• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Juncker: Merreni seriozisht Ballkanin!

October 6, 2018 by dgreca

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e sheh perspektivën reale të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor si kusht për stabilitetin e rajonit./

1Jukner

Në një fjalim në Parlamentin e Austrisë, kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker u shpreh të premten (05.10) mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas AFP, nëse vendet e BE-së nuk e kanë seriozisht me anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, kjo mund të çojë në një luftë të re, tha Juncker.

„Nëse në këtë pjesë të komplikuar të Europës, krijohet përshtypja, se ne nuk e kemi seriozisht me anëtarësimin europian për Ballkanin Perëndimor, atëherë më vonë, – e ndoshta më herët- ne do të përjetojmë sërish atë që përjetuam në vitet 90-të në Ballkan”, theksoi Juncker në Hofburgun vjenez duke pasur parasysh luftërat në Jugosllavi.

„Hapësirë ekonomike”

Megjithatë Juncker pranoi se rruga e vendeve të Ballkanit drejt BE-së „është e gjatë”. Vërtet që ata kanë bërë përparime, por „jo aq sa duhet”. Presidenti i Komisionit Europian kërkoi që në këtë fazë të ndërmjetme të ofrohet një „hapësirë ekonomike”, në të cilën këto vende do të silleshin

pjesërisht, siç do të vepronin një ditë si vende anëtare.”

Që në dhjetorin e kaluar, Juncker kishte theksuar, se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është vendimtar për stabilitetin e rajonit. Ndërsa në strategjinë e BE-së për Ballkanin në shkurt 2018, u përmend viti 2025 si vit i mundshëm anëtarësimi për Malin e Zi dhe Serbinë. Por në Vjenë Juncker tha se 2025-a është afati më i hershëm. Juncker u bëri thirrje vendeve të BE-së, që të „kujdesen” për Ballkanin e „të ndihmojnë aty ku është e nevojshme”. Por vetë këto vende, duhet ta dinë se duhet t’i zgjidhin konfliktet e tyre për kufijtë para anëtarësimit, tha Juncker.

Filed Under: Komente Tagged With: ballkanin, Juncker, Merreni seriozisht

KOSOVE- Pengesat e fundit në rrugëtimin drejt heqjes së vizave

October 6, 2018 by dgreca

Autoritetet në Prishtinë presin që në fund të këtij viti, vendet anëtare të Bashkimit Evropian të marrin vendim pozitiv lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.1 Vizat

Nga Arton Konushevci/ RFL

Vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin po pritet me vëmendje të shtuar, jo vetëm nga qytetarët, por edhe vetë zyrtarët e institucioneve.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë se përfaqësuesit e institucioneve nuk duhet të nguten e të japim afate kohore e as data për liberalizimin e vizave, pasi që sipas tyre, vendimet në Këshillin e Ministrave të BE-së janë politike dhe mund të ndryshojnë.

Analisti i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se ka vende në Bashkimin Evropian që janë ende skeptike lidhur me atë se a janë përmbushur kriteret dhe reformat e duhura për këtë proces.

“Skepticizmin e kemi parë kryesisht në tri vende, që është Gjermania, Franca dhe Holanda, vende të cilat kanë votuar në masë më të madhe kundër sa i përket këtij procesi dhe kanë hezitime – e këtu kryesisht po flas për Holandën dhe Francën – kurse Gjermania ka një lloj hezitimi. Kjo është vërejtur në Parlament dhe pak a shumë është indikacion edhe i pozicionimit të këtyre vendeve anëtare të BE-së në vendimin të cilin do ta marrin në Këshill”, thotë Kryeziu.

Kryeziu thotë se vendimmarrjet politike në Bashkimin Evropian ndikohen në forma të ndryshme.Ai thotë se në një vendim mund të ndikojë gjendja në sistemin e drejtësisë, migrimi i mundshëm, por edhe temat e fundit të hapura në raporte me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo marrëveshje që Kosova e arrin me Serbinë duhet të jetë e qëndrueshme, duhet të jetë marrëveshje e cila mbështetet nga qytetarët, dhe nën tre është marrëveshje e cila prodhon stabilitet dhe jo destabilitet në rajon. Prandaj, nëse ne flasim për tema të korrigjimit të kufijve, shkëmbim i territorit e ide të tilla, kjo është një shuplakë fytyrës për të gjitha ato shtete të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës në këta kufij”, tha Kryeziu.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se shqetësimi në Bashkimin Evropian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është migrim ilegal, e jo dialogu me Serbinë dhe temat e ndryshme.

“Dialogu edhe liberalizimi i vizave janë dy procese që nuk janë të ndërlidhur me njëra-tjetrën, prandaj për ne mbetet prioritet i dorës së parë të tregojmë cilat punë i kemi bërë në këto gjashtë vjetët e fundit dhe si i kemi përmbushur kriteret. Shqetësimet të cilat janë sa i takon liberalizmit të vizave kanë të bëjnë më atë se si do të reflektohet të lëvizja e lirë e qytetareve pa viza. Pra, shqetësimi bazik në Evropë është menaxhimi i njerëzve që të mos ketë një valë të madhe të njerëzve, të cilët do të mund të lëvizin pa viza drejt Evropës, gjë që nuk do të ndodhë”, tha Hoxhaj.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka theksuar së fundmi se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

Hahn ka bërë thirrje që Kosova të vazhdojë me reformat, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe të bërit biznes.

Donika Kadaj – Bujupi, anëtare e Komisioni për Integrime Evropiane, nga partia në pushtet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha institucionet e vendit duhet të punojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë që liberalizimit të vizave të ndodhë sa më parë.

Ajo thotë se të gjitha atë zëra që mund të paraqesin probleme në këtë rast janë kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Sa i takon çështjes së kufijve, ne jemi të qartë në pozicioni tonë. Do të thotë se nuk ka shkëmbim, nuk ka ndryshim dhe çfarëdo teme për hapje eventuale në këtë fazë do të shkaktojë më shumë dëme, jo vetëm për liberalizim, por edhe çështje të tjera sesa që do të ketë ndonjë progres në ketë drejtim”, tha deputetja Kada- Bujupi.Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.

Filed Under: Featured Tagged With: Kosove, pengesat e fundit, vizat

Elena Gjika – Shqiptarja më e shquar në Europë në shek.XIX “

October 6, 2018 by dgreca

Nga Jahja LLUKA/

Të mos ketë më gegë,as toskë,as lebër as çam,por vetëm Shqiptar bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros,dhe të Skenderbeut” Elena Gjika Një personalitet i shquar, një grua e rrallë me tipare të veçanta pushtoi botën në shek.XIX. Ajo quhej Elena Gjika, një shqiptare fisnike e cila zgjodhi rrugën e Dijes, për të mos u harruar kurrë. Filozofe dhe artiste Elena Gjika u paraqit para kulturës europiane me pseudonimin “Dora d’Istria”, sharmi, mençuria dhe natyraliteti ishin gërshetuar në figurën e Elenës, e që në kohën sa jetoi ishte e respektuar dhe e admiruar nga shoqëria aristokrate dhe njerëzit e thjeshtë. Vepra e saj u bë e përjetshme duke na bërë krenar para botës, që nga gjaku ynë kishim një femër të tillë, e cila më vonë do bëhej pasqyrim për femrën shqiptare duke nxitur breza frymëzimi pas vetes. Dija thonë është pushtet, që Elen1 Elena gjikaa e përdori për ta pushtuar kohën në të cilën jetoi. Andaj saherë, lexojmë apo shkruajmë diçka për personalitetin e saj ne çdoherë do gjejmë diçka të re që na mbush me frymëzim. Elena Gjika mbeti e përjetshme me mençurinë e saj, duke mos harruar asnjëherë origjinen prej nga vinte, figura e saj unike do jetojë sa të jetë njerëzimi. Me 22 janar 1828 në Bukuresht të Rumanisë, lindi Elena Gjika.Babai i saj ishte princ Gjika me origjinë shqiptare. Gjika përveç që ishte guvernator i principatës së Vllahisë, ai ishte dhe arkeolog. Muzeu i parë kombëtar në Rumani u themelua pikërisht nga babai i Elenës, Mihal Gjika,ndërsa nëna e saj ishte Katinka Faka, njihet si shkrimtare dhe poashtu përkthyese e veprave të huaja, e cila dha kontribut në zhvillimin e shoqërisë së asaj kohe, duke përkthyer në rumanisht veprat më të arrira nga letërsia e begatë franceze. Nga dera e familjes Gjika dolën dhjetë princër të cilët sunduan Vllahinë dhe Moldavinë dhe poashtu dy kryeministra të Rumanisë. Elena pati një vëlla, Gjergjin dhe një motër, Gjeorgjetën, e cila u martua me princin Stefan Lupasco në vitin 1929. Elena kishte fatin që të rritej me një kulturë aristokrate, e që kjo frymë e përcolli gjatë gjithë jetës, duke qenë një ndër personalitetet e rralla të asaj kohe në Evropë. Mësuesi i saj, të cilit iu besua edukimi i Elenës, ishte nga Selaniku dhe quhej Gregor Gjergj Papadopulos. Qysh herët tek Elena u shfaqën cilësi të veçanta, të cilat e dërguan më pas në rrugën e gjatë të Njohjes. Për këtë në mesin e aristokratëve Elenes i’u jep epiteti “Mrekullia e Vogël”, fliste nëntë gjuhë të huaja, qysh në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Ishte e martuar me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij, por jeta e saj bashkëshortore nuk i solli aspak lumturi. Kështu, ajo largohet për në Zvicër dhe udhëtimet e saj zgjasin deri në Amerikën e largët. Shpirti i saj i trazuar dhe i etur për dije nuk mundi të qëndroj vetëm në një vend, ajo ëndërronte që ta shihte botën dhe të njihej me kultura e popuj të ndryshëm.Por asnjëherë nuk e harroi origjinën e saj, në udhëtimet e shpeshta që bënte u takua me elitën politike dhe intelektuale të kohës, duke ua bërë të njohur çështjen shqiptare. Për kontributin e saj në skenën e kulturës europiane, mori titullin Qytetare Nderi e Athinës në vitin 1862. Elena me sharmin dhe mençurinë e saj nxiti poetin amerikan Longfellou që të shkruante një poemë për Skënderbeun. Ishin miq të afërt me poetin e madh arbëresh Jeronim de Rada, poashtu njohu rilindasit shqiptar Zef Jubani dhe arbërshin Leonardo de Martino. Të tre këta e vlerësuan lartë kontributin e Elenës për ngritjen e çështjes shqiptare në nivelin botëror të asaj kohe. “Ajo zgjodhi si pseudonim artistik emrin “Dora d’Istria”, sepse përmblidhte gjithçka që përbën themelin e punës së saj: lidhjen e fortë me vendin, rrënjët e saj dhe në të njëjtën kohë një konceptim kozmopolit dhe tolerant, të hapur ndaj botës dhe kulturës.” Elena Gjika vdiq në Florence në vitin 1888 duke lënë pas vetes një krijimtari të gjërë në fusha të ndryshme.Veprat e saj njihen në të gjithë Europën, ajo shkroi “Les Femmes en Orient” (Femrat në Lindje) në vitin 1860 dhe “Des femmes par une femme” (Femrat për një femër) e vitit 1865, “Les Femmes fortes” (Femrat e forta) të 1871-shit, “Lettre à la presidente de l’Association des dames grecques pour l’istruction des femmes” (Letër drejtuar kryetarit të Shoqatës së zonjave greke për arsimimin e femrave) 1872, ”The ëoman question in Austria e The ëoman question Germany” (Çështja e gruas në Austri dhe çështja e gruas në Gjermani në 1873-shin), e të tjera. Ajo shkroi edhe një numër të madh shkrimesh për çështje të historisë së letërsisë, poezisë, politikës, religjionit, problemeve sociale, historisë, artit, e tjerë në disa organe të njohura shtypi si në Revue des Deux Mondes të Francës; Libre Recherche të Belgjikës; Diritto, Antologia Nuova, Rivista Europea të Italisë, si dhe në revista rumune, greke dhe amerikane. Dora D’Istria merrej edhe me pikturë.

Filed Under: Histori Tagged With: Elena Gjika – Shqiptarja, Jahja Luka, më e shquar, në Europë në shek.XIX “

Sa janë kosovarët shoqëri e (a)politizuar?

October 6, 2018 by dgreca

1 Fadil MalokuNga Fadil MALOKU/
1. Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së “ngjyrimit”, të çdo segmenti që prodhoi në ndërkohë jeta sociale,dhe ajo politike në “betejat” e konsolidimit të institucioneve shtetërore, dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike.
2. Kur flasim për politizimin, zakonisht mendja na shkon te perceptimi për humbjen e sensit dhe kohezionit tonë politik për të krijuar institucione kredibile, që po prodhon përveç sjelljeve të devijante (krim kulminant, anomi, konflikte ndërgrupore e brendainstitucionale, shtim të interesave klanore dhe zbehje të atyre publike, fatëpajtimi të çuditshëm dhe “gjumë dogmatik” të publikut, kur janë në pyetje interesat e përgjithshme qytetare) edhe konflikte e skandale me afera të matshme…
3. I gjithë ky proces i fillimit të vetëkërkimit të shkaqeve në rastin tonë kosovar, mund t’u adresohet shumë faktorëve: psh. shpërnguljes nga një zonë rurale në një zonë urbane, margjinalizimit të grupeve të caktuara, deprivimit social, krizës morale, anonimitetit…etj.
4. Por, në të njejtën kohë është evident edhe antipodi i këtij fenomeni, ai i apolitizmit. I cili sipas një gjykimi ende të paprerë sociologjik, është duke u bë edhe një ndër shkaqet e kësaj gjendjeje të tepruar të “ngjyrosjes” me indiferencën e tepruar ndaj veprimeve të partive tona politike, për kauzat kombëtare.
5. Perceptimi kësisojt qytetar që nënkupton jo gjithherë edhe qëndrimet e publikut të gjerë, ato të shoqërisë civile, e sidomos ca medieve mercenare, pa dyshim që ngjallë dyshime për shkallën e gatishmërisë së emancipimit tonë politik.
6. E themi kështu, edhe për shkak se perceptimet për dallim nga kërkimet empirike na çojnë gjithëherë në gjykime të gabuara për ndonjë fenomen apo dukuri që zhvillohet në shoqëritë e transicionit të vonuar, sikurse është Kosova.
7. Sipas kësaj logjike që më shumë na imponohet si perceptim, fitohet përshtypja që kujdestar kryesor për gjitha këto vonesa, e nëpërkëmbje të qarta të institucioneve tona sociale e politike, janë (jo gjithë, por) DISA POLITIKAN grykësa që pushtetin e përdorën ekskluzivisht për interesat e veta personale, e klanore…, e jo edhe për kauza nacionale dhe shtetndërtuese.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Maloku, Sa janë kosovarët, shoqëri e (a)politizuar?

Ne, jemi NATO!

October 6, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1NGA FRANK SHKRELI/

Si rrallë herë, java e parë e Tetorit ishte një javë e ngjeshur me aktivitete të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, si në kryeqendrën e saj ashtu edhe në rajon. Në Bruksel, zhvilluan këtë javë bisedime dyditëshe, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës Perëndimore, duke u fokusuar – sipas një njoftimi të NATO-s për medien – në adaptimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të masave ndaj veprimeve provokuese, në rritje e sipër, nga ana e Rusisë, si dhe ndaj gjendjes jostabël në krahun jugor të Aleancës. Ndërkaq, gjatë këtyre aktiviteteve të NATO-s, duhet venë në dukje edhe vizita, këtë javë, në Moskë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe takimi i tij me Presidentin rus, Vladimir Putin, ku përveç Kosovës, u bisedua edhe për zgjerimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit. Presidenti i Serbisë, citohet nga “Zëri i Amerikës” t’i ketë premtuar Putinit se, “Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i ka thënë ai presidentit rus, i cili dihet se nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Me gjithë deklaratën e Presidentit serb në Moskë, NATO ka njoftuar se, këtë fund jave, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg do të bëjë një vizitë treditore në Beograd ku do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Serbisë dhe njëkohësisht do të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët, të organizuar nga NATO dhe Ministria serbe e Mbrojtjes. Ndërkaq, t’i kthehemi mbledhjes ministeriale në Bruksel, ku njoftohet, se kontributi i dy përqindëshit për buxhetin e NATO-s nga vendet anëtare, ishte gjithashtu një ndër pikat që u diskutua në mbledhjen ministeriale të kësaj jave. Ndërkohë që citohet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të ketë thënë, se Aleanca po “Shënon përparim” në këtë fushë, duke shtuar se, “ky është viti i katërt me radhë që është shënuar një rritje të shpenzimeve ushtarake” në radhët e vendeve anëtare të Aleancës.

Në bisedimet e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel – theksohet në njoftimin për media – shefat e mbrojtjes të vendeve aleate, nënvizuan shqetësimet e tyre mbi sjelljet e Rusisë në rajonin euaroaziatik si dhe mbi sistemin e ri të raketave të Rusisë, të cilin Sekretari Stoltenberg e cilësoi si një masë “destabilizuese” dhe si e tillë, ka thënë ai, paraqet një “rrezik serioz ndaj sigurisë tonë.” Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, në takimin e tyre në Bruksel, mësuan gjithashtu edhe për sulmin kibernetik – që u parandalua nga Holanda me ndihmën e Britanisë së Madhe – të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse kundër Organizatës së NATO-s për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë të Holandës. Sekretari Stoltenberg ka thënë se NATO, në përgjigje të këtyre sulmeve ruse, do të ndërmarrë masat e nevojshme për të përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve të tilla kibernetike, ashtu që sipas tij, organizata që ai drejton, “të jetë aq e fuqishme edhe në hapësirën kibernetike, ashtu siç është edhe në tokë, det e ajër.” Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thuhet se Aleatët në NATO mbështesin vendimin e qeverive holandeze dhe britanike për të venë në dukje përpjekjet e pa diskutueshme të Rusisë për të minuar ligjet dhe institucionet ndërkombëtare. “Rusia,” ka thënë ai, “duhet t’u japë fund këtyre sjelljeve të pa përgjegjshme dhe të rrezikshme, përfshirë përdorimin e forcës kundër fqinjëve të saj, përpjekjet e saj për të ndërhyrë në proceset zgjedhore të vendeve të ndryshme, si dhe fushatat e gjithanshme për të përhapur dezinfomacion”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ndërkaq, në një takim të Ministrave të Mbrojtjes me Komisionin e përbashkët NATO-Gjeorgjia, ministrat shprehën shqetësimin e tyre rreth rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin e Detit të Zi dhe ranë dakord që të bashkëpunojnë në përballimin e sfidave të sigurisë rajonale, thuhet në një njoftim të NATO-s.

Ndërkaq, në mbledhjen e Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, mori pjesë, natyrisht, edhe Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në portalin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë thuhet se shefja e këtij dikasteri – në mbyllje të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ka propozuar që një prej Ministerialeve të NATO-s për vitin e ardhshëm të mbahet në Tiranë: “Do kisha kënaqësinë që Ministeriali i NATO-s në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë të zhvillohet në Tiranë.”, është shprehur Xhaçka. Thuhet se këtë propozim ministrja Xhaçka e ka bërë gjatë darkës zyrtare në prani të Sekretarit amerikan Mattis, Sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg dhe ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Siç dihet, Ministerialet e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mbahen 3 herë në vit. Ndërsa në një aktivitet tjetër, këtë javë, të Aleancës së NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që kishte të bënte me një marrëveshje rajonale për krijimin e një Programi të Veçantë Shumëkombësh të Aviacionit, (për Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s) në Zarë, të Kroacisë. Marrëveshja, sipas NATO-s, u nënshkrua të ënjten nga Ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë dhe të Sllovenisë. Qendra e re e Aviacionit të NATO-s në Zarë, pritet të hapë dyert në fund të vitit që vjen.

Dhe më në fund, këtë javë, Aleanca e Atlantikut Verior NATO dhe Këshilli i Evropës, nëpërmjet shefave të këtyre dy organizatave perëndimore – Zotërinjve Jens Stoltenberg dhe Donald Tusk – komentuan referendumin e mbajtur në fillim të javës në Maqedoni duke u shprehur se marrëveshja mbi emrin, midis Athinës dhe Shkupit, ka krijuar një rast historik që të dy vendet të bëhen pjesë e komunitetit evropian dhe transatlantik, si anëtare të barabarta. Kjo do të ndryshonte – për më mirë – jetën e popullit të këtij vendi dhe të fëmijëve të tij. “Një shumicë dërmuese e atyre që morën pjesë në referendum mbështetën këtë rrugë. Kjo është tani në dorë të politikanëve të Shkupit për të vendosur se si shkohet përpara. Vendimet që ata marrin në ditët dhe javët e ardhshme do të përcaktojnë fatin e vendit dhe të popullit të vet, për shumë breza të ardhshëm. Ne u bëjmë thirrje (politikanëve të Shkupit) që të përfitojnë nga ky rast historik”, janë shprehur në një deklaratë të përbashkët, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Të gjitha këto aktivitete këtë javë nga ana e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s, lënë të kuptohet se Aleanca perëndimore – duke pasur parasysh misionin e saj për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët — është e aktivizuar dhe po punon me të gjitha mjetet e saja për t’u përballur me rreziqet dhe me provokimet e Rusisë putiniste, në rajonin euro-aziatik, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, jemi ne NATO, në

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1242
  • 1243
  • 1244
  • 1245
  • 1246
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT