
New York, 8 Maj 2025 – Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra i shpreh urimet më të përzemërta shtetit të Vatikanit me rastin e zgjedhjes së drejtuesit hyjor të Selisë së Shenjtë, Robert Francis Prevost – Papa Leoni XIV.
Kjo ditë e shënuar për mbarë botën, besimtarët katolikë e veçanërisht për popullin shqiptar le të jetë një gur themeli për shpresë, paqe, drejtësi, dashuri e vëllazëri.
Kardinali Robert Francis Prevost ia kushtoi misionin e tij ungjillizimit dhe njerëzve në nevojë. Zgjedhja e tij si Papë vjen në një moment delikat ku mbarë njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe, dialog, mirëkuptim, dashuri e drejtësi sociale.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do të vazhdojë një lidhje të ngushtë bashkëpunimi institucional dhe shpirtëror duke forcuar lidhjet historike me Selinë e Shenjtë, Vatikanin.
Papa Leoni XIV, Papa i 267-të në historinë e Vatikanit dhe Papa i parë amerikan, si vazhdues i traditës së Papa Françeskut, do të ndërtojë ura të reja dhe do ta afrojë edhe më shumë Kishën Katolike më afër njerëzve në nevojë e shtresave të margjinalizuara.
Shpresojmë që Papa Leoni XIV të vizitojë trojet shqiptare dhe të bekojë tokën arbnore besnike të krishterimit dhe qytetërimit perëndimor.
I lutemi Zotit që Papa Leoni XIV të ketë bekimin dhe mbrojtjen e Perëndisë në përmbushjen me sukses dhe shenjtëri të Misionit të Tij Apostolik.
Me bekime dhe urimet më të përzemërta
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha