• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

SHKOLLA SHQIPE “NËNË TEREZA” NË AREZZO, GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI

May 28, 2025 by s p

Baftjar Kondi kordinator i Shkollës Shqipe “Nënë Tereza” në Arezzo – Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Arezzo – Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, gjeografisë, traditës e kulturës shqiptare. Me kordinatorin e Shkollës Shqipe “Nënë Tereza” në Arezzo – Itali Baftjar Kondi, bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “NËNË TEREZA” NË AREZZO

Organizimi Shkollës Shqipe “Nënë Tereza” në Arezzo, rajoni i Toskanës në Itali ka filluar aktivitetin në Mars të vitit 2022. Kërkuam në takime të gjithë ata shqiptarë që kishin fëmijë në mënyrë që tu jepej mundësia të gjithë bashkatdhetarëve që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe. Mësimi te Shkolla Shqipe “Nënë Tereza” zhvillohet një herë në javë me nga dy orë, çdo të shtunë nga ora 16:00 deri ne 18:00. Sallën ku zhvillojmë procesin mësimor e kemi falas nga komuna e Arezzos. Fëmijët mësojnë gjuhë shqipe që ka prioritet kryesor e nga pak histori e gjeografi. Mësuesit e shkëlqyer dhe profesionistë të spikatur që janë të angazhuar: Hamdi Kulaj- Vlorë ( ish mësues dhe drejtor), Paskal Kaçani – Vlorë ( ish mesues), Mirela Dimitrovski- Elbasan ( ish mësuese), Esmeralda Hamzi dhe Baftjar Kondi si kordinatori i shkollës shqipe. Si fillim u regjstruan 27 fëmijë. Aktualisht frekuentimi i fëmijëve është diku 10-15 fëmijë në çdo orë mësimi për arsye se nxënësit kanë edhe aktivitete të tjera zbavitëse si sporti – futboll apo në kërcime e këngë e valle. Shpesh herë të themi të drejtën ka një neglizhim nga prindërit për shkollën shqipe sepse e quajnë si kohë të humbur dhe pa interes duke mos qenë korrekt me sjelljen e fëmijëve në mësim. Për të zgjidhur këtë situatë po kërkojmë rrugë të tjera zgjidhjeje si për shembull po kërkojmë që mesimin ta zhvillojmë direkt në shkollat italiane ku zhvillojnë mësimin e rregullt ditor.

MBËSHTETJA NGA SHOQATA “VËLLAZËRIA SHQIPTARE”

Shoqata “Vëllazëria Shqiptare” që ka dhënë kontribut thelbësor për shkollën shqipe është krujuar në shtator të vitit 2022 dhe kemi bërë plot aktivitete në shërbim të komunitetit shqiptar në komunën e Arezzo si organizimi për er ditën e flamurit kombëtar, për diten e eksodit të shqiptarëve në Itali, me idenë që largimi nga Shqipëria nuk duhet të ndodhë më kurrë. Si shoqatë kemi zhvilluar takime me autoritet e komunës dhe të qytetit për integrimin e komunitetit shqiptar etj. Kemi pasur takime të frytshme për azhornimin e ligjeve që i përkasin të huajve në Itali ku pjesë bëjnë dhe shqiptarët. Kemi mbledhur ndihma ekonomike për familjet me ekonomi të dobët ose për zgjidhjen e problemeve të ndryshme sociale e humanitare.

NJË THIRRJE PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR

Shkollën shqipe “Nënë Tereza” një pjesë e emigrantëve e bashkatdhetarëve e kanë pritur shumë mirë dhe vazhdojnë të jenë rregullisht frekuentues. Është dhe një pjesë tjetër që fatkeqësisht ju duket pa ineteres. Ne i bëjmë thirrje komunitetit shqiptar që ti bashkohen shkollës shqipe “Nënë Tereza” si qendër atdhetare dhe komunitare. Prindërit duhet të bëjnë më shumë për fëmijët në drejtim të mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjes së traditave kombëtare.

VËSHTIRËSITË NË PUNËN ME NXËNËSIT

Vështirësitë në punën me nxënësit si mësues i kemi pasur veçanërisht me ata fëmijë që në shtëpi e tyre prindërit nuk u flasin fare në gjuhën shqipe. Për të tejkaluar vështirësitë jemi të detyruar t’ua shpjegojmë mësimet në gjuhën italiane. Puna e prindërve në shtëpi është thelbësore në procesin e mësimit shqip. Inkurajojmë prindërit për më shumë vëmendje dhe mbështetje.

PRINDËRIT DUHET TË BËJNË MË SHUMË

Është një fakt i dukshëm që mësimi shqip ka rritur krenarinë kombëtare te fëmijët dhe ndjenjën patriotike. Por ka dy tablo: tek ato familje dhe tek ata fëmijë që kanë dëshirë rezultati është i kënaqshëm. Për mendimin tim kjo gjë varet nga prindërit që nuk punojnë me fëmijët e tyre aq sa duhet. Ka edhe nga ata prindër që thonë: “gjuhën ua mesoj unë në shtëpi”. Mirëpo kjo nuk është pozitive për faktin se e flasin në dialekt ndërsa në histori dhe gjeografi janë shumë dobët. Rritja e bashkëpunimit prindër- nxënës do të shtojë dhe vlerat e punës së mësuesve për mësimin e gjuhës shqipe.

KUSH ËSHTË KORDINATORI BAFTJAR KONDI ?

Jam nga Amonica e Vlorës. Kam ardhur në Itali me eksodin e marsit 1991. Fillova punën si puntor i thjeshtë ndërsa tani kam një aktivitet – ofiçinë ku merrem me punimin e hekurit. Në Shqipëri fillova instituito e Bio- Kimisë në Univerditetin e Gjirokastrës dhe e lashë në vit të dytë sepse u nisa për në Itali. Familja ime para luftës ka qenë me Ballin dhe natyrisht në kohën e diktaturës ishim nën kontroll dhe na ndalohej shkolla. Gjyshi im ka marrë pjesë në luftën e Janinës (Quhet Lilo Kondi). Ndërsa një xhaxhai i babit ka qenë aktivist në luftën e Vlorës dhe ka marrë pjesë në pritje e Ismail Qemalit (quhet Abaz Kondi). Në politikë jam me të djathtën dhe jam kordinator organizativ për qytetin e Arezzo. Bëj pjesë në departamentin e krahinës Toscana ku jam kordinator për të gjithë të huajt.

Filed Under: Opinion

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në ceremoninë e fronëzimit të Papa Leonit XIV në Vatikan

May 28, 2025 by s p

Një delegacion i lartë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) mori pjesë në ceremoninë solemne të fronëzimit të Papa Leonit XIV, e cila u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të mijëra besimtarëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare nga mbarë bota.

Delegacioni shqiptar përbëhej nga Mons. Gjergj Meta, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësia Nikolla, përfaqësues i Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturi Joanit, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH), dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe njëkohësisht President i organizatës ndërkombëtare “Religions for Peace Europe”.

Pjesëmarrja e këtij delegacioni të lartë shqiptar u vlerësua si një dëshmi e fortë e harmonisë ndërfetare që karakterizon Shqipërinë dhe e përkushtimit të komuniteteve fetare shqiptare ndaj dialogut, bashkëpunimit dhe paqes. Delegacioni u prit me nderime nga autoritetet e Selisë së Shenjtë dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të Kishës Katolike dhe komuniteteve të tjera fetare, si Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartholomew, etj.

Pas ceremonisë, delegacioni shqiptar u përshëndet nga Cardinal Monsignor George Koovakad, Prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar në Vatikan (Dicastery for Interreligious Dialogue). Në emër të dikasterit që ai drejton, Kardinali Koovakad shtroi gjithashtu dhe një drekë zyrtare në nder të delegacionit ndërfetar, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare nga vende të ndryshme të botës.

Ky takim miqësor dhe simbolik u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dialogu dhe respekti të ndërsjellë, duke theksuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërfetar në promovimin e paqes globale, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të çdo komuniteti.

Fronëzimi i Papa Leonit XIV shënon një kapitull të ri në udhëheqjen shpirtërore të Kishës Katolike, ndërsa prania dhe angazhimi i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në këtë moment historik është një dëshmi e qartë e modelit unik të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare që ofron Shqipëria.

Filed Under: Emigracion

“TUMAT ILIRE NË MALIN E KAKARRIQIT.”

May 27, 2025 by s p

(Kemi të bëjmë me një pasuri arkeologjike kombëtare dhe jo vetëm).

Kodra e Kakarriqit, e cila në gjuhën popullore njihet si Mali i Kakarriqit, shtrihet paralel me Malin e Rrencit në drejtim VP-JL, nga Fusha e Bregut të Bunës, në Fshatin e Ri dhe deri në afërsi të lumit Drin, në fshatin Balldre të Lezhës. Ky kurriz shkëmbor gëlqeror ka një morfologji të njëjtë me Malin e Rrencit (1). Ai ndahet midis Bashkisë Lezhë, që zotëron ¾ e sipërfaqes së tij dhe Bashkisë së Vaut të Dejës, e cila administron vetëm ¼ , më saktë, pjesën e tij veriore dhe verilindore. Mali i Kakarriqit është rreth 20 km i gjatë, 3 – 4 km i gjerë në bazë e 0.5 – 1 km në kreshtë (2), dhe në pjesën e tij veriore arrin lartësinë maksimale prej 398 m mbi nivelin e detit (3). Pjesa e tij më e lartë konsiston në një pllajë karstike, por më e valëzuar në krahasim me Malin e Rrencit. Shpati perëndimor bie thikë mbi Fushën e Torovicës, ndërsa faqja e tij lindore është më e butë dhe zbret gradualisht mbi Fushën e Zadrimës, në disa pjesë në formën e majave kodrinore, të cilat ulen gradualisht drejt bazës së kurrizit (4). Duke qenë se i gjithë mali përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë dhe gëlqerorë merodistë, këtu janë zhvilluar mjaft forma karstike dhe njësoj si në Malin e Rrencit, gjenden një numër i madh me livadhe të vegjël, shumica e të cilëve kanë qenë punuar gjatë shek. XX (5). Po ashtu, pranë këtyre livadheve kanë qenë disa vendbanime, sot të braktisura, prania e të cilëve dëshmohet qartë edhe nga rrënojat e banesave dhe objekteve të kultit të krishterë, ku bie në sy sidomos “Kisha-kapelë e Shën Gjergjit” në varrezat e vjetra të Kakarriqit, të njohura si “Varret e malcorëve” në “Qabalosh (6).”

Ndërsa, “Tumat ose Kodërvarret ilire në Malin e Kakarriqit” shtrihen thuajse përgjatë të gjithë gjatësisë së këtij kurrizi malor, ndonëse me një përqendrim më të madh në pjesën qendrore dhe më të rralla në atë jugore (7). Tumat janë varre të lashta monumentale ose “Monumente funerare”, të ndërtuara kryesisht nga dheu dhe gurët, të cilat formojnë një kodër të vogël mbi varrin e individëve ose grupeve të njerëzve. Ato janë një tipar karakteristik i kulturave të lashta, veçanërisht në Europë, dhe janë përdorur për të varrosur njerëz me status të lartë shoqëror, si udhëheqës, fisnikë apo luftëtarë. Vetë tuma në thelb ishte simbol i statusit shoqëror, sepse individët e varrosur në tuma ishin pjesë e elitës së shoqërisë së kohës. Struktura e tumave është e ndërtuar në bazë me formë rrethore ose ovale dhe ata mund të përmbajnë një ose më shumë varre brenda tyre. Në qendër të monumentit funerar, vendosej varri i njeriut më të rëndësishëm dhe më pas varret e individëve të tjerë pozicionoheshin përqark tij në formë rrethi. Në disa raste, tumat mund të jenë përdorur për disa breza të një familjeje ose fisi. Ndërtimi i tyre shoqërohej me rituale funerale, si vendosja e objekteve të çmuara pranë të ndjerit.

Kjo është arsyeja, që brenda tumave janë zbuluar vazhdimisht objekte si armë, stoli, vegla pune, qeramikë, por edhe mbetje kafshësh (kryesisht kuaj), që tregonin statusin dhe jetën e individit të varrosur. Disa tuma përmbajnë edhe mbetje të djegura të ruajtura nëpër urna, duke treguar se kremimi ishte një praktikë funerale në disa kultura. Në disa raste, rreth tumave vendoseshin gurë të mëdhenj si një lloj rrethimi mbrojtës, një dukuri që e ndeshin si në tumat e ndërtuara nga dheu, nga gurët apo nga të dy këta materiale të përzier së bashku. Tumat ilire në Malin e Kakarriqit paraqesin të njëjtën tipologji ndërtimore me tumat e identifikuara dhe dokumentuara në Malin e Rrencit, në Shkrel (Malësi e Madhe), në Shtoj (Shkodër), në Malin e Brisë (Ulqin), Pllanicës e Rakiqit (Tuz) dhe Neshkova Gruda në afërsi të Podgoricës (😎. Pra, janë të ndërtuara të gjitha me gurë dhe njësoj si tumat e lartpërmendura, ato përbëjnë një pasuri arkeologjike dhe historike shumë të rëndësishme. Po ashtu, arkitektura funerare e tumave në Malin e Kakarriqit është e njëjtë me ato të tumave në Malin e Rrencit, ku kemi të bëjmë me arkitekturë karakteristike të “Kulturës Cetina” në Dalmacinë Qendrore, në Kroaci. Gjatë dy ekspeditave përnjohëse të kryera në Malin e Kakarriqit, e para në vitin 2014 (9) dhe e dyta më 2017 (10), arkeologët e “Departamentit të Prehistorisë / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë”, identifikuan dhe dokumentuan 38 tuma gjithsej, 24 në territorin e Bashkisë Lezhë dhe 14 brenda territorit të Bashkisë Vau i Dejës. Në hapësirën e kurrizit midis fshatrave Gjadër dhe Balldren janë dokumentuar vetëm dy tuma të veçuara, ku duhet theksuar se ajo jugore përbën tumën më të madhe të identifikuar në të gjithë Malin e Kakarriqit (diam.: 16.50 m; lart.: 3-4 m).

Ajo ndodhet rreth 2 km në veri të Balldrenit, në kuotën 322 m dhe pak metra (400 m) në veriperëndim të “Majës së Marçipajit (11)”, e cila ka një lartësi prej 372 m mbi nivelin e detit. Plot 22 tuma janë identifikuar në pjesën qendrore të Malit të Kakarriqit, në hapësirën midis fshatrave Torovicë dhe Gjadër, një grupim tumular, i cili përfaqëson përqendrimin më të madh të tumave në Malin e Kakarriqit. Nga këto, 4 tuma janë identifikuar mbi periferinë jugore të fshatit Torovicë (rreth 325 m mbi nivelin e detit), të vendosura në një distancë prej 8 deri në 14 m nga njëra-tjetra (diam. varion nga 6.6 – 16.20 m); 2 tuma individuale gjenden më në jug, në një distancë përkatësisht prej 1 km dhe 1.5 km nga grupimi i mësipërm; 16 tumat e tjera i hasim të veçuara ose në grupe prej 2 – 4 tuma, të vendosura në pjesët më të larta të kurrizeve të shpatit lindor në një distancë në vijë ajrore prej rreth 1.8 km (midis fshatrave Kukël dhe periferisë veriore të fshatit Gjadër). Lartësia e tyre mbi nivelin e detit varion nga 104 deri në 279 m dhe kanë një shikueshmëri shumë të gjerë drejt L-VL-V, mbi të gjithë fushën e Zadrimës, mbi kodrat e periferisë së saj lindore dhe deri në qytetet Vau i Dejës e Shkodër (12).

Të dhënat arkeologjike më të rëndësishme, që lidhen me periudhat prehistorike nga Mali i Kakarriqit dhe që janë bashkëkohore me ndërtimin e tumave, janë depot e sëpatave prej bronzi të zbuluara pranë Torovicës, në rrëzë të faqes perëndimore të këtij kurrizi dhe shumë pranë grupimit tumular kryesor. Depoja e parë, e cila njihet si “Thesari arkeologjik i Torovicës (13)”, përbëhej nga 124 sëpata bronzi të tipave të ndryshëm u zbulua në vitin 1983 tek vendi i quajtur «Shkëmbi», në të djathtë të rrugës automobilistike Lezhë-Shkodër, afërsisht 10 m mbi rrugë dhe 2 km pa arritur tek qendra e Torovicës dhe depoja e dytë u zbulua disa vite më herët shumë afër saj, por me një inventar që përbëhej nga vetëm dy sëpata bronzi (14). Këto depo, së bashku me ato të Pentarit, Melgushës, Beltojës të zbuluara më në veriperëndim dhe në veri të Malit të Kakarriqit, por edhe disa të tjera të zbuluara më në veri në zonën e Mbishkodrës, janë datuar në fund të periudhës së Bronzit dhe në fillim të periudhës se Hekurit, rreth shek. XII-X p.k. (15).

Nga studimi tipologjik i disa prej këtyre sëpatave (shqiptaro-dalmate dhe italike), rezulton se këto objekte janë dëshmi e qartë dhe e pakontestueshme e lidhjeve të ngushta të kësaj zone me kulturat e Adriatikut qendror në Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën e sotme, por gjithashtu edhe të shkëmbimeve midis bregdetit të Shqipërisë Veriore dhe atij të Adriatikut perëndimor, pjesa qendrore dhe jugore në Italinë e sotme. Mjerisht, deri më sot, përveç identifikimit dhe dokumentimit të tyre, në asnjërën prej këtyre tumave nuk është bërë ende të paktën një sondazh arkeologjik, jo më një ekspeditë arkeologjike e mirëfilltë. Nga ana tjetër, duhet theksuar me shumë keqardhje, që para shumë vitesh disa prej këtyre tumave kanë rënë pre e gërmimeve pirate, ku gjurmët e një krimi të tillë janë shumë evidente sidomos në tumën më të madhe, në veri të Balldrenit. Tumat ilire në Malin e Kakarriqit duhet të trajtohen si pasuri kombëtare e rëndësisë së veçantë dhe të merren në mbrojtje nga Shteti Shqiptar, duke iu dhënë atyre statusin si Monumente Kulture të kateg. I.

BIBLIOGRAFIA:

1) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

2) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 148.

3) R.Kurti, R.Ruka & I.Gjipali, Rezultate paraprake të ekspeditës përnjohëse në Malin e Rencit dhe Malin e Kakarriqit, në Shqipërinë veriperëndimore, në: Iliria, 38, Tiranë: 2014, f. 182.

4) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

5) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 148.

6) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 98-100.

7) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

8)A.Lulgjuraj, Gjurmë të periudhës prehistorike në Malin e Brisë në rrethin e Ulqinit, në: Candavia 6, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2016, f. 14-15.

9) R.Kurti, R.Ruka & I.Gjipali, Rezultate paraprake të ekspeditës përnjohëse në Malin e Rencit dhe Malin e Kakarriqit, në Shqipërinë veriperëndimore, në: Iliria, 38, Tiranë: 2014, f. 182-183.

10) R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 142.

11) Ibidem, f. 143.

12) Ibidem, f. 143-144.

13) P.Zefi, Thesari arkeologjik i Torovicës, në: “Rrënjët / Le Radicci”, Marzo 2017.

14) F.Prendi, Një depo sëpatash nga Torovica e Lezhës / Un dépôt de haches préhistoriques à Torovicë de Lezhë, në: Iliria, vol. 14, n°2, 1984, f. 19-45.

15) R.Kurti, R.Ruka & I.Gjipali, Rezultate paraprake të ekspeditës përnjohëse në Malin e Rencit dhe Malin e Kakarriqit, në Shqipërinë veriperëndimore, në: Iliria, 38, Tiranë: 2014, f. 187-188.

Nga: Paulin Zefi.

Lezhë: 23.05.2025.

P.S.: “Fotot dhe skicat e sëpatave prej bronzi që kam publikuar i përkasin “Thesarit arkeologjik të Torovicës”, që janë bashkëkohore me ndërtimin e tumave, të cilat i kam përdorur për ilustrim.”

Filed Under: Histori

Shuhet ish-Kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria, zoti Hilmi Saqe

May 27, 2025 by s p

I mbijetuari i masakrave greke solli dëshmi autentike për genocidin në librat dhe intervistat e tij.

Themeluesi i Shoqatës Patriotike dhe Kryetar i kësaj Shoqate në vitet 1997-2000, zoti Hilmi Saqe, ka ndërruar jetë, në moshën 89 vjeçare, në një spital të Nju Jorkut. I qoftw dheu i lehtë, kësaj ikone të Çamërisë!

Hilmi Saqe ishte i mbijetuar i masakrave greke ndaj popullsisë Çame, që e pa dhe përjetoi tragjedinë, me sytë e një fëmije 8 vjeçar. Përmes dëshmive të tij autentike për genocidin, të botuara në disa libra si  dhe artikuj, Ai ka prezantuar dhimbjen çame dhe nuk heshti për masakrën deri në frymën e fundit . “Ne ikëm të detyruar nga Çamëria, Çamëria nuk ikën kurrë nga ne! Këto ishin fjalët që shqiptonte gjithmonë gjatë bisedave dhe intervistave.

Zoti Saqe, i cili jetoi prej 17 vitesh në SHBA si shtetas amerikan, apeloi për drejtësi dhe njohje të genocidit nga Greqia, duke deklaruar se “Greqia përpiqet që ta mohojë masakrën, që përbën njollën e turpit për vendin që pretendon qytetërim të lashtë”.

Ëndërroi gjithë jetën të kthehej edhe një herë në vendlindjen e tij, në Grikëhor të Gumenicës, por nuk ia arriti dot. Autoritetet greke nuk e lejuan kurrë, as kur u hapën kufijtë. Por më në fund ai e gjeti zgjidhjen, me pasaportë amerikane në xhep, në qershor të vitit 2021, shkoi në shtëpinë e tij. 

Hilmi Saqe  lindi  në Grikëhor – Gumenicë – Çamëri në në vitin1936.

Grikëhori është një nga fshatrat më të mëdha të Çamërisë. Ishte vetëm tetë vjec ku, së bashku me familjen, ushtria greke e dëboi me dhunë e barbari nga shtëpia, së bashku me mijëra shqiptarë të Camërisë.

Megjithëse ishte i vogël, Hilmi Saqe në librat e tij Genocidi grek kundër Camërisë vazhdon-2006) “Rrënjët tona çame -Tiranë ,2024”, përshkruan shumë skena tmerri dhe dhimbjeje: “Ende ne, të mbijetuarit e masakrimeve greke, ndjejmë erën e shtëpive tona që digjen! Ende shohim dhe ndjejmë erën e tymit dhe zjarrin e pushkëve dhe topave që binin mbi ne, mbi shtëpitë e pasuritë tona! Ende shohim dhe dëgjojmë çdo natë klithmat e grave fatzeza, që ushtria kriminale e shtetit grek u nxirrte fëmijtë nga barqet! Ende ndjejmë erën e mishit të djegur nëpër furra të grave dhe fëmijëve tanë, që me aq kënaqësi shtazarake e kanibaleske i ekzekutonin kryekriminelët zervistë të shtet-kishës greke! Ende shoh trupa grash, burrash dhe fëmijësh të shtrirë përdhe, me barqe të çarë dhe gjymtyrë e koka të prera! Ende çdo ditë dëgjoj ulërimat dhe thirrjet për ndihmë të të masakruarve të pafajshëm! Ende shoh dhe përjetoj maskrimin dhe torturat e mia, të prindërve e vëllezërve të mi, të motrës sime dhe të gjithë fëmijëve të Çamërisë.

Luftrat, masakrat, dëbimin nga vendlindja, nën tytat e armëve dhe grykave të topave të një ushtrie gjakatare- terroristo-pushtuese, nuk ka gjë që i shlyen nga kujtesat tona. Ato janë memorizuar në gjithë qënien tonë. Memorizim që është gdhendur në gjenet tona dhe të pasardhësve tanë”, shprehej Zoti Saqe në një intervistë për gazetën “Dielli” (12 korrik 2024).

Në 34 vjetorin e  krijimit të Shoqatës Patriotike Çamëria, Hilmi Saqe, botoi një promemorie ku, mes të tjerash shkruan: “Është momenti që jo vetëm të besojmë në fuqinë tonë si trashëgimtarë të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të vlerësojmë mençurinë e burrave që e deshën shumë Çamërinë dhe sakrifikuan gjithcka për të. Krijimi i Shoqërisë Politike Atdhetare Çamëria (Sot Shoqata patriotike Çamëria), në 10 janar të vitit 1991, është një ngjarje historike në historinë e kombit shqiptar, pasi shënon fundin e heshtjes së madhe për këtë problem të madh kombëtar.

Politika izoluese e regjimit komunist jo vetëm që e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar, por i privoi refugjatët camë në Shqipëri nga shumë të drejta njerëzore e kombëtare, duke i trajtuar si njerëz të kategorisë së dytë, jo si gjithë qytetarët e tjerë. Madje në vitin 1953 u hoqi shtetësinë greke arbirtrarisht, me një dekret të posaçëm antikushtetues, të njëanshëm, duke e ndërlikuar edhe më shumë çështjen përpara drejtësisë.

Lufta kundër çamëve dhe shpresat për rikthimin tonë në Çamëri po veniteshin nga heshtja dhe mospërfillja e zgjidhjes së çështjes sonë nga shteti komunist shqiptar, gjë që na kishte revoltuar të gjithëve, por diktatura ndaj gjithë shqiptarëve kishte gati Shpatën e Demokleut. Shembujt e kokave që iknin ishin mijëra dhe të pafajshëm. Përndjekjet e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “Grupit të Teme Sejkos”. Por, me shpalljen e pluralizmit politik, ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe koha filloi të punonte për Çamërinë. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për çamët një ngjarje historike, sepse ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare.

Nga Dhjetori i vitit 1990 dhe në vazhdimësi u aktivizuam së bashku me shumë të tjerë në themelimin e SHPA ”Çamëria”, dhe në luftën për zgjidhjen e cështjes sonë për kthimin sa më të shpejtë që të ishte e mundur në vendin tonë – në Çamëri, e cila ishte mohuar, luftuar e denigruar nga diktatura moniste shqiptare. Nuk ishte rreshtuar një numër i kufizuarish atdhetarësh, por të gjithë shqiptarët e Çamërisë që jetonin në Shqipëri, që nga Konispoli dhe deri në Shkodër. Për këtë gjë është shkruar shumë dhe një kontribut të madh dha edhe gazeta “Çamëria – Vatra Amëtare”.

“Nëqoftëse kemi pasur ndonjë herë kënaqësi të madhe shpirtërore, ka qenë pikërisht koha kur gjithçka fizike, shpirtërore dhe ekonomike ia kemi kushtuar çështjes çame, jo vetëm gjatë drejtimit të Shoqërisë, por që para themelimit të saj, në dhjetor 1990, së bashku me shumë bashkëatdhetarë të tjerë.

Plagët tona rrjedhin gjak akoma, ndaj ne nuk mund të heshtim! Askush nuk e vë ujin në zjarr për ne. Shteti shqiptar, partitë politike shqiptare, me sa duket do të vazhdojnë të luajnë politikën e Strucit, si gjithmonë, duke injoruar problemin çam dhe të Çamërisë. Çamëria është shpirti i gjithë çamëve. Ajo ka qenë dhe do të mbetet përjetë, derisa pasardhësit tanë ta gëzojnë atë”. 

Arben Iliazi

Filed Under: Kronike

Edicioni i pestë i Festivalit të Gastronomisë Shqiptare në Greqi

May 27, 2025 by s p

Agapi Gika/

Edicioni i pestë i Festivalit të Gastronomisë Shqiptare në Greqi, me iniciativë të L.G.Sh.G, u finalizua me sukses. Kopshti i universitetit New York College mikpriti në zemër të Athinës bashkatdhetarë, vendas, turistë e komunitete të tjera emigrantësh mes gatimeve autentike shqiptare, qerasjeve, kostumeve tona popullore, produkteve dhe punimeve artizanale dhe programit të pasur artistik.

📌 Përshëndetën aktivitetin: Kryetarja e L.G.Sh.G. znj. Agapi Gjika, Diplomatja për çështjet e Diasporës pranë Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi znj. Joneda Dodaj, Anëtari i Këshillit Kombëtar të Diasporës për Greqinë z. Ermal Sulaj, Kryetarja e Komuniteti Shqiptar Greqi znj. Rovena Xhori, Sekretarja e Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi znj. Entela Ballaci Konti, si dhe Kryetarja e shoqatës “Progresi” znj. Eva Paloka. U lexua gjithashtu përshëndetje e z. Thanasis Cheimonas – Nënkryetar i Bashkisë së Athinës për Integrimin Social të Emigrantëve dhe Refugjatëve.

Të pranishëm njëkohësisht: përfaqësues të qendrave ACCMR dhe KEM të Bashkisë së Athinës, Forumit Grek të Emigrantëve,Komunitetit të Egjyptit në Greqi, Rrjetit e të Rinjve me Origjinë Emigrante “Horizonte”, Iniciativës së Emigrantëve Shqiptarë etj.

🥘 Në festival morën pjesë me gatimet e tyre përfaqësues të shoqatave: “Shoqata e Emigrantëve të Korinthit”, “Komuniteti Shqiptar Rafina”,“LiterArt”, “Lunxhëria”, “Studenti”, “Progresi”,”Busulla për n’Tironë”, “Me ju, për ju”, “Korça”, “Myzeqeja”, “Sofra e Tiranës”, “Bashkë me ju”, si dhe: furra “Ηπειρος”, shefja Katerina Hajna me gatime të “Stoa Gastromeze” dhe produktet e linjave ushqimore “Sporos Health Food”, të cilët nëpërmjet shijeve origjinale të pjatave shqiptare jo vetëm ngjallën mall tek bashkatdhetarët tanë, por edhe i njohën ato tek komunitet e tjera duke vënë në pah traditën tonë sa të pasur, aq edhe të vjetër.

🏆 U vlerësuan me Mirënjohje për promovimin e kulinarisë shqiptare në Greqi: kuzhinierja znj. Xhuli Ilirjani & z. Altin Hatia – drejtues i restorantit “P.S.”.

🖼️ Në ambjentet e festivalit u përfshinë: tavolinë pune për fëmijë me hapje petësh për byrek nga znj. Afërdita Gjata, ekspozitë me punë dore nga anëtaret e L.G.Sh.G., bizhuteri nga Iken Qalliu, çanta nga Marjana Zejnelhoxha, si dhe piktura të punuara nga piktoret: Mira Dizdari, Lumnie Gjikopulli dhe Enkeleida Jorgollari.

🎊 Pjesëmarrësit patën mundësinë të shijojnë gjithashtu kafen tradicionale “Argjiro”, si dhe një program të pasur artistik nga këngëtaret Erefili, Vasilika Kaçorri, Burbuqe Esti, maestro Keli Xhelili, si dhe grupet e valleve “Myzeqeja” & atë nën drejtimin e koreografes znj. Lura Llabani.

🍀 Falenderojmë në mënyrë të veçantë universitetin New York College për mundësimin e ambjentit, prezantuesen e këtij festivali znj. Vilma Baruti, si dhe fotografin Fredi Prendushi për materialin e pasur fotografik, i cili do të plotësohet në album gjatë ditëve të ardhshme.

🐝 Falenderojmë të gjitha shoqatat pjesëmarrëse dhe çdonjërën nga anëtaret dhe miqtë tanë që kontribuuan në mbarëvajtjen e kësaj feste te madhe të emigracionit. Mirënjohje për qindrat e bashkatdhetarëve dhe vendasve që u gjendën pranë nesh, duke e kthyer tradicionalisht këtë ditë në një pikë takimi vjetore të bujshme.

Lidhja e Gruas Shqiptare ne Greqi do të jetë gjithmonë urë përcjellëse e kulturës dhe trashëgimisë sonë të pasur.

Ky festival u zhvillua nën përkujdesjen e veçantë të Komunitetit Shqiptar në Greqi. 🇦🇱

Mirë u takofshim në edicionin e gjashtë!

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT