• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

“Samiti Hagës, themelet e NATO së gjeneratës tjetër”!

June 24, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sytë/vëmendja e kancelarive, Institucioneve, Instituteve, medias dhe ekspertëve të sigurisë globale janë drejtuar nga Haga (Hollanda), ku sot dhe nesër do të zhvillohet Samiti i 34-ërt i Aleancës së Atlantikut të Veriut. I angazhuar në “forumin e Senior Ekspertëve të NATO-s”, dëshiroj që të ndaj një përmbledhje strategjike mbi mjedisin e sigurisë si dhe “7 pritshmëritë dhe 7 rekomandimet” për 32 vendet anëtare (përfshi RSh) që do të përcillen nga ky Samit Historik:

Pikësëpari, Samitet nuk janë “rutinë e përvitshme” por veçanërisht Haga do të skalitet si një ngjarje madhore pasi do të adresojë një nga udhëkryqet më kritike të historisë së njerëzimit mbas përfundimit të Luftës së II-të botërore dhe themelimit të Aleancës (4 Prill 1949).

Në historinë 76 vjeçare të NATO-s, nga gjithësej 34 Samite, vetëm 9 prej tyre janë zhvilluar gjatë luftës së ftohtë. Trefishimi Samiteve mbas 1990 dhe dyfishimi hartës së zgjerimit (nga 16 ne 32 vende), flasin më fort se të gjitha fjalimet për dinamikën e kërcënimeve në 25 vitet e fundit por dhe e legjetimojnë NATO-n si: “Aleanca më afatgjatë, më e fuqishme dhe më suksesshme e historisë së njerëzimit”!

Së dyti, ky Samit do të jetë historik pasi: “mbahet 2 ditë mbas goditjes historike së ShBA ndaj bazave bërthamore të regjimit të Teheranit; 3 vjet e gjysëm mbas agresionit neo-Nazist të Rusisë-Putiniste kundër sovranitetit të Ukrainës si dhe në kulmin e përshkallëzimit të konfliktit në lindjen e mesme, të cilat kërcënojne më shumë se kurrë më parë paqen, rendin e sigurisë globale, vlerat e demokracisë dhe statuskuonë gjeopolitike të vendosur mbas luftës së ftohtë”.

Në këtë mjedis të sigurisë, prioriteti Nr.1 i axhendës së Hagës, do të jetë modernizimi i fuqisë së pakonkurueshme ushtarake, përfshi armët bërthamore/deterrence: “për shkurajimin dhe shpagimin/hakmarrjen ndaj armiqve që guxojnë të kërcënojnë apo sulmojnë Aleancën”. Ndaj mbas këtij Samiti, Forcat e Gatishmërisë së Lartë të NATO-s planizohen të arrijnë në mbi gjysëm milion (si asnjëherë në 76-vjet), si dhe do të tre-fishohen kapacitetet e luftimit të Forcace Ajrore dhe Detare!

Përsa kërcënimet fatale të “udhëheqësve Supremë”, Putinit, Khamenei, Kim Jong, etj se:“do ti bëjnë gjëmën qytetërimit duke përdorur Armët Bërthamore”, përgjigja nga Samiti i Hages pritet të jetë e ftohtë por e fortë: “nëse vetëm do të guxojnë, veçmas ose në aleancë, jo vetëm do ndëshkohen në mënyrë shëmbullore nga fuqia ushtarake e USA/NATO/UK/BE por do të damkosen si shtete terroriste dhe krime kundêr njerëzimit”!

Së treti, mbas 1260 ditë/netë luftimesh të përgjakshme në fushëbetejën “jo vetëm për Ukrainën”, por edhe ndaj kredibilitetit, fuqisë ushtarake dhe interesave gjeopolitike të Aleancës, ky Samit, do të skalitet si ndër ngjarjet më madhore, pasi krerët e 32 shteteve anëtare, mblidhen për të demonstruar: “vullnetin politik, kohezionin e palëkundur si dhe vendosmërinë për ta mbështetur Ukrainën dhe Izraelin deri në fitoren e luftës kundër të keqes së përbashket, si dhe ndaj njerëzimit”.

Konkretisht, në Hagë, NATO do të konfirmojë mbështetjen e pa-kompromis për Ukrainën: “mbi 500 miliardë € armatime të gjeneratës së fundit (300 Miliard € nga USA dhe 200 Miliard € nga vendet e tjera, BE, etj”, pasi për Aleancën Euro-atlantike: “nuk ka opsion tjetër përveçse fitores me çdo çmim të luftës ndaj tiranëve të Kremlinit, Teheranit, dhe çdo diktatori tjetër të dalldisur nga fuqia e mbi-pushtetit”.

Së katërti, do të ri-Konfirmohet “domosdoshmëria kritike për të modernizuar industrinë, armatimet, sistemet dhe infrastrukturat ushtarake duke rritur deri 5 % buxhetin e mbrojtjes”, në mënyrë që NATO të mbetet e pathyeshme (dhe vdekjeprurëse) për të garantuar mbrojtjen kolektive (artikulli-5): “ndaj çdo kërcënimi, nga çdo drejtim dhe ndaj cilido armik potencial”.

Kështu, në Hagë do të miratohen projekte me peshë për modernizimin e armatimeve, infrastrukturave, sistemeve, mbrojtjen kibernetike, dronëve, inteligjencën artificiale, integrimin e kompanive private si dhe kohezionin e shoqërisë ndaj kërcënimeve të sigurisë në hapësirën euroatlantike.

Së pesti, mbas zgjerimit me Suedinë dhe Finlanden si kundërpërgjigje e luftës neo-Naziste të Rusisë, në Samit do të ri-konfirmohet “politika e dyerve të hapura” edhe për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, si dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet me “status të privilegjuar” me Australinë, Japoninë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut, Izraelin, etj. Përsa posaçërisht Ukrainën, Sekretari Përgjithshem, Mark Rutte, ka përsëritur se: “mbas fitores së luftës, Ukraina do të jetë vendi 33 i Aleancës”, ndërsa pikërisht mbas këtij Samit do të ri-funksionoje “Komiteti NATO – Ukrainë”, ose e thenë më qartë, një hap më afër anëtarësimit.

Së gjashti, 42 muaj luftime të përgjakshme dhe sulmi befasishëm me dronë vërtetuan se Kremlini e ka humbur me turp krenarinë për “paprekshmërinë territoriale si dhe inisiativën strategjike të luftës. Fakt është se përtej dezinformimit, në 3 vjet e 6 muaj luftë, vetëm 19 % e territorit të Ukrainës mban ende nën kontroll”. Po ashtu ka (keq) humbur edhe shpresat për të minuar kohezionin mes ShBA, NATO-s dhe BE-së. Për më tepër, 32 vendet e NATO dhe BE e mirënjohin “rolin jetik të SHBA-ve”, pasi përveç të tjerave, me rreth 1 trilion USD (buxheti-2024) ose 2 herë më shumë se 31 vendet e tjera së bashku, USA mban barrën kryesore të shpenzimeve, fuqisë dhe angazhimeve ushtarake te NATO-s.

Si shembull i këtij parneriteti, përmendim se krerët e 27 vendeve të BE, 7 muaj më parë miratuan një Plan Veprimi (2025-2030) dhe paketë ambicioze kapacitetesh me 500 miliardë € (20 fishin sa aktualisht), me qëllim: “ngritjen e një ushtrie të aftë për tu vetë-përballur me kërcënimet jo vetëm nga Rusia”.

Së shtati, Në këtë Samit po adresohet fakti, se paqja, siguria, vlerat demokratike mbeten të kërcënuara jo vetëm nga lufta neo-naziste në Ukrainë por edhe për shkak të demokracisë fasadë, politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar si dhe rikthimi i frikshëm i garës së armatime në Ballkanin Perëndimor, etj !

Ndërkohë Rusia – Putiniste, e ka humbur edhe betejën për të ndezur një front lufte me ekstremistët e tipit Dodik, duke kërcënuar deri “me agresion ushtarak” jo vetëm sovranitetin territorial të Kosovës, por edhe prezencën e KFOR-t si dhe statuskuone dhe interest gjeopolitike të Aleancës Euroalantike në Ballkan. Prandaj në Samit, priten mesazhe të qarta mbi domosdoshmërinë kritike për zhvillimin e frymës dhe projekteve yë bashkëjetesës paqësore, Masave të Mirëbesimit Reciprok si dhe të dialogut pa kushte për paqen dhe axhendën e integrimit Euroatlantik edhe të 6 vëndeve të Ballkanit Perëndimor.

Në shtesë, Në kapacitetin e “Ekpertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin si dhe kontributeve përfaqësuese në udhëtimin 30 vjeçar të RSh drejt/pas anëtarësimit në NATO” (1994-2025), po parashtroj reciprokisht edhe 7 rekomandime strategjike për angazhimet e RSh në/përtej këtij Samiti Historik:

1. Parneritet strategjik, kohezion dhe konsensus të pakushtëzuar (krah të ShBA-ve) për të gjitha vendimmarrjet dhe angazhimet e NATO-s në interes të mbrojtjes kolektive (artikulli 5); mbështetjen “më shumë se modeste” ndaj Ukrainës si dhe rol/vend lider në projektet e bashkëjetesës paqesore, stabilitetit demokratik, interesave gjeopolitike dhe axhendës Euroatlantike në Ballkan.

2. Transformimin e Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare (SS&MbK), në përputhje me Konceptin e Mbrojtjes Kolektive, duke përditësuar, transformuar dhe modernizuar: “aftësitë operacionale si dhe kulturën e bashkëpunimit mes Institucioneve përgjegjëse për: “mbrojtjen e integritetit territorial të RSh (neni 5); zhvillimin e interesat gjeopolitike të RSh/RK, promovimin e vlerave euro-atlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve për të merituar me dinjitet karrigen në tavolinën e NATO-s”.

3. Rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga 2, në 3 % deri 5 % në 2030, çka nuk është kurrsësi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump apo qokë për Brukselin” por si një domosdoshmëri për të modernizuar kapacitetet e Forcave të Armatosura si dhe fuqinë ushtarake te RSh në përmbushje të misionit kushtetues.

Angazhimin se do të përmbush përgjegjësitë e vendit pritës (Host Nation), në modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, mbrojtjen kibernetike, industrinë ushtarake në interes/bashkepunim me ShBA/NATO, etj detyrime që burojnë nga SOFA, protokolli i Parisit, etj. marrëveshje që RSh i ka nënshkruar para vitit 2013.

4. Mbështetjen pa kompromis si dhe promovimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës për anëtarësim në NATO, duke konfirmuar në Hagë se kjo “qasje mëncur” e zgjeron garancitë e paqes së qëndrueshme në Rajon. Po ashtu, të konfirmohet ambicja për një roli/vend leader në zhvillimin e projekteve të përbashkëta me Kosovën si dhe vendet e Ballkanit (përfshi Serbinë) ndaj kërcënimeve asimetrike: “terrorizmi, mbrojtjen kibernetike, krimi i organizuar, emergjencat civile, etj”.

5. Ndërsa aktorët politik si dhe faktorët shtetërorë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare do i këshilloja që: “humbja e luftës, kolapsi ekonomik si dhe diskreditimi ndërkombëtar që e pret Rusinë – Putiniste si dhe shtetet dhe organizatat terroriste mbas luftës, mbartin rrethana të favorshme (jo dhuratë) gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh/RK në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (ShBA/NATO/BE), për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat kombëtare në Rajon, Mesdhe, etj”.

6. Reformat për modernizimin SS&MbK kanë domosdoshmëri për gjithëpërfshirje, konsensus të gjerë, harmonizimin demokratik të pushteteve si dhe kohezionin e shqiptarëve ndaj interesave kombëtare. Prandaj i bëj thirrje arsyes fisnike të faktorëve mendjehapur të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare, që: “asnjë groshë nuk vlejnë as dalldisja staliniste nga 16 vjet pushtet, as dëshpërimi i demokrate/ëve nga humbja e 4-ert radhas, as këmbënguljes bolshevike per (mos) zgjedhjen e Krye- Kuvendarit mbas 30 raundesh”, por: “vetëm dashuria ndaj vendit; përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare; besimi dhe bekimi ndaj partneritetit strategjik ShSBA, NATO dhe agjendën e integrimit në BE”!

7. Fatëkeqësisht edhe zgjedhjet e 11 Majit me 95 rrogëtar të emëruar nga Kryetarët e Madhërishëm, demostruan demokracinë fasadë dhe shtetin e dështuar. Pra, në kushtet që “Parlamenti është përdhosur dhe Presidenti nuk ka as fuqi, as kapacitet, as emër dhe as integritet për të balancuar fuqinë e mbi-pushteteve”, e çmoj emergjente dhe e këshilloj publikisht kryeministrin fuqiplotë që përtej delireve nga fuqia e (mbi) pushtetit, qillotat e Kuçit dhe atletet në Samite: “të ndërmarrë një proçes gjithëpërfshirës transformimi dhe modernizimi të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare”, si dhe: “të ngejë një grup-ndërqeveritar për të mirë-organizmuar gjarjen më të rëndësishme gjeopolitike në 115 vjet histori kombëtare (Samiti 36 i NATO-s), që do të zhvillohet në Tiranë në 2027, ku krahas 32 kryetarëve të shteteve (pa lejen e Bardhit të Zengjinesë dhe për inat të Mule/ëve) do të marrë pjesë edhe Presidenti i ShBA, Donald Trump”!

Për ta përmbyllur, besoj edhe me fortë që ky Samit, është i “destinuar për të bërë histori”, pasi do të mirë-adresojë një nga udhëkryqet më kritike për sigurinë, paqen, rendin global dhe vlerat demokratike jo vetëm në hapësirën Euroatlantike. Nga ana tjetër mbetem shprësëplotë se në Hagë do të themelohet NATO e gjeneratës tjetër, pra: “Aleanca më e fuqishme e njerëzimit edhe për 75 vitet që vijnë”!

Autori: * Gjeneral ® Piro Ahmetaj,

Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare,

Rajonin dhe çështjet e USA/NATO.

Filed Under: Komente

Në fund të një viti me zemër shqiptare

June 24, 2025 by s p

Valdete Cenalia Dida/

Shkolla Shqipe që ngriti Zërin e Kombit në Diasporë te

Qendra Shqiptaro – Amerikane, Riverdale, Nju Xhersi.

Në një cep të vogël të diasporës shqiptare, larg trojeve amë, por afër me shpirt e përkushtim, u përmbyll një tjetër vit shkollor në Shkollën Shqipe, Riverdale, Nju Xhersi – një vit që nuk është thjesht numër i ditëve, por kujtim i gjallë i një përpjekjeje të përbashkët për të mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe shpirtin e një kombi që nuk harron kurrë rrënjët. Në krye të kësaj përpjekjeje qëndron z. Sinan Alimi, Kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptare, një figurë që me përkushtim, vizion dhe zemër të madhe ka qenë mbështetës i palëkundur i çdo hapësire ku shqipja mësohet, flitet dhe nderohet.

Nën drejtimin e tij, fjala “bashkim” ka marrë kuptim të vërtetë. Përkrah tij qëndron drejtoresha Gonxhe Meta, një zë i butë, por i fuqishëm, që udhëheq me pasion dhe përkujdesje. Falë saj, Shkolla Shqipe është më shumë se një institucion mësimor – është një vatër e shpirtit shqiptar. Këtë vit, mësimi nuk ka qenë vetëm mësim i gjuhës, por një udhëtim përmes historisë dhe krenarisë kombëtare. Nxënësit e shkollës sime, nën përkujdesjen e një grupi të mrekullueshëm mësuesesh, kanë zhvilluar dy projekte të jashtëzakonshme që sollën përpara syve figurat më të ndritura të kombit: Nënë Tereza, shenjtorja e njerëzimit, u kthye në frymëzim për fëmijët tanë përmes prezantimeve, eseve dhe përshkrimeve që shpalosën jo vetëm jetën, por edhe zemrën e saj të madhe. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, simboli i lirisë dhe krenarisë kombëtare, u ringjall përmes recitimeve, punimeve artistike dhe rrëfimeve plot emocion nga nxënësit që tashmë jo vetëm e njohin, por edhe e ndiejnë figurën e tij në shpirt.

Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa punën e palodhur të mësueseve të jashtëzakonshme që kanë qenë udhërrëfyeset e fjalës shqipe për çdo fëmijë, duke ushqyer tek ata jo vetëm njohuri por edhe krenari: Nesrin Qerimi, gjithmonë e qetë dhe e përkushtuar, që me përkujdesjen e saj ka qenë shtyllë mbështetëse për secilin nxënës. Ajo është dëshmia që dashuria për mësimdhënien nuk njeh lodhje.

Eglantina Mataj, që me energjinë dhe kreativitetin e saj i ka dhënë jetë çdo ore mësimi. Çdo fjalë shqipe që mësohet në klasën e saj është fryt i punës dhe pasionit të saj.

Rabella Mlloja, e cila ka përcjellë me dashuri rrënjët e kulturës përmes punës me zemër. Ajo nuk jep thjesht mësim por ndez dashurinë për gjuhën tek çdo nxënës.

Alma Gjidia solli një frymë të re dhe pasion të freskët për mësimdhënien, e cila nuk ua mëson gjuhën fëmijëve, me laps e fletore, por me zemër.

Fatbardha Kapo, e cila me përpikmëri dhe butësi ka ndriçuar mendjet e fëmijëve. Mënyra se si i përgatit fëmijët për mësimin e fjalëve të arta të gjuhës shqipe është e rrallë dhe çmuar.

Labinota Zhaku, është një dritë e butë që ndriçon hapat e parë në udhën e gjuhës shqipe, një mësuese që nuk mëson shkronjat, por mbjell shumë dashuri në zemrat e vogla të fëmijeve parashkollorë.

Në këtë frymë përkushtimi, na kujtohet fjala e Gustav Meyer, albanolog i njohur, i cili thoshte:

“Gjuha shqipe është njëra ndër gjuhët më të vjetra indoevropiane dhe një thesar i rrallë për Evropën”.

E ne, këtë thesar të rrallë në këtë histori të përbashkët, ku çdo fëmijë i klasave tona, ka shkruar një faqe të re – me fjalë të thjeshta, por me ndjenja të mëdha, ku tregon se gjuha shqipe është historia e popullit tonë, ku pas çdo fjale shqipe fshihet një perlë, një kujtim, një copë atdhe.

Mbyllja e këtij viti nuk është një fund – është një fillim i ri, një premtim që shqipja do të jetojë sa herë që një fëmijë thotë “mirëdita”, sa herë që reciton një poezi të Naimit apo përmend me krenari emrin e Skënderbeut.

Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e kësaj rruge. Le ta mbajmë gjallë gjuhën dhe zemrën shqiptare, sepse aty ku flitet shqip, rreh një copëz atdheu ku siç thotë populli: Të ruash gjuhën shqipe, do të thotë të ruash shpirtin e një kombi. “Ruani gjuhën se ajo asht nanë, asht atdhe” – At Zef Pllumi.

Filed Under: Komunitet

Supermacioni i organizmave ndërkombëtarë ndaj sovranitetit relativ të Republikës së Kosovës

June 24, 2025 by s p

Analizë juridiko-politike dhe ndërkombëtare

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

1.Kuptimi i sovranitetit në arenën ndërkombëtare

Koncepti klasik i sovranitetit, i ndërtuar mbi parimin e autoritetit të pakushtëzuar brenda një territori të caktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht, është vënë në sprovë të vazhdueshme në epokën moderne të globalizimit, integrimeve ndërkombëtare dhe ndërhyrjeve të legjitimuara në emër të të drejtave të njeriut, sigurisë globale apo stabilitetit rajonal. Rasti i Republikës së Kosovës është ndër më tipikët që dëshmon për zhvillimin e një modeli të ri të sovranitetit – atë të sovranitetit relativ ose të kushtëzuar, ku autoriteti shtetëror bashkëjetohet dhe shpesh sfidohet nga prania, ndikimi dhe kontrolli i organizmave ndërkombëtarë.

2. Zanafilla e sovranitetit të kushtëzuar: Rezoluta 1244 dhe UNMIK-u

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999), e cila sanksionoi ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe vendosjen e administrimit ndërkombëtar mbi Kosovë përmes UNMIK-ut, është pikënisja formale e kufizimit të sovranitetit të Kosovës. Sipas kësaj rezolute:

-Sovraniteti i ish-Federatës së Jugosllavisë mbahej teknikisht në fuqi, por i suspenduar në praktikë;

-Kompetencat ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore i kaluan përkohësisht misionit të OKB-së, duke e përjashtuar autoritetin lokal nga pushteti efektiv.

UNMIK-u, në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, vepronte me autoritet pothuaj të pakufizuar, duke hartuar ligje, emëruar gjykatës, krijuar struktura të përkohshme vetëqeverisëse dhe duke negociuar në emër të Kosovës në forumet ndërkombëtare. Ky ishte një protektorat në kuptimin e plotë juridik dhe funksional.

3. Shpallja e pavarësisë dhe ndërmarrja e sovranitetit nominal (2008)

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, siç konfirmoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin këshillimor të 22 korrikut 2010. Akti i shpalljes së pavarësisë u zhvillua në një ambient ku:

-UNMIK-u nuk ishte larguar zyrtarisht, por kishte filluar të zbriste gradualisht nga përgjegjësitë ekzekutive;

-U vendos misioni EULEX, me mandat të BE-së, për të mbikëqyrur dhe ekzekutuar kompetenca në drejtësi dhe polici;

-U ruajt Prania Ndërkombëtare Civile (ICO) me përfaqësuesin civil ndërkombëtar, i cili kishte të drejtën e vetos ndaj çdo akti të institucioneve të Kosovës.

Prandaj, edhe pas shpalljes së pavarësisë, autoriteti shtetëror i Kosovës ishte i cunguar – një pavarësi e mbikëqyrur me rregulla dhe ndërmjetësime ndërkombëtare.

4. EULEX dhe ndërhyrja në sovranitetin gjyqësor

EULEX-i, si një mision i Bashkimit Evropian, me një kombinim të mandatit ekzekutiv dhe monitorues, përbën një nga institucionet më të rëndësishme në realizimin e supermacisë së faktorit ndërkombëtar ndaj sovranitetit të Kosovës.

-EULEX kishte të drejtën të ngriste aktakuza, të gjykonte raste të ndjeshme, dhe të ndërhynte në hetime të nivelit të lartë.

-Ai funksiononte paralelisht me sistemin gjyqësor të Kosovës, duke krijuar dy juridiksione të ndara: një vendor dhe një ndërkombëtar.

-Në raste të shumta, përfshirë hetimet për korrupsion të nivelit të lartë, krime lufte dhe çështje sensitive politike, vendimmarrja ishte e huaj dhe shpesh pa mundësi reale apelimi në sistemin vendor.

EULEX jo vetëm që ndihmoi në zhvillimin e kapaciteteve vendore, por edhe i ushtroi këto kapacitete vetë, duke u bërë faktor që e pengoi autonominë e plotë të institucioneve.

5. Gjykata Speciale: Legjitimim i kufizimit përmes drejtësisë ndërkombëtare

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për Kosovën, janë produkt i presionit ndërkombëtar mbi Kuvendin e Kosovës që të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për themelimin e kësaj gjykate. Ajo:

-Operon jashtë territorit të Kosovës, në Hagë;

-Zbatohet në bazë të ligjeve të Kosovës, por me juridiksion ndërkombëtar;

-Ka staf të huaj dhe nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes apo kontrollit të institucioneve vendore;

-Gjyqon vetëm pjesëtarë të UÇK-së, duke e bërë karakterin e saj njëetnik dhe të diskutueshëm në aspektin e barazisë para drejtësisë ndërkombëtare.

Kjo gjykatë është shembulli më ekstrem i transferimit të sovranitetit gjyqësor nga një shtet nominalisht i pavarur tek një trupë ndërkombëtare e krijuar për interesa politike dhe stabilitet ndërkombëtar.

6. Marrëveshjet e Brukselit dhe ndërmjetësimi me autoritet të imponuar

Dialogu Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011, ka prodhuar një numër marrëveshjesh politike e teknike, të cilat shpesh:

-Nuk janë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, por konsiderohen si detyrime të brendshme;

-Janë interpretuar nga BE-ja si obligime të parevokueshme, edhe kur bien në kundërshtim me vendime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës;

-Përdoren si instrument presioni për përfitime politike nga Serbia në procesin e integrimit evropian.

Më e diskutueshmja është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila, sipas versioneve të kërkuara nga BE dhe SHBA, përbën një rrezik për integritetin institucional të Kosovës dhe një lloj autonomie territoriale që bie ndesh me parimin e unitaritetit të shtetit.

7. Njohja ndërkombëtare e kufizuar dhe ndikimi në subjektivitetin juridik

Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së dhe nuk njihet nga një numër shtetesh kyçe, përfshirë 5 vende të BE-së dhe dy anëtarë të përhershëm të KS të OKB-së (Rusia dhe Kina). Kjo gjendje:

-E pengon Kosovën të veprojë si subjekt juridik ndërkombëtar me kapacitet të plotë;

-E bën të varur nga ndërmjetësimi dhe përfaqësimi indirekt nga partnerët perëndimorë në organizata ndërkombëtare;

-Forcon rolin e institucioneve si UNMIK, EULEX, ICO apo të vetë shteteve të fuqishme si SHBA në orientimin dhe mbikëqyrjen e politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës.

8. Teoria e sovranitetit relativ në kontekstin e Republikës së Kosovës

Në shkencat juridike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, koncepti i sovranitetit relativ ose të kushtëzuar lidhet me:

-Shtete që nuk gëzojnë monopolin absolut të vendimmarrjes;

-Shtete që ndajnë kompetencat me organizma ndërkombëtarë, veçanërisht në sektorët kritikë si drejtësia, siguria dhe politika e jashtme;

-Shtete që veprojnë nën prani ndërkombëtare të zgjatur, shpesh pa afat përfundimtar.

Kosova është ilustrimi më i plotë i këtij modeli, ku faktori ndërkombëtar vepron jo vetëm si partner, por shpesh si regjisor i procesit të shtet-ndërtimit.

9. Rreziqet e supermacisë ndërkombëtare dhe perspektiva për sovranitetin e plotë

Ndërhyrjet ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe stabilitetit kanë sjellë edhe pasoja të dëmshme për zhvillimin institucional dhe demokratik të Kosovës:

-Legjitimiteti i brendshëm është dobësuar kur vendimet kryesore nuk burojnë nga vullneti i zgjedhur i popullit;

-Krijohet një elita e varur politike, që vepron më shumë për të kënaqur partnerët ndërkombëtarë sesa për të ndërtuar institucione sovrane e funksionale;

-Dobësohet ndjenja e vetëqeverisjes demokratike, duke shkaktuar apati qytetare dhe mosbesim në sistem.

10.Sfida për barazi sovrane në sistemin ndërkombëtar

Rasti i Kosovës duhet të kuptohet si një ndërthurje komplekse ndërmjet ndërhyrjes ndërkombëtare legjitime dhe kufizimit të autonomisë vendore. Sovraniteti relativ i Kosovës është pasojë e një ndërhyrjeje të jashtëzakonshme, por edhe reflektim i një rendi ndërkombëtar ku fuqia politike, interesa strategjike dhe stabiliteti rajonal shpesh e tejkalojnë të drejtën formale.

Për Kosovën, sfida qëndron në tranzicionin nga një sovranitet i mbikëqyrur në një sovranitet të vetëqeverisur, ku roli i organizmave ndërkombëtarë të shndërrohet nga autoritar në partneritet të vërtetë. Kjo kërkon rritje të kapaciteteve vendore, rritje të legjitimitetit demokratik dhe forcim të pozitës ndërkombëtare përmes njohjes dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Vetëm atëherë, Kosova do të mund të realizojë sovranitetin substancial dhe të barabartë, si çdo shtet tjetër në sistemin ndërkombëtar.

Filed Under: Ekonomi

Në Zemrën e Arbërisë – udhëtim përtej kohës dhe kujtesës drejt Shën Mitër Korones

June 24, 2025 by s p

(Mbresa udhëtimi në margjinat e konferencës IX-të mbarëkombëtare të Arkivistikës)

Nga Prof.dr Skender ASANI/

Në mes të qershorit 2023, u nisëm në një udhëtim të veçantë drejt Shën Mitër Korones në Kalabri, Itali, për të marrë pjesë në konferencën e IX-të mbarëkombëtare të Arkivistikës. Ky event nuk ishte vetëm një takim shkencor, por një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për bashkimin dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare në të gjitha trevat. Përmes bashkëpunimit midis institucioneve arkivore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe komuniteteve arbëreshe, ky udhëtim u shndërrua në një përvojë të thellë shpirtërore dhe intelektuale, duke lidhur të kaluarën me të ardhmen e kujtesës kombëtare.

Në mëngjesin e freskët të 13 qershorit, nisëm udhëtimin tonë nga Shkupi për në Tiranë. Pas mbërritjes në kryeqytetin shqiptar, pasdite u takuam në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit, ku na u bashkuan studiuesit nga Arkivi i Kosovës. Atmosfera ishte plot entuziazëm dhe pritshmëri për rrugëtimin që do ta bënim. Së bashku u nisëm drejt qytetit të Durrësit, ku mbërritëm në mbrëmje të vonë dhe ankoruam në tragetin që do të na çonte në Bari, Itali.

Mëngjesin e 14 qershorit, mbërritëm në portin e Barit, duke filluar me shpresë dhe kureshtje drejt destinacionit tonë të vërtetë: Shën Mitër Korone, një qytet që ruan me fanatizëm trashëgiminë arbëreshe dhe kujtesën e thellë kombëtare.

Në rrugën për në Shën Mitër, ndaluam për një vizitë të paharrueshme në qytetin e lashtë italian, Matera. Ishte një udhëtim mes gurëve që rrëfejnë historinë dhe heshtjen mijëravjeçare të një qytetërimi të gdhendur në shkëmb. Rrugicat e ngushta, të ndriçuara nga perëndimi i diellit, të ftonin të ecnim ngadalë dhe të ndjejmë qetësinë e lashtësisë që mbizotëronte çdo cep. Në një qoshe të qetë, shijuam një picë tradicionale italiane me bazë të hollë, plot aromën e erëzave freskëta, një shije që ruante me fanatizëm traditën e vendit. Ndërsa dielli perëndonte ngadalë pas terracave prej guri, ne duhanxhinjtë e grupit ndezëm nga një cigare, një akt ky meditative, ku tymi ngjitej në ajrin e ngrohtë dhe të qetë, duke u përzier me frymën e përjetshme të Materas, një qytet ku koha duket se ka vendosur të pushojë.

Në mbrëmjen e të njëjtës ditë arritëm në Shën Mitër Korone, dhe në ditën pasuese, më 15 qershor u zhvilluan punimet e Konferencës mbarëkombëtare të arkivave. Kjo ngjarje shkencore ishte më shumë se kaq – ishte një përqafim i gjallë me kujtesën kombëtare, në vendin ku historia shqiptare ka lënë gjurmët më të thella të saj. Në godinën simbolike ku lindi Rilindja Kombëtare, dhe ku vepruan dhe mësuan figura si Jeronim De Rada, Luigj Gurakuqi dhe Avni Rrustemi, pata nderin të mbaj një fjalim rasti. Në mes tjerash theksova se ndodheshim në një vend që nuk ruan vetëm kujtime, por mishëron vetë shpirtin e kombit. Në këtë kuadër, i dhurova një pullë postare me figurën e Luigj Gurakuqit kryetarit të komunës, z. Mateo, si një shenjë simbolike e lidhjes sonë të përbashkët me trashëgiminë.

Në fjalën time gjithashtu përmenda kontributin e mikut dhe kolegut tim nga Tirana, Ardit Bidos, për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve tona shkencore shqiptare, duke shpresuar që ky mision të vazhdojë edhe në angazhimin e tij të ri politik si deputet. Një vend të veçantë ia kushtova profesor Francesco Altimarit, jo vetëm studiues i çmuar, por edhe ura shpirtërore e arbëreshëve, lidhja që i mban ata të bashkuar me Arbërinë përtej kohëve.

Shën Mitri nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një tempull i kujtesës dhe nostalgjisë shqiptare, që na fton të jemi bartës të këtij identiteti të përjetshëm.

Në kuadër të konferencës pata mundësinë të prezantoj një temë përkujtimore për 100-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit. Në Liceun e Shën Mitrit, ku Gurakuqi ishte nxënësi i fundit i rilindasit Jeronim De Rada, fjalimi im ishte një përkulje para kujtesës dhe hulumtimeve në Arkivin Qendror të Kroacisë. Për herë të parë solla dokumente të paeksponuara më parë, që hedhin dritë mbi motivet politike të mbretit Zog në lidhje me atentatin ndaj Gurakuqit, duke sfiduar narrativën e heshtur të historisë. Gjithashtu, rikujtova pllakat përkujtimore dhe publikimin e një pulle postare nga Postat e Maqedonisë në nder të figurës së Luigj Gurakuqit, një akt i vogël por me domethënie të madhe për ruajtjen e kujtesës kolektive në diasporë.

Takimet me personalitete të shquara si kryetari i Komunës, z. Ernesto Madeo, dhe profesor Francesco Altimari, albanolog i njohur, sollën reflektime të thella mbi rëndësinë e shkencës në lidhjen e së kaluarës me të ardhmen. Prania e z. Mehmed Xhemajli, drejtor ekzekutiv i Arkivit të Kosovës, pasuroi diskutimet me eksperiencën e tij në fushën e arkivistikës modern, me theks të veçant në domosdoshmërinë e bashkëpunimit mbarëkombëtar.

Pas përfundimit të konferencës, vizituam Machia e Jeronim de Radës, shtëpinë muze të tij, ku çdo cep tregonte përkushtimin ndaj gjuhës, kombit dhe identitetit arbëresh. Një tjetër ditë e mbushur me përjetime të thella ishte ajo e 16 qershorit, kur vizituam qytetin e Rossanos dhe Muzeun e Kodikëve, aty ku ruhej Kodiku Purpur i Rossanos – një nga dorëshkrimet më të rralla të qytetërimit. Ishte një takim me ndërgjegjen historike të njerëzimit, i cili ngjason thellësisht me Kodikun e Beratit, një tjetër pasuri kombëtare shqiptare dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Mikpritja e ngrohtë dhe fjalët e Imzot Mons. Maurizio Aloise i dhanë kësaj vizite një dimension shpirtëror të veçantë.

Pas vizitës në Rossano, ndaluam në Kishën e Achiropitës, një vend shenjtërie me afreske të rralla dhe një ndjenjë paqeje të thellë, ku reflektimi dhe besimi bashkohen në një përvojë unike shpirtërore.

Më pas, udhëtimi na çoi në qytetin e Kozencës dhe Universitetin e njohur me të njëjtin emër, ku katedra albanologjike dhe biblioteka e saj përfaqësonin një arkiv të gjallë të ndërgjegjes kombëtare. Aty pata nderin t’i dhuroj profesor Altimarit një pullë postare për 100-vjetorin e rënies së Luigj Gurakuqit. Në shenjë mirënjohjeje, profesori më dhuroi kompletin e veprave të Jeronim De Radës dhe librat e albanologut Francesco Solano – një trashëgimi që do të shoqërojë rrugëtimin tonë profesional.

Mbrëmja e 16 qershorit na gjeti në Shën Sofia e Epirit, ku emrat e rrugëve dhe busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dëshmonin për lidhjen e pashkëputshme midis shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Më 17 qershor, rrugës për në Bari, ndaluam në Alberobello, qyteti i famshëm me shtëpitë “trulli” – një peizazh unik mes gurit të bardhë dhe historisë popullore italiane. Në heshtjen e atij çasti, shijuam një kafe italiane, duke ndjerë ritmin dhe qetësinë e jugut.

Në mbrëmje u rikthyem në Bari, ku manifestimet e arkivistikës u përmbyllën në Arkivin e Barit me ekspozitën kushtuar 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit. Dhurimi i pulës postare drejtorit të Arkivit të Barit, z. Adriano Buzzaka, u prit me emocion të thellë. Prezantimi i dokumenteve origjinale për atentatin ndaj Gurakuqit, si procesverbalet dhe raportet, ngjalli diskutime dhe reflektime të thella.

Ky rrugëtim mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, i gërshetuar me mikpritjen e komunitetit arbëresh dhe institucioneve italiane, tregoi se historia jonë e përbashkët është një urë që forcohet çdo ditë me veprime dhe kujdes institucional.

Në çdo qoshe të qyteteve dhe fshatrave, pritja ishte e shoqëruar me këngë dhe valle tradicionale arbëreshe, që nuk ishin thjesht shfaqje folklorike, por një shprehje autentike e shpirtit dhe identitetit arbëresh. Kënga dhe vallja u bënë ura komunikimi midis brezave, duke krijuar një atmosferë feste dhe bashkimi ku kultura dhe historia jonë gjenin jehonë të gjallë. Ky gjest mikpritjeje e bëri udhëtimin tonë edhe më të paharrueshëm, duke na kujtuar se trashëgimia jonë nuk është vetëm e ruajtur në dokumente dhe arkiva, por edhe në zemrat dhe gëzimet e komunitetit që e përjeton atë çdo ditë.

Për rrjedhojë, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë së shqiptarëve në diasporë, sidomos në komunitetet e vogla dhe të rrezikuara nga asimilimi, duhet të jetë një alarm i përhershëm për institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës. Kujdesi për pjesët anësore të kombit dhe për mërgatën shqiptare nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ apo simbolik – ai duhet të përkthehet në veprime konkrete dhe të koordinuara ndërinstitucionale. Globalizmi, rrjetëzimi kulturor dhe format e tjera të ndikimit të jashtëm po krijojnë rrethana të reja që rrezikojnë zbehjen e identitetit shqiptar në këto mjedise të brishta. Në këtë drejtim, modeli që duhet të praktikojnë institucionet shtetërore shqiptare është pikërisht modeli i suksesshëm institucional i bashkëpunimit ndërmjet Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivit të Kosovës në Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, të cilët prej më shumë se një dekade kanë ndjekur një rrugëtim të përbashkët profesional e kombëtar në çdo cep të vendbanimeve shqiptare. Ky model jo vetëm që ka dëshmuar efikasitet në fushën e arkivistikës dhe dokumentimit të kujtesës, por ka shërbyer edhe si platformë e gjallë për bashkërendim kulturor, hulumtim historik dhe mbrojtje të identitetit në përmasa mbarëkombëtare.

Ky udhëtim dhe pjesëmarrja në Konferencën e IX mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër Korone përbën një moment kyç në përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe kulturor mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Në zemër të Kalabrisë, ku ruhet trashëgimia arbëreshe, u ringritën ura komunikimi midis institucioneve arkivore, studiuesve dhe komuniteteve, duke rikonfirmuar rëndësinë e kujtesës historike si një vlerë të përbashkët dhe motor për zhvillimin e mëtejshëm të identitetit kombëtar. Dokumentet e zbuluara dhe diskutimet shkencore gjatë konferencës jo vetëm që thelluan njohuritë mbi ngjarjet historike, si vrasja e Luigj Gurakuqit, por edhe forcuan ndërgjegjësimin për nevojën e ruajtjes së integritetit, të kujtesës kolektive në kohët moderne. Ky takim shënoi një hap përpara në rrugën e dialogut mbarëkombëtar dhe bashkëpunimit që do të ndikojë pozitivisht në promovimin e shkencës, kulturës dhe identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Opinion

ZGJEDHJET, SISTEMET POLITIKE DHE SHTETFORMIMI NË HAPSIRËN SHQIPTARE

June 24, 2025 by s p

Alfons Grishaj/

*Analiza politike vijon nga numri i kaluar…

Në kapërcyell shekujsh, shpesh herë vota ka qenë e verbër, politika e ka përdhosur mos më keq, ndërsa vegjëlia i ka dhënë sy me pa. Po ku është vegjëlia? Në largësi, të krijohet përshtypja se shqiptarët brenda kufinjëve duket sikur vuajnë nga “apraksia konceptuale”, gjë që i pengon në zgjidhjen e duhur. Fasada dhe farsa, sharjet e fyerjet, intimidime dhe bribery janë njëra anë. Por ana tjetër, kulmon mpirja dhe falimenti në përballjen e të keqës. Kjo sëmundje e përafërt po ndodh dhe në Dardani, por me një ndryshim: atje nuk vidhen votat si në Shqipëri, ngaqë akoma mungon stili i remenishencave bolshevike, gjë që e bën elektoratin dardanas më të zhdërvjellët dhe kërkues. Megjithatë, e keqja specifike mbetet. Atje bëhen zgjedhjet, por është tëpër e vështirë që të formohet qeveria.

Çfarë tregon një papërgjegjshmëri infantile dhe amorfe, duke farkëtuar thënien anti-shqiptare: “Shqiptarët nuk janë shtet-formues.” Fatkeqësisht, dardanët duke shikuar vëllezërit e tyre në anën tjetër të kufirit po huazojnë terma dhe akuza të turpshme siç ishte dhe ajo e fundit për heroin e Kosovës: “hajdut traktorash”!
Dikur turpi ishte faqe e zezë, ndërsa tani shëtit me kollare! Po, ky është bash fjalori banal i komunistëve shqiptarë dhe ruso-serbofilëve. Gjuhë e përdorur për çdo patriot që ka derdhur djersë e gjak. Gjithë heronjtë që kanë bërë luftën, shahen?!

Një tregues kokëfortë: me largimin në amshim të Presidentit Ibrahim Rugova, Dardania po lëngon në zgjidhje dhe vendimarrje të shumta. A e meriton këtë inkompetencë populli Dardan? Kurrë!! Unë mendoj se kreu i qeverisë, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Përparim Rama, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, e shumë personalitete në atdhe e diasporë, duhet t’a rrisin ndjeshmërinë e përgjegjësisë ndaj gjakut të derdhur për të çuar imazhin e atdheut në një stad më të lartë. Do të ishte e udhës që të dalin nga guacka e Unit për një ndryshim thelbësor. Si në Shqipëri dhe Dardani, duhet të gjendet një rrugëdalje për të mundur praktikat e vjetra, të ngurta- pa bereqet. Ata duhet të dalin mbi partitë, duke krijuar një bosht bashkqevërisës për të ardhmen e përbashkët.

Sidomos, Dardania nuk e ka luksin për të qeverisur një parti. Me pjekjen e kushteve, le të ndërtojnë një besim reciprok për të krijuar një sistem të ri më efiçent: Sistem Presidencial. Mbase shqiptarët do të jenë me fat të kenë një president si, Theodore Roosvelt, i cili “korigjoi” rreptë elitën e miliarderëve: John Davison Rockefell, Andrew Carnegie, Cornelius Vanderbilt, John Pierpont Morgan. Persona që kishin shkatërruar konkurencën e lirë, dhe për interesa të ngushta, kishin kompromentuar rëndë disa herë zgjedhjet e presidentëve në Amerikë. Tycoon’s of US industry mësuan se, simbioza e votës lirë dhe burrit shtetit mbesin korrektorë të pagabueshëm në zhvillimin ekonomisë (monopoleve) dhe shtetit ligjor.

Mendimi im, çdo zhvillim ka një pikë limiti dhe çdo limit ka një rregullator. Dhe Rama, ka një shans për të dalur nga impakti që ka futur veten dhe partinë. Ai mendon se i ka fituar votat dhe i ka votuesit në dashuri sublime?! Atëherë, le t’a provojë këtë forcë të “konsuliduar votash” për të sfiduar amullinë rreth tij, duke thirrur një referandum popullor për ndryshimin e sistemit: nga republikë parlamentare në atë presidenciale. Le të jetë dhe Rama kandidati për President. Pas kësaj mundësie popullore, ndahet përgjithmonë loti dhe Zoti. Nëse ai e fiton…ta gëzojë! Kështu marrin fund qeveritë e anagramave.

Në hapësirën shqipfolëse, sistemi presidencial do fuqizonte shtetin, ekonominë dhe zhvillimin e strategjisë për të ardhmen, do rilindte shpresën e truallit të të parëve tanë, duke paralizuar përfundimisht klanet kleptokrate të partive dhe biznesmenët banditë që kanë vrarë konkurencën e lirë. Historikisht, zhvillimi i kombeve ka ardhur prej grupimeve dhe udhëheqësve mendjendritur dhe kurrë nga skeletonët e uritur të pushtetarëve mendjezi! Shikoni ndërtesat fantazma të bëra me paratë e pista paasnjë plan urban. Kaq larg ka shkuar babëzitja e tyre sa matematikisht harrojnë se shqiptarët nuk janë një popull prej 30 milionësh, por sa gjysma e një lagje në Amerikë, me një gjysmë bosh.

Mendoj se, shteti nuk ndërtohet dhe mbrohet me fjalore të huazuara, me presione, me falle shtrigash, me vjedhje votash, me premtime boshe, me betone e gradaçela, kur pjesës dërmuese të popullsisë u mungon jetesa minimale. Nuk është e udhës që shqiptarët të futen në armiqësi me njëri-tjetrin për ca kleptokratë dhe vagabondë, që nuk janë as komunistë e as demokratë! Se po të ishin komunistë…odiseja e luftës për karrige do kishte marrë fund! Sikur të ishin demokratë, do respektoheshin ligjet e demokracisë, vota dhe funksionimi i të drejtave themelore të njeriut. Simboli i politikës së sotme është thjeshtë: kleptokraci dhe prostitucion politik! Prandaj inteligjenca ka barrën finale për ndryshimin rrënjësor të këtij imazhi dëmsjellës dhe banal. Inteligjenca është ozon, ujë dhe jetë. Nëse inteligjenca mbyll valvulat e oksigjenit, çdo diktaturë vdes si metastazat kancerogjene. Dhe kur diktaturat vdesin, popujt gëzojnë e prosperojnë.

Pas këtij revolucioni, truri i kombit duhet të punojë për gjëra më të mëdha, jo si të vidhen votat e të armiqësohen shqiptarët, si të bëhen balancat e aferave, por si shqiptarët të bashkohen dhe ti tregojnë botës se janë ata që dinë të qeverisin dhe ndërtojnë, siç thoshte, Dushko Hr.Konstantinov: “Shqiptarët janë banorët më të vjetër të Gadishullit Ballkanit dhe pasardhës të drejtëpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan.” Pra, që shqiptarët të riciklohen si të tillë, duhet të zgjohen nga gjumi për t’i kapur të gjitha elemetet humano-shpirtërore si pararojë e ndryshimit psikologjik që ndihmon ngritjen esenciale të emancipimit shoqëror. Një gjë e tillë do ndihmojë për të shkapërcyer inatet e ndasirat e një vize shkopi në shkretëtirë që vetë e kanë vizatur. Sfida e shekullit duhet të jetë vota për bashkimin e shqiptarëve, e cila nuk e pengon dhe trondit botën e qytetëruar, por armiqtë tanë.

Pra, le ti mundim armiqtë me dashurinë ndaj njëri-tjetrit për t’u krijuar bindjen se i duam dhe ata! Alphonse de Lamartine, për popullin tonë do shkruante: “Ky komb dhe ky popull nuk mund të merret nëpër këmbë sepse është toka e heronjëve të të gjitha kohërave.”

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT