• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…

May 17, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

(Vepra 2 e Naim Frashërit, Rilindja, Prishtinë, 1978)

A. Vjersha për mësonjëtoret e para (1886)

Siç përcaktohet edhe nga titulli, vjershat u shkruan si mjet didaktik për shkollat e para shqipe. Janë 37 vjersha, nga të cilat 25 janë fabula të cilat të gjithë brezat e shoqërisë shqiptare i kanë patur si ushqim që prej krijimit të shtetit shqiptar dhe shumë prej tyre i kanë mësuar përmendësh për të mos i harruar deri në fund të jetës.

Me që fabulat përbëjnë shumicën e vjershave, po ndalemi fillimisht tek ato. Fabula është një tregim i shkurtër në vargje me personazhe gjallesa, bimë ose sende, me veprime e fjalë alegorike që japin një mësim moral, e lëvruar gjerësisht në letërsinë botërore. Te fabulat e Naimit zakonisht ka dy personazhe me qasje të ndryshme, shpesh të kundërta ndaj dukurive shoqërore dhe të natyrës. Përjashtim bën vjersha “Dragoi me shokët” (f.50) ku ka katër personazhe kafshë. Shoqërim të pazakontë ka te vjersha “Djali i marrë dhe përçollaku” (f.47) ku akrepi dialogon me djalin. Në inventarin e fabulave të Naimit ndeshen: breshka, dimri, djali, dragoi, dhelpra, gomari, grera, gjinkalla, këndezi, korbi, kunadhja, laraska, lejleku, miza e dheut (milingona), pëllumbi, përçollaku (akrepi), përralla, plaku, qengji, qeni, qetë, shkaba, ujku, i varfëri, vdekja, e vërteta, vera (stinë), zogu. Siç duket nga ky listim, zotërojnë personazhet kafshë dhe ujku qëndron në vendin e parë për rolin aktiv me pjesëmarrje në pesë fabula. Nga përrallat është ftuar vetëm dragoi që nuk është pjesë e realitetit fizik shqiptar. 

Disa nga fabulat e kanë të deklaruar moralin përmbyllës: “…kur të të lëvdojnë,/ Duan të të rjepin, të të varfërojnë.” (f.39), “Me të keqnë e me të liknë/ Kurrë mos u bëni shokë” (f.51), “Botënë mos e gjykoni/ Me fjalët q’u dëgjoni” (f.53), “Secili ç’bën, atë gjen” (f.65), “Fort të larta kush kërkon/ Më së fundi e pëson” (f.66), “Kushdo që gjendet në këtë jetë,/Një farë brenge do të ketë” (f.69), “Syri pangopur,/ Lakmim i shkretë/ Na ka brengosur/ Në këtë jetë” (f.71), “I ligu dorë s’heq nga e tija,/Ndaj atij nuk vlen mirësija” (f.72), etj.

Nga fabulat më e veçanta është “Zogu dhe djali” ku nuk ka kundërvënie, por një argumentim për raportin miqësor që duhet të ketë mes njerëzve dhe shpendëve, prandaj nuk ka një përmbyllje proverbale, por një fund të lumtur. 

Në grupin e dytë të vjershave ka një nëngrup me titullin “Fjalët e të urtët” që përsëritet pesë herë në faqet 12, 21, 30, 44 dhe 54 dhe, sipas emërtimit, janë këshilla që u drejtohen fëmijëve, por që janë po kaq të dobishme për të gjithë brezat e shoqërisë:

  • ta duash Perëndinë, duaj pjesëtarët e familjes tënde, duaje të varfërin,
  • dëgjo fjalët e pleqve, ki mëshirë, mëso, ndaje kohën e punës,
  • bëj të mira, bëj durim, ji, i urtë, i ditur, i drejtë,
  • mos ji me dy faqe, mos shaj, mos gënje, mos u mburr, mos u përzje me të liq, mos përto, mos fillo një punë që s’e bën dot…

Pjesa e mbetur e vjershave, janë si trimi me yll në ballë, ato kanë ngarkesën e plotë për t’u paraqitur të vetme.

Vjersha “Qiriri” (f.10) është një rimarrje nga vëllimi i parë i Veprave duke ruajtur perceptimin e qiririt që digjet si akt i lartë i vetëflijimit për të ndriçuar mendjet dhe zemrat e njerëzve, një simbol që kthehet në një model të prekshëm me Naimin si poet, si vizionar, si humanist.

Vjersha “Shkëndi e diellit ndaj manushaqes” (f.86) është e përmasave antologjike dhe pas saj kemi zbuluar alegorikisht Shqipërinë dhe fatin e saj, kemi ndier thellë dashurinë për mëmëdheun te apostrofa “O lulez’ e Perëndisë!”, kemi zbuluar armiqtë jashtë dhe brenda vetes sonë dhe jemi ndarë me shpresë se vetë Zoti do të kujdeset për ne që lart nga froni i tij.

B. Parajsa dhe fjala fluturake (1894)

Poemthi “Parajsa” ka diçka të përbashkët me plintat që formësojnë themelet e historisë sonë kombëtare dhe që do të rimerren herë pas here edhe në poezitë dhe poemat pasardhëse. Naimi e vë kombin tonë në ballin e gjithë kombeve të Europës, para shqehve, maxharëve dhe vllehëve, madje pretendon se në u kemi vënë emrin perëndive dhe gjallesave në botë. E fillon që me djepin historik dhe teologjik të njerëzimit, pastaj kalon në paradë disa nga figurat më të njohura historike që kanë përcaktuar rrjedhën e lumenjve njerëzorë në epoka të ndryshme: Aleksandrin e Madh, Ptolemeun, Pirron, Konstantinin e Madh, Teutën. Naimi besonte se këtu ishte qendra e Perëndisë dhe e përcakton Tomorin si fronin e tij. Perëndia u dha shqiptarëve trimërinë, mirësinë dhe bukurinë, në funksion të idesë së bashkimit dhe përparimit, prandaj ua paraqiste Shqipërinë e dikurshme si parajsë.

“Mijëra vjet kështu shkuan,

Shqipëtarët s’u ndryshuan…” (f.103)

Numërohen pushtuesit dhe qëndresa ndaj tyre, duke filluar nga romakët, trimërinë e shqiptarëve atëherë kur ulën kokët elinët dhe bullgarët, vllehët dhe venetianët. Një ndalesë në muzeun e Vienës ku janë armët e Skënderbeut, është një zbulim i pazakontë dhe një rast për t’u krenuar. Heroi ynë kombëtar e ndan suksesin e vet me princat shqiptarë që u bashkuan përballë një armiku shumë herë më të madh në numër.

“Te Skënderbeu kishte shpresë

Aher Evrop’ e pabesë.” (f.107)

I madh është kontributi i shqiptarëve për kombet e tjerë:

“Parësi e Shqipërisë

Shihnin punët e Tyrqisë.” (f.108)

“E kush e bëri Morenë?

Gjithë shqipëtarë qenë.” (f.109)

“Cilët për vdekje e për kokë

Garibaldi kishte shokë?” (f.110)

Thirrje që përsëritet pa u lodhur, është bashkimi i shqiptarëve:

“Jemi një fis e një farë,

Një gjak, një gjuhë, një besë.

Besë kemi Perëndinë

Edhe ligjë vëllazërinë.” (f.111)

Mbyllja e poemthit është shpresëshumë:

“Shqipërija do të rronjë,

Paskëtaj të mbretëronjë.” (f.113)

Pjesa e dytë “Fjala fluturake” është një cikël me 12 vjersha të natyrave të ndryshme. “Gjuha shqipe” (f.124) poeti e hyjnizon gjuhën tonë duke kërkuar që ajo të jetë edhe gjuha e Perëndisë, e natyrës dhe e gjallesave. “Plaku” (f.129) sjell qasjen e poetit ndaj kohës në raport me njeriun, bilanci i jetës me shumë gjëra të humbura, me njerëz dhe pasuri. “Fjal’ e përjetshme” (f.130) rimerr idenë e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje, por thirrja u shkon edhe klerikëve që duhet të japin ndihmesën e tyre për çështjen kombëtare. “Të vegjëlit” (f.141) është nga më të veçantat për vëmendjen dhe vlerësimet për nevojën e kujdesit për të vegjëlit me një detajim të këshillave: të bredhin e të gëzohen, t’u falim gaz e dashuri,  të rrojnë gjatë me mëmë e atë, të jenë të veshur mirë, të mësojnë dhe të nderojnë mëmëdhenë. “Pesha”, “I marri dhe i urti”, “Guguçeja” janë ndërtuar mbi subjekte fabuleske për të pëcjellë një mesazh të caktuar  për mirësinë njerëzore.

C. Dëshira e vërtetë e shqipëtarëve (1886)

Vjersha kombiare “Dëshira e vërtetë e shqpëtarëve” (f.149) është simotra e poemthit “Parajsa”. Në funksion të idesë së bashkimit, Naimi përdor në dy raste gegërishten:

“Djelm q’i pate dhanun ner Shqipnis, ma shifni dot po varrë” (f.157)

“Ç’më qënke lodhun vllathi yn, ç’më ke pas ardh kti veni

Ç’më pate marr rrugën e gjan, ç’doni  këtu von të gjeni?

Na që ky dhe ktu po na mba, na, që të dekun jena,

Ç’mund me ju bamun juve, o shoq? Lena, pafsh Zonë, lena!

Në jeni të gjall’ e me shpirt, kapni pushk’ e martinë,

Por n’jeni dekun por si na, tmerohi me robninë!” (f.159)

D. Fletore e Bektashinjet (1896)

Janë 9 vjersha që e kanë të deklaruara përmbajtjen që në titullin përbashkues. 

“Besa” (f.165) dhe “Falja” (f.180) sjellin familjen e profetit Muhamet dhe degën pasardhëse të Abas Aliut me mesazhin: Bëj mirë, mos bëj keq. Pastaj në një plan më të përgjithshëm i kërkohet Zotit që t’u falë njerëzve shëndet e fuqi, miq e shokë, urtësi e mirësi, t’i largojë nga ligësitë dhe mëkatet.

“Perëndija” (f.167), “Mirësija” (f.173) dhe “Dita e shënuarë” (f.179) përcjellin mesazhin: Mirësi e njerëzisë është udha e Perëndisë.

“Njeriu” (f.169) dhe “Vetëdija” (f.177) janë rimarrje e pikëpamjes teologjike për formimin e njeriut si vullnet i Perëndisë duke i dhënë fytyrën e vet, duke e bërë mëkëmbës të tij në tokë dhe duke ia ndriçuar mendjen për të qenë thelbi i gjithësisë.

Poemthi “Shqipëria” (f.185) është me të njëjtën frymë si “Parajsa”, por këtu mëria ndaj Greqisë dhe politikave të saj është më e ashpër duke iu rikthyer deklaratës se shqiptarët e bënë Greqinë  dhe figurat e antikitetit ishin pellago-shqiptare, madje kapërcen edhe matanë Adriatikut për të marrë Danten, Senekën e Virgjilin, gjithmonë sipas idesë së deklaruar që në krye të erës se shqiptarët kanë qenë të parët mbi dhe.

Filed Under: LETERSI

Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës

May 17, 2025 by s p

Imer  Lladrovci/

Pushka e Tahir e Nebih Mehës shkrepi në një moment të rëndësishëm historik.

Me 13 maj 1981 një ekspeditë policore federative  jugosllave ku bënin pjesë edhe pjestarë të policisë kosovare  iu drejtua Prekazit. Prekazi nuk ishte gjeografikisht larg Prishtinës, por si mendësie ai i përkiste një bote tjetër. Caku ishte familja e Tahir Mehës: synohej arrestimi i tij me një arsyetim banal. Arsyeja e vërtetë mbahej e fshehur nga policët që ishin caktuar të merrnin pjesë në aksion dhe nga publiku i gjerë kosovar. Shkaku  i vërtetë ishte se Tahir Meha nuk e përfillte fare Jugosllavinë si shtet. Duke qenë nip i Emin Latës, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës, ai bëhej edhe  i rrezikshëm, sepse refuzimi i tij kishte një interpretim politik nga masa shqiptare. Babai i tij, Nebih Meha e kishte vazhduar rrugën e babai të tij Emin Lata  dhe kishte luftuar në arradhat e Shaban Polluzhës. Nė këtë perspektivë shikuar, ai na dilte një nacionalist i thekur që krijonte një disponim armiqësor ndaj Jugosllavisë, respektivisht Serbisë. Këto gjëra i dinin mirë UDB-ja dhe KOS-i si pasardhëse të OZNA-së, që atë ditë e festonte përvjetorin e lindjes së saj. UDB-ja dhe KOS-i donin një kurban dhe familja e Tahir Mehës ishte zgjedhur për këtë flijim në altarin e Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë, por llogaritë, siç do të shohim,  ishin bërë gabim. Urdhëri për këtë aksion i kishte dhënë vetë ministri federativ i Punëve të Brendshme, Franjo Hërleviqi ( Franjo Hrljević). Me këtë akt,  që hamendësohej se do të kryhej me sukses, Hërleviqi donte t’i dhuronte një trofe lufte ministrisë së tij. Hërleviqi kishte thënë se po shkonin për ta arrestuar një nacionalist shqiptar, por në fakt si ishte nisur për ta vrarë Tahir Mehën dhe poshtëruar familjen e tij. OZNA  qe themeluar 37 vjet më parë, më 13.05. 1944, kurse një ditë më vonë Aleksandar Rankoviqi (Aleksandar Ranković) qe zgjedhur si shef i saj. OZNA dhe pasardhset e saj, UDB-ja dhe KOS-i, kanë luajtur një rol qendror në shtypjen e shqiptarëve pas vitit 1944, mjafton të kujtojmë vetëm Aksionin për Mbledhjen e Armëve të vitit 1956 për të kuptuar represionin e nismuar dhe kontrolluar nga ministria e Hërleviqit.  Policët federativë nuk po shkonin në Prekaz në një aksion të zakonshëm, por në një mision të hamendësuar të madh jugosllav për t’i dhënë një goditje nacionalizmit shqiptar. Atë pranverë qenë mbajtur mijëra mbledhje me popullin, të cilit i qe thënë se nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar e kishte goditur fort Jugosllavinë me demonstratat e tij. Por aktivistët politikë serbë  që përgjithësisht hedhtnin nuk ishin shumë entuziastë me reagimin e masës shqiptare. Masa shqiptare dëgjonte me vëmendje, por në përgjithësi  nuk fliste dhe as s’i shante demonstratat. Këta njerëz kryeneq duhej të ndienin goditjen e ftohtë të shtetit që të mbusheshin mend, ishte bindja e patundur e serbëve që punonin për shtetin. Pikërisht për këtë qëllim po shkonin policët në Prekaz, për t’u treguar shqiptarëve se shteti serb ishte më i fortë se ata. Ndeshja me Mehajt u tregoi atyre se epërsia ishte thjesht momentale, por jo e gjithëkohshme. Familja Meha, siç u tha më parë, kishte luftuar me armë në dorë në luftën e Azem Bejtës me Emin Latën, në atë të Shaban Polluzhës me Nebih Mehën dhe, më vonë, do të luftonte në luftën e UÇK-së, me dëshmorin Beçir Meha, kurse në vitin 1981 në front do të hidhej vetë Tahir Meha me të atin Nebih Meha, për të cilin lufta kundër serbëve dhe shërbëtorëve të tyre, Franjo Hërleviqi ishte kroat nga Bosnja, ishte vazhdimi i një lufte të mbetur në mes. Në vitin 1945 Shaban Polluzha ishte vrarë, por s’ishte thyer. Nebih Meha atëbotë kishte shpëtuar gjallë, por atë ditë do të vritej duke e mbrojtur shtëpinë e tij konkretisht, por në një rrafsh tjetêr simbolik, ai po e mbronte shtëpinë shqiptare. 

Shkurt, aksioni s’ishte aspak i thjeshtë dhe i parrezikshëm. Franjo Hërleviqi e dinte mirë këtë gjë, ndaj dhe ishte përgatitur për një aksion të tillë hakmarrje që do të paraqitej nga jashtë si aksion në mbrojtje të Jugosllavisë, por  nga brenda ishte krejt  diçka tjetër. Shovinistët serbë sinjalizoheshin se nuk ishte harruar armiku i tyre: nacionalizmi shqiptar. Aksioni në thelb ishte konceptuar  si një aksion hakmarrjeje për ngjarjet politike të asaj pranvere. Rreth  dy muaj më parë në Prishtinë studentët shqiptarë ishin hedhur në demonstratë. Me 11 mars të vitit 1981 filloi një revolucion i madh politik në Kosovë, të cilit këto ditë i kushton një libër protagonisti i kësaj kohe, ish kryeministri i Kosovës, dr. Bajram Kosumi, një libër që titullohet „Revolucioni 1981“ Libri është një vëzhgim dhe  shqyrtim analitik të fakteve të këtij momenti të rëndësishëm historik kur po ndodhte një  kthesë e  madhe historike. Pas marsit të vitit 1981, erdhi  prilli i shqetësuar që përfshiu pothuajse   të gjitha qytetet e Kosovës me demonstrata masive. Protestat ishin me të vërtetë popullore. Grupet ilegale të kohës u habiten nga ky masivitet. Ishte një rast kur ata e zbuluan popullin e tyre. Këto demonstrata ishin në vazhdën e demonstratave  të vitit 1968, por ishin ndryshe, sepse konteksti historik ishte krejt tjetër. Për herë të parë kërkesa për republikën e Kosovës u vu në qendër dhe nuk u hoq më kurrë nga rendi i ditës derisa u bë realitet, të cilin ne sot e jetojmë, një pjesë e njerëzve tanë pa i njohur mirë rrënjët e këtij shteti. 

Në vitin 1968 ishte ende herët për kërkesën për republikën e Kosovës. Në këtë vit, shqiptarët sapo ishin çliruar nga terrori rankoviqist ( 1945-1966) dhe Kosova ishte ende pa autonomi politike, një zonë që politikisht kishte statusin e një obllasti të  Serbisë. Kosova ende s‘e kishte statusin politik të krahinës autonome dhe nuk e kishte kushtetutën e saj. Shkurt, politikisht kjo kërkesë për republikën që u bë thelbi i vitit 1981 në këtë vit nuk mund të bëhej. Në fakt u bë si kërkesë, por shpejt u zhduk nga vëmendja e përgjithshme. Ndoshta, pse ende s’kishte ardhur koha e saj. Historianët tanë një ditë do t’i zbulojnë arsyet e vërteta për këtë heshtje. Kosovës i mungonin në këtë kohë shumë gjëra. Politika duhej bërë hap pas hapi, me krye dhe jo me bark. Megjithatë, në këto demonstrata u bë një gjë e rëndësishme, sepse në qendër të tyre u vendos kërkesa për flamurin kombëtar dhe kjo kërkesë u pranua. Gjashtë vjet më vonë ndryshoi edhe statusi politik i Kosovës, kurse në vitin 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës.  Me një universitet në gjuhën shqipe dhe me një status të ri politik, Kosova bëri hapa të mëdhenj që  do të kenë  rrjedhoja të rëndësishme për fatin e  mëtejshëm politik të saj. Që në Jugosllavi kishte popuj që shtypeshin për arsye të përkatësisë së tyre etnike,  këtë gjë s‘e dinte bota. Jugosllavia kishte fituar në botë imazhin e një shteti harmonik ku gjithçka zgjidhej sipas arsyes politike. Ende sot Serbia përfiton nga kjo politikë e Titos në botë. Megjithatë, Jugosllavia nuk ishte ashtu si mendonin një varg shtetesh në botën e tretë, dmth. jashtë dy bllloqeve kryesore ushtarake dhe politike të Perëndimit dhe Lindjes. Demonstratat ishin mjeti më i mirë për t‘i shpallur disa të vërteta të hidhura, të cilat politika i mbante nën rrogozë. Dhe pikërisht kjo ndodhi në vitin 1981. Ky vit ishte vit i kthesës së madhe. Faik Konica thotë se „puna duhet të vlerësohet më lartë se trimëria“. Pa punë nuk ndodh asgjë, por në konceptet bashkëkohore puna nuk mund të ndahet nga trimëria. Unë them se edhe trimëria është një formë  e veçantë e punës, punë që nuk mund ta bëjë secili, por përsëri nuk del jashtë linjave të saj. Shpesh ndodh që puna e madhe shkon poshtë për shkak të mungesës së një akti të vetëm trimërie. Trimëria e Tahir Mehës dhe e babait të tij plak Nebih Meha ishte e tillë. Ajo e kristalizoi punën e madhe të studentëve dhe grupeve ilegale shqiptare.

 Them se trimëria i shpëton kombet dhe mungesa e saj i gremis. 

Ujin mund ta mbajmë gjatë në 99 gradë të nxehtë, por ai vlon vetëm kur temperatura e tij arrin 100 gradë Celzius. Trimëria, sipas mendimit tim, e përmbyll një pumë të mbarë. Pa këtë akt final, mundi i një brezi apo i brezave të tërë shkon kot. Në historinë e kombeve dhe të shkencës hasim plotë raste kur proceset nuk përmbyllen mirë, sepse sasia nuk kthehet në cilësi. Në këtë kuptim mendoj se lufta e arvanitasve në Greqi, pjesëmarrja e arbëreshëve në luftën  e Garibaldit në Itali, pastaj pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjen serbe dhe maqedonse nuk duhet parë si momente rastësie, por si anë karakteriale e popullit tonë. 

Në aksionin policor kundër Tahir e Nebih Mehës që filloi rreth orës 10:00 dhe përfundoi rreth orës 22:00 me vrasjen e Tahir e Nebih Mehës, u vranë edhe ata që e rrethuan: policët. Ata që e kanë vëzhguar nga afër këtë perleshje thonë se ishte një atmosferë e vërtetë lufte. Në mediat e asaj kohe u tha se u vranë 4 policë dhe 3 të tjerë u plagosën. Vite më vonë u mësua se në këtë aksion qenë vrarë  9 policë dhe 2 të tjerë qenë plagosur. 

Vrasja e Tahir e Nebih Mehës bëri jehonë të madhe në atë kohë në Kosovë. Shteti u përpoq që rastin ta paraqiste si një ndërhyrje jopolitike, si një formë të përpjekjes për të vënë rend publik, mirëpo në popull kjo propagandë s’u besua fare. Mendoj se qëndresa e Tahir Mehës dhe e të atit  duhet të ketë lënë mbresa të pashlyeshme në shpirtin kryengritës të  Adem Jasharit, i cili në vitin 1991 dhe në vitin 1998 e vazhdoi epopenë e Tahir e Nebih Mehës në një formë edhe më mbresëlënëse, përderisa gjithë familja e tij mori pjesë në vetëmbrojtje. 

Vrasja e Mehajve në vitin 1981 dhe ajo e Jasharëve në vitin 1998 kanë shumë pika të përbashkëta. Politikisht të dyja këto raste lidhen me situatën e përgjithshme  politike në Kosovë. Në vitin 1981 vrasja e Tahir e Nebih Mehës nuk shkaktoi kryengritje të përgjithshme shqiptare, sepse Kosova ishte atëherë në një stad tjetër zhvillimi dhe situata ndërkombëtare nuk e favorizonte një gjë të tillë. Në vitin 1998 gjithçka ishte ndryshe. Jugosllavia e dikurshme, e Hërleviqit, si shtet nuk ekzistonte  më dhe Beogradi politik me Millosheviqin (Milošević)  në krye tregohej jobashkëpunues me faktorin ndërkombëtar. Politikisht Beogradi e kishte humbur tashmë luftën. Pritej thjesht vërtetimi në terren. Ish ministri i jashtëm i Jugosllavisë së Zhablakut, Vuk Drashkoviq ( Vuk Drašković) thotë se Millosheviqi e dinte se nuk mund ta mbronte Kosovën. Pastaj  presidenti serb me aksionin e tij policor në Prekaz e kishte kaluar vijën e kuqe që ia kishte vënë presidenti amerikan  Gjorgj Bush (George Bush) i vjetër qysh në fillim të viteve 1990. 

Kosova në vitin 1998 ishte në luftë të hapur me Serbinë e vetmuar në nivel të Jugosllavisë dhe e izoluar në arenën ndërkombëtare. Shkurt, Gjithçka filloi në Prekaz dhe mbaroi po aty. Filloi në një kohë kur shiheshin shenja rënie të Jugosllavisë, por ajo ishte ende një faktor  i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1998 punët kishin ndryshuar me themel: Jugosllavia ishte e shtrirë për tokë, por ende e aftë për të dhënë goditjet e fundit. Për të më nuk mund të flitej më si për sëmurën e Ballkanit, por ende më keq, si për shtetin që ndodhej në shtratin e vdekjes. 

Puna politike që u bë deri atëherë ishte e domosdoshme, por edhe trimëria e Tahir e Nebih Mehës dhe e familjes Jashari ishte  vendimtare. Pa këto akte të trimërisë gjithçka do të kishte qenë ndryshe.

Filed Under: Analiza

Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…

May 17, 2025 by s p

Përktheu nga AP Rafail Floqi

UASHINGTON (AP) — Republikanët në Kongres po lëvizin me shpejtësi të madhe për të çuar përpara projektligjin e madh të Presidentit Donald Trump për lehtësime tatimore, ulje shpenzimesh dhe financim të shtuar për sigurinë kufitare, ndërsa udhëheqësit punojnë për të zbatuar shumë nga premtimet e tij të fushatës.

Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve kanë punuar për muaj të tërë për të hartuar legjislacionin, të cilin republikanët e kanë quajtur “PROJEKTI I VETËM, I MADH DHE I BUKUR”, një shenjë respekti për vetë Trumpin. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson po shtyn përpara miratimin e paketës dhe dërgimin e saj në Senat deri në Ditën e Përkujtimit.

Demokratët thonë se do të luftojnë atë që kreu i partisë në Dhomë, Hakeem Jeffries, e quan “këtë projektligj ekstrem dhe toksik”. Ja një vështrim mbi atë që është përfshirë dhe çfarë nuk është përfshirë në paketën legjislative deri më tani:

Ulje taksash për individët dhe bizneset

Pjesa e taksave e legjislacionit të Partisë Republikane përmban më shumë se 5 trilionë dollarë në ulje taksash, sipas një vlerësimi nga Komiteti i Përbashkët për Taksat – kosto që kompensohen pjesërisht nga uljet e shpenzimeve diku tjetër dhe ndryshime të tjera në kodin tatimor.

Republikanët synojnë të bëjnë të përhershme uljet e taksave mbi të ardhurat individuale të miratuara në mandatin e parë të Presidentit Donald Trump, plus të zbatojnë disa nga premtimet që ai bëri gjatë fushatës për të mos taksuar bakshishet, orët shtesë dhe interesin për kreditë e makinave. Republikanët kompensojnë pjesërisht lehtësimet tatimore duke hequr kreditë tatimore për energjinë e pastër të miratuara gjatë presidencës së Joe Biden, të tilla si një kredi tatimore prej 7,500 dollarësh për automjetet elektrike, duke e ulur koston e përgjithshme të uljeve të taksave në rreth 3.7 trilionë dollarë.

Projektligji pritet të pësojë ndryshime të mëtejshme në javët e ardhshme. Ligjvënësit nga Nju Jorku po udhëheqin një përpjekje për të rritur zbritjen e taksave shtetërore dhe lokale, të cilën projektligji do ta rriste tashmë nga 10,000 dollarë në 30,000 dollarë për familjet që fitojnë më pak se 400,000 dollarë për vit. vit.

Legjislacioni ofron një zbritje për ata punëtorë në industrinë e shërbimeve dhe punë të tjera që tradicionalisht janë mbështetur në bakshishe.

Paketa ofron lehtësim tatimor për blerësit e automobilave me një zbritje të përkohshme deri në 10,000 dollarë në interesin e kredisë së makinës, duke aplikuar përfitimin vetëm për ato automjete ku montimi përfundimtar ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara. Zbritja tatimore do të skadojë në fund të mandatit të Trump.

Për të moshuarit, do të ketë një zbritje të përforcuar prej 4,000 dollarësh në pagat e Sigurimeve Shoqërore për ata me të ardhura të rregulluara jo më të larta se 75,000 dollarë për individët dhe 150,000 dollarë për çiftet.

Shtetet do të marrin më shumë përsipër ndihmën ushqimore

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po kërkojnë të transferojnë një pjesë të kostos së Programit Plotësues të Ushqyerjes dhe Ndihmës, i njohur si SNAP, te shtetet. Shtetet do të mbajnë mbi vete 5% të kostove të përfitimeve sipas projektligjit duke filluar nga viti fiskal 2028. Pjesa mund të shkojë edhe më lart për ato shtete me norma të larta të pagesave të tepërta dhe të pamjaftueshme. Projektligji gjithashtu do t’u kërkojë shteteve të marrin 75% të kostove administrative.

Aktualisht, Shtetet nuk marrin përsipër asnjë nga kostot e përfitimeve dhe gjysmën e kostove administrative.

Republikanët argumentojnë se shtetet kanë nxitje minimale për të kontrolluar kostot si rezultat i marrëveshjes aktuale të ndarjes së kostove. Por ndryshimet do t’u jepnin atyre nxitjen për të rritur efikasitetin dhe për të përmirësuar rezultatet për përfituesit.

Republikanët gjithashtu po zgjerojnë kërkesat e punës për përfituesit e ndihmës ushqimore, të cilat sipas ligjit aktual zbatohen për individët pa persona në varësi të moshës 18-54 vjeç. Projektligji zgjeron kërkesën e punës deri në moshën 64 vjeç dhe përjashton vetëm ata që kujdesen për një fëmijë në varësi nën moshën 7 vjeç.

Në të njëjtën kohë, legjislacioni do të investonte 60 miliardë dollarë në para të reja për programet bujqësore, duke u dërguar ndihmë fermerëve.

Kërkesa të reja pune për Medicaid

Një pjesë qendrore e paketës janë më shumë se 900 miliardë dollarë në shpenzime të reduktuara, shumica e të cilave vijnë përmes programit Medicaid.

Republikanët këmbëngulin se thjesht po rrënjosin “shpërdorimin, mashtrimin dhe abuzimin” për të gjeneruar kursime me kërkesa të reja pune dhe përshtatshmërie. Por demokratët paralajmërojnë se miliona amerikanë do të humbasin mbulimin. Në 15 vitet që kur Obamacare u bë ligj, Medicaid është zgjeruar vetëm pasi shumica e shteteve kanë shfrytëzuar fonde federale.

Një vlerësim nga Zyra e Buxhetit të Kongresit, jopartiake, tha se propozimet do të zvogëlonin numrin e njerëzve me kujdes shëndetësor me të paktën 7.6 milionë nga ndryshimet e Medicaid, dhe ndoshta më shumë me ndryshime të tjera në Aktin e Kujdesit të Përballueshëm.

Për t’u kualifikuar për Medicaid, do të kishte “kërkesa të reja për angazhimin e komunitetit” prej të paktën 80 orësh në muaj punë, arsim ose shërbim për të rriturit e aftë për punë pa persona në varësi. Kërkesa e re nuk do të hynte në fuqi deri më 1 janar 2029. Njerëzit gjithashtu do të duhej të verifikonin të drejtën e tyre për të qenë në program dy herë në vit, në vend të vetëm një herë.

Aplikantët nuk mund të kualifikoheshin për Medicaid nëse kanë një shtëpi që vlerësohet në më shumë se 1 milion dollarë.

Financimi për 1 milion deportime migrantësh, 20,000 oficerë të rinj dhe murin kufitar

Legjislacioni do të siguronte 46.5 miliardë dollarë për të ringjallur ndërtimin e murit të Trump përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, dhe më shumë para për axhendën e deportimit.

Janë 4 miliardë dollarë të punësojë 3,000 agjentë të rinj të Patrullës Kufitare, si dhe 5,000 oficerë të rinj doganorë, dhe 2.1 miliardë dollarë për bonuse nënshkrimi dhe mbajtjeje, për një total prej 69 miliardë dollarësh shpenzime të reja.

Ai përfshin ndryshime të mëdha në politikën e imigracionit, duke vendosur një tarifë prej 1,000 dollarësh për emigrantët që kërkojnë azil – diçka që kombi nuk e ka bërë kurrë, duke e vendosur atë në të njëjtin nivel me pak të tjerë, përfshirë Australinë dhe Iranin.

Në përgjithësi, plani është të largojë 1 milion emigrantë çdo vit dhe të strehojë 100,000 njerëz në qendrat e paraburgimit. Ai kërkon 10,000 oficerë dhe hetues të tjerë të Imigracionit dhe Doganave.

Më shumë para për Pentagonin dhe “Kupolën e Artë” të Trump

Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve u ngarkua me hartimin e legjislacionit me 100 miliardë dollarë shpenzime të reja. Por ata e bënë këtë dhe më shumë, duke miratuar një projektligj me 150 miliardë dollarë për Departamentin e Mbrojtjes dhe sigurinë kombëtare. Ndër pikat kryesore, do të siguronte 25 miliardë dollarë për “Kupolën e Artë për Amerikën” të Trump, një mburojë mbrojtëse nga raketat e parashikuar prej kohësh, 21 miliardë dollarë për të rimbushur arsenalin e municioneve të vendit, 34 miliardë dollarë për të zgjeruar flotën detare me më shumë ndërtim anijesh dhe rreth 5 miliardë dollarë për sigurinë kufitare.

Ai gjithashtu përfshin 9 miliardë dollarë për çështjet që lidhen me cilësinë e jetës së ushtarakëve, duke përfshirë strehimin, kujdesin shëndetësor dhe pagat speciale.

Tatimi mbi fondet universitare dhe rishikimi i kredive studentore

Një rishikim i plotë i programit të kredive studentore është çelësi i legjislacionit, duke siguruar 330 miliardë dollarë shkurtime dhe kursime buxhetore.

Propozimi do të zëvendësonte të gjitha planet ekzistuese të shlyerjes së kredive studentore me vetëm dy: një opsion standard me pagesa mujore të shpërndara gjatë 10 deri në 25 viteve dhe një plan “ndihme për shlyerje” që është përgjithësisht më pak bujar se ato që do të zëvendësonte.

Ndër ndryshime të tjera, projektligji do të shfuqizonte rregulloret e epokës së Bidenit që e bënin më të lehtë për huamarrësit të anulonin kreditë nëse kolegjet e tyre i mashtronin ose mbylleshin papritur. Do të ketë një rritje të taksave, deri në 21%, për disa fonde universitare.

Shkurtime të pensioneve të punonjësve federalë

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrje dhe Reformë Qeveritare synonte pensionet e punonjësve federalë për një shumë të parashikuar prej 50.9 miliardë dollarësh në kursime deficiti gjatë 10 viteve.

Shumica e kursimeve do të vinin nga kërkesa që punonjësit federalë të punësuar para vitit 2014 të paguajnë më shumë në sistemin e pensioneve. Ata do të duhet të përputhen me normën e pagës prej 4.4% të paguar nga punonjësit federalë të punësuar që nga viti 2014.

Më shumë shpime, miniera në tokat publike

Një pjesë e projektligjit do të lejonte rritjen e qiradhënies së tokave publike për shpime, miniera dhe prerje drurësh, duke hapur rrugën për më shumë zhvillim duke përshpejtuar miratimet qeveritare. Normat e rentës së paguar nga kompanitë për të nxjerrë naftë, gaz dhe qymyr do të ulen, duke përmbysur përpjekjet e ish-Presidentit Joe Biden për të frenuar lëndët djegëse fosile për të ndihmuar në adresimin e ndryshimeve klimatike.

Normat e rentës së naftës dhe gazit do të binin nga 16.7% në tokat publike dhe 18.75% në det të hapur në një nivel uniform prej 12.5%. Rentalet për qymyrin do të binin nga 12.5% ​​në 7%.

Masa parashikon katër shitje me qira të naftës dhe gazit në Rezervatin Kombëtar të Jetës së Egër Arktike gjatë dekadës së ardhshme. Ajo gjithashtu synon të nxisë industrinë e dobët të qymyrit me një mandat për të vënë në dispozicion për qira 6,250 milje katrorë tokash publike – një zonë më e madhe se Connecticut.

Mbështetësit republikanë thonë se të ardhurat e humbura do të kompensohen nga zhvillimi i shtuar. Është e pasigurt nëse kompanitë do të kenë një oreks për qira duke pasur parasysh rënien e shpejtë të industrisë në vitet e fundit, ndërsa shërbimet kaluan në lëndë djegëse më të pastra dhe energji të rinovueshme.

Në një njoftim të minutës së fundit, republikanët përfshinë gjithashtu një dispozitë që autorizon shitjet e qindra mijëra hektarëve tokash publike në Nevada dhe Utah, duke shkaktuar zemërim nga demokratët dhe ambientalistët.

Filed Under: Ekonomi

Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar

May 16, 2025 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

Komuniteti shqiptaro – amerikan i Philadelphias dita-ditës është duke u shtuar dhe duke marrë identitetin e vet si një komunitet i organizuar mirë. Po ashtu, është duke u rritur edhe numri i bizneseve shqiptare të të gjitha veprimtarive ekonomike, shërbimeve të ndryshme. Nnë mesin tonë kemi edhe mjaft profesionistë të lëmive arsimore, shkencore, kulturore. Prandaj, si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve positive në komunitet, këto ditë u organizua edhe Panairi Tradicional Shqiptar, për të promovuar bizneset shqiptare, ushqimet tona tradicionale, veshjet tona kombëtare e prodhime të tjera artizanale. Është kjo edhe një mundësi për t’i angazhuar amviset shqiptare dhe gatimet e tyre të shijshme të kuzhinës sonë tradicionale. Ky panair u sponsorizua nga afro 40 biznese shqiptare të cilët i raklamonin prodhimet dhe shërbimet e tyre. Bashkatdhetarët i shijonin edhe gatimet e shijshme të amviseve shqiptare: byrek të llojeve të ndryshme, ëmbëlsira, pije, etj. Të pranishmit i argëtoi DJ Bruno dhe këngëtari Mikel Begaj me repertorin e tyre të zgjedhur me këngë e valle nga të gjitha trojet tona. Të gjithë kaluan ca çaste shlodhëse e argëtuese – atmosferë shqiptare në Philadelphia. Zonja Zamira Andranji ishte fituese e çmimit të parë të gatimeve tradicionale shqiptare.

Organizimi i këtij panairi është një nismë e mbarë që në vitëet në vazhdim do të zgjerohet edhe më tepër dhe shpresojmë të shndërrohet në një panair të përvjetshëm tradicional.shqiptar. Organizime të tilla, përveç karakterit argëtues, shlodhës, ofrojnë edhe një formë të përshtatshme të komunikimit të sipërmarrësve shqiptarë për të bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin, për të ndihmuar njëri-tjetrin, për ta informuar komunitetin për shërbimet, prodhimet që ata ofrojnë. “Kafe Dajti” është një kafe – restorant ku shërbehen kryesisht ushqime tradicionale shqiptare dhe që nga hapja në nëntorin e vitit të kaluar është bërë një pikë mjaft e frekuentuar nga bashkatdhetarët. Ëstë bërë edhe një qendër ku herëpashere organizohen edhe mbrëmje muzikore festa të ndryshme: festimi i Ditës së Shën Valentinit, Festës së Pavarësisë së Kosovës Ditës së Verës, etj. Duhen përgëzuar pronarët e këtij lokali për gatishmërinë e tyr për t’i shërbyer komunitetit në forma të ndryshme.

Filed Under: Komunitet

“Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”

May 16, 2025 by s p

Vjosa Osmani/

Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës, njeriu që e pa pavarësinë e Kosovës si domosdoshmëri historike dhe morale.

Më 16 maj 1999, patrioti e intelektuali Ukshin Hoti u rrëmbye dhunshëm nga Burgu i Dubravës dhe që nga ajo ditë asnjë gjurmë për të.

Një mendje brilante, një shpirt i lirë dhe një vizionar i pashoq i çështjes kombëtare. Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës, njeriu që e pa pavarësinë e Kosovës si domosdoshmëri historike dhe morale.

Mungesa e tij mbetet plagë e hapur për kombin.

Ai është kujtesë, mësim dhe sfidë për të sotmen tonë, ndaj zbardhja e fatit të tij është obligim i yni i vazhdueshëm.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT