• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

Marian Anderson, figurë ikonike e muzikës dhe artit amerikan

May 31, 2025 by s p

Salla koncertale në Kimel Center, shtëpia e Orkestrës së Philadelphias riemërohet Marion Anderson Hall.

Nga dr. Sadik Elshani

Philadelphias në radhë të parë është e njohur anembanë botës si vendlindja e ShBA-ve, ku më 4 korrik të vitit 1776 është shpallur pavarësia nga Anglia. Si kryeqytet i parë i Amerikës, Philadelphia është e njohur edhe si qytet ku janë themeluar institucionet e para të shtetit amerikan. Por, Philadelphia është e njohur edhe si “qytet i arteve”, me një numër të madh të muzeumeve të pasura me vepra arti, teatrove, galerive, akademive e shkollave të artit, si dhe orkestrës simfonike me famë botërore, Philadelphia Orchestra, e njohur për cilësinë karakteristike të zërit të saj. Emrin e Orkestrës së Philadelphias e kam dëgjuar qysh në rininë time, ende pa ardhur në Amerikë. Në rininë time në Kosovë e Zagreb kam patur një kolekcion të pasur të pllakave të muzikës klasike, në të cilat kishte mjaft pjesë të luajtura nga Orkestra e Philadelphias nën udhëheqjen e dirigjentit të saj legjendar, Eugene Ormandy (1899 – 1985). Fati i jetës deshi që të vendosem në Philadelphia në vitin 1999 dhe t’i përcjell drejtpërdrejt koncertet e kësaj orkestre të mrekullueshme. Nga themelimi i saj në vitin 1900 e deri në vitin 2001 ajo ka qenë e vendosur në Academy of Music, ndërsa nga viti 2001 ajo është vendosur në Kimel Center.

Verizon Hall riemërohet Marian Anderson Hall

Kimel Center, hapur më 15 dhjetor 2001, është një qendër e madhe e mjaft moderne për artet e luajtura (performing arts), Është një qendër koncertale e teatrore me një sallë të madhe me 2500 ulëse dhe një sallë më të vogël me 650 vende (Perelman Theater), e cila kryesisht shërben për recitale e shfaqje teatrore. Duhet cekur se salla e madhe, që tani është shtëpia e Orkestrës së Philadelphias ka formën e një violonçeloje. Familja Kimel ka qenë donatorja kryesore për ndërtimin e kësaj qendre. Salla kryesore deri në vitin e kaluar (2024) është quajtur Verizon Hall, ndërsa nga 8 qershori i vitit 2024 është riemëruar Marion Anderson Hall, në nderim të këngëtares, kontraltos Marian Anderson, njërës prej këngëtareve më ikonike të muzikës amerikane dhe pioniere e të drejtave qytetare (civil rights), përndryshe edhe vendëse e Philadelphias. Kjo u bë e mundur fal bujarisë së ciftit Richard Uoley dhe Leslie Miller të cilët kanë bërë një donacion prej 25 milionë dollarësh për Orkestrën e Philadelphias.

Të pakta janë sallat koncertale në botë të cilat e mbajnë emrin e një artisti – ato kryesisht i mbajnë emrat e donatorëve apo korporatave të mëdha. Çifti i lartpërmendur me plot të drejtë kanë mundur t’ia vënë emrin e tyre, por ata me këtë gjest fisnik kanë bërë diçka më shumë se vetja e tyre. Ky veprim bëmirësie sjell edhe një porosi të madhe e simbolike – është një akt që të shtynë të reflektosh pak, sepse të sjell ndërmend një ngjarje që i ka ndodhur zonjës Anderson në vitin 1939. Ajo ngjarje e atij viti dhe riemërimi i sallës koncertale me emrin e Marion Anderson më nxiti edhe mua të reflektoj kur këto ditë isha në një koncert të Orkestrës së Philadelphias: Në vitin 1939 zonja Anderson nuk ishte lejuar të këndonte në një sallë të njohur të kryeqytetit amerikan, ndërsa tani njëra nga sallat më madhështore të Amerikës e mbanë emrin e saj. Kjo ishte edhe njëra nga arsyet që më shtynë për t’i shkruar këto radhë.

Koncert madhështor në shkallët e Lincoln Memorial

Në vitin 1939 Shoqata Kombëtare e Bijave të Revolucionit Amerikan (The National Society Daughters of the American Revolution) e kanë refuzuar kërkesën që zonja Anderson të mbajë një koncert në sallën e kësaj organizate në Uoshington, D. C., më 9 prill. Zonja Anderson ka qenë afrikano – amerikane, ndërsa në atë kohë ka qenë periudha e ndarjes racore (racial segregation). Ky ishte një vendim kundërthënës që u kundërshtua fuqishëm nga forcat më përparimtare të vendit, gazetat e figurat e njohura publike. përfshirë edhe Zonjën e Parë të ShBA-ve në atë kohë, Eleanor Roosevelt. Me ndërhyrjen e zonjës dhe presidentit Roosevelt dhe disa të tjerëve, ata e bindën Sekretarin e Brendshëm (Secretary of the Interior), Harold L. Ickes, që të bëjë të mundur organizimin e një koncerti në mjedis të hapur, në shkallët e Lincojn Memorial. Edhe një simbolikë tjeter kjo, koncerti mbahej në Memorialin që nderon presidentin i cili u kishte dhënë lirinë skllevërve. Ky koncert madhështor u organizua të Dielen e Pshkëve, me 9 prill, dhe u ndoq nga 75.000 pjesëmarrës entuziastë e miliona të tjerë që e ndoqën përmes valëve të radios.

Disa të dhëna të shkurtëra jetëshkrimore e të arritura artistike të zonjës Anderson

Marian Anderson ka lindur në Philadelphia më 27 shkurt 1897, ku edhe është shkolluar. Ka qenë kontralto afrikano – amerikane e shquar për repertorin e saj të gjërë muzikor, nga operat e deri te këngët spirituale. Ka kënduar në sallat koncertale prestigjioze, e shoqëruar nga orkestrat më të njohura të botës dhe ka bashkëpunuar me personalitetet më të njohura muzikore të kohës. Më 7 janar të vitit 1957 ajo u bë këngëtarja e parë afrikano – amerikane që ka kënduar në Metropolitan Opera. Për të arriturat e saj artistike është nderuar me shumë shpërblime të rëndësishme. Ajo është personi i parë që është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë më 1963. Është nderuar edhe me: Medaljen e Artë të Kongresit, Nderimet e Qendrës Kennedy, Medaljen Kombëtare të Arteve, Çmimin e Kombeve të Bashkuara për Paqe, Çmimin Grammy për të Arritura Jetësore e shumë shpërblime e nderime të tjera.

Ka dhënë koncerte anembanë Amerikës dhe ka patur disa turne të suksesshme në disa vende europiane, ku është pritur me shumë entuziazëm. Ndonëse ishte një këngëtare e shkëlqyer, e njohur në tërë vendin dhe e adhuruar nga publiku artdashës, ajo nuk ishte imune ndaj diskriminimit racor. Disa herë ka qenë e refuzuar nga hotelet e restorantet. Kur në vitin 1937 ajo ka dhënë një Koncert në Universitetin e Princetonit, hotelet e kanë refuzuar, duke mos i dhënë dhomë për të fjetur. Atëherë, Albert Ajnshtajni e ka marrë në shtëpinë e tij. Në atë kohë Ajnshtajni ka qenë profesor në Universitetin e Princetonit. Marian Anderson ka vdekur më 8 prill 1993 në qytetin Portland të shtetit Oregon. Ja, si është fati i jetës: dikur e rfuzuar të këndojë në një sallë koncertale, sot njëra nga sallat më prestigjioze koncertale e mban emrin e saj. Një vërtetim jetësor se e mira gjithmonë ngadhnjen mbi të keqen, e bukura mbi të shëmtuarën.

Filed Under: Kulture

Për Vatrën dhe komunitetin shqiptar të Chicagos

May 31, 2025 by s p

Intervistoi: Mirela Kanini – Kryetare e Vatrës Chicago/

Një intervistë mbresëlënëse me një nga gratë më të suksesshme të komunitetit shqiptar në Chicago, Zj. Suzana Dadevski pronare e Cafe Mirage.

⁃ Kush është Suzana dhe si do e përshkruanit ju atë, me pak fjalë veten tuaj?

⁃ Unë kam lindur dhe jam rritur në Shkup por si shumë shqiptarë të tjerë erdha në mërgim në moshë të re. Fati më takoi me bashkëshortin tim dhe jam martuar kur isha vetëm 18 vjeçare. Është shumë tipike në kulturën tonë që ne të jemi tradicionalë dhe si të thuash detyra kryesore e gruas është mbarëvajtja e familjes, fëmijëve. Jo se kjo është e gabuar madje është shumë e rëndësishme, por unë e ndjeja që doja më shumë se kaq. Kisha ambicje dhe ëndrra në vetvete që i bluaja vazhdimisht. Ndërhohë u bera nënë me 4 fëmijë të cilët rriteshin çdo ditë. Inspirohesha nga gra të suksesshme dhe doja të shpërtheja dhe unë potencialin tim nëse kisha dhe prisja me padurim të vinte momenti i duhur.

⁃ Që të arrini aty ku jeni sot sigurisht që keni ndeshur në vështirësi të ndryshme. Na tregoni cili është rrugëtimin tuaj?

⁃ Kur vjen në një vend të huaj gjëja e parë që do të bësh është të ingranohesh me jetën dhe ritmin e këtushëm dhe Amerika është e vrullshme jo shaka. Fillova të kërkoj punë të zakonshme nëpër super markete të mëdha por dëshira ime ishte të punoja në aeroport dhe ëndërroja të punoja për Swissair meqënëse familja ime ishte zhvendosur prej vitesh në Zvicër dhe kjo mendoja që do më jepte mundësinë ti shikoja më shpesh ata. E kam filluar me ëndrra të vogla por fatmirësisht e realizova që në fillim këtë të paktën. Nuk ishte ndonjë arritje kush e di por më dha mundësinë të integrohem, të shoh me sytë e mi si funksionojnë gjërat dhe të ndjek pastaj ëndrrat e mia.

⁃ Kur e kuptuat që ajo që bëni sot ishte rruga juaj?

⁃ Kisha kuptuar që të jem mes njerzve dhe të punoj në ambiente ku je e rrethuar prej tyre ishte diçka që më pëlqente. Pas 9/11 patëm oportunitetin të blenim një shtëpi pikërisht në vendin ku është restoranti. Është ndoshta e vështirë ta përfytyrosh pasi nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga shtëpia. Ne e transformuam në atë që është sot. Unë kisha një vizion si ta ktheja në restorant dhe për koincidencë ishte afër me aeroportin. Nuk ju ndava atij ( qesh) ,ndoshta sepse emigranti është gjithmonë me kokën pas . Ashtu ndodhi në fillim ishim të pasigurtë se si ta quanim, çfarë kuzhine të kishim, por klientela që filloi ta frekuentonte na e bëri më të lehtë zgjedhjen. Vendosëm përfundimisht ta kthenim në një restorant ballkanas dhe pregatitëm menunë tipike me ushqime ballkanase, vendosim në hyrje të restorantit flamurët përkatës për çdo shtet dhe sot siç e dini është një qëndër argëtimi për të gjithë ballkanasit nga gjithë Chicago dhe jo vetëm. Në weekend ftojmë vazhdimisht këngëtarë nga shtete të ndryshme dhe kjo e ka bërë si të thuash këtë restorant shumë të njohur dhe një pikë edhe më tërheqëse për çdo grop moshe.

⁃ Sa e vështirë ishte të arrinit aty ku jeni sot, sepse ju dhe bashkëshorti juaj jeni të përfshirë edhe në biznese të tjera përveç investimeve të ndryshme në real estate, pasuri të patundshme. A e mendoni që i keni realizuar çfarë keni dëshiruar në jetë?

⁃ Jam e kënaqur me çfarë kemi realizuar dhe sa herë kthej kokën pas ndër vite e kuptoj sa mirë që u përpoqa dhe luftova kur isha e shumë e re dhe me energji pavarësisht vështirësive që ndesh. Arritja më e rëndësishme nuk është vetëm çfarë kemi arritur për veten por gjithashtu çfarë bëjmë për të tjerët si për shembull duke i punësuar dhe ndihmuar në jetët e tyre. Kur i jap oportunitet dikujt të përmirësojë jetën e tij ndihem mirë me veten, humane sidomos kur të punësuarit janë shqiptarë.

⁃ A keni pasur momente kur keni dashur të terhiqeni?

⁃ Kam pasur, gjate periudhës së Covidit por që në javët e para të izolimit e kuptova që unë funksionoj shumë më mirë kur jam aktive dhe e rrethuar me njerëz.

⁃ Çfarë këshille do ti jepnit dikujt që ashtu si ju dikur plot ëndrra dhe dëshira ka nisur rrugëtimin e jetës dhe përpiqet të arrijë objektivat që i ka caktuar vetes?

⁃ Mos u dorëzo kurrë dhe kij besim në vetvete.

⁃ A ka ndonjë sekret suksesi juaj nëse mund ta quanim ashtu dhe cili do të ishte ai?

⁃ Sekreti që nuk është sekret por diçka shumë e thjeshtë është të kesh ndërgjegje , të jesh njeri i ndershëm, mëndjehapur dhe tolerant.

⁃ Dega e “Vatra Chicago”, kjo organizatë e fuqishme si asnjë tjetër në botë e këtij lloji themeluar mbi një shekull më parë nga Fan Noli dhe Faik Konica u krijua dhe u mbajt ceremonia pikërisht në restorantin tuaj. Me këtë event ju keni hyrë në histori. Si ju bën të ndiheni kjo gjë?

⁃ Ndihem krenare dhe e privilegjuar që zgjodhët restorantin tim. Në shenjë mirënjohje do e mbështes vazhdimisht në aktivitetet e ndryshme që organizojnë për të bashkuar sa më shumë komunitetin e Chicagos.

⁃ A mund të ndani me ne planet e të ardhmes tuaj?

⁃ Duke qënë shumë e okupuar me punën dhe familjen nuk kam udhëtuar saç duhet, kam lënë pa bërë gjëra që dëshiroj dhe mendoj se ka ardhur momenti

të fokusohem në këtë pjesë pak më shumë.

⁃ Çfarë ju inspiron ju më shumë?

⁃ Kur shoh njerëz që përparojnë dhe janë të suksesshëm, sidomos gjeneratat e reja sepse ata janë e ardhmja.

⁃ Një zonjë e jashtëzakonshme si ju patjetër që ka dhe hobi, nëse po do kishim dëshirë ti ndanit me ne?

⁃ Do veçoja mes të tjerash, shëtitjet në natyrë, kopshtaria, leximi ect.

⁃ Më thoni një citat që ju pëlqen?

⁃ Po citoj diçka që e ka thënë Mother Teresa. “ I cannot change the world, but I can cast a stone across the waters to create many ripples”.

Filed Under: Interviste

PËR DRITËN DHE SHPIRTIN E VLORËS…

May 31, 2025 by s p

Albert HABAZAJ/

– Parathënie e monografisë “Nestor Jonuzi” së Vaso Patës –

Vaso Pata shkruan për Nestor Jonuzin. Në fakt shkruan miku për mikun, intelektuali për intelektualin, vlera për vlerën. Shkruan njeriu i shkencave të natyrës, të cilit i ka peshë specifike fjala për mjeshtrin e tonaliteve ngjyrore të peizazhit, të zotin e penelit të detit dhe qiellit. Në fakt, këtë monografi nuk do ta quaja ngushtësisht një libër të Vasos për Nestorin. Vaso Pata shkruan për dritën dhe shpirtin e Vlorës. 

Kështu që, pa drojë, mund të themi se lexuesi mund të ndihet i kënaqur, pasi ka në dorë një libër të mirë, të shkruar me dashuri e vërtetësi, thjeshtë e mençurisht, bukur e pastër, me mesazhe e fjalor të pasur, me fjalë të zgjedhura e në respektim të kriterit hyjnor të respektimit të fjalës, sepse e njeh, e peshon, e vlerëson dhe e nderon lakonizmin dhe shenjtërinë e fjalës.

Vaso Pata ka lindur në vitin 1945 (një vit mbas Nestorit), është i njohur në qytet dhe gëzon mirënjohjen qytetare, fituar me jetën dhe veprën e tij në edukimin e sa e sa brezave. Ai është nder i arsimit në Vlorë, mësues, inspektor arsimi, pedagog i lëndës së fizikës në Universitetin “Ismail Qemali”, autor tekstesh mësimore, i monografive shkencore, një metodist model, njohës i shkëlqyer i pedagogjisë dhe psikologjisë shkollore. Përveç punës së dobishme që ka bërë me tekstet mësimore të fushës dhe librat metodologjikë, ai spikat edhe me tekste informative për nobelistët apo “Sekretet bërthamore”etj., me heronj të shkencës e viktima të dijes. Është mjeshtëria e autorit, që dobinë e shkencës na e bie bukur, sa të na ngjallë emocione e të na sjellë kënaqësi. Ai është burrë zotni e mendjehapur, që guxon e futet në detin e gjerë e të thellë të diturisë me stilin e tij të preferuar të “notit”. Vaso Pata punoi për vite e vite të tëra në një ndërmarrje të vështirë por lakmuese, legjendare por torturuese, me një këndvështrim krahasimtar por lavdërues, siç janë “Simbolet e Vlorë në pikturë”. Dhe ia doli mbanë e faqebardhë, falë edhe mundësisë si koleksionist i veprave të artit, si mik i artistëve, si intelektual guximtar me intuitën profesionale të vëzhgimit, si dhe duke qenë një studiues i vëmendshëm, i pasionuar dhe këmbëngulës ndaj vlerave qytetare dhe kulturore që na dhurojnë piktorët me koleksionet e tyre të bukura, aq mbresëlënëse.

Vaso Pata e do shumë vendlindjen, ndjenjë kjo që e shpreh natyrshëm dhe me një krenari fisnike. Ai ndjek me vëmendje dhe falënderime ata që bëjnë për Nartën, ku ka lindur. Nuk ka se si t’i shpëtojë Vasos fakti që “Nestori ishte edhe piktori i parë vlonjat që zbuloi dhe shijoi magjinë e rrugicave të Nartës”, ndërkohë, që Vaso Pata  ka mbi 150 koleksione të punëve të Piktorit tonë.

Edhe unë, sikurse Vasoja, i shpreh mirënjohje të thellë Nestorit, sepse ndër shumë motive që merr nga Labëria dhe Lumi i Vlorës, ai trajton edhe natyrën e Tërbaçit tim me ata njerëz të mirë, me historinë, kulturën e personazhet, që kanë lënë gjurmë. E kush nuk i është mirënjohës Nestorit!?  

Vaso Pata dhe Nestor Jonuzi janë dy burra të lartë me kulturë qytetare, që i bëjnë mirë Vlorës dhe shoqërisë shqiptare.

Vaso Pata është një aristokrat shqiptar i fizikës, njeri me fat dhe fatlumturisht mirënjohës ndaj Nestor Jonuzit, të parit piktor vlonjat që ka njohur, i cili është i mbarënjohur si një personalitet i shquar jo vetëm i pikturës shqiptare, që ka merituar titullin më të lartë “Piktor i Popullit”, por i spikatur si kulturolog me autoritet në thjeshtësinë e tij madhështore. Dashamirësit e Nestorit e dinë që kompozimi është dashuria e tij në penel, ku kërleshet bukurisht fort trinia: portret, peizazh, natyrë e qetë, në marrëdhënie aq të ngrohta midis vajit dhe akuarelit. Këtë të vërtetë artistike na e thotë autori: “Detet e Nestorit në akuarel janë po aq të bukur sa edhe ato në vaj”. Vetë jeta e Nestorit ka qenë si deti, po det dimri me dallgë, të cilat përplaseshin pamëshirshëm me egërsi në shkëmbin e karakterit të paepur të Piktorit. As kur qe ende i brishtë dhe ende i ri, nuk e thyen dot, nuk e rrëzuan 23 vjeçarin e talentuar. As me vërshimin e ashpër prej lubie të kritizerëve lipiputë, të atyre palo censorëve eunukë ndaj “Zgjimit të aksionistes” – njërës nga më të mrekullueshmet piktura të ëmbla të N. Jonuzit tejshikues, që monografisti Pata e quan Sirena e Nestorit. Ata s’kishin ç’t’i bënin talentit të tij të jashtëzakonshëm dhe, duke shfrytëzuar “kartën e biografisë”, i tundnin me ngërdheshje tinzare “cenet biografike”… Të mbaruarit lumëzes të harruar koha në llumin  e neverisë i vërviti, se vetë u fëlliqën…

…Kemi dëgjuar që “rastësia është mbreti i  botës”. Dhe nuk thonë kot. Rasti e solli që këta çuna Vlore, 25-26 vjeçarë, të njiheshin në një mjedis jashtë qytetit të tyre, tutje, në Xibrakën e largët në zonën e Labinotit – Elbasan në vitin 1970…

Pikërisht atje nisi udhëtimi i gjatë i miqësisë të Fizikanit artist me Piktorin e ditur. Dhe jo vetëm me fjalë, me veprime, shkëmbime mendimesh, idesh, mbështetjesh, por domosdoshmërisht edhe me një “dokument” të posaçëm, siç i përshkuan me dashuri e humor  ato çaste aq të dëlira me familjen e vëllezërve bujarë Mentor e Nestor Jonuzi. Vaso Pata u bekua nga nënë Lakja dinjitoze, e bija e atdhetarit Ibrahim Abullahu, i cili njihej si Rilindasi i Vlorës. Qe pikërisht nënë Lakja, ajo që e nderoi Vason me certifikatën “Mik shtëpie i familjes Jonuzi, Vlorë”. Po ç’i ka hije Vasos ky përshkrim si “lezet me kripë”!… Këto marrëdhënie kaq të mira e këtë lidhje sivëllazërore të Vasos me dy djemtë e asaj nëne kapedane, vijoi aq harmonishëm edhe nga bashkëshortja e Vasos – Eli me dy kunatat motra –  Nolen e Dianën. Po ashtu, Vasoja e mbajti miqësinë edhe me fëmijët e shtëpisë Jonuzi: Rubenin, Andin, Rudinën, Aulonën dhe Simin (shkurtim i emrit të gjyshit, që mban nipi). Sinqerisht, këtë lloj lidhjeje të veçantë dhe aq të admirueshme, mund ta quaj Miqësi familjare në përmasat e Shenjtërimit njerëzor.

Nestorin e njohin shumë, por Vasoja është i pari monografist i Nestorit apo i një piktori të përmasave të Nestorit. Në këtë libër kemi Nestorin e njohur, sidomos atë të panjohurin, por me aq vlera qytetare, kulturore, atdhetare.

Fizikën dhe pikturën, dmth, Vason dhe Nestorin i bashkojnë edhe ngjyrat, të cilat Vasoja i zotëron shkencërisht, ndërsa Nestori i përdor mjeshtërisht, duke njohur mirë dhe shijuar sipas rastit (motivit, gjinisë) “gradacionin” e ngjyrave. 

Punimet e Nestorit dallojnë që përtej, që janë të tij, edhe sikur mos ta kenë të shënuar emrin a firmën, sepse njihet dora e Nestorit. Ai ka stilin e tij, ka fizionominë e tij të lartë morale, shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, që i ka dhënë vulën artistike, qysh në vitin 1967 a më parë…

Nestori është piktor i identitetit të qytetarit vlonjat. Sikurse në jetë, edhe në pikturë, tek ai vëren harmoninë e qytetarit me atdhetarin, të njeriut besnik e fjalëmbajtës, po qe nevoja edhe me sakrifica, sepse atë edukatë mori nga prindërit, nga gjimnazi, nga liceu, nga arti, nga jeta.

Rikthehemi tek libri i Vasos për Nestorin. Libri më duket si një ndërtesë 5 katëshe, me themel të forta shkrimore, me një lëndë cilësore, ndërtuar për bukuri nga Ustai i Ndërtimit Bukurshkrimor Vaso Pata. Unë nuk do të zbërthej librin e Vasos, se s’është misioni im, por 2-3 mbresa do t’i shpreh.  

Vasoja, qysh në fillim na jep pemën gjenealogjike, atë kulturore – shkencore dhe atdhetare e bujare të familjes Jonuzi në Vlorë, atë që i nevojitet lexuesit të sotëm dhe kohës. E njeh dhe e vlerëson gjithë Vlora dhe bota shkencore e vendit babain e Torit dhe Nestorit, dr.Tahsin Jonusin, një intelektual i shquar, qytetar i lirisë dhe antifashist nga ata të vërtetët, që u lidh me Lëvizjen. Ai rridhte nga një familje tregtare, i biri i të mirënjohurit Musa Jonuzi dhe kishte lindur në Elbasan më 10 Mars 1912. Ky normalist i Elbasanit, jetoi në Vlorë, ku krijoi dhe familjen. Në moshën 20 qe universitar i Innsbruck, Austri dhe në vitin 1937, po në universitetin “Leopoldina Fransiscea”, Fakulteti i Filozofisë, Innsbruck, pasi vlerësohet lavdërueshëm në Histori dhe Arkeologji, fiton gradën shkencore “Doktor në filozofi” me disertacionin “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”. Ai punoi mësues, drejtor i Institutit Tregtar, Vlorë, drejtor i Apollonisë, … por nuk e lanë bishat naziste studiuesin të ndizte dritë për shkencën e brishtë shqiptare. E internuan dhe e ekzekutuan në kampin famëkeq nazist të shfarosjen së masë, Mauthausen, më 1 Gusht 1944, në moshën 32-vjeçare. Kujtojmë, që nën kujdesin e mbesës Aulona Nestor Jonuzi, të shtunën e 13 nëntorit 2021, në Ujë të Ftohtë, Vlorë u bë një përurim serioz dhe i merituar i librit “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra” (270 f., me referenca, bibliografi, indekse, harta, faksimile, etj.), punimit shkencor me të cilin Tahsin Jonusi, mbrojti doktoraturën në Austri, botuar në shqip si libër mbas 84 vjetësh nga Onufri përkthyer nga origjinali nga Frida Vokopola dhe Albert Gjoka, me parathënie nga prof. Përparim Kabo. E ku e gjen më kumbueshëm se në këtë rast domethënien fjala e të parëve “Jeni mjalti i mjaltit tim”?!

Në këtë monografi kemi një paraqitje jo thjesht njohëse që rrjedh sipas kriterit kronologjik, veçse kemi të bëjmë me një libër të gjallë, të zhdërvjellët e dinamik, ku na duket sikur çdo gërmë e fjalë merr frymë dhe unë e ndjej atë frymë ngrohtësisht të pastër. 

Kjo monografi i thyen ca klishe shkrimore të lodhshme e i shpërfill bindshëm ato frazat shabllone, pa frymë njerëzore e pa pikë gjaku. Pra, libri është i ndërtuar me 5 kre. Pas hyrjes përnjohëse që bën autori, kreu i parë na njeh me: “Hapat e parë të një piktori”, i dyti na shpalos pamje mahnitëse nga “Piktura vlonjate dhe Nestor Jonuzi”, ku falë Mësuesit të Parë Human Vasil Talo, spikatën piktorët Skënder Kamberi, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, Nestor Jonuzi, Skënder Milori, Rakip Shabani, Petrit Ceno, Ovanes Rrapi, Bujar Kapo, Lefter Shtëmbari e “floriri i vogël”Agron Dine. Pra, Nestori është një nga nismëtarët e themelimit të shkollës artistike në Vlorë e sidomos, një nga krijuesit e “Shkollës Vlonjate” të pikturës, siç e cilësoi kritiku i Artit Kudret Velça këtë grupim talentesh të penelit në vitet Gjashtëdhjetë, që dha ndihmesën e tij edhe në emancipimin konceptual dhe kulturor të pikturës shqiptare. Unë mendoj se si Poeti i Fizikës, edhe Piktori i Mendimit ndihen mirë, që Stafeta e Shkollës Vlonjate të Pikturës ndihet mirë e sigurt në penelin e Agim Sulajt, Arben Meksit, Edi Kojanit, Artan Shabanit, Roland Runaj.

Ndërkohë, mund të themi se nuk mund të kuptohet Nestor Jonuzi pa “Gëzimin e fitores”. Piktura shqiptare do të ishte e cunguar pa këtë tablo. Kështu që tek kreu i tretë është tërësisht i kompozimit të madh “Gëzimi i fitores”, i lidhjeve të tij me punimet pararendëse të Piktorit tonë, i simbolikës së fuqishme të “Kështjellës”, që mbart simbole më domethënëse dhe përtej çdo kohe e përtej çdo hapësire, sepse Kështjella na mbron dhe na lejon të jetojmë ashtu siç duam të jetojmë, edhe sipas këndvështrimit të Poetit të Fizikës, që është shumë i qartë, i plotë e mbushmendës. 

Kreu i katërt merret me “Nimfat e ujit” apo akuarelet. Ato janë të brishta, me shumë naze e teka. Për to nuk jepen shumë nota. Ka vetëm 2: ose dysh, ose dhjetë me yll. Nuk ka notë katër,që ta përsëritësh në vjeshtë për ta marrë. Dhe këtu Nestori shkëlqeu.

Kreu i sipërm, ai i pesti paraqet një përmbledheje përmbyllëse shumë të bukur mbi “60 vjet krijimtari artistike” të Piktorit të Popullit Nestor Jonuzi.

Duke shkruar këto shënime të vogla për këtë libër lakonik me gjerësi shpirti e thellësi mendimi, mu kujtua, ajo shprehja, që sa sa bukur e thotë Vasoja, qysh në nisje të këtij nderimi të merituar shkrimor: “Nestori më mësoi alfabetin e pikturës”.  

Kujtoj tablonë “Vjelja e qershive”, që erdhi 10 vjet mbas “Zgjimit…” të 1973-shit, punë të cilën autori e analizon me vëmendjen që meriton.

Në këtë monografi na vjen Nestori që njohim dhe ai që nuk kemi mundur ta njohim si njeri, si gjimnazist, si liceist, si sportist, altet e notar kampion i detit në gara noti e kampion në magjinë e ngjyrave, që përdorte Nestori si artist. Njihemi me Nestorin si ndikues formësimin në Shkollën Vlonjate të Pikturës, me Nestorin dhe risitë që solli në pikturën shqiptare, si dhe me raportin talent punë i Piktorit tonë.

Përveç talentit, Nestor Jonuzi pati fat për pedagogët piktorët e shquar Abdurahim Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhemdin Zajmi, Vilson Kilicën. Me një veprimtari krijuese shumëplanëshme, me ekspozita të shumta në vend e jashtë shtetit, me vepra në fondin e Galerisë Kombëtare, Vlorë, muze e tek shtëpitë e miqve dhe dashamirësve të pikturës, me disa portrete, kompozime,që ka në epiqendër Themeluesin e Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalin, Piktori ynë është një firmë autoritare në pikturën shqiptare.

Është rastësi e mrekullueshme që, pikturat e Nestorit, sikurse emri, janë të këndshme, madhështore, të bukura, me fuqi magjepse të imazhit. Edhe sipas Vasos, tek Nestor Jonuzi piktura ka filozofi brenda. Në pikturën e tij lëvizja vjen mendueshëm me lojën mistike të dritë-hijeve, me befasitë mrekullore të nuancave të ngjyrave dhe na shfaqet si zonjëz e bukur, elegante, që të bën për vete, na rrëmben në thellësi të veprës. Në pikturat e Nestorit kuptojmë dhe shijojmë unitetin e  ngushtë si piktor sa i ndjenjës aq dhe si piktor i mendimit.

 “Ai ulet në nivelin e bashkëbiseduesit, jo për të qëndruar me të, por për t’u ngritur bashkë me të”, shkruan Poeti i Fizikës për Piktorin tonë.

Në një vështrim sipërfaqësor, shkencëtari dhe artisti, më ngushtë, fizikani dhe piktori duket sikur nuk kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, sikur janë larg sho-shoqit. E kam fjalën sidomos për lartësi të tilla njerëzore të klasit Vaso e Nestor. Përveç se ngjyrave (fizika i studion hollësisht, piktura i përzgjedh në tonet e duhura) ata kanë tipare përbashkuese në logjikën e kohës së angazhuar me të tjerët, si dhe në logjikën e punës vetmore në studio, laborator, bibliotekë, terren, sipas rastit. Pikërisht këtë shqetësim shpreh dhe autori i kësaj monografie shembullore: “…jo të gjithë e jo gjithnjë e kuptojnë kur duhet ta lënë të lirë për të punuar”.

Punën nderimtare dhe kaq fisnike të profesor Vasos për Piktorin e Vlorës do ta përcaktoja me një thënie të mençur të Nënë Terezës, e cila, siç e vë në dukje me vërtetësi aq elegante Vaso Pata, është “e vetmja shenjtore midis shumë nobelistëve dhe e vetmja nobeliste”. Shenjtorja ka dhe një shprehje frymëzuese: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” 

Vaso Pata është elitar në miqësi të ngushtë me shoqërinë elitare të Vlorës, një pjesë të së cilës e kam njohur fatmirësisht edhe unë.

Autori ngre një shqetësim për humbjen e vlerave autentike të trashëgimisë kulturore, sidoms të kulturës materiale dhe jo vetëm me banesat e vjetra, aq karakteristike. Jo vetëm në Nartë, “Sot shtëpitë e vjetra po shëmben. Vendin e tyre po e zënë shtëpi të reja shumëkatëshe. Rrugicat po zhduken njëra pas tjetrës. Pas disa vitesh s’ka për të mbetur më asnjë prej tyre. Ato do të mbijetojnë vetëm në tablotë e Nestorit dhe piktorëve të tjerë vlonjatë duke fituar në këtë mënyrë vlerën e dokumenteve të pazëvendësueshme. Një fakt, të cilin na e përmend Vaso Pata në këtë monografi  dhe që na bën krenarë dhe na plotëson konceptualisht në rrafshin e antropologjisë kulturore, në staturën e lartësive psikologjike e sociale në shoqërinë shqiptare, rajonale apo kontinentale e më gjerë: “Nestor Jonuzi është një zë i veçantë në pikturën shqiptare. Sipas ligjeve të kohës titulli i lartë e i lakmueshëm “Piktor i Popullit” është dhënë nga viti 1960 deri në vitin 1991 dhe atë e kanë merituar vetëm 14 piktorë shqiptarë: “më të shquar, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të cilët kane krijuar vepra me vlera të larta  ideo-artistike në fushën e pikturës e kanë merita të veçanta në zhvillimin e arteve pamore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Dy prej tyre janë vlonjatë, Nestor Jonuzi dhe Skënder Kamberi. Nuk është pak për Vlorën, as për Nestorin po të kujtojmë se 12 titujt e tjerë i kanë merituar piktorët Vangjush Mio, Kolë Idromedo, Abdurahman Buza, Guri Madhi, Zef Kolombi, Sali Shijaku, Vilson Kilica, Foto Stamo, Danish Jukniu, Ismail Lulani, Agim Zajmi, Nexhmedin Zajmi. 

Nuk mund të harroj një këshillë të vyer të mikut tim të paharruar piktorit të njohur dhe kritikut të artit Ilmi Bani, që ma thoshte sa me merak e besim, aq natyrshëm dhe me dashamirësi përpara se të shkonim në çelje ekspozitash të piktorëve vlonjatë apo të piktorëve nga qytete të tjera si Pogradeci, Berati, Fieri etj tek Galeria e Artit e Saimir Çuçit. Sipas protokollit të programit të asaj shoqërie të organizuar të shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës, unë kisha fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes dhe një urim miqësor midis krijuesish (në ato kohë, deri ditën që iku aksidentalisht nga jeta, Ilmiu qe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Vlorën, ndërsa unë sekretar). “Berti – më  porosiste Ilmiu me zë të ulët e të qetë – ti e njeh artin e komunikimit e  di të lozësh me fjalën, s’ta kam merakun, por pa u futur në teknikalitete, se mund të ngatërrohesh tek gjuha teknike dhe profesionale dhe…”. Dhe unë ruhem nga zona e zjarrit…

Përveç kënaqësisë së madhe në lexim, (në fakt më dukej sikur unë i këndoja fjalët, fjalitë, paragrafët, faqet, gjithë këtë libërth, që më erdhi si një vizatim poetik), tani, që mbylla dhe faqen e fundit të librit, unë do ta shpreh një mërzi që ndjeva kam ndaj Vasos: “Po pse kaq qe libri?! Si mbaroi kaq shpejt? Pse nuk zgjati dhe pak?! Po unë, e lexova apo e këndova librin?! A, more Vaso, a! Sa i mirë je! Sa i mirë je, o Nestor! U pastë Vlora me jetë sa dy detet e sa mali i Çikës!

Filed Under: LETERSI

Xhemajl Fetahaj, një njeri që i dha kahje të re historisë sonë kombëtare, përkujtim në 26 vjetorin e rënies

May 31, 2025 by s p

Imer Xhemail Lladrovci/

Me 17 janar të vitit 1982 Xhemajl Fetahaj i kthye vonë në shëpi nga një aksion ilegal ku kishte shkruar disa parulla në rrugë e në mure për Republikën e Kosovës. Ishte një natë e ftohtë dimri me acar, por me shumë pak borë. Demonstratat e Prishtinës dhe të mbarë Kosovës ende s’e kishin mbushur motin. Sapo kishte filluar viti, por ngjarjet e pranverës së kaluar  kishin ndryshuar gjithçka në jetën e shqiptarit, ato kishin hapur horizonte të reja politike për brezin e tij. Xhemajli po e vazhdonte një punë që shumëkush e kujtonte të harruar, por ai e dinte se ishte një testament i përjetshëm atdhetar që e kishin lënë brezat e mëparshëm dhe nuk mund të shpërfillej më nga ky  brez. Ai ishte ende shumë i ri, por jo aq i vogël sa për të mos e kuptuar faktin se vetëm çështja e lirisë  së kombit të tij do të  mund ta dinamizonte jetën politike. Për shqiptarët tashmë nuk kishte gjë më të rëndësishme se republika, për të gjithë shqiptarët. E hapi radion dhe pa se ajo po i jipte lajmet. Papritur dëgjoi një lajm të hidhur që e tronditi: lajmin për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës në afërsi të Shtutgartit ( Stuttgart) në Gjermani. Ishte një lajm jo dhe aq befasues, se ishte në logjikën e gjërave, që realisht priteshin, sepse ishte një luftë e hapur dhe e pakompromis, por përsëri këto rrethana nuk ia hiqnin idhtësinë këtij lajmi të keq. Ishin vrarë tre djem të rinj shqiptarë për idetë e tyre politike. Tronditja bëhej edhe më e madhe  kur mendoje se Jusuf Gërvalla, më i vjetri ndër  të vrarët, s’ishte më shumë se 36 vjeçar, kurse dy të vrarët e tjerë edhe më të rinj se ai: Bardh Gërvalla, vëllau i Jusufit, 31 vjeç, kurse  Kadri Zeka edhe më i ri, 28 vjeçar. Po Xhemajl Fetahaj? Ai  vetë ishte edhe shumë më i ri se ata, ende s’ishte njëzetvjeçar. Nxënës. Radio Prishtina që e jepte lajmin i referohej Tanjugut, agjensisë  jugosllave të lajmeve  që vrasjen e quante „qërim hesapesh mes nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë“. I kishin vrarë me plumb, tani po i vrisnin me fjalë. Por Xhemajli e dinte intuitivisht  se vrasjet politike kështu i paraqiteshin publikut: si mosmarrëveshje individuale që shkalllëzoheshin në konflikte të armatosura me epilog fatal. UDB-ja edhe të vriste edhe të paraqiste përgjegjës për krimin, sikur ajo s‘kishte pasur të bënte fare gjë me të. I binte sikur ata ta kishin vrarë veten, por e vërteta ishte krejt ndryshe. Për shpalosjen e saj, duhej të kalonin shumë vjet. Vetëm në një Kosovë të lirë, ajo  mund të thuhej e plotë.  Ky shtet, Jugosllavia, kishte nevojë për rrena dhe ato i përgatiste si donte vetë. Shqiptarët, për sa  kohë shqiptarët do të rronin nën zgjedhën e jugosllave, ishin të shtrënguar ta dëgjonin edhe rrefimi shpifës për këtë vrasje, ta përballonin terrorin psikologjik të propagandës jugosllave. Këtë propagandë ndoshta e besonin të tjerët në Jugosllavi, por jo shqiptarët, të cilët e njihnin mirë situatën. Si shqiptar e kuptoje se ishte një hakmarrje për  diçka të madhe që jugosllavët, dmth. serbët nuk mund ta ndryshonin dhe as takontrollonin. Jugosllavët mund t‘i vrisnin shqiptarët, por nuk mund ta kontrollonin vullnetin e tyre politik. Shqiptarët kurrë nuk kishin dashur të jenë pjesë e Jugosllavisë, as e asaj mbretërore dhe as e kësaj komuniste. Jugosllavia për ta ishte një shtet pushtues dhe pikë.  Xhemajl Fetahaj u mërzit përsa dëgjoi, por, në anën tjetër, edhe e ndjeu veten krenar për faktin se për Kosovën njerëz të shquar ishin në gjendje edhe të vdisnin. Për të ky lajm ishte njëkohësisht edhe një mësim tragjik: puna për atdheun mund të kishte një fund tragjik. Atëherë nuk e dinte se edhe vetë po lëvizte në të njëjtin shteg. Edhe sikur ta dinte këtë gjë, ai nuk do të zmbrapsej kurrë. 

Jugosllavia dhe UDB-ja e saj e shihte se shqiptarët po organizoheshin dhe vepronin politikisht gjithnjë e më  mirë, ndaj dhe udhëheqës të tillë si Stane Dollanci ( Stane Dolanc) vendosën që t’i vrasin udhëheqësit e rinj shqiptarë. Vrasjet politike s‘i donte askush në Europë. Ato krijonin shumë armiq, të dukshëm e të padukshëm, por në këtë rast vrasja arsyetohej me arsye të mëdha shtetërore, si të thuash ishin një ultima ratio. Ndryshe, shumë shpejt Jugosllavia do të duhej të ndeshej me shqiptarët e bashkuar politikisht. Jusuf Gërvalla ishte një person shumë i talentuar. Shkrimtar, gazetar, këngëtar dhe një orator i madh, ai mund t‘i bashkonte shqiptarët. Ashtu edhe Kadri Zeka. Nëse nuk vriteshin tani, ata bëheshin tepër të rrezikshëm.  Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka  ishin takuar në Gjermani me qëllim që t‘i bashkërendonin punët e tyre dhe t’i bashkonin shqiptarët brenda e jashtë nën një flamur lufte. Në Kosovë pas ngjarjeve të marsit e prillit të vitit 1981 ishin krijuar dhjetra organizata ilegale që luftonin për realizimin e Republikës së Kosovës, kështu që interesit të shtuar për punë politike për republiken shqiptare në Jugosllavi i duhej një organizatë gjithpërfshirëse që e kanalizonte këtë energji të madhe politike. Këtë imperativ historik  e ndjenin në mënyrë dramatike këta atdhetarë të ilegales, kështu që ishin ulur për t’i hulumtuar rrugët e bashkimit. Si koncept, bashkimi duket i thjeshtë, por në praktikë është tepër  vështirë të arrihet. Xhemajl Fetahaj atëbotë ishte shumë i ri për t‘i kuptuar punët e ndërlikuara të organizimit politik në kushtet e ndjekjes dhe obstruksionit perfid të policisë politike jugosllave, por e ndiente se unifikimi i forcave politike shqiptare s’ kishte alternativë. Njerëzit që kishin të njejtin qëllim politik, duhet të ishin bashkë, në një organizatë, jo të ndarë, arsyetonte ai me të drejtë. Më vonë, pas 17 janarit të vitit 1982, Xhemajl Fetahaj, për çdo  vit derisa edhe vetë do të burgosej, në këtë natë do të  shkonte në aksion, tani për t‘i kujtuar dëshmorët e Untergruppenbach-ut, për të cilët ai kishte një nderim të madh.  Gjithçka e bënte në fshehtësi, natën dhe nuk fliste me njeri, veç atyre me të cilët e lidhte puna ilegale, por UDB-ja vëzhgonte dhe punonte për zbulimin e atij njeriu misterioz që i mbushte rrugët dhe muret me parulla, duke ua kujtuar shqiptarëve detyrimin e tyre moral e politik. Kërkesa për republikën e Kosovës në sytë e UDB-së duhej të harrohej ose të paraqitej si një gjë që s‘mund të realizohej kurrë, ndaj dhe s’duhej të harrxhohej kot energjia politike për një projekt që thjesht ishte një ëndërr politike. Por ndër  shqiptarë kishte një opinion krejt tjetër: ata, pothuajse të gjithë, mendonin se kërkesa për republikën e federuar ishte legjitime dhe e arsyeshme. Ata kështu mendonin, por nuk flisnin, sepse shprehja e lirë e mendimit nuk lejohej. Në një Jugosllavi të popujve  të barabartë, ajo ishte zgjidhja më të e mirë. Por serbët, në anën tjetër, thoshin se shqiptarët s‘e kanë në mendje barazinë kombëtare, por ikjen  nga Jugosllavia. Serbët kishin pjesërisht të drejtë. Ishte e vërtetë që shqiptarët nuk donin të ishin  pjesë e  Jugosllavisë, këtë gjë e kishin thënë dhe e thonin hapur, por për sa kohë Jugosllavia të ekzistonte si subjekt ndërkombëtar në kufijt që kishte, dmth. me shqiptarët brenda saj,  të ishte një shtet ndryshe, më demokratike, në mënyrë që shqiptarët të mund të jetonin në të pa qenë të rrezikuar ekzistencialisht si bashkësi kombëtare. Këtë gjë donin shqiptarët, gjë që binte në kundërshtim të plotë me ambiciet serbe, të cilët donin një Jugosllavi që të ishte në fakt një Serbi e madhe me një emër tjetër. 

Një ditë shtëpinë e Xhemajlit  e rrethoi policia. UDB-ja i kishte rënë në gjurmë    autorit misterioz i parullave. E burgosën djaloshin  që i ftonin shqiptarët për bashkim e  luftë politike për realizimin e kërkesës për  Republikën e Kosovës, kurse ditën sillej si të tjerët që bënin punët e zakonta. Kishte bërë ndonjë gabim ë u zbulua? Jo. Një shtet që i ndjek armiqt e tij, herët a vonë i gjen. Xhemajl Fetahaj kishte vepruar rreth 2 vjet të plota. Fakti që ai kishte punuar aq gjatë pa u zbuluar flet për atë se ai nuk kishte gabuar në punën e tij ilegale. Një ditë do të zbulohej, ndryshe gjithë aktit i mungonte një element esencial.  Institucionet e shtetit jugosllav ishin në përgjim, sidomos UDB-ja. Profili i tij politik, edhepse në moshë të re, u vlerësua nga ekspertët e sigurisë si tepër i rrezikshëm. Shqiptarët nuk duhej të lejoheshin të mendonin për këto gjëra, ata duhej të mbeteshin te biologjia e tyre, për politikën duhej të mendonin të tjerët. Fakti që ai kishte hyrë në një terren „huaj“ e bënte atë objekt të ndëshkimit.  Xhemajl Fetahaj mendonte dhe vepronte ashtu siç nuk donin ata që i sundonin shqiptarët. UDB-ja, nivelet e larta, jo ato lokale, e kuptoi menjëherë se Xhemajl Fetahaj nuk ishte si të tjerët. Ai ishte vërtet një kundërshtar politik  që duhej luftuar në këtë stad kur ende s’ishte zhvilluar. Policia lokale politike e pa shpejt se ai nuk mund të manipulohej, ndaj dhe e klasifikoi si armik që duhej luftuar me të gjitha mjetet. UDB-ja, jo ajo në Pejë, por në nivele më të larta, Xhemajl Fetahajn dhe familjen e tij e ktheu në objekt të punës së saj. Lufta kundër tij u bë në dy rrafshe: luftë fizike dhe psikologjike.  Me të parën do të merrej UDB-ja e Pejës, me të dytën, dmth. me pjesën ideore, UDB-ja e Beogradit, por ekzekutimi do të ishte edhe lokal. Në hetime ai u torturua në mënyra të ndryshme, kurse në burg u aktivizuan mekanizma që ta dërrmonin psikologjikisht. Por të gjitha këto intriga nuk patën sukses. Ato u zbatuan një për një, në fshehtësi, por Xhemajl Fetahaj nuk e thyen, vetëm sa e bën më të vendosur.  Shumë dredhi e kurtha që i janë ngritur atij dhe familjes së tij, nuk do t’i zbulojmë kurrë. Disa gjëra diskutoheshin vetëm mes ideatorit dhe ekzekutorit. Puna e UDB-së s’ishte vetëm dajaku e torura fizike. Ai e kuptoi se në këtë luftë që s‘do të ndalej, do të fitonte ai që e fitonte çdo betejë, sado që fitorja ndonjëherë fitorja të ishte e paqartë për një të tretë që s’ishte në rrjedhë.

Pas dënimit dhe burgut Xhemajl Fetahaj  doli jashtë, në burgun e madh që quhej Kosovë. Luftën politike që e kishte nisur me aksionin e 17  janarit të vitit 1982, e vazhdoi. Natyrisht, tani me përvojën që e kishte mbledhur nga hetimet dhe burgjet e ndryshme.  Ai s‘kishte frikë nga burgu, as nga ai i Pejës, as nga i Valevës në Serbi, dhe as nga hetimet e vështira, por e dinte se izolimi fizik i tij  nuk i shërbente idealit të tij politik. Izolimi kishte për qëllim për t‘i ruajtur të tjerët nga „idetë e tij nacionaliste dhe irredentiste“. Prania e tij mes njerëzve vlerësohej  e rrezikshme. Megjithatë, ai arriti deri në vitin 1990 të jetonte jasht burgut, edhepse në vazhdimësi vëzhgohej nga policia politike serbe. Në shtëpinë e tij u bë pajtimi i parë i familjeve të hasmuara. Anton Çetta  u kyç në këtë aksion popullor për faljen e gjaqeve dhe hakmarrjeve. Shqiptarët po bashkoheshin se rreziku nga jashtë po rritej. Serbia e vëzhgonte këtë lëvizje të madhe popullore të rinisë shqiptare ku po  përfshihej gradualisht edhe inteligjencia shqiptare, një shenjë kjo shumë shqetësuese për të. Shtresa shoqërore e inteligjencisë kishte bërë në ndërkohë një varg përpjekjesh për largim nga pushtetarët, kujto takimin e shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në vitin 1988 në Beograd. Nga ky kombinim i dijes dhe veprimit të guximshëm politik do të dilte diçka e re. Shoqëria shqiptare po riorganizohej, kurse Serbia nuk ishte në gjendje që ta ndërlikonte e pamundësonte me ndërhyrjet e saj këtë  proces. Sigurisht gjithë këto i ndihmonin zhvillimet në botë. Pa këtë konjukturë ndërkombëtare gjithçka do të kishte përfunduar qysh në vitin 1981. Ngadalë, por sigurt po ndodhte një ndarje e madhe e  shqiptarëve nga Serbia. Ishte si një makth i madh për të, sepse ajo  e dinte që ky bashkim, homogjenizim etnik ishte definitiv, këto procese historike ishin  të pakthyeshme, irreverzibile. Dyshimet e ideologëve të politikës në Beograd po bëheshin realitet. Verrat e Llukës shënon pikën kulmore të këtij fermentimi shoqëror në Kosovë, po ndodhte kthesa e madhe, pas të cilës gjithçka do të ndryshonte.  Tanimë  lufta e armatosur nuk ishte larg. Ishte fitimtari ai që do të caktonte momentin kur do të niste ajo. Gjithë bota priste që shkatërrimi i Jugosllavisë të fillonte nga Kosova. Ndodhi krejt ndryshe. Së pari nga Jugosllavia u  shkëput Sllovenia, pastaj Kroacia. Bosnja dhe Hercegovina me Maqedoninë e vazhduan trendin. Në fund, pas disa vitesh lufte në hapësirën veriprrendimore kugosllave, ndodhi dhe lufta në Kosovë. Jugosllavia vdiç, ajo nuk ekzistonte më. Serbia ishte e dërrmuar, por jo aq sa të mos mund të bënte krime të reja. Pëkundrazi. Ajo kërcënohej se do ta kthente Kosovën në një thertore dhe provoi ta bënte këtë gjë, ndaj dhe u bombardua nga NATO-ja. NATO-ja e bëri atë që nuk do të mund ta bënte as UÇK-ja dhe as ndonjë ushtri tjetër  shtetërore e Ballkanit, e barti luftën në gjithë territorin e Serbisë. Serbëve iu vinte ndëshkimi nga qielli për masakrat mesjetare që bënin në tokë. Një vit pas bombardimeve u rrrëzua dhe Sllobodan Millosheviqi( Slobodan Milošević).

Jashtë burgut, nuk ndryshonte jeta shumë.

Xhemajl Fetahaj ndiqej nga policia politike.  Ai qëndroi disa muaj në ilegalitet në Kosovë, para se të ikte në Gjermani. Pluralizmi partiak nuk e ndryshoi klimën politike të shtypjes etnike në Kosovë, por u kthye në dekorin e tij, kështu që Xhemajli nuk ishte i kënaqur me punën e partive politike shqiptare. Me kursin paqësor ishte i bindur se nuk mund të ndryshohet fati i popullit shqiptar. Pushteti serb e kishte situatën në dorë. Represioni shtetëror shtohej nga dita në ditë. Kosova ishte një vend pa shkollë shqipe, pa gazeta dhe pa punë. Inflacioni ishte marramendës. Ato që kishim lexuar në novelat e shkrimtarit austriak Stefan Zweig i jetonim në jetën reale. Partitë shqiptare mund ta kontestonin atë me fjalë, por jo me vepra. Ekzistonte një marrëveshje e heshtur mes atyre që shtypnin dhe atyre që flisnin në emrin e të shtypurëve. Por masa e madhe e njerëzve që përjetonte represionin e përditshëm policor ishte në zgripc të rebelimit: tenosja shoqërore rritej vazhdimisht. Njeriu mund ta pyeste veten çdo ditë: pse jetojmë? Millosheviqi mbetej në kursin e tij të politikës së grushtit të fortë, sipas tij ndryshimi mund të vinte vetëm pas nënshtrimit të plotë të shqiptarëve. Për këtë ndryshim ai punonte, siç thotë sot në mediat elektronike serbe pas kthimit nga Haga ish  kryeministri serb  Nikolla Shainoviq ( Nikola Šainović). Kushdo që do të pranonte të bëhej viktimë apo madje edhe vegël e terrorit shtetëror, nuk mbijetonte. Këtë gjë e dinin pothuajse të gjithë ndaj dhe enigma vazhdonte. Xhemajl Fetahaj, në këtë kohë,  ndodhej në Gjermani, larg terrorit serb. Megjithatë, nuk ndihej mirë. Më kujtohet një takim i yni me bashkatdhetarët në Wupertal nė fillim të vitit 1998 kur filluan masakrat ndaj popullsisë civile në Kosovë. Mërgata ishte tepër e shqetësuar për shkak të terrorit të shtetit serb. U bë një takim me bashkatdhetarët tanë. Salla e klubit ishte plotë. Dikush nga publiku i tha Xhemajlit se vendi yt s‘është këtu. Atë ditë ai nuk foli në publik, por më tha se më kurrë nuk do të dalë para masës shqiptare me këtë status. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Pas Vupertalit (Wuppertal) ai shkoi në luftë dhe u kthye në Perëndim vetëm në funksionin e luftëtarit që mbledh  mjete financiare për luftën.

Xhemajl Fetahaj i përket brezit që e përgatitën luftën politikisht. Ka shumë rëndësi fakti që para kryengritjes së armatosur pati edhe një qëndresë të gjerë popullore politike.  Fakti që lufta e armatosur lindi nga ky mjedis shoqëror flet shumë. Pikërisht sot para 26 vitesh ai ra dëshmor në kufirin që e ndante Shqipërinë londineze nga një pjesë e Shqipërisë së jashtme, nga Kosova, një kufi që i ndante dy botë të ndryshme Si u vra Xhemajl Fetahaj? Një bashkëluftëtarin e tij, Milazim N., që po luftonte për të marrë  Majën e Zezë e morën plumbat dhe trupi i tij mbeti në linjën e frontit. Xhemajl Fetahaj nuk mund ta linte të vetmuar ushtarin e tij, ndaj dhe u hodh mes plumbave për ta shpëtuar a tërhequr trupin e tij dhe u vra.  Ishte 31 maji i vitit 1999. Lufta do të përfundonte me kapitullimin e Ushtrisë së  Jugosllavisë me 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë, dmth. pas më pak se  dy javësh. Por lufta për Xhemajl Fetahajn mori fund atë ditë. Ai s‘e arriti i gjallë ta shihte marrshimin e ushtrive të vendeve të NATO-së në Kosovë, ai që gjithë jetën e tij kishte punuar e luftuar   për Kosovën pa polici e ushtri serbe, për Kosovën e lirë.

Filed Under: Kronike

SHQIP DO FLITET, SHQIP DO SHKRUHET EDHE NË SANXHAK!

May 31, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

Përmbi za që lshon bylbyli,                      Gjuha jonë sa e mirë,
gjuha shqipe m’shungullon;                      sa e ëmbël, sa e gjërë,
përmbi er’ që jep zymbyli,                        sa e lehtë, sa e dlirë,
pa da zemrën ma ngushllon.                     Sa e bukur, sa e vlerë

(Dom Ndre Mjeda)                                   (Naim Frashëri)

Amina Nuraj, kryetare e zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Sanxhak dhe aktiviste e njohur tashmë, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe jo vetëm, e çështjes kombëtare shqiptare në Sanxhak, njoftoi ditët e fundit në faqën e saj të rrjeteve sociale se, “Sot filloi kursi i gjuhës shqipe i financuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd”, në bashkrendim me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, ndërkohë që ajo falënderon ambasadorin e Shqipërisë, Z. Bardhyl Canaj për ndihmën: “Faleminderit Atdhe!”

Duke marrë parasysh historinë e mohimit të të gjitha të drejtave themelore të shqiptarëve të asaj krahine nën Serbi – përfshir mësimin e gjuhës shqipe, të kulturës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve atje, por dhe masave të egra e barbare të regjimeve serbe për asimilimin e shqiptarëve të Sanxhakut – ky njoftim aq i mirëpritur ka habitur për mirë edhe Amina Nuraj e cila shkruan se më në fund “Shkronjat e alfabetit tonë në Sanzhak”, po u mësohen fëmijve shqiptarë atje. Mos qofsha gabim është hera e parë që ofrohet një kurs për mësimin e gjuhës shqipe në Sanzhak, që nga koha kur Ernest Koliqi, si Ministër i Arsimit i Shqipërisë në vitet 1941-44 ka dërguar mësues anë e mbanë trojeve shqiptatre, përfshir Sanxhakun, për tu mësuar gjuhën shqipe banorëve shqiptarë të atyre anëve. Frank Shkreli: Amaneti i Ernest Koliqit dhe roli i tij në hapjen e shkollave shqipe “Nëse dikush do të më kishte thënë se pas trembëdhjetë vjetësh do të isha në gjëndje të hapja një zyrë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Pazarin e Ri (Novi Pazar) dhe se një vit më vonë do të fillonim një kurs të gjuhës shqipe, nuk do ta kisha besuar, kurrë”, është shprehur këto ditë aktvistja e njohur e të drejtave të shqiptarëve në Sanzhak.  Duke shtuar se, “Jam e lumtur sepse fëmijët e Sanzhakut nuk kanë nevojë të kalojnë nepër ato që kalova unë dhe nuk kanë nevojë të mësojnë gjuhën e tyre amëtare nepërmjet internetit, siç bëra unë. Dikur ishte vetëm një ëndërr për mua, por sot e jetoj atë ëndërr dhe çdo ditë pëpiqem të jem sa më aktive që të jetë e mundur dhe një bijë e Atdheut tim, bijë që e meriton Atdheu im”, shprehet Amina Nuraj.

Për fat të keq, Sanxhaku me rrethe ka qenë — ndonëse historikisht — i banuar me shumicë shqiptare, politika e egër asimiluse e zbatuar nga Jugosllavia monarkisto-fashiste-komuniste gjatë dekadave, regjimet serbe me politikat e tyre barbare, kanë detyruar shqiptarët të asimilohen në një “kombësi” artificiale të ashtuquajtur “boshnjake”, duke i regjistruar shqiptarët autoktonë, si të tillë, ose si myslimanë serb me shtetësi serbe. Vërejtsit e të drejtave të njeriut gjatë viteve kanë konstatuar se gjatë dekadave nën komunizëm, shqiptarët e Sanxhakut, mund të kenë qenë ndër më të disskriminuarit e grupeve etnike në Serbi dhe ish-Jugosllavi.  Sot e kësaj dite, po të deklarohesh shqiptar në Sanxhak, mundësitë për një punë në shtet ose administratë janë 0, sipas vërejtësve të të drejtave të njeriut në ato anë.  Por, lajmi sot për fillimin sado modest të kursit për mësimin e gjuhës shqipe në Sanzhak, është një lajm i mirë, nëqoftse regjimi serb në Beograd lejon më në fund qqë edhe shqiptarët e asaj krahine të gëzojnë të drejtat e tyre kombëtare, siç është mësimi dhe përdorimi i gjuhës amëtare në jetën e përditshme.

Sidoqoftë, Ernest Koliqi, Rexhep Krasniqi dhe shumë burra të kohës së tyre që, pothuaj një shekull më parë, dërguan mësues nga e gjithë Shqipëria për të hapur shkollat shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshir Sanxhakun, gëzohen dhe duatrokisin sot fillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Sanxhak, me shpresën për hapjen, eventualisht, zyrtare të shkollave të rregullta shqip për shqiptarët e asaj zone me një numër prej pothuaj 400-mijë, megjithse shumica të asimiluar, por gjithnjë, në zemër e mendje, e ndjejnë veten shqiptarë. Sado fillim modest që t’i duket dikujt, fillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Sanzhak, Profesor Ernest Koliqi — mbështetsi dhe e promovuesi i mësimit të gjuhës shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare — do ta quante si një prej “krojeve të reja në Parnazin Shqiptar”.

Uroj dhe i lutem Zotit që kjo nismë të shënojë fate të mira për të gjithë, përfshir aktivisten Amina Nuraj, sidomos për pjesëmarrësit e parë, një nismë kjo që mund të quhet historike. Por, në veçanti të jetë një ogur i mirë për përhapjen e kulturës dhe të gjuhës shqipe, në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve autoktonë të asaj krahine, nën Serbinë.

Amina Nuraj – “Familja e babait tim e ka origjinën nga Rugova, fisi Shkreli, i ardhur në Guci në vitin 1680 dhe në Pazarin e Ri më 1717 – dy vëllezër dhe një motër. Gjyshja ime (nëna e babës) dhe familja e saj janë me fis nga Dukagjin, të njohur nga Kosova, gjithashtu. Gjyshja ime (nëna e nenës është nga Kaçapori i Rozhajës, nga fis Kuçi. Ndërsa Gjyshi (baba i nënës është nga familja Shaqiri e Bijelo Poljës”, ka shkruar Amina Nuraj në faqën e saj Fejsbuk, duke shpjeguar prejardhjen e familjes së saj).  Frank Shkreli: Shqiptarët nën Serbi, “Na jemë shqyptarë, bre birë”! | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli

Amina Nuraj, bijë Shkreli e mbesë Dukagjini vazhdon të “Punojë për shqiptarët në Sanxhak dhe rikthimin e Kombit shqiptar”.

May be a doodle of ‎diary and ‎text that says '‎קונדלי 福 Eshtë koha Përmbi za që Ishon bylbyli, gjuha shqype m'shungullon: m' përmbi er' qẽ jep zymbyli, pa da zemren ma ngushllon mëso jmë, flasim dhe shkrua jme SHOIP Zyra ZyraeKKSh e KKSh Novi Pazar rr.Shaban Koce rr.ShabanKoce 13 017853264 kksh.org org‎'‎‎
Overview image

Ernest Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka dhënë urdhër për hapjen e shkollave shqipe (1941-44) anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshir Sanzhakun – do ta quante nismën për fillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Sanzhak, si një prej “Krojeve të reja në Parnazin Shqiptar”. Ashtu qoftë!

        Grupi i parë prej 47 vetash për kursin e gjuhës shqipe në Sanxhak

Në kohën e Ernest Koliqit dhe bashkpuntorëve të tij, shkollat ishin në gjuhë shqipe 1941- 44.  Nxënsit me plisa të bardhë ndërsa valvitej flamuri kombëtar.

           Amina Nuraj në një tubim në Tiranë: Gjaku i Shqiptarit nuk bëhet ujë

Filed Under: Komente

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT