

Prof. Ardian Ndreca/
Ara Pacis (altari i paqes) asht nji ide që ka lind prej mendjes së perandorit August mbas fushatave të suksesshme kundër galëve, mbas paqtimit të Hiberisë dhe konsolidimit të atij që quhet “shekulli i artë”.
Nuk bahet fjalë për nji paqë dosido por për “paqen romake”, nji koncept juridik kompleks që synonte krijimin e nji ekuilibri botnor. Ara Pacis asht përurue në vitin 9 p.Kr. në Fushën e Martit, asokohe fushë stërvitje e ushtrisë romake në pjesën veriperëndimore të qytetit të Romës. Së dyti monumenti që mban mbrenda Ara Pacis, vepër e Ballio Morpurgo, asht inaugurue prej Mussolini-t në vitin 1938, ndërsa në vitin 1996 arkitekti amerikan Richard Meier ngarkohet me ba projektin e sotëm, i cili asht përurue në vitin 2006.
Monumenti hijeshohet prej mbishkrimeve në travertin të Res Gestae, domethanë të bamave të Augustit, apo bilancit historik të mbretnimit të tij – vepër që ai e pat përfundue në moshën 75-vjeçare, mbas 41 viteve sundim. Mbishkrimi që shohim sot asht realizue në vitin 1938, kurse teksti i Res Gestae asht fryt i punës filologjike e historike që disa studiues përfunduen me sukses në fund të shek. XIX falë gjetjeve të tri epigrafeve greqisht e latinisht në Ankira (Ankaraja e sotme) dhe në dy site tjera arkeologjike. Madje, në bazamentin e njenit prej atyne epigrafeve kishte edhe nji shembëlltyrë të Augustit me familje gjatë ndejes së tij në rini në Apolloni, ku e gjeti madje edhe lajmi i vrasjes së ungjit të tij Jul Cezarit.
Me Augustin u vorrosën përfundimisht idealet republikane, megjithatë ai si “princeps” (princ) ia njihte vetes autoritetin por jo pushtetin mbi senatin, gja krejt e pamjaftueshme për me justifikue atë që kishte ba.
Ia vlen me e pa muzeumin e sotëm të Richard Meier-it, nji hapsinë plot dritë që nuk e shkëputë kontaktin pamor me botën e jashtme, por izolon monumentin prej çdo zhurme, tue na ba me ndie vetvetijshëm se pa dëshmitë historike të së kaluemes ne nuk jemi asgja.