• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

HISTORIKISHT, PUSHTETI ABSOLUT – KORRUPTON ABSOLUTISHT!

July 21, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

“Pushteti absolut, korrupton absolutisht”, është një citim që i atribuohet politikanit britanik të shekullit të 19-të, Lordit Akton, megjithëse – në forma të tjera me të njëjtin kuptim – është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe opinionistë të tjerë, shumë kohë para tij. Por, që në thelb do të thotë se sa më shumë që të rritet pushteti i një personi, aq më shumë zhduket edhe ndërgjegjia dhe përgjegjësia morale e një lidri ndaj të tjerëve. Ndërsa në shekullin e kaluar, ish-Senatori amerikan, demokrati William Fulbright ka shkruar gjerësisht mbi ushtrimin e pushtetit absolut politik të një individi, lideri politik, por edhe në nivel të një shteti.

Ai citohet të ketë thënë se shpeshëherë, “Pushtetari e konfuzon ose e ngatërron veten me virtytet e larta morale, duke konsideruar veten si të plot-fuqishëm ose të gjithë-pushtetshëm.” Shembuj të ushtrimit të pushtetit nga liderë plitikë absolut ka shumë gjatë gjithë historisë, nga ditët e sotme e tek historia e regjimeve komuniste të shekullit të kaluar, e deri thellë në histori, me shembuj si perandori Napolon Bonaparti, e deri në kohën antike kur perandorët romakë e konsideronin veten si zotër të universit të tyre. Ose kur kinezët konsideronin vendin e tyre si qendra rreth të cilës duhej të sillej e gjithë bota tjetër.

Për pushtetarët të cilët mund të mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm, ish-Senatori Fulbright këshillon se, “Në rrugën e gjatë të historisë, është më e sigurt, më e mirë dhe më madhore të kesh njerëz që kuptojnë mendimet dhe qëndrimet tua” (me fjalë tjera t’i bindësh ata), sepse sipas tij edhe, “Në emër të objektivave fisnike, njerëzit kanë kryer dhe kryejnë aktet më mizore kundër njëri tjetrit.”

Ndonëse kjo frazë është përdorur fillimisht në shekullin e 18-të, pyetja lind se çdo të thotë dhe çfarë kuptimi kjo frazë ka për aktualitetin politik dhe shoqëror në botën e sotme, pa marrë parasysh se për cilin vend ose për cilën shoqëri, ose për të cilët pushtetarë të korruptuar, është fjala. Të gjithë e dimë se edhe sot kemi mjaft shembuj të tollë, ku kjo frazë u përshtatet shumë pushtetarëve aktualë kudo – pa i përmendur me emër sepse janë shumë të tillë – megjithëse ata mund ta konsiderojnë veten të zgjedhur nga shumica, e të cilët pretendojnë, se si të tillë, nuk kanë krahasim me perandorët e dikurshëm ose me “perandorët e kuq” komunistë të shekullit të kaluar.

Shumë akademikë dhe opinionistë kanë folur dhe shkruajnë për raste të ashtuquajturës “diktaturë e shumicës”, sidomos kur nuk ekziston dialogu midis shumicës dhe pakicës politike në një vend. Por, le t’i kthehemi subjektit për të cilin po flasim, se cili është pra kuptimi i frazës, “Pushteti Absolut, Korrupton Absolutisht”, në aktualitetin e sotëm politik. Sipas përcaktimit të definicionit të kësaj thënjeje, kjo frazë interpretohet të thotë se pushteti, për nga natyra, e korrupton njeriun. Ia pakëson vlerat morale një pushtetari dhe sa më shumë pushtet të ketë një individ, aq më i korruptuar do të bëhet ai në ushtrimin e pushtetit të tij.

Ashtu si në shekullin e 18-të, kjo frazë interpretohet, gjithashtu se ata që kontrollojnë pushtetin, në ciliondo nivel qoftë, shpeshherë nuk kanë parasysh interesat e popullit dhe janë të përqendruar, kryesisht, në përfitimet sa më të mëdha për veten e tyre dhe si rrjedhim abuzojnë në ushtrimine pushtetit, në mbështetje të interesave të tyre personale, partiako-politike ose rrethit të tyre të ngushtë familjar ose shoqëror.

Prandaj në qoftë se ndiqet kjo logjikë, sipas disa ekspertëve, arrijmë në përfundimin se, sidomos, politikanët që ushtrojnë pushtetin më të lartë në shtet dhe në qeveri — natyrisht, me ndonjë përjashtim aty këtu — kanë një mungesë të madhe të vlerave politiko-morale, kombëtare dhe shpirtërore. Nuk janë pra krijues të vlerave të mëdha si pushtetarë, për të mirën e përbashkët të shoqërisë dhe qytetarëve pa dallime politike, fetare apo krahinore. Ata që duhet të jenë shembull për shoqërinë mbi të cilën ushtrojnë pushtetin e tyre.

Përfundimi pra është se sa më shumë të rritet pushteti i një individi, ose grup individësh, aq më shumë zhduken vlerat e tyre morale, si njerëz të thjesht dhe si përfaqsues e si pushtetarë. Një krijesë e tillë politike, quhej “kult personaliteti”, në regjimet komuniste! Keqpërdorimi ose abuzimi me pushtetin dhënë një politikani nëse marrim me mend – se i është dhenë nepërmjet votës së lirë, buron, mbi të gjitha, nga dëshira e një pushtetari për të imponuar vullnetin e vet mbi të tjerët, në vend që me durim, të bashkëpunojë me ta, përfshirë pakicën kundërshtare politike, me qëllim për të arritur objektivat madhore në interes të vendit dhe të kombit, nëpërmjet dialogut, proceseve ligjore, politike dhe përfaqësuese të një vendi dhe të një shoqërie.

Por fatkeqësisht, dëshira për përfitime personale dhe partiake si dhe keqdashja ose vullneti i keq i një pushtetari ndaj atyre që ai mund t’i konsiderojë si kundërshtarë të pushtetit të tij, qoftë për arsye politike ose të tjera dallime shoqërore, fetare ose krahinore, duke mos përjashtuar edhe mos aftësinë ose mungesën e kompetencave të nevojshme të një pushtetari të ndershëm për të udhëhequr me moral dhe me drejtësi – janë sipas ekspertëve – arsyet kryesore se pse, në të gjitha kohërat, përfshirë edhe sot — pushtetarët absolutë, pothuaj pa përjashtim, janë edhe absolutisht të korruptuar!

Pothuaj çdo ditë në medien shqiptare nuk mungojnë kryeartikujt në lidhje me mungesën e dialogut politik dhe për arrogancën e shumicës. Të korruptuar ose jo, kur është fjala për pushtetarët e sotëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë kudo në trojet shqiptare, një gjë është e sigurt: Se mungesa e theksuar e dialogut me votuesit dhe arroganca e pushtetarëve në marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me kundërshtarët e tyre politikë, përfshir mos ndëshkimin në kohë të korruptuarve, po e zhdukin njëherë e përgjithmonë ëndrrën dhe shpresën që shqiptarët kishin në mbarim të shekullit të kaluar, se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “shekulli i shqiptarëve”.

Cilat do qofshin arsyet, pushtetarët e korruptuar, mungesa e dialogut ose përçarjet politike – një gjë është e qartë, fatkeqësisht, se nga dita në ditë vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtyre 35-viteve post-komunizëm për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar, në dialog dhe mirëkuptim e respekt me njëri tjetrin dhe si rrjedhim me të tjerët përtej kufijve, në kuadër të integrimeve euro-atlantike. Rasti fatzi i ditëve të fundit në Theth të Malësisë së Madhe dhe dështimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të 47-tën here, për konstituimin e legjislativit të vendit – tregojnë se shqiptarët në përgjithsi sot janë pikërisht – për faqe të zezë – aty ku gjithmonë i ka dashur hasmi – të ndarë e të përçarë ndërmjet veti, në trojet e veta autoktone, politikisht dhe gjeografikisht, dhe larg botës.

Nuk ka më kohë për të humbur! Të gjithë shqiptarët, siç është shprehur dikur edhe At Anton Harapi, duhet t’u tregojnë, “Miqve dhe armiqve, anembanë botës, se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare…Të punojnë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllezërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar… Paçim të vërtetën udhëheqëse, dashuria të na mbajë ngaherë”, ka shkruar ai.

Mënyra më e mirë, që për të gjithë shoqërinë të minimizohen dëmet që vijnë, nga pushtetarët absolutë, të korruptuar, të papërgjegjëshëm dhe të pandëshkuar, tani ose në të kaluarën – është që të gjithë, pa dallim, duhet të gjykohen dhe të vlerësohen bazuar në disa standarde morale themelore universale të drejtësisë, për hir të së vërtetës, të drejtës dhe të integritetit kombëtar dhe të historisë së shqiptarëve. Ushtrimi i pushtetit absolut pra, sipas ekspertëve, jo vetëm që korrupton absolutisht, por është edhe armiku më i madh, me këtë rast, i harmonisë dhe vëllazërimit kombëtar të shqiptarëve, dialogut, mirëkuptimit dhe respektit për njëri tjetrin dhe në shoqëri, në përgjithësi.

Udhëheqsit e vërtetë të një kombi nuk gjykojnë as nuk dënojnë, por frymëzojnë drejtë arritjes së objektivave të përbashkëta bazuar në rrethanat aktuale politiko-shoqërore! Në vend të frymëzimit të dashurisë vëllazore midis shqiptarëve kudo, fatkqesisht, pothuaj në çdo nivel të jetës shqiotare, shohim vetëm urrejtje dhe armiqësi. Kombi shqiptar ka nevojë për një udhëheqës, i cili jep shembull bashkpunimi e tolerance politike, bindë të tjerët të bashkpunojnë me ‘të dhe me njëri tjetrin për realizimin e objektivave madhore në interes të përbashkët kombëtar. Por mbi të gjitha, siç është shprehur dikur ish-Presidenti Amerikan, Dwight Eisenhower: “Cilësia supreme e një udhëheqsi, është dhe duhet të jetë integriteti!”

Filed Under: Ekonomi

Këndvështrim fetar dhe biografik mbi autorin Leone Nigris si paraqitje e librit: “Shënime mbi ngjarjet në Shqipëri”

July 21, 2025 by s p

Dom Vlash Palaj

Famullitar i Shkodrës/

Më 16 tetor të vitit 1938, zbriti në portin e Durrësit, me cilësinë e Delegatit Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Leone Nigris. Kjo nuk ishte hera e parë gjatë atij shekulli që një përfaqësues i Papës vendosej në Shqipëri për të ushtruar misionin e tij apostolik.

Delegati Apostolik gëzon një rol të veçantë në hierarkinë e Kishës, pasi përfaqëson drejtpërdrejt lidhjen me Atin e Shenjtë – garantin e unitetit universal të Kishës Katolike – si dhe me kishat lokale, të udhëhequra nga ipeshkvijtë. Duhet theksuar se, në mungesë të Nunciaturave Apostolike, Delegatët marrin përsipër edhe funksionin e koordinimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet një shteti dhe Selisë së Shenjtë, subjektit të së drejtës ndërkombëtare që përfaqëson Vatikanin. Edhe pse më herët, gjatë shekujve të sundimit osman, kishin mbërritur në Shqipëri vizitorë apostolikë me misione të përkohshme, prania e Delegatit të parë Apostolik shënohet me emërimin në këtë post të priftit misionar Ernesto Cozzi, nga Papa Benedikti XV, në fund të vitit 1920. Ai e ushtroi këtë detyrë deri në vitin 1926, kur ndërroi jetë.

Pas Cozzit, Papati emëroi Delegatë të tjerë – të gjithë nga rajoni i Friulit. Imzot Giovanni Battista della Pietra S.J. shërbeu nga 24 marsi 1927 deri më 19 mars 1936; Imzot Ildebrando Antoniutti mori detyrën nga 15 gushti 1936 deri në mesin e vitit 1938. Shërbimin e Delegatëve Apostolikë italianë e mbylli Imzot Leone Giovanni Battista Nigris (1884–1964), i katërti dhe i fundit Delegat Apostolik i huaj, i cili shërbeu në Shqipëri deri në pranverën e vitit 1945, kur u dëbua nga regjimi komunist si persona non grata. Selia e tyre ndodhej në Shkodër, pranë Kishës Katedrale, në atë ndërtesë që nga populli njihej si “Shtëpia e Delegatit.”

Prania e tyre kishte një rëndësi të madhe për Kishën tonë, pas pesë shekujve të vuajtjeve dhe qëndresës për shkak të pushtimit otoman. Ajo simbolizonte gjithashtu një liri të caktuar besimi dhe mundësinë e një komunikimi të drejtpërdrejtë të prelatëve shqiptarë me Papën.

Të gjithë Delegatët, përveç shërbimit të tyre apostolik dhe diplomatik, u dërguan në Shqipëri nga vetë Papa me një mision të veçantë: për të ndihmuar në ringritjen e të gjitha strukturave kishtare lokale, duke u mbështetur te kleri vendas.

Këto qëndrime profetike të Papatit, në fakt, dhanë shumë fryte. U rithemelua e gjithë hierarkia e Kishës nga kleri vendas. Meshtarë dhe ipeshkvij, sidomos nga Dioqeza e Shkodrës, do të japin kontribut në të gjitha trevat shqipfolëse – si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni.

Pas një shkëputjeje të detyruar prej pesë dekadash nga Selia e Shenjtë, si pasojë e regjimit komunist, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin hapi rrugën për një periudhë të re shprese. Brenda jo më shumë se 35 viteve të një lirie të pjesshme të besimit, Kisha jonë jo vetëm që rifilloi jetën e saj shpirtërore dhe baritore, por edhe dhuroi një numër martirësh , një dëshmi unike besimi dhe qëndrese në historinë e saj.

Plotësohej kështu profecia e At’ Pjetër Meshkallës, e lindur në zemrën e errësirës së persekutimit komunist, kur priftërinj, murgesha dhe besimtarë të thjeshtë u burgosën, u torturuan dhe u vranë vetëm pse nuk hoqën dorë nga feja.

“Kjo është një gjë që na bën unik si komb dhe si Kishë në botë,” do të shprehej ai.

Relacioni i Imzot Leone Nigris më ra në dorë nëpërmjet një tjetër friuliani – të dërguarit të Selisë së Shenjtë për të përgatitur terrenin e rithemelimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Vatikanit dhe Shqipërisë menjëherë pas rënies së komunizmit, në fillim të vitit 1991.

Imzot Diego Causero, pjesë e Prelaturës Apostolike, të cilin pata fatin ta takoj në Udine, ma dorëzoi këtë relacion vetëm me të drejtë leximi, pasi do të publikohej më parë nga Dioqeza e Udines. Dhe në fakt, ashtu ndodhi. Istituto Paschini – Fonti per la Storia della Chiesa in Friuli e botoi atë në vitin 2022 nën redaktimin e Anesti Naci-t dhe prezantimin e Cesare Scalon, botoi relacionet nën titullin:’’Il drama dell’Albania nel racconto del Delegato Apostolico Leone G.B.Nigris (1938-1944)

Relacioni, në këndvështrimin historik, ka një vlerë të madhe, pasi pasqyron ngjarje jo vetëm të Kishës, por edhe të vetë vendit tonë, me një objektivizëm të detajuar dhe të kujdesshëm. Ndërsa në këndvështrimin kishtar ai çalon, pasi Delegati Apostolik, Imzot Leone Nigris, mendoj se nuk ishte figura më e përshtatshme për një detyrë të tillë. Ai shfaqi shenja paragjykimi ndaj Kishës lokale, me tendenca imponuese ndaj prelatëve vendas, duke e vendosur veten mbi ta, ashtu siç shkruante Dom Nikollë Mazrreku, duke iu referuar Atë Fluvio Cordignano S.J.: “…ma nalt ndër sferat e kullueta e të paqta t’Olympit.”

Këto qëndrime autoritare bënë që një pjesë e prelatëve shqiptarë ta anashkaloheshin deri në mospërfillje. Karakteri i tij i prerë dhe shpesh i rrëmbyer, tepër autoreferencial, mund të ketë ndikuar jo vetëm në mospërkrahjen nga ana e disa prej klerikëve dhe personaliteteve vendase të kohës, por edhe nga gjeneralët fashistë, të cilët u treguan indiferentë ndaj deklaratave të tij – ndonëse jo gjithmonë të pabaza – kundër qëndrimeve të tyre.

Duhet pranuar gjithashtu se situata në të cilën Imzot Nigris ushtroi misionin e tij apostolik ishte tejet e ndërlikuar. Pushtimi fashist i komprometonte jo vetëm pozicionin, por edhe figurën e tij si italian, edhe pse një pjesë e mirë e popullsisë – sidomos ajo katolike – e shihte këtë pushtim si njëfarë “shpëtimi”, duke e krahasuar me zgjedhën e gjatë osmane ose me masakrat e fqinjëve serbo-malazezë dhe grekë.

Këtë realitet, duket se e kuptonte edhe vetë Nigris. Edhe pse rrallë e shprehte haptazi, me qëndrimet dhe veprimet e tij linte të kuptohej se nuk shihte alternativë tjetër për mbrojtjen dhe mbijetesën e Kishës Katolike në Shqipëri, përveç bashkëjetesës me pushtimin italian.

Ky qëndrim solli përplasje të dukshme mes tij dhe prelatëve shqiptarë, të cilët, megjithëse ishin të lidhur shpirtërisht me Papën dhe kulturalisht me Italinë, besonin fuqishëm se fati i Shqipërisë duhej të vendosej nga vetë shqiptarët. Përplasje të tilla nuk pasqyrohen vetëm në këtë relacion, por edhe në shumë letra të tjera drejtuar Selisë së Shenjtë, ku shpesh vërehen tone kritike dhe qëndrime negative ndaj klerit dhe ipeshkvijve vendas.

Filed Under: Kulture

E vërteta e vrasjes në Shtoj të Shkodrës, e rilindasit Çerçiz Topulli dhe intelektualit Muço Qulli

July 21, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Në çdo përvjetor të ngjarjeve që kanë shënjuar historinë tonë kombëtare, kujtesa nuk vjen vetëm si një rit ceremonial, por si një thirrje për të ballafaquar të shkuarën me të tashmen. Ka ngjarje që koha përpiqet t’i mbulojë me pluhurin e harresës, por nuk ia del dot, sepse ato bartin peshën e një sakrifice që nuk mund të zbehet, dhe një të vërtetë që nuk mund të fshihet.

Vrasja e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit më 17 korrik 1915 është një nga ato çaste dramatike ku historia merr fytyrën e saj më të ashpër, por edhe më të lavdishme. Ata nuk ishin thjesht dy emra të shkruar në faqet e një libri, por ishin mishërimi i një ideali që nuk kërkoi asnjë shpërblim përveç lirisë së vendit. Në kohë pushtimesh dhe intrigash të egra politike, kur jeta e njeriut vlente më pak se një urdhër gjenerali, këta dy burra qëndruan me dinjitet dhe u përballën me plumbin si me një gjyq të drejtësisë hyjnore.

Atdhetari dhe rilindasi, Çerçiz Topulli

Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, është e pamundur të mos reflektojmë mbi fjalët e Charles de Gaulle: “Për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, duhet të mbajmë gjallë kujtimet e sakrificave që na sollën deri këtu.”

Dhe kur lexojmë rrëfimet e dëshmitarëve të asaj kohe, ndjejmë se këtu nuk kemi të bëjmë me një thjesht kronikë lufte, por me një testament të gjallë të karakterit dhe burrërisë shqiptare. Ata u përballën me fundin e tyre jo si viktima, por si luftëtarë që, edhe në çastet e fundit, nuk iu përkulën armikut.

Kujtesa e tyre nuk na kërkon të thjesht të qajmë të kaluarën, por të kuptojmë se liria, dinjiteti dhe e vërteta janë themele që nuk mund të ndërtohen mbi harresë. Sot, kur përkujtojmë rënien e tyre në Golem të Shkodrës, ne nderojmë jo vetëm dy individë, por një brez të tërë që me gjakun e tij hapi shtigje për një Shqipëri më të drejtë dhe më të lirë.

Ky përvjetor është një ftesë për të mos harruar: se historia nuk është vetëm e atyre që e shkruajnë, por sidomos e atyre që e jetuan dhe e vulosën me jetën e tyre.

Si çdo vrasje e këtij kalibri, edhe kjo e këtyre dy personazheve me peshë, do të vinte me kohën të interpretohej një mënyra dhe pretendime të ndryshme të së vërtetës. Por falë dëshmitarëve që jetuan atyre kohëve të trazimta, thjeshtësisë dhe vërtetësisë, me të cilën ata rrëfejnë këtë ngjarje, ne kemi mundësinë të njohim të vërtetën dhe të ballafaqohemi me faktet.

Sejfi Vllamasi në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri” shkruan mes të tjerash për një nga vrasjet e bujshme të asokohëshme. Më 17 korrik 1915 u pushkatuan në fshatin Golem të Shkodrës atdhetari dhe veprimtari i shquar Rilindjes Kombëtare, Çerçiz Topulli dhe intelektuali Muço Qolli.

“Mua më thirri gjeneral Veshoviq, nis rrëfimi, me porosi që të marr edhe diplomën me vete. Pasi e kontrolloi me vërejtje m’i nguli sytë e tij prej krimineli në bebëzën e syrit dhe më tha: “Ik, se të thërras kur të kem nevojë”. Kështu, pasi Bashkia kishte nevojë për veterinar, ashtu edhe ai vetë, më la të lirë. Të gjithë të arrestuarit u nisën për Cetinë. Më 16 korrik, bashkë me Hamit Gjylbegun shkuam në kazermë, ku takohemi me toger Halimin prej Peje, oficer në ushtrinë malaziase i cili na tha: “Çerçizi me Muço Qullin janë në kazermë”. Halimi ishte i mërzitur dhe na shtoi, “Pritet të vijë major Bahri Begolli, adjutant i kral Nikolës. Në qoftë se majori vjen sonte, të dy të burgosurit kanë shpëtue”. Mjerisht, Bahri Begolli u vonua dhe natën e 17 korrikut, duke u gdhirë, patrioti dhe trimi legjendar Çerçiz Topulli me Muço Qullin u pushkatuan në fushë të Shtoj, afër katundit Golem, prej një toge ushtarake malaziase. Vrasjen e tyre me hollësi e morëm vesh në janar të vitit 1916, kur hyri ushtria austriake në Shkodër. Qysh atë ditë, si dy shokë të ditëve të zeza e të pandarë, prapë bashkë me Hamitin kaluam nëpër Golem, ku hasëm rastësisht një të quajtur Mahmut Golemi, i cili, kur ia treguan shkakun e vizitës, na u përgjigj si vijon:

“Natën e së premtes, natë ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë.

Intelektuali Muço Qulli

Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kisha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”. Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë. Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropës gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm. Gjeneral Veshoviq kishte vrarë më se 2.000 shqiptarë në atë kohë nga malet e rrethet e Shkodrës e të Kosovës. Kështu mori fund jeta e Heroit të Mashkullorës, pa mundur të hakmerrej nga armiqtë e kombit shqiptar. Çerçizi u vra me nxitjen e Tozlit, tregtar grek në Shkodër, për ta marrë hakun e peshkopit grek që e kishte varë Çerçizi bashkë me Mihal Gramenon në Guri i Cjapit më 1907 për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, vrarë nga grekët në Selanik. Muço Qulli u vra si austrofil.

Filed Under: Kronike

INTELIGJENCA ARTIFICIALE DHE SFIDAT NË ARSIM

July 21, 2025 by s p

Avzi MUSTAFA/

Në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar një sociolog i së ardhmes, Allvin Toffler, u paraqit me librin me titull “Shoku i Ardhmërisë”. Meqë ky libër ishte përkthyer në gjuhën kroate, e lexova me shumë vëmendje dhe erdha në përfundim se qëllimi i këtij futurologu ishte përgatitja e një shoqërie të re, ku do të dominonte një “revolucion super industrial”, një zhvillim i fazës “super industriale”, e cila do ta ndërrojë shoqërinë e vjetër. Kjo më ktheu në kohën e Manifakturës në Angli, kur në një fazë të zhvillimit ekonomik – gjatë periudhës para Revolucionit Industrial në shekullin e 18-të – sistemi i prodhimit të mallrave me dorë ose me mjete të thjeshta dhe përdorimi i makinave e zëvendësoi punën me dorë dhe këto makina ua “hëngrën kokën” shumë punëtorëve. Megjithatë, e ngushëlloja veten se me këtë revolucion teknologjik do të specializojë çdo punëtor, për ta kryer një pjesë të veçantë të procesit të ndonjë prodhimi në mënyrë cilësore dhe në kohë më të shpejtë.

Pas shumë vitesh, sot shohim se gjithçka që na intereson, çfarëdo informate, mund ta marrim vetëm për disa sekonda, t’i bëjmë detyrat matematikore, t’i japim karakteristikat e një heroi në një roman, të kërkojmë ndonjë ese për mësuesin, natyrën etj., qoftë në formë të shkruar apo gojarisht.

Një prej faktorëve më të dukshëm që jemi mësuar ta zhvillojmë në mënyrë të planifikuar nëpërmjet të mësuarit në shkollë është duke e zhvilluar trurin. Truri i njeriut është qendra për zhvillimin e ndërgjegjes dhe inteligjencës si asnjë pjesë e organizmit të njeriut. Andaj edhe lind pyetja se, pas të gjitha këtyre lehtësirave që na vijnë si sihariq nga inteligjenca artificiale, a do të jetë më turi i njeriut me të vërtetë qendra e inteligjencës së njeriut, siç kemi ne bindjen tonë, apo do të humbet inteligjenca kreativiteti dhe ndjenjat, si monopol i njerëzve? Apo kjo do të kalojë në dorë të një grupi që do të ketë monopol dhe në bazë të algoritmeve të padukshme do ta drejtojnë jetën tonë të përditshme dhe do të ndikojë në shëndetin dhe funksionin tonë?

Inteligjenca artificiale është një fushë e gjerë dhe heterogjene. Duke ndjekur atë që shkruhet, si dhe duke i ndjekur paralajmërimet nga ekspertët e kësaj teknologjie, vërejmë se ajo kohëve të fundit po merr një zhvillim dhe përdorim të madh dhe në të derdhen po shuma të mëdha,

Si duhet ta shikojmë të ardhmen? Për këtë problem kanë dhënë mendime shumë studiues. Njëri prej tyre është edhe Fukuyama, në veprën e tij të famshme “Post njeriu ynë dhe teknologjitë”, ku thotë se “teknologjitë që janë të afta të riformojnë atë që jemi” mund “të kenë pasoja malinje për demokracinë liberale dhe për vetë shoqërinë”. E thënë thjesht, teknologjitë që prekin “specifiken njerëzore” potencialisht mund të ngrejnë shqetësime legjitime për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ekzistencës njerëzore. Të paktën atë lloj ekzistence që ne si shoqëri jemi mësuar”.

Në fund të fundit, edhe mendja e njeriut, do të thotë Harari, është një objekt i formësuar nga historia dhe biologjia dhe, si e tillë, u nënshtrohet manipulimeve të ndryshme. “Kjo mund të na çojë në përfundimin se “produktet e mendjes” gjithashtu nuk janë të lira nga prangat e manipulimit.

Por ka edhe të tillë, si Hawking-u, i cili thotë se ai “përfaqëson një rrezik real për vetë njeriun, ose më mirë se zhvillimi i tij do të çojë në zhvillimin e një “forme të re të jetës”.

Jam qenë më se i bindur se ndryshimet në botë i bëjnë krizat ekonomike, rënia dhe ngritja e fuqive të mëdha, ndryshimet klimatike dhe në njëfarë mase edhe teknologjitë. Por, shkenca nëpërmjet ose nën ndikimin e teknologjisë së përparuar, bëhet pjesëmarrëse në atë që Joseph Schumpeter-i, në punim të tij të vitit 1942, do të thotë se “me teknikën dhe teknologjinë, shoqëria do të jetë në një cikël të vazhdueshëm të ‘shpikjeve dhe rishpikjeve shkatërruese’, që do të jetë ‘lëndë djegëse’ të kapitalizmit bashkëkohor”.

Sot po shohim se pothuajse çdo shkencë është e interesuar ose e “tërhequr” në këtë proces të “shkatërrimit të paqartë” të “ndërtimit të paqartë”. Ato pajtohen se teknologjitë e IA-së “përdorin aftësi të tilla – të zotëruara më parë vetëm nga njerëzit – si njohuri dhe perceptim, për të zgjidhur detyra të përcaktuara ngushtë (duke përdorur teknologjinë siç ekziston sot).

Sot, në shumë sfera, jemi dëshmitarë të kontributit të madh të teknologjive që lidhen me inteligjencën artificiale, të cilat i lehtësojnë dhe përshpejtojnë së tepërmi shumë aktivitete të përditshme, duke e ngritur cilësinë e jetës në një nivel më të lartë. Por, nga ana tjetër, është pikërisht rritja e shpejtë dhe mundësitë disi të pakufizuara të IA-së ato që i inkurajojnë jo vetëm shkencëtarët dhe ekspertët, por edhe filozofët, humanistët, shkrimtarët dhe regjisorët e filmit të imagjinojnë se si zhvillimi dhe bashkëpunimi i njeriut dhe i makinës mund t’i shërbejë njerëzimit. Por, ata shpesh parashikojnë gjërat më të errëta në botë, të cilat mund t’i shkatërrojnë skenat apokaliptike njerëzore.

Tani, kur jemi përballë ndryshimit të paradigmave të jetës njerëzore, shkolla nuk mund të qëndrojë mënjanë, por thirret të japë dëshminë e saj të besimit, shpresës dhe dashurisë, duke shpallur trurin e njeriut në gjumë.

Në këtë punim, ne i përshkruajmë disa nga skenarët për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e udhëzimeve etike për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces, si dhe mënyrën se si mësimet në shkollë t’u përgjigjen sfidave etike që i paraqet njerëzimit nga inteligjenca artificiale. Është shkruar se inteligjenca artificiale përfshin një gamë të tërë fushash, nga perceptimi dhe arsyetimi logjik, e deri te detyrat specifike të vërtetimit të teoremave matematikore. Duke vepruar kështu, ata duket se duan ta eliminojnë rrezikun real të teknikës së njeriut, në vend që teknologjia të humanizohet. Pikërisht në kushte të tilla zhvillohet debati për raportin e “inteligjencës artificiale” dhe trurit biologjik.

Kështu, edhe sot, përballë sfidave të reja të inovacioneve shkencore dhe teknologjike, shkolla, përveçse kujton se inovacioni digjital dhe përparimi teknologjik duhet të kontribuojnë në gjitha sferat e jetës shoqërore, ky inovacion gjen zbatim dhe përdorim me të madh në sferat e marketingut dhe ekonomisë. Në një mënyrë, shkencat ekonomike si duket kërkojnë njëfarë autonomie dhe shkëputje nga politika, e sidomos nga etika.

Zhvillimi i shpejtë i kësaj teknologjie pa bërë analiza se si mund të ndikojë ajo së pari në zhvillimin e shoqërisë, po bëhet gjithnjë më i egër, pa humanizëm e pa kontakte ndërmjet reale mes njerëzve. Sot komunikimi është shndërruar në pëlqime (Like), duke numëruar sa “fansa” janë regjistruar, me të cilët kurrë nuk ke pirë kafe nuk e ia di as edhe fytyrën. Çfarë ke mësuar na ai? Çfarë do mbetet në shpirtin tonë dhe çfarë ndjenjash do të posedojmë? Jemi dëshmitarë se platformat digjitale tëra i prangosin fëmijët të qëndrojnë me orë të tëra para kompjuterëve e celulareve.

Tani nxënësi duhet të mësojë ta zhvillojë personalitetin e vet duke e zbuluar atë që shkenca ia ka zbuluar, duke kërkuar metodat e metodologjitë e strategjitë sesa më shumë të dijë, të ngjallë interes për të hyrë në botën e fshehtësive, për ta zhvilluar imagjinatën, për të komunikuar, për të krijuar miq, për ta zhvilluar humanizmin, për t’i përjetuar gjerat, për t’u gëzuar etj.

Unë nuk jam kundër që edhe IA të mund të përdoret si një mjet didaktik në procesin mësimor aty ku e kërkon nevoja, por jo të zëvendësojë gjithçka dhe të jesh i varur nga kjo. Tani shihet se IA po ecë me hapa shumë të mëdhenj, ku shihet qartë një zhvillim i madh ndërmjet të mësuarit logjik dhe inteligjencës artificale.

Nëse këto dy lloje të mësuarit nuk zhvillohen paralelisht, ajo do të duket ashtu siç e ka thënë Platoni, për të cilin e vërteta do ishte si një “fushë” drejt së cilës skuadra e shpirtit lëviz me dy kuaj, nga të cilët njëri është i vdekshëm dhe tjetri i pavdekshëm, njëri përfaqëson shqisat tona dhe tjetri mendjen, kështu që sapo të mbërrijnë në atë “fushë të së njëjtës”, ata fillojnë të zbulojnë peizazhe të reja (Platoni, Phedrus).

Njerëzit kanë aftësi për të mësuar nga neuronet që gjenden në trurin tonë, të cilat janë të programuara. Për shembull, për t’i njohur fytyrat, duke i parë ato nga këndvështrime të ndryshme gjatë një periudhe kjo zgjidhet ekskluzivisht nga njerëzit. Teknologjia e IA-së përdoret për t’i ndihmuar njerëzit të zgjidhin detyrat më shpejt dhe në mënyrë më efikase dhe për këtë arsye konsiderohet një mundësi për përmirësim dhe rritje të efikasitetit, por atë e bën nëpërmjet algoritmeve. Kjo do të thotë se njeriu duhet të udhëhiqet sipas tyre, pra ai duhet t’u bindet udhëzimeve se kah duhet të shkojë.

Sidoqoftë, inteligjenca artificiale i ka zënë të gjitha sferat e jetës dhe me ritme shumë të shpejta. Por, në sferën e arsimit kjo dukuri teknologjike shikohet me një dozë të madhe të shqetësimit. Ja disa nga arsyet e kësaj:

– IA do të na shpijë në varësi teknologjike dhe do të ndikojë në reduktimin dhe motivimin e nxënësve për të menduar në mënyrë të pavarur dhe kritike;

– Është e ditur se nxënësit shumë shpejt i përvetësojnë risitë teknologjinë kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave, andaj pa humbur kohë do t’i referohen inteligjencës artificiale;

– Me këtë teknologji gjithsesi do të humbet përqendrimi, vëmendja dhe kreativiteti;

– IA e ul aftësinë e të kuptuarit dhe të shkruarit;

– Nuk ka nocione të njëjta me atë që mësojnë në shkollë nga librat me nocionet që i përdor inteligjenca artificiale (p.sh.; për shkronjat e gjuhës shqipe, që nxënësit i kanë mësuar si terma alfabeti, tani do të përdorin si bashkësi me një simbol X);

– Do të kemi një mbivlerësim të atyre që e përdorin këtë teknologji nga ata që janë origjinalë, që mendojnë vet;

– Do ketë ngecje në debat në mes atyre që kanë mësuar nga librat dhe atyre që kanë gjetur material për veprimtari aktive dhe zgjedhje situatash problemore.

– Shtrohet pyetja se a janë të vërteta informacionet që janë marrë nga inteligjenca artificiale?;

– Personalizmi: mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë për një mësues të kuptojë se si t’i përmbushë nevojat e të gjithë nxënësve në klasë;

– Përdorimi i IA-së shpreh mungesën e kontaktit empatik;

– Privatësia dhe siguria e të dhënave: të dhënat personale të nxënësve, hyrja tek informacioni, autorësia janë të pambrojtra.

Përdorimi edukativ i inteligjencës artificiale është një temë që na shqetëson, andaj me të drejtë Chiara Panciroli, profesoreshë në Departamentin e Shkencave të Edukimit të Universitetit të Bolonjës do të shprehet se: “Ajo prek edhe mësuesit, stafin administrativ, drejtuesit, familjet: të gjithë aktorët e sistemit shkollor”.

Tani ia parashtroj vetes një pyetje retorike: a thua vallë si u arrit në civilizimin egjiptian gjithë ajo trashëgimi kulturore? Për këtë temë është zbuluar dhe është shkruar nga shkencëtarë të ndryshëm, ndërsa çdo ditë po zbulohen edhe gjëra të reja. Ja si do të jetë përgjigja sipas një legjende mitike egjiptiane: kur perëndia egjiptian Thoth e zbuloi artin e të shkruarit, ai ia prezantoi me gëzim të madh atë mbretit Thamus, duke pretenduar se shkrimi do t’i bënte njerëzit më të mençur dhe do të përmirësonte kujtesën e tyre. Megjithatë, Thamusi nuk u pajtua dhe tha se të shkruarit në fakt do ta dobësojë kujtesën, pasi njerëzit do të mbështeteshin në të dhënat e shkruara në vend që ta ushtronin mendjen e tyre. Në vend të urtësisë së vërtetë, njerëzit do të kenë vetëm një dukje njohurie, pasi ata do ta mbajnë mend informacionin, por nuk do ta kuptojnë ose nuk do ta përvetësojnë plotësisht atë .

Photo credits: https://profuturo.education/en/observatory/approaches/

Filed Under: ESSE

VAJTOJNË RRËNOJAT E MUREVE PËR ÇAMËT E MASAKRUAR

July 21, 2025 by s p

Thanas L. Gjika/

(Vlerësime për librin ODE PËR TEMPUJT QË NUK U HARRUAN)

Gjatë historisë mijravjeare dy popujt fqinjë të gadishullit Ballkanik, shqiptarët dhe grekët kanë pasur fat të njëjtë. Jetuan nën Perandoritë Romake, Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Osmane. Mirëpo pas 25 vjet nga formimi i shtetit të pavarur grek në klasën e tij sunduese u krijuan disa qarqe shoviniste të cilat formuluan ideologjinë “Megali Idhea” për formimin e një Greqie të madhe ku të futeshin edhe ish-kolonitë e lashta helene. Nga njëra anë mohohej ndihma bujare që dhanë luftëtarët arbërorë dhe çamë në luftën për lirinë e Greqisë dhe nga ana tjetër luftohej t’u ndërrohej identiti kombëtar shqiptarëve ortodoksë në grekë. Shpallja e kufijve të Shqipërisë në vitin 1913 prej gjashtë Fuqive të Mëdha e zemëroi qeverinë greke, sepse ajo përveç krahinës pjellore të Çamërisë, që iu dha padrejtësisht, ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë, donte që t’i jepeshin edhe krahinat e Korçës, Përmetit, Gjinokastrës dhe Sarandës, të cilat i kishte pushtuar gjatë Luftës Ballkanike në tetor-nëntor të vitit 1912. Në vitin 1914 Fuqitë e Mëdha i dhanë urdhër qeverisë greke që t’i lironte tokat e pushtuara që i ishin njohur shtetit të ri shqiptar. Atëhere forcat ushtarake greke bënë masakra ndaj popullsisë shqiptare në fshatra të Korçës, Përmetit, Gjinokastrës dhe Sarandës.

Mbas shpërthimit të Luftës së parë Botërore (LIB) ushtria greke i ripushtoi përsëri krahinat e Shqipërisë së Jugut. Ushtria italiane dhe ajo franceze, që hynë në këto territore, e detyruan ushtrinë greke të largohej prej aty. Edhe ky largim i tyre u shoqërua me masakra të reja, vrasje njerëzish të pafajshëm, djegie shtëpish e pronash, shembje urash, etj. Babait të këtyre radhëve ia dogjën shtëpinë në fshatin Trebickë të zonës së Vakëfeve, me kryeqendër Vithkuqin. Qeveria shqiptare mbas LIB kishte shumë probleme të brendshme dhe nuk e ngriti problemin e këtyre masakrave në Lidhjen e Kombeve. Përmasat e këtyre masakrave ishin KRIME NDAJ NJERËZIMIT, por qeveria greke nuk kërkoi kurrë të falur dhe nuk dha llogari.

Nga ana tjetër popullsia shqiptare e Çamërisë, e cila iu dha Greqisë, u trajtua edhe më barbarisht. Qeveria greke ndoqi ndaj popullit shqiptar të kësaj krahine politikën e përçarjes dhe të genocidit: çamët myslimanë i quajti turq dhe filloi t’i keqtrajtonte, kurse çamët e krishterë orodoksë i quajti grekë për hir të besimit të përbashkët fetar. Mbasi Greqia humbi në luftën Turko-Greke (1919-1922) u detyrua, kur u bë paqja në vitin 1923, të bënte këmbim të popullsisë. Qeveria greke tërhoqi popullsinë greke nga brigjet perëndimore të Turqisë dhe dërgoi në Turqi banorët turq që kishin mbetur në Greqi. Këtë proces këmbimi të popullsisë fqinji ynë e shfrytëzoi për të dërguar me dhunë në Turqi shqiptarët myslimanë të Çamërisë. Por këtë shpërngulje të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga trojet stërgjyshore, qeveria greke u detyrua ta ndërpriste mbas disa muajsh, sepse e detyroi Lidhja e Kombeve mbas ankesave që bëri qeveria shqiptare.

Gjatë LIIB, Italia Fashiste mbasi pushtoi Shqipërinë sulmoi Greqinë në tetor 1940, por populli patriot grek dhe ushtria qeveritare greke e mposhti ushtrinë itliane dhe e ndoqi përtej kufirit të saj veri-perëndimor. Mirëpo duke pushtuar krahinat e Shqipërisë së Jugut ajo e ktheu luftën çlirimtare në luftë pushtuese. Kësaj here ushtria greke nuk mundi t’i mbante të pushtuara trojet shqiptare, sepse Gjermania Naziste, aleatja e Italis Fashiste, shumë shpejt e pushtoi Greqinë, dhe krijoi aty një qeveri kolaboracioniste në shërbim të pushtuesve nazistë, të cilët nuk donin cënimin e trojeve të Shqipërisë.

Në fund të LIIB, gjatë muajve qershor 1944 – mars 1945, forca ushtarake greke, të drejtuara nga kolonel Napolon Zerva e disa kolegë të tij, pa marrë urdhër nga qeveria qendrore, kryen masakrën më të madhe kundër popullit shqiptar të Çamërisë. Prej myslimanëve shqiptarë të kësaj krahine u vranë mbi 2.500 burra, gra, nuse e fëmijë dhe përzunë me përdhunë pjesën tjetër mbi 30.000 çamë myslimanë, të cilëve ua dogjën shtëpitë dhe ua konfiskuan pronat. Kurse pjesën e krishtere të çamëve, rreth 30.000 banorë, e detyruan të mbyllte gojën për të shpëtuar nga keqtrajtimi. Edhe banorët grekë të Çamërisë mundën të ndihmonin shumë pak fqinjët e tyre të vjetër, sepse edhe ndaj tyre u mbajt një qëndrim kërcënues.

Në këtë kohë Shqipëria po delte nga LIIB e varfër dhe e shkatëruar, pas luftës që kishte kryer kundër pushtuesve italo-gjermanë dhe luftës midis forcave të brendshme antifashiste, forcave të “Nacional – Çlirimtares” dhe “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”. Në këtë situatë Partia Komuniste që mori pushtetin duke qenë pa përvojë qeverisjeje, dhe e trembur se mos humbte pushtetin, nuk e bëri problem masakrimin e popullsisë së Çamërisë. Ajo i priti e i sistemoi të shpërngulurit si mundi në toka pa pronarë, shumica toka rranishte në bregdet, ose në disa qytete si Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani e Tirana. Ajo nuk ndoqi një politikë shoviniste ndaj minoritetit grek, rreth 20.000 banorë, që jetonte në fshatrat e krahinave Sarandë, Gjinokastër e Përmet. Nuk i dëboi banorët grekë të minoritetit që të sistemonte në shtëpitë e tyre muhaxhirët e ardhur nga Greqia. U dha minoritarëve grekë të drejtat që kanë minoritetet e huaja në shtetet europiane: shkollim falas në gjuhën amëtare, gazetë dhe emisione radiofonike në greqisht, etj. Të tilla të drejta shqiptarët e Çamërisë nuk i gëzuan kurrë që nga viti 1913, po ashtu edhe çamët e krishterë që qëndruan në Greqi pas marsit 1945 nuk i gëzuan këto të drejta. Këta u dhunuan që të mos e flisnin gjuhën amëtare nëpër oborret e shkollave e as në rrugët e qyteteve e të fshatrave të tyre. Këtë politikë shoviniste ndjek edhe sot qeveria greke, qeveria e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, jo vetëm ndaj banorëve të vjetër shqiptarë të Çamërisë e të fshatrave të Gramozit, por edhe ndaj shqiptarëve të rinj emigrantë që shkuan atje për të punuar mbas ndërrimit të regjimit më 1991-1992.

Vitet 1991-2025, vite kur populli shqiptar në Ballkanin Perëndimor po ecën drejt forcimit ekonomik, moral dhe politik, janë vite kthese edhe për ndërgjegjësimin e shqiptarëve dhe të grekëve, si dhe të opinionit botëror për kërkesat që u duhen bërë qarqeve shoviniste të qeverisë greke ndaj masakrave që u janë bërë në të kaluarën shqiptarëve të Shqipërisë së Jugut dhe të Çamërisë, si dhe ndaj të drejtave të emigrantëve të rinj.

* * *

Plagën e madhe që shkaktoi ushtria greke nën komandën e Kolonel Zervës me shokë në qershor 1944 – mars 1945, trajton libri i ri i poetit dhe prozatorit të talentuar Luan Rama “ODE PËR TEMPUJT QË NUK U HARRUAN” botim i ALBAS, Tiranë, 92 f. Këtë masakër në vitet 1944-1945 e kanë dënuar dhe disa intelektualë të ndershëm të minoritetit grek të Shqipërisë. Midis tyre po përmend ish-pjesëmarrësin e Luftës Antifsshiste në radhët e forcave partizane shqiptare, të paharrueshmin Vasil Nathanalili, ish-ambasador i Shqipërisë në disa vende dhe ish-zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme të RPSh-së.

Për nga lënda letrare ky libër ka karakter mozaik. Brenda tij janë përfshirë disa gjini letrare. Ai hapet me një hyrje – prolog, ku shpaloset thelbi tematik e problematik që do të trajtohet.

Autori do të ishte ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1997-2001, dhe fshfytëzoi rastin për të vizituar disa herë Greqinë, ndali në Filat, qytetin ku kishte jetuar brez pas brezi familja e nënës së tij. Shikoi me vëmendje mbeturinat e mureve, të portave e dritareve me harqe, fotografi të varura në mure; fikun dhe pusin në oborr, e më tej ullinjtë e lashtë… Iu ngjallën emocione shqetësuese. Në veshët e tij nisi të dëgjojë rënkime, klithma e të qara, që kishin përjetuar ato ambjente gjatë kohës së masakrës.

“Harqe guri, porta të mëdha guri, dritare të shqyera ku era fryn trishtueshëm. Magje të braktisura, çati të rëna e të thyera nga gjëma e madhe dhe një copëz qiell i vetmuar, i ngrënë, i vrarë. Era fryn nëpër shkurre, mbi gurë të latuar dhe puse të harruar, mbi trarë të përmysur në këtë shembje të jetës dhe të botës në Çamëri. Një fotografi e zbehur dhe e përbaltur, një foto dasme mbetur në një rrenojë rrëzë murit… Lugë të ndryshkura dhe të vetmuara që prisnin gojët e tyre. E papritur, në heshtjen e madhe, një këngë e vjetër dëgjohet. Këngë e shpirtit, këngë e popullit të handakosur e të vrarë. Kënga, që dhe në rrënoja dhe varre, për dekada me radhë, ka jetuar dhe vazhdon të jetojë. Shpirti i popullit nuk mund të heshtë. Eshtë kënga që i këndon masakrës, është vaji i një jete të humbur, që nuk do të harroje tragjedinë e vet…

Eshtë rrëfimtari, i vdekuri i gjallë, ai që lëviz mes gërmadhash dhe me shpirtin e dhimbur sheh katakombet e një jete të dikurshme. E kështu nis të rrëfejë, të na tregojë…”

Vepra vijon me një poemë të tipit ODE (lloj i gjatë i këngës solemne të kohës antike, e ndarë në strofa të gjata, ku u këndohej me tekst e muzikë ngjarjeve të mëdha historike, bëmave të njerëzve të shquar në luftra, ose në gara olimpike, por këtu u këndohet përmes alegorisë dhe kontrastit jetës së dikurshme të popullit të Çamërisë dhe katastrofës reale që poeti sheh me sytë e tij). Vargjet poetike burojnë nga shpirti i trazuar dhe i revoltuar:

“Çdo natë nga rrënojat hijet ngrihen,

duke shkundur pluhurin e tragjedisë.

Hijet nuk kanë vdekur,

nuk kanë heshtur gjithashtu,

janë të vrarët, të masakruarit, të handakosurit,

diej të shuar që shndrisin ende….

Gurët tanë që nuk heshtin,

që flasin me gjuhën e erës dhe të mallit,

gjuhën e lumit që shkon poshtë kodrinës,

ku Hadi gurgullon gurë përrallash të vjetra,

aromë dheu, livande dhe borziloku.”

Dhe renditen njëra pas tjetrës disa nga tragjeditë që përjetuan çamët myslimanë, njerëz të talentuar, që kishin krijuar qyetetërimin e Epirit të lashtë e të ri: ustallarë, bahshevanë, bukëpjekës, marangozë, dervishë e varrmihës që i vunë të mbulonin të masakruarit; nëna me fëmijë, nuse shtatzëna që i vranë duke ua çarë barkun me bajonetë, si dhe bardë të këngës, të cilëve ushtarët grekë ua mbyllën gojën me dheun e etërve, por ata prapë këndojnë në errësirën e natës. Shkuan 80 vjet nga pritja e gjatë dhe krakëllimat e korbave u shuan bashkë me duhitë e hakmarrjes. Tani, shton poeti, “harabelat e paqes u shfaqën përsëri, cicëruan emrat tanë si të ishin evlatë të shenjtë, që nuk na harruan. Malli ynë do të bëhet shteg i bukur mbushur me jargavanë”, gjë që e ndihmon autorin të bëhet optimist për të ardhmen:

“Dhe atëhere, në pranverën e re

përtej errësisrës, sytë tanë do të shohin fytyrën e ardhmërisë,

gjaku do t’i risjellë lulkuqet e tij me hapat e pinjollëve tanë

dhe dielli do ta largojë brymën e errët dhe zinë.

Perëndimi do të shkëlqejë me njeqind tone të së kuqes

të dasmave që do të vijnë.”

Optimizmi për një të ardhme paqësore vijon me një prozë poetike, ku theksohet se Çamëria po mbushet me lule, se: “Diçka pritet të vijë. Një tjetër këngë për atë që do të vijë, që jeta përsëri të bulëzojë dhe që ustallarët e rinj të rivijnë, të ringrenë muret, të hedhin çatitë e reja, të mbjellin mëllaga e manxuranë e t’i gëzohen jetës me fqinjët e tyre të lashtë.”

Optimizëm, të cilin e ka ngjizur dhe një këngëtar popullor nga Picari i Filatit: “Të lamë lule pa petale / Çamëri / po do vijë dita e prap do ngjallesh / moj peri.” (f. 71)

Vend më vete zë një tregim artistik i titulluar “Përtej Qafës së Botës” të cilin autori e ka thurur mbi gjarje të vërtetë të zonjës Fero Avduli nga Filati, një çame e përndjekur prej ushtrisë greke nga shtëpia e bukur dhe tokat stërgjyshore, për të vetmin “mëkat” se nuk ishte greke, se nuk ishte shqiptare ortodokse, që mund të quhej greke, po ishte thjesht shqiptare myslimane, që fliste gjuhën e të parëve. Pra i përkiste pjesës së popullit shqiptar, të cilën shovinizmi grek e kishte shpallur armike dhe e kishte luftuar egërsisht që nga koha e krijimit të “Megali Idhesë”.

Pas tregimit vijon një prozë politike-filozofike ku Luan Rama shpalos politikën shoviniste të ndoqi qeverisë greke edhe pas viteve 1991-1992. Kur Shqipëria ndërroi regjimin, populli shqiptar filloi të emigronte nëpër botë, edhe Greqia i hapi kufijtë për shqiptarët, sipas porosisë së ShBA-ve dhe BE-së. Populli i thjeshtë ua hapi shtëpitë emigrantëve, por qarqet shoviniste nuk lejuan që çamët e dëbuar nga bajonetat e kolonel Zervës, të shkonin në Çamëri për të vendosur tufa me lule mbi varret e të parëve të tyre, për të parë rrënojat e shtëpive, tokat, vreshtat, ullishtet…

Këtë tragjedi të re autori e titullon: “Dante dhe Shekspiri nuk do ta kishin imagjinuar se mund të ndodhte në shekullin e XX-të”, por për çudi të shqiptaëve kjo ndodhi dhe po ndodh edhe në shek e XXI-të. SHBA-të dhe BE-ja kanë bërë shumë pak për ta emancipuar qeverinë greke në këtë drejtim. Autori, si diplomat kufizohet duke kërkuar që qeveria greke të kërkojë “pardon”, por lexuesit mendoj se dëshirojnë që aleatët tanë ShBA dhe BE t’i imponojnë kësaj qeverie, ashtu si dhe qeverisë serbë, që masakrat ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë nga pala greke, dhe ato ndaj shqiptarëve të Kosovës nga pala serbe, të dënohen, sepse mosdënimi është krim i ri.

Libri mbyllet me pjesën kujtime. kujtime rrëngjethëse, dëshmi gojore të mbledhura nga çamër konkretë me emra e mbiemra, burra e gra, që e përjetuan përndjekjen. Këto dëshmi autori i ka marrë nga libri “Kongresi Antifashist çam” botim i Shoqatës Patriotike Çamëria, Tiranë, 2018, ose nga gazeta “Dielli”, 2025, organ i Federatës Pan Shqiptare Vatra të Amerikës.

Pjesa ilustruese Album është e shpërndarë nëpër faqet e librit. Në këto fotografi riprodhohet aktori i talentuar Alfred Trebicka duke recituar poemën “ODE për tempujt që nuk u harruan” në ambjente të ndryshme, herë mbështetur në muret e rrënojave, tek ndonjë portë me qemer, ara me ullinj, dritare të shqyera, etj. Sytë e tij të mëdhenj, mimika shumë shprehëse, trupi i bëshëm i veshur me një xhamadan pjesë e veshjes së burrave çamë, të emocion. Lexuesit i duket sikur dëgjon vargjet e poemës, sikur shikon çamët duke ikur të raskapitur e të stërmunduar. Ai na kujton bardët e lashtë, por që nuk reciton trimërira heronjsh, por bëma kriminale të ushtrisë greke me kolonel Zervën në krye.

Paisja e veprës me lloje të ndryshme letrare e sidomos albumi është një arritje e re në letërsinë tonë. Por mendoj se kjo arritje mund të ishte shpënë më tej duke e pajisur veprën me një DVD, ku të ishte filmuar aktori duke recituar në ambjentet konkrete të masakrës.

Mosdënimi i masakrës së ushtrisë greke të viteve 1944-1945 bashkë me moslejimin e pasardhësve të viktimave të shqiptarëve çamë për të vizituar arat dhe trojet e të parëve, si dhe pronat e tyre, dënohen prej Luan Ramës si turpe të qeverisë greke, anëtare e BE-së dhe në një letër të hapur drejtuar Shkëlqesisë së Tij Micotaqis, Kryeministër i Greqisë, më 14 korrik të këtij viti dhe botuar në shumë gazeta online apo në median e shtypur “Telegraf” ku i kërkon që ai ta shlyejë këtë turp. Në një ribotim ship a në gjuhë të huaj, kjo letër vlen të riprodhohet brenda librit…

Si përfundim, kjo vepër e re e poetit dhe prozatorit të talentuar Luan Rama, do të ndikojë ndjeshëm në emancipimin e politikanëve grekë dhe shqiptarë, të cilët nuk kanë bëraë sa duhet për dënimin e masarës së Çamërisë. Madje pala greke ka kërkuar me paturpësi që të mohohet ekzistenca e toponimit “Çamëri” dhe e emrit “çam” si banor i asaj krahine të njohur historikisht.

Federata Pan Shqiptare Vatra ka një vit që ka marrë për detyrë të mbështesë çeshtjen çame, duke sensibilizuar opinionin shqiptar e botëror mbi të drejtat e popullit shqiptar të Çamërisë, prandaj sugjeroj që kjo shoqatë atdhetare, partnere me Departamentin e Shtetit Amerikan, të ftojë autorin e të organizojë promovime të këtij libri në New York e në disa degë të saj.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT