• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JENI LARG NGA KATARSA

April 8, 2019 by dgreca

  • Përgjigje z-injve S. Braho e E. Caja ndaj sulmeve kundër personaliteteve V. Zhiti e A. Tufa-/

Nga Thanas GJIKA/\

Në gazetën “Dita” gjatë javës së parë të prillit u botuan dy shkrime që ngjallën shumë komente. Në njërin, z. Spartak Braho, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ish prokuror në kohën e diktaturës komuniste, sulmoi z. Agron Tufa, drejtor aktual i “Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”. Madje kërkoi mbylljen e këtij institutit dhe pushimin nga puna të drejtorit të tij. Tjetri, z. Edmond Caja, ish-polic në burgun e Qafë Barit e më vonë drejtor i përgjithshëm i burgjeve, sulmoi shkrimtarin e talentuar Visar Zhiti, ish i dënuar i ndërgjegjes në burgjet Saç e Qafë Bar, se në veprat e tij letrare dhe në intervista ka përmendur disa veprime kriminale të z. Caja, për të cilat ky ngul këmbë se nuk janë të vërteta dhe se ai ka bërë mjaft veprime në të mirë të të dënuarve…
Thjesht, kuptohet se edhe pas gati 30 vjet nga dështimi i sistemit të diktaturës së proletariatit shoqëria shqiptare po vjen vërdallë si miza pa kokë dhe nuk do të gjykojë si duhet atë sistem të gabuar. Ka ende njerëz, madje politikanë me pozita si z. Braho dhe të tjerë që kanë kurajon të quajnë të dëmshme punën e vështirë për zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Kurse z. Caja, që jeton në emigracion në botën e lirë prej shumë vitesh, vijon të justifikojë shërbimet që i bëri atij regjimi. Të tillë njerëz i quajnë gjë normale dënimet që u jepeshin njerëzve për disa fjalë ose poezi, ata kërkojnë si dikur që njerëzit të heshtin ndaj së keqes që u bëhej në jetën e përditëshme e sidomos nëpër burgje, në vend që ta denoncojnë të keqen që kryen ata vetë ose kolegët e tyre.
Për të ecur drejt shpëlarjes dhe çlirimit nga mendesia komuniste duhet që secili prej nesh, bashkë me zotërinjtë Braho, Caja e komentatorët që i mbojnë, të reflektojmë dhe të kuptojmë se cilit proces i kemi shërbyer: thellimit të luftës së klasave dhe izolimit të Shqipërisë, apo kemi ndihmuar për ecjen drejt lirisë duke u ndënjur larg këtyre kërkesave themelore të partisë shtet. Një analizë e sinqertë e bëmave tona, ose të prindërve tanë të asaj kohe do të na ndihmojë të ecim përpara si shoqëri dhe ta dënojmë veten për gabimet e krimet që bëmë me dashje ose pa dashje, të shtyrë nga frika, nga dëshira për karierë, etj.
Shkrimtari i talentuar Visar Zhiti, i cili për disa poezi jo konformiste u dënua dhe kaloi 10 vjet në burgjet Spaç e Qafë Bar, ka përshkruar përveç punës së mundimshme dhe sjelljes së ashpër të rojeve e policëve edhe gjendjen e rrethimit fizik dhe shpirtëtor të të burgosurve, duke aluduar për nëntë rrathët e Ferrit imagjinar të Dante Aligerit:
Rrethorja e parë e dukshme, e madhe e atij lumi-ferr, dallgët e tij të ngrira janë telat e lartë me gjemba…
Rrethorja e dytë… është e gjallë… Janë ushtarët e armatosur nëpër ato kullat e drunjta me automatikët në krahë, gati për zjarr.
Stiksi prej ujrash të tij ose antikënga e tretë. Lumi malor që rrjedh poshtë dhe përrenjtë e çartallosur që dalin nga galeritë.
Malet. Ç’ pengesë rraskapitëse. Të ndjekin hap pas hapi policët dhe qentë.
Populli. Po, po, populli im është rrethim edhe ky, rrethim gjallesash. Të ndalon populli, s’të lë, të kap… ah! S’ bën dot populli pa perënditë dhe sa më të rreme qofshin, aq më shumë u bindet…
Rrethimi i gjashtë, ose rrethi i gjashtë, a kreu i gjashtë i poemës. i vdekur si rrethimi i parë me tel me gjëmba. Rreth i madh sa gjithë vendi… një vijë gjaku. Kufiri i Republikës.
Rrethimi i shtatë është prej letre, mallkim… janë marrëveshjet shtetërore me vendet fqinjë. Ti arratisesh, ata të kthejnë.
Rrethi tjetër e tejkalon të parin, telin me gjëmba, është puna raskapitëse në galeri dhe uria nga ushqimi minimal. S’ ke fuqi për asgjë.
Rrethimi i pashikueshëm. Frika. Eshtë rrethim abstrakt, i asgjëkundshëm dhe i kudondodhur. Eshtë frika, për të cilën investohet aqe shumë, madje dhe importohet. Frikë nga e panjohura, nga e shkuara, nga e ardhmja, nga e tashmja, nga tjetri, nga puna, sa e rëndë, nga libri i ndaluar, nga burgu, nga arratia dhe së fundi frikë nga vetja, nga mendimet e tua… E mbajmë vetë ne burgun tonë, duke u nënshtruar, duke i bërë keq njëri tjetrit. Frika i mban banditët shtetërorë, i bashkon dhe i bën të fortë, vigjilentë.
Lumi i frikës vjen rrotull nesh nëntë herë, gjithë jetën. Ai është gjithërrethuesi.
Më i fortë se diktatura është miti i saj.
Këto rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit me nëntë rrathë të ferrit shqiptar, por dhe për vetë popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr…
Pikërisht ngritjen në art të gjendjes së të burgosurve dhe të mbarë popullit shqiptar nën diktaurën komuniste nuk ua falin shumica e ish-shërbëtorëve të atij sistemi, të cilët herë pas here e sulmojnë Visar Zhitin në vend që ta përgëzojnë e t’i kërkojnë të falur atij dhe gjithë të dënuarve të ndërgjegjes që vuajtën burgjet e rënda të atij sistemi.
Edhe personalitetin tjetër, shkrimtarin dhe analistin e talentuar, z. Agron Tufa, i cili po bën një punë shumë të vështirë për njohjen e së vërtetës së asaj kohe, e sulmojnë ish-shërbëtorët e atij regjimi të gabuar, madje dhe e kanë kërcënuar jo thjesht si ish-prokurori Spartak Braho, etj.
Zotërinjve Spartak Braho dhe Edmond Caja, dua t’ju them se shoqëria jonë nuk mund të ecë përpara po të mos kryejë dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe krim i kohës së diktaturës komuniste kanë qenë të gjitha punët që ndihmonin partinë shtet per ta shtrënguar lakun e rrethimit, për ta forcuar luftën e klasave, për ta varfëruar popullin duke shpallur kulak fshatarin më punëtor, duke prishur kisha e xhamia dhe duke dënuar priftërinj e hoxhallarë e besimtarë të pafajshëm, duke ia hequr fshatarit lopën, derrin, pulën nga shtëpia, si urdhëronte partia shtet, për ta varfëruar sa më shumë që të nënshtrohej më kollaj.
Edhe nëse ish-shërbëtorë të atij regjimi si ish-prokurori S. Braho e ish-polici e ish-drejtori i burgut të Qafë Barit E. Caja nuk duan të evoluojnë dhe të dënojnë bëmat e tyre të asaj kohe, do të vijë dita kur gjyqtarë të kualifikuar si dhe bijtë e nipërit e tyre të kthjelluar do të dijnë t’i dënojnë jo vetëm për pjesëmarrje në krimet dhe për justifikimet që u bëjnë atyre krimeve, por edhe për mosdënimin e krimeve dhe terrorit që panë me sytë e tyre gjatë shërbimit të devotshëm ndaj diktaturës. Këtë besim e kanë shprehur analistët Astrit Lulushi e Spartak Ngjela, si dhe Prof. Sami Repishti. Ky i funit shkroi për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening, i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës në vrasje, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, nuk shprehu kurrë pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mosdëshmimin e krimit që pa me sytë e tij edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarrosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit, nga frika e dënimit, sqaron Repishti (Illyria, N.Y 10 prill 2015).
Dënimi i nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening tregon se dënimi i krimeve të komunizmit, ndonëse po vonohet, nuk do të lihet pa u kryer, sepse ky proces është pjesë e katarsës dhe e ecjes së shoqërisë sonë drejt Europës së Bashkuar. Justifikimet e z. E. Caja dhe sulmet e z. S. Braja tregojnë se këta janë ende në ujrat e mendësisë komuniste dhe nuk kanë punuar për ndërgjegjësimin e tyre si qytetarë europianë, por vuajnë nga nostalgjia për regjimin diktatorial që u kishte dhënë koburen në brez dhe shkopin e dënimit në duar…

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas Gjika

STUDENTET E UNIVERSITETIT TE KOSOVES REVOLTOHEN

April 8, 2019 by dgreca

Me rastin e 38 vjetorit/

                                                                  Nga  Sami  Repishti, Ph.D./

Ridgefield, CT.- Në numrin e 1 Janarit 1981, gazeta DIELLI e Boston-it, botoi Memorandumin II drejtue 35 Ministrave të Jashtëm të vendeve europiane (dhe SHBA) firmuese të Helsinki Agreement (i njohun si Helsinki Final Act, 1975). Të mbledhun në kryeqytetin Madrid, Spanjë, për herën e parë, do të shqyrtohej plotësimi i angazhimeve të marruna nga secili shtet-anëtar. Mungonte Shqipëria komuniste që refuzoi këte ndërmarrje themelore për ruejtjen e paqës në Europë.

   Në bashkëpunim me organizatën Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Memorandumi II u përgatit anglisht dhe u nënshkrue nga aktivisti për të drejtat e njeriut, Prof. Sami Repishti. Memorandumi II kishte 9(nandë) faqe dhe shoqënohej nga nji Annex prej 100 (njiqind) dokumentësh që konfirmojshin përmbajtjen. Memorandumi II  ka datën 15 tetor 1980.

   Nji kopje iu drejtue Ambasadorit amerikan, Max Kampelmann, i cili u përgjegj zyrtarisht se do të bante detyrën në ngritjen e problemit të pakicës kombëtare shqiptare në ish RSF të Jugosllavisë.

    Memorandumi II i referohet Aktit Final të Helsinkit, 1975, dhe ban thirrje për të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare që ekzistojnë në territorin e vendeve pjesëmarrëse me nji theks të veçantë për të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare në ish Jugosllavinë. Memorandumi II shprehë besimin se :

“…ata do të respektojnë të drejtat e personave që u takojnë pakicave të këtilla, barazinë para gjyqit, dhe se do të mundësojnë oportunitetin e plotë për nji gëzim të të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë, dhe se, në këte mënyrë, do të mbrojnë interesat legjitime në këte sferë…”.

    Në mes të pakicave nacionale “… që jetojnë në shumë nga shtetet kombëtare dhe multi-nacionale të Europës”, thekson Memorandumi II, “ashtë edhe pakica shqiptare prej ma shumë se dy miljonë qytetarësh që tani banon mbrenda kufinjëve ndërkombëtare të RSF të Jugosllavisë, kryesisht mbrenda Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”.

     Memorandumi II numëron nji seri shkeljesh të të drejtave dhe lirive të popullsisë shqiptare dhe kërkon respektimin e tyne. Aty dyshohet  se “….pozicioni i padëshirueshëm i pakicës kombëtare shqiptare në RSF të Jugosllavisë, dhe shkeljet sistematike të të drejtave dhe lirive të kësaj popullsie- si dhe të individëve të aktivizuem- nuk do të ndihmojë me pengue trazina në këte zonë potencialisht eksplozive të kontinentit europian”.

                                                            *

    Nji parashikim i saktë por fatkeq për shqiptarët në Jugosllavi!

    Vetëm tre muej ma vonë, mars, prill, 1981, Kosova shpërtheu në demonstrata të fuqishme me përfundime tragjike. Studentët shqiptarë që demonstruen, u rrahën egërsisht, u burgosen për vite të gjata, dhe u vranë nga “U.D.B.a” dhe Ushtria Jugosllave, që ishte krijue me mbrojtë e jo me vra qytetarët e vet.  Statistikat zyrtare jugosllave japing numrin 11 për viktimët e vrame, dhe 57 të tjerë të plagosun randë; disa prej tyne vdiqën në spitale ose në shtëpi nga moskujdesja e frika e arrestimit. Me qindëra numërohen studentët e arrestuem, në kundërshtim me trajtimin e studentëve në Beograd dhe Zagreb që demonstrojshin pa frikën e egërsisë ushtarake jugosllave. Burime tjera të jashtëme tregojnë për hapjen e ma shumë se 100 varrezave për viktimët; Prof. Pedro Ramet, Washington University, që vizitoj Kosovën shpejt mbas ngjarjeve mendon se numri i viktimave në të gjithë Kosovën e Tetovën afrohet shifrës 1.000. (Për solidaritet, studentët e Tetovës demonstruen bashkë me ata të Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës).

    Parulla kryesore ka qenë “Kosova Republikë!”

    Në vitin 1981, numri i studentëve të Universitetit të Prishtinës kishte arritë numrin 30.000, nga të cilët 60 përqind ishin studentë shqiptarë.

    Universiteti i Kosovës u hap në vitin 1970 (si Universiteti i Prishtinës) jo si nji gjest simpatie, as edhe si manifestim mirëkuptimi për nevojët e Kosovës, por kryesisht si rezultat i presionit të ushtruem ndaj Qeverisë Jugosllave mbas demonstratave kosovare (dhe të Tetovës) të nandorit  të vitit 1968., dhe ma vonë 1971.

   Vetëm nji vjet mbas hapjes, 1971, Universiteti i Kosovës u lëkund nga lëvizjet studentore që kundërshtojshin konditat shumë të këqia dhe trajtimin inferior të këtij instituti të naltë arsimor. Demonstratat e 1981-se, nuk u trumbetuen nga shtypi jugosllav zyrtar, por ishte e qartë se Kosova kishte arritë në nji pikë ku shpërthimi studentor do të trondiste themelet e Kosovës, dhe se autoritetet duhej të kujdesoheshin ma shumë për përmirësimin e konditave të jetës në Kosovë në se dëshirojshin me evitue rrjedhimet katastrofike.

    Për ma tepër, konflikti ngjau në nji kohë kur Jugosllavia po kalonte nji periudhë krize ekonomike të thellë. Në vitin 1980, inflacioni ishte mbi 30 përqind. Kosova, si vendi ma pak i zhvilluem në vend, mbante peshën ma të madhe të këtij depresioni ekonomik.

    Politikisht, Jugosllavia po kalonte nepër pengesa të mëdha. Arrestimet e disidentëve u shtuen, veçanërisht kundër shqiptarëve. Burime të besueshme japin shifrën 150 të viktimave shqiptare (të burgosun të ndërgjegjes). Në burgjet jugosllave për çdo të burgosun jugosllav politikisht kishte 5-6 të burgosun shqiptarë.

     Tue shkrue mbi Charter 77, avokati për të drejtat e njeriut, H.Gordon Skilling, spjegonte:

“….Në se ne- individët, organizatat private, dhe qeveritë- nuk jemi në gjendje me gjetë mjete konktrete me ndihmue (të përndjekurit) në , gjendje të vështirë, fjalët tona të bukura dhe mbështetja e jonë janë pa vlerë. Aksioni efektiv në mbështetje të kauzës së tyne, përkundrazi, ashtë i dëshirueshëm dhe jo vetëm për hir të vetë individëve. Aksioni ndihmon me hapë rrugën për sukses të luftës së tyne për të drejtat e njeriut, dhe kështu me hjedhë bazat e nji zbutje serioze të tensionit, mbështet në komunikim të hapët dhe mirëbesim real e mirëkuptim në mes të Lindjes dhe Perëndimit”.(“Czechoslovakia on Trial” Queen’s Quarterly,1980)

    Bashkësia shqiptaro-amerikane organizoi nji demonstratë të madhe në Washington D.C. Organizata Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, shpërndau nji trakt (anglisht) me thirrje për kundërshtimin e terrorit jugosllav- kryesisht serb- në Kosovë. Trakti shkruente:

   “Të dashtun bashkatdhetarë dhe miq:

    Sot, kemi ardhë këtu në Washington D.C. kryeqyteti i kombit amerikan, me kerkue nga Qeveria e jonë, dhe bashkë me ju bashkëqytetarë të ndershëm, me u përpjekë për ndalimin e vrasjeve, dhe përdorimin e dhunës, me kundërshtue favorizimin e dhunës nga qarqet zyrtare të Jugosllavisë komuniste.… “

     Mbasi spjegon ngjarjet në Kosovë, trakti shton:

    ”….Në mes të kësaj atmosfere të frikëshme dhe gjithëpërfshirëse viktimët shikojnë drejt nesh, drejt këtij vendi të lirë e bujar, me shpresë se fjalët tona dhe veprimet tona do të kenë sukses me ndalue vendosmëninë e qeverisë komuniste të Jugosllavisë në përdorimin e të gjitha masavet ndeshkimore të munduna kundër popullsisë së pakicës kombëtare shqiptare që lufton për liri, dinjitet dhe drejtësi…” Trakti firmohet nga Maliq Arifaj, nji  aktivist i ri Kosovar.

     Demonstratat në Kosovë tërhoqën vemendjen e agjensive botënore të lajmeve. Për të parën herë, bota e jashtëme u njoftue për vendin, popullin dhe situatën në ate Krahinë. Mbasi theksojnë varësinë e Kosovës nga Serbia, fletoret e Perëndimit shkruejnë se kjo varësi politike konsiderohet si përulëse nga të gjithë shqiptarët që shohin në këte formë organizimi, provën ma të mirë të pafuqishmënisë së tyne politike. Sot jetojnë ma shumë se dy miljonë shqiptarë në Jugosllavi. Ky numër ashtë i barabartë me 44 përqind të të gjithë popullsisë shqiptare me banim në Ballkan, dhe përban njikohësisht grupin e tretë etnik në Jugosllavi, mbas serbëve dhe kroatëve.

    Në shtypin jugosllav u paraqit situata nga agjensia TANJUG:

    ”Me 11 mars, demonstrata u zhvilluen në Prishtinë nga elementë armiqsorë që tentuen të shfrytëzojnë pakënaqsinë e nji farë numri të studentëve të pakënaqur nga cilësia e ushqimit në restaurantin e universitetit…”(12 mars 1981). Simbas UPI “…nji numër studentësh u lendue gjatë përleshjeve me milicinë, para se të shpërndaheshin”. Simbas Reuter “ma shumë se 1.000 studentë morën pjesë në këte demonstratë dhe u shtypën nga Policia me gaz lotues…”

    “Me 26 mars (1981) studentët shqiptarë zaptuen konviktin e Universitetit të Kosovës, Prishtinë, mbas nji seri përleshjesh me policinë, e cila ndërhyni kur demonstruesët proklamuen parulla pro-shqiptare, për të dytën herë mbrenda dy javësh. Okupimi i Konviktit të Prishtinës, kryeqyteti i Kosovës filloi të merkurrën dhe zgjati pa nderpremje deri në orët e para të mbasdrekës së ditës së enjte “(UPI)

     Zyrtarisht u pranue se “në përleshje u plagosën 35 persona dhe u arrestuen 21 studentë “(Rilindja, 29 mars 1981)

     “Çka filloi me 11 mars si nji protestë e izolueme, dhe në dukje e parandësishme, u zhvillue me datën 2 prill në nji manifestim të fortë revoltimi që përfshiu afër 20.000 demonstrues, në gjashtë qytete të ndryshme “(The N.Y.Times, 19 prill 1981) .

     Gazeta londineze The Times, 3 prill 1981, shkruente me germa të mëdha:

     ”Ekziston frika e Beogradit se mund të krijohet nji efekt-zinxhir i ngjarjeve mbas bashkimit të punëtorëve me lëvizjen e studentëve.”

    U njoftue zyrtarisht se “9 persona kanë mbetë të vramë, dhe 203 të plagosun”(Borba, 14 prill 1981)

     “Reparte ushtarake dhe përforcime policore u vërsulen me vrull në drejtim të Kosovës. Tanket zunë pozita nepër rrugët e Kosovës, parashutistët zaptuen aeroportet dhe helikopterët ushtarakë fluturuen mbi qytetet që ngritën krye. Shtypja mori nji karakter të dendun e brutal atëherë kur policia dhe repartet ushtarake filluen të qëllojnë me armë zjarri studentët e pa armatosun. Në këte gjendje të vështirë, ata gjetën perkrahjen e shumë punëtorëve që erdhën në ndihmë, tue përfshi edhe anëtarë të Lidhjes Komuniste Jugosllave…”(Dielli 16 maj 1981) U krijue nji kombinacion student-punëtor, nji recetë shumë e randësishme për çdo fitore të lëvizjeve revolucionare.

    Për të dytën herë mbas L2B Jugosllavia deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme; herën e parë me 8 shkurt 1945, përsëri në Kosovë. Shkollat dhe shumë qendra pune u mbyllën.  Nji shtet-rrethim që nga ora 8 e mbramjes deri në orën 5 të mëngjezit u imponue mbi të gjithë Kosovën, ndërsa gazetarët e huej nuk u lejuen me veshtrue zhvillimin e ngjarjeve dhe raportimin e tyne. Kontrolllimet e paligjëshme nepër shtëpitë dhe arrestimet vazhduen. Zyrtarisht u tha se u arrestuen 28 demonstrues. Ende nuk dihej fati i 50 të arrestuemëve nga të cilët 11 u dënuen me burgime nga 3 ne 11 vjet për pjesëmarrje në demonstratë.

     “Shumica e atyne që pyetëm- shkruente The N.Y.Times me 20 prill 1981,- përgjigjen se nuk dëshirojshin me diskutue me gazetarët në lidhje me demonstratat….Disa të tjerë, të rinjë njizetëvjeçarë, pyetën me inat në se gazetarët kishin të drëjtë të shkonin atje  dhe të flasin për demonstratat…Nji student universitar pyeti në se kishte mundësi me dergue nji letër në Botën e Lirë, me të cilën të tregonte të vërtetën mbi ngjarjet. Në përgjithësi, ata dukeshin të shqetësuem, qartazi nga frika se mos shiheshin tue folë me nji të huej….”.

    Nji element i ri në këte situatë komplekse ka qenë hymja e Partisë së Punës së Shqipërisë në këte arenë, me përkrahjen e parë dhe të pakushtëzueme të kërkesës së demonstruesve “Kosova Republike!” nji pozitë kjo që ashte denoncue me tërbim nga udhëheqsit politikë të Kosovës (dhe Jugosllavisë) si nji ndërhymje direkte në punët e mbrendshme të Jugosllavisë,” shkruente Dielli i Bostonit(19 prill 1981) me qellim copëtimin e këtij shteti shumëkombesh. Manifestime masive përkrahje për studentët kosovarë u zhvilluen nga bashkësitë shqiptare të Europës dhe SHBA-së e Kanadasë. Këto bashkësi kanë qenë të mendimit se, ngjarjet e reja në Kosovë janë nji tregues i pagabueshëm se procesi i bashkimit të mbar kombit shqiptar tashma kishte fillue. Nji ecje e këtillë mund të vonohet, por nuk mund të ndalohet ma.

    Siç e theksonte edhe The N.Y.Times: ”Nji stuhi kaloi, por stuhi të reja po grumullohen në qiellin e Jugosllavisë”(19 prill 1981)

     Demonstratat kosovare të mars-prillit 1981 pa dyshim kanë qenë hapi i parë i shpërbamjes së Federates Jugosllave, që përfundoi me shpalljen e Kosovës shtet i lirë, i pavarun dhe demokratik me 17 shkurt 2008..

    Thirrje të vashdueshme nga grupe shqiptarësh në të gjithë botën, dhe sidomos nga organizata kosovare RSHKBL (New York) u drejtuen prej mijëra shqiptarëve të diasporës tue kërkue ndihmë e përkrahje të lëvizjes studenteske, dhe Kosovës në përgjitheësi. Lobimet në Washington,D.C. dhe në Gjermani u treguen veçanërisht aktivë, dhe fituen shumë miq e përkrahës mbrenda dhe jashtë qarqeve qeveritare. Me 14 shtator 1981, Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë i drejtoi nji Memorandum Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kurt Waldheim, ku thuhet se qeveria jugosllave ka pranue publikisht 9 studentë janë vra, 257 janë plagosë, rreth 1.700 persona jane arrestue deri me 19 qershor 1981….Shumica e atyne që u akuzuen kanë qenë intelektualë, profesorë dhe studentë universitarë.

    Memorandumi rregjistron 32 (tridhetë e dy) raste revoltimi popullor kryesisht në shkolla të mesme dhe në universitet, dhe përfundon: “….Shqiptarët kudo në botë, dhe miqtë e tyne po jetojnë momente frike dhe dëshprimi. Cila do të jetë e ardhmja e tyne për këto prindë të pafat, për këto vëllazën dhe motra që banojnë sot në Jugosllavi nuk ashtë e qartë, por na, të gjithë na, kemi shumë frikë e shqetësim për ata. Na jemi shumë të tronditun nga fakti se kori i terbuem i zaneve anmiqsore, thirrje histerike, dhe deklarata publike e kercënuese, mund të sjellin për atë popullsi nji valë të re ndërhymje ushtarake, dhe inevitabilitetin për ma shumë vdekje dhe ma shumë shkatërrim.

   Na i lutemi Sekretarit të Përgjithshëm që për arsyet e parashtrueme ma nalt në bashkëpunim me Qeverinë Jugosllave, të studjohet mundësia e formimit menjiherë të nji grupi ad hoc për hetime të matejshme të situatës anormale të krijueme në krahinën e Kosovës që banohet nga pakica kombëtare shqiptare….”

    Memorandume të këtilla janë përgatitë dhe dergue OKB-së çdo shtator me hapjen e seancave vjetore, si dhe personaliteteve ndërkombëtare me randësi. Si “shperblim” bashkësia shqiptaro-amerikane ka fitue mirënjohjen e shumë personaliteteve amerikane për punë të ndergjegjëshme dhe kambëngulëse në emën të Kosovës, nji veprimtari që ka ndihmue shumë orientimin e udhëheqjes politike amerikane në mënyrë të favorshme në emën të Kosovës. Deri në fitoren finale të 17 shkurtit 2008!

   Angazhimi i plotë i diasporës shqiptare në Amerikë dha rezultatet e veta edhe me nji Konferencë Ndërkombëtare mbi Kosovën të organizueme nga Prof. Arshi Pipa dhe Prof. Sami Repishti, të mbajtun me datën 6 nandor 1982 në Graduate Center të City University of New York.

     Kjo ka qenë Konferenca e parë që mbahet me këte subjekt, e ndjekun ma vonë nga nji seri konferencash dhe simpoziumesh të organizueme nga bashkësia shqiptare-amerikane. Konferenca dallohet për numrin e madh (14), të shkencëtarëve dhe historianëve ndërkombëtarë (Europë dhe Amerikë) që morën pjesë, si dhe për larminë dhe seriozitetin e refererateve të mbajtuna.

    Përfundimisht, materiali i Konferencës u botue me titullin: Studies on Kosova , Edits. Arshi Pipa e Sami Repishti (Columbia University Press :New York, 1984)

     Për këto veprimtari, të gjitha bashkësitë shqiptare në emigracion janë kryenaltë! Rasti i mobilizimit për Kosovën ka tregue edhe vitalitetin e diasporës shqiptare në botë dhe mundësitë e pakufizueme të ndihmës që ajo mund të japin në rast nevoje për Atdheun Nanë !

======================================================

  • Autori ashtë aktivist për të drejtat e njeriut.  Pjesët e theksueme janë të autorit

  Elegji per babën tim

Baba i im

As deshi as s’pati kohë

Por në fëtyrën e tij

Mund të lexojsh elegji

Të shkruara nga plumbat

Në lëkurën pergament.

Baba i im

As deshi as s’pati kohë

Po edhe ato vite lufte

S’e lanë të shkruaj poezi

Ushtruan të tjerët

Të shkruajnë me plumba

Në lëkurën e tij. (Adem Hasani – Zëri i Rinisë (Kosovë) nr.10  datë 8 mars 1980

Filed Under: Histori Tagged With: Sami repishti

110 vjet kushtrim lirie (Diellit)

April 8, 2019 by dgreca

Nga Marjana Bulku/

Ka mjaftuar një natë festimesh të 110 -vjetorit të gazetës Dielli në Nju Jork që Zëri i Amerikës të jehojë më fort se kurrë në të gjithë arenën shqiptare.

Një zë i vërtetë që nuk ka frikë nga gabimet e pozitës, që nuk ka dilemat e opozitës, por që ia njeh që në themel mëkatet sistemeve të padrejta të cilat varfëria materiale dhe heshtja intelektuale i shndërron në një  diktaturë edhe më të rrezikshme sesa ajo që përjetuam ne Shqiptarët e Shqipërisë së vetmuar komuniste.

Ka mjaftuar ky tubim jubilar i festimeve ,që zëri i Elez Biberajt, drejtor i Euro Azisë tek Zëri i Amerikës t’i drejtohet audiencës me një fjalim historik që përshkon tej e përtej realitetin politik dhe ekonomik shqiptar duke u bërë kështu jehona e një Dielli që në 110 vjetorin e vet u dëgjua më fort se kurrë duke na dhënë të gjithëve një leksion të madh, atë të mos heshtjes kur fatet e kombit rënkojnë.

Të shfrytëzosh lirinë e fjalës përmes njohjes dhe hulumtimeve, argumentit dhe analizës, pa u shtirur, ngjirur, fyer, përçmuar e poshtëruar , duket se është pikërisht ajo çka pret realiteti i stërlodhur shqiptar.Është si të thërrasësh për ndihmë pranë një jete që shuhet, është si ti japësh dritë errësirës që ti mjergullon shtigjet. Tribuna e diellit që  festonte me miqtë e vet papritmas u shndërrua në një arenë mbarëshqiptare që dëgjoi po atë zë në kushtet kur liria kërcënohet nga kaosi i cili ka paralizuar edhe mendimin edhe veprimin.Për shumkënd kjo ngjasonte me bulime shprese, ndërsa mua më duket një këmbanë që paralajmëron fundin…uroj të së keqes që nuk po ka fund. Ka mjaftuar ky përvjetor i 110 -të për të na kujtuar se e ardhmja projektohet duke analizuar realitetin, me të gjitha dimensionet e veta ku natyrisht përfshihet edhe e shkuara . Bukleti studimor i Ambasador Mal Berishës,  i përpiluar enkas për këtë event vjen si një përmbledhje ku ravijëzohen momente kritike të historisë shqiptare dhe roli i Vatrës dhe misionarëve të saj që i dolën për zot fateve të kombit. Fuqia lobuese e nxitur nga roli i intelektualëve shqiptar në bashkëpunim me misionarë amerikanë (Charles Telford Erickson) pati ndikim të fuqishëm në qarqet e larta amerikane, situata të cilat shumkush do të donte që ti thërriste si për tia risjellë për zgjidhje aktualitetit po aq problematik ku vihen në pikpyetje liritë , siguritë , ekzistenca. Gazetaria e shekullit të ri përballet me sfida esenciale dhe ekzistenciale. Në një kohë kur paraja është zot dhe mendimi vjetërohet dhe robërohet, roli i mendimtarëve është këmbanë shprese. Dhe në fakt kështu vinte komunikimi i profesor Nikolla Panos;I matur prej peshe dhe i pamasë prej thellësisë dhe madhështisë. 

Si do të ruhet e gjithë kjo pasuri mendimi e akumuluar në 110 vite por që mban dhjetra e dhjetra vjet të tjerë në brendësi? Dr Arjeta Ferlushkaj e cila ka dhënë një kontribut konkret në sistemimin e bibliotekës së vatrês mendon se dixhitalizimi i diellit do të ishte zgjidhja dhe zgjedhja më e mirë për ta bërë të pavdekshme këtë trashëgimni historike, kulturore e politike. 

Fjala e thënë në vendin e duhur, kohën e duhur , mënyrën e duhur bëhet udhërrëfyese, referuese, informuese. Është pikërisht kjo gjuha me të cilën i drejtohet ish-gazetari i Zërit të Amerikës zoti Frank Shkreli lexuesve të vet. Ky brez gazetarësh edhe pse kanë disa dekada që janē larguar nga atdheu, nuk i kanë ikur kurrë atij, jo vetëm për shkak të të qënit gazetarë e profesionistë , por sepse janë thellësisht patriotë dhe idealistë , pasues të Nolit dhe Konicês në kapacitete intelektuale , dhe vepra konkrete . Përpikmëria kronologjike e shkrimeve të Frank Shkrelit  orienton dhe krijon imazh realist mbi gjendjen ekonomike e politike që përjeton atdheu .

Kush jeton midis Shqipërisë dhe Amerikës e ndjen se sa e dhimbshme êshtë të të zbraset shtëpia, lagja, qyteti, të të rrënohet mundimi, të të shembet mu përpara syve puna e ndërtuar me djersë e të lulzojë nga asgjëja ajo gjëja që nuk aspak të bëjë me nderin, pronën , lirinë!

Kush jeton në Shqipëri përkund ëndrrën për të ikur, ndërsa për ne që ikëm rishtaz nuk ka ëndërr më pakuptim se ikja . Dhe tia transmetosh ikjen si formulë zgjidhje shqiptarëve të sotēm është alternativa më e dhimbshme që artikulohet tribunave të politikës . Këto thirrje partiake nxitur nga po interesa të tilla e bëjnë të domosdoshëm rolin e gazetarisë së kthjellët , realiste , të paanshme që ushqen e rrit zgjidhje e shtigje lirish.

Sipas Biberajt 60 për qind e shqiptarëve duan të ikin nga vendi i tyre a thua se vendi është në luftë . 

Realiteti dhe faktet, shifrat dhe leximi përtej tyre, shrytëzimi i indikatorëve në terren dhe matja e tyre , janë mjetet me të cilat operon një gazetari e vërtetë dhe objektive.

A nuk janë pikërisht këto elemente që e mbajnë gjatë në jetë një gazetë 110 vjeçare që ende lexohet ? Është ngjarja që e e bën lajmin, ndodhia , fakti përtej të cilit lind reagimi, reflektimi, kronika, analiza , meditimi. 

Saktësia e gazetarit Idriz Lamaj, ka mbetur e paprekshme, duke iu referuar gjithmonë detajeve që vijnë nga studimet, leximet e thelluara që për të tashmë janë shndërruar në pasion. 

Ky 110 -vjetor është edhe një homazh për të gjithë editorët e gazetës Dielli sipas editorit aktual zotit Dalip Greca të cilët të ndryshëm dhe individualisht e drejtuan në mënyra të larmishme këtë gazetë duke sjellë gjithsejcili diçka të re. Dhe e reja e diellit tonë tashmë 110 vjeçar është editorja në gjuhën angleze zonja Rafaela Prifti e cila sjell një eksperiencë shumëdimensionale si gazetare dhe editorialiste vlera këto që dukshēm u konkretizuan gjatë moderimit elegant dhe subsancial pêrkrah Frank Shkrelit çka natyrisht e ktheu këtë ditë feste në një ditë historike, në një ngjarje për mbarë gazetarinë, sfidat që ajo përjeton në kushtet kur pushtetet kacafyten e ku ajo e fjalës liri bëhet kryefjalë. 

Filed Under: Featured

110 VJETORI I DIELLIT, NGJARJE ME RËNDËSI PËR HISTORINË E SHQIPËRISË DHE SHTYPIN E LIRË

April 8, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli*   

Honored guests and participants, good morning and welcome.  Mirë mengjesi.  Unë jam Frank Shkreli.  Kam nderin dhe privilegjin që me kolegen time, Rafaela Prifti të drejtojmë ketë seminar. 

    Mirë se keni ardhë në këtë konferencë historike për të shënuar 110-vjetorin e themelimit të gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare, Vatra. 

Ky përvjetor shënon një ngjarje me rëndësi, jo vetëm për Federatën Vatra dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe për historinë e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, e sidomos për historinë e shtypit shqiptar dhe të fjalës së lirë, ashtu siç është ushtruar nga gazeta Dielli, për 110 vjetë të ekzistencës së saj. 

      Në përputhje me veprimtarinë e Vatrës gjatë dekadave, ashtu edhe organi i saj Dielli, historikisht, është i lidhur ngusht me fatet e Kombit Shqiptar, në vijimësi ç’prej fillimit e deri në ditët tona.Është kjo një histori dhe trashëgimi që na bën të gjithëve krenarë!

         Sot do të njihemi më mirë me kontributin dhe veprimtarinë gazetareske dhe patriotike 110-vjeçare të gazetës Dielli, në veçanti, dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe vatranëve të breznive të ndryshme, në përgjithësi. 

Kemi nderin që në mesin tonë të kemi sot dijetarë, historianë, studiues e gjurmues me kompetencë dhe përvojë shkencore, të cilët do të flasin për Diellin e Shqiptarëve dhe për kontributin historik që ka dhënë dhe vazhdon të japë ky organ mediatik në fushën e publicistikës mbarëshqiptare.Jam i bindur se nuk do të zhgënjeheni!

            Duhet të jetë gjithashtu, për të gjithë ne, edhe një ditë reflektimi ndaj historisë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të gjithë ata pjesëtarë të komunitetit tonë këtu në Amerikë, që ndoshta nuk e njohin mirë historinë e Diellit të Amerikës dhe të Vatrës – të Fan Nolit e të Faik Konicës.

Dëshirojmë të jetë gjithashtu një ditë reflektimi edhe për udhëheqsit e dy shteteve të shqiptare dhe të medias –në Shqipëri dhe në Kosovë – të cilët duket se e kanë harruar rolin që ka luajtur, historikisht,gazeta Dielli si organ i Federatës Pan-Shqiptare VATRA në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo dhe gjihtëherë, si dhe në mbështetje të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre.

     Është gjithashtu edhe një detyrë morale dhe përgjegjësi civile për ne, që sot tu shprehim gjithashtu nderimet dhe mirënjohjet tona më të thella para-ardhësve tanë, të cilët, shpesh nën rrethana të vështira ekonomike dhe politike – patën vizionin dhe guximin që në momentet më kritike të historisë së shqiptarëve, të bashkoheshin rreth Vatrës dhe Diellit dhe të vepronin – pikërisht nepërmjet Vatrës dhe Diellit – në mbrojtje të interesave të Shqipërisë dhe të drejtave të Kombit shqiptar, bazuar në të vërtetat historike.  

Emërat e tyre më të njohur – përfshirë Peshkop Fan Nolin dhe Faik Konicën — do t’i dëgjoni në vazhdim të kumtesave të folësve të nderuar – por pa përjashtuar qindra e qindra vullnetarë të tjerë gjatë dekadave, krye-redaktorë të Diellit, antarë dhe udhëheqës të Vatrës – përfshirë edhe udhëheqjen aktuale të Federatës Pan-Shqiptare dhe të gazetës Dielli, veprimtaria e të cilëve do të jehojë lartë në qiellët e patriotizmit shqiptar.  Dëshiroj që me këtë rast të falënderoj folësit dhe pjesëmarrësit e ardhur nga komunitetet dhe degët e Vatrës, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara dhe madje edhe pjesëmarrës nga Evropa. Shumë prej tyre kanë qenë dhe janë bashkpunues të Gazetës Dielli. Të gjithëve u jemi mirënjohës që iu përgjigjët pozitivisht thirrjes së Vatrës për të marrë pjesë në këtë 110-vjetor historik të gazetës Dielli. 

Historikisht, Federata VATRA dhe orgnai i saj Dielli, për 110-vjet tani vazhdojnë të luajnë rolin e udhëheqsit të veprimtarisë patriotike dhe kulturore në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe kultivimit dhe mbështetjes së marrëdhënieve dhe të miqësisë shqiptaro-amerikane, në veçanti.

Vatra dhe Dielli zënë një vend vërtetë të rëndësishëm dhe të pazevendsueshëm në historinë e Kombit shqiptar, sepse roli i Vatrës dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan ishte dhe mbetet një faktor vendimtar për fatet e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Kombit shqiptar në terësi.Nuk besoj të ketë një rast tjetër në botë, ku një organizatë mërgimtarësh  të cilitdo qoftë grup etnik në Amerikë ose kudo tjetër në botë, të ketë luajtur rolin kyç dhe të ketë qenë një faktor aq i rëndësishëm, sa ç’ishin Vatra dhe Dielli në themelimin e shtetit shqiptar dhe në mbrojtjen e interesave të Kombit shqiptar dhe trojeve të tija, ç’prej fillimit të shekullit të kaluar.  Jemi krenarë që në frymën e Federatës Mbarë-shqiptare Vatra, këtu sot kemi përfaqsues nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora.

Urimet më të sinqerta edhe për 100-vjet të tjera Gazetës Dielli dhe Federatës Pan-Shqiptare Vatra!  Ashtuqë veprimtaria e tyre dhe e brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve që do t’i drejtojë ato sot dhe nesër, të vazhdojë të jetë në lartësinë e vlerave, të interesave të Kombit dhe të misjonit të tyre historik, në këtë vend demokratik që na ka pranuar me krah hapur dhe nga i cili –ashtu si 110-vjet më parë — edhe sot varet fati Shqiptarëve.

Mirë se keni ardhur dhe punë të mbarë në këtë seminar kushtuar 110-vjetorit të Gazetës Dielli, organit të Federatës Mbarë Shqiptare Vatra!

* FJALA E HAPJES SË SEMINARIT ME RASTIN E 110-VJETORIT TË

       THEMELIMIT TË GAZETËS DIELLI, ORGAN I FEDERATËS

                     MBARË SHQPITARE VATRA NË NJU JORK

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

Dielli dhe Sfidat e Konsolidimit të Demokracisë Shqiptare

April 7, 2019 by dgreca

Nga Dr. Elez Biberaj*/

Drejtor i Djetorisë së Euroazisë-

Zëri i Amerikës/

Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme me rastin e 110 vjetrit të botimit të gazetës Dielli.  Përgëzime anëtarëve dhe drejtuesve të VATRËS dhe veçanërisht redaktorit të Diellit Dalip Greca, për këtë përvjetor historik.

Dielli ka luajtur një rol të rëndësishëm në pasqyrimin me besnikëri të historisë së trazuar të kombit shqiptar, duke mbështetur çeshtjën shqiptare, duke nxjerrë në pah zhvillimet në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe duke nxitur krijimin e shoqërive demokratike, të drejta dhe të begata shqiptare. Si çdo media dhe institucion tjetër shtypi, në historinë e tij të gjatë Dielli ka patur uljet e ngritjet e veta. Por me ndihmesën e tij të gjithanshme, Dielli me të drejtë ka zënë një vend të rëndësishëm në analet e historisë shqiptare.

            Kohët e fundit edhe Zëri i Amerikës shënoi një përvjetor të rëndësishëm: 77 vjetorin e krijimit në shkurt të vitit 1942.  Më 13 maj 2019, Zëri i Amerikës shënon 76 vjetorin e transmetimit të parë në gjuhën shqipe. Zëri i Amerikës është një medium i njohur dhe me ndikim dhe është krenar që vazhdimisht praktikon gazetari të një niveli të lartë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë. Ndërsa gjatë këtyre shtatë dekadave ka kaluar përmes ndryshimesh dramatike, misioni i Zërit të Amerikës në thelb ka mbetur i pandryshuar – fuqizimi i audiencave me lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara, që ato të jenë në gjendje të marrin vendime të mirë-informuara për shoqëritë dhe qeveritë e tyre. 

Dielli dhe Zëri i Amerikës, pa dyshim, kanë misione të ndryshme. Por ato ndajnë objektiva të përbashkëta për të mbuluar komunitetin shqiptaro-amerikan, ndihmesat e tij të shumta në shoqërinë amerikane, forcimin e lidhjeve mes popullit amerikan dhe atij shqiptar, si dhe nxitjen e vlerave demokratike në territoret shqiptare.  

Gjatë dekadave ne kemi patur lidhje shumë të ngushta. Veprimtaritë e Diellit dhe VATRËS janë pasqyruar gjerësisht në programet e Zërit të Amerikës. Orë të tëra regjistrimesh origjinale të kuvendeve dhe takimeve të VATRËS si dhe fjalimet e Fan Nolit dhe shqiptaro-amerikanëve të tjerë të shquar, të regjistruara në mënyrë profesionale nga Lou Prifti, i janë dorëzuar presidentit të VATRËS Anthomny Athanas dhe Kishës Ortodokse në Boston. Mesa di unë këto regjistrime i janë dërëzuar në vitet 1980 Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Tre gazetarë të njohur të Zërit të Amerikës kanë punuar si redaktorë të Diellit – Piro Tyko, Nelo Drizari, and Xhevat Kallajxhi.  Dhe ish kolegia ime në Zërin e Amerikës, Rafaela Prifti tani punon si redaktore e gjuhës anglisht për Diellin. Shumë gazetarë të tjerë të Zërit të Amerikës – Fehime Pipa, Frank Shkreli, Gjek Gjonlekaj, Idriz Lamaj, Ilir Ikonomi dhe Astrit Lulushi – kanë bashkëpunuar me Diellin.  

Unë personalisht kam qënë me fat të kem patur një marrëdhënie të gjatë me VATRËN dhe  Diellin dhe jam shumë krenar për faktin që shkrimet e mia të para janë botuar në gazetën  Dielli. Unë kam patur nderin dhe kënaqësinë të kem njohur shumë personalitete të njohura të VATRËS dhe Diellit, por sot dua të nderoj Xhevat Kallajxhiun.

            Pas një karriere të shquar prej tre dakadash në Zërin e Amerikës, zoti Kallajxhi u bë redaktor i Diellit, post në të cilin shërbeu nga viti 1976 deri në 1986. Ai e ringjalli Diellin, rriti standartet gazetareske, zgjeroi fushat e mbulimit dhe u përqëndrua veçanërisht në sfidat me të cilat ndeshej diaspora, Shqipëria, Kosova dhe Çamëria.

               Zoti Kallajxhi ishte veçanërisht i interesuar në afrimin e gjeneratave të vjetra dhe të reja të shqiptaro-amerikanëve. Përmes Diellit, ai u krijoi mundësinë një numri të madh gazetarësh dhe studiuesish të rinj,  të botonin artikujt dhe komentet e tyre.  Zoti Kallajxhi ishte një person me integritet të lartë, i respektuar gjerësisht dhe e vlerësonte lartë rëndësinë e objektivitetit dhe drejtësisë, të cilat janë të lidhura ngushtë me besueshmërinë – pasuria më e çmuar e çdo organi shtypi. Ndërsa inkurajonte shprehjen e mendimit të ndryshëm dhe i mirëpriste debatet e apasionuara, zoti Kallajxhi nuk i toleronte ata që hidhnin akuza keqdashëse, që sulmonin karakterin e tjetrit për t’i bërë dëm, që vetë-mburreshin dhe hiqeshin si patriotë.

               Për herë të parë e takova zotin Kallajxhi gjatë një vizite në Nju Jork, pak pasi u bë redaktor i Diellit. Në atë kohë, unë ndiqja studimet e doktoraturës në Universitetin Kolumbia. Zoti Kallajxhi më nxiti të shkruaja për Diellin dhe të flisja në veprimtaritë e organizuara nga VATRA. Kështu, unë mora pjesë në konferencën me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në festimet e Ditës së Flamurit.
                    Unë i jam mirënjohës zotit Kallajxhi për botimin e artikujve të mi tek Dielli, dhe, në disa raste, botimin e tyre si artikuj redaksional. Shkrimet e mia përqendroheshin në politikat e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë komuniste, mundësitë për reforma dhe gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Kosovë.
                    Unë jam veçanërisht krenar për dy shkrime, që botova gjatë kohës që zoti Kallajxhi ishte redaktor. I pari, me pseudonimin Albanicus, botuar më 1 janar 1979, ishte një përpjekje nga ana ime për të trajtuar hapur disa nga problemet me të cilat ndeshej komuniteti dhe kombi ynë. Artikulli shkaktoi një tronditje në komunitet.
                    I dyti, i kushtohej koleksionit arkivor të ambasadorit amerikan Herman Bernstein për Shqipërinë, i cili ndodhet në Institutin Yivo për Hulumtime Hebraike në Nju Jork. Ambasadori Bernstein, një shkrimtar i shquar, gazetar dhe autoritet i çështjeve hebraike, shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë nga viti 1930 deri më 1933. Ekzistenca e koleksionit u zbulua rastësisht. Vëllai im Hasani, gjatë studimeve master për histori në Universitetin Kolumbia, u takua me një shok klase, i cili kishte ndeshur në koleksionin e zotit Bernstein, ndërsa bënte hulumtime mbi persekutimin e hebrenjve në Evropën Lindore. Koleksoni është një burim me vlerë për studiuesit e interesuar për zhvillimet shqiptare dhe marrëdhëniet e Shteteve të Baskuara me Shqipërinë në fillim të viteve 1930. Artikulli im, që zbulonte ekzistencën e këtij koleksioni dhe bënte një përmbledhje të përmbajtjes së tij, u botua më 15 tetor 1980.
                    Zoti Kallajxhi vendosi një standart të lartë për gazetarët shqiptarë dhe na ka lënë një trashëgimi të pasur – angazhimin më të lartë ndaj standardeve gazetareske, objektivitetit, drejtësisë dhe respektit, si dhe bindje të fuqishme demokratike dhe patriotike.
                    Në këtë përvjetor të rëndësishëm, është e natyrshme që të ndalemi tek arritjet e së kaluarës. Por është gjithashtu e rëndësishme të shikojmë drejt së ardhmes.
 
 
                    Komuniteti shqiptaro-amerikan ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të ndikuar mbi politikën e jashtme amerikane për çështjet shqiptare. Pas kulmit të euforisë që pasoi pavarësinë e Kosovës, veprimtaria e shqiptaro-amerikanëve ka rënë ndjeshëm. Komuniteti tani duket përgjithësisht i plogësht. Është e rëndësishme që komuniteti të mbetet i angazhuar. Dielli, si dhe gazeta tjetër shqiptaro-amerikane, Illyria, janë në gjendje të mirë për të nxitur aktivizmin e komunitetit.
               Të jemi realistë: ndikimi i gazetave të diasporës mbi zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri ka të ngjarë të jetë i kufizuar për arsye të shumta dhe objektive. Sidoqoftë, Dielli dhe Illyria mund të kontribuojnë duke ndjekur një qasje të bazuar tek faktet për lajmet dhe informacionet, duke ofruar një gamë të gjerë opinionesh mbi çështjet kryesore dhe duke shërbyer si një forum për debatin publik.
                    Shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore me të drejtë duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre kombëtare, politike, ekonomike dhe sociale në dekadat e fundit. Megjithatë, ky përparim po rrezikohet nga prirjet negative politike, shoqërore dhe ekonomike, të cilat dëmtojnë krijimin e një shoqërie të begatë dhe demokratike. Shoqëritë shqiptare vuajnë nga një polarizim i rrezikshëm politik, nga qeverisje të dobëta, korrupsion i përhapur thellë dhe mungesë e zërave të besueshëm për kompromis dhe moderim.
                    Njëzet vjet pas çlirimit, Kosova ka arritur përparime të shumta, por mbetet një shtet i brishtë. Negociatat me Serbinë duket se dominojnë gjithshka në Prishtinë, duke e bërë të vështirë që udhëheqja të përqëndrohet seriozisht në çështjet e ngutshme të brendshme. Kohët e fundit, pozita e Kosovës është dëmtuar nga hapat e gabuar të Prishtinës dhe nga grindjet e shumta brenda udhëheqjes.
                    Mungesa e konsensusit mbi çështjet themelore, si negociatat me Serbinë, kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe kanë krijuar pakënaqësi mes mbështetësve më të fuqishëm të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Këto dëme, që Kosova ia ka shkaktuar vetë vetes, janë rezultat i dështimit të aktorëve kryesorë për të bashkëpunuar në hartimin dhe zbatimin e  politikave të përbashkëta.
                    Presidenti Hashim Thaçi dukej i bindur se mund të arrinte një marrëveshje me homologun e tij serb për një "korrigjim kufijsh," në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi. Plani i tij ka hasur në kundërshtime të ashpëra, pasi ai nuk arriti të angazhojë aktorët e tjerë kryesorë, veçanërisht Kryeministrin Ramush Haradinaj, ose të sigurojë mbështetjen e publikut për shkëmbim territoresh. Kjo shkaktoi probleme serioze brenda elitës politike dhe ka dëmtuar pozitën e Kosovës në negociatat e ardhshme me Serbinë. Shprehja publike e mosmarrëveshjeve politike në Prishtinë për këtë çështje, u dha municion atyre që vënë në dyshim vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës – dhe kjo në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në mjedisin politik ndërkombëtar, shumica në favor të Serbisë.
                    Vazhdimi i ngërçit politik, marrëdhëniet jo-funksionale mes aktorëve kryesorë dhe paraliza e procesit vendim-marrës, mund të çojnë në një rënie të vazhdueshme të Kosovës si brenda edhe jashtë vendit. Udhëheqësit e Kosovës duhet të gjejnë mënyrat për të kapërcyer ndarjet politike dhe për të përcaktuar rrugën drejt së ardhmes. Do të bënin gabim të madh në se binin në vetë-kënaqësi dhe në se e marrin si të mirëqënë angazhimin e Amerikës. Dhe shqiptaro-amerikanët nuk mund të mbyllin sytë ndaj veprimeve që mund të dëmtonin marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.
                    Shqipëria, nga ana e saj, po përballet me problemet më serioze, që pas situatës shkatërrimtare të vitit 1997 – gjendja politike po përkeqësohet, vendi po përjeton praktikisht zhbërjen e sistemit të kontrollit dhe balancave, dhe gjyqësori duket i paralizuar. Institucionet, që shërbejnë si themeli ku mbështet një proces vendim-marrës racional, gjithëpërfshirës dhe demokratik, janë të dobta. Polarizimi është tejet i thellë, mungon qendra politike, ç’ka e bën kompromisin shumë të vështirë.
               Shqipëria e gjen veten në pozitën e palakmueshme të të qënit një nga vendet më të varfëra dhe më të korruptuara të Evropës. Megjithëse Shqipëria ka patur mesatarisht një rritje vjetore prej 4 për qind të PBB-së, një e treta e popullsisë ende jeton në varfëri të skajshme, duke mbijetuar me më pak se një dollar në ditë. Shumë shqiptarë besojnë se sistemi i tanishëm funksionon kundër tyre. Ata kanë humbur shpresën dhe shohin pak mundësi për të ndikuar në të ardhmen e vendit të tyre. Sipas sondazheve të fundit të firmës Gallup, rreth 60 për qind e shqiptarëve dëshirojnë të emigrojnë. Që nga fillimi i viteve 1990, më shumë se një milion e gjysmë shqiptarë kanë emigruar, ku dominon grup-mosha 20-40 vjeç.  Popullsia e Shqipërisë sot vlerësohet të jetë 2.9 milion – e njëjtë si në vitin 1989 – dhe brenda tridhjetë viteve të ardhshme pritet të bjerë në 2.6 milion.
               Pas fitores me një shumicë dërmuese në zgjedhjet e vitit 2017, Kryeministri Edi Rama qeveris i pasfiduar. Por sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik, dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë.
               Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqes të tjërë europiano-lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën. Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve.
               Shtypi është bërë më pak i lirë dhe i pavarur. Kryeministri ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese dhe duke i karakterizuar ato si "kazan." Sulmet e tij të fundit ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpunimin mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, ishin jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre.
               Shumë gazetarë, të pambrojtur ndaj trysnisë politike dhe ekonomike, praktikojnë auto-censurën dhe shmangin mbulimin e temave tabu. Është shqetësuese që në vitin 2019, shqiptarët duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme.
               Rama ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave.
               Raporti i Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve për vitin 2019, botuar në mars, e identifikon Shqipërinë si një vend tranzit kyç për shpërndarjen e narkotikëve dhe "një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.”  Raporti e rendit Shqipërinë si një vend ku kryhet pastrim i madh parash duke shtuar se "korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe ushqen një mjedis në të cilin trafikantët e drogës përgjithësisht janë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar." Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se reformat e drejtësisë janë dëmtuar nga "korrupsioni i përhapur."
               Në këtë kontekst, opozita e drejtuar nga Partia Demokratike vendosi në muajin shkurt (2019) të largohej nga parlamenti. Ky hap i paprecedentë e futi Shqipërinë në një gjendje tensionesh të shtuara, që rrezikon shpërthimin e dhunës, shkatërrimin e qeverisjes dhe shtyrjen e integrimit në BE. Rama nuk i ka pranuar kërkesat e udhëheqësit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të dhënë dorëheqjen dhe për të krijuar një qeveri teknike, duke i cilësuar ato si thjesht përpjekje për të marrë pushtetin në tavolinë. Megjithë urgjencën e situatës, Kryeministri nuk ka bërë përpjekje serioze për të hyrë në dialog me opozitën.
               Nuk ka dyshim që një numër i madh i ankesave të Partisë Demokratike dhe partive të tjera të opozitës janë të ligjshme. Por, duke u larguar nga parlamenti, deputetet e opozitës thjesht kanë braktisur përgjegjësitë e tyre ndaj elektoratit dhe ia kanë bërë më të lehtë Kryeministrit Rama të marrë masa më autoritare. Ndoshta Basha mund të kishte ndjekur një politikë të dyfishtë: të qëndronte në parlament duke kundërshtuar qeverisjen dhe pushtetin e Ramës, ndërsa në të njëjtën kohë të mobilizonte mbështetjen për protesta mbarëkombëtare, të hartonte një platformë alternative dhe të punonte për ta pozicionuar partinë e tij sa më mirë për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare. Ndërsa zgjedhjet në Shqipëri përgjithësisht kanë qenë problematike, ato ofrojnë mundësinë më të mirë dhe më realiste për opozitën që të vijë në pushtet. 

            Basha e mori këtë vendim tejet të rëndësishëm pa zhvilluar një debat të vërtetë dhe të sinqertë rreth pasojave dhe rreziqeve të mundshme të një kursi të tillë dhe pa ndonjë përpjekje serioze për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare. Pak anëtarë të Partisë Demokratike kishin kurajon dhe mundësinë për të vënë në dyshim argumentat e supozuar mbi të cilat u mor vendimi. Siç pritej, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën mbështetje për qeverinë dhe kritikuan opozitën.

Ndërsa Basha ka qenë në gjendje të organizojë protesta të mëdha në Tiranë, nuk është e qartë se deri në çfarë mase mesazhi i opozitës është pranuar nga popullsia. Presioni publik nuk ka arritur përmasat e një mbështetjeje kritike nga masat, për ta detyruar Ramën të japë dorëheqjen, ose të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin e tij. Shoqëria në përgjithësi duket e zhgënjyer dhe gjithnjë e më shumë e painteresuar për politikën dhe nuk ka dëshmuar gatishmëri të veprojë. Pavarësisht nga pakënaqësia në rritje me politikat e qeverisë, qytetarët kanë shfaqur pak entuziazëm për aktivizim shoqëror, ç’ka do të sillte ndryshimet e shumë-dëshiruara, me sa duket të bindur se nuk mund të ndikojnë mbi sistemin politik. Nuk është e qartë nëse Basha ka një strategji për të zgjeruar bazën e partisë dhe për të angazhuar shoqërinë civile, ç’ka do t’i ndihmonte opozitës të vazhdonte protestat dhe të bindte Ramën për kompromis. Ekziston një hendek i madh midis mjeteve në dispozicion dhe synimeve të Bashës. Mungesa e një strategjie dhe forca e pushtetit të Ramës mund të çojë në humbjen e mbështetjes për Bashën dhe copëzimin e bllokut opozitar.

Rama duket se nuk është plotësisht i ndërgjegjshëm se sa të mëdha janë sfidat me të cilat ballafaqohet vendi i tij dhe po mban një qëndrim të pakompromis. Kritikat e komunitetit ndërkombëtar për vendimin e Bashës dhe ngurrimi për të shqyrtuar seriozisht politikat dhe veprimet e qeverisë, e kanë inkurajuar Ramën, duke i shtuar besimin në forcimin e kontrollit të pushtetit. Strategjia e tij ka qenë të pasqyrojë një ndjenjë normaliteti dhe të kalojë në ofensivë me tubimet e tij, duke shpresuar se me kalimin e kohës mbështetja për opozitën do të zbehet.

Kjo është një politikë dritë-shkurtër. Sa më shumë të zgjatet kriza, aq më i madh është rreziku që Shqipëria të përballet me një situatë shpërthyese.

Shqiptarët sot duken se e kanë humbur busullën dhe nuk kanë një vizion të qartë për të ardhmen. Ata kanë humbur besimin tek udhëheqësit e tyre dhe tek vetvetja. Shqiptarët do të pësojnë zbrapsje të tjera, në se nuk marrin vendime kritike dhe nuk hartojnë strategji, që jo vetëm do të ndryshonin kursin e tanishëm të ecjes mbrapsht, por do ta vinin vendin e tyre në rrugë të qartë drejt demokratizimit.

Gjatë krizave të kaluara udhëheqësit shqiptarë kanë arritur minutën e fundit dhe në mënyrë të papritur, marrëveshje sa për të kapërcyer situatën. Ndërsa ka një thyerje të thellë të besimit dhe komunikimit mes qeverisë dhe opozitës, kompromisi është ende i mundshëm për t’i dhënë fund ciklit të përshkallëëzimit, që është jetik për të ruajtur kohezionin shoqëror të kombit. Por kjo kërkon vullnet politik nga të dyja palët për të çtensionuar konfliktin dhe për t’u tërhequr nga kërkesat maksimale. Deri tani vullneti politik ka munguar dhe situata aktuale lehtësisht mund të shndërrohet në një ngërç të gjatë.

Gjithsesi, nëse udhëheqësit shqiptarë nuk bëjnë përpjekje serioze për kompromis, Shqipëria mund të hyjë në një situatë pa rrugëdalje. Prova e pare do të jenë zgjedhjet vendore, të planifikuara për në qershor. Është në interesin e të dyja palëve që opozita të marrë pjesë në zgjedhje. Në se Basha i bojkoton zgjedhjet, opozita do t’u mohonte mbështetësve të saj të drejtën e përfaqësimit dhe do të rrezikonte të margjinalizohej gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër, do të ishte një politikë dritëshkurtër për Ramën të hynte në zgjedhje pa opozitën, ose të përpiqej të krijonte opozitën e tij për të zëvendësuar opozitën e vërtetë.

Kriza e tanishme është shkaktuar nga vetë udhëheqësit shqiptarë. Ata mbajnë përgjegjësi para kombit për të gjetur rrugët për të ulur konfliktin dhe për të ndryshuar trajektoren e vendit para se Shqipëria të rrëshqasë në një krizë mbarë-kombëtare, me një potencial të madh të një konflikti civil. Kriza mund të zgjidhet me një marrëveshje për zgjedhjet vendore, e pasuar nga ndryshimet në kodin zgjedhor dhe një marrëveshje për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Është bërë e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të rishikohen me synimin për të forcuar institucionet e pavarura dhe për të fuqizuar parlamentin. Ligji i tanishëm elektoral, që ka çuar në krijimin e një distance të rrezikshme midis votuesve dhe përfaqësuesve të zgjedhur, duhet të ndryshohet. Ekziston një konsensus në rritje se Shqipëria duhet të kthehet në një sistem zgjedhir të përzier ose mazhoritar dhe të largohet nga sistemi i tanishëm proporcional.

Por në fund të fundit, çdo marrëveshje, në mungesë të një ndryshimi tërrësor dhe reformave të vërteta e thelbësore, nuk do të çonte në një shkëputje të qartë dhe nuk do të rigjallëronte sistemin politik të vendit. Shqipëria ka nevojë urgjente për një rifillim, për një pakt kombëtar – një marrëveshje për synimet e përbashkëta kombëtare dhe për parimet e një qeverisjeje të mirë – që do të ribënte sistemin politik të vendit.

Faza e ardhshme do të jetë përcaktuese, në se Shqipëria do të shndërrohet në një demokraci të konsoliduar, ose në një sistem pro-autoritar, me drejtim një partiak. Elitat e tanishme, që kanë dominuar jetën politike të vendit që nga fillimi i viteve 1990, janë përgjegjëse pse Shqipëria ka mbetur pas. Politikanët e sotëm nuk mund te shikohen më si udhërrëfyes – atyre iu janë shtërruar idete. Ata nuk kanë çfarë të ofrojnë më shumë dhe nuk mund të shërbejnë si katalizatorë për ndryshime thelbësore.

 Le të shpresojmë që tre dekada pas përmbysjes së komunizmit, shoqëria shqiptare është në gjendje të prodhojë pishtarë të rinjë që do të zotërojnë aftësitë drejtuese që kërkon e ardhmja e kombit tone.

***

* Fjala në ceremoninë e 110 vjetorit të gazetës Dielli[1]

Nju Jork


* Pikëpamjet e shprehura këtu janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e Zërit të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elez Biberaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1054
  • 1055
  • 1056
  • 1057
  • 1058
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT