• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2025

Diaspora shqiptaro amerikane nderoi ikonën e artit, humanistin Fadil Berisha

April 4, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Gjithë pjesëmarrësit në këmbë për të nderuar Fadil Berishën.

Qindra pjesëmarrës të ftuar special të Fadil Berishës u mblodhen në Cipriani organizuar nga drejtueset artistike Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti Kerliu, me general sponsor znj. Fotini Allteni Kokeri dhe hosted nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Motrat Qiriazi”.

Ndërtesa gjigande Cipriani mban emrin e Giuseppe Cipriani ai që shpiku Carpaccio-n e famshëm dhe Bellinin origjinal, dhe që janë kthyer në ikona të Venecias, shumë të njohura në të gjithë botën.

Në hollin kryesor ishte varur banner me logon nga puna fotografike me supermodelet e botës ku pjesëmarrësit grupe-grupe bënin foton e radhës me maestron Berisha nga ekipi shumë profesional si Olsi Beçi dhe të tjerë të përzgjedhur nga Fadil Berisha.

Duke parë fotot me supermodelet, punën e jashtëzakonshme artistike-fotografike në mendje më vinin fjalët e autores amerikane Dorothy Parker e cila ka thënë: “Kreativiteti është një mendje e egër dhe një sy i disiplinuar”.

Ishte emocionuese të shihje në karpetin e kuq dhjetra artistë të shquar që mirëpriteshin nga një zotëri në art dhe në sjellje siç është Fadil Berisha, fotograf i modës dhe bukurisë, filantrop, humanitar, drejtor kreativ dhe mentor. Brendësia monumentale e ndërtesës Cipriani që mbante brenda një ikonë të artit të fotografisë si Fadil Berisha, e bënte dhe më madhështore dhe më të bukur këtë mbrëmje gala. Të larta takat e supermodeleve, por më madhështore u ngrit para nesh supermodelja botërore e moshës më të vjetër të punës në botë, 93 vjeçe, Carmen Dell’Orefice e cila shkëlqente aq shumë si tavanet e zbukuruara mahnitëse, në galanë e ditëlindjes së Fadil Berishës. Afresket e pikturuara me dorë dhe natyrisht portreti i saj i sjellë mjeshtërisht bardhë e zi nga Maestro Berisha e bënin këtë vend vërtetë të jashtëzakonshëm. Aty ishte ndërthurur madhështia historike me elegancën moderne.

Nje surprizë të bukur e mori dhe nga bukuroshja shqiptare Angela Martini. Një imazh i Fadil Berishës për 24 orë në Time Square në New York. “Doja që bota të shihte legjendën që ti je”, shkruante mes të tjerash ajo. Personalitete të shquara të artit, muzikes, skenës, veprimtarë të komunitetit, të shoqatave te Kombit si Harri Bajraktari “Nderi i Kombit”, Dr.Elmi Berisha kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Ana Kohen Nderi i Kombit, Bruno dhe Kumrije Selimaj pronarët e “Club A Steakhouse” z. Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun, Vera dhe Ismer Mjeku, Toni Dovolani, Shpendi Xani, Dzemal Lanica kryetar i shoqatës “Ulqini”, veprimtaret e motrave Qiriazi si Agathia Luaka, Ariana Elezaj, Eva Burnazi, Myzi Aliaj, TV Kultura Shqiptare: Adem, Mimoza dhe Vera Belliu, Dr. Shpresa Xhakli, Lumi Hadri e shumë të tjerë nderuan në këtë mbrëmje gala. Nën tingujt e celistes së shquar Gjilberta Lucaj Cohen pjesëmarrësit trokëllinin nga një gotë verë në kokteilin e shtruar për këtë event.

Nën efektet e dritave audio musik performancën e hapën dy valltarë me vallen “K’cimi i Tropojës” që është zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, ndërkohë një slide show shfaqej në ekrean rreth Shqipërisë dhe Kosovës. Aktorja e Hollivudit Eliza Dushku përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi Maestron Berisha. Ajo prezantoi divën shqiptare Inva Mula dhe Maestron Genc Tukici. Inva Mula e hapi spektaklin madhështor me këngën gati hymn: “Shqipëri o vendi im” shoqëruar nga Genci Tukiçi në piano. Çfarë harmonie e përkryer midis tyre, dukej sikur sollën Atdheun tonë në Manhattan. Kënga “Te volio bene” interpretuar nga Inva Mula ishte një tjetër sukses shoqëruar nga violinisti Olen Cezari, Genc Tukiçi të cilët luajnë në tastierë dhe në tela sikur vallëzojnë magjishëm në ajër. Olen Cezari dhe Genc Tukiçi performuan “V. Monti, Czardas”.

Modelja shqiptare Emina Cunmulaj udhëhoqi intervistat me njerëzit e shquar si Carmen Del, Nikki Haskell, Paula Shugart President o Miss Universe.

Një tjetër artiste e shquar e famshme ndriti skenën si gjithmonë Dëshira Ahmeti Kërliu e cila së bashku me Inva Mulën ishin drejtuese artistike të këtij spektakli madhështor. Dëshira interpretoi “O mio Babbino Caro” e cila shoqërohej me nje slide show me foto te realizuar nga mjeshtri Berisha. Artistja Cunmulaj foli për kontributin e Fadil Berishës dhe tributin që i ka dhuruar Nexhmije Pagarushës. Në nderim të këtij tributi intepretoi plot profesionalizëm Dëshira me këngën aq të dashur “Baresha”, ndërsa në ekran shfaqeshin pamje të hatashme nga Rugova, Kosova.

E pamundur të sjellësh të gjithë programin aq të detajuar, por mbresëlënëse ishte kabaja ne klarinetë të interpretuar mjeshtërisht nga Igli Tuga shoqëruar nga Genc Tukiçi.

Artistja me famë botërore Inva Mula prezantoi sponsorin kryesor zonjën fisnike Fotini Kokeri një filantropiste dhe bamirëse e mirënjohur. Një moment special ishin motrat e Fadilit në skenë. Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama nderoi Fadilin në emër të kryeqytetit të Kosovës, gjithashtu Atifete Jahjaga ish presidente e Kosovës kishte përgatitur një dhuratë në emër të fondacionit.

Genc Tukiçi dhe Inva Mula performuan një këngë kushtuar mjeshtrit Berisha kompozuar nga Genc Tukiçi, gjithashtu ata intepretuan “Gëzuar Ditëlindjen” ndërsa nipi i Fadilit mbante kekun e ditëlindjes.

Pjesëmarrësit dëgjuan urimin nga presidentja e Kosovës znj.Vjosa Osmani, ndërsa në ballroom performuan valltarët. Ne ekran u shfaq filmi “Dear Albania” ku Eliza Dushku ishte artistja kryesore, ndërsa në skenë ajo qëndronte bashkë me vëllain e saj.

Këngëtarja e famshme e Sanremos Elsa Lila performoi dy këngë ndërkohë jepej një slide show me portretet e saj realizuar nga maestro Berisha. Elsa Lila prezantoi Dea Kërliu e cila ka qenë ish nxënësja ime pranë Shkollave Shqipe “Alba Life”, tashmë nxënëse në Man school një nga shkollat më të njohura në botë për art dhe muzikë. Dea intepretoi dy këngë, e cila premton shumë për në skenat botërore dhe është e ardhmja e Diasporës në art dhe më gjerë.

Parshqevi Simaku nga ferri në dritë, për herë të parë në skenë

Ajo doli për herë të parë në skenë pas ferrit ku kishte rënë dhe kjo fal Maestros Berisha. Parshqevi Simaku u prezantua nga Emina Cunmulaj në skenë dhe natyrisht publiku e mirëpriti me mjaft emocion dhe dashuri divën e muzikës shqiptare siç e quan Elton Iliriani, ëngjëlli mbrojtës i saj së bashku me Elvira Taten. Ata e nxorrën nga tuneli i errët në metropolin më të madh Nju Jork dhe e ringritën në dritën që meritonte, në dritën që i dhuroi publikut nga ninëzat e syve të saj të bukur. Diva u shoqërua nga Eltoni ku mbante në dorë dhuratën për Fadilin. Si një zog fluturues sa hapi gojën për të kënduar publiku u çua në këmbë dhe e shoqëronte me duartrokitje. Ajo ruante po atë butësi të kadifejtë, po ato flokë si pendë palloi dhe po atë mirësi në komunikim si gjithmonë me publikun.

Simaku e uroi Maestron duke interpretuar në skenë këngën: Globi (Dhuratë për ditëlindje). Ajo doli për herë të parë në këtë skenë madhështore pas kaq vitesh vuajtje, përpjekje, mundime dhe hidhërime!

Artistja premton shumë dhe publiku mezi e pret në skenë. Takimi midis mjeshtrit Berisha dhe Simakut ishte shumë i ndjerë, i bukur, rrezëlitës dhe njerëzor, ishte vërtetë një dhuratë e florinjtë në këtë vit jubilar realizuar nga Berisha. Parashqevi Simaku është nje artiste e rrallë që edhe pse ka kohë pa dalje në publik, të ngacmon kujtesën dhe vjen me një jehonë flladitëse shpirtërore dhe të frymëzon për të shkruajtur dhe për ta kujtuar me plot respekt, por mbi të gjitha me dashurinë si artdashëse e saj.

Ajo erdhi nga një qytet i vogël i Shqipërisë, Kavaja dhe u ngrit plot meritë në tempullin e artit, me zërin e saj melodioz, bukurinë femërore, delikatesën në plastikën e lëvizjeve të shoqërimit, buzëqeshjen e trëndafiltë si gonxhe shqipërie. Në këtë mbrëmje performuan shumë artistë të tjerë si artisti i shquar Arjan Kërliu së bashku me bandën “Dea” me muzikantin e talentuar Did Tezha dhe Elis Lloshi. Në këtë mbrëmje performoi dhe artistja tjetër e shquar Mira Konçi etj.

Humanistja Fotini Kokeri prezantoi avokaten e mirënjohur, Beti Beno, presidente e “Motrave Qiriazi” që ishin hosted për këtë mbrëmje dhe natë të paharrueshme duke nderuar ikonën e artit Fadil Berisha. Të nderuara për punët e tyre atdhetare, kulturore gjithmonë na bëjnë të ndihemi krenar për veprimtarinë e tyre. Ato i dhanë bursë studimore për Nora Muhaxhiri e cila përshëndeti me një këngë.

E nderuan me urimet e tyre Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z. Ervin Bushati, miku i ngushtë i Fadilit z. Avni Mustafaj si dhe shoqata shqiptaro kanadeze.

Performuan dy yjet e Kombit çifti simpatik Merita Halili dhe Raif Hyseni, artistët e mirënjohur dhe shumë të dashur Gezim Nika “Shqiperi o nëna ime”, Albërije Hadërgjonaj, Yllka Kuqi.

Mbrëmja u mbyll duke shkuar të gjithë artistët në skenë dhe duke performuar së bashku “Xhamadani vija vija”. Ditëlindja e 65-të e ikonës së artit Fadil Berisha do të ngelet përgjithmonë në kujtesën e pjesëmarrësve, dashamirësve të artit, të muzikës, botës së artit. Gëzuar ditëlindjen Maestro Berisha dhe vepra juaj rroftë sa malet e Shqipërisë! Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

2 Prill, 2025

Manhattan, New York

Filed Under: Reportazh

NJERËZ TË TRAZUAR…

April 4, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Ishte libri “Mallkuar qoftë ajo ditë”, lexuar në vitet e adoleshencës, ai që më frenoi në stacionin e mendimit për ngjyrën e lëkurës së njeriut. Do të tregohem i padrejtë nëse do të ndaloj së qeni i sinqertë. Entoni me lëkurën e bardhë dhe Stivi me ngjyrë, dy vëllezër, në një ditë u ndodhën në sallën e gjyqit përballë njëri-tjetrit dhe bashkë për të shpëtuar njëri-tjetrin. Entoni avokat, ndërsa Stivi aktivist për mbrojtjen e të drejtave të zezakëve në Afriken e Jugut, faji i vetëm i të cilit ishte pse shkoi në shtëpinë e vëllait në lagjen e të bardhëve.

Nëna e tyre Meri, një metise, jetonte me frikën se një ditë kariera e Entonit do të ndërpritej nga ngjyra e errët e lëkurës së të vëllait, Stivit. Nuk e mbaj mend nëse lotova, po prej atij libri në jetën time u projektua një kauzë “Soweto”, bandustanet e saj, kampet e zezakëve në regjimin e Aparteidit të Afrikës së Jugut nën pushtetin e të bardhëve me presidentin e fundit Frederik De Klerk.

Pyetja se ku qëndron zotësia ime që kam ngjyrën e lëkurës të bardhë, ishte aq e pakuptimtë. Unë nuk kisha asnjë meritë në këtë gjë, ndaj vuaja pse “Soweto” ekzistonte si një plantacion njerëzish me ngjyrë në një botë të civilizuar. Në shkollën tetëvjeçare ajo ishte një vajzë e bukur, një vajze e urtë, e ndrojtur, recitonte vjershat më bukur nga të gjithë ne. Ishte e ndjeshme dhe gjithmonë shumë e kujdesshme, e ndrydhur, i mungonte lirshmëria e moshës dhe dukej sikur ndiqte me shumë vemendje çdo zhvillim shoqëror për të qenë e pranueshme dhe e barabartë në çdo gjë midis nesh. Me ngjyrën e lëkurës së Esmeraldës së Hygoit në “Katedralen” e famshme, zbukuronte mozaikun e klasës. Një ditë kur po recitonte poezi, në një çast njërën prej fjalëve e shqiptoi me një ndryshim shkronje, me ngjyrat e dialektit të gjuhës në shtëpinë e saj. Ne shpërthyem në ilaritet, ndërsa ajo zuri fytyrën me duar dhe qau. Edhe sot ndihem në faj pse ata qeshën me një lapsus për shkak të dialektit.

A nuk ju duket se ajo vajzë në gjenezë vjen si produkt i njerëzve që kanë qarë me shekuj? Edhe sa shekuj duhet të qante? Çfarë ishte më shumë se kaq dallimi racial? Unë isha gjithmonë Stivi, po ata? “Çfarë kënaqësie mund të provosh kur shikon tjetrin në vështirësi?” Këtë mendoja dhe nuk e gjeja dot atëherë kur klasa me ilaritetin absurd bullizoi një engjëll mes dy gjuhësh. Kur dhe ku mësohen dashuria dhe urrejtja?

Ndërkohë lajmet shpërndanin përditë ngjarjet në Soweto dhe burgun e Mandelës. Asokohe guxova dhe pyeta veten se çfarë roli ka komunizmi në këtë ngjarje?

Kur isha student nuk kaloja dot në “Bllok”, pasi ruhej me ushtarë të gardës dhe me polici. Kjo zonë e Tiranës më dukej mistike, si një vend me heshtjen e perëndive, si “jashtë shtetit.”

Nuk e gjeja dot nëse ishte dallim racial apo klasor, që nuk më lejonin të ecja në trotuarin ngjitur me Bllokun në rrugën “Sami Frashëri”, apo ndoshta kishte emër tjetër? Ndërkohë portretet e zymta e të padeshifruar të atyre që nuk gjetën kurrë prehje nga lufta e klasave, më ngecin në një kaos trafiku mendor edhe sot. A nuk ishte dallim racial politik, krijimi i “aborigjenëve të rinj” nga teoria e Leninit? Rrudhesha në fytyrë, sikur të hidhja njëherësh një gotë “Wisky”, kur studentët “tironc” na quanin katunarë ne të rretheve. Çfarë zotësie kishin më shumë se unë ata, pyesja veten. Ku qëndron merita se kishin lindur në Tiranë apo ishin vendosur atje si bij të baballarëve të afërt me pushtetin? Me atë logjikë, sot që jetoj në Boston, për analogji ata do t’i etiketonin “katunarë” qytetarët tiranas në raportin Tiranë – Boston, se i ngjan raportit të qytetit tim me Tiranën e asaj kohe.

Lulëzonte urrejtja në një tjetër fjalë, “malok” për veriorët, nën zë apo në grupe jashtë prezencës së tyre.

A na bashkonte apo na ndante komunizmi?

Nëse po, pse diferencoheshim në “tironc” që ishin gjithmonë “patricët” dhe ne të tjerët, katunarë, fshatarë, malokë. romë, egjiptian, shule apo emra të çfarëdoshëm që përfaqësonin ndasi më të vogla në numër dhe territor? Gjërat tek të cilat besoja, dukeshin si një univers i kithët me “patricët”. Shumë pyetje drejt vetes nuk gjenin dot kuptimet e përbashkëta.

Vuaja dhe që t’i shpëtoja autobullizimit, strehoesha në vetminë time si e vetmja mbrojtje, pasi trishtimi ishte një gjendje statike mbi të cilën mbivendosej çdo gjendje tjetër.

Njerëzit “vetvrasës” si derivat i vuajtjeve shpirtërore duan të arratisen shpejt nga kjo botë, ata nuk duan të japin shpjegime pse fati i tyre i kufizon shumë në ëndrra dhe realitete shpirtërore. Kush na e ka borxh një jetë më të mirë, se sa rinia që kaluam në vitet ‘80?

Vajzat studente, në teorinë e planeve të jetës, na trajtonin si “rezervë” ne, studentët e rretheve dhe kjo ishte një aksiomë të cilën nuk përpiqesha kurrë ta zgjidhja. Pse duhej të pleksej me çështjet e zemrës vendbanimi ynë? Ndoshta kishin të drejtë, sepse lëvizja e lirë ishte koncept i panjohur. Po përse vallë?

S’po i bëj më ndonjë të mirë kësaj bote, mendoja përderisa ekzistonin ide të tilla hapur apo fshehur pas nënqeshjeve cinike fyese të “patricëve” të ndryshëm në llojin e tyre.

Ideja për të eksploruar aspektet psikologjike e filozofike të këtyre fenomeneve, ma bëri detyrën më të vështirë nga sa e mendoja. Njeriu nuk kërkon të vdesë sepse ka ëndrra dhe iluzione, por a ishin njëlloj për të gjithë? Sa e dyshimtë është kjo gjë, i ngjan ndryshimit të thellësisë së detit edhe pse ai ka emrin det kudo në sipërfaqen e mbuluar nga uji i kripur. Ndodhte që të më zgjohej shpresa nën vrulle suksesi të papërfillshëm, por që ndizte ngjyra të bukura çastesh gjurmëlënëse në jetë. Dukej sikur më plaçkiste shpirtin identiteti im gjeografiko-politik edhe pse te ne nuk ekzistonte “Soweto” dhe as Sabra e Shatila të Bejrutit.

Ura mes instiktit dhe logjikës, ligjit dhe shkeljes, pasionit dhe moralit, dëshirave dhe objektivave, imagjinatës dhe mundësisë qëndronte e mbyllur tek unë.

Isha një njeri i trazuar, një student i ngatërruar që as urën drejt vetes nuk e ndërtova dot, një qenie njerëzore laboratorike e ekzistencializmit Sartrian.

Në moshën 22 vjeçare Gandhi kishte tre fëmijë, Mozart 30 simfoni, Evariste Galois shkencëtar me shpikje teoremash matematike, Evan Spiegel, themeluesi i Snapchat, miliarder, ndërsa unë nuk guxoja të kisha as… ëndrra. Vazhdoj të mendoj se të gjithë janë brenda të njëjtës vlerë dhe bij të lirisë, madje edhe bij të të njëjtit Zot. Po ndërkohë edhe sot më godet në mendimin e fundit, të pathënë kurrë më parë, ideja “A jemi racistë ne shqiptarët?”. Një pyetje e vendosur brenda një kornize ndërtuar me “pse” pafundësisht. Kjo ide më zvogëlonte gjithmonë si domosdoshmëri e arsyetimit të plagosur për mungesën e lumturisë në kohën e pamjaftueshme. Liria nuk është për egoistët, po rruga e kërkimit të së vërtetës brenda vetes në raport me të gjithë botën. “Mallkuar qoftë ajo ditë” nuk ekziston më dhe as “Soweto” nuk ka më tej dy ngjyra.

Ndërsa vazhdoj të jem gjithmonë Stivi…

Filed Under: ESSE

VINÇENC PRENNUSHI, NJERIU I VLERAVE KOMBËTARE

April 3, 2025 by s p

Hazir Mehmeti/

“Martir i Demokracisë”

“Austria e bazonte politikën e saj mbi shqiptarët nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut” Fan Stilian Noli

Në historinë tonë shekujve Austria u dallua si përkrahëse e kombit shqiptar krahas fushës politike, ekonomike dhe  në fushën e arsimit e kulturës.  Nisur nga kjo mbështetje, Austria u bë vendi  ku u shkolluan shumë figura të njohura kombëtare dhe akoma sot e kësaj dite shkollohen në Universitetet e Vjenës, Grazit, Insbrukut, Linzit, Klagenfurtit, Kremsit e qytete tjera të Austrisë me mijëra shqiptarë  Në këtë vështrim të shkurtër do ndalemi tek figura e njohur historike, tek Martiri i Demokracisë, Vinçenc Pennushi i cili jetoj nga viti 1885 gjerë në vitin 1949.    

      Vinçenc Prennushi u lind në  Shkodër, ishte  folklorist, poet, publicist, përkthyes, klerik dhe shenjtor shqiptar. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit, Pjesërisht shkollën e mesme e mbaroi në Troshan, viti 1903, kur edhe dërgohet për studime në teologji e filozofi, e përfundon në Tirol të Austrisë. Qe në vitin 1904 fillon të shkruan pjesën letrare “Rrënimet e Jerusalemit”, kurse vepra letrare me karakter fetar  shkruan katër vite më vonë (1918)  me titull “Fjala e Zotit” dhe në vargje përmbledhjen “Grueja shqyptare”, e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane  dhe “Vorri i fratit”. Në këtë vit ai  merr drejtimin e revistës “Zani i Shna Ndout” paralelisht ai drejton edhe revistën e mirënjohur “Hylli i Dritës”. Ishte bashkëpunëtor i gazetave “Posta e Shqypnisë” dhe “Ora e Maleve”. 

   Ishte poet i shquar, ishte publicist i veçantë dhe orator i shkathtë.  Në vlugun e aktiviteteve, në vitin 1917, bëhet  anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit shqip, u bë një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe revistën e njohur  “Ora e Maleve”. Aty botuan penat më të njohura të kohës, mes tyre edhe Vinçenc Prenushi, njëri nga më të rëndësishmit. I magjepsur nga folklori i Shqipërisë së veriut, mblodhi këngë popullore nga kjo trevë e lashtë shqiptare.

Në vitin 1911 në Sarajevë me ndihmën e arkeologut dhe historianit austriak me origjinë çeke, Carl Patsch  boton “Visaret e Kombit, Kangë gegnishte”. Këngë folklorike të mbledhura dhe renditura prej tij.  Në Shkodër  shfaqi dramën “E tradhtuemja”, nga Rolado  të cilën e përshtati në shqip, pastaj boton dramën me pesë akte “Prej robnije në liri”.Vinçenc Prenushi, nga studiuesi ynë i njohur,Eqrem Çabej,  quhet “Poet i qytetit të Shkodrës”,  me përmbledhjen e tij të njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”, një  përmbledhje e bukur dhe përmbajtjesore. Më 1939 boton poezitë “Kuq e Zi” dhe “Ushtari i vogël” i përzgjidhet në një antologji arsimore për shkollën e mesme. Botoi përkthimin “Fabiola, a kisha nën dhe e mî dhe” të Kardinalit Viseman. Përktheu gjithashtu Danten dhe sociologun Weber. Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin “Quo Vadis” të Sienkievicz. Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelico-s “Burgjet e mia”.

 Disa vargje nga poezia e tij Gruaja shqiptare. 

VINÇENC PRENNUSHI

Gruaja shqiptare

Ju qi kjani n’ dekë t’ njij djalit,

E, permysë mi ket bujare,

N’ te nderoni bin shqyptare;

E tuj puthë e mall e vajë

Njat flamur, qi dora e sajë

Diejti aq bukur me qindisë,

Pse dashtnija e kisht’ molisë;

Lidhniu tok: Per herë dashtnija

Per vend t’ uej t’ u jet stolija;

…

Ngjyra e sajë, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqipnis;

Vinçenc Prenushi ishte shumë i frytshëm në veprimtarinë e tij letrare e artistike, mes tjerash ishte edhe drejtor i suksesshëm i kolegjit françeskan ku ishte edhe profesor, drejtor i shtypshkronjës françeskane dhe Guardian i Kuvendit Françeskan, pastaj Provincial i françeskanëve.  

Më 14 Mars 1914, kur në kalanë e Shkodrës u ngrit nën brohoritjen e mbarë popullit të Shkodrës flamuri kombëtar, ku At Vinçenc Prenushi do mbante fjalimin e tij.  

Më 19 Mars 1936 Selia e Shenjtë e emëroi peshkop të Sapës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua kryepeshkop metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër, më 26 Maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodrës, Imzot Vinçenc Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.

14 mars 1914, ngritja e flamurit  në Rozafat,

ku masës iu drejtua i zgjedhuri i popullit të Shkodrës Vinçenc Prenushi.

Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi u arrestua dhe filloi t’i nënshtrohej një kalvari vuajtjesh fizike e psikologjike, të krijuar nga regjimi komunist shqiptar. Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, e përbërë nga kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiraku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin kundër tij. Vendimi i Gjykatës së Durrësit u përcoll për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (data 1 dhjetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e përbëerë nga kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve “refuzon kërkesën e tyre”. Me zemër të sëmurë Monsinjor Prenushi vdiq nga tortura çnjerëzore në burgun e Durrësit. Pas rënies së diktaturës shpallët “Martir i Demokracisë”, në vitin 1993.  Në përkujdesje ndaj figurave me vlera kombëtare, Muzeu Historik Kombëtar e përkujtoj Vinçenc Prennushin dhe veprën e tij. 
    Historia tragjike e shumë intelektualëve në komunizëm duhet ndriçuar akoma, një detyrim gjeneratave që vijnë.  

Filed Under: Komente

DAGBLADET (1932) / SHFAQJET E FAUSTIT DHE MEFISTOS NË OSLO — INTERVISTA ME ALEKSANDËR MOISIUN NË NORVEGJI

April 3, 2025 by s p


Turneu Moisi i fotografuar për Dagbladet në Østbanen këtë mëngjes. Nga e majta në të djathtë në rreshtin e parë : Raul Lange, i cili luan Valentinin, Moisiu, Karin Ewans, Elsa Bassermann dhe Bassermann-i. Mes Moisiut dhe znj. Ewans qëndron udhëheqësi i trupës, regjisori Fischer. — Burimi : Dagbladet, e hënë, 5 shtator 1932, ballinë dhe faqe n°2


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Mars 2025

“Dagbladet” ka botuar, të hënën e 5 shtatorit 1932, në ballinë dhe në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Norvegji, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Sot, Fausti dhe Mefisto në Oslo

Me një Gretchen me sy blu dhe një ansambël të madh.

Jannings do të mbërrijë para Krishtlindjeve.

Burimi : Dagbladet, e hënë, 5 shtator 1932, ballinë dhe faqe n°2
Burimi : Dagbladet, e hënë, 5 shtator 1932, ballinë dhe faqe n°2

Sot në mëngjes, turneu Moisi mbërriti në Oslo nga Stokholmi, pasi pati një sukses të madh publik me ”Faustin” e Gëtes në Teatrin e Cirkut.

Në stacion, të ftuarit e famshëm u takuan nga sekretari Bull dhe një turmë gazetaresh femra që u hodhën mbi gjahun e tyre. Nuk takoni çdo ditë njerëz si Bassermann-ët, Karin Ewans dhe Raul Lange, për të mos përmendur regjisorin e famshmëm Alfred Fischer, të cilin mund ta falënderojmë kryesisht për këtë ngjarje unike. Zoti Fischer thotë se ka ndërmend të dërgojë edhe disa emra të tjerë të mëdhenj nga e gjithë bota në Veri – më vonë në vjeshtë, ai njofton një paraqitje të Emil Jannings në ”Fuhrmann Henschel” të Hauptmann-it.

Por ishte turneu i “Faustit”. Moisiu është personi më i lehtë për të biseduar. Ai ka qenë këtu më parë dhe ndihet si në shtëpinë e tij pas 11 vitesh. Që atëherë, ai ka udhëtuar gjerësisht, duke luajtur në Amerikën Veriore dhe Jugore dhe në të gjithë Evropën. Ai është veçanërisht entuziast për vitet e tij me Stanislavskin në Moskë.

— Interesi për teatrin në Rusi është i madh, thotë ai, dhe pas revolucionit thuhet se janë ndërtuar mbi 2000 teatro.

— Çfarë mendoni për teatrin gjerman ? Ngritja e supeve nga Moisiu është më shumë domethënëse se përgjigjja.

— Ka patur shumë eksperimente në Gjermaninë e re, por eksperimentet kanë qenë të gjitha gjatë gjithë kohës. E vetmja gjë që mund të shkaktonte një drejtim krejtësisht të ri dhe një transformim lokal të artit të aktrimit dhe të teknikës së teatrit do të ishte një ndryshim i thellë në vetë psikikën njerëzore. Por, me sa kam mundur të shoh, nuk ka ndryshuar shumë në Republikën e Gjermanisë.

Gjatë bisedës, thellohemi në repertor dhe pyesim pse ka zgjedhur të jetë i ftuar në “Faustin” në vend të diçkaje të re.

Sytë gështenjë të Moisiut buzëqeshin në mënyrë ngacmuese.

— A mund të përmendni diçka më të mirë ? Për mendimin tim, nuk ka pjesë të reja që janë krejtësisht të mira. As në Gjermani, as në Francë, as në Angli dhe as në Amerikë. Por mbase Norvegjia ka disa ?

— E keni shkruar vetë një pjesë, apo jo ?

— Po, sigurisht që po. Por askush nuk dëshiron të luajë atë lojë. Dhe vërtet…

Moisiu nuk do të thotë më shumë për këtë, dhe në vend të kësaj na prezanton me Margaritën e re brilante me sy blu të turneut, Karin Ewans.

— Ky duhet të jetë roli juaj i parë, vërejmë ne. Është e vështirë për t’a konfirmuar.

— Po, mezi, ajo buzëqesh me një rresht verbues perlash të bardha. Kam 7 vite që jam aktore, por është hera e parë që aktroj me Moisiun. Ajo i dërgon Faustit një vështrim admirues, të magjepsur dhe vazhdon : Është e mrekullueshme.

— Edhe ju u qëndroni besnike klasikëve ?

— Jo, për fat të keq, kjo është hera e parë. Unë zakonisht luaj letërsinë moderne. Ajo përmend rolet kryesore në shfaqjet e Shaw, Galsworthy, Maugham dhe Deval.

Në sportelin e doganës, Bassermann-i dhe gruaja e tij qëndrojnë të ulur mbi valixhet e tyre. Bassermann, ylli i Gjermanisë, heroi i kaq shumë filmave të mëdhenj, është në të vërtetë një njeri i ndrojtur dhe i shqetësuar (plot ankth). Buzëqesh bukur, por në të njëjtën kohë sytë e tij kërkojnë që ta lëmë vetëm. Një herë Moisiu tha për të se ishte i vetmuar dhe i ndrojtur si dreri në pyll, dhe sot ai është shumë në atë gjendje shpirtërore, kështu që para se të mund të psherëtijmë, i riu i fuqishëm, rreth të gjashtëdhjetave, u fut në një makinë — dhe u zhduk.

***

Sonte, nesër dhe të mërkurën “Fausti” luhet në Teatrin Kombëtar. Shitjet e biletave janë rritur duke dyfishuar çmimet e operës. Herët në mëngjes, radha ishte e gjatë përpara shitjeve të sotme dhe të nesërme. Duket se tri shtëpi do të shiten.

Filed Under: Kulture

BE, dhe mirazhi me yje me sfond mavi i zotit kryeminister

April 3, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

Generated image

Në një zhvillim që trondit çdo ëndërr për “pasaportën europiane”, Bashkimi Europian ka dalë me një reagim që shpërthen tullumbacen e retorikës elektoraliste të Edi Ramës. Në një deklaratë ekskluzive BE sqaron se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk varet nga fitorja e Partisë Socialiste (PS), as nga një shumicë elektorale e pastër si uji i burimit, por është një proces që ndikohet nga reformat, jo nga fjalimet dhe sloganet që kërkojnë “votën pro BE-së”.

Duket se piktori po përpiqet që flamurin blu të BE-së ta shndrojë në mavinë e PS-së. E ndërsa Edi Rama, i cili është i angazhuar në një maratonë elektorale për të bindur shqiptarët se vetëm një fitore e PS-së mund të hapë dyert e Brukselit, ka tërhequr vëmendjen për “shpejtimin e negociatave” dhe “pasaportën europiane” si një premtim magjik mavi. Bashkimi Europian ka ardhur me një përgjigje të thjeshtë dhe të pakundërshtueshme: se ajo nuk funksionon kështu, sado macja të mburret që po ha dhe mijtë e vet.

Në fushatën e tij, kryeministri Rama e ka shndërruar 11 majin në një “moment të fortë për integrimin”, duke thënë se më shumë vota për PS-në do të nënkuptonin një “mesazh të qartë” që do të çonte Shqipërinë më afër Bashkimit Europian. 

Ai është munduar të shndërrojë çdo fjalim në një akt të tillë të integrimit, duke e paraqitur fitoren e PS-së si një udhërrëfyes për suksesin e negociatave me të njejtin pasion që thoshte se shëndetsia do të ishte falas, apo siç thotë tani me gjepura fushate se paga minimale do të jetë 500 EU. Si premtim elektoral është i goditur si zgjidhe për ekonominë nuk është afatgjatë. Është lajm i mirë për ata që do të rritet paga, por nuk është zgjidhe që të dalin nga niveli i varfërisë. Një pagë minimale e rritur pa masa të tjera, bën që biznesi të ulë punëtoret. Rroga të larta dhe çmime të larta fuqia blerëse mbete e njejtë. 

“Kur të votoni mendoni të shkuarën”, u shpreh kryeministri Edi Rama drejtuar shqiptarëve në Athinë gjatë një takimi të zhvilluar në kuadër të turit me Diasporën. Kryesocialisti Edi Rama, u shpreh se shqiptarët zgjodhën rrugën e vështirë atë të emigrimit, duke shtuar se tashmë ka ardhur koha që Shqipërisë t’i kthehet dinjiteti. Ç’e duan emigrantët pashaportën e BE-së, ata që mbërritën në BE duke kaluar nëpër male dhe dete, ata janë si thotë frëngu, deja në BE.

Në një fjalim që mund të konsiderohet “shpikje e re e fushatës”, Rama arriti deri aty sa të sugjeronte se rezultatet e zgjedhjeve do të ishin të rëndësishme për një “lexim të qartë” nga Brukseli, duke pohuar se një fitore e PS-së do të krijonte “shpejtësi në antarësim”.  

Kështu, sipas tij, nëse shqiptarët do të votonin për PS-në, ata do të ishin të “gjithë të bashkuar” dhe do të shihnin brenda vitit integrimin në BE. Gjithçka në emër të një votimi që, sipas tij, do të shpinte Shqipërinë drejt “dritës së Europës”.

Por ky lloj entuziazmi ka shuar shumë shpejt kur Bashkimi Europian është shprehur qartë se procesi i integrimit është një histori krejt tjetër. I pyetur për ndikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 Majit, Delegacioni i BE-së në Tiranë u përgjigj me një deklaratë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë: Integrimi nuk varet nga një fitore elektorale, por nga procesi i reformave të thella dhe përmbushja e kushteve për antarësim.

Përfundimisht, BE e hodhi poshtë me vendosmëri ideologjinë elektorale të Ramës, duke e kthyer këtë çështje në një proces të vërtetë institucional dhe kombëtar. Përkundër asaj që paraqitet në podiumet e fushatës, asnjë fitore e PS-së nuk do të “hidhte hapa” për një antarësim të shpejtë, sepse vlerësimi bëhet mbi meritat, progresin në reformat dhe jo mbi një rezultat elektorali që mund të “ndihmojë” në një “shpejtim” të procesit.

Në këtë kontekst, BE përsëriti se integrimi është një “objektiv strategjik kombëtar”, mbështetur nga shumica e shqiptarëve dhe mbështetje ndërpartiake, që kërkon më shumë se një fushatë elektorale të përqendruar në sloganet e “bërjes gati” për BE. Sipas BE-së, kriteret e vërteta janë ata që do të përcaktojnë nëse Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, shtetin e së drejtës dhe lirinë e medias, jo aritmetikën e votave që i japin PS-së një mundësi më shumë në kutitë e votimit.

Në fund, ndërsa Rama vazhdon të shesë integrimin si një “përfitim elektoral”, BE ka kujtuar se ky është një proces që e kalon çdo palë politike. Nëse dikush do ta sjellë Europën, ai është standardi i demokracisë, jo ndonjë fjalim i partisë që lëkund çdo shpresë të qytetarëve.

Tani, duke hedhur poshtë çdo premtim të mëtejshëm për “shtimin e shpejtësisë”, BE na ka thënë qartë: Një pasaportë europiane nuk vjen me votën për PS-në, por me përmbushjen e detyrave që duhet të përmbushë çdo qeveri dhe çdo parti politike.

Edi Rama u premton shqiptarëve hyrjen në BE, ndërkohë që gjysma e ministrave të tij janë në burg për korrupsion. Po ndoshta mendon se qelitë e 313-ës janë ‘dhomat e pritjes’ për në Bruksel. E detyrat e shtëpisë që kërkon BE-ja? I ka lënë për ‘vjeshtën e tretë’… pas 12 vitesh pushimesh verore në qeverisje!” dhe si konluzion një meme.

“Nga korrupsioni në integrim — drejt BE-së në rrugëtim, me një këmbë në Bruksel, dhe tjetra në burg ka ngel!”

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT