• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Organizata Botërore e Tregtisë – Politikat e Tarifave

April 17, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Një pauzë 90 ditore ka hyrë në fuqi nga administrata Trump pas Ditës së Çlirimit kur filluan tarifat e reja ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara në datën 9 prill. Sipas administratës ato synojnë të ringjallin industrinë prodhuese amerikane. Ndërkohë, dy ekonomitë më të mëdha të botës kanë intensifikuar luftën tregtare dhe rritjen e tarifave e kundër-tarifave ndaj njëra tjetrës.

Dy javë pas vendosjes së tarifave nga administata Trump ka shumë interesim për të kuptuar pse Rusia nuk u përfshi në tarifat ndëshkuese gjithëpërfshirëse të shpallura në pothuajse mbarë botën, përfshirë Ukrainën. Drejtuesi i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, bëri të ditur se Presidenti Trump vendosi të përjashtonte Rusinë nga tarifat për shkak të rrezikut të dështimit të bisedimeve për një armëpushim të mundshëm në konfliktin në Ukrainë.

“Kjo nuk do të thotë se Rusia po trajtohet krejtësisht ndryshe nga vendet e tjera, por Presidenti Trump po fokusohet në bisedimet me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit ruso-ukrainas”, njoftoi Hassett.

Tabloja e marrëdhenieve tregtare ka më shumë ngjyrime se kaq. Pas shpalljes së tarifave, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh se Rusia nuk ishte përfshirë në tarifat gjithëpërfshirëse, pasi sanksionet e SHBA-së përjashtojnë çdo tregti të rëndësishme. Gjithashtu Koreja e Veriut, Kuba dhe Bjellorusia, që janë nën sanksione, janë përjashtuar nga tarifat.

Të dhënat e publikuara nga Zyra amerikane e Regjistrimit të Biznesit tregojnë se marrëdhëniet tregtare midis Rusisë dhe SHBA-së kanë rënë ndjeshëm në krahasim me periudhën para agresionit kundër Ukrainës. Megjithatë, Rusia renditet përpara Ukrainës në bilancin tregtar të SHBA-së për importet e mallrave. Sipas Zyrës së Statistikave të SHBA-së, në vitin 2024 vlera e eksportit të mallrave nga Rusia ka qenë rreth 3.5 miliardë dollarë, krahasuar me rreth 1.2 miliardë dollarë nga Ukraina. Kjo shifër është më e lartë se tarifat e importeve amerikane ndaj vendeve shumë të vogla çka ka shtuar interesimin per motivet e administratës. Presidenti Trump ka kërcënuar se do t’ju vendosë tarifa blerësve të naftës ruse, sektori bazë për makinerinë ushtarake tëvendit, nëse Presidenti Putin pengon negociatat për armëpushim në Ukrainë. Mospërfshirja e Rusisë mund të jetë një manevër politike përsynimet e administratës.

Nga ana tjetër, kjo mund të jetë e lidhur me faktin se pjesën më të madhe të eksportit rus e përbëjnë plehrat kimike duke qenë se Rusia është furnizuesi i tretë i Shteve të Bashkuara në këtë sektor. Strategjia e Presidentit Trump ka qenëfokusimi në uljen e çmimeve për fermerët amerikanë

Sot Organizata Botërore e Tregtisë njoftoi se parashikimet e saj për tregtinë globale këtë vit janë “përkeqësuar ndjeshëm” për shkak të paketës së tarifave të reja për mallrat dhe të pasigurisë rreth politikës së ardhshme tregtare.

Normat më të larta përfshijnë një tarifë masive ndaj mallrave kineze dhe 20 për qind për produktet nga Bashkimi Evropian. Ky moment pason raundin e dytë pas vendosjes së tarifave bazë prej 10 për qind për importet e shumë shteteve në mbarë botën.

Filed Under: Ekonomi

KOSOVA E PARA!

April 17, 2025 by s p

Faton Bislimi/

Kosova po kalon një nga momentet më të vështira të saj politike që nga shpallja e pavarësisë. Dështimi i seancës konstituive të Kuvendit është vetëm simptoma e fundit e një sëmundjeje më të thellë: mosfunksionimi i sistemit politik, antagonizmi ekstrem dhe mungesa e bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.

Sot, qytetarët janë të lodhur nga partitë që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën, që flasin me mllef e përçmim, që nuk u përgjigjen halleve reale të popullit. Sot, dështimet politike e interesat partiake na shiten si veprime për të ruajtur demokracinë. Qytetarët janë lodhur nga lufta për pushtet dhe jo për vizion. Nga premtimet që harrohen pas zgjedhjeve. Nga mungesa e rezultateve.

Prej vitesh kam pasur nderin dhe përkushtimin të angazhohem në procese që kanë lidhur Kosovën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nëpërmjet punës sime në Washington, përfaqësimit të çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare, dhe mbështetjes ndaj reformave që synojnë forcimin e shtetit të së drejtës. Kam qenë gjithnjë ithtar i një çasjeje të qendrës së djathtë, ku vlerat si familja, ekonomia e tregut të lirë, liria individuale dhe përgjegjësia shtetërore janë themel i zhvillimit; ku qeverisja është në shërbim të qytetarit e jo pushtetarit; ku ambicja politike e angazhimi publik janë veçse mjete për t’i shërbyer vendit, e jo vetit; ku asgjë nuk vendoset para Kosovës! Pra, Kosova e para, asgjë tjetër!

Në këtë kontekst, shumë njerëz po pyesin me të drejtë: A ka ardhur koha për një forcë të re politike? Një përbashkim publik që nuk bazohet në inat, por në ide. Jo në hakmarrje, por në bashkëpunim. Jo në populizëm, por në profesionalizëm.

Nëse nuk bëjmë diçka ndryshe sot, do ta humbim edhe këtë gjeneratë.

Kosova ka nevojë për një politikë që flet ndershëm me qytetarin. Për një vizion autentik që sjell shpresë, unitet dhe funksionalitet. Një politikë që nuk shikon pas, por përpara. Për një vizion që e kalon retorikën e zakonshme, dhe e vendos theksin tek vlerat, jo tek ndarjet. Një përbashkim mbi themelet e shtetit dhe rrënjet e kombit.

Nëse do të ekzistonte një përpjekje e tillë — e bazuar në integritet, profesionalizëm, respekt për mendimin ndryshe, dhe unitet ne dallime — a do të ishim të gatshëm ta mbështesnim? Të bëheshim pjesë? Të kontribuonim qoftë edhe me një ide të vogël?

Kjo është veçse thirrje për reflektim, sepse ndryshimi nuk fillon vetëm nga fjalimet e bukura publike, por nga bisedat që me fisnikëri i hapim me njëri-tjetrin. Idetë e rrënjosura në bindje e ideale, jo domosdoshmërisht fillojnë në ndonjë zyrë apo kolltuk, por në zemrat e qytetarëve sado të zhgënjyer që ende nuk kanë hequr dorë nga shpresa!

Filed Under: Ekonomi

SHKOLLA E GJUHËS SHQIPE NË GLINDE, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI

April 17, 2025 by s p

Adelina Marku mësuese e gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Glinde – Gjermani rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Glinde – Gjermani, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me mësuesen e gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Glinde – Gjermani Adelina Marku, bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË GLINDE

Shkolla e Gjuhës Shqipe në Glinde është e hapur në 01.12.2022 ndërsa shkolla e Gjuhës Shqipe Ahrensburg është e hapur me datë 06.02.2023 në mbështetje të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë Z. Kolë Gjoka. Mësimi zhvillohet çdo ditë të shtunë, me fëmijë nga grupmosha të ndryshme, ku përfshihen njohuritë bazë të gjuhës shqipe si: të lexuarit, të shkruarit, të folurit dhe të degjuarit. Përveç shkollës shqipe Glinde dhe Ahrensburg janë edhe shumë shkolla të tjera shqipe në Veriun e Gjermanisë. Ky projekt financohet nga Ministria e Arsimit Schlesëig-Holstein, ndërsa programet mësimore bazohen në tekstet e miratuara nga autoritetet arsimore shqiptare që përshtaten sipas niveli të të nxënit. Mësimi i Gjuhës Shqipe është shtylla kryesore e identitetit kombëtar. Ajo mban brenda saj historinë, kulturën dhe gjuhën tonë shqipe. Gjuha është ura që na lidh me historinë, traditën, dhe kulturën shqiptare. Për fëmijët e diasporës mësimi i Gjuhës Shqipe është mënyra e natyrshme për të ruajtur lidhjen me origjinën dhe për të mos e humbur ndjenjën e përkatësisë. Për mua kjo është një detyre shpirtërore por dhe një përgjegjësi ndaj brezave të rinj.

KURRIKULA MËSIMORE DHE NËVOJA E MBËSHTETJES NGA PRINDËRIT

Kurrikula mësimore që përdorim për mësimin e Gjuhës Shqipe është e miratura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërise dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës. Në kurrikulën e mësimit të Gjuhës Shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë përfshijmë tekstin mësimore, fletore pune, fjalor me figura, poezi etj. Mësimi organizohet në mënyrë të tillë që të jetë interaktiv, me perdorim të teksteve mësimore, ushtrimeve praktike, këngëve, lojërave gjuhësore dhe aktiviteteve kulturore. Bashkëpunimi me prinderit  është një nga shtyllat më të rëndësishme për suksesin në mësim të gjuhës shqipe në diasporë. Një mësues nuk mund të mbajë gjallë gjuhën amtare vetëm, është shumë thelbesore që prindërit të jenë të përfshirë të bashkëpunojnë ngushtë me ne mësuesit dhe të punojnë vazhdimisht me fëmijët në shtëpi. Prindërve u bëj thirrje që të flasin shqip me fëmijët e tyre në përditshmëri, tu lexojnë libra shqip, ti inkurajojnë fëmijët që të mësojnë gjuhën shqipe duke marrë pjesë në shkollat shqipe si dhe veprimtari  kulturore. Vetëm në këtë mënyrë gjuha jonë amtare mund të ruhet dhe të përcillet me dashuri tek brezat që rriten larg atdheut.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Gjuha është një nga elementet më të rëndësishëm të identitetit kombëtar. Për shqiptarët që jetojnë në Gjermani, mësimi i Gjuhës Shqipe është jo vetëm një mundësi arsimore por dhe një mjet i fuqishëm për të ruajtur lidhjen me rrënjët, historinë dhe kulturën tonë.  Ruajtja e gjuhës amtare është mënyra më e drejtpërdrejtë për të mos humbur përkatësinë kombëtare. Unë si mësuese e Gjuhës Shqipe për fëmijët e diasporës përpiqem jo vetëm tu mësoj gjuhën shqipe por edhe të ushqejë krenarinë për prejardhjen përmes këngëve, poezive, historisë, kulturën dhe zakoneve shqiptare. Orët mësimore shërbejnë si urë që lidhin fëmijët me kulturën e tyre, duke ndikuar që identiteti i tyre të jetë i plotë dhe i qëndrueshëm.

MËSIMI SHQIP PRITET POZITIVISHT NË GJERMANI

                                                                                                                                                                                              Shoqëria gjermane, në përgjithësi, tregon mirëkuptim dhe mbështetje ndaj nismave për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës amtare. Mësimi i gjuhës shqipe pritet pozitivisht, sidomos kur organizohet në mënyrë bashkëpunuese. Institucionet gjermane ofrojnë hapësira publike, si shkolla ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe. Komuniteti shqiptar në Gjermani ka dhënë një kontribut të madh për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe duke organizuar vetë mësimin në shumë qytete të Gjermanisë sidomos në Kiel, Elmshorn, Bremen etj. Ky bashkëpunim i vazhdueshëm është themelor për vazhdimësinë dhe cilësinë e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Përdorimi i teknologjisë në mësimdhënien e Gjuhës Shqipe ka sjellë lehtësi dhe mundësi të reja. Aplikacionet arsimore, materialet mësimore u jep mundësi fëmijëve të mësojnë Gjuhën Shqipe në mënyrë tërheqëse për të përshtatur me stilin e tyre të të nxënit. Përdorimi i vidiove edukative në shqip, këngë për fëmijë, apo si dhe lojëra gjuhësore ndihmojnë shumë fëmijët në zhvillimin e të dëgjuarit dhe të folurit.  Megjithatë, një nga sfidat më të mëdha është puna jonë si mësues me fëmijët me dy gjuhësi të cilët flasin me shumë gjuhën gjermane sesa gjuhën shqipe. Gjuhën Shqipe e degjojnë vetëm në familje dhe në klasën apo ambientin ku mësohet shqip. Prandaj është e domosdoshme bashkëpunimi i ngushtë me prindërit dhe përdorimi i Gjuhës Shqipe në jetën e përditshme, që mësimi të jetë i suksesshëm dhe gjuha të ruhet me dashuri.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Mësimi i Gjuhës Shqipe ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe pozitiv në rritjen e ndjenjës patriotike te fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë, veçanërisht në Gjermani. Përmes gjuhës, ata lidhen më fort me rrënjët, kulturën dhe historinë e tyre. Fëmijët që mësojnë shqip fillojnë të ndihen krenarë për origjinën e tyre, të kuptojnë vlerat e trashëgimisë kombëtare dhe të shfaqin interes për simbolet kombëtare, figurat historike dhe traditat shqiptare. Përfshirja në aktivitete kulturore si festat kombëtare, këngët, vallet apo recitimet në shqip, forcon ndjenjën e përkatësisë dhe i bën të ndihen pjesë e një komuniteti që e ruan dhe e nderon identitetin shqiptar. Mësimi i gjuhës nuk është vetëm proces edukimi, por një mënyrë për të krijuar lidhje emocionale me atdheun. Ky formim gjuhësor dhe kulturor ndihmon që fëmijët të mos ndihen të shkëputur, por krenarë për atë që janë.

KUSH ËSHTË MËSUESE ADELINA MARKU?

Unë jam Adelina, një mësuese me pasion të thellë për arsimin dhe zhvillimin e brezave të rinj. Që në fëmijërinë time, kam ndjerë një thirrje të veçantë për të ndihmuar të tjerët të mësojnë dhe të rriten, gjë që më çoi natyrshëm drejt profesionit të mësuesit. Kam përfunduar studimet e larta Bachelor dhe Master, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të mia të larta kam bërë dhe një praktikë mësimore në shkollën Ismali Qemali Tiranë. Përmes përvojës sime, kam mësuar se çdo nxënës është UNIK. Mësuesia nuk është një punë apo profesion për mua, por një MISION.  Të jesh mësues do të thotë të mbjellësh fara diturie dhe shprese në mendjet dhe zemrat e të rinjëve, duke besuar se një ditë ato do të lulezojnë. Realizimi i hapjes së shkollave shqipe në Gjermani është një ndër arritjet më të çmuara që na mbush me krenari dhe shpresë për të ardhmen e brezave të rinj. Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e fortë, vëmendjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e veçantë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë Z. Kolë Gjoka në veriun e Gjermanisë, i cili me vizionin dhe përkujdesjen e tij, ka qenë një bashkëpunëtor dhe një mbështetje e madhe në çdo hap të këtij procesi. Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, edhe unë kam dhënë kontributin tim me zemër e përkushtim të plotë, duke e ndjerë këtë detyrë jo vetëm si një përgjegjësi profesionale, por si një thirrje shpirtërore për të ruajtur e përcjellë gjuhën dhe identitetin tonë tek fëmijët shqiptarë që rriten larg atdheut.

Filed Under: Opinion

“Besimi, akt themelor i jetës sociale”

April 16, 2025 by s p

Agim Baçi/

Sociologu i famshëm, Niklas Luhman, në librin e tij, “Teoritë e shoqërisë” shprehet se “besimi është akt themelor i jetës sociale”. Pra, ne kemi faktet para syve, por kemi humbur besimin. Ne kemi kemi skandale të faktuara, por kemi humbur fuqinë tonë dhe qëndrimet morale përballë të keqes, përballë të padrejtës. Sepse ne publikojmë qëndrime në rrjete sociale por nuk bëhemi bashkë në një protestë kundër të keqes, kundër mashtrimit, kundër atyre që vijnë si të fortë për të na rrëmbyer votën.

Sa nga ne e dënojnë sot shpifjen, gjuhën e urrejtjes? Sa nga ne i refuzojnë politikanët që krenohen se arrijnë të vënë në vështirësi kundërshtarin përmes bullizimit, përmes sajimit të fakteve, sajimit të gënjeshtarve, të linçimit, dhe jo të dhënies së argumenteve? E nëse ne nuk arrijmë të jemi ndëshkues ndaj atyre që na gënjejnë, që mashtrojnë që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen, që bullizojnë, atëherë, përse duhet të presim ndryshimin?

Pra, ne sot jemi përballë faktit se, jo se nuk dimë për politikat e mbrapshta, por përballë faktit se këto që dimë sot nuk i përkthejmë në qëndrime morale, në reagime vetjake për të drejtën.

Ideja se “populli e di” nuk ka asnjë kuptim nëse ne nuk e mbrojmë të drejtën duke kërkuar aleancë të fortë. E nëse nuk reagojmë, ata që na drejtojnë do e kontrollojë gjithnjë e më shumë zemërimin tonë, duke na dhënë iluzionin se kemi demokraci përmes denoncimit në rrjete sociale, ndërkohë që këto qëndrime të veçuara, egosite të secilit prej nesh, mbeten thjesht në linçime e jo bashkim për një kauzë të drejtë. Madje në jo pak raste gjithçka mbetet thjesht në linçime anonime, në sharje.

Këto qëndrime të veçuara, egosite, më shumë se sa fuqinë tonë për të ndryshuar diçka që e kontestojmë, forcojnë hijen e komploteve rreth nesh, – “komplote” që i shërbejnë më së shumti atyre që duan të kontrollojnë këtë zemërim të qytetarëve ndaj keqqeverisjes përmes asaj që na e shesin për trasnparencë.

Filed Under: Emigracion

Më ka marrë malli të lexoj lajm, jo opinione

April 16, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Nëse fjala dikur vlente sa një jetë njeriu, sot shpesh nuk vlen as sa një “like”. Në një botë ku dikur gazetaria ishte zanat i shenjtëruar dhe fjala shkruhej me djersë, sot ajo fluturon nga dora e kujtdo që ka një profil në Facebook. Lajmi nuk prodhohet më nga burimi, por nga rrjeti; e vërteta nuk kontrollohet, por shpërndahet; dhe lexuesi, ky qytetar i pambrojtur, nuk informohet – por helmohet ngadalë nga fjala e paarsyeshme.

Një vëzhgim i ftohtë dhe i sinqertë i realitetit mediatik sjell një pamje të zymtë: reporterët zyrtarë flasin shpesh pa thellësi, pa kërkim, pa përgjegjësi profesionale; ndërsa “gazetarët” e Facebook-ut (portalet) flasin pa asnjë vetëdije se ndonjë fjalë prej tyre mund të merret si e vërtetë nga një mijë vetë.

Dikur, para se një lajm të dilte, ai kalonte nëpërmjet një redaksie, nën peshën e një redaktori, nën hijen e një kodi etik. Sot, mjafton një ndjesi personale, një ngjarje e dëgjuar rastësisht, një interpretim subjektiv – dhe ja ku kemi një “lajm”. Nuk jemi më në epokën e së vërtetës, por në epokën e përshtypjes.

E këtu lind rreziku: jo më nga gënjeshtra e qëllimshme, por nga padija e sigurtë në vetvete. Nga zëri që nuk njeh vetveten. Nga fjala që nuk pyet veten: “A është kjo që po them, e vërtetë? A ndihmon kjo që po publikoj, apo dëmton?”

Në këtë kohë të turbullt, ku të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon, është më e nevojshme se kurrë të kthehemi te disiplina e fjalës. Ta trajtojmë si një akt solemn – jo si një vegël për të plotësuar boshllëqet tona dixhitale.

Sepse kur çdokush bëhet gazetar, e askush nuk është i verifikuar, fjala humb peshën e saj dhe shoqëria fillon të rrëshqasë në një amulli të rrezikshme. E vërteta nuk bërtet – ajo kërkon të dëgjohet. Dhe për këtë, ne kemi nevojë për heshtje të mençur më shumë sesa për zhurmë të padobishme.

Nëse fjala s’na ndërton më, atëherë le të paktën të mos na rrënojë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT