
Valdete Cenalia Dida/
Shkolla Shqipe që ngriti Zërin e Kombit në Diasporë te
Qendra Shqiptaro – Amerikane, Riverdale, Nju Xhersi.
Në një cep të vogël të diasporës shqiptare, larg trojeve amë, por afër me shpirt e përkushtim, u përmbyll një tjetër vit shkollor në Shkollën Shqipe, Riverdale, Nju Xhersi – një vit që nuk është thjesht numër i ditëve, por kujtim i gjallë i një përpjekjeje të përbashkët për të mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe shpirtin e një kombi që nuk harron kurrë rrënjët. Në krye të kësaj përpjekjeje qëndron z. Sinan Alimi, Kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptare, një figurë që me përkushtim, vizion dhe zemër të madhe ka qenë mbështetës i palëkundur i çdo hapësire ku shqipja mësohet, flitet dhe nderohet.
Nën drejtimin e tij, fjala “bashkim” ka marrë kuptim të vërtetë. Përkrah tij qëndron drejtoresha Gonxhe Meta, një zë i butë, por i fuqishëm, që udhëheq me pasion dhe përkujdesje. Falë saj, Shkolla Shqipe është më shumë se një institucion mësimor – është një vatër e shpirtit shqiptar. Këtë vit, mësimi nuk ka qenë vetëm mësim i gjuhës, por një udhëtim përmes historisë dhe krenarisë kombëtare. Nxënësit e shkollës sime, nën përkujdesjen e një grupi të mrekullueshëm mësuesesh, kanë zhvilluar dy projekte të jashtëzakonshme që sollën përpara syve figurat më të ndritura të kombit: Nënë Tereza, shenjtorja e njerëzimit, u kthye në frymëzim për fëmijët tanë përmes prezantimeve, eseve dhe përshkrimeve që shpalosën jo vetëm jetën, por edhe zemrën e saj të madhe. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, simboli i lirisë dhe krenarisë kombëtare, u ringjall përmes recitimeve, punimeve artistike dhe rrëfimeve plot emocion nga nxënësit që tashmë jo vetëm e njohin, por edhe e ndiejnë figurën e tij në shpirt.
Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa punën e palodhur të mësueseve të jashtëzakonshme që kanë qenë udhërrëfyeset e fjalës shqipe për çdo fëmijë, duke ushqyer tek ata jo vetëm njohuri por edhe krenari: Nesrin Qerimi, gjithmonë e qetë dhe e përkushtuar, që me përkujdesjen e saj ka qenë shtyllë mbështetëse për secilin nxënës. Ajo është dëshmia që dashuria për mësimdhënien nuk njeh lodhje.
Eglantina Mataj, që me energjinë dhe kreativitetin e saj i ka dhënë jetë çdo ore mësimi. Çdo fjalë shqipe që mësohet në klasën e saj është fryt i punës dhe pasionit të saj.
Rabella Mlloja, e cila ka përcjellë me dashuri rrënjët e kulturës përmes punës me zemër. Ajo nuk jep thjesht mësim por ndez dashurinë për gjuhën tek çdo nxënës.
Alma Gjidia solli një frymë të re dhe pasion të freskët për mësimdhënien, e cila nuk ua mëson gjuhën fëmijëve, me laps e fletore, por me zemër.
Fatbardha Kapo, e cila me përpikmëri dhe butësi ka ndriçuar mendjet e fëmijëve. Mënyra se si i përgatit fëmijët për mësimin e fjalëve të arta të gjuhës shqipe është e rrallë dhe çmuar.
Labinota Zhaku, është një dritë e butë që ndriçon hapat e parë në udhën e gjuhës shqipe, një mësuese që nuk mëson shkronjat, por mbjell shumë dashuri në zemrat e vogla të fëmijeve parashkollorë.
Në këtë frymë përkushtimi, na kujtohet fjala e Gustav Meyer, albanolog i njohur, i cili thoshte:
“Gjuha shqipe është njëra ndër gjuhët më të vjetra indoevropiane dhe një thesar i rrallë për Evropën”.
E ne, këtë thesar të rrallë në këtë histori të përbashkët, ku çdo fëmijë i klasave tona, ka shkruar një faqe të re – me fjalë të thjeshta, por me ndjenja të mëdha, ku tregon se gjuha shqipe është historia e popullit tonë, ku pas çdo fjale shqipe fshihet një perlë, një kujtim, një copë atdhe.
Mbyllja e këtij viti nuk është një fund – është një fillim i ri, një premtim që shqipja do të jetojë sa herë që një fëmijë thotë “mirëdita”, sa herë që reciton një poezi të Naimit apo përmend me krenari emrin e Skënderbeut.
Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e kësaj rruge. Le ta mbajmë gjallë gjuhën dhe zemrën shqiptare, sepse aty ku flitet shqip, rreh një copëz atdheu ku siç thotë populli: Të ruash gjuhën shqipe, do të thotë të ruash shpirtin e një kombi. “Ruani gjuhën se ajo asht nanë, asht atdhe” – At Zef Pllumi.