• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANTOLOGJIA E LIRISË

August 14, 2018 by dgreca

JETËSHKRIMI I ATYRE QË U BËNË PJESË E LIRISË/

1 Fadil

(Fadil Dervishaj, Kushtrim Dacaj, Antologjia e lirisë,Dëshmorëve të kombit dhe të                                                         1 Pllana         rënëve të fshtatit Irzniq, 1998-1999)/

Nga Prof. dr. Nusret Pllana-Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’/

Përkufizimi/

Në kujtesën tonë historike, atyre që kanë rënë në luftërat për liri, populli u ka kënduar këngë. Deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lexuesi shqiptar nuk kishte rast të lexonte për trimëritë, për rëniet, për sakrificën madhore që kishin bërë të parët tanë, kurdo që atdheu i kishte thirrur të mbrojnë tokat e tij.

Jo pse nuk kishte lexues, jo pse nuk ishte shkruar për luftëtarët e lirisë në të gjitha periudhat kohore kur është luftuar për atdhe. Por, se pushtuesi i tokave tona, kishte bërë çdo gjë vetëm të shlyhej kujtesa jonë historike.

Atëherë populli, ky popull i lashtë sa vetë koha, i ka përjetësuar në këngë. Andaj, kënga në jetën tonë ka qenë edhe shkollë e historisë së luftërave për lirinë e atdheut.

Hyrje

Libri që u kushtohet dëshmorëve dhe të rënëve për liri, cili do qoftë ai, ka vlerën e tij, qoftë edhe vetëm për faktin se përjetëson momente, pjesë të jetës, çaste që dëshmorët e kombit i ka bërë të pavdekshëm.

Autorët e librit, Antologjia e lirisë,Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, që u kushtohet Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve të fshatit Irzniq, në Luftën e madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë jetëshkrimin dhe përkushtimin, duke përjetësuar aktin e madhërishëm të rënies për lirinë e atdheut.

Si kudo në Kosovën e viteve të Luftesë së UÇK-së, edhe në fshatin Irzniq, kur i thirri liria, i madh e i vogël, pra edhe ata që ende nuk kishin mbushur moshën madhore, kishin shprehur vullnetin të bëheshin luftëtarë të lirisë. Sepse, e veçanta e Luftës së UÇK-së, e cila ishte luftë vullnetare, ishte se po dilte nga gjiri i popullit, nga bijtë dhe bijat më të mirë të tij, të cilët rruga jetësore e kësaj pjese të popullit shqiptar, që kur ishte pushtuar kjo pjesë e atdheut, i kishte mësuar se lirisë përherë i duhen vullnetar.

Duke shkruar për të dhënat e fshatit Irzniq, autorët kanë theksuar, kryesisht, gatishmërinë e banorëve të tij që të bëhen pjesë e ardhjes së lirisë.

Jetëshkrimi si dëshmi e historisë

Prandaj, qofshin vetëm të dhënat për gatishmërinë e banorëve të këtij fshati, qofshin vetëm të dhënat për numrin e atyre që ishin radhitur në radhët e luftës për liri dhe, në fund të fundit, qofshin edhe vetëm Dëshmorët e Kombit dhe të rënët e këtij fshati, në një mënyrë, apo në një tjetër, dëshmojnë për karakterin popullor të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Krijuesit e kësaj vepre me vlerë për kujtesën tonë historike, Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj kanë dhënë dëshmi të shumta për  dymbëdhjetë Dëshmorët e Kombit dhe për tetë të rënët e fshatit Irzniq.

Pas secilit jetëshkrim, kanë sjellë vargje ku janë përjetësuar me gjuhën e artit, jo vetëm jeta e tyre, por edhe akti i rënies për lirinë, jo vetëm gatishmëria e tyre që të sjellin armë për frontet e luftës, por edhe përpjekjet në përballje me armikun e kësaj pjese të atdheut tonë, Shqipërisë.

Në jetëshkrmin e Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për lirinë e Kosovës, që siç dihet që nga koha e copëtimit të saj nga trungu i atdheut, Shqipëria, që e kishte shpallur Ismail Qemali në Vlorë, më 1912, kishte përballuar të gjitha të zezat që pushtuesi sllav ushtronte mbi shqiptarët, deri edhe për përpjekjen për t’ia ndërruar përkatësinë fetare, deri edhe zbatimin e programeve  për zhdukjen e shqiptarëve.

Autorët e veprës, Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, nuk e kanë pagëzuar rastësisht Antologjia e lirisë. Në vepër, në secilin jetëshkrim, në secilën poezi që u kushtohet atyre, nxjerrë kokë gatishmëria e sakrificës për liri. Duke u radhitur në altarin e lirisë, që e kanë sjellë në jetën tonë, Dëshmorët e Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirmtare të Kosovës, andaj edhe Dëshmorët e Kombit të fshatit Irzniq, ata janë bërë pjesë e Antologjisë së lirisë sonë. Një gjetje e bukur dhe e qëlluar, që del në titullin e veprës, duke shpaluar vetëm të dhënat karakeristike të jetës së atyre që janë bërë pjesë e lirisë sonë.

Ideali i lirisë dhe Dëshmorët e Kombit

Duke lexuar këtë vepër del qartë gatshmëria e një fshati të tërë që të radhitet në luftën për liri. Duke lexuar me kujdes jetëshkrimin e Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri, lexuesi doemos do të hetojë se në mesin e tyre kishte edhe luftëtarë të njomë, që sa kishin mbushur tetëmbëdhjetë vjet, si

Berhon Dervishaj, që ishte lindur më 21 dhjetor të vitit 1980 dhe kishte rënë në altarin e lirisë  më 11 shtator të vitit 1998.  Aspak më të pjekur nuk ishin edhe Dëshmorët e Kombit, njëzet vjeçarët, Gëzim Shaban Dervishaj, që ishte lindur më 18 nëntor të vitit 1978 dhe kishte rënë për lirinë tonë  më 11 gusht të vitit 1998. Vetëm disa muaj më i vjetër ishte Dëshmori i parë i Njësisë speciale Shqiponjat e zeza, Altin Sadri Haskaj, që ishte lindur më 24 maj të vitit 1978 dhe kishte rënë më 3 qershor të vitit 1998, duke mbrojtur Vokshin e Sylejman Vokshit, Komandantit të Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,

As imagjinata e krijuesit më të mirë, nuk do të kishte arritur të krijonte rrafshe ngjashmërie të luftës për liri të disa brezave të shqiptarëve, në luftë herë kundër njërit, herë kundër pushtuesit tjetër, se sa lufta e Sylejman Vokshit dhe rënia në altarin e lirisë së Altin Haskajt duke dhënë jetën për idealin e lirisë.

Ky ideal i lirisë, shekullor në jetën historike të shqiptarëve, sidomos që nga koha e bashkimit të shqiptarëve me shpatën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sidomos që nga lufta kombëtar e e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte bërë pjesë edhe e gatishmërisë deri në sakrificë të Dëshmorëve të Kombit të fshatit Irzniq.

Përfundim

Jetëshkrimi i Dëshmorëve të Kombit dhe i të rënëve të fshatit Irzniq është vetëm njëra nga dëshmitë e shumta të heroizmit të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Qoftë vetëm për këtë fakt, qoftë vetëm për faktin e gatishmërisë që të sakrifikohen për lirinë e kësaj pjese të atdheut, ata janë bërë pjesë e kujtesës sonë historke, ata janë bërë pjesë e idealit tonë kombëtar, të cilit, thuajse pas një shekulli ia kishte prishur gjumin e jetës në robëri, Lufta e UÇK-së.

Prandaj, edhe jetëshkrimi i Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve të fshatit Irzniq, edhe poezitë që u kushtohen atyre e bëjnë veprën Antologjia e lirisë,të autorëve Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, një dëshmi burimore të organizimit, të qëndresës, të luftës dhe të rënies së tyre në altarin e lirisë të pjesës së pushtuar të atdheut tonë.

Prishtinë, 11 Gusht 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Antologjia e Lirise, Nusret pllana

Drama e të ikurve, atdheu …kjo dashni e shumfishtë!

August 14, 2018 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

1Marjana-Bulku“Zogj të bukur këndojnë me hare,/
Po zëmra do më plasë mua në gji./
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe:/
Mërzitem në katund, në vetëmi./

Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti,/
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit,
Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë.

Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron
Që ne turku na la pa Mëmëdhe…

Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,
Por fryn era dhe akulli më zë,
Se ç’ka qenë Arbëreshi po harron:

Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e fle.”

Vargjet e Serembes përtej mallit poetik përcjellin dramën e shumfishtë të shqiptarit mërgimtar. Kur syri i lexuesit të kuptojë dramën e tij , të ndjejë mallin , vetminë, parehatinë, ankthin e së nesërmes ,atëherë do të kuptojë edhe peshën historike të këtyre vargjeve që e thonë pareshtur fjalën e vet ,ka qindra vjet që flasin e thërrasin po a kuptohen?!

Kur syri i lexuesit të shohë dramën e shqiptarit pa atdhe këtej dhe andej ndarjeve që na largojnë, mbase këto vargje do ia këndojë vetes e do ndalojë ikjen e gjatë e gjatë që nuk ndalet.

Kam takuar mjaft të ikur këtyre viteve dhe kam ndjerë se këto vargje janë universale. Më kanë thënë se nuk ka lumturi më të madhe për një komb që i bën vend bashkombësve të vet. Kam parë se si përloten burrat në mërgim duke cituar se” kur të vdes dita e vdekjes tju shkruhet jo ajo biologjike por dita kur lanë atdheun”.Kam parë se si largësia nga atdheu shndërrohet në dashuri për të , e veshur me mall, e dëshirë për rikthim, me akte e vullnete reale për tia vizituar bukuritë e dukshme dhe të padukshme atij

vendi  prej nga ku ka 500 vjet që iket .Ia kam

përsëritur vetes Seremben dhe kam

provuar se vrullin, energjitë dhe ndjesitë e bukura ti fal veç vendi yt.Kur  largoheshin miqtë qoftë edhe larg province drejt kryeqytetit , boshllëku kulturor ndihej shumë më fort se hapat në udhët ku shtoheshin udhëkryqet.A e ndjenë këtë zbrazëti hapësirat tona gjithnjë e më të ngushta, të varfra ,të brishta?! Mungesat që flasin , ikje që ulërijnë, kthime që veniten e thirrje që s’dijnë çfarë të lusin …hidhni sytë kah vargjet e Serembes që nuk e humbin kurrë vrullin e mallit dhe dashurisë. Kur të kuptoni dashurinë …do ndjeni mallin dhe kur të ndjeni

mallin do kuptoni dramën e trefishtë të të ikurve pa atdhe .Ata që ikën e me vete morën andrrat me siguri që andrra e zhgjandrra lanë pas por më e madhe është drama e atyre që lanë pas ,atje në atdheun e zbrazur!

E kur të kuptoni dramën e të ikurve ,atdheu i tyre i dashur ka me qenë dashnia juaj e shumfishtë.

Marjana Bulku (Gusht 18)

Filed Under: Opinion Tagged With: Atdheu, Drama e të ikurve, Marjana Bulku

Kosovë-Veprimtari në Ditën Botërore të Rinisë

August 12, 2018 by dgreca

2dita Rinise-Instalacion dhe performancë artistike duke “kompletuar Flamurin e BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave”/

3 Rini-“Hapësira të Sigurta për Rini”. Kjo moto është rekomanduar për qeveritë  në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e OKB/

PRISHTINË, 12 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë po zhvillohen sot veprimtari për DitënBotërore të Rinisë – 12 Gushtit, të nisura me ceremoninë e hapjes në Bulevardin Nëna Terezë, kume mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shoqata kulturore “Molla e Kuqe” dhe organizata joqeveritare “Access” organizuan instalacionin dhe performancën artistike  duke “kompletuar Flamurin e BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se, shteti i Kosovës, të rinjtë, duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Evropian “Jam shumë i bindur që ky aktivitet sotëm koincidon edhe me kriteret dhe ato që shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet për t’i pasur dyert hapur në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.

Ministri Gashi shprehu besimin se ky vit të jetë viti kur të rinjtë e Republikës së Kosovës që padrejtësisht kanë pas probleme me lëvizjen e lirë, të jenë të lirë, të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës.

Pjesë e veprimtarive ishte debati me shoqërinë civile për mundësinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen të Rinisë, përmes motos “Hapësira të Sigurta për Rini”.

Kjo moto është rekomanduar për qeveritë  në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të qeverisë së Kosovës theksojnë edhe se, ky koncept ka promovimin e hapësirave të sigurta për të rinjtë dhe synim i Departamentit të Rinisë është të ofrojë mundësi të shumta, kreative dhe të sigurta, për të gjithë të rinjtë pa dallime racore, gjinore, fetare ose prejardhje kulturore, për të kontribuar lirshëm në komunitet.

“Kur të rinjtë kanë hapësira të sigurta për t’u angazhuar, ata mund të kontribuojnë në mënyrë efektive në zhvillim, duke përfshirë paqen dhe kohezionin social”, është një nga mesazhet e veprimtarive, të cilat vijojnë edhe gjatë pasditës dhe përmbyllen në mbrëmje. Në një nga këto veprimtari, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se papunësia e të rinjve dhe mungesa e lëvizjes së lirë janë sfidat kryesore për të rinjtë e Kosovës.

“Qeveria është e përkushtuar për të adresuar sfidat me të cilat përballen sot rinia jonë, duhet të fokusohemi në reformat në arsim, të rinjtë tanë të kenë mundësinë që të jenë konkurrentë për tregun e punës në vend dhe jashtë”, theksoi ajo. /b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Veprimtari, ne diten boterore, të Rinisë

Realiteti në Rumani dhe ai në Shqipëri

August 12, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298Nga Ilir Levonja/

Ileana Anghel travelled all the way from her home in Spain with her husband to take part in the demonstration.

“We want to see modern roads and schools and above all to not have to pay bribes to the left and right,” she told AFP.

Teksti i mësipërm është shkëputur nga njoftimet e agjencisë franceze AFP, mbi situatën në Rumani. Konkretisht nga e premtja e javës që shkoi, me një inisiativë të emigrantëve, a diasporës, shoqëria rumune sot proteston. Pra ka plot tre dite. Protesta që kanë hasur në dhunën e forcave të rendit dhe në indinjatën e një presidenti të dyzuar në qëndrime, garantit të Kushtetutës së vendit. Po t’i referohemi fjalëve të Ileanës emigrante rumune në Spanjë, ajo midis të tjerave thotë se, erdhëm nga Spanja për të protestuar sepse duam ta shohim vendin tonë  jo vetëm me rrugë e shkolla moderne, por gjithandej…, mjaft duke paguar haraçe sa për të majtën po aq edhe për të djathtën. Në fakt Rumania edhe pse një vend anëtar i komunitetit europian renditet e fundit. Kjo në raport me ekonominë e vendeve të tjera. Korrupsioni ashtu si në gjithë vendet ish bllokut socialist kap shifra alarmante. Kësisoj shoqëria rumune ka humbur plotësisht besimin tek klasa politike aktuale, me një fjalë si tek e majta ashtu edhe tek djathta. Ndofta është vazhda e asaj pranvere europiane që shkërmoqi hirearkitë a oligarkët e klasave politike tradicionale që pas luftës së dytë botërore, në vende si Italia, Greqia, Hungaria, Austria etj. Nisën si një protestë paqësore, por që mori rrjedhë tjetër. Aq sot numri i të lënduarve kap shifrat e 150 qytetarëve. 

A ka lidhje e gjitha kjo me Shqipërinë, pasi shpesh i referohemi lëvizjes së minatorëve të karpateve në Rumani, më 1989, menjëherë pas shembjes së murit të Berlinit. Pra ishte Rumania ajo që filloi pranverën ballkanike. Megjithëse gjatë gjithë këtyre viteve Rumania ka protestuar me pjesmarrëmarrje për tu admiruar. Mjaft të kujtojmë protestën kundër rritjes së korrupsionit në shkurtin e vitit 2017-të. Ishin rumunët, shoqëria civile…Dhe a mundet që emigrantët shqiptarë, a e ashtuquajtura diasporë të kontribuoj në Shqipëri. Kam përshtypjen se jo dhe arsyet janë të shumta. Në përgjithësi shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar se  mirëqenia dhe të drejtat e njeriut janë thelbi i demokracisë. Po ta kishin kuptuar do ishin ndarë nga diktatura e proletariatit ashtu si rumunët me Çausheskun. Por nuk u ndanë, përkundrazi sigurimi i regjimit dhe sekserët e partisë së punës morën në dorë frenat e demokracisë.  Asnjë Çaushesk nuk u dënua…, jo më të varej publikisht. Kësisoj ne shqiptarët mbahemi akoma tek ideologjia dhe kjo demonostrohet herë më herë nga mendësi o je me mua o je armik. Nuk ka asnjë shenjë, a një fije frymë ku të shohësh përshembull se llogaritë a bilancet vjetore të një qeverie të kenë efekt tek shoqëria. Jemi dru në këtë drejtim. Rroftë iksi apo ypsiloni. Asesi, mjaft të jesh besnik i Ramës, Bashës, Metës dhe kaq. Nga ana tjetër është katërcipërisht e verifikueshme që mes shqiptarëve në vendin amë dhe atyre emigrantë ka një raport jo miqësor. Edhe pse emigrantët kanë qënë dhe janë motori i ekonomisë së vendit…, ata shihen si objekt përfitimi, madje tallje, paragjykohen, sa, një polic dogane në vend të mirëseardhjes të shikon vëngër nga duart. Emigrantët përfliten dhe përgojohen sikur kanë kapur qiellin a botën, qoftë edhe për shërbime të imta personale. Kur i thashë dikujt, këtu, po pse edhe gojën do shkosh të rregullosh në Shqipëri, mu përgjigj… Po çfarë të bëj, me ato që do paguaj këtu, po ndihmoj vëllain …, pa punë, pa asgjë vet i gjashtë. Më dhëmbi zemra dhe mu mbushën sytë me lot. Ashtu siç njoh edhe të tjerë që marrin kredi me interesa të larta si e si të ndihmojë motrën pa katandi e asgjë e tjetër. Dhe kur thonë ndonjë mendim, për vendin që u dhëmb, gjykohen me përçmim. Megjithëse nuk thonë aspak, veç realitetin…. që, po ta thonë troç, në raport me vendet ku jetojnë dhe ku shohin me sytë e tyre se si bëhet politika përshembull në Suedi, ta dini që ai parlamentari shqiptar duket një zog gomari kur thotë shkodrani. Ndofta kjo e gjitha ndodh edhe nga një farë urrejtje a zilie që kemi karshi njëri-tjetrit. Dhe diaspora këtej është e ushqyer fort nga dy rryma, po te kemi parasysh ata që u larguan në vitet 90-të…, të parët ishin ata që u kish ardhur në majë të hundës nga regji, të dytët ata që kishin frikë se mos ndëshkoheshin nga pushteti i ri. Kësisoj edhe këtej ka akoma plot mendje që thonë lëri të vrasin veten se nuk ndreqet ai vend. Ashtu si ka plot të tjerë që hanë, edukohen, martohen, bëjnë bashkime familjare në botën e kapitalizmit dhe bëjnë duvanë e Enver Hoxhës. Dhe këtë jo se nuk duan kapitalizmin, por janë deri në asht me urrejtje karshi vëllait. 

Nuk e di se kur do të marri fund kjo, por si shoqëri edhe ne duhet të heqim dorë nga idhujt. Merrni përshembull reformën në drejtësi, pastrimi fillon nga vetvetja. Shoqëria jonë u pajtua menjëherë me një reformë gjyqtarësh, jo të atyre që drejtonë vendin. Kjo është mangësi humnerë. Ose merr të opozitën, demonstroi vullnet në një çadër, kërkoi protesta për muaj me radhë. Dhe në fund, bash në pikun ku mori kuptim opozitarizmi, la shoqërinë mënjanë dhe mori një post fiktiv në arsim e rend. Nuk ka më pse nuk më pëlqen mua, kur unë ashtu e kur unë kështu, por ka rezultat. Jep, nuk jep, hap krahun. Kjo është demokracia…, kurse në Shqipërinë time, tënden, tonë populli i shikon si Enverin dikur, këta që kakarisin ditë e natë për patriotizëm dhe veç patriotë nuk janë.

Filed Under: Featured Tagged With: dhe ai në Shqipëri, Ilir Levonja, Realiteti në Rumani

E mira është pakicë

August 12, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300-2Nga Astrit Lulushi/

Nga mosrespektimi i ndjenjës lind mënyra cinike e jetesës – arsye pse disa më shpejt zemërohen sesa kënaqen. Dhe kjo nuk është pasojë gjeografike, as ndikimi i klimës, siç përpiqen ta justifikojnë, por shihet si efekt i shkeljes, shtypjes, mohimit, dhunimit e mosrespektimit të ndjenjave për shumë kohë, ndaj çdo moshe, çdo ditë, pa ndërprerje, e kthyer në traditë, që vazhdon edhe sot.

Është privilegj mbretëror për të bërë mirë dhe për të folur keq, këshillonte Sokrati, si të thoshte se, nëse nuk je gjendje të bësh mirë, të paktën mos bëj keq. Ndërsa hekuri gërryet nga ndryshku, kështu edhe ziliqarët konsumohen nga pasioni i tyre. Por edhe një qeveri mbulohet nga dështime, kur nuk është në gjendje të dallojë njeriun e mirë nga i keqi. Është e çuditshme që ne ndajmë grurin nga byku dhe miellin nga krundet, por lejojmë a zgjedhim pikërisht njerëzit e këqinj të zënë poste shtetërore e në parlament. Kjo është njësoj si të vësh bast për gomarët në vend të kuajve në garën mes tyre.

Nuk është sëmundja, por mjeku – dora e keqe e qeverisë që mund ta hedhë një popull të tërë në dëshpërim dhe eufori, duke prekur thellë cilësinë e jetës së tyre. Një nga avantazhet e filozofisë është se njeriu është në gjendje të zhvillojë biseda me veten.

Kur Diogeni iu lut dikujt për një pallto të re, përgjigjia që mori ishte – Mbulohu mirë me atë që ke. Të  çrrënjosësh atë që ke mësuar gabim është më e vështirë sesa të mësosh diçka të re. Prandaj pak vetë vërtetë heqin dorë nga ajo që dikur kanë mësuar shtrembër, duke mbetur pjesë e të keqes. Eshtë më mirë të jesh me një grusht njerëzish të mirë duke luftuar kundër të këqijave se me ushtrinë e njerëzve të këqinj që luftojnë kundër një grupi njerëzish të mirë. Kur shumë njerëz iu lavdërojnë, pyet veten – çfarë gabimi kam bërë? Le të jetojnë bijtë e armiqve në luks. Ju bëni aleatë njerëz që janë të guximshëm dhe të drejtë, me ‘ta është virtyti – armë që nuk mund të merret.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, E mira është pakicë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1309
  • 1310
  • 1311
  • 1312
  • 1313
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT