• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

JEMI NJË SHOQËRI E VETËBLLOKUAR…

May 21, 2025 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

1. Zgjedhjet parlamentare nuk ofruan asnjë zgjidhje të problemeve të grumbulluara të shoqërisë sonë. Në këtë rast, nuk është faji i zgjedhjeve si të tilla, as vetëm faji i partive politike, po faji është edhe i vetë shoqërisë. Pse? Sepse kjo shoqëri nuk e ka aftësinë e ndryshimit të vetes, as me anën e zgjedhjeve. Kjo shoqëri nuk arrin t’i shfrytëzojë zgjedhjet për të hapur një mundësi më të mirë për veten e saj. Kjo shoqëri i shfrytëzon zgjedhjet, për të veshur me pushtet ata persona e ato grupe që e kanë sjellë në këtë derexhe të degradimit moral, kombëtar, fetar e gjithsesi edhe politik. Preokupimi kryesor i pjesës më të madhe të kësaj shoqërie, ende pa filluar fushata, është se cilët persona të fortë e arrogantë, kur e kur edhe me prirje thjesht kriminale, do të dalin më të fortë nga zgjedhjet, e jo se si të largohen nga politika. Kjo pjesë e shoqërisë, që në fakt përbën shumicën, është mësuar me këtë gjendje. Si ato grupe shoqërore, që përkrahin individë e parti të dhunshme, si ato grupe që janë indiferente dhe e bojkotojnë mundësinë e ndryshimit, janë pjesë e të njëjtit baltak të ndotur moralisht.

2. Njëra nga arsyet pse shoqëria jonë është bllokuar në mjerimin e vet, ka të bëjë me traumën e pashëruar nga spastrimi etnik dhe gjenocidi serb. Shumica e ne shqiptarëve të Kosovës kemi kaluar nëpër përvoja të tmerrshme gjatë luftës, që nga ekzekutimet e familjarëve dhe të afërmve, dëbimeve nga shtëpitë, djegiet e shtëpive dhe të pronave të tjera, mbajtja në kampe përqendrimi, dhunimet e numërta të grave e të burrave, zhdukja e kufomave të të ekzekutuarve. Të gjitha këto tragjedi kanë mbetur të gravuara në kujtesë, pa u shëruar kurrë. Për shërim të traumës kolektive e individuale nuk ka pasur një program adekuat shoqëror rehabilitimi. Nuk ka pasur as debat të sinqertë e hapur lidhur me atë që na ka ndodhur si popull. Përkundrazi, pas çlirimit e tërë tragjedia është mbuluar si me vello nuseje nga triumalizmi, nga militantizmi dhe narracione të pavërteta. Këto narracione të pavërteta, shoqërinë e traumatizuar e ka bërë edhe shoqëri gënjeshtare. Shoqëria jonë nuk pati energji e guxim të ngrihej në këmbë, të adresonte përgjegjësinë dhe të bëhej sovrane, në kushtet e lirisë. Vazhdoi të jetonte në frikë, të votonte me inat, të duronte në antkh. Këtu jemi edhe tash, shoqëri thellësisht e traumatizuar dhe e frikësuar, një shoqëri që aktron se gjoja është shoqëri e rehabilituar nga trauma dhe e liruar nga frika, pa qenë e rehabilituar nga trauma dhe pa qenë e liruar nga frika.

3. Shumica e njerëzve gjetën një mënyrë hipokrite për ta maskuar traumën dhe frikën që bartin në shpirt: me anën e hedonizmit të shfrenuar dhe të konsumerizmit pa karar. Epidemia hedoniste prodhoi një peizash të tmerrshëm shoqëror: masazhhane e shtëpi publike anëkend Kosovës, bastore e kumarhane anekënd Kosovës, motele, hotele ku për të bërë seks paguhen vetëm pesë euro, restorante e salla dasmash luksoze, hyxhyme me përmasa eksodi në bregdetin shqiptar, syneti, fejesa e dasma të hallakatura, me shpenzime marramendëse, etj. E gjitha kjo jetë hedoniste e konsumeriste, me kosto financiare të lartë, mbulohet nga kreditë e konsumit me kamata ngulfatëse, nga remitancat, nga vjedhjet e fondeve publike, nga pjesëmarrja aktive e masive në ekonominë informale, nga aktivitete kriminale, nga fajdeja e në disa raste edhe nga plaçkitje ordinere. Këto turma njerëzish të përfshirë në zdërhallje hedoniste e konsumeriste, shtiren sikur janë të lumtur e të fortë, si nën efektin e drogave, por në fakt janë po ata njerëzit e traumatizuar e të frikësuar, që nuk guxojnë të ballafaqohen as me problemet reale, madje as me veten e vet. Aq më pak me pushtetin.

4. Shoqëria jonë është e dështuar edhe për një shkak themelor: elitat politike dhe intelektuale realisht kanë hequr dorë masivisht nga shqiptarizmi, nga ideologjia kombëtare, nga morali kombëtar, nga vlerat kombëtare. Këto kanë mbetur vetëm si relike në gojët e disa nostalgjikëve, të cilët edhe ashtu me ideologjinë majtiste kanë qenë të hendikepuar që nga fillesa, sepse komunizmi me definicion është antikombëtarizëm. Nëse doni të bindeni për sa u tha lidhur me dezertimin nga shqiptarizmi, merrini dhe shikojini librat shkollorë, letërsinë shqipe që shkruhet në Kosovë viteve të fundit, gazetarinë e viteve të fundit, muzikën, artet figurative dhe do të shihni se janë larguar tërësisht nga tematikat kombëtare, nga motivet, nga kujtesa dhe nga idetë kombëtare. Merrini shikojini emrat e dyqaneve dhe do të shihni se mbi 90% nuk janë emra shqip. Merrini dhe analizojeni të folurit e politikanëve dhe do të shihni se shumica prej tyre flasin shqip, por nuk mendojnë si shqiptarë, në kuptimin kulturor e moral të fjalës. Pra, këto elita e kjo shoqëri kleptomane e konsumeriste, shqiptarizmin e kanë plagosur rëndë. Si duket ndihen të çliruar nga kufizimet morale, që do t’ua impononte shqiptarizmi, prandaj nuk kanë më asnjë kufi në ambiciet e shfrenuara.

5. Shoqëria jonë është e dështuar edhe në planin moral dhe fetar. Përkundër gjithë këtyre xhamive dhe kishave, shumica e të cilave janë ndërtuar pas çlirimit, ndikimi i hoxhallarëve dhe i priftërinjve në shoqëri e madje edhe në xhematet (grixhen) e tyre, është minimal, është i pahetueshëm. Ata nuk e kanë gjetur mënyrën adekuate të komunikimit me njerëzit, në rrethanat tona gjeokulturore, gjeopolitike dhe të kohës sonë postmoderne. Ata bëjnë monolog, në stilin si kanë folur pararardhësit e tyre para disa shekujve, duke tentuar të prodhojnë efekte psikologjike te masa, e jo edukim dhe gjykim kritik. Drejtuesit fetarë praktikisht janë shndërruar në brende të industrisë së festave: dalin në televizor në festa fetare, me mesazhe që nuk mbështeten fare në realitet, pastaj zhduken disa muaj nga skena, deri në festën e radhës. Këtyre u shkon për shtat vargu i Alen Boskesë, “Jeta ndodhi pa ne.” Edhe pjesën më të madhe të besimtarëve e kanë tëhuajsuar, ia kanë injektuar ndjenjën e inferioritetit, e kanë mësuar që të jetë e dëgjueshme, miratuese, letargjike, nihiliste. Ia kanë lëkundur vetëbesimin dhe dinjitetin. Prandaj shoqëria as nga kjo anë nuk ka një zgjidhje, madje as ngushëllim.

6. Në këtë ambient të një shoqërie të traumatizuar, të çmoralizuar dhe të frikësuar, politikanët mashtrues jetojnë si veshka në dhjam. Ata dikund premtojnë, dikund kërcënojnë, dikund diçka realizojnë, dikund dëmtojnë, por e gjitha kalon pa u penalizuar nga shoqëria, që ndihet e frikësuar dhe që edhe vetë e ndjen se nuk është e pafajshme. Partitë politike në këtë ambient ndihen pronare të shtetit, pronare të shoqërisë. Nuk kanë ndonjë drojë as nga zgjedhjet, sepse e din se nuk mund të ketë ndryshime, në një shoqëri që është vetëbllokuar. Partitë e zhvillojnë betejën elektorale të radhës, për ta ndarë e rindarë pushtetin, moskokëqarëse ndaj shoqërisë letargjike e ndaj shtetit, që vegjeton në prag të dështimit fatal. Megjithatë, në çdo cikël zgjedhor partitë freksohen me “prurje të reja”, pra, persona që në ndërkohë janë pjekur që të futen në politikë,që të zhvatin diçka edhe ata. (Sintagma “prurjet e reja” ma kujton një imazh nga fëmijëria, kur përroi vërshonte dhe sillte ndoca gjëra, për të cilat thuhej: “i ka pru reka!”) Kësodore, politikanët e vjetër, të patundur në krye të partive dhe “prurjet e reja” nga gjendja turbullt morale e politike, gjithnjë janë “të gatshme” për fitoret e radhës, ani që nuk kanë as programe, as profilizisme, as platforma.

7. Megjithë këtë prospekt mjaft të ngrysët, Kosova vërtet ka edhe shumë njerëz të mirë, punëtorë dhe atdhedashës. Janë të shumtë ata që kanë ngritur shtëpitë, fermat e bizneset nga e para, që kanë ndihmuar e ndihmojnë njerëzit në nevojë, që paguajnë taksat, që përpiqen për punë të mira. Por, ata duhet të ndihen gjallë edhe në sferën shoqërore e politike, duhet ta mposhtin traumën dhe frikën, duhet të marrin edhe përgjegjësi qytetare. Ndryshimin mund ta bëjnë ata që deri sot nuk janë përfaqësuar: rinia universitare, elita akademike, të papunët, fshatarët dhe të varfërit, në rend të parë. Në krizën tonë shoqërore, morale, ideologjike e politike, ata mund ta bëjnë diferencën, ata mund ta inicojnë daljen nga kriza, nëse zgjohen, nëse marrin përgjegjësitë që u takojnë.

Filed Under: Analiza

HOMERI NË VËSHTRIMIN E GJIGANDËVE TË LETËRSISË SHQIPTARE

May 21, 2025 by s p

Kosta Nake/

Letërsia antike mbetet një thesar që shekujt e kanë kaluar nëpër prizmin e tyre dhe, jo vetëm e kanë mbajtur të gjallë në kujtesën e njerëzimit, por edhe kanë hedhur dritë mbi gjërat e njohura duke shkërmoqur thërrmija diamantesh. Me romanin “Përbindëshi” (1964) Kadareja bëri këqyrjen e parë të vëmendshme te Troja, Iliada dhe Homeri. Zhbirimi i antikitetit vazhdon në tre kapituj radhazi duke filluar nga i dhjeti. Vetëm një studio krijuese si kjo e Kadaresë mund të zbulonte poshtë thundrës së një kali nga hordhia e Timur Lengut një copëz pllake qeramike mbetur nën rrënojat e një qytetërimi të groposur nga murtaja. Duke u ndalur te ky detaj, le të kujtojmë emrin e poetit trojan Thremoh, që është anagramë e emrit Homerth. Të gjithë ata që kanë lexuar apo dëgjuar për “Iliadën” automatikisht i pranëvënë asaj Homerin e verbër. A ishte vërtet i verbër? Kjo mëdyshje mijëravjeçare do të vazhdojë të mbetet e tillë. Nëpërmjet Gent Ruvinës autori thotë se verbëria e tij ishte veçse një kod, se “masa e njerëzve… bën një zhvendosje të perdes nga sytë e saj në sytë e poetit.” “Përbindëshi” është dëshmi e një vëmendjeje të shtuar ndaj gjuhës shqipe, një ndihmesë e çmuar për pasurimin e saj me fjalë të reja të bazuar mbi brumin e shqipes dhe jo vetëm.

Interesant është interpretimi i toponimeve “Ilion” si “Ylli jonë” dhe “Iliri” si “Yll i ri”. Kaq nuk është pak, megjithatë nuk mbaron këtu. Te romani “Kronike në gur” (1971) leximi i tragjedisë “Makbeth” e bën rrëfyesin që ta rimarrë disa herë motivin e vrasjes së mysafirit apo duke vendosur lidhje me Homerin e verbër. Homeri dhe Troja vijnë si detaje të rritjes kulturore të personazhit qendror. Verbëria e Homerit është një kod, masa e njerëzve e zhvendosi perden e syve të saj te sytë e poetit. Thremohu është poeti kombëtar i trojanëve, emri i tij ka brenda Homer së prapi dhe një TH përpara.

Pas disa vitesh Kadare iu rikthye antikitetit dhe Homerit tek romani “Dosja H” (1981), Sa e pabesueshme shfaqet fjala shqipe në vargun e parë të Iliadës “Menin aeide thes Peleiadeos Ahilaios!” (Mërinë këndo hyjneshë të Akil Peleut.) Sa interesant është krahasimi i Ajkunës së eposit të kreshnikëve me Helenën e Trojës! Po finesa e pyetjes se ç’ka qenë Homeri! “Poet gjenial apo redaktor gjenial, zyrtar, kontestator apo ideolog? Ishte një lloj publisher i asaj kohe, kronist mondan i Olimpit, zëdhënës zyrtar, apo shef si çdo shef kishte ndihmësit e tij të shumtë? Apo s’ishte asnjë nga këto, madje s’ishte fare person, por një institucion, dhe emri i tij, i përbërë prej inicalesh, duhej shkruar jo Homer, por H.O.M.E.R.” Perla të tilla mund të dilnin vetëm nga pena kadarejane!

Kadare, që më se një herë dëshmoi me veprat e veta vëmendjen e shtuar dhe vlerësimin e lartë për foklorin shqiptar, e shfrytëzoi këtë mjet artistik për të shkuar edhe më larg. “Studiuesve nuk u interesonte eposi shqiptar në vetvete, por teknologjia e prodhimit të tij.” Ata kapin dukurinë e harresës dhe shtesave për të kuptuar ç’ka ndodhur me eposin homerik. Thelbin e vërtetë të veprës e përbën përplasja shqiptaro-serbe për autorësinë e eposit.

“Legjenda e legjendave” (1996) është stacioni i radhës për ta ekspozuar antikitetin. A ka vërtet ndonjë lidhje mes mjegullës dhe legjendave? Natyrshëm vjen pyetja: Homeri ka qenë vërtet i verbër, apo kemi një kinse verbëri, një filtër mjegullues, një pëlhurë ndarëse për të mos parë këtë botë dhe për të zhbiruar një pjesë të parrokshme të saj?

Te “Dantja i pashmangshëm” (2005) Kadare rreshtoi këto vlerësimet për Danten: poeti hyjnor, profetik, kombëtar, bashkues zyrtar i Italisë, poeti i ndërgjegjes, ndëshkuesi i mëkatarëve, i cezarëve pushtues, i dhunuesve, i mashtruesve, më i madhi poet i Europës, dhe përfundon me karakterizimin “Homer i krishterë”.

“Dritëro Agolli është poeti homerik që e ngriti dashurinë mbarëshqiptare në një kult.” Ky vlerësim i krijuesit dhe studiuesit Hyqmet Hasko më bëri të kërkoj Homerin te Vepra letrare e tij dhe gjeta dy diamante. Te vëllimi poetik “Hapat e mi në asfalt” (1961) është poezia “Vajzat notare”

para të cilave heroi lirik ndjehet për disa çaste si Odiseu i Homerit para sirenave dhe dy herë përmbyll strofat me pyetjen retorike: “Kush tha se s’ka sirena në dete?” Kurse te libri “Dashuri në moshën e Krishtit” (2018) që përmban korrespondecën rinore mes Dritëroit dhe bashkëshortes Sadije, na shfaqet një Homer shqiptar me përmasa të tjera: “Nesër nisem për në Gjirokastër. Bëra mirë që po ik, që të harrohen ca skandale që kam kryer pas nja dy pijesh homerike.” [5.5.1965]

Filed Under: LETERSI

ERNEST KOLIQI DHE KOSOVA

May 21, 2025 by s p

 Në përvjetorin e lindjes

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
A person wearing glasses and a suit

AI-generated content may be incorrect.

                                              Ernest Koliqi (20 Maj,1903-15 Janar,1975)                                 

Me 20 maj, 2025 kujtojmë Prof. Ernest Koliqin në përvjetorin e lindjes. Shkrimtar, studiues, publicist dhe figurën poliedrike Ernest Koliqin, njërin nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha shekullit të kaluar. Ernest Koliqi dha një kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare kur shërbente si ministër arsimi, por edhe gjatë gjithë jetës së tij edhe në mërgim. 

Sa për të kujtuar, me këtë rast, vetëm një aspekt të veprimtarisë së tij shumë dimensionale, gjatë vitit shkollor, 1941-42 në postin e ministrit të arsimit, ai dërgon në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë e asaj kohe qindra mësues e mësuese me qëllim përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Gjatë asaj kohe janë hapur, për herë të parë, një numër i madh shkollash fillore në shumë vende të botës shqiptare në Ballkan: në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare si në Mal të Zi e Maqedoni. Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në rrethin e Ulqinit | Gazeta Telegraf

Ernest Koliqi me fjalën “shqiptar” nënkuptonte, “Njeriun bashkombtar të Shqipnisë së vjetër dhe të Kosovës. E për të qenë krejtësisht të qartë, edhe atë të Malit të Zi e të Maqedonisë. Thërrasim, “Arbëresh”, vëllaznit fisnorë të Italisë, të Greqisë e të Zarës; përdorim skajin Arbnuer – nga Arbri – tue përfshi në të, mbarë gjinden e gjakut tonë, dmth, Arbreshë e Shqiptarë bashkë”, sipas tij, kudo që ata jetojnë.

Gjithashtu gjatë atyre viteve, shumë bursa iu shpërndanë studentëve shqiptarë duke mundësuar dërgimin e tyre në shkolla të Italisë e Austrisë. Sipas të dhënave historike, shkolla e parë u hap me 12 dhjetor, 1941. Siç dihet këto shkolla të hapura nga Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij, kanë vazhduar punën deri në vitin 1944, kur për fat të keq, qielli kombëtar u mbulua nga retë e zeza kur e mbuloi terri gjysëm shekullor i komunizmit anti-kombëtar ndërkombëtar.

Ato shkolla, siç dihet sot, janë bërë baza të rëndësishme të zhvillimit të arsimit, gjuhës dhe të kulturës shqiptare në trojet shqiptare nën-ish Jugosllavi. Ky është mendimi i shumë historianëve sot por edhe i bashk-kohasve të Ernest Koliqit, disa prej të cilëve kanë qenë bashkpuntorë të ngushtë të Koliqit në këtë mision të shënjtë mbarëkombëtar – si Dr Rexhep Krasniqi, ndër të tjerë. Dr. Krasniqi ishte emëruar nga Koliqi si Drejtor i parë i gjimnazit të hapur në Prishtinë në vjeshtën e vitit 1941. Kjo veprimtari arsimore në atë kohë ishte dhe sot konsiderohet – sidomos në Kosovë –si një kontribut vendimtar i Ernest Koliqit në arsimimin e brezave. Një akt ky i këtij burri të madh, fatlum, për Shqipërinë dhe Kosovën, por fatkqesisht, një rol ende i mohuar, në qarqet kryesore politike, akademike e mediatike në Shqipëri. Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf  Koliqi shprehej sshpesh se e gjithë bota po ndryshon por Shqiëëria jonë nu ndryshon. Kjo fatkeqsisht vlen edhe për ditët tona.

Sidoqoftë, thuhet se interesimi i Ernest Koliqit për Kosovën, që në rini, ishte influencuar nga miku i tij shkodran, Luigj Gurakuqi, i cili në atë kohë njihej me plakun e maleve, Bajram Currin, por edhe me patriotë të tjerë politikë dhe revolucionarë të Kosovës e që më vonë i ka njohur edhe vet Koliqi, që në hapat e para të rinisë e të veprimtarisë së tij letrare, atdhetare dhe politike. Një prej tyre, Tahir Zajmi ëstë shprehur për Koliqin dhe trajtimin e tij nga të “pandërgjegjëshmit” dhe të “papërgjegjëshmit”:  “Kape kah ta kapish del në shesh si drita e diellit se periudhën e heshtjes a të pushimit të vërtetë letrar prodhues të Koliqit gjatë luftës e karakterizon përkujdesi dhe përhapja e arsimit kombtar, veçanërisht në Shqipninë Ethnike. E kur shohim se Universiteti i Prishtinës sot (1963) me tetë fakultete, do të matet me atë të Tiranës, në një kohë të shkurtë, e se në atë universitet ka mjaft arsimtarë të emnuem nga Koliqi gjatë luftës me shërbye në Kosovë, po për gjuhën shqipe – vetëm kjo duhet t’a qetësojë zemrën e Koliqit dhe t’a bajë me jetue ma gjatë për të mbarën e letrave shqipe. Ndërsa të pa-ndërgjegjëshmit dhe të pa-përgjegjëshmit që nga Tirana lëshojnë lotë krokodili për Koliqin e për Kosovarë, le të shukusin e ta ulin kryet përpara atij që vepron me përgjegjësi kombëtare në momente historike”.  Nga Shëzat, VII, 1963, 5678, Maj-Gusht, faqe 235-241, nënshkruar nga autori me pseudonimin: “Kosovari”.

Vërejtës të paanshëm pra, e kanë konsideruar rolin e Koliqit në arsimimin e brezave të shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, si një rilindje e gjithanshme e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në ato anë deri atëherë të shtypura, mizorisht, nga regjimi i ish-Jugosllavisë mbretërore. Deri atëherë Beligradi u kishte mohuar shqiptarëve të gjitha të drejtat kombëtare, përfshir të drejtën për të mësuar gjuhën shqipe. 

Për këtë arsye shqiptarët e Kosovës – në kohën e Koliqit dhe më vonë — e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë edhe sot si një fitore të madhe hapjen e shkollave shqipe në Kosovë nga Ernest Koliqi, në vitet 1941-44, “Të cilat qysh atëherë veprojnë e lulzojnë me një rythëm të shpejtë dhe të pandalshëm duke i falë Kombit pionerë të rinjë që do të jenë garantia më e shëndoshë dhe uzdaja e s’ardhmes së Atdheut. E meritat kryesore të kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim, i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin e tij prej idealisti nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetnore në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsismues në viset e lirueme me elementa të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot pra, për fatin e bardhë të Kombit ashtë formua atje një rini dinamike e cila në çdo fushë të aktivitetit kombëtar e shtetnor po përgatitet e po forcohet për t’a lumnue fatin e vendit, në të ardhëshmen.” (Tahir Zajmi, Kontributi i Ernest Koliqit për Kosovën në Shëjzat VII, 1963, nr. 5-8, faqe 221-222.  

Tahir Zajmi ka shkruar gjithashtu se edhe në mërgim, Koliqi ka vazhduar të mbetej shumë i interesuar për veprimtarinë e tij të frutshme në zhvillimet e Kosovës, sidomos ka thenë ai, për zhvillimet në fushën e arsimit, përparimet në shkollat shqipe dhe të rinisë shqiptare në vise shqiptare nën ish-Jugosllavi, ashtuqë puna e tij në fillim të dyzetave të mos ndërpritej as të ndalej. Ky ishte interesimi i tij për Kosovën, sa ishte në mërgim në Romë. Prandaj sipas Zajmit janë të shumta arsyet që, “Ernest Koliqi zen një vend të naltë në zemrat e dashamirësve të Kosovës, e njëherazi edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”.

Ndërsa një tjetër perosnalitet nga Kosova, poeti Nijazi Sulçoglu ka vlersuar  kontributin e Ernest Koliqit për arsimin në Kosovë, duke e cilësuar poetin dhe shkrimtarin e madh shkodran, Ernest Koliqin si “dragoin kombëtar” që përhapi shkollat shqipe në trojet shqiptare, që punoi për Kosovë e për Atdhe e të cilit “i jemi borxhli” për kontributin e tij. Prandaj, para këtij “Vigani të madh kombëtar shqiptar… të përulemi”, është shprehur poeti nga Kosova duke shtuar se, “Ndër zemrat tona kosovare emni i Ernest Koliqit gjithmonë ka me qenë i gjallë, ndërmjet të gjallëve”, ka shkruar Nijazi Sulçoglu në revistën Koha Jonë nr.1,2,3, janar-Shkiurt-mars, 1975, faqe 50)

Ky shënim modest i imi në përkujtim të Ernest Koliqit në 122- vjetorin e Ernest Koliqit pasqyron në vazhdimsi  amanitin e mbajtur – “mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”.- Frank Shkreli: Amanetin e mban toka – gëzuar ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi | Gazeta Telegraf

Ernest Koliqi, për fat të keq të tij dhe të Vërtetës historike kombëtare, vazhdon (jo për faj të tij) të sulmohet rëndë, sidomos, nga pseudo-historianët e ish-regjimit komunist në Shqipëri, përfshir apologjetët aktualë politikë e akademikë të regjimit të Enver Hoxhës. Siç thashë më lartë, duke qenë i vetdijshëm se si trajtohej figura dhe vepra e tij në nga regjimi enverist në Shqipëri, është shprehur me një rast se “kudo gjanat ndryshojnë, por jo në Shqipëninë tonë”. Por, për fat të mirë, falë vlerave dhe kontributit kombëtar të trashëgimisë së veprimtarisë së tij, në Republikën e Kosovës sot vihet re në një interesim më i madh e më i sinqert për punën dhe veprat e Ernest Koliqit.  Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës”, ishte thirrja që bënte i ndjeri Profesor Ahmet Qeriqi, ish-drejtor i Radios Kosoav e Lirë – Zëri i UÇK-ës gjatë luftës,  për një përmendore në nder dhe në kujtim të Ernest Koliqit si shpërblim për “dhuratën e tij më të madhe që mund t’i jepej një kombi… Frank Shkreli: Thirrje për njohjen e rolit të Ernest Koliqit në përhapjen e arsimimit kombëtar (1941-1944) anë e mbanë trojeve të robëruara shqiptare | Gazeta Telegraf  Sa vizionar që ishte! Sa i kënaqur do të ishte të shihte realtzimin e ëndërres së tij të një Shqipnie etnike — sot Kosovën e lirë, shtet të pavarur, fara e të cilës ishte hedhur prej tij me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, Tetovë, Dibër dhe në krahinat bregdetare të Ulqinit.

Frank Shkreli 

                              A group of men posing for a photo

AI-generated content may be incorrect.At Gjergj Fishta, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Lagush Poradeci, Ernest Koliqi – Shkodër, 1938 

A person wearing glasses and a suit

AI-generated content may be incorrect.

Foto e Ernest Koliqit, circa 1938 –2-3 vjetë para se të bëhej Ministër i Arsimit dhe të merrte vendime strategjike kombëtare për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shpiptar në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi, 1941-1944.

                                                   A close-up of a couple of men

AI-generated content may be incorrect.Autori me Ambasador Flamur Gashi në Nju Jork, 2022: “Në çdo qytet të Dardanisë, Maqedonisë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, në Mal të Zi dhe kudo ku ka dhe jetojnë shqiptarë është meritore të ketë shkolla, rrugë, sheshe dhe shtatore me emrin e themeluesit dhe përhapësit të arsimimit kombëtar në këto anë… Ministrin e Arsimit Ernest KOLIQI”.

Filed Under: Histori

PIKËPAMJE TË DISA STUDIUESVE TË NAIM FRASHËRIT MBI PERSONALITETIN DHE VEPRAT E TIJ

May 20, 2025 by s p

Albert HABAZAJ/

Për jetën dhe veprën e Naimit janë shkruar shumë monografi, janë zhvilluar konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, kombëtare dhe ndërkombëtare. Naimi pati tri burime të kthjellëta, ku piu ujë frymëzimi: poezinë popullore, poezinë e Lindjes dhe atë të Perëndimit. I njihte mirë, por i tejkaloi revolucionarisht bejtexhinjtë. Ndërkohë në poezinë e tij vërehen ndjeshëm figurat letrare si personifikimi, simboli, epiteti, hiperbola, krahasimi dhe metafora me prejardhje folklorike, dhe pati sukses, sidomos me apostrofën. Ai jetoi e veproi në shekullin XIX kur vetë koha të orientonte për veprimtari letrare, diturore, politike e atdhetare me kontekst kombëtar, jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan e më gjerë. Ndoshta kjo hulli e lëvizjes kombëtare i pëlqente shumë poezitë e Naimit. Ai u ndikua nga folklori, por pa dyshim edhe vjershërimi i tij ka ndikuar në poezinë popullore. Sot e kësaj dite këndohen pjesë të teksteve të tij poetike në krahina si Kruja, Skrapari, Gramshi, Korça, Pogradeci, Manastiri, Krutja e Sipërme, Labëria, etj.

1. Burimet nga historia e letërsisë shqiptare

1.1. Faik Konica. Kujtojmë se Faik Konica ka dy qëndrime për Naimin, njërin pozitiv dhe tjetrin negativ, apo “tallës” siç e quan vetë Konica. E vlerëson shumë si atdhetar dhe shkruan për të: “…një dashës i thellë i Shqipërisë, i cili, si zgjonjës i Kombit, bëri shërbime të pavdekura edhe ka pakë shokë në historin’ e rilindjes s’onë.”[1]. Po aty, duke pasur koncepte të larta për vjershërimin, ai nënvizon se vjershësia është mjeshtëri e bukur, një art, se vjershësia është sheshi i cilësisë jo i sasisë, se shkrimi i vërtetë i kursen fjalët, se shkrimi i vërtetë i zgjedh fjalët, se shkrimi i vërtetë, në varg a në frazë ka muzikën e veçantë të tij. “Duhet me tingullin e tij t’i pëlqejë veshit”[2] – shkruan Konica. Ai i quan vjershërimet e Naimit “një lumë të paqëndruar fjalësh të shtypura në formë vjershe, pallavra, tototo-e-tatata, që zënë një vënt me rëndësi në historin’ e lëvizjes kombëtare. Janë dokumenta propagande politike të vlefshme dhe asgjë tjatër”[3].

1.2. Dritëro Agolli. Dritëroi e ka dashur dhe e ka vlerësuar shumë Naimin, dhe ka shkruar në linjën e Naimit në kohë të re me individualitetin e tij krijues të përkryer. Agolli i drejtohet Naimit e i thotë: “Punove mirë, usta!” Neve na kujton se Naimi është fëminia e poezisë sonë, se ai shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse. Dhe më tej Agolli thekson se N. Frashëri është i pari në poezinë shqipe që krijoi poemën sintezë, poemën pa personazhe e episode, si Bagëti e bujqësia dhe Bukurija.
Nuk ka sesi një shkrimtar dhe njeri i madh si Dritëroi, i cili gati e adhuronte Naimin, të shkruajë qysh herët edhe këto vërejte të pakontestueshme: “Krahas vargjeve të shkëlqyera, do të gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime që nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut” [4].

1.3. Ismail Kadare. Kadarejaka bërë parathënien [5] e vëllimit me poezi e pjesë të zgjedhura të Naimit, me 181 f., ku janë përfshirë 81 njësi poetike, botuar në nderim të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndër të tjera, thotë se nuk mund të lexosh Naimin pa menduar Shqipërinë dhe kjo është cilësiae parë e tij, madhështia dhe fati i tij. Vepra e tij e gjerë e plot dritë, që mund të quhet pa frikë universi naimjan, ka në qendër të vet pikërisht atdheun dhe lirinë; poema Histori e Skënderbeut e Naim Frashërit do të ishte për rilindësit tanë si një kalë lufte. E vlerëson që diti të fluturojë bukur mbi gjeografinë poetike të poezisë orientale dhe asaj romantike perëndimore. Duke folur për kufizimet e veprës së Naimit dhe të rilindësve të tjerë, është me rëndësi të kuptojmë ç’ka shkruan Kadare: “Në fund të fundit, duke thënë kufizimet e tyre netregojmë se i nderojmë ata, ashtu siç do të tregonim mosnderimin tonë duke mos i përmendur ato” [6].

1.4. Dhimitër Shuteriqi. Pasi vlerëson se romantizmi shqiptar i arriti kulmet e tij me De Radën e me Naimin, ndalet edhe tek stili e Naimit, që, sipas Shuteriqit, shquhet nga ato veti të lirizmit të tij. “I thjeshtë e i ngrohtë, ai e afron lexuesin menjëherë, e bën të ndiejë ëmbëlsinë e një shpirti të përgjëruar, tek i cili rri ndezur gjithmonë një flakë dashurie për njeriun, dashuri, që së pari, e ndien lexuesi vetë” [7]. E ç’mund t’i kërkosh më tepër një poeti, një shkrimtari të madh për arritjen e misionit të tij nga ç’ka nënvizon prof. Shuteriqi për poetin tonë kombëtar?! Studiuesi me të drejtë ka vërejtur se me Naimin filloi në Shqipëri një periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij është si një gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq gjini, vepër që pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e poetëve dhe shkrimtarëve që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu edhe në bazën e gjuhës letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër madhore [8]. Pa u hapur shumë, mund të lavdërojmë punën e profesorit në studimin e origjinës së vjershës Fyelli, sepse e shpie më tej atë ç’ka shkruan prof. Çabej, se ajo “është inspiruar” [9] nga një vjershë e Rumiut. Shuteriqi e quan “një rikrijim që s’e ndan dot nga vjershat origjinale të Rumiut”[10]. Naimologu i parë serioz shqiptar, prof. Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një varg veprash të papërfunduara, ndër to Fjalorin e Naim Frashërit, që u botua kohët e fundit nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

1.5. Rexhep Qosja. Përpos sprovave të hershme, Qosja ka dy punime të rëndësishme për profilin e Naimit: Panteoni i rralluar dhe Porosia e madhe. Ndonëse jo botim i mirëfilltë kritik, edhe pse, siç u shprehëm, pati gjurmë të shkelura për një vështrim më sy më sy me veprën letrare të Poetit, punimet e shumta të kërkimit këmbëngulës të Qosjes për Naimin janë një bibliotekë më vete në funksion të Naimistikës. Akademiku merret me Poetin qysh me tekstin Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi, veçanërisht në vëll. 3 (Prishtinë, 1986, kap. 10), në përmbledhjen Panteon i rralluar me studime, kritika, ese (Prishtinë, “Rilindja”, 1973, ribot.: Tiranë, Sh. B “Naim Frashëri”, 1988, f. 15-88), me monografinë Porosia e madhe, kushtuar veprës së Naim Frashërit, në tri ribotime (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1989; 504 f.; Prishtinë, “Rilindja”, 1990, 606 f.; Tiranë, Toena, 2000, 580 f.). Ndër të tjera mund të theksojmë se prof. Qosja ka përgatitur për shtyp veprën e Naimit dhe ka bërë parathënien e teksteve botuar në Prishtinë, në vitin 1978, sidomos ribot. 2 të plotësuar nga “Rilindja”, 1986, në 7 vëllime, nga të cilat, në vëll. 1: Ëndërrime, Bagëti e bujqësija, Dëshir’ e vërtetë e shqipëtarëvet, Luletë e verësë, Dashuria, në 234 faqe; në vëll. 2: Vjersha për mësonjëtoret e para, Parajsa dhe fjalë fluturake, Fletore e bektashinjet, Shqipëria, Pellazgët-Shqipëtarët, në 194 f.; vëll. 3: Histori e Skënderbeut në 325 f.; vëll. 4: Qerbelaja, 291 f.; vëll.5: E këndimit çunavet këndonjëtoreja I, E këndimit çunavet këndonjëtoreja II, Istori e përgjithëshme për mësonjtoret të para dhe Istori e Shqipërisë, 240 f.; vëll. 6: Dituritë për mësonjëtoret të para, Gjithësia, Mësime, Katër stinët, Iliadhë e Omirit, Letërkëmbimi në 259 f. dhe në vëll. 7: Porosia e madhe: monografi mbi krijimtarinë e Naim Frashërit. Ky botim, që është përfshirë si vëllimi i shtatë në Vepra të Naim Frashërit, ka: në f. 7-14: Kronologjia e jetës, në f. 577-578: Bibliografia e veprave në gjuhën shqipe, në f. 579-593: Bibliografia kronologjike e shkrimeve mbi krijimtarinëe tij dhe në f. 595-601: Treguesi i emrave. Gjithashtu autori ka përgatitur për botim veprën e Naim Frashërin në 6 vëllime edhe në Tiranë, tek “Toena”, gjatë vitit 2007, ku përshihet poezia dhe proza, tekstet mësimore, letërkëmbimi në letërsi (letërsia epistolare), letërsia fetare bektashiane e tij, botuar në 1892 faqe. Vlen për t’u përmendur vëmendja që ai i ka kushtuar përmbledhjes me vjersha të shkruara në persisht: M(ehmed) Naim Frasari, Tahayyùlat, Mihran Matbaasu, Istanbul 1301 (1884); Naim Frashëri, vepra 1, zgjodhi e përgatiti për shtyp Rexhep Qosja, Prishtinë, 1978 (tok me Luletë e verësë dhe Bagëti e bujqësija.

1.6. Jorgo Bulo. Nga specialistët e fushës, gjykohet se Jorgo Bulo ka realizuar punimin më të plotë për Naimin, monografinë: Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (Tiranë, “Shkenca”, 1999 në 199 f.), ku spikat kritika e mirëfilltë shkencore dhe interpretimi i poezisë lirike të Naimit. Ai e quan Naimin poet i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve dhe veprat e tij formuese të ndërgjegjes gjuhësore të kombit. Ndërkohë ai shquan “dy paralele poetike: Rumiu dhe Naim Frashëri” [11], duke shprehur praninë e frymës dhe të motive të poezisë persiane, veçanërisht të poetit të madh mistik Xhelaledin Rumiut (1207-1273). Ndikimi i Rumiut ndihet në shumë prej lirikave të filozofike të Naimit. Është vënë gishti mbi lirikën Fyelli të Naimit, që vjen si frymëzim, e dikujt mund t’i duket edhe si një sozì, e poezisë së njohur antologjike Kënga e kallamit, e përkthyer në shumë gjuhë të botës, në disa syresh me titullin Kënga e fyellit. Nuk është rasti të bëjmë ballafaqime tekstore e zbërthime, se i kanë bërë të tjerët më parë, por vlen të ravijëzojmë parashtresën në formë hipoteze të prof. Bulos për këto probleme që hasen. Sipas tij, janë një tip i caktuar krijimesh të Naimit, që ne do t’i quajmë “vjersha me subjekt anekdotik”, (të dyshueshme për karakterin e tyre origjinal) e që duhet t’i përkasin të njëjtit burim, Rumiut. Në këtë kontekst, ne e lexojmë profesor Bulon kështu: Sot, si duket dhe në plotësim të merakut të profesor Cipos, qysh më 1936, i kemi mjetet të dallojmë ç’ka marrë hua Naimi dhe ç’është bijë e frymëzimit të tij. Këto vërejtje nuk e ulin aspak emrin e madh të poetit tonë kombëtar, përkundrazi e pastrojnë atë nga mjegullnajat dhe profili i tij quhet më i kthjellët, më poetik, më kombëtar, më universal. Në dy veprat e tij Magjia dhe magjistarët e fjalës (Tiranë, “Dituria”, 1998, me 324 f.) dhe Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit (e sipërcituar), akademiku shqiptar e shikon Naimin si poet romantik, që u dha flatra në poezi përsiatjeve për lirinë e shpirtit njerëzor dhe meditimeve ekzistencialiste për jetën dhe vdekjen, për qenien edhe mosqenien dhe për dhembjen njerëzore. Lirizmi filozofik dhe lirizmi poetik i Naimit, sipas Bulos, përfshijnë tërësinë e krajatës njerëzore; ai synonte të rindërtonte njeriun dhe të shprehte kompleksitetin e shpirtit njerëzor, luftën e përjetshme që zhvillon brenda tij midis engjëjve të së mirës dhe demonëve të së keqes, duke poetizuar anën fisnike të natyrës njerëzore, tek e cila shihte forcën dhe madhështinë e Krijuesit. Poeti, mendimtari dhe edukatori i kombit, Naimi ynë, tashmë nuk është vetëm më kombëtari, por dhe më universali poet i letërsisë shqipe edhe në një vështrim tjetër. Në radhë të parë ai është një fenomen ndërkulturor. “I ndodhur në kryqëzimin e kulturave dhe të traditave poetike lindore dhe perëndimore, ai i treti në poezinë e tij këto tradita dhe nuk mbeti skllav i tyre, as vetëm poet i shprehjes gjuhësore shqipe, por edhe persishte, turqishte e greqishte” [12] -kumton prof. Bulo në Konferencën Shkencore “Naim Frashëri – 160-vjetori i lindjes”, që i zhvilloi punimet më 25 maj 2006 në Universitetin “Ismail Qemali” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Institutin e Gjuhësisë dhe i Letërsisë.

1.7. Shaban Sinani. Ndër studiuesit e sotëm shqiptarë më të njohur, prof. Sinani kujdeset ta shikojë shëmbëlltyrën poetike dhe atdhetare të Naimit kudo ku shfaqet, me synimin e vetëm që poetin tonë kombëtar të njohim në plotëri, jo me pjesë të zgjedhura. Sinani e cilëson Naimin si Rumi shqiptar, ndërkohë që ka rezerva për njohjen thellë të poetit tonë. Sipas tij, kemi ende një këndvështrim të paplotë dhe pothuaj vetëm për letërsinë që ai ka shkruar në gjuhën shqipe.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: ESSE

Përkujtojmë në 122- vjetorin e lindjes shkrimtarin, studiuesin, publicistin dhe figurën poliedrike Ernest Koliqi

May 20, 2025 by s p

QSPA/

Ernest Koliqi lindi më 20 maj të vitit 1903 në Shkodër në një familje me origjinë nga Dukagjini. Ndoqi mësimet e para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. Më 1918 fillon studimet në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia të Italisë. Atje së bashku me disa studentë të tjerë themelon gazetën “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku edhe boton poezitë e para në italisht. Koliqi ka meritën e bashkëthemelimit të tregimit modern shqiptar, ndërkohë ishte poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg. Për më shumë se tridhjetë vjet dha mësim në Padova dhe Romë të Italisë. Prof. Koliqi ishte veprimtar i shquar në fushën e politikës të gjysmës së parë të shekullit XX, duke mbajtur postin e Ministrit të arsimit në qeverinë Vërlaci, ku i njihet merita e dërgimit të 200 mësuesve shqiptarë në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe përhapjesë së botimeve dhe shkollave shqipe në trevat shqiptare. Por, njëkohësisht së bashku me intelektualë të tjerë E. Koliqit i njihet merita e mbajtjes së Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare, bërthama e ardhshme e Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Ishte themelues dhe drejtues i tri revistave kulturore: “Ora e maleve”, “Shkëndija” dhe “Shêjzat”, si dhe themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë. Ndër veprat e tij më të njohura përmendim: Kangjelat e Rilindjes, Kushtrimi i Skanderbegut, Hija e maleve, Symfonia e shqipevet, Shija e bukës mbrûme, Antologjia e lirikës shqiptare etj. Prof. Ernest Koliqi u shua më 15 janar 1975, në Romë duke e lënë këtë jetë me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë (ASA), organizoi në maj 2023 konferencën shkencore “Poliedriku Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes”, nga ku është marrë edhe fotografia e mëposhtme dhe punimet e së cilës pritet të shohin së shpejti dritën e botimit.

Në linkun në vijim gjeni një material më të plotë mbi veprimtarinë e Prof. Ernest Koliqit dhe një letër dërguar Karl Gurakuqit, si pjesë e letërkëmbimit mbajtur mes tyre, gjatë viteve ‘50: https://www.shkodradaily.com/2013/04/ernest-koliqi.html

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT