Nga AFRIM KRASNIQI/
Një mësues, poet dhe njeri rebel, Havzi Nela, e varën në litar publikisht në Kukës më 10 gusht 1988. Ishte koha kur regjimi në ikje donte të tregonte forcë, fliste për demokratizim dhe ndërkohë kryente akte terrori ndaj çdo lëvizje liberale. Varje publike, denigrim publik të kufomës, siç bëri në Korçë dhe Shkodër me disa të rinj të vrarë në kufi duke ikur, siç bëri në Kukës me Nelën, sic bëri në Sarandë e ndonjë qytet tjetër. Kohë për t’i kujtuar, nderuar dhe për të mos harruar sa kriminal dhe stalinist ishte regjimi që lamë pas 23 vjet më parë!
Përvjetori i vrasjes së H.Nelës tregon njërën anë: sistemin, dhe lihet pas një anë tjetër po me kaq rëndësi: reagimi ynë shtetëror e shoqëror. Emri i tij është përmendur shpesh, dhe në shumicën e rasteve, jo për të nderuar atë, por për të kritikuar dhe sulmuar politikisht emra politikë që lidhen direkt apo indirekt me vrasjen e tij! Në rastin e emrave të përfshirë direkt është e drejtë përmendja, madje edhe gjykimi historik, por është e padenjë ndarja e një emri nga një tjetër në varësi nga pozita e sotme e ndonjërit prej tyre apo pinjollësve të tyre. Në rastin e emrave të përfshirë indirekt është e drejtë kur jepet informacion dhe kërkohet një reflektim moral, por është e padrejtë kur përdoret për të denigruar në funksion të politikës së ditës, apo duke veçuar një emër nga 12 të tjerë të përfshirë në të njëjtën formë. Fatkeqësisht kjo ndodh, sepse vdekja, nderimi, rivlerësimi dhe gjithçka tjetër vijojnë të kenë vlerë, vetëm nëse kanë lidhje politike!
Le të marrim H.Nelën: edhe pse u përdor kaq shumë në retorikë politike, e di publiku se familja e tij nuk ka përfituar asnjë trajtim dhe kompensim financiar, për shkak se akti i tij hyn në kategorinë e terrorit dhe ligji i kompensimit të ish përndjekurve e përjashton nga e drejta e trajtimit? Është në dijeni publiku se familja e tij jeton në kushte minimale jetese dhe vetë bashkëshortja ishte një votuese publike kritike me qeverinë aktuale (në ikje), ndërkohë qëata që e dënuan, sot përfitojnë trajtime speciale financiare nga qeveria dhe shteti “demokratik”?Është në dijeni publiku se një pjesë e madhe e atyre që keqpërdorin sot emrin dhe aktin e tij disident në vitin 1988 kanë qenë anëtarë apo funksionarë të PPSH në Kukës dhe rrethet rreth tij, kanë qenë punonjës në zyrat e Komitetit Ekzekutiv apo strukturën e lartë të propagandës së regjimit? Ata kanë të drejtë të ndryshojnë mendim, por jo të shndërrohen nga avokatë të vlerave të disidencës kundër të cilës punuan një jetë të tërë, përfshirë edhe verën e nxehtë të vitit 1988. Është në dijeni publiku se krijimtaria e Nelës është botuar falë përkushtimit të një personi të vetëm (P.Palushi) dhe jo të një projekti rehabilitues të qeverive që keqpërdorën emrin e tij? Është në dijeni publiku se ata që sot bërtasin në podiume parlamentare e FB për Nelën edhe më 1990, pra dy vjet pas pushkatimit të tij, bënin thirrje publike nderimi për R.Alinë, më 1992 propozonin për deputet kreun e trupit gjykues që dënoi atë, dhe dy zyrtarë të tjerë të përfshirë në arrestimin e denoncimin e tij u bënë zyrtarë “demokratikas” pas ndryshimit të sistemit? Etj, etj.
Rasti i abuzimit politik “Nela” nuk është i vetëm, është një nga dhjetëra paradokset e tranzicionit! P.sh, pak vite më parë drejtuesi i Kuvendit ekspozoi një foto me deputetët disidentë të vitit 1946-1947 në muret e parlamentit, por më parë ishin kujdesur të fshinin emrin e prokurorit dënues apo të hetuesit të çështjes, të dy emra fëmijët e të cilëve u bënë, njëri ministra e deputetë gjatë qeverisjeve të PD. Kur nderohen çifti i mësuesve që u vra në kufi në Shkodër më 1990 nuk përmenden emrat e ushtarakëve “vigjilentë” sepse njëri prej tyre ishte deri përpara pak kohësh drejtues i lartë i policisë dhe shërbimit sekret. Kur flitet për demonstratat antikomuniste në Shkodër 1989-1990 dhe dënimet ekstreme politike nuk përmenden emrat e prokurorit dhe as gjykatësve sepse ata pas vitit 90 u bënë deputetë e drejtues kryesorë të gjykatave“demokratike”. Kur flitet për arrestimin e grevistëve studentë më 1991 nuk përmendet emri i prokurorit që kërkoi vite të tëra burgim, sepse ai, prej vitesh vijon të jetë avokat i politikanëve kryesorë të qeverisë në ikje. Kur flitet për mbylljen e kishave dhe xhamive, nuk përmenden nismat rinore të një gjimnazi në Durrës dhe njërit në Tiranë ku dy prej protagonistëve kryesorë u bënë (dhe janë ende) deputetë apo politikanë të lartë të PD e PS! Kur flitet për demonstratën antikomuniste në Elbasan 1990 nuk përmenden zyrtarët e lartë që u përfshinë në dënimet e ashpra të tyre, sepse ata prej vitesh kanë veshur kostumin antikomunist! Kur flitet për dënime politike të figurave të njohura të kulturës dhe artit, sidomos në vitet 70, lihen mënjanë emrat e ekspertëve dhe dëshmitarëve denoncues, shumë prej të cilëve janë edhe sot, aktorë më rëndësi në jetën politike e publike. Kur flitet për gjyqet politike të viteve 60, siç përmend edhe Kadare, del një foto gjykatësish të rreptë ushtarakë, njërit prej të cilëve që sot nuk i përmendet emri në foto, në fakt sot i jepet titulli i krye-disidentit politik. Kur flitet për ngjarjet e ambasadave më 1990 dhe dhunën ndaj rinisë rebele antikomuniste, shumë prej protagonistëve të kësaj dhune vullnetare, janë sot kudo, në jetë politike, parlament, në media dhe vendimmarrje ekzekutive…..
Dhe së fundi, përpara rastit “Nela” patëm rastin “Popaj” familja kurajoze që hyri në ambasadën italiane. Kush u kujtua për ta, kush i kërkoi, kush i nderoi, kush shkroi historinë e tyre sa tragjike aq edhe hollivudiane?? Askush. Sepse politika e ditës nuk pati ndonjë interes. Dhe lamë në anonimitet diçka për të cilën do të duhet të ishim krenarë!….
Shkurt dhe shqip: nuk ishim dhe nuk mund të ishim të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor, por shoqëria shqiptare nuk e ka bërë asnjëherë ndarjen me të kaluarën, nuk ka treguar ende vlera morale që e distancojnë nga gabimet dhe fajet, nuk ka gjetur ende mekanizmin e vendosjes së drejtësisë dhe as të rehabilitimin e të vërtetave historike! Gjithçka ajo ka bërë ka qenë një lojë me maska, përdorimi ekstrem i ngjarjeve dhe emrave për qëllime politike të ditës, konsensusi për të mbetur peng i të kaluarës dhe paaftësia për të krijuar themele të forta morale drejt të ardhshmes! Ndaj përvjetori i H.Nelës sot më shumë sesa rast tjetër për gjueti shtrigash politike, vlen për ti thënë atij dhe brezit disident që ai përfaqësoi, se shoqëria shqiptare ende e mban litarin në grykë, ende nuk është çliruar, ende denigron vlera e virtyte dhe ende nuk ka forcë, kurajë dhe as vullnet për ndjesë publike, për katarsis moral dhe të paktën, për të mos përsëritur gabimet e fajet e të kaluarës. Përkundrazi.
Ana says
Profesor Afrim Krasniqi e shndrit faqen e gazetes dielli,eshte dhe mbetet intelektual vizionar!
Eugjen Merlika says
Pergezimet me te mira autorit per kete shkrim realist, sado i hidhur, jo vetem per kujtimin e ndritur te poetit te varur ne fund te shekullit XX, ne Evropen e qyteteruar e te familjes se tij, se ciles i shkon gjithe dashamiresia dhe solidariteti i viktimave te regjimit, por edhe per padine e fuqishme ndaj nje klase politike, shume larg idese se perfaqesimit te “idealeve demokratike”. Autorit qe, per vete poziten e tij ne institucionet dhe kulturen shqiptare, mund t’i besohet plotesisht per te gjitha faktet qe jep, do t’i sugjeroja t’a çonte deri ne fund padine e tij qytetare, aq shume te dobishme per te sotmen dhe t’ardhmen e Vendit tone, duke zbuluar te gjithe ata emra per te cilet paraqet rastet me te ndryshme te dyfytyresise. Mendoj se ky eshte nje detyrim qe te gjithe ne i kemi se vertetes historike, dhe nje borxh moral karshi vuajtjeve gjysem shekullore te nje pjese te mire te shoqerise sone.
Askush nuk don te ringjalle “luften e klasave” te markes enveriane, por idhtaret dhe zbatuesit e asaj lufte famekeqe nuk mund e nuk duhet te jene perfaqesuesit zyrtare te shtetit, cilido qofte epiteti qe mund te marre apo te vetemarre ky shtet. Ata qe ne, emer te “demokracise”, kane bere te mundur nje dukuri te tille te turpeshme te jetes shqiptare duhet te kene kurajon qytetare se paku te pranojne se veprimet e tyre, pavaresisht nga justifikimet qe mund te nxjerrin, nuk i kane sherbyer ecjes perpara te shoqerise sone. Ata i kane sherbyer qendrimit ne vend numuro simbas strategjise famekeqe te Katovices, te trupezuar ne Shqiperi nga krimineli Ramiz Alia dhe te gjitha veglat e tij politike.