• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇAMËRIA, KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE

April 26, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Miku im i nderuar dhe i mbijetuari i gjenocidit grek në Çamërinë martire, Z. Sali Bollati pati mirësinë të më dërgonte një kopje elektronike të librit të tij: ÇAMËRIA, KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE.  Autori e ka botuar veprën dhe kujtimet e tija, “Në Nderim dhe Përkushtim të Përjetshëm Njerëzve më të Dashur; masakruar nga shovinistët grekë më 1944 e lënë pa varre; Me Brengë në Zemër që nuk kemi ku të vendosim tufa me lule”.

Libri — që duhet vlerëruar si një kontribut me rëndësi për kauzën e Çamërisë martire, por edhe të çështjes kombëtare në përgjithësi – është një përmbledhje artikujsh, dokumentash, fjalimesh dhe intervista të autorit, të botuara gjatë viteve nepër gazeta e portale të ndryshme në diasporë dhe në trojet shqiptare, e që kanë të bëjnë ekskluzivisht me plagën e madhe kombëtare, të quajtur ÇAMËRI.

Unë kam mësuar shumë për Çamërinë dhe për historinë e saj nga shkrimet e Z. Sali Bollati, të cilat ai gjithmonë m’i ka dërguar në postën time e të cilat i kam lexuar me shumë kujdes dhe interesim – pasi janë kujtime të një shqiptari çam, si një simbol i cili i ka përjetuar tmeret e asaj krahine shqiptare — tragjedinë dhe masakrat greke ndaj popullësisë autoktone shqiptare të Çamërisë.  I lindur në Çamëri, në shkrimet e tija Z. Bollati, me fakte dhe bazuar në përvojën e tij dhe të çamëve të tjerë, shpreh dashurinë dhe ndjenjat e thella për Çamërinë e tij dhe tonën – por njëkohësisht thekson edhe tradhëtinë që i është bërë Çamërisë dhe popullësisë së saj martire shqiptare, duke filluar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, por edhe nga klasa politike post-komuniste e këtyre 30-viteve të fundit, përfshir përfaqsuesit e sotëm të historiografisë komuniste shqiptare dhe qëndrimeve të tyre ndaj çështjes mbarë-kombëtare, por sidomos ndaj historisë së vërtetë të Çamërisë dhe të masakrave dhe tragjedive ndaj popullësisë civile çame nga autoritetet shoviniste kriminale greke të viteve të Luftës së dytë Botërore – përfshirë vrasjen dhe eliminimin madje edhe të disa anëtarëve të familjes së vet autorit, varret e të cilëve nuk dihen as sot, sipas tij.

Z. Bollati ia kushton librin historisë dhe kujtimeve të asaj Çamërie   – atij vendi, “Aty kam thithur ajrin e pastër të malit dhe flladin e ngrohtë të detit.  Aty kam pirë qumështin e nënës dhe kam marrë dashurinë prindërore … Të lumtur, shumë të lumtur, jetonim në shtëpinë tonë të madhe, mbi bregore të lulëzuar plotë me ullinj qindravjeçarë e dhjetëra pemë fiku, poshtë Kalasë së vjetër Ajdonate, duke soditur para vetes gjithë qytetin e bukur të Paramithisë (ose më shqip Parmëthi, siç e thotë bashkëvendësi N. Stilo), deri larg në fushat e begata. Midis ullinjve e fiqve të panumërt, mbi barin e gjelbër e livadhet e pranë Kullës mesjetare të Bollatatëve – (monument i kulturës historike të qytetit), pranë kopshtijeve të lulëzuara, luanim me vëllezërit e motrat si edhe me kushërinjtë e fqinjët. Në lodra nuk dalloheshim në ishim myslimanë apo të krishterë, por kush ishte më i shkathti e më i zoti, Ferhati apo Koçoja, Mihali apo Rexhepi. Por erdhi një ditë e zezë për ne, barbarët shovinistë grekë, mbasi na vranë prindërit-njerëzit më të dashur e të shtrenjtë, si bisha iu vërsulën banesave, rrëmbyen gjithçka, i dogjën ato, dhe si i masakruan e vranë njerëzit, neve, mbi 200 veta, kryesisht fëmijë dhe të moshuar, na mbajtën në burg 6 muaj dhe na përzunë me dhunë. Shtëpitë e pronat fillimisht i grabitën, dhe i përvetësuan pronat tona stërgjyshore… Mrekullisht unë shpëtova; fati më solli po në Shqipërinë Nënë, me statusin e jetimit u rrita fillimisht me familjen e Daj Muhametit me Tezet dhe pastaj në jetimore, e konvikte etj.  Zoti më dha forcë të mbijetoj, më dha vullnetin të mësoj, më dha drejtimin drejt edukimit më dha dashurinë për njerëzit; por mbi të gjitha më ruajti në memorie dhe thellë në zemrën time përjetimet e ditëve të tmerrshme të atij vendi, ku qesha dhe qava, por që për mua mbetet thesari im, që do t’jua lë amanet nipërve e mbesave, kushërinjve dhe miqve të vërtetë Shqiptarë”, shkruan Sali Bollati.

Ndërsa, disa ditë më parë u përkujtua në Prishtinë përvjetori i një masakre tjetër kundër shqiptarëve – për nga përmasat po aq e tmershme sa edhe tragjedia çame — po afrohet muaji i qershorit që Çamët dhe të gjithë Shqiptarët kujtojnë viktimat e pafajshme të masakrave të viti 1944 kundër shqiptarëve çamë nga forcat gjakatare të gjeneralit grek Zervës, kryesisht, fëmij, pleq e gra.  Të dy këto krime ndaj shqiptarëve, janë krime kundër njerëzimit dhe padrejtësi të mëdha ndaj Kombit shqiptar dhe duhet të konsiderohen si të tilla.

Përgënjeshtrimi i këtyre masakrave dhe mos ballafaqimi me të kaluarën — qoftë nga Evropa ose Athina, qoftë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare — sado e tmerrshme që të jetë ajo, jo vetëm që pengon demokratizimin e rajonit të Ballkanit, por kërcënon sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe njëkohësisht kërcënon zhvillimin normal të marrëdhënieve midis shteteve dhe grupeve të ndryshme etnike të rajonit. Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, në një intervistë me të përditshmen greke “Kathimerini”, në fillim të mandatit të tij të parë, duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke, është shprehur se, “ ‘Acari’ në marrëdhëniet tona, mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke…Jetojmë në kohë të ndryshme nga disa vjet më parë dhe popujt tanë nuk mund të përfitojnë, nëse nuk ndryshojmë duke ecur me kohën, e cila gjithashtu ecën shumë shpejt”.  Fjalët e Sali Bollatit në këtë libër na kujtojnë se “acari” në marrëdhëniet greko-shqiptare, të pakën përsa i përket çështjes çame, fatkeqsisht, nuk ka marrë fund.

Libri i autorit Sali Bollati, “ÇAMËRIA, KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE”, është një kontribut me rëndësi kujtese, por edhe një përpjekje drejt zbulimit të së vërtetës, nga një dëshmitar i atyre ngjarjeve të tmershme.  Është gjithashtu një thirrje që Athina zyrtare të pranojë, më në fund, të vërtetën e masakrës ashtu siç ka ndodhur dhe të shpërnguljeve me forcë të popullsisë çame nga trojet e veta — si një përpjekje ndaj pajtimit midis dy popujve, bazuar në respektimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar të çamëve.  Ashtu si edhe në rastin e Masakrës së Tivarit dhe masakrave të tjera kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta – edhe Çamëria thrret, nepërmjet librit të Z. Bollati, për vendosjen e drejtësisë historike dhe të zbulimit të së vërtetës.  E vërteta dhe drejtësia për krimet në Çamëri do të kontribojnë për ndërtimin e urave të pajtimit midis dy vendeve dhe njëkohësisht, do të kontribojnë edhe ndaj paqës dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.

Sali Bollati, si njëri prej viktimave që mbijetuan tragjedinë e Çamërisë, vazhdon të jetë zëri i atyre të cilët ndoshta nuk dëgjohen më, ndërkohë që bën thirrje njëkohësisht, që krime të tilla të tmerrshme, si tragjedia e Çamërisë dhe e Tivarit – krime këto që lirisht mund të cilësohen si krime kundër njerëzimit — të mos përsëriten më në trojet shqiptare, as nga dora e të huajit e as nga dora shqiptare kundër shqiptarit, por të kujtohen gjithmonë e të mos harrohen kurrë!  Heshtja ndaj krimeve të tilla, qoftë mbrenda Shqipërisë, qoftë jashtë, do të thotë miratim të krimeve të tilla.  I jemi mirënjohës Z. Sali Bollatit që nuk hesht për ato që din e që ka përjetuar vet dhe njëherazi falënderojmë Zotin që i ruajti atij memorien, shëndetin dhe jetën e gjatë që i ka falur atij, me qëllim që edhe ai ashtu si At Zef Pllumi, të jetojë vetëm për me tregue.

Frank Shkreli

                          Autori Sali Bollati me veshje kombëtare

Filed Under: Histori Tagged With: FRANK SHKRELI- SALI BOLLATI- CAMERIA

Sherri Braho-Tufa

April 26, 2019 by dgreca

 Poetja Entela Kasi pyetje publike Ramës: Do t’i bashkohesh thirrjes së PEN International?

Poetja Entela Kasi ka pyetur publikisht Edi Ramën nëse do të solidarizohet me shkrimtarin Agron Tufa, në debatin që tashmë ka shkuar në Gjykatë për krimet gjatë kohës së komunizmit.

6 Prill, 2019-TIRANË- Poetja Entela Kasi i ka bërë një pyetje publike kryeministrit Edi Rama.

Në rrjetin e saj social në Facebook, Kasi e pyet Ramën nëse solidarizohet me shkrimtarin Agron Tufa, në debatin që tashmë ka shkuar në Gjykatë për krimet gjatë kohës së komunizmit.

“A do të mundet Edi Rama artist, të drejtohet nga parimet themelore të lirisë për të nënshkruar me vullnetin e lirë, garancinë e jetës së shkrimtarit Agron Tufa, e t’i bashkohet thirrjes të PEN International, lidhur me këtë çështje në Shqipëri? Kujtoj se Kryeministri Rama u solidarizua me Oleg Sentsov para pak kohësh në Shqipëri. A do ketë të njëjtin qëndrim Kryeministri i vendit në rastin e shkrimtarit Agron Tufa?”

I ftuar disa ditë më parë në “Top Talk”, drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa ka deklaruar se 519 ish-sigurimsa janë punësuar në Policinë e Shtetit duke shtuar se ai dhe familja e tij ndihen të kërcënuar.

Lidhja e Tufës me Oleg Sentsov

Oleg Sentsov ka qënë një regjisor dhe producent filmash në Ukrainë. Sentsov ishte një kundërshtar aktiv i pushtimit derisa në maj të vitit 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia u arrestua nga shërbimi i sigurisë ruse me akuzën për terrorizmin. Pavarësisht se dëshmitë ishin të pamjaftueshme apo edhe vet Sentsov nuk u deklarua fajtor asnjëherë, ai u dënua me 20 vjet burg. Filmi për jetën e tij u shfaq edhe në Tiranë, ku Rama ishte i pranishëm bashkë me bashkëshorten.

Si nisi përplasja mes Tufës dhe Brahos?

Më 1 prill 2019, Braho ka akuzuar Tufën, se po nxin historinë. Braho tha se Tufa, me punën e tij tek Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, po njollos historinë e luftës Nacional-Çlirimtare dhe heronjtë e saj. Tufa ka akuzuar Spartak Brahon ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendinë.

Filed Under: Komente Tagged With: Entela Kasi- Agron Tufa- Kryeministri-Braho

KUJTESA HISTORIKE E LUFTES NE KOSOVE

April 26, 2019 by dgreca

Veseli: Epopeja e Melenicës është dëshmi e sakrificave të Shalës për liri/*

Duke përkujtuar sakrificën e të rënëve për liri, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot është mbajtur Akademi Përkujtimore në nderim të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë 20 vjet më parë në betejën e Melenicës, në Mitrovicë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në teatrin kombëtar në Prishtinë, kryeparlamentari Veseli tha se rajoni i Shalës, Mitrovicës ka dhënë shumë që nga fillim vitet e shekullit 20 për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve.
Ai tha se ishte pikërisht heroi i kombit Isa Boletini i cili më 1912 shkoi nga Mitrovica në Vlorë për formimin e shtetit shqiptar, ndërsa theksoi se u deshën edhe 86 vjet tjera sakrica e dëshmorë deri në shpalljen edhe të pavarësisë së Kosovës.
Kreu i Kuvendit tha se Epopeja e Melenicës është dëshmi e sakrificave të Shalës për liri.
“Gjatë gjithë historisë Shala e Bajgorës ka rrezatuar atdhedashuri. Burrat e saj gjithmonë kanë qenë aty ku është dhënë kushtrimi për liri e për komb. E tillë ishte kjo zonë edhe në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishin djemtë e vajzat më të mirë të Kosovës që ju përgjigjen thirrjes për çlirimin e atdheut”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se për një muaj rresht djemtë e saj u qëndruan heroikisht sulmeve të makinerisë ushtarake serbe, në të cilat beteja ranë heroikisht Shemsi Ahmeti, Rrustem Hyseni, Ahmet e Xhemail Haxha, Asllan Cimili, Enver Musa, Shemsi Isrefi, Faruk Beqiri, Sokol Preteni, Esat Meholli, Qazim Cimili.
“Ata ranë, por ëndrra e tyre për liri u bë realitet. Liria e Kosovës është pavdekësia e tyre, sepse sa të jetë i lirë kjo tokë, do të jetojë edhe emri i tyre. Dhe kjo tokë përgjithmonë ka me qenë e lirë. Ka me qenë shtet i pavarur e sovran, përderisa t’ nxej dielli e t’ rrezon hana, siç do të thoshte Fishta. Nuk do të mund të na ndalë ashkush. Nuk ka sfidë që mund të na gjunjëzojë”, tha kryeparlamentari Veseli.

  • Per me shume foto shko ne fb Gazeta Dielli

Filed Under: Kronike

DIELLI DENOUNCES THE FREEDOM OF PRESS VIOLATIONS IN ALBANIA

April 26, 2019 by dgreca

–DIELLI condemns the attacks on the freedom of the media, supports the free press and the constitutional right to information as well as appeals for the media awareness of the dangerous trends of newspapers and online outlets of the smearing of the formerly persecuted by their abusers-/

The 2019 World Press Freedom Index by Reporters without Borders ranked Albania down by 7 places compared to last year’s world ranking. The organization is sounding the alarm bells concerned with Albania’s media environment and the targeting of journalists by the governing officials. The aggressive rhetoric towards the media coupled with physical assaults of the reporters and censoring acts by the government seriously undermine Albania’s democracy and lengthen the transition period nearing its third decade. The violations of the freedom of expression and attacks on the independent media are explicit indications of a totalitarian regime and traces of an authoritarian mentality garnished with executive powers to exert control over democracy.

The Prime Minister’s response to the publishing of the latest report was that there are no truths in the reports about the independent media decline and restrictions on the freedom of speech. His denials are classic expressions of the authoritarian official who continues to berate the media with insults like “trash can”.

Additionally Dielli appeals to the media outlets in Albania to rise up to its as role as the fourth branch of government and safeguard its independence in order to resist turning into an anti-democratic tool of politics.

Dielli is the newspaper that shares its fate and history with the Albanian National Revival movement. Throughout its existence, Dielli has heralded crucial historic events of the nation beginning with the Independence of Albania. From the start of the 20th century the Albanian patriots of America have been at the frontlines of arousing the national consciousness of their compatriots through the actions and efforts of Vatra and Vatrans, as reflected in the pages of Dielli. During the time of communist Albania, Dielli defended the civil and human rights including the right to information. At the present time, Dielli acknowledges that the country’s freedom of information is under attack. The ongoing threats and acts of censoring free media directed by the political elite led by   Prime Minister Edi Rama, are cause for Dielli’s denouncement of the pro-government institutions of Albania for undermining the independent media. Dielli fiercely believes in the freedom of expression as the foundation of the democratic state that aims to join the larger family of European democracies.

Dielli acknowledges the dangerous trend of Tirana’s newspapers and portals of subjecting the innocent victims of the communist system to insults by their abusers. The case of the targeting Visar Zhiti by his prison torturer, Edmond Caja, sets a very dangerous precedent. The negative campaign towards Visar Zhiti indicates a weak democracy. Not only have the notorious abusers of communism not answered for their

crimes, but, to add to the insult, they are allowed to abuse once again the dissidents of tyranny.

Visar Zhiti has elevated to new levels the democratic Albanian literature in the genre of post-imprisonment while serving as a role model of resistance against communist dictatorship. As a matter of morality, our society should stand by his side and speak up for justice.

Hanging by the threads of the spider-web like autocratic rule of Edi Rama, Albania’s democracy has not been able to counteract a governmental launched war against the journalists. The outcome is a serious decline of freedom of expression. The absolute control by the Prime Minister Edi Rama and the brazen attacks against the media have contributed to undermining democracy, imposing a form of tyranny and falling back in the dark times of information.

The censoring of the free media and attacks on the journalists in Albania are legitimate concerns for which Dielli will alert the government institutions in America and around the world.

***

REAGIM I GAZETES DIELLI         

– GAZETA “DIELLI” DENONCON CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS, MBRON LIRINË E SHTYPIT DHE TË DREJTËN KUSHTETUESE TË INFORMIMIT DHE APELON PËR TË MOS LEJUAR HAPSIRA KU PERSEKUTORËT TË SULMOJNË TË PERSEKUTUARIT-

DIELLI është i ndërgjegjshëm për rolin e vet në fushën mediale si gazeta që ka nderin të identifikohet me Rilindjen Kombëtare, dhe që në udhën e vet 110 vjeçare, i ka paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë dhe momenteve kyçe të historisë. Qysh  nga fillimi i shekullit të 20 patriotët shqiptarë të Amerikës i kanë prirë lëvizjes së zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të bashkëatdhetarëve të tyre nëpërmjet veprimtarisë së Federatës VATRA të shprehura qartazi tek gazeta DIELLI. GjatëDiktaturës komuniste ka qenë DIELLI që ka denocuar cënimin e lirive njerëzore, përfshirë dhe atë të informimit. Në ditët e sotme DIELLI konstaton se liria e medias në Shqipëri është e rrezikuar. Përballë akteve të rënda të censurimit të informimit nga elita politike e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, “DIELLI” denoncon shtetin shqiptar për hapat mbrapa në lirinë mediale. DIELLI mbron shprehjen e lirisë si “abetarja” e një vendi demokratik, që synon Demokracinë Europiane.

Raporti i Përvitshëm i “Gazetarëve pa Kufij” e rrëzoi Shqipërinë shtatë shkallë më poshtë se ç’ishte në raportin e vitit të mëparshëm. Organizata Boterore për Lirinë e Shtypit ka dhënë alarmin për gjendjen reale të medias shqiptare dhe presionet mediale nga institucionet qeveritare. Shantazhet, sulmet ndaj gazetarëve dhe shtimi i censurës qeveritare cënon vetë

Demokracinë Shqiptare dhe zgjat tranzicionin që po i afrohet dekadës së tretë. Shkelja e së drejtës së shprehjes dhe presionet ndaj lirisë së mjeteve të informimit flasin për përpjekjet agresive të mbetjeve të sistemit totalitar, dhe mendësisë totalitare, të veshura me pushtet ekzekutiv për të kontrolluar demokracinë shqiptare.

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama se në qeverisjen e tij nuk ka media të shantazhuara e liri të mohuara është shprehja tipike e pushtetarit autoritar për të cilin media mbetet thjesht një kazan.

Në të njëjtën kohë, DIELLI i bën apel Medias Shqiptare që të vetëdijësohet për rolin e “pushtetit të katërt”, dhe ta ruaj pavarësinë e vet nga politika për të mos u bërë instrument anti-demokratik.

DIELLI e sheh me shqetësim që sulmet e ish persekutorëve të diktaturës komuniste ndaj ish viktimat e pafajshme, gjejnë hapsirë në gazetat dhe portalet e Tiranës. Rasti i sulmeve ndaj shkrimtarit Visar Zhiti prej ish torturuesit të tij, Edmond Caja, përbën një precedent të rrezikshëm. Të tilla akte sulmi ndaj Visar Zhitit tregojnë mosveprimin e demokracisë shqiptare që jo vetëm nuk i ka dënuar ish persekutorët dhe fajtorët për krimet e komunizmit por edhe i lejon të ri-viktimizojnë disidentët e diktaturës.

Visar Zhiti mbetet një ikonë e letërsisë shqiptare të pasburgut dhe demokracisë si edhe model për qendresën në diktaturë, prandaj është detyrë morale e shoqërisë që ta përkrah dhe ta mbrojë atë si të tillë.

Demokracia shqiptare, e ngecur nëpër labirinthet e merimangave të stilit të diktaturës së Ramës, po tregohet e pafuqishme për të kundërvepruar mbi qeverinë që ka hapur frontin e luftës ndaj gazetarëve dhë ka çuar në rrënimin e lirive të shprehjes. Kapja e të gjithë pushteteve nga Kryeministri Edi Rama dhe fronti i hapur i luftës me median po e kthen Shqipërinë në errësirën mediale që minon Demokracinë dhe kultivon tiraninë.

Gazeta DIELLI do ta përcjellë shqetësimin e vet për censurën mediale të ushtruar nga qeveritarët ndaj mjeteve të informimit dhe gazetareve shqiptarë në instancat amerikane dhe ato botërore.

Filed Under: Politike Tagged With: DIELLI DENOUNCES-FREEDOM OF PRESS

Epikriza e sëmundjes ideologjike me emrin Rilindja.

April 26, 2019 by dgreca

Krahasime me ideologjinë e nacionalsocializmit – /

Nga  Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/

 Rilindje nuk quhet Partia Socialiste. Rilindja është ideologjia e pjesës së Partisë Socialiste, e cila iu bashkua ose i bashkohet sektit Rama. Edhe partia e Hitlerit, kur ajo u krijua në vitin 1920 në Mynih nuk e kishte emrin Partia Nacionalsocialiste. Në fillim nacionalizmi ishte pagëzimi ideologjik e saj, ndërsa emri i saktë ishte njësoj si i Partisë Komuniste të Shqipërisë pas vitit 1948, saktësisht Partia e Punës ose Duetsche Arbetier Partei. Më 1920 kur u krijua quhej Nationalsozialismus der Deutschen Arbeiter Partei. E përmenda këtë aspekt për të kuptuar se çfarë simbolikash janë ndërlidhur jo vetëm në teori e praktikat e Rilindjes sonë të famshme, por edhe në formën e saj. Pra rilindja, siç e shohim dhe siç e kemi parë në praktikë, është ideologji sekti, që synoi të shndërrohej në ideologji totalitare në Shqipëri, njësoj si nacionalsocializmi në Gjermani në vitin 1933. Fatmirësisht situata politike, rrethanat ndërkombëtare dhe trashëgimia në Shqipëri janë të ndryshme nga ajo e vitit 1933 në Gjermani. Nëse i referohemi eksperiencave të nacionalsocializmit gjerman dhe asaj te rilindjes në Shqipëri, atëherë në praktikë gjejmë jo pak situata dhe akte të njëjta. Para datës 5 mars 1933 Hitleri përpiqej ti fshihte qëllimet e veta mbi politikat që do të ndiqte në Gjermani. Edhe pse u bë kancelar nuk u shfaq me diskurse arrogante. Por siç thotë studiuesi gjerman i kësaj periudhe, Carl Schmitt, Hitleri erdhi në pushtet përmes diskursit të barazisë së qytetarëve, duke e bindur elektoratin se ai te partia hitleriane do të gjente njerëzit që i shërbejnë Gjermanisë dhe qytetarëve të saj. Në rastin e zotit Rama mund ti referohemi një interviste të tij për gazetën austriake, Standard, të qershorit 2013, në të cilën thotë se do të ishte një shërbëtor i qytetarëve shqiptarë. (Ich werde ein Diener fuer Buerger sein). Dhe qytetarët shqiptarë e besuan ish-liderin socialist të opozitës. Fshehja e qëllimeve për të sunduar përmes metodave autoritare e totalitare ishte dhe mbeti te Rilindja e Edi Ramës tipari i parë i përbashkët me nacionalsocializmin hitlerian. Fillimisht Hitleri u imponua në parlamentin gjerman e më pas ai në zgjedhjet e parakohshme fitoi i vetëm tepsinë e pushtetit. Por pushtetin e mori përmes zgjedhjeve. Edi Rama e grabiti tepsinë e pushtetit në Shqipëri përmes blerjes së votave. E ndërkaq me marrjen e pushtetit të dy palët zbatuan në shumë çeshtje të ushtrimit të pushtetit gjithashtu të njëjtën strategji. Dhe për ta realizuar sa më mirë ngjashmërinë me nacionalsocializmin gjerman të Hitlerit duhet analizuar praktika e ngjajshme e zbatuar në të dy rastet. Si Hitleri edhe Edi Rama futën në dorë pushtetin e plotë, duke mënjanuar autoritetin ligjvënës, pra legjislativin. Më 23 mars 1933 Hitleri miratoi në parlament një ligj, me të cilin autoritetin ligjvënës e kalonte nga legjislativi te ekzekutivi. Pas kësaj kancelari gjerman e shndërroi pushtetin e tij në një diktaturë të mirëfilltë. Ndërsa Edi Rama ligjvënien në duart e tij e transferoi në disa mënyra përmes shkeljeve kushtetuese, nxjerrjes së dekreteve në kundërshtim me ligjin dhe arrogancës. I pari akt i kryeministrit Rama në ditën e parë te qeverisjes në atë fund shtatori 2013 ishte heqja e fotografisë së presidentit në zyrat e shtetit. Nuk dua të ndalem nëse ishte i drejtë ose jo vendimi. Por metoda ishte autoritare, arrogante. Një akt i parashikuar në ligj u revokua me një urdhër të kryeministrit të vendit. Askush nuk e vu re këtë akt. Vetë presidenti i Republikës, Bujar Nishani, thjesht e injoroi aktin kur tha se heqja e fotografisë se presidentit nuk është punë, është simbolikë. Në të vërtetë simbolika ishte ajo që në Gjermani kishte aplikuar Hitleri. Menjëherë pas kësaj na kujtohet se si Edi Rama i mblodhi të gjithë drejtorët e spitaleve rajonalë dhe shpalli shkarkimin e tyre në bllok nga detyra për ti zëvendësuar me militantët e partisë së tij. Në bllok komunikoi shkarkimet masive në dogana, tatime, polici dhe foli për spastrimin e administratës së shtetit. Kjo metodë i ngjante metodës së drejtimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por në substancë ishte e njëjta gjë si dhe ajo që kishte realizuar Hitleri në Gjermani. Hitleri si punë të parë të tij realizoi grumbullimin e militantëve nacionalsocialistë në administratën e shtetit e sidomos në forcat speciale, të cilat do të përdoreshin për dhunë kundër hebrenjve e në raste të caktuara kundër rivalëve politikë liberalë. Sot, kur shohim sesi po përdoren forcat speciale të rilindjes kundër demonstruesve dhe kundër qytetarëve, kuptohet më qartë se këto forca përbëhen nga militantë që vetësakrifikohen për Rilindjen e Edi Ramës. Njësoj siç sakrifikoheshin nacionalsocialistët për Hitlerin. Ndryshe nuk do të gjendej qoftë dhe një pjestar i forcave të rendit që të panonte zbatimin e një urdhëri absurd e antihuman për hedhjen e helmit me gazlotsjellës në shtëpitë e qytetarëve ku jetonin të sëmurë, pleq, fëmijë të vegjël. Kalimi arbitrar i atributit ligjvënës nga legjislativi te ekzekutivi në Shqipëri realizohet në shumë forma. Një nga më të njohurat është imponimi i të gjitha ligjeve nga kryeministri. Madje dhe për dhënie koncesionesh me paracaktim e përcaktim emrash, në kundërshtim me ligjet e demokracisë, si në rastin e tatrit kombëtar. Formë tjetër është nxjerrja e vendimeve, udhëzimeve dhe urdhërave në kundërshtim me ligjin. Rasti më flagrant ishte vendimi i dhjetorit të kaluar, kur me një vendim qeverie shkelen thuajse të gjitha nenet e ligjit për arsimin e lartë të kontestuar. Tepsia në duart e Ramës u shndërrua në modelin e ushtrimit të pushtetit nga Adolf Hitlerit në vitet 1930. Por me një ndryshim thelbësor: Ndërsa Hitleri ndryshoi kushtetutën dhe ligjin me qëllim të ushtronte pushtetin e tij diktatorial në Gjermani, Edi Rama eliminoi jo vetëm shtetin e të drejtës, por edhe shtetin ligjor. Nëse Hitleri i shndërrua në një diktator i njohur institucional ligjor, Edi Rama e realizoi përqendrimin e pushtetit në duart e tij me arrogancë, me dhunë fizike, psikologjike dhe politike. Gjithësesi të dyja idologjitë, ajo e nacionalsocializmit në Gjermaninë e Hitlerit dhe kjo e Rilindjes së Ramës në Shiperi kanë të njëjtat simptoma, tipare dhe pasoja. Të tilla janë inhumatiteti, arroganca, dhuna. Në rastin e Ramës, në dallim nga Hitleri, shfaqen edhe disa karakteristika të tjera si viktimizimi, prodhimi i një energjie negative etj. Këto tipare e bëjnë regjimin e Rilindjes së Edi Ramës unik në modelin qeverisës në kohët e sotme e në kohë të tjera. Tiranë, 25.04.2019 Shënim: Në komentin e radhës: Pse qeverisja e Rilindjes është një qeverisje inhumane?

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci-Semundja e Rilindjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1034
  • 1035
  • 1036
  • 1037
  • 1038
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT