• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIM PAS 40 VJETESH

August 9, 2018 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/1 Takimi

Pasardhësit e Normales së famshme të Elbasanit takohen pas 40 vjetësh/

2 kezja normaleNë Elbasanin e njerëzve të mëdhenj si Onufri i shekullit të 16-të, Kostandin Kristoforidhi hartuesi dhe përpiluesi i fjalorit të parë të Gjuhës shqipe, Dhaskal Todri, dëshmori i parë i shkollës shqipe dhe krijuesi i një alfabeti me 53 shkronja, Ethem Haxhiademi shkrimtar dhe dramaturg etj, Aleksandër Xhuvani, filolog i shquar, emrin e të cilit mban Universiteti në Elbasan, u mblodhën ish studentët e Gjuhë–Letërsisë të vitit 1975 – 1979, për të festuar 40 vjetorin e përfundimit të studimeve nga ky universitet.3 keze

Pasardhësit e shkollës së famshme të Normales së Elbasanit, shkolla e parë e mesme kombëtare e krijuar ne vitin 1909 ndjenin një ngazëllim në shpirt dhe e mirëpritën me plot dashamirësi, ftesën nga organizatori i këtij takimi, ish shoku ynë i universitetit, studenti i talentuar me origjinë çame Hiqmet Zane. Natyrisht me ndryshimin e sistemeve shumë miq, studentë, shok janë larguar në çdo cep të globit dhe largësia bën punën e vet për mos të qenë të gjithë prezent.

Kur e vendosëm së bashku me bashkëshortin tim se do të shkonim në këtë takim të rendesishëm në Elbasan emocionet më përfshinë të tërën dhe kujtimet ridhnin si një ujëvarë që vjen nga Alpet dhe bjeshkët dhe s’ka nevojë kurrë për filtrim, ngase ato janë kujtime të moshës së artë, të moshës më të bukur të cilat janë futur në palcë të shpirtit.

Fluturimi me avion mbi ujërat e thella të oqeanit dhe hapësirës së pafund natyrore ma zvogëlonte kohën, sepse unë luaja me fijëzat e mendjes në tastierën e memorjes vitet që kishim kaluar bashkë me shokët dhe shoqet e universitetit,vitet më të florinjta. Aq i përjetova këto kujtime sa më dukej sikur avioni kishte peshë mbi normën e lejuar ligjore, sepse ishte i mbështjellë me folenë e mallit që peshon sa 7 kala…

Dita e shtunë,më 30 qershor së bashku me mbesën tonë të parë Dean na çoi në Elbasan. Dea me dukej si nje flutur e lehtë që kishte ardhur nga Nju Jorku në emër të mamit të saj Valbonës, bebes se parë në Universitet që pedagogët dhe shoqëria u përkujdesën aq shumë për ta rritur sa më mirë edhe pse kushtet nuk ishin të favorshme.

Dikur për të shkuar nga Tirana në Elbasan shkonim nga qafa e Kërrabës, rrugë tejet e vështire, por këtëradhë për herë të parë shkuam nëpërmjet tunelit që e shkurtonte udhëtimin deri në 20 minuta dhe këtë e çmoj…

Ja ndaluam përballë turizmit ku ishte lënë takimi ynë si dikur…Me kursimet tona shkonim shpesh tek turizmi për të marrë ndonjë zup 15 lekësh, zupa që amvisat e Elbasanit i gatuanin me shumë shije.  Të takohesh pas 40 vjetësh kuptohet se çfarë ndodh me trurin tënd, ndonëse rryma e dritës nga sytëe tyre bëhet një mozaik si i Bezistanit të Elbasanit, një mozaik me karaktere të ndryshme, por me një respekt krejtësisht të vecantë.  Në qendër të tavolinës ishte Dr.Tomor Arianiti zv/drejtues i Institutit të Lartë Pedagogjik dhe njëkohësisht profesori ynë i nderuar dhe tejet i devotshëm për lëndën e pedagogjisë, ish studentët si Hyqmet Zane, Remzi Kalemi, Fatos Laze, Fuat Memlikaj, Reshit Hida, Hatixhe Shtama, Vera Alushin, edhe më vonë në drekimin së bashku erdhi dhe Vasilika Lubonja.

Nuk e di, por në thinjat e tyre ndjeva dhe më shumë fisnikërinë në harmoni me fjalën e bukur shqipe të cilët dhe ishin diplomuar për të ligjëruar në auditore apo klasa shkollash të ndryshme, për të sjellë elegancën e fjalës së epërme, ku të parët tanë në Normalen e Elbasanit kishin sakrifikuar aq shumë.  Bukur e tha poeti i mirënjohur Fuat Memlikaj se takimi me ju më rinon, më gazmon dhe rilind shpirtin.

Ndonëse kishte mungesa sepse siç e përmenda më lart largësitë, ndarjet kanë bërë punën e vet, përsëi nga Italia na telefonoi shoqja jonë Marilda Kurti, e cila me zërin e saj të pandryshuar me nje timbër të veçantë që dallohej kur intepretonte në aktivitetet tona kulturore dhe dukej që ishte geni i aktorit kombëtar Sulejman Pitarkës si mbesa e tij, na përqafoi virtualisht kokë më kokë. Zëri i saj vinte valë-valë nga lotët e mallit dhe dukej sikur godiste në kupat e pijes si të Maria Magdalenës, shenjtores që është gjendur në mozaikun e Elbasanit.

Të fala të përzemërta dërgonte nga Kanadaja mikesha jonë e shtrenjtë redaktore për disa vite në gazetën “Mësuesi” pranëMinistrisësëArsimit, Vjollca (Hoxha) Spaho, e cila i ndoqi nga afër bisedat dhe momentet tona të bukura.

Me shumë emocion mirëpritëm dhe telefonatën nga prof.Bardhyl Matraxhiu i cili në pamundësi për të ardhur na uroi plot dashamirësi, ishte urim i një profesori që na ka lënë mbresa për dijet e tij, humorin e hollë dhe mënyrën se si ligjëronte në auditoret e universitetit.

Këta profesorëtënderuar dhe tëpaharruar si Dekani i Universitetit i ndjeri prof.Vasil Kamami, prof.Bedri Dedja, Tomorr Domi, Qamil Buxheli, Skender Kongoli, Sali Tabaku, Fatmir Selita, dijetari prof.Mehmet Celiku, Hysen Qosja, Mustafa Karapinjolli, Mihal Naska, etj janënjëmemorje e gjallëtëskalitur nëkulturën tonë, tëcileve u shprehim publikisht mirënjohjen tonëtëpakufishme.

 

Copëza kujtimesh…

 

Të gjithe ashtu gati të përqafuar u nisëm tek konvikti ku krah tij ka qenë dhe Instituti i Lartë Pedagogjik.  Ja i tregoja Deas me dorë dhomën time ku kishja fjetur me vite dhe që e ndaja së bashku me miken time të shtrenjtë Liri Kllapin.

Të fokusuar në kujtimë të ndryshme herë duke qeshur dhe  herë me trishtim, kujtonim vitet e largëta, kujtimet e mjalta dhe që këto kujtime na kishin sjellë si zogjtë shtegtarë nga larg pranë folezës së argjendtë në Elbasan që s’mund të  harrohet kurrë.

Në biseda e sipër para nesh me një delikatesë dhe mikpritje tënjë gruaje të fisshme erdhi drejtoresha Jonajda Doçi (Hoxha) e cila tha se është nder dhe kënaqesi që të takohet me studentë dhe pedagogë të Universistetit “Aleksander Xhuvani”.  Ne gjithmonë i mirëpresim dhe është respekti ynë të bisedojmë dhe t’i ftojmë në zyrën tonë vazhdoi zonja Doci.

Themeluesi dhe producenti i TV “Alba Life” Qemal Zylo fokusoi në kamera bisedën natyrale që u bë rreth tryezës të shtruar me shije nga drejtoresha.  Zv/Dekani i universitetit Dr.Tomorr Arianiti foli për historinë e Universitetit duke shprehur dhe mirënjohjen për Drejtorin e parë Vasil Kamami i cili tha se i kishte ndryshuar jetën. Midis të tjerash Dr.Arianiti tha: “Një ditë të nxehtë korriku të vitit 1972, po punonim në zyrë me prof.Vasil Kamamin.  Ai më pyeti: “Qeveria na hapi një kredi prej 11 milionësh për ndërtimin e shkollës së re. Të ndertojmë shkollë apo konvikt? -Unë ngula këmbë për shkollë.  Ai më tha: Unë mendoj të ndërtojmë konvikt, sepse shkollën, në mos sot nesër do të na e japin, por konvikt nuk na japin… Dhe kështu bëri me inteligjencën e tij. Kjo qe një fitore e madhe sepse pas dy vjetësh na akorduan një kredi prej 20 milion lekësh me të cilën ndërtuam një godinë mjaft të mirë, ndërsa Instituti i Gjirokastrës që bëri shkollën në fillim, u rraskapit për 10 vjet rresht në konviktet e shkollave të tjera, sepse nuk i dhanë fonde për konvikt.

Ndërsa për Unviersitetin “Aleksander Xhuvani” tha se zyrtarisht njihet si vazhdim i Normales së Elbasanit e cila u hap, më 1909 dhe për drejtor të parë kishte vigan liberatorin Luigj Gurakuqin i cili në fjalën e hapjes ka thënë: “…Shqipnia u lëkund e tana nga zani i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndersa djelmët tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipnisë e u derdhën këtu në Elbasan… Jo vetem nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para nder tregimet kombtare e nder luftat e Gjuhës, por ma fort nga Gegënia e Siperme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili, na rrnoftë përjetë, na erdhën mjaft nxanës sa mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnji kand të Shqipnisë që të mos të ketë këtu mbrenda perfaqësuesit e vet.”

Normalja e Elbasanit u quajt më pas Instituti i Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” dhe në vitin 1991 Universiteti i Elbasanit i cili ka bërë një rrugëtim të natyrshëm dhe që është nje institucion i rëndësishëm kombëtar.

Prof.Vasil Kamami ishte me kulturë kishte mbaruar studimet shkëlqyeshëm për gjuhë dhe letërsi italiane në Firence të Romës dhe ne ndiheshim krenar si studentë që kishim profesoë dhe drejtues të këtij kalibri.  Personalisht në këtë shkrim dua të ndajë një detaj nga jeta ime studentore me profesor Vasil Kamamim pasi si studente kishja nje “status” te vecante sepse ne vitin e dyte linda vajzën e parë Valbonën dhe ishte vështirë për studimet e mia. Mos u shqetëso më tha professor Kamami unë kam biseduar me drejtoreshën e çerdhes së fëmijëve këtu afër Universitetit pasi bebja juaj në shtator bëhet 2 muajshe dhe s’mund t’ja ndërpresësh gjirin, ndaj ata më kanë thënë se do të kujdesen, ndërkohë në shtator që kemi zborin ushtarak dhe në tetor punën prodhuese nuk do të vish se ja rritja që do i bësh bebes futet ne punë dhe zbor vazhdoi me një sens humori që e karakterizonte shpesh.

Me plot elekuencë folën dhe studentët e tjerë të talentuar si poeti  Fuat Memlikaj dhe Remzi Kalemi mësues i përkushtuar dhe drejtor i shkollës “Andon Xoxa” në Fier për shumë vite.

Pasi bëmë fotot e radhës drekuam së bashku në nje restorant antik “Kondar 2”, kur befas mbërriti Vasilika Lubonja studentja e ëmbël nga Korça.  Pasi u përqafuam së bashku e pyeta për miket e afërta si për Vasilika Lolin, Mamica Podën etj… por tek Mamica pashë që i rodhën lot sepse kishte pak ditë që mjerisht ishte ndarë nga kjo botë.  Heshtëm dhimbshëm dhe gjithëkush solli kujtimet për shoqen tonë të mirë që dritë i pastë shpirti.   Bisedonim dhe kuvendonim së bashku dhe dukej sikur erërat e Krastës na përkëdhelnin shkronjat e Alfabetit Shqip në buzët tona, dhe hidhnin rrënjë të forta në memorjen tonë si Rrapi i Bezistanit në qendër të qytetit.  Kujtimet tona pasurohen më tej me takimet e ndryshme dhe ushqehen si degët e pemëve të ullirit që jane kurora e gjelbër e qytetit që aq shumë kemi qenë në pikniqe së bashku dhe kemi kundruar nga afër kurorën e gjelbër të qytetit që të mrekullonte me pamjen e saj dhe për më tepër kanë simbolin e pemës shekullore të quajtur “Ulliri i qejfit”.

Sollëm rreth tryezës me nga nje gotëverëpërpara kujtimet tona dhe ndiheshim krenar që kishim mbaruar studimet e larta në qytetin e Normales, shkollës së parë të mesme më të famshme kombëtare dhe ne ishim pasardhësit e Normales, student të universitetit “Aleksandër Xhuvani” i cili me tekstet brilante Didaktikë e Edukatë, u përpoq që shkollën shqipe ta nxjerrë nga prapambetja dhe kaosi i rrymave të ndryshme. Në këtë plan, sipas Xhuvanit, rol të rëndsëishëm ka sidomos mësuesi, vokacioni i tij “sepse arti i edukatës, që ushtron mësuesi, asht ma i nalti e ma fisniku i arteve.  (Wikipedia).

Ishte nje takim tejet mbresëlënës midis studenteve të gjuhë letërsisë të viteve 1975-1978, pasardhësve të Normales së Elbasanit, ku për rolin e Normales në edukimin kombëtar dhe pedagogëve pasardhës e bën që të njihet si një universitet elitar.

Ishin kujtime plot aromë si trëndafilat e Elbasanit që zbukurojnë portat dhe avllitë e tyre, ishin kujtime që u servirën midis nesh si ballokumet e verës së Elbasanit që miqte tanë të Elbasanit na i sillnit të ngrohta prej zemre çdo ditë vere, më 14 mars…

 

Korrik, 2018

Elbasan, Shqipëri

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Normalistet, Takim pas 40 vjetesh

Lufta me “gjarprin”, platforma elektorale e demokratëve

August 9, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ky konflikti i hapur tashmë mes Berishës dhe lidershipit të Kosovës duket se i shërben shumë zgjedhjeve të ardhshme lokale. Kjo shfryma e urrejtjes dhe e demaskimit të gjarprinjëve të Kosovës, patriotizmi i madh, vigjilenca etj., do u siguroj demokratëve një fitore plebishitare. Madje aty do nisi edhe kthimi i madh. Ndaj sot të gjithë motorët vlojnë karshi një gjarpri, një mbeturine nga kuzhina serbe. Kësisoj në zgjedhjet e vitit që vjen, llava demokrate do përmbysi platformat e socialistëve që kanë filluar nga përgatitjet që në prill të këtij viti. Njihen tashmë ato platformat politike e formularëve me numrin e pemëve të mbjellura, tarifat e kanilizim gjelbërimit, lejet e ndërtimit dhe efikasiteti i zërave të buxhetit të shpenzuar etj. Kjo si një tentativë për largimin nga rikandidimi i ca gjeneralëve provincialë që po i marrin frymën qyeteve si Elbasani, Durrësi, Vora, Bilishti etj. Kurse demokratët nuk kanë filluar akoma, presin shtatorin. U duhen ca energji nga pushimet për shkak të mos prishjes së axhendës së tyre pavarësisht se firot përshembull në bujqësi janë një humnerë për shkak të atyre mijëra probleme tashmë gangrenë e jona. Kësisoj Berisha ka të drejtë të na mbushi minutazhet e nxehta me histori gjarpërinjsh e ish marrëveshje nga viti 1992 me Bulatoviçin. Gjëra që fare mirë mund t’i përblidhte në një libër kujtimesh etj. Por jo, platformës demokrate i duhet pikërisht një shfrymë kundër gjarpërinjëve të Kosovës. Një shfrymë patriotike karshi kontureve tashmë të shpërbëra të Shqipërisë. Një shfrymë si ajo në 100 vjetorin e pavarësisë në Vlorë, mbi kufijtë nga Presheva deri në Pargë. Se ne patriotizmi na mban gjallë…, na ka sjellur në pushtet menjëherë. Atë të humbjeve të një pas njëshme dhe diskordancave të mëdha të lidershipëve në çështje po kaq të mëdha. Një sherr katrahurë për ta na mbajtur akoma në vitin 1992 dhe jo në problemet imediate siç është privatizimi dhe rënia e demokracisë. Katastrofa me prodhimet bujqësore, kjo për faktin e mos pasjes në kontroll të përdorimit të pesticideve. Por edhe tek pa aftësia e menaxhimit të tregtimit të produkteve. Asnjeherë ata që hartojnë platforma politike paraelektorale nuk e kanë përfilluar a konceptuar bujqësinë si një industri e mundshme në territorin shqiptar. Megjithëse kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh në kultivimin e bimëve narkotike deri në lartësitë e Progonatit e Kurveleshit. Pa përmendur xeherorët që sot vuajnë nga një përvetësim pervers i ca shfrytëzuesve ilegalë të shekujve të kaluar. Apo burimet e tjera natyrore që mund t’i sjellin vendit asete më të mëdha se Thaçi, Berisha, Rama a Haradinaj. Mirëpo ne si gjithmonë, se çdreqin na tërheq në ca kuriozite nga e shkuara e raporteve të nxehta, aq sa vdesim të dimë se ka apo nuk të drejtë gjarpri apo ish sekretari i partisë, Xhepi i letrave apo piktori i halucinacione të nomenklaturës. Shfrymë, urra, burra… sikur në herë të vetme të pyesnin e të krahasoheshim se çfarë pasurie ka Rama, Berisha, Thaçi, Hardinaj karshi nesh? Sikur ata të kishin nga një vilë ekxtra, dhe ne nga një apartament, ta dini se kemi për pjesë liderët më të suksesshëm të të gjitha kohërave. por raporti jonë me ata është 100 ata e ne asnjë, asgjë… Dhe kjo ka shpjegimin, reformat hipokrite të rracës dhe sojit politik shqiptar. Një plagjaturë e nomenklaturës e ndarë sot në ca interesa vetjake me pretendimin e burrit të shtetit. 

Kjo është e gjitha një platformë e qartë për një humbje të radhës. Sepse zgjedhjet lokale a politike nuk fitohen me çështje politike dhe me shfrymë gjoja patriotësh. Apo qejf mbetje pasi e drejta kombëtare fillon nga Shqipëria. Nëse do të ishte kështu në bisedimet e detit, qofshin ato të parat apo këto të tanishmet të Ditmirit, duhej të kishte përfaqësues nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nuk mund të flasësh me Greqinë, përshembull për kufirin detar, pa Kosovën. Në fund të fundit ishin Isa Boletini dhe Hasan Prishtina ata që tretën jetën dhe mallin për Shqipërinë. Nuk ishte kasta dhe soji i Edi Ramës. Kasta dhe soji i Edi Ramës, shpikën bunkerët, telin me gjemba, etj. Atëherë do kishim të drejtë legjitime t’i çirreshim Thaçit, ta quanim me gjithë mend gjarpër. Po gjithsesi, janë ca devijime tashmë klasike të lidershipit tonë. Nga problemet imediate, ato të ditës, ekonomia e vendit. Dhe jo rastësisht. Dhe kjo është tepër e trishtueshme.

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha-Thaçi, Ilir Levonja, Lufta me gjarperin

SHFAQJA E ALEKSANDER MOISIUT NË “L’ATELIER”

August 9, 2018 by dgreca

1 Moisiu

LA SEMAINE À PARIS (1927) / ALEKSANDËR MOISIU, KY BIR SHQIPTARI E KOMEDIAN I SHQUAR, DO TË LUAJË NË “L’ATELIER”/1 alexander Moisiu

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Gusht 2018/

Gazeta franceze, “La Semaine à Paris”, ka botuar, më 14 tetor 1927, në faqen n° 24, një shkrim kritik për aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Z. Aleksandër Moisiun, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për lexuesit e Diellit :Nëse jo shumica, shumë nga spektatorët që do të marrin pjesë në shfaqjet e dhëna në Atelier nga Z. Aleksandër Moisi, e njohin atë vetëm prej reputacionit të tij. Nuk ka dyshim për mua se jo të gjithë që dalin nga salla e teatrit, bëhen admirues të tij.

Ai është një komedian shumë i madh. A është loja e tij specifikisht gjermane ?Më duket se jo ; në fakt, ai anon po aq në aktorët gjermanë (që e rrethonin atë në shfaqjen e parë që ai luajti) sa në tanët (që i dhanë pastaj replikën).Nuk e di nëse ky bir shqiptari dhe italianeje (gjuha amtare e të cilit është italishtja) flet një gjermanishte të përsosur. Në çdo rast, ai shprehet shumë mirë në frëngjisht. Ai na u shfaq në dy vepra të Tolstoit, dhe kam përshtypjen se rusi i madh i përshtatet temperamentit të tij. Do t’ju tregoj herën tjetër në lidhje me interpretimin e tij të Hamletit – të cilin ai do ta bëjë në momentin kur ky numër i  “La Semaine à Paris” do të arrijë te abonentët tanë.

Analiza e tepërt e lojës aktori rrezikon sterilizimin e saj në kujtesën e tij.Rrjedhshmëria e artit skenik kërkon që t’i përmbahemi përshtypjeve. Ajo që prodhohet nga Z. Moisi është e thellë, dhe nga vetë fakti i thellësisë së shfaqjes së tij. Ajo që e karakterizon është mprehtësia e rezonancës përmes përçmimit të dukshëm.

Trupa gjermane që rrethon Z. Aleksandër Moisi (një nga përkthyeset, Znj. Rosa Bertens luan pastaj në frëngjisht, shumë mirë), është e mirë. Ajo të bën që të shtrëngosh jetën nga afër.

Ndoshta, mund të fajësohet tendenca për të luajtur shumë para publikut. Nga dhimbja akute e lojës së saj, përkthyesja kryesore, Znj. Léontine Sagan, më kujtoi të pakrahasueshmen Elisabeth Bergner-in në “A qui la faute ? – Faji i kujt ?”, filmi prekës i shfaqur aktualisht në Ursalines.

Dekoret skematike: një kanavacë, një tavolinë, janë vënë me mjeshtëri, falë lojës së dritave, – ndriçime “à la Rembrandt”. Në tërësi, një përpjekje shumë fisnike dhe një rezultat i mrekullueshëm.

 

C.S.C

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Aleksander Moisiu, Aurenc Bebja, NË “L’ATELIER”

Kur shqiptarët lejoheshin të studionin në shkollat ushtarake të Greqisë

August 9, 2018 by dgreca

Dekreti i mbretit të Greqisë që lejonte shqiptarët të studionin në shkollat ushtarake të Greqisë/

2Kuvendi Greqi

Ne Foto: Kuvendi i Greqise/

Nga  Arben Llalla/

Në gazetën e qeverisë së mbretërisë së Greqisë të 29 gushtit 1886 ishte botuar dekreti i cili lejonte studentët të cilët kishin njërin nga prindërit të kombësisë greke apo shqiptare, që jetonin jashtë mbretërisë së Greqisë për t’u regjistruar në shkollat ushtarake të Greqisë.

Siç shihet dekreti ishte nënshkruar nga kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Harrilla Trikupi i cili ishte arvanitas dhe e fliste gjuhën shqipe. Nuk dihet përse ky Ligj lejonte çdo studentët për të studiuar në shkollat ushtarake të Greqisë nëse njeri nga prindërit kishte kombësi shqiptare dhe pa qenë shtetas i mbretërisë së Greqisë. Por bëhet fjalë për periudhën e propagandës ku flitej për një federatë greko-shqiptare.

Në këtë pikturë duket në këmbë kryeministri Harrilla Trikupi, në krahun e tij të majtë me veshje kombëtare është Çelo Picari, ndërsa nga krahu i djathtë me veshje kombëtare shqiptare është Joani Theodhor Kolokotroni i cili ka qenë kryeministër i Greqisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: arben llalla, Dekreti i Greqise, shqiptaret

BAZA AJRORE E NATO-s NË KUÇOVË, NJË LAJM SHUMË I MIRË PËR SHQIPËRINË

August 9, 2018 by dgreca

1 mattis_xhacka

…këtë lajm e vërtetoi edhe Krye-zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet kur u pyet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) për investimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, ka thënë për ATSH-ën se, “NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri./

1 Shkreli

Nga Frank Shkreli/

Muaji i gushtit është zakonisht një periudhë, kur  njerzit në përgjithsi përfshirë edhe ata të politikës  shkojnë në pushime dhe si rrjedhim asgjë nuk ndodhë në politikë as në diplomaci.  Mezi presim të na pushojnë edhe veshët nga grindjet dhe debatet skandaloze politike – është pra një periudhë letargjike, pasive dhe dembelizmi të theksuar për të gjithë.  Pikërisht në këtë stinë të këtyre ditëve të vapës afrikane — që këtu në Amerikë i referohemi si “dog days of summer”, (ditët verore të qenit) megjithse nuk kanë të bëjnë aspak me qenët, por me pozicionimin e hyllit të quajtur Sirius karshi diellit, nga 24 korriku deri më 24 gusht – u përhap një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe për Shqiptarët.

Fillimisht, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama qe ai i cili njoftoi, fundjavën që kaloi, se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.  Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ka shkruar në faqen e tij elektronike Z. Rama, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.  Ai ka njoftuar gjithashtu se me këtë projekt, i cili pritet të nisë punimet brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës.  Kuçova do të shërbejë, njëkohësisht, edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjell një standart të ri për Forcat Shqiptare të Armatosura, ka theksuar Kryeministri Rama, duke dhënë lajmin e mirë për të gjithë.  Disa ditë më vonë këtë lajm e vërtetoi edhe Krye-zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet kur u pyet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) për investimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, ka thënë për ATSH-ën se, “NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri.  Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për agjencinë shqiptare të lajmeve, Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Cazalet, duke shtuar më tej se, “Financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s”. Shqiptarët kudo dhe pa marrë parasyshë prirjet e tyre politike, duhet ta përshëndesin këtë zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo.  Lajm më të mirë për ne nuk ka pasur ç’prej antarësimit të Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.  Janë disa gjëra që të gjithë shqiptarët duhet t’i përshendesin si ngjarje me rëndësi të interesit afatgjatë të kombit dhe të sigurisë së vendit. Vendimi i Aleancës Perëndimore të NATO-s për tëndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, është një prej këtyre objektivave me rëndësi kombëtare, për të mos thënë historike.

Nuk ka rëndësi se në mandatin e cilit person ose cilës parti politike u realizua ky projekt.  Rëndësi ka fakti se NATO ka zgjedhur Shqipërinë për një prani të tillë të saj në trojet shqiptare, për të ndërtuar një bazë të Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjë herë bota.  Kjo ka shumë rëndësi!  Për më tepër,i rëndësishëm është gjithashtu fakti që sipas Kryeministrit Rama, zyrtarët shqiptarë po diskutojnë me SHBA-në për të “Modernizuar edhe më tej kapacitetet ajrore të Shqipërisë”.  Themi  baza ajrore në Kuçovë të Shqipërisë është e NATO-s, por e vërteta është se pa miratimin e Shteteve të Bashkuara nuk do të merrej një vendim i tillë.  Duhet të jetë e qartë tanimë se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithsi nuk kanë aleat më të mirë strategjik se Shtetet e Bashkuara.  Do të ishte mëkat që faktet dhe provat historike të miqësisë midis dy popujve tanë të mjegullohen, nga hera në herë, me sjellje e deklarata të pa përgjegjëshme flirtimesh të udhëheqësve shqiptarë me udhëheqës autokratë vendesh të cilat, historikisht, nuk ia duan të mirën kombit shqiptar.  Mos luani me miqësinë amerikane të sprovuar, historikisht, por kultivoni këto marrëdhënie, sepse megjithse larg gjeografikisht, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithëmonë afër shqiptarëve.  Më pëlqen fakti se njoftimi për këtë lajm të mirë nuk u bë bujë nga Tirana zyrtare duke rrahur gjoksin siç është zakon në diskursin politik shqiptar për të marrë kredi se këtë e bëra unë ose ai tjetri.  Kjo tregon pjekuri politike dhe një gjë e tillë është mirë për politikën rajonale dhe të jashtme por edhe për politikën e mbrendshme, që zakonisht suksese të tilla degjenerojnë në debate të ashpëra dhe retorika negative midis palëve, se kush e bëri i pari dhe kush kontriboi më shumë në realizimin e këtij apo atij suksesi të politikës së jashtme ose të mbrojtjes.

E vërteta është se të gjitha palët mund të marrin kredinë për këtë vendim të NATO-s me shumë rëndësi kombëtare për shqiptarët.  Ishte Ministrja aktuale e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila gjatë takimit të fundit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes James Mattis në Pentagon prillin e kaluar, e cila bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara ose NATO-s në Shqipëri.  Ajo u shpreh me atë rast se Shqipëria kishte paraqitur disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s. Mirëpo, sa për një përspektivë sado pak të vogël historike, duhet thënë se ideja e një baze amerikane në tokën shqiptare nuk është një ide e re.  Në të vërtetë, zanafillën e ka në fillim të viteve 1990 menjëherë pas shembjes së komunizmit. Ka qenë ish-Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Safet Xhulali, i cili në një takim në Pentagon në fillim të viteve 1990-ta, (ku kam qenë prezent) hodhi idenë e një baze amerikane në Shqipëri.  Jo, NATO-s, pasi Shqipëria atëherë nuk ishte në NATO, por për një bazë ushtarake amerikane. Duke marrë parasyshë gjëndjen e atëhershme në Shqipëri, në atë kohë, mu duk se propozimi të ndjerit Xhulali ishte një propozim pak si i nxituar, por gjithsesi ishte largpamës.  Fatkeqsisht, punët shkuan si shkuan në Shqipëri duke kulmuar më në fund në ngjarjet tragjike të vitit të zi 1997, e pastaj lufta në ish-Jugosllavi e në Kosovë.  Por më mirë vonë se kurrë.  Duhet durim për gjëra të mira ka thënë i moçmi. “Durimi dhe këmbëngulja kanë një efekt magjik para të cilave vështirsitë dhe pengesat zhduken me kohë”, ka thënë dikur Presidienti i 6-të i Shteteve të Bashkuara, John Quincy Adams.

Prandaj, të dy palët politike në Shqipëri meritojnë kredinë për durimin dhe këmbënguljen e tyre gjatë këtyre tre dekadave në lidhje me praninë ushtarake amerikane ose të NATO-s, në trojet shqiptare.  Kjo duket se, së bashku me antarësimin e Shqipërisë në NATO, të ketë qenë një prej çështjeve që të dy palët politike shqiptare, shpesh antagoniste në marrdhëniet e tyre për shumë çështje, sidomos përsa i përket politikës së mbrendshme, të kenë qenë dakort që Shtetet e Bashkuara ose NATO-ja duhej të vendosnin një prani përmanente ushtarake në Shqipëri.  Ja, më në fund duket dhe shpresojmë sinqerisht se kjo edhe po ndodhë me njoftimin e vendimit të fundit të NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Si përfundim i këtij njoftimi, sot jam me më shumë shpresë se Shqipëria do të bëhet.  Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërtuar një bazë ushtarake në Kuçovë është pa dyshim një njohje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin dhe kontributin e Tiranës në NATO dhe si një vend aleat i besueshëm. Shqipëria e ka treguar këtë besueshmëri dhe besnikëri në tre dekadat e kaluara dhe gjatë mandateve të qeverive demokrate dhe socialiste, pa përjashtim.  Kjo është një njohje e merituar nga NATO-ja, falë edhe profesionalizmit të forcave ushtarake shqiptare, pjesëmarrëse në misione të ndryshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.  Për suksese të mëtejshme në politikën e jashtme dhe të mbrendshme, tani pritet prej klasës politike shqiptare që të përmirësohet atmosfera politike mbrenda vendit: të përmirësohet diskursi politik dhe të vendoset një dialog i mirëfilltë për objektivat madhore të interesit kombëtar midis palëve, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s. Luftoni deri në fund korrupcionin, vendosni drejtësinë, pastroni politikën. Shqipëria mund të bëhet!

 

 

 

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, John Mathis dhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka gjatë takimit të fundit në Pentagon prillin e kaluar

Filed Under: Featured Tagged With: Baza e NATOS, Frank shkreli, Kuçoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1314
  • 1315
  • 1316
  • 1317
  • 1318
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT