• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HANA NOKA, ARTISTE E NJOHUR, VIZITOI VATRËN

February 21, 2019 by dgreca

–Modelja, aktorja, gazetarja, regjisorja dhe autorja e librit “BESA PO” kushtuar Mbretëreshës TEUTA, shpreson se Historia e Mbretëreshës Ilire do të frymëzojë gratë anembanë Botës-/

 

1 hana profil firme1 a ok Hana treshe1 a Hana me vajzen2 Hana

Të Enjten pasdite, 21 Shkurt 2019, Selinë e Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës”VATRA” e vizitoi një artiste e njohur, Hana NOKA. Ajo është një modele e njohur ndërkombëtarisht,aktore,regjisore, shkrimtare dhe ndjehet mirë tek kujton rrënjët e saj shqiptare. E flet bukur gjuhën shqipe edhe pse ka jetuar nëpër botë. Synimi i saj është që të bëjë të njohur me veprën e saj Kombin Shqiptar.Hana e ka filluar karrierën në modelim në moshë fare të re, por edhe pse e zënë me modelimin që në vegjëli, ajo kurrë nuk e la mënjanë arsimimin e saj. Hana u diplomua në Griffith College- Dublin në Irlandë me diplomë BA (Hons) në Gazetari dhe Media Vizuale. Më pas ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si një admiruse e grave të forta në histori, Hanën e tërhoqën dhe e inspiruan historitë e grave të lashta Ilire. Brenda saj nisi shtysa për të treguar historinë e udhëheqëses së madhe , Mbretëreshës trime, Teuta, që sundonte Ilirinë, që përfshinte kombet e sotëm të Ballkanit, që nga viti 231 Para Krishtit e deri në 227 Para Krishtit.

Hana shpreson se se Historia e Mbretëreshës Ilire do të frymëzojë gratë anembanë Botës ashtu sic e ka frymëzuar atë vetë.

Hana jeton në Los Anxhelos dhe flet disa gjuhë, duke përfshirë gjuhën shqipe, anglishten, kroatisht dhe turqisht.

Artistja e njohur u prit në Vatër nga editori i Diellit , Dalip Greca dhe nga z. Marko Kepi, President i Rrënjëve Shqiptare(Albanian Roots) dhe Këshilltar i Kryetarit të Vatrës z. Mishto.

Artistja vizitoi mjediset e Vatrës, u njoh me materiale arkivore e fotografike. Editori i tregoi pikat kulmore të Historisë së Vatrës dhe të Gazetës”DIELLI” që këtë vit celebron 110 vjetorin e publikimit në SHBA. Ajo dhuroi me autograf për bibliotekën e Vatrës librin e saj në gjuhën angleze””BESA PO”.

Ju mund ta porositni librin në Amazon dhe për më shumë të dhëna mund të shkoni në adresën:www.besapo.com

Filed Under: Featured Tagged With: artistja, besa Po, Hana Noka, vizitoi Vatren

U ORGANIZUA PROTESTË PARA KONSULLATËS SË SHQIPËRISË NË NJU JORK

February 21, 2019 by dgreca

1 Proteste

Të enjten në mbrëmje, 21 Shkurt 2019,  para Konsullatës së Republikës së Shqipërisë, një grup shqiptaro-amerikanësh, ashtu sic kishin njoftuar edhe në rrjetet sociale dhe në Gazetën”DIELLI” protestuan kundër Qeverisë së Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Përmes pankartave që mbanin ndër duar ata shprehën solidaritet me kërkesat e opozitës shqiptare dhe e quajtën veprim të drejt djegien e mandateve nga deputetët opozitarë. Një Qeveri si ajo Edi Ramës, e inkriminuar në të gjitha struktuarat, nuk ka të drejtë që të qeverisë shqiptarët, u shprehën ata gjatë protestës.Qeveria e tij nuk qeveris për shqiptarët, por për oligarkinë që i ka futë kthetrat ekonomisë dhe ia ka zënë frymën qytetarëve, tha njeri prej organizatorëve për gazetën DIELLI.. .Koncesionet, tenderat e parablerë, droga, trafiqet, krimi absolut, ardhja në pushtet me votat e vjedhura,  janë disa nga cilësitë e qeverimit socialist me në krye Edi Ramën and Company. Po ashtu ata shprehën zemratë për akuzat e kryeministrit ndaj Zërit të Amerikës, pse ajo nxori në shesh vjedhjen e votave dhe korrupsionin e qeveritarëve socialist.

Në një nga pankartat shkruhej” VOA është zëri i Lirië, Jo kazan”! Në pankartat e tjera dënohej krimi dhe drejtimi autoritar dhe i dhunshëm i kryeministrit, vjedhja e votave, kriminalizmi i shtetit, dhe kthimi i diktaturës dhe pinjollëve të saj.(DIELLI)

FOTO: Nga grumbullimet e para ne fillimprotesten e se Enjtes ne mbremje para Misionit dhe Konsullates se Sjhqiperise ne Manhattan, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Konsullata e Shqiperise, kundër Ramës/, Protesta

PARA 17 VITEVE UNMIK DËBOI DHUNSHËM DHE MBYLLI GAZETËN RILINDJA

February 21, 2019 by dgreca

-Gjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë/

1 Rilindja1

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 21 Shkurt 2019/ Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja para 17 viteve, në 21 Shkurt 2002, u dëbua dhunshëm, kundrligjshëm e padrejtësish nga shtepia e saj-Pallati me emrin e saj dhe detyrimisht u mbyll nga administrata e UNMIK-ut.1 Rilind arkivGjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë.

Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin në pronën e uzurpuar – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj, bazuar në ligje, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës kanë bërë kërkesat e tyre edhe për kompensim për dëbimin kolektiv padrejtësisht nga puna.  

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindjes nisi të dalë para 74 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit.

Duke mos u ndalur, duke dalë gazetë e rezistëncës edhe me emrin “Bujku”, edhe kur e ndaloi regjimi okupues i Beogradit në 7 Korrik 1990, duke dalë me numra të jashtëzakonshëm edhe pasi e dëboi e mbylli UNMIK-u, gazeta tradicionale Rilindja u bë  edhe histori e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja pas dëbimit doli me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues të kohëpakohshëm, të cilët i ka përmbyllur në 30 Dhjetor 2008 me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: 23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi  për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë, të përfunduar në vitin 1999.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Në këtë ditë të 17 vjetorit të uzurpimit të Pallatit të Rilindjes nga UNMIK-u, këtij shkrimi protestë i bashkangjesim faqe nga numrat e jashtëzakonshëm protesues të gazetës – shtojcën e 4 Dhjetorit 2004 të rishpërndarë këtu me datë 31 Dhjetor 2008 “RILINDJA DËBIMI, MBYLLJA, NGUJIMI E SHKATËRRIMI DHE LUFTA PËR RIDALJE”, faqet me titujt “NË KOSOVË NUK KA LIRI SHTYPI DERISA KA GAZETË TË MBYLLUR E TË DËBUAR PADREJTËSISHT NGA AUTORITETET” të 3 Majit 2005 dhe “A E SHIHNI KU E KENI NGUJUAR GAZETËN TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA – ALARM NGA BUNKERI – ARKIVI I RILINDJES, PASURI KOMBËTARE QË PO SHKATËRROHET” të 11 Prillit 2005 dhe ballinat e Rilindjes të 30 Dhjetorit 2008 e 31 Dhjetorit 2018.

/Autori – Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson). Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm/

Filed Under: Analiza Tagged With: Bell Jashari, Rilindja, UNMK

16 SHKURTI DHE NJË PYETJE PA PËRGJIGJE

February 21, 2019 by dgreca

“Individët kalojnë si hijet, por republika është e palëvizëshme dhe e qëndrueshme”/

 Edmund BURKE (1728 – 1797), Burrë Shteti e shkrimtar anglez/

2Eugjen-Merlika-2008V-1-204x300

NGA EUGJEN MERLIKA/

16 shkurti 2019 për Tiranën dhe shqiptarët qe një ditë e pazakontë. U nis si një ditë e një tubimi të madh proteste, të organizuar nga Opozita për të rrëzuar Qeverinë, por u kthye në një ditë vandalizmi të cilën nuk do të dëshironim kurrë më të përsëritej. Skenat e përpjekjeve për të hapur dyert e blinduara të kryeministrisë nga protestuesit dhe gazi lotsjellës i lëshuar nga mbrojtësit e rendit kundrejt tyre, skena të përsëritura për orë të tëra në sytë e qindra mijra shqiptarësh në të gjithë botën që e ndiqnin në televizion, përcillnin një trishtim në shpirt e një zymtësi në mendime….

Ajo ditë qe paralajmëruar tërthorazi në të gjitha mënyrat nga dy muajtë paraardhës të saj, me kundërshtitë mes dy grupeve të politikës që shpalosin një formë lufte të brëndëshme që, herë herë, nuk mban parasysh as normat më parake jo vetëm të etikës politike por as të sjelljes njerëzore, me protestat ekonomike të studentëve, me ndërrime qeveritarësh që nuk kuptohet se mbi çfarë kriteri bazohen, me një kundërshti institucionale mes dy prej njerëzve më të fuqishëm të Shtetit, me një pakënaqësi e varfëri që preken me dorë, si pasojë e faktit që mbetemi ende Vendi më i varfër i Evropës, i shoqëruar nga një dukuri kundërthënëse që shënon njëkohësisht pasuri marramendëse në duar të pak njerëzve, kryesisht atyre me pushtet apo pranë tij…..

Në dy vitet e fundit fjala më e përdorur në gjuhën e folur politike e shtetërore është “vettingu”, që n’origjinalin anglisht ka kuptimin e banjës e të shpëlarit. Tek ne hyri si një kryefjalë magjike e aftë të ndreqë gjithshka shkon mbrapsht në jetën shqiptare. Sa më shumë zgjerohet përdorimi i kësaj fjale, aq më shumë zbulohet lakuriq shprehja e dështimit që ka shoqëruar kalesën e viteve pas komuniste të shoqërisë shqiptare. Vettingu i gjyqtarëve, i politikanëve, i administratorëve, i profesorëve të universiteteve, i punonjësve të rendit etj., që segmente të ndryshme të botës shqiptare kërkojnë me këmbëngulje në faza të ndërsjellta, madje duke thirrur në ndihmë institucione të huaja, vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se sa shtrembër është mataruar jeta institucionale, administrative, politike e shoqërore e këtyre viteve, sa që sot duhet një shpëlarje e përgjithëshme e një nisje nga zeroja, mbasi ndershmëria dhe merita, që duhej të ishin cilësitë bazë të vlerësimit të nëpunësve të Shtetit, janë zëvendësuar nga e kundërta e tyre. Sot gjindemi me 80 % të popullsisë që kërkon të braktisë Vendin e me mungesën e shpresës e të besimit që zotërojnë në të gjithë indet e qelizat e shoqërisë, me pak përjashtime.

16 shkurti qe një tjetër vërtetim i kësaj gjëndjeje, të rënduar nga mangësi të theksuara të klasës politike që, megjithëse e përtërirë në një farë mase nëpërmjet ndërrimit brezor, vazhdon të shfaqë shënjat e sëmundjes së vjetër e të trashëguar të shqiptarëve, paaftësisë për t’u ulur rreth një tryeze e për të gjetur zgjidhjen e mundëshme të shumë problemeve.

Opozita shqiptare ka vendosur të luftojë me të gjitha mjetet për një ndryshim të jetës politike të Vendit, duke dalë jashtë nga binarët normalë të dialektikës së zakonshme të demokracive liberale të silit perëndimor. Ajo arriti deri aty sa të dalë jashtë kuvendit duke djegur mandatet me një vendim unanim të drejtuesve të partive e të vazhdojë luftën e saj politike nëpërmjet mbushjes së shesheve me protestues. Nuk e di sa pajtohet djegia e mandateve me parimin e detyrueshëm të përfaqësimit të vullnetit të zgjedhësve e një shembull i tillë vështirë se mund të gjindet në historinë e parlamentarizmit botëror. Është e drejtë e kujtdo force politike të zgjedhë mënyrat e luftës që i quan të pështatëshme për të sendërtuar taktikën e saj të betejës politike, në kornizën e rregullave e parimeve të demokracisë liberale.

Sot Opozita ka vënë si synim të saj rrëzimin e Qeverisë që ka dalë nga një votim i njohur nga institucionet e Vendit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë si i pranueshëm për standartet shqiptare, megjithë të metat e vëna re në çastin e zgjedhjeve. Por ajo ngul këmbë se “kupa është mbushur e kështu nuk mund të ecet më”. Kjo është një gjëndje që mund të çojë në një përballim masiv mes grupeve te ndryshme kundërshtare në jetën politike, nëse dhe Qeveria do të ndiqte këtë taktikë siç la të nënkuptohet mbas provës së Vlorës. Në këtë gjëndje kur Shqipëria synon të fillojë bisedimet për hyrjen në BE dhe kur është në mes të një reforme që quhet e rëndësishme për të luftuar korrupsionin e zgjeruar e mbytës të jetës së saj politike dhe administrative, një përballim i përgjithshëm si ai i vitit 1997 do të ishte fatal për fatet e Shqipërisë.

Opozita kërkon dorëheqjen e Qeverisë që, simbas rregullave të çdo demokracie, është e detyruar t’a japë atë nëse nuk ka më shumicën në Kuvend. Opozita kërkon një qeveri të përkohëshme për të zhvilluar zgjedhjet e lira e të ndershme, ëndrra e parealizuar e këtyre tre dhjetëvjeçarëve të kalesës. Ishin po të njëjtat kërkesa të një viti e gjysmë më parë, të sanksionuara nga një takim i gjatë mes kryeministrit Rama e kryetarit të Opozitës  Basha. Se çfarë u fol n’ato tetë orë bisedimesh mes dy bashkëfolësve ende mbetet një e panjohur e pazbuluar, sepse asnjëri prej të dyve nuk e ka thënë haptas. Por përsëri gjërat nuk shkojnë mirë e përsëri jemi të pranishëm në një tjetër akt të vazhdimësisë së kalesës pas komuniste shqiptare. Ndryshimi i vetëm është këmbimi i roleve mes pushtetarëve e opozitarëve, metodat e mjetet janë po ato, të njohurat e të zbatuara gjithmonë në dëm të ecjes para të shqiptarëve.

16 shkurti i 2019 na kujtoi një tjetër ditë dimri të disa viteve më parë, atë të 21 janarit 2011. Të njëjtat grumbullime njerëzish, të trasportuar falas nga anë të ndryshme të Shqipërisë, të njëjtat thirrje kundër hajdutëve e të korruptuarve, që atëherë ishin opozitarët e sotëm ndërsa protestën e drejtonte kryeministri i sotëm. Por me një ndryshim thelbësor: më 21 janar u shprazën armë në ajër por që, fatkeqësisht , morën jetët e katër shqiptarëve të pafajshëm, ndërsa më 16 shkurt, fatmirësisht qe një luftë e gjatë pa të vdekur, mes policisë së Shtetit në rolin e mbrojtëses së godinës së Këshillit të Ministrave nga sulmet e demostruesve dhe Opozitës që e kishte lënë popullin të shprehte “vullnetin” e tij duke u munduar të thyente portën e blinduar.

Ndryshimi nuk është i pakët e tregon një farë ecje të rëndësishme në kahun e qytetërimit që i njeh kujtdo të manifestojë në mënyrë paqësore bindjet apo dëshirat e tij, por edhe nëse nuk e bën n’atë mënyrë, edhe nëse gabon, shkatërron, dhunon institucionet që janë pasuri e simbol i kombit e jo i individëve që qëndrojnë brënda, mbrojtësit e rendit nuk mund e nuk duhet të marrin jetën e askujt. Më 16 shkurt ky ligj i qytetërimit u respektua dhe shoqëria shqiptare duhet të falënderojë ata që e bënë të mundur këtë arritje të madhe.

Por sulmi kundrejt ndërtesës së kryeministrisë më la një shije të hidhur, m’u duk si një rëndesë e panevojshme, si një hap mbrapa, si një rikthim në episode të hershme e më pak të hershme, për të cilët ne si shoqëri nuk po jemi në gjëndje, në mënyrë të vendosur e përfundimtare, të mos u njohim qytetërinë në mendësinë tonë të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit 21, sikur të ishim përsëri në të largëtin vit 1943, kur u gjuajt me top e vetmja Asamble Kombëtare mbarëshqiptare në historinë tonë. Pesë orët e manifestimit të protestës së Opozitës u kufizuan vetëm n’ata episode të vandalizmit kundër portave të ndërtesës.

Sa e bukur do të kishte qënë ajo shfaqje zëmërimi e një pjese qytetarësh të Shqipërisë, kundrejt një Qeverie, një pushteti që përbëhet nga njerëz, nga ide, nga veprime, që mund të paditen në dritën e diellit për prapësitë e tyre, për mangësitë, për politikat, për zullumet, edhe për vjedhjet e votave, ndershmërisht ballë për ballë, me forcën e arsyes, të së drejtës, të ligjeve të një demokracie, për të cilën duhet të japin ndihmesën të gjithë bashkëpuntorë e kundërshtarë politikë. Simbas pohimeve të organizatorëve të protestës, aty do t’i lihej fjala popullit, do të flisnin njerëz nga manifestuesit, thuhej rreth njëzet vetë. Por nuk u pa asnjë të flasë, veç fytyrave të njohura të drejtuesve të partive të Opozitës.

Ajo që e bënte më mjerane atë pamje të zymtë lufte për pushtet ishte mungesa e guximit qytetar të atyre personazheve që mëtojnë nesër të drejtojnë Vendin, për të ndërhyrë e për të larguar ata mercenarë të dhunës nga veprimet e tyre kundrejt një godine që simbolizon pushtetin, institucionin e qeverisjes sonë, që duhet të mbetet gjithmonë i respektuar, sepse nuk jemi një popull shpellash, por një bashkësi njerëzish, zanafilla e të cilëve zhytet thellë n’agun e qytetërimit të këtij kontinenti. Si një popull në mes të Evropës e që mëton të jetë pjesë e saj në të gjithë drejtimet, duhet të tregojmë se bashkëndajmë me të edhe mendësinë e respektit për institucionet. Nëse brënda tyre ne fusim halabakë, hajdutë, vrasës, apo çfarëdo keqbërësi tjetër, nëpërmjet votës sonë, na duhet të pranojmë se ka diçka që nuk shkon në veten tonë, por që nuk mund të mendojmë t’a shërojmë nëpërmjet dhunës së verbër kundrejt godinave në të cilat zhvillohet jeta jonë shtetërore.

Madje edhe më mjerane ishte deklarata e drejtuesve demokratë se “policia e ka provokuar turmën me tërheqjen e saj”. Ende mendohet se qytetarët shqiptarë nuk kanë as sy, as veshë dhe as mëndje për të parë, për të dëgjuar e për të gjykuar me kokën e tyre, por duhet të jenë të telekomanduar nga “udhëheqësit” e tyre.

Lë shumë për të dëshiruar edhe qëndrimi i Kryetarit të Shtetit që, pak qindra metra larg sodit në heshtje një shfaqje të tillë ogurzezë, duke u mjaftuar vetëm me një thirrje të thatë, nëpërmjet televizionit. Një garant i shumë gjërave, simbas kushtetutws, në jetën e një populli duhet të jetë i tillë edhe për përfytyresën e tij, për atë me të cilën i paraqitemi hapur vetvetes dhe botës që na rrethon. Ato skena vandalizmi të 16 shkurtit nuk i bëjnë një shërbim të mirë imazhit të Shtetit dhe as të popullit shqiptar.

Qeveria, si vijë politike e si sendërtim i saj, nuk duhet të ketë asnjë farë kënaqësie nga dukuritë e shëmtuara që u panë më 16 shkurt në Tiranë. “Amfiteatri” i Vlorës, me të gjithë retorikën ku mbizotëronin përemrat “un” dhe “ne”, nuk ishte aspak i nevojshëm dhe as i dobishëm atë ditë. Lufta në distancë ndërmjet dy rrjeshtimeve politike, apo dy drejtuesve të tyre, nuk e zbukuron aspak spektaklin e zyntë të politikës shqiptare, e cila është përgjegjësja kryesore e mungesës së dritës në tunelin e gjatë e të errët të pas komunizmit shqiptar. Një Qeveri nuk mund të ngushullohet nga gabimet e kundërshtarëve, por duhet të jetë tepër e shqetësuar për urrejtjen që ata dhjetra mijra nënshtetas të saj shfaqin n’ato forma. Ajo biletë vizite e tyre duhet të jetë një kambanë alarmi, jo vetëm për të por edhe për Shqipërinë.

“Qeverisja e tepërt është rreziku më i madh i qeverive” shprehej më shumë se dy shekuj më parë Mirabeau, një shtetar dhe orator i njohur i Asamblesë Kombëtare franceze të revolucionit. Qëndrimi i gjatë në jetën politike ndoshta ka sklerotizuar mendërisht e moralisht edhe shumë nga politikanët tanë, që nuk janë më në një hap me kërkesat e kohës për domosdoshmëritë e Vendit të tyre, në një kohë jo të qetë për të gjithë Evropën.

“Rama premton se do të çojë Shqipërinë në Evropë, por bën pak për të çrrënjosur korrupsionin që shtyn Brukselin t’a lerë Tiranën jashtë portës. Basha e krahason Ramën me diktatorin venezuelan Maduro dhe i fryn zjarrit të revoltës popullore. Duke shkuar kështu Shqipëria do të mbetet farefisi i varfër, të cilin askush nuk dëshëron t’a ftojë në tryezën e tij”

Ky është njëri ndër mendimet e shprehura nga një gazetë italiane, “Il giornale” të datës 17 shkurt, në lidhje me protestën e Tiranës. Duke shtjelluar më shkoqur mendimin e gazetarit italian Roberto Fabbri, në dritën e s’ardhmes evropiane të Shqipërisë, të kushtëzuar fort edhe nga këto ndodhi të politikës sonë, më vjen ndërmënd një thënie e Giulio Andreottit, një shtetar i njohur demokristian i mbas luftës së dytë botërore: “Të mendosh keq për dikë bën gjynah, por nganjëherë e zbulon të vërtetën.” Duke u nisur nga kjo thënie aq shumë e përfolur në Italinë fqinje, më vjen vetvetiu një pyetje pa përgjigje: a janë me të vërtetë të përkushtuar aq sa duhet zotërinjtë e politikës sonë ndaj idesë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, apo të gjitha “përpjekjet” e këtyre viteve janë thjesht një gjethe fiku, një demagogji për të shpërlarë trutë e bashkatdhetarëve të tyre, ndërsa e vërteta është krejt e kundërta e asaj ideje?

Shumë ndodhi të dhimbëshme të përsëritura të këtyre viteve në politikën tonë lënë të dyshohet se përtej qëndrimit në vënd mes zënkave, sharjeve të ndërsjellta, padive nga më të ndryshmet, fshihet një strategji mirëkuptimi të plotë për t’a ruejtur Shqipërinë si një feude të përbashkët nga e cila mund të vilen të mirat materiale brez mbas brezi, simbas një parashikimi gjenial të të fundmit kryetar të komunistëve shqiptarë.

Shkurt 2018

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 16 Shkurti, Eugen Merlika, pyetje pa pergjigje

Kolec Pikolini ndërroi jetë në Detroit

February 21, 2019 by dgreca

Ndërroi jetë në Detroit, në moshën 96-vjeçare kundërkomunisti Kolec Pikolini/

1 Kolec Pikolini

Nga Klajd Kapinova /

Miku im i vjetër Franz Llesh Grishaj me telefon më dha një lajm të hidhur, se miku ynë i përbashkët aktivisti veteran Kolec Pikolini, ndërroi jetë në Detroit të Michigan-it, në prani të familjes dhe miqëve të tij të dashur.

1 Libri KolecitShkodrani me tradita të hershme qytetare në Shkodër Kolec Pikolini, deri sa kaloi në amshim ishte një mik i dashur i familjes atdhetare dhe antikomuniste Grishaj në Detroit, familje e cila ka kaluar kalvarin komunist, mbasi qysh në fillim ishte krahu i djathtë i patriotit të shquar kundëkomunist Prekë Cali (1872–1945), për të cilin kam shkruar një studim të gjatë dhe hollësishëm shumë vite më parë…

Koleci, për shumë dekada punoi pa u lodhur dhe me pasion si elektricist në Detroit për Ford Motor Company deri sa doli në pension. Ai ishte një ndër themeluesit e zjarrtë të kishës katolike shqiptare të shën Palit dhe shën Pjetrit në Warren, Detroit, Michigan.
Aktivisti i palodhur i kishës Pikolini, ishte ai që për herë të parë gjeti tokën ose vendin se ku do të ndërtohet kisha e shën Palit dhe shën Pjetrit në Warren, Detroit, MI dhe shërbeu për shumë vite si antar i këshillit të kishës katolike shqiptaro amerikane.
Kundërkomunisti shkodran Kolec Pikolini, kishte një pasion të madh për artin e bukur të fotografisë. Ai kishte blerë disa aparate fotografikë, të cilat i përdorte për të fotografuar dhe fiksuar në celluloid historinë, aktivitet e ndryshme atdhetare, që organizonin shqiptarët emigrant për çështjen kombëtare të lirisë dhe çlirimin e Kosovës dhe lirinë e rrëzimin e komunizmit të zi në Shqipërinë e diktatorit Enver Hoxha.
Fotografi amator Pikolini, ishte i pari që i dhuroi kishës katolike shqiptare të shën Palit dhe shën Pjetrit fotot origjinale të Dedë Gjon Lulit dhe liberatorit demokrat Luigj Gurakuqit, të cilat, i zmadhoi dhe edhe sot perdoren në ambientet e kishës në fjalë, në Ditën e Flamurit dhe Pavarsisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorën historike dhe për përkujtimin e përvitshëm të ngjarjes më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, sikurse ka mbetur Kryengritja e Malësisë më 6 Prill 1911 e udhëhequr nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli.
Qysh nga dita që mbërriti në tokën e premtuar të SHBA, Koleci, ka marrë pjesë në të gjithë demostratat patriotike të shqiptarëve në SHBA, të cilat zhvilloheshin kundër pushtimit serb të Kosovës dhe kundër rregjimit komunist të Tiranës së kuqe.
Ai vazhdimisht deri në vitin 1991, ngriti zërin në mbrojtje të disidentëve shqiptarë që ishin në burgjet komuniste të diktatorit Enver Hoxha. Ai u takua disa here në qytetin e Shkodrës me ish antar të Shoqatës së ish të Persekutuarve Politikë të qytetit të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.
Ai e vizitoi disa herë Shqipërinë dhe qytetin e tij të lindjes Shkodërlocën. Librin me kujtime të hidhura të jetës së tij, nënës, villain e tij dhe shokët e mbijetuar të idealeve dhe veprimtarive kundërkomuniste, në kohën e diktaturës komuniste deri sa arratiset me shumë mundime nga burgu dhe Shqipëria komuniste…
Ai ishte një familjar i devoshëm, me parime konservatore tradicionale qytetare shkodrane. Fotografi Pikolini, ishte babai i tre fëmijëve: Antonio, Liliana dhe Kristina. Gruaja e tij fisnike Filja, është derë e fisit Kalaj nga Gruda e Malësisë në Mal të Zi.
Shumë vite më parë, Koleci në moshë të thyer ishte rikthyer nga Florida e ngrohtë për të jetuar sërisht në Detroit.
Nga familja dhe miqët e tij mësojmë, se trupi i tij do të prehet i qetë në jetën e pasosun pranë vorrezave katolike në qytetin e madh industrial të Detroit-it.
Ai ishte një aktivist i palodhur i komunitetit shqiptaro amerikanë në Detroit, një dashamirës dhe kontribues i palodhur për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.

Kolec Pikolini rrëfen historinë e ikjes nga burgu

Po sikur autori i librit me kujtime origjinale  rrënqetheëse “Rregjimi i hienave” Kolec Pikolini të ishte pushkatuar pas dënimit kapital dhënë në pretencën e gjyqit farsë, a do të binin në dorë të lexuesit kujtimet e gdhendur thellë në kujtesën e shkruesit!?
Familja e tij u përshkua vazhdimisht nga keqtrajtimi. Vëllau Paloka u masakrua nën tingujt e këngëve dhe valleve partizane, që kishin ardhur si pushtues dhe “triumfator” nga Jugu i Shqipërisë.
Me një urretje të thellë për banorët e qytetit kundërkomunist partizanët komunistë menjëherë vranë 8 martirë shkodran para Bashkisë së Shkodrës. Por dufi i tyre nuk soset me kaq. Fyerjet e komunistëve vijuan para turmës fanatike komuniste, që gëzohej, këndonte e hedhte valle para pamjeve horror… të kufomave shqiptarë…
O Zot çfarë po ndodhte kështu!? Historia, është një mësuese e mirë, por njerëzit që abuzojnë janë nxënës të këqinj. E për fat të mirë autori mbijetoi, për të dëshmuar, fakte dhune të tërmetit komunist, që hienat i ngrinë buzëqeshjen në buzë shkodranëve për shumë dekada deri në vitin 1990…

Drejtësia është burimi i përbashkët i virtyteve

Nëpër faqet e librit me kujtime të dhimbshme “Rregjimi i hienave”, kushdo e kupton se Pikolini, ka pasur parasysh Aristotelin e madh grek, i cili, ka thënë: “E dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën.”
Pse autori nuk i botoi kujtimet më 1990, kur Shqipëria e lodhur filloi të hapë dyert e shkatërruara!?
Pas bisedave të shpeshta me autorin, mësova, se Kolec Pikolini me zgjuarsi kishte pëlqyer qetësinë e njerëzve, që ngjarjet e së kaluarës të mos i përjetojnë emocionalisht dhe pa paragjykime.
Ai mendoi, që kujtimet të jenë pronë e bashkëvuajtësve kundërkomunist të kohës së rregjimit kundëshqiptar të Enver Hoxhës.
Në faqet e librit me kujtime, Pikolini përpiqet të japë një pasqyrë të zhvillimit të ngjarjeve të viteve 1938-1952, dhe më pas, kur bën realitet planin e ikjes apo arratisjes nga burgu komunist…
Vërtetë është një hark kohor i shkurtër, por ngjarjet që përfshihen në libër janë të ngjeshura me dramacitet.
Këtu nuk kemi të bëjmë me trillime artistike apo kompozicion vlerash narrative, por histori të përjetuara.
Në mbarështrimin e problematikës, ai përfill dhe trajton hollësisht çdo ngjarje, që i ka ndodhur nga përsonazhet publikë ose jo të qytetit.
Duke kaluar episode të shpeshta, fare lehtë lexuesi mund të dalloj njerëzit të ndarë në dy anë të kundërta: kundërkomunistë e anasjelltas, të shoqëruara me fakte, dialogje origjinale për Shkodrën, qytet e katundet e ndryshme, që iu desh të kalonte, me shteg e pashteg, duke pasur kokën në rrezik nga asgjësimi fizik…, pasi ndiqej këmba-këmbës kudo.
Hapësirë e rëndësi në kujtime Pikolini i ka dhënë martirëve të klerit katolik në Shkodër e Shqipëri, në ruajtjen e qëndresës së popullit shqiptar gjatë historisë e në vitet e zeza të diktaturës.
Autori, sapo u arratis, me të mbërritur në Jugosllavi nisi të hedhë kujtimet në letër, duke krijuar kështu bllokun e shënimeve, një pjesë prej të cilave kujtonte ai nuk mundën të mbijetonin.
Ato janë përshkrime për njerëzit, që jeta i mundësoi të kishte kontakte në rrethana të ndryshme, fshatrave e fshatarëve, maleve e kodrave, shkurreve e anës lumenjve, që iu desht të kalonte çdo ditë, për të shkuar drejt “tokës së premtuar” (Jugosllavi), që shpesh do ta zhgënjente.
Autobiografi tregon haptas për jetën e tij, ku, frika e ankthi ishin bashkëudhëtarë gjatë ecejakjeve, se mund të zbulohej nga Sigurimi famkeq i Dullës së Gjirokastrës.
Dhe nëse ndodhte arrestimi, jeta e tij përfundonte përballë togës së zezë të ekzekutimit, që nuk e ndërronte me mishin e dashit.
Pikolini, bënte një jetë endacaku plot vuajtje. Shpesh iu desht që ditën të bënte gjumë letargjik, i mbuluar vetë me mjetet rrethanore, për të mos rënë në dyshim e zbulim nga njerëzit përreth.
Ai hapte strofën me këmesen e vogël që kishte me vete, dhe ngrysej pa futur asgjë në gojë.
Koleci, nisë të flasë për familjen, kur vendosën në Shkodër për herë të parë. Kujton me radhë fëmijërinë e lumtur, duke vlerësuar virtytet më të dobishme edukative të shkollës private.
Me freski e përkujton vizitën e parë në Podgoricë (Mal të Zi), atmosferën festive që ndiente, këngën që kishin kënduar kushtuar trimit të bjeshkëve Dedë Gjo Lulit…
Nga leximi i pjesëve ngjarjet, marrin një drejtim real dhe zbardhën pas shumë viteve në libër.
Autori, risjellë situatën e qytetit pas ardhjes së italianëve: “Karabinieria e Kuestura ishin të rreptë. Policia e fshehtë u shihte rrallë. Unë ditën shkoja në shkollën profesionale dhe në mbrëmje punoja në kinema. Më vonë u bëra operator dhe aty u njoha pothuajse me të gjithë shkodranët që vinin në kinema, sepse ishte i vetmi dëfrim për qytetarin…”
Jo larg vëmendjes nuk ka mbetur në analizën e ngjarjeve politike botërore, ku përplaseshin dy rryma politike e ushtarake: boshti fashist Romë-Berlin-Tokio dhe forcat e rezistences kundërfashiste brenda e jashtë vendit.
***

Dy familje ebreje shpetohen nga familja Pikolini
Dy familje ebrej janë shpëtuar pa bujë e zhurmë nga familja Pikolini dhe media komuniste 1944-2019, në vendlindje dhe diasporë vijon të hesht!
Fakti është fakt, se në familjen Pikolini, kanë qenë strehuar dy familje çifute. Dhe detajet e kësaj historie kanë domethënien e tyre.
Eshtë i habitshëm fakti, se edhe në Konferencën e zhvilluar shkurt të vitit 2019, në Selinë e OKB-së nga një nga organizatorët e saj ambasadorja e Shqipërisë Besiana Kadare, nuk ftoi asnjë pjesëtar të familjes Pikolini, për të marrë pjesë, ndonëse ata prej shumë dekadash jetojnë në Detroit, MI.
Kjo është bërë me paramendim, sikurse bëri nga viti 1949-1985 idhulli i tyre shpirtëror e ideologjikisht diktatori kundërisraelit Enver Hoxha, për të treguar se vetëm komuniteti musliman shqiptar ka shpërtuar ebrejt në ish vendin tonë.
Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Shqiperia socialiste votoi kundër SHBA dhe Izraelit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për vitin 1949, kur Shqipëria e njeh Izraelin si shtet të riformuar në vitin 1948, por flitet për vitin 2018, kur Qeveria socialiste votoi kundër SHBA, për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, të cilin historikisht Libri i Shenjtë – Bibla e permend 95 herë si kryeqendër të madhe tregtare, administrative, kulturore, fetare të ebrejve autokton…
Shqipëria radikale socialiste, me perfaqsuesit e saj në New York, u kujdes që të ftoj më shumë komuniste, për ti treguar ebrejve dhe SHBA-së (Pjesëmarrës në takim), se ishin komunistët 1941-1944, që i shpëtuan ebrejt dhe nuk ka asnjë rast, që kundërkomunistët t’i kenë shpëtuar ebrejt… Kështu ka thënë Enveri dhe kështu vijon tradicionalisht edhe sot pasuesit e tyre me diplomacinë hipokrite dhe shumë fytyrëshe gjoja shqiptare…
Ebrejt, për t’i shpëtuar përndjekjeve nga gjermanët, kanë gjetur tek Pikolinët bujarinë shqiptare, besën, fisnikërinë e mikëpritjes shkodrane, deri sa çifutët vendosen vetë vullnetarisht, që të largohen në një shtet tjetër.
Autori shkruan: “Kaloi një kohë dhe u dha lajmi se dy civila e një ushtar gjerman janë gjetur të ekzekutuar diku jashtë qytetit. Gjermanët nuk dinin se në shtëpi ishin të strehuar dy familje çifute. Për këtë ishin në dijeni vetëm tregtari Tefë Pogu e familja Jani (komshiu)”.
Kolec Pikolini, trajton vitin 1945: “… mortaja bolshevike e përcjellur prej një të ftohtit të fortë, filloi një ofensivë me qëllimin e nënshtrimit të maleve të Veriut të Atdheut të Lekëve, që turku e sllavët asnjëherë nuk munden që t’i nënshtronin.”
Kelmendi i Norës dhe Malësia si krahinë pushke dhe rezistence kundërkomuniste bëhen personazh interesant në libër.
Hisgtorikisht, dihet se malësorët tanë ndër shekuj kanë luftuar kundër pushtuesit turk, sllav dhe u përballen me një armik tjetër (1941-1990), që mbante veshjet e armët angleze, por kishte gjuhë e gjak shqiptari.
U vranë me e pa gjyq, trimi i maleve, atdhetari i flaktë Prekë Cali, i cili, u pre në besë nga komunistët. Kështu 14 vetë u pushkatuan në varrezat e vjetra katolike të Rrmajit me poetin e ëmbëlsisë martiri i kishës dom Ndre Zadejën.
Duke iu rikthyer për së afërmi librit, vërejmë se aty ka përpjekje nga autori, për të nxjerrë sa më mirë në dritë figurat e fyer nga diktatura. Këtu për herë të parë mësojnë një sekret të rëndësishëm të familjes Pikolini, ku, nëna e tij, në acar dimri tërheq mes dhembjes kufomen e të birit, që ishte braktisur nga ekzekutorët dhe se njeriu roje që e ndiqte skenën ishte autori i kujtimeve.
Luftëtarët e lirisë kundërkomuniste krijuan lidhje të ngushta, në Mirditë, Dukagjin, Pukë, Malësi e Lumë. Luftëtarët e lirisë “ishin në lëvizje me aksione të vazhdueshme”, shkruan Pikolini.
Ai ndalet në elementët që i shërbyen me fanatizëm sistemit, duke i analizuar portretin e gjithsecilit, jo me fjalë të përgjithshme, por me veprime konkrete gjatë kohës që vuante në burg.
Eshtë i habitshëm fakti, se disa prej tyre kanë arritur të vijnë në SHBA dhe kanë fituar letrat dhe shtetësinë amerikane si të “persekutuar”…
Natyrshëm jepet i përshkruar çasti i arrestimit… Torturat mizore, që në ditën e parë ishin të vështira e ushtroheshin rregullisht. Ai kujton gjyqet e zhvilluar pak kohë më parë ndaj qytetarëve të ndershëm të qytetit.
Në kinema “Rozafat”, ku, kishte punuar, filluan seritë pambarim të gjyqeve farse.
Autori shkruan: “… Seancat vazhduan me atmosferen e terrorit në sallë… Një rast kur salla ishte duke u zbrazur, në momentin e daljes atë Gjon Shllaku, me zë të ulët na tha: “Kjofshi bekue se s’na keni lanë gojen me na u tha dhe na keni shërbye… Në shesh, grumbuj njerëzish, prindër dhe familjet e tyre donin t’i jepnin zemër të lidhurve dorë për dorë, të rrethuar me roje të shumta. Ata priteshin nga një turmë rrugaqësh, duke brohoritur e kënduar disa këngë “ala partizanshe”.
Këtu shfaqen të përjetuara torturat, të cilat autori është përpjekur t’i rishfaqë me korrektësi e detaje në kohën që vuante dënimin.
Çdo akuzë ishte shtim i torturave komuniste-naziste, që pa kursim rëndonin trupin e dobësuar. Krypa në gojë, lidhja e duarve, varja në çengela për shumë orë, grushtat e shqelmat, nuk e mposhtën.
Kolec Pikolini, nuk trathëtoi shokët e vet të idealeve antikomuniste. Edhe atëherë kur gjaku e pështyma i ishin trashur nga torturat dhe nuk kontrollonte vetën apo i sillnin dëshmitarë të rremë me plot provokime, asnjëherë nuk harroi se cilët kriminela kishte përballë dhe për inat të tyre mbijetoi.
Në burgje ai ka qëndruar e biseduar me njerëz të ndryshëm, duke njohur nga afër karakterin, burrërinë, gjakëftohtësinë, besën, sinqeritetin, miqësinë e tyre.
Edhe pse priste që të pushkatohej (u rrëfy tek prifti), ka patur në mendje një ide fikse, që të largohej me çdo kusht burgut.
Ishte 21 gusht 1952, kur Koleci me bashkëvuajtësin Gjovalinin ishin përgatitur përmes një plani të detajuar të iknin prej burgut të ofiçinës…
Koleci me dy gra të familjes së tij, hynë në qytetin e Shkodrës i veshur me rrobat e gruas. E rëndë ishte situata në popull, pasi frika kishte depërtuar thellë mes banorëve të qytetit. Ai njeri, familje që kapet duke strehuar “diversantë” (luftëtarë lirie), të ikur nga burgjet denohej ose syrgjynosej me internime pambarim.
Ankthi, frika, ferrat, shkurret me plot rreziqe, të lehurat e qenjve, lëvizjet e ushtarëve të Sigurimit, vështirësuan rrugën drejt Mal të Zi. Humbja e Gjovalinit gjatë ndjekjeve (pritë), ritakimi, humbja përsëri, janë pjesë të dhimbshme.
A nuk ngjasojnë ngjarjet me ikjet e skllevërve në kohën e Spartakut, për të shpëtuar nga masakrimi i gladiatorëve të Romën?!
Libri “Regjimi i hienave, me autor Kolec Pikolinin, është botuar nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “Camaj-Pipa” në Shtypshkronjën VOLAJ, Shkodër.

Filed Under: Politike Tagged With: Klajd Kapinova, Kolec Pikolini, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1092
  • 1093
  • 1094
  • 1095
  • 1096
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT