• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar

July 3, 2025 by s p

Julika Prifti/

Kur Radio Tirana më kërkoi të shkruaja një emision të plotë për Bajronin në vitin 1986, nisa të hulumtoj me dëshirë dhe kureshtje të madhe. Mblodha materiale në disa gjuhë, përktheva dhe krijova skena si për një dramë më vete. Më në fund, mbeta e kënaqur nga puna ime edhe nga komentet për emisionin që u pëlqye shumë nga dëgjuesit. Ndjenja e kënaqësisë ishte e lidhur edhe me zbulimin e fakteve të jetës së tij të panjohura deri atëherë nga publiku shqiptar.

Mbase e gjitha kjo do kishte vetëm në kujtesën time sepse, nëse e kam të saktë informacionin, programet e radios nuk janë ruajtur ngaqë mbi incizimet e vjetra janë regjistruar të reja, gjë që është për të ardhur keq. Por ja që mes dorëshkrimeve të babait këtë verë, gjeta edhe dorëshkrimin tim për Bajronin dhe shënime interesante për poetin e madh bashkë me materialet kërkimore të miat.

Në poemën e tij të njohur “Çajld Harold” Xhorxh Gordon Bajron veç përshkrimit aq të bukur të Shqipërisë ka dokumentuar edhe thesare të folklorit shqiptar. Në të vërtetë në dy këngë ose valle të kënduara ia vlen të thellohemi edhe më tej.

Këngët “Bobobo bobo” dhe “Në sevda tënde u llavasa” Bajroni i mblodhi gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri në vitin 1809. Ato u botuan së bashku me poemën ” Çajld Harold” më 1912, me shënimet sqaruese e plotësuese në fund të tekstit. Në një kolonë teksti shqip e në anën tjetër përkthimi i lirë në anglisht, hera – herës mjaft larg ” ad literam” sepse Bajroni donte të jepte bukurinë e mendimit poetik.

Në shënime Bajroni jepte këtë sqarim: “Vërej se shqipja nuk është gjuhë e shkruar, për këtë arsye fjalët e dy këngëve që po i rrëfej lexuesit bazohet në fonetikë. Ato u mblodhën nga një grek që e flet dhe e kupton mirë shqipen”.

Ndryshe nga sa besonte Bajroni mbledhësi mund të mos e ketë ditur aq mirë shqipen ose nuk kishte njohuri për folklorin tonë. Duke lënë mënjanë edhe gabimet e shtypit e po ashtu dhe pamundësinë e alfabetit grek për të shprehur në mënyrë të saktë e besnike një seri fenomenesh karakteristike për gjuhën shqipe, në revistën “Albania” (1897 – 1909) bëhen përpjekje për të rindërtuar këto vargje me anë të logjikës së gjuhës e të këngës, por edhe në përkthimin e lirë anglisht. Ndihet si një punë e nxituar me pasaktësi e gabime, greqizmat ose u transliteruan keq ose u lanë mënjanë, kësisoj u cungua bukuria e këngës.

Në vëllimin e tretë ” Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” janë botuar tekstet siç gjenden në origjinalin anglisht e si janë kopjuar te “Albania” duke plotësuar vende-vende boshllëqet e duke rregulluar gabimet. Megjithatë edhe aty kanë mbetur pa u plotësuar e vihet re ndonjë interpretim jo i saktë. Madje nga kënga e dytë janë lënë jashtë dy vargje me shënimin e bërë me sa duket te “Albania”: “Kënga e Bajroni zgjatet edhe me dy vargje të tjerë”. Ato së pari mund të jenë lënë jashtë nga vështirësitë që hasen për të dhënë në shqip kuptimin e tyre. Së dyti, sepse vetë Bajroni shfaq dyshimin: “Besoj se këto dy vargjet e fundit, ku ndryshon metri, i përkasin ndonjë balade tjetër,” thotë ai. Bajroni, si poet, ndien ritmin dhe kadencën, kap ndryshimin ritmik dhe prandaj bën atë vërejtje.

Ka shumë të ngjarë që kemi të bëjmë me një dukuri të njohur në folklor. “Për të dhënë një ide të dialektit shqiptar ose arnaut të Ilirisë, po përkthej këtu dy këngë popullore që këndohen me valle si nga burrat dhe nga gratë pa dallim,” shkruan Bajroni. Pra, kemi të bëjmë me një këngë që shoqërohet me valle, ose më saktë një valle e kënduar. Një pjesë e valleve të kënduara e ndryshojnë ritmin në fund. Koda më e shpejtë e më dinamike shënon njëherësh kulmin dhe mbylljen. Bajroni ka të ngjare të mos e ketë ditur këtë karakteristikë të disa valleve tona, prandaj edhe thyerjen e tetërrokëshit në gjashtë rrokësh e merr si pjesë e huaj që i është asimiluar rastësisht.

Transliterimi i saktë i këngëve të mbledhura nga Bajroni ka interes në radhë të parë për të dhënë hijeshinë e bukurinë e vërtetë folklorike sepse u zgjodhën nga një poet i njohur, por nuk mbeten jashtë edhe interesat gjuhësore dhe semantike.

Te kënga e parë, vargu 5 në origjinal është: “Ha pe nderi escrotini”. Te “Albania” është dhënë “Hape derën e shkretë”. Duhet të ishte “Hape derën shkretënë” sepse kësisoj ruhet i plotë edhe ritmi edhe rima, edhe fonetika historike. Duhet përmendur se shqipja ka pasur shumë më tepër fjalë proparaoksitone.

Dy vargjet e fundit të këngës ” Bobobo bobo”, “Plu hari te tire te/ Pluhur cia pra seti”, nga “Albania” janë lënë bosh, kurse nga instituti janë plotësuar në mënyrë hipotetike. “Pluhuri të errëtë/ pluhuron çaprazetë”. Në përkthimin e lirë këto vargje jepen: “Mos ngri shumë pluhur se të rëndohen armatimet”. Rindërtimi më i afërt i tyre do të qe: “Pluhuri që tirretë ( ngrihet) të pluhuron çaprazetë “. Te kënga e dytë “Në sevdanë tënde u llavdosa” plotësimet dhe korrigjimet e bëra nga redaktori Qemal Haxhihasani (1916-1991), folklorist dhe historian me shumë reputacion, duken me vend, me përjashtim të vargut “E ti m’u bëre e pabesë si një dhëndro të lartë” ku kuptimi ka mbetur i errët dhe greqizma ” dentroi” (dru) e përkthimit fillestar është marrë si fjala shqipe dhëndër. Mendoj se rindërtimi më besnik do të ishte: “U dashurova vashëzo me zemërën të haptë. / E ti më braktise si një dru i thatë”. Edhe përkthimi i lirë në anglisht këtë kuptim ruan: ” Ti më abandonove si nje pemë yë thatë”. Dy vargjet e fundit që i mungojnë tekstit tek “Albania”: “Udi vura dorini, udiri cicova cilti mora”, në përkthimin e lirë të Bajronit janë: “Ç’ndjesi provova kur vura dorën time mbi gjinë tënd/. Unë dorën e hoqa po ajo më dridhet akoma”. Përafërsisht mund të rindërtohet në formën: “U të vura dorënë në gjinj që t’ i mora/ U dorëthatë ç’heq (?) u edhe të ftohtë mora” që mund të ketë edhe rindërtime të tjera më të sakta.

Për këto ndijesi që e gjen tek poezia popullore shqipe, Bajrpni shprehet me habi se gjen një lloj paragonizmi me ato që thotë Sokrati i lashtë ndër shkrimet e veta.

Studiuesit e folklorit mund t’i kenë analizuar edhe më tej këto vargje dhe këngë. Nëse jo, ky shkrim mund të jetë një nxitje që do të jepte një rezultat të kënaqshëm edhe për lexuesit e sotëm.

Filed Under: Kulture

Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!

July 3, 2025 by s p

Prof.dr.Nusret Pllana/

Në Lucern të Zvicrrës, në shenjë kujtimi të përjetshëm të 1432 fëmijëve shqiptarë të Kosovës, të vrarë nga Serbia gjakatare, u mbajt akademi shkencore dhe një nga promovimet më të organizuara ndonjëherë në Evropë! E falënderoj nga zemra, Misionin katolik shqiptar, të udhëhequr nga Dr.Don Anton Uka, dhe Shoqatën “Nëna Terezë” nga Luzerni, të udhëhequr nga z.Nue Zalli, për organizimin e mrekullueshëm, njërin nga organizimet më të suksesshme në Evropë, për promovimin e veprave të mia publicistike e dokumentare, që përmes një akademie shkencore dhe hapjes së ekspozitës “RIKUJESË – Ata janë vet liria”, në shenjë të 26 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese, ua kushtuan dhimbjes më të madhe dhe më të përgjakshme të fundshekullit XX-të, vrasjes dhe masakrimit të mbi 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror serb, në periudhën e viteve 1998/1999.

Me një organizim shembullor, ata, ua kujtuan miqëve dhe armiqëve se, Kosova jonë dardane, ishte martirizuar me shekuj dhe, për të ardhë deri te liria dhe pavarësia e saj, e ka larë çdo pëllëmbë të tokës së saj, me gjakun e djemëve dhe vajzave tona më të mira, me gjakun e nënave dhe baballarëve tanë, por edhe me gjakun e më shumë se 1432 fëmijëve të vrarë e të masakruar nga barbaria dhe mizoria serbe, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm e vetëm pse ishin gjak Kastrioti, gjak Skenderbegian dhe Ademjasharian, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.

Falënderojmë nga zemra gjithë ato familje shqiptare që kishin ardhur edhe nga Gjermania, Belgjika, Franca e Italia, për ta nderuar gjakun e 1432 “engjëjve” tanë, e për të ndarë dhimbjet dhe emocionet me të gjithë të pranishmit në sallën e madhe dhe të bukur, që e kishte rezervuar Misioni katolik shqiptar, në krye me të palodhshmin, patriotin dhe intelektualin Dr.Don Anton Uka, i përkrahur fuqishëm edhe me atdhetarin dhe humanistin e dëshmuar, z.Nue Zalli.

Me prezencën e tyre na nderuan edhe: Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicërr, Z. Mentor Latifi, Konsull i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Z. Vigan Berisha, ish Konsulli i Republikës së Kosovës, Dr.Salih Sefa, Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Hysen Sali Çekaj me bashkëshorten Valentina Çekaj, bashkëluftëtari im Bashkim Hoti, veprimtarët Fatmir Gashi e Rexhep Neziri, Xun Çetta, Kristi Uka, Pal Deda, e shumë e shumë të tjerë.

Emocion të veçantë gjithë të pranishmëve në sallë, i dha prezenca e të mbijetuarës së gjenocidit serbë në Kosovë në vitin 1999, znj.Liridona Nuraj Kameri, e cila atë botë ishte vetëm 9 muajshe, kur plagoset rëndë bashkë me motrën e vet Saberneten dhjetë vjeçe, e ju vritet vëllai Mërgimi, vetëm 4 vjeçar, me ç’rast, rrëfimi prekës i saj, i bëri me lot të gjithë të pranishmit në sallë

Liridona, tashmë kishte 6 muaj që ishte bërë Nënë, andaj prezenca e saj dhe e burrit të saj Besmirit, me voglushin e tyre Siarin, bëri që, i tërë publiku të ngritet në këmbë dhe t’i nderojnë me duartrokitje frenetike.

Një falënderim shumë të veçantë ia dedikoj mikut tim, z.Marjan Nue, i cili ishte ndër të parët, duke treguar një interesim jashtëzakonisht të madh, që kjo ngjarje kulturore, shkencore dhe edukative të jetë kaq e suksesshme, siç edhe miku im, z.Zef Marku dhe z.Ukë Nrejaj, për kontributin e tyre të pakursyer në sensibilizimin e opinionit artdashës, jo vetëm në Zvicërr, por edhe më gjerë.

Ata që i dhanë ,shije’ tejet profesionale këtij manifestimi promovues, ishin artistët e vërtetë, Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, për këngët dhe moderimin e mbrëmjes, pastaj djemtë dhe vajzat e Ansamblit “Shqiponja”, Kastriot dhe Vera Frrokaj, fëmijët e Misionit, fëmijët e Ansamblit “Arbëresha” të Sirnachit, Bordi udhëheqës i Shoqatës “Nënë Tereza”, e shumë aktivistë dhe veprimtarë e veprimtare gjithandej Zvicrrës dhe shteteve tjera evropiane, që ndihmuan në realizimin kaq të suksesshëm, e kaq madhështor të këtij manifestimi promovues.

Misioni Katolik Shqiptar – Luzern

“Rikujtesë – ata janë vetë liria”

Mbrëmjen e djeshme, më 29 qershor 2025, në Luzern, në sallën e kishës të mbushur plot me pjesëmarrës nga bota kulturore, politike dhe akademike, përkujtuam historinë më të dhimbshme të popullit shqiptar në Kosovë, masakrën e 1432 fëmijëve të vrarë nga gjenocidi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Fillimisht i zoti i shtëpisë, Dr. Don Anton Uka, përshëndeti të gjithë të pranishmit me këto fjalë:

“Përshëndetje dhe mirëmbrëma të gjithëve

I nderuari Ambasador i Republikës së Kosovës, Z. Mentor Latifi

I nderuari Konsull i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Z. Vigan Berisha

I nderuari Deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Hysen Sali Çekaj, e nderuara Znj. Valentina Çekaj

I nderuari dhe shumë i respektuar Prof. Dr. Nusret Pllana, e nderuara Znj. Pllana

Të nderuar Konsuj, Kryetarë dhe Përfaqësues të Partive Politike dhe Institucioneve Kulturore në Zvicër, Profesorë, Publicistë, Artistë, Gazetarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Të dashur fëmijë që keni zbukuruar festën dhe ambientin tonë me praninë dhe veshjen tonë të bukur kombëtare. Të dashur Pjesëmarrës, në emër të Misionit Katolik Shqiptar në Lucern dhe në emër të Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër, Ju përshëndes përzemërsisht: Mirë se ju ka pru Zoti me idealet tona të përbashkëta kombëtare.

Arsyeja e bashkimit tonë këtu është të kujtojmë dhe nderojmë vuajtjet, sakrificën dhe vdekjen e mbi 1432 fëmijëve të pafajshëm shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga urrejtja dhe barbaria serbe në Kosovë. Pa përmendur ata që u vranë dhe u viktimizuan në barkun e nënave të tyre. Profesori ynë i nderuar, z. Nusret Pllana, nëpërmjet studimeve, kërkimeve, shkrimeve, botimeve dhe promovimit të këtyre ngjarjeve, është bërë një misionar i vërtetë i cili, me dashuri, kulturë, profesionalizëm dhe dinjitet të madh, vazhdon ta shndërrojë britmën e tyre të heshtur në një zë të fuqishëm përballë faktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ky aktivist i bindur i çështjes kombëtare në luftë e tani edhe në liri, nëpërmjet punës së tij të palodhur, vazhdon të na tregojë se kjo britmë e të pafajshmëve sfidon vdekjen, indiferencën dhe harresën, duke i bërë një apel ndërgjegjes njerëzore: këta fëmijë ende jetojnë si simbol i rezistencës dhe dëshirës për liri, këta fëmijë janë shenjtërimi i lirisë dhe demokracisë sonë. Prandaj, detyrimi ynë sot për të mos harruar dhe për të mos lejuar që të tjetërsohemi nga ata që historikisht kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë kundër vlerave, kulturës, traditës dhe historisë së vërtetë të popullit tonë, mbetet një detyrë e shenjtë dhe një obligim moral që kemi ndaj atdheut tonë dhe gjakut të atyre që u sakrifikuan për të.

Gjenocidi serb kundër fëmijëve përmban brenda tij një politikë djallëzore që shkon përtej asaj që shihet dhe dëgjohet në të vërtetë, duke vepruar kështu ata donin t’ia mohonin të ardhmen një populli me rrënjë të thella dhe kulturë të lashtë perëndimore.

Duke parë biografinë dhe krijimtarinë shumë të pasur të Prof. Pllanës, vura re se fjala ose termi liri është ndër më të përdorurit në korpusin e tij letrar dhe artistik. Kosova e lirë; Rruga e Kosovës së Lirë; Gjaku i Dëshmorëve i ka hije Lirisë; Rruga e Gjatë e Lirisë; Udhërrëfyes i Lirisë; Në shërbim të Lirisë; Vetëm në Liri; Liria e Atdheut; Falja Jetën Lirisë etj., këto janë vetëm disa nga shumë tituj dhe argumente që përqendrohen te liria si një koncept filozofik, psikologjik, historik dhe, në shumë aspekte, do të thoja edhe biblik, pasi rruga drejt lirisë është përvoja më e dhimbshme dhe e lavdishme që karakterizon historinë e popullit hebre, ndërsa mbi dimensionin shpirtëror dhe psikologjik të lirisë Jezusi tha: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjn 8, 32).

Ky theksim i veçantë dhe i rëndësishëm i Profesorit tonë mbi vlerën dhe rëndësinë e lirisë na bënë të kuptojmë arsyet e guximit të tij dhe deklaratave të tij të drejtuara kundër të gjitha atyre formave, njerëzve dhe institucioneve që synojnë dhe veprojnë për ta mbajtur Dardaninë tonë të shenjtë të robëruar dhe larg qytetërimit perëndimor. Ngriteni zërin edhe më fort, Profesor i dashur, sepse të gjithë shqiptarët e vërtetë i bashkohen thirrjes për një Kosovë të lirë dhe përfundimisht të çliruar nga ideologjitë serbo-sllave dhe neo-osmane.

Në librin “A vriten Engjëjt” të autores Hanëmshahe Ilazi, redaktor i të cilit jeni ju, paraqitet historia e krimit dhe masakrës mbi të Pafajshmit e Kosovës. Titulli i kësaj vepre më bëri përshtypje sepse engjëjt nuk mund të vriten, ata jetojnë në qiell, ndërmjetësojnë dhe janë vazhdimisht në shërbim të së mirës dhe drejtësisë. Tani ata janë më të fuqishëm se kurrë për të ndihmuar dhe bekuar popullin e tyre. Prandaj, profesor i dashur, mos u dekurajoni në misionin tuaj fisnik, jini të sigurt se angazhimi dhe përkushtimi juaj do të ndihmohen dhe bekohen nga qeta e gjatë e Engjëjve dhe Shenjtërve të popullit tonë.

Të dashur të pranishëm, sonte jemi mbledhur këtu në Luzern për të përkujtuar dhe për të përkthyer në gjuhën dhe realitetin tonë vajtimin e famshëm të kalvarit të gjatë biblik për masakrën e fëmijëve të pafajshëm: “U dëgjua një klithmë në Dardani, vajë e gjamë e madhe. Vajton Kosova fëmijët e vet e nuk do të pajtohet sepse nuk i ka më” (krh. Mt 2, 16-18).

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj të denjë dhe shpresoj ta shijoni këtë mbrëmje të veçantë kujtimi, shprese dhe dashurie për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!”

Pjesëmarrja masive e të pranishmëve nga qytete të shumta të Zvicrës, Kosovës dhe Gjermanisë, programi i mrekullueshëm kulturor dhe artistik, fjalimet mbresëlënëse, ekspozita me fotografi të fëmijëve që vuajtën dhe u gjakosën gjatë luftës, aperitivi me pije dhe ushqim të shijshëm, e bënë këtë festë jashtëzakonisht të bukur dhe të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Për këtë ngjarje të bukur dhe domethënëse, falënderojmë të gjithë ata që na ndihmuan, veçanërisht Afërdita dhe Shpëjtim Krasniqin për këngët dhe moderimin e mbrëmjes, djemtë dhe vajzat e Ansamblit Shqiponja, Kastriot dhe Vera Frrokaj, fëmijët e Misionit, fëmijët e Ansamblit Arbëresha të Sirnachit, Këshilltarët, Bordin e Shoqatës Nënë Tereza dhe të gjithë të tjerët që në mënyra të ndryshme na ndihmuan në organizimin dhe realizimin e kësaj mbrëmjeje kulturore vërtet të veçantë.

Shoqata “Nëna Terezë”, Zvicërr

Në një atmosferë të mbushur me ndjenja të thella dhe respekt të veçantë, më 29 korrik u mbajt Akademia përkujtimore dhe Ekspozita Dokumentare “Rikujtesë – Ata ishin vetë Liria”, dedikuar fëmijëve të pafajshëm të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ngjarja u organizua me përkushtim nga Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza” në Zvicër dhe Misioni Katolik Shqiptar – Luzern, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe kujtese kolektive.

I ftuar i veçantë ishte Prof. Nusret Pllana, zëri i pashuar i kujtesës sonë historike, i cili me përkushtim e guxim ka dokumentuar dëshmitë rrëqethëse të gjenocidit mbi popullin shqiptar. Fjalët dhe rrëfimet e tij na rikujtuan plagët ende të hapura të një historie që nuk guxojmë ta harrojmë.

Manifestimi u nderua me praninë e figurave të rëndësishme institucionale dhe diplomatike:

– SH.T. Ambasadori Mentor Latifi

– Konsulli z. Vigan Berisha

– Deputeti z. Hysen Çekaj, djali i heroit të kombit, Sali Çekaj.

Mirënjohje e thellë për artistët, fëmijët, vullnetarët, organizatorët dhe të gjithë ata që kontribuan me zemër e përkushtim në këtë mbrëmje të paharruar, që bashkoi kujtesën me dinjitetin.

Kujtojmë që të mos harrojmë. Nderojmë që të mos lejojmë të përsëritet.

Bora Balaj, New York

Engjëj që nuk u rritën kurrë! 

Për 1432 fëmijët tanë – dritë e përjetshme e lirisë

 Ju s’kishit as faj, as armë,

 kishit lodra të fshehura nën jastëk,

 ëndrra të pafajshme në duar të vogla,

 e një botë që mezi kishit nisur ta njihnit.

 Ju s’kishit kohë të thonit “nënë”,

 as të qanit nga frika,

 sepse plumbi s’pyet për emër,

 dhe asnjë gjak nuk është më i heshtur se ai i një fëmije që pushon përgjithmonë.

 Ju morën nga barku i shtëpisë, 

nga mesi i ëndrrave të papërfunduara,

 si të mos ishit kurrë,

 si të mos kishit frymuar asnjëherë.

 Por ju jeni – dhe do të mbeteni – fytyra më e pastër e lirisë sonë,

 ulërima më e thellë e historisë,

 qarja që s’pushon kurrë në ndërgjegjen tonë.

 Ju nuk jeni statistika.

 Jeni dhimbja që na ngrin gjakun.

 Jeni shpirtra të vegjël,

 që i folët botës me gjak e me heshtje. 

Një ditë, drejtësia do të trokasë,

 por deri atëherë, ne do t’ju mbajmë në zemra,

 si një plagë që nuk mbyllet, si një dritë që nuk shuhet.

 Lavdi ju qoftë, engjëj që nuk u rritët kurrë!

Filed Under: Emigracion

7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome

July 3, 2025 by s p

Përgatiti Rafael Floqi

A keni vënë re ndonjëherë një ndryshim në mënyrën se si ndiheni kur pini ujë të ftohtë kundrejt atij në temperaturën e dhomës? Nëse jo, ka shumë mundësi që të paktën të keni një preferencë për njërën ose tjetrën, kur bëhet fjalë për atë që kërkoni kur keni etje. Dhe ka disa arsye të mundshme për këtë.

Stomaku reagon ndryshe ndaj ujit të ftohtë sesa ndaj ujit të ngrohtë, gjë që nga ana tjetër mund të ndikojë në tretje. Temperatura e ujit gjithashtu mund të ndikojë në qarkullimin tuaj, sipas ekspertëve, dhe madje mund të kontribuojë në gjëra të tilla si dhimbjet e kokës. Megjithatë, kur bëhet fjalë për hidratimin, është e rëndësishme të mbani mend se uji është ujë, pavarësisht temperaturës.

“I gjithë uji është i mirë,” thotë për Bustle Dr. Jill Blakeway, një mjeke e licencuar dhe e çertifikuar e akupunkturës dhe mjekësisë kineze, dhe themeluese dhe herbaliste klinike në Yinova. “Uji i ftohtë është freskues dhe ftohës. Është i shkëlqyer në një ditë të nxehtë dhe një zgjedhje e mirë pas ushtrimeve.”

Por mund të ndiheni të lirë të zgjidhni cilëndo temperaturë që ju pëlqen më shumë. “Pirja e ujit të ngrohtë mund të jetë më e mirë në disa raste, ndërsa pirja e ujit të ftohtë mund të jetë gjithashtu më e dobishme”, thotë dietologia e regjistruar Vanessa Rissetto për Bustle. “Varet vërtet nga preferenca dhe ajo që mendoni se mund të jetë e duhura për ju.” Lexoni më tej për më shumë fakte rreth ujit të ftohtë kundrejt ujit në temperaturë ambienti, sipas ekspertëve.

1. Uji në temperaturë ambienti mund t’ju bëjë më pak të etur

Pirja e ujit më të ngrohtë në fakt mund t’ju bëjë më pak të etur, gjë që duhet ta mbani mend nëse përpiqeni të qëndroni të hidratuar. “Kjo mund të jetë e rrezikshme në ditët kur trupi juaj po humbet ujë përmes djersitjes për të qëndruar i freskët”, thotë Rissetto. “Nëse zgjidhni të pini ujë të ngrohtë, kini kujdes se mund të mos ndjeni etje aq shpesh sa duhet.”

2. Uji i ftohtë është i dobishëm pas një stërvitjeje

Ndërsa uji i çdo temperature do t’ju ndihmojë të hidratoni pas një stërvitjeje, përdorimi i ujit të ftohtë mund të jetë një ide e mirë nëse ndiheni të nxehtë dhe të djersitur. “Uji i ftohtë është ftohës, kështu që mund të jetë i dobishëm gjatë ushtrimeve ose kur jeni shumë të nxehtë”, thotë Dr. Blakeway. Kjo është arsyeja pse mund të dëshironi të mbani me vete një shishe uji të akullt, për ta pirë pas vrapimit.

3. Uji në Temperaturë Dhome Ndihmon Tretjen

Për tretje më efikase, pirja e ujit në temperaturë ambienti – ose edhe e ngrohtë – është ajo që duhet bërë. “Në mjekësinë kineze ne rekomandojmë pirjen e ujit të ngrohtë për shkak të efektit të tij në sistemin tretës,” thotë Dr. Blakeway. “Pirja e ujit të ftohtë mund të ngurtësojë yndyrnat në ushqim dhe për këtë arsye mund ta bëjë sistemin tretës të ngadaltë.”

4. Uji i Ftohtë Mund t’ju Shkaktojë Dhimbje Koke

Një studim zbuloi se pirja e ujit të ftohtë mund ta bëjë më të mundshme që të keni dhimbje koke, thotë Dr. Blakeway. Dhe madje rrit shanset tuaja për të pasur migrenë.

5. Uji në Temperaturë Dhome Lufton Kapsllëkun

“Ndryshe nga uji i ftohtë, ujërat e ngrohtë përmirësojnë qarkullimin dhe mund të relaksojnë muskujt, [gjë që mund të ndihmojë] në luftimin e kapsllëkut dhe ngërçeve të barkut,” thotë Dr. Blakeway. Nëse ndiheni pak të pakëndshëm, një gotë me ujë në temperaturë ambienti, ose edhe një filxhan çaj i ngrohtë, mund të ndihmojë në relaksimin e muskujve të stomakut dhe në vënien në lëvizje.

6. Uji i Ftohtë Mund t’i Mbulojë Sinuset

Sipas Dr. Blakeway, studimet kanë treguar se pirja e ujit të ftohtë mund ta bëjë mukusin në sinuset tuaja më të trashë dhe për këtë arsye më të vështirë për t’u nxjerrë. Pra, nëse jeni të sëmurë dhe duhet ta fshini hundën shpesh, uji më i ngrohtë do të jetë miku juaj më i mirë.

7. Uji në Temperaturë Dhome Përshpejton Metabolizmin

Pirja e ujit më të ngrohtë mund të rrisë temperaturën e përgjithshme të trupit tuaj. Dhe kjo mund të jetë e dobishme për metabolizmin tuaj, thotë Dr. Blakeway.

E megjithatë, kur vjen koha për të marrë një gotë ujë, varet vërtet nga ju nëse do ta derdhni direkt nga frigoriferi apo do të zgjidhni ujë që është në temperaturë ambienti. Ka përfitime dhe disavantazhe për të dyja, kështu që duhet të varet tërësisht nga preferenca juaj personale.

Filed Under: ESSE

SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025

July 3, 2025 by s p

Shkolla verore shqipe për nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe të Kroacisë. Këshilli i Mësuesve Shqiptarë në Kroaci, në bashkëpunim me Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, organizoi shkollën verore shqipe për nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe të Zagrebit, Stubiçke Toplicës, Osijekut dhe Gjakovës, e cila këtë vit u mbajt prej 24-30 qershor 2025, në qytetin e Sellcës, në Kroaci.

Gjatë shtatë ditëve të shkollës verore, nxënësit mësuan dhe zgjeruan njohuritë e tyre, por edhe u argëtuan në punëtoritë gjuhësore, letrare, muzikore, të vizatimit, sportive dhe të dramës, sipas një plan-programi të miratuar nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe të Rinjve të Republikës së Kroacisë. Nxënësit treguan interes për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha kushtet dhe rrethanat e komunikimit. Ky është viti i katërt që e mbajmë shkollën verore shqipe, në të cilat ndër vite, kanë marrë pjesë 148 nxënësit të mësimit shqip.

Në punëtoritë u trajtuan temat rreth trashëgimisë kulturore shqiptare, gjuhës shqipe, heronjve kombëtarë, lexuan dhe përralla e tregime shqiptare. Në puntorinë e artit figurativ nxënësit shpalosën talentin e tyre me piktura të bukura për natyrën, pejsazhe të bregdetit të Selces, vizatime të veshjeve popullore, veglave muzikore, simboleve kombëtare, të heronjve shqiptarë e etj.

Në punëtorinë e dramës nxënësit të ndarë në dy grupe bën provat për pjesët tatrore „Kush e hengri akulloren“ dhe „Kulturat dhe ëndërrat“, që do të shfaqjen në vjeshtë në Zagreb.

Nxënësit kënduan dhe vallëzuan valle popullore, recituan, aktruan, shkruan, vizatuan, pikturuan dhe luajtën lojëra popullore shqiptare dhe lojëra të tjera sportive. Drejtuesja e shkollës verore, mësuesja Melita Oreshkoviq dhe mësuesi Mendu Imeri udhëhoqën punëtoritë, ndërsa nxënësit u shoqëruan edhe nga disa asistente.

Pothuajse çdo mbrëmje në oborrin e kampit veror nxënësit mbajtën koncert, ku shpalosën talentet e tyre në këndim, recitim, vallëzim e aktrim. Gjithashtu ndoqën filma shqiptarë, ndër to dhe filmin SHOK dhe sfiluan me veshjet e karnevaleve.

Mësuesit e mësimit shqip japin një kontribut të çmuar për fëmijët shqiptarë, që të zhvillojnë dhe ruajnë identitetin e tyre kombëtar përmes punëtorive të gjuhës, letërsisë, muzikës, artit dhe dramës edhe gjatë pushimeve verore. Nxënësit shkruan edhe kartolinat me dedikimin “Përshëndetje nga Sellce” prindërve, shokëve dhe familjarëve të tyre.

Në ditën e fundit, nxënësit pjesëmarrës plotësuan anketat vlerësuese, ndërsa mësuesit Melita Orešković dhe Mendu Imeri sollën konkluzionet e shkollës verore dhe vlerësuan pjesëmarrësit më të mirë.

Me motivacionet për pjesëmarrjen aktive në punëtoritë, për respektimin e rregullave të shkollës, disiplinën dhe bashkëpunimin me shokët dhe shoqet, u shpallën nxënësit:

Tahir Vorfaj, nxënës i Osijekut

Marta Grahovac, nxënëse e Zagrebit

Rina Leniqi, nxënëse e Gjakovës

Shkolla verore shqipe e Kroacisë u financua nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe të Rinjve të Republikës së Kroacisë, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit dhe prinderit.

Filed Under: Kronike

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA

July 3, 2025 by s p

Në këtë takim u diskutua roli kyç i diasporës shqiptare në SHBA në promovimin e së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional për të avancuar procesin e ruajtjes së kujtesës historike. Presidenti Berisha shprehu përkushtim të plotë për mbështetjen e misionit të IKKL-së dhe u zotua se do të angazhohet rreth krijimit të mundësive për bashkpunim mes IKKL-së dhe institucioneve si Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, në Departamentin e Shtetit, në Zyrën e Presidentit Amerikan, si dhe në forume akademike, diplomatike dhe mediatike në New York dhe Washington D.C.

Takimi shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve me diasporën dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT