• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Papa “i periferive” iku në amshim

April 24, 2025 by s p

Frano Kulli/

1) Pa u ulur ende në sedien papale, por, mbasi në konklavën e radhës kishte dalë tymi i bardhë, që jepte lajmin e shugurimit të tij, udhëtimin e parë prej aty Papa Françesku e pati bërë me atë makinën modeste, që përdoronte më përpara kur ishte kardinal. Kjo pati sjellë disi habi e pak zhurmë gjithashtu, por edhe një ndalesë në vëmendjen e opinionit botëror. Si diçka e pazakontë, që nuk kishte ngjarë tjetër herë më parë. Por që gjithashtu qe edhe shenja e parë për t’u vënë re se këtu e këndej do të kishim një Papë më liberator, një Papë më pranë thjeshtësisë e më pranë të të thjeshtëve. Një Papë…edhe “të periferive”. Sepse vetë Krishtërimi, në gjenezën e vet nuk është i elitave.

Më pas, në kornizën kohore të një viti ai dha kumtin e një vizite; të së parës vizitë në Europë, krejtësisht në periferi të saj. Në periferi jo për nga pozita gjeografike por për tjetër pozitë e përbërës të tjerë… “Dua t’ju kumtoj – do të përmblidhej kumti i tij aso here – që, duke pranuar ftesën e ipeshkvijve dhe autoriteteve civile shqiptare, dëshiroj të shkoj në Tiranë më datë 21 shtator 2014. Me këtë udhëtim të shkurtër dëshiroj të përforcoj në besim Kishën në Shqipëri e të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës”, pati deklaruar deklaruar Papa.

Si e tillë, kjo nuk kishte për të qenë vetëm një vizitë pastorale (baritore), ndër katolikët e në kishën shqiptare. Pa mëdyshje ishte më e rëndësishmja vizitë e bërë në këtë vend nga ndonjë personalitet tjetër botëror në harkun kohor të 21 vjetëve, pas vizitës së Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993. Po ne, të familjarizuar edhe me këtë mishmash allashqiptar, ku hierarkia e vlerave dhe e gjërave dhe, për rrjedhojë, edhe dukja, shpërfaqja e tyre është përgjithësisht e rrëmujshme, e patëm përcjellë si gati të zakonëshme ngjarjen kulmore. Veçanërisht establishmenti politik e publik i këtij vendi. Kurse ipeshkvijtë dhe autoritetet kishtare, sigurisht ishin duke bërë detyrat e veta, ata më së shumti komunikoin me grigjën e besimtarëve katolikë ashtu siç ua do rendi më strikt i misionit të tyre, në rastin e një udhëtimi apostolik që Ati i Shenjtë do të bënte në Kishën tonë dhe më pak po komunikonin me publikun përtej kësaj grigje.

Kurse Mesazhi i Papa Françeskut ishte fare i zgaqur dhe nuk linte aspak vend për të bërë diçka të tillë. Ai po vinte në Shqipëri për “të përforcuar në besim Kishën në Shqipëri”…por edhe për të “dëshmuar inkurajimin dhe dashurinë e tij ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë…”. Ja cilat janë dy motivet kryesore pse Ai vinte në Shqipëri. Në Shqipërinë së cilës pa dyshim edhe Ati i Shenjtë i njihte dhe ia çmonte shumë, si një vlerë të spikatur qytetërimi, bashkëjetesën ndërmjet tri besimeve që mbajnë shqiptarët…Krenaria dhe mburrja jonë, ndër të mburrjet e pakta të arsyeshme.

Ai do të vinte për shqiptarët, besimi i të cilëve kishte nevojë ende për ripërtëritje, të cilët janë të zhgënjyer me ritmet e ecjes dhe në nevojë për të ringjallur shpresën, të dëmtuar edhe prej pasojave të ideologjisë së shkuar komuniste, po edhe prej reminishencave të saj po e po.

Prej Tij, pastaj ne shqiptarët kemi Të Lumë 40 Martirët tanë, në tempullin e përbotshëm të Kishës. Shumica prelatë të kishës, por edhe laikë e besimtarë të feve të tjera. Një dhuratë plot hire për ne.

2)

Më pas, i gjithë pontifikati i tij, e gjithë koha e veprimi i tij Papal, do të ndiqte trajektoren drejt thelbit të rëndesave botërore , në gjetjen e kauzave që e zbusin egërsinë e jetës së njerëzisë e të popujve. Ishte i pari Papë që vinte nga urdhëri jezuit dhe mori emrin Françesku, pa numër rendor, emrin e Shenjtit simbol të të varfërve e të pamundurve, I pari Papë që vendosi të mos jetojë në pallatin apostolik; theu shpesh rregullin po kurrë shpirtin dhe përballoi për këtë , me urti e dinjitetin e Shenjtërisë së Tij edhe kundërshtí të shumëandejshme . Ishte i pari Papë që vizitoi vende, në të cilat kurrë nuk kishte shkelur një Papë, nga Iraku në Korsika ; qe i pari Papë , që vendosi një deklaratë vëllazërie me një nga autoritetet më të mëdha islame, e fshiu dënimin me vdekje nga Katekizmi.

E jetoi kohën e Shenjtërisë së vet në një botë të trazuar, me lufta të mëdha e të vogla nga cepi në cep të botës dhe numërohen mbi 300 apele kundër luftës e po kaq thirrje të zëshme për paqen, gjithashtu. U gjënd pranë emigrantëve e mbrojtjes së kauzave të tyre, më përshpirtërinë e vet të dallueshme; proverbiale do të mbetet sentenca e përsëritur e Tij: siamo i figli di emigranti.

Gjithnjë e pa u ndalë për asnjë çast udhëhoqi shëmbëlltyrën e një kishe të hapur , një kishe nënë të besimtarëve, përtej një kishe “të lodhur në Europën e Amerikën e mirëqenies”.

3)

Dhe, mbasi ai u nis e shkoi në Shtëpinë e Atit Qiellor, gjejmë testamentin e tij. Edhe këtu, i rrallë e i dallueshëm në kauzën e vet të të thjeshtësisë apostolike… Ka porositur që trupi të vendoset në një arkivol të thjeshtë. Ka porositur, gjithashtu që të mos varroset në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në bazilikën e Santa Maria Maggiore. Gjë që nuk ka ndodhur prej më se një shekulli.Dhe…mbi varrin e tij duhet të shkruhet vetëm emri: Franciscus.

Filed Under: Emigracion

Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut 

April 24, 2025 by s p

Skënder Karaqica/

Libri i historisë për klasën e shtatë në Maqedoninë e Veriut, me fyerje të rënda kundër kombit shqiptar në hapësirën etnike.

Në Shkup përmes porosisë “shkencore” të Ministrisë së Arsimit në Maqedoninë e Veriut, është botuar libri mësimor për lëndën e historisë për klasën e shtatë, ku, përseri autorët(maqedonas) me mendësi kundër shqiptare, kanë bër lojë fjalësh e fyerjesh për kombin shqiptar.

Në botimet e librit shkollor për lëndët mësimore të historisë e të gjeografisë, ndër vite janë bër fyerje, denigrim të përmasës se kombi shqiptar në hapësirën etnike, sipas të “dhënava shkencore” paskëshin ardhur nga malet. Për këtë paraqitje kundër kombit shqiptar, korpusi politik shqiptar, mbeti veçse si spektator i ngjarjeve për librin mësimor me shenjën e fyerjeve e të denigrimit të kombit shqiptar.

Përkitazi me këta skenarë të njohur kundër kombit shqiptar, qyshse nga vitet 1945 e deri më sot, qarqet e regjimeve komuniste e tashti me kostumin e “demokracisë” nuk e kanë ndërruar politikën zyrtare në Shkup, në të gjitha rrafshet deri të fëmija i pasalindur shqiptar, të mbajnë qëndrim për “pakicën shqiptare” dhe, gati-gati si qiragjinjë në hapësirën e diellit të tij!

Pse po ndodh kjo?Kur dihet se përmes koalicioneve politike shqiptare me partitë maqedonase, në kabinetin qeveritar në Shkup kemi pasur të emëruar gjashtë ministra shqiptar të arsimit, që përkitazi në rrafshin e botimit të librit mësimor për arsimin dhe shkollën shqipe, janë bër këto lëshime deri në përmasën e denigrimit të historisë të kombit shqiptar.

Në hapësirën shqiptare nuk kemi unifikim, kemi përqarje dhe në vijat e tarsha për shkak të privilegjeve politike të korpusit politik shqiptar, kanë shkuar në dyert e qeverisë maqedonase si argat e veçse numra qeveritar kemi rastin më të shëmtuar të kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili pa turp e pa shijen politike e thotë për hatër të regjimit maqedonas se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Shteti shqiptar e ka të drejtën kushtetuese të mbrojë e të avancojë çështjen shqiptare në trojet etnike të ndara e të grabitura nga fqinjët ballkanik.

Për fund kur do të ndalet kolovajza kundër kombit shqiptar në hapësirën etnike në Maqedoninë e Veriut?!

Filed Under: Rajon

Big Brother: Viktimat Reale – Banorët dhe Publiku

April 24, 2025 by s p

Nga Ndrek Gjini, MA, University of Galway, Ireland/

Big Brother – Ky program, që pretendon të jetë një “eksperiment social”, në fakt përfaqëson një rrënim të thellë të moralit, psiqikës dhe kohezionit shoqëror.

Promovimi i Modeleve Negative: Një Rrezik për Vlerat Shoqërore

Në qendër të Big Brother shpesh qëndrojnë figura me tendenca narcisiste, manipulatore e të pandjeshme ndaj normave etike. Këta individë shpesh ngrihen në piedestal si “modele suksesi”. Psikologia amerikane Jean Twenge, në librin “The Narcissism Epidemic”, vëren se “shoqëria moderne ka filluar të shpërblejë pikërisht ato sjellje që dikur përbënin arsye për turp.”

Normalizimi i Sjelljeve të Papranueshme

Në emër të “lojës”, gënjeshtra, bullizmi, tradhtia e intriga jo vetëm që pranohen, por edhe shpërblehen me famë e përfitime financiare. Sipas Dr. Philip Zimbardo, psikolog i njohur amerikan, “kur sjelljet antisociale shpërblehen publikisht, shoqëria nis t’i perceptojë si normale dhe madje të dëshirueshme.”

Dëmtimi i Shëndetit Mendor – Pjesëmarrësit dhe Publiku si Viktima

Jetesa nën survejim konstant, ekspozimi ndaj kritikave publike dhe presioni për t’u dalluar shkaktojnë stres, ankth dhe pasoja afatgjata për shëndetin mendor të konkurrentëve. Por ndikimi nuk ndalet aty. Shikuesit, veçanërisht të rinjtë, përjetojnë një ndjenjë të shtrembëruar të realitetit dhe identifikohen emocionalisht me personazhet televizivë.

Dr. Aric Sigman, psikolog britanik, shkruan: “Ekspozimi i zgjatur ndaj programeve pseudo-realitete ndikon negativisht në zhvillimin emocional dhe etik të adoleshentëve.”

Shkatërrimi i Diskursit Publik dhe Rënia e Kulturës Mediatike

Debatet mbi politikat publike, artin, arsimin apo etikën janë zëvendësuar nga analizat e sjelljes së konkurrentëve, thashethemet dhe klikimet sensacionale. Mediat, që dikur ishin në shërbim të mendimit kritik, tashmë shpërndajnë banalitet si formë argëtimi masiv.

Komercializimi i Jetës Private dhe Intimitetit

Në Big Brother, jeta private bëhet spektakël. Kamera të përhershme, ekspozim ekstrem dhe mungesë kufijsh mes publikes dhe privates kthejnë gjithçka në një mall për konsum masiv. Kjo zhbën konceptin e intimitetit, duke e shndërruar në një produkt për shitje.

Kultivimi i Konsumizmit dhe Suksesit të Rremë

Aspiratat nuk lidhen më me edukim apo përmbushje personale, por me famën e shpejtë dhe fitimin material. Ky model i deformuar suksesi është veçanërisht i dëmshëm për brezat e rinj që formojnë identitetin e tyre përmes këtyre pasqyrimeve.

Degjenerimi Moral dhe Përçarja Shoqërore

Shpesh promovohen sjellje që bien ndesh me normat tradicionale të shoqërisë shqiptare: marrëdhënie të shthurura, tradhti bashkëshortore, përdorim vulgar i gjuhës dhe skena erotike të panevojshme. Këto jo vetëm nxisin debat të shfrenuar, por edhe përçarje të theksuara sociale, ku ndjekësit e konkurrentëve krijojnë grupe fanatike dhe përjashtuese ndaj njëri-tjetrit.

Manipulimi i Perceptimit të Realitetit

Produksioni ndërhyn vazhdimisht për të krijuar narrativa të caktuara, duke përdorur montazhe, ngjyrime emocionale dhe drama të inskenuara. Kjo krijon një realitet të rremë që publiku e konsumon si të vërtetë. George Gerbner, themelues i teorisë së kultivimit, paralajmëronte: “Media nuk pasqyron realitetin, ajo e formëson atë në mënyrën më të përshtatshme për tregun.”

Simptomë e një krize të thellë kulturore dhe morale

Big Brother është më shumë sesa një program televiziv; ai është një simptomë e një krize të thellë kulturore dhe morale. Ndikimi i tij është i gjerë dhe shpesh i padukshëm, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit mendojnë, ndjejnë dhe sillen.

Është koha për reflektim. Është koha që mediat, shoqëria dhe institucionet të kuptojnë se çfarë çmimi po paguajmë për “argëtimin pa kufij”.

Le ta mbyllim këtë analizë me një thënje të Viktor Frankl, psikiatër dhe filozof: “Kur një shoqëri nuk është më në gjendje të dallojë mes vlerës dhe antivlerës, ajo shoqëri është në rrezik të humbë shpirtin e vet.”

Filed Under: Fejton

NDËRROI JETË ALEKSANDËRI I SHQIPTARËRVE – BIR I SHQIPONJËS – KRYEPESHKOP ORTODOKS I SHQIPTARVE TË ARGJENTINËS DHE TË AMERIKËS LATINE – SHËRBËTOR I PËRULUR I ZOTIT DHE SHQIPËRISË

April 24, 2025 by s p

undefined

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.

Njoftimi për kalimin në amshim të  Monsinjor Alejandro (Akeksandër) Greco u botua në portalin e tij (fejsbuk) tre ditë më parë, duke njoftuar komunitetin arbëresh në Argjentinë, anë e mbanë Amerikës Latine dhe botës.  Hirësia e tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, për ndryshe, pasuese e Kishës së Fan Nolit, por në pjesën jugore të kontinentit amerikan.  Kryepeshkopi i shqiptarëve ortodoksë të Amerikës së Jugut me qendër në Buenos Aires, Aleksandër Greco, ndërroi jetë tre ditë më parë. 

Vdekja e tij e parakohshme, domosdoshmërisht, pikëlloi komunitetin artodoks arblëresh në Argjentinë dhe anë e mbanë rajonit, por edhe më gjërë, të gjithë ata që e kishin njohur atë personalisht, ose veprimtarinë e tij atdhetare dhe fetare.  Unë për veprimtarinë e të ndjerit Kryepeshkop Aleksandrin kam dëgjuar dhe kam mësuar shumë nga miku im nga Çamëria martire, Z. Sali Bollati, patriot i nderuar dhe çam i respektuar në komunitetin shqiptaro-amerikane dhe përtej.   Frank Shkreli: Sali Bollati-çam, shiptaro-amerikan, i mbijetuar i gjenocidit grek të 1944. Jo,jo nuk harrohet Çamëria ! | Gazeta Telegraf — Kryepeshkopi Aleksandër ishte shumë i interesuar për Çamërinë dhe për krimet greke atje kundër shqiptarëve çamë, por edhe pa harruar masakrat serbe në Kosovë, por edhe triumfin e lirisë e të pavarësisë së Dardanisë. 

Sipas të dhënave të botuara nga vet Kryepeshkopi, në të kaluarën, ai vinte nga një familje me origjinë arbëreshe të jugut të Italisë. Ai ka shkruar se megjithë, “shumë shekujve që kanë kaluar nga koha që familja ime la Shqipërinë, gjithmonë e kemi ruajtur edhe të folurën. Arbëreshët që jetojnë në Amerikën e Jugut e kanë humbur jo pak të folurën shqipe, gjuhën pra, e megjithatë po përpiqem ta rikthej vëmendjen tek ajo”. Ai ka theksuar se familja e tij gjithmonë ka “pasur në ndërgjegjen tonë, tokën e origjinës. Kjo ndërgjegje nuk ka humbur as përgjatë shekujve. Kjo është e rëndësishme për t’ia transmetuar edhe të rinjve tanë. Gjithnjë kam thënë se porta jonë është e hapur për të gjithë ata që kanë gjak shqiptar”, është shprehur ai.

Dera e tij – megjithse larg nga e gjithë bota në jug të Amerikës Latine –ishte vërtetë e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim feje a krahine. Me të drejtë, këto ditë pas largimit të tij nga kjo jetë, burime të ndryshme vërtetojnë ato që dija edhe unë për figurën e tij fetare e patriotike – se ai ishte një personalitet i njohur dhe një udhëheqës i dashur e i respektuar nga diaspora shqiptare në ato anë, por i njohur për patriotizmin e tij edhe anë e mbanë trojeve shqiptare – nga Kosova e deri në Çamëri. Prandaj me humbjen e tij, bota shqiptare kudo ka humbur një udhëheqës të rradhë fetar por edhe një përkrahës të zellshëm të çështjess kombëtare. Si i tillë pra, largimi i tij nga kjo botë, ka lenë një boshllëk të madh në jetën dhe veprimtarinë e Arbëreshëve të Argjentinës, por edhe më gjërë. Nuk jam i sigurt nëse kushdo që të vijë në vend të tij do vazhdojë të punojë me aq zell e dashuri për forcimin e lidhjeve të arbëreshëve me Atdheun e tyre të origjinës – Shqipërinë – por edhe me Kosovën e Çamërinë. Por, uroj që cilido të jetë ai, të vazhdojë në rrugën e përcaktuar nga Kryepshkopi Aleksandër dhe të ndjekë gjurmët e tija në mbrojtje të traditës dhe në kultivimin e gjuhës dhe të identitetit të shqiptarëve të atij rajoni të gjerë.  Një zonë kjo për të cilën, në të vërtetë, nuk mendojmë shumë kur kemi parasysh marrëdhëniet me diasporën shqiptare në botë – por është një komunitet që meriton vëmendjen dhe interesimin – ashtu siç interesohej për shqiptarët kudo, Kryepshkopi Arbëresh Aleksandër i Argjentinës dhe i Amerikës Latine. 

Komuniteti Arbëresh i Argjentinës dhe Amerikës Latine, por edhe të gjithë ata shqiptarë që e njohën gjatë viteve, e kujtojnë klerikun e nderuar orthodosk Arbëresh si një klerik me një devotshmëri të thellë fetare dhe kombëtare, por edhe për përkushtimin e tij ndaj ruajtjes së gjuhës shqipe/arbëreshe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, përfshir Argjentinën e largët. Kujtimi i tij është një trashëgimi për tu ndjekur, jo vetëm nga klerikët e tri feve kryesore të shqiptarëve, por edhe nga liderët politikë se si duhet kujtuar e kaluara historike, përfshir krimet kundër shqiptarëve nga të huajt dhe të vetët. Se si duhet të ruhet tradita dhe si të mbrohet identiteti kombëtar, sidomos në trojet shqiptare, por edhe në diaspora shqipare të largëta si ajo Arbëreshe në Argjentinë dhe Amerikën Latine – të cilës i shërbeu me aq përkushtim e dashuri, Kryepeshkopi Arbëresh, Aleksandëri, Bir i Shqiponjës.

Pushoftë në paqe! Kutimi tij qoftë i përhershëm!

Frank Shkreli

A person wearing a red robe and gold hat

AI-generated content may be incorrect.

“Krishti u Ngjall!  Me zemër ju uroj Gëzuar Pashkët, Vllëzër dhe Motra dhe Miqtë e mi Shqiptarë Ortodoksë dhe të gjithë atyre që e festojnë ketë ditë, kudo që gjindën, e për shumë vjet! Urime e paqë, bekim dhe dashuri në familjet tuaja.  Përfitoj nga rasti për të përshëndetur me dashuri të gjithë Myslimanët, Bektashianët, Agnostikët, Ateistët dhe të Krishterët, Vëllezërit e mi të gjakut: Urimet më të mira për të gjithë ju! Paqë, lumturi e begati gjithmonë! Rrofshin të gjithë Shqiptarët në të gjithë botën, pa dallim Feje! Në Lavdinë e Kombit tonë Shqiptar, përgjithmonë! Rroftë Shqipëria Etnike! I Lirisë së Ilirisë. Autoktonus!  Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!” — Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine

Kryepeshkop Aleksandër i Shqiptarëvetë Argjentinës për ÇAMËRINË:  

“Çamëria je Dritë e Kombit Shqiptarĕ! Plagët e Çamëve nuk mbyllën kurr! Çamëria është një plagë e hapur që bleeds në secilin prej nesh! Homazh per te gjithe ata Martire qe u masakruan! Sotë kujtojmë me nder dhe respekt dhe shume dhimbje, në Argjentinë, dhe bota, në Vjetorin Gjenocidi Çam, Gjenocidi shovinizmi grek mbi popullsinë Shqiptare 27 / 6 / 1944 – 2020! E gjithë kjo tmerr dhe masakër filloi natën e 27 qershorit 1944, zervistët, tinëz ranë natën në Paramithi, si kasapët në therrtore, me hanxharë, të vrarët arritën mbi 600 vetë… Nuk duhet harruar, sepse përmes na vranë, na masakruan dhe na pushtojnë! Duhet ne si Komb të reagojmë për zbardhjen e këtoj krimi njerëzor dhe ta kthejmë Dinjitetin Kombëtarë edhe në Çamëri! Ne të gjithë Shqiptarët e kemi detyrim të bëjmë Homazhe! Nderim e Shumë Respekt pa fund për teë gjithë ata që u perzunë me forcë nga trojet e shtepitë e tyre! Nuk harrojmë Genocidin e Popullit Çam, është Gjak Shqiptari! Çamëria, nuk ju harrojmë, Holokausti i ndërgjegjes njerëzore, klith dhe denoncon! Ditë zije sot për Kombin tonë! As, në asnjë mënyrë ta harrojmë edhe atë të vitit 1914! Shqipëria jeton në Heronjtë dhe Martirët e tyre! Homazh për të gjithë ata Martirë që u masakruan! Nderim e Shumë Respekt për të gjithë ata që u përzunë me forcë nga trojet e shtepitë e tyre! Kujto vellëzrit e tij Çam dhe Genocidin e Popullit tonë. Ky eshtë gjak Shqiptari! Nuk duhet harruar Gjenocidiq ë turqit, serbët e grekët, me shekuj kanë berë Gjenocid dhe barbari mbi popullsinë Shqiptare! Lavdi dhe u prehte ne Paqe! I përjetshëm kujtimi! Çamëria ti kthejmë trojet tona te Nenë Shqipëria! Një dhe një mijë herë unë do të përsëris britmën e shenjtë: Lavdi Deshmoreve, përherë Jetën dhe Veprën tënde të Lavdishme të cilat brezat e ardhshëm duhet ti mbajnë si një gjë të Shenjtë për Popullin tonë, qofshin nëse Bektashi, Myslimanë, Ateistë apo të Krishterë, eja afer Gjakut tendë: Çamëria nuk harrohet kurrë! Rrofte Çamëria dhe Çamët! Shqipëria jeton në Heronjtë dhe Martire e tyre! Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Rroftë Kombi Shqiptar! Lavdi Dëshmorëve të Kombit që ranë për Çlirimin! Lavdi Dëshmorëve të flijuar në mbrojtje të Atdheut! Gjaku Stërgjyshor i tyre u bëftë pishtar ndriçues për Bashkimin e Popullit dhe të Kombit, në atë natyral! Rroftë Çamëria dhe Çamet! Rroftë Republika e Çamerisë! Rrnoft Çamëria dhe Populli i saj Kreshnik! Në Lavdinë e Kombit tonë Shqiptar përgjithmonë! Rroft Kombi Shqiptare! Rroftë Shqipëria Etnike! I Lirisë së Ilirisë! Autoctonus! Shpirti i Arbërit nuk vdes kurrë! Zoti e Bekofte Racën e bukur Ilire! Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët, me gjith Kombin kuq e zi kudo janë në botë!

Nga Shërbëtor i përulur i Zotit dhe Shqipërisë, Shkelqësia e Juaj Imzot

+Aleksander I Shqiptarëve, Kryepeshkop – Bir i Shqiponjës
Rrofte Shqipëria e Bashkuar!”
#UnëJamÇameria

undefined

                    Shërbëtor i përulur i Zotit dhe Shqipërisë, Shkelqësia Imzot

                   +Aleksander i Shqiptarëve, Kryepeshkop – Bir i Shqiponjës
                                    “Rrofte Shqipëria e Bashkuar!”

Shkelqësia e tij Imzot Aleksander i Shqiptarëve, Kryepeshkop për KOSOVËN, ME RASTIN E PERVJETORIT TË KOMANDANTIT LEGJENDAR ADEM JASHARI:  

“Ditë të bukura, Miqësi Shqiptare e dashur, gjithandej ku ndodhesh ti. Datat 5, 6 dhe 7 mars, që ndryshe njihen edhe si Epopeja e UÇK-së shënon fillimin e një epoke të re Historike për Kosovën/Dardaninë, asaj të Lirisë dhe Ribashkimit të Trojeve Shqiptare në një Shtet Kombëtar… Në këto data përkujtimore të flijimit heroik të Familjes Jashari: Nderim, shumë respekt dhe lavdi Komandantit Legjendar, Adem Jashari i Madh (28 Nëntor 1955 – 7 Mars 1998). Zoti e shpërbleftë në Parajsë të ndjerin, do ecim nën shëmbullin e tij, do ta kemi përherë busull orientuese të jetës sonë: Lavdi e përjetshme Adem Jashari, Hamëz Jashari, Bacë Ademin dhe familjen së pavdekshme dhe Herojike Jashari, Krenari Shqiptare dhe të gjithe trimave te UÇK që fljuan jetën dhe derdhën Gjakun në Altarin e Lirisë për Kosovë/Dardaninë dhe Shqipëria – Kosova është Shqipëria!

Paqja mbretëroftë mbi tërë Kombin tonë të dashur dhe tërë Njerëzimin, sidomos në Ukrainë dhe popullit të saj Heroik, në këto momente tragjike! Rroft Shqipëria Etnike! Rroftë Dardania Sacra! Rroftë krejt Shqiptaria – Pellazgo – Illyria, një nga shtetet më të vjetra në këtë planet dhe askush s’mund të na hup farën! Shpirti i Arbrit nuk vdes kurrë! Besa-besë, Kuq e Zi! Liria e Ilirisë! Autoctonus! Zoti e Bekoftë Kosovën dhe Komandantit Legjendar, Adem Jashari! Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!” Me nënshkrimin e tij:  Shërbëtor i përulur i Zotit dhe Shqipërisë, Shkelqësia e Juaj Imzot Kryepeshkop +Aleksander i Shqipatrëve – Bir i Shqiponjës. Instagram@alejandrogreco.oficial

                                   —————————————-

Filed Under: Opinion

“Rrënjët Shqiptare”, trashëgimi folklorike, traditë kombëtare dhe vlera shqiptare në Harvard

April 24, 2025 by s p

Në këtë fillim muaji, organizata Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots nga Nju Jorku, pati nderin të pranonte ftesën nga shoqata Labëria Boston për të asistuar në konferencën e tyre që u zhvillua në mjediset e Harvardit. Rëndësia e celebrimit dhe përcjelljes së traditave shqiptare është e një rëndësie të madhe për organizatën e Rrënjëve Shqiptare, të cilët u paraqitën me një grup të konsiderueshëm pjesëmarrësish që performuan tre valle të ndryshme të veriut nën mjeshtërinë e koreografes Angjelina Nika.

Grupmoshat që vinin nga Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots u duartrokitën nga të gjithë të pranishmit me ovacion. Gjatë kohës së tyre në Boston, organizata AR kishte mirë-menduar një tur interesant për përfaqësuesit e tyre, duke u treguar vende kyçe të Bostonit siç ishte St George Albanian Church- kisha Fan Noli, godinat e Harvard University apo dhe muze të ndryshëm, ndalesa të cilat lanë anëtarët e AR të kënaqur si përherë.

Trashëgimia folklorike, traditat dhe vlerat shqiptare janë pilarët kryesorë të organizatës Albanian Roots, të cilët arrijnë të bashkojnë shqiparët e të gjitha trevave kudo në Nju Jork: në Bronx, në Brooklyn, në Staten Island edhe në Queens.

Rrënjët Shqiptare -AR janë një grup njerëzish shumë të përkushtuar në punën e tyre.

Me Rrënjët Shqiptare, fëmijët tanë mësojnë vallet e bukura shqiptare nën drejtimin e koreografes së njohur Angjelina Nika, ashtu si dhe perfeksionojnë gjuhën shqipe. Albanian Roots vazhdon të bëjë së bashku shqiptarët pasi nuk resht së zgjeruari klasat dhe grupet e tyre me nga 15-20 fëmijë prezent në klasat përkatëse. Suksesi i Rrënjëve Shqiptare është dashuria për vendin tonë autokton dhe kulturën tonë që të përcillen tek brezat e rinj.

“Rrënjët Shqiptare”

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT