• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

Promovohet në Tiranë poema e Luan Ramës “Ode për tempujt që nuk u harruan”

May 9, 2025 by s p

Vepra një himn për bashkëjetesën dhe faljen, e cila duhet të ngrihet mbi tragjeditë

Poema “Ode për tempujt që nuk u harruan”, shkruar nga Luan Rama, pas suksesit të filmit me të njëjtin titull, është në duart e lexuesit në variantin e printuar. Filmi “Ode për tempujt që nuk u harruan” do të jetë pjesë e Albanian Film Festival, i cili organizohet në Boston, MA në datë 19-22 qershor. Luan Rama është zë një vend të veçantë në letërsinë dhe artin tonë bashkëkohor, si poet, publicist, kineast, filozof, shkrimtar, eseist, kritik arti, mendimtar. Ai është prurësi në kulturën shqiptare i dhjetëra librave letrarë, publicistikë, shkencorë dhe albanologjikë. Nëpër arkivat e Francës, të Gjermanisë e Greqisë, ai ka rendur në gjurmët e kërkimit të historisë shqiptare. Ka publikuar botime për shqiptarët dhe arvanitasit, në të gjitha trojet ku ata jetojnë, duke u përpjekur të nxjerrë nga arkivat një histori të fshirë dhe të manipuluar nga qarqet shoviniste.

Vepra “Ode për tempujt që nuk u harruan”, e sapobotuar nga Shtëpia Botuese “Albas”, nën kujdesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini, është një poemë narrative elegjiake, një rrëfim me zë të brendshëm. Është historia tragjike e popullsisë çame, kalvari i vuajtjeve dhe tmerri i genocidit. Poetin e drithëron dhe e mundon kjo tragjedi, si dëshmi autentike e një realiteti makabër, e brujtur me dhimbje të skajshme, por edhe me krenari e shpresë. Në këtë vepër është dhimbja dhe dashuria.

Në takimin promovues që u organizua, në ambientet e “Tirana Internacional” në Tiranë, mbrëmjen e 7 majit 20025, morën pjesë gazetarë, studiues, artistë, kineastë dhe veprimtarë të shumtë kombëtarë.

Prof. Bashkim Kuçuku, duke bërë një analizë profesionale të kësaj vepre, tha se kjo është një poemë ku janë tre lloj shkrimesh të alternuar. Poema është futur në një lloj skenari, që është realizuar edhe si film, nën interpretimin e aktorit Alfred Trebicka. Poema ka shumë zëra. Për të mbështetur këtë poemë autori ka sjellë edhe shumë fakte të gazetave dhe kronikave të kohës për gjenocidin. Në këto 34 vjet janë shkruar shumë poezi dhe poema për Camërinë, por kjo vepër është nga më të mirat. Në vitet 60-70 shquheshin krijimet e Bilal Xhaferit (më e spikatura “Baladë çame”). Në vitte e para pas vitit 1990 spikat libri i Ali Podrimjes “Te gurët e Prevezës”, e pasuar tani nga “Ode për tempujt që nuk u harruan”. Ky titull më duket shumë i gjetur, pasi në të janë ngjeshur disa domethënie.

Odet në lashtësi ishin këngë që u këndoheshin betejave heroike dhe shoqëroheshin me muzikë. Këtu kemi të bëjmë me një tragjedi, që poezinë e ka kthyer në muzikë. Tempujt ishin përmendore që u kushtoheshin perëndive. Tempujt në këtë poemë janë shtëpitë, aq të shenjta në kujtesën e çamëve. Janë tempuj të shkatërruar, por nuk janë tempuj të harruar. Kujtesa është vetëdije, qëllim. Dhe çamët do ta harrojnë Çamërinë vetëm kur të vritet kujtesa. Kjo është pikërisht një poemë që të mban gjallë kujtesën, poemë e shpresës dhe e kujtesës. E brujtur me humanizëm e shpresë.

Arkivat ishin të mbyllura për 50 vjet, por nëpër arkiva ishte arkivuar kujtesa e çamëve, të cilat u hapën në vitin 1991, me fitoren e fjalës së lirë, kur doli edhe Gazeta Çamëria dhe filluan botimet për Çamërinë. Nga arkivat doli një pjesë e historisë, u informuam se çfarë kish ndodhur realisht në Çamëri. Kontribut dhanë edhe albanologë dhe historianë të huaj. Gjatë këtyre 34 viteve është hedhur në letër kujtesa e çamëve. Luan Rama i takon brezit të tretë që shkruan për kujtesën. Historitë i ka trashëguar nga gjyshja, nga nëna filaqote. Ka bërë tre libra për Çamërinë: I pari “Jani nga Moreja”, që i kushtohet poetit arvanitas të shekullit të 19-të, me origjinë çame i spikatur në letërsinë frënge. Libri i dytë “Dino shtegtar i portës sublime” i kushtohet piktorit të madh Abedin Dino, i cili krijoi një art të shkallës së lartë, artin e frymëmmarrjes dhe të ëndërrës njerëzore.

Shkrimtari Enver Kushi, si skenarist i disa filmave për Çamërinë dhe figurat e Çamërisë, ka shumë kujtime me Luan Ramën. Sidomos kur në Paris u xhirua “Saga e Dinejve”, që i kushtohet dinastisë së dinove të Prevezës. Gjatë leximit të kësaj vepre të shoqëron imazhi dhe fjala e shkrimtarit, ndien dicka shpirtërore dhe përtej shpirtërores. Kështu më ndodhi kur lexova këtë libër që nuk ka më shumë se 90 faqe. Fjala ODE ka forcë emocionale dhe me peshë. Ka diçka danteske në përshkrimet e autorit: harqe guri, porta, dritare të shqyera, magje të braktisura, qiell i vetmuar, i ngrënë, varre, trarë të përmbysur, lugë të ndryshkura, popull i handakosur, rrënoja, muzg, zgavra, hije njerëzore, botë hijesh, grehina në hije etj. Fryma tragjike në poemë është konkrete, tokësore. Po ta lexosh me vëmendje poema të kujton “Mëhallat e botës” të Jani Ricosit, një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë, por edhe të botës.

Popujt e Ballkanit, veçmas shqiptarët dhe grekët, kanë patur kodet e tyre të mirëkuptimit dhe miqësisë. Këto kode kanë sfiduar dhe sfidojnë politikat përçarëse, apo erërat që sjellin ngrica e kërkojnë përçarjen mes popujve tanë. Lum ata politikanë, që jo vetëm i kuptojnë, por i vënë në jetë këto kode miqësie.

Luan Rama ka një lidhje shpirtërore të veçantë me Çamërinë si hapësirë, gjeografike, kulturore, si hapësirë e njerëzve fisnikë, si hapësirë e një prej tragjedive më të mëdha të shekullit që lamë pas. Ky është libër i amaneteve, jo vetëm i nënëns së tij, por edhe i mijëra nënëve që i mbuloi dheu i Shqipërisë, pa parë për të fundit herë vendlindjen. Në këtë Ode do të dëgjohen zërat e kujtesës, por edhe heshtja vrastare e fqinjit, duke fshehur krimet. Ne çamët, kudo që vemi, si mantel veshim Çamërinë si dhimbje, por edhe si shpresë.

Luan Rama, përmes kësaj Odeje, na sjell zërin e shpirtrave të shpresës, që na thërrasin përtej varreve masive të Çamërisë, tha poeti dhe studiuesi Ahmet Mehmeti. Libri të befason me larminë strukturore, ku harmonizohen në mënyrën më të këndëshme zhanre nga më të ndryshmet, si poezia liriko-epike, proza e skurtër fiksionale, e seistika, zërate kujtesës, siç i quan autori denoncimet e dëshmiratëve okularë, lajme të gazetave greke nga terreni, raporte e debate të oficerëve madhorë dhe deputetëve britanikë në gazeta amerikane e britanike. Mjeshtëria e lartë artistike e autorit konsiston në tematikën e njëjtë, që i bashkon në diversitetin e tyre, stilin me larmi dhe dendësi të lartë figurative, faktet dhe gjetjet artistike, nga më përfaqësueset për ndjeshmëri, personazhe dhe ngjarje tipike. I konceptuar sipas kësaj mënyre, ky libër shumë i rrallë në llojin e vet është gjedhe/model i një vepre shumë të sukseshme të postmodernizmit, ku çdo përbërës funksionon në harmoni me të tjerët. Padyshim kjo është arritur pas një përvoje shumë të gjatë e të sukseshme, pasi Rama është një shkrimtar me rreth 50 vepra në poezi, prozë, publicistikë, kinematografi, diplomaci etj.

Shkrimtari Ilirian Dahri e vlerësoi Luan Ramën si një figurë poliedrike të kulturës shqiptare dhe asaj europiane dhe ky është një fakt i njohur nga të gjithë, si brenda dhe jashtë vendit, për një krijues i cili ka shkruar dhe botuar mbi 60 libra. Por, edhe sikur diplomati, publicisti, shkrimtari Luan Rama mos të kishte shkruar asnjë tjetër vepër letrare, jam i bindur se do t’i mjaftonte pikërisht kjo Ode, e cila sipas mendimit tim, do të jetë një gur miliar i letërsisë moderne shqipe, tha Dahri. Një këngë solemne, që pasi e lexon dhe e rilexon të përçon një ndjenjë dashurie, një ndjenjë nderimi sublim për popullsinë çame të masakruar «nga hanxhari i “megalo-ideas”» siç shkruan vetë autori në librin e tij «Ode për tempujt që nuk u harruan», të masakruar pra, në dheun e tyre shekullor në Thesproti.

Autori Luan Rama si një arkeolog i vërtetë i fjalës, luan me të, dhe nuk e sheh vetëm si një instrument për të përcjellë një mesazh apo një ide tek lexuesi, por e sheh si një katalizator të përçimit të ndjenjave, të emocioneve, për të na shoqëruar në një histori të dhimbshme dhe rrëqethëse. Na shoqëron pra, në një udhëtim ku mbizotëron lemeria dhe terrori, në mënyrë që edhe një lexues që s‘e njeh atë plojë dhe ato barbari që u kryen në «Luginën e Vdekjes» siç e quan autori Luan Rama, të ketë mundësi që t‘i përjetojë përmes imagjinatës.

Luan Rama është një udhëtar i palodhur dhe përherë i shqetësuar i poezisë. Një poet autentik, që hyn në brendësi të dramës shqiptare, me prirjen për të filozofuar. Dashuria e tij për Çamërinë është e thellë, deri në dhimbje, tha poeti dhe gazetari Arben Iliazi.

Në këtë vepër shpalosen imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të bandave zerviste, tragjedi që është transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme. Vepra zbërthen qartë idenë se gjenocidet burojnë nga irracionaliteti i errët, ndaj çlirimi nga kompleksi i inferioritetit është një dlirësim, është afirmim dhe triumf. Poemën e përshkon shpirti tragjik i dhimbjes së përjetshme, që ngrihet madhështor në ngazëllim e në torturë.

Poema është një rikthim heroik në pafundësi, ku kënga është vdekje dhe vdekja është këngë e përzishme, mbytëse.Poema është nga më tragjiket e shkruara në historinë e letërsisë shqipe. Kjo poemë është shkruar me një origjinalitet, thuajse të mahnitshëm, dhe lexohet me një frymë.

Vepra e Luan Ramës “Ode për tempujt që nuk u harruan” është një himn për bashkëjetesën dhe faljen, e cila duhet të ngrihet mbi tragjeditë. Në mbyllje të takimit shkrimtari,poetidhe ish-diplomati Luan Rama falenderoi të pranishmit dhe folësit, duke e cilësuar këtë takim promovues si veprimtari me mesazhe të fuqishme ku i flitet të ardhmes, shpresës. Shtëpitë, shpirtrat, vallet, këngët, shpresat, historia nuk harrohen, tha Luan Rama. Une e dua Greqinë, dua Sofokliun, Homerit, gjith poetët e mëdhenj grekë. Kam njëlloj tërheqje ndaj kulturës greke. Por gjith kjo frikë që ka poltika greke që të pranojë vfarë ka ndodghur, është e pashpjegueshme, është një frikë e madhe. Ende mbahen të izolur kufijtë dhe camët nuk lejohen të vizitojnë shtëpitë e tyre. Nëna ime lindi në Çamëri, në Filat, por nuk arriti të shkonte dot. Forcat intelektuale në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë me ato greke. Historianët e dy vendeve duhet të nxjerrin në pah të vërtetën.Misioni im letrar do të vazhdojë, bashkëpunimi im me Fondacionin Çamëria dhe drejtuesin e saj Alket Veliu, është mjaft aktiv.

Sildi Koqini

Filed Under: Interviste

Shqipëria dhe Kosova – një lis me dy degë

May 9, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Në historinë e kombeve, ka raste kur një trup shpirtëror ndahet në dy realitete shtetërore, por nuk i humb kurrë rrënjët e përbashkëta. Kështu është rasti ynë, rasti i shqiptarëve: Shqipëria dhe Kosova – një lis me dy degë. Të ndara nga kufij të vendosur me dhunë historike, por të bashkuara nga gjuha, gjaku, kultura dhe kujtesa kombëtare.

Ky lis nisi të rritej në shekuj të vështirë, në troje të rrahura nga perandori dhe luftëra. Por rrënjët e tij u thelluan në lashtësinë ilire dhe u ushqyen nga vetëdija se ky popull, ndonëse i copëtuar, nuk do të humbte kurrë frymën e vet. Në themel të këtij lisi është Lidhja e Prizrenit (1878), ku shqiptarët për herë të parë kërkuan institucionalisht bashkimin kombëtar. Ishte kjo një përpjekje që i dha kuptim dhe drejtim trungut, duke mbjellë idenë se bashkimi është i natyrshëm, ndërsa ndarja është një imponim.

Në shekullin XX, Shqipëria fitoi pavarësinë në vitin 1912, ndërsa Kosova mbeti nën administrim të huaj, për dekada të tëra të shoqëruara me shtypje, diskriminim dhe mohimin e identitetit kombëtar. Por degët e këtij lisi nuk u thanë. Përkundrazi, edhe nën represion, ato vazhduan të frymojnë përmes shkollave në gjuhën shqipe, letërsisë së rezistencës dhe kulturës së bashkuar. Kontributi i Martin Camajt, Esad Mekulit, Ali Hadrit, Rexhep Qosjes, por edhe shumë të tjerëve nga të dy anët e kufirit, dëshmon për një literaturë dhe vetëdije të përbashkët që nuk njeh ndarje gjeografike.

Në vitet e ‘90-ta, kur regjimet komuniste po rrëzoheshin në të gjithë Europën Lindore, lisit shqiptar iu dha një goditje tjetër: Kosova hynte në një nga periudhat më të errëta të saj. Por aty doli në pah një tjetër degë e fuqishme e trungut shqiptar: Lëvizja për Pavarësi e Kosovës, me figura si Ibrahim Rugova, i cili mbrojti qetësisht por me vendosmëri identitetin e Kosovës, dhe më pas komandanti legjendar Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që shkrinë jetën për lirinë e kombit. Ishte populli i njëjtë që priste ditën e bashkimit në liri, jo më si shtetas të ndryshëm, por si bij të së njëjtës tokë.

Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, degët e lisi filluan të përkulen më afër njëra-tjetrës. Sot, Shqipëria dhe Kosova ndajnë institucione të përbashkëta, mbledhje të përbashkëta qeveritare, programe arsimore të harmonizuara, bashkëpunim ekonomik dhe diplomatik. Në fushën e kulturës dhe sportit, janë të panumërt rastet kur artistë, shkrimtarë, aktorë e sportistë janë përfaqësues të të dy anëve, por me një identitet: shqiptar.

Në arenën ndërkombëtare, Kosova dhe Shqipëria e përfaqësojnë një zë të përbashkët për çështjet kombëtare. Ato janë dy degë që i japin hijeshi, fuqi dhe ekuilibër trungut të kombit. Ndonëse të ndara në struktura politike, ato mbeten një në qëllime, në kujtesë historike dhe në idealet për një të ardhme të dinjitetshme për shqiptarët kudo që ndodhen.

Në Ditën e Flamurit, ai valëvitet njësoj në Prishtinë dhe në Vlorë. Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Tiranës i dridhet zemra po aq sa Drenicës.

Shqipëria dhe Kosova janë sot shembulli se historia nuk mund të shuajë identitetin, dhe se një komb mund të mbijetojë edhe kur trupi i tij copëtohet – për sa kohë që shpirti i tij rri gjallë.

Shqipëria dhe Kosova – një lis me dy degë, por me një zemër që rreh njësoj për atdheun dhe lirinë.

Filed Under: Politike

VATRA TELEGRAM URIMI VATIKANIT PËR ZGJEDHJEN E PAPA LEONIT XIV SI KREU I RI I KISHËS KATOLIKE

May 8, 2025 by s p

New York, 8 Maj 2025 – Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra i shpreh urimet më të përzemërta shtetit të Vatikanit me rastin e zgjedhjes së drejtuesit hyjor të Selisë së Shenjtë, Robert Francis Prevost – Papa Leoni XIV.

Kjo ditë e shënuar për mbarë botën, besimtarët katolikë e veçanërisht për popullin shqiptar le të jetë një gur themeli për shpresë, paqe, drejtësi, dashuri e vëllazëri.

Kardinali Robert Francis Prevost ia kushtoi misionin e tij ungjillizimit dhe njerëzve në nevojë. Zgjedhja e tij si Papë vjen në një moment delikat ku mbarë njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe, dialog, mirëkuptim, dashuri e drejtësi sociale.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të vazhdojë një lidhje të ngushtë bashkëpunimi institucional dhe shpirtëror duke forcuar lidhjet historike me Selinë e Shenjtë, Vatikanin.

Papa Leoni XIV, Papa i 267-të në historinë e Vatikanit dhe Papa i parë amerikan, si vazhdues i traditës së Papa Françeskut, do të ndërtojë ura të reja dhe do ta afrojë edhe më shumë Kishën Katolike më afër njerëzve në nevojë e shtresave të margjinalizuara.

Shpresojmë që Papa Leoni XIV të vizitojë trojet shqiptare dhe të bekojë tokën arbnore besnike të krishterimit dhe qytetërimit perëndimor.

I lutemi Zotit që Papa Leoni XIV të ketë bekimin dhe mbrojtjen e Perëndisë në përmbushjen me sukses dhe shenjtëri të Misionit të Tij Apostolik.

Me bekime dhe urimet më të përzemërta

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Featured

Disidenca e munguar

May 8, 2025 by s p

Mehmet Kraja*/

Shpjegimi i parë i fjalës disidencë vjen nga kuptimi i saj në latinisht dissidens, që përbëhet nga dy fjalë: dis që domethënë kundër dhe sedere, të qëndrosh, pra, të qëndrosh kundër. Në shekullin XX “qëndrimi kundër” u lidh kryesisht me regjimet socialiste të Europës Lindore, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, ku personalitete publike si Solzhenjicini dhe Saharovi morën famë botërore, pastaj në Çekosllovaki Haveli dhe “Kartën 77”, ndonëse në një kuptim më të gjerë disidenca do të duhej të lidhej me sfidën që i bëhet rendit ekzistuar dhe me qëndrimet e pavarura intelektuale.

Vijmë tani te letërsia shqipe: a kishte disidencë në të dy përvojat letrare të letërsisë shqipe, në Shqipëri dhe në Kosovë dhe çfarë ishte ajo? Në Kosovë nuk kishte disidencë ideologjike të mirëfilltë, sepse Kërlezha që më 1952 proklamoi pluralizmin e metodave në ish-Jugosllavi, pra largimin ideologjik të këtij shteti nga “socializmi real” dhe realizmi socialist i Bashkimit Sovjetik. Edhe Kosova ishte e përfshirë në këtë ndarje ideologjike, prandaj shkrimtarët e Kosovës nuk mund të kishin përball një armik ideologjik, por një armik tjetër më domethënës: armikun nacional. Që socializmi jugosllav të bëhej më i denjë për jetën e njerëzve edhe në Kosovë, e kishin ngritur zërin shkrimtarë si Hivzi Sulejmani (prokuror, me romanet “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim” ) dhe Sinan Hasani (politikan i niveleve të larta jugosllave, me romanin “Era dhe Lisi”) dhe kjo mund të quhet përballja e vetme dhe e fundit e përvojës letrare kosovare me ideologjinë socialiste. Në Shqipëri diçka e ngjashme mund të thuhet për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, por me nivel shumë më të lartë artistik. Në vitet vijuese, nga vitet ’50 deri në vitet ’90, politika në Kosovë u kujdes për disidencën nacionale dhe i dha mbështetje pa rezervë letërsisë moderne, të paangazhuar, sepse ajo natyrshëm e ndihmonte propagandën anti-Shqipëri, ku nacional-socializmi ishte bërë ideologji kombëtare, ndërsa realizmi socialist ishte metodë zyrtare e shkrimit të letërsisë.

Për t’i tejkaluar këto paradigma, do të duhej të shikonim më nga afër anatominë e disidencës letrare në Kosovë dhe në Shqipëri. Siç e thamë tashmë, në Kosovë nuk kishte disidencë ideologjike, kishte disidencë nacionale. Përmes rrëfimeve historike, mesjetare ose të antikitetit, shkrimtarët kosovarë, përmes alegorive dhe metaforave, synonin të përballeshin me realitetin e zymtë nacional. Kështu, derisa shikoja nga dritarja e banesës sime në katin e pestë patrullat e policisë që kujdeseshin për orën policore në Kodrën e Diellit më 1982, në njëvjetorin e demonstratave, unë shkruaja “Udhëzime për kapërcimin e detit”, një alegori “kodër pas bregu” për atë që ndodhte para syve të mi. Këtë e bënë edhe shumë shkrimtarë të tjerë, përfshirë edhe disa prej atyre që janë identifikuar në paradigmën e kësaj konference. Kjo disidencë nacionale shkonte deri aty, saqë disa shkrimtarë tanët me emër, u shfaqën të dyzuar: gjatë ditës flitnin serbisht në mbledhjet e partisë, në mbrëmje i jepnin krah disidencës nacionale. Pra, bashkëjetonin me persekutorin, duke kërkuar hapësirat jashtëzakonisht të ngushta ku mund të vegjetonin.

Në Kosovë nuk u burgos asnjë shkrimtar për vepër letrare, por disa prej tyre u burgosën dhe u persekutuan për aktivitetin e tyre ilegal. Mbi të gjitha, më bën përshtypje fakti, si në Kosovë,si në Shqipëri, se edhe pas rënies së socializmit, nuk doli pothuajse asnjë vepër e rëndësishme e letërsisë, e shkruar në periudhën e ndalesave të mëdha ideologjike apo nacionale. Duket se kjo ndodhi për shkak autocensurës, por edhe për shkak të përvojës së paktë letrare, ose edhe më keq, për shkak se disa shkrimtarë në Kosovë e menduan socializmin jugosllav edhe si kuadër i mjaftueshëm madje i pëlqyeshëm për realizimin e interesave të tyre nacionale, siç do të shprehet një kritik yni me emër. Ndërkohë, në Shqipëri shumica e shkrimtarë u bënë deklarativisht dhe mendërisht mbështetës të diktaturës, me krejt qenien e tyre krijuese.

Pra, as në Shqipëri nuk mund të thuhet se kishte disidencë të mirëfilltë, së paku jo ata që afishohen si të tillë, për shkak se regjimi ishte aq i ashpër, sa arriti të kontrollonte jo vetëm shkrimet, por edhe mendjet e shkrimtarëve. Mund të gjenden disa tendenca disidence, por disi embrionale, të parealizuara në formë të qartë, si kundërvënie regjimit. Do të përmend këtu disa shkrimtarë të Shqipërisë, që u persekutuan, por e kam të vështirë të them se cili prej tyre mund ta mbajë atributin e disidentit. Ja cilët janë këta: Së pari Trifon xhagjika, pastaj Vilson Blloshmi, Genc Leka, Favzi Nela, nga të cilët shquhet Blloshmi, i pushkatuar nga vetë shkrimtarët e Shqipërisë, sepse ekspertizën e poezisë së tij “Sahara” e bënë Xharxhiu dhe Çuli. Një poezi “Sahara” e shkroi edhe Kadare, por asaj nuk i bënë ekspertizë, mbase për arsye se, siç thoshin latinët “Quod licet Iovi, non licet bovi”. Më pas mund të radhiten shkrimtarët: Arbnori, Trebeshina, Xhaferri, Pllumi, Zhiti etj. Të tillë ka më shumë se një duzinë, por duhet thënë menjëherë se në veprat e tyre kishte një gjysmë-disidencë. Objekt i vërsuljes së shtetit në Shqipëri u bënë shpesh edhe ata shkrimtarë që shquheshin si mbështetës të realizmit socialist, madje duke u shpërndërruar si me magji nga shkrimtarë luajal në kundërshtarë të regjimit, siç ishte rasti me poemën “Pashallarët e kuq” të Kadaresë, e cila në analizat e mëvonshme, përmes një “përmbysjeje kuptimesh” mori atribute disidente. Apo romani “Tuneli” i Xhuvanit, që kishte vetëm një mëkat: nuk ishte si “Përsëri në këmbë”.

Ndoshta rasti Trebeshina meriton një vëmendje pak më të veçantë. Promemoria e tij ngre shumë pikëpyetje. Ky dokument nuk u gjend në asnjë arkiv të Shqipërisë, as në Arkivin e Partisë së Punës, as në Arkivin e Shtetit. Prandaj, ka dy mundësi: ose është shkruar më 1953, por nuk i është dërguar kurrë Enver Hoxhës, siç pretendonte Trebeshina; ose është shkruar pas rënies së diktaturës, në bashkëpunim me disa mbështetës të tij, si kundërvënie diskursit dhe mitit Kadare. Këto mund të quhen supozime, por është e sigurt se promemoria e Trebeshinës nuk pat asnjë ndikim në ambientin letrar të Shqipërisë së asnjë kohe. Më anë tjetër, në biografinë e Trebeshinës qëndron e shkruar se ai, që nga themelimi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit më 1945 (OZNA e Shqipërisë – Odeljenje za zastitu naroda) ishte njëri nga udhëheqësit e Drejtorisë I, ndihnmësgjyqtar i Biblbil Klosit, ndërsa më vonë, kur dënohet me 3 vjet burg, i bën vetëm 11 muaj, sepse “tezës së tij, nënës së Fiqrete Shehut, i kishte premtuar Enver Hoxha se do t’ia amnistonte nipin”. Kështu qëndron e shkruar në biografinë e Trebeshinës. Ndërkaq, sa i përket veprës së tij letrare, konsideroj se vetëm romani “Mekami” ka elemente të disidencës në kuptimin burimor të kësaj fjale, sepse ngrihet hapur kundër shqiptarizmës. Ndërkaq, urrejtja ndaj Kadaresë nuk besoj se përbën disidencë.

*Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore “Disidenca letrare shqipe”

Filed Under: Kronike

AS EDHE NJË KURORË ME LULE PËR GJERGJ KASTRIOTIN – SKENDERBE – NË DATËLINDJEN E TIJ

May 8, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Një datëlindje që nuk ishte! 6 Maji mendohet – nga shumica e historianëve dhe studiuesve të jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit-Skenderbe – si datëlindja e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Kjo mund të jetë një datë simbolike, por derisa të faktohet me prova e dokumente kjo është data e lindjes që është kujtuar, historikisht, Heroi Kombëtar dhe Shtetformuesi i shqiptarëve. Edhe sivjet, ashtu si çdo vit tjetër më parë, 6 maji, shkon e vjen pa u përmend as pa u shënuar nga entet zyrtare qeveritare e shtetërore, por as nga ato akademike të Shqipërisë, të Kosovës dhe më gjërë. As një kurorë të vogël me lule nuk u vendos para ndonjë monumenti të Tij, përfshir monumentin e Kryetrimit në kryeqytetin e Shqiptarëve në Tiranë, në shenjë nderimi. Ashtu si u mbyll në heshtje edhe viti (2018) i shpallur nga Shqipëria dhe Kosova si viti gjoja kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe. Nuk besoj se dikush mund të identifikojë ndonjë gjë që të jetë kujtuar Skenderbeu gjatë atij viti. Në të vërtetë më kujtohet se u mbyll në heshtje të plotë.

Por mirë që, të pakën, me 6 maj që kaloi nuk u mbulua monumenti i Tij në Tiranë me ndonjë çarçaf të bardhë ose të zi, siç ka ndodhur në të kaluarën – siç duket me qëllim që të mos ofendohej Stambolla. Politika shqiptare e tranzicionit 35-vjeçar ende nuk e kupton se në Evropë nuk shkohet pa Gjergj Kastriotin-Skenderbe, Shpëtimtarin e Evropës dhe as pa vlerat e tija kombëtare dhe ndërkombëtare-perëndimore. Ai ka mbrojtur qytetërimin perëndimor dhe ka luftuar despotët e Sulltanit. Skenderbeu ishte dhe mbetet simboli i identitetit kombëtar dhe model i një shteti të qëndrueshëm dhe të organizuar, sipas modelit të Shtetformuesit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe — në përputhje me historinë e dokumentuar kastriotiane dhe me vlerat moderne të botës euro-atlantike.

Për fat të keq, ashtu si nga viti në vit, edhe sivjet pamë se Gjergj Kastrioti-Skenderbe, për fisin e tij arbëroro-shqiptar — as në ditëlindjen e tij me 6 maj — nuk është i Përgjithëmonshëm, as hero Kombëtar, as Shtetformues, por i harruari i kombit.

Pyetje për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare?

Me 6 Maj, 2025, me sa vura re, liderët politikë në Shqipëri dhe në Kosovë munguan madje edhe me ndonjë deklaratë, për të kujtuar rëndësinë e kësaj dite, të pakën deklarata të llojit që ata bëjnë ditë për ditë në rrjetët sociale, për gjëra të kota. More, si dhe pse Gjergj Kastrioti Skenderbeu nuk e meriton të kujtohet në ditëlindjen e tij, të pakën me një kurorë me lule të freskëta pranë monumentit të tij në Tiranë, në Prishtinë, e në vende të tjera? A nuk meriton i Përgjithmonshmi i Kombit shqiptar të ketë një ditë në vit kushtuar Atij për ta nderuar e kujtuar ashtu siç meriton dhe siç bëjnë kombet e përparuara me heronjtë e tyre kombëtarë, anë e mbanë botës? Si mund të pretendoni se jeni serioz për zhvillimet dhe proceset demokratike drejt Evropës dhe vlerave të botës së sotëme të përparuar, ndërkohë që nuk kini asnjë respekt për historinë e lavdishme të Gjergj Kastriotit, të cilin tanimë e mbarë bota e njeh si Heroin e lavdishëm të shqiptarëve dhe Mbrojtësin e madh të qytetërimit evropian?

Kjo rrugë në të cilën vazhdojnë sot Shqipëria dhe Kosova, në të vërtetë, mund të jetë një rrugë pa kthim, drejtë së keqës. Mos njohja e vlerave kombëtare dhe perëndimore të Skenderbeut, qoftë edhe njëherë në vit në datëlindjen e tij –nuk mund të jetë një rrugë pa kthim — siç pretendohet nga disa politikanë — e proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, sepse, sot për sot, duket se ajo rrugë është e mbyllur. Edhe njëherë, nëqoftse Evropa është vërtetë destinacioni juaj, nuk shkohet drejt Evropës pa Gjergj Kastriotin Skenderbe!

Por si edhe në rastet e mëparshme edhe në këtë datëlindje (6 maj) të Gjergj Kastriotit-Skenderbe kemi të drejtë të shpresojmë madje edhe kundër shpresës, se në një të ardhme jo të largët, Kombi shqiptar do zgjohet dhe do t’a gjejë të arsyeshme që të caktojë një ditë në vit, të kalendarit të festave kombëtare, kushtuar Heroit të tij të madh, Gjergj Kastriotit – Skenderbe, me qëllim që ai të mos harrohet, por të kujtohet, çdo vit në datëlindjen e tij, zytarisht, të pakën njëherë në vit një ditë bashkimi për të gjithë shqiptarët, pa dallim dhe kudo qofshin ata.

Uroj që shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktualë dhe në të ardhmen të jenë të dinjitetshëm të vlerave, traditave dhe lavdisë së Prijësit të Kombit e Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe! Që të gjithë shqiptarët pa dallim, me një Besëlidhje të re midis tyre të modelit Kastriotian – të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit, duke u kthyer tek vlerat dhe traditat arbërore të Besës, Nderit e Burrërisë, të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skënderbeu!

Historia e 35-viteve të kaluara më bën të dyshoj seriozisht që të ndryshojë gjë sa i përket trajtimit zyrtar të figurës historike të Madhit Gjergj Kastrioti-Skenderbe ndër shqiptarët. Por shpresa ime është besimi në të Madhin Zot — se megjithë këto zhgënjime të (keq)trajtimit dhe harresës së turpshme të figurës madhështore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe nga klasa aktuale politike shqiptare, më në fund – se “Për inat të djallit e të shqiptarëve, Zoti ka me e mbajtë Shqipëninë më kambë, me nder e me lumni”. (Shën Pjetri në bisedën satirike të veprës së At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”, Satirika – Anzat e Parnasit e Gomari i Babatasit.)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT