• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

PRESHEVA FOLI SHQIP, ALBAS I DHA ZË

June 25, 2025 by s p

ALBAS në Preshevë: Mbyllet me sukses Panairi i Parë i Librit Shqip

Presheva foli shqip përmes librit, në një panair historik që bashkoi botues, autorë e lexues nga trevat shqiptare. ALBAS, si bashkorganizatore, shënoi promovimin e 25-vjetorit të saj. Në mbyllje u ndanë çmime për autorët më të spikatur, duke nisur një traditë të re kulturore.

Presheva foli shqip, me zë të qartë e të vendosur, përmes librit. Në një akt që shënon një kthesë kulturore për të gjithë Luginën, qyteti i Preshevës priti me dinjitet dhe entuziazëm Panairin e Parë të Librit Shqip, më 21 dhe 22 qershor 2025, një ngjarje e padiskutueshme historike për komunitetin shqiptar në Serbi.

Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica”, në një atmosferë solemniteti, panairi u hap zyrtarisht me një ceremoni ku bashkëjetuan fjala institucionale, simbolika e kulturës dhe shpresa e brezit të ri. Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, përshëndeti të pranishmit duke theksuar: “Presheva flet përmes librit, përmes dijes dhe dashurisë për gjuhën shqipe”, një deklaratë që tingëlloi si një betim kulturor për të ardhmen.

Në krah të saj qëndronin përfaqësues të rëndësishëm institucionalë, si ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, të cilët u shprehën se ky panair ishte më shumë se një ngjarje, ishte një akt dashurie dhe detyrimi ndaj gjuhës shqipe në një zonë ku ajo shpesh sfidohet.

Panairi mblodhi për herë të parë dhjetëra botues shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Qindra tituj u ekspozuan në stendat e përgatitura me kujdes, ku emra të njohur, si Toena, Onufri, Dukagjini, Fan Noli, Emathia, Pema, Koha, Argeta LMG e të tjerë sollën për lexuesin e Preshevës vepra të letërsisë artistike, të librave për fëmijë, studimeve dhe të historisë kombëtare.

Në këtë mozaik të kulturës së shkruar një vend të veçantë zuri Shtëpia Botuese Albas, e cila jo vetëm që mori pjesë me botimet e saj të shumta për të gjitha moshat, por ishte edhe një nga bashkorganizatorët kryesorë të Panairit, në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të saj. 

Organizimi i Panairit u bë nga Komuna e Preshevës dhe Biblioteka e Qytetit “Abdulla Krashnica”, të cilat luajtën rol kyç në realizimin e ngjarjes. Përkrahja erdhi gjithashtu nga institucione kulturore dhe diplomatike, si Ambasada e Shqipërisë në Serbi dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, duke kontribuuar në suksesin e këtij eventi historik.

Promovimi nga Presheva: ALBAS, 25 vjet botime 

Në ditën e dytë të panairit, më 22 qershor, Albas organizoi një aktivitet promovues që u prit me interes nga publiku: “25 vjet botime: Albas në shërbim të dijes”. Në këtë ngjarje u paraqit përmbledhtas rrugëtimi i kësaj shtëpie botuese që prej themelimit të saj në vitin 2000.

Aktiviteti u moderua nga gazetarja dhe drejtuesja e Portalit Shkollor Albas, Nanila Allkja Biçaku, e cila e nisi takimin duke theksuar rëndësinë e këtij momenti simbolik për ALBAS-in dhe për qytetin e Preshevës, një bashkim mes festës dhe librit. 

“Në këtë aktivitet të radhës që po zhvillohet në Panairin e Parë të Librit Shqip në Preshevë, ku Shtëpia Botuese ALBAS është bashkorganizatore, në kuadër të festimeve të 25-vjetorit të saj, do të ndalemi te promovimi i botimeve të larmishme që ajo ka sjellë. Në panel jemi me Qëndrim Hetemin, drejtues i ALBAS-it në Preshevë dhe Artemisa Bushin, redaktore në ALBAS. Në fakt, ALBAS është e vetmja shtëpi botuese shqiptare që operon në të gjitha trevat shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe këtu në Preshevë”, tha Biçaku.

Ajo nisi diskutimin duke i drejtuar një pyetje Qëndrim Hetemit: “Si nisi rrugëtimi i ALBAS-it në Preshevë dhe çfarë do të thotë për të organizimi i këtij panairi?”. Hetemi, me emocion të dukshëm, tregoi se ALBAS e nisi veprimtarinë e saj në Preshevë me tekstet shkollore. 

“Teksti i parë që kemi sjellë këtu ka qenë ‘Dituri natyre’ për klasën e tretë dhe ‘Gjuhë shqipe’, për klasën e dytë. Më pas, natyrshëm, erdhën edhe tekstet e tjera. Ka qenë një rrugë me përpjekje, por me shumë mbështetje nga Shqipëria, nga profesor Latif Ajrullai, tashmë i ndjerë, dhe Rita Petro. Ata kanë bashkëpunuar ngushtësisht me babanë tim, Qenan Hetemi. E kemi pasur gjithmonë si ëndërr këtë panair: të sjellim në Preshevë atmosferën e panaireve të Tiranës e të Prishtinës. Sot, kjo ëndërr u bë realitet, falë bashkëpunimit me Bibliotekën e Qytetit, me drejtoreshën Albina Azizi dhe bashkëpunues të tjerë, si Hasan Hasani dhe Liridon Mulaj nga Shqipëria.”

Moderatorja vuri në dukje se ALBAS ka kaluar një rrugë të gjatë në këto 25 vite dhe pyeti redaktoren Artemisa Bushi për këtë rrugëtim: “Si ka evoluuar puna e ALBAS-it nga tekstet shkollore drejt platformave digjitale?”. 

Bushi u shpreh se ishte e emocionuar për pjesëmarrjen në këtë panair dhe theksoi se ALBAS nuk është vetëm një shtëpi botuese, por një urë që lidh trevat shqiptare përmes dijes dhe librit. 

“Në fillim, fokusi i ALBAS-it ka qenë përgatitja e teksteve shkollore. Më 2004-n, ALBAS fitoi për herë të parë tekstin alternativ, Letërsia dhe gjuha shqipe 10, e më pas ka synuar të plotësojë linjat në disa nga titujt më të rëndësishëm të kurrikulave arsimore. Një ndër projektet e rëndësishme ka qenë Paketa e Abetares mbarëkombëtare, që u përgatit nga një grup specialistësh didaktikë dhe gjuhëtarësh nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo paketë përfshin tekstin bazë, fletoret e punës, fjalorët e ilustruar, CD dhe mjete të tjera interaktive.”

Biçaku e udhëhoqi më tej diskutimin drejt risive teknologjike që ka sjellë ALBAS në arsimin shqiptar, duke e pyetur Bushin për kalimin nga tekstet e printuara në formatet digjitale. Ajo theksoi se që para vitit 2010, ALBAS filloi t’i shoqëronte librat me CD, e më pas erdhi krijimi i platformës digjitale, Albas e-libër.

“Tashmë, tekstet shkollore janë edhe të digjitalizuara, duke u pasuruar me galeri fotosh, video, miniteste, përmbajtje shtesë multimediale, që u vijnë në ndihmë nxënësve dhe mësimdhënësve. Janë ndërtuar edhe orë mësimore model për diasporën, si dhe janë zhvilluar trajnime për mësimdhënësit në të gjitha trevat. Në vitin 2023, Qendra e Trajnimit Albas është nderuar me çmim nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, për kontributin e saj në trajnimin e mësimdhënësve në Luginën e Preshevës”, tha Artemisa Bushi. 

Duke parë që publiku përbëhej edhe nga nxënës, mësues e prindër, Biçaku solli në vëmendje rëndësinë e librave për fëmijë dhe e pyeti Bushin për botimet artistike të ALBAS për lexuesit e vegjël. Bushi shpjegoi se ALBAS është një ndër shtëpitë botuese me më shumë botime për fëmijë. 

“Botimet për fëmijë janë grupuar në seri sipas grupmoshave, me ilustrime tërheqëse. Ndër më të veçantat është seria e klasikëve për fëmijë (3+, 7+, 9+) që përfshin autorë botërorë dhe shqiptarë. E kam të pamundur t’i përmend të gjithë”, tha ajo, “por për këtë më vjen në ndihmë edhe katalogu“, duke përmendur mjaft prej tyre. Më pas shtoi se “vlen të përmendet përkthimi i plotë i ‘Përrallave të Andersenit’, i vlerësuar me Çmimin ‘H. C Andersen’.” 

“Një rëndësi të veçantë kanë titujt që lidhen me trashëgiminë kulturore. Këtu përfshihet seria ‘Më quajnë’, ku rrëfehen në vetën e parë jetëshkrimet e figurave më të rëndësishme, botërore dhe shqiptare. Disa prej titujve me figura shqiptare janë: ‘Më quajnë Gjergj Kastrioi Skënderbeu, ‘Më quajnë Nënë Tereza’, ‘Më quajnë Nexhmije Pagarusha’, ‘Më quajnë Hasan Prishtina’ apo ‘Më quajnë Bekim Fehmiu’ – një seri që do të pasurohet me emra të rinj personalitetesh. Ilustrimet janë punuar me kujdes të madh; përmend këtu se Semela Mero u bë pjesë e katalogut ‘Honour list 2022’ në Panairin e Librit në Frankfurt, për ilustrimet e librit ‘Më quajnë Nikola Tesla’. Me trashëgiminë kulturore lidhen edhe titujt: ‘Legjenda dhe vende’, ‘Legjenda dhe balada’, ‘Lekë Dukagjini’, si edhe MiniGuida, një seri që do pasurohet me tituj të rinj (udhërrëfyes mjaft të mirë për qytete dhe vende). Ka edhe mjaft seri të tjera për fëmijë (‘Izadora Mun’, ‘Një familje e paparë’), mjaft të larmishme, sa sociale, edukative, aq edhe gazmore…, si edhe botime nga letërsia italiane dhe ajo franceze.”

Më pas, Biçaku e udhëhoqi bisedën drejt letërsisë për të rritur, duke pyetur se çfarë pasurie sjell katalogu i ALBAS-it në këtë fushë. 

Bushi përmendi botimet e librave klasikë & modernë, që marrin një rëndësi të veçantë, pasi, edhe pse janë shkruar shumë vite më parë, mbeten aktualë për temat sociale që trajtohen në to, si edhe për vlerat artistike. Mes tyre ajo përmendi ‘Don Kishoti’ (I & II), ‘Poetika’ e Aristotelit apo ‘Bretkosat’ e Aristofanit etj., si edhe botime nga nobelistë, si Olga Tokarczuk (‘Shtërgjet’), Herta Müller (‘Teposhte’) dhe Günter Grass (‘Daullja prej llamarine’), një nga kryeveprat e letërsisë botërore që ka marrë edhe ‘Çmimin për përkthimin më të mirë’ në Panairin e Librit në Tiranë në vitin 2023. 

“Kërkohen dhe pëlqehen nga lexuesit librat psikologjikë dhe motivues. Janë botuar nga Albas autorë, si Robin Sharma, Mel Robbins etj. Mjaft të kërkuar janë librat motivues të Scott Peck. Përzgjedhja e botimeve bëhet patjetër sipas rëndësisë së autorit, të veprës, të vlerave që mbart, të tematikave që trajtohen në to, si edhe në mjaft kritere të tjera”, tha Bushi. 

Moderatorja u ndal të pyeste më pas redaktoren për kontributin e ALBAS në promovimin e autorëve shqiptarë dhe me mbështetjen për autorët bashkëkohorë e të rinj. 

Bushi tha: “Promovimi i letërsisë shqiptare është vlerë e shtuar në ALBAS. Janë botuar mjaft romane, libra me tregime dhe poezi. Ndaloj në emrat e autorëve, si Rita Petro, Virion Graci, Ardian Vehbiu, Mimoza Ahmeti, Gazmend Kapllani etj. ALBAS ka botuar edhe mjaft autorë të rinj shqiptarë, një pjesë e tyre kanë marrë çmim me motivacion nga Qendra e Librit dhe e Leximit. Një rëndësi të veçantë në këto botime merr edhe botimi i kolanës së veprave të Petro Markos. Janë botuar rreth 10 tituj dhe po punohet në redaksi për botimin e veprave të reja të Markos. Në Panairin e 25-të të Libri në Prishtinë, zhvilluar para pak ditësh, ALBAS mori Çmimin për Vepër Kapitale, për botimin cilësor dhe gjithëpërfshirës të kolanës së veprave të Petro Markos, një autor i dashur dhe i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare”.

Më pas ajo theksoi se “Duhet thënë se Albas ka një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, si: pedagogë (autorë të teksteve shkollore), specialistë didaktikë dhe gjuhëtarë, mësimdhënës, përkthyes psikologë, si edhe një staf me një numër të madh profesionistësh, si: redaktorë shkencorë dhe gjuhësorë, ilustrues, dizajnues, programues etj.”

Në përmbyllje të aktivitetit, Biçaku ndau me të pranishmit një panoramë të rëndësishme të Portalit Shkollor, si një prej nismave më të suksesshme të ALBAS-it. “Ky portal është kthyer në një media arsimore që ofron përmbajtje të pasura, burime për mësues e prindër, artikuj profesionalë dhe mjete digjitale. Sidomos gjatë pandemisë, kur mësimi në distancë u bë i domosdoshëm, portali ofroi abetaren digjitale, libra shkollorë interaktivë, video e ushtrime. Ai është dëshmi e vizionit që ALBAS ka për arsimin, jo vetëm si mjet formimi, por si rrugë lidhjeje mes brezash e trevash.”

Presheva foli, dhe fjala ishte libër. Dhe libri kishte firmën ALBAS në këtë rast.

Çmimet e edicionit të parë në Preshevë

Në mbyllje të edicionit të parë të Panairit të Librit Shqip, “Presheva flet”, u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve, duke përmbyllur dy ditë intensive me ngjarje letrare e kulturore, që për herë të parë e kthyen Preshevën në një pikëtakim të rëndësishëm të botuesve, autorëve dhe lexuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Juria e përbërë nga Liridon Mulaj (kryetar), Shefat Ademi dhe Fitim Nuhiu, ndau me përkushtim vlerësimet për autorët dhe botuesit që spikatën në këtë edicion të parë. 

Ndër çmimet kryesore, “Libri më i mirë për fëmijë” iu dha veprës “Arbnori në Kështjellën e Gjergjit” të autorit Fatmir Gjestila; “Proza më e mirë” iu akordua Biser Mehmetit për librin “Heroi i mohuar”; ndërsa çmimi për “Veprën studimore më të mirë” shkoi për Fatmir Toçin me librin “Arbëreshët midis mitit dhe realitetit”. Me çmimin e nderit u vlerësuan figura të shquara si Besnik Mustafaj, Nerimane Kamberi dhe Prof. Dr. Jahi Murati për kontributet e tyre të veçanta në letërsi, studime dhe kulturë. Një vlerësim të veçantë morën edhe shtëpitë botuese “Buzuku”, “Logos-A” dhe “Onufri”, për rolin e tyre të rëndësishëm në ruajtjen, zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës dhe letërsisë shqipe në hapësira të ndryshme. Këto çmime ishin një dëshmi e nivelit të lartë profesional dhe përkushtimit që ky edicion solli, duke u shndërruar në një nisje premtuese për traditën e re letrare që po lind në Preshevë.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Filed Under: Interviste

Rasti Trump,Presidentët amerikanë dhe rutina e shpalljes së luftës pa Kongresin

June 25, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi

Presidenti Donald Trump këmbënguli të mërkurën se sulmet amerikane i dhanë një goditje shkatërruese programit bërthamor të Iranit, pavarësisht një vlerësimi paraprak të inteligjencës amerikane që sugjeronte se sulmi shkaktoi vetëm një pengesë të vogël.

“Ky ishte një sulm shkatërrues dhe i la ata pa fjalë”, tha Trump ndërsa administrata e tij dërgoi një grup zyrtarësh të lartë për të mbrojtur pretendimet e tij se programi bërthamor i Iranit ishte “shumë i zhdukur”.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se vlerësimi i rrjedhur i inteligjencës, për të cilin Irani tha se pësoi një vonesë prej vetëm disa muajsh, ishte “paraprak” dhe me “besim të ulët”. Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se zyrtarët që zbuluan gjetjet janë “besëprerë profesionistë”.

Shtëpia e Bardhë iu referua një deklarate nga Komisioni i Energjisë Atomike të Izraelit që tha se Irani u përball me një pengesë prej “shumë vitesh”.

Përfundimeve të besueshme

Nxjerrja e përfundimeve të besueshme në lidhje me ndikimin e sulmeve amerikane është e vështirë, duke e bërë çështjen një terren pjellor për pretendime konkurruese që mund të përcaktojnë se si votuesit amerikanë e shohin vendimin e rrezikshëm të Trump për t’u bashkuar me sulmet e Izraelit ndaj Iranit.

Trump është i hapur për ndryshim regjimi në Iran, pasi administrata e tij tha se ky nuk ishte qëllimi Gjithashtu në rrezik janë hapat e ardhshëm të Trump në Lindjen e Mesme, ku mund të kërkohen përpjekje diplomatike për të parandaluar Iranin nga rindërtimi i programit të tij bërthamor.

Irani pohon se ambiciet e tij atomike janë për qëllime paqësore, ndërsa udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë e kanë përshkruar programin bërthamor të vendit si pararendësin e marrjes së një arme bërthamore.

Një nga objektivat e sulmit amerikan ishte Fordo, ku infrastruktura bërthamore është varrosur thellë nën tokë. Komisioni izraelit tha në një deklaratë se bombardimi “e bëri të paoperueshëm impiantin e pasurimit”. Deklarata u shpërnda nga Shtëpia e Bardhë dhe zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Pse presidentët urdhërojnë përdorimin e forcës pa Kongresin 

Në dekadat e fundit, një dukuri është bërë normë në politikën amerikane: presidentët urdhërojnë përdorimin e forcës ushtarake pa miratimin paraprak të Kongresit. Ky trend përfaqëson jo vetëm një sfidë për balancën e pushteteve të përcaktuar në Kushtetutën amerikane, por edhe një rrezik të madh për legjitimitetin demokratik të vendimeve për luftë. Rasti i ish-presidentit Donald Trump, i cili urdhëroi bombardime në objektiva iraniane pa konsultim me Kongresin, është vetëm shembulli më i fundit i kësaj praktike që po institucionalizohet. 

Por këtu ka njё diskutim. Sa bashkëpunues  dhe në sa kohë e miraton ai. A mund të ruhet sekreti i sulmit. Nga ana tjetër njё sulm nuk është shpallje lufte në kuptimin klasik.

Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, vetëm Kongresi ka autoritetin për të shpallur luftë. Neni I i saj e përcakton qartë këtë kompetencë. Por ky parim ka mbetur kryesisht simbolik që nga Lufta e Dytë Botërore. Në vend të shpalljes së luftës, presidentët kanë përdorur forma alternative për të nisur ndërhyrje ushtarake – qoftë përmes “Autorizimeve për Përdorimin e Forcës Ushtarake” të dhëna nga Kongresi në raste të veçanta, qoftë përmes interpretimeve të gjera të rolit të tyre si komandantë supremë të ushtrisë sipas Nenit II të Kushtetutës.

Rezoluta e Fuqive të Luftës e vitit 1973 ishte përpjekja më e qartë për të kufizuar këtë përqendrim të pushtetit ushtarak në duart e presidentit. Kjo rezolutë, e miratuar përkundër vetos së Presidentit Nikson pas Luftës së Vietnamit, kërkon që çdo president që vendos të angazhojë forcat e armatosura pa shpallje lufte, duhet të njoftojë Kongresin brenda 48 orëve dhe të përfundojë operacionin brenda 60 ditëve nëse nuk merr miratim zyrtar. Por realiteti ka treguar se kjo rezolutë rrallëherë zbatohet me rigorozitet, dhe Kongresi, në vend që ta mbrojë kompetencën e vet kushtetuese, shpesh qëndron pasiv.

Bill Clinton nisi bombardimet e NATO-s në Kosovë pa një votim në Kongres.

Shembujt janë të shumtë. Bill Clinton nisi bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999 në Kosovë pa një votim të plotë në Kongres. Barack Obama urdhëroi sulme ajrore në Libi në vitin 2011 pa kërkuar autorizim, dhe më pas u përball me kritika të vonuara nga ligjvënësit. Donald Trump ndërmori sulme në Siri dhe më pas ndaj objektivave iraniane pa konsultim paraprak, duke u mbështetur në argumente të gjera për “sigurinë kombëtare” apo “parandalimin e përhapjes së armëve kimike”.

Ekspertët ligjorë theksojnë se, edhe pse një president është kushtetuesisht komandant suprem, kjo nuk i jep atij pushtet absolut për të ndërmarrë veprime ushtarake pa mbikëqyrje. Megjithatë, në praktikë, kufizimet janë zbehur. Gjykatat, të cilat mund të shërbenin si një filtër kushtetues, shpesh i shmangen trajtimit të këtyre rasteve, duke i cilësuar si “çështje politike” që duhet të zgjidhen brenda institucioneve politike. Në këtë mënyrë, mbikëqyrja gjyqësore mbetet e paralizua

 Demokratët argumentojnë se Trump anashkaloi Kongresin dhe shmangu detyrimin për të kërkuar miratim për përdorimin e forcës, duke dobësuar hipotetikisht  balancën e pushteteve që Kushtetuta e SHBA-së garanton. Por dhe me argumente hipotetike.  Urdhri për sulm, sipas kritikëve, mund të kishte provokuar një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme, duke vënë në rrezik jo vetëm stabilitetin rajonal, por edhe jetën e ushtarëve dhe aleatëve amerikanë. Vendimi, sipas tyre, u mor në mënyrë të njëanshme, pa informuar ligjvënësit dhe pa paraqitur një strategji të qartë për pasojat apo qëllimet afatgjata të operacionit.

Në thelb, demokratët e shohin këtë veprim si një shembull tjetër të mënyrës së Trumpit për të vepruar jashtë normave institucionale, duke minuar parimet e përgjegjshmërisë demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare. 

Ndërkohë, edhe në arenën ndërkombëtare, përdorimi i njëanshëm i forcës nga SHBA shpesh bie ndesh me Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila lejon vetëm vetëmbrojtjen ose ndërhyrjen me autorizimin e Këshillit të Sigurimit. Edhe pse presidentët amerikanë përpiqen ta justifikojnë përdorimin e forcës si akt vetëmbrojtjeje, ekspertët paralajmërojnë se ky argument shpesh është i dobët dhe i pambështetur në të drejtën ndërkombëtare. “Ideja se mund të sulmosh një shtet për të mbrojtur interesat strategjike në të ardhmen nuk përputhet me konceptin e vetëmbrojtjes”, thotë Bradley.

Njё problem institucional

Problemi thelbësor nuk është thjesht juridik, por politik dhe institucional. Kongresi amerikan, për shkak të ndarjeve partiake ose mungesës së vullnetit për t’u përballur me presidentin, ka lejuar një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit në zyrën ekzekutive. Në vend që të mbrojë autoritetin e tij kushtetues, ai ka zgjedhur shpesh rrugën e lehtësisë: të heshtë ose të reagojë vetëm simbolikisht, pas veprimit. Në fund të ditës, pasojat nuk maten vetëm në bazë të shkeljeve ligjore apo precedentëve kushtetues, por në koston që kjo sjell për vetë demokracinë amerikane. Kjo është si t’i kërkosh Trumpit qiqra ne hell. 

Episodi ka shkaktuar disa nga hakmarrjet e gjata të Trump kundër rrjedhjeve të informacionit dhe zyrtarëve të inteligjencës, të cilët ai shpesh i ka parë si pjesë të një “shteti të thellë” të përkushtuar për të minuar axhendëne tij. Ai gjithashtu hoqi dorë nga mediat që raportuan mbi vlerësimin e klasifikuar, duke i përshkruar ato si “llum” dhe “të neveritshme”. Trump tha se vënia në dyshim e efektivitetit të sulmeve ishte mungesë respekti ndaj ushtrisë, e cila fluturoi bombardues të fshehtë në gjysmën e botës për të sulmuar objektet bërthamore me armë të projektuara për të depërtuar thellë nën tokë.

Raportet, tha ai, ishin “shumë të padrejta ndaj pilotëve, të cilët rrezikuan jetën e tyre për vendin tonë”. Një pyetje kritike është nëse uraniumi i pasuruar, i cili mund të zhvillohet në karburant për një bombë bërthamore, u zhvendos nga objektet para sulmeve të SHBA-së.

“Unë besoj se ata nuk patën mundësi të nxirrnin asgjë, sepse ne vepruam shpejt”, tha Trump. Ai shtoi se “është shumë e vështirë të zhvendosësh atë lloj materiali dhe shumë e rrezikshme”. 

Vendimi i Presidentit Donald Trump për të urdhëruar një sulm ndaj objektivave iraniane mund të shihet si një veprim i guximshëm dhe i nevojshëm për të mbrojtur interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe për të penguar agresionin e mëtejshëm nga një regjim që ka sponsorizuar terrorizmin dhe ka kërcënuar aleatët amerikanë në Lindjen e Mesme.  The akuzat e demokratëve pse e sulmuat Iranin po pse se sulmuat më  fort janë qesharake.

Në një situatë ku kohëzgjatja dhe vendosmëria janë thelbësore, pritja për një miratim të zgjatur nga Kongresi mund të kishte dobësuar efektin strategjik dhe të kishte ekspozuar trupat amerikane ndaj rrezikut. Përkrahësit e këtij vendimi argumentojnë se një veprim i menjëhershëm dhe i vendosur shërben si mesazh i qartë për kundërshtarët e SHBA-së se çdo provokim do të ketë pasoja të menjëhershme dhe të ndjeshme.Informimet e klasifikuara për ligjvënësit, të planifikuara fillimisht për të martën, tani pritet të zhvillohen të enjten dhe të premten.

Filed Under: Analiza

Mbyllja e festivalit – e veçanta e tij dhe “meraku” i organizatorëve

June 25, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

“Si Drejtues Artistik, unë e çmoj ruajtjen e vlerave të kinematografisë sonë, ku njëherit shprehet edhe misioni i organizimit të Festivalit në Boston,” thotë Bujar Alimani. “Kjo është veçoria dalluese e tij nga Festivalet e tjerë të filmit, të cilët nxitojnë të kenë prurjet më të reja të kinematografisë. Festivali i Filmit Shqiptar Fan Noli 2025 Boston (Qershor 19-22) solli në qendër të vëmendjes të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe në diasporë një përzgjedhje të filmave ku përfshihen edhe realizime të disa viteve më parë, por që për arsye të ndryshme nuk kanë qenë në fokus të publikut apo të kinematofilëve. I tillë është filmi fitues “Tre Dritare dhe një Varje”. Ndonëse i realizuar disa vite më parë ishte në konkurrim në kategorinë e filmit të gjatë në këtë Festival. Fakti që juria dhe publiku e përzgjodhën si film fitues e përforcon veçorinë dalluese të Festivalit Fan Noli 2025. Po kështu edhe “paketa” e 6 filmave të animuar përfshinte krijime që nga filmat e parë në 1975 Zana dhe Miri dhe 1976 Pika e Ujit deri në vitet ’90 e më tej. I shpreh falenderime të veçanta Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Festivalit Anifest për Fëmijë,” vëren Bujar Alimani, i vlerësuar nga kritika për karrieren e tij si regjisor, producent dhe skenarist.

Pasi mbarojnë shfaqjet e filmave dhe nata e ndarjes së çmimeve, pasi janë vënë dhe shpërndarë postimet dhe fotot në Facebook, Instagram X, organizatorët si Vasilika Jantilli ndiejnë edhe lehtësim, edhe një boshllëk.

Tek shkallët e lokalit Leo’s Events and Restaurant në Braintree ku jepej mbrëmja Gala e Festivalit, e pyeta të më thoshte çfarë po mendonte tani që ishte mbyllja.

Çdo veprimtari ka sfidat e veta, por ama “do të më mungojnë telefonatat dhe tekstet në orë të ndryshme në grupin tonë me Bujarin dhe Edën (Skëndi) aq sa do t’i bie telefonit ndonjëherë sa për të kujtuar tensionin dhe stresin e organizimit të Festivalit,” thotë ajo teksa buzëqesh e lodhur.

Vasilika Jantilli dhe Eda Skëndi mes shumë punëve të tjera, ishin edhe përgjegjëset kryesore të mbrëmjes së ndarjes së çmimeve në 21 qershor në Boston.

Në tavolinën e Vasilikës si në atë të Enkelejda Klosit, anëtare e Jurisë, edhe në disa të tjera rreth e rrotull sallës, shikoje tre breza shqiptarësh, prindër, bija dhe mbesa. Vajzat e tyre, Krystal Klosi dhe Bjanka Jantilli vallëzuan kërcimin e Tropojës në

grupin Bijat e Katedrales Ortodokse të Shën Gjergjit të koregrafuar nga drejtuesi Dhimitër Demiraj, Kryetari laik i Këshillit të Kishës.

Pjesëmarrja e brezave të komunitetit shqiptar është synimi i një aktiviteti si Festivali i Filmit dhe njëherit përmbushja e dëshirës për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Në një kënd të sallës pranë mikrofonit ishin 12 statuetat Fan Noli për fituesit punuar nga skulptori i mirënjohur shqiptar Ilmi Kasemi Beati. Anash trofeve, ishin 12 certifikatat shoqëruese me dizajnin e punuar nga Bjanka, lindur në Amerikë nga prindër të ardhur nga Shqipëria, e cila donte të jepte kontributin e saj Festivalit të Filmit Shqiptar Fan Noli në Boston.

Filed Under: Komunitet

Mbi rritjen e bashkëpunimit të qeverisë së Kosovës me diasporën Shqiptaro-Amerikane në fushat me interes kombëtar

June 25, 2025 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Pritjen në selinë e qeverisë së Kosovës nga kryeministri Albin Kurti së bashku me një pjesë të ministrave të qeverisë së tij e konsideroj si një vlerësim dhe respekt i madh për mua.

Gjatë këtij takimi biseduam gjerësisht për rritjen e bashkëpunimit të qeverisë me komunitetin e diasporës Shqiptaro-Amerikane në të gjitha fushat me interes kombëtar.

Ajo që më bëri përshtypje përveç të tjerave si diçka shumë pozitive, ishin njohuritë e thella dhe gjithëpërfshirëse të KM Kurti në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, së bashku me vendosmerine per te rritur sipas kerkeses te SHBA-ve nivelin investimeve ne infrastrukturen e mbrojtjes.

KM Kurti shprehu mbeshtetjen per disa propozime ne kete fushe dhe bashkepunim per te krijuar nje doktrine dhe strategji ushtarake e cila garanton me tej sovranitetin territorial, rritjen e aftesive dhe te kapaciteteve operacionale dhe te integrimit me strukturat e NATO-s ne bashkepunim te ngushte me Ministrine e Mbrojtjes dhe partnerin tone strategjik SHBA-te me objektiv te qarte anetaresimin sa me te shpejte ne NATO.

Edhe diskutimi me ministrin Maqedonsi ne kete kendveshtrim ishte shume konstruktiv.

I deklarova z. Kurti me shume pergjegjesi qe ngelem i perkushtuar qe ne çdo rast qe te jete e nevojshme te kontriboj me te gjitha njohurite e mia ne fushen e sigurise publike dhe kombetare.

Duke shfrytezuar kete mundesi, i dhurova z. Kurti kater librat e fundit te botuar ne fushen e gjeopolitikes dhe te gjeostrategjise.

Nderkohe shpresoj qe te gjitha forcat politike sa me shpejte te gjejne nje zgjidhje me qellim krijimin e qeverise te re per vazhdimin e reformave aq te domosdoshme per mirefunksionimin e vendit dhe zbatimin e vullnetit politik te shumices.

Filed Under: Politike

Opera “Scanderbeg” nga Antonio Vivaldi, në nder të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

June 25, 2025 by s p

Kjo vepër kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u vu në skenë për herë të parë në vitin 1718, me rastin e hapjes së teatrit të Firences “Teatro di via della Pergola”. Opera “Scanderbeg” hyn në listën e veprave të luajtura rrallë të Antonio Vivaldit dhe autori i libretit ishte Antonio Salvi da Lucignano. Autografi i Vivaldit gjendet në vëllimin e dytë të koleksionit të përmendur, i cili përbëhet prej gjashtë kapitujve plotësisht të ruajtur të muzikës. Nga kronikat e kohës mësohet se kjo vepër është vënë në skenë rreth 18 herë rresht, në krye të çdo tri ditëve. Studiuesit thonë se shkaku më i rëndësishëm i suksesit të operas “Scanderbeg””, vetëm në një sezon, duhet kërkuar te situata politike e asaj kohe. Pas betejave të shumta me fitore, në Venedik, por dhe në shtetet e tjera të vogla italiane u bë interesante figura e Skënderbeut. Por tregimi për princin shqiptar, ashtu sikurse bëhej aktual në shumë momente të krizës dhe frikës së Evropës para ekspasionit otoman, po aq shpejt bëhej jointeresant kur kalonte rreziku. Ky duhet të ketë qenë shkaku kryesor pse opera “Scanderbeg”” u shfaq vetëm në një sezon.

Opera “Scanderbeg” zë një vend të rëndësishëm në veprimtarinë artistike të Vivaldit sepse, falë shfaqjes së kësaj vepre, Vivaldi i zgjeroi kufijtë e famës së tij në botën e operës evropiane.

Në këtë vepër të Vivaldit, protagonisti nuk i përket mitologjisë, por një të kaluare shumë të afërt për atë periudhë. Skënderbeu ishte një figurë shumë e shquar në kujtesën italiane dhe atë evropiane, përveçse një personalitet i rëndësishëm politik, është udhëheqësi i vetëm, i cili asnjëherë nuk ka pësuar ndonjë humbje nga osmanët.

https://diasporashqiptare.al/…/firence-22-korrik-1718…

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT