• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ku po shkon arsimi shqiptar?

September 17, 2018 by dgreca

1 qemal ÇejkuNga Qemal Çejku/

Ndërkohë që ka filluar aksioni i shpërndarjes së librave falas, duket se po largohet vëmendja nga pika më e rëndësishme; cilësia e librave të përzgjedhur. Duket se vendin e autorëve tradicionalë të librave shkollorë e kanë zënë autorë të huaj. Libri i matematikës i përkthyer, Dituria Natyre po ashtu; nga ana tjetër libri i Anglishtes që është Cambridge vjen nga autorë gjermanë dhe jo anglezë. Profesorët dhe akademikët janë mënjanuar, tanimë çështja vlen tek përkthimi. Në këmbim të një sistemi arsimor ‘të globalizuar’ po marrim një brez i cili nuk do të mundet të kalojë asnjë klasë në universitet.

Arsimi dhe dija sivjet është lënë  në dorën e përkthyesve pasi çdo libër ishte me autor të  huaj duke mos vendosur  në  diskutim ata, por që  kush ishte arsyeja e braktisjes së autorëve shqiptarë, këtë akoma nuk e dimë dhe se si do të pranohet nga mësuesit dhe nxënësit kjo metodë e ‘re’ dhe që na duhet kohë për të provuar një eksperiment të ri.

Është e vështirë të kuptohet se pse u zgjodh të ecej në këtë drejtim; ideja parësore ishte lehtësimi i mësimeve për të gjithë nxënësit dhe gjimnazistët. Shembulli konkret janë gjimnazistët të cilët përballen me një matematikë relativisht të thjeshtë. Me reformën e re në arsim; një gjimnazist vitin e parë të shkollës së mesme i duhet të përsërisë elementë të cilat duhet të mësoheshin në klasën e shtatë. Mirëpo pavarësisht lehtësirave në nivel, përsëri nxënësit nuk kishin rezultatet që të gjithë prisnin.

Matematika është lëndë bazë dhe mjaft e rëndësishme, pyetja shtrohet: Elemente si limiti, derivati dhe integrali kur do të mësohen? Reformistët e mëdhenj kanë harruar të inspektojnë librat e universiteteve në drejtime shkencore. Një pjesë e profesorëve i quajnë të mirëqena këto koncepte. Përgjigja e një pjese të mësuesve të gjimnazit është sa e çuditshme aq edhe befasuese. Kurrikula e vjetër, një pjesë të koncepteve të sipërmendura iu prezantohen gjimnazistëve që në vit të dytë, për të lehtësuar procesin e të mësuarit, ndërsa këtë vit mësuesit thonë këto koncepte mësohen brenda një viti shkollor. Një kundërpyetje: Të njëjtët gjimnazistë që nuk arrin rezultate me mësimet e 9-vjeçares, do të arrijnë të përvetësojnë njohuri kaq të rëndësishme brenda një viti shkollor?

Si pasojë do kemi një nivel te dobët dhe një gënjeshtër se mësuesit dhe arsimi  do jenë prioritet i qeverisë, çfarë,  prapë do kemi propagandë si gjithmonë, jo ne sot kemi një sistem arsimor shumë herë më të dobët dhe një sistem i dobët arsimor është më i keq sesa analfabetizmi, sepse e mashtron njeriun duke besuar se është i aftë, kur nuk është. Në mënyrë të pashmangshme, njeriu atëherë bëhet burim i sëmundjeve sociale, duke përfshirë dhunën, ekstremizmin dhe praktikat e këqija dhe përfundon përhapjen e injorancës brenda familjes, lagjes dhe qytetit të tij. Shumica e asaj që ne ushqejmë studentët sot është edukimi i keq dhe rezultati është i dukshëm para syve tanë, kur mijëra njerëz në Shqipëri dalin si shembuj të një sistemi arsimor të dështuar.

Por për shumë nga familjet më të varfra, shkolla mbetet shumë e shtrenjtë dhe fëmijët janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi duke punuar ose duke dalë në rrugë. Familjet e tilla në Shqipëri mbeten të mbyllura në një cikël varfërie që vazhdon për breza. Në shumë qytete dhe në Tiranë, ndërsa edukimi i propaganduar nga qeveria është teorikisht i lirë, në praktikë ‘tarifat informale’ prindërit detyrohen të paguajnë për ‘sendet e detyrueshme’ si uniforma, libra, stilolapsa, mësime shtesë, tarifa provimi ose për teste dhe tarifa që shkolla vendos që në fillim të vitit shkollor, jo të nderuar propagandues nuk mjaftojnë librat me qera por reformë reale që arsimi të vendoset në shinat e zhvillimit masiv, drejt një shoqërie moderne dhe që përballon sfidat e jetës.

Nëse arsimi i lartë do të bëhet një sfidë  qytetare e të mësuarit, do të thotë të japësh vëmendje të ndërgjegjshme për cilësitë publike dhe produktive të krijimit dhe shpërndarjes së njohurive. Vënia e “publikut” në universitetet publike nënkupton shumëfishimin e hapësirave publike, ku njerëzit me pikëpamje të ndryshme mund të luftojnë me çështje të diskutueshme. Kjo do të thotë mbajtjen e krijimit të njohurive publike, të hapura dhe të arritshme, duke iu rezistuar tendencave drejt privatizimit pa kriter dhe fiktivitetit të njohurive.

Drejtoritë dhe zyrat e arsimit, prefekturat, bashkitë, institucionet përkatëse (zyrat e regjistrimit, policia, shëndetësia, shoqëria civile) dhe shkollat në një bashkëpunim mes tyre duhet të punojnë më së afërmi jo vetëm për të identifikuar fëmijët jashtë shkollor të padukshëm në statistika, por për të siguruar gjithashtu që fëmijët e tillë të marrin pjesë dhe të përfundojnë shkollën me çertifikata të vlefshme të shkollës si të gjithë fëmijët e tjerë.

Arsimi profesional? Nuk ka arsim profesional as në Kamëz dhe as në Tiranë dhe Shqipëri, kjo shkollë  ka zëvendësuar shkollat e riedukumit të dikurshëm pasi kemi një shkollë pa libra, pa programe mësimore dhe më kryesorja nuk kemi një lidhje me biznesin si hallka e domosdoshme e funksionimit normal dhe garantimi që këta nxënës do ishin burimi kryesor  drejt një punësimi.

Shkolla profesionale Kamëz ka filluar të tejkaloj çdo nivel ligjor, moral, edukativ pasi këtë vit stafi teknik dhe mentorët nuk rregjistrojnë nxënes në vitin e parë nëse nuk ke notën mesatare mbi 7.5, e drejta për arsim garantohet nga;  “Të gjithë nxënësit kanë të drejtë për edukim”, siç garantohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNJ) , e cila u miratua në vitin 1948. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) , e cila u miratua në vitin 1989 si konkretizim i të Drejtave Universale të Njeriut për Fëmijët, e konkretizon të drejtën për edukim.

Shkolla profesionale Kamëz e miratuar me VKM si Qendra e Formimit Profesional duke pasur si objeksion që të jetë një qendër për komunitetin duke ofruar kurse profesionale masive, por në fakt kjo shkollë është kthyer një shkollë bujqësore klasike komuniste dhe që aty regjistrohesh vetëm me urdhër partie, pra një grup bufash në dorën e PS, një turp, një skandal.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsimi shqiptar, ku po shkon, Qemal Çejku, Qemal ejku

Korab Kabashi, Kampion i Gjermanisë

September 17, 2018 by dgreca

1 Kampioni
Shkruan: Sabit Abdyli/
Gjermani, 15 shtator 2018- Portrete sportistësh të suksesshëm shqiptar në botë/
Në finalen e sportit luftarak të quajtur Taekwondo të mbajtur në qytetin Mandeburg të Gjermanisë me 15 shtator 2018 shqiptari i lindur dhe i rritur në Gjermani në familjen sportistësh Kabashi me origjinë nga Kosova u shpall kampion i Gjermanisë.
Korab Kabashi  u lind në Gjermani në vitin 1998 në familjen Kabashi nga Istogu (Kosovë), familje kjo, që kish rritë kampionin e botës në kick boks Besim Kabashin (tashmë i ndjerë). Në moshën 5 vjeçe prindërit e regjistrojnë në klubin e sportit luftarak  Taekwondo. Që në fillim Korabi tregoi potencial të shkëlqyeshëm për sportin e përmendur. Aftësitë luftarake e të suksesit Korabi i tregoi së pari në mesin e shokëve të klubit. Në vitin 2010 në garat për kampion të Republikës Hessen të Gjermanisë Korabi shpallët kampion i Republikës për grupmoshat e tij, duke bë me dije kështu rrugëtimin e sigurt drejt titujve tjerë. Kabashi asnjëherë nuk u ndal dhe falë punës me përkushtim, vullnetit, talentit të tij e ndihmesës në ushtrime etj. të vëllait Arlindit, motrës Ajlines gjithashtu sportistë me emra të njohur në Republikën e Hessen-it arriti të shpallet këto ditë edhe kampion  i Gjermanisë në Taekwondo, në kategorinë deri në 68 kg. duke na bërë krenar gjithë shqiptarët dhe treguar se kemi rini të shëndosh me potencial të madh për arritje të mëdha, vetëm na duhet punë, disiplinë e rregull. Vlen të përmend këtu se Korabi  edhe si nxënës është i shkëlqyeshëm. Fitore e suksese pafund Korabit!
*( Sporti Taekwondo është sport nga format më të vjetra të arteve luftarake në botë,  që ka origjinën në Kore.

Ne foto Korab Kabashi me trajnerin e tij pas shpalljes kampion i Gjermanise

Filed Under: Sport Tagged With: Kampion i Gjermanisë, Korab Kabashi, Sabit Abdyli

PRESIDENTI META PRITET NGA PAPA FRANÇESKU

September 17, 2018 by dgreca

PRESIDENTI META PRITET NË NJË AUDIENCË TË POSAÇME NGA PAPA FRANÇESKU/

VATIKAN- 17/09/18 Presidenti Meta pritet në një audiencë të posaçme nga Papa Françesku

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, u prit sot në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Selisë së Shenjtë në rimëkëmbjen shpirtërore e sociale të komunitetit katolik dhe popullit shqiptar, veçanërisht pas daljes së vendit nga izolimi i gjatë komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta e falënderoi Papa Françeskun, për lartësimin mbarëbotëror të simbolit më domethënës shpirtëror të kombit shqiptar, Nënë Terezës, përmes shenjtërimit të saj.

Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku ka treguar për popullin shqiptar, Presidenti Meta, e siguroi Atin e Shenjtë për vokacionin e qartë e të pandryshuar evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për të ecur në rrugën e integrimit evropian.

“Shenjtërimi i Nënë Terezës, si dhe lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare dhe emërimi i At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan, na bëjnë krenarë ne shqiptarët dhe na japin më shumë besim e forcë për ta ruajtur e promovuar me vendosmëri e përkushtim bashkëjetesën e harmoninë shembullore ndërfetare e kanonike” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut na rikthen në kujtesën tonë jo vetëm marrëdhënien e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar me Selinë e Shenjtë, por edhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e civilizimit evropian duke përcaktuar qartë identitetin evropian të shqiptarëve,” vuri në dukje Presidenti Meta gjatë takimit me Atin e Shenjtë.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e jashtëzakonshme që merr në ditët e sotme modeli shqiptar i harmonisë ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, si dhe ranë dakord për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për promovimin e mëtejshëm të kësaj vlere në mbarë botën.

Një mirënjohje të veçantë Presidenti Meta e shprehu edhe për mbështetjen e vyer që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë i kanë dhënë Kosovës dhe, ku padyshim lartësimi në ditën e Shën Terezës së Kishës katolike të Prizrenit në Dioqezë, përbën një akt domethënës jo vetëm për komunitetin katolik të Kosovës, por për mbarë shqiptarët.

Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka bashkëjetesa ndëretnike dhe fetare në dobi të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies të popujve tanë për të mos u rikthyer më kurrë në konfliktet e përgjakshme të viteve 90-të.

Ati i Shenjtë vlerësoi forcën e shqiptarëve dhe përkushtimin e tyre për t’u ringritur shpirtërisht pas periudhës së gjatë të shtypjes dhe ndalimit të besimit, nënvizoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë veçanërisht në fushën e lirisë së besimit dhe shprehu mbresat e tij të jashtëzakonshme nga vizita e tij në Shqipëri dhe mikpritja që ju rezervua gjatë kësaj vizite historike.

“Gjatë kthimit nga Shqipëria një nga gazetarët më pyeti se përse kisha zgjedhur të bëja vizitën e parë në Evropë, në Shqipëri, në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, unë iu përgjigja se zgjodha Shqipërinë për të dhënë një mesazh,” – tregoi Ati i Shenjtë gjatë audiencës së posaçme me Presidentin Meta.

Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan gjithashtu edhe për çështjen e mprehtë të emigracionit, luftën kundër varfërisë, rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe kujdesin ndaj familjes dhe veçanërisht ndaj gruas dhe fëmijëve, në këndvështrimin e ndërtimit të një shoqërie më njerëzore dhe të një bote në paqe.

Ati i Shenjtë dhe Presidenti Meta diskutuan mbi rëndësinë e madhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë me qëllim ndalimin e fenomenit të largimit nga vendi i tyre dhe mbajtjes larg nga veset, droga dhe fenomenet negative sociale.

“Evropa po përjeton një dimër demografik,” – u shpreh Papa Françesku, ndaj, vendi juaj duhet të mos vuajë nga ky fenomen, i cili kërkon një përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje më të madhe në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për ta.

“Rrallë kam parë”, – tha Papa Françesku gjatë audiencës, “aq shumë të rinj gjatë vizitës sime në Tiranë sa në asnjë vend tjetër e duhet bërë gjithcka që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.”

Gjatë kësaj audience të posaçme të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta shoqërohej nga familja e tij

Filed Under: Featured Tagged With: nga Papa Françesku, PRESIDENTI META PRITET

Korrigjimi paqësor i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

September 16, 2018 by dgreca

Editorial nga Presidenti/1 thaçiShkruan: Hashim Thaçi*/

Unë jam i sigurt se në politikën kosovare, tek qytetarët e Kosovës, nuk ka aspak dyshim se ne, si udhëheqës institucionalë të Kosovës, duhet të punojmë bashkë me qëllim që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore, t’i japim fund bisedimeve me Serbinë, duke nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Ne kemi luftuar kundër okupimit të dhunshëm nga Serbia dhe kemi fituar lirinë në qershorin e vitit 1999. Kjo histori është e njohur për të gjithë ne, sepse ka bashkuar të gjithë shqiptarët dhe Kosovën me Perëndimin, në radhë të parë me SHBA-në, Aleancën Veriatlantike dhe BE-në.

Ne, së bashku me aleatët tanë, arritëm ta bëjmë Kosovën shtet në shkurtin e vitit 2008 dhe prej atëherë jemi njohur nga 116 shtete anekënd botës.

Megjithatë, të gjithë ne e dimë fare mirë se stabiliteti afatgjatë i shtetit të Kosovës është pashmangshëm i lidhur me anëtarësimin e Kosovës si shtet në OKB, në Paktin NATO dhe në BE.

Në këtë mënyrë, Kosova do të jetë përjetë e mot shtet i qëndrueshëm, anëtare e familjes së kombeve paqedashëse në OKB, anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, si dhe në fund edhe anëtare e Bashkimit Evropian.

Nuk mund t’i arrijmë këto qëllime, nuk mund ta vulosëm njëherë e përgjithmonë fatin e Kosovës si shtet, nëse në muajt e ardhshëm nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Serbinë.

Shumë prej jush mund të thonë që si shtet kemi merituar që rrugëtimi ynë drejt OKB-së, NATO-s dhe BE-së të jetë më ndryshe, më i lehtë, më i shpejtë dhe të mos varej më nga marrëveshja paqësore me Serbinë. Keni të drejtë në këtë qëndrim tuajin, por ja që realiteti rajonal dhe ndërkombëtar imponon arritjen e marrëveshjes për normalizim për të dy shtetet, si kusht i domosdoshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis. Ju mund të thoni përsëri se Kosova tashmë i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme. Unë përsëri pajtohem me ju. Por, realiteti është edhe më kokëfortë se argumentet tona. Njohja nga Serbia është bërë pengesa primare për rrugëtimin tonë euroatlantik. Dikush mund të thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe brenda këtyre kufijve. Edhe unë dua të njëjtën gjë. Por, a mendoni se ne do ta bindim Serbinë ta bëjë një gjë të tillë së shpejti? Fatkeqësisht, jo. Po BE-ja dhe aleatët tanë të fuqishëm: SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Italia e shumë të tjerë, a mendoni se do ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën? Përsëri, jo. Nuk kanë mundur ta bindin të bëjë një gjë të tillë deri më sot dhe nuk mund të garantojnë se do ta bëjnë nesër apo në të ardhmen e afërt. Si rezultat, përgjegjësia mbetet tek ne.

Për ta arritur këtë qëllim, unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë. Kam pritur kundërargumente racionale, por deri më sot kam dëgjuar më tepër zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë.

Tashmë të gjithë e dimë që Kosova është trajtuar përherë si rast i veçantë apo ‘Sui Generis’, në ndërmarrjen e madhe ndërkombëtare të zgjidhjes së çdo procesi rreth saj. Në këtë kontekst, lufta për liri, intervenimi humanitar i NATO-s, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësia e mbikëqyrur dhe shtetndërtimi, janë vetëm disa nga veçoritë që e kanë bërë Kosovën të trajtohet si një rast i veçantë. Dilemat vendore dhe ndërkombëtare i kanë shoqëruar të gjitha këto procese. Kështu, në prag të shpalljes së deklaratës së pavarësisë, kishte shqetësime se Kosova mund të shërbente si rast precedent për vende apo rajone të tjera në botë. Por, këto shqetësime dolën të pasakta. Gjithashtu, një shqetësim tjetër i madh ishte frika nga eksodi masiv i komunitetit serb që jeton në Kosovë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Edhe ky paragjykim doli i gabuar.

Kosova tani është shtet i pavarur dhe ne jemi në fazën përfundimtare të shtetndërtimit. Por, edhe tani ka dilema, njësoj sikurse më herët. Çuditërisht, në kohën kur Kosova e ka të hapur mundësinë për të arritur marrëveshje paqësore me Serbinë, rrufeshëm dhe nga shumë drejtime, ngritën shqetësime të paqëndrueshme. Skeptikët, sot përsëri janë bërë bashkë për të kundërshtuar opsionin real të korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, si mundësi e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Po e përsëris: korrigjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura, të cilat do ta njohin njëra-tjetrën si shtete, do të jetë pjesë përbërëse e demarkacionit të kufirit të gjatë 430 kilometra.

Dyshuesit në marrëveshjen ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësi po përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Po krijojnë panik dhe mjegull, duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë.

Kam konsideratë të lartë për të gjithë ata që në mënyrë racionale janë të përfshirë në këtë debat, por atyre që prodhojnë vetëm zhurmë dhe panik, me keqardhje u them se janë të gabuar.

Në ditët e kaluara kam pasur takime shumë të rëndësishme me politikanët kryesorë të shteteve fqinje të rajonit. Së pari takova Ilir Metën, Presidentin e Shqipërisë, pastaj në Podgoricë u prita nga Millo Gjukanoviq, Presidenti i Malit të Zi, si dhe në fund bisedova në Shkup edhe me Zoran Zaevin, Kryeministrin e Maqedonisë.

Në të gjitha këto bisedime miqësore dhe të sinqerta, ua bëra me dije synimin tonë për marrëveshjen me Serbinë, duke i dhënë fund armiqësisë mbi njëshekullore dhe duke ruajtur stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe qëllimin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe miqësinë me të gjitha vendet e rajonit.

Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia, i siguron bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, duke forcuar kështu stabilitetin dhe mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan.

Prandaj, skeptikët e kësaj marrëveshjeje mund t’i siguroj që tani se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino sa i përket stabilitetit të kësaj ane të Evropës.

Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përfolët me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshjeje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdorej në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë.

Koha e luftërave dhe konflikteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për bindjen time, ka kaluar. Por, fundi i kësaj epoke do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen përfundimtare paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

* Derguar nga Zyra e presidentit te Kosoves

Filed Under: Editorial Tagged With: Editorial, Hashim Thaci, i kufijeve, korrigjim paqsor

DIKTATURA NËPËRMJET TREGIMEVE

September 16, 2018 by dgreca

3 Makensen(Mbresa nga leximi i vëllimit “Gruaja me të zeza” i Makensen Bungos)

 Nga Eugjen MERLIKA/*

“Gruaja me të zeza” është ndihmesa e fundit e prozatorit Makensen Bungo në lëmin e një fushe pak të lëvruar të letrave tona, asaj të kallzimit të krimit komunist në të gjitha çfaqjet e përmasat e tij.

Titulli i librit përkon me atë të tregimit më të gjatë të vëllimthit, duke bartur në vetvete simbolikën e një epoke historike që, në Vendin tonë, shënoi me ngjyrën e zezë  shumë nga jetët e familjeve shqiptare. Nuk ishte ngjyra e parapëlqyer e fashizmit, ishte pasoja e triumfit të së kuqes, ngjyrës së gjakut, ngjyrës emblemë të komunizmit që, nëpërmjet veprës së tij shkatërrimtare të “botës së vjetër” dhe ndërtimit të “parajsës së vegjëlisë”, veshi me të zeza shumë gra e vajza shqiptare, duke dërguar mizorisht në botën tjetër  bijtë, burrat, vëllezërit e të dashurit e tyre. Ky ishte përfundimi më i dukshëm i asaj sprove të përbindëshme që u çfaq në skenën historike të Evropës lindore në veshjen e fituesit të luftës e që, fatkeqësisht, edhe mbas dhjetëvjeçarësh dështimi e mizorie, edhe mbas fundit të saj tragjikomik, në pjesën më të madhe të opinionit të kontinentit të vjetër, në thelb mbeti e pandëshkuar, e veshur me një aureolë ideali që nuk mund të përdhosej nga “gabimet” e individëve.

Autori e ka jetuar në vetë të parë gjithë harkun kohor të përvojës komuniste në Atdheun e tij, duke pësuar dhunën e saj në shumë drejtime. Si shqiptar, i rritur dhe i formuar në kudhrën atdhetare të mësuesve të shkollës Normale t’Elbasanit, u bë shpejt i vetëdijshëm se interesat kombëtare, të mbrojtura me aq vetmohim nga firmëtarët e aktit të Vlorës, u nëpërkëmbën  nga “kryetrimat e Shqipërisë” deri në braktisje, madje ende më keq, deri në bashkëpunimin kriminal me varrmihësit e “çështjes shqiptare”. Si qytetar, ëndërrues i një Vendi të lirë e demokratik, pa se bijtë e tij më të mirë, ata që synonin të sendërtonin demokracinë shqiptare simbas shembëlltyrës perëndimore, përfunduan, në shumicën dërmuese të tyre, në plotonet e ekzekutimit, në qelitë e errta, në dhomat e torturave, në kampet e punës së detyruar apo në varret pa emër. Si njeri kuptoi shpejt se “rendi i ri” ishte i prirur të mos respektonte normat morale të shoqërisë shqiptare, por synonte që t’i zëvendësonte me një sistem rregullash e ligjesh të huazuara nga përvoja e Rusisë bolshevike, fari ndriçues dhe modeli për t’u imituar i komunistëve shqiptarë.

Ky zhgënjim trefish ka shoqëruar autorin e librit në dhjetëvjeçarët e sistemit, duke bërë që të grumbullojë në kujtesën e tij ngjarje dhe episode të shumta, si një lloj filmi dokumentar që, me ndonjë ripunim të çastit, fatmirësisht, sot i serviren lexuesit shqiptar. Vlera e dëshmisë bashkohet me vlerën letrare, për t’i dhënë lexuesit jo novela dashurie me një fund të lumtur, por tregime që të ndalin frymën  e të bëjnë të përsiatësh gjatë në vetvete rreth një bote jashtë kontureve të logjikës normale, që fatmirësisht i përket së shkuarës së Shqipërisë, por që mbetet ende e gjallë në pjesë të tjera të botës. Autori nuk huazon nga “realizmi socialist” frymën militante, nuk i kthen tregimet në demagogji sulmuese të sistemit, ruan formën klasike të rrëfenjës, megjithëse ndonjëherë tregimtari i lëshon vendin publiçistit duke dëmtuar linjën e saj.

Vëllimthi “ Gruaja me të zeza” përbëhet nga dhjetë tregime, që kanë për subjekte ngjarje të vërteta, të jetuara ose të kallzuara, në të cilat fantazia e autorit punon pak, duke i lënë vendin më tepër aftësisë vëzhguese e përshkruese  të mjediseve e karaktereve të personazheve. I pari titullohet “Xha Thanasi” e përshkruan mjedisin e fshatit jugor të kohës së luftës, me luhatjet e njerëzve për t’u përfshirë në rrymat e ndryshme ushtarake e politike të çastit historik. Tema i referohet kohës “kur hidheshin themelet”, nëse do të parafrazonja titullin e një libri të shumë viteve më vonë të protagonistit kryesor të asaj ndërmarrjeje sipërnjerëzore mashtrimi, që i kushtoi aq shtrenjtë Shqipërisë e banorëve të saj. Në qendër të tregimit është figura e xha Thanasit, shqiptarit autentik, për të cilin interesat e atdheut kushtëzojnë çdo vendim të jetës vetiake. I fundit është “Nusja nga malësia”, një përshkrim rrënqethës i njërës  prej tragjedive të gomoneve në detin Adriatik, humnerat ujore të të cilit gëlltitën jetët e shqiptarëve së bashku me ëndrrat e tyre për t’ardhmen jashtë vendlindjes, mbasi shembja e gërmadhës së socializmit të Ramiz Alisë u dha atyre lirinë, por jo shpresën për të jetuar normalisht në Vendin e tyre. Në këtë tregim preket shqetësimi i madh i shkrimtarit atdhetar për fatet e Shqipërisë paskomuniste. “ Ikte rinia e Shqipërisë e mërzitur, e dëshpëruar, e lodhur, e tradhëtuar, shpresëhumbur. Ikte, ikte, ikte. Ndërsa Shqipëria nga dita në ditë plakej dhe thinjej para kohe..”.   Është një klithmë e fuqishme zhgënjimi e dëshpërimi që na kujton elegjinë e famshme të Pashko Vasës, një tjetër dëshmi e funksionit prej tribuni të shkrimtarëve shqiptarë.

Të dy tregimet janë në skajet e një parabole të një sistemi shoqëror e politik që filloi me krisma armësh vëllavrasëse në fillimin e viteve 40 e që mbaroi me rrëzimin e një monumenti në qendër të Tiranës në shkurtin e 1991, së bashku me pasojat rrënuese të një dështimi që i shkaktoi Shqipërisë hemoragjinë më të madhe mërgimtare në historinë e saj. Ndërmjet këtyre dy skajeve shtjellohen të tjera subjekte, çfaqje të ndryshme të dhunës së socializmit real të markës shqiptare.

Apostol Gega është personazhi i tregimit me titull “Vdekja e bardhë”. Është një mësues i ri që kundërvepron ndaj prirjes së regjimit për të vendosur diktaturën e për të mohuar vlerat atdhetare të mjedisit shqiptar. Është një nga herojtë e vërtetë, të cilëve nuk i dhimset jeta, nëse ajo vihet në rrezik, kur bëhet fjalë për të shpalosur e mbrojtur idealet, një nga ata që dijnë të rrojnë por edhe të vdesin me dinjitet. Fatkeqësisht ata ende nuk gjejnë vendin e tyre në Panteonin e kujtesës historike të popullit të tyre, mbasi në opinionin zyrtar ende luhaten mes “shkelësve të ligjit” dhe viktimave të dhunës. Një i tillë është edhe Marku i tregimit “Kënga e të burgosurit”, për mendimin tim, një nga më të arrirët jo vetëm të vëllimit por edhe të gjinisë së tregimit shqiptar.

Në të evokohet tradita shqiptare që bie ndesh me “rendin e ri”. Janë dy botë që nuk pajtohen. Personazhi është malsor e fisnik, për të cilin miku është i shenjtë e i paprekshëm. Dorëzimi i tij në qeveri është një sakrilegj, një vdekje morale e papranueshme. Ky është mësimi që i ka përcjellë brez mbas brezi tradita e maleve, është sinonim i nderit vetiak e familjar. Shkelja e tij është e pakonceptueshme për mendësinë e malsorit, është kthyer në një dogmë, të cilën vetëm “bijtë e Stalinit” mundohen t’a thyejnë nëpërmjet dhunës së pashembullt e kultit të vdekjes. Marku dënohet me vdekje mbasi ka strehuar në shtëpi e ka përcjellë jashtë kufirit një mik të familjes të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Akti i sjell ndër mënd lexuesit qëndresën e gjatë antikomuniste të luftëtarëve të lirisë në malet e veriut dhe rolin aktiv të banorëve t’atyre anëve në mbështetje të saj. Janë faqe të lavdishme që, kur të shkruhet historia e vërtetë, do të përbëjnë një motiv të fortë krenarie të ligjëshme për gjithë kombin tonë.

Fundi i tregimit i ngjan një simfonie madhështore. Kënga e dalë nga thellësitë e birucës së të dënuarit me vdekje e, njëkohësisht, nga thellësitë e një shpirti të vrarë jo aq nga prangat se sa nga malli për nënën, gruan e fëmijët e vegjël, i bën jehonë një litanie që buron nga toka arbërore e shpërndahet mbi të gjithë banorët e saj brënda e jashtë telave me gjemba. Amanetet e këngës të fusin në atmosferën e balladave të lashta, një lloj vazhdimësie tragjike që vjen deri në kohët moderne.

Temës së burgut politik, simbolit më të spikatur të dhunës së “diktaturës së proletariatit” i kushtohet edhe tregimi “Nëna”, që rrok një temë sa të njohur aq dhe të parrahur, atë të rolit, qëndresës dhe sakrificës së  gruas shqiptare në kontekstin e vazhdës së gjatë të përndjekjes komuniste. Kanë qenë ato heroinat e vërteta të heshtura të qëndresës ndaj dhunës së regjimit. Ishin ato që përballoheshin me hetuesit e policët nëpër dyert e degëve të punëve të brëndëshme, apo të burgjeve e kampeve të punës, në rolin e grave, të nënave, të motrave, të gatëshme për sakrificat më sublime, të prirura për të mbrojtur skajshmërisht dashurinë e tyre. Nëna e tregimit të Makensen Bungos, para hetuesit barkmadh e të vetëkënaqur, që  me cinizëm prej krimineli i komunikon dënimin me vdekje të birit 18-vjeçar, të arrestuar në bangot e gjimnazit, nuk gjen tjetër armë për të luftuar veç pështymës që i a hedh në surrat. Ajo pështymë nuk është thjesht shprehje e urrejtjes deri në përbuzje të një gruaje, që ndihet e goditur në gjënë më të shtrenjtë që ka, birin e vetëm. Ajo pështymë është shprehje e qëndresës, e refuzimit të një sistemi të tërë që mbështetet mbi dhunën, padrejtësinë e mashtrimin. Ajo nuk mbetet vetëm në fytyrën e hetuesit, por i përcillet eprorëvetë tij deri tek organet udhëheqëse të Shtetit.

Mospranimi i sistemit, ndarja morale e qytetare me të është lejtmotiv edhe i tregimeve të tjera e i personazheve të tyre. Kështu spikat figura e mësuese Donikës tek “Fletë lavdërimi” apo i Nënës labe në tregimin me të njëjtin emër. Këto trajtojnë tema më të “lehta”. Personazhet nuk janë hetuesit shpirtkazmë apo rojet e burgut, por mësues që, duke përçuar në shkollë “vijën e partisë”, lënë në klasë fëmijën sepse ka babanë t’arratisur, apo i mohojnë meritën në studim sepse ka patur vëllanë në burg. Në pamje të parë duken marrëzira të vogla që, shpesh, i visheshin njërit apo tjetrit, por sa dhjetra mijra raste të tilla janë vërejtur në gati gjysëm qindvjetin e regjimit. Sa qindra e mijra fëmijë janë rritur nën trysninë e kompleksit të “dallimit klasor”, më i keq se sa ai racial, të getove, të Sovetove, janë rritur të ndrydhur, pa inisjativë, pa konceptin se janë qënie njerëzore të barabarta me të tjerët. Ja dhe një nga motivet sepse shtresa e ish të përndjekurve, me ardhjen e ndryshimeve të shumëpritura, nuk qe në gjëndje, të përfaqësohej denjësisht në luftën politike, veç strategjisë së parapërgatitur nga mbajtësit e pushtetit. A ka njësi matjeje për të përcaktuar dëmet e shkaktuara këtyre krijesave, plagët shpirtërore të majisura në moshën e lodrave? A vret sot ndërgjegja ndonjë nga armata e madhe e arsimtarëve që, në shumë raste, u bënë përçues t’asaj ideologjie që shihte edhe te një fëmijë një “armik klase”, një tabelë qitjeje?

Është e vërtetë se secili duhet të fitonte bukën e gojës nëpërmjet profesionit të tij, por kishte mënyra të ndryshme për të vënë në zbatim urdhëresat edhe pa vrarë moralin e fëmijëve. Nuk di nga do të anonte ballanca në një përllogaritje të “ të mirëvë” e të “të këqijve”, por për përvojë vetiake mendoj se do të anonte nga të parët. Autori, ish mësues, mundohet të jetë objektiv në gjykimin e kolegëve. Mësuese Donika shprehet “S’kanë turp! Merren me një fëmijë.“, ndërsa Nëna labe, që përmbledh në vetvete gjithë urtinë, bujarinë e virtytet e grave të moshuara shqiptare, me keqardhje thotë:”Ç’faj kanë fëmijët e shkretë?”. Janë dëshmi të thjeshta të qëndresës ndaj së keqes e, jo rastësisht, janë figura grash që e personifikojnë atë. Janë pjesë e atij mozaiku femëror që pasurohet në vëllim me figurën e ndritur të Martires, të cilën lexuesi e njeh nëpërmjet përshtypjeve të shoqes së saj malësore. Janë figura që i përkasin brezit të rinisë së kohës së luftës, mbi të cilin ra me shumë tërsëllimë shpata e diktaturës. Portretizimi i tyre është më i lehtë, ato mishërojnë vlerat e traditës konservatore të ndritur qytetare apo asaj patriarkale fshatare, kanë parime të hekurta edukate që u japin një forcë të pazakontë të brëndëshme, e aftë të përballojë çdo situatë, edhe më tragjiken. Por autori nuk e sheh virtytin vetëm në brezin e tij. Në tregimin “Një natë dimri me shi” ai përshkruan bujarinë dhe humanizmin e djemve e vajzave të reja të Tiranës, që kanë rastin të takojnë të burgosurit e liruar nga burgjet politike e, për t’u ndihmuar atyre, nuk ngurrojnë t’i marrin në shtëpitë e tyre. Është gjesti fisnik i “rinisë së Shqipërisë” që nderon ish të dënuarit, më shumë shprehje respekti për viktimat e dhunës se sa mëshirë për njerëz të mbetur në mes të rrugës në një natë me shi.

Martirja është figura e njërës nga vajzat më të shquara të Shqipërisë së viteve 40, e paisur me kulturë të thellë frut i studimeve dhe i diplomës italiane, e brumosur me ide demokratike e përparimtare, armike e diktaturave të çdo ngjyre. Autori frymëzohet nga figura e shkrimtares Musine Kokalari, një nga femrat më të shquara në elitën intelektuale  të Shqipërisë s’asaj kohe. Kjo vajzë që simbolizonte më së miri t’ardhmen evropjane të atdheut të saj, përfundoi në qelitë e Sigurimit, në tortura, në dënime e, mbasi mbaruan ato, përfundoi jetën e saj në një qytet të vogël si puntore ndërtimi e kur vdiq u përcoll për në banesën e fundit me një maqinë zhavori… Do të mjaftonte dëshmia e përndjekjes së kësaj gruaje e të tjerave si ajo, për të akuzuar të gjithë sistemin e Enver Hoxhës për “krime kundër njerëzimit”, mbasi asgjësimi i potencialeve intelektuale të një populli është një atentat ndaj vetë qënies së tij.

“Ishte zonjë përmbi zonja, mbi të gjitha ishte fisnike.” shprehet autori nëpërmjet shoqes së saj. Është vlerësimi më i lartë që mund t’i jepet njeriut, vlerësimi i botës shpirtërore, i virtyteve të lindura e të fituara, përballë të cilave diktatura pësoi humbjen më të thellë, sepse megjithë përdorimin e të gjitha mjeteve të mizorisë, atë botë nuk arriti dot t’a përdhosë. Fisniku mbeti i tillë edhe duke nxjerrë vagonat e mineralit në Spaç, edhe duke shtyrë karrocën e llaçit, edhe duke fshirë rrugët, edhe duke gërmuar hendeqe nëpër fusha. Por sa njerëz të tillë vrau e sakatoi komunizmi në Shqipëri, sa veprimtari cilësore njerëzore  i u mohuan çështjes së qytetërimit e të përparimit të Vendit tonë…

Sot, mbas gati njëzet vitesh ndrrimi sistemi ende askush nuk përgjigjet, nuk pendohet, nuk kërkon falje për këta krime të përbindëshme. Sa bukur i vunë kapak gjërave idhtarët e “korrektesës politike” brënda e jashtë Shqipërisë, ashtu si dikur n’Evropë, kur për të “ulur tensionin” ishte e ndaluar të flitej për gulagët dhe kampet e vdekjes, paçka se miliona krijesa, në gati gjysmën e botës ishin kthyer në numura të thjeshtë… Sollzhenicini, me përvojën e tij mbas përzënies nga atdheu, mund të dëshmonte, ashtu si qindra ish të përndjekur politikë edhe të Shqipërisë, dëshmitë e të cilëve nuk parapëlqehen në shumë qarqe të Evropës politike e kulturore. Këto ishin disa konsiderata që, vetvetiu, rrjedhin në lumin e arsyetimit i cili buron nga libra si ai që po analizoj.

Në këtë analizë një vend të veçantë zë dhe tregimi më i gjatë, që i jep edhe titullin librit. Është një tregim që i ngjan një tragjedie që fillon me një vdekje normale e mbaron me një vetëvrasje në kufirin e 24 orëve. Dy personat janë burrë e grua, një çift i thyer në moshë, pa fëmijë. Historia e tyre ka diçka të veçantë, është një ndërthurje e jetëve vetiake me ngjarjet historike të Vendit. Në retrospektivën ndërmjet dy çasteve tragjike autori na njeh me jetën e tyre. Burri kishte qënë një bashkëpuntor i Fan Nolit në qeverinë e tij. I dalë në mërgim, mbas rrëzimit të qeverisë, kishte jetuar nëpër vënde të ndryshme t’Evropës bashkë me gruan. Kishin pësuar një tronditje të fortë nga akti i pushtimit italian të Shqipërisë dhe kishin qëndruar jashtë gjatë gjithë periudhës së luftës. Kishin ndjekur me simpati luftën kundër okupatorit dhe, me mbarimin e saj, digjeshin nga dëshira për t’u kthyer n’atdhe e për të dhënë ndihmesën e tyre në rindërtimin e përparimin e tij. Zërat se në Shqipëri punët nuk shkonin mirë i quajtën thjesht propagandë, mbasi “ nuk u mbushej mëndja se në Shqipëri mund të vendosej një diktaturë”. Një konsideratë tepër naive kjo, mbasi ata kishin jetuar në një kontinent që në Lindje e në Perëndim ishte i mbushur me diktatura e nuk kuptohet sepse mund të përjashtohej Shqipëria e fituesve komunistë nga kjo mundësi!

Kthehen në Shqipëri, ku priten edhe zyrtarisht, por entuziazmit të kohëve të para shpejt i a zënë vëndin habia, dyshimet, heshtjet e së fundi frika. Revolucioni, që kishin ëndërruar ata, po hynte në binarët e tij të vërtetë, n’ata të dhunës e t’arbitraritetit, tepër larg iluzioneve noliste që ushqente çifti. Zhgënjimi ishte i plotë e pasojat ishin dhjetë vite burg si agjent anglo-amerikan për burrin e një jetë prej fshesareje rrugësh për bashkëshorten. Pas daljes nga burgu pasojnë internime në fshatra e kooperativa bujqësore, deri sa në pension zënë vënd në një qytet të vogël, në të cilin një ditë vdes burri. Gruaja mbetet vetëm, e ndërgjegjëshme se tashmë në një gjëndje të tillë nuk ka më kuptim jeta. Të nesërmen gjëndet e varur me një kravatë të të shoqit. Tragjedia konsumohet plotësisht e, më duket, se çdo koment rreth saj është i tepërt.

Vlen të theksohet një prirje e shkrimtarit Bungo për të nxjerrë personazhet e tij nga mjediset antifashiste gjatë luftës. Ata, thuajse gjithmonë, kanë luftuar fashizmin, nazizmin e komunizmin, por këtë të fundit mbas zhgënjimit, si pasojë e thyerjes së iluzioneve. Në dukje kemi të bëjmë me një përsosmëri idesh e karakteresh. Çështja ngatërrohet nëse i shohim më me hollësi veprimet. Nacionalizmi antifashist që nga Peza e deri në Mukje ishte në një front të përbashkët me partinë e themeluar nga Dushani e Miladini, por deri këtu mund t’a quajmë diçka normale, mbasi pushtuesi, simbas një ligji të stërlashtë, duhej luftuar. Lufta duhet të kishte një strategji të sajën që lidhej me t’ardhmen e Vendit, rrugët  e perspektivat e tij. Nëse mungonte ky lloj projekti, ajo kthehej në një akt të thjeshtë të detyruar moralisht, por me një përfundim krejt të paqartë e të pasigurtë, për pasojë edhe mundësisht të dëmshëm. Mbas Mukjes nuk mbeti më asnjë pikë dyshimi mbi qëllimet e vërteta të komunistëve shqiptarë, të drejtuar nga emisarët serbë. Atëhere, për të gjithë ata që shihnin më larg se hunda e tyre, rreziku që kërcënonte Shqipërinë nuk ishte më pushtuesi gjerman që kërkonte vetëm rrugët e lira të kalimit për ushtrinë, por lëvizja nacional-çlirimtare që do të vendoste në Shqipëri sistemin bolshevik, me të gjitha pasojat e njohura për botën, mbas 1917 në BRSS.

Në largësinë e më shumë se gjashtëdhjetë viteve të shkuara e të përvojës së dhimbëshme të tyre, më duket se përgjegjësia për tragjedinë shqiptare duhet të bjerë edhe mbi ata që nguruan të përdorin të gjitha mjetet për t’a parandaluar atë. Kjo do të ishte një bisedë e gjatë, që nuk hyn në qëllimin e shkrimit, por nëse pasojat e tragjedisë ranë me tërë peshën e tyre edhe mbi ata, sigurisht mjaft prej tyre do të kenë bërë “mea culpa” për zhvillimin e ngjarjeve.

Personazhet e z. Makensen Bungo nuk e bëjnë këtë. Ata pësojnë diktaturën në të gjitha çfaqjet e saj e ngushëllohen me faktin se kanë luftuar fashizmin. Kështu çifti i tregimit “Gruaja me të zeza” vendos të kthehet në Shqipëri mbas 1944 e jo mbas 1939, siç bënë pjesa dërmuese e të mërguarve politikë t’asaj kohe. Në personazhet e autorit nuk bëjnë pjesë ata që e luftuan që në fillim komunizmin, që atëhere kur ai fshihej mbas gjethes së fikut të atdhetarisë kundër pushtuesit, mbas 22 qershorit 1941, kur Hitleri vendoste të sulmonte BRSS. Në këtë drejtim këta personazhe i ngjajnë një aradhe naivësh, të verbuar nga propaganda kundër pushtuesit, por të paaftë për të kuptuar se ku po e çonte Shqipërinë fundi i luftës. Bën përjashtim këtu vetëm nipi i Xha Thanasit në tregimin e parë dhe Martirja në tregimin me të njëjtin emër.

Por, pavarësisht nga ky këndvështrim, që mund të jetë i lidhur me bindjet politike të shkrimtarit, vëllimi i a arrin qëllimit të na japë një vepër arti në gjininë e tregimit, që është  një ndihmesë e madhe në pasqyrimin e një kohe tepër të vështirë për Shqipërinë. Pasqyrimi i asaj kohe ka qënë misioni dhe detyra e gjithë artit zyrtar të regjimit, pasqyrim që polli një mashtrim të madh, që mori emrin “realizëm socialist” e që zu rrënjë thellë në humusin mendor të shqiptarëve brënda e jashtë kufijve të Shqipërisë. Pasojat e atij mashtrimi i ndjejmë ende sot, kur ngurohet të rrëzohen “tabutë” e të rishkruhet historia.

Autorë si z. Bungo, që ngrenë në art të vërtetën faktike të Shqipërisë komuniste, i bëjnë një shërbim të madh, jo vetëm artit, por edhe vetë shoqërisë. Ata janë si dielli që shpërndan mjegullën në një mëngjez të turbullt, veçanërisht i dobishëm për brezin e ri që nuk e njeh të shkuarën e kombit të tij. Shërbimi atdhetar e qytetar i këtyre penave, pak të njohura në vorbullën e madhe të larmisë së botimeve të sotme në Shqipëri, të lidhura më shumë me interesa financiare, imazhi apo politike, meriton një vlerësim të veçantë e mirënjohje të përgjithëshme mbasi, fatkeqësisht, stimujt në punën e tyre, janë të pakta, për të mos thënë të paqena. Nëse më lejohet, do t’i propozonja Kryetarit të Shtetit të fillonte dekorimet e atyre që kanë meritat e tyre në “ Shpërndarjen e mjegullnajës komuniste në ndërgjegjet dhe botkuptimet e shqiptarëve kudo në botë.”Jam i bindur se Makensen Bungo do të ishte një nga të parët që do t’a meritonte.

Gusht 2008

  • Ribotohet ne Dielli me kerkesen e autorit me rastin e ndarjes nga jeta te shkrimtarit Makesen Bungo,i cili ishte mik me Eugjenin.

Ja shenimi i Eugjenit:

I dashur Dalip,

Sot mora lajmin shume te hidhur per vdekjen e Makensen Bungos. Ka qene nje mik i mire me te cilin komunikonja gjithmone prej shume vitesh. Une kam pse shkruar dy artikuj per veprat e Tij. Ne nderim te kujtimit e vepres se Tij letrare do te desha t’i ribotonja ata shkrime.
Po te dergoj njerin e nese ti e quan te pershtateshem t’a dergoj edhe tjetrin.
Pershendetjet me te mira e faleminderit
Eugjeni

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: diktatura, Eugen Merlika, NËPËRMJET TREGIMEVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1269
  • 1270
  • 1271
  • 1272
  • 1273
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT