• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova dhe BE-ja duhet të qëndrojnë afër

September 17, 2018 by dgreca

  • Në Prishtinë, Komisioni Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit /
  • Picula: Kosova dhe BE-ja duhet të qëndrojnë afër/

1 Veseli Picula2 ok harad kuv2 ok veseli picula1 Pcula1 Mbledhja e qev me Picula

-Në Prishtinë po mbahet sot e neser mbledhja e pestë e Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit Bashkim Evropian-Kosovë/

–Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, tha se Kosova dhe BE-ja duhet të qëndrojnë afër, ndërsa konfirmoi mbështetjen për Prishtinën zyrtare të delegacionit që ai drejton, në të gjitha fushat, me theks të veçantë, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

PRISHTINË, 17 Shtator 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Komisioni Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, i cili përbëhet nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian, nisi sot pasdite mbledhjen e pestë dyditëshe në Prishtinë. Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, tha se Kosova dhe BE-ja duhet të qëndrojnë afër, ndërsa konfirmoi mbështetjen për Prishtinën zyrtare të delegacionit që ai drejton, në të gjitha fushat, me theks të veçantë, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.Para fillimit të mbledhjes, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, anëtarë të Komisionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, të kryesuar nga Tonino Picula.Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, Kryeparlamentari Veseli falënderoi eurodeputetin Picula dhe anëtarët e tjerë të delegacionit për mbështetjen e pakursyer ndaj Kosovës dhe për vendimmarrjen e fundit të Parlamentit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.Veseli tha se ky delegacion ka dhënë kontribut të çmuar në arritjen e MSA-së për Kosovën, ndërsa tani si pjesë e komisionit të përbashkët me delegacionin e Kuvendit të Kosovës, përbën një forum të pazëvendësueshëm në mbështetje të Kosovës.“Ky takim i radhës që po mbahet mes dy komisioneve tona që merren me zbatimin e MSA-së bëhet në atmosferën shumë pozitive të krijuar pas përgjigjes pozitive që ka marrë Kosova për liberalizimin e vizave. MSA-ja ishte hapi parë i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës në integrimin e saj evropian. Kosova është tërësisht e përkushtuar në vizionin e saj nacional për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne besojmë në këtë vizion. Nuk kemi asnjë dilemë dhe as nuk mendojmë në alternative tjerë strategjike. Ky përcaktim për të ardhmen i ka rrënjët në identitetin evropian të popullit dhe qytetarëve tanë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Ai po ashtu tha se liberalizimi i vizave do të shënojë një input të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.Mbledhja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në sesionin e parë të punues me fillim sot pasdite në orën 16:00  kryesohet nga Memli Krasniqi, kryetar i delegacionit të Kosovës dhe Tonino Picula, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.

Fjalën e hapjes e mban Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së / Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian

Në mbledhjen e katërt të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, anëtarët e Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Kosovës u takuan në Strasburg në 17-18 janar 2018.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 maj 2016, në të cilin vit, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor.

KRYEMINISTRI HARADINAJ: VOTA PRO KOSOVARËVE ËSHTË VOTË PRO QYTETARËVE EUROPIANË

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Tonino Picula, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në mbledhjen e Pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, i cili përbëhet nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian.
Kryeministri Haradinaj, e njoftoi delegacionin nga Parlamenti Evropian për të arriturat në të gjitha fushat, me theks të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm ekomomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përmbushjen e agjendës së Reformave Evropiane dhe në fusha të tjera që ndikojnë në rritjen e mirëqenies sociale.
Kryeministri Haradinaj në veçanti ka falënderuar deputetët për votën pro liberalizmit të vizave në Parlamentin Evropian, duke thënë se ky konfirmim është lajm i mirë për popullin e Kosovës.

 “Vendimi i Parlamentit Evropian pro rekomandimit për heqjen e vizave, ishte lajm i mirëpritur nga institucionet dhe populli i Kosovës, andaj në emër të qytetarëve tanë ju shpreh  mirënjohjen të gjitha institucioneve të BE-së për punën dhe angazhimin e tyre që Kosova të jetë pjesë e integrimeve evropiane. Vota juaj pro kosovarëve është votë pro qytetarëve tuaj. Ne jemi të përkushtuar që t’i takojmë vlerave evropiane, besimit evropian dhe një ditë edhe familjes evropiane”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova është e përqendruar që të vazhdojë punën e saj në konsolidimin e brendshëm në të gjitha fushat, marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore, dialogun dhe në fuqizimin e partneritetit me vendet e BE-së dhe SHBA-të. 

Në këtë takim u diskutua edhe për progresin e Kosovës dhe rezultatet e arritura në implementimin e MSA-së. Kryeministri Haradinaj i njoftoi parlamentarët evropianë për zbatimin e MSA-së, për të cilën tha se ka dhënë rezultate pozitive, dukefalënderuar institucionet e BE-së, në përkrahjen e dhënë në implementimin e masave që duhen ndërmarrë për zbatimin e Reformës së Agjendës Evropiane.

 Deputetët e Parlamentit Evropian të kryesuar nga Tonino Picula përshëndetën të arriturat në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian në proceset e integrimeve evropiane të Kosovës dhe duke inkurajuar institucionet të vazhdojnë angazhimin e tyre për fuqizimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të Kosovës.Pjesë e takimit ishte edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj.

 ***

Kryeministri Haradinaj: Për Axhendën Evropianr, të gjithë jemi të bashkuar

 

Prishtinë, 17 shtator 2018- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e Pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, i cili përbëhet nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian.
Para të pranishmëve, përfaqësues të Parlamentit Evropian, kryesuar nga Tonino Picula dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kryeministri Haradinaj tha se është shumë me rëndësi të theksohet, se qytetarët e Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike e fetare, e konsiderojnë veten evropianë, si dhe qëndrojnë dhe mbështesin integrimin evropian të vendit tonë. “Në këtë fazë të hershme, kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përmes MSA-së, por besojmë se ky është vetëm fillimi dhe jemi të angazhuar për anëtarësim të plotë në BE. Me seriozitet e kemi marr agjendën, e cila është pjesë e programit qeveritar. E kemi integruar me prioritetet e marra nga MSA-ja, përmes planit të Agjendës së Reformave Evropian  dhe mund të konfirmoj se në fund të tetorit do të përmbyllen prioritetet e para dhe do të vazhdojmë me fazën e dytë të Agjendës së Reformave Evropiane, së bashku”, tha kryeministri Haradinaj, duke u shprehur mirënjohës ndaj të gjithë përfaqësuesve të Parlamentit Evropian  për votën e tyre pro heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj shfaqi shpresën se në këtë dinamikë Kosova do të qëndrojë së bashku në trialogun ndërmjet Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit. 
“Ne i dimë detyrat tona. Fuqizimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të qëndrojmë të fokusuar në planin tonë të punës dhe veprimeve këtu. Në këtë drejtim, mund të llogaritni në ne. Ne po punojmë në mënyrë substanciale në fushën e sundimit të ligjit, jo vetëm përmes lëndëve të shënjestruara, por përmes konsolidimit të sistemit të drejtësisë. Nuk duam të jemi vetëm konsumues të sigurisë. U jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë ndihmuar, NATO-s, EULEX-it dhe për tërë mbështetjen që kemi marrë. Por, tani ka ardhur koha, që ne të jemi edhe ofrues të sigurisë. Transformimi i FSK-së në ushtri është në shërbim të kontribuimit për sigurinë. Duke u bërë anëtare e NATO-s, ne synojmë të kontribuojmë për sigurinë në rajon dhe më gjerë”, tha kryeministri Haradinaj.Po ashtu, kryeministri Haradinaj, foli edhe për raportet me fqinjët, por edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se Kosova është e interesuar për njohje reciproke përmes marrëveshjes së detyrueshme ligjore.  “Kjo njohje nuk duhet të jetë temë e korrigjimit apo lëvizjes së kufijve. Ajo që quhet korrigjim, është një mënyrë për t’u kthyer në të kaluarën tragjike. Ajo që duhet të arrijmë së bashku dhe që shpresojmë të ndodhë ndonjë ditë, është një marrëveshje paqeje. E kaluara jonë ishte tragjike. Plagët janë ende të hapura në vendin tonë. Ky është kontributi më i madh që mund të japë vendi ynë”, tha kryeministri Haradinaj.Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se është i interesuar të arrihet një marrëveshje obligative ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por jo përmes territoreve, jo përmes kufijve dhe jo duke i bërë thirrje të kaluarës sonë tragjike.“I bëjmë thirrje secilit vendimmarrës në Evropë dhe më gjerë, të mos lejojnë që procesi të shkojë në drejtimin e gabuar dhe që të jenë në kohë për të thënë jo, sepse në të kaluarën vonesat kanë kushtuar me jetë të njerëzve. Ne nuk jemi të interesuar të shohim rajonin dhe Ballkanin të kthehen mbrapa në atë kohë të tragjedive. Ne jemi të ndarë këtu në Parlamentin tonë, pozitë-opozitë, parti të ndryshme, kemi komunitete të ndryshme, Listën Serbe. Kur vjen puna te agjenda evropiane, gjithmonë do ta gjejmë mënyrën që të jemi bashkë. Qytetarët e Kosovës presin nga ne që të bëhemi të gjithë bashkë dhe të sigurojmë perspektiven evropiane të vendit tonë”, tha kryeministri Haradinaj. Në takimin e Pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, folën edhe bashkëkryesuesi i Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, njëherësh udhëheqës i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, e Stabilizim-Asociimit, Komisioni Parlamentar për Marrëveshjen, ne Prishtine

Sekretet e vulës sekrete të Skënderbeut…e më tej

September 17, 2018 by dgreca

fotaq vatrafig.7fig 5fig. 3 vellezerit dioskure, bij te Ledes me plisin friginHelena iliriane e Trojës, vajza e perendeshes Leda, zotnesha e memesisefig.6fig.4fig.2

Nga Fotaq Andrea- Strasburg/

Prelud/

E nisim këtë shkrim me një episod të bukur gjatë takimit tonë me grupin e veteranëve frankofonë shqiptarë në Strasburg, prill 1998, ardhur në kryeqytetin europian në kuadrin e veprimtarive të Frankofonisë shqiptare për të vizituar Alzasën dhe institucionet europiane. Ishin të gjithë emra të nderuar, që kishin dhënë kontribut të fuqishëm për emancipimin dhe progresin shoqëror, e ndër ta prof. Dhimitri Pilika, zbuluesi i dy vulave të Skënderbeut, të vulës zyrtare dhe vulës sekrete. Në një çast gjatë shëtitjes së këndshme plot diell pranveror përpara “Pallatit Joséphine” në Orangerie (atë mëngjes kishte rënë 5 cm borë që i mahniti gjithë ish liceistët veteranë të Liceut të Korçës tek shijuan kështu katër stinët e motit brenda një dite, aq sa dikush thirri: “Ky vend qenka i bekuar nga Providenca!”), në një çast pra, e “ngacmova” profesorin lidhur me teorinë pellazgjike, dhe ai ma priti me qetësi: “Mos i dëgjo fort frëngjit, nuk e honepsin lashtësinë pellazge! – Po pse, ia ktheva, Benloew me shokë e mbrojnë bukur këtë teori. – Nuk e kam fjalën për ata të djeshmit, po për këta të sotmit, modernët,” sqaroi. Dhe pas një ndërprerje nga dikush aty pranë që më këshilloi ta dëgjoja fjalën e profesorit, gjithnjë me qetësi ky vijoi: “Ç’është shkencore tek ata, modernët, duhet vlerësuar, por halli është se interesat politike gjithnjë kanë prishur punë në shkencë. Ndërsa klasikja mbetet gjithnjë klasike”. Ishte ky si një amanet i thjeshtë i pellazgologut tonë të madh që pas katër vitesh do ndahej në heshtje nga jeta…  

Është e njohur se siliografia, shkenca që merret me studimin e vulave dhe emblemave, bën pjesë në shkencat tradicionale të historisë së artit. Po ashtu, është po aq e njohur se ekziston një lidhje organike e fuqishme midis vulave, shtampave, monedhave, medaljoneve, emblemave përdorur nga familjet e mëdha fisnike të Europës që nga Mesjeta e hershme, dhe që ato i mbanin si shenja dalluese, personale e familjare, por edhe si shenja dekori e dekorimi me të cilat “vulosnin” kontributin e tyre në Histori. Lulëzonin, në tërë këta elementë, simbolet dhe kodet (shumë herë të fshehta), që përcillnin sa të dhëna individuale, aq edhe autoritet, pushtet e lavdi.

Kohët e fundit, në kuadrin e “Vitit Skënderbeu – 2018”, disa studiues, ndër ta prof. Lutfi Alia, i kanë përqendruar studimet e tyre në medaljonet më të hershme me portretin e Skënderbeut që datojnë – e vërtetuar shkencërisht -, që nga koha kur ishte në jetë vetë KryeHeroi shqiptar. Këto medaljone, siç kemi vënë në dukje në Album-Antologjinë tonë “Skënderbeu – 1413-2017”, Zenit Editions, paraqesin portretet më të hershme të Kastriotit të Madh, “ngjasojnë në stil, në prerje dhe fizionomi tek japin pothuaj të njëjtin portret autentik të Heroit sa ishte gjallë”. Përfundimisht, sot kemi edhe portretin origjinal të Skënderbeut, paraqitur në mënyrë të përkryer në miniaturën e kodikut “De Romanorum Magistratibus”, të Andrea Domenico Fiocco-s, Romë 1465, të cilit i kemi kushtuar shkrimin tonë “Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të Skënderbeut” (maj 2018).

Tanimë, lypset të themi se është i tejkaluar në kohë dhe arkaik konkluzioni se “Nga të gjitha ato që na kanë mbetur prej Skënderbeut janë vetëm katër objekte: dy shpatat, përkrenarja veneciane dhe një libër lutësor”. Jo. Studiuesit e sotëm, të huaj e shqiptarë, me fakte e dokumente kanë zbuluar e vërtetuar edhe mjaft objekte të tjera fizike që kanë qenë drejtpërdrejt në përdorim nga Skënderbeu ose kanë dalë nga kancelaria e tij. Është e pamundur që Heroi shqiptar të ketë pasur, për shembull, në përdorim, përgjatë një çerek shekulli betejash të panumërta, një, dy apo tri shpata; ai ka përdorur e thyer me qindra të tilla, farkëtuar enkas për të nga artizanë krutanë, ka pasur në çdo beteje gardën e vet besnike që e ruante me fanatizëm dhe sidomos ushtarë që e furnizonin me armë sa herë që i thyhej kordha. Fakti është se një shpatë e tretë skënderbejane me simbolikë të fuqishme, e tipit “Ensis”, dhuratë për të nga papa Pali II, ruhet sot në Muzeun “Palazzo Reale” të Capodimonte-s në Napoli dhe i është bërë e njohur publikut që më 1940 nga Angiolo Bianchotti.

Nga ana tjetër, udhëtarë dhe kronikanë të huaj, kryesisht francezë, që kanë vizituar në shekujt XVIII-XIX kolonitë arbëreshe në Kalabri e Siçili, dëshmojnë po ashtu se në mjaft fshatra u tregonin shpata të KryeHeroit shqiptar, madje edhe të thyera, që ata i ruanin me fanatizëm si relikte të çmuara. Sigurisht, nuk mungonte në kësi rastesh edhe ironia e të huajve për të thënë se jo çdo shpatë arbërore e shekullit XV ishte skënderbejane. Po nuk mungonte në kësi rasti edhe përgjigja e pinjollëve arbër për të thënë se Ai, Kastrioti i madh, mbante përherë dy shpata brenda një milli dhe kishte përdorur e thyer në beteja po aq shpata e kordha sa përdorte e konsumonte lapsa e stilolapsa një intelektual a kronikan i ditës. Tekefundit, fakti historik është i tillë se tërë arbrit e emigruar në gadishullin Apenin (mbi 300.000 vetë), bashkëluftëtarë të Skënderbeut, morën me vete krejt armët e tyre dhe gjithçka të vyer që kishin (sidomos ikonat) për të mos i lënë në duar të pushtuesit osman.

Është folur pak a shumë ndër vite edhe për “Librin e Uratave” (datuar në vitet 1450-1460) me emblemën kastriotase, një kodik ky që ka qenë në kancelarinë e Skënderbeut dhe që duhet të ketë shërbyer si libër lutjesh në kishëzën kastriotase të kështjellës së Krujës. Sot është vërtetuar katërçipërisht se Skënderbeu, si gjë të çmuar, ka pasur bibliotekën e tij me kodikë të kohës (deri edhe enciklopedi të artit luftarak)! Ishte sa Skënderbeu i luftës së rrufeshme, aq edhe miku i kulturës, erudicionit, librit, një humanist dhe emancipues i shoqërisë arbërore, siç e vë në dukje Lamartini, orientalisti i madh frëng. Faktikisht, katër kodikë të shekullit XV, për të cilët kemi shkruar, njihen sot në zotërim të Skënderbeut, konkretisht: “Libri i Uratave”; “Libri i Skënderbeut”; “Libri i Petrarkës” dhe më në fund Libri i Fiocco-s “De Romanorum magistratibus”. E themi këtë për vetë faktin se Princi dhe mbreti shqiptar, Kastrioti i Madh, i njohur si Atlet i Krishtit dhe Mbrojtës i qytetërimit europian, ishte i barabartë me Shën Luisin e Francës dhe Zhan d’Arkën për nga bëmat e shkëlqimi, i barabartë me princërit dhe mbretërit e kohës, që kishin edhe ata biblioteka e kancelari të pasur, ashtu sikurse dozhët e Venedikut, Huniadi dhe Matias Corvini.

Mbi të gjitha, sot është vërtetuar më së miri se mori medaljonesh (të paktën tetë syresh) me portretin e Skënderbeut janë gravuruar, derdhur e qarkulluar që në kohën e tij dhe janë jo vetëm dëshmi fizike ardhur nga epopeja e lavdishme skënderbejane, por edhe dëshmi historike e artistike të portretit të tij origjinal, që shpejt do pasohej nga dhjetëra e qindra portrete të tjerë, të ideuar, stilizuar e përpunuar nga emra të mëdhenj të pikturës europiane e botërore.

Më në fund, vetë letrat dhe korrespondenca origjinale e Skënderbeut (për aq sa njohim deri më sot), sidomos me gjurmët e dy vulave të tij (zyrtare dhe sekrete), janë drejtpërdrejt “objekte fizike” që duhen radhitur e çmuar si objekte historike skënderbejane, krahas skicave dhe tablove me portretin e tij, ende të pazbuluara a të hamendësuara si të Bellini-t, Polaiuollo-s apo Baltovinetti-t, piktorë të famshëm italianë të kohës së Skënderbeut.

Në tërë këtë mori objektesh fizike të kohës së Skënderbeut që përmendëm (dhe me siguri e ardhmja do ta shtojë një inventar të tillë), le të ndalemi pikërisht në atë që njihet sot si “Vula sekrete” e Skënderbeut (fig.1).

Nuk dëshirojmë të bëjmë këtu historikun e gjetjes së saj që e ka bërë aq bukur I Madhi Dhimitri Pilika në librin e tij “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”. Por thjesht do deshëm të theksojmë që në fillim se Pilika duhet kuptuar drejt kur vë në dukje: “Vula sekrete e Skënderbeut ka qenë një gemma antike (gur i çmuar i ngulitur në unazë – ne do thoshim një oniks a jaspër, sipas praktikës së kohës!) që kishte të gdhendur takimin e Zojsit dodonas – nën tiparet e mjellmës – me një perri pellazge, Ledën. Së bashku me vulën zyrtare të Gjergj Kastriotit, ky myhyr i fshehtë u diktua [nënvizimi ynë, F.A.] më 1961 në arkivin e shkencëtarit rilindës sllovak Pavel Jozef Shafarik (1795-1861), që e pat gjetur afro njëqind vjet më parë në Raguzë…” (f. 101). Pilika e thotë pra qartë se nuk kemi të bëjmë këtu me gjetje të vulës fizike të Skënderbeut, siç spekulohet lart e poshtë, por me gjurmën e saj depozituar në një bankë të Raguzës. Dhe domosdo, përderisa në shumicën e rasteve, sipas praktikës së kohës, vula zyrtare dhe ajo sekrete, që garantonte konfidencialitetin më shumë se vetë monogrami, varrosej me trupin e personit që kishte ndërruar jetë, ose pastaj matriçja thyhej për të mos u përdorur e për të mos u falsifikuar dokumentacioni historik. Mbetej kështu vetëm gjurma në dyll apo plumb, apo në çdo material tjetër ku lihej shenja e saj.

Por Pilika shkon edhe më tej kur nënvizon se këtë vulë sekrete – që Skënderbeu e përdorte kryesisht në dokumente financiare (sic!) – Heroi  “e pat trashëguar nga i ati, Gjon Kastrioti, i cili e kishte përdorur qëkuri si vulë, dhe me sa duket e ruante si amanet stërgjyshor kushedi prej sa brezash” (po aty, f. 101). Për të mbështetur këtë pohim, tepër joshës në pamje të parë, Pilika thekson jo pa qëllim: “U përcaktua, mbi baza shkencore [nënvizimi ynë], se myhyrin sekret Skënderbeu e pat trashëguar nga i ati”. Dhe vetëm kaq, asgjë më shumë.

Sigurisht, gjurmës së dyllit apo plumbit mund t’i bëhet studim, madje i hollësishëm, mbi bazë analizash. Sigurisht, mund të kërkohen edhe “simotra” të një vule të tillë nëpër arkiva e banka, që ndoshta mund të jenë ruajtur edhe fizikisht, me qëllim që të përcaktohet njëfarë hershmërie mbi bazë paralelizmi. Por prapë, na duket si e vështirë të besohet se Skënderbeu e kishte këtë vulë të trashëguar nga i ati, brez pas brezi. Dhe ne kemi arsye për ta marrë disi me rezerva këtë pohim të prof. Pilikës. Për më tepër që Kristo Frashëri, historiani dhe eksperti i njohur i “Skënderbejadës” e vë njëfarësoj edhe ai në dyshim këtë hershmëri të vulës sekrete kur shprehet në mënyrë të tërthortë e të kursyer se: “Ç’e shtyu Skënderbeun të zgjidhte këtë temë mitologjike spartane [Leda me mjellmën Zeus], është e vështirë të zbulohet”. (K. Frashëri, “Skënderbeu, Jeta dhe vepra” bot. Toena, f. 198).

Por, le t’i hyjmë analizës sonë në thellësi për të parë e zbuluar pikërisht se çfarë fshihet brenda dhe pas vulës sekrete të  Skënderbeut, në atë gemë të gdhendur mjeshtërisht, futur në shasi të artë tetëkëndore me formë elipsoidale.

Skena e joshjes së Ledës nga mjellma Zeus, me tërë elementët mitologjikë që përmban, ka ardhur që nga Lashtësia e kohëve homerike dhe ka përbërë historikisht temën qendrore të mjaft piktorëve të famshëm botërore, nga Da Vinci, Rafaele, Veronese, etj. etj. deri te Salvadore Dali. Veçse skena tipike e Ledës dhe e mjellmës në vulën e Skënderbeut njihet për një ndërtim mjaft të veçantë: na e paraqet Hyrinë pellazge Leda në pozicion “callipyge”, domethënë “Ledë me vithe të bukura” sipas shprehjes së prof. C. Picard (fig.2). Kjo skenë, gjithë hirësi, hijeshi e hajthmëri, na ka ardhur nëpërmjet monedhave të lashta, sidomos ato të prera në kohën e perandorit Alexander Severus. Por mbi të gjitha,…(Te plote lexojeni ne Diellin ne Print)

Filed Under: Opinion Tagged With: ..e më tej, Fotaq Andrea, Sekretet e vulës sekrete, të Skënderbeut

Mattis: Vota në referendum më e rëndësishmja në historinë e Maqedonisë

September 17, 2018 by dgreca

Nga Zërijeta Hajro Jajaga/ RFL/1 Mattis

Ne Foto- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, u prit në Shkup me nderime të larta shtetëror.Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në kuadër të vizitës në Shkup, ka theksuar se referendumi është mundësi unike për të shënuar histori në vend.“Jemi të gatshëm që t’ju dëshirojmë mirëseardhje si anëtare e 30-të në aleancën tonë”.“Vota në referendum është vota më e rëndësishme historike e vendit tuaj”, ka theksuar Mattis, duke shtuar se këtë porosi do t’ia përcjell edhe kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov.

Mattis Maqedoninë e ka cilësuar si “shtet partner i përgjegjshëm i aleancës”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, dhe , ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell. Shkup 13 shtator 2018

Mitchell: Votoni në referendum, është mundësi historike që s’përsëritet

“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, i cili do t’ju mundësojë bashkimin e shtetit tuaj me 29 shtete tjera anëtare në NATO”.

“Duke iu bashkangjitur NATO-s, ju do të rritni sigurinë e shtetit tuaj dhe kjo do të sjellë ekonomi dhe siguri më të lartë. Ashtu siç u rritën investimet në Mal të Zi, të njëjtat do të rriten edhe në Maqedoni”, ka thënë sekretari amerikan.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka thënë se vizita e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes vjen në një moment shumë të rëndësishëm para mbajtjes së referendumit, datës kur përcaktohet e ardhmja e Maqedonisë.

Sekretari amerikan James Mattis, pas takimit me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryeministrin Zoran Zaev
Sekretari amerikan James Mattis, pas takimit me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryeministrin Zoran Zaev

“Për Republikën e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në NATO dhe BE”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Zaev njëherësh ka shtuar se “integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen veri-atlantike paraqet edhe stabilitet nga infiltrimi i palëve të treta në rajon”.

Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka theksuar se mbështetja e SHBA-së e ka ndihmuar shumë Maqedoninë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO.

“E bindur se me 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të shprehen se janë për një shtet i cili do të jetë i sigurtë me prosperitet dhe e zhvilluar ekonomikisht. Për një Maqedoni e cila krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë do të kontribuojë për paqen e përbashkët dhe prosperitet”, ka theksuar Shekerinska.

Vizita e Sekretarit Mattis vlerësohet si një nga vizitat më të rëndësishme të personaliteteve ndërkombëtare, në mbështetje të referendumit të 30 shtatorit për ndryshimin e emrit të shtetit, njëherësh zhbllokimin e procesit të integrimit euro-atlantik.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mattis, Referendumi, Shkup

Ta pastrojme mjedisin dhe skenen politike te Kosoves

September 17, 2018 by dgreca

1 Kuvendi TymNGA SADIK ELSHANI*/

Ta pastrojme mjedisin/

Keto dite ka filluar nje nisme e mire ne Kosove: Aksioni “Ta pastrojme Kosoven”, per pastrimin e Kosoves nga mbeturinat e hedhura, pleherat. Kjo eshte nje nisme qe duhet perkrahur dhe qe ka qene dashte te filloje shume vite me pare, por me mire vone se kurre. Ne te gjitha vendet e perparuara, te kulturuara, te qyteteruar, mbrojtjes se mjedisit i kushtohet nje vemendje, rendesi te madhe, sepse eshte mjedisi ku veprojme, jetojme e rrisim familjet tona. Per fat te keq, ne Kosove dhe ne viset tjera shqiptare mbrojtjes, ruajtjes se mjedisit nuk i kushtohet rendesi e madhe, ne ende nuk e kemi zhvilluar vetedijen per nje veprimtari te tille me rendesi jetike. Kjo nisme, ky aksion nuk duhet te jete vetem nje veprim qe zgjat per nje kohe te caktuar, por duhet te jete nje kujdes, mision i perhershem, nje angazhim i te gjitheve – bashkeveprim e bashkerendim i puneve te organeve komunale – shteterore dhe qytetareve. Duhen siguruar pajisjet, caktuar pleherishtet (landfill) dhe duhet organizuar mbledhjen e rregullt te pleherave ne te gjitha vendbanimet. Eshte mire qe te vetedijesohen dhe te edukohen njerezit per rendesine e ruajtjes se mjedisit, sepse ne mjedise te pasterta, ne mjedise te shendosha jeta e njeriut eshte me cilesore, me e lumtur. Mjedisi i ndotur jo vetem qe e shemton pamjen e vendit, por edhe e rrezikon shendetin e qytetareve. Duhet patur parasysh edhe riciklimin e materialeve te ndryshme: metale, qelq, plastike, leter, etj. Ky proces jo vetem qe ndikon ne zvogelimin (redukimin) e vellimit te mbeturinave, por edhe mundeson riperdorimin e tyre ne forma te ndryshme dhe puneson njerez – te gjithe jane fitues.

Ta pastrojme skenen politike

Sikurse mjedisi ne Kosove qe ka nevoje per pastrim, ashtu edhe politika, jeta shoqerore – politike, institucionet kane nje nevoje te perngutshme e te domosdoshme per pastrim e ndryshim. Skena politike ne Kosove ka kohe qe eshte ne nje gjendje te trazuar e kaotike, ne nje gjendje te tensionuar e me plot nerva, shkaktuar nga indiferenca, mungesa e perkushtimit, seriozitetit te faktorit politik, partive politike te paprofilizuara mire, qe me fort u ngjajne klaneve e grupimeve te ngushta shoqerore sesa partive qe duhet te mbajne pergjegjesine, barren e zhvillimit te shoqerise kosovare. Kemi nevoje per nje politike te ndershme, te tejdukshme (transparente) me platforme e programe kombetare. Korrupsioni i larte, papunesia e madhe, krimi i organizuar, mosfunksionimi i duhur i institucioneve shteterore, akademike, amullia, mungesa e perspektives, shpreses per nje te ardhme te ndritur, jane vetem disa nga problemet e shumte me te cilat po ballafaqohet Kosova. Pergjegjesine me te madhe e mbajne politikanet dhe drejtuesit e korruptuar te shtetit te Kosoves, te cilet interesat, perfitimet personale i kane vene mbi ato kombetare, madje jane ne gjendje edhe ta copetojne vendin.  Me politikane te tille qe me shume shahen e rrahen ne mes vete sesa t’i kryejne detyrimet e tyre kushtetuese, Kosova nuk mund te ecen perpara, nuk mund te gezoje perkrahje, mbeshtetje te gjere nderkombetare. Prandaj, eshte koha qe te gjithe te mendojne se kjo rruge nuk na shpie askund, vetem na çon drejt gremines. Sikurse mbeturinat qe duhen mbledhur e hedhur ne pleherishte, edhe skena politike e Kosoves mund te pastrohet me largimin nga skena e politikaneve te paafte e te korruptuar, arrogante, mashtrues e genjeshtare.

E di qe ky nuk eshte nje proces fare i lehte, sepse keto dukuri negative jene grumbulluar me dhjetevjecare (dekada) te tere, por megjithate duhet filluar nga diku. Qytetaret duhet te vetedijesohen dhe te mos i votojne keta politikane te korruptuar, te kompromituar dhe ne vend te tyre te votojne njerez te rinj e te afte, te pergatitur mire profesionalisht, njerez qe e duan vendin, popullin e tyre, njerez qe kane orientim e vizion pererndimor, njerez qe rrezatojne vlera dhe ne jete udhehiqen nga parime te larta njerezore.

Filadelfia, 16 shtator 2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te komise dhe veprimtar i   bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: medici dhe politika, pastrimi i Kosoves, Sadik Elshani

KOSOVA DHE SHTETI IOWA-SHBA, THELLOJNE BASHKËPUNIMIN

September 17, 2018 by dgreca

-Ministri Shyqiri Bytyqi priti presidentin e “Mercy College of Health Sciences” të IOWA–s, Dr. Dauglas Fiore. U dakorduan që ditëve në vazhdim të nënshkruhet një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin do të saktësohet fushëveprimi dhe bashkëpunimi reciprok mes MAShT dhe “Mercy College of Health Sciences” të IOWA-s/

1 Kosova IOWA-Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i vlerëson vizitat e tilla si hapa konkretë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Iowas/

PRISHTINË, 17 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, sot priti në takim presidentin e “Mercy College of Health Sciences” të IOWA–s, Dr. Dauglas Fiore, me të cilin bisedoi rreth mundësive të bashkëpunimit në sektorin e arsimit, me theks të veçantë fushën e mjekësisë, konkretisht programit të infermierisë. Dr. Fiore shfaqi gatishmërinë për të ofruar mbështetje për institucionet e arsimit në fushën e mjekësisë, me qëllim të aftësimit të të rinjve përmes programeve të ndryshme, por edhe të mbështetjes praktike në infermieri.Ministri Bytyqi theksoi se, MAShT-i  ka një bashkëpunim të frytshëm me universitete dhe kolegje amerikane dhe mirëpret edhe gatishmërinë e “Mercy College of Health Sciences”  të IOWA –s për bashkëpunim, ndërsa tha se jemi të hapur për të gjitha opsionet mundshme të bashkëpunimit në interes të edukimit dhe arsimimit të të rinjve tanë me programe atraktive dhe të avancuara amerikane.Ministri Bytyqi, gjithashtu e njoftoi Dr. Fiore, se për nevoja të tregut të punës, këtë vit janë hapur disa profile të reja të mjekësisë në shkollat e Kosovës dhe tha se mbështetja e këtij kolegji amerikan në këtë segment do të ishte e mirëpritur. Ministri Bytyqi dhe Dr. Fiore biseduan edhe për mundësinë e ofrimit të bursave për studentët nga Kosova që të ndjekin programe studimi në fushën e mjekësisë në “Mercy College of Health Sciences” dhe për mobilitet të studentëve.Gjithashtu, Dr. Fiore tha se janë të gatshëm që të dërgojnë edhe një numër të konsiderueshëm të infermierëve për t’u angazhuar nëpër zonat rurale në Kosovë.

Në fund të këtij takimi, ministri Bytyqi dhe Dr. Fiore u dakorduan që ditëve në vazhdim të nënshkruhet një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin do të saktësohet fushëveprimi dhe bashkëpunimi reciprok mes MAShT dhe “Mercy College of Health Sciences” të IOWA-s.

ODA AMERIKANE PËRKRAHË EDHE MË TEJ AVANCIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRMJET IOWAS DHE KOSOVËS

Me qëllim të avancimit të bashkëpunimit edhe në fushën e edukimit, në lëminë e shkencave mjekësore, si dhe të bashkëpunimit në fushën e menaxhimit shëndetësor, gjatë kësaj jave do të qëndrojë në Kosovë, Douglas Fiore, Presidenti i kolegjit të shkencave mjekësore “Mercy College”, nga shteti amerikan i Iowas.Nën koordinimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Dr. Fiore do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve të shtetit të Kosovës, por edhe me përfaqësues të institucioneve publike dhe private të edukimit dhe kujdesit shëndetësor. Me qëllim të identifikimit të mënyrave të bashkëpunimit dhe ofrimit të mbështetjes në fushën e menaxhimit të institucioneve shëndetësore nga shteti i Iowas, Dr. Fiore do të takojë Ministrin e Shëndetësisë, Ministrin e Arsimit, Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, përfaqësuesit e Komunës së Shtrpcës, drejtuesit e Fondacionit Jahjaga, institucionet publike të kujdesit shëndetësorë, Spitalin Amerikan, Klinikën Amerikane, dhe kompaninë farmaceutike Trepharm.Ndërsa me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në fushën akademike, ai do të takojë rektorin e Universitetit të Prishtinës, por edhe përfaqësuesit e kolegjeve private në Kosovë, si AAB, UBT, dhe Heimerer.Në të njëjtën kohë, nga 23 deri më 30 shtator, në Kosovë do të qëndrojë edhe një delegacion prej rreth 12 studentësh dhe arsimtarësh nga pesë shkolla të ndryshme të Iowas, në kuadër të programit FFA që u jep studentëve dhe arsimtarëve mundësinë e eksplorimit të praktikave dhe kulturave të ndryshme bujqësore përreth botës.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i vlerëson vizitat e tilla si hapa konkretë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Iowas, edhe në fusha të tjera përtej asaj ushtarake, derisa këto vizita që pasojnë atë të një delegacioni prej rreth 50 personash nga Iowa në muajin maj, janë poashtu të mirëpritura edhe në aspektin e promovimit të Kosovës, para qytetarëve dhe organizatave amerikane./b.j/

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, IOWA-Kosova, thellim bashkëpunimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1268
  • 1269
  • 1270
  • 1271
  • 1272
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT