• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2025

Plagët ende janë të hapura, drejtësia po vonon

March 29, 2025 by s p

Fotoekspozitë mbresëlënëse në Philadelphia për masakrat serbe të luftës së Kosovës (1998 – 1999)

Nga dr. Sadik Elshani

Ditën e diel, më 23 mars, shoqata “Bijtë e Shqipes”në mjediset e saj, në bashkëpunim me Këshillin Shqiptaro – Amerikan, OJQ-ne “For Neë Life Kosovo” dhe Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, organizoi një fotoekspozitë të rëndësishme e mjaft mbresëlënëse për krimet gjenocidale të regjimit serb mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të Kosovës në vitet 1998 – 1999.

Në këtë ekspozitë ishin të ekspozuara fotografi origjinale me pamje të tmerrshme për masakrat serbe në tërë territorin e Kosovës. Kjo ekspozitë ishte konceptuar edhe si një bashkëbisedim me komunitetin lidhur me 25 vjetorin e gjenocidit serb ne Kosove, hapat e mëtutjeshëm që duhet të marrim ne të gjithë si shqiptarë për ta snsibilizuar këtë çështje, për të kërkuar drejtësi për të gjitha ato viktima të pafajshme, sepse: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Jehona e pushkëve, topave e bombardimeve nga aeroplanët tani ka pushuar, por gjurmët e luftës në shpirtin e familjeve shiptare që kanë humbur më të dashurit e tyre ende nuk janë shlyer, dhe kurrë nuk do të shlyhen, plagët ende janë të hapura e drejtësia po vonon.

Veprimtarinë e hapi z. Dritan Matraku i cili i përshëndeti të pranishmit, falenderoi dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve nga Kosova,veprimtarëve dhe organizatorëve të kësaj ekspozite:

Z. Ramë Manaj, ish-zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, kryetar i Komisionit për Personat e Pagjetur të Qeverisë së Kosovës,

Znj. Kumrie Karaçica, organizatore e ekspozitës.

Znj. Xhemile Morina, cicerone.

Z. Sali Muhaxheri, kurator.

Z. Luz Thaqi, gazetar e publicist, veprimtar i komunitetit.

Z. Anton Gojani, veprimtar i komunitetit.

Zoti Matraku shprehu kënaqësinë që kjo ekspozitë po organizohet në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes”, për t’i nderuar të gjitha viktimat e krimeve serbe në Kosovë, për të kërkuar drejtësi për ta, si dhe për t’ua bërë të njohur brezave më të rinj vuajtjet e popullit tonë.

Fjalën e rastit e mbajti z. Sadik Elshani, njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve, i cili po ashtu theksoi se kjo ekspozitë është për t’i nderuar të gjitha viktimat e pafajshme, për të shprehur mirënjohjen dhe falenderimet tona për organizatorët e kësaj ekspozite dhe përpjekjet e vazhdueshme ndër vite për zbardhjen e fatitit të më të dashurve të tyre, për ta ndarë dhibjen së bashku, sepse kur një e keqe i ka ndodhur një shqiptari, ajo u ka ndodhur të gjithë shqiptarëve – kjo luftë e ka prekur çdo shqiptar. Pastaj z. Elshani i njoftoi të pranishmit për krimet makabre që kanë ndodhur në Suharekë/Therandë në familjen Berisha. Ai u tregoi të pranishmeve edhe kopjet e disa gazetave e revistave botërore që i kanë pasqyruar ato krime. Zoti Elshani në fjalën e tij theksoi se duhet bërë më shumë për ta sensibilizuar edhe më teper këtë çështje në arenën ndërkombëtare, duke lobuar në Kongresin dhe Qeverinë Amerikane dhe vendet tjera ppërendimore, duke e hapur këtë ekspozitë në qendra të rëndësishme, të cilat mund të ndikojnë tek qeveritë e vendeve përkatëse. Duhet bashkëpunuar edhe me organizatat joqeveritare të vendeve të rajonit, Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë, të cilat kanë qenë viktima të regjimit gjenocidal serb dhe politikës së tyre të pastrimit etnik.Të përgatitet një dosje e plotë në mënyrën më profesionale, duke evidentuar çdo krim të kryer në Kosovë, duke angazhuar ekspertë, avokatë e juristë me përvojë e famë ndërkombëtare – theksoi ndër të tjera në fjalën e tij z. Elshani.

Në fillim të fjalës së tij z. Luz Thaqi shprehu mirënjohjen e tij për shoqatën “Bijtë e shqipes” për gatishmërinë për të hapur këtë ekspozitë në mjediset e saj, mikpritjen e ngrohtë, atmosferën vëllazërore. Pastaj ai shprehu pakënaqësinë e habinë sesi çështja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve po zvarritet për më shumë se 25 vite: “Si është e mundur që Serbia ende nuk është ndëshkuar?!” – u shpreh z. Thaqi me mllef e habi. “Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar – familjarët kërkojnë drejtësie” – u shpreh z. Thaqi në vazhdim të fjalës së tij. Edhe z. Thaqi u angazhua për një bashkëpunim më të ngushtë me organizatat e ngjashme në rajon. Z. Thaqi shprehu bindjen dhe besimin e tij se diaspora do ta çojë përpara këtë çështje, sepse ajo ka një potencial të madh njerëzor, intelektual e profesional; kemi ekspertë të lëmive të ndryshme që punojnë nëpër universitete e institucione prestigjioze akademike, qeveritare, etj.

Zonja Kumrie Karaçica, e cila ka humbur bashkëshortin në këtë luftë, falenderoi të gjithë të pranishmit dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” për ngrohtësinë që ajo gjeti në këtë shoqatë, për gatishmërinë për t’u bërë bashkudhëtar në rrugetimin e tyre për të kërkuar drejtësi. Zonja Karaçica pastaj i njoftoi të pranishmit për OJQ-në “For Neë Life Kosovo”, të cilën ajo e udhëheq, qëllimin e kësaj organizate, që është zbardhja e fatit të të zhdukurve civilë të luftës. Qëllimi i ekspozitës, organizuar me inisiativën e saj, është që të mos harrohet ajo që ka ndodhur, theksoi zonja Karaçica. Ajo pastaj rrëfeu për vuajtjet e saj dhe të familjes së saj dhe të shumë familjeve të tjera. Ajo u bëri thirrje të gjithëve që rë bëjmë diçka, një hap drejt padisë në gjykatat ndërkombëtare. Ajo nga diaspora kërkoi ndihmë profesionale, ekspertizë ligjore, “sepse ne nuk e dimë gjuhën e avokatit, politikës, por vetëm gjuhën e dhimbjes”.

Zoti Ramë Manaj, i cili në këtë luftë e ka humbur djalin, vëllain e shumë anëtarë të familjes, falenderoi shoqatën për këtë organizim “nga bijtë e vërtetë të shqipes”. Z. Manaj i bëri një pasqyrë të shkurtër të dëmëve, tragjedive njerëzore të kësaj lufte, pasojat e tmerrshme që ajo ka lënë pas: 13950 të vrarë, 20000 gra të përdhunuara, 1620 persona ende të pagjetur dhe mijëra të gjallë me shpirt të vrarë, të traumatizuar nga tmerret e luftës. “Kjo ekspozitë paraqet vetëm pjesërisht vuajtjet tmerret që kanë përjetuar familjet shqiptare, është vetëm një dritare e errët në historinë e krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Ta mbajmë gjallë kujtimin e atyre që nuk janë më. Kjo ekspozitë është një apel për t’u angazhuar që të bëjmë dicka më tepër” – u shpreh z. Manaj. Në fund të fjalës së tij ai shprehu mirënjohjen e tij për NATO-n, ShBA-të, për angazhimin e tyre vendimtar në mbrojtje të popullsisë shqiptare.

Zonja Xhemile Morina, e cila ka humbur bashkëshortin dhe z. Sali Muhaxheri, i cili ka humbur bashkëshorten, paraqiten ekspozitën duke përshkruar në detale masakrat që kanë ndodhur në tërë Kosovën, masakrat e Lubeniqit, Çikatovës, Poklekut, Krushës së Madhe e shume fshatrave e qyteteve te tjera; krimet që janë kryer ndaj familjeve Ahmeti, Muqolli, Deliu e shumë familjeve të tjera shqiptre. Çdo pëllëmb e tokës së Kosovës eshtë e ngopur me gjakun e dëshmorëve, gjakun e viktimave të pafajshme civile.Ishin fotografi që flisnin vetë, fotografi që pasqyronin tnerr, sillnin pikëllim, fotografi që lëshonin klithma e bënin thirrje për drejtësi. Zonja Xhemile theksoi se qëllimi i ekspozitës është që të sensibilizohet çështja e të pagjeturve në arenën ndërkombëtare. Zonja Xhemile dhe veprimtarët tjerë falenderuan mërgatën për kontributin e tyre në organizimin e kësaj ekspozite në shumë qytete europiane. Më 23 mars kjo ekspozitë u organizua në Nju Jork, në Monroe University. Veprimtarët nga Kosova kërkuan që t’i shtojmë përpjekjet tona për të ngritur padi kundër Serbisë.

Zoti Llazar Vero, gazetar e publicist veteran, ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” falenderoi veprimtarët dhe organizatorët e kësaj ekspozite për punën e tyre të vazhdueshme e këmbëngulëse për zbardhjen e fatitit të të zhdukurve. “Është e pamundur që të mos emocionohesh kur e sheh këtë ekspozitë. Kemi mundësi të bëjmë edhe më shumë” – u shpreh ndër të tjera z. Vero. Pastaj ai rrëfeu për lidhjet e tij me kosovarët në Fier e Myzeqe – ishte rritur me kosovarët, me historitë e trimërisë së Shote e Azem Galicës.

Shoqata “Bijtë e shqipes” nderoi me një Mirënjohje z. Ramë Manaj: “Për angazhimin dhe sakrificën e tij shumëvjeçare personale dhe të familjes së tij për lirinë e pavarësinë e Kosovës, veprimtarinë e vazhdueshme për ndërtimin e shoqërisë dhe institucioneve demokratike të Kosovës dhe punën këmbëngulëse si veprimtar e kryetar i Komisionit Qeveritar për zbardhejn e fatit të të zhdukurve nga gjenocidi serb”. Ndërsa Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës nderuan me Mirënjohje shoqatën “Bijtë e shqipes” dhe dr. Sadik Elshanin për organizimin e kësaj ekspozite në Philadelphia. Për të pranishmit shoqata “Bijtë e shqipes” shtroi një koktel me ushqime e pije të llojllojshme.

Kjo ekspozitë, kjo veprimtari ishte një homazh, nderim për të gjitha viktimat, por ishte edhe një thirrje e fuqishme që të bëjmë diçka më tepër që drejtësia të triumfojë. Së bashku mund të bëjmë më shumë. Viktimat e familjarët e tyre kërkojnë drejtësi, kërkojnë që trupat e të zhdukurit të gjenden, të kenë një varr ku do të prehan të qetë në tokën e lirë të Kosovës, ku familjarët mund t’i vizitojnë e t’i kenë pranë, të vënë një kurorë, një buqetë me lule mbi varret e tyre.

Të shpresojmë se kjo ekspozitë do të shërbejë si një katalizator për të përshpejtuar përpjekjet e angazhimet tona për të ushtruar trysni në organizatat e institucionet ndërkombëtare, qeveritë demokratike, për të kërkuar drejtësi, për të ngritur padi kundër Serbisë. Të mos lejojmë që me kalimin e kohës kjo çështje të zbehet!

Philadelphia, më 25 mars 2025

Filed Under: Politike

Lufta e Shkodrës e vitit 1913 kundër synimeve grabitqare të serbo-malazezëve

March 28, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Mbreti Nikollë i Malit të Zi, i cili kishte vendosur ta pushtonte me çdo kusht Shkodrën me rrethet e saj, nuk u tërhoq as përballë paralajmërimit kategorik ,që i bëri Austria për të hequr një herë e mirë dorë nga Shkodra, as përballë këshillave të vazhdueshme të Rusisë për të mos bërë sakrifica të kota, me qenë se çështja e Shkodrës do të vendosej përfundimisht nga Konferenca e ambasadorëve. Ai e vazhdoi me ngulm luftën duke shpresuar se Shkodra do të binte shpejt. Ky opinion mbizotëronte edhe në shtetet evropiane. Por këto llogari dolën të gabuara. Në Shkodër nuk luftonin vetëm repartet turke: Brenda në qytet, pranë divizionit të rregullt otoman, që komandohej nga gjenerali turk Hasan Riza Pasha, ndodhej edhe një divizion rezervistësh shqiptarë nën komandën e gjeneralit Esat Pashë Toptani. Së bashku me ta luftonin edhe qytetarët shkodranë. Për të cilët rreziku kryesor tanimë nuk ishte Turqia, por Ma li i Zi. Shkodra u qëndroi sulmeve të furishme të ushtrisë malazeze. Gjatë dhjetorit 1912 dhe janarit 1913 mali i Taraboshit, kodrat e Beltojës, Bërdicës e Bardhanjorëve u bënë teatër luftimesh të përgjakshme. Trupat malazeze të komanduara personalisht nga mbreti Nikollë, i cili kishte shpallur se do të luftonte „deri në dhinë dhe fyshekun e fundit”, provuan disa herë ta merrnin me sulm qytetin, por dështuan. Hasan Riza Pasha, ndonëse e vazhdoi qëndresën edhe pas përfundimit të armëpushimit, e kishte kuptuar se Turqia tanimë nuk mund ta rivendoste sundimin e vet në Shqipëri. Ai vendosi ta shpëtonte garnizonin turk duke e nxjerrë nga rrethimi. Por ky plan i tij mund të realizohej vetëm në rast se kundër ushtrisë malazeze organizohej një sulm i kombinuar i garnizonit turk, forcave të qytetit dhe malësorëve. Për ta vënë në jetë këtë plan ai kërkoi ndihmën e përfaqësuesve të parisë së Shkodrës.

Kjo e fundit që mbante kontakte me qeverinë e Vlorës, e pranoi planin e komandantit turk, me kusht që qëndresa të vazhdonte në emër të Shqipërisë së pavarur. Edhe qeveria e Vlorës, duke shpresuar se Esat Toptani do ta vazhdonte qëndresën kundër malazezve dhe serbëve si shqiptar dhe do të lehtësonte kështu detyrën e bashkimit të tokave shqiptare, iu drejtua atij në janar me një letër të aprovuar edhe nga 30 përfaqsues të parisë shqiptare. Me anën e saj ajo e ftonte „ta bënte të pavdekshme jetën e kombit duke ngritur flamurin kombëtar”. Esat Toptani nuk e njohu shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe mbajti një qëndrim armiqësor kundrejt qeverisë së Ismail Qemalit. Ai zhvilloi kundër saj një fushatë shpifëse në Shkodër dhe, sidomos, në radhët e divizionit të rezervistëve shqiptarë të komanduar prej tij. Ai nuk e aprovoi as planin e komandantit turk të garnizonit të Shkodrës dhe, ndërsa ky i fundit po priste aprovimin e marrëveshjes nga ana e Stambollit.

Esad Toptani, me të cilin ishin bashkuar edhe oficerë xhonturq, më 30 janar 1913 e vrau Hasan Riza Pashën me anë të një atentati dhe si i dyti gjeneral divizioni që ishte, u bë komandant i garnizonit ushtarak të Shkodrës. Esat Pashë Toptani kishte lindur më 1863 në familjen e çifliga-rëve të mëdhenj Toptanas të rrethit të Tiranës. Ai ishte perfaqesuesi më tipik i feudalëve grabitqarë shqiptarë. Me anën e forcës ky kishte grumbulluar sipërfaqe të mëdha tokash midis Tiranës, Durrësit e Krujës dhe ishte bërë një nga pronarët latifondistë më të mëdhenj të Shqipërisë. Pas revolucionit turk më 1908 u bashkua me xhonturqit. Intrigant, ambicioz e karierist, ky nuk nguroi të përdorte të gjitha mjetet për t’ua arritur qëllimeve të tija egoiste. Njohja nga ana e Konferencës së Londrës e autonomisë së Shqipërisë nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, i hapi atij perspektivën për të shtënë në dorë drejtimin e shtetit shqiptar. Me qëllim që në luftën për pushtet të siguronte edhe mbështetjen e ushtarëve turq të garnizonit të Shkodrës ai e vazhdoi qëndresën nën flamurin turk. Me fillimin më 3 shkurt të veprimeve luftarake midis Turqisë dhe aleatëve ballkanikë, ushtritë serbo-malazeze e shtuan presionin e tyre kundër qytetit të Shkodrës.

Më 7 deri 9 shkurt ato shpërthyen një sulm të ashpër, por pushtuan vetëm disa pozita në kodrat e Bardhanjorëve e të Taraboshit duke lënë në fushën e luftës mijra të vrarë. Me kërkesën e Malit të Zi qeveria serbe vendosi të dërgonte kundër Shkodrës trupa të reja prej 20 mijë vetësh, të pajisura me artileri të rëndë. Qeveria e mbretit Nikollë, duke e vazhduar luftën me parullën „ose Shkodrën, ose vdekjen”, synonte ta pushtonte atë sa më parë për t’i vënë fuqitë e mëdha përpara një fakti të kryer. Veprimet luftarake midis Turqisë dhe aleatëve ballkanikë u zhvilluan përsëri në favor të këtyre të fundit. Më 6 mars grekët çliruan Janinën. Forca të mëdha të armatës së Epirit vërshuan në Shqipërinë e Jugut dhe brenda një kohe të shkurtër pushtuan Gjirokastrën dhe arritën deri afër Beratit. Më 26 mars bullgarët shtinë në dorë Adrianopojën. Tani luftimet zhvilloheshin vetëm në Shkodër. Ndërkohë edhe në Konferencën e Londrës po përfundonte lufta diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-malazez dhe shqiptaro-serb. E ndodhur përballë këmbënguljes së Lidhjes Tripalëshe në çështjen e Shkodrës, Rusia pranoi që ky qytet t’i lihej Shqipërisë me kusht që qeveria e Vjenës të hiqte dorë nga Peja, Prizrendi, Gjakova dhe Dibra, duke përfshirë këtu edhe malin e Taraboshit e Lumën. Për ta zgjidhur çështjen, të dy palët u detyruan të benin leshime te reja. Sazonovi hiqte dorë nga Taraboshi dhe Luma, ndërsa Berhtoldi, i interesuar për Shkodrën, e cila rrezikohej të binte në duart e serbo-malazezëve, hoqi dorë nga Peja, Prizrendi, Dibra dhe Gjakova.

Më 22 mars Konferenca e Pembasadorëve vendosi përfundimisht që Shkodra me rrethin e saj t’i mbetej Shqipërisë, ndërsa Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe pjesët e Maqedonisë t’u mbeteshin Serbisë dhe Malit të Zi. Menjëherë pas vendimit të 22 Marsit fuqitë e mëdha i kërkuan Malit të Zi dhe Serbisë të tërhiqnin trupat e tyre nga Shkodra. Për ta detyruar Malin e Zi i cili nuk e njohu vendimin e Londrës, të largohej nga qyteti, me inisiativën e Austro-Hungarisë dhe të Gjermanisë fuqitë e mëdha organizuan një demonstratë detare pranë bregdetit malazez. Më 5 prill skuadra detare ndërkombëtare nën komandën e nënadmiralit englez Sër I’m Sesil Burnej (Cecil Burney) arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej Tivarit deri në grykën e Drinit. Por Mali i Zi përsëri nuk pranoi të largohej nga Shkodra. Edhe qeveria serbe nuk pranoi t’i largonte trupat para se të përfundohej paqja me Turqinë; por përballë kërcënimeve të qeverisë austro-hungareze, e cila shpalli se trupat e saj do të hyninë në Sanxhak, dhe pas presionit që bëri Rusia, kryeministri serb Pashiq u detyrua më 12 prill ta urdhëronte komandën serbe t’i jepte fund rrethimit të Shkodrës dhe të tërhiqte forcat. Me largimin e ushtrisë serbe qeveria malazeze e preu shpresën për ta marrë Shkodrën me luftë. Ajo i shtoi përpjekjet e saj të filluara qysh më parë për ta bindun Esat Pashën të hiqte dorë nga qëndresa.

Pashaj Toptanas u tregua tani i gatshëm të merrej vesh me Malin e Zi. Ai e kuрtonte se planet e tij ambicioze nuk mund të realizoheshin pa përkrahjen e fuqive të mëdha. Por, me qenë se Lidhja Tripalëshe nuk i aprovonte veprimet e tij, E. Toptani u orientua nga fuqitë e Antantës e fqinjtë ballkanikë dhe shfrytëzoi rastin e Shkodrës për të plotësuar ambiciet e tij politike. Ai vendosi t’ia dorëzonte qytetin Malit të Zi, pasi ishte përfunduar më 16 prill armëpushimi midis Turqisë dhe aleatëve ballkanikë. Si shpërblim, ai siguroi përkrahjen e Malit të Zi e të aleatëve të këtij për t’u bërë sundimtar i Shqipërisë e për të formuar një qeveri të vetën, që do të zëvendësonte atë të Vlorës, si dhe të drejtën për ta nxjerrë nga Shkodra gjithë garnizonin së bashku me armët e municionet. Më 22 prill 1913, kundër dëshirës së qytetarëve shkodranë, ai nënshkroi tradhëtisht marrëveshjen e kapitullimit dhe bashkë me trupat turke e shqiptare, me armët dhe municionet u largua nga qyteti. Kështu, pas shtatë muajve lufte ushtritë malazeze hynë në Shkodër. Tradhëtia e Esad Toptanit ,dhe pushtimi i Shkodrës ngjaIli një valë zemërimi në popullsinë e qytetit dhe në të gjitha rrethet patriotike shqiptare. Brenda në Shkodër u krijuan menjëherë komitete të fshehta, të cilat në bashkëpunim me malësorët filluan të organizonin qëndresën e armatosur. Qeveria e Vlorës, nga ana e saj, u kërkoi fuqive të mëdha të ndërhynin për ta detyruar Malin e Zi të tërhiqej nga qyeti. Pushtimi i Shkodrës nuk u prit mirë as nga fuqitë e mëdha, të cilat me kërkesën e Vjenës dhe të Romës i deklaruan kolektivisht qeverisë malazeze se pushtimi i qytetit nuk do ta ndryshone vendimin e tyre të 22 Marsit. Por këto deklarata nuk e qetësonin qeverinë austro-hungareze. Më 28 prill, pa marrë akoma nga mbreti Nikollë përgjigjen e notës së fuqive të mëdha, Berhtoldi i kërkoi Konferencës së Ambasadorëve që të merreshin masa shtrënguese kundër Malit të Zi. Në rast të kundërt, ai paralajmëronte se monarkia do të vepronte vetëm.

Vjena, nga ana tjetër, nuk mund të qëndronte indiferente kundrejt veprimtarisë së E. Toptanit, i cili u vendos me forcat e veta në rrethin e Tiranës e të Durrësit. Këtu, pa u trazuar nga autoritetet ushtarake serbe që po tërhiqeshin, ai filloi të ngrinte një administratë të veçantë në Shqipërinë e mesme nën drejtimin e tij. Për t’ia hequr nga dora EsadToptanit forcat e konsiderueshme turke që kishte me vehte, Vjena, e përkrahur nga Roma, kërkoi në mënyrë kategorike nga ai dhe nga qeveria e Stambollit që trupat turke në Shqipëri të ktheheshin sa më parë në vendin e tyre. Gjendja ndërkombëtare u ndërlikua përsëri. Trupat austriake dhe italiane u vunë në gatishmëri për të invaduar Shqipërinë nga veriu dhe nga jugu. Shtetet e Anťantës, të shqetësuara, bënë presion mbi Malin e Zi, i cili më 4 maj 1913 shpalli se do t’i tërhiqte ushtritë e veta nga Shkodra. Edhe Porta e Lartë e pranoi kërkesën për tërheqjen e trupave të saj nga Shqipëria. Por deklarata e 4 Majit nuk e pengonte Cetinën të thurte kombinacione të reja në Shkodër. Esat Pasha, nga ana e tij, nuk pranonte t’i niste trupat turke. Ai e kishte siguruar qeverinë e Stambollit për besnikërinë e tij dhe i kishte shfaqur asaj dëshirën për të marshuar kundër Vlorës që të likuidonte pavarësinë e Shqipërisë. Edhe Rusia i bënte presion Portës së Lartë që trupat turke të mbeteshin në Shqipëri. Greqia linte të kuptonte se, pasi nuk kishte përfunduar akoma paqja me Turqinë, nuk do të lejonte të riatdhesoheshin me anën e detit ushtritë otomane që ishin në Shqipëri. Duke përfituar nga kjo gjendje, Austro-Hungaria dhe Italia përfunduan më 8 maj një marrëveshje të fshehtë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të dy fuqitë, për të vendosur gjoja „një qetësi të qëndrueshme”, ruanin të drejtën ta pushtonin Shqipërinë, të cilën e kishin ndarë në dy pjesë të barabarta.

Pushtimi do të vazhdonte aq kohë sa do të nevojitej për „mbajtjen e qetësisë”, dmth. aq kohë sa do ta kërkonin interesat e tyre imperialiste. Por ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të tillë që nuk u dhanë rast Vjenës e Romës të pushtonin ushtarakisht Shqipërinë. Fuqitë e mëdha vendosën të ndërhynin bashkërisht me forcat e tyre në Shkodër në rast se Mali i Zi nuk do të pranonte të largohej. Nën presionin e Rusisë, trupať malazeze pas një qëndrimi prej tri javësh dhe pasi plaçkitën qytetin dhe dogjën pazarin, më 14 maj u larguan nga Shkodra. Në qytet hynë fuqitë ndërkombëtare. Administrimi i qtyetit kaloi në dorën e një komisioni ushtarak të kryesuar nga Sesil Burnej dhe të përbërë prej oficerësh të fltoës që kishte bllokuar bregdetin. Komisioni ndërkombëtar nuk lejoi të ngrihej në Shkodër flamuri i Shqipërisë dhe nuk e përfilli qeverinë e Vlorës. Në qytet ai vendosi një administratë koloniale. Edhe E. Toptani, i trembur nga mundësia e invadimit ushtarak austro-italian, pranoi që t’i largonte trupat turke. Fuqitë e mëdha e detyruan gjithashtu Greqinë të lejonte anijet e Turqisë t’i riatdhesonin këto trupa. Ushtritë turke u larguan nga Shqipëria gjatë muajit qershor.

Filed Under: Komente

Bajram Curri, komandant i talentuar i përgatitur në beteja

March 28, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Bajram Curri ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Dëshmor i Atdheut, Hero i Popullit shqiptar nga Malësia e Gjakovës. Bajram Curri e filloi veprimtarinë ushtarake si kapiten në Prizren, major në Prishtinë, e së mbrami kolonel (allajbeg) në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e Vilajetit të Kosovës.

Bajram Curri kapet fort pas “besë së lidhur ndërfisnore dhe popullore përpara luftës së shtatorit të vitit 1878”. Malësia e Gjakovës e nis në luftë më shumë për të marrë pagëzimin, po Bajram Curri i prin luftës përkrah Sulejman Vokshit e Riza Kryeziut, përkrah Jakup Ferrit e Haxhi Zekës, që ka për të qenë emblema e tij për shumë kohë. Betejat në Pepiç e Velikë, në Nevshak-Velika ishin ndeshje të vogla për luftëtarët e regjur, që prisnin luftën vendimtare të 5 janarit 1881. Në këtë përpjekje fitimplote për shqiptarët Bajram Curri u njoh për së afërmi me Haxhi Zekën. Ndiqte luftën, ndiqte njerëzit e luftës. Ata ishin të ndryshëm. Haxhi Zeka nuk ngjante me Isuf Sokolin, Abdulla Hoti ishte natyrë e shtruar dhe e qetë, Beqo Qoshja ishte gjaknxehtë, Ali pashë Gucia ishte pasha… Megjithatë të gjithë këta burra puqeshin në një pikë: ia dinin luftës dhe e kishin çuar bukur mirë gjer atëherë… Ende nuk orientohej mirë, ende mbështetej te të tjerët, shihte si e çmonin luftën Haxhi Zeka me shokë, si e sillnin kuvendin, si e jepnin fjalën e besën. Ashtu bënte edhe ai.

Isa Boletini e kishte bërë për vete. Kishte parë Kosovën te Boletini. Të rëndë, pa mburrje, të vuajtur, pa nxjerrë klithma, trimërie pa shitur trimëri… Do të vijë një kohë që Bajram Curri do të përdorë një ekivalent të bujarisë, trimërisë dhe fisnikërisë. Do të thotë “Qofshi si Boletini!”. Ai u bë një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899–1900, ku u shqua si udhëheqës i lëvizjes antiimperialiste në Kosovë. U bë prijësi kryesor i Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës. Në vendimet e Ferizajt, Bajram Curri ishte mbështetësi kryesor i mendimeve dhe propozimeve të Hasan Prishtinës. Një mbështetje po kaq të madhe pati edhe nga Isa Boletini. Hasan Prishina në kujtimet e tij shkruan: “në këtë rast, me të vërtetë asht për t’u përmendë  mundi e zelli i Bajram beg Currit”.

Bajram Curri ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, ku i bëri një qëndresë të fortë ushtrisw turke në Qafën e Morinës. Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë turke në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup. Në Manastir, Bajram Curri njeh plot burra të dëgjuar, të Shqipërisë së Jugut, po Sali Butkën dhe Bajo Topullin i ndan veç. Flet për ta kur kthehet në Prishtinë. Ai alamet Bajo Topulli, mësues në Idadije, dhe ai Sali shtatshkurtë, luftëtarë i regjur!

Bajram Curri me Isa Boletinin dhe të tjerë ngulën këmbë, që edhe shqiptarët duhej të përkrahnin lëvizjen xhonturke dhe të kërkonin kushtetutën. Pushka e tij u zbraz herë mbi batalionet e ekspeditave ndëshkimore, të cilat me zjarr e hekur kërkonin nënshtrimin dhe taksa e ushtarë për sulltanin, herë mbi elemente vendas që dilnin kundër rrymës së përgjithshme të kohës, duke bërë kauzë të përbashkët për pushtuesit. Krisma e saj ishte mjaft shqetësuese edhe për shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre të mëdhenj, që lakmonin ose bënin pazarllëqe në kurriz të trojeve shqiptare. Lëvizja e pareshtur popullore, deri në atë shpërthim të fuqishëm, që çoi në Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, janë të lidhura shpesh me emrin e Bajram Currit. Në vitin 1912, atdhetari i vjetër u bë ndër drejtuesit kryesore të kryengritjes së përgjithshme antiturke. Kjo kryengritje, më e madhja, më e organizuara dhe më e pjekura politikisht ndër kryengritjet e periudhës së fundit të Rilindjes, i dha atij mundësinë si prijës popullor ndër më karizmatikët, që të shfaqë më së miri aftësitë organizative, ushtarake e politike. Kuvendi i Junikut dhe betejat nga Qafa e Prushit deri në çlirimin e Shkupit dëshmuan vlerat e gjithanshme të “tribunit të vegjëlisë”.

Bajram Curri me forcat e tij hyn në Shkup me muzikë e flamuj, duke krijuar kështu një ndjenjë të gëzuar që ngjallte besim për të ardhshmen. Njerëzit e tij u derdhën menjëherë në dyert e klubit të oficerëve ku ishin thurur gjithnjë planet antishqiptare të xhonturqve dhe u thirrën atyre që ishin brenda: “Deri tash kje e jueja e sod e masandej asht e Shqypnisë”.

Në situatën e vështirë gjatë viteve të Luftës Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, kur Bajram Curri u rreshtua përkrah mbrojtësve më të flaktë të pavarësisë dhe kundërshtarëve të papajtueshëm të copëtimit të trojeve shqiptare. Në këtë kuadër, gjithnjë në krye të forcave popullore, u përlesh me ushtritë pushtuese serbo-malazeze, në Plavë e në Guci, në Krasniqe e në Gash. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më pas e pati nder ta zgjidhte atë anëtar të vetin dhe t’i ngarkonte detyrën e përfaqësuesit në Konferencën e Paqes për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Kryengritësit shqiptar u përgjakën me trupat serbe duke luftuar në tërheqje. Humbjet qenë të mëdha nga të dy palët. Bajram Curri me luftëtarët e vet u tërhoqën në drejtim të Qafës së Morinës. Aty bëri qëndresën e fundit.

Në vitin 1913 ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë dhe për zhvillimin arsimor. Kambanat e luftës botërore arrijnë edhe në Shqipëri po me atë forcë që bien në frontet e madha… Bajram Curri me Hasan Prishtinën organizojnë qëndresën e popullit në malësi. Ata e ndjejnë nevojën e Isa Boletinit. Ata u kërkojnë Fuqive të Mëdha me anë të një letre dërguar përfaqësuesëve të tyre në Shkodër, që të ndërhyjnë pranë Beogradit dhe Cetinës për të respektuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Letrën e firmos i pari Hasan Prishtina dhe i dyti Bajram Curri.

Bajram Curri rri maleve. Herë qëndron në Dragobi, herë hidhet në Nikaj e Mërtur e ndodh që kalon edhe në Krumë. Pushteti i malazezve shtrihet me egërsi në të gjithë Malësinë e Gjakovës, po malet mbeten si gjithnjë pa asnjë pushtet. Bajram Curri gjatë pushtimit austro-hungarez “rrin në shtëpi të vet në Gjakovë” pa asnjë detyrë zyrtare. Megjithëse në kushte të ndryshme dhe larg njeri tjetrit, “Hoxha Kadriu, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri qenë një treshe e pandalshme, që e plotësuan njeri-tjetrin… bile, ndër disa periudha, të caktueme historike e politike të vendit tonë sa që mund të interpretohen pa njeri-tjetrin”.

Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga udhëheqësit kryesorë të tij. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar dhe më 27 maj 1920, Këshilli Kombëtar e zgjodhi ministër pa portofol Bajram Currin detyrë të mbajtur deri më 28 shtator 1920. Më tej vijoi punën si këshilltar i Këshillit Kombëtar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës gjeti tek ai i një mbështetje të fuqishme dhe prijësin që i duhej për të shpartalluar çdo pengesë në rrugën e sigurimit dhe konsolidimit të pavarësisë së vendit. E thërrisnin të ishte aty ku situata ishte më kritike, dhe ai me atdhetarizmin dhe aftësitë e tij e normalizonte. Kështu ai nisi operacionin kundër bandave esadiste, të hapur në ballë të gjerë në gjysmë harku dhe e mbajti të fshehtë planin që kishte hartuar dhe vetëm në mesnatë të 4 qershorit 1920 u tha trupave për të nisur sulmin.

Goditi e shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme në prag të fillimit të Luftës së Vlorës. U përgatit të nisej për Vlorë, zgjodhi edhe trimat që do të merrte me vete, po lajmet për një përqëndrim të ri trupash në Gjakovë e vonuan disa ditë. Kur e pyetën se kush do t’i qeverisë tokat e tjera shqiptare që kanë ndër mend të çlirojë, Bajram Curri thotë prerë, qeveria e Vlorës. Mandej pa u çlodhur ende, vrapoi në Koplik për të sprapsur intervencionin jugosllav. Në konfliktin e Koplikut 1920, qeveria shqiptare dërgoi forca të emigrantëve kosovarë me në krye Bajram Currin, si dhe mjaft vullnetarë nga Shqipëria e Mesme. Më 30 tetor 1920 Bajram Curri dorëhiqet si deputet. Si ministër pa protofol në qeverinë e Tiranës, zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, tregoi se burrat e ndershëm të popullit e gjejnë veten për t’i shërbyer Shqipërisë. Më tej caktimi i tij si komandant i përgjithshëm i operacionit kundëresadist, tregon për përvojën e gjatë të luftës, si dhe popullaritetin që gëzonte në popull. Ai merr fuqi të plota nga qeveria e Tiranës mbi Forcat e Armatosura, madje sa të zgjasë operacioni, “do të ketë tagër t’i jap urdhër edhe gjindarmërisë”. Ai komandoi njësi të rregullta ushtarake dhe vullnetare, gjithsej deri në 3.000 mijë trupa.

Taktika dhe strategjia e tij prej prijësi popullor, nuk i lë agjë mangut artit ushtarak të përparuar të kohës, sado që përpjestimet e betejave janë të vogla. Bajram Curri ishte i përgatitur për beteja të mëdha. Sulejman Delvina e vlerëson lart shërbimin e Bajram Currit, duke e falënderuar “për veprimet nalta dhe patriotike”, e “s’ka për t’i harruar kurrë kombi shqiptar”. Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi kanë ndikim të madh mbi njeri-tjetrin. Curri ishte për Gurakuqin nderi, burrëria, besa “baba”… ndërsa Gurakuqi ishte për Currin “Luigji, prisi ynë i diturisë” dhe “Luigji asht djal i jem”!

Në mars 1921 Këshilli i Lartë kishte dekretuar emërimin e Bajram Currit “kolonel rezervë me rrogë të përmuajshme”, që e linte pa asnjë fuqi… por, Bajram Curri kishte ndikim në popull. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës.

Një vit më vonë, asgjësoi në Mirditë komplotin e agjenturës së Pashiçit, të kryesuar nga kapedani separatist i krahinës. Më pas, i pakënaqur nga politika e diktatit të qeverisë mori pjesë në lëvizjen e marsit 1922, kurse në 24 maj shpërtheu në Krumë kryengritjen e armatosur në favor të opozitës liberale, e cila u kurorëzua me fitoren e Qershorit.

U vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut ndaj masave të çpopullimit që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me Elez Isuf Ndreun dhe M. Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së Qershorit 1924. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit.

Lajmi i ndërhyrjes së huaj ngjalli protesta energjike nga ana e popullit, organizatave demokratike dhe qeverisë. Më 18 dhjetor 1924 Fan Noli ju drejtua Italisë, Anglisë, Francës dhe sekretarit të Lidhjes Kombeve Enrik Drumontit me një note. Populli protestoi dhe kërkoi armë për të luftuar kundër ndërhyrjes. Tirana kërkoi armë dhe Zija Dibrën, si komandant operacioni, kërkoi forca e armë. Luma kërkoi armë dhe oficera për të drejtuar rezervistët, ndërsa Bajram Curri nuk kërkoi tjetër veçse një top. “Plaku i maleve” qe pushka e parë dhe e prapme e Revolucionit.

Nuk mori rrugën e mërgimit, kur Ahmet Zogu pasi kishte siguruar përkrahje ndërkombëtare me ndihmën e trupave të huaja, përmbysi qeverinë e Fan Nolit. Me armë në dorë iu ngjit përsëri bjeshkëve të Krasniqes, kreu aksione në Gash e Bytyç, por edhe në Has udhëzoi luftëtarët kosovarë t’i qëndronin dhunës dhe politikës serbe të spastrimit etnik të Kosovës dhe përgatitej për të rifilluar në pranverën e vitit 1925 një kryengritje të re, që do t’i sillte vendit një regjim liberal demokratik, kurse Kosovës, shpresën për t’u çliruar e bashkuar me Shqipërinë.

Osmanët i bënë atentatë, austriaket e internuan, qarqet shoviniste serbe i premtuan një pasuri të tërë vetëm të hiqte dorë me çdo kusht ta shtinin në dorë, “gjallë ose vdekur”, sepse ekzistenca e tij donte të thoshte qëndresë, kryengritje, shpërthim për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, për emancipimin politik e demokraci. Por “dragoi” nuk ishte i tillë që të përshtatej, dhe siç është shprehur vet, “me shpëtue nji shpirt të korit veten, të tradhtojë atdheun”.

Në interes të çlirimit kombëtar, Bajram Curri hyri në kontakt edhe me përfaqësues të lëvizjes çlirimtare të kombeve të tjerë të Ballkanit, duke kontribuar kështu në ngritjen e urave të mirëkuptimit, të miqësisë e bashkëpunimit ndërballkanik. Bindja se popujt e vegjël e të robëruar duhet të çlirohen e të vëllazërohen, e shoqëroi atë përgjatë gjithë jetës.

Populli e deshi për prijës, ia dha pa hezitim “votën”, duke e ndjekur pas jo vetëm në fitoret e bujshme, por edhe në kohë të vështira. Bajram Curri ka qenë shumë besnik, patriot i palëkundur për çështjen kombëtare, antiserb përsa i përket problemit të Kosovës dhe të viseve të tjera kombëtare të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar, dhe një mbështetës i shtresës së varfër të popullsisë.

Filed Under: Histori

Marrëveshja në fushën e sigurisë rajonale midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

March 28, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Historikisht Ballkani është njohur në histori si fushë e konkurrencës së fuqive të mëdha. Kjo për shkak të pozicionit që ka, i ndodhur në rrugët që hapen në çdo drejtim, por edhe si pasojë e konkurencës dhe mosmarveshjeve midis vetë popujve të Ballkant. Që nga Romakët në vitin 200 para erës sonë. Me pushtimin e Stambollit nga osmanët në vitin 1453, bizanti mori fund dhe historia ballkanike përjetoi administrimin osman, i cili vazhdoi deri në vitin 1912. Përveç Perandorisë Osmane, Ballkani u njoh edhe me administratën e Habsburgëve. Monarkia Habsburge që nga viti 1867 e mbrapa u bë një monarki e dyfishtë dhe filloi të njihej si Perandoria Austro-Hungareze deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Në shekullin e 16-të një perandori tjetër filloi përpjekjet për shtimin e influencave në Ballkani, ajo ishte Perandoria Ruse. Në shekullin e 18-të në lojen e tyre për influencë në Ballkan futen edhe Anglia me Francën dhe më fuqizimin e tyre edhe Gjermanina me Italinë. Kështu nga njëra anë kemi Perandorinë Austro-Hungareze, Gjermaninë dhe Italinë, ndërsa nga ana tjetër kemi Britaninë e Madhe, Francën dhe Rusinë. 

Me Traktatin e Shën-Stefanit, nënshkruar më 3 mars 1878, Rusia e copëtoi Ballkanin siç deshi dhe erdhi deri para portave të Stambollit. Traktati i Shën-Stefanit donte krijimin e “Bullgarisë së Madhe”. Ndërhyrja e Britanis së Madhe me Austro-Hungarinë në Kongresin e Berlinit në vitin 1878 pengoi krijimi e Bullgarisë së Madhe. Në periudhën e Luftës së Ftohtë në ekuilibrat e konkurrencës në Ballkan filloi të hyjë edhe Amerika.  Ky rivalitet i fuqive të mëdha në Ballkan vazhdoi dhe po vazhdon edhe sot. 

Përpos gjithë këtij kalvari të gjatë, Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO-s), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan këto ditë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. 

Kjo marrëveshje ka katër pika;

Pika e parë e marveshjes ka të bëjë me promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin në industrinë përkatëse.Të tre shtetet do të eksplorojnë zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse përmes bashkëpunimit shumëkombësh, me qëllim që të rrisin gatishmërinë e forcave të tyre ushtarake. Ato zotohen që të identifikojnë hapësira për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, duke nxitur qasjen në burime dhe zinxhir furnizimi me qëllim që të kenë një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes.

Pika e dytë është ajo e ndërveprueshmërisë, përmes edukimit, trajnimeve, stërvitjeve, rekrutimit, zhvillimit dhe mbajtjes së personelit të kualifikuar ushtarak me qëllim që të rriten kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse. Marrëveshja parasheh stërvitje dypalëshe dhe trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë në bazë të politikave të NATO-s dhe BE-së, me qëllim që forcat e tyre ushtarake të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

Pika tre përqendrohet në kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride. Shtetet janë zotuar se do të forcojnë hapat e përbashkët për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimeve kibernetike, fushatave të dezinformimit të cilat mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale. Ato zotohen që Shqipëria, Kosova dhe Kroacia do të eksplorojnë mundësitë e reagimit për një sërë kërcënimesh të mundshme ndaj infrastrukturës së tyre kritike.

Pika e fundit e marrëveshjes është për mbështetjen që shtetet do të ofrojnë për integrimin euroatlantik. Këtu përfshihet përafrimi i politikave me institucionet dhe strukturat euroatlantike të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për integrimin e plotë të Kosovës në nismat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes  në Programin për Partneritet për Paqe të NATO-s.

Pavarësisht se nuk ka formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare, kjo nisem me vullnet politik të palëve është shumë e rëndëshme. Rëndësia kryesore qëndron në faktin se erdhi në kohën kur janë rritur tensionet  dhe paparashikueshmëria e aleancave ekzistuese të sigurisë në botë është vënë në pikëpyetje. Nga ana tjetër kjo ka një rëndësi historike për Kosovën pasi forcimi i alternativave dhe aleancave strategjike është shumë i nevojshëm, kjo forcon aspektin e mbrojtjes dhe është një rrugë e qartë drejt anëtarësimit në NATO.

Serbia këtë nisëm e shikon si hap një hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, kurse Kosova dekleroi se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.

Sërbia ka qënë dhe aktualisht është një kërcënim real për destsbilizimin e Kosovës edhe të rajonit. Ajo ka mbi 10 vjet që armatoset, edhe pse nuk është e kërcënuar nga asnjë fqinjë. Kërcënimi dhe destabilizimi i Kosovës nga Serbia është tentuar edhe në të kaluarën nëpërmjet akteve terroriste. Sërbia është në pritje të një firoreje të Rusisë në Ukrainë. Kriza e brendëshme në Serbi, rrezikon të tranferohet në Kosovë nga Presidenti Vuçiç si një rrugëdalje e situatës së destabilizuar tashmë që ai po kalon. 

Kjo marrëveshje ushtarake trepalëshe në fushën e mbrojtjes Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë, është një lajm i mire edhe për rajonin që edhe mund ti bashkohen dhe një lajm i keq për Serbin e cila duhet të mendohet mire nëse përpiqet që problemet e brendshme ti kakojë tek fqinjët.

Shqipëria duhet të gjejë të gjitha rrugët për të ndihmuar dhe garantuar integritetin territorial të Kosovës. Këtë i’a njeh edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ato duhet të studiojnë mundësitë politike dhe juridike, duke u konsultuar me aleatët dhe vetë NATO-n për arritjen e një marrëveshje dypalëdhe Shqipëri – Kosovë për vetëmbrojtje kolekrive në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së.

New York Mars 2025

Filed Under: Ekonomi

Anëtarësimi i ngutshëm i Shqipërisë në BE, arritje historike apo shkëputje kombëtare me Kosovën?

March 28, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Historia e një kombi nuk është thjesht një renditje kronologjike ngjarjesh, por një ndërthurje e thellë e kuptimeve, përpjekjeve, projeksioneve dhe përjetësimit të një vetëdijeje kolektive që kërkon të jetë e lirë, vetëformësuese dhe sovrane në përkufizimin e fatit të vet. 

Në këtë kuptim, çdo përfshirje në një strukturë më të madhe se vetvetja nuk është kurrë një akt teknik apo neutral, por përbën një ndodhi metafizike në qenien e një kombi, ose një lartësim të domethënies së vetes nëpërmjet ndarjes së përbashkët të fatit historik, ose një vetëzbehje që çon drejt zhbërjes së atij kuptimi që e bën një komb të jetë vetvetja.

Në këtë udhëkryq historik, Shqipëria përballet me një zgjedhje që është më shumë se politike, ajo është ontologjike dhe civilizimore. 

Çështja nuk është thjesht a duhet apo jo të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian. 

Pyetja e vërtetë është: çfarë bëhemi ne kur anëtarësohemi vetëm? 

Çfarë humbasim? 

Çfarë komprometojmë në kuptimin e vetvetes, në rrënjët, në horizontet e bashkësisë si komb shqiptar?

Në pamje të parë, diskursi politik, mediatik dhe akademik në Shqipëri e trajton integrimin evropian si një aksiomë, si një e mirë absolute, si një përmbushje e dëshiruar dhe e vonuar historikisht. 

Por kur një aksiomë nuk lejohet të vihet në dyshim, ajo rrezikon të shndërrohet në dogmë. 

Dhe kur një dogmë imponon rrugën drejt një strukture supranacionale, pa analizuar pasojat e brendshme strukturore, ajo bëhet një strategji e nënshtrimit, jo një akt i emancipimit.

Nëse Shqipëria i bashkohet BE-së pa Kosovën, atëherë ndodh një ndarje reale e trupit kombëtar në dy regjime juridikë që do të kenë orientime, obligime dhe dinamika të ndryshme. 

Kjo nuk është më një çështje teknike. 

Kjo është një ndarje metafizike në vetë trupin e qenies shqiptare. 

Në një epokë kur të gjitha kombet e Ballkanit kërkojnë të realizojnë bashkësinë e tyre historike dhe etnike nëpërmjet integrimeve të përbashkëta, vetëm shqiptarët rrezikojnë të ndahen përmes një anëtarësimi që fragmenton, dhe jo që bashkon.

Dhe ky është thelbi i dilemës sonë kombëtare:

A është anëtarësimi i njëanshëm dhe i përshpejtuar i Shqipërisë në Bashkimin Evropian një hap drejt modernizimit institucional dhe përfshirjes në një rend perëndimor, apo një akt që, pa Kosovën, e dekonstruon, zhbën përfundimisht projektin historik të bashkimit kombëtar shqiptar, duke e futur atë në harresë politike dhe margjinalitet gjeostrategjik?

Në këtë pikë, duhet ndalur çdo retorikë sipërfaqësore. 

Duhet menduar thellë. 

Duhet parë përtej syve të burokracive të Brukselit dhe lëvizjeve të ambasadorëve në Tiranë. 

Duhet vështruar me sytë e atyre që shohin kah historia, kah kujtesa dhe kah përgjegjësia e të ardhmes. 

Siç thotë Roger Scruton, “një komb nuk mund të jetë i lirë nëse nuk kupton përse ekziston”. 

Dhe kjo fjalë, “ekzistencë”, nuk është metaforë. 

Ajo është pyetja e madhe që çdo komb i bën vetes në momente të krizës ontologjike.

Përse ekziston kombi shqiptar?

A ekziston për të hyrë në një strukturë që e njeh vetëm Shqipërinë si shtet e jo shqiptarinë si bashkësi historike? 

A ekziston për të deleguar sovranitetin, pa pasur më parë garantimin e unitetit të vet kombëtar? A ekziston për të arritur standardet e BE-së në kurriz të projektit të vet vetëpërcaktues? 

A ekziston për t’u integruar si pjesë e një harte që nuk pranon kurrë të rishikojë padrejtësitë historike të 1913-ës?

Ne nuk kemi luksin të mashtrohemi. Historia jonë është përplot me shembuj të integrimeve të parakohshme, të bashkimeve të shpejta që kanë prodhuar më shumë shkëputje sesa unifikim. 

Rruga drejt BE-së, nëse ndiqet në mënyrë të njëanshme dhe të pashoqëruar nga një doktrinë kombëtare për bashkimin e shqiptarëve në një projekt gjeopolitik të përbashkët, nuk është rruga e bashkimit me Evropën, por është rruga e ndarjes me vetveten.

Në këtë dritë, pyetja më e rëndësishme nuk është kur do hyjmë në BE. 

Pyetja është: me kë do hyjmë apo si do të hyjmë në BE? 

Me çfarë kuptimi të vetes, me çfarë bashkësie shqiptare, me çfarë projekti kombëtar?

Nëse nuk i përgjigjemi kësaj pyetjeje sot, nesër do jemi të ndarë, të heshtur dhe të gjunjëzuar përballë një Evrope që do na pranojë si individë e shtetas të shkëputur, por jo si një komb me ideal, qëllim dhe destin të vetin.

Shqipëria: Fitore formale, humbje S

strategjike…

Nëse Shqipëria përmbyll procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjatë këtij cikli afatshkurtër dmth në harkun kohor 2027 apo 2030, rezultati i parë do të jetë një sukses formal, por një humbje thelbësore në planin strategjik kombëtar. 

Në pamje të parë, ky anëtarësim do të interpretohet si një triumf diplomatik dhe institucional, një hap përfundimtar drejt asaj që është propaganduar si “kthimi në shtëpinë evropiane”. 

Por, në thelb, bëhet fjalë për një zhvendosje të strukturës së orientimit kombëtar, ku mjeti bëhet qëllim dhe qëllimi humbet në mjegullën e një entiteti politik që nuk e njeh dhe as e promovon bashkësinë shqiptare si subjekt historik dhe politik.

Modelet e zgjerimeve të mëparshme tregojnë se anëtarësimi në BE sjell një sërë përfitimesh teknike: qasje në fondet strukturore dhe të kohezionit, rritje të perceptimit të besueshmërisë ndërkombëtare, standardizim të legjislacionit dhe njëfarë tërheqjeje investimesh. 

Këto janë pamjet sipërfaqësore të një procesi që në të vërtetë transformon thelbin e funksionimit të një shteti dhe të vetë përfytyrimit të tij mbi misionin historik.

Por siç e ka analizuar Jurgen Habermas në veprën “Legitimation Crisis”, teknokratizimi i pushtetit politik në sistemet liberale, sidomos në kontekste të brishta institucionalisht si Shqipëria, çon në një krizë të thellë legjitimiteti. 

Kur mekanizmat e vendimmarrjes transferohen në instanca supranacionale, ndërkohë që bazat kulturore, përfaqësuese dhe historike të shoqërisë nuk janë konsoliduar, ndodh një erodim i besimit, një shkëputje e thellë midis qeverisjes dhe përfaqësimit.

Për Shqipërinë, kjo përkthehet në një sërë pasojash:

 • Institucionet kombëtare reduktohen në ekzekutues pasivë të direktivave që nuk burojnë nga realiteti shqiptar. Vendimmarrja e vërtetë do të zhvendoset përtej kufijve, ndërkohë që elitat politike vendase do të shndërrohen në ndërmjetës të interesave të Brukselit, e jo më në përfaqësues të misionit kombëtar.

 • Kapitali njerëzor, veçanërisht rinia dhe shtresat më të përgatitura, do të intensifikojnë emigrimin, jo më vetëm për shkaqe ekonomike, por si rezultat i perceptimit të Shqipërisë si një vend pa të ardhme ku potenciali i tyre nuk mund të realizohet. Kjo do të përshpejtojë një zbrazje shpirtërore dhe demografike që do ta lërë kombin pa palcë vetëzhvillimi.

 • Sektorët e ndjeshëm të ekonomisë vendase, veçanërisht bujqësia, prodhimi i vogël dhe tregjet lokale, do të gjenden nën trysninë e një konkurrence që i tejkalon kapacitetet e tyre reale. Standardizimi evropian, në mungesë të mbrojtjes selektive dhe të një modeli kombëtar të zhvillimit, do të ketë efektin e mbytjes ekonomike nga sipër, dhe jo rritjes nga poshtë.

Kosova: Ndarje e heshtur, presion i rritur.

Ndërsa Shqipëria do të shfaqet në skenën ndërkombëtare si anëtare e re e BE-së, Kosova do të mbetet jashtë dyerve të këtij bashkimi, duke u përballur me një realitet gjithnjë e më të vështirë. 

Dhe ky nuk do të jetë thjesht një status “kandidat në pritje”. 

Përkundrazi, do të jetë një gjendje e institucionalizuar të jashtmit brenda kombit.

Në praktikë, kjo do të nënkuptojë:

 • Presion të shtuar për kompromise në dialogun me Serbinë, pasi çdo përparim i saj do të varet nga balanca e kërkuar nga faktori ndërkombëtar midis “stabilitetit rajonal” dhe “pranimit reciprok”. 

Por në këtë ekuilibër të ftohtë gjeopolitik, Kosova mbetet hallka më e dobët dhe më e ekspozuar ndaj presioneve për zhbërje të brendshme apo autonomi të pjesshme në këmbim të integrimit gradual.

 • Përjashtim nga rrjetet reale integruese, si programet e mobilitetit, bashkëpunimit institucional dhe qasjes në tregje të përbashkëta. 

Nëse Shqipëria ecën përpara pa të, Kosova do të ngelet një “zonë tampon”, as brenda BE-së, as brenda një blloku shqiptar, as e njohur plotësisht, as e integruar efektivisht.

 • Vendosje të një kufiri të ri evropian në mes të shqiptarëve, me gjithë retorikën e bashkëpunimit, me gjithë marrëveshjet për integrim ekonomik apo bashkëpunim kulturor. 

Fakti është se kufiri i BE-së bëhet kufiri i ndarjes shqiptare, i ri-institucionalizuar dhe i mbrojtur me legjislacion evropian.

Kësisoj, bashkimi formal i Shqipërisë me BE-në pa Kosovën nuk është vetëm një veprim teknikisht i shpejtë, është një akt ndarës substancial. 

Ai krijon dy ritme të ndryshme historike për të njëjtin komb. 

Njëri do të përfshihet në një sistem që e rregullon nga jashtë, ndërsa tjetri do të mbetet në një zonë të paqartë, ku çdo lëvizje drejt së ardhmes kalon përmes rrugës së kompromisit me tjetërsimin.

Në këtë afatshkurtër, fitoret janë sipërfaqësore dhe kalimtare. 

Humbjet janë të padukshme, por strukturore dhe të pakthyeshme. 

Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo hap që përjashton Kosovën nga integrimi i përbashkët është një hap drejt institucionalizimit të ndarjes kombëtare, me pasoja që do të zgjasin jo tri vjet, por tri breza.

Afatmesëm: Normalizimi i shkëputjes, zbehja e Kombit…

Hipotetikisht, nëse ndodh anëtarësimi i përshpejtuar i Shqipërisë në BE ta zëmë në vitin 2027 apo 2039, pas kalimit të fazës së parë euforike të anëtarësimit të njëanshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, skena politike dhe kombëtare shqiptare hyn në një fazë më të heshtur, por shumë më të rrezikshme: normalizimin e shkëputjes. 

Në këtë periudhë, proceset që në fillim ishin të dukshme dhe të debatueshme, fillojnë të fshihen pas perdeve të një rendi të ri, ku çarja midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk përjetohet më si devijim apo krizë, por si gjendje normale.

Kjo është pikërisht ajo që filozofi politik Carl Schmitt përshkruan si transformim të thelbit të politikës: kur dallimi ndërmjet “mik” dhe “armik” nuk është më rezultat i konfliktit të hapur, por është i koduar ndryshe, në struktura të padukshme dhe të institucionalizuara. 

Në këtë rast, ndarja e trupit kombëtar nuk shfaqet si ndarje tragjike, por si funksionalitet institucional, i pranuar heshturazi dhe i përforcuar përditë nga sistemet që e bëjnë të mundur.

Dy realitete zhvillohen në kahe të ndryshme:

 • Shqipëria inkorporohet brenda logjikës së një rendi supranacional, ku prioritetet ekonomike, kulturore, juridike dhe diplomatike diktohen nga instanca të jashtme. Identiteti kombëtar fillon të përkufizohet më shumë si një “kulturë rajonale” brenda një bashkësie më të madhe, sesa si një subjekt politik i pavarur me drejtim historik të vetin.

 • Kosova, në anën tjetër, ngec në një pozitë të ndërmjetme, në kufijtë e Perëndimit, pa hyrje të garantuar, pa liri reale veprimi dhe nën trysni të përhershme për të bërë kompromise që e copëtojnë brenda vetes. 

Shtetformimi i saj mbetet i brishtë, ndërsa legjitimiteti i saj ndërkombëtar i kushtëzuar nga vullneti i të tjerëve.

Në këtë kontekst të ri, raporti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës transformohet thellësisht, jo përmes ndonjë deklarate të qartë ndarjeje, por përmes një zbehjeje progresive në të gjitha fushat ku ndërveprimi ishte dikur jetik.

Ekonomia: Ndërprerja e frymëmarrjes së përbashkët.

Tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës fillojnë të ndjekin logjika të ndryshme rregullimi. Shqipëria futet nën kornizat e politikave të përbashkëta të BE-së, me standarde dhe kuota që nuk përkojnë me realitetin kosovar. 

Bashkëpunimi tregtar ngushtohet për shkak të barrierave të padukshme burokratike, fiskale dhe doganore. 

Lëvizja e lirë e mallrave, që dikur shihej si themeli i bashkëpunimit ekonomik kombëtar, transformohet në një procedurë të ngatërruar dhe të ngadaltë, që e dekurajon vetvetiu shkëmbimin e brendshëm shqiptar.

Arsimi dhe Lëvizshmëria: Dy horizonte të ndryshme për të njëjtin brez.

Programet arsimore fillojnë të ndjekin udhëtime të ndryshme. 

Shqipëria adopton kurrikula të harmonizuara me BE-në, ndërsa Kosova mbetet e izoluar nga programet kryesore të mobilitetit evropian. 

Studentët dhe të rinjtë shqiptarë të Kosovës përballen me burokraci të shumëfishta dhe diskriminim të heshtur në qasjen ndaj mundësive që për të rinjtë e Shqipërisë bëhen rutinë. 

Mbi të gjitha, ndodh një ndarje psikologjike: brezat e rinj fillojnë të formësojnë horizontet e tyre kulturore dhe qytetare në përputhje me realitetet e vendeve ku jetojnë, jo në raport me bashkësinë kombëtare.

Juridiksioni dhe Diplomacia: Shkëputje e heshtur e kohezionit strategjik.

Në planin juridik dhe diplomatik, Shqipëria dhe Kosova fillojnë të ndjekin rrugë gjithnjë e më të veçuara. 

Shqipëria i nënshtrohet jurisprudencës së BE-së dhe e transformon politikën e saj të jashtme në përputhje me politikën e përbashkët të Unionit. 

Kjo përjashton çdo lloj koordinimi real me Kosovën në çështje strategjike, sepse vendimet e Shqipërisë tashmë janë të kufizuara nga pozicionet kolektive të BE-së, të cilat shpesh janë të kujdesshme, të paangazhuara ose edhe të ndikuara nga shtete që nuk e njohin Kosovën si shtet. Kësisoj, zëri diplomatik shqiptar nuk dyfishohet në mbrojtje të një kauze të përbashkët, por zbehet në një heshtje të institucionalizuar që shndërrohet në normë.

Kjo fazë afatmesme është më e rrezikshmja, sepse ajo nuk përmban asgjë spektakolare. 

Nuk ka akte të mëdha tradhtie apo vendime të papritura. 

Ka vetëm dëmtim të heshtur, zbehje graduale dhe shkëputje të paemërtuar.

Kur ndarja bëhet normale dhe kombi ndjehet si diçka e largët, si një ide e bukur por jopraktike, atëherë ka ndodhur zhbërja më e rrezikshme: zhbërja nga brenda, pa traumë, pa dhimbje, por me amnezi.

Afatgjatë: Dy Kombësi, dy realitete, një zhbërje.

Nëse trajektorja e nisur me anëtarësimin e njëanshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian vazhdon pa korrigjim, atëherë pas vitit 2035 do të përballemi me një gjendje të konsoliduar fragmentimi kombëtar. 

Kjo nuk do të jetë më thjesht një ndarje politike apo institucionale, por një transformim rrënjësor i vetë përfytyrimit mbi identitetin shqiptar, i përftuar nga kushtet e reja civilizuese ku do të jenë zhytur pjesët e ndara të kombit.

Do të kemi përpara një realitet të dyfishtë, i cili, në thelb, përfaqëson dy mënyra të ndryshme të ekzistencës shqiptare në shekullin XXI, të ndërtuara mbi bazamente kulturore, ligjore, ekonomike dhe ndërkombëtare të pakompatueshme.

 • Shqipëria, tashmë e integruar prej më shumë se një dekade në BE, do të jetë shndërruar në një provincë burokratike të një rendi supranacional, ku vendimmarrja e vërtetë do të jetë përjashtuar nga hapësira publike kombëtare. 

Përfaqësimi nuk do të ketë më lidhje me vullnetin politik të popullit shqiptar, por me pajtueshmërinë ndaj direktivave që burojnë nga një aparat administrativ ndërkombëtar. Kultura politike do të jetë zbehur në një cinizëm teknokratik, ku idealet kombëtare shihen si anakronizma folklorike, dhe çdo përpjekje për sovranitet interpretohet si devijim euroskeptik.

 • Kosova, e mbetur jashtë BE-së, do të jetë shndërruar në një zonë tampon, e varur nga dinamika që vendosen në trekëndëshin Beograd–Bruksel–Washington. 

Pavarësia e saj do të vazhdojë të mbetet pjesërisht e kontestuar, pjesërisht e kushtëzuar, dhe në asnjë moment e garantuar përfundimisht. 

Politika e jashtme do të jetë kryesisht reaktive, jo projektive; shteti do të funksionojë mbi baza të paqëndrueshme; dhe çdo përpjekje për zhvillim strategjik do të mbetet peng i marrëdhënieve me Serbinë dhe mungesës së përfshirjes reale në arkitekturën euroatlantike.

Në këtë kontekst, ajo që humbet nuk është vetëm bashkimi territorial i shqiptarëve, por vetë kuptimi i përbashkët i të qenit shqiptar. 

Nëse për dekada me radhë kemi folur për një kombi shqiptar me dy shtete, do të jemi tashmë përballë një realiteti me dy kombësi të veçuara, të cilat ndajnë gjuhën, por jo më projektin historik.

Ky është rreziku më i thellë: copëtimi i identitetit, jo më nga forca e jashtme, por nga mjedisi i brendshëm që e ka bërë ndarjen të natyrshme.

Ashtu siç thotë filozofi Charles Taylor, “identiteti formohet nëpërmjet dialogut me botën që na rrethon.” 

Nëse Shqipëria dhe Kosova jetojnë në struktura të ndryshme civilizuese, atëherë edhe bota me të cilën ndërveprojnë për të formësuar vetveten është thelbësisht e ndryshme. 

Njëra dialogon me një rend juridik, ekonomik dhe kulturor që e largon gjithnjë e më shumë nga komponentët autoktonë të shqiptarësisë; tjetra lufton për të ruajtur një ekzistencë që nuk i njihet në mënyrë të plotë nga rendi ndërkombëtar.

Pasojat do të jenë të shumëfishta dhe të pakthyeshme:

 • Në planin kulturor, do të krijohen dy universe simbolikë të veçuar, ku përfytyrimi i kombit, historia e tij, dhe figurat themeluese do të përjetohen në mënyra të ndryshme, ndonjëherë edhe kontradiktore.

 • Në planin gjuhësor dhe arsimor, do të ketë standarde të ndryshme, referenca të ndryshme dhe orientime të ndryshme drejt së ardhmes. Kjo do të krijojë një humbje të densitetit të përbashkët kulturor, e cila ishte baza e rezistencës së shqiptarëve përmes shekujve.

 • Në planin psikologjik kolektiv, do të konsolidohet një ndjenjë e thellë e “tjetërsimit të brendshëm”, ku shqiptarët e Shqipërisë do të ndjejnë gjithnjë e më pak lidhje me ata të Kosovës, dhe anasjelltas. Përkatësia nuk do të lidhet më me gjakun, gjuhën dhe trashëgiminë, por me statusin juridik, stilin e jetesës dhe të ardhmen individuale në strukturat përkatëse.

Kjo është ajo që mund ta quajmë zbërthimi i heshtur i kombit. 

Nuk ka të bëjë me ndonjë ndalim formal të bashkimit kombëtar. 

Nuk ka ndonjë akt ndarjeje të shpallur. 

Ka vetëm një proces të zgjatur, sistematik, ku vetëdija kombëtare zëvendësohet me përkatësi teknokratike, ndërsa historia e përbashkët zëvendësohet me përditshmërinë e ndarë.

Nëse nuk ndërhyjmë që sot, me një doktrinë të vetëdijshme kombëtare, që refuzon integrimet e njëanshme dhe kërkon një bashkim të koordinuar të të dy shteteve shqiptare, atëherë, në vitin 2050, ideja e shqiptarësisë si projekt politik, shpirtëror dhe historik i përbashkët do të jetë veçse një kujtim i mjegullt në arkivat e nostalgjisë.

Kombet nuk zhbëhen gjithmonë me luftë. Ndonjëherë, zhbërja ndodh kur e lëmë veten të na formësojë një botë që s’na njeh dhe s’na do siç jemi.

Zgjidhja Strategjike: Integrim i bashkërenduar ose refuzim me dinjitet.

Asnjë komb që respekton vetveten nuk e ndërton të ardhmen mbi themelet e një ndarjeje të përhershme të trupit të tij. 

Dhe asnjë strategji e vërtetë kombëtare nuk mund të pranojë integrimin në një rend të ri politik si çmim për të mohuar ose përjashtuar një pjesë të vetes. 

Për shqiptarët, rruga drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë rruga e bashkimit të kombit nëpërmjet një integrimi të përbashkët, ose të mos jetë fare.

Nuk kemi luksin të jemi teknikë në një çështje që është qenësisht metafizike. 

Ky nuk është një kalkulim për fondet e kohezionit apo për raportet e progresit. 

Ky është një akt i lirisë kombëtare, një vendim moral mbi vetë kuptimin e shqiptarësisë në epokën e rendit të ri global.

Për këtë arsye, strategjia e vetme legjitime dhe e dobishme kombëtarisht për Shqipërinë dhe Kosovën është ajo që:

Të kërkohet, synohet dhe realizohet integrimi i bashkërenduar i të dy shteteve shqiptare në BE, si një bllok kombëtar i pandashëm.

Kjo qasje është moralisht e ndershme, politikisht e mençur dhe historikisht e drejtë. 

Ajo kërkon që Shqipëria të mos përshpejtojë integrimin e saj duke braktisur Kosovën në periferitë e historisë, por të ndërtojë një partneritet strategjik të barabartë, ku të dy shtetet ecin me të njëjtin hap, me të njëjtin vizion dhe me të njëjtin përfaqësim.

Një integrim i tillë do të nënkuptonte që:

 • Shqipëria të kushtëzojë ritmin e saj me përparimin e Kosovës, duke ndërtuar një platformë të përbashkët negociuese që afirmon bashkësinë shqiptare si një faktor i pandashëm në rajon;

 • Të kërkohet nga BE-ja një paketë e veçantë për integrimin paralel të Shqipërisë dhe Kosovës, me justifikimin historik, gjeopolitik dhe moral të domosdoshmërisë së unitetit kombëtar në këtë proces.

Nëse kjo nuk realizohet, Shqipëria të kërkojë status special të bashkëpunimit të avancuar me Kosovën brenda BE-së.

Në rrethanat ku Bashkimi Evropian refuzon një integrim paralel të të dy shteteve shqiptare, Shqipëria duhet të mbrojë një formulë alternative të bashkimit funksional, nëpërmjet një statusi të veçantë të bashkëpunimit të brendshëm ndërmjet dy vendeve, të mbrojtur në mënyrë të posaçme nga traktatet e BE-së.

Kjo do të përfshinte:

 • Ruajtjen dhe garantimin ligjor të lëvizjes së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, pavarësisht nga kufijtë e BE-së;

 • Krijimin e strukturave të përbashkëta të qeverisjes, arsimit, tregtisë, mbrojtjes dhe diplomacisë, që funksionojnë në një regjim të përjashtuar nga ndalimet standarde të unionit;

 • Njohjen e kësaj lidhjeje të veçantë nga vetë BE-ja, si një model i përshtatjes institucionale të integrimit me ndjeshmëritë historike të kombeve që kanë përjetuar ndarje të padrejta.

Nëse as kjo nuk realizohet, Shqipëria duhet të ngadalësojë integrimin e saj në mënyrë të vetëdijshme, si akt i ruajtjes së unitetit kombëtar.

Ky është skenari më i vështirë dhe më i guximshëm, por edhe më i ndershmi në raport me historinë dhe gjakun shqiptar. 

Nëse të gjitha rrugët e bashkimit kombëtar brenda BE-së mbyllen, atëherë Shqipëria nuk duhet të ecë përpara si një ishull brenda kontinentit, por të ndalet dhe të kërkojë rrugën që nuk e lë askënd pas, veçanërisht Kosovën.

Ky do të ishte një refuzim me dinjitet, jo i integrimit evropian si vlerë, por i asimilimit të vlerave kombëtare në një rend që nuk i njeh dhe nuk i respekton ato. 

Ky akt do të afirmonte se për shqiptarët, uniteti vjen përpara përfitimit, dhe bashkimi vjen përpara integrimit.

Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një zgjedhje thelbësore: të jemi të bashkuar e më vonë, apo të jemi të ndarë e më shpejt. 

Të jemi komb me kuptim, apo shtet me viza të lira. 

Të jemi histori, apo statistikë. 

Të jemi subjekt, apo objekt.

Një komb nuk matet me numrin e programeve që përthith, por me sasinë e dinjitetit që nuk e dorëzon kurrë.

Nëse Bashkimi Evropian nuk na do si bashkësi kombëtare e pandashme, atëherë ne nuk kemi pse të dorëzojmë veten tonë në këmbim të një vendi në tavolinë që nuk është e jona.

Dhe nëse Kosova nuk do të jetë në Evropë bashkë me Shqipërinë, atëherë as Shqipëria nuk do të jetë kurrë në Evropë në kuptimin e plotë të fjalës.

Sepse pa bashkim, nuk ka integrim që e shpëton shpirtin e një kombi.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT