• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

VATRA në Boston mbështet Albanian Film Festival që do të mbahet më 19–22 Qershor 2025

May 27, 2025 by s p

VATRA, në vazhdën e misionit të saj për të promovuar kulturën dhe artin shqiptar në Diasporë, mbështet me krenari Festivalin e Filmit Shqiptar 2025, organizuar nga Fan S. Noli Library & Cultural Center.

Ky festival është një homazh për zërat dhe vizionin e kineastëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Diaspora – një përpjekje për të treguar historitë tona, përmes ekranit të madh, me forcë artistike dhe identitet kombëtar.

Gala Event – 21 Qershor, Leo’s Restaurant, Braintree

Një mbrëmje elegante me të ftuar specialë Ermira Babaliu & DJ Jani – një moment për të festuar artin dhe për të mbështetur të ardhmen e trashëgimisë sonë kulturore.

VATRA fton komunitetin shqiptar në Massachusetts të bashkohet dhe të japë mbështetjen për këtë festival që nderon rrënjët tona dhe fuqizon të ardhmen tonë.

Të interesuarit për mbështetje apo sponsorizim mund të kontaktojnë:

fannoliculturalcenter@gmail.com | 508-612-3821 | Jona Cumani

St. George Albanian Orthodox Cathedral Boston

Filed Under: Kulture

Ndikimi i arsimit katolik shqip në vetëdijësimin kombëtar të shqiptarëve (shek. XV-XIX)

May 27, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Në historinë e zhvillimit kombëtar të shqiptarëve, arsimi ka luajtur një rol thelbësor si bartës i vetëdijes etnike. Që nga periudha mesjetare, në viset shqiptare ekzistonte një traditë arsimore që lidhej ngushtësisht me kishën katolike, e cila në bashkëpunim me Selinë e Shenjtë kishte shtrirë ndikimin e saj përmes shkollave, seminareve dhe misioneve fetare. Kjo traditë, e ndërprerë pjesërisht nga pushtimi osman, u ringjall dhe u ruajt në trevat veriore, duke e bërë arsimin katolik një instrument kyç për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit etnik. 

Gjatë sundimit osman, kur përdorimi i gjuhës shqipe në jetën publike dhe institucionale ishte i ndaluar, arsimi katolik përbënte një përjashtim domethënës. I organizuar nga dioqezat dhe misionet françeskane në bashkëpunim me Kongregacionin e Propagandës Fide, arsimi katolik në gjuhën shqipe jo vetëm që mbijetoi në kushte të vështira, por edhe u kthye në mjet për kultivimin e gjuhës, formimin e vetëdijes etnike dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore. 

Qysh në periudhat e hershme të zhvillimit historik të kombit shqiptar, ekzistonte në mes të fiseve të ndryshme ideja e një etniciteti të përbashkët, e përcaktuar nga disa faktorë si: gjuha, doket e zakonet e dallueshme nga ato të popujve fqinj. Këtë tipar karakteristik e ka vënë në dukje edhe studiuesi i njohur i kombeve dhe nacionalizmave Erich Hobsbawm, i cili thekson se “shqiptarët janë popull me vetëdije protonacionale të padiskutueshme”. Pikërisht ky protonacionalizëm e mbajti të bashkuar etninë shqiptare dhe, duke u përshtatur me zhvillimet e kohës, kultivoi një vetëdije të qartë për territorin ku jetonin shqiptarët dhe për gjuhën që flisnin. 

Formimi i një vetëdije të përbashkët etnike u pengua nga sistemi osman i miletit, i cili e barazonte përkatësinë fetare me atë kombëtare”. Te fqinjët tanë ballkanas, ky sistem lejoi formimin gradual të vetëdijes së grupeve etnolinguistike, të cilat, përmes një përpunimi të ngadaltë, me pikënisje nga gjuha dhe feja, arritën të afirmoheshin në një fazë të hershme të protonacionalizmit. Ndërsa te shqiptarët, ndarja e tyre në tri milete të ndryshme sipas besimit, ua mohonte atyre kombësinë, duke i quajtur “turq”, “rum” (grekë) dhe “latinë”. Gjuha e mësimit që shqiptarët frekuentonin në shkolla ishte turqishtja për myslimanët; greqishtja për të krishterët ortodoksë; italishtja për katolikët. Në kushtet e ndarjes fetare dhe shtypjes gjuhësore, arsimi katolik në gjuhën shqipe u bë një akt i rezistencës kulturore. 

Etnizimi i fesë dhe etnizimi i gjuhës 

Etnizimi i fesë dhe i gjuhës i referohet procesit përmes të cilit feja dhe gjuha lidhen ngushtësisht me identitetin etnik të një populli. Në rastin e Shqipërisë gjatë shekujve XV-XIX, klerikët katolikë luajtën një rol të rëndësishëm në këto procese, duke e lidhur fenë dhe gjuhën shqipe me përkatësinë etnike shqiptare.

Kisha katolike e lejoi përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesa dhe në botimin e librave fetarë dhe shkencorë. Ka prova se gjuha shqipe shkruhej që në periudhën e Skënderbeut, kancelaria e të cilit përbëhej nga prelatë të njohur. Për atë periudhë mendohet se janë zbuluar katër shkrime në gjuhën shqipe, ku Formula e pagëzimit është pranuar nga të gjithë studiuesit si shkrimi i parë shqip. 

Shkrimi e kthen gjuhën e folur të një populli në gjuhë kulture dhe krijon kushtet për themelimin e shkollave në atë gjuhë. Nëse ato shkolla në periudhën e Skënderbeut vazhdonin ende në latinisht, të dhënat tregojnë për përdorimin e shqipes gjatë mësimit të latinishtes, që mund të konsiderohet si fillimi i shkëputjes së arbërve nga përdorimi i gjuhëve dominante të kohës, duke zgjeruar në mënyrë graduale përdorimin e shqipes drejt sferave që kontrollonin ato gjuhë. 

Në kohën kur osmanët dhe kisha ortodokse greke e kishin ndaluar shkrimin në shqip, kisha katolike e zhvilloi mësimin në gjuhën amtare, duke ndihmuar që shqiptarët katolikë ta kuptonin fenë në këtë gjuhë. 

Autorët e qarkut kulturor katoliko – verior të shekujve XVI-XVIII, e kuptuan se feja, ndonëse element identitar, nuk mjaftonte për të mbrojtur dhe ruajtur identitetin shqiptar në kushtet e reja historike të një realiteti shumëfetar, ndaj i dhanë gjuhës rolin qendror në formimin e vetëdijes etnike. Të paktën nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, klerikë katolikë vendës dhe misionarë ndihmuan në përkthimin dhe botimin e literaturës fetare në gjuhën shqipe, gjë që, në kombinim me lëvizjet antiosmane të popullsisë, nxiti një proces të brendshëm kulturor të vetëdijësimit (diferencimit). Përpjekjet e autorëve të shekujve XVI-XVIII për lëvrimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, duhen konsideruar si shfaqje të vetëdijes shqiptare, mjaft kohë përpara Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve. Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani etj, duke shkruar në gjuhën shqipe dhe duke nxjerrë në pah rëndësinë e saj për bashkësinë që i përkisnin, kontribuan në etnizimin e gjuhës, një hap i rëndësishëm drejt vetëdijes kombëtare, pasi në rastin shqiptar, ishte gjuha ajo që arriti të ushqejë një ideologji të vërtetë kombëtare. 

Për shkak të rritjes së ndërgjegjes etnike dhe kulturore të shqiptarëve, sidomos nga gjysma e dytë e shekullit XVI, identiteti etnik nisi të ndërlidhej gjithnjë e më shumë me përkatësinë gjuhësore dhe kulturore. Në këtë periudhë, kisha katolike shqiptare nuk ishte thjesht një institucion fetar, por luante një rol qendror në jetën shoqërore, kulturore, madje dhe politike të shqiptarëve. Prandaj përfaqësimi i saj përmes klerikëve vendas u pa si një mjet për të ruajtur dhe afirmuar identitetin shqiptar. Në atë kohë, shpesh i dërgoheshin kërkesa Selisë së Shenjtë, për të tërhequr misionarët raguzanë ose dalmatinë dhe për të emëruar ipeshkvinj vendas në vend të tyre. Shqiptarët e perceptuan praninë e ipeshkvijve dhe misionarëve të huaj (kryesisht raguzanë e dalmatinë) si të huaj për ndjeshmëritë, zakonet dhe, sidomos për gjuhën shqipe, që po fillonte të shihej si përbërësi më dallues i kombësisë. Që në vitin 1577, krerët e Lezhës i dërguan një letër Romës në mbështetje të një kandidati për ipeshkëv, duke theksuar se ai ishte i dashur për banorët e zonës, pasi “ishte lindur dhe rritur në të njëjtin komb … i përkiste të njëjtit komb shqiptar”. Termi “bir i kombit shqiptar” përdoret si argument legjitim dhe bindës për emërimin e një ipeshkvi, gjë që tregon se përkatësia etnike ishte një kriter i vlerësuar nga popullsia vendase. Ky rast përbën një dëshmi historike me vlerë të madhe, sepse është një burim i drejtpërdrejtë që tregon për përdorimin e termit “komb shqiptar” në një dokument të vitit 1577. 

Sërish në vitet 1602 dhe 1603, ipeshkvinjët shqiptarë, të lindur në vend, së bashku me klerin lokal u paraqitën Papa Klementin VIII dhe kardinalëve me ndikim kërkesa, për të mos pasur priftërinj raguzanë në famullitë e tyre pasi, siç thonin ata “ishin të një kombi të huaj, të një gjuhe të huaj, të zakoneve të huaja”. Termat “komb i huaj”, “gjuhë e huaj”, “zakone të huaja” tregojnë për një vetëdije të qartë për përkatësinë shqiptare dhe për dallimin e saj nga të tjerët.

Strategjia misionare e Propagandës Fide, e orientuar drejt kombësive, ndikoi në mënyrë të thellë në formimin intelektual të misionarëve dhe në mënyrën se si ata ndërvepronin me komunitetet e tyre etnike. Vetëm pak vite më vonë, Pjetër Mazreku, Kryeipeshkëv i Tivarit (1624–1634) dhe Administrator Apostolik i Serbisë (1634–1642), mbështeti formësimin e katolicizmit shqiptar në lidhje me universalitetin katolik, por të dalluar nga katolicizmi sllav, i njohur në atë kohë si “ilirizëm”. Mazreku bën një dallim të vetëdijshëm midis katolicizmit shqiptar dhe atij të sllavëve të jugut. Kjo është me rëndësi të veçantë, në një kohë kur territori shqiptar ndodhej në kontakt të ngushtë me kulturat dhe strukturat kishtare sllave, të cilat mund të ushtronin ndikim mbi popullsinë shqiptare. Ai e kuptoi se ruajtja e katolicizmit shqiptar ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me ruajtjen e identitetit etnik dhe gjuhësor. 

Nuk është rastësi që një numër gjithnjë në rritje i murgjve të misioneve katolike të Mezzojuso-s dhe Grotaferratës, të dërguar nga Propaganda Fide në Shqipëri, ishin me origjinë shqiptare dhe ky fakt padyshim u ndihmoi atyre të integroheshin më mirë në mjedisin e ri. Nga ana tjetër, për shkak të mungesës së klerit vendas dhe nivelit të ulët arsimor të tij, Selia e Shenjtë mori vendimin që në trevat shqiptare të dërgoheshin misionarë të huaj, të cilët duhej të mësonin gjuhën shqipe. Si pjesë e veprimtarisë së tyre, pranë misioneve u hapën edhe shkollat e para në gjuhën shqipe. Në një relacion drejtuar Kongregatës së Propagandës më 27 mars 1638, nënprefekti i Misioneve Françeskane në Shqipëri, Fra Kerubini, shkruan se “në Zadrimë, Pdhanë, Mirditë, Pukë dhe në Gash qëndrojnë misionarët dhe ndihmësit e tyre, ndër të cilët pesë a gjashtë tashmë kanë mësuar gjuhën shqipe dhe kanë filluar të predikojnë, të japin mësim dhe të rrëfejnë pa ndihmën e përkthyesit”. Kushti që misionarët e huaj të mësonin shqipen ishte thelbësor për efikasitetin e tyre në terren. Ky fakt tregon se përhapja e besimit nuk mund të realizohej në mënyrë të qëndrueshme pa njohjen e gjuhës vendase. 

Hapja e shkollave në gjuhën shqipe pranë misioneve tregon për një ndërveprim të rëndësishëm midis arsimit dhe misionarizmit. Këto shkolla përbënin jo vetëm një mjet për përhapjen e fesë, por edhe një nxitje për formimin kulturor, duke kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar. 

Fat i madh për kombin dhe kulturën shqiptare qe ardhja në krye të Kishës Katolike e Papë Klementi XI, origjina e të cilit ishte nga një familje e njohur në Itali, e Albanëve me origjinë shqiptare. Ai i dha jetë asaj që disa studiues arbëreshë e kanë quajtur Rilindja Arbëreshe, e cila sipas tyre ka paraprirë Rilindjen Kombëtare, fillimet e të cilës nisin në vitet ’30 të Shtatqindës me ngritjen e seminareve italo-shqiptare të Kalabrisë(1732) dhe të Siçilisë(1734). Në fakt Rilindja Albani është më tepër një rizgjim kulturor dhe kombëtar ndërmjet dy brigjeve, i komunitetit arbëresh në Itali dhe i shqiptarëve. 

Papa Klementi XI hapi katedrën e gjuhës shqipe në Romë, ku ka dhënë mësim Françesko Maria da Leçe, autori i gramatikës së parë shqipe. Ai ishte nismëtari dhe ideologu i Kuvendit të Arbnit, që u bë bë pikënisje e një lëvizje të pandërprerë të “shqiptarizimit” të funksioneve dhe kuadrove kishtare, si dhe një forcë mbështetëse për proceset shoqërore që ndodhën gjatë Rilindjes Kombëtare. Mësimi i shqipes për misionarët u bë i detyrueshëm dhe ata ishin duhet të kalonin në provim para Prefektit të Urdhërit, para se të fillonin veprimtarinë misionare. Kuvendi porositi që nxënësit shqiptarë të cilët i mbaronin studimet në Kolegjin e Propagandës së Fesë “janë të detyruar të kthejnë sa më parë që të jetë e mundur në atdhe për të dhënë ndihmesën e tyre aq të nevojshme baritore për besimtarët në vendin e tyre. 

Në Kuvendin e Arbnit, për herë të parë u përdor termi “atdhe” në kuptimin e “tokë kombëtare” dhe termi “shqiptar” në kuptimin etnik, në shprehjen “gjuha e shqiptarëve”. Kuvendi vendosi që mësimi i fesë të bëhej në gjuhën shqipe, me qëllim që populli ta kuptonte përmbajtjen e doktrinës fetare. Kjo e ktheu shqipen në mjet zyrtar mësimor brenda një strukture të organizuar kishtare. Vendimet e atij Kuvendi ndikuan që arsimi shqip të hynte në një fazë të re, atë të masivizimit, që nuk nënkuptonte vetëm shtimin e numrit të shkollave e të nxënësve, por edhe përfshirjen e komuniteteve të tëra në predikime dhe edukimin fetar në gjuhën amtare. 

Ndikimi i arsimit katolik për rritjen e vetëdijes kombëtare 

Shkollat që zhvillonin mësim në shqip ndihmuan në lindjen e një ndjeshmërie të re se përkatësia kombëtare nuk buron nga feja, por nga gjuha dhe origjina e përbashkët. Gjatë kësaj kohe, klerikët katolikë shkruan dhe botuan tekste fetare dhe didaktike në gjuhën shqipe, duke ndihmuar në ruajtjen dhe përhapjen e shqipes së shkruar, por edhe formimin e një vetëdije të re se shqipja mund të jetë gjuhë e shkollës, e fesë dhe e jetës intelektuale. 

Sipas modelit teorik të Miroslav Hroch nacionalizmi shqiptar e nisi rrugëtimin e tij në trajtën e një “albanizmi”elitar, të përfaqësuar nga një rreth i ngushtë intelektualësh të përkushtuar ndaj studimit të gjuhës shqipe. Këta mendimtarë që gjendeshin në gjirin e kishës katolike, fillimisht e artikuluan idenë e ekzistencës së kombësisë shqiptare, pa ndërmarrë përpjekje të strukturuara për ta përhapur këtë ide përtej qarqeve intelektuale katolike ku bënin pjesë. Si detyrë parësore, kisha katolike kishte zhdukjen e paditurisë në rradhët e klerit, duke ngritur shkolla fillore dhe të mesme shqipe që do të përgatisnin klerikë të arsimuar, si në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin (1632), Pdhanë(1638), Blinisht(1639), Velë(1653), Orosh, Grudë, Selcë të Kelmendit, Hot etj. 

Në vijim, për shkak të zhvillimeve politike dhe shoqërore, disa prej këtyre albanistëve u përpoqën të ndikonin mbi një pjesë të popullsisë, me qëllim që t’i sillnin asaj “civilizimin” dhe ta ndërgjegjësonin për përkatësinë e saj ndaj kombit. Koncepti i “civilizimit” që promovonin ata nënkuptonte një model europian të qytetërimit: shkrim-lexim, vetëdije kombëtare, përkatësi në një gjuhë dhe kulturë të përbashkët dhe u realizua me shtimin e numrit të shkollave fillestare në vend dhe dërgimin e sa më shumë studentëve për studime të larta jashtë vendit. 

Pas vitit 1750, shkolla katolike ishte kthyer në një institucion të qëndrueshëm në të gjitha dioqezat shqiptare, në përputhje me udhëzimet e përcaktuara nga Kongregata e Propagandës Fide. Në këtë periudhë vepronin shkollat pranë të gjitha dioqezave, që u shndërruan në qendra të rëndësishme arsimore edhe për komunitetin, pasi fëmijët e shkolluar ua mësonin të vetëve leximin dhe shkrimin shqip në shtëpitë e tyre. Duke qenë institucione arsimore të veçanta që përgatisnin klerikë të ardhshëm, shkollat kishin një numër të kufizuar fëmijësh, por gjithnjë në numër më të madh se sa ishin nevojat, pasi kandidatët për klerikë përzgjidheshin mbi bazën e kritereve rigoroze, vetëm në mesin e atyre që shfaqnin vokacion për t’iu përkushtuar karrierës kishtare. Nxënësit më të mirë, pas mbarimit të arsimit fillestar në këto shkolla, u dërguan për studime të larta, kryesisht në Itali. Gjatë gjithë viteve të funksionimit, nga kolegjet ilirike të Loretos e të Fermos u diplomuan mbi 200 studentë dhe nga Kolegji i Propagandës së Fesë 197 të tjerë, që u kthyen në vend si priftërinj dhe prej tyre disa u bënë kryeipeshkëvinj, ipeshkëvinj, vikarë apostolikë dhe mësues në shkollat katolike shqipe. Shtimi i klerikëve të shkolluar vendas, emërimi i ipeshkvinjve me origjinë shqiptare dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe kishin një rol të shumëfishtë në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve katolikë. 

Kalimi nga albanizmi kulturor në albanizëm politik – Arsimi katolik shqip gjatë Rilindjes kombëtare

Në vijim, sipas modelit të Miroslav Hroch nacionalizmi shqiptar nga kulturor kaloi në politik, por kufiri midis kulturorit dhe politikut nuk është gjithmonë lehtësisht i përcaktueshëm, dhe, siç do të shihet, afirmimi i albanizmit zakonisht shoqërohej me një kërkesë, nëse jo politike, të paktën sociale. Në kapërcyell të shekujve XVIII-XIX, kërkesat politike dhe aspiratat revolucionare vizualizuan transformimin në shtete-komb, të kombeve kulturore që ishin formuar nga reflektimi mbi gjuhën, gjeografinë e re simbolike dhe historiografinë iluministe. Kleri katolik shqiptar ndoqi me vendosmëri rrugën e kërkimit të identitetit kombëtar shqiptar, të lidhur me mitin themelues të Skënderbeut, gjuhën kombëtare dhe lidhjet me Evropën. 

Duke u mbështetur në një traktat treshekullor me Perandorinë Osmane që i jepte privilegjin e “ndërtimit dhe riparimit të kishave, institucioneve fetare dhe shkollave katolike”, Austro-Hungaria filloi të rriste numrin e shkollave të saj për shqiptarët. Vjena mbështeti veprimin e Selisë së Shenjtë për të forcuar dhe përhapur ndikimin katolik në Shqipëri. Interesi austro-hungarez shtrihej në nxitjen e lëvizjes shqiptare; ku së pari popullsitë katolike dhe më pas ato myslimane e ortodokse do të angazhoheshin për pavarësi etnokulturore, pastaj edhe për pavarësi politike. 

Me interes të veçantë u pa nga Vjena dhe Vatikani ndërtimi në Shkodër i Seminarit të Jezuitëve në vitin 1858, pastaj tre vjet më vonë, më 1861 edhe të Seminarit Françeskan. Në vitin 1877 u hapën në Shkodër Kolegji Saverian, Seminari i Motrave Françeskane dhe ai i Motrave Stigmatine. Deri në vitin 1886 ishin themeluar 14 shkolla, ku vetëm në Shkodër funksiononin 5 prej tyre me gjithsej 32 mësues dhe 1200 nxënës, duke përfshirë Kolegjin e Françeskanëve me 10 nxënës, Kolegjin e Jezuitëve me 400 nxënës, Shkollën e Motrave Stigmatine me 200 nxënëse, Kopshtin e Motrave Servite me 300 nxënës, të gjitha institucione arsimore katolike me mësues klerikë dhe murgesha, që mësonin fëmijë të shtresave të gjëra të popullsisë, nga ata që do t’i përkushtoheshin fesë apo fushave të tjera të dijes. Dhjetra shkolla të tjera shqipe u happen në qendra të tjera të vendit. Këto shkolla përhapnin dije dhe ndërgjegjësim mbi përkatësinë etnike e kulturore, por edhe krijuan një rrjet komunikimi, domethënë formuan një komunitet njerëzish të ditur që flisnin dhe shkruanin në shqip, e që mund të qarkullonin informacion, ide dhe vizione të përbashkëta për të ardhmen e kombit shqiptar. Ato shkolla nuk ishin vetëm institucione fetare, por edhe qendra kulturore e politike, që u bënë baza për formimin e elitës kombëtare, e cila u angazhua për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe për hapjen e rrugës drejt krijimit të një shteti modern shqiptar.

Filed Under: Emigracion

DHOMA E PËRFAQËSUESVE E SHTETIT TEKSAS – DËNON KOMUNIZMIN DHE KËRKON MIRATIMIN E LIGJIT QË NË SHKOLLAT E SHTETIT TË MËSOHET MBI KRIMET E KOMUNIZMIT 

May 27, 2025 by s p

Texas state Rep. Richard Pena Raymond, D-Laredo, encourages fellow Democrats to vote for a bill that requires public schools to educate children about the evils of communism. ©Texas House of Representatives

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Dhoma e Përfaqsuesve e shtetit Texas miratoi të mërkurën e kaluar projekt-ligjin sipas të cilit shkollat publike të atij shteti duhet të mësojnë nxënsit dhe studentët — nga fillorja deri në mbarim të shkollës së mesme — mbi krimet e komunizmit ndërkombëtar. Ky projektligj ishte aprovuar marsin që kaloi nga Senati i shtetit Teksas me 28-3 vota dhe javën që kaloi Dhoma e Përfaqsuesëve e këtij shteti miratoi projektligjin me vota dërmuese, 119 në favor, ndërsa 13 demokratë votuan kundër. Projektligji i dërgohet tani Governatorit republikan të shtetit Teksas,Greg Abbot, i cili sipas medias lokale atje, pritet ta nënshkruaj duke e bërë këtë ligj detyrues për të gjitha shkollat publike në Teksas. Detyron ndryshimin e programeve aktuale mësimore për klasët 4-12 me qëllim që të kuptohet më mirë historia kriminale e “komunizmit dhe ideologjive”, që siç u shpreh zëvëndës governatori i atij shteti, Dan Patrick, një ligj i tillë ishte i nevojshëm, “ashtuqë historia të mos përsëritet më”.

Mediat njoftojnë se Bordi Shtetëror i Arsimit të Teksasit do të këshillohet me viktimat e komunizmit për të bërë ndryshimet e nevojshme në programet e mësimit për klasët 4-12-vjeçares. Miratimi i këtij projektligji nga dy dhomat legjislative të Teksasit është në vazhdën e shumë përpjekjeve të tilla, viteve të fundit, nga disa shtete amerikane për të njohur, zyrtarisht, publikun dhe politikën amerikane mbi krimet e komunizmit dhe për të kujtuar viktimat e komunizmit anë e mbanë botës.  Frank Shkreli: Florida përforcon me ligj standardet shtetërore të edukimit mbi rreziqet, krimet dhe të këqiat e komunizmit | Gazeta Telegraf.  Por jo vetëm shtete individuale të Amerikës, por edhe Kongresi amerikan i është bashkuar kësaj lëvizjeje për të denoncuar komunizmin si ideologji dhe për të kujtuar viktimat e tij. Frank Shkreli: Kongresi i Shteteve të Bashkuara denoncon tmerret e socializmit | Gazeta Telegraf.  

Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është Fondacioni i Viktimave të Komunizmit (Victims of Communism Foundation), organizata kryesore që promovon, lobon dhe mbështet – në nivel shtetëror dhe federal – që zyrtarisht të dënohen krimet e komunizmit dhe të kujtohen miliona viktimat e pafajshme të atyre regjimeve, anë e mbanë botës.  Për fat të mirë, komuniteti shqiptaro-amerikan dhe viktimat e komunizmit në Shqipëri kanë një zëdhënse të fortë, shumë të aftë si Këshilltare e Fondacionit, Elida Dakoli, pianiste e njohur botërisht, autore, profesoreshë, aktiviste e të drejtave të njeriut, sipërmarrëse dhe aktiviste kundër krimeve të komunizmit këtu në Shtetet e Bashkuara.  

Shqiptaro-Amerikanja Elida Dakoli, D.M.A.Dr. rrjedhë nga një familje, politikikisht, e përsekutuar nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës.  Ajo është stërmbesa e Avokatit Hysen Myshketa, një nga themeluesit e Parlamentit të parë Shqiptar në vitin 1921 dhe një mbështetës i flaktë i demokracisë shqiptare në kohën kur ai jetoi e veproi. Pas vrasjes së tij nga regjimi komunist, familja e Elida Dakolit u persekutua për bindjet e tyre politike anti-komuniste, pro-demokracisë. Sadik Dakoli, gjyshi i saj nga babai, është vrarë edhe ai në kampet komuniste. Elida ka deklaruar se persekutimet ndaj anëtarëve të familjes së saj kanë vazhduar me dekada dhe ndonëse kanë kaluar 35-vite të ashtuquajturit tranzicion nga regjimi komunist në “demokraci”, ende nuk dihet se ku i kanë varret familjarët e saj, të vrarë nga komunizmi. Për më shumë hollësi mbi historinë e vuajtjeve të familjes Dakoli mund të lexoni në portalin Kujto.al: Elida Dakoli: Një histori përndjekjeje, e shoqëruar në piano – kujto.al | Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri.  Si aktiviste e palodhur anti-komuniste në Shtetet e Bashkuara, Elida Dakoli nuk pushon së kërkuari drejtësi për familjarët e saj të vrarë nga komunizmi enverist. Si anëtare e lidershipit të Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington, Elida Dakoli — Elida Dakoli, D.M.A. | Victims of Communism Memorial Foundation – është në krye të përpjekjeve për të dënuar krimet e komunizmit ndërkombëtar, përfshir viktimat e komunizmit në Shqipëri, dhe për të kujtuar ato viktima, me moton që ato krime të mos përsëriten më. Prandaj Elida Dakoli i është bashkangjitur ndoshta organizatës më të njohur anti-komumiste në Amerikë, Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, në përpjekjet për të informuar politikën dhe publikun e gjërë në Shtetet e Bashkuara për krimet e komunizmit ndërkombëtar, anë e mbanë botës, pjesë e të cilës, natyrisht, janë edhe krimet e regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij politikë në Shqipëri, por jo vetëm.  

Po e ve në dukje rolin e Elida Dakolit dhe përpjekjet e saja për të edukuar publikun dhe politikën amerikane mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe në botë – duke e lidhur punën e saj të palodhur disa vjeçare në këtë fushë, drejtë për drejtë, me vendimin që mori javën e kaluar legjislatura e shtetit Teksas për të detyruar shkollat publike në atë shtet që në programet mësimore të përfshihen krimet e komunizmit ndërkombëtar dhe historinë e komunizmit në, përgjithësi, si dhe të kujtohen viktimat e atyre regjimeve. Në portalin e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit thuhet se në paraqitjet e saja para legjislaturës, me dëshmitë e saja për krimet e komunizmit në Shqipëri, Elida Dakoli ka shkundur Dhomën e Përfaqsësuesve të Teksasit me historinë tepër të dhimbëshme të përvojave tragjike të familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.

Unë jam përpjekur ti sjellë këto shembëlla të dënimit të krimeve të komunizmit dhe miratimit të ligjeve që mandatojnë mësimin në shkolla të krimeve të komunizmit ndërkombëtar nga Kongresi Amerikan dhe nga legjislatura shtetesh të ndryshme këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës Jo për të shitur mend as për të provokuar njeri – por për të informuar me qëllim dhe me shpresë se edhe Shqipëria, por edhe Kosova mund të marrin shembëll dhe të ndërmarrin nisma të tilla legjislative për mësimin në shkollat shqiptare – mbi krimet e komunizmit – që janë ndër krimet më barbare në trojet shqiptare dhe në në botën komuniste, në përgjithsi. Për fat të keq, në rastin e Shqipërisë por edhe të Kosovës – sa u përket krimeve të komunizmit sllavo-aziatik prej gjysëm shekulli në trojet shqiptare, kemi të bëjmë me një klasë politike të pa ndërgjegjëshme dhe të papërgjegjëshme, për të mos thenë të pa moralshme, sa i përket dënimit të krimeve të komunizmit dhe kujtimit të viktimave të atij regjimi sllavo-shqiptar që ka skllavëruar shqiptarët për një gjysëm shekulli! Për 35-vjet tani, kjo klasë politike shqiptare han me dy lugë sa i përket krimeve të komunizmit dhe dënimit të krimeve të atij regjimi, siç ka bërë e gjithë bota perëndimore. Brenda vendit hanë me “lugë të ndryshkura” të komunizmit të Enver Hoxhës duke mohuar ose në minimum duke u treguar indiferent ndaj krimeve të komunizmit, por shpesh edhe nostalgjikë ndaj atij regjimi. Ndërsa me të huajt, siç ishte rasti i takimit të fundit të “European Political Community (EPC)”, Komuniteti Politik Evropian në Tiranë, politika zyrtare shqiptare paraqitej si demokratët më të mëdhej të Evropës dhe Amerikës, duke përdorur “lugë argjendi”, me të huajt – me pretendimin se “Shqipëria është Evropë”.

Po, po,shqiptarët dëshirojnë të jetojnë sin ë Evropë, në një Shqipëri të lirë e demokratike, me zgjedhje të lira, e në një Shqipëri të begatë për të gjithë dhe pa dallim. Shqipëtarët më shumë se liderët e tyre politikë, dëshirojnë të këthehen në Evropë. Por në Evropë nuk shkohet me bagazhin e krimeve të komunizmit dhe me nostalgjinë zyrtare komuniste për Enver Hoxhën, e dukshme në të gjitha nivelet zyrtare të politikës, medias dhe fushave të tjera.  Si në asnjë vend tjetër ish-komunist, falë kësaj klase politike nostalgjike për një sistem barbar të vdekur, shqiptarët që kanë mbetur pa u larguar nga trojet shqiptare vazhdojnë të jetojnë, brenda gënjeshtrës komuniste gjysëm shekullore dhe jo brenda të vërtetës historike! Ndryshe nga Shqipëria dhe Kosova të cilat nuk dënojnë, zyrtarisht, krimet e komunizmit gjatë dhe pas Luftës së II Botërore – këtu në Shtetet e Bashkuara disa shtete – siç është Teksas-i, shteti i dytë më i madh pas Kalifornisë, me më shumë se 30-milionë banorë, po miratojnë ligje për të mësuar brezat për krimet e komunizmit ndërkombëtar – me qëllim që të mos përsëriten më.  Po, Shqipëria, por edhe Kosova, kur do të përballen me të kaluarën barbare komuniste të dy regjimeve si motra që së bashku dhe veças kanë shkaktuar mijëra viktima shqiptare të kundërshtarëve të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare? 

Fatkeqsisht, në rastin e Shqipërisë, kemi të bëjmë me atë që Vaclav Havel e ka quajtur “sistem post-totalitar”, i cili sipas tij nuk duhet të keqkuptohet se me parashtresën ‘post’, nuk do të thotë se ai sistem nuk është totalitar.  Sipas Havelit, një regjim i tillë, “është rob i gënjeshtrave të veta, ai duhet të falsifikojë gjithçka. Post-totalitarizmi, falsifikon të kaluarën. Ai falsifikon të tashmen dhe falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat…”, ka shkruar ndër të tjera Havel në esenë, (i978) “Fuqia e të pafuqishëmve”, në lidhje me sistemet post-totalitare. Një shkrim, që në atë kohë, ka shkundur themelet e komunizmit në Evropën Lindore e Qendrore, por jo në Shqipëri, as atëherë e siç duket as sot, 35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Mos përballja me të të kaluarën kriminale të një sistemi totalitar siç ishte komunizmi i Enver Hoxhës, dhe me viktimat e pafajshme të atij sistemi, le të kuptohet, sipas Vaclav Havelit se një sistem që mund t’a quaj veten post-totalitar nuk do të thotë, domosdoshmërisht, se nuk është totalitar.

 “Kjo është arsyeja pse jeta në atë sistem është kaq e përshkuar me hipokrizi dhe gënjeshtra: qeveria me burokraci, quhet qeveri popullore; klasa punëtore skllavërohet në emër të klasës punëtore; degradimi i plotë i individit paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi i njerëzve nga informacioni thuhet se po ua ve në dispozicion informacionin; përdorimi i fuqisë për të manipuluar, quhet kontrolli publik i pushtetit dhe abuzimi arbitrar i pushtetit quhet respektim i kodit ligjor; shtypja e kulturës, quhet zhvillimi i saj; zgjërimi i ndikimit perandorak paraqitet si mbështetje për të shtypurit; mungesa e shprehjes së lirë konsiderohet si forma më e lartë e lirisë; zgjedhjet qesharake bëhen forma më e lartë e demokracisë”, ka shkruar, ndër të tjera, Vaclav Havel në esenë Fuqia e të Pafuqishëmve (the Power of the Powerless).

Frank Shkreli

A person smiling at the camera

AI-generated content may be incorrect.

Dr Elida Dakoli, Shqiptaro-Amerikanja, anëtare e Këshillit të Fondacionit të Viktimave të Komunizmit në Washington (Victims of Communism Foundation) dhe banuese në shtetin Teksas i ka dhënë goditje të rënda komunizmit shqiptar në dëshmitë e saja gjatë viteve në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Teksas, ndërsa ka kujtuar përvojat tragjike të familjes së saj nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Dëshmi që i kanë paraprirë miratimit, javën që kaloi, të projektligjit në legjislaturat e Teksasit për të detyruar mësimin – në të gjitha shkollat publike të atij shteti — mbi historinë dhe krimet e komunizmit.

Texas state Rep. Richard Pena Raymond, D-Laredo, encourages fellow Democrats to vote for a bill that requires public schools to educate children about the evils of communism. ©Texas House of Representatives

Përfaqsuesi demokrat i shtetit Teksas, Riçard Pena Raymond u bëri thirrje anëtarëve të Partisë së tij të votojnë në favor të projektligjit që u kërkon shkollave publike të edukojnë fëmijtë për krimet e komunizmit dhe të kujtohen viktimat e tij, ashtu që ato kirme të mos përsëriten më. ©Texas House of Representatives© The Center Square

A close-up of a building

AI-generated content may be incorrect.

 UNITED STATES – Texas State Capitol building in Austin, Texas. (Photo By Bill Clark/CQ Roll Call) 

Filed Under: Analiza

Presidentja Osmani në Dejton: NATO është garanci e paqes dhe e së ardhmes sonë

May 27, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj para Asamblesë Parlamentare të NATO-s, theksoi se aleanca euro-atlantike ka qenë dhe mbetet shtylla kurrizore e sigurisë sonë kolektive dhe e shpresës për gjeneratat e ardhshme.

Duke kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999 dhe vendosmërinë në Dejton më 1995, ajo tha se aleanca e ka përmbushur misionin e saj atëherë kur njerëzit përballeshin me orët më të errëta.


“Nga frika për të shkuar në shkollë te rinia që sot studion në universitetet më të mira në botë; nga prindërit e përzënë nga puna te gjyshërit krenarë që shohin një brez të ri të begatë; nga rrugët e rrezikshme për jetë te qytetet e mbushura me muzikë, art dhe jetë kulturore”, theksoi Presidentja Osmani, teksa foli për rezultatin e ndërhyrjes së NATO-s, në Kosovë.

Sipas Presidentes Osmani, paqja nuk është vetëm heshtja e armëve, por vullneti për të jetuar bashkë.

Duke shprehur vendosmërinë e Kosovës për të kontribuar në sigurinë euro-atlantike, Presidentja  Osmani theksoi se Kosova tashmë ka ndarë 2% të GDP-së për mbrojtje, me synimin për ta dyfishuar këtë në vitet e ardhshme.

“Ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë. Tani është radha e NATO-s, t’i hapë dyert”, theksoi Presidentja Osmani.

Filed Under: Rajon

ARBËRESHI IMZOT IGNAZIO CEFFALIA, NUNC APOSTOLIK I VATIKANIT NË BJELLORUSI

May 27, 2025 by s p

Nga Eda Zhiti/

Në Bazilikën “San Pietro” në Vatikan u mbajt Mesha e Shenjtë për shugurimin ipeshkvnor të arbëreshit, Imzot Ignazio Ceffalia nunc apostolik (ambasador) i Vatikanit në Bjellorusi.

Është një mison i lartë për të cilin tani Monsinjor Ignazio Ceffalia ka përvojë dhe arritje në diplomacinë vatikanase, por dhe një gëzimim i arbëreshëve te Italisë, veçanërisht të atyre nga Piana degli Albanesi në Siliçili, nga ai dhe është, i atij trualli të lavdishëm, por dhe i gjithë miqve të tij, që ne i bashkihemi.

E kemi njohur Ignazion, kur im shoq, Visar Zhiti, punonte në ambasadën e Shqipërisë në Vatikan, kemi folur me atë në takimet në Seline e Shenjtë, kemi ndjekur mesha te tij në kishën arbëreshë në Romë “San Atanasio”, ku është dhe Qendra “Besa”, e kemi patur dhe mysafir në shtëpi, etj, dhe e kemi ruajtur komunikimin kur sherbente ne Amerikës e Jugut në Venezuelë.

Na gezoi ftesa pẽr tẽ marẽ pjesě në Meshẽn e Shenjtẽ në Bazilinën e Shën Pjetrit në Vatikan, e celebronte Eminenca e Tij Kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit, që i do shqiptarët, madje ai është që përuroi Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. E ndoqẽm meshẽn me emocion vizualisht dhe e shoqẽruam Imzot Ignazion me lutje zemre në fillimin e ministerit tẽ tij.

Kardinali Parolin tha se: “𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞𝐬𝐚 𝐞 𝐢𝐩𝐞𝐬𝐡𝐤𝐯𝐢𝐭 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐝𝐡𝐮𝐫𝐚𝐭𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈…”.

Kardinali është i bindur se prelati do t’i bëjë ballë detyrës së re me sigurinë e hirit të Zotit, pavarësisht nga sfidat e brendshme “të natyrës politike dhe socio-ekonomike, por edhe fetare të marrëdhënieve me vëllezërit ortodoksë dhe nga tensionet lidhur me luftën tragjike në Ukrainë, së cilës nuk po i duket fundi”

Pamë dhe Monsign. Gallagher, Minister i Jashtem i Vatikanit, me të cilin jemi takuar shpesh, dhe motrat e dashura baziliane, mikun tjetër arbëresh Virgilio Avato, por mbi tẽ gjitha na prekẽn pẽrgjigjet e Monsignor Ignazio kur pranoi plot hir detyren e caktuar.

Edhe Eparkia e Piana degli Albanesi gjithë entuziazëm jepte njoftimin zyrtar: “Është gëzim i madh tẽ ndajmë njoftimin e Selisë së Shenjtë, sipas të cilit Ati i Shenjtë, Papa Françesku emẽroi Nunc Apostolik në Bjellorusi Shkëlqesinë e Tij Fort të Nderuar, Imzot Ignazio Ceffalia, Kryepeshkëv titullar i Fiorentino-s.

Sot, Eparkia e Piana degli Albanesi është në festë për të kremtuar një bir të Kishës sonë Italo-Shqiptare, i cili është ngarkuar me këtë detyrë me përgjegjësi të madhe dhe shërbim për një territor që përqafon Kishat e Lindjes dhe të Perëndimit në një moment historik sfidues si ky i tanishmi.

Imzot Ceffalia, meshtar i Eparkisë së Piana degli Albanesi, ka nisur karrierën diplomatike pranë Selisë së Shenjtë disa vite më parë. Ai ka shërbyer në disa përfaqësi papnore dhe ka përfituar një përvojë të gjerë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kishës.

Me këtë emërim, Ati i Shenjtë i beson Imzot Ceffalias misionin për të përfaqësuar Selinë e Shenjtë pranë Kishës dhe autoriteteve të Bjellorusisë, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin në nivel kishtar dhe diplomatik.

E gjithë bashkësia kishtare e shoqëron Imzot Ceffalian me lutje, që Zoti ta mbështesë në këtë detyrë të re në shërbim të Kishës Universale dhe të së mirës së përbashkët.

Piana degli Albanesi, 25 mars 2025

Solemniteti i Lajmërimit

Dr. Nicoletta Borgia

Zyra e Komunikimit – Eparkia e Piana degli Albanesi”

I kujtova këto, sepse lidhen me arealin arbëror, është “gjaku ynë i shprishur, por jo i prishur” që na bashkon e frymëzon… dhe lutem: “Zoja e Bekuar, Shenjtja Rita e Kashẽs- ishte festa e saj kẽtẽ ditẽ, Shenjtja Nēnẽ Tereza e Martirēt shqiptarẽ e shoqẽrofshin nẽ ministerin e tij Imzot Ignazio Ceffalinë.

Edhe Papa i ri, Shenteria i tij Leoni XIV, vjzitën e parë jashtë Romës e bëri në Genazzano, te ikona shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, Pajtorja e Shkodrës, Pajtorja e Shqiptarëve. Arbëri e lashtë, Arbëri moderne, krenarë me ty.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT