


KOSTA NAKE/
(Vepra 2 e Naim Frashërit, Rilindja, Prishtinë, 1978)
A. Vjersha për mësonjëtoret e para (1886)
Siç përcaktohet edhe nga titulli, vjershat u shkruan si mjet didaktik për shkollat e para shqipe. Janë 37 vjersha, nga të cilat 25 janë fabula të cilat të gjithë brezat e shoqërisë shqiptare i kanë patur si ushqim që prej krijimit të shtetit shqiptar dhe shumë prej tyre i kanë mësuar përmendësh për të mos i harruar deri në fund të jetës.
Me që fabulat përbëjnë shumicën e vjershave, po ndalemi fillimisht tek ato. Fabula është një tregim i shkurtër në vargje me personazhe gjallesa, bimë ose sende, me veprime e fjalë alegorike që japin një mësim moral, e lëvruar gjerësisht në letërsinë botërore. Te fabulat e Naimit zakonisht ka dy personazhe me qasje të ndryshme, shpesh të kundërta ndaj dukurive shoqërore dhe të natyrës. Përjashtim bën vjersha “Dragoi me shokët” (f.50) ku ka katër personazhe kafshë. Shoqërim të pazakontë ka te vjersha “Djali i marrë dhe përçollaku” (f.47) ku akrepi dialogon me djalin. Në inventarin e fabulave të Naimit ndeshen: breshka, dimri, djali, dragoi, dhelpra, gomari, grera, gjinkalla, këndezi, korbi, kunadhja, laraska, lejleku, miza e dheut (milingona), pëllumbi, përçollaku (akrepi), përralla, plaku, qengji, qeni, qetë, shkaba, ujku, i varfëri, vdekja, e vërteta, vera (stinë), zogu. Siç duket nga ky listim, zotërojnë personazhet kafshë dhe ujku qëndron në vendin e parë për rolin aktiv me pjesëmarrje në pesë fabula. Nga përrallat është ftuar vetëm dragoi që nuk është pjesë e realitetit fizik shqiptar.
Disa nga fabulat e kanë të deklaruar moralin përmbyllës: “…kur të të lëvdojnë,/ Duan të të rjepin, të të varfërojnë.” (f.39), “Me të keqnë e me të liknë/ Kurrë mos u bëni shokë” (f.51), “Botënë mos e gjykoni/ Me fjalët q’u dëgjoni” (f.53), “Secili ç’bën, atë gjen” (f.65), “Fort të larta kush kërkon/ Më së fundi e pëson” (f.66), “Kushdo që gjendet në këtë jetë,/Një farë brenge do të ketë” (f.69), “Syri pangopur,/ Lakmim i shkretë/ Na ka brengosur/ Në këtë jetë” (f.71), “I ligu dorë s’heq nga e tija,/Ndaj atij nuk vlen mirësija” (f.72), etj.
Nga fabulat më e veçanta është “Zogu dhe djali” ku nuk ka kundërvënie, por një argumentim për raportin miqësor që duhet të ketë mes njerëzve dhe shpendëve, prandaj nuk ka një përmbyllje proverbale, por një fund të lumtur.
Në grupin e dytë të vjershave ka një nëngrup me titullin “Fjalët e të urtët” që përsëritet pesë herë në faqet 12, 21, 30, 44 dhe 54 dhe, sipas emërtimit, janë këshilla që u drejtohen fëmijëve, por që janë po kaq të dobishme për të gjithë brezat e shoqërisë:
- ta duash Perëndinë, duaj pjesëtarët e familjes tënde, duaje të varfërin,
- dëgjo fjalët e pleqve, ki mëshirë, mëso, ndaje kohën e punës,
- bëj të mira, bëj durim, ji, i urtë, i ditur, i drejtë,
- mos ji me dy faqe, mos shaj, mos gënje, mos u mburr, mos u përzje me të liq, mos përto, mos fillo një punë që s’e bën dot…
Pjesa e mbetur e vjershave, janë si trimi me yll në ballë, ato kanë ngarkesën e plotë për t’u paraqitur të vetme.
Vjersha “Qiriri” (f.10) është një rimarrje nga vëllimi i parë i Veprave duke ruajtur perceptimin e qiririt që digjet si akt i lartë i vetëflijimit për të ndriçuar mendjet dhe zemrat e njerëzve, një simbol që kthehet në një model të prekshëm me Naimin si poet, si vizionar, si humanist.
Vjersha “Shkëndi e diellit ndaj manushaqes” (f.86) është e përmasave antologjike dhe pas saj kemi zbuluar alegorikisht Shqipërinë dhe fatin e saj, kemi ndier thellë dashurinë për mëmëdheun te apostrofa “O lulez’ e Perëndisë!”, kemi zbuluar armiqtë jashtë dhe brenda vetes sonë dhe jemi ndarë me shpresë se vetë Zoti do të kujdeset për ne që lart nga froni i tij.
B. Parajsa dhe fjala fluturake (1894)
Poemthi “Parajsa” ka diçka të përbashkët me plintat që formësojnë themelet e historisë sonë kombëtare dhe që do të rimerren herë pas here edhe në poezitë dhe poemat pasardhëse. Naimi e vë kombin tonë në ballin e gjithë kombeve të Europës, para shqehve, maxharëve dhe vllehëve, madje pretendon se në u kemi vënë emrin perëndive dhe gjallesave në botë. E fillon që me djepin historik dhe teologjik të njerëzimit, pastaj kalon në paradë disa nga figurat më të njohura historike që kanë përcaktuar rrjedhën e lumenjve njerëzorë në epoka të ndryshme: Aleksandrin e Madh, Ptolemeun, Pirron, Konstantinin e Madh, Teutën. Naimi besonte se këtu ishte qendra e Perëndisë dhe e përcakton Tomorin si fronin e tij. Perëndia u dha shqiptarëve trimërinë, mirësinë dhe bukurinë, në funksion të idesë së bashkimit dhe përparimit, prandaj ua paraqiste Shqipërinë e dikurshme si parajsë.
“Mijëra vjet kështu shkuan,
Shqipëtarët s’u ndryshuan…” (f.103)
Numërohen pushtuesit dhe qëndresa ndaj tyre, duke filluar nga romakët, trimërinë e shqiptarëve atëherë kur ulën kokët elinët dhe bullgarët, vllehët dhe venetianët. Një ndalesë në muzeun e Vienës ku janë armët e Skënderbeut, është një zbulim i pazakontë dhe një rast për t’u krenuar. Heroi ynë kombëtar e ndan suksesin e vet me princat shqiptarë që u bashkuan përballë një armiku shumë herë më të madh në numër.
“Te Skënderbeu kishte shpresë
Aher Evrop’ e pabesë.” (f.107)
I madh është kontributi i shqiptarëve për kombet e tjerë:
“Parësi e Shqipërisë
Shihnin punët e Tyrqisë.” (f.108)
“E kush e bëri Morenë?
Gjithë shqipëtarë qenë.” (f.109)
“Cilët për vdekje e për kokë
Garibaldi kishte shokë?” (f.110)
Thirrje që përsëritet pa u lodhur, është bashkimi i shqiptarëve:
“Jemi një fis e një farë,
Një gjak, një gjuhë, një besë.
Besë kemi Perëndinë
Edhe ligjë vëllazërinë.” (f.111)
Mbyllja e poemthit është shpresëshumë:
“Shqipërija do të rronjë,
Paskëtaj të mbretëronjë.” (f.113)
Pjesa e dytë “Fjala fluturake” është një cikël me 12 vjersha të natyrave të ndryshme. “Gjuha shqipe” (f.124) poeti e hyjnizon gjuhën tonë duke kërkuar që ajo të jetë edhe gjuha e Perëndisë, e natyrës dhe e gjallesave. “Plaku” (f.129) sjell qasjen e poetit ndaj kohës në raport me njeriun, bilanci i jetës me shumë gjëra të humbura, me njerëz dhe pasuri. “Fjal’ e përjetshme” (f.130) rimerr idenë e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje, por thirrja u shkon edhe klerikëve që duhet të japin ndihmesën e tyre për çështjen kombëtare. “Të vegjëlit” (f.141) është nga më të veçantat për vëmendjen dhe vlerësimet për nevojën e kujdesit për të vegjëlit me një detajim të këshillave: të bredhin e të gëzohen, t’u falim gaz e dashuri, të rrojnë gjatë me mëmë e atë, të jenë të veshur mirë, të mësojnë dhe të nderojnë mëmëdhenë. “Pesha”, “I marri dhe i urti”, “Guguçeja” janë ndërtuar mbi subjekte fabuleske për të pëcjellë një mesazh të caktuar për mirësinë njerëzore.
C. Dëshira e vërtetë e shqipëtarëve (1886)
Vjersha kombiare “Dëshira e vërtetë e shqpëtarëve” (f.149) është simotra e poemthit “Parajsa”. Në funksion të idesë së bashkimit, Naimi përdor në dy raste gegërishten:
“Djelm q’i pate dhanun ner Shqipnis, ma shifni dot po varrë” (f.157)
“Ç’më qënke lodhun vllathi yn, ç’më ke pas ardh kti veni
Ç’më pate marr rrugën e gjan, ç’doni këtu von të gjeni?
Na që ky dhe ktu po na mba, na, që të dekun jena,
Ç’mund me ju bamun juve, o shoq? Lena, pafsh Zonë, lena!
Në jeni të gjall’ e me shpirt, kapni pushk’ e martinë,
Por n’jeni dekun por si na, tmerohi me robninë!” (f.159)
D. Fletore e Bektashinjet (1896)
Janë 9 vjersha që e kanë të deklaruara përmbajtjen që në titullin përbashkues.
“Besa” (f.165) dhe “Falja” (f.180) sjellin familjen e profetit Muhamet dhe degën pasardhëse të Abas Aliut me mesazhin: Bëj mirë, mos bëj keq. Pastaj në një plan më të përgjithshëm i kërkohet Zotit që t’u falë njerëzve shëndet e fuqi, miq e shokë, urtësi e mirësi, t’i largojë nga ligësitë dhe mëkatet.
“Perëndija” (f.167), “Mirësija” (f.173) dhe “Dita e shënuarë” (f.179) përcjellin mesazhin: Mirësi e njerëzisë është udha e Perëndisë.
“Njeriu” (f.169) dhe “Vetëdija” (f.177) janë rimarrje e pikëpamjes teologjike për formimin e njeriut si vullnet i Perëndisë duke i dhënë fytyrën e vet, duke e bërë mëkëmbës të tij në tokë dhe duke ia ndriçuar mendjen për të qenë thelbi i gjithësisë.
Poemthi “Shqipëria” (f.185) është me të njëjtën frymë si “Parajsa”, por këtu mëria ndaj Greqisë dhe politikave të saj është më e ashpër duke iu rikthyer deklaratës se shqiptarët e bënë Greqinë dhe figurat e antikitetit ishin pellago-shqiptare, madje kapërcen edhe matanë Adriatikut për të marrë Danten, Senekën e Virgjilin, gjithmonë sipas idesë së deklaruar që në krye të erës se shqiptarët kanë qenë të parët mbi dhe.