Diplomon gjenerata e 15-të e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare së Forcës së Sigurisë së Kosovës
Prishtinë, 30 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot pjesëmarrës dhe folës kyç në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 15-të të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë ku 15 kadetë pranuan titullin e oficerëve të Republikës dhe të Forcës, Kryeministri Kurti e cilësoi zhvillimin e Forcës edhe edukimin ushtarak si një hallkë tejet e rëndësishme e cila u ndërtua mbi themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që në të ardhmen e afërt do të jetë pjesë e NATO-s.
“Diplomimi i sotëm nga Qendra për Studime Universitare e Akademisë së Mbrojtjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës na jep shpresë për të ardhmen e na bën krenar për të kaluarën. Na kthen prapa në kohë, në vitin 2009, te gjenerata e parë e diplomuar e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë Qendër, e në vitit 1999, te gjenerata e parë e diplomuar e eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga shkolla ushtarake “Hamëz Jashari”, tha kryeministri Kurti.
Ai tregoi se përgjatë dy viteve të para të qeverisjes, 3325 ushtarakë janë trajnuar jashtë vendit, mbi 8 herë më shumë sesa në vitet 2019 e 2020, ndërkohë kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Letoninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë, ndërkaq janë në proces marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, Turqinë, Jordaninë dhe Kroacinë. E gjitha kjo ka mundësuar që Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë Kosovës, të ndërtojë imazhin e një institucioni të edukimit ushtarak që nxjerrë oficerë që shkëlqejnë në edukimin pasues ushtarak, në shkolla e kolegje të njohura të shteteve partnere e mike.
Për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë e më të barabartë për të gjithë, kryeministri tregoi se Forcën e Sigurisë së Kosovës e kemi bërë të hapur për çdo të re e të ri të deri në moshën 25 vjeçare, duke larguar kufizimin në numër të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Rrjedhimisht për dy vite janë rekrutuar 1240 ushtarë të rinj, derisa në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë aktiv dhe 388 rezervë, me ç’rast radhët e forcës sonë janë rritur për 83%. Gjatë fjalës, kryeministri u shpreh se pikërisht Forca e Sigurisë së Kosovës është realiteti ynë dhe jetësimi i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri, andaj edhe kemi dyfishuar buxhetin për ushtrinë në 141.2 milionë euro dhe investimet në armatime i kemi rritur për 191%.
“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten. Për një Kosovë më të sigurt, më të drejtë e më të barabartë për të gjithë”, tha kryeministri Kurti.
Duke i uruar kadetët e diplomuar për arritjen, ai iu drejtua atyre duke theksuar se nga sot përveç gradës së oficerit, mbi supet tyre janë të gatshëm të bartin edhe përgjegjësitë që u janë besuar, për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe mbështetjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe botë. Njëkohësisht, falënderoi edhe familjarët e kadetëve që bijtë e bijat e tyre i kanë rritur në frymën e atdhedashurisë.
Mirënjohje dhe përgëzime, kryeministri ndau edhe për Gjenerallejtënant Jashari, oficerë dhe nënoficerë të Qendrës për Studime Universitare dhe Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, për diplomimin e kësaj gjenerate dhe për avancimin e programit të edukimit ushtarak, në përputhje me zhvillimet e reja në fushën e mbrojtjes.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Mbrojtës së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, anëtarë të kabinetit qeveritar e deputetë të Kuvendit, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar, Gjeneral Hammerstein, Shefi i stafit në KFOR, Bozicevic, organizata e familjarë.