Hazir MEHMETI, Vjenë/
“Miqësia e vërtetë është e drejtë dhe e guximshme” ( F.Schiler)
“ I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qënë Austria merhume e Habsburgëve. S’duhet t’ia hamë hakën” (F. S. Noli)
Hermann M. Ölberg, indoevropianist dhe albanolog i njohur austriak hulumtoi mbi gjuhën shqipe duke publikuar punën e tij që në vitet pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Në shenjë mirënjohje Universiteti i Tiranës dhjetë vjet më parë e nderon me titullin: Doctor Honoris causa”. Ai, në veçanti ishte mik i UN të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Prof. dr. Hermann Ölberg ishte vazhdues i punës hulumtuese prej gjuhëtarësh të njohur austriakë në fushën e studimeve albanologjike. Pasues i rrugës së Norbert Jokli i cili vuri bazat shkencore dhe me të drejtë cilësohet si themeluesi i studimeve albanologjike. Në pesëdhjetë vjetorin e ekzekutimit të Norbert joklit nga fashistët gjerman (mars 1942), Dr. Herman M. Ölberg e përkujton me një konferencë shkencore-universitare ndërkombëtare, ku ai mbajti referatin e tij: “Disa mendime rreth autoktonisë së Shqiptarëve në gadishullin e Ballkanit”.
Një pjesë të studimeve të tij i paraqiti në disertacionin me temë “Hulumtime për leksikun indoevropian të shqipes dhe për fonologjinë diakronike në bazë të sistemit të zanoreve”, ( Në gjermanisht: “Untersuchungen zum indogermanischen Wortschatz des Albanischen und zur diachro¬nischen Phonologie auf Grund des Vokals¬ystems”. “Çështje të historisë së gjuhës shqipe. Çështje parimore për hundorësinë” 1971); “Griechisch-albanische Sprach¬beziehungen: Untersuchungen zum altgrie¬chischen Wortgut im Albanischen”, 1972.
Në studimet e tij për gjuhën shqipe i përmbahet tezës së vazhdimësisë ilire, ai mbron autoktoninë e shqiptarëve si banorë të hershëm në trojet e tyre etnike. Në Universitetin e Insbrukut ndihmoi për specializimin e filologëve shqiptarë.
Prof. Dr. Hermann Ölberg-ut Universiteti i Tiranës në vitin 2005 i ndanë titullin “Doctor honoris Causa”, kurse Ambasada e Republikës së Shqipërisë ia dorëzon përmes ambasadorit Dr. Artan Canaj në Insbruk, me motivacion: “Prof. Ölberg ka dhënë një vepër me vlera në sqarimin e problemeve në historinë e gjuhës shqipe, origjinës dhe lidhjes së saj me gjuhët tjera“- ( Gjermanisht: “Prof. Ölberg hat einen wertvollen Beitrag für die Klärung der Grundprobleme der Geschichte der albanischen Sprache, ihrer Herkunft und Beziehung mit anderen Sprachen geleistet”
Prof. Dr. Hermann Ölberg, ishte njohës i mirë i rrethanave shoqëroro-politike në trevat shqiptare e në veçanti atyre në Kosovë. Ai ishte përkrahës i të drejtave të kosovarëve për liri dhe e ndiente pozitivisht progresin e shqiptarëve në të drejtat e tyre në Kosovë dhe trevat tjera etnike shqiptare në Gadishullin Ilirik. Këtë e dëshmon edhe letërkëmbimi i tij me shkrimtarin dhe hulumtuesin Bedri Tahiri nga Galica. Pasi e merr librin e tij “Azem Bejtë Galica” në vitin 1996, i bënë përshtypje, si për kohën kur u botua dhe për të dhënat e reja që sillte libri, ai i shkruan letër përshëndetëse autorit më 30. 05. 1996.
I nderuari Z. Bedri Tahiri! Ju përgëzoj për botimin e librit “Azem Bejtë Galica”, i cili hedh dritë mbi luftërat e pandara te Popullit Shqiptar për Liri e Pavarësi. Është shumë interesante përmbajtja e kësaj monografie mbi luftëtarin dhe trimin e patrembur shqiptar, Azem Bejtë Galica, që pasqyron ndjenjat patriotike dhe të kaluarën e hershme Krishtjane të popullit shqiptar, që para ardhjes së Perandorisë Osmane e deri në ditët e sotme nën sundimin serb.
Ky libër është, jo vetëm dokument Historik, që ju me zbulimet e fakteve të reja historike e të gojëdhënave të popullit e bëjnë edhe më interesante kur dihet se vlerat e rëndësishme Historike nga e kaluara e popullit shqiptar janë të pakta, si pasojë e sundimeve të ndryshme, që nga Perandoria Osmane e deri në ditët e sotme, nga pushtetmbjatësit e metejshëm me dhunë të Kosovës që çdo gjë shkatërrojnë e mohojnë, jo vetëm historinë e lashtë shqiptare, por mohojnë edhe besimin e tyre të hershëm krishtjan, me qëllime e prapavijë të caktuar politike, duke mbrojtur tezën e tyre se shumica e popullsisë së sotme i takon atij besimi musliman dhe në këtë mënyrë dëshirojnë mohimin e prejardhjes shqiptare nga paraardhësit e tyre ILIR, duke mos përmendur njëherit edhe elementet krishtjane të popullit shqiptar para ardhjes së pushtuesve turq në Ballkan.
Në anën tjetër, vepra Juaj pasqyron edhe dëshirën e zjarrtë të popullit tuaj për liri dhe sakrificat e pareshtura drejt Çlirimit Kombëtar. Unë si Albanolog ju uroj juve dhe mbarë popullit shqiptar suksese të plota deri në fitoren përfundimtare, në mënyrë që edhe shqiptarët, si gjithë popujt e tjerë ballkanikë e evropianë të gëzojnë të drejtat e tyre të ligjshme për vetëvendosje dhe mbes me shpresë se ky problem të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Ju falënderoj shumë për dërgimin e një ekzemplari ku krahas librave të tjerë të Letërsisë Shqipe do të zë vend edhe kjo monografi e Azem Bejtë Galicës.
Ju uroj suksese dhe punë të mbarë në idealin e juaj Kombëtar!
Me respekt!
Univ. Prof. Dr. HERMANN M. ÖLBERG
Letra dashamirëse e zbulon qëndrimin e albanologut austriak rreth shqiptarëve. Ai shpreh haptas respektin për lëvizjen shqiptare për të drejta e drejtuar nga intelektualët e rinj, mes tyre dhe autori i veprës Bedri Tahiri nga Galica të cilën e njeh Prof. Hermani nga leximet e tij. Pa dyshim, Prof. Dr. Heman Ölberg, do mbetet gjithmonë në kujtesën shqiptare si mik i respektuar brezave.