• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT FISHTA TEK VORRI I AVNI RUSTEMIT

May 7, 2019 by dgreca

Nga Fritz Radovani-
Melbourne / Australi/

AVNI RUSTEMI 1895-1924/

FJALA E AT GJERGJ FISHTËS NË DEKË T’AVNI RUSTEMIT/

E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se teper pa mshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të historis s’tyne, kan muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kan mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té. Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipnin, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte per tjeter, veç per me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.
Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të miren lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i , zojë vashe shqiptare… I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës dikue i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!
Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtëme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshtem të tyne. Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipnin e desht me gjith fuqin e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej diq, shkoj, mbaroj…
Mbaroj thashë?…Më paska pasë rrshitë goja pahiri;pse Avni Rustemi s’ ka mbarue.

Edhè aj jeton nder né edhè ka per të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s’des kurr. Fjal drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrojla arit, shkrojla të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët neper hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari qe thau të rijtë e tij, per në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avrnu do të mbarote. Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frang do t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipnia mbarë?
Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.

Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lendojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.
O ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tueju lan: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.
O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.
O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që po kjé se âsht kush nder ju, që me nder dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîs, ta mbushë strajcën pikë e per maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotvet të gjakut.
O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë
Shoq me shoq kurr mos me u xanë
Mos me u xanë as mos me u ngaë
Kurr ujët turbull mos me i raë
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës së frytë me i lanun dalë.
O zemërplasun prindet e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kjenë çilimi, ka kenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lan, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër per kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes per Avniun e vet.

Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhc m’e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja :e ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t’ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy. Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!

(Rev. “Afrimi”, vjeti II, Maj 1924.Vlonë – Marrë nga Vepra Letrare, At Gjergj Fishta.) ●Shenim nga F.Radovani: Asht botue pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 7 Maji 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani- Fishta- Fjala tek Varri-Avni Rustemi

“Gjyqi Special” kundër Agron Tufës…

May 7, 2019 by dgreca

… Si rraqet e vjetra e akuzuan në grup si ballist, fashist e fshatar…./

Nga Ergys MERTIRI*/

Agron Tufa dhe Instituti që ai drejton u bënë objekte të një sulmi të organizuar në shtyp nga një armatë njerëzish, kryesisht ish-persekutorë e shërbëtorë të regjimit komunist, të rreshtuar sot në mbrojtje të trashëgimisë së tyre politike.

Siç ndodh gjithmonë në këto raste, Tufa u bë shënjestër e një goditjeje në turmë, dhe për këtë u thirrën nën armë një mori rraqesh të vjetra dhe të reja, mbeturina të një sistemi qesharak të dështuar, për të hedhur secili gurin e tij kundër atij që guxon të zbardhë krimet e së kaluarës. Hijenat sulmojnë gjithmonë në grup dhe, të strehuar në turmë, kafshojnë më fort, me të gjithë mllefin e poshtërsisë së tyre të ndezur nga hija e fajit që i shoqëron ngado.

Sulmi u nis fillimisht nga Spartak Braho, një rrangallë e vjetër e aparatit kriminal të regjimit, ende në detyrë, që vazhdon të jetë, nuk dihet për ç’merita, përfaqësues i popullit në parlament. Ironikisht, ai kërkoi shkarkimin e z. Tufa, pasi paskësh botuar një listë ku paraqiten një sërë drejtuesish të çetave partizane, të cilët kanë kryer krime gjatë luftës. Kjo u pasua nga një breshëri shkrimesh, akuzash mbi dhe nën brez, e deri te bejte bajate shkrimtarësh soc-realistë me një këmbë në varr, përfshi këtu edhe profesorë universitetesh, ish-deputetë, e madje edhe të rinj neokomunistë me aksione politike në Shqipërinë e rilindur – të gjithë me të njëjtën ironi e cinizëm linçues, pa asnjë argument, duke akuzuar një institut pse thotë disa të vërteta të dokumentuara mbi luftën partizane. Sipas tyre, të vërtetat nuk u dashkan thënë dhe zbardhja e historisë njolloska “lavdinë e kësaj lufte”!

Në mënyrë qesharake dhe shtazarake, z. Tufa u akuzua për fashist, nazist, ballist, përçudnues i vlerave të kombit e deri edhe për fshatar. Në dialektikën e katundarllëkut,rët e ardhur në Tiranë për shkak të lëvizjes së lirë të pas viteve ’90 (të cilët u përfaqësokan nga z. Tufa) janë barbarë e shpellarë, ndërsa ata që i zbriti partia për të bërë zap e për të shtruar në hu popullin e kasabasë, janë të qytetëruar e të kulturuar! Në dialektikën e trushpëlarjes së tyre, ai që urren komunizmin duhet të jetë patjetër fashist e nazist. Për shkak se z. Tufa ka aq higjienë etike dhe njerëzore sa të urrejë trashëgiminë e krimit që shkatërroi e degjeneroi një komb të tërë, ai akuzohet për fashist e rrjedhimisht edhe për kolaboracionist në tentativë, për mbrojtës të pushtimit nazist e madje edhe të holokaustit. Në mos një Nurenberg, një gjyq special si ato të “Komandantit Legjendar” e ka hak!

Në fakt, pothuajse të gjithë ata që hodhën grushtin e tyre të baltës janë njerëz që jo vetëm i kanë ndyrë duart, në një mënyrë apo një tjetër, në regjimin e kaluar, por edhe sot e kësaj dite janë të angazhuar në apologjinë e krimit, duke relativizuar fëlliqësinë që prodhoi e vazhdon të prodhojë ai regjim. Paturpësia shkon deri aty sa, megjithëse disa prej tyre, si Sevo Tarifa p.sh., që shpreh vlerësim për Enver Hoxhën dhe e konsideron atë komandant legjendar, ata të gjithë bashkojnë zërin në të njëjtin kor në emër të luftës ndaj armikut të klasës. Ideja se z. Tufa mund të jetë potencialisht një kriptofashist i maskuar është një problem shumë më i madh për ta sesa nostalgjia idiote dhe malinje e “bashkëluftëtarëve” të tyre ndaj një trashëgimie terroriste si enverizmi.

Ndërsa shfaqen të përdëllyer për hebrenjtë e masakruar në dhomat e gazit në Aushvic, këta antifashistë të indinjuar nuk shfaqin kurrfarë ndjeshmërie për kasaphanat e komunizmit në kampin e Tepelenës apo në burgjet e Spaçit dhe të Burrelit. Ata nuk gjejnë asnjë moment ndjeshmërie dhe solidariteti njerëzor për faktin që ende sot, pas 28 vjetësh, viktimat që baballarët e tyre i ekzekutuan pa asnjë faj nuk kanë ende një varr për t’u qarë nga të afërmit. Ata nuk kanë asnjë fjalë për të thënë kur sot e gjithë ditën edhe kur ndonjë i persekutuar arrin të gjejë një punë në shtet, gjen aty si shefa ish-persekutorët e tij. Ata nuk shqetësohen pse krimet nuk janë dënuar, pse dosjet nuk janë hapur, pse të vërtetat nuk thuhen, por shqetësohen pse nuk po ia njohim disa merita ish-kriminelëve që na përçudnuan si popull. Shqetësohen se po mohojmë luftën e tyre për çlirimin e vendit, të cilin më pas ata vetë e përdorën për robërimin e tij në mënyrën më të egër. Duhet të kesh pësuar një deformim të thellë mendor e human, që të arrish deri në atë pikë sa të mbrosh me kaq tërbim një trashëgimi që qelbet erë kaq shumë sa kjo!

Zbardhja e krimeve të luftës nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është një punë e dokumentuar dhe e botuar në një libër, i cili mund të debatohet, por kurrsesi të sulmohet e linçohet publikisht. Dokumentimi i fakteve mbetet gjithmonë një punë e lavdëruar dhe nuk mund të njollosë asnjë pjesë të historisë sonë. Populli shqiptar i periudhës së luftës nuk përfaqësohet nga krerët e PKSH-së, ndaj të vërtetat e hidhura që shoqërojnë atë parti nuk cenojnë aspak vlerat kombëtare. Në të vërtetë, ata që ndiehen të cenuar prej këtij angazhimi janë pikërisht pinjojtë e një trashëgimie politike kriminale që erdhi më pas, apologjinë e së cilës po e bëjnë prej kohësh zëra të tillë si ata që sot sulmojnë institutin. Fakti që ata kanë kurajë të bëhen bashkë dhe të ngrenë zërin për të sulmuar të vërtetat që zbardhen është dëshmi e dështimit të shoqërisë sonë për t’u çliruar nga e kaluara e hidhur që ata përfaqësojnë.

* Exit.al

Filed Under: Analiza Tagged With: Ergys Mertiri-Gjyqi Special-Agron Tufa

PËR VATRËN PROAMERIKANIZMI I SHQIPTARËVE MBETET I SHENJTË

May 7, 2019 by dgreca

– Federata Pan shqiptare e Amerikës VATRA u taku me deputetin demokrat (Me mandat të dorëzuar) Endri Hasa- *

Të Dielën në mesditë, 5 Maj 2019, deputeti demokrat i Elbasanit( por që e ka dorëzuar mandatin) Endri Hasa, vizitoi selinë e VATRËS. Ai u prit nga Kryetari i Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA, Dritan Mishto me bashkëpunëtorët e tij.

Kryetari Mishto ia uroi mirëseardhjen mikut të tij deputet, duke i prazantuar bashkëpunëtorët pjesmarrës në takim, ndërkohë që deputeti Hasa shoqërohej nga avokati Hasan Metuku, ish këshilltar ligjor pranë ish Kryeministrit Sali Berisha, në vitet 2009-2013.

Kryetari Mishtoi e ka njohur mysafirin me veprimtaritë dhe qëndrimet e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dhye marrdhëniet e saj me Uashingtonin zyrtar. Ai shfaqi mendimet e Vatrës se opozita Shqiptare duhet të luftojë më shumë për proamerikanizmin e shqiptarëve dhe të ketë platformë të qartë, dhe se nuk do të bëjë gabimet e mazhorancës qeverisëse, e cila ka “guxuar” që të ngrejë dorën dhe të votojë kundër qëndrimit amerikan në forumet ndërkombëtare, sic ishin rastet në OKB. Për Federatën VATRA proamerikanizmi i shqiptarëve është i shenjtë dhe merr rëndësi të dorës së parë. Asnjë politikan, as një forcë politike, as një qeveri, nuk ka mandat që të luajë me këtë ndjenjë të shqiptarëve. Vatra prej 107 vitesh ka luftuar fort për marrëdhënie të ngushta dhe miqësi me Amerikën dhe ka qenë e mbetet avokatja e kësaj miqësie, dhe këtë kauzë të paarardhësve tanë vatranë ne e konsiderojmë të shenjtë. Veprimet antiamerikane të kësaj mazhorance që qeveris vendin, për Vatrën, përbëjnë provokim ndaj miqësisë shqiptaro-amerikane dhe provokim ndaj shqiptarëve të Amerikës.

Në fjalën e tij, deputeti Hasa, falenderoi kryetarin e Vatrës, dhe pjesmarrësit në takim, për mikpritjen. Më pas ai paraqiti gjendjen aktuale të krizës shqiptare, ku pozita dhe opozita janë ballëpërballë; njëra me të gjitha pushtetet e kapura, e mbrojtur me polici të shumfishuar, dhe tjetra e bashkuar me qytetarët në rrugë, të cilët ndjehen të varfëruar, të pambrojtur, të papunë, dhe nuk shohin rrugë tjetër për të kërkuar të drejtat e nëpërkëmbura nga qeveria me një Drejtësi në kolaps, pa Gjykatë Kushtetuse, me prokurore “të përkohshme” dhe me një kryeminsitër që i ka të gjitha vulat në dorë, qeveria e të cilit lundron në korrupsion. Ai paraqiti platformën e opozitës së bashkuar dhe argumentoi se përse ajo e sheh të pamundur pjesmarrjen në zgjedhje me kryeministrin dhe qeverinë aktuale.

Z. Hasa iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve duke sjellë detaje nga platforma e opozitës, e cila kërkon një qeveri tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e përgjithshme.

Më pas kryesia e Vatrës së bashku me mysafirin u bënë pjesë e veprimtarisë që u organizua në Ditën e Lirisë Shqiptare në Westchester, kushtuar dëshmorit dhe pishtarit të Demokracisë Nik Mrnacaj, ku deputeti përshëndeti dhe u duartrokit.

  • Per me shume fotografi shiko ne Facebook Gazeta DIELLI

Filed Under: Featured Tagged With: Deputeti Endri Hasa-Vatra-Dritan Mishto

Papa Françesku i lutet Nënë Terezës

May 7, 2019 by dgreca

Në ditën e sotme të udhëtimit të tij të 29-të apostolik, në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku shkoi në Shtëpinë-Memorial të Nënë Terezës dhe i drejtoi një lutje shenjtes shqiptare të bamirësisë, të cilën po jua propozojmë të plotë më poshtë.

Kujtojmë se Shtëpia përkujtimore është ndërtuar aty ku ngrihet kisha e Zemrës së Krishtit, shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963. Pikërisht në atë kishë, që ishte famullia e saj, themeluesja e ardhshme e Motrave të Dashurisë mori pagëzimin, një ditë pas lindjes. Guri i parë u vendos më 9 maj 2008, ndërsa përurimi u bë më 30 janar të vitit të mëpasëm. Ndërtesa, me një stil të veçantë evropian e indian, ka një bazament në gur me të cilin ndërthuren elementë të ndryshëm arkitektonikë, ku spikat një kullë xhami, në faqet e së cilës mbizotëron një kryq i madh, punim në filigranë. Kati i parë është një muze, ku ekspozohen fotografi e objekte të Nënë Terezës si edhe disa relike të saj; në katin e dytë, krejtësisht prej xhami, ndodhet kapela. Shtëpia përkujtimore vizitohet nga rreth 100 mijë vetë në vit.

Papa u prit nga eprorja dhe nga 3 motra të Nënë Terezës. Një fëmijë i dha një tufë me lule, të cilën Ati i Shenjtë e vendosi në shtatoren e shenjtes. Papa shkoi më pas në kapelë, ku ishin mbledhur krerët e bashkësive fetare të vendit si edhe disa kushërinj të Nënë Terezës. Në altar ishin vendosur relikja e shenjtes, disa objekte personale dhe pesë qirinj, që përfaqësojnë 5 bashkësitë fetare të Maqedonisë së Veriut. Këtu, Papa shqiptoi lutjen e falenderimit drejtuar Zotit, që i dha botës Nënë Terezën si dhuratë dhe lutjen drejtuar vetë shenjtes, që të ndërhyjë për të varfërit e për popullin. Ja urata e plotë:

O Zot, Atë i Mëshirës dhe i çdo të mire

të falenderojmë për dhuratën e jetës

dhe të karizmës së shën Nënë Terezës.

Përmes Provanisë tënde të pamasë e thirre

të dëshmojë dashurinë hyjnore

ndër më të varfërit e Indisë e të botës.

Ajo diti të bëjë të mira për më nevojtarët,

sepse pa në çdo burrë e në çdo grua

fytyrën e Birit Tënd.

E butë dhe e përvujtë ndaj dikimit të Shpirtit Tënd,

u kthye në zë lutës i të varfërve

dhe i të gjithë atyre

që kanë uri dhe etje për drejtësi.

Duke e bërë të vetën britmën e Jezusit në kryq,

“Kam etje”,

Nënë Tereza ia shuajti

etjen Jezusit në kryq,

me vepra dashurie të mëshirshme.

Të lutemi ty, o shën Nënë Terezë,

o nëna e të varfërve,

të lutemi për ndërhyrje të veçantë e për ndihmë,

këtu, në qytetin tënd të lindjes,

ku e kishe shtëpinë.

Këtu more dhuratën e rilindjes

në sakramentet e besimit të krishterë.

Këtu i dëgjove fjalët e para të fesë

në familje dhe në bashkësinë e besimtarëve.

Këtu fillove t’i shohësh

e t’i njohësh njerëzit nevojtarë,

të varfërit e të vegjlit.

Këtu mësove nga prindërit t’i duash

më nevojtarët e t’i ndihmosh.

Këtu, në heshtjen e kishës

dëgjove thirrjen e Jezusit për ta ndjekur

në misione si rregulltare.

E këtu po të lutemi: ndërhy pranë Krishtit

që edhe ne të marrim dhuratë hirin

për të dëgjuar me vëmendje dhe kujdes britmën e të varfërve,

të atyre, që privohen nga çdo e drejtë:

të sëmurët, të mënjanuarit, të fundmit.

Ai i Lumi na dhashtë hirin ta shohim

në sytë e atyre, që na vështrojnë

sepse kanë nevojë për ne.

Na dhashtë një zemër, që di ta dojë Zotin

e pranishëm në çdo burrë e në çdo grua,

që di ta njohë ndër ata

të cilët pësojnë vuajtje dhe padrejtësi.

Na dhashtë hirin të jemi, edhe ne,

shenjë dashurie e shprese në kohën tonë,

që ka kaq nevojtarë, kaq të braktisur,

kaq të harruar e kaq emigrantë.

Bëj që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë,

por të jetë e frytshme dhe e vërtetë,

që të mund të japim

dëshmi të besueshme në Kishë,

e cila e ka për detyrë

t’u predikojë Ungjillin të varfërve,

çlirimin të burgosurve, gëzimin të pikëlluarve,

hirin e shëlbimit, të gjithëve.

O Shën Nënë Tereza lutu për këtë qytet,

për këtë popull, për Kishën e tij

e për të gjithë ata, që duan ta ndjekin Krishtin

si dishepuj të Atij Bariu të Mirë,

duke bërë vepra drejtësie, dashurie,

mëshire, paqeje dhe duke shërbyer,

si Ai, që erdhi jo për t’u shërbyer,

por për të shërbyer e për të dhuruar jetën për shumë vetë,

Krishti, Zoti ynë.

Amen

07 maj 2019, 12:49

Papa: Nënë Tereza na ndihmoftë ta dëgjojmë me vëmendje britmën e të varfërve

Gjatë vizitës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, Papa i lartoi Zotit lutjen për nder të Shenjtores, duke i kërkuar të na bëjë edhe ne “shenja dashurie”, dëshmitarë të besueshëm të Kishës, që ka për detyrë t’ia predikojë Ungjillin të varfërve. Pas lutjes, takimi prekës me 100 të pastrehë, të asistuar nga Motrat Misionare të Bamirësisë dhe bekimi i gurit të parë për Shenjtëroren kushtuar Nënë Terezës.

R. SH. Vatikan

Një nga çastet më prekëse të kësaj dite në Maqedoninë e Veriut, ishte pikërisht vizita e Papës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, vendlindje e  Shenjtores, figurë e ndritur, në qendër të vëmendjes të këtij shtegtimi të 29-të apostolik, ashtu si Shën Gjoni XXIII. Do të jetë një ndërtesë moderne, që do të përurohet në vitin 2019 e do të ketë edhe një muze të vogël, me foto, objekte e relike të Nënë Terezës. Pjesa e parë e kësaj etape nisi me lutjen para shtatores së Shenjtores, një herë në heshtje. Pastaj, në kapelën e ndërtesës, ku ishin të pranishëm liderët e bashkësive fetare të vendit, dy kushërinj të Nënë Terezës e, natyrisht, edhe Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë, me tri rregulltare, Papa lartoi lutjen në nderim të  Shenjtores shqiptare.

Mbi altar ishte ekspozuar një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj, simbol i pesë konfesioneve fetare. Bashkësitë fetare të pranishme, sipas njoftimit të Kishës vendase, ishin: bashkësia ortodokse maqedone, e përfaqësuar nga metropoliti i Shkupit, Stefani; bashkësia islamike, nga ulema Sulejman Rexhepi; bashkësia ungjillore metodiste, nga pastori Michail Cekov; bashkësia hebraike, nga Berta Romano Nikolic. E nuk është rastësi që, në këtë vizitë, morën pjesë të gjithë liderët fetarë: këtë Grua të vogël- tejet të madhe – që u përkul mbi të  varfërit më të varfër, e deshën fort njerëz të feve, kulturave, traditave të ndryshme, në të katër anët e botës, sepse në të katër anët shkeli, deshi, shërbeu! Për t’ia  shuar etjen e Jezusit të mbërthyer mbi kryq!

Gjatë lutjes për nder të Nënë Terezës, kanonizuar në vitin 2016, Papa iu drejtua Zotit me fjalët prekëse:

“Të falënderojmë o Zot – u lut – për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së  dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.

Si Nënë Tereza, shenjë dashurie

Në vendin, ku sot ngrihet shtëpia përkujtimore, më parë ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, e rrënuar nga tërmeti i vitit 1963. Aty pati qenë pagëzuar Nënë Tereza! Aty i pëlqente shumë të lutej. E po aty, ndjeu së pari zërin e Jezusit! Zoti po e thërriste për ta ndjekur pas në jetën rregulltare si misionare – kujtoi akoma Papa në lutje. – Pikërisht prej këtij vendi, kaq domethënës për Shën Terezën, Françesku iu lut Shqiptares së Madhe të ndërmjetësojë pranë Jezusit, që të na e dhurojë edhe ne hirin ta dëgjojmë  britmën e të varfërve, të atyre, që u mohohet çdo e drejtë, të sëmurëve, të  shtypurve, të fundmëve. E edhe hirin që ta shikojmë Jezusin në sytë e nevojtarit:

“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë,  e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

“O Shën Nënë Terezë, lutu për këtë qytet – përfundoi Papa – për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si dishepuj të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi  si Ai, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

Takimi me të varfërit dhe bekimi  i gurit të parë të Shenjtërores së Nënë Terezës

Në përfundim, në oborr, Papa u takua me 100 të varfër, të asistuar nga Misionaret e Bamirësisë, Urdhër i themeluar nga Nënë Tereza. Eprorja vendase, motër Tekla, i drejtoi një përshëndetje Atit të Shenjtë:

 “Jemi ndërmjet të varfërve më të varfër – kujtoi – e, në vijim, përsëriti fjalët e paharrueshme të vetë Nënë Terezës: ‘Të varfërit janë njerëz të mëdhenj’; kanë kombësi, gjuhë, fe, përvojë të dhimbshme e tronditëse të ndryshme, por janë të bashkuar nga e njëjta shpresë”.

Shumë prekëse edhe dëshmia e Sonjës, një gruaje të asistuar nga motrat, që foli para Papës, duke mbajtur përdore vogëlushen e vet. Vajzë-nënë, ajo pati shpresuar të kishte një vatër familjare, por mbeti në mes të rrugës së madhe. Në pritje të foshnjës. Nga përvoja e saj u ndje fort dhimbja e thellë, por dhe mirënjohja, edhe më e thellë, për motrat që – theksoi – pa më pyetur fare ç’feje i përkas – e unë jam ortodokse – më hapën portën e zemrën, mua e bijës sime. Kur duhej të vendosja ta mbaja fëmijën apo ta abortoja – vijoi – zgjodha jetën, ngaqë e dija se Zoti është këtu, me ne, se Ai nuk na braktis kurrë”.

Fjalë prekëse, edhe sepse e bëjnë të dukshëm frytin e një morie jetësh të dhuruara për dashuri, fryt që lexohej qartë në sytë e ndritshëm të të varfërve të pranishëm në takim, të cilët Papa i përshëndeti një për një. Dëshmi tjetër, e prekshme, emocinuese, kjo, për t’u treguar se nuk janë të harruar. Se ka kush i kujton!

07 maj 2019, 14:17 (Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: Papa Francesku-Lutet-Nene Tereza

65 VJET BEKTASHIZËM SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA

May 7, 2019 by dgreca

                                                 Shkruan: Frank Shkreli/

 Në një kronikë nga Zëri i Amerikës të hënën, mësohet se se Teqeja e parë Bektashiane shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbushi 65 vjet.  Siç dihet, Teqeja Bektashiane e themeluar më 15 Maj, 1964 ndodhet në Tejlor të Miçiganit dhe është themeluar nga Baba Rexhebi, njëri prej udhëheqësve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, të shekullit të kaluar.  Si shumë shqiptarë të njohur të tjerë të gjeneratës së tij, Baba Rexhebi u largua nga Atdheu, ashtu që të shpëtonte nga përndjekjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, siç e pësuan shumë klerikë të tre feve kryesore të shqiptarëve dhe në vitin 1964 themeloi Teqenë në shtetin Miçigan të Amerikës, aty ku ishin vendosur shumë familje shqiptare,  të arratisura pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist në Shqipëri.

Dihet se dy karakteristika dalluese të Bektashizmit janë misiticiymi dhe liberalizmi. Baba Rexhebi citohet të ketë thënë se, “Bektashizmi është një sekt liberal i fesë Islame, i frymëzuar nga ndjenjat më të thella të vullnetit të mire dhe vëllazërimit midis njerëzve.”  Në këtë frymë, Baba Rexhebi kishte hapur edhe Teqenë në Tejler të Miçiganit, duke u premtuar të gjithëve, pa dallim se, “Dyert e Teqeve Bektashiane janë gjithmonë të hapura për të gjithë njerëzit, shqiptarë dhe të huaj, pa marrë parasysh fenë, origjinën, ngjyrën, racën ose klasën shoqërore të tyre.  ‘Shtëpia e Haxhi Bektashit’ është shtëpia e të gjithëve’, ka thënë Naim Frashëri.  Kjo është tradita që ndiqet nga Teqeja jonë, e cila i mban dyert e hapura për të gjithë.  Dhe duke ndjekur rrugën e Haxhi Bektashit, ajo gjithmonë predikon paqën, dashurinë dhe vëllazërimin midis të gjithë Shqiptarëve dhe me të gjithë njerëzit.”

Kjo frymë hapjeje dhe përfshirjeje ndaj të gjithëve vazhdon të pasqyrohet edhe sot në 65-vjetorin e saj — nga Teqeja shqiptare në Miçigan, aktualisht  e drejtuar nga Dervishi kësaj Teqeje, Eliton Pashaj.  Ashtu si edhe qendrat e tjera fetare në shqiptare në Shtetet e Bashkuara, edhe Teqeja ka luajtur rolin e saj fetar, natyrisht, por edhe ka shërbyer si qëndër atdhetare për të gjithë, pa dallim partie, feje ose krahine.  Dervishi aktual u shpreh kështu për Zërin e Amerikës: “Shqiptarët kur vinin në Teqe e ndienin sikur shkonin në Shqipëri. Teqeja ishte si Shqipëria e vogël. Vinin, qanin hallet të gjithë ballistët, nacionalistët dhe zogistët. Teqeja ishte vendi ku të gjithë i harronin bindjet politike të veçanta dhe bashkoheshin për të qarë hallet për Shqipërinë. Dhe Baba Rexhepi i frymëzonte dhe i mbante me shpresën se një ditë Shqipëria do të jetë e lirë dhe të gjithë do të arrinin të shikonin familjet e tyre.”

Ashtu siç ishte traditë qyshë nga koha e Baba Rexhebit edhe për shënimin e këtij përvjetori, Teqeja kishte mbledhur komunitetin dhe përfaqsuesit fetarë të tij, që së bashku të festojnë këtë përvjetor të rëndësishëm për të gjithë komuniotetin shqiptaro-amerikan – jo vetëm nga pikëpamja fetare, por edhe nga pikëpamja atdhetare.  Sipas, VOA-s, për këtë rast, nga Shqipëria kishte ardhur Baba Mondi, udhëheqësi botëror i urdhrit Bektashi, ndërkohë që të pranishëm ishin gjithashtu edhe Imam Shuajb Gërguri përfaqësues i komunitetit mysliman dhe Dom Ndue Gjergji, përfaqësues I komunitetit shqiptar katolik në Miçigan, i cili kujtoi lidhjet dhe trashëgiminë që kanë lënë pas tre para-adhësi të tyre hd e lidhjet me Teqenë shqiptare në Tejlor të shtetit Miçiganit . “Ne me këtë komunitet, na lidhin ata tre themeluesit e mëdhenj, të tre qendrave tona fetare: Baba Rexhepi, Vehbi Ismaili i Qendrës Islamike dhe Dom Prenkë Ndrevashaj i kishës sonë Zoja Pajtore.  Kanë qenë tre njerëz me vizione, tre njerëz të mëdhenj, të cilët në mërgim u kanë dhënë njerëzve tanë shpresën, besimin, vlerat tona kombëtare.  Ajo që kleri ynë gjithnjë e ka thënë: feja, atdheu.  Unë nuk dalloj; bektashinjtë, të krishterët dhe katolikët, tanë jemi një.”

Shprehjet atdhetare dhe njerëzore të klerikëve tanë shqiptarë, sidomos për botën e sotme të ndarë dhe të përçarë nga pikëpamjet e ndryshme politike dhe fetare, kanë pasqyrua, historikisht, dhe vazhdojnë të pasqyrojnë ndër vlerat më të mira tonat, si shqiptarë dhe si fetarë.

Këtë mesazh, Teqeja Bektashiane në shtetin Miçigan të Shteteve të Bashkuara e ka jetuar dhe zbatuar për 65 tani, për të gjithë ata që kanë dashur dhe duan ta shohin.  Këto mesazhe, në të vërtetë, nuk nevojitin komente shtesë pasi flasin vet vet edhe në këtë 65-vjetor – duke shprehur filozofinë dhe duke theksuar veprat e Bektashizmit, bazuar në paqë e dashuri, në radhë të parë midis të gjithë shqiptarëve pa dallim, por edhe midis njerëzve kudo në botë. Për 65 vjet tani, Teqeja Bektashiane – e themeluar nga i mirënjohuri për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë, i përndershmi Baba Rexhebi, ka shëndritë si një yll dritë bashkpunimi e pajtimi midis shqiptarëve. Falë shembullit të Teqesë Bektashiane, themeluesit të saj Baba Rexhebit dhe pasuesve të tij, veprimtaria dhe bashkëpunimi prej dekadash midis qendrave fetare shqiptare dhe udhëheqësve të tyre në Amerikë, kanë qenë një frymëzim për të gjithë, duke treguar se feja dhe kultura vetëm mund të fisnikërojnë Kombin tonë dhe jo ta dëmtojnë.

Baba Rexhebi, themeluesi, frymëzuesi dhe shtylla e kësaj qendre për dekada, i cili ndërroi jetë më 1995, për fat të mirë, jetoi për të parë rivendosjen e Bektashizmit në Shqipëri, që së bashku me besimet e tjera, ishte zhdukur me ligjet absurde kundër fesë të regjimit të Enver Hoxhës, që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.  Si rrjedhim, klerikët e të gjitha feve e pësuan shumë keq nga regjimi i Enver Hoxhës, përfshir klerikët bektashianë. 

Aq keq e kishte pësuar kleri bektashian nën regjimin komunist të Enver Hoxhës saqë sipas të dhënave të Teqesë Bektashiane në Miçigan, kur më 1991 u rivendos liria e fesë, në Shqipëri kishin mbetur gjallë vetëm pesë baba dhe një dervish, prej rreth 100 që jetonin në vitin 1967, kur Shqipëria vendosi arbitrarisht të ndalonte fenë me ligj dhe të burgoste ose të zhdukte klerikët e të gjitha feve. Por ishte Baba Rexhebi ai që e mbajti gjallë Bektashizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri.  Ai meriton kredinë, pasi ishte motori shtytës i veprimtarisë dhe i jetës fetaro-shpirtërore si dhe i rolit dhe i veprimtarisë patriotike dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi. Gëzuar 65-vjetori i themelimit të Teqesë Bektashiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

NGA FESTIMET NE TEQENE E BABA REXHEBIT

Filed Under: Emigracion Tagged With: Frank Shkreli-65 vjet-Teqeja Bektashiane-SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1024
  • 1025
  • 1026
  • 1027
  • 1028
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT