Duke qenë reagime të menjëhershme, pashmangshëm vargjet dhe poezitë e autorit, e përçojnë përvojën dhe shenjën personale. Kjo formë e hapur komunikimi, unike në kumte, e përcjellur në shtypin e kohës, në gazeta dhe revista, është tipike për Nolin, ndonëse si praktikë komunikimi qe bërë e zakonshme në letërsinë shqipe, sidomos të asaj kohe, si dhe dëshmon ndikimin e menjëhershëm të poezisë së autorit.

Së dyti: Në vitin 1943, prej përkujdesjes së Dhimitër Paskos, u mblodhën dhe u sistemuan, madje edhe u botuan prej tij, shoqëruar me një parathënie të zgjeruar, të analizës së plotë të thënies dhe art’thënies, të vlerave të shumta estetike, të poezisë së autorit, ku përvijohen tiparet ma qenësore të shkrimit poetik nolian, në shumicën e treguesve shkrimor. Me botimin e vëllimit poetik Mall dhe brengë, tanimë krijohen mundësitë për të rrokur përmasat e poetit, pasi që zbuluar poezia e tij, botuar në shtypin e kohës, e veçmas të laryshisë poetike, që bart substanca letrare.

Së treti: Thelbi poetik personal, në të dyja gjendjet letrare, pra e komunikimit me poezi të veçanta në shtypin e kohës, por edhe me anë të librit Mall dhe brengë, ndërkaq ka mundësuar ngjizjen e një poezie, ku mesazhi dhe forma shprehëse, janë derdhur në një ekulibër unik, jo fort të zakontë në poezinë shqipe. Madje, nga rileximi i poezive, në distancë kohore, të vargjeve të larmisë, të leksikut të pasur, që përdoret gjerësisht, kam bindjen se Noli, varësisht poezive të kësaj përmbledhjeje, është edhe poet i formës, sepse në secilën poezi, zbulohet shkalla më e lartë e përkujdesjes për ta përcjellur te lexuesi, me një shkathtësi shprehëse, shpesh shpërthyese, sikur në një shpërthim vullkani.

Së katërti: Libri poetik Mall dhe brengë, për shkak të pranisë së plotë të vargëzimit me vargje të matura: tetë, dhjetë, trembëdhjetë, pesë, gjashtë, shtatërrokëshit, si dhe të mbizotërimit të strofës katërshe, kuaternës, të bind së është poet i vargjeve të matura, ndonëse tepër të nginjura me melodikë ritmike. Megjithatë, duke mbetur në natyrën e vargjeve të matura, në vjershërimin e Nolit, ndërkaq ndeshen disa nuanca, me gjasë disa pika këputje (ndërprerje, përthyerje), që kanë të bëjnë vetëm me artikulimin e melodisë ritmike dhe jo me thyerjen e vargut, një situatë tipike e poetikës së vargëzimit të lirë, të ndryshme nga poetët e mëparshëm, ku mbizotëron vjershërimi i matur, pa asnjë nuancë tjetër:

– Pika e këputjes në fillim, pra theksimi melodik ritmik, siç ngjet te poezia Thomnsoni dhe Kulçedra: Te Ura, te Ura,/Vraponi, o burra, të cilat realizohen me vargun gjashtërrokësh, por edhe të përsëritjes së rrokjes –ra, katër here në të dy vargjet, për të vijuar shkrimin e poezisë me katër vargje të tjera, me trembëdhjetërrokësh.

– Pika e këputjes (ndërprerja, përthyerja), gjithnjë e vendosur në fund të strofës, që madje është më e përhapur në poezishkrimin e autorit, ndërkaq mundëson shprehjen e poezisë tingullore dhe ritmike. Kështu në vargjet e poezisë Jepni për Nënën, pika e këputjes (ndërprerja, përthyerja), vjen në dyvargëshin: Mbahu, Nëno, mos ki frikë/Se ke djemtë n’Amerikë. , që pason më gjashtë vargjet fillimtare, ndonëse të dyja pjesët janë shkruar me tetërrokësh. Në poezinë tjetër, Mosiu në Mal, pika e këputjes, bie pas tre vargjeve, sendërtuar me dhjetërrokësh, kurse vargu i fundit, përcillet me pesërrokësh. Kurse poezia Shën Pjetri në mangall, e ka të vendosur pikën e këputjes, fill pas tre vargjesh me pesërrokësh, e pas tyre kemi vargun me katër rrokësh. Në vargjet e poezisë Sofokliu, pika e këputjes, vjen fill pas trevargëshit me tetërrokësh trokaik, dhe përcillet me vargun me pesë rrokje.

Së pesti: Poet i melodikës ritmike, që madje shpesh herë arrin gjer në shkallën e kushtrimit nxitës/luftarak. Poezia melodike, tipike ritmike, në hapësirën tekstologjike, thuret brenda një vargu, një strofe dhe përgjithësisht, ngjyros poezinë e vëllimit Album. Melodia ritmike përftohet edhe nga përdorimi i gjerë i apostrofit, shkallëzimit, enumeracionit, metaforës dhe satirës, mjete kryesore stilistike, që e mundësojnë artikulimin tingullor dhe ritmik, si dhe nga pikat e këputjes, në fillim apo në fund të vargjeve.

V – Atmosfera poetike e kohës së shfaqjes së Nolit si poet

Dalja e poezive të para të Nolit, në shtypin e kohës, në pjesën e parë të shekullit të njëzet, që shpesh herë nga dija letrare emërtohet edhe si “shekulli i artë”, më të drejtën e përveçimit të vlerave estetike, që barten në hapësirën tekstologjike, i lëvrimit të letërsisë shqipe, ngjet në një atmosferë poetike të larmishme:

– Vijonin të shkruanin ende, mjeshtra të shkrimit të poezisë, si: N. Mjedja, A. Z. Çajupi, A. Stavri Drenova (Asdreni, që madje futi në poezinë shqipe formalizmin), Z. Skiroi, Gj. Fishta, F. Shiroka etj. , si një zgjatim i rrokshëm i poezisë me natyrë romantike, pavarësisht ndryshimeve të pranishme në mes tyre, që plazmohej me vjershërimin e metrikës së matur.

– Në këtë periudhë, në skenën e letrave shqipe, shfaqen dy poet, nga më të veçantit në letrat shqipe, gjithkohor dhe gjithhapësinor, nga njëra ana “poeti qiellor”, Lasgush Poradeci, dhe në anën tjetër “poeti i ferrit”, që shqipton dhe formëson poetikën e vargut të lirë, Millosh Gjergj Nikolla, (Migjeni), të cilët me poetikën e shqiptaur në vargjet e tyre, shënojnë maja të lavrimit të poezisë.

– Në këtë klimë të pasur të ligjërimit të poezisë, të laryshisë së rrokshme, në gjuhën shqipe, të toneve dhe ngjyresave të ndezura, futet Noli, me poezinë e mirëfilltë personale, si reagime të atypëratyshme, pa hyrë në garën e mëtimit për tu shpallur poet. Por, ndërkaq poezia e këtillë, pati forcën e hapur ndikuese te lexuesi, të kumtimeve të forta të aspekteve personale, si dhe të problematikave të kohës, sidomos të lamive politike dhe shoqërore, duke sjellë kështu një model shkrimi unik, në letrat shqipe. Botimi i librit Mall dhe brengë, prej M. Kutelit, krijon fytyrën e plotë të poezisë dhe të poetit, krejt të veçantë, që lindet në gjirin e letërsisë shqipe, në një atmosferë të ngjeshur me përvoja të pasura dhe përplot laryshi të shkrimit poetik.

Literatura

1 – Noli, Th. S: Albumi/Mall e brengë, SH. B Naim Frashëri, Tiranë 1998.

2 – Bloom, Harold: Si dhe përse të lexojmë, Botimet DUDAJ, Tiranë 2008.

3 – Ceneth, Klark: Qytetërimi, Shtëpia e librit, Tiranë 2001.

4 – Nietzsche, Friedrich: Lindja e tragjedisë, SH. B UEGEN, Tiranë 2001.

5 – Kuteli, Mitrush: Parathënia e librit Mall e brengë, (botuar për herë të parë në vitin 1943), e ribotuar në vitin 1998.

Filed Under: LETERSI

PIRAMIDA…

March 6, 2025 by s p

Kosta Nake/

Pasi “pushtoi” Europën dhe Azinë, perandori Kadare hodhi vështrimin te kontinenti i tretë, Afrika, me synimin që ta fuste brenda zotërimeve të veta Egjiptin dhe një nga simbolet më të njohura botërisht, piramidat e Gazës. Romani dëshmon se pati bërë përgatitje speciale para mësymjes. Teksa ka ende dyshime në se piramidat janë konstruksione njerëzore apo jashtëtokësore, për autorin nuk kishte pikë mëdyshje se ato janë vepra të ngritura nga njerëzit me mundime dhe sakrifica prej skllavërish, madje ai përmendi disa nga guroret që u shfrytëzuan: Hatnub, Karnak, El Bershesh, Illahun, Abu Gurob, Abusir, Gurnet Murai, Saqqarë, Asuan. Ka aq detaje për shestimin dhe ndërtimin e saj sa që në rrafshin sipërfaqësor lexuesi i zakonshëm do të zbulonte një shkrimtar teknicien; në kapitullin e shtatë do mendonte për një gazetar të kronikës së zezë. Parathënia e shkrimtarit francez Eric Faye, duke nënvizuar tri karakteristika të veprës, përbën një udhërrëfyes për të mos humbur në labirithnin e hamendësimeve. Së pari, “Piramida” është një vepër alegorike, së dyti, leksiku është vërniku i derdhur mbi lashtësinë dhe pështjellimin e epokave për të mbuluar si jorgan gjumin e situatave të sotme. Së treti, Kadare rimori gurin si simbol i vdekjes që ndeshet edhe në vepra të mëparshme.

Për kritikun gjerman Andreas Breitenstein ndërtimi për 20 vjet i varrit më të madh të ngritur ndonjëherë gjatë historisë së njerëzimit u përthye te Kadareja si simbol i megalomanisë dhe mizantropisë së një sundimi totalitar që autori e përjetoi në atdheun e vet për një periudhë 40-vjeçare. Sipas gazetarit Andre Clavel, Kadareja si arkeolog i diktaturës, zbërtheu hieroglifet e tmerrit që tiranët e të gjitha ngjyrave u kanë damkosur në trup viktimave të tyre. Sipas Gjekë Gjolekajt, gazetarit shqiptar me banim në Amerikë, historianët i kanë parë piramidat si mëtim i faraonëve për të zgjatur një shkallë drejt qiellit, kurse Kadare pati një qasje tjetër: piramidat janë projekte kolosale për të sforcuar burimet e një vendi dhe për të harxhuar energjitë e popullsisë së tij që t’i mbajë të gjithë në rresht. Duke patur mbi tavolinë këto rrugë të shkelura, po kufizohem te rrafshi i nëndheshëm i tekstit, ku Egjipti është Shqipëria, ku Keopsi është Enver Hoxha, ku egjiptianët janë shqiptarët.

Kryeprifti Hemiunu, që para se të fillojë ndërtimi i piramidës i thotë faraonit dy gjëra thelbësore: “Ideja e piramidës lindi në një kohë krize,” se ajo “…është në radhë të parë pushtet, shtypje, burg, para, po aq sa ç’është trullosje e turmave, ngushtim i mendjes, vyshkje e vullnetit, mërzi dhe humbje.” Përbetimet e zbuluara nga policia e fshehtë e faraonit Keops, të kujtojnë grupet armiqësore të viteve ’70 në Shqipëri me akuzat për tradhëti e sabotim, që çuan në arrestime, tortura, internime dhe ekzekutime me vdekje. Ceremonia e dekorimit të kryepriftit Hemiunu, pasohet nga goditja e tij, ashtu si ndodhi me nomeklaturën më të lartë të shtetit diktatorial. Situata e nderë i tjetërsoi njerëzit, “…ata flisnin si në kllapi, dënonin armiqtë e shtetit me një dehje të sinqertë, përdëlleheshin për faraonin sovran.”

“Në një drekë zyrtare Keopsi tha fjalët e famshme: Piramidën e kanë halë në sy armiqtë tanë, por sa më shumë ta përgojojnë ata, aq më lart ne do ta ngremë atë drejt qiellit.” Pas këtyre fjalëve ne i kemi gati deklaratat bombastike: Shqipëria është shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut. Ne në gojë të ujkut hedhim valle. Armiqtë na kanë në grykën e pushkës, ne i kemi në grykët e topit. Në kapitullin e shtatë të “Piramidës” përshkruhet një fragment kohor nga një periudhë e gjatë, një gjeneratë ku koha nuk matet me javë apo me vite, por në gurë, secili me peshë disa ton dhe në mijërat e vdekjeve të tmerrshme dhe të panevojshme, që shkaktohen prej transportit dhe vendosjes së tyre. Me një ironi të jashtëzakonshme dhe të goditur, viktima kurorëzuese e piramidës përfundon vetë Keopsi. Sepse piramida, e parë nga ideatorët e tij si një simbol përulës ndaj pushtetit të tij të plotë dhe të pakundërshtueshëm, arrin të duket në sytë e tij si një kujtesë për vdekjen personale. Rrokullisja e gurit të shtatë duke filluar nga qielli është aludim për rrokullisjen e afërt të sistemit.

Në faqen 84 deklarimi është i drejtpërdrejtë: “Piramidat, duke mos dhënë asgjë, jashtë çdo lëshimi, ishin mishërim i pastër i sundimit.” Kurse në faqen 93, kur në vend ka ardhur një klimë mosbesimi mes njerëzve, njëri prej tyre thotë: “…jam i dyzetenjëshit unë, more vesh, shko gjej ndonjë tjetër për ta trembur…, mua më merr të keqen, se ti i kishe buzët me qumësht kur unë e lashë krahun te…”

Varianti i parë i veprës i përfshirë në përmbledhjen “Ëndërr mashtruese” u shkrua në vitin 1989. Botimi si roman më vete më 1992 e ka rritur numrin e kapitujve nga shtatë në gjashtëmbëdhjetë dhe kapitulli “Antipiramida” ka një shtesë ku mjedisi shqiptar i krijuesve që filloi të gëlonte nga disidentët pas vitit 1991 bën muuu!

“Të tjerë rrëfenin bëmat e tyre, si e kishin namatisur shkallanën e dyzetenëntë, si e kishin pshurrur në të pesëdhjetë e tretën,…. poetët tregonin vjershat ku sipas tyre kishin patur nënkuptime kundër Keopsit si dhe ankthin që i kishte sfilitur për atë shkak… Amenherunemefi rrëfente për shembull torturën që kishte hequr kur kishte shkruar sidomos dy vargjet: “Mullibardhat tek iknin varg, unë i pashë e qava pak…”

Kapitulli “Kafkana” me Timurin e çalë dhe stepën pranë Ispahanit në Azi sjell një model tjetër të ushtrimit të sundimit absolut e barbar për të nënvizuar faktin se të gjitha diktaturat, pavarësisht formës dhe mjeteve, në thelb janë e njëjta gjë, mekanizëm për thyerjen e vullnetit të popullit. Epilogu është shpërthyes ndaj diktaturës në Shqipëri. “Shfaqja e dytë ndodhi gjashtëqind vjet më pas, në dheun e vjetër të ilirëve ku banonin tani pasardhësit e tyre me emrin shqiptarë. Si në një koitus kozmik… piramida plakë lëshoi jo një por qindra mijëra pjella të saj. Ato quheshin bunkerë dhe secili, sado i vockël ishte në krahasim me nënën, e bartte tërë tmerrin dhe marrëzinë e saj.”

Filed Under: ESSE

VATRA PËRKUJTON 60 VJETORIN E LARGIMIT NË AMSHIM TË IMZOT FAN S. NOLIT

March 6, 2025 by s p

VATRA PËRKUJTON 60 VJETORIN E LARGIMIT NË AMSHIM TË IMZOT FAN S. NOLIT.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT