Dr. Donik Sallova/
Libri “ANTITABU – për filozofinë filotabu shqiptare”, i autorit, diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati, është një libër i cili që në titull tregon aspiratën kundërshtuese ndaj temave, çështjeve, aspekteve dhe tipareve tabu të shoqërisë shqiptare, që përfshijnë shtetin dhe kulturën tonë shtetërore, kombin dhe historinë tonë kombëtare, kulturën dhe elitat tona intelektuale. Libri që thekson prirjen tonë filozofike tabuizuese veçanërisht ndaj nevojës, detyrës dhe obligimit për të mbrojtur, kultivuar dhe përparuar të vërtetën dhe interesin tonë kombëtar, denoncon rolin e elitave politike, intelektuale, kulturore e shkencore në mirëmbajtjen dhe ngulitjen e kësaj mendësie e filozofie edhe tek shtresat e gjera shoqërore. Duke u masivizuar si e tillë, kjo prirje tashmë është bërë normë dhe ka prekur pothuajse çdo segment të shoqërisë shqiptare, duke e rrezikuar kështu sistemin vleror që e mbajnë në këmbë kombin dhe shtetin.
Autori Murati, me saktësinë prej kronikani, me përkushtimin prej ditarëshkruesi dhe refleksionin prej intelektuali e studiuesi, ka evidentuar çdo ditë anomali të sjelljes e mendësisë sonë kolektive, por veçanërisht të elitave tona drejtuese politike e kulturore, që në thelb kanë filozofinë tabuizuese ndaj të vërtetave që duhet t’i dimë dhe t’i themi si shoqëri e si politikë, si dhe interesave që duhet t’i mbrojmë e forcojmë si shtete e si komb. Libri që përbëhet nga pasazhe mendimi e elaborimi mbi zhvillimet politike brenda dhe jashtë Shqipërisë (pra edhe brenda dhe jashtë Kosovës) për periudhën e viteve 2020-2023, vë në pah shkaqe dhe pasoja të filozofisë filotabu shqiptare, sikurse identifikon role të luajtura dhe qëndrime të munguara të elitave tona kundrejt kësaj filozofie.
Kompleksi i inferioritetit ndaj të huajve, frika për të etiketuar se kush janë armiqtë e interesave tona kombëtare dhe qasja krahinore në politikat shtetërore janë disa tipare që autori evidenton tek elitat tona politike në Shqipëri e në Kosovë. Mungesa e qëndrimit dinjitoz dhe kundërshtues të elitave politike në Kosovë deri në vitin 2021 ndaj qasjes favorizuese të BE-së kundrejt Beogradit në dialogun Kosovë-Serbi, servilizmi i elitave politike në Shqipëri ndaj Serbisë dhe Greqisë në vend të mbrojtjes së interesit shqiptar në Ballkan, indiferenca e shtetit shqiptar ndaj absurdit të Shqipërisë në NATO me Greqinë që e mbanë në fuqi ligjin e luftës ndaj nesh e deri tek gjuha abstrakte e politikanëve shqiptarë që kur kujtojnë masakra e krime kundër shqiptarëve gjithnjë harrojnë t’i përmendin emrat dhe kombësinë e krimineleve që i kryen këto krime, janë vetëm disa nga tabutë që thyen ky libër.
Studiuesi Murati, konsideron se ky servilitet i elitës politike shqiptare kundrejt shteteve fqinje burimin e ka në faktin që në politikën shqiptare asnjëherë nuk ndodhi tranzicioni i propaganduar nga komunizmi në demokraci, por se kjo klasë politike është reciklim i programuar i nomenklaturave komuniste të cilat u mbollën në Shqipëri pikërisht nga shtetet fqinje, përkatësisht dhe veçanërisht nga Serbia. Ambasadori kritikon me ashpërsi qëndrimin e nënshtruar të qeverisë shqiptare ndaj politikës greke dhe pretendimin e saj të shprehur gjithnjë e më shpesh për kinse cenimin nga shteti shqiptar të minoritetit grek në jug të Shqipërisë. Në të kundërt, qeveria shqiptare asnjëherë nuk ka përfaqësuar ndonjë politikë kushtëzuese në raportet më Greqinë, duke hequr dorë përfundimisht nga hapja e çështjes çame, nga kërkesa për shfuqizimin e ligjit të luftës, apo edhe duke qëndruar krejtësisht indiferente ndaj ambicies së Greqisë për zgjerimin në ujërat e detit Jon.
Si një vazhdimësi e librit “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës”, ambasadori Murati edhe në këtë libër ka paraqitur kritikat e tij ndaj qëndrimit të qeverisë së Shqipërisë për raportet Kosovë-Serbi. Që nga mbështetja për projektin serb të Mini-shengenit ballkanik që dështoi në “Hapjen e Ballkanit” për influencën ruse, e deri tek marrja nën mbrojtje nga kryeministri shqiptar të “pozicionit të vështirë” të Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë, dëshmohet se qeveria shqiptare nuk e ka parë Serbinë me sytë e Kosovës, por përkundrazi duke i ofruar bashkëpunim pakushte Serbisë në projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke e kritikuar qeverinë e Kosovës në politikën e saj, Tirana zyrtare gjithnjë e më shumë i është qasur Kosovës nga pikëvështrimi i Beogradit.
Si një diplomat karriere, që njeh gjuhën diplomatike, autori në libër ka paraqitur kritikat e tij kundrejt qasjes së Bashkimit Europian ndaj Serbisë politika e së cilës vazhdon të zhvillohet e papenguar brenda margjinave të shovenizmit e hegjemonizmit. Pavarësisht se Serbia replikon deri në autenticitet sjelljen e Rusisë me pretendimet territoriale dhe kontrolluese ndaj fqinjëve, BE-ja e ka toleruar, për të mos thënë e ka inkurajuar Serbinë duke mos e dënuar asnjëherë as drejtëpërdrejt e as tërthorazi aspiratën e saj. Ajo çfarë ndodhi në Banjskë të Kosovës më 24 shtator të këtij viti i vërteton venerimiet e këtij libri se Serbia e perkdhelur nga Europa do të bëhet gjithnjë e më shumë si Rusia që pushtoi Ukrainën.
Libri që po promovojmë sot, synon që përmes rrëzimit të filozofisë tabuizuese të elitës politike të ndihmojë në përmirësimin e shoqërisë shqiptare e cila nuk qëndron jashtë fokusit të kritikës së tij. Si një popull që është vonuar në shumë procese historike, dhe siç thotë autori, edhe ka gabuar përgjatë historisë, e ka të nevojshme reflektimin e thellë për të ndryshuar, si kompensim i revolucionit të munguar në historinë tonë kombëtare. Kombet që nuk janë themeluar me revolucion, pra që nuk i kanë për-kufizuar disa vlera dhe norma me vijë të kuqe, atëherë këto kombe përgjatë historisë kanë pasur probleme më të mëdha dhe të ardhmen e kanë ndërtuar me më shumë vështirësi e shpesh edhe me çmim më të lartë. Prandaj, libra si ky të autorit e mendimtarit kombëtarist Shaban Murati janë një pedagogji e domosdoshme kombëtare per shoqëritë si e jona.
Ky libër, sikurse edhe shumë libra të tjerë të Shaban Muratit, do t’i bashkohen korpusit të veprave që përmes kritikës synojnë të nxisin reflektimin, ndryshimin dhe përmirësimin e shoqërisë shqiptare. Këtu kam në mendje vecanërisht dy librat e publikuar së fundmi të Elvis Hoxhës “Parapolitik 1 & 2”, si dhe librin e Hysamedin Ferajt “E pafilozofuara” si një tekst pionier mbi filozofinë e pafilozofuar shqiptare. Shaban Murati është sot ndër figurat e rralla që me vitalitetin e tij prej krijuesi po plotëson boshllëqet e mendimit mbi kombin, interesin e strategjinë kombëtare të krijuara nga mungesa e rolit parësor në shoqëritë tona të Universitetit dhe Shkollës Kombëtare. Përmirësimi i shoqërisë shqiptare padyshim që do ta përmirësojë edhe politikën dhe shtetet tona, sepse siç thotë Aristotetli “virtyti i qytetarit është edhe virtyti i shtetit”.