• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

Pallati Kongreseve shkon për skrap

July 30, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Karikatura AI qe Rama e pëlqen

Tiranë – Me duart që lartësohen automatikisht si flamuj partie dhe pa asnjë pikë kundërshtimi, këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste miratuan me “po-në e komanduar” vendimin për shembjen e Pallatit të Kongreseve – një monument i historisë së diktaturës që tashmë duket se do t’i shërbejë diktaturës së ndërtimit.

Në vend të mureve të ftohta ku dikur jehonte “rroftë Partia”, së shpejti do të ngrihen kulla prej xhami, me ballkone nga ku do të shihet – ndoshta – Kulla tjetër që po ndërtohet. Arkitektura e re: “L’art i betonerisë moderne me bekimin e pushtetit”.

Vendimi erdhi pa debat, pa konsultim publik, pa ndonjë ide alternative. Vetëm një plan i qartë: më shumë kulla, më pak kujtesë. Historia? Po i thuhet “lamtumirë” me fadromë në emër të “zhvillimit”, që përkthehet: kullë për çdo mik të bindur.

Në një mëngjes të ndritshëm partie, kur dielli ngrihej mbi Tiranën me formën e një vinçi ndërtimi dhe hëna rrinte pezull mbi një plan zhvillimi urban, Këshilli Bashkiak mblodhi trupin e tij të lavdishëm për të votuar mbi fatin e një objekti modest, të vogël e pa shumë rëndësi kombëtare: Pallati i Kongreseve.

A e keni parasysh atë godinën e vjetër ku dikur mbaheshin festivalet, kongreset dhe ndonjëherë edhe ndonjë konkurs poezie për lavdinë e partisë? – pyeti një këshilltar që e kishte ngatërruar mikrofonin me ngrohësin e kafesë.

Ai nuk është më Pallat Kongresesh, por pallat i kujtimeve të kota! – thirri entuziast nënkryetarja Anuela Ristani, e cila e kishte studiuar urbanistikën në TikTok dhe ligjin në komentet e Facebook-ut.

Me një ton zyrtarisht të papërgatitur, ajo shpjegoi se nuk dinte çfarë do ndërtohej aty, sepse nuk është profete, por vetëm zëvendës-ndërtuese. “Mund të ndërtohet një qendër kongresesh në ajër të pastër, mund të bëhet një lavatriçe publike, ose thjesht një vatër energjetike për qytetarët e lodhur nga mungesa e qartësisë,” tha ajo, ndërsa shikonte nga dritarja për të parë nëse kishte ardhur ndonjë avion me planin urbanistik brenda.

Nga radhët e opozitës, Ilir Alimehmeti nguli këmbë për transparencë – koncept ky aq i huaj në sallë, sa që duhej përkthyes. “Çfarë do bëhet me këtë tokën 2,260 metra katrorë? Një kullë tjetër?”, pyeti ai, por përgjigjja që mori ishte një përzierje mes një fjalimi të Enverit dhe një statusi ironik në Instagram: “Ekspertiza do vendosë. Ne japim truallin, ata japin vizionin.”

Dhe kështu, në harmoni të plotë me himnin e ekskavatorit dhe flamurin e betonit, vendimi kaloi. Pallati do të rishpikej! Me të njëjtën “formulë” magjike që i dha kombit stadiumin “Air Albania” me kupola si hamburgerë, edhe Pallati i Kongreseve do rishfaqej në formë të re: më i ndritur, më i gjelbër (në projekt 3D), dhe patjetër më i shtrenjtë për t’u përdorur.

Disa thonë se godina ka vlerë historike. Por historia, shokë, nuk shet metra katrorë. Kulla po. 

Por kjo histori s’është vetëm për një godinë. Është për një mani betoni, të kuruar me kujdes estetik nga mjeshtrit e arkitekturës import, në veçanti arkitektët italianë, të cilët kanë gjetur në Shqipëri jo thjesht një kantier ndërtimi – por një skenë ku diktati i estetikës së Ramës shndërrohet në ligj ndërtimi.

Nga Stefano Boeri e deri te Marco Casamonti – të preferuarit e kryeministrit – Tirana po projektohet si një ekspozitë e përhershme e egos urbane të Ramës, ku çdo kullë është pikturë me beton dhe çdo shembje është “modernizim”. E kush guxon të kundërshtojë, cilësohet si “i prapambetur”, “anti-zhvillim”, ose “filistin që s’e kupton artin”.

Pallati i Kongreseve, siç raportohet, do të shembet për t’i lënë vend një kompleksi të ri “ikonik”, që për hir të Rilindjes, do të ngjajë më shumë me një stacion metroje në Milano sesa me një hapësirë publike në Tiranë.

Dhe nuk është rasti i parë. Nga Piramida e rikonstruktuar si Google Campus, te Sheshi Skënderbej si beton-gjigant me yje, e deri te Teatri Kombëtar që u shemb me fadromë në agim – Rama po e betonizon historinë, me lejen e një qyteti që hesht dhe me ndihmën e një klientele arkitekturore që projektin e ka në Itali, por kontratën e ka në Shqipëri.

Dhe në katin e 27-të të kullës, mbi një sallon spa me emrin “Kongresi Wellness Lounge”, ndonjë ish-delegat do kujtojë me mall: “Lart me lart o shokë, kullat e kongresit”

Se historia, më mirë të mos na e kujtojë askush, përveçse kur kemi nevojë për propagandë.

Filed Under: Fejton

ËSHTË KOHA PËR RIVARRIMIN E ABAZ KUPIT NË SHQIPËRI – ME RASTIN E 50 VJETORIT TË VDEKJES

July 30, 2025 by s p

Nga Gjekë Gjonlekaj/ New York/

Më 9 Janar të vitit që vjen është 50-vjetori i vdekjes së trimit legjendar shqiptar Abaz Kupit. Edhe sivjet si zakonisht më 9 janar u përkujtua 49-vjetori i vdekjes së këtij burri të përmendur. Që prej atëherë e sot për çdo vit është përkujtuar nga bashkatdhearët nga New Yorku me rrethe. Kjo traditë ishte ndaluar vetëm gjatë smundjes së Covidit-19. Bashkatdhetarët shqiptarë dhe miqtë e tij e ndjenin detyrë morale kujtimin e këtij fatosi që ishte shquar në luftëra të ndryshme për lirinë e Shqipërisë. Kishte luftuar kundër forcave të Haxhi Qamilit dhe  të gjithë atyre që bënin përpjekje për të shkelur mbi nderin dhe dinjitetin e popullit shqiptar. Në përvjetoret e vdekjes flitej gjërësisht për qëndresën e tij antfashiste. Për këtë  rezistencë shkroi në atë shtëpi evropin dhe amerikanin. Emëri i Abaz Kupit dhe Mujo Ulqinakut u bë shumë i njohur në botën liridashëse. Sivjet në ceremoninë përkujtimore që u zhvillua tek varri i Abaz Kupit në Maple Grove Semetary në Queens të New Yorkut morën pjesë e dukshme nga komuniteti i këtij qyteti me rrethe, morën pesë shumë familjar të Abaz Kupit dhe miku  i tij besnik Ndrecë Gjergji i cili i kishte shërbyer për disa dekada si të kishte qënë prindëri i tij. Pranë varrit folën dy tre veta. Nipi i Abaz Kupit, Sokol Kupi shtroi një drekë në restarantin e tij luksoz për nder të atyre që kishin marrë pjesë në këtë orë përkujtimore. Në këtë drekë morën pjesë pothuajse të gjithë që kishin marrë pjesë edhe tek varri. Aty i bisedua shumë për Abaz Kupin dhe mundësisht kthimin e tij në Shqipëri me rastin e 50-vjetorit të vdekjes. Unë autori i këtj shënimi kisha vajtur atje vetëm e vetëm për të folur për këtë çështje. Të pranishmit me dëgjuan me vemendje dhe shumica ra dakord me propozimin tim për rivarrimin e heroit tonë kombëtar në atdheun e tij të dashur për të cilin kishte luftuar e punuar tërë jetën. Më pas foli edhe editori i gazetës “Dielli” Sokol Paja. Ai dha një ropozim jashtëzakonisht me vend, duke propozuar që me rastin e këtij përvjetori të organizohet një seminar për jetën dhe veprat e Abaz Kupit. Zotni Paja tha këtë solemnitet akademik do ta merrte përsipër Organizata Pan-Shqiptare VATRA e Amerikës. Editor Paja tha se një konferencë shkencore për këtë burrë të madh të Arbërisë do të ishte nder dhe respekt për të gjithë ne vatranët.

Personalisht kisha qënë shumë aktiv për kthimin e Faik Konicës në atdhe, nga se në kohë, do me thënë para 30 vjetësh kisha botuar veprën Faik Konica të profesor Dr. Jup Katratit. Ishte vepër voluminoze dhe u botua gjithashtu me një teknik luksoze. Rivarrimin e Faik Konicës në atdhe e kishte marrë përsipër shteti shqiptar dhe Organizata VATRA. Pasi eshtrat e tij ishin nxjerrë nga varri në kishën e atyre varrezave u bë një ceremoni e rastit ku folën personalitete të shquara shqiptaro-amerikane. Në hyrje dhe në dalje nga kisha  binin këmbënat e kishës në njërën sipas trditës kishtare. Tenori Shqiptar Bashkim Pacuku këndoi këngën Ave Maria. Pas kësaj ceremonie u shtrua një drekë në Restaurantin Pierre të Anthony Athanasit. Në këto ceremoni që me këtë rast u mbajt edhe nje simpozum në Fordam University mori pjesë edhe një delegacion nga Shqipëria të cilin e drejtonte ministri i kulturës Theodor Laco. Ky delegacion kishte marrë pjesë edhe në ceremonitë e Bostonit. Për rivarrrimin e Faik Konicës në atdhe u zhvillua në pranverë të vitit 1995 për rivarrimin e Faik Konicës kishin shkruar jo më pak se 40 shqiptaro-amerikan ku shquhej At. Arthur Liolini, Isa Hoxha  dhe Dom Pjetër Popaj që të gjithë ishin pritur nga shteti dhe populli shqiptar me shumë nderime. Jo në këtë nvel por me shumë nderime ishte pritur edhe kthimi për rivarrim i Mithat Frashëri. Qeveria shqiptare ishte treguar serioze për të birin e Abdyl Frashërit.

Tani është koha të mendojmë për rivarrimin e Abaz Kupit në Shqipëri. Njerëz besnik të Familjes së Abaz Kupit thonë se nipat dhe mesat e tij janë gati për këtë nderim dhe respekt që do të bënte  Arbëria për gjyshin e tyre të dashur. Ata që e kanë njohur nga afër thonë se Abaz Aga ishte i dashur më të gjithë, mbahej jashtëzakonisht mirë dhe se ishte shumë i kujdeshëm në përdorimn e fjalëve, bile edhe ndaj atyre që e kshin lënë pa atdhe dhe pa pjesën e madhe të familjes. Në Shtetet e Bashkuara  qëndroi si burrë fisnik shqiptar, duke i qëndruar besnik familjes deri atë ditë që dha shpirt në janar të vitit 1976. Për Abaz Kupin kanë shkruar shumë autorë shqiptarë dhe të huaj, midis tyre mund të përmendet lordi britanik Julian Emery. Djali i tij Petrit Kupi tregonte se në kohën kur kishte qëndruar në Londër ishte ftuar për darkë nga Winston Churchilli.

Kthimi i tij për rrivarrim në atdhe është detyrë njerëzore dhe kombëtare. Prehja e eshtrave në atdhe tregon se Shqipëria e nesërme evropiane di të nderojë bijtë he bijat e saj pavarësisht ku kanë jetuar. Këto janë vepra të mira edhe për demokracinë shqiptare. Merre me mend se ku do të qëndronte e sotmja e popullit shqiptar sikur India dhe Vatikani të binin dakord për rikthimin në përjetësi në Arbëri  të Nënës Tereze. Pse të mos kthehet edhe Imzot Noli në Shqipëri në tokën për të cilën punoi aq shumë. Në Shtetet e Bashkuara pushojnë shumë patriot shqiptarë, dhe kthimi i tyre në atdhe do të ishte një vepër e madhe. Rikthimi  gjeneralit tonë të famshën Abaz Kupit, por me nderimet që janë bërë për Faik Konicën, Mbretin Zog, dhe Mithat Frashërin e nderojnë racën arbërore kudo që jeton.

Filed Under: Politike

LETËR E HAPUR PËR KRYETARIN GENCI NIMANBEGU DHE KUVENDIN E KOMUNËS TË ULQINIT NGA SHQIPTARËT E DIASPORËS AMERIKANE

July 29, 2025 by s p

FONDACIONI DOM SIMON FILIPAJ – NEW YORK

Të nderuar bashkëvendas dhe bashkatdhetarë;

Siç ju kemi njoftuar edhe më parë shumica e shqiptarëve të Amerikës nuk janë të kënaqur me projektin tuaj për ndërtimin e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në qytetin tonë të dashur Ulqin. Ky projekt nuk ka asgjë të përbashkët me heroin tonë kombëtar. Aty përulet madhështia e tij që duket më shumë si një karikaturë se përmendore. Historia kombëtare dhe ndërkombëtare e cilëson trimin tonë si njërin prej heronjëve më të përmendur të Evropës Mesjetare. Në periudhën prej një çerek shekulli iu dhanë nderimet dhe shpërblimet më të larta të Evropës. Prandaj një vizatim i tillë për shtyllën kryesore (pontifex maximus) të historisë sonë kombëtare nënçmon heroizmin, lavdinë, nderin dhe dinjitetin e këtij kolosi të lirisë kombëtare dhe evropiane. Për më shumë se 5 shekuj e gjysmë ky çlirimtar (liberator) nderohet dhe përkujtohet nga kombi shqiptar dhe më gjerë. Edhe shqiptaro-amerikanët e nderojnë Skënderbeun në mënyrë të veçantë, duke ngritur monumente dhe lapidarë në shumë qytete të këtij vendi. Këto nderime u realizuan nga Imzot Noli, Konica dhe patriotët tjerë shqiptarë të Shteteve të Bashkuara.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu jo vetëm që është krye heroi i popullit tonë por për shqiptarët në Mal të Zi ai është njëherit symbol i cili përfaqëson identitetin e tyre kulturorë e kombëtar, prandaj këtu qëndron rëndësia e ngritjes së përmendores së tij në formen më dinjitoze dhe të merituar edhe në qytetin e lashtë Iliro-Arbëror të Ulqinit.
Këto ditë shumë organizata, shoqata, fonde dhe fondacione shqiparo-amerikane ranë dakord që të reagojnë kundër vendosjes së atij lapidari në qytetin tonë historik Ulqin.
Zotëri të nderuar që prej kohës që u bë publik ky projekt në rrjetet sociale kemi shkëmbyer mendime dhe opinione të ndryshme për këtë çështje. Të gjitha organizatat e lartpërmendura njëzëri janë kundër një skulpëture të tillë. Nëse është fjala për probleme financiare shoqatat e lartpërmendura i marrin përsipër të gjitha shpenzimet për një monument madhështor ashtu siç është në qytetet tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Ju lutem të gjithëve e në veçanti kryetarit të Komunës së Ulqinit zoti Genci Nimanbegut t’i marrë parasysh kërkesat tona.
Shoqërisht dhe vëllazërisht ju përshëndesin kryetarët e këtyre fondeve dhe fondacioneve, bashkë me ta edhe shumë shqiptarë të diasporës amerikane.

Të nënshkruarit:

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL)
Agim Aliçkaj – Drejtor Ekzekutiv
Shoqata Ulqini
Xhemal Lanica – Kryetar
Shoqata Kraja
Venera Gjenashaj – Kryetar
Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe
Senad Lulanaj – Kryetar
Shoqata Ana e Malit
Albert Salaj – Kryetar
Jehona e Malësisë
Agron Dedivanaj – Kryetar
Shoqata Plavë e Guci
Qazim Dedushaj – Kryetar
Fondacioni Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”
Zaim Hajdari – Kryetar
Fondacioni Dom Simon Filipaj
Tom Shkreli – Kryetar

Nikollë T. Lulgjuraj
Xheladin Zeneli
Gjekë Gjonlekaj
Cafo Boga
Esad Gjonbalaj
Valdet Çobaj

Filed Under: Fejton

Nga kultet te idetë: Koha për të çliruar politikën nga portreti

July 29, 2025 by s p

Artan Nati/

Fundi i një epoke që nuk mbaroi kurrë

Ishte një mëngjes gri i vitit 1985. Në auditor hyri një grua me zë të dridhur dhe sy të përlotur. Me solemnitet të stërvitur njoftoi: “Udhëheqësi legjendar ka ndërruar jetë… por Ai do të vazhdoj të jetojë në zemrat tona dhe të Partisë.” Pastaj, si për të siguruar se udhëtimi vazhdon, shtoi se ai kishte lënë pas një Parti të fortë, një trashëgimi të pacenueshme. Auditori heshti. Ca studentë me lot në sy, të tjerë të hutuar, të ngrirë nga frika apo nga hutimi. Disa ndoshta fshihnin një lehtësim. Pyetja që ndjell frikë u shfaq: kush do të na udhëheqë tani? Dhe më e rënda: do ta marrë vallë me vete gjithë sistemin në varr? Disa ditë më pas, erdhi “lajmi i mirë”: kishim një lider të ri, po aq i fortë, po aq i njohur, po aq… “si Dulla vetë”. Rrota vazhdonte të lëvizte. Portreti ndryshonte, por kulti mbetej i njëjtë.

Që atëherë kanë kaluar dekada. Sistemet janë shembur, flamujt janë ndërruar, por një strukturë e padukshme ka mbijetuar: mentaliteti i njeriut të pazëvendësueshëm. Në Shqipëri, politika nuk matet me idetë që prodhon, por me portretet që përsëriten. Politika nuk është më një garë për të bindur, por një betejë për të dominuar ekranin, pankartën, mitingun.

Prej kohësh, kemi zëvendësuar debatin me spektaklin. Idetë janë zhurmuar nga duartrokitjet e organizuara. Gara nuk zhvillohet më në fushën e vizioneve, por në skenën e imazheve. Jo kush mendon më thellë, por kush dëgjohet më shumë. Jo kush ndryshon strukturat, por kush kontrollon narrativën.

Kjo s’është thjesht një devijim stilistik, është një simptomë e thellë e mënyrës si ne e kuptojmë pushtetin. Në vend që të qarkullojë përmes ideve dhe programeve, pushteti kalon dorë më dorë përmes figurave që rishfaqen si rikujtesa e përhershme e mungesës së alternativës.

Në një demokraci të shëndetshme, mendimi është themeli i sistemit. Por në Shqipëri, ai shpesh trajtohet si zbukurim, si alibi për vendime të marra diku tjetër. Diskutimi është luks. Debati është pengesë. Dhe kështu, politika largohet nga qytetari dhe kthehet në një pronë private, e atyre pak fytyrave që rikthehen, riciklohen, ringjallen.

Nga diktatura e “më të ndriturit dhe të pagabueshmit” te demokracia e “të vetmit pronar të partisë”, Shqipëria ka mbetur peng i një kulture politike që sheh liderin si qendër universale. Debati nuk është për programet, por për personalitetet. Jo “çfarë thotë?”, por “kush e thotë?”.

Por në vitin 2025, Shqipëria nuk ka më luksin të vazhdojë kështu. Vendi nuk ka nevojë për fytyra të reja që përsërisin mendësitë e vjetra. Ka nevojë për politikën si pronë të mendimit, jo si pasuri të portreteve. Duhet ta zhvendosim pyetjen publike:

Jo më “kë zgjedhim?”, por “çfarë përfaqëson ai?”. Duhet të shkëputemi nga mendimi se nqs vjen nga familje e persekutuar, apo gjyshi ka qene zogist apo ballist, ose ndoshta mendon se je i djathtë duhet të votosh patjetër PD-në si e keqja më e vogël. Kjo mungesë respekti për veten, apo se ç’farë do të mendojnë miqtë dhe të afërmit, ky tribalizëm duhet të marrë fund. Nqs nuk të pëlqen asgjë mund të organizohesh me njerëzit me ide të njëjta e të krijosh fraksione apo lëvizje të re. Po ashtu nqs je familje dëshmori, apo famija jote ka qenë e lidhur me regjimin e diktaturës, Ti duhet të jesh vetvetja dhe të besosh e votosh për idetë, të respektosh mendimin dhe idetë e tua. Nuk është herezi të votosh ndërgjegjen tënde, apo të kesh mendim ndryshe nga të afërmit. Është respekt për vetveten, sepse nuk jemi pjesë e mekanizmit, por individë. Respekti dhe dashuria duhet të jetë ndaj individit, individualitetit dhe ideve. Jo më idesë së grupit dhe liderit të pagabueshëm, nqs ne kemi respekt për veten tonë. Jo më “kush na frymëzon?”, por “kush na përfaqëson realisht?”. Jo më “a duket i fortë?”, por “a mendon me ndershmëri?”.

Le të kujtojmë Sami Frashërin: “Një komb pa mendim është si një trup pa shpirt.” Nëse nuk guxojmë të mendojmë ndryshe, do të mbetemi peng i së njëjtës frymë që ndryshon vetëm emrin, por jo thelbin.

Kur dorëheqja është shpëtim, jo tragjedi

Në Shqipëri, dorëheqja, ky akt qytetar i përgjegjësisë, nuk shihet si një shenjë force morale, por si një turp. Historia jonë politike, nga bejlerët te diktatorët, ka formuar një koncept të çoroditur për liderin: ai nuk përfaqëson popullin, por është “i zoti i shtëpisë”, që nuk pyetet, por urdhëron. Në politikën shqiptare, dorëheqja nuk perceptohet si një akt qytetarie, por si një katastrofë personale dhe kombëtare.

Shikoni skenën politike shqiptare: Sapo përmendet fjala “dorëheqje”, nis drama. Lideri ofendohet, e merr personalisht, e sheh kritikën si sulm dhe kërkesën për largim si atentat ndaj kombit. Ai nuk lë pas një hapësirë të lirë për ide të reja, por një shkretëtirë që vetë e ka krijuar me vite, ku askush tjetër nuk është lejuar të rritet. Në këtë boshllëk, projektohet fantazma e “të pazëvendësueshmit”. Rasti më i dukshëm është perceptimi popullor: “Po iku Rama, çfarë bëhet me vendin?” ose “Po doli Berisha, kush mbetet?” Kjo nuk flet për madhështinë e tyre, por për dështimin e një sistemi që ka vrarë alternativën. Sepse aty ku dëgjohet vetëm zëri i kryetarit, gjithçka tjetër është heshtje servilësh, mediokriteti, rrethit të ngushtë që flet vetëm për të lavdëruar dhe asnjëherë për të sfiduar. Kjo nuk është politikë moderne Partitë janë kthyer në klane që ngjajnë më shumë me organizata mafioze sesa me struktura demokratike. Ato nuk prodhojnë ide, por besnikëri. Jo platforma, por duartrokitje. Jo të rinj të lirë në mendim, por gjenerata të tëra që mësojnë artin e rreshtimit dhe frikën nga “tradhtia”. Në këtë klimë, dorëheqja shihet si fundi i botës, kur në fakt është fillimi i një bote të re. Sepse lideri që nuk lejon zëra ndryshe nuk ndërton të ardhmen, ai mbjell frikë dhe varfëri mendore. Ai nuk lë pas një brez, por një shkretëtirë.

Prandaj, dorëheqja është një akt emancipues. Është ndarja nga egoja dhe kapja pas idesë. Është çasti kur pushteti nuk është më pronë private, por një shërbim publik. Është prova se një shoqëri ka filluar të besojë te tjetri, te zëvendësimi, te ideja që askush nuk është Zot i përhershëm. Nëse Shqipëria do një politikë ndryshe, duhet të fillojë nga kjo pikë: Të çlirojë liderin nga miti i përjetësisë dhe shoqërinë nga kompleksi i pafuqisë. Se vetëm atëherë, pushteti bëhet instrument i vizionit dhe jo zgjatim i egos.

Shembulli i Lapajt është ilustrues:

E nisi me shumë energji, fjalë të forta dhe premtime për ndershmëri. Por, me kalimin e muajve, mbështetësit nisën të ndihen të zhgënjyer. Retorika populiste e humbi fuqinë. Pyetjet u shmangën. Aleancat u bënë të paqarta. Dhe më e rëndësishmja: perceptimi publik u zbeh, sepse në një sistem ku qytetarët janë të lodhur nga fasadat, çdo lëkundje në integritet peshon shumë. Ai kërkon të falur, por fajin ja faturon Shabanit, apo sistemit etj. Lapaj e humbi shancin të tregohet i përulur dhe të marrë përgjegjësi. Në politikën tonë, faji është gjithmonë diku tjetër. Kur dështojnë, liderët tanë fajësojnë armiqtë, opozitën, sistemin, kohën, por rrallëherë shohin veten në pasqyrë. Në vend që të pranojnë gabimet, i paketojnë si suksese. Në vend që të kërkojnë ndjesë, shpikin komplotë. Por nëse vërtet duam një politikë moderne që sjell konkurencë idhesh, është koha të ndezim dritën e mendimit dhe të fikim projektorët e kultit personal. Krenaria që nuk lë vend për përulësi është vetëm një maskë. Dhe në një shoqëri që kërkon drejtim të ri, përulësia nuk është dobësi, është akt revolucionar, Sepse Shqipëria ka nevojë për ide që ndriçojnë, jo për portrete që verbojnë.

Filed Under: Emigracion

TË JETOSH JETËN PREJ ALBANOLOGU

July 29, 2025 by s p

Begzad Baliu/

Ditë më parë studiuesi me vendbanim në Suedi përuroi dy veprat më të reja të tij Ullmar Qvick albanolog plus, dhe Ullmar Qvick (91 År/Vjet // 91 Dikter / Poezi). Ndryshe nga shumë studiues të cilët vinë nga anë të largëta të botës dhe përurojnë vepra letrare, publicistike e shkencore, kryesisht në Prishtinë dhe në hapësirat akademike e shkencore të saj, studiuesi Fetah Bahtiri zgjodhi vendlindjen, Mitrovicën dhe institucionet kulturore të saj. Veprat e tij i përuroi në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, pikërisht në ditën e lindjes së albanologut Ullmar Kvick, kur ai më 13 qershor i mbushi 91 vjet. Përurimet e këtilla zakonisht, sado që bëjnë shumë bujë, në këtë kohë dinamike internetike ato sikur zbehen e harrohen vetëm pas pak ditësh ashtu sikur zbehen e harrohen nga zhvillimet politike, pothuajse të gjitha ngjarjet kulturore, artistike e shkencore në jetën tonë.

I përgatitur dhe i botuar vetëm pak kohë pas organizimit të përurimit, ky vëllim ka përmbledhur gjithë atmosferën e tij dhe sigurisht do ta ruaj e konsultohet gjatë, për aq sa do të ruhet e shkruhet edhe për autorin e saj Fetah Bahtirin dhe subjektin shkencor të tij Ullmar Qvick.

Vepra hapet me një falënderim të veçantë për veprimtarët e shquar të kësaj ane Fazli Hajrizi e Halit Barani, pa ndihmën e të cilëve, nuk do të realizohej kjo veprimtari, në përmasat që është realizuar, si dhe vazhdon me përbërës të tjerë të rëndësishëm paravajtës për përurimin që kaloi në përmasa të një simpoziumi shkencor. Boshtin qendror të vëllimit e zënë kumtesat për veprat, shkruar nga prof. dr. Adem Zejnullahu, me titull Shqiptarët në ligjërimin poetik të Ullmar Kvikut, kumtesa e prof. Fazli Hajrizit, me titull Një vepër përmendore për mikun e shqiptarëve, Ullmar Qvick; kumtesa e prof. dr. Begzad Baliut, me titull Ullmar Qvick – personalitet i shquar i kulturës shqiptare; si dhe kumtesa e prof. Çerkin Ibishit, Dy dokumentarë xhevahire për një mik besnik të shqiptarëve.

Në vazhdim janë botuar një numër përshëndetjesh, që më parë se sa përshëndetje, në të vërtetë janë vlerësime të veçanta, diskutime dhe madje çështje problemore për veprën, autorin dhe albanologjinë. Fjala është për tekstet e prof. msc. Mursel Ibrahimit, Hysen Ibrahimit, Fetah Bahtirit, Bajram Muharremit, Xhavit Çitakut, Rrahman Rrahmanit, Rizah Sheqirit, Avni H. Pasomës etj., ndërsa kryet e vendit e zë përshëndetja e albanologut dhe personalitetit të shquar të kulturës shqiptare Ullmar Qvick, me titull përcaktues, ”Unë nuk kam jetuar kot”, i cili sikur e kurorëzon jo vetëm jetën e tij po edhe përpjekjet e studiuesit Fetah Bahtirit dhe gjithë atyre që u angazhuan në atë përurim, që më shumë se sa i tij është i të gjithë atyre që kontribuuan për realizimin e suksesshëm të tij. Ky vëllim i kumtesave, vlerësimeve, diskutimeve e përshëndetjeve është shoqëruar edhe me fotografi çasti e nderimi për të gjithë të pranishmit, me të cilat është krijuar një pamje mjaft e plotë dhe shumëfish e përjetuar nga të pranishëm e nga lexues të mëvonshëm.

Fetah Bahtiri, “Ullmar Qvick: “UNË NUK KAM JETUAR KOT”, Prishtinë, 2025, f. 81.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT