Rruga nëpër të cilët lëviz narrativi i Ramës mbi Kosovën, ka pësuar kalbje të brendshme në mënyrën se si ai i qaset Vuçiçit, duke ia dhënë luksin atij të sillet si të dojë nëpër forume ndërkombëtare ku është i pranishëm edhe kryeministri shqiptar. Jo njëherë ka ndodhur që në prani të Ramës është mohuar Kosova si shtet nga ana e krerëve serbë dhe mosreagimi do të quhej taktikë diplomatike, por kur mohohet edhe gjenocidi i kryer në Kosovë atëherë kufiri në mes të diplomacisë dhe shkurtpamësisë zhduket fare
Shkruan Emin AZEMI
Rama në Prishtinë erdhi pas vizitës që ia bëri familjes së Hashim Thaçit. Këtë vizitë ai ka mundur ta bëjë edhe më herët, por vetëm Rama e di arsyen se pse pikërisht një ditë para mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive atij i kujtohet të na tregojë se e “kishte marrë malli shumë për Hashimin”. Në anën tjetër ai u kujdes ta reahatoj Kurtin se ndaj tij nuk ka kurrfarë qëllimi komplotist për ta rrëzuar nga pushteti, siç kishin shkruar disa media në Prishtinë. Por, e kundërta e asaj çka deklaron Rama, është fryma e asaj që mbetet e pathënë zëshëm dhe sidomos mbetet hija e një lidhjeje të fuqishme me ish-pushtetarët e Kosovës, e cila herë herë eklipson marrëdhëniet aktuale me Albin Kurtin dhe me Vjosa Osmanin.
Rama nuk është proserb, por mënyra si i qaset serbëve a bën atë më naiv se ç’është në të vërtetë. Ai ende nuk beson se “qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë dëmton qasjen apo qëllimin përfundimtar”. Sipas Ramës edhe atëherë kur Serbia mohon gjenocin e kryer në Kosovë dhe kur Vuçiqi angazhohet që Kosova përgjithmonë të mbetet në kaudër të juridiksionit serb, qëllimi përfundimtar mbetet i padëmtuar.
“Janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtit qëllim, njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja e drejtë që i takon shqiptarëve të Kosovës, gjithë rajonit”, tha Rama para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive.
Rrugët nëpër të cilët lëviz narrativi i Ramës mbi Kosovën, ka pësuar kalbje të brendshme në mënyrën se si ai i qaset Vuçiçit, duke ia dhënë luksin atij të sillet si të dojë nëpër forume ndërkombëtare ku është i pranishëm edhe kryeministri shqiptar. Jo njëherë ka ndodhur që në prani të Ramës është mohuar Kosova si shtet nga ana e krerëve serbë dhe mosreagimi do të quhej taktikë diplomatike, por kur mohohet edhe gjenocidi i kryer në Kosovë atëherë kufiri në mes të diplomacisë dhe shkurtpamësisë zhduket fare. Ende mbetet e paqartë arsyeja e këtij mirëkuptimi të mëndafsht të Ramës ndaj serbëve të këqinj, ndërkohë që Vuçiçi kalon shumë më keq me disa kritikues në Beograd se sa me Ramën, sidomos kur është në pyetje qasja ndaj Kosovës.
Tani nuk jemi në periudhën e luftës së ftohtë, atëherë kur Tirana zyrtare nuk mund të impononte fuqinë e saj diplomatike në forumet ndërkombëtare për të dënuar terrorin serb në Kosovë, përfshi diktaturën ushtarake të vendosur në Drenicë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj shpërnguljen e kosovarëve në shkretëtirat e Anadollit në vitet 50/60 su dhe aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve të viteve 50/60.
Por, tani jetojmë në një kohë tjetër, por Edi Rama si duket ende nuk e ka kuptuar se në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, pesëdhjetë për qind e problematikave burimin e kanë në Kosovë. Kur Rama mundohet t’i mohojë këto problematika dhe ta paraqet si minor problemin e diferencave që ka me Kurtin sa i përket raporteve me Serbinë, duke e trajtuar këtë si çështje debatesh akademike, me këtë ai harron rolin që ka Tirana në menaxhimin e temave që kapërcejnë kufinjtë adminitsrativë-shtetëror.
Askush nga Prishtina nuk ka kërkuar nga Rama që të ndërprejë marrëdhëniet me Beogradin, por është e pafalshme për kryeministrin shqiptar që idetë e bashkëpunimit rajonal fillimisht t’i diskutoj në Beograd, e pastaj t’i çoj selame Prishtinës për pjesëmarrje në darkën e ftohur të Ballkanit të hapur. Pra, Rama nuk bën ndonjë gabim të madh që dëshiron të afrohet me serbët, por kjo nuk guxon të ndodhë duke injoruar faktin se Kosova ende trajtohet si problem i brendshëm i politikanëve serbë dhe ç’është më keq Serbia në sytë e Ramës shikohet si një fëmijë i pafajshëm që padrejtësisht e ngarkojnë me shejtanllëqe të pabëra.
Në diskursin e Vuçiqi dhe të politikës zyrtare serbe, Kosova është pjesë integrale e Serbisë, prandaj çdo kapërcim në heshtje i këtij diskursi serb nga ana e Ramës, prodhon armiqësi brendashqiptare dhe miqësi pa kushte me serbët e këqinj. Këtu e ka burimin edhe refuzimi për të pranuar Ballkanin e Hapur, një iniciativë kjo që mbështete në raporte defektuoze e konfliktuoze të atyre që nuk e njohin madje e urrejnë njëri tjetrin.