• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO – AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE E NEW JERSEYT PROMOVUAN DY VEPRA LETRARE TË SHKRIMTARES AGE GJOKAJ IVEZAJ

May 24, 2025 by s p

Sokol Paja/

Garfield, New Jersey, 24 Maj 2025 – Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë dhe Aleanca Shqiptare e New Jerseyt promovuan dy vepra letrare të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj “Kush na mallkoi” e “Pikëllim dhe Shpresë”. Studiues të letërsisë, shkrimtarë, kritikë letrarë, gjuhëtarë e gazetarë analizuan, nderuan e vlerësuan krijimtarinë e Age Gjokaj Ivezaj si një kontribut të rëndësishëm në letërsinë e mërgatës shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëskryetari i qytetit të Garfield z.Kevin Kane në fjalën përshëndetëse theksoi se këto libra i flasin përvojës shqiptare dhe në shumë mënyra, ato rezonojnë me gjendjen njerëzore, përpjekjet tona, qëndrueshmërinë tonë dhe shpresat tona. Ndërsa merremi me historitë e Age Ivezaj sot, jo vetëm që po celebrojmë letërsinë, por po pranojmë gjithashtu forcën e komunitetit dhe rëndësinë e rrëfimit të historive në ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë.

Arjana Fetahu Gaba zëdhënëse e Aleancës Shqiptare të New Jerseyt theksoi se librat në gjuhën amtare kanë një ndikim shumë të madh për emigrantët dhe mbajtjen e identitetit të tyre kulturor e gjuhësor. Leximi i librave në gjuhën amtare ndihmon emigrantët të mbajnë të gjallë lidhjen me vendin e origjinës, zakonet, traditat dhe historinë e tyre. Librat në gjuhën amtare ndihmojnë në zhvillimin e fjalorit, aftësive të të lexuarit dhe të të shkruarit në gjuhën e tyre. Librat që ne kemi sjellë në këtë bibliotekë përmbajnë tregime që përçojnë vlera si ndershmëria, respekti, puna e ndershme, familja, etj. Këto ndihmojnë në edukimin moral të lexuesve, sidomos të rinjve, theksoi ndër të tjera zonja Arjana Fetahu Gaba.

Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Dr. Yllka Filipi në kumtesën e saj “Vështrim i thelluar mbi romanin “Kush na mallkoi?” u shpreh se romani i shkrimtares Age Ivezaj, është një xhevahir demografik që dëshmon autoktonësinë e popullit shqiptar në shekuj në trojet e veta. Narracioni i zhdërvjellët në këtë vepër nis me jetën e përfundon me vdekjen njësoj si një segment ekzistencial i kufizuar nga të dy anët me fillimin dhe fundin e një sage kombëtare të limituar në kohë, por të shtrirë pafundësisht në vazhdimësi. Simbolika e vdekjes që dominon në vepër mbetet ende e paqartë dhe hermetike njësoj si terri që mistershëm fton yjet në lojën e shenjtë e të shkurtër të jetës. Kjo tendencë si qasje për të ndriçuar këtë lënde letrare zgjon vemëndjen e studiuesve, si në ritualin enigmatik që sjell thelbi i romanit bërthama e të cilit ngjizet nga rrahjet e zemrës së një dashurie të ndaluar me nëntëkst semantik tendencialisht të palidhur, po aq edhe në një vibrim shpirtëror tepër të guximshëm, tha ndër të tjera Dr. Filipi.

Shkrimtari dhe studiuesi Dr. Bexhet Asani në kumtesën “Saga e malësorëve në një roman” dhe “Një buqetë lulesh plot mall dhe atdhedashuri” theksoi se romani “Kush na mallkoi..?!” i shkrimtares Age Ivezaj, vjen në kohën kur te populli shqiptar shpërngulja kishte arritur kulmin. Këto pesëdhjetë vjet jo vetëm që u zbrazën fshatra të tërë, por u zbrazën edhe qytete kudo në trojet etnike shqiptare. Shpërngulje kaq masive nuk kishte përjetuar populli ynë që nga shekulli XV, që nga Moti i Madh, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Romani “Kush na mallkoi…?!” i Age Ivezajt do të mbetet një dokument faktografik i realitetit të hidhur shqiptar, pasqyruar në aspektin letraro- artistik dhe estetik. Mbase, edhe mund të mbeten edhe si dëshmi e kohës së ekzodit të shqiptarëve, nga ajo treve shqiptare prej nga vjen edhe autorja e këtij romani.

Kryetari i Aleancës Shqiptare të New Jerseyt z.Alban Gaba në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të Garfield nderuan me Certefikatë Mirënjohjeje patriotët

Pjetër dhe Liljana Gashi për kontributin e tyre të shkëlqyer në komunitetin shqiptar në New Jersey.

Studiuesja e letërsisë Arjeta Kotrri – Ferlushkaj në kumtesën “Letërsia si mision” theksoi se duke qenë se kemi të bëjmë me letërsi qëllimore dhe shqetësimi autorial është përcjellja e mesazhit më shumë se sa lëvrimi tekstit në vetvete, amaneti i venë në kujtesën e Lekës nga të parët e tij godet drejt e në plagë. Ky paragraf ka histori, ka mirënjohje e falënderim, ka mesazh filozofik për jetën, ka dashuri të madhe për atdheun dhe ka gjithashtu shumë dhimbje. Pikërisht, përmes ndërthurjes së këtyre përjetimeve, autorjakërkon të arrijë të përçojë tek lexuesi mesazhet e saja tëmirëpeshuara dhe të identifikuara që në kapitullin e parë. Citojmë: “Amanet këtë tokë! Çdo gur e cep është larë me gjak nga tëparët tanë. Armiqtë kanë qenë të shumtë, na kanë pushtuar, por ne gjithmone kemi luftuar dhe kështu kemi mbijetuar. Jemi bërë edhe më të fortë, bash si këto gurë e këto shkrepatë maleve tona që na rrethojnë. Edhe nëna më ka thënë: jemi betuar se kurrë nuk do ta braktisim këtë tokë. Tokaështë e jona e ne, jemi të kësaj toke, jemi NJË dhe tëpandarë.”

Studiuesi Prof. Besim Muhadri në kumtesën “Vështrim kritik mbi përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe shpresë” të Age Ivezaj” nënvizoi se poezia e Age Ivezajt është një thirrje e brendshme që vjen nga thellësia e mallit për atdheun dhe përvijon një ndërthurje të natyrshme mes dhembjes dhe shpresës. Në tërësi,

“Pikëllimi i shpresës” është një vepër që ruan identitetin ndërmjet vargut dhe nje dëshmi se fjala poetike mbetet strehë e qëndrueshme për kujtesën dhe njenjën, sidomos në kohë kur atdheu është larg, por gjithmonë i pranishëm në shpirt.

Poetja Arjana Fetahu Gaba emocionoi të gjithë pjesëmarrësit teksa recitoi poezinë

“Dëshira e mërgimtarit” shkëputur nga vëllimi poetik “Pikëllim dhe Shpresë” të autores Age Ivezaj Gjokaj.

Në analizën e titulluar: “Narracion i pikëllueshëm për fatin e keq në dashuri dhe emigracionin apo murtaja e bardhë për shqiptarët”, shkrimtari Mëhill Velaj emocionoi të pranishmit bashkë me djalin e Tomë Gjokaj, Palin dhe ka shkruar në kumtesë se fuqia narrative e Age Gjokaj – Ivezaj në romanin “Kush na ka mallkuar” ka një shtrirje shumë dimensionale duke u nisur nga jeta familjare, fisnore, krahinore e deri te ballafaqimet më ekzistenciale ekonomike e shoqerore ku individi i gjendur në mes të dilemes të heqi dorë nga e kaluara atdheu e familja detyrohet ta shkëpusë të kaluarën e tij nga shkaqe e rrethana demoniake të presionit politik. Ky roman është rrëfim i tronditjeve të mëdha që endezohen here rreth mergimit e here rreth vuajtjes, dashurisë, pësimit, vdekjes, e shpresës, tha ndër të tjera shkrimtari Velaj.

Në fjalën e mirënjohjes e falënderimit autorja Age Ivezaj Gjokaj theksoi se ky promovim është një përjetim i veçantë shpirtëror që më jep kurajo dhe frymëzim për rrugëtimin tim të mëtejshëm krijues. Vlerësimi nga kolegët është një nder për mua, motivim i madh që më jep forcë për të zgjeruar horizontin krijues. Veprat që po prezantoj sot janë një reflektim i këtyre përvojave, ndjenjave dhe mendimeve që kanë lindur gjatë shumë viteve. Çdo faqe është shkruar me dashuri e kujdes. Romani “Kush na mallkoi” ka të bëjë me shpërnguljet masive të shqiptarëve nën Mal të Zi dhe ish Jugosllavi në përgjithësi. Edhe pse ngjarja në roman zhvillohet në dy kontinente, lexuesi mund të jetë nga cili do vendbanim shqiptarë e ti duket se kjo dhimbje është identike dhe është përjetuar njësoj edhe në fshatin ose qytetin e tyre. Përmbledhja poetike “Pikëllim dhe Shpresë” është një vëllim poezish që jane krijuar gjatë një periudhe të gjatë kohore, këtë përmbledhje poezish ia kam dedikuar vëllait tim të ndjerë, Tomë Kolë Gjokaj, që vdiq shumë i ri, por la pas vepra te medhaja që nuk harrohen kurrë. Po e lexoj dedikimin që ia kam bërë vëllait tim. Me dashuri dhe respekt të pafund, kujtojë guximin dhe shpirtin tënd të pathyeshëm! Ky libër është një testament i dashurisë sime për ty dhe një kujtim i përjetshëm i kontributit tënd të jashtëzakonshëm për kauzën tonë kombëtare. Sakrifica jote e madhe dhe ndjenja e thellë e detyrës ndaj vendit janë një burim frymëzimi për të gjithë ne dhe atyre që të kanë njohur. Edhe pse nuk je fizikisht mes nesh, prania jote jeton në çdo faqe të këtij libri, tha shkrimtarja Age Ivezaj Gjokaj.

Ky aktivitet i shkëlqyer kulturor e atdhetar u ndoq dhe në mediat e Tiranës përmes lidhjes direkte falë gazetarit dhe analistit të shquar Denion Ndrenika.

Filed Under: Reportazh

“E vërteta” e Ekrem Bardhës, një dëshmi jetësore që lidh përvojën personale me fatin kolektiv të një kombi

May 24, 2025 by s p

Ambasador Flamur Gashi*/

Është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua të flas sot para jush, në këtë promovim të jashtëzakonshëm, i cili nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një akt simbolik – një përulje para jetës, veprës dhe përkushtimit të një njeriu, siç është, z.Ekrem Bardha.

Në këtë libër që promovojmë sot, “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, ne nuk kemi përpara një autobiografi të zakonshme, por kemi një dokument historik. Një dëshmi jetësore që lidh përvojën personale me fatin kolektiv të një kombi. Kemi përpara nesh një libër që mund të lexohet si atlas i sakrificave, hartë e përpjekjeve dhe testament shpirtëror për lirinë e një populli.

I. Historia që rrëfehet me zë të fortë

Që në faqet e para të librit, ku z. Bardha përshkruan ikjen nga Shqipëria komuniste, njeriu kupton se ky rrëfim nuk është udhë personale, por një shteg që e kanë ndjekur shumë shqiptarë të përndjekur në Shqipërinë komuniste por edhe në Kosovë dhe trojet e pushtuara shqiptare nën ish Jugosllavi.

Ajo që e dallon z. Bardha nga të tjerët është se ai e ktheu përvojën e tij në një motor të veprimit, në një mision të përjetshëm për të qenë zëri i atyre që nuk mund të flisnin dot. Ky libër nuk është një përpjekje për të glorifikuar një jetë të suksesshme në emigrim. Është një përpjekje për të rrëfyer para kombit: se çfarë mund të bëjë një individ, një qytetar, një shqiptar me vetëdije kombëtare, kur nuk e harron kurrë se nga ka ardhur dhe për çfarë lufton.

II. Amerika dhe shqiptaria – një aleancë e shenjtë

Një nga boshtet qendrore të librit është raporti i z. Bardha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – vendin që i hapi dyert si refugjat, por që ai e bëri pjesë të idealit të tij patriotik. Në çdo faqe te librit ne ndjejmë respektin e tij të thellë për vlerat amerikane – lirinë, demokracinë, të drejtën për të jetuar me dinjitet – por në të njëjtën kohë, ai nuk e ka parë Amerikën vetëm si strehë, por si partner në përmbushjen e një misioni kombëtar. Nëpërmjet kontakteve me shtatë presidentë amerikanë, dhe shumë kongresmenë e senatorë, si dhe drejtues të tjerë ushtarak e politik në SHBA, z. Bardha krijoi një rrjet të fuqishëm mbështetjeje për Kosovën. Ai ishte një “ambasador informal” i shqiptarëve, një njeri që me përulësi, por me këmbëngulje, shkoi derë më derë për të kërkuar drejtësi, jo për vete, por për një popull të shtypur dhe të robëruar.

III. Mërgata shqiptare në SHBA – Forca e heshtur e çështjes shqiptare, një ushtri pa armë, por me vizion të qartë

Një tjetër vlerë madhore e këtij libri është se ai i jep zë një aktori shpesh të anashkaluar në histori: Mërgatës shqiptare në SHBA – kësaj Force te heshtur te çështjes shqiptare, kësaj ushtrie pa armë, por me vizion të qartë. Në faqet e librit përshkruhen me detaje mobilizimet, protestat, lobimet, kontaktet me senatorë e kongresmenë. Dhe në qendër të kësaj vale përkushtimi, qëndron vetë z. Bardha – si një figurë bashkuese, si një strateg që e dinte mirë se opinioni ndërkombëtar nuk formësohet vetëm në terren, por edhe në tryeza, në salla kongresi, në media.

Kur Kosova përjetonte tmerrin e luftës, kur shtypja serbe arrinte kulmin, mërgata nuk qëndroi indiferente. Falë figurave si Ekrem Bardha, ajo u shndërrua në një ndërgjegje të gjallë, në një mbështetje konkrete që u shtri nga ndihmat financiare, deri tek përfaqësimi politik, por edhe pjesëmarrja me armë në dorë për lirinë e Kosovës.

Nëse z. Bardha do të kishte zgjedhur të shijonte suksesin e tij në SHBA si biznesmen i suksesshëm, askush nuk do ta kishte gjykuar. Por ai zgjodhi diçka edhe më të vështirë – zgjodhi të bëhet urë lidhëse mes shqiptarëve dhe Amerikës, mes një kombi të shtypur dhe një superfuqie botërore. Ai nuk e harroi kurrë se ishte nga Kolonja e Korçë, dhe ai nuk nuk e harroi kurrë Kosovën. Në fakt, e bëri Kosovën pjesë të përditshmërisë së tij – në biseda, në lobime, në organizime, në çdo hap të tijin. E pa çlirimin e Kosovës si mision personal dhe i vuri të gjitha energjitë në shërbim të këtij ideali. Në këtë libër, që nuk është thjesht autobiografi, por dokument historik, ne lexojmë përpjekjet e një individi që nuk e shihte veten si të ndarë nga fati i kombit. Dhe ky individ vjen nga një vend i thellë i Shqipërisë jugore – nga qyteti i Ersekës – por zemra dhe vepra e tij rrahin për të gjithë shqiptarët, pa dallim treve, krahine, besimi fetar apo dialekti.

Z. Bardha, ndonëse lindur në jug të Shqipërisë, shpreh gjithmonë një dashuri të thellë, të sinqertë e të pazëvendësueshme për veriun e trojeve shqiptare, për Kosovën dhe më gjerë. Ai është mishërimi i atij ideali të madh të bashkimit kombëtar që nuk njeh kufij gjeografikë, por njeh vetëm një gjuhë – gjuhën e përkushtimit ndaj kombit. Z.Bardha nuk ishte i vetëm në këtë rrugëtim. Përkrah tij, vepruan dhe kontribuuan edhe shumë figura të shquara të mërgatës shqiptare në SHBA, të cilët sidomos që nga vitet ’80 e deri më sot kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për kauzën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe për projektin e bashkimit kombëtar shqiptar. Kjo mërgatë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte përkrahësja me e madhe e liderit historik të Kosovës, Presidentit dr.Ibrahim Rugova dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte palca e shtyllës kurrizore të rezistencës kombëtare!

Koha nuk na lejon t’i përmendim të gjithëve me emër, dhe me siguri do bëja gabim dhe do të leja pa përmendur shumë emra meritor dhe kontribuues të mëdhenj të çështjes kombëtare nga mërgata jonë në SHBA, pasi ata janë të shumtë, ata përfaqësojnë ndërgjegjen kolektive të një mërgate që ndonëse fizikisht larg, ka qenë gjithmonë afër me shpirt e zemër. Ata janë dëshmi se mërgata nuk është vetëm një komunitet që dërgon remitanca (para), por një faktor strategjik në diplomacinë kombëtare shqiptare.

Përulje dhe respekt për të gjithë mërgatën kombëtare shqiptare në SHBA, dhe sidomos për ata që kontribuar dhe dhanë çdo gjë të tyre për çështjen tonë kombëtare, duke lënë rehatin e tyre në Amerikë dhe duke shkuar për të luftuar me armë në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

IV. “Illyria” – fjalët që bënë dallimin

Në vitin 1991, patrioti Harry Bajraktar themeloi gazetën “Illyria”, një akt që më shumë se sa një sipërmarrje mediatike, ishte një lëvizje strategjike. “Illyria” u bë më shumë se një gazetë – ishte një tribunë kombëtare në zemër të Amerikës. Ajo informoi, ndërgjegjësoi, mobilizoi dhe përçoi të vërtetën per Kosoven dhe mbi Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kohën e izolimit të Kosovës, gazeta “Illyria” ishte si drita që ndriçonte tunelin. Ishte media që nuk mbante anë politike, por mbante anën e kombit. Z. Bardha e kuptoi herët se fjala ka fuqi. Se opinioni publik amerikan formësohet nga faktet, nga rrëfimet njerëzore, nga vërtetësia. Dhe ai zgjodhi ta ushqente atë opinion me të vërtetën e shqiptarëve – përmes këtij mediumi që vazhdoi ta drejtoi me përgjegjësi të lartë qytetare dhe në shërbim të kombit për rreth tetë vite, në kohën kur Kosova ishte në luftë dhe pastaj në liri (1998-2006), kur Kosova akoma kishte nevojë për përkrahje, për njohjen e pavarësisë së saj nga SHBA dhe shtetet e tjera të botës. Që nga koha e Harry Bajtaktarit, Ekrem Bardhës dhe Vehbi Bajramt, gazeta “Illyria” u bë zëri i arsyes së Kosovës në SHBA.

V. Ky libër – Frymëzim për brezat e rinj

Ky libër nuk është vetëm për historianët, studiuesit apo politikanët. Ky libër është një pasqyrë që duhet të mbahet në bibliotekat e çdo të riu shqiptar dhe familje shqiptare. Ai është një dëshmi e qartë se suksesi personal nuk ka vlerë nëse nuk përkthehet në shërbim për bashkësinë, për kombin tënd. Është një leksion për idealizëm, për përkushtim, për modestinë me të cilën duhet ti shërbesh kombit pa kërkuar asgjë në këmbim.

Le ta lexojnë këtë libër brezat e rinj dhe le të kuptojnë se kombi ynë ka pasur njerëz të jashtëzakonshëm.

Le ta kuptojmë se nuk ka nevojë për tituj zyrtarë që të ndryshosh rrjedhën e historisë – mjafton vullneti, vizioni, ndershmëria dhe atdhedashuria. Në një botë ku ndonjëherë vlerat relativizohen, ku interesat personale mbizotërojnë mbi interesat kombëtare, figura si Ekrem Bardha janë të rralla. Por janë të domosdoshme. Sepse na kujtojnë se ideali nuk është një fjalë e zbrazët. Se patriotizmi nuk është retorikë, por punë konkrete, e përditshme. Se përkushtimi ndaj kombit nuk matet me fjalë, por me vepra. Le të mos harrojmë se ky libër është dëshmi e veprave, është një frymëzim edhe për mërgatën për sot!

VI. Nderim dhe thirrje

Të nderuar të pranishëm,

Sot nuk po promovojmë vetëm një libër, por po nderojmë një jetë të tërë në shërbim të kombit. Një jetë që është model për të gjithë ne. I themi faleminderit z.Ekrem Bardha për guximin, vizionin, këmbënguljen dhe besimin se një popull mund të jetë i lirë nëse ka bij si ai. Le të marrim frymëzim nga kjo vepër. Le të kujtojmë se pavarësia është e shenjtë, por është edhe një detyrë. Le të mos harrojmë së historia e një kombi nuk shkruhet vetëm nga politikanët, por edhe nga qytetarët që nuk dorëzohen kurrë.

Të dashur miq,

Ishte një nder dhe përgjegjësi që të flisja sot para jush në këtë promovim që përmbledh më shumë se një jetë – përmbledh një epokë. Një epokë sakrifice, përpjekjeje, bashkimi dhe mbi të gjitha – një epokë lirie. E gjitha kjo e mishëruar në një njeri, z.Ekrem Bardha. Në këtë moment solemn, le të bëjmë një thirrje të ndershme dhe të sinqertë, por të domosdoshme, ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës:

Është koha që puna, përkushtimi dhe sakrifica e mërgatës shqiptare, të mos mbesin vetëm në faqe librash dhe fjalimesh. Ato duhet të gdhenden në kujtesën institucionale të shtetit. Emra si Ekrem Bardha, Harry Bajraktari, Jim Xhema, Jozef Dioguardi, Din Derti, Bruno Selimaj dhe shumë e shumë të tjerë, meritojnë të përjetësohen në rrugë, sheshe e monumente publike në Kosovë. Ata janë pjesë e historisë sonë. Ata janë dëshmitarë dhe kontribuues të drejtpërdrejtë të lirisë sonë. Kosova duhet të ndërtojë një Memorial Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, që jo vetëm të nderojë këto figura, por të frymëzojë brezat që vijnë qe të kuptojnë se liria është produkt i një përpjekjeje kolektive që nuk njeh kufij.

VII. Përmbyllje – Një thirrje për bashkim dhe për përgjegjësi

Vëllezër dhe motra,

Sot nuk promovojmë vetëm një libër, por një ndërgjegje. Një vepër jetësore të një njeriu që u bë shtyllë për lirinë. Një shqiptar që bëri shumëçka për ne dhe për kombin tonë. Nëse duam të nderojmë Ekrem Bardhën me të vërtetë, nuk mjafton vetëm duartrokitja. Duhet të bëjmë tonën filozofinë e tij: punën e heshtur, përkushtimin pa kushte, unitetin pa paragjykime.

Le të mos harrojmë se beteja për lirinë nuk mbaron me pavarësinë. Ajo vazhdon çdo ditë – për drejtësi, për demokraci, për mirëqenie, për vlera, dhe mbi të gjitha për bashkim kombëtar. Kosova dhe kombi shqiptar ka djem dhe vajza si Ekrem Bardha me shokë dhe bashkëveprimtar. Le të jemi bij të denjë të kësaj historie, të këtij kombi krenar.

Zoti e bekoftë Amerikën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!

Zoti i dhentë jetë të gjatë dhe të lumtur z. Ekrem Bardha!

*Fjala e mbajtur në promovimin e librit të z.Ekrem Bardha: “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, 23 maj 2025, Kisha “Shën Pali”, Michigan – SHBA.

Filed Under: Politike

Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare

May 23, 2025 by s p

Behar Gjoka/

Linja jozyrtare dhe diçka më tepër ajo antizyrtare, që zë fill dhe kulmohet me mendimet e Arshi Pipës mbi natyrën e krijimtarisë së Martin Camajt, përmbi përmasat dhe modelin letrar të këtij autori, e sidomos fakti i ligjërimit në variantin e gegnishtes, pamëdyshje edhe prania e disa formave të arbërishtes (siç ngjet me faqe të tëra në tekstin e romanit Karpa, por edhe diku tjetër, posaçërisht në prozat Shkundullima, Fshati me gjuhë të fshehtë etj.), po kaq si një tipar unik dhe adekuat i letrares së autorit, si një proces sprove dhe eksperimenti letrar, padyshim në shumësinë e vetë të përfunduar dhe me kualitet letërsishkrimor, shënon lavdi dhe mjeshtëri nga shkrimtari, gjurmë dhe dëshmi të shumta gjuhësore dhe letrare.
Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare, gjithëgjinore dhe gjithzhanrore, po kaq e teksteve letrare dhe studimore, bart edhe shenja të tjera të dukshme dhe me vlerë jetike për shqiptimin letrar në gjuhën shqipe:

– Me shpresën se gegnishtja, varianti i parëlemë i gjuhës shqipe, nuk ka « vdekur » njëherë e përgjithmonë, siç edhe e menduan dhe projektuan ekspertët e prishjes së normalitetit organik të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, gjithsesi nuk është tretur dhe shuar, ashtu siç e kanë dëshiruar dhe ëndërruar idhëtarët e zyrtarizimit të artit dhe gjuhës shqipe, pra në njëfarë mënyre të shkatërrimit të ekuilibreve të ligjërimit letrar si gjuhë e letërsisë dhe gjuhë e autorit, që në fakt standartizimi e sterilizoi si shprehësi letrare.
– Me aspiratën e shpallur me libra letrar dhe gjuhësor, që gegnishtja dhe arbërishtja dhe çdo ngjyresë tjetër letrare, nuk ka asnjë shans që ta ndërpresë rrugëtimin e vetë, jo vetëm sepse flitet në një hapësirë të konsiderueshme, si shtrirje dhe gjuhë e folur, ku jetojnë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijëve, por mbi të gjitha sepse ky variant është shkruar kaq bukur në pendën e Camajt dhe të disa autorëve të tjerë, pamëdyshje të të gjithë periudhave letërsishkrimore, saqë e vë në zgrip çështjen e njësimit të gjuhës së letërsisë, si unifikim i ligjërimit letrar.

– Me lartsynimin se gjuha e letërsisë, pra e thënë disi më ndryshe, gjuha e autorit, si shenjë e literaritetit në poezi a prozë, në dramatikë ose në verifikimin e studimtarisë, letrare dhe gjuhësore, nuk ka gjasa që të njësohet deri në shkatërrimin përfundimtar të artikulimeve autoriale, siç e sugjerojë dhe bëri ç’është e mundur që ta realizonte modeli zyrtar, gjuhësor dhe letrar i realizmit socialist, që dihet dhe është shqyrtuar pjesërisht se çfarë humnere krijoi në ligjërimin letrar të gjuhës shqipe.

Lavdia e Camajt, si shkrimtari i eksperimentit letrar, si dhe i autorit më modern të letrave shqipe bashkëkohore lidhet, sidomos me faktin e shkrimit letrar në koinenë e gegnishtes, si dhe në koinenë e arbërishtes, në kohën dhe kushtet e ndalimit të tyre, por mbi të gjitha emri dhe fama e tij, si lëvrues dhe shkrimtar modern, lidhet me sendërtimin e disa teksteve të befasishëm letrar, në poezi me librat Nema, Buelli, Palimpsest, në prozë me novelat e thukta të shkrimtarit, por edhe me romanet Rrathë dhe Karpa, doemos edhe me sinkretikën letrare, të pagjasshme në letrat shqipe, veçmas me tekstin Dranja, një rast që e tejkalon nivelin e shkrimit të letërsisë në gjuhën shqipe, e cila pamëdyshje rrok edhe qiej të tjerë letrarë, pa harruar këtu edhe dramatikën me tekstet Lojë mbasdreke dhe Kandilja e argjandit.

Përjetimi i realitetit letrar, specifik dhe unik, etik dhe estetik, gjuhësor dhe filozofik, dëshmues dhe shenjues, pikërisht ashtu siç e sendërton dhe ideon autori, pra në variantin e gegnishtes, si dhe me prekla të dukshme të arbërishtes, përbën një shkas për ta shijuar dhe kuptuar letraren e sendërgjuar prej tij, me aq veçanësi dhe finesë shkrimi. Termat, kinse shpjegues, përdorur me një shkujdesje të pa admirueshme, që nuk ka se si të të ngjallë shije pozitive, se i përket shkrimtarit të ekzilit, pra të mërgimtarit (kuptohet të përjetshëm), është një tjetër rrekje mejrane për ta shmangur, njëherë e përgjithmonë, Camajn dhe çdo shkrimtar tjetër, që nuk përfilli zyrtaritetin gjuhësor dhe letrar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, nga panteoni letrar dhe shtjellat e ligjërimit modern të gjuhës shqipe.

Toeria letrare, sidomos ajo moderne, më se njëherë sugjeron dhe sqaron se nuk ka peshë dhe rol parësor vendi se ku ka shkruar një autor, por gjuha dhe prania e shenjave letrare në një tekst, pra shqyrtimi i vlerës apo i mungesës së saj mbetet, gjithnjë dhe vetëm në marrëdhënie me letraren.
Shkrimtarët e ekzilit, pra mërgimtarët e përjetshëm, siç janë emërtuar nga studimet letrare zyrtare të shqipes, por edhe nga alabanologë të huaj, De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, në të kaluarën e largët, Martin Camaj, Bilal Xhaferri dhe Arshi Pipa, autorë të rrafsheve bashkëkohore të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, nuk ka gjasa që të mbeten përjetësisht në udhëkryqin ekzistencial, të shpërfilljes përfundimtare, sepse na u përmendkërkanë ndonjëherë nga burokracia dhe studimtaria letrare, në ndonjë përvjetor, që pafundësisht dhe metodikisht, me ç’duket rreket vetëmse që t’i lërë jashtë rrjedhave të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe si larmi dhe jo si unifikim mediokër dhe me vlera të dyshimta letrare. Zyrtariteti gjuhësor ka të bëjë më tepër me imponimin e shkrimit të letërsisë, vetëm sipas kodeve të rregullores drejtshkrimore, të miratuar në Kongresin e vitit 1972, nëse mund ta quajmë kështu ligjërimin e njësuar, i cili ka vënë në zgripin e mbijetesës gjuhën e autorit dhe të letërsisë, pra duke i larguar ato bukurshumë nga gjasat e shprehësisë letrare, ngjyresat e ligjërimit në këto variante (kuptohet në gegnishte dhe arbërishte), po ashtu zyrtarja letrare, lidhet vetëmse me modelin e realizmit socialist, të cilin shkrimtari i ligjërimit në thyerje të gjuhës së standardit dhe i eksperimentuesit të formave të larmishme artistike, e përbuzi dhe as nuk e përmendi asnjëherë.

Rrethimi i Camajt, por dhe i ndonjë shkrimtari tjetër të kësaj periudhe shkrimi, pamëdyshje e sidomos i krijimtarisë së larmishme letrare, në poezi dhe prozë, në dramatikë dhe studimtarinë gjuhësore dhe letrare, në qarkun përjashtues të kësaj përvoje shkrimore, madje nga më origjinalet në letrat shqipe bashkëkohore, pra si një mallkim krejt i pashembulltë, në historinë e letërsisë shqipe dhe më gjerë se sa kaq, kryesisht për faktin e ligjërimit të variantit të gegnishtes (me shenja të arbërishtes), njëherit nga ana tjetër, të lavdisë për këtë fakt shkrimi, mbase do të duhet parë si një shans i mbijetesës së këtij varianti, e sidomos i diversitetit (ndryshueshmërisë) letrar, gjuhësor dhe kulturor, do të duhet të ndërpritet si një shenjë e keqkuptimit paradoksal të veprës së gjerë dhe plot laryshi të krijimtarisë së tij, e cila në pjesën dërrmuese i përkon modernitetit dhe shpalimit të një eksperimenti letrar të përfunduar me kualitet shprehës.

Tekstet e Camajt dhe të ndonjë autori tjetër, që i shkuan, me vetëdijë dhe funksion të shpallur, letrar dhe gjuhësor, përkundër zyrtaritetit të gjuhës dhe të letërsisë së kohës së mediokritetit zyrtar, e shpëtuan gjuhën dhe letërsinë shqipe nga përtharja e plotë si ngjyrim dhe shprehësi letrare. Por, në kushtet kur gjendemi, të hapjes dhe mbylljes ndaj shenjave gjuhësore dhe letrare, pra vetëm të pengimit absurd dhe të pamundshëm që të vijohet kështu përgjithmonshëm, për disa variante dhe të folme të shqipes, dy-tre akte, sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të marrin fund:
– Redaktimi gjuhësor, nëpër shtëpitë botuese (madje me ligje absurde mbi pengimin e ngjyresave të të folemeve përtej njësuarishtes, pra në mënyrë të posaçme i teksteve të shkruara në gegnisht dhe arbërisht), i librave me poezi, në prozë dhe dramatikë, përmes një standardi që ka të bëjë më tepër me komunikimin publik (pra kryesisht me atributin e gjuhës zyrtare) dhe jo aq shumë me gjuhën e letërsisë, pavarësisht mëtimit të tejzgjatun të gjuhëtarëve të zyrtarshëm.

– “Përkthimi”, absurd dhe i pagjasshëm, që të ngjasë përjetësisht, i veprave të autorëve arbëreshë dhe të gegnishtes, sipas normës gjuhësore të standardit, sepse veçmas letrarja buron, gjithnjë sipas ligjësive të artit të fjalës, prej diversitetit kulturor dhe gjuhësor, pra ca më tepër prej çunifikimit të rregullave të ditura, si dhe në shpikjen e rregullave të reja, gjithnjë në funksion të letrares dhe maturimit të saj me shenja estetike, pra si një ikje dhe kthim i pashmnagshëm në letërsi.

– Kthimi në gjuhën e njësuar të standardit, që në fakt i përjashtoi si gegnishten dhe arbërishten, të poezisë së Mjedës, De Radës, Serembes, Fishtës, Migjenit, Camajt, por edhe i prozës së Pashkut etj. , si detyrë e nxënësve dhe studentëve të shkollave shqiptare, pavarësisht se janë publike ose private, të larta apo të mesme, diç më e theksuar në Shqipëri, kryesisht pa i lexuar dhe kuptuar, pothuajse fare tekstet e këtyre shkrimtarëve.

Zgjerimi i gamës së problemeve, që mbështjellë shkrimtari dhe vepra e tij letrare, vetëm sa zbulohet i plotë teksa sjell në fokus qëndrimin e vet Camajt, si një rruginë e munguar në shtjellimet letrare dhe gjuhësore të akademizmit shqiptar, zyrtar dhe jo zyrtar, kur shprehet: Besoj se tue ecë krahas gegnishtja e tosknishtja e shkrueme letrare, si dy motra të mira, pa ia pré rrugën njana-tjetrës, kanë vijue mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkëta, ku me të drejtë sugjerohet hapur se si do të duhet ligjëruar dhe lavruar gjuha e letërsisë. Madje, kjo vetëdije e qartë, gjuhësore dhe letrare, na zbulohet me akte të shkrimit letrar dhe joletrar, të variantit të gegnishtes prej dhjetëra shkrimtarësh, por edhe prej Martin Camajt, madje në rastin e tij, në një kualitet të ngritur letrar, që vetiu të shpie tek vetëdija letrare dhe shkrimore e sendërtimit të aq shumë tekstesh letrare dhe shkencore në variantin e gegnishtes dhe dromca fjalësh të arbërishtes.

Gjasat janë që rishtas dhe pashkëputshëm, në mjediset zyrtare dhe jo zyrtare të akademizmit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjëve shtetëror, do të prekim vetëmse vijimin e dhunimit të gegnishtes dhe arbërishtes, si dhe të përjashtimit të zakonshëm nga panteoni i letrave shqipe të shkrimtarëve të saj, qysh me Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën, Koliqin, Camajn, Reshpen, Pashkun etj. , ose më liksht ende të përkthimit të habitshëm (përshtatjes së mjerë), në gjuhën e standardit të De Radës, Darës, Serembes etj. , si dhe të vënies dorë në njësimin edhe të gjuhës së Konicës, Poradecit dhe të Paskos, çka do të thotë, as më pak e as më shumë, veçse ruajtje e piketave të vlerave gjuhësore dhe letrare të shpallura nga sundimi monist.

Në mungesë të atdheut, në gjallje Camaj e kreu detyrën dhe misonin, e mbajti të ndezun kandilen e ligjërimit të gegnishtes, e tani në amshim u takon lexuesve dhe studiuesve që ose ta lënë jashtë rrjedhave të letrares ose ta përfshijnë në panteonin e letrave shqipe. Kthimi i Camajt, ligjëruesi dalëzot i gegnishtes, por nga ana tjetër kthimi i gegnishtesh do të thotë lartim dhe vlerësim i krijimtarisë së Camajt, mbetet një nyje gordiane, që kërkon mund dhe sakrifica, e mbi të gjitha lëshime shkencore të nevojshme, lejimin e lëvrimit letrar në këto variante të ndaluar. Nëse vonohemi, koha do ta bëjë me siguri, por bashkë me të koha do të hedh matanë jo pak shqyrtime, të kryera gjatë kësaj ndërkohje, në shumicën e vetë, pa i lexuar tekstet e Camajt. Prania si autor i bashkëkohësisë, që dëshiron ta zbulojë universin, me gegnishten, një fakt i sprovës dhe eksperimentit letrar, unike si gjuhëshkrim dhe shqiptim letrar, e ngjizur me vetëdije kreative, diçka shpëton nga nderi i humbur i letrares së shekullit të kaluar. Në thelbin e vet gjuha e standardit, si gjurmë dhe dëshmi formale, nuk presupozon ndalimin e gjuhës së autorit, e larmisë që bart dhe përçon gjuha e letërsisë, përkundrazi janë gjuhëtarët dhe një masë doktorë-profesorash të letërsisë, që duan t’i japin asaj një atribut, gati të pamundshëm për ta patur, për gjithnjë dhe për të gjitha hapësirat, si metodikë shkrimore, që në fakt do të thotë vyshkje dhe shkatërrim përfundimtar i letrares së ligjëruar në gjuhën shqipe, si larmi dhe diversitet gjuhësor dhe letrar. (Pjesa e dytë)

Filed Under: LETERSI

“The Adriatic Review”: Mehmet Konica dhe Apeli për Presidentin Wilson

May 23, 2025 by s p

Rafael Floqi/

The Adriatic Review ishte një periodik mujor në gjuhën angleze, botuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” nga shtatori 1918 deri në tetor 1919. Themelues i revistës ishte Fan S. Noli, një nga figurat më të shquara të diasporës shqiptare në SHBA, me qëllim për të përhapur të vërtetën rreth çështjes shqiptare dhe për të ndikuar opinionin publik dhe diplomatik amerikan në favor të Shqipërisë, veçanërisht në periudhën pas Luftës së Parë Botërore, kur fati i territoreve shqiptare ishte në rrezik.

Revista u shkrua në gjuhën angleze, pikërisht për të pasur ndikim tek qarqet vendimmarrëse amerikane dhe evropiane. Ajo trajtonte tema të rëndësishme si: historia e Shqipërisë, kultura dhe trashëgimia shqiptare, zhvillimet politike në Ballkan, si dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve për pavarësi dhe integritet territorial. Përmes artikujve analitikë dhe studimeve historike, ajo synonte të përgënjeshtronte propagandën anti-shqiptare që qarkullonte në atë kohë në qarqet ndërkombëtare. Pas shpalljes së pavarësisë në nëntor të vitit 1912, Shqipëria përjetoi një periudhë të vështirë për shkak të pushtimeve nga ushtri të ndryshme gjatë Luftës së Parë Botërore. Në fund të luftës, në vitin 1918, vendi ndodhej në një gjendje kaosi dhe ekzistenca e tij si shtet vihej në pikëpyetje. Në këtë apel, fillimisht botuar në anglisht, diplomati dhe politikani Mehmet bej Konica (1881–1948) jep një pasqyrë të qartë të historisë shqiptare dhe bën thirrje për një zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare.

Mehmet beu, vëllai i Faik bej Konitzës, lindi në Konicë (sot pjesë e Greqisë veriore). Studioi në shkollën franceze Galata në Kostandinopojë dhe u emërua konsull turk në Korfuz. Pas shpalljes së pavarësisë, ai shërbeu si përfaqësues i Ismail Qemalit në Londër (1912–1913) dhe më 22 qershor 1914 u emërua për një kohë të shkurtër ministër i Jashtëm i Shqipërisë. 

Në janar 1918, drejtoi Kongresin e Durrësit dhe sërish shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e përkohshme të Turhan Pashë Përmetit. Pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920, u emërua përsëri ministër i Jashtëm dhe bashkoi Fan Nolin në udhëtimin drejt Lidhjes së Kombeve..

Edhe pse jetoi vetëm për një vit, ndikimi revistës The Adriatic Review ishte domethënës dhe përfaqëson një etapë të rëndësishme në historinë e shtypit shqiptar në emigracion. Në numrin hapës Shtator, 1918. Vëll. I. shkruhet :

”Objekti i këtij vëllimi është njohja e publikut amerikan dhe atij aleat me pretendimet e Shqipërisë, historinë e popullit të saj dhe luftërat e saj të gjata për pavarësinë kombëtare. Këto janë aq pak të njohura, saqë vështirë se mund të kërkojmë falje për lançimin e kësaj bote periodike në vorbullën tashmë të tejmbushur të letërsisë së luftës. Ekziston një arsye më e mirë dhe shumë më e rëndësishme:

 Zgjidhja e drejtë e çështjes/shqiptare është një domosdoshmëri, një kusht sine qua non, për paqen e përhershme në Evropën Juglindore dhe ky fakt duket se nuk është kuptuar nga publiku i gjerë. Të pa iniciuarit mund të tundohen të buzëqeshin me pohimin e fundit. Sipas tyre, një vend i vogël si Shqipëria, me një popullsi që është pakësuar në 2.500.000 banorë dhe është përgjakur nga betejat heroike shekullore kundër turkut të papërshkrueshëm dhe nga pushtimet dhe kundër invazionet e pashembullta gjatë kësaj lufte të tmerrshme, nuk mund të kishte një rëndësi të tillë sa të shqetësohej ose të shqetësohej në mënyrë të papërshtatshme në atë cep të botës. Një vështrim i thjeshtë në hartë do t’i bëjë këta zotërinj të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe madje t’i kthejnë në këndvështrimin tonë…

 Sekretari anglez i Shtetit për Punët e Jashtme, Right Hon. J. A. Balfour, duke folur në emër të Qeverisë Britanike para Dhomës së Komunave më 10 dhjetor 1917, deklaroi se 

“Qeveria e Madhërisë së Tij ka simpatinë më të ngrohtë me popullin shqiptar dhe do të mirëpriste çdo zgjidhje që, e shoqëruar me sigurinë e duhur kundër grindjeve të ardhshme, ishte e një natyre për të mbrojtur ushtrimin e plotë të të drejtave të tyre kombëtare”. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Presidenti Wilson në fjalimin e tij të famshëm mbi kushtet e paqes deklaroi se pavarësia e të gjitha kombeve ballkanike duhet të rivendoset në vija racore dhe historike dhe të garantohet nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ne refuzojmë të mendojmë për një moment se të gjitha këto deklarata solemne janë kaq shumë “copa letrash”. Ne besojmë tek Presidentin Wilson dhe jemi plotësisht të bindur se Amerika dhe aleatët e saj do të bëjnë drejtësi për të gjitha kombësitë e vogla që luftojnë për lirinë kombëtare dhe kështu do të vendosin paqen mbi një bazë të shëndoshë., shkruhej në numrin e parë për misionin e revistës nga e cila po sjellim në shqip nga numri THE ADRIATIC REVIEW 7 Shtator, 1918. 

Një thirrje për miqtë amerikanë 

[Apeli i mëposhtëm iu drejtua miqve të ndryshëm amerikanë të Shqipërisë nga Shkëlqesia e Tij Mehmet Bej Konica, delegat londinez i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.-

“Të nderuar Zotërinj, unë e di për interesin dashamirës që keni për nderin e Shqipërisë për zhvillimin që keni shfaqur gjithmonë përpara jush. Çështjet: Nën kujdesin e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra (Vatra), në Evropë është formuar një komitet i përbërë nga katër anëtarë, dr. Mihal Turtulli, ministëri i ndjerë i Udhëzimeve Publike dhe Dr. Gjergj Adhamidhi Frashëri, ministër i ndjerë i Financave, i njohur gjerësisht nga të gjithë shqiptarët patriotë dhe nga unë, ish-ministër fuqiplotë për Shqipërinë në Athinë dhe anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri. 

Vatra është i vetmi organ përgjegjës i shqiptarëve që mund të ketë ndonjë ndikim për të ardhmen e Shqipërisë. Ajo kupton të gjithë shqiptarët me ndikim, myslimanë dhe të krishterë të Shqipërisë së Jugut, të cilët, për të mbetur të lirë, janë larguar nga vendi për të shmangur presionin e huaj. Shqipëria e Veriut duke qenë nën pushtimin austriak, krerët me ndikim të rajonit nuk kanë mundur të bashkohen me ne, por ne e dimë se ata i përmbahen lëvizjes sonë dhe do të na japin të gjithë mbështetjen e tyre kur të vijë koha. Kur u zhvillua Konferenca e Londrës, Shqipëria nuk kishte asnjë shtyp apo trup diplomatik për të shtyrë pretendimet e saj; të gjitha shtetet e tjera ballkanike përfituan nga kjo për të nisur kundër saj një propagandë të pamëshirshme. Shqipëria duhet të pranohet me të drejtat e saj të plota kombëtare për t’u respektuar si shtet, përndryshe ajo do të jetë viktimë e një padrejtësie të re në fund të konfliktit të tmerrshëm që po përhapet tani në kontinentin e Evropës. Me ndërprerjen e armiqësive, çështja ballkanike do të dalë shumë në plan të parë, duke qenë pjesë e gjithë paqes së ardhshme të Evropës, dhe asnjë zgjidhje në Ballkan nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe e kënaqshme pa i kushtuar vëmendjen e duhur pretendimeve të Shqipërisë, në vijën e kufijve të saj etnikë dhe të drejtave historike. 

Raca shqiptare është më e vjetra në Ballkan dhe fuqia kombëtare u ka mundësuar shqiptarëve të ruajnë tokën e tyre amtare, me gjithë pushtimet e përsëritura ndër shekuj nga fqinjët e tyre më të fortë. Sikur Shqipëria të trajtohej me barazi në 1912, në vend që të gjymtohej, sa të ndryshme mund të kishin qenë ngjarjet. Gjendja e pazgjidhur e punëve në Shqipëri shkaktoi komplikime të cilat në fund çuan në luftën evropiane. 

Ballkani nuk mund të jetë solid pa Shqipërinë dhe nuk do të ketë paqe në Evropë në të ardhmen si në të shkuarën, nëse Ballkani mbetet streha e intrigave dhe ambicieve evropiane. Padrejtësia e parë që Shqipëria pësoi në duart e Evropës ndodhi në traktatin e Berlinit, kur Fuqitë që synonin të dobësonin Turqinë, i dhanë territorin shqiptar Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Një protektorat mbi Shqipërinë nga çdo fuqi e interesuar drejtpërdrejt do të thotë kolonizim i tokës, asgjësim i të drejtave kombëtare dhe nënshtrim ekonomik. Çdo dritë tjetër e vënë mbi temën e një protektorati nuk i mashtron shqiptarët. Pavarësia me një garanci evropiane, siç është dhënë sa herë që një shtet ballkanik nisej nga Evropa në rrugën e pavarësisë, vetëm do të kënaqë shqiptarët. I tillë është qëndrimi shqiptar. 

Nga një gamë më e gjerë e interesave ballkanike, të gjitha shtetet ballkanike do të kundërshtonin ndërhyrjen e një Fuqie të Madhe në punët e tyre të brendshme dhe do të bëheshin burim telashesh të pafundme. Përsëri, nga pikëpamja evropiane, zotërimi i bregdetit të Adriatikut nga çdo Fuqi e Madhe do të thotë pakënaqësi midis Fuqive të tjera të Mëdha gjithashtu të interesuara dhe një shkak i mundshëm konflikti. Tani do të vij te pika kryesore. 

Shpesh pyetet se çfarë forme qeverisjeje do të donin shqiptarët. Deri në pesë vjet më parë Shqipëria ishte një krahinë turke për sa i përket organizimit të brendshëm. Ajo nuk mund të bëhet një shtet sovran pa u udhëhequr vetë, duke shmangur kolonizimin. 

Amerika i ka dhënë mbështetjen morale Shqipërisë në vitet e kaluara, duke i mundësuar asaj të vetmet shkolla falas që nuk ishin pretekst për propagandën e huaj. Shqiptari është demokrat në zemër, pra ka kuptimin e lindur demokratik që një njeri duhet të respektojë tjetrin, mbi baza njerëzore të barazisë, edhe pse ata janë me pozitë të ndryshme shoqërore. Në të njëjtën kohë, një formë republikane e qeverisjes do të ishte një ndërmarrje tepër e re për të pasur sukses. Populli gjithmonë ka dëshiruar një monarki. Një monarki mbi baza kushtetuese, është forma e dëshirueshme e qeverisjes për Shqipërinë. Një princ, me personalitet dhe karakter për të tërhequr zemrën shqiptare, do të qetësonte të gjitha vështirësitë e pandashme nga një shtet në zhvillim. 

Kur u shpall Pavarësia e Greqisë, vendi pësoi shumë konvulsione të tmerrshme, Europa kishte durim atëherë dhe një vullnet për të parë Greqinë të lulëzonte dhe të kishte sukses. Edhe Shqipërisë duhet t’i jepet kohë për të marrë frymë dhe të mos nxitohet në një sipërmarrje të pafat për ndërprerjen e armiqësive. Në çdo rast, është një dëshirë unanime e shqiptarëve që t’i drejtohen Amerikës për ndihmë, dhe t’i kërkojnë asaj dërgimin e një komisioni për një periudhë pesëvjeçare, për t’i dhënë kohë vendit për të vënë në veprim të gjitha forcat e tij organizative. 

Si mik i Shqipërisë, ju paraqes çështjen tonë. Në këtë moment kritik ne kërkojmë mbështetjen tuaj morale për të na ndihmuar me ndikimin tuaj të lartë me Fuqitë e Antantës dhe Amerikën në favor të pretendimeve tona të drejta.”

 (Nënshkruar) MEHMET KONICA, Delegat i Federatës Panshqiptare Vatra.

Filed Under: Opinion

SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ

May 23, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra incognita për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane.
Lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe, në literaturën shkencore relevante kanë mbizotëruar pesë hipoteza:

1. Teza ilire: më 1774: historiani suedez, Hans Tunman (Hans Erick Thunmann, 1746-1778); 1811: ushtaraku, diplomati, studiuesi anglez Uiljam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860); 1854: diplomati gjerman, Johan Georg fon Han (Johann Georges von Hahn, 1811-1869); 1861: gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (Franz Miklosich, 1813-1891); 1882: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, albanolog me emër Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900); 1894: gjuhëtari danez Holger Pedersen, 1867-1953); 1973: gjuhëtari polak, indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski (Waclaw Cimochowski, Kursk, Rusi, 1912- Gdynia, Poloni, 1982); gjuhëtari gjerman, ilirolog Hans Krahe (Hans Krahe, 1898-1965) etj.
Të gjithë dijetarët e gjuhësisë shqiptare, në krye me Eqrem Çabejin (1908-1980) mbrojnë tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe, prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e shqiptarëve në të gjitha hapësirat në Gadishullin Ballkanik.

2. Teza trake: më 1891: filologu gjerman Karl Pauli (Carl Pauli, 1839-1901); 1893: filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek (Wilhelm Tomaschek, 1841-1901); 1898: filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt (Hermann Hirt, 1865-1936); 1921: gjuhëtari ruso-gjerman Maks Fasmer (Max Julius Friedrich Vasmer, 1886-1962); 1927: gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand (Gustaw Weigand, 1860-1930); 1938: gjuhëtari austriak-çek Julius Pokorni (Julius Pokorny, 1887-1970); 1954: gjuhëtari kroat, ballkanolog e albanolog Henrik Bariq, (1888-1957); 1957: 1994: historiani gjerman Gotfrid Shram (Gottfried Schramm, 1929-2017).

3. Teza iliro-trake: më 1911: Norbert Jokl (Norbert Jokl) 1925: Paul Kreçmer (Paul Kretschmer); 1940: linguisti italian Vitore Pisani (Vittore Pisani, 1889-1990); 1950: filologu e ballkanologu serb Milan Budimir (1891-1975); 1988: gjuhëtari gjerman, indoevropianist, keltolog, sllavist, u mor edhe me shqipen, mik i shqiptarëve Rolf Këderiç (Rolf Kdderitzsch, 1941-2020).

4. Teza dako-mizike: më 1960: gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986).

5. Teza për zhvillimin e pavarur (autonom): më 1964:

indogjermanisti gjerman Valter Porcig (Walter Porzig, 1895-1961), “Das Albanische und die Vergleichende Indogermanisch Sprachwissenschaft”; 1966: linguisti amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt Hamp, 1920-2019); 1987: gjuhëtarja ruse, albanologe Agnia Vasiljevna Desnickaja (1912-1992). Sipas studiuesve shqiptarë, Desnickaja i përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes.

* * *
Historian bizantin, i vetmi athinas të cilin e njeh historia e letërsisë bizantine, Laonik HALKOKONDILI (Laonici Chalkokondylas, 1423-1490) është autor i veprës “Tregime historike në dhjetë libra”. Mendohet se ka lindur në Athinë në një familje fisnike, ndër më të dëgjuarat në shekullin XV. Në veprën e tij ka përshkruar ngjarjet e viteve 1298-1487, duke u mbështetur në ato që kishte parë e dëgjuar vetë si dhe në burime të tjera të shkruara. Halkokondili ndoqi modelin e Herodotit dhe të Tukididit. Vepra e Halkokndilit ka rëndësi edhe si burim për historinë e Shqipërisë, përmban të dhëna për ilirët, për prejardhjen e shqiptarëve, për pushtimet e para të osmanëve në Shiqipëri, për zotërimet e Gjon Kastriotit dhe të Gjergj Arianitit, për luftën e Gjin Zenebishit (? – 1417/18) kundër osmanëve, për kryengritjen e shqiptarëve në Gjirokastër në vitin 1433, për luftën e Sfetigradit, për rrethimin e dytë të Krujës dhe disfatën e sulltan Muratit II (1403/1404 – 1451), për marrëveshjet e Gjergj Kastriotit (1405-1468) dhe të Gjergj Arianitit (?1383 – rreth vitit 1462/63) me udhëheqësin ushtarak hungarez, me prejardhje rumune Janosh Huniadin (1407-1456), për ekspeditat e Gjergj Kastriotit në Itali, për luftërat dhe kryengritjet e shqiptarëve të Peloponezit në vitet 1432, 1454 etj.

Në paraqitjen e ngjarjeve, në krahasim me autorë të tjerë, Halkokondili mban një qëndrim më objektiv. Megjithëkëtë, në disa raste në veprën e tij përzihen ngjarjet, lartësohen pa vend pushtimet osmane etj.
Shënim: Herodoti (rreth 484 ose 490 – 424/25 para K.) është historian i Greqisë së lashtë, i quajtur baba i historisë. Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Gadishullin Ballkanik vizitoi edhe Ilirinë, Trakinë dhe Maqedoninë. Është autor i veprës “Historia” me 9 libra. Vepra përmban të dhëna edhe për pellazgët. Është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve.

Tukididi (460 – vdiq pas vitit 400 para K.) historian grek. Ngjarjet historike i shpjegon me mjaft realizëm, ndaj është quajtur historiani i parë i vërtetë. Në veprën e tij ka të dhëna për luftën civile të Epidamnit të vitit 436 para K. si dhe për pjesëmarrjen e Taulantëve në këtë luftë.

* * *
Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjetës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor. Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Lajbnic.

Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij Vilhelm Gotfrid LAJBNIC (Gottfried Wilhelm Lajbniz, 1646-1716). Këtë përpjekje ia kishte kërkuar miku i tij M. V. La Krozë (La Crose) i cili ishte krye-bibliotekist i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri apo në pesë letrat që njihen si “Letra shqiptare” të cilat ia dërgonte krye-bibliotekistit, e që janë shkruar nga 24.06.1704 deri më 15.03.1715. Në to shtroi problemin e prejardhjes së shqipes, e përkimeve, takimeve dhe marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera (indoevropiane). Theksoi nevojën e dallimit të fjalëve me burim vendas nga huazimet. Vuri në dukje përkime dhe analogji të fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve gjermane, latine etj. Theksoi se shqipja është gjuhë e veçantë, e dallueshme nga sllavishtja, hungarishtja, greqishtja, turqishtja.

Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum) (Romë 1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjizimet e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë. Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit.

Ndër të parët që do të merret me shqiptarët është Hans Erih TUNMAN (Hans Erich Thunmann, 1746-1778). Ai del si eksploratori i parë i Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Kishte vënë në dorë “Fjalorin latinisht-shqip” të F. Bardhit dhe përkthimin shqip të Katekizmit të Belarminit nga Pjetër Budi. Hans Tunman është historian suedez, një nga albanologët e parë, profesor në Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Njohja me studentë e tregtarë nga vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, midis tyre edhe me shqiptarë, ia nxiti interesin për ta studiuar gjuhën dhe historinë e atyre vendeve.

Në veprën “Untersuhungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker” (Kërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore, Lajpcig 1774), H. Tunman bëri përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Vepra ka të bëjë me historinë dhe me prejardhjen e shqiptarëve dhe të rumunëve. Në bazë të argumenteve historike të nxjerra nga burimet greko-latine e bizantine, H. Tunman arriti në përfundimin se shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike të ilirëve, e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve, as nuk u zëvendësua në viset e veta nga një popullsi e mëvonshme e dyndur këtu. Duke u mbështetur në burimet bizantine, ai jep historinë e shqiptarëve mesjetarë, si një formacion etnokulturor unitar dhe si faktor politik më vete. Si provë të gjuhës së këtij populli, për të cilin shprehte simpati për shkak të gjendjes së tij të robëruar, H. Tunman përfshiu në këtë vepër fjalorin e mendimtarit dhe filozofit iluminist Theodor Kavaliotit (Voskopojë, 1718 – Voskopojë, 1797) që ia kishte dorëzuar nxënësi i tij Konstandin Xhehani*, një voskopojar i ditur, me të cilin u takua në Hale. Vepra e H. Tunmanit përbën një ndihmesë për të vënë mbi baza shkencore problemin e formimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.

Shënim: Konstandin Xhehani (emri i plotë Konstadin Haxhi Jorgji Xhehani (1740-1822) ishte filozof, mësues, matematikan, poet voskopojar i shekullit XVIII. Lindi në vitin 1740 në qendrën e famshme mesjetare të Shqipërisë, Voskopojë. Ishte nxënës i pedagogut të shquar të asaj kohe Theodor Kavalioti në Akademinë e Re në Voskopojë. Studioi në disa universitete evropiane: në Modra të Sllovakisë, Halle të Prusisë (Gjermani), në Kembrixh, në Leiden të Holandës. Ishte njohës i mirë u kulturës greko-romake dhe asaj evropiane.

* * *
Filozofi, shkrimtari dhe teoricieni i historisë i shekullit XVIII Johan Gotfrid HERDER (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herderi në këtë vepër thotë për shqiptarët: “Ata nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për të shqiptarët janë popull me histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve. Është autori i tretë gjerman ( njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Në kohën kur është botuar vepra e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth 1425-1490) dhe historianëve kishtarë Mishel Le-Quien (Michel Le Quien, 1661-1733) dhe Xhuzepe Simone Asemani (Guiseppe Simone Assemani, 1687-1768) që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit. Në vijën e tyre ishte edhe teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet të argumentojë ardhjen e shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.
Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga orientalisti dhe juristi anglez Uilljëm XHONS (William Jons, 1746-1794) rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit.

Në vitin 1807, gjeografi dhe gazetari danez-francez Konrad MALTE-BRUN (Conrad Malte-Brun, emri i lindjes: Malthe Conrad Bruun. Thisted, Danimark, 1775 – Paris, 1826) botoi në frëngjisht studimin “Essai sur l’origine, les moeurs et l’état actuel de la nation albanaise” (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc BOPI, profesor në Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri.

Më 1850, gjuhëtari gjerman August SHLAJHER (August Schleicher, 1821-1868), i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, vërtetoi karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten.
Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës së megali idesë rreth një lidhjeje të lashtë prejardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët.
Gjuhëtari dhe albanologu gjerman Franc BOP (Franz Bopp, Mainz, 1791 – Berlin, 1867) është themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane. Profesor në Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane studioi edhe gjuhën shqipe.

Që në vitin 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit, analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre, duke konfirmuar përfundimin e gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon KSILANDER ( Xylander), libri i të cilit “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835) doli nga shtypi më 1835. Në vitin 1854, Bopi botoi studimin “Uber das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”, ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Franc Bopi zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Franc Bopit qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe. Është autor i veprës “A Comparative Grammar of the Sanskrit, Zend, Greek, Latin, Lithuanian, Gothic, German, and Sclavonic languages”, (1833-1852) në 3 vëllime (Gramatika krahasuese e sanskritishtes, zendishtes, greqishtes, latinishtes, lituanishtes, gotishtes, gjermanishtes dhe e sllavishtes së vjetër).
Shënim: Zend është gjuhë e vjetër iraniane me të cilën është shkruar “Zend-Avesta”, libri i shenjtë i religjionit të Zaratustrës. Predikuesi dhe filozofi iranian Zaratustra jetoi midis shekujve VII dhe VI para K. dhe është themelues i religjionit të vjetër persian, mazdaizmit.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT