• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë: Nëntë persona dënohen për planifikim sulmesh terroriste

May 19, 2018 by dgreca

Nëntë personat e dënuar, në vitin 2016 planifikonin të sulmonin përfaqësuesen izraelite të futbollit në Shqipëri gjatë kualifikimeve për botërorin./

Nga Bekim SHEHU/

Në Kosovë Gjykata Themelore shpalli fajtor dhe dënoi nëntë persona të cilët në vitin 2016 kishin planifikuar të kryenin sulm ndaj përfaqësueses izraelite te futbollit gjatë një ndeshjeje që zhvillohej në Shqipëri. Ndeshja Izrael-Shqipëri zhvillohej në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Futbollit, që zhvillohet sivjet në qershor.

Visar Ibishi, u dënua me 10 vjet burg, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga një vit e gjysmë dhe Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë. Ndërsa, Besart Peci u dënua me një gjobë prej 2500 eurosh.

Gjyqtari i rastit, që dënoi nëntë personat, Hamdi Ibrahimi, tha se vendimi për dënimin e këtyre personave ishte i duhur,

“Ne besojmë se vendimin që e kemi shpallur e kemi shpallur në emër të qytetarëve të Kosovës dhe besojmë se ata plotësisht na përkrahin në këtë vendim. E them këtë sepse, në këto troje, ekstremizmi fetar nuk mund të zerë vend. Dhe këto veprime që të akuzuarit kanë dashur t’i ndërmarrin, janë me qëllim që në këto troje, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë të shkaktohet një klimë e pasigurisë, të futet elementi i ekstremizmit dhe me vepra terroriste të destabilizohet vendi. Këto veprime për neve janë të papranueshme”, tha gjyqtari Hamdi Ibrahimi.

Operacioni për arrestimin e këtyre të dënuarve për terrorizëm ishte zhvilluar në vitin 2016, në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë. Në atë operacion u arrestuan 19 persona, të dyshuar për lidhje me grupin militant islamik ISIS, dhe planifikim sulmi terrorist në Shqipëri dhe Kosovë. Policia në atë kohë tha se “ka parandaluar sulme terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit”.

Disa nga të dënuarit sipas gjykatës kanë pasur lidhje me shqiptarin e Kosovës Lavdrim Muhaxheri, i vetëdeklaruar kohë më parë “udhëheqës i shqiptarëve në grupin e ashtuquajtur ISIS dhe nga ai kanë marrë instruksione për të sulmuar përfaqësuesen e shtetit të Izraelit në Shqipëri. Policia e Kosovës, vitin e shkuar njoftoi se ka informacione, që kosovari Lavdrim Muhaxheri, është vrarë në Siri vitin 2017.

Në aktakuzë thuhet se dy të pandehurit, që u dënuan (18.05) “gjatë muajit tetor të vitit 2016, sipas kërkesës së Lavdrim Muhaxherit, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe atentat ndaj ndërkombëtarëve ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.

“Ata kanë pasur qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, prandaj me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste”, thuhej në aktakuzë.

Mediet e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, mbi 300 iu janë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak. Një studim i bërë në vitin 2015 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, (QKSS), thuhej se që nga fillimi i konfliktit në Siri e deri në muajin janar të vitit 2015, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Ky numër u rrit në vitet e fundit. Deri tani sipas të dhënave zyrtare dhe jozyrtare, afro 60 kosovar kanë humbur jetën në këto luftëra. Deri tani sipas të dhënave të policisë, 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta nga ta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme dhe nxitje e rekrutim të luftëtarëve.

Kosova është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Parlamenti i Kosovës në fillim të vitit 2015 ka miratuar ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t’u bashkuar në luftëra jashtë vendit. Hapat konkret që janë ndërmarrë për luftën kundër terrorizmit, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që ҁon në terrorizëm.

Filed Under: Analiza Tagged With: 9 persona, Gjykata, Kosove, terrorizem

Dava’ jevgjiti”…

May 19, 2018 by dgreca

Dava’ jevgjiti”…../

*…Po ta donte Evropen vendi im do ta kishte zbythur menjëherë ministrin e brendshëm, jo për implikimin e vëllait në aferat dhe trafikun e drogës, por thjesht për këtë ngjarjen e Korçës, ku humbi jetën në qelitë e para burgimit një i ri njëzetëeshtatëvjeçar./

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/

1) Nëse vendi im do kishte ndjeshmërinë e duhur, për të qënë pjesë e Europës… do ta kishte zbythur menjëherë ministrin e brendshëm, jo për implikimin e vëllait në aferat dhe trafikun e drogës, por thjesht për këtë ngjarjen e Korçës, ku humbi jetën në qelitë e para burgimit një i ri njëzetëeshtatëvjeçar. Po vendi im, vendi ynë, ne…, nuk e duam Europën. Nuk duam as veten. Nuk dimë se çfarë duam. Ndaj statistikat kanë të drejtë të parashikojnë se në dhjetëvjeçarët e ardhshëm do të jemi më pak se një milion banorë. Ku sigurisht më të suksesshimit, me pjellorët etj, do jenë baronët e studiove televizive, me kulturën dhe fjalorin e tyre të çmuar të gjirizeve të derrave etj.

2) Duhet të ketë qënë pranvera e vitit 2014 kur një i ri shqiptar humb jetën në një nga burgjet e Greqisë. Për shkak të torturave nga gardianët. E më pas ndodhi dhe skandali që trupi i tij, i njohur me emrin Ilia Kareli erdhi në Shqipëri, por i mungonte zemra. Ne u indinjuam të gjithë. Pati një reagim total aq sa me të vërtetë zelli i shqiptarit kish një nerv europiani të kulluar. Pati një reagim të fortë edhe nga shoqëria civile greke, shtypi etj. Aq sa ngjarja e shëmtuar solli edhe një varg shkarkimesh nga administrata deri në ndjekje penale. Pra, në Greqi vepruan ose lëvizën vendit vet grekërit për shqiptarët. Kurse në Shqipëri, nuk ndodh asgjë, asgjë…, pasi studiot, përgjegjësia civile, dikasteret, qeveriu të tërë, notojnë në vulgaritetin e tyre, një paradigmë sociale, e lagu apo nuk e lagu. Në fund të fundit, një jevgjit vdiq. Na shkon për sojin racist që kemi. Dhe kaq. Shëndeti i Edi Ramës.

3) Shoqëria jonë në kohën e diktaturës ishte tmerrësisht e ndjeshme. Të çonte e të internonte me çfarë kishe e ku i kishe. Mjaft që çuni i xhajës të kish shprehur simpati ta zëmë për Italinë. Mjaft që kushëriri i katërmbëdhjetë të kish tentuar të kalonte kufirin. Se ne ta lëronim nënën me prag shtëpie. Pastaj të sillnim llanxhat tek porta dhe të degdisnim në Gjazë dhe Bedat pa pyetur shumë e pa verifikuar asgjë. Sikur gjithë jetën tënde të kishe qënë i zemëruar me çunin e xhajës, faji ishte pse e kishe gjak dhe pikë. Sot km i vendit i thotë një gazetareje që pyet pronarin për vëllain e tij. I thotë shoqërisë, që, nuk japim më ushqim për ujqit e çakenjtë. Pagova diku dhe më thanë që është manipulim. Nuk e di se si mund të presësh reforma nga nje shtetar, i cili bën drejtësi me porosi dhe është vet ai i pari, që vret me duart e tia institucionet, ato të cilat kanë humbur përfundimisht besimin shqiptarët. Po kjo është Shqipëria jonë, vendi i paradoksit dhe memories që ndizet e fiket me një gotë uji.

4) Qershori është muaji ku shqiptarët presin lajmin e madh, hapjen e negociatave. Të jeni të bindur katëricëpirisht, se po u dha kjo mundësi, nuk është arritje qeveritare. Por ajo që bota po plotëson vendimemarrjen e saj në lidhje me Shqipërinë dhe rajonin. Po të ishin reformat, vetingu, etj. Shumë shpejt Shqipëria do rezultojë, a rezultonte, një vend jo vetëm pa drejtësi, siç është rasti me gjykatën kushtetuese që nuk ka tagrin e vendimmarrjes, për mungesë numrash, nga vetingu, por edhe pa qeveri, pa opozitë, pa elementin e studiove. Dhe ky do të ishte një nga pastrimet më të mëdha, pasi shumë syresh janë një kontigjen i tërë i informalitetit, megjithatë kanë vila, makina të shtrenjta, që sigurisht paga dhe honorarët e studiove nuk do u dilnin as për një apartament një dhomë e guzhinë. Dhe ajo më regresivja, të drejtën morale për të kanalizuar gjithçka vitale në jetën e një shoqërie. Të lumtur që darkë më darkë po shkatërrojnë me qejf e me dëshirë.

5) Me kushtet që ndodhet vendi…, opozita sot ka arritur në një përfundim. Daljen në rrugë për largimin nga detyra të ministrit të brendshëm. Në fakt duhej të ndodhte nga përgjegjësia civile e individit, siç ndodh rëndom në një vend perëndimor. Nuk ndodh asesi në Shqipërinë tonë. Në këto vite opozitarizmi janë një sërë emrash dhe aktivitetesh të paligjshme…, që për shkak të denoncimit opozitar rezultuan të vërteta. Si rasti i ish ministrit Beqja, deputetit Kokëdhima, bashkiakut të Kavajës, deputetit të Lezhës dhe Pukës. Ndaj është e pa pranueshme për opozitën. Apo për një opozitë të vërtetë, vetëm kjo kërkesë. Sidomos pas humbjes së jetës në qelitë e para burgimit të një të riu, baba i tre fëmijëve. Një opozitë e vërtetë, nuk mjaftohet me kaq, por me rrëzimin e qeverisë. Kjo mund të ndodhi…, mjafton që ato mandate të zhubravitura e të përfoluara aq e aq shumë, t’i vërvisni masivisht dhe kaq. Dhe duhet ta bëni një orë e më parë nëse vërtetë e doni vendin tuaj. Kush opozitar mban akoma mandatin, nuk është i tillë, por pjesë e lojës së qeverisë.

6) M’u dhimbs e gjitha, theqafja jonë, suksesi drejt rrënimit…, pamja e atij funerali protestë nga Korça. Krejt i braktisur, aq më tepër kur studiot në masivitet i japin një vëmendje të tepruar partnerëve të luftës për pushtet. Por është pikërisht ky, treguesi i theqafjes së shoqërisë sime. Nga ana tjetër një rracizëm që akoma nuk është terur ndër ne. Dhe që e luftojmë me tërbim tek të tjerët. Kurrsesi tek vetja. Një funeral që kalonte syve të kafeneve, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Në fakt ai që përcillej ishte njeriu, me të gjitha gjëmat e tia. Kurse sehirxhinjtë, jevgjitët e vertetë të shoqërisë. Ose ata vet që e përdorin këtë poronom për të shtrydhur deri epshin e fundit. Regresi jonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dava' jevgjiti"..., Ilir Levonja

SOFRA POETIKE E DIELLIT-ALFONS GRISHAJ

May 19, 2018 by dgreca

Alfons Grishaj/

Prova/

Prej kohësh  m’ asht’ sos durimi./

Syt’ gremisen  hijeve shterr,/

Neoret n’ prag të një gjëmimi/

Prej qenëve që lehin n’terr./

 

M’ faniten do  shkarravina/

T’ mavijosuna qysh në djep/,

Shëmti, fjalë  polovina,/

Leprozë  krupë, lëkura shtrep’ /

 

Prov’, t’ kalova mijë herë,

Eh,  sërish relike e hidhur…

Kalon lajmtar në timen derë?!

Qënien dytë e kam zgjidhur!

 

Mal me t’ vdekur kaluar n’rini,

Ferrit pa frikë  pash më pash.

Plagë luftari  pa agoni…

Zinxhirve t’ kuq përmes u rash.

 

Tash,  kërkojn’ me më provu prap

A m’ ka mbet ndonji shkëndi,

Bash   njata që janë veç skrap.

Jam brum’ njeriu, jo Perëndi!

Me politikanë të rremë

Me aktorë  fallso, nuk ka shfaqje të bukur,

Të rremë politikanë, humbës pa meritë.

Burrëria  e ulët … aksiomë e zhdukur,

Bishtuku  nën ujë  kurr nuk fal dritë.

 

Heshtja

Verbëri ësht’ heshtja  kur fjalosesh me zgavër,

Pasqyrave  t’ thyera ngërdheshet  reflektimi.

Prej damarëve t’ këqij  sakat  mbet gjykimi,

Kompromis  hibritesh  mbjellur  në  kadavër.

Diftongu

Si një pendë qe, diftongu.

Zanoret hallka zinxhiri,

Faqes fletores bie gongu,

Shkëlqejnë si xhevahiri.

Dikur….

Dikur, kërceja  fluturim mbi dyrdyl

Natën  nën hënën e madhërishme,

Yjet e qiellit i mblidhja në zymbyl,

Pastaj  stolisja  vashën e magjishme.

 

Me gjakun e  ndezur prej dlirësisë,

Me freskinë e joshjes djaloshare,

Me dhuntinë e paqes dhe mirësisë

Pajtoja nektarin e luleve ziliqare.

 

Asnjëherë nuk  hasa lule t’ shëmtuar,

Veç tranzicion të gjelbër pranveror,

Bukuria e jetës në tokë  përftuar.

Mesnatave magnetike  ndriçon  auror’.

 

Tani, ndjej mall për vrullin djaloshar,

Për çdo shok e mike që desha në jetë,

Kultin e fëmijërisë, Mësuesen e parë

Aromën e dijeve, engjëjt  me fletë.

 

Me gotën e verës, O mik, Omar Khajam,

Prej kësaj jete… të falem në atë botë!

Se në kët’ kohë, veç njëri është haram…

Humbësi pashije që  s’ ngre  dot një gotë!

 

Dikur… është e sotmja, të dashurit e mi,

Nuk ka kohë, as moshë në  hapësirë,

Kur shpirti të fluturojë në lartësi,

Çelësi mistik do çelë portën e lirë.

Dikush më tha

 Dikush më tha:

“Shkruaj një gjëagjëzë!”

Shkrova një aforizëm.

Më pas u kthye:

“Shkruaj një bejtë!”

Shkrova një poezi.

Më shikoi drejt në sy:

“Shkruaj një fjalëkryq!”

Shkrova enigmën matrikse,

Jo, shiun e gjelbër.

Pastaj, m’u qas:

“Shkruaj një këngë!”

Pikturova një bilbil!

Lodhje

Askush s’ më lodh më tepër

Sa i shkolluari  injorant.

Shkarravinat quan  vepër!

Dhe veprën,  Rocinant.

Ditëlindja e “buburrecit”

Mblidhen për të festuar “buburrecat”

Ditëlindjen e princit të kotësisë,

Harruan pse u mblodhën mistrecat,

Njëri-tjetrit duke i dhënë sisë.

 

Për vdekjen e armiqve ngren’ gotë,

Jo,  për ditëlindjen  princit t’hiçit?

Instikti i insektit i lë pa botë,

Çalë e zvarrë  pas ziles ‘ kriçit.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Prova, Sofra Poetike

“Njeriu i ri” dhe mungesa e kurajos civile

May 19, 2018 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat  Kripa/

“Njeriu i  ri”, një term i shpikur nga propaganda komuniste. Kush ishte “Njeriu i ri” i krijuar nga sistemi i përmbysur? Ishte ai që spiunonte shokun apo vëllanë e tij, që ditën të qante dhe natën të nxirrte sytë. Ishte turma që brohoriste me ovacione udhëheqësit. Pëllëmbët e duarve të tyre kishin zënë kallo nga duartrokitjet. Zërat ishin ngjirur nga brohoritjet për “idhujt e pavdekshëm“. Një garë e pashpallur midis popullsisë ekzistonte se kush do të ishte më i pari në servilizmat. Ishin pjellat e “njeriut të ri”. Dhe këta njerëz i  shihnim të shkatërronin kisha e xhamia, të manifestonin rrugëve  për të dalë “vullnetarë“  për të jetuar “të lumtur“ në  “fshatin e lulëzuar”  që  jetonte  me bukë thekre apo misri, pa qumësht dhe pa mish  dhe që ishte i detyruar të punonte nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për një grusht të hollash që nuk mjaftonin as për të mbajtur frymën. Përse ndodhte një gjë e tillë? Ishin pasojat e “njeriut të ri“. Individi kishte humbur personalitetin e  tij.

Vitet kaluan. Sistemi totalitar që kishte krijuar “Njeriun e ri” u përmbys. Por nuk ishte përmbysur ky “Njeri i ri“. Ai ishte shndërruar në një përbindësh që pak nga pak gllabëroi gjithë pushtetin politik dhe ekonomik të vendit. Ithtarët e sistemit të përmbysur i kthyen krahët atij sistemi dhe filluan ta mallkojnë dhe anatemojnë dhe sa hap e mbyll sytë filluan të çirren se gjoja me kohë na paskëshin luftuar për këtë demokraci. Por nuk dëgjova asnjërin prej tyre të hedhë botërisht poshtë të keqen që e kishte mbuluar për vite me radhë. Asnjë nuk e bëri një veprim të tillë. Shqipëria është shumë larg këtij nocioni të demokracisë. Deri më sot në vendin tonë nuk është ndjerë zëri i kurajos civile për të hedhur poshtë të keqen e madhe të së kaluarës, për të kërkuar ndjesë për këtë të kaluar dhe për të ecur përpara drejt së ardhmes. Ky zë nuk është ndjerë nga asnjë politikan, nga asnjë qeveritar, nga asnjë intelektual i shquar. Jemi i vetmi vend i botës ku kjo ndjenjë mungon.

Pasojat e këtyre “njerëzve të rinj“ i shohim sot në çdo hap të jetës. Ata na janë ngatërruar nëpër këmbë dhe nuk na lenë të ecim përpara. Ata i gjen kudo. Janë në krye të politikës dhe jetës shoqërore shqiptare, në krye të mediave dhe organizmave që veprojnë në vend. Oktapodët e saj kanë ndrydhur vullnetin e një populli të tërë. “Njeriu i ri” sot është shndërruar në politikan, analist, drogaxhi, trafikant e të tjera të këtij lloji.

                Kurajoja civile është një nga  vetitë më të çmuara të njeriut modern. Shembulli më i mirë në këtë drejtim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vendet e Bashkimit Europian, madje edhe ish-vendet e tjera socialiste të Europës Lindore. Kjo është demokracia e vërtetë. Kjo është kurajoja civile. Por sot me keqardhje dhe dhimbje po konstatoj se gjërat nuk janë plotësisht ashtu. Ne vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën tone, vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën drejt Europës. A do të vazhdojmë të jemi akoma nën tutelën e këtij “njeriu të ri“?

Më vjen keq që po e them por drejtuesve të shtetit shqiptar, të një pjese të partive politike dhe shoqatave të shumta u mungon kurajoja civile. Një gjë e tillë ndodh nga shkaku i mentalitetit komunist që ende ekziston në ndërgjegjet e tyre. Shfletoj faqet e internetit dhe më tërheq vëmendjen një faqe mbi dorëheqjet më të bujshme në botë. Ato janë të shumta por unë do të citoj ato më domethënëset.

Laila Freivalds, ish-Ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë në vitin 2003, dha dorëheqjen pasi u kritikua se kishte shkuar në teatër  më 26  dhjetor 2014,  ditën  që  ndodhi  cunami  aziatik,

duke e akuzaur se nuk dëgjonte lajmet kur nuk ishte në punë.

Kancelari i  Gjermanisë  Perëndimore, Wili  Brandt, dha  dorëheqjen  pasi   asistenti  i  tij

personal Gunter Guillaume kishte qenë spiun i Gjermanisë Lindore dhe u akuzua se kishte një spiun në qeverinë e tij.

Baroni Geoffrey Howe, ministri më jetëgjatë në kabinetin  e Margaret Thatcher në Britani. Ka mbajtur gjithshtu edhe postet e Kancelarit të Thesarit, Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe së fundi kryetar i Dhomës së Komunave dhe zëvendëskryeministër. Më 1 nëntor 1990 jep dorëheqjen  si pasojë e fjalimit të kryeminstres në Këshillin Europian, ku ajo deklaron për herë të parë se britania kurrë nuk do të fusë qoftë edhe një monedhë të vetme  në sistemin monetar europian.

Morihiro Hosokawa, politikan japonez që qëndroi në krye të qeverisë japoneze nga gushti 1993 deri në prill 1994, dha dorëheqjen pasi  tha atë që asnjë lider tjetër japonez nuk e kishte thënë për 48 vjet. Në fjalimin e tij përkujtimor për Luftën e Dytë Botërore, ai deklaroi se kjo luftë ishte “një luftë e gabuar, një luftë e agresionit”.

Lord Michael Bates mbërriti 2 minuta me vonesë në Dhomën e Lordëve dhe kjo gjë i ishte dukur shumë e turpshme. Ministri nuk kishte arritur në kohë dhe nuk ndodhej në sallë kur opozita kishte bërë një pyetje në drejtim të tij. Në momentin që mori fjalën ai i ishte drejtuar kryetares së Dhomës së Lordëve, Ruth Lister, së cilës i kishte kërkuar falje për vonesën dhe kishte deklaruar:

“Ju kërkoj falje që u tregova i paedukatë dhe nuk isha në vendin tim për t’iu përgjigjur pyetjes. Në pesë vjet për mua ka qenë privilegj t’iu përgjigjem pyetjeve në emër të qeverisë. Unë gjithmonë kam besuar se duhet të ngremë nivelin e mirësjelljes dhe respektin për t’iu përgjigjur pyetjeve. Më vjen turp që nuk isha në vendin tim për t’u përgjigjur dhe për këtë arsye i ofroj Kryeministres dorëheqjen time menjëherë.

Kjo është kurajoja civile. Ky është zëri i ndërgjegjes. Po në Shqipëri ky zë mungon. Janë vetëm dy raste kur ky zë është ndjerë këtu tek ne. I pari nga Sokol Nako, ministër në qeverinë Nano që dha dorëheqjen pasi aksidentalisht shtypi me makinë një qytetar dhe i dyti nga Fatmir Mehdiu që dha dorëheqjen kur ndodhi ngjarja e  Gërdecit.

Lidhur me sa më sipër dua  të theksoj tre raste të tjera që po të kishte vepruar zëri i ndërgjegjes duhej të kishin dhënë dorëheqjen. Por kjo nuk ndodhi.

Rasti i parë i përket ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kur disa muaj më parë prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit si pjesëmarrës në grupin e Habilajve të arrestuar në Itali, një kor i madh korbash i dolën në mbrojtje duke e deklaruar si model të ndershmërisë. Sikur kjo gjë të kishte ndodhur në ndonjë vend të Europës Perëndimore, ju siguroj se personi menjëherë do të jepte dorëheqjen. Por personazhi ynë nuk kishte kurajon civile ta bënte një gjë të tillë. Përse? Arsyeja të bënë të besosh se ai e ndjente veten fajtor por nuk kishte kurajo të përballej me drejtësinë. Një gjë të tillë e bëri disa muaj më vonë, atëhere kur siç duket kishte marrë sigurinë e mbylljes së çështjes. Vendimi i  gjykatës kohët e fundit për “arrest shtëpie” e vërteton një gjë të tillë. Mos u çudisni nëse nesër ai del i pafajshëm dhe ndoshta mund të kthehet përsëri në postin e tij të lartë.

Rasti i dytë i përket ministrit aktual të punëve të brëndëshme, Fatmir Xhafa, i akuzuar për lidhje me të vëllanë, Agron Xhafa, që paska qenë dënuar në Itali me tetë vjet e dy muaj për trafik droge. Kjo akuzë është hedhur poshtë nga ministri. Unë nuk mund të them nëse është apo jo fajtor pasi këtë do ta zgjidhë drejtësia por, duke qenë vëllai i një të dënuari për krijimin e një bande të drogës, gjë që është vërtetuar edhe nga deklarata e bashkëpuntorit të tij, Albert Veliut, xhesti i parë që do të tregonte fisnikërinë e tij do të ishte dhënia e dorëheqjes. Por ai  nuk  e  bëri.Përse? Sepse i mungon kurajoja civile ose e ndjen veten fajor  dhe mundohet ta mbulojë fajin me forcën e pushtetit që gëzon.

Rasti i tretë i përket kreut të qeverisë, Edi Ramës. Në asnjë vend të botës nuk ekziston një

kryeministër që të qëndrojë në pushtet kur ministrat e tij akuzohen për korrupsion ose vepra të tjera penale që janë të vërtetuara. Por edhe ai nuk e ka kurajon civile të jap dërëheqjen. Përse? për të njejtat arsye si edhe për dy të sipër përmendurit.

Kjo është Shqipëria e sotme të nderuar lexues, Shqipëria në botën e çudirave. Por a do të vazhdojë gjatë në këtë rrugë? Unë nuk e besoj. Forca e arsyes së njerëzve të ndershëm që nuk i mungon vendit tonë do të dijë të gjejë rrugën për përmbysjen e pushtetit të korruptuar dhe krijimin e një shteti me të vërtetë demokratik që do të hyjë në Bashkimin Europian me ballin lartë.

Filed Under: Analiza Tagged With: “Njeriu i ri” dhe, mungesa e kurajos civile, reshat kripa

NDERI DHE NDERSHMËRIA

May 19, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara është traditë që në këtë stinë të vitit, universitetet amerikane të organizojnë ceremoni për të diplomuarit, ndërkohë që zakonisht ftojnë personalitete të njohura nga jeta publike, përfshirë politikanë, biznismenë, por edhe individë të dalluar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, për të këshilluar studentët e sapo diplomuar nga kolegjet dhe universitetet, për jetën që i pret në botën reale.

Universiteti Rajs në qytetin Hjuston të shtetit Texas organizoi një ceremoni të tillë të shtunën që kaloi ku i ftuar si folësi kryesor ishte biznesmeni, filantropisti dhe ish-kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Michael Blumberg.  Z. Blumberg, i cili njihet, përveçse si biznismen dhe politikan edhe si njëri prej filantropistëve më të njohur të kohës tonë, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, u foli studentëve të universitetit Rajs në Teksas mbi nderin dhe ndershmërinë, si cilësi tepër të rëndësishme njerëzore për çdo person dhe shoqëri.  Natyrisht, se ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili vite më parë flirtoi me idenë për të kandiduar për president si kandidat i Partisë Republikane, u foli studentëve amerikanë, por që këshillat e tija për rëndësinë e nderit dhe të ndershmërisë, për të jetuar dhe për të vepruar me nder, me drejtësi dhe me ndërgjegje, janë të rëndësishme për çdo person dhe për cilindo shoqëri kudo në botë. Po të kishte nder dhe po të veprohej ndershmërisht, shoqëria ku jetojmë dhe kjo botë në përgjithsi do të ishte një vend më i mirë për të jetuar, për të gjithë ne.

“Nuk e di se ç’do të sjellë e ardhmja e juaj”, e filloi fjalën e tij Z. Blumberg duke iu drejtuar të diplomuarve, por dua tu flas, theksoi, ai për domethënjen e fjalëve: “nderi dhe nderëshmëria”.  Ai tha se fjalët “nderi” dhe “ndershmëria” kanë pothuaj të njëjtin kuptim. “Të jesh i ndershëm duhet të kesh nder, e kjo do të thotë të thuash të vërtetën me nder dhe të veprosh nderëshmërisht – madje edhe kur të kërkohet që të pranosh gabimet dhe të pësosh edhe pasojat.”  Zoti Blumberg shtoi se angazhimi ndaj ndershmërisë është një përgjegjësi personale dhe njëherazi edhe një “përgjegjësi patriotike”, siç e quajti ai.  Nderi dhe ndershmëria, janë cilësi të cilat i kërkojmë në udhëheqsit tanë – pra duam udhëheqës të pastër, të moralshëm dhe të panjollosur, vlera këto që janë tepër të rëndësishme dhe që vlerësohen kur një udhëheqës i posedon ato, ishte mesazhi i tij.

Ai përmendi si shembuj të udhëheqsve të ndershëm ish-presidentët amerikanë, Xhorxh Uashingtonin dhe Abraham Linkolnin, të cilëve nënvijoi ai, jo vetëm që me të drejtë u thuren lavde për arritjet e tyre në përgjithësi, por që historia i njeh tanimë edhe për nderin e tyre personal dhe për qëndrimet e tyre të ndershme dhe të moralshme, në zhvillimet politike të vendit në kohën që ata kanë udhëhequr Amerikën. “Ne shikojmë integritetin dhe moralin e tyre si një pasqyrim i nderit dhe ndershmërisë tonë, si komb”, u tha Z. Blumberg të diplomuarve në unversitetin Rice të Hjustonit.  Duke iu referuar atmosferës aktuale politike në kryeqytein amerikan, Z. Blumberg u shpreh duke thënë se “Ç’ka dreqin ka ndodhur?  Ai citoi ish-senatorin amerikan të ndjerin Patrik Mojnihan, se “Njerzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por jo faktet e veta”, faktet duhet të jenë fakte, për të gjithë.   “Për brezin tim, e vërteta rreth Amerikës – liria, mundësitë për të shkuar përpara dhe begatia që gëzonim – ishin avantazhet tona më të forta në periudhën e luftës së ftohtë. Sa më shumë që komunistët kishin lajme të vërteta, aq më shumë liri kërkonin. Ne e besonim këtë dhe për këtë kishim pasë të drejtë”, duke shtuar se sot fatkeqsisht, shumë prej udhëheqësve në nivele të larta të pushtetit e “shikojnë të vërtetën si një kërcënim” dhe refuzojnë të përballen me të.   Zoti Blumberg tha se, këta udhëheqës, “E kanë frikë të vërtetën. Ata e përgnjeshtrojnë dhe e sulmojnë atë, pikërisht, ashtu siç bënin dikur komunistët.”

“Shoqëritë e lira varen nga qytetarët të cilët janë të vetëdijshëm se gënjeshtrat në radhët e përfaqsuesve të qeverisë, nuk duhet të injorohen.  Kur zyrtarët e zgjedhur me votën e popullit flasin sikur ata janë mbi të vërtetën, ata do të veprojnë edhe sikur janë mbi ligjin. Dhe kur ne si qytetarë tolerojmë mos-ndershmërinë në radhët e pushtetarëve, atëherë pasoja është kriminalizimi i shoqërisë.  Herë të tjera paraqitet si abuzim i pushtetit, e shpeshë herë si kombinim i të dyja këtyre fenomeneve.  Nëqoftse këto dukuri nuk kontrollohen, ato abuzime mund të çojnë në përkeqësimin e institucioneve të cilat mbrojnë dhe mbështesin të drejtat dhe liritë tona dhe njëherazi mund t’u hapin derën tiranisë dhe fashizmit”, këshilloi Majkël Blumberg të diplomuarit e rinjë amerikanë në Teksas.

Por Z. Blumberg tha se “ekziston diçka shumë më e rrezikshme se politikanët e pa ndershëm të cilët nuk respektojnë ligjin – e ata janë grupe të tëra njerzish në një shoqëri, përkrahës të tyre, të cilët mbrojnë dhe justifikojnë çdo gënjeshtër të politikanëve”.

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, biznismeni dhe filantropisti i njohur botërisht , Z. Majkël Blumberg përfundoi fjalimin e tij duke i paralajmëruar studentët  kundër shfaqjeve të besnikërisë qorre ndaj partive politike, pasi tha, “Kur njerzit e shikojnë botën si një betejë midis të majtës dhe të djathtës, ata nga natyra bëhen më besnikë ndaj fisit ose partisë se sa ndaj atdheut, ndërkohë që ruajtja e pushtetit dhe jo përparimi, bëhet objekti kryesor i luftës, ndërkohë që e vërteta dhe ndershmëria janë viktimat e para të kësaj lufte”, nenvijoi ai.  Ai u kujtoi studentëve fjalët e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtonit, i cili qyshë atëherë kishte paralajmëruar mbi rrezikun, duke e cilësuar pasionin që njerëzit kanë për partitë politike, “si armikun më të rrezikshëm të demokracisë” dhe si para-ardhës të tiranisë.

Nderi dhe ndershmëria janë me rëndësi për çdo shoqëri, sidomos në radhët e politikanëve.  Majkël Blumberg i foli një brezi të ri amerikanësh dhe i porositi për rëndësinë që bartin për një shoqëri moderne si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nderi dhe nderëshmëria, sidomos në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve të këtij vendi.Por edhe për botën shqiptare kishte shumë rëndësi dikur cilësia e njeriut të ndershëm. Urimi, “qofsh me nder” ishte pjesë e përshëndetjes në vatrat tona, aty ku stërgjyshërit tanë na mësuan me ruajtë nderin, burrëninë, besën dhe dashurinë për atdhe, si cilësi dalluese të racës sonë. I takon kësaj breznie politikanësh që të angazhohet ndaj nderit dhe ndaj nderëshmërisë, si virtyte të vjetra të kombit, pikëspari në marrëdhëniet me njëri tjetrin, por mbi të gjitha në marrëdhëniet e tyre me popullin shqiptar. Betohuni se, nepërmjet të vërtetës — me nder dhe nderëshmëri—mbi të gjitha do ti shërbeni interesave të Kombit Shqiptar dhe jo interesave personale dhe të partive politike.  E përsa u përket votuesve shqiptarë, këtë betim dhe përgjegjësi ndaj nderit personal dhe kombëtar të pushtetarëve që keni zgjedhur për tu udhëhequr, duhet tua kërkoni çdo ditë dhe pa kompromis! Këtë e kërkon nderi i shqiptarit!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE NDERSHMËRIA, Frank shkreli, nderi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1413
  • 1414
  • 1415
  • 1416
  • 1417
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT