

Mehmet Prishtina, Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, me origjinë nga Polaci – Skenderaj, është nderuar me çmimin prestigjioz “Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë”, një vlerësim me peshë të veçantë akademike e institucionale, i cili akordohet për kontribut të jashtëzakonshëm në humanizëm, paqe, veprimtari atdhetare dhe afirmim të trashëgimisë shpirtërore e kulturore shqiptare.
Ky çmim përfaqëson një njohje të merituar për veprimtarinë e tij të pandërprerë në shërbim të kauzave humane, për angazhimin e vazhdueshëm në ndërtimin e paqes dhe solidaritetit shoqëror, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të vlerave intelektuale dhe kombëtare shqiptare në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në veçanti, vlerësimi lidhet me kontributin e Mehmet Prishtinës në financimin dhe realizimin e busteve dhe shtatoreve të figurave të shquara kombëtare, botimin e veprave librale me karakter historik, dokumentar dhe shkencor, organizimin e konferencave shkencore dhe simpoziumeve akademike, si dhe me angazhimin e tij të qëndrueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe historike të kombit shqiptar.
Një dimension i veçantë i veprimtarisë së tij është kontributi unik në ngritjen, studimin dhe rivlerësimin e figurës poliedrike të Hasan Prishtinës, Kryeministrit të 8-të të Shqipërisë, mendimtarit dhe ideologut të unitetit kombëtar shqiptar. Përmes Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina ka institucionalizuar një qasje të qëndrueshme shkencore dhe shoqërore ndaj figurës së Hasan Prishtinës, duke e shndërruar atë në një bosht bashkues të mendimit dhe veprimit kombëtar.
Në këtë kontekst, një arritje me rëndësi historike dhe simbolike është bashkimi shpirtëror dhe ideor i familjeve të mëdha të Rilindjes Kombëtare, më shumë se një shekull pas përpjekjeve të Hasan Prishtinës për unitetin kombëtar. Kjo frymë bashkimi është mishëruar së fundmi edhe përmes themelimit dhe regjistrimit zyrtar të shoqatës “LIDHJA ËSHTË GJALLË”, e iniciuar nga Mehmet Prishtina në bashkëpunim me familjet Boletini, Idriz Seferi, Shaban Polluzha dhe Azem Galica.
Shoqata “LIDHJA ËSHTË GJALLË” synon bashkimin gjithëpërfshirës të familjeve të Rilindjes Kombëtare, në një frymë të përbashkët kombëtare, në mbarë trojet shqiptare, me vizion afatgjatë forcimin e unitetit kombëtar, ruajtjen e kujtesës historike dhe konsolidimin e identitetit shqiptar.
Në këtë frymë janë rikthyer simbolikisht në një platformë të përbashkët familje dhe figura emblematike të historisë shqiptare, si: Kastrioti, Ismail Qemali, Isa Boletini, Idriz Seferi, Ded Gjo Luli, Çerçiz Topulli, Azem Bejta (Galica), Shaban Polluzha, të bashkuara rreth një ideali të përbashkët: një frymë, një komb, një qëndrim, një gjeografi, një gjuhë dhe një ndjenjë të përbashkët kombëtare.
Ky vlerësim për Mehmet Prishtinën përbën jo vetëm një nderim personal, por edhe një akt vlerësimi për një mision kombëtar me karakter historik, duke shërbyer si model frymëzimi për brezat e rinj dhe si dëshmi se përkushtimi ndaj vlerave humane, kulturore dhe atdhetare mbetet një shtyllë e qëndrueshme e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.