• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUVENDI I KOSOVËS, SHTYRJE PAS SHTYRJE, NESER SEANCA E JASHTËZAKONSHME

September 4, 2018 by dgreca

LAJMI I FUNDIT: NUK KA SOT VIJIM TË SEANCËS SË JASHTËZAKONSHME TË KUVENDIT TË KOSOVËS, PARALAJMËROHET PËR NESËR NË ORËN 14:00/

Seanca jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e ftuar pas kërkesës së qeverisë, e nisur dhe ndërprerë paraditen e sotme, nuk vijoi as  pas “pauzës deri në orën 18:30”, dhe as në ora 20:00 nuk ka njoftim zyrtar dhe nuk dihet kur do vijojë.

Seanca e jashtëzakonshme, sipas paralajmërimeve pas orës 20:00 pritet të vijojë nesër në orën 14:00./1 Kuvendi Kosoves

Shtyrje pas shtyrje ka  vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të ftuar pas kërkesës së qeverisë, për sot në ora 9:00 dhe të nisur me një orë vonesë, me vetëm një pikë në axhenë:  “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Seanca e bojkotuar nga opozita, nisi me vetëm 61 deputëtë të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh, mes tyre Teuta Rugova nga grupi më i madh parlamentar i LDK-së opozitare, që e bënte forumin me numër minimal – një më shumë se gjysma.

Pas debatit, kur pritej të votohej për ekipin negociator të emëruar dje nga qeveria e që sot kryeministri Ramush Haradinaj ia prezantoi Kuvendit,  u dha pushim 15 minutësh, i cili po zgjatë me orë, duket në pritje të sigurisë për kuorum e vota të mjaftueshme.

Në dy njoftime të dërguara nga Kuvendi u njoftuan dy shtyrje të seancës gjatë pasditës.

Në njoftimin e parë bëhej e ditur se, “me kërkesë të iniciuesit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit shkon në pauzë deri në orën 16:30”, ndërsa në njoftimin e dytë  theksohej se pushimi-pauza shkon “deri në orën 18:30”.

Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar, me kërkesë të opozitës, por ende as që ka nisur fare, seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, shtyrje pas shtyrje

Woodrow Wilson, dhe zëri i grave shqiptare

September 3, 2018 by dgreca

Shpëtoni Shqipërinë” ishte edhe zëri i grave shqiptare drejtuar Presidentit Wilson, në Konferencën e Paqës në Paris më 1919/
1 woodrow-presidential-portrait-241x300NGA PERTEFE LEKA/

Shqiptarët në përgjithësi,kanë pasur besim tek njerëzit e urtë,për të zgjidhur probleme kardinale për  kombin . Vepra  e nobelistit, Woodrow  Wilson, në mbrojtje të popujve të shtypur ,është  udhërrëfyese, sidomos  sot, kur është ndezur një debat politik dhe diplomatik për stabilizimin e ballkanit. Kur diskutohen hyrje e dalje në Europën e Bashkuar,  Kur diskutohen ndryshim kufijsh,  që  lidhen  me fjalën  luftë, që  kane trazuar shpirtra nënash të përvëluara nga humbjet e bijëve. Kur  vazhdojnë të  diskutohen,  të drejtat njerëzore, vendosje piramidash ndarëse dhe  shfrytëzime nënujore pafundësisht,  e ne ,  ende  kemi mbetur “një thumb  i ngulun në trutë e njerëzisë” siç  thoshte Migjeni. Sa sakrifica kanë bërë shqiptarët 100  vjet më parë,  duke iu drejtuar liderit botëror të paqës, Woodrow Wilson, i cili kishte përcaktuar  formën e bashkësisë ndërkombëtare  të së ardhmes  në “Fourteen  points”.

Filozofia politike e Presidentit Wilson, është paraqitur shumë thjeshtë në  “14 Pika” por  aty ishin vendosur pikat mbi -”  i “- të : drejtësi dhe vetëvendosje për të gjithë kombet, të mëdhenj e të vegjël, që  kërkonin liri politike,mos me lejue pushtimet e huaja,as sundim nga të huajt. Konferenca e Versajës e kishte mbështetë idenë themelore të Presidentit Wilson në lidhje me të drejtën e popujve për vetëvendosje kombëtare.Kur u pa se Konferenca e Paqës në Paris, nuk po i merrte parasysh  kërkesat e shqiptarëve, kryetari i delegacionit, Imzot Luigj Bumçi  iu drejtua  Presidentit Wilson për krimet e kryera  mbi popullsinë shqiptare të Kosovës  nga fqinji verior. Kështu  vërshuan  me letra e takime  direkte  shumë personalitete shqiptare nga gjitha trevat shqipfolëse, që ngritën zërin e protestuan për padrejtësitë që po i bëheshin vendit tonë. Nuk mungoi  edhe  vendosmëria   e grave, në këte  betejë diplomatike. Ishte, Zj. Lejla Dino, bija e Çamërisë, kur pa se babait të saj, Rasih Dino, që ishte caktuar nga komuniteti Çam në Amerikë, të merrte pjesë në Konferencën e Paqës në Paris, po i nxirrnin pengesa italianët për të kaluar, iu drejtua me një letër Liderit Amerikan : “……Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria,  që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhemshurve të tyre  të rrokullohet nën zgjedhën e shtypësve  të huaj,  kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do të na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur….” 1Janar  1919, botuar Albania

Motrat Qirjazi qenë shume aktive në këto momente. Ata ishin të parat femra shqiptare që vazhduan “Robert Kolegj”,   të sponsorizuara nga diplomati dhe biznesmeni amerikan, Charles Richard Crane, këshilltar i Presidentit Wilson.( Crane kishte lobuar për Shqipërinë  më       1912-13  për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në forumet ndërkombëtare. Ai kishte sponsorizuar   shumë studentë  shqiptarë  për të ndjekur studimet në Robert Kolegj  të cilin  e kishte themeluar, Ai vete dhe  po ashtu kishte vepruar  për  shkollën e Dakës në Kamzë).  Sevastia, së bashku me të shoqin, Kristo Dako, themeluan,”Partia Kombëtare Shqiptare”, për t’i shërbyer çështjes kombëtare.  Sevastia me kurajon dhe guximin që e karakterizonte, iu drejtua fuqive të mëdha, në prag të Konferencës së Paqës, me 12 Tetor 1918, me një memorandum, mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat  e shqiptarëve.

Po ashtu Parashqevia,  si delegate e shqiptarëve të Amerikës, së bashku me misionarin amerikan Charles Telford Erickson, (i cili ia kushtoi  tërë  jetën Shqipërisë, duke lënë mijëra faqe  të përmbledhura në “Enigma e Ballkanit “),  morën pjesë  në Konferencën e Paqës, duke informuar Presidentin  Wilson për kërkesat  e shqiptarëve.

Shoqata Britanike, e kryesuar nga koloneli Aubrey Herbert, avokati i indipendencës së Shqipërisë  1907-1913, Miss Edith Durham, që ngriti lart konsideratën për shqiptarët,  e  të tjerë  miq të Shqipërise, edhe pse nuk morën pjesë në  ate Konferencë ,  ata shprehnin një mendim  duke u bërë një mbështetje e fuqishme e kauzës shqiptare, në vendimet delikate të Konferencës  së Paqës.Nga të gjitha anët, vinin  letra pa fund, por tërheq vëmendjen letra e Nikollë  Ivanajt, pjesëmarrës  i Konferencës, drejtuar   Presidentit Wilson me 10 Mars 1920, duke  iu lutur liderit botëror, mbi bazën  e 14 principeve, se vazhdon të cënohet integriteti politik dhe shtetëror i Shqipërisë  nga marrëveshjet e fshehta, që kundërshtojnë pavarësinë tonë popullore të cilën Shqipëria e kishte arritur ndërkombëtarisht………

Kanë  mbetur Monumentale  në historinë e luftës diplomatike, fjalët e Atë Gjergj Fishtës  në atë Konferencë….”Qyshse  serbët kanë vra me qindra  e mijëra  njerëz në Kosovë, dhe grekët  kanë djegë qindra e qindra katunde  në Epir të Nordit, dëshmon qartë  se as banorët  e Kosovës nuk  kanë  kenë  serb, as ata të Epirit  nuk kanë kenë grek ….”.                    Shqiptarët e Amerikës kishin  fituar besim tek Presidenti i SH.B.A.-së,  kur thotë Noli në takimin e tij në Mount Vernon 4 Korrik 1918 : “Udhetimi im këtu triumfoi, fola dy herë  me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha ..” Por  garancia  më e madhe, ishte  vetë plani i Paqës që shtronte Wilson në vendosjen e të drejtave  për vetëvendosjen  e popujve  dhe ndalimin e traktateve të fshehta.

Këto  personalitete të larta   të elitës   intelektuale shqiptare e kanë tejkaluar emrin e presidentit amerikan,duke iu drejtuar  filozofisë se tij,  Wilsonjane si përcaktuese  siç shkruan Fishta : “… me përskajue kufijtë e natyrshëm të Shqipërisë simbas parimit të autodecizionit

…si ky përcaktohet prej  klauzolave të teorive Wilsonjane..”Gj.F.20 qershor 1919

Protestat e shqiptarëve dhe sensibilizimi i opinionit  ndërkombëtar  nga personalitete më në zë të Shqipërisë  dhe të huaj, nuk shkoi kot. Përgjigjja e Wilson-it drejtuar delegacionit shqiptar, pjesëmarrës në Konferencën e Paqës në Paris se  “Sh.B.A.-të nuk do të nënshshkruajnë, kurrë një traktat  që copton Shqipërinë…” botuar 25 Prill 1919  gazeta “Franc-Press”.Apo  lajmi   i rrufeshëm i Wilson, në Maj ,1919  ku denoncoi shpalljen e traktatit Italian dhe kërkoi që Shqipëria të jetë  shtet indipendent. Me mirënjohje ,Noli e konsideron  Wilson “Atë(baba))dhe profet” me thirrjen e përjetshme “Na udhëhiq,na udhëhiq”. Kontributi i  Wilson vazhdoi  edhe  në Gjenevë, ku Noli ishte  ambasadori i parë shqiptar,     Shqipëria  u pranue në Lidhjen e Kombeve dhe Pavarësia e vendit u njoh zyrtarisht nga bota.

Në vlerësimin e Konicës  për Presidentin Wilson:”Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë  Wilsonit një monument në zemrat e tyre” e bën të  lidhur shpirtërisjt në  kujtesën gjithë shqiptare.

Shqiptarët ashtu vepruan, me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, në nderim të  mbrojtësit  të Shqiptarëve, ngritën në qendër të Tiranës, në sheshin Wilson, Përmendoren  e Udhëheqësit  të Paqës botërore,  që sipas vlerësimit  të Nolit :”Një  lis i Madh në të cilin kombet e vogla kanë ndërtuar  foletë”. Filozofia e Nobelistit  të Paqës,Wilson, mund të përcaktohet  me fjalët e tij “Parimi i drejtësisë  për gjithë popujt e shtetet dhe  e drejta e tyre për të jetuar  në marredhënie  të lirisë me njeri tjetrin,qofshin të fortë e të dobët” Prandaj, shtatorja e ngritur,  në nderim të Tij,  nuk është një dekor, por  një zë që do të dëgjohet  dhe do  të na drejtojë  me dorën lart përpara, për të mbrojtur,lirinë, pavarësinë, demokracinë, barazinë për të drejtat njerëzore dhe për integritet  në Europën e Bashkuar.  Ashtu siç treguam ne dhe gjithë popujt e shtypur  mirënjohje dhe respekt për humanistin shpresëdhënës,  Wilson, po atë  konsideratë dhe krenari shpreh Lideri amerikan, për Giuzeppe   Mazzini, projektuesi i Europës së Bashkuar. Kur ishte  në Europë në Konferencën  e  Paqës,Wison vizitoi  në Gjenovë Monumentin e ideologut  tij ,Giuzeppe Mazzini ,ku shprehu ndjenjat e tij më të sinqerta  ” I stand in the  presence   of this monument  and bring  my greetings and the greetings  of  America with our homage to great Mazzini.” (Unë qëndroj  në prani të këtij monumenti  dhe i sjell përshëndetjet e mija  dhe përshëndetjet e Amerikës  me homazhin tonë ndaj Mazzinit të  Madh” “We have studied  the life  of Mazzini  as much pride  as we  shared  in the glory of history” (Ne kemi studiuar jetën e Mazzinit me shumë krenari, ashtu siç e  kemi mësuar në  historinë  e lavdishme ) Busti i Mazzinit,në Central Park,Manhattan,rrezaton edhe sot me ide  progresive  me  mbishkrimin : “DIO E IL  POPOLO” dhe  “PENSIERO E  AZIONE” (Mendim e Veprim )Kjo ideologji nuk mbeti e izoluar në  disa ndivid, por  u  përthith nga shumë lider të botës për të zgjidhur probleme   kardinale.Për shqiptarët pati ndikim thelbësor sepse,principet  bazë të  kësaj  filozofie ishin me organizue një shoqëri politike të re, të bashkuar, të lirë me  të drejtat gjinore, indipendente, me sistem republikan.  Duke qenë bashkohës i Marksit, Mazzini hodhi poshtë doktrinën marksiste të luftës së klasave, duke i dhënë përparësi bashkimit klasor në sistemin republikan. Ai thotë për Marksin se është sundimtari absolut i partisë, padyshim, ai bën gjithçka për vete, ai është i vetmi që jep urdhëra dhe nuk toleron asnjë kundërshtim.  Ai e përshkruan Marksin me një shpirt destruktiv, zemra  e të cilit  është mbushur më shumë me urrejtje se sa  me dashuri për njerëzit ( Mazzini dhe Marks : thoughts  upon demokracy in Europe) Pikëpamjet e Mazzinit  dhe pikëpamjet fetare janë të lidhura ngushtë në një besim të perbashkët:  liri, barazi, unitet, demokraci, arsim të papolitizuar, ku bazën morale të një vendi e përbën fryma patriotike kombëtare.  Shprehja  profetike  e Mazzini-t : “Patriotizmi  si një detyrë dhe dashuria për Atdhe si një mision hyjnor ” i jep prioritet bashkimit nacional ku  Zoti i ka përcaktue kufijtë natyral të një kombi.”God has marked the natural borders of the natioi.Por si nacionalist republikan ishte  një kampion i drejtimit intelektual të lëvizjes “Risorgimento” për bashkimin e Italisë dhe që e shikon hartën politike të Europës  mbi bazën e dy principeve: Demokraci dhe Vetëvendosje, sipas nacionaliteteve. Sot, harta e Bashkimit Europian  dhe lidhja e kombeve janë ideuar nga Mazzini,  si një vazhdim logjik i bashkimit italian, të realizuar jo vetem nga idetë, por edhe nga aksionet me Garibaldin në krye. Me këte dakortësi  Wilson shprehet  për  vazhdimësi:”Fjalët e profetit  dhe liderit tuaj shpresoj të mbillen thellë në zemrat e bashkatdhetarëve te mi.”                                                       Idetë  progresive  që gjenerojnë  ide  të reja  janë  të  pavdekshme. Një  krenari  shqiptare, Elena Gjika, gruaja  më e ditur  e kohëve moderne, kishte  ide të përbashkëta  me Mazzinin. Ajo ishte vlerësuar nga Mazzini dhe Garibaldi,  sepse kishte mbështetur  gjithmonë  vlerën e demokracisë në mbrojtje të të shtypurve,të lirisë së popujve të ballkanit, për të hedhur bazat  për ndërtimin  e një   EUROPE  TË  POPUJVE,  e cila të tejkalonte  Europën  e shteteve.Ajo, do të tregonte  historinë  e Shqipërisë  nga pushtimet e huaja, sulltanët ,serbët dhe do të ngrinte çështjen e Çamërisë …… “Me që bashkatdhetarët e Skenderbeut, janë pellazg, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur  Pellazge i është dashur të mbrojë vendin e të parëve të saj,  jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllav. Serb Dushani  i ka rrëmbyer Shqipërisë  më shumë krahina se padishahu  i Stambollit .”Elena Gjika,si mazzinianët, edhe  ajo na këshillon, të nxjerrim mësime nga historia që të kemi një Rilindje kulturore, letrare, politike mbi bazën e unitetit intelektual, shkencor e moral, dhe  duke ngritur lart emancipimin e femrës  “.Detyra më e ngutshme është përhapja e arsimit në gjuhën shqipe për të realizuar  Bashkimin Kombëtar. Shkodrani i përmendur, Pashko Vasa,veprimtar i Rilindjes Kombëtare,i frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë,Mazzini dhe Garibaldi mori pjesë  përkrah popullsisë  kryengritëse,  si revolucionar i Risorgimentos,në Mestre të Italisë, e rrethuar nga austriakët 1847.Por ajo  që  e  bashkon në ide si mazzinian, është apeli i Pashko Vasës:” Feja e Shqyptarit asht  Shqyptaria “,  e  cila shkonte në  të njëjtën linjë   me ate që propagandonte Giuzzepe Mazzini. Këto ide ishin të rëndësishme në aspektin religjioz, sepse Shqipëria me tri fe të ndryshme e kishte të vështirë  të zgjohej me një fe të përbashkët , por per fat të mirë e përballoi   me krenari, pa asnjë  kundërshtim duke i dhënë prioritet SHQIPTARISË dhe duke mbetur edhe sot modeli më i mirë  i tolerancës fetare. Ishte Shkodra  e para, me këte ndikim,që në vitin  1905, ku  u dukën disa  organizime, si “komuna  sociale.”Këte ndikim e dëshmon Nikollë Ivanaj në gazetën e tij “Shpresa e Shqypnisë “të cilën e botonte në  Raguzë,në një artikull  të Nëntorit 1905 ,nr.41. Ai në atë kohë bënte pjesë në organizatën  ilegale mazziniane në Itali. Ky ndikim u pasua edhe  nga vëllezërit Ivanaj, Martin e Mirash, të cilët i shpalosen  idetë mazziniane që në numrin e parë të gazetës “Republika ” me 24 tetor 1923  në Shkodër. Ishte hera e parë që në Shqipëri dëgjohej termi Republikë  e cila shënonte fillimin e një  lëvizje që rridhte nga idetë demokratike për një trajtë rregjimi jo vetëm  të një ose disa njerëzve ,por të të gjithë klasave që përbëjnë një shtet,me divizën të huazuar nga Mazzini. Republikë,sipas Ivanajve, do të thoshte :”kombëtari e papersonalizuar në një njeri, do të thoshte atdhedashuri   jo e personalizuar në një sekt, apo në një krahinë,do të thoshte  atdhedashuri që  nuk përulet përpara armikut,  atdhedashuri që nuk shitet , atdhedashuri, ku mësohet si mund të  luftohet  për liri,  atdhedashuri  që kërkon të vdesësh  për atdhe në fushën e betejes”

Janë pafund mendimet pozitive të njerëzve  të dijës  dhe të aksionit, atëhere edhe sot. Ata duhet të njihen nga brezi i ri, sepse janë nxitje për  veprim .Njerëzit  e urtë të Shqipërisë dhe miqtë e saj, duhet të japin  kontributin e tyre  më të fuqishëm, për të bashkuar popujt e Ballkanit  me familjen e vet, ku të gëzojnë  së bashku, kufijtë  e tyre natyral  që të mos  përmendet  më “Ballkani  Fuçi Baroti”.  Le të jetë shembulli  i Presidentit  Wilson, udhërrëfyesi   i tyre si  dhe thënia profetike e Mazzinit:  “Patriotizmi si një detyrë  dhe dashuria për Atdhe  si një mision Hyjnor”!

Filed Under: Histori Tagged With: Flamurtar i Paqes, Pertefe Leka, Woodrow WILSON?

RREZIQET E LIDHJES ME MOSKЁN

September 3, 2018 by dgreca

Nga Angelo Panebianco/ “Corriere della Sera”/

Perktheu per Diellin:Eugjen Merlika/

Njё 18 prill 1948 i pёrmbysur? Hakmarrja e Lindjes mbi Perёndimin? Ndoshta votimet e 4 marsit tё kёtij viti mund tё quhen e barazvlefshmja – me pasoja tё kundёrta – e zgjedhjeve tё shtatёdhjetё viteve mё parё. Mё 18 prill 1948 u vendos ajo qё kishte mbetur pezull qё nga dita e Ҫlirimit: pёrkatёsia jonё ndёrkombёtare. Italia u ngul nё Perёndim (pasoi hyrja nё  Paktin atllantik, nё vazhdim pjesёmarrja nё proçesin e integrimit evropian). U hodh poshtё nga zgjedhёsit pёrpjekja e Partisё komuniste pёr t’a mbёrthyer Vendin nё Lindje, pёr tё zhvendosur Italinё nё zonёn e ndikimit tё BRSS, varianti ruso-bolshevik i despotizmit aziatik. Nё anё tё pёrmbysura sot Italia duket se ka arritur nё pikёn e vёnies nё diskutim tё zgjedhjes pro Perёndimore tё 1948, duket e gatёshme tё niset drejt limanesh mё lindore (Rusia ёshtё nё kapёrcyell mes Evropёs dhe Azisё), duket e gatёshme tё pёrcaktojё pёrsёri pёrkatёsinё e saj ndёrkombёtare.

Ndoshta ёshtё e gabuar tё flitet pёr “sovranizёm”, ndoshta “orientalizёm” do tё ishte termi mё i pёrshtatёshёm pёr tё pёrshkruar zgjedhjet e mundёshme ndёrkombёtare tё kёsaj qeverie. Natyrisht ka njё ndryshim tё madh ndёrmjet 4 marsit 2018 dhe 18 prillit 1948: nuk ёshtё mё bipolarizmi, dhe nё Shtёpinё e Bardhё ulet njё zotёri, pёr tё cilin ndoshta nuk do tё pёrbёnte njё dramё çmontimi i  mundshёm i sistemit tё aleancave perёndimore.

Nё njё botё shumё mё tё çoroditur, kёtё herё zgjedhёsit (nё ndryshim me atёherё) nuk kishin ide tё qarta mbi ndёrlikimet ndёrkombёtare tё zgjedhjeve tё tyre tё votёs. Faleminderit Qiellit e ardhmja ёshtё ende e hapur, nuk ёshtё shkruar e ndoshta nuk do tё ndodhё ajo sё cilёs i tremben shumё njerёz. Por tё hamendёsosh mё tё keqen, kur mё e keqja ёshtё ё mundёshme, mund tё ndihmojё pёr tё kёrkuar mjetet pёr t’a shmangur. “Mё e keqja” duket se lajmёrohet nga lёvizjet e Di Maios dhe Salvinit qё ndihen tё sigurtё nё vetvete nga sondazhet e favorshme por edhe nga mungesa e njё opozite tё vёrtetё. Ata pregatitin çastin nё tё cilin tё parafolurat e vazhdueshme dhe aspak patёkeq tё ministrit Paolo Savona (pёrfshirё dhe tё fundit qё ka tё bёjё me rolin e mundshёm tё Rusisё, sa i pёrket borxhit tonё) tё kthehen nё realitet.

Nё kёtё rast, orientalizёm do tё thotё shtetёzim sa mё shumё tё jetё e mundur i ekonomisё dhe shtypje monedhe pёr tё financuar premtimet zgjedhore verdh-jeshile, prishje me Evropёn dhe kёrkim i njё shtrati mё mikpritёs se ai perёndimori, shtrati rus pikёrisht. Aleanca me grupin e Vishegradit duket se ёshtё njё etapё e ndёrmjetme, shёrben pёr tё vendosur njё urё, mbas pёrshkimit tё sё cilёs mund tё arrihet nё njё ripozicionim tё plotё ndёrkombёtar tё Italisё.

Tё quash mosbesimin e tregjeve si njё pёrbetim tё pushteteve tё fuqishme (Salvini), tё krijosh njё proçes mbi Evropёn si ai i hapur nga Di Maio, tё hysh nё kundёrshti me Makronin (Salvini), janё lёvizje qё duket se pregatisin orёn e njё ndarjeje mё tё gjёrё. Sё pari nga Evropa. Nёse do tё arrijё çasti ynё “grek” (siç ka shkruar Paolo Mieli nё kёtё tё pёrditёshme, nё pёshtjellimin mund tё pёrfundojmё nё vjeshtё) do tё jetё e lehtё t’i vishet kjo gjё jo politikёs sё qeverisё por armiqve tё jashtёm, Evropёs, financёs ndёrkombёtare, etj. Deri sa nё njё mёngjez tё bukur tё zbulojmё se, gjatё natёs, kemi dalё nga euro. Pasojat shkatёrrimtare qё ajo do tё ketё mbi italianёt, mbi kursimet e tyre, mbi cilёsinё e jetёs sё tyre, do t’i vishen intrigave tё fuqive tё liga e tё errta.

Thёnё me respekt, tё mbёshtetet gjithshka nё arsyetueshmёrinё e ministrit tё ekonomisё Tria, duket njё gjё tё dёshpёruarish. Tё kujton njёrin qё, i rёnё nga kati i nёntё dhe i mbrritur si njё plumb nё lartёsinё e tё parit, kapet mbas fillit tё teshave tё ndera. Ёshtё e mundёshme qё dy ministrat e paangazhuar tё kёsaj qeverie, Tria dhe ministri i Jashtёm Moavero, tё kthehen shpejt nё histori e tё zёvendёsohen nga ekzekutues mё tё dёgjueshёm. Siç tregoi rasti i Che Guevarёs nё çastin e krijimit tё tё parit ekzekutiv kastrist nё Kubё, nuk ka asnjё nevojё kompetencash pёr tё bёrё ministrin e ekonomisё nё njё qeveri revolucionare.

Natyrisht thyerja e ngulitjes evropiane do tё ishte i pari i njё sёre hapash. Mё pas do tё vinte dobёsimi i lidhjeve me Naton dhe hyrja nё zonёn e ndikimit rus. Siç ka shkruar Mario Monti (Corriere, 27 gusht), e gjithё kjo do tё ndodhte pa asnjё rrahje mendimesh mё parё nё Vend. Do tё rridhnin pasoja edhe pёr politikёn tonё nё Lindjen e mesme: psh. rrjeshtim kundёrizraelian, lidhje tё ngushta me Iranin (Vёnd aleat i rusёve). Nё kllapa, ka qёnё largpamёs ai qё vendosi tё ftojё pёrfaqёsues tё regjimit iranian, dalzotёs i njohur i lirisё sё mendimit e tё fjalёs, nё sallonin e Librit tё Torinos: ёshtё arti i tё qёnit i rrjeshtuar dhe i mbuluar, askush nuk din t’a ushtrojё mё mirё se njё farё intelektualёsh.

Kush mendon se nё njё prani tё njё skenari tё tillё mёnxyror, italianёt do t’i pёrzinin qeveritarёt e sotёm, ndoshta gёnjen vetveten. Me njё opozitё pa nerv, qё sot ёshtё e aftё vetёm t’i lehё hёnёs, verdh-jeshilёt ka mundёsi tё fitojnё pёrsёri. Ashtu sikurse nё njё Venezuelё tё katandisur nё uri vazhdojnё tё fitojnё zgjedhjet pёrgjegjёsit e asaj gjёme.

Pёrveç kёshillёs, me shaka por jo shumё, drejtuar gjithё atyre qё nuk kanё simpati pёr qeveritarёt rusё, qё tё mos pranojnё kurrё karamele nga tё panjohur (mund tё jenё me polonium), problemi me tё vёrtetё i rёndё ka tё bёjё me tё rinjtё: çfarё perspektive do tё kishin tё rinjtё cilёsorё, ata qё nuk janё t’interesuar tё bёhen me shpёrblim shtetёsie apo diçka tjetёr, tё varfёrit, klientёt e trishtuar tё njё Shteti nё rrёnim?

Kushedi, ndoshta sё fundi do tё tremben, nuk do tё kenё guximin tё zbatojnё recetat ekonomike “venezueliane”, tё propozuara nga disa kёshilltarё tё tyre. Ndofta Tria dhe Moavero do tё qёndrojnё nё vendet e tyre. Mbi tё gjitha, nuk do tё jetё e lehtё tё kalohet aftёsia shumё mё e fuqishme e qёndresёs sё Presidentit tё Republikёs. Edhe se, siç e kemi parё, ёshtё dikush i aftё tё propozojё vёnien nё gjёndje padije tё Presidentit tё Republikёs me tё njёjtёn lehtёsi me tё cilёn porosit njё kafe.

Deri sa sondazhet do tё vazhdojnё t’u japin arsye ata do tё ngulmojnё. Por asgjё nuk ёshtё e pёrjetёshme. Era mund tё ndryshojё.

“Corriere della Sera”, 1 shtator 2018     E pёrktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: E LIDHJES ME MOSKЁN, Eugen Merlika, RREZIQET

MARTIRIZIMI I HESHTUR I NЁNЁ TEREZЁS

September 3, 2018 by dgreca

1 Nene Terza EugenNga Eugjen Merlika/Kaluan dy vjet nga shёnjtёrimi I Nёnё Terezёs, nga dita kur Papa Françesku shpalli shёnjtore tё parёn grua tё lindur nё kombin shqiptar. Duke sjellё ndёr mёnd atё ditё tё madhe pёr Shqipёrinё, mendimi shkon tek anakronizmi qё karakterizoi marrёdhёniet e kёsaj Bije fisnike me shtetin e tё parёve tё saj. E lindur nё Shkup, qyteti i pestё pёrsa i pёrket popullsisё (15.000 banorё) nё Shqipёrinё osmane, mё 1910, Anjeze Gonxhe Bojaxhiu mbeti pa baba nё moshёn nёntё vjeçe. Ajo u rrit sё bashku me vёllain Lazёr dhe motrёn Age, nёn kujdesin e nёnёs sё saj, Drane, njё grua fisnike dhe e fortё, e mbruajtur me parime familjare, fetare e qytetare tё palёkundёshme. Kjo grua e rrallё pёr nga karakteri, kur Gonxheja mbushi 18 vjeç, u vu para njё kёrkese e cila e bёri tё mendohej 24 orё. Vajza e re kishte vendosur nё zemrёn e mёndjen e saj t’i kushtonte jetёn e saj Jezu Krishtit dhe Shёn Mёrisё. Nёna qё e kishte ushqyer vetё tё bijёn me besimin e krishterё, edhe se do tё kishte dashur t’a kishte gjithonё pranё vetes mё tё voglёn e fёmijёve, e pranoi lutjen e saj me kёto fjalё : “Shko, bija ime. Vere dorёn tёnde n’atё tё Jezuit e shih pёrpara. Kujtohu gjithmonё se po na le pёr tё varfёrit. Mos e kthe kryet mbrapa, gjithmonё pёrpara.” Ishte njё vendim qё nёna Drane e pagoi shumё shtrenjtё, sepse pёrcjellja e bijёs nё stacionin e Zagrebit, mё 28 tetor 1928, do tё mbetej nё kujtesёn e saj deri sa pati jetё, sepse vogёlushen e saj imcake nuk e takoi mё kurrё. Askush, asnjё frymor nuk mund parashihte atёherё njё dramё tё tillё, por shekulli i njёzetё, me ardhjen e komunizmit nё planet, qe mjaft dorёlёshuar n’tё drejtim, nё ndarjen e njerёzve, deri nё ditёt tona kur nё Kore po takohen nёnat me bijtё mbas 65 vitesh…

Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, duke kujtuar ata çaste shkruan: “18 vjeç vendosa tё le shtёpinёtime. Qё atёherё nuk kam patur asnjёherё dyshimin mё tё vogёl se mos kam gabuar. Ishte vullneti i Zotit: zgjedhjen e bёnte Ai. Hyra nё murgeshat e Loretos. Nё Loreto isha murgesha mё e lumtur e botёs.” Nё vitin 1937 u shugurua murgeshё e mori emrin Tereza. Vazhdoi veprimtarinё e saj, kryesisht mёsimdhёnёse, nё njё shkollё tё St. Mary High Scool, nё tё cilёn studjonin bijtё e bijat e kolonёve anglezё. Thuhet se ditёn e parё tё mёsimit e filloi duke larё dyshemetё e shkollёs e se gjatё mёsimit i linte dritaret hapur, qё nxёnёsit e saj tё shihnin poshtё mjerimin e Kalkutёs.

10 shtatori 1946, nё njё natё tё paharruar kontakti me Shёn Mёrinё dhe Jezusin, ndryshoi jetёn e saj me njё vendim tё befasishёm e befasues: hiqte dorё nga mёsimdhёnia e dilte mes tё braktisurve tё Kalkutёs, pёr t’i u gjendur pranё atyre nё çdo çast tё jetёs. Zhvillimet e mёtejshme janё tё njohura e, nё sajё tё pёrkushtimit tё saj tё jashtёzakonshёm pёr shёrbimin kundrejt tё varfёrve tё Kalkutёs, Nёnё Tereza u bё njёri nga personazhet mё tё njohur e tё respektuar tё botёs. Por kёsaj fame botёrore, nё Vendin e saj, tashmё nё Shqipёrinё komuniste, ku banonin nёna Drane dhe motra Age, emri i saj ishte i njohur vetёm pёr agjentёt e Sigurimit tё shtetit. Shqipёria zyrtare kishte ngritur njё mur tё lartё heshtjeje e mospёrfilljeje kundrejt emrit dhe veprёs sё murgeshёs legjendare tё Kalkutёs. Fama e saj si e zgjedhura e Krishtit e zbatuese e mёsimeve tё tij nё shёrbimin mes tё vobektёve tё botёs, nuk i shkonte pёr shtat njё regjimi kriminal qё projektonte luftёn e paprerё kundёr besimeve fetare, nё veçanti atij tё krishterё.

Nёnё Tereza gjatё gjithё atyre viteve kishte shkёmbyer letra me familjaret e largёta, qё kishin mbetur nё Shqipёri, ndёrsa i vёllai gjёndej nё Palermo tё Siqilisё. E zotuar plotёsisht nё misionin e saj sublim nё Kalkutёn e largёt, Nёnё Tereza nuk ishte plotёsisht e njoftuar mbi ndryshimet qё kishte pёsuar atdheu i saj mbas luftёs sё Dytё botёrore dhe mbi kushtet nё tё cilёt jetonin nёna dhe motra e saj. Mё 1960, pёr herё tё parё la Hindinё dhe erdhi nё Evropё. Zbriti nё aeroportin e Romёs ku u takua me vёllane dhe bijёn e tij. Kishin kaluar 32 vite qё nga ndarja e fundit e takimi qe shumё i pёrmallshёm me vёllanё dhe mbesёn Age, qё kishte marrё emrin e hallёs sё panjohur. Pёr atё takim po sjell kёtu njё fragment nga njё intervistё e asaj gruaje, Age Bojaxhiut, dhёnё gazetarit tё ndjerё Paolo Scarano, pёr numurin 39, tё 30 shtatorit 1997, tё sё pёrjavёshmes GENTE, e tё ribotuar nga po ajo revistё nё shtator 2016, nё njё numur tё posaçёm kushtuar Nёnё Terezёs:

“… Babai foli shpejt pёr nёnёn dhe motrёn Age. Duhet tё bёjmё diçka pёr t’i nxjerrё nga Tirana.”i tha Nёnё Terezёs. “Besoj se mund t’a bёjmё” i u pёrgjigj ajo, duke e inkurajuar. “Kam miq shumё tё rёndёsishёm, tё shpёrndarё nёpёr botё, qё mund tё na ndihmojnё” i u rrёfye ajo…

Qё atёherё halla u vu nё lёvizje, duke pyetur pёrfaqёsues tё diplomacisё ndёrkombёtare. Pikёrisht n’ato ditё ajo shkoi nё ambasadёn shqiptare nё Romё, ku gjeti njё mur moskuptimi. Edhe mbasi la Romёn halla ime vazhdoi ndёrmjetёsinё e brishtё pёr t’i kthyer lirinё nёnёs e motrёs sё saj…

Ҫёshtja e Nёnё Terezёs dhe babait Lazёr kishte prekur zemrat e tё mёdhenjve tё botёs. Personalitete si Sekretari birman i Kombeve tё Bashkuara, U-Thant, presidenti francez Charles de Gaulle, presidenti amerikan John Kennedy, kryeministreja indiane Indira Gandhi, por as ata nuk arritёn tё shkundin autoritetet e Tiranёs. Koha kalonte dhe shpresat pakёsoheshin…

Njё ditё babai mori njё mesazh sfilitёs nga gjyshja. I drejtohej edhe hallёs time, Nёnё Terezёs. Nga ajo letёr mёsuam se ajo dhe halla Age ishin tё sёmura: i vetmi nder qё i kёrkojmё Zotit – shkruhej – ёshtё ai qё tё mund t’u pёrqafojmё. Tashmё ishte kthyer nё njё vrapim kundёr kohёs. Halla arriti tё sigurojё ndёrhyrjen e ministrit tё Jashtёm francez, Couve de Murville, qё kishte njohje shumё tё mira nё Kinёn popullore tё Mao Tse – tungut. De Murville mori nga Tirana njё pёrgjigje çarmatosёse…”

Deri kёtu ёshtё dёshmia e mbesёs sё Nёnё Terezёs. Nё tё njёjtёn ditё qё Maurice Couve de Murville thirri ambasadorin shqiptar, duke i u lutur t’i pёrcillte udhёheqёsit Hoxha kёrkesёn, edhe n’emёr tё gjeneralit De Gaulle e tё Jacqueline Kennedy-t, drejtuesi mё i lartё i Shqipёrisё thirri shpejt ministrin e Mbrёndshёm dhe i kёrkoi tё dhёna mbi Nёnё Terezёn dhe familjaret e saj nё Tiranё, pёrfshirё kёtu edhe tё gjithё njerёzit qё shkonin t’i shihnin dy gratё e shkreta. Pёr Nёnё Terezёn ministri foli si pёr njё “agjente tё rrezikёshme” qё “pёrdorej nga Gjon Pali II pёr veprimtari propagandistike kundёr Vendit tonё”, qё ishte njё “armike e jona”, e cila “duhej tё mbikqyrej edhe nё Hindinё e largёt, sepse kёrcёnonte lirinё e Shqipёrisё”. Ministrit tё Jashtёm francez i u pёrgjigjёn se “dy gratё nuk ishin nё gjёndje tё udhёtonin”, njё gёnjeshtёr e madhe sa njё mal.

Kur murgesha e madhe shtatshkurtёr e kuptoi se ishte e pamundur tё vinin nё Itali nёna dhe motra e saj, i kёrkoi vizёn konsullatёs shqiptare nё Romё, pёr tё shkuar ajo nё Shqipёri. Nuk pati asnjё pёrgjigje. Atёherё, me kёrkesёn e Vatikanit, u krye njё ndёrhyrje nga ministria e Jashtwme italiane, me njё letёr tё Drejtorit tё pёrgjithshёm tё Ҫёshtjeve politike. Ky i fundit u thirr nga ambasadori shqiptar qё i pёrcolli kёtё pёrgjgje: “Plaka nuk mund tё largohej nga Shqipёria pёr kura mjekёsore, mbasi niveli i spitaleve atje ishte i shkёlqyer. I biri dhe e bija, qё jetonin jashtё, duhej t’a kishin marrё parasysh mallin pёr nёnёn, kur u larguan nga Vendi dhe e braktisёn atё.”

Qe njё pёrgjigje e turpёshme dhe poshtёruese, mё tepёr pёr atё qё e jepte, pjellё e njё cinizmi skajor tё komunistёve shqiptarё, por edhe e njё padije tё plotё mbi çёshtjen pёr tё cilёn jepnin vendimin, mbasi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ishte larguar nga Evropa pёr nё Hindi qё mё 1928. Sigurisht ka qёnё njё pёrgjigje e urdhёruar shprehimisht nga udhёheqja “e ndritur” e Tiranёs zyrtare, njё pёrgjigje qё i vinte njё njollё tё zezё jo vetёm regjimit, por edhe popullit qё pёrfaqёsonte ai regjim, pёr tё cilin sentimentalizmi ishte njё “sёmundje borgjeze” pёr t’u luftuar.

Tregon mbesa: “Nё jetё”, i tha Nёnё Tereza tё vёllait, “kam arritur tё kem, nёpёrmjet dashurisё, gjithshka qё kam kёrkuar. Fatkeqёsisht nё kёtё rast ka pengesa, tё cilat dashuria nuk ёshtё e aftё t’i rrёzojё.” Ishin pengesat e muret e ideologjisё staliniste shqiptare qё e quante besimin fetar njё “opium pёr popullin”, dhe tё urrejtjes qё vetё regjimi ushqente paprerё kundrejt atyre shqiptarёve qё nuk i nёnёshtroheshin diktaturёs sё tij e qё jetonin jashtё Shqipёrisё. Ishte ajo ideologji dhe ajo urrejtje nё bazёn e mospёrfilljes sё plotё dhe tё heshtjes sё paepur qё mbёshtillte emrin e Saj, nё shtetin socialist shqiptar, duke e kthyer nё njё tё panjohur tё pёrsosur, edhe kur bota e mbulonte me çmime dhe diploma “honoris causa”.

Atёherё Nёnё Tereza shkoi vetё tё takonte tё ngarkuarin me punё tё ambasadёs shqiptare e doli me lot nё sy nga ai takim. Njёri nga biografёt e saj, ipeshkvi kosovar Don Lush Gjergji, qё e shoqёroi deri nё derёn e pёrfaqёsisё diplomatike dhe e priti kur ajo doli qё andej, shkruan nё librin e tij “Nёnё Tereza e jonё”: “Pёr herё tё parё pashё lotё nё sytё e saj. I drejtoi sytё nga qielli dhe tha: “O Zot, un e kuptoj dhe e pranoj kёtё vuajtje pёr veten time, por ёshtё shumё e vёshtirё t’a pranoj e t’a kuptoj pёr nёnёn time e cila, nё pleqёrinё e shtyrё nuk dёshiron tjetёr, veçse tё mё shohё pёr tё fundit herё”. Ёshtё shumё e hidhur dhe trishtuese ajo thirrje dhimbjeje, e dalё nga loçka e zemrёs sё murgeshёs mё tё njohur tё globit, qё mundohej çdo ditё tё lehtёsonte dhimbjet fizike e shpirtёrore tё tё varfёrve, tё sёmurёve e tё mjerёve tё gjithё kontinenteve, por qё duhej tё vuante nё heshtje pёr nёnёn e saj, tё cilёn nuk mund t’a shihte pёr tё fundit herё. Kjo ndodhte, jo thjesht pёr njё veprim burokratik tё ndonjё nёpunёsi tё pandёrgjegjshёm, por pёr njё vendim tё drejtuesve mё tё lartё tё njё regjimi çnjerёzor e kriminal, qё ngjasonin mё shumё me hienat e etura pёr gjak se sa me qёnie njerёzore.

Populli ynё ka patur nё tё shkuarёn drejtues, tё cilёt kanё shfaqur burrёrinё e guximin tё shpёtonin qindra jetё hebrenjsh, gjatё luftёs sё Dytё botёrore, edhe duke qёnё nёn pushtimin nazist. Drejtuesit komunistё tё kohёs sё socializmit janё bёrё zёdhёnёs tё njё turpi kombёtar, duke i mohuar njё bije tё tokёs sё tyre tё takonte nёnёn e saj para se tё vdiste, vetёm e vetёm se ajo ishte njё murgeshё katolike, edhe se kampione botёrore e bamirёsisё tё shekullit tё saj. Sot e kёsaj dite ky akt barbar lihet nё heshtje, ligjёrohet nё heshtje. Nё poshtёrsinё e tyre askush nuk ka ndershmёrinё tё kёrkojё falje, pёr sfilitjen shpirtёrore qё i shkaktuan shenjtёreshёs shqiptare.

E nёnёshtruar pamundёsisё tё takonte nёnёn dhe motrёn, Ajo u shkruajti atyre: “Nuk mund tё bёj gjё tjetёr pёr ju, veçse tё lutem!” Mbas pak kohёsh mёsoi lajmin e ndёrrimit jetё tё nёnёs e mbas dy vitesh dhe atё tё motrёs. “Kishin vdekur mё shumё nga vetmia se sa nga sёmundja.”, shprehet Age Bojaxhiu nё intervistёn e saj. Nёnё Tereza mori fotografinё e fundit tё nёnёs me kushtimin: “Gonxhe, nёna jote tё puth”. Vuri njё gur nё zemёr e nuk foli mё kurrё pёr atё realitet tё hidhur. Murgesha shqiptare, e vogёl nga trupi, por e madhe nga shprti e mёndja, vazhdoi veprёn e saj tё bamirёsisё nё tё gjithё botёn, madje duke mundur tё depёrtojё me Misionaret e saj tё Bamirёsisё edhe nё BRSS apo nё Kubёn komuniste tё Fidel Kastros. Nё sajё tё asaj pune titanike, tё pashembullt nё historinё e botёs, Ajo fitoi respektin dhe dashurinё e njerёzve, nga mё i pёrvuajturi i tё varfёrve deri tek pasuesit e Shёn Pjetrit nё Selinё e Shenjtё, nga shoqёritё civile tё Vendeve tё ndryshme deri tek pёrfaqёsuesit mё tё lartё tё politikёs dhe institucioneve botёrore.

Megjithatё malli dhe dhimbja pёr Vendin e saj mbeteshin tё strukura nё njё qoshe tё heshtur tё zemrёs sё saj. E nxirrte atё mall nё takimet e rralla me bashkatdhetarё tё saj, si me Angela Muka Merlika, motra e Mustafa Krujёs, me tё cilёn komunikonte edhe ndёrmjet letrash. Por armiqёsia e shfaqur nga Vendi i saj zyrtar e plagoste nё thellёsi dhe e hidhёronte. Njё herё, mё 1986, nё Meksiko, me rastin e njё mbledhjeje botёrore tё FAO-s, deshi tё fliste me pёrfaqёsuesen shqiptare, ministren e Industrisё sё lehtё e tё ushqimit, zonjё Vito Kapo. I u afrua, i foli shqip, por zonja e lartё e regjimit, pёrpara murgeshёs sё imёt, tё veshur me tё famёshmin “sari”, u tregua skajshmёrisht e pacipё deri nё tё pabesueshmen, duke i u pёrgjigjur mbajtёses sё njё Ҫmimi Nobel pёr Paqen, se ajo “nuk kishte asgjё pёr t’i thёnё asaj” e duke e lёnё vetёm nё mes tё sheshit!!! A ishte kjo sjellje harbute frut i frikёs sё ministres, apo i bindjes sё saj komuniste nuk e dij dhe do tё isha shumё kurioz tё dinja nёse, nё vitet e mёpasme, gjatё vizitave tё Nёnё Terezёs nё Shqipёri, zonja Vito Kapo ёshtё munduar t’a takojё Atё e t’i kёrkojё tё falur pёr gjestin e saj tё urryer….

Ky qe, me pak fjalё, qёndrimi i Shqipёrisё komuniste kundrejt bijёs mё tё madhe tё historisё sё saj. Nga fundi i regjimit Asaj i u lejua vizita nё atdhe, pёr tё cilin ajo gjithmonё ka shpallur hapur origjinёn dhe pёrkatёsinё e saj, madje para gjithё botёs, nё fjalёn e mbajtur me rastin e ceremonisё sё dhёnies sё Ҫmimit Nobel. Shkoi tek varret e thjeshta tё nёnёs dhe motrёs, u lut mbi ta e vuri dy kryqe druri. U prit nga e veja e diktatorit dhe nga kryetari i shtetit, duke marrё prej tyre njё pёrgjigje mohuese tё prerё pёr kёrkesёn e saj rreth mundёsisё sё hapjes sё shtёpive tё Misionareve tё Bamirёsisё nё Shqipёri. Pёrgjigja u motivua me argumentin e rremё se nё Shqipёri nuk ekzistonte dukuria e varfёrisё. Qe njё argument krejtёsisht i paskrupull, po tё mbahet parasysh varfёria proverbiale e shqiptarёve nё fundin e viteve 80.

Shqipёria pas komuniste  i ktheu nderimin e pritjes vёllazёrore Nёnё Terezёs, duke njohur vlerat e pёrmasave botёrore tё veprёs sё Saj e duke e quajtur si pёrfaqёsuesen mё tё ndritur tё kombit nё botё. Nё shenjtёrimin e Saj nё Vatikan, mё 4 shtator 2016, morёn pjesё masivisht autoritetet shtetёrore e politike tё dy shteteve shqiptarё. Por edhe n’atё ditё madhёshtore pёr krishterimin dhe shqiptarёt, asnjё nuk pati kurajon tё thoshte dy fjalё pёr martirizimin e heshtur tё dikurshёm tё Nёnё Terezёs, pёr tё kёrkuar me gjithё zemёr falje para shpirtit, kujtimit e veprёs sё saj titanike. Edhe se drejtuesit e sotёm nuk janё pёrgjegjёs pёr barbarinё e paraardhёsve tё tyre, kёrkimi i faljes do tё ishte njё gjest fisnik e do tё dёshmonte dёnimin e asaj mizorie, veprim qё e hasim shumё rrallё, nё nivel zyrtar, nё jetёn e kёtyre viteve.    

Po e mbyll kёtё pёrsiatje tё dhimbёshme mbi Shenjtёreshёn e madhe, Shёn Nёnё Terezёn, me njё tjetёr fragment tё shkurtёr nga intervista e mbesёs Age : “Nuk shprehu kurrё ndonjё fjalё pezmatimi pёr atё ngjarje tё trishtuar. Pak, sepse nuk dёshironte tё fliste pёr politikёn. Por, mbi tё gjitha, sepse nё zemrёn e saj kishte falur ata qё i kishin shkaktuar atё dhimbje sfilitёse aq tё gjatё. E gjithё kjo, ndoshta, n’emёr t’atij virtuti heroik, pothuajse kurrё tё zbatuar nga qёniet njerёzore e qё quhet falje e dashuri”. Si bijё e zgjedhur e Jezu Krishtit, ajo nuk mund tё tregonte ndryshe shёnjtёrinё e saj, veçse  duke falur nё heshtje ata qё e kishin bёrё tё vuante gjatё nё heshtje. “Tё tjerat janё heshtje”, ishin fjalёt e fundit tё Princit tё Danimarkёs…

Shtator 2018

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Merlika, I NЁNЁ TEREZЁS, MARTIRIZIMI I HESHTUR

AT DONAT KURTI (3 SHTATOR 1903 – 11 NANDOR 1985)

September 3, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
1 Ate Donald

 At DONAT KURTI O.F.M.(1903 – 1983)/

ISHTE  DREJTORI I FUNDIT I GJIMNAZIT FRANÇESKAN “ILLYRICUM”…  

Ai ishte letrar, etnolog, folklorist, profesor, perkthyes, studjues i persosun i fjalorit frazeologjik të Gjuhës Shqipe dhe “fatkeqsisht”, Klerik Françeskan Shqiptar, predikues i formulës së pavdekshme “Fe e Atdhe”… Per të cilen “banin vdekjen si me lé !”

Fatkeqsisht ishte pragu i atyne ditve të zeza dhe të pafund që po u afroheshin, pra jemi pak ditë para 11 nandorit 1946 kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata.

Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, pikrisht kur forcat e sigurimit futen në oborrin e Gjimnazit, ky i sheh nga dritaria e zyres dhe merr çekiqin dhe kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve, kështu, edhe i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi.

Po, fatkeqsia vazhdon… At Donat Kurti me shokë nisen drejtë Kalvarit pafund…

Nga viti 1964 kur doli nga Burreli e erdhi në Shkoder e njoha… Kishe ndigjue se per Këte Frat një dijetar i njohun, Prof. Dr. Norbert Jokli, e kishte cilsue bash At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj Shqiptarë”… Edhe kjo një tjeter “fatkeqsi”…

Kisha e kuvende u shemben… U zhdukën edhe germallat e tyne… U sheshuen… Bashkë me ata u vodhën dhe u pervetsuen edhe veprat e Tyne. Hajdutët nuk i permenda sot…

Njëditë At Donat Kurti u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, në Zallin e Kirit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të Tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme …. të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri më 10 nandor 1983, që At Donati u bashkue me shokët e dashtun të vetët, Eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë per sa vite.

At Donat Kurti O.F.M., ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin një Frati fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, që u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: “VISARËT E KOMBIT” dhe “Fjalorin Frazeologjik me 45.000 fraza Shqipe”… Të gjitha “të mbulueme me pluhun”…

            Melbourne, 3 Shtator 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: Donat Kurti, drejtori i fundit, Fritz radovani, Gjimnazi Illirikum

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1286
  • 1287
  • 1288
  • 1289
  • 1290
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT