• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konjufca në Lubizhdë: Dëshmorët dhe martirët i vunë themelet e shtetit tonë

April 12, 2021 by dgreca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në Lubizhdë të Hasit, në nderim të 14 dëshmorëve dhe 40 martirëve të rënë për liri.

Po ashtu kryeparlamentari Konjufca takoi familjarë të të rënëve dhe banorë të tjerë të fshatit. 

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit tha se ngjarja e 12 prillit 1999  është ndër më të dhimbshmet e historisë sonë, por lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrifica sublime dhe kujtimi për dëshmorët e martirët e rënë për liri do të jenë lapidar i përjetshmëm krenarie dhe shtetësie. 

 “Dëshmorët dhe martirët i vunë themelet e shtetit tonë. Me gjakun e tyre ata ujitën lirinë të cilën ne sot po e gëzojmë dhe të cilën e  kemi paguar shtrenjtë. Prandaj, duhet të ndihemi krenarë për gjakun e derdhur dhe sakrificën e bërë”, theksoi kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se të rënët e Lubizhdës do të kujtohen brez pas brezi.

 “Nga ky vend marrim forcë dhe gjarjet si këto duhet të shërbejnë si frymëzim lirie e krenarie brez pas brezi”, theksoi kryeparlamentari Konjufca.​

Filed Under: Kronike Tagged With: Konjufca ne Lubizhde

Tërnava: Gjatë Ramazanit, të respektohen masat kundër pandemisë

April 12, 2021 by dgreca

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë në Kosovë për Muajin e shenjtë të Ramazanit, i cili nis më 13 prill. 

Në një konferencë për media, myftiu Tërnava theksoi se Muaji i Ramazanit, është muaj i paqes, mëshirës dhe bamirësisë. 

“Gjatë muajit Ramazan të bëjmë më të mirën e mundshme me ibadete, lutje, namaz, sadaka dhe solidaritet, me bindje e përkushtim që të arrijmë kënaqësinë e krijuesit”, tha Tërnava. 

Myftiu Tërnava u bëri thirrje besimtarëve që edhe gjatë Muajit të Ramazanit të respektojnë masat kundër pandemisë. 

“Është obligim i yni që ta ruajmë veten, familjen dhe shoqërinë nga infektimi. Ju ftoj që të respektoni masat kundër COVID-19. Me shpresë te i madhi Zot, që shumë shpejt edhe ne ta kemi vaksinimin e popullatës dhe kështu ta tejkalojmë edhe këtë sfidë të kohës me të cilën po përballemi që më shumë se një vit”, tha Tërnava. 

Besimtarët e fesë islame në mbarë botën nisin agjërimin 30-ditor më 13 prill. 

Në Kosovë, aktualisht janë në fuqi disa masa kufizuese me qëllim të frenimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë, ku përfshihet ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00. 

Xhamitë në mbarë Kosovën janë të hapura, por në fuqi janë rregullat e mbajtjes së maskës, distancës dhe higjienës personale.

Filed Under: Interviste Tagged With: Muaji i Ramazanit, Ternava

SOFRA E DIELLIT- AGIM DESKU

April 12, 2021 by dgreca

SOFRA POETIKE E DIELLIT- T E A T R I  D A N T I A N/

Poezi nga AGIM DESKU/

TEATRI DANTEAN /

Kisha dëshirë t’i ngjaja çlirmtares së atdheut/

Të sëcilit brez dhe sëcilës betejë të tokjonës/

Ndoshta isha bërë edhe unë hero i ditëve t’para /

Jo të mbes peng i të vetmës fjalë që dhemb /

Kisha dhënë çdo gjë nga e vërteta e hidhur/

Për t’i  thënë diellit  edhe unë u bëra flakë

Të njëjtë e kemi dritën që i falim njerëzimit

Edhe plagët i kemi mijëra vjeçare të vjetra 

Pranë sysh na flasin pikturat e Ekzodit

Lotët që kurrë nuk arrita t’ia fshijë nënlokës

Dhe Ti u riktheve në trëndafil të çames sime

Për ta vetëdijsue botën së mrekullia ekziston 

Ashtu siç jetoj unë për të bukurën e shenjtë

Në engjëll fluturove të vie edhe  para fluturave

Teatrin dantean e munde ketë të keqe t’fisit tim

Mua m’i ringjalle ëndrrat për me jetue i lirë 

Dëshira për t`u bërë kalorës venedikian erdhi

Kur çlirimtarët na zgjuan nga ky ferr i zi

Për pak mbetëm peng i ëndrrave që s’kthejnë

Tani jetoj i lirë së bashku më engjëjt e poetit. 

11 prill 2021 AGIM DESKU

PAGËZIMI 

Sot e pagëzova mbesën

Më Formulën e Dritës 

Në Duavjosë 

Një Rilindje e Re

Për bashkimin shpirtëror 

të fisit tim të lashtë

Sa vet toka

E pastaj të ecim 

me zemër të stërgjyshërve

drejt diellit 

të ngohemi njëjtë 

Duavjosë

Të pritëm pesë shekuj brezash

Për t’i kujtuar fjalët e gjysheve

Kur e kanë pytur 

Oj lokemadhje

Ku janë burrat e shtëpisë 

Ajo është përgjigjur 

Nëse vetni për burrat

Ata janë nën lisa

Tek varret e legjendarëve 

Ju flenë ashti i Shqipërisë 

Rininë e atdheut e kanë marrë me vete

Dëshmorë të lirisë një ditë do të jenë 

Sot me mbesën përqafuam 

lirinë e bacit Adem

I premtuam Gjergjit 

Së do ta ruajmë shpatën në Lezhë 

Përmes Marie Shllakut dhe Shote Galicës

Do t`i kujtojmë heroinat e çlirimit të Shqipërisë 

Dhe ecim me mbesën 

Rrugës së Kombit Ibrahim Rugova

Nëpër udhën që dikur ecën 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës 

E di nëse do të më thonë 

Jam dehur përgjithmonë

Por e kujtoj Sokratin kur thoshte 

Së poetët flasin me perënditë 

Ndërsa unë dua të flas 

Më Duavjosën 

Veç për Shqipërinë 

Çdo çast presim ngrohtësinë e diellit 

Për tu nisë drejt Vlorës

Aty ku valët e detit përzihen

Me valët e shpirtit tim. 

Ç’ART KA FJALA 

Në të njëmijtën pjesë të emrit më hyri fjala

Në legjendë jeton dhe sërish u bë sot legjendë

Një herë në njëqind vjet ajo lind e lirë

Dhe mua ma çel Portën e Dodonës 

Në shamitë e çlirimtareve i qëndis kujtimet

Plagët e dhembjeve m’i bëri varg poeti

Shi sjell në shpirtin që s’ka më fuqi

Acarët e janareve kryeneç m’i largoj nga jeta 

Se legjendat nuk i zhduk as ferri i Dantes

Në Purgator rri derisa t’i rrëfehem diellit

Edhe Etna sot ndaloi flakën që shuan lirinë

Fjala s’ka faj në çmendurinë e Mikelanxhelos 

Njëqind herë Ajkun ia kalon Mona Lizës

Askush si ti nuk e mbajti fjalën e dhënë

Në mijëra vite qytetërimi mbete sërish Ajkun

Me fat jam që të përkas ty legjendë e gjallë. 

MË U RRITA NË YLLIN E DAVIDIT Shifra,,Abrahami 1

Ç’mu ba dritë Nata e Abrahamit

Kur tokën e shkëla me këmbët e engjëjve

Në ëndërr e kisha lënë takimin me Ernen

Nëna ia kishte pikturue djepit Yllin e Davidit 

Sytë mu çelën  kur thitha gji zanash

Në lot gëzimi më pagëzuan Agim

Fytas me ferrin i kujtova shekujt e mallkimit

Mbi kokë më shkëlqente drita e diellit 

Perandorët u sjellën e ç’mu pështjellen pranë

Vendosën rregull sē janë të pa mposhturit

Orët e liga çdo çast i mbretëronin heshtjet

S’e besoja takimin e perëndive që s’ekzistonte 

Nuk e di si më erdhi tē bëhem çlirimtar

Tani kur perandorët e thyen qafën në ikje

I kujtoj fytyrat e engjëjve që ma sjellin nënën

Pranë portës së hapur më ndezet drita e jetës 

Heronjt a ka kush t’i mbron nga syri i keq

A janë ngrohur në Natën e Zjarreve prekaziane

Clët perandorë i zhdukën nga faqja e dheut

Nëse sërish lindin heronj 

Këtë tokë  e rritin engjëjt e ozonit

E mbrojnë çlirimtarët me zemër

E bëjnë të lumtur buzëqeshjet e nënave

I falin dashuri veç heroinat e lirisë.

NË PRITJE TË ITAKËS 

Itaka po na rikthehet

U çel fjala dhe mori dhenë

Duhet sërish me ecë rrugës së vjetër

Via Egnatia 

Për të qenë prijës i pritjes

Kur  do të rikthehen të zhdukurit

Me u çel Porta e rikthyer e Itakës 

Ndoshta një ditë më rikthehet memorja

Kush na vrau kur e sundonim botën e artë

Sa vështirë edhe sa mirë është me qenë shqiptar 

Me i durue zotat që s’më ditën kurrë për njeri

Pas pesë shekujve dje u ndjeva i gjallë 

Fluturova para secilës flutur e secilit zog

Me veten s’dua të mirrem para botës fatzezë 

Pres lajme se Etna do shpërthejë para Itakës

Cilit t’i lutem të ma ringjallë botën e Romeos

Yjet e kanë udhën të shtruar me ngjyra ylberi

E unë e mat shpirtin me fuqinë e rikthimit të Itakës.

MË U GËZUE E JO MË U HIDHËRUE 

Sa herë e dëgjoj këngën 

“Kush ka vajza botën ka” 

Ma shumë e kam dashur për miqt e mi

Që kanë vajza të bukura si hyjnesha 

Më kujtohet thënia e të maďhit Konica

“Politika është si era,uroj të mos më vie kah dera”

Dhe kujtoj fjalët e plakut të mençur Mujë Loshit

E kanë pytur 

Kur vjen dita e çlirimit nga okupatorët

Dhe pa një pa dy thotë 

Kur mbesa ime ma sjell gazetën Rilindja më e lexue 

Edhe nga vetja edhe nga armiqt kemi më u çlirue 

Për profesorëshën akademike njëqind herë kisha votue 

Veç nëse ka pengesa nga pasuria milionëshe

Apo nga fytyra e mbuluar që çdo ditë është bërë trend

Dhe askush nuk çanë kokën për kultura të huja 

Mjaft kanë vujtur gjyshet e nënat tona

Pa guxue askujt tungjatë jeta më i thane

Dhemb për dhemb në luftë kanë rënë

Kemi shumë Shota e Maria më i përmendë

Ah bre sa pak shqiptar është shqiptari

Pse kështu nuk duan brezat e ndritur

As miqt e mi

Sa dëshiroj me qenë veç shqiptar e asgjë tjetër.

KËNGĒ BASHKIMI 

Nëse të ka mbetur veç pakëz fytyrë njeriu

Njëherë në ditë shikoje veten në pasqyrë

E sheh botën tënde së si ti e mendon

Të vogël me stuhi ferri e plotë demonë 

Bota është kopshti me trëndafila të miqësisë

Dorë e zgjatur e udhëtimit deri në galaktikë

Nga aty e shoh botën në pëllembë të dorës

Marr ngrohtësi dielli dhe artin e bukur të yjeve 

Mos urre për gurët e tokës mëmë të djegur

Edhe për mijëra të zhdukur të fisit tim të tretur

Pa pasur dorë me i fshijë lotin e çlitimtareve

Nëpër tër botën me mallin përvlues të heshtur 

Nëse urren ndonjë çast të vetëm në jetë

Mjaft ke demonë e djajë të perandorëve fatzi

A pak na bënë pik e pesë në zogjë shtegëtarë

Sot krijojmë vargje për bashkimim kombëtar.

VARG I SHENJTË

–Në ditëlindjen e bashkëluftëtares 

Në sy

E pamë botën

Plotë stuhi e acar

Buzëqeshje dhe krenari 

Edhe të vërbër 

Kur ishte 

Të dytë u bëmë luftëtarë

Atdheu e shpirti 

Mbi fytyrë

Njëqind jetë i kaluam

Edhe ferrin 

Çlirimtarë të së bukurës u bëmë 

Dje durimin ma fale

Sot buzëqeshjet i bashkuam

Me nipçet 

Nesër nuk e di ku do të vemi

Ndoshta bëhemi varg i shenjtë

I çlirimit

Në atdheun e bashkuar të Fishtës.

PSE S’KA NJË VARR PËR MUA

-Tragjedisë së Tivarit 

Eca 

Kolonës së vdekjes

Pafajësisht 

Ndalova në tokën mëmē

Për një çast mbretëroi stuhi

Më s’pava diell as hënë 

Ah,çfarë ishte kjo tokë

Fare pa liri 

Ecnim drejt një fundi

Të pafund 

Drita askund nuk shihet

Veç plumbat vrasës fluturojnë

Zotnat kanë frikë nga sytë e mi

Nuk udhëtojmë në të njëjtin drejtim

Kot i bërtas diellit

Puthjet ia fala Drinit 

Le t’i marrin zogjtë shtegëtarë

Të pushojnë në lumin e dëshirave 

Lexoj ditarin e ditës

Askund s’shkruan për vdekjen

Në Tivar vdekja më pret

Nëse mbetëm gjallë nëpër tokën mëmë 

Udhëtojmë pa buzëqeshje

Për tu takue me larine

A udhëtohet pa dashuri

Pa dritën e syve të mi 

Pa këngë të zogjve

Pa faculetën e çlirimtarës në xhep 

Eca me shpirtin e Adamit

E kujtova shpatën e Gjergjit

E mendova rrugës të pi gji zanash

Ndoshta të rikthrhem në Promethe 

Por u gjenda pranë detit i palarë

Përballë bajlozve të tij 

Ah ta kisha një lapidar

T’i shkruaj emrat tonë

Mbi 4500 shqiptarë në Tivar

Pushojmë pa liri e diell

Në tokën e diellit. 

AS CIGARE AS DASHURI NË PANDEMI 

Tē njëjtën kohë me të ferrit e përjetuam

E mendoja vallë çfarë do na thoshte Dante

Sikur të mbetëj pa vazo për t’i ujitë lulet

S’më pihej cigarja koha pa pik dashurish 

Nuk kisha ide heshtjen e ditës si ta thej

Provova të kalëroja me imagjinatën time

Me u takue me kalorësit fatlum venedikan

I kam pritë me u takue më dashuritë e Adamit 

Kur filloi pandemia lutësha rroftë (viva)Italia

Më erdhen në kujtesë fjalët e vjetra shqipe

Çfarë ka në kojshi ,prite në shtëpi

Duarkryq mbeti i gjithë planeti 

Orë e çast vdekjet mendoheshin se ndodhin 

Ato numëroheshin ku më pak e ku ma shumë

Besoni sa herë flisja vet me vete

Mundohesha të vallëzoja një tango shtrirë 

Në krevarin e mundësive të mia spitalore

S’kishte vend në spitalin e qytetit tim argjilor

Këmbët dhe këngët kishin mbetur në një vend

Të dyjat kishin mbetur pa fuqi më u dëgjue 

Me diellin e ndava ngrohtësinë e pranverës

Pandemisë i thash o ti o unë në gjelbërimin e luleve. 

PUTHADORËT 

Nuk i kisha në ditarin tim

Asnjë lumë që krijuan demonët

Këta puthadorë janë këtu

Para së pushtetet sërish të vijnë 

A mallkojnë çlirimtarët

Pse lapidarët s’kanë ku t’i vëjnë

Në tokën plotë plagë mijëra vjeqe 

Herë e falur 

Sa herë e shitur

Toka e heroinës sime

E kujtimeve që s’kthejnë ma 

Çdo herë dashuri e ringjallur

Kur nuk urren 

Para syve që të marrin peng 

E di vargun tim 

Së si rri i vërbuar

Para diellit të acartë 

Puthadorët i zënshin orët e liga

Deri sa shkojnë e vijnë pushtetarët 

Trëndafilat ma të bukur të Çamërisë

I vura sot nëpër sëcilin lapidar…

24 mars 2021 AGIM DESKU

Ç’MË MUNGON SOT ( Permet)

Në Ditēn e Poezisë çfarë më mungon 

Më mungon fytyra e dashur e nënës

Sytë e saj të ëmbël si gjuhë shqiponje

Kur u nisa udhëtimit të gjatë për mërgim

Ah ç’më thoshte udha e mbarë o biri im 

Dhe mua lotët mu banë lum e det i jetës

Sot në këtë ditë të shenjtë të poezisë sime

Jetoj me kujtimet që ma ngacmojnë muzën

Herë më shndërrojnë në flutur e në Promethe 

Në ca kujtime jetoj mbretërisht si hero

Në disa dëshiroj ta rikthej kohën nga fillimi

Në Kullën e Oso Kukës ku u ndjeva pak burrë

Tutje në Tivar u masakruan 4500 plisbardhë 

Vallë të lindim popull tjetër a si jemi shqiptarë 

Ç’më duhet jeta po nuk e shkruaj historinë

Të Marie Shllakut e Shotë Galices në heroinë

Zjarret e Prekazit çdo ditë bën meteorē 

Pa e harrue artin e shpatës së Gjergjit

Nuk i harroj fytyrat tradhtare të ashtit tim

Sa më bënë të dashur në miqësinë e qenve

Pafajësisht tokën e rëndojnë këmbët e ndyera 

Ngado që udhëtoj ngritëm t’i takoj yjet

Si mos ta pikturoj buzëqeshjet e Ernes

Vetmia e detit më fundos çdo çast nën Titanik

Nëse se rikujtoj zërin kur më thirrnin Agim 

A ka acar apo ka flakë Ana tjetër e diellit 

Në çdo Ditë të Poezisë dua ta kem afër syve

Çlirimtar më duhet t’bëhem njëherë gotës

Për pafajësinë time i mbetët mëkati botës. 

Më 21 mars 2021 AGIM DESKU

KJO NDARJE NA VRAU 

Për ta ngritë çlirimtaren mbi univirsin

Më duhet më i shërue plagët  e tokës

Kujtimet e stuhive me i nda me mua 

Pa e harrue ashtin tim në Qane Kala 

Në hero dua më i shndërrua ëndrrat

Mos më e u pajtue rrë me tokën e falur

Me dashurinë e fluturave due me fluturue

Këngë bilbilave një herê në jetë me këndue 

Çfarë kohe të pa kohë më petcollën shekujt

I vetmi mbret i tokës sime  ishte çlirimtarja 

Kurrë s’kisha kohë puthjen me ia fal 

Në beteja për Shqipërinë e Fishtës ra 

Njeri nga ne duhet të ringjallët në Promethe

Tonë ma mirë më u ba kalorës donzhuan  

Më e zgjue Yllin e Davdit që i ngjanë fisi im

Kurrë nuk u lodha nga dehja për perënditë 

At çast kur shpetova nga Ferri i Dantes

Në dy gishtrinj e putha demokracinë 

U ngritën që me agim heroinat në beteja

Burrat e dheut nëpër hije pa fije burrënie

Dhe mbetëm të ndarë e të sharë me vite 

Një faqe të historisë e pagëzova në heroinë

Asgjë nuk desha ma shumë së shqiponjën 

Kur u puth në flamur më 1912 në Vlorë 

Sot e ruaj kujtim Pavarësinë e Ismail Qemalit

Kalorësit e Isa Buletinit dhe tërë Çamerisë

Mbetën loti dhe ndarja e Arbërisë 

Dollia e dehur e Kongresit të Londres 

Edhe sot jeton nëpër Bulevardet Evropiane

Kjo ndarje na vrau he e vraftë zoti. 

RRJETA E MARIMANGËS

Fuqinë e dritës e kam pa si e merr me vete

Mendja e njeriut rri ma larg marimangës

Me sytë e diellit e ngroh jetën e e vet

Të kishim jetue me mish e shpirt së bashku

Na zuri mëkati pse e humbëm fjalën e brezave

Ende ishim në legjenda nëse e ruanim frymën e shejtëve

Kryq e tërthor i ramë botës për me kërkue unin tonë

Të marrë sa vet Alpet na u bë tradhtia e trashëgueme

Asgjë nuk pritej tjetër nga ferri që na sërvuen

Harruem se jemi bijë pellazgësh dhe krijuam botën

Tokën e larë me gjak njëqind herë e bashkuam

Në mijëra copa atomi na e ndanë si Etnen

Nuk lamë gur as drue pa ju betue së jemi gjallë

O njerëz të tokës së shqipeve pesë shekuj e lënë peng 

Pa pas kohë as për më dashuru heroinën e shpëtimit tim

Isha unë rrëfimi i plagëve që kohërat fatkeqe m`i adresuan

Do të fundosem nën thellësitë titanikiane për besën

Që ma lanë trashëgim stërgjyshërit e mi të mirë

Sërish me i takue legjendat e Homerit që flasin për mua

E njëjta kohë ngjanë me natën e zjarreve prekaziane

Aty ku dashuritë e shqipeve i mundin ato venedikiane

Çlirimimtarët e atdheut tim janë vet heroinat e shenjta

Atë ditë që lindin e nënshkruajnë edhe vdekjen e vet

Sa mirë me jetue për dikë edhe me vdekë të njëjtën kohë

Kush do ta thot ma mirë se pena e mendja e poetit

Edhe unë nëse më kërkohet të jetoj për dikë

Do të jetoj me sy kah dielli me mendje të marimangës

Dua t`i përulemi zanave që i dhanë fuqi Prometheut

Ma ndoshta s`kam frikë së do t`ia vrasin lirinë atdheut.

S`DO TË VDES PA TË NGRITË NË ÇLIRIMTARE 

Për tu ngrit në beteja me ufot

Diku në ngrohtësinë e universit

Fatin e ndava më Qana Kalanë 

Në hero më shndërruan ëndrrat

Më të mallkuarit nuk u pajtuam

Si djalli me djall jetuam 

Çfarë kohë të pa kohë e kaluam

Mbretërisht nuk ishte e imja toka

Sikurse s’kisha puthjen kujt t’ia fal 

Çlirimtarja ishtë në beteja

Për Shqipërinë e Fishtës 

Më duhet të ringjallëm në Promethe

Njeri nga kalorësit donzhuan

E do shndërrimin në yll agimi 

Kurrë nuk u lodha nga dehja për perënditë

At çast kur shpetova nga Ferri i Dantes

Në dy gishtrinj e putha demokracinë 

U ngritën që me agim gratë në të thatë

Burrat e dheut nëpër hije pa fije burrënie

Dhe mbetëm të ndarë e të sharë me vite 

Një faqe të historisë e pagëzova në heroinë

Asgjë nuk desha ma shumë së shqiponjën 

Kur u puth në flamur më 1912 në Vlorë 

Sot e ruaj kujtim Pavarësinë e Ismail Qemalit

Kalorësit e Isa Buletinit dhe tërë Çamerisë

Mbetën loti dhe ndarja e Arbërisë 

Dollia e dehur e Kongresit të Londres 

Edhe sot jeton nëpër Bulevardet Evropiane

Kjo ndarje na vrau he e vraftë zoti. 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Agim Desku, Teatri Dantian

NDËRGJEGJE E VRARË APO CINIZËM VETVRASËS

April 12, 2021 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

        Ndërgjegjja personale është pjesë e një tërësie pa të cilën nuk mbijeton dot jashtë ndërgjegjes kolektive. Individi i ka caktuar vetë limitet e saj ndijor që rikthehen në limitet vlerësues kolektiv nacional. Parë nga kjo prizëm çdo shqiptar do duhej të ri-pyes vetën: ku jam unë në detyrimet ndaj personales e të përbashkëtës, njerëzores? Kur në histori shikohen rrjedhat e jetës së njeriut tonë, do shohim veten në raport me të tjerët, apo të tjerët në raport me ne. Këto  jenë të lidhura dhe të tërhequra njëra me tjetrën në ,,lojën e litarit”. Derisa të tjerët e luajtën lojën mirë ndaj nesh, apo të paktën kështu na duket ne, ne nuk ishim lojtarë të tillë. Jo vetëm dje por as sot.

Këtu do hynte njëra nga hallkat e të përbashkëtës, përgjegjësia e jonë në bërjen të njohura masakrat si elemente gjenocidi kundër popullit shqiptar. Apo siç e quajti hebreu guximtar Leo Frendling, qe para një shekulli veprën e tij “Golgota Shqiptare” e botuar në Vjenë më 1913. Apo dëshmitë nga Edit Durham mbi krimet serbe e malazeze të shprehura deri në kanibalizëm ndaj popullsisë shqiptare.

Si duket nuk u  mësuan, vlerësuan e as gjykuan në radhë të parë prej nesh ashtu si do duhej. Në kohë, çdo gjë që nuk dihet e nuk vlerësohet, nuk gjykohet ashtu si duhet edhe harrohet shpejt. Kjo ka për pasojë përsëritjen, tragjiken  në trevat tona shekuj me radhë qe nga antikiteti. Trojet tona u gjymtuan, tkurren ashtu siç është më keq. Kjo na përcolli deri këtu ku jemi aktualisht.

Masakrat e shekullit të kaluar ishin të ashpra. Nga ngulfatka që përjetuam sikur nuk patëm kohë të merremi me to. Pushtimi ishte i egër por edhe gabimet tona ishin shpesh herë fatale në historinë tonë aspak mike. Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

Fqinjët tanë grek e sllav ishin ata që u zgjeruan në territoret etnike shqiptare. Masakrat që ushtruan për ta dhanë fryte, fituan territor të ri, u zgjeruan dhe forcuan orekset grabitëse. Bile luftuan edhe mes veti, se cili do marr më shumë territor shqiptar. Për ta ky ishte vetëm një plaçkë e mbetur nga largimi i pushtimit shekullor turk në Ballkan.

A mund t’i numërojmë të krejt veprimet e tyre shfarosëse. Të gjitha dokumentet e masakrave më çnjerëzore që ushtruan serbet në trevat shqiptare në Toplicë, Vrajë, Medvexhë, Sanxhak, Kosovë, Tivar, Plavë e Gusi etj, nuk u hulumtuan dhe  nuk u denoncuan. Pushtuesit grek në Çamëri shkretuan çdo gjë shqiptare, masakruan barbarisht shqiptar dhe sot e luaj lojën e Epirit Verior në raport me shqiptarët e dobët nga të gjitha aspektet.  Masakrat e ushtrisë greke të prira nga krimineli Zerva, nuk u denoncuan asnjëherë faktikisht atje ku duhet, në gjyqet ndërkombëtare. Kjo do bëhej nga institucionet shtetërore, nga individët e dëmtuar, shoqatat, familjet e dëmtuara. Cili nga politikanët e lartë guxoi ti shtroi në bisedimet bilaterale me grekun gjenocidin mbi popullin çam? Bile, disa politikanë shqiptar    në momentet më të ndjeshme, siç janë zgjedhjet parlamentar, të presidentit, vrapojnë në Greqi që ta marrin bekimin e grekut për fitoren e tij ndaj rivalit, pa marr parasysh interesat kombëtare.  Fatkeqësisht kjo po përsëritet që nga pavarësia e një pjese dhe e  tragjikes së dy të tretave të territorit etnik shqiptar. Edhe tani njëqindvjetori i pavarësisë do duhej të na mobilizoj në mbledhje mend dhe korrigjimin e asaj çka është e mundur. Aq sa na bën krenar pavarësia, po aq na përkujton tragjiken e copëtimit të 93 mijë kilometrave dhe grabitjen nga armiqtë tanë shekullor.  Koha është të aktivizohemi në përkujtimin e të gjitha akteve gjenocide që u ushtruan në trevat shqiptare, të denoncohen në gjyqe dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pronës dhe dëmtimeve fizike tjera. Të dokumentohen pjesë të historisë sonë të trashëguar në breza. Nxjerrja e të vërtetës mbi historinë shqiptare dhe gjenocidin e gjithanshëm të ushtruar nga serbo-sllavët. Kjo nuk ishte e lehtë në faza të caktuara të historisë sonë. Këtë e dëshmon rasti i albanologut kroat Milan Shuflaj.

            Njëra nga masakrat më të përgjakshme ishte  Masakra e Tivarit në vitin 1945. Aty  u vranë shqiptarë, të gjithë djem të ri të pa armatosur dhe të marr peng nga falanga çetnike- komuniste. I vetmi faj i tyre ishte se  ata ishin shqiptar dhe jetonin në trevat e lashta stërgjyshore.  Tivari mbeti aty, kodra buzë deti me godinën  ku u ekzekutuan po aty. Derisa dje ishte temë e ndaluar dhe dikush do e pësonte fatin e Shuflajt, sot është shumë më lehtë që të organizohet një përkujtim, një simpozium, një përmendore, një lutje, një film. Kjo do duhej të ishte frymëzim i krijuesve shqiptar në thurjen e veprave letrare po edhe filmave.  Gjeneratat duhej të mësonin dhe edukoheshin jo për hakmarrje por në respekt të vlerës së jetës së shuar të aq shumë të rinjve shqiptar të pafajshëm. Le të mësohet e gjykohet drejt gjendja dhe qëndrimi i të tjerëve ndaj nesh në etapat historike kur populli pësoj gjenocid e holokaust nga më të rëndit në glob.

            Vetëm në shekullin e kaluar trevat shqiptare u rrafshuan katër herë. Ato u ngritën si Feniksi nga dheu dhe u ringjall në truallin e lashtë ilir duke i treguar armikut se ne jemi e do mbesim këtu. Por ne ku jemi sot, në nxjerrjen e fakteve para opinionit botëror të pastrimeve etnike që i ushtruan serbet, grekët e bullgarët. Shqiptarët para një shekulli ishin në numër më të madh se serbët dhe grekët së bashku. Fakte këto nga burime të shumta pikërisht në arkivat e atyre vendeve. Vetëm Serbia ka hartuar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve qe nga viti 1844 me ,,Naçertania” deri tek Memorandumi i të ashtuquajtur ,,Akademi Serbe” e vitit 1986. Por holokausti shqiptar daton me shekuj dhe saktësisht siç shkruan ,,The Irish Times”para disa vitesh me titullin ,,Gjashtëqind vjet masakra të serbëve mbi shqiptarët”. Një fakt ky se shfarosja e shqiptarëve ishte gjenocid i përmasave biblike.

U shuan mbi 5oo fshatra nga rrethi i Nishit, Pllanës, Vranjes. Nipërit e mbesat e tyre që shpëtuan i gjejmë sot ,,muhaxhir” në vise të ndryshme në Ballkan e deri në Azi. Çamëria u shkretua nga greku i cili synon akoma pushtimin e viseve shqiptare. Nga fakte të pamohueshme vërtetohet se holokausti i parë në Europë ishte ai shqiptar. Disa e quajtën edhe ,,Golgota shqiptare” e pa krahasuar me asnjë popull në Europë. Zërit të hebreut Leo Frojndling nga Vjena, drejtuar Anglisë dhe Francës në emër të humanizmit dhe qytetërimit që t’i mbroj nga zhdukja shqiptarët nga gjenocidi kanibal serb, iu përgjigjen me copëtimin e trevave shqiptare, duke i shpërblyer kështu serbet kriminel me territore shqiptare. Kjo ishte Europa e qytetëruar e asaj kohe.  Në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve në shekuj na mbetet detyrë e ngutshme dhe detyrim ndaj brezave të tërë në shekuj.

       Tani me krijimin e rrethanave të reja do duhej të lëvizin gjërat në zbardhjen e krimeve, ndryshimin e qëndrimit tonë ndaj tyre. Do duhej një strategji kombëtar mbrojtëse nga masakrat e mundshme në të ardhmen. Mësimi i saj do duhej të fillonte shekuj më parë duke bashkuar energjitë në dokumentimin dhe shtruarjen e lëndëve para gjykatave përkatëse kudo në Europë, , veçan në Kosovë.

        Këtë po përpiqen ta bëjnë vetëm individë veprimtar dhe pak shoqata të shoqërisë civile. Ku zëri i tyre i vetmuar dhe i shterur nga mungesat materiale nuk dëgjohet më larg se matanë rrugës. Këtu do hynte shoqata ,,Ngrite Zërin” e cila aktivitetin e saj e ka shtri në disa komuna të Kosovës. Selia e saj  në Drenicën e martirizuar pareshtur në shekuj e  pret ndihmën nga ne. Atë që do duhej ta bëjnë organet shtetërore të Kosovë po përpiqet ta bëjë shoqata dhe njerëzit e saj vullnetmirë dhe patriot.

Një vepër me vlerë në këtë vazhdë është ajo e  Dr. Nysret Pllana, me punën e tij studimore e të faktuar me argumente në librin e tij të cilin e promovoi në disa qendra të Europës. Një promovim ky i vonuar pas sulmit  nga deputeti në PU – Dick Marti. Dhe kur u aktivizua ky zë ndjellakeq?  Atëherë kur Kosova bënte hapa e parë të lindjes. Ashtu sikur hienat që krimin e presin nga lindja e re, edhe armiqtë e përbetuar dhe veglat e tyre u sulën mbi Kosovën e posa lindur e të gjakosur pareshtur. Ky do duhej të ishte edhe një mësim për ne. Armiku nuk fle.

Një kapitull tjetër fare i pa hulumtuar dhe e pa denoncuar është masakra e Tivarit më 1 prill të vitit 1945 nga forcat çetnike-komuniste serbo-malazeze mbi të rinjtë shqiptar të marr peng nga të gjitha viset e Kosovës. Asnjë kurorë lulesh nga nënat shqiptare, asnjë drite qiriu, asnjë pllakë përkujtimor në vendin ku u vranë rreth 3ooo të rinj. A është kjo një absurditet i llojit të veçantë i vet shqiptarëve, disa nga të cilët e ndihmuan masakrën. Apo në jugun e trevave shqiptare, Çamërinë martire, krim makaber me përmasa biblike.

Kjo tregon dobësinë tonë në radhë të parë si komb e pastaj edhe si individ. Po nuk e denoncuam gjithanshëm gjenocidin mbi kombin tonë ai do përsëritët. Element tregues është sot qëndrimi serb, grek, maqedonas e malazez ndaj shqiptarëve. Fyerja dhe nënçmimi i përditshëm është prekës. Është koha që ne të shohim pak më larg ,,se hunda”, përndryshe do ngelim vetëm në iluzione që sjellin gjumë e shkatërrim të mëtejmë të qenies shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hazir Mehmeti, Vinizem vetevrases

Mozaik pa ngjyra

April 12, 2021 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/Ecja mbrapa duhet filluar për të gjetur daljen e humbur nga rruga ku jemi futur. Rrënimi i diktaturës na hodhi në kaos duke na shpërndarë në të gjitha drejtimet, dhe kur copat rranë e zunë vend u pa se ishin mbeturina nga regjimi i vjetër më së shumti. Udhëheqësit që zgjedhim nuk e meritojnë dhe aq më pak i meritojmë. Ata janë të lidhur aq shumë me të kaluarën sa që ecin dhe kokën e mbajnë të kthyer prapa. Shtylla kripe u bëfshin. Arsyet janë të ndryshme, por rezultati është i njējtë i zi mbizotëruar nga korrupsioni, zhvatja, mendësia e gabuar. Atëherë ç’na duhen? Pse i bëjmë varrin vetes, duke i besuar të ardhmen tonë atyre? Ne nuk jemi të paaftë, vetëm na kanë mësuar të jemi dembelë në të menduar. Le të çmësohemi, t’u heqim të drejtën për t’na sunduar. Kërkon ta bëjë Shqipërinë dorace – “nëse vota vidhet, do t’u presë dorën”. Do të ishte më mirë të pastrohet mendja, sepse dora e prerë nuk rritet. “Preferoj të jem injorant sesa i mençur në parandjenjën e së keqes”, thotë Eskili. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mozaik pa ngjyra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT