• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THAÇI: MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI, E PAMUNDUR PA ROLIN VENDIMTAR TË SHBA

May 1, 2019 by dgreca

Gazeta DIELLI: Dy fjalimet e Presidentit Thaçi në Samitin e Berlinit/

THAÇI: MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI, E PAMUNDUR PA ROLIN VENDIMTAR TË SHBA

-Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Samitin e Berlinit lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që edhe njëherë të them se nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e këtij takimi të sotëm, i cili po ndodh në një periudhë shumë delikate për rajonin, dhe sidomos të relacioneve tepër të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër faktit se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ngjan një maratone shumë të vështirë dhe plotë pengesa, unë them që dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur paqe dhe pajtim.

Për më tepër, marrëveshja e vitit 2013 dhe të gjitha marrëveshjet tjera të arritura pastaj, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të dy shteteve.

Fatkeqësisht, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar në tersi.

Serbia ka dështuar të zbatoj marrëveshjen për Energji, atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe ka pamundësuar hapjen e urës  mbi lumin Ibër të Mitrovicës, e cila bashkon qytetin e ndarë dhe qytetarët.

Gjithashtu, me veprimet e veta destruktive, Serbia ia ka pamundësuar Kosovës që ta zbatoj në praktikë Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ekipi Menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit i cili përbëhet nga përfaqësuesit e komunitetit serb që jeton në Kosovë, në përputhje me udhëzimet dhe rekomandimet e Serbisë, ka dështuar në mënyrë të qëllimshme që ta kryej punën e vet në përputhje me marrëveshjen.

Sigurisht, Serbia vazhdon të akuzoj Kosovën për mos zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshje, mirëpo të gjithë duhet ta kenë të qartë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që implementimi i saj të ndodhë pa asnjë vonesë, mirëpo gjithnjë në përputhje me marrëveshjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Besoj se të gjithë e keni të qartë se pse Serbia nuk dëshiron që Asociacioni të themelohet ashtu siç e parashikon Marrëveshja dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Qëllimi është i qartë, Serbia dëshiron që në pjesën veriore të Kosovës, të themelohet një Asociacion i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, i njëjtë me modelin e Republikës Serbe në Bosnje. 

Një gjë e tillë nuk mund të ndodh në Kosovë dhe sot e ritheksoj përsëri që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe as nivel të pushtetit të tretë.

Tani me lejoni të kthehem pak tek situata aktuale rreth dialogut dhe mundësitë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare.

Të gjithë jemi dëshmitarë se dialogu aktualisht është i bllokuar.

 Janë disa faktor që kanë sjellë këtë situatë të pashpresë, por unë po theksoj vetëm disa.

 Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës për prodhimet serbe të vendosur nga Kosova.

Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut i cili është respektuar që nga viti 2011, që nënkupton se dialogu është i pakushtëzuar.

 Vendosja e taksës ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe legjitim si reagim ndaj shkeljeve të përsëritura e të dokumentuara të CEFTA-s nga ana e Serbisë. Si i tillë, ai mbetet  në fuqi.

Së dyti, më lejoni të them se përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, janë minuar dhe kundërshtuar në mënyrë të pakuptueshme nga disa drejtime. Përkundër vullnetit të ndërmjetësueses së dialogut znj. Federica Mogherini, dhe gatishmërisë sime dhe Presidentit Vucic për të punuar seriozisht drejt një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ka munguar përkrahja në aspektin ndërkombëtar por edhe në atë rajonal.

Faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike, shtetet e Qunitit, SHBA, Anglia, Gjermania, Franca dhe Italia nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Kjo përçarje, ka pasur reflektime tepër negative në spektrin politik në Kosovë dhe si rrjedhojë, kemi pasur qëndrime kundërthënëse dhe vështirësi të mëdha në themelimin e Ekipit Negociues gjithëpërfshirës në Kosovë.

Me gjithë respektin e madh për ju Kancelare Merkel, President Macron, unë jam skeptik se një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale mund të arrihet në rast se shtetet e Quinitit nuk janë të bashkuara dhe në rast se nuk flasin me një zë.

Për më tepër, ju të gjithë e dini se marrëveshja është e pamundur pa rolin vendimtar të SHBA-ve.

Së treti, shtetet fqinjë në rajon, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk janë dëshmuar aspak ndihmuese ndaj përpjekjeve tona.

Kështu, derisa në takimet tona bilaterale ata i kanë mbështetur përpjekjet tona për marrëveshje, e vërteta e hidhur është se në takimet që kanë zhvilluar me shtetet e Quinitit duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, shtetet nga rajoni kanë shfaqur kundërshti (në këndvështrimin tim të pabazuara) ndaj arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse.Kundërshtimi thelbësor i disa shteteve të Quintit kundër përpjekjeve tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse (dhe i shteteve te lartpërmendura nga Ballkani Perëndimor), është arsyetuar dhe fokusuar në një çështje të vetme, atë të demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo në disa raste të korrigjimit të kufirit.

Kjo është bërë në mënyre të qëllimshme, për të rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi të ndryshojmë kufijtë në Ballkan, se gjoja ne duam kufij përgjatë vijave etnike, etj.

Kundërshtarët politik në Kosovë më kanë akuzuar se gjoja unë jam për ndarjen e Kosovës, kurse disa diplomatë perëndimor për kinse krijimin e kufijve etnik të ri në Ballkan.

Këto pretendime kanë qenë dhe janë të gabuar plotësisht.                

Atyre që janë ngutur të më sulmojnë kaq ulët duke u fshehur pas disa parimeve të keqpërdorura, u them se nëse sot kemi frikë nga e vërteta dhe sillemi kinse si parimor pa ofruar zgjidhje, duke preferuar ngrirjen e konfliktit ne vend te zgjidhjes se tij, nesër mund te përballemi me opsione tejet destruktive që çojnë ne ndarjen apo krijimin e një Republike të re Serbe në veriun e Kosovës.

Ne kemi punuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila ndër pikat e shumta që do të trajtoj, duhet të ketë edhe një pikë të veçantë për demarkimin e kufirit e cila do të duhej të bëhej nga ekspertët e kësaj fushe. 

Unë jam i sigurt se pavarësisht faktit se kur dhe si do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet të dy shteteve është thjesht i pashmangshëm. Këtë e dimë nga eksperienca jonë me Malin e Zi, por ketë e dimë edhe nga vetë eksperienca e Kroacisë me Slloveninë apo e Shqipërisë me Greqinë për kufirin detar (dhe në mos gaboj edhe për atë tokësor).Sido që të jetë, kam frikë se momentumi pozitiv që ka ekzistuar vetëm disa muaj më parë, është duke humbur dhe jam skeptik se mund të rikthehet shpejt.

Mirëpo Kosova mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi dhe spektri politik kosovar, është plotësisht i unifikuar në qëndrimet e veta.

–          Ne jemi konstruktiv dhe të gatshëm për dialog të pakushtëzuar në çdo moment.

–          Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe mbetet i pacenueshëm.

–          Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë.

–          Kosova nuk do të bëj asnjë kompromis me Serbinë në këmbim të njohjes.

–          Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë duhet të themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, respektivisht ligjet e Kosovës.

–          Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo qoftë se në Veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive, e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë.

–          Nuk mund të ketë një zgjidhje të modelit Gjermano-Gjerman dhe të një sovraniteti të dyfishtë.

–          Kosova i ka përfunduar të gjitha kompromiset e veta duke pranuar Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit.

–          Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime, do të interesohet dhe përkrahë aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizim dhe pajtim me Serbinë.

Ju faleminderit për vëmendjen Tuaj!

*****

RELACIONI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË ËSHTË I VETËKUPTUESHËM

-Fjalimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Samitin e Berlinit lidhur me pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal/

Zonja dhe zotërinj,

Qysh në fillim më duhet të theksoj, se përkundër faktit që kanë kaluar 20 vite nga përfundimi i luftërave në Ballkanin Perëndimor, pajtimi i plotë ndër-etnik dhe ndër shtetëror, ende duket i largët, pavarësisht progresit të bërë.

E njëjta situatë reflektohet kur është në pyetje edhe bashkëpunimi rajonal, pavarësisht iniciativave të shumta të ndërmarra deri më tani, duke përfshirë procesin e  Berlinit. 

Procesi i integrimit në BE pothuajse është tërësisht i bllokuar.

Perspektiva evropiane për Kosovën mbetet vetëm një frazë e mirë për veshët e cila vazhdon të përsëritet, por asgjë më shumë. 

Realiteti i sotëm në Ballkanin Perëndimor, nuk përputhet aspak me pritjet tona dhe ndoshta edhe me ato të BE-së.

Përkundër faktit që shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, i ka dhënë fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, paqja në rajonin tonë ende mbetet e brishtë.

Jo stabiliteti aktual në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet fqinje në rajon, së pari është rezultat i mosnjohjes dhe sjelljes armiqësore e Serbisë, dhe së dyti, mosnjohja e pavarësisë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Serbia në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar ta cenojë dhe minojë sovranitetin shtetëror të Kosovës.

Për çudi, sjellja armiqësore dhe anti-evropiane, nuk e ka frenuar rrugëtimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE. 

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, po shkakton probleme të mëdha për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës. 

Kjo situatë ka mundësuar që pesë shtetet anëtare të BE-së, të mos e njohin ende Kosovën. 

Si rrjedhojë, legalisht dhe praktikisht Kosova e ka të pamundur të bëj hapa konkret për anëtarësim në BE dhe NATO.

Si përfundim, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë vazhdimisht të acaruara, ekzistojnë barriera të shumta për lirinë e lëvizjes për qytetarët dhe mallrat.

Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër rezultateve të prekshme, tani është i bllokuar nga Serbia, e cila e ka kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e taksës.

Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, sepse dialogu nuk mund të kushtëzohet nga asnjëra palë.

Ky ka qenë parimi udhëheqës i pashkruar që nga fillimi i këtij procesi.Në anën tjetër, pak a shumë, për shkak të ndikimit negativ të Serbisë, marrëdhëniet e Kosovës me Bosnje dhe Hercegovinën janë në nivelin me të ultë të mundshëm.

Nuk ekziston lëvizja e lirë për qytetarët e të dy vendeve, dhe rrjedhimisht as për mallra. Ka një situatë tepër paradoksale, BE-ja ka hequr vizat për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa kjo e fundit ende e mban në fuqi regjimin e vizave për kosovarët.

Lehtë mund të ndodhë që BE-ja t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina të vazhdoj edhe me tutje.

Zonja dhe zotërinj,

Përkundër këtij realiteti të tendosur, sigurisht që ka pasur progres në relacion me shtetet tjera fqinjë në rajon.Në rend të parë, është tepër e rëndësishëm që Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur të ratifikojnë marrëveshjen ndër-shtetërore për shënimin e vijës kufitare / demarkacionin.

Kjo çështje ka qenë thelbësore për vendosjen e marrëdhënieve të mira reciproke.

Për më tepër, për Kosovën, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, ka qenë kriteri i fundit për liberalizimin e vizave nga BE-ja.Mirëpo për fatin tonë të keq, realiteti i sotëm dëshmon se ky ka qenë vetëm një premtim mashtrues.

Kosova padrejtësisht mbetet vendi më i izoluar në Evropë.Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave në maj të vitit 2016.

Unë nuk e kuptoj se përse qytetarët e Kosovës që janë populli më proevropian në rajon, diskriminohen në këtë mënyrë.

Maqedonia e Veriut është gjithashtu shtet fqinjë me të cilën kemi bashkëpunim, qarkullim të njerëzve dhe mallrave në mënyrë të papenguar.

Nuk kemi asnjë çështje të hapur dhe e kemi mirëpritur marrëveshjen e Prespës dhe jemi mbështetës për anëtarësimin në NATO dhe BE.

Ndërsa, relacioni i Kosovës me Shqipërinë është i vetëkuptueshëm.

Ne jemi vëllezër dhe si dy shtetet të pavarura, duam që të bashkohemi nën ombrellën e përbashkët të BE-së dhe NATO-s.

Sllovenia dhe Kroacia, janë shtete mike të Kosovës në rajonin tonë.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik janë në nivel shumë të kënaqshëm.

Ne vetëm kërkojmë, që këto dy shtete të avokojnë dhe përkrahin shumë më tepër Kosovën dhe shtetet tjera të rajonit, në mënyrë që të përshpejtohet realizimi i aspiratave tona për anëtarësim në BE dhe NATO.

Zonja e zotërinj,

Në një situatë të tillë të marrëdhënieve tona ndërfqinjësore, shumë iniciativa të mira që kanë dalë edhe nga Procesi i Berlinit, kanë mbetur pa u realizuar.

–           Progresi drejt themelimit të zonës ekonomik rajonale, tregtisë së lirë, konektivitetit, e mbi të gjitha pajtimit, do të mbetet i pamundur apo vetëm minimal, për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

–          Për aq kohë sa një gjë e tillë nuk ndodhë, ndikimi i palëve të treta në rajonin tonë, respektivisht ndikimi i Rusisë dhe Kinës do të jetë i vazhdueshëm.

Kjo situatë e keqe në rajonin tonë, nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte.

Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë, sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj.

Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme mirëpo se a do ta bëjnë një gjë të tillë apo jo, mbetet në vullnetin e tyre.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

Filed Under: Opinion Tagged With: Dy fjalimet e Thacit-Berlin - Prill 2019

Shqiptarët e Amerikës, protestë para ambasadës serbe në Uashington

May 1, 2019 by dgreca

SHQIPTARET E AMERIKES PROTESTUAN PARA AMBASADES SERBE NE WASHINGTON

Të mbijetuar të dhunës në Kosovë dhe familjarë të viktimave, si edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, mbajtën të martën pasdite një protestë të planifikuar para ambasadës serbe në Uashington, ku kërkuan drejtësi për krimet e kohës së luftës.

E mbijetuara e dhunës seksuale nga forcat serbe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila dëshmoi të martën paradite në Kongresin amerikan, tha se ishte shumë e rëndësishme që zëri i tyre u dëgjua dhe se shpreson që përmes angazhimit të Kongresit amerikan, të çohet drejtësia në vend.

“Është një punë që është dashur të hapej edhe më herët. Pak me vonesë, por më mire vonë se hic dhe unë e kam kauzën me luftu për drejtësi dhe me thy stigmën jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë botën, ku kanë ndodhur dhunime gjatë luftrave”.

Ajo e pranon se për të nuk ishte e lehtë të protestonte para ambasadës së Serbisë.

“Por kjo është me u tregu atyre se ne nuk ndalemi para se drejtësia të shkojë në vend dhe këta me i pranu krimet që kanë kryer, me kërku falje për krimet dhe me i dënu kriminelët. Kështuqë ndihem krenare që jam para ambasadës serbe, me i tregu këtyre që ne shqiptarët duam drejtësi. Jo hakmarrje, por drejtësi”, thotë ajo.

Anëtari i Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, që sapo është kthyer nga Kosova, ishte një prej protagonistëve të protestës.

“Sot është një ditë që mbas 20 vjetëve të kujtohen gabimet, dëmi që ka ndodhur në Kosovë. 20 mijë femra janë përdhunuar, 13 mijë vetë kanë vdekur, 1620 janë zhdukur. Kemi filluar një lobim të fortë, të vazhdueshëm që me u vu presion Serbisë që kriminelat e luftës të paraqiten para gjykatës, që t’i gjykojmë ne. Zoti ka me i gjyku në jetën tjetër”, tha ai.

Ilir Bytyqi, që edhe në Kongres foli për domosdoshmërinë e vënies para përgjegjësisë të fajtorëve, tha në protestë se Serbia duhet të arrestojë shkaktarët e këtyre krimeve.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, dy vetë nga personeli i ambasadës së Serbisë në Uashington thanë për Shërbimin Shqip se protesta “nuk do të thotë asgjë”. “Është një vend demokratik dhe gjithkush mund të protestojë,” thanë ata.(Koretzi-VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Proteste shqiptare-Ambasada Serbe-Uashington

TË NDARË DHE TË PËRÇARË?!

May 1, 2019 by dgreca

Një parashikim i dështimit të Samitit të Berlinit –tre vjetë më parë/

 Shënim: Skema për ndryshim kufijsh ose shkëmbim territoresh, e tjera,  e trojkës Rama-Vuqiç-Thaçi kishte filluar për së mbrapshti në Beograd me takimin Rama -Vuçiq në tetor të vitit 2016.  Një shikim mbrapa dhe një parashikim, shkruar me 18 tetor, 2016 – pas takimit Rama Vuçiq në Beograd./

Nga Frank Shkreli/

 Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfiton as paqa dhe stabiliteti në rajon, e shqiptarët jo se jo. Ishte predestinuar të dështonte dhe mund të çojë në përçarje midis shqiptarëve.

Ditët e fundit është ndezur debati në Shqipëri dhe në Kosovë në lidhje me deklaratat që bëri Kryeministri i Shqipërisë gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd.  Kryesisht debati përqëndrohet në faktin nëse Kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të tija me serbët, kishte të drejtë të fliste në emër të Kosovës ose për Kosovën.  Komentet dhe interpretimet mbi prononcimet e Z. Rama në Beograd vazhdojnë të jenë të ashpra nga komentues, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, madje me akuza të ashpëra se kush po i frynë erës së ndasive dhe përçarjeve midis shqiptarëve — dashtë e pa dashtë — duke hedhur më shumë benzinë në flakët e kësaj gjëndjeje të krijuar, krejtsisht pa nevojë.  Reagimeve të komentuesve të ndryshëm u praprinë deklaratat e qeverisë së Republikës Kosovës dhe të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Z. Enver Hoxhaj.  

Qeveria e Kosovës, nepërmjet zëdhënsve të saj, përfshirë edhe Këshilltarin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj, citohet nga media të ndryshme të ketë thënë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhen zgjidhur midis nesh, duke shtuar se “Ne mirëpresin angazhimet e të gjitha shteteve mike rreth shtensionimit të marrëdhënieve në mes Republikes së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, posaçërisht angazhimet të cilat vijnë nga Shqipëria.  Megjithatë, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës, posaçërisht nga shtetet me demokraci të zhvilluar, prandaj në emër te Kosoves flasin institucionet e shtetit tonë.   Ne jemi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosoves dhe Repbulikës së Serbise, dhe ato probleme duhen zgjidhur kryekëput në mes nesh”, është cituar të ketë thënë këshilltari I Kryeministrit të Republikës së Kosovës.  Ndërsa Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama duke reaguar ndaj atyre që disa i cilësuan si “përplasje” midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me ato që u njoftuan dhe ato që nuk u njoftuan në Beograd, u shpreh se në takimet me Kryeministrin serb Vuçiq ai, “Nuk kishte folur në emër të Kosovës, por për Kosovën.”   Në rregull, sepse gjatë një vizite zyrtare në Beograd, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk kishte si mos të fliste për Kosovën, ndonëse deklarata e Z. Rama për njohjen e Kosovës nga Serbia nuk është asgjë e re.  Ai e kishte thënë këtë edhe gjatë vizitës së parë në Beograd, ndërkohë që edhe udhëheqsit perëndimorë në çdo takim me zyrtarët serbë bëjnë thirrje për një gjë të tillë, që Serbia ta njohë Kosovën, shtet të pavarur.  Kjo është një thirrje drejtuar Serbisë ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.

Ndërsa edhe Prishtina zyrtare, qeveria dhe ministri i jashtëm Hoxhaj kishin të drejtë të shpreheshin – sidomos për faktin që të mos kishte ndonjë keq kuptim nga ana zyrtare e Beogradit – se janë ata që flasin në emër të shtetit të Kosovës dhe jo Kryeministri i Shqipërisë.  Kaq e pranoi edhe vet Z. Rama, se ai kishte folur për Kosovën dhe në emër të Kosovës.

Por, cilat do qofshin interpretimet e deklaratave të Z. Rama në Serbi, në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të reagimeve zyrtare nga Prishtina, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se askush nuk i njeh serbët më mirë së shqiptarët e Kosovës.  Gjithashtu duhet thënë se Z. Rama ka të drejtë kurë thotë se shqiptarët, për një jetë më normale duhet të ndërtojnë ura midis serbëve dhe shqiptarëve.  Por urat duhet të ndërtohen midis serbëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm gjysmës së shqiptarëve.  

Shpesh është dhënë shembulli i pajtimit midis gjermanëve dhe francezëve pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta si model për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve. Në rregull, historikisht, shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë për pajtim.  Por ndryshimi është se shqiptarët e Kosovës, as shqiptarët në përgjithsi anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk kanë qenë kurrë agresorë kundër asnjë populli dhe nuk kanë pushtuar tokat e askujt, përfshirë tokat serbe.  E vërteta është anasjelltas.  Duhet kuptuar gjithashtu se serbët nuk janë si gjermanët.  Gjermanët, jo vetëm kërkuan falje për krimet e tyre gjatë luftës, por ata madje edhe kompensuan materialisht dhe financiarisht shumë prej viktimave të tyre anë e mbanë Europës.  Fatkeqsisht, shqiptarët dhe serbët janë shumë larg pajtimit dhe për këtë nuk janë fajtorë shqiptarë dhe as Tirana dhe as Prishtina zyrtare.  Për këtë, faji i duhet lenë të dera Serbisë. Por, për mua në këtë moment historik, kanë më shumë rëndësi marrëdhëniet dhe avancimi i tyre midis  vet shqiptarëve – në radhë të parë midis Prishtinës dhe Tiranës zyrtare — se sa marrëdhiet midis Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë,  ndonëse të nevojshme.  Sepse nëqoftse nuk ka bashkim dhe marrëdhënie vëllazërore midis shqiptarëve kudo, nuk na duhet gjë hiç as ndërtimi i urave me Serbinë, në kurrizë të bashkpunimit dhe të bashkimit të shqiptarëve.  Të gjitha këto komente gjatë ditëve të fundit në lidhje me këtë situatë të krijuar pa nevojë, vetëm çojnë ujë në mullirin serb dhe përkeqësojnë edhe më shumë, ato që disa vëretjës po i cilësojnë si, “ndasi dhe përçarje” në rritje midis shqiptarëve, si rezultat i kësaj vizite në Beograd nga kryeministri shqiptar.

Të gjitha reagimet, zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj kësaj vizite të Ramës në Beograd, tregojnë se nuk kishte asnjë bashkrendim të ideve dhe qëndrimeve të përbashkëta në lidhje me takimin shqiptaro-serb që Serbia e kishte cilësuar si një të ashtuquajtur, “Dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, ku fillimisht pritej të ftoheshin të merrnin pjesë edhe përfaqsues politikë të Republikës së Kosovës, gjë që nuk ndodhi.  Ose nëqoftse ka patur këshillime zyrtare midis Tiranës dhe Prishtinës, atëherë qëndrimet mund të kenë qenë diametrikisht të kundërta në lidhje me takimin midis kryeministrit zë Shqipërisë dhe atij serb.

Në mendimin tim, gjëja që duhet të kritikohet më shumë me këtë rast, nuk është vizita e Edi Ramës në Serbi, por është mungesa e bashkpunimit, e këshillimeve dhe e koordinimit të qëndrimeve midis Tiranës dhe Prishtinës, në muajt dhe javët para vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi. Me një bashkrendim të tillë, besoj se gjithë ky debat krejtësisht i pafrutshëm për interesat shqiptare në Ballkan, do të ishte mënjanuar.

Prandaj, në vend të akuzave dhe kundër akuzave të analistëve që njellin zi, duke fajësuar njerën ose tjetrën palë, do të ishte më mirë të bëhej pyetja: Kishte koordinim midis Prishtinës dhe Tiranës ndërkohë që planifikohej vizita në Beograd?  Nëqoftse nuk kishte këshillime, pse nuk kishte një bashkrendim të qëndrimeve për një vizitë që në sipërfaqe dukej si e rëndësishme?  Për më tepër dhe më me rëndësi, a është ky gjithmonë “modus operandi” — mungesa pra e këshillimeve dhe bashkrendimit të pikëpamjeve midis dy kryeqyteteve shqiptare — sidomos kur kemi të bëjmë me çështje madhore të interesit kombëtar, siç janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe?  Këto pyetje nuk kanë të bëjnë aspak me nacionalizëm primitiv siç e quajnë disa, por kanë të bëjnë me ekzistencën e kombit, pikëspari me identitetin kombëtar dhe me interesat afat shkurtëra dhe afat gjata të të gjithë shqiptarëve, historikisht të ndarë në pesë shtete nga të huajt, por aktualisht të përçarë nga vetja e tyre, fatkeqsisht.  Në fillim të gushtit, në artikullin “Punë Ballkanasish, Hesapi”, duke shkruar për vizitën e lajmëruar të kryeministrit Rama që mori fund disa ditë më parë në Serbi, kisha shënuar se, “Përsa i përket takimit shqiptaro-serb, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë.  A do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”.

Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon, e shqiuptarët jo se jo.  Dihej se pa pjesëmarrjen e përfaqsuesve legjitim të shqiptarëve të Kosovës në takimin, “për një dialog midis shqiptarëve dhe serbëve”, dialogu midis dy palëve kësaj radhe, ishte i pre-destinuar të dështonte.  Përkundrazi, kjo vizitë duket se pati efektin e pa dëshirueshëm të acarimit për të mos thënë përçarjeve në marrëdhënjet Tiranë-Prishtinë, siç po e cilësojnë disa komentues.   Tashti është në duarë të dy palëve, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — që sa më shpejtë të zgjidhin çdo mosmarrveshje që mund të ekzistojë midis tyre ose në përceptimin e mendjes së popullit në lidhje me këtë çështje – me qëllim për të ndaluar një debat të dëmshëm dhe të pa nevojshëm nga të dy shtetet shqiptare — zyrtar dhe jo-zyrtar — ashtuqë sutuata të mos degjenerojë më keq, në një përçarje më të thellë midis shqiptarëve.  Sepse në fund të fundit, qëllimi i vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi ishte për të përmirësuar atmosferën në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe jo për ndarë dhe për të përçarë shqiptarët.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli- Te ndare e te percare

Legjendë, histori e shtyp i lirë

May 1, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Historia është e nevojshme, të paktën për të paralajmëruar lexuesin që të mos ketë shumë besim tek ajo. Një pjesë e historisë sonë, veçanërish e rreth 80 viteve të fundit, është, vërtetë, legendë, legjendë e kuqe, si ajo e 28 mijë të vrarëve, që tregon më shumë për neglizhencë të rëndë të komandës sesa për heroizëm.
Por kështu ka qenë që nga fillimi i qytetërimeve; Lufta e Trojës; Enea që iku nga qyteti i djegur për t’u vendosur në gadishullin italik; Romuli e Remi, ulkonja që i ushqeu, bariu që i rriti, krijimi i Romës e shumë të tjera, të gjitha kanë për bazë krijimin, por gënjejnë kur flasin si u krijuan; Roma u krijua rreth 500 vjet pas luftës së Trojës, por Romuli e Remi, jetimë, thotë legjenda, e kishin ruajtur vetëdijen se Enea kishte qenë parardhësi i tyre. Kështu janë legjendat, pak naive-pak për të qeshur.
Por, edhe vetë fjala Legjendë sikur e jep kuptimin e saj; nga lat. ‘leggere – me lexue’, e ‘leggero’ ‘me ndriçue’; drita mbi një pamje, mbi një natë, apo mbi një mendje, lehtëson shikimin, e bën natën ditë, dhe ndriçon mendjen. Pra, legjenda është diçka që duhet lexuar lehtë, pa e marë shumë seriozisht, sepse njeriut i bëhet zakon ta shpërndajë, përsërisë e shumëfishojë.
Legjendat jane si fjalët e sotme, kur shtypi i lirë mungon, ato fliten rrugëve apo kafeneve dhe përmbajnë pak ose aspak të vërteta. Shtyp i lirë, është shtyp i pastër, i kthjellët, i drejtpërdrejtë, i vërtetë, që i bën legjendat të përhapen si retë në qiell, duke i bërë të dukëshme për t’u lexuar a treguar vetëm si thashetheme e përralla, rreth zjarreve në vatra, për të kaluar kohën

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Legjende-Shtyp i lire

Viktimat e luftës së Kosovës, Në kërkim të drejtësisë

April 30, 2019 by dgreca

 – Në Kongresin Amerikan-Viktimat e luftës së Kosovës, Në kërkim të drejtësisë/

Pranimi i Përgjegjësisë i hap rrugën Paqes e Pajtimit /

 Seanca e Posaçme e Komisionit të Kongresit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme/

NGA WASHINGTONI PER GAZETEN “DIELLI”: RAFAELA PRIFTI/

Uashington DC – Përfaqësues të Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme të Kongresit amerikan, drejtuar nga kongresisti Elliot Engel mbajtën seancë të posaçme ” Viktimat e luftës së Kosovës – Në kërkim të drejtësisë “. Folësit e ftuar në seancë ishin Shkëlqesia e saj, dhe zëdhënësja e viktimave të dhunës seksuale ushtruar gjatë luftës, z. Atifete Jahjaga, Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare nga American University Professor Dr. Paul Williams, z. Ilir Bytyqi dhe zonja Vasfije Krasniqi- Goodman. Në sallën e punimeve të Komisionit Parlamentar gjendeshin përfaqësues të trupit diplomatik të Republikës së Kosovës, Ambasadoresha Vlora Çitaku, dhe Konsullja e Përgjithshme Teuta Sahatqija, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut z  Mark Gjonaj, promotorë e figura me ndikim të komunitetit, si z. Harry Bajraktari, drejtues të shoqatave të cilat ishin në ballë të kësaj nisme si Shoqatat e Grave si: Motrat Qiriazi, Marigona, Shoqata e Arsimtareve shqiptaro-amerikane, Drejtesi per te Gjithe, Fondacioni i Vellezerve Bytyqi, Nisma Vasfije, Zeri Yne dhe Qendra Hasan Prishtina,-dega e Grave, dhe dhjetra Organizata të bashkëngjitura si Albanian Roots, Federata Pan Shqiptare e Amerikes “Vatra” dhe organizata te tjera te Komunitetit….

Pas dy dhjetëvjeçarëve, “viktimat e luftës së Kosovës kërkojnë drejtësi”, tha krytari i Komisionit Parlamentar Eliot Engel. Me statistikat e dokumentuara nga Humanitarian Law Center dhe Human Rights Watch, ai tha se instancat e instaluara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për zbatimin e drejtësisë kanë qenë inefektive. Dhe ç’është më keq e kanë dëmtuar mbarëvajtjen e drejtësisë duke krijuar një ekuivalence fallco. Këtu qëndron rëndësia e seancës së sotme, përfundoi z. Engel, që këtej e tutje drejtësia e mohuar të kryhet pa kompromis. 

Permbledhtazi Profesori Paul Williams analizoi arsyet pse tribunalet e ngritura  si edhe gjykatat speciale nuk kanë efektive sepse qenë ndërtuar mbi baza etnike dhe si të tilla të paafta për të ndëshkuar autorët e krimeve të regjimit serb të Milosheviçit. Ai e vuri theksin te bashkëpunimi midis administratës amerikane dhe kosovare për të adresuar çështjen e përgjegjësisë ndaj të gjitha krimeve të luftës në Kosovë përfshirë dhunimin seksual si pjesë e saj.

Ilir Bytyqi, i cili flet në emër të familjes dhe vëllezërve të tij, shtetas amerikanë të vrarë, tha se dëshmia e tij ka vetëm një mesazh: viktimat nuk mund të lihen në harresë!

Ai kërkoi nga Komisioni të miratojë rezolutën HR 32, si edhe ju bëri thirrje politikanëve serb të kthejnë kursin e deritanishëm. 

Dëshmia e znj. Vasfije Krasniqi- Goodman e cila ka përjetuar dhunën seksuale gjatë kohës së luftës, ishte shprehje e ngadhënjillimit personal. Ajo tha se Kongresi Amerikan duhet të veprojë pa hezitim në emër të viktimave që kërkojnë drejtësi. 

Veprimtarine e ndoqen edhe disa prej vatraneve qe udhetuan prej Nju Jorku si dhe vatrane nga Washingtoni.

Kronika e plotë si edhe pyetjet e anëtarëve të kryesisë së Komisionit Parlamentar për panelin do të botohet në vijim . 

Filed Under: Featured Tagged With: DIELLI NE KONGRESIN AMERIKAN-DESHMI PER VIKTIMAT-KOSOVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1030
  • 1031
  • 1032
  • 1033
  • 1034
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT