• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

𝐃𝐚𝐯𝐢𝐝𝐢, 𝐤𝐨𝐥𝐨𝐬𝐢 𝐢 𝐞𝐩𝐨𝐤𝐚𝐯𝐞

June 10, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 8 qershor 1504, Davidi i Michelangelo-s, vepra më e rëndësishme skulpturore në histori u vendos në sheshin kryesor të Firences.

Skulptura e Davidit, krijuar nga një bllok mermeri me shumë nyje e të meta, që e bënte të pamundur të skulpturohej, ishte një deklaratë mbi sesi njeriu humanist e shihte veten në të nesërmen! Populli e shihte si vrasësin e tiranëve, dhe e gjithë Firence ecte plot vetëbesim drejt një të ardhme madhështore.

Me të mbaruar statuja, Paria e Firences u has me dilemën se ku do e vendosnin atë kolos madhështor. Ajo çështje hapi aq shumë diskutime sa që pati edhe një incident me hedhje gurësh nga disa protestues. Duke qenë republikë, Firence ngriti një komitet. Rreth tridhjetë artistë dhe drejtues civilë u mblodhën për të diskutuar këtë çështje, përfshirë edhe Filippino Lippi, Perugino, Botticelli, dhe sigurisht Leonardo da Vinci. Ata u mblodhën në 25 janar të vitit 1504, në një sallë mbledhjesh pranë Katedrales, dhe morën në konsideratë nëntë vende për vendosjen e statujës, dy prej të cilave u zgjodhën si finaliste. Michelangelo kishte shpresuar që statuja e tij do qëndronte jashtë hyrjes së katedrales tek Piazza del Duomo, por shpejt kuptoi që do shërbente më mirë si një simbol civil e jo fetar i Firences dhe i shtyu të bindeshin që ta vendosnin te sheshi përpara Palazzo della Signoria. Giuliano da Sangolla, një nga arkitektët më të mirë të Firences, sikurse edhe skulptor, preferonte një vend poshtë harkut të madh tek Loggia della Signoria, një ndërtesë në cep të sheshit. Ai, bashkë me mbështetësit e tij, argumentuan se duke e strehuar aty Davidin, skulptura do ruante elementet e saj, por ajo zgjidhje e bënte veprën të mos binte në sy, e të ishte më pak dominuese dhe e spikatur. “Do shkojmë ne që ta shohim atë, e jo të vijë figura të na shohë ne,” u shpreh një nga mbështetësit e idesë së vendndodhjes tek Loggia.

Leonardo da Vinci ishte një rival i përbetuar i Michelangelo. Ose më saktë ishte e kundërta. Michelangelo ishte tejet xheloz për mjeshtrin e madh da Vinci i cili me artin e tij kishte dëshmuar se ishte i papërsëritshëm. Por, kjo xhelozi u kthye në drejtim të kundërt kur da Vinci pa Davidin, ndaj nuk është për t’u habitur që Leonardo mbështeste grupin që kërkonte t’a strukë statujën poshtë portikut. Kur erdhi radha e tij për të folur, ai tha, “Pajtohem që duhet të vendoset tek Loggia, por të qëndrojë te parapeti ku varen sixhadetë.” Dukej qartë, që Leonardo preferonte që statuja e Michelangelo të vendosej në një vend ku nuk binte shumë në sy. Por, sikur të mos mjaftonte kaq, Leonardo e vazhdoi fjalën e tij e tha diçka të habitshme. Ai u shpreh se statuja duhej të vishej “me një zbukurim të hijshëm [chon ornamento decente].” Ishte e qartë çfarë nënkuptonte. Michelangelo e kishte gdhendur Davidin në mënyrë të guximshme, tërësisht lakuriq. Leonardo sugjeroi që t’i shtohej një mbulesë e hijshme në mënyrë të atillë që të mos prishë ceremonitë zyrtare.

Michelangelo e fitoi betejën për vendin se ku do vendosej statuja. Davidi i tij u lëviz me rrota për katër ditë, në mënyrë shumë të kujdesshme nga punishtja e tij, dhe u vendos në hyrje të Palazzo della Signoria. Qëndroi aty deri në vitin 1873, e më pas u vendos brenda Galleria dell’Accademia, dhe në vitin 1910 një kopje e statujës u vendos sërish aty kishte qenë, por kësaj here pallati kishte marrë emrin Palazzo Vecchio.

Por Leonardo fitoi me argumentin e tij se “një mbulesë e hijshme” duhej shtuar tek statuja. Një kurorë e stolisur e bërë prej tunxhi, me njëzetë e tetë gjethe bakri, u var tek skulptura, duke e mbuluar lakuriqësinë e Davidit. Mbulesa qëndroi mbi statujën për të paktën dyzetë vjet.

Arti është xheloz. Por, arti është esenca e vetë njeriut, pasi njeriu është e vetmja qenie në univers që krijon. Çdo njeri e ka brenda vetes këtë dhunti. Varet nga vetëdija individuale se kush e përdor atë guximshëm e kush zgjedh me burracakëri ta burgosë këtë atribut të rrallë brenda kafkës së vet.

Filed Under: Kulture

Marrëveshja e Kumanovës- fundi i okupimit serb në Kosovë

June 10, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Më në fund pas shumë prolongimeve dhe obstruksioneve të palës serbe dhe ruse, më 9 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja Ushtarako-Teknike në Kumanovë, në vendin ku Serbia gjatë Luftës së Parë Ballkanike në tetor 1912 kishte mundur ushtrinë osmane dhe aneksuar territorin shqiptar të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit. Kjo marrëveshje po ashtu i jepte fund okupimit të gjatë serb në Kosovës.

Marrëveshje e Kumanovës u nënshkrua ngan gjenerallejtënant Majkëll Xhekson (Michael Jackson) në emër të NATO-s, dhe Svetozar Marjanoviq nga Armata jugosllave dhe Obrad Stefanoviq i Ministrisë të Brendshme të Serbisë në emër të qeverive të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë, sipas së cilës nga Kosova do të tërhiqeshin të gjitha trupat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe. Ndërsa një ditë më pas, me 10 qershor KS i OKB-së miratoi rezolutën e 1244 sipas së cilës Kosova u vendos nën administrimin civil (UNMIK) dhe ushtarak ndërkombëtar (KFOR) dhe në të njëjtën kohë morën fund bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake të shtetit serb.

Filed Under: Rajon

I PARI PANAIR LIBRI NË SHKODER …

June 10, 2025 by s p

Frano Kulli/

Po, kjo ka ndodhë fundjavën që shkoi. Në oborrin e Katedrales së qytetit, nën strehën e dikund nja njëzet tendave të reja, të bukura të njinjishme e të hallakatuna nëpër këtë oborr. Në njërin cep të oborrit, një amfiteatër i improvizuar ku mbrëmjeve kur binte fresku lexoheshin tekse prej autorëve pjesmarrës, prozatorë e poetë, jo veç prej Shkodret e rrethinave, po edhe prej shqiptarisë këndej e andej kufirit. Në 3 salla, komode alternoheshin paraqitje librash e takime shkrimtarësh me lexues. Gjithçka kuruar plot shije e sharm, prej ndërthurjes së ideve e ndjesive vullnetmira të shkrimtarëve të qytetit: të mirënjohurit Stefan Çapaliku e të riut Andreas Dushi dhe Gjovalin Çunit bibliografit të hershëm, që tashti mbarështron Bibliotekën “Zoja e Shkodres”, ide e punë, të cilën e ka bekuar Famullitari i kësaj katedraleje, dom Vlash Palajt. I atij është përkushtimi e atij është mbështetja e gjithsishme. Me siguri se pa të nuk mund të bëhej kjo vepër e bukur, e dobishme e kaq rrezëllitëse këtyre ditëve qytetëse. Arqipeshkvi Giovanni Peragine hap siparin e fillesës me urime e përgëzime për protagonistët.

E mandej përgjatë ditëve e mbrëmjeve, plot vizitorë, kurreshtarë si në një ndodhi të paparë më heret këtu, po të mirëpritur sa s’ka.Të tjerë që ndalojnë , prekin libra, i sodisin , i shfletojnë, ndonjërin e veçojnë e më pas edhe e blejnë. Si gjithëherë këso rastesh shpërfaqja e titujve dhe e zhanrreve është e larmishme. Edhe e autorëve, gjithashtu. Maestro Robert Prendushi, kishte ardhë enkas nga Italia edhe pse e ka cík (prekur) fillimin e të 89-tave të moshës. I freskët, me sharmin e hershëm të patrazuar aspak, i buzëqeshun si gjithëherë, plot energji e me kujtesë me u pasë zili. I marrun gjithë jetën me muzikë, ditunar fort e i kulturuar. Kishte ardhë me dy libra të mrekullueshëm të tij: “At Martin Gjoka-24 pjesë e artikuj mbi vepren e tij” dhe “Në kërkim të origjinës së valleve e kangës shkodrane”. Meritueshëm, ndalesa e tij në thellësinë e studimeve si këto, në “Shkodrën ku të gjithë këndojnë”, siç të vjen ndërmend me kujtue titullin e një tjetër libri të një tjetër autori shkodran, Isa Alibali.

E Maestro Roberti u nderua me çmimin e Panairit për studime. Në të vërtetë, vetë panairi u nderua me prezencën e Maestros. Po kishte edhe libra të tjerë të mirë shumë që u prezantuan aty, i Kolës Ashtës me shkrimtarinë e tij të viteve ’40 dhe i prof. Henrrik Lacajt “Përpjekje albanologjike”, emra këto në reliev të letrave shqipe, ase “Arbëreshët – shqiptarët e Italisë” i Fatmir Toçit e autori nga Kosova Ndue Ukaj. Po edhe e disa të tjerë për t’u shënuar.

Aty ishte edhe libri me kujtime i shkodranit Simon Rrota, i aradhës së themeluesve të artit pamor shqiptar, i lauruar në vitin 1916 në Akademinë e famshme “Brera” të Milanos, në kohën e rilindjes, a më saktë të këndelljes së njerzisë shkodrane prej letargjisë së gjatë nën dimrin e kulturës otomane. Piktori na rrëfen në këto kujtime episode të detajuara ndodhish e ngjarjesh me mjeshtrin e mësuesin e tij, Idromeno e me Fishtën, për skenografinë e shfaqjeve teatrore në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol, por edhe për popullaritetin e madh që ato mbërritën të kishin në qytet. Porse rrëfen gjithashtu edhe se ka pasë perjetuar një ngjarje, këtu në oborrin e Katedrales së famshme, (më e madhja në Ballkan, përfunduar së ndërtuari me 1858), e cila kishte me qenë si një gur kilometrik nistor në rrugën e re të rilindjes së qytetit. Jemi në vitin 1909, pak para se ai të nisej për studime në Itali.

-Qe për shembull si më ndodhi në oborr të Kishës së Madhe- shkruan ai.-Ishe tuj vizatue baben e Pjetrit Nikë Shalës, njatë herë sa e plotësova, erdhi i biri e ma shkjeu vizatimin copa copa e me nji perbuzje të madhe më tha do asi fjalësh të vrazhda e në dorë mbante nji gurë të madh në rasë se unë do ta kundërshtojshem. E njajta gja më ndodhi përsëri në oborr të Kishës, ku nji puntuer ishte tue përzi llaç gëlqereje, pa e kuptue ai, por kjenë gërgasit e zakonshem që e theren me fjalë [e ngacmuan] e qe po shof menjiherë se si po më sulmonte me shatin qi ai kishte në dorë e, me të vërtetë, sikur të mos e kishte hetue nji shoq i jemi e me e ndalë, ai do të ma çante kryet përgjysë. Për me u da shëndosh prej tij m’u desht me ja dorzue letren e vizatueme e ai e coptoi grima grima, tue thanë me të madhe: unë nuk jam asi burrit qi me hi n’leter.-

Ngjarje si kjo, të ngjashme kishte provue shpesh, se njerëzia asokohe ende nuk pajtohej me “i dalë ftyra n’leter”. Porse po në ato vite, përreth këtij oborri ku jemi këto ditë e krejt këtu afër, në Kishën e fretënve kishte një sallë ku kishin filluar të jepeshin shfaqjet e para teatrore, me pjesë të huaja të përshtatura në shqip. Fishta, që për së pari kishte vu gjuhën shqipe si gjuhë mësim në liceun françeskan, që bënte edhe dramaturgun edhe rregjisorin, për të realizuar skenografinë merrte djaloshin e talentuar, Simon Rrota, që po përgatitej të shkonte për studime…

Ishte kohë kontrastesh e mospërputhjesh të mëdha, ajo e fillim shekullit të shkuar, por kjo tymnajë e largët duket se ende nuk është zhdavaritë.

Panairi që zgjati tri ditë aty në oborrin e Katedrales së Shkodrës, estetikisht më i kuruari në panairet tona librore, unë shpresoj se ka me ngacmue edhe ujna të ndenjura e ndërgjegje të topituna në prijësinë e atij qyteti… E do t’i yshti ata zonja e zotërinj përgjegjës në kërkim të kohës së humbun. Se ka qenë nji shenjë e gjurmë që ban me u kujtue e me reflektue, për sot e mot.

Filed Under: ESSE

SPAÇ…

June 10, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Një projekt filmi me subjekt ngjarjet e burgut të Spaçit në vitin e largët 1973, është kthyer në një arenë të re e përplasjeve konceptuale të ndarë në dy kampe kundërshtare. Në mendimin tim ky film do të sjellë një zhvillim pozitiv, i cili duhet përshëndetur si inisiativa e parë serioze për këtë ngjarje që vendosi gurin më të madh të lirisë në sistemin e kaluar diktatorial. Duhet theksuar se qeveritë e mëparshme të dy anëve të spektrit politik nuk ndërmorën asnjë inisiativë të tillë. Ideja që lexoj pse sulmohet ka të bëjë me detaje të rekuizitës së kampit të Spaçit, (ngjyra e bardhë e murit, apo detaje të tjera që nuk i njoh më tej). Nuk mendoj se është kjo gjë thelbi i filmit, por trajtimi i skenarit dhe loja e aktorëve për të sjellë të vërteta të Ferrit mbi tokë të kohës së diktaturës.

Le ta sfidojmë mungesën e rekuizitës së duhur të asaj kohe dhe autorët e saj me mundësinë që na jepet për të njohur historinë e tmerreve të përjetuara nga heronj të vërtetë, burra të papërsëritshëm.

Mendoj se duhet përshëndetur, përkrahur dhe respektuar inisiativa e Namik Ajazit dhe Visar Zhitit për të sjellë një vepër të tillë madhore në kinematografinë shqiptare. Askush nuk pengohet më pas të realizojë filma nëse produkti i dy autorëve të mësipërm do të jetë me shtrembërime idesh dhe të vërtetash të kampit famëkeq të Spaçit. Mos të harrojmë se Zhiti është më shumë nga të gjithë i interesuar të nxjerrë të vërtetën në Ferrin e Spaçit. Prisni, prisni dhe shpresoni se do jetë e vërteta e “Aushvicit” shqiptar nën siglën e tyre të veprës që do të sjellin profesionalisht në kinematografinë shqiptare, bazuar në mundësitë e tyre financiare. Duhet lobuar për një buxhet hollivudian që të jenë pjesë e filmit standarte të “Kubrik, Al Pacino apo Moricone” që të kemi çfarë duam, por mjerisht…

Me metoda komuniste nuk mund të bëjmë dot art kapitalist. Liria nuk i mungon askujt për të treguar sipas këndvështrimit të vet historinë e këtij burgu famëkeq dhe për të na dhënë një “509” shqiptar më madhështor se ai i Erich Maria Remark.

Zhiti duket sikur vjen si “Mohikani i fundit” me Spaçin e tij të tatuazhuar në mendje dhe trup. Suksese autorëve.

Filed Under: Analiza

Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për të gjithë fëmijët shqiptarë në Ilinois

June 10, 2025 by s p

Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për të gjithë fëmijët shqiptarë në Ilinois.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT