
Behar Gjoka/
Linja jozyrtare dhe diçka më tepër ajo antizyrtare, që zë fill dhe kulmohet me mendimet e Arshi Pipës mbi natyrën e krijimtarisë së Martin Camajt, përmbi përmasat dhe modelin letrar të këtij autori, e sidomos fakti i ligjërimit në variantin e gegnishtes, pamëdyshje edhe prania e disa formave të arbërishtes (siç ngjet me faqe të tëra në tekstin e romanit Karpa, por edhe diku tjetër, posaçërisht në prozat Shkundullima, Fshati me gjuhë të fshehtë etj.), po kaq si një tipar unik dhe adekuat i letrares së autorit, si një proces sprove dhe eksperimenti letrar, padyshim në shumësinë e vetë të përfunduar dhe me kualitet letërsishkrimor, shënon lavdi dhe mjeshtëri nga shkrimtari, gjurmë dhe dëshmi të shumta gjuhësore dhe letrare.
Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare, gjithëgjinore dhe gjithzhanrore, po kaq e teksteve letrare dhe studimore, bart edhe shenja të tjera të dukshme dhe me vlerë jetike për shqiptimin letrar në gjuhën shqipe:
– Me shpresën se gegnishtja, varianti i parëlemë i gjuhës shqipe, nuk ka « vdekur » njëherë e përgjithmonë, siç edhe e menduan dhe projektuan ekspertët e prishjes së normalitetit organik të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, gjithsesi nuk është tretur dhe shuar, ashtu siç e kanë dëshiruar dhe ëndërruar idhëtarët e zyrtarizimit të artit dhe gjuhës shqipe, pra në njëfarë mënyre të shkatërrimit të ekuilibreve të ligjërimit letrar si gjuhë e letërsisë dhe gjuhë e autorit, që në fakt standartizimi e sterilizoi si shprehësi letrare.
– Me aspiratën e shpallur me libra letrar dhe gjuhësor, që gegnishtja dhe arbërishtja dhe çdo ngjyresë tjetër letrare, nuk ka asnjë shans që ta ndërpresë rrugëtimin e vetë, jo vetëm sepse flitet në një hapësirë të konsiderueshme, si shtrirje dhe gjuhë e folur, ku jetojnë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijëve, por mbi të gjitha sepse ky variant është shkruar kaq bukur në pendën e Camajt dhe të disa autorëve të tjerë, pamëdyshje të të gjithë periudhave letërsishkrimore, saqë e vë në zgrip çështjen e njësimit të gjuhës së letërsisë, si unifikim i ligjërimit letrar.
– Me lartsynimin se gjuha e letërsisë, pra e thënë disi më ndryshe, gjuha e autorit, si shenjë e literaritetit në poezi a prozë, në dramatikë ose në verifikimin e studimtarisë, letrare dhe gjuhësore, nuk ka gjasa që të njësohet deri në shkatërrimin përfundimtar të artikulimeve autoriale, siç e sugjerojë dhe bëri ç’është e mundur që ta realizonte modeli zyrtar, gjuhësor dhe letrar i realizmit socialist, që dihet dhe është shqyrtuar pjesërisht se çfarë humnere krijoi në ligjërimin letrar të gjuhës shqipe.
Lavdia e Camajt, si shkrimtari i eksperimentit letrar, si dhe i autorit më modern të letrave shqipe bashkëkohore lidhet, sidomos me faktin e shkrimit letrar në koinenë e gegnishtes, si dhe në koinenë e arbërishtes, në kohën dhe kushtet e ndalimit të tyre, por mbi të gjitha emri dhe fama e tij, si lëvrues dhe shkrimtar modern, lidhet me sendërtimin e disa teksteve të befasishëm letrar, në poezi me librat Nema, Buelli, Palimpsest, në prozë me novelat e thukta të shkrimtarit, por edhe me romanet Rrathë dhe Karpa, doemos edhe me sinkretikën letrare, të pagjasshme në letrat shqipe, veçmas me tekstin Dranja, një rast që e tejkalon nivelin e shkrimit të letërsisë në gjuhën shqipe, e cila pamëdyshje rrok edhe qiej të tjerë letrarë, pa harruar këtu edhe dramatikën me tekstet Lojë mbasdreke dhe Kandilja e argjandit.
Përjetimi i realitetit letrar, specifik dhe unik, etik dhe estetik, gjuhësor dhe filozofik, dëshmues dhe shenjues, pikërisht ashtu siç e sendërton dhe ideon autori, pra në variantin e gegnishtes, si dhe me prekla të dukshme të arbërishtes, përbën një shkas për ta shijuar dhe kuptuar letraren e sendërgjuar prej tij, me aq veçanësi dhe finesë shkrimi. Termat, kinse shpjegues, përdorur me një shkujdesje të pa admirueshme, që nuk ka se si të të ngjallë shije pozitive, se i përket shkrimtarit të ekzilit, pra të mërgimtarit (kuptohet të përjetshëm), është një tjetër rrekje mejrane për ta shmangur, njëherë e përgjithmonë, Camajn dhe çdo shkrimtar tjetër, që nuk përfilli zyrtaritetin gjuhësor dhe letrar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, nga panteoni letrar dhe shtjellat e ligjërimit modern të gjuhës shqipe.
Toeria letrare, sidomos ajo moderne, më se njëherë sugjeron dhe sqaron se nuk ka peshë dhe rol parësor vendi se ku ka shkruar një autor, por gjuha dhe prania e shenjave letrare në një tekst, pra shqyrtimi i vlerës apo i mungesës së saj mbetet, gjithnjë dhe vetëm në marrëdhënie me letraren.
Shkrimtarët e ekzilit, pra mërgimtarët e përjetshëm, siç janë emërtuar nga studimet letrare zyrtare të shqipes, por edhe nga alabanologë të huaj, De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, në të kaluarën e largët, Martin Camaj, Bilal Xhaferri dhe Arshi Pipa, autorë të rrafsheve bashkëkohore të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, nuk ka gjasa që të mbeten përjetësisht në udhëkryqin ekzistencial, të shpërfilljes përfundimtare, sepse na u përmendkërkanë ndonjëherë nga burokracia dhe studimtaria letrare, në ndonjë përvjetor, që pafundësisht dhe metodikisht, me ç’duket rreket vetëmse që t’i lërë jashtë rrjedhave të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe si larmi dhe jo si unifikim mediokër dhe me vlera të dyshimta letrare. Zyrtariteti gjuhësor ka të bëjë më tepër me imponimin e shkrimit të letërsisë, vetëm sipas kodeve të rregullores drejtshkrimore, të miratuar në Kongresin e vitit 1972, nëse mund ta quajmë kështu ligjërimin e njësuar, i cili ka vënë në zgripin e mbijetesës gjuhën e autorit dhe të letërsisë, pra duke i larguar ato bukurshumë nga gjasat e shprehësisë letrare, ngjyresat e ligjërimit në këto variante (kuptohet në gegnishte dhe arbërishte), po ashtu zyrtarja letrare, lidhet vetëmse me modelin e realizmit socialist, të cilin shkrimtari i ligjërimit në thyerje të gjuhës së standardit dhe i eksperimentuesit të formave të larmishme artistike, e përbuzi dhe as nuk e përmendi asnjëherë.
Rrethimi i Camajt, por dhe i ndonjë shkrimtari tjetër të kësaj periudhe shkrimi, pamëdyshje e sidomos i krijimtarisë së larmishme letrare, në poezi dhe prozë, në dramatikë dhe studimtarinë gjuhësore dhe letrare, në qarkun përjashtues të kësaj përvoje shkrimore, madje nga më origjinalet në letrat shqipe bashkëkohore, pra si një mallkim krejt i pashembulltë, në historinë e letërsisë shqipe dhe më gjerë se sa kaq, kryesisht për faktin e ligjërimit të variantit të gegnishtes (me shenja të arbërishtes), njëherit nga ana tjetër, të lavdisë për këtë fakt shkrimi, mbase do të duhet parë si një shans i mbijetesës së këtij varianti, e sidomos i diversitetit (ndryshueshmërisë) letrar, gjuhësor dhe kulturor, do të duhet të ndërpritet si një shenjë e keqkuptimit paradoksal të veprës së gjerë dhe plot laryshi të krijimtarisë së tij, e cila në pjesën dërrmuese i përkon modernitetit dhe shpalimit të një eksperimenti letrar të përfunduar me kualitet shprehës.
Tekstet e Camajt dhe të ndonjë autori tjetër, që i shkuan, me vetëdijë dhe funksion të shpallur, letrar dhe gjuhësor, përkundër zyrtaritetit të gjuhës dhe të letërsisë së kohës së mediokritetit zyrtar, e shpëtuan gjuhën dhe letërsinë shqipe nga përtharja e plotë si ngjyrim dhe shprehësi letrare. Por, në kushtet kur gjendemi, të hapjes dhe mbylljes ndaj shenjave gjuhësore dhe letrare, pra vetëm të pengimit absurd dhe të pamundshëm që të vijohet kështu përgjithmonshëm, për disa variante dhe të folme të shqipes, dy-tre akte, sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të marrin fund:
– Redaktimi gjuhësor, nëpër shtëpitë botuese (madje me ligje absurde mbi pengimin e ngjyresave të të folemeve përtej njësuarishtes, pra në mënyrë të posaçme i teksteve të shkruara në gegnisht dhe arbërisht), i librave me poezi, në prozë dhe dramatikë, përmes një standardi që ka të bëjë më tepër me komunikimin publik (pra kryesisht me atributin e gjuhës zyrtare) dhe jo aq shumë me gjuhën e letërsisë, pavarësisht mëtimit të tejzgjatun të gjuhëtarëve të zyrtarshëm.
– “Përkthimi”, absurd dhe i pagjasshëm, që të ngjasë përjetësisht, i veprave të autorëve arbëreshë dhe të gegnishtes, sipas normës gjuhësore të standardit, sepse veçmas letrarja buron, gjithnjë sipas ligjësive të artit të fjalës, prej diversitetit kulturor dhe gjuhësor, pra ca më tepër prej çunifikimit të rregullave të ditura, si dhe në shpikjen e rregullave të reja, gjithnjë në funksion të letrares dhe maturimit të saj me shenja estetike, pra si një ikje dhe kthim i pashmnagshëm në letërsi.
– Kthimi në gjuhën e njësuar të standardit, që në fakt i përjashtoi si gegnishten dhe arbërishten, të poezisë së Mjedës, De Radës, Serembes, Fishtës, Migjenit, Camajt, por edhe i prozës së Pashkut etj. , si detyrë e nxënësve dhe studentëve të shkollave shqiptare, pavarësisht se janë publike ose private, të larta apo të mesme, diç më e theksuar në Shqipëri, kryesisht pa i lexuar dhe kuptuar, pothuajse fare tekstet e këtyre shkrimtarëve.
Zgjerimi i gamës së problemeve, që mbështjellë shkrimtari dhe vepra e tij letrare, vetëm sa zbulohet i plotë teksa sjell në fokus qëndrimin e vet Camajt, si një rruginë e munguar në shtjellimet letrare dhe gjuhësore të akademizmit shqiptar, zyrtar dhe jo zyrtar, kur shprehet: Besoj se tue ecë krahas gegnishtja e tosknishtja e shkrueme letrare, si dy motra të mira, pa ia pré rrugën njana-tjetrës, kanë vijue mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkëta, ku me të drejtë sugjerohet hapur se si do të duhet ligjëruar dhe lavruar gjuha e letërsisë. Madje, kjo vetëdije e qartë, gjuhësore dhe letrare, na zbulohet me akte të shkrimit letrar dhe joletrar, të variantit të gegnishtes prej dhjetëra shkrimtarësh, por edhe prej Martin Camajt, madje në rastin e tij, në një kualitet të ngritur letrar, që vetiu të shpie tek vetëdija letrare dhe shkrimore e sendërtimit të aq shumë tekstesh letrare dhe shkencore në variantin e gegnishtes dhe dromca fjalësh të arbërishtes.
Gjasat janë që rishtas dhe pashkëputshëm, në mjediset zyrtare dhe jo zyrtare të akademizmit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjëve shtetëror, do të prekim vetëmse vijimin e dhunimit të gegnishtes dhe arbërishtes, si dhe të përjashtimit të zakonshëm nga panteoni i letrave shqipe të shkrimtarëve të saj, qysh me Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën, Koliqin, Camajn, Reshpen, Pashkun etj. , ose më liksht ende të përkthimit të habitshëm (përshtatjes së mjerë), në gjuhën e standardit të De Radës, Darës, Serembes etj. , si dhe të vënies dorë në njësimin edhe të gjuhës së Konicës, Poradecit dhe të Paskos, çka do të thotë, as më pak e as më shumë, veçse ruajtje e piketave të vlerave gjuhësore dhe letrare të shpallura nga sundimi monist.
Në mungesë të atdheut, në gjallje Camaj e kreu detyrën dhe misonin, e mbajti të ndezun kandilen e ligjërimit të gegnishtes, e tani në amshim u takon lexuesve dhe studiuesve që ose ta lënë jashtë rrjedhave të letrares ose ta përfshijnë në panteonin e letrave shqipe. Kthimi i Camajt, ligjëruesi dalëzot i gegnishtes, por nga ana tjetër kthimi i gegnishtesh do të thotë lartim dhe vlerësim i krijimtarisë së Camajt, mbetet një nyje gordiane, që kërkon mund dhe sakrifica, e mbi të gjitha lëshime shkencore të nevojshme, lejimin e lëvrimit letrar në këto variante të ndaluar. Nëse vonohemi, koha do ta bëjë me siguri, por bashkë me të koha do të hedh matanë jo pak shqyrtime, të kryera gjatë kësaj ndërkohje, në shumicën e vetë, pa i lexuar tekstet e Camajt. Prania si autor i bashkëkohësisë, që dëshiron ta zbulojë universin, me gegnishten, një fakt i sprovës dhe eksperimentit letrar, unike si gjuhëshkrim dhe shqiptim letrar, e ngjizur me vetëdije kreative, diçka shpëton nga nderi i humbur i letrares së shekullit të kaluar. Në thelbin e vet gjuha e standardit, si gjurmë dhe dëshmi formale, nuk presupozon ndalimin e gjuhës së autorit, e larmisë që bart dhe përçon gjuha e letërsisë, përkundrazi janë gjuhëtarët dhe një masë doktorë-profesorash të letërsisë, që duan t’i japin asaj një atribut, gati të pamundshëm për ta patur, për gjithnjë dhe për të gjitha hapësirat, si metodikë shkrimore, që në fakt do të thotë vyshkje dhe shkatërrim përfundimtar i letrares së ligjëruar në gjuhën shqipe, si larmi dhe diversitet gjuhësor dhe letrar. (Pjesa e dytë)