• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË GJURMËT E KËNGËVE TË HUMBURA

April 11, 2018 by dgreca

Rreth librit të Enver Lepenicës “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, Tiranë 2017/

 Nga Theodhori Proko/

1 enver LepenicaInstituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka botuar veprën e tetëmbëdhjetë të studjuesit Enver Lepenica “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”.Kur nisa që të shfletoj këtë libër, mu rikthye në kujtesë një debat i gjerë që zuri vend edhe në faqet e gazetave të ditës kohë më parë e që nxorri në sipërfaqe nga thellësia e viteve një fakt që hapi shumë polemika: Ka, apo nuk ka këngë për “Ballin Kombëtar” dhe për ata që u rreshtuan në krahun e saj luftarak. Dhe siç ndodh zakonisht me ne shqiptarët që e kemi vështirë të biem në një mendim të përbashkët, njerëzit, sipas bindjeve politike, u pozicionuan në dy pole ekstreme. Disa mohonin në mënyrë të prerë: “nuk ka as edhe një të vetme”. Të tjerë mundoheshin të pohonin të kundërtën, por pa mundur të sjellin shumë fakte bindëse, veç citimit të vargjeve të shkëputura nga ndonjë këngë e dëgjuar gojarisht, fshehurazi, nga më të moshuarit. Dhe kjo, jo pa arsye. Ata që drejtuan vendin për afro gjysmë shekulli, duke e konsideruar “Ballin Kombëtar” si kundërshtar politik, u munduan ta denigronin, fyenin e poshtëronin, duke mbuluar gjithçka rreth tyre me mjegullnajën e propagandës komuniste.

Pikërisht, për të hedhur dritë mbi këtë pjesë kohore të mbetur në errësirë në fondin e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, studiuesi dhe krijuesi Enver Memishaj – Lepenica, në konsulencë me doktor Bujar Leskaj, na sjellin librin e ri, me titull: “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”. Duke “lundruar” nëpër vargjet e këtyre këngëve lexuesi shikon dhe kupton se ato i këndojnë lirisë, atdheut, flamurit, ndjenjës së patriotizmit dhe përcjellin urrejtjen e njerëzve të këtij trualli për ata që u shkelin vatanin si pushtues.

Një pjesë e kësaj krijimtarie popullore, nga pakujdesia apo neglizhenca, nga dashakeqësia apo qëllimet politike për të “vrarë” qoftë edhe me fjalë kundërshtarët që nuk udhëhiqen nga e njëjta ideologji, fatkeqësisht, ka humbur njëherë e përgjithmonë. Ndaj, mendoj se autori Enver Memishaj – Lepenica, ka bërë një punë të lavdërueshme, për të na sjellë ato që kanë mbetur, duke i “gjurmuar” në trevat ku kanë lindur, nëpërmjet rregjistrimeve nga vet goja e njerëzve që i kanë krijuar, nëpërmjet rrëfimeve të përcjella nga brezi në brez apo duke mbledhur me mundim si zogu thërrimet, nëpërmjet shfletimit nëpër faqet e shtypit të asaj kohe të largët.

Shumë prej këngëve, të detyruara nga rrethanat e kohës së pas luftës, kanë “emigruar” deri matanë Atlantikut, së bashku me krijuesit e tyre, nga frika e hakmarrjes nga kundërshtarët politik që fituan pushtetin. Larg atdheut, prindërve dhe fëmijve, ata njerëz të lënduar në shpirt i ngrysën ditët në një trishtim të thellë, me mallin që u rëndonte më shumë se vuajtjet. Dhe kënga ishte si fjalë ngushëllimi për hallet, dertet dhe vetminë në të cilën jetonin.

Hasan Mishgjoni, nga Tragjasi i Vlorës këto ndjenja do t’i derdhte me pikëllim në vargje: Rroj në vend të huaj/ Si zog pa fole/ Nuk njoh njeri/ Dhe njeri s’më njeh.

Një tjetër emigrant politik nga më të shquarit është Xhevat Kallajxhi i cili shkruan për 7 prillin: Vatra e Arbërit u dhunua/ Çerdhe e shqipes u shkretua/ Por shqiptari nuk u ul/ U thye po s’u përkul/ Mbeti I gjallë si përherë/ Ashtu sikundër ka lerë.

Xhafer Butka, djali patriotit të shquar Sali Butka i drejtohet Shkabës trime që fluturon mbi atdheun e robëruar nga komunistët: Fluturoi edhe pa se mbi atdhe: Vlonte drapëri me çekan/ Yll’ i kuq më tjetër anë/ Jun des zemra flak rrufe/ Lotë e gjak i vanë rrëke.

Gjatë punës për hartimin e librit, autorit Memishaj, i është  dashur shpesh të vihet në kërkim të gazetave e revistave, në ato vende ku kanë jetuar shqiptarët e mërgatës, e ku ata botonin këngët e tyre të dala nga shpirti prej dhimbjes e fatit të keq që i kishte ndjekur pas. Një punë e mundimshme dhe e lodhshme, por e çmuar për nga vlerat në plotësimin e historisë me fakte, ngjarje e personazhe, që kurrsesi nuk mund të mbeten jashtë saj.  Secila kohë ka historinë e saj dhe çdo histori është e përjetësuar në këngë, ndaj të dyja bashkë përbëjnë binomin që mban gjithmonë të freskët memorien kulturore dhe historike të një kombi.

Deri para viteve ‘90, ishte herezi të mendoje se mund të flisje  dhe vlerësoje krijimtarinë e profesor Isuf Luzit, të diplomuar në universitetin e Sorbonës për letërsi. Faji i tij i vetëm ishte mospranimi i ideologjisë bolshevike, por ishte i bindur se nacionalizma ishte rruga më e mirë nën devizën “Shqipëria e shqiptarëve”. Sot, kur i lexon të pasqyruara në faqet e librit ato që ka shkruar profesori i nderuar, bindesh se brenda tyre fshihet një pasuri krijuese me vlera kombëtare, që fatkeqësisht, ka qënë e mbuluar me pluhurin e një harrese të imponuar.

Në poezinë “Terrori dhe vëllavrasja”, ai shkruan: Vjen i huaj të na vrasë, të na djeg, të na përçajë/ Me shqiptar bën dy ballë luftë, vëllanë nga vëllai ta ndajë/ E mbjell ndarjen, e mbjell grindjen, i përçan në dy partira/ Kur e sheh se gjen pengime, s’lë pa bërë mizorira. Vargje të shkruara me mjeshtëri nga pena e një talenti të mençur, e një njeriu patriot që i dhimbset atdheu dhe njerëzit e kombit të tij. Vargje, që edhe sot për Shqipërinë e shqiptarët tingëllojnë aktuale kur sheh konfliktualitetin politik, midis jo dy, po një duzine partish që përplasin “brirët” dhe prodhojnë vetëm ndasi, konflikte. Nuk thotë kot populli: “sherri vetëm fukarallëk sjell”. Mjerisht, një realitet i hidhur dhe po kaq  i hidhur dhe i pakuptueshëm fakti, pse këto vargje të profesor Luzit duhej të “burgoseshin” për vite të tëra.

Brezi i sotëm, i lindur dhe rritur në vitet e pluralizmit politik, por edhe brezat që do të vijnë e kanë të vështirë të kuptojnë, pse vargjet, këngët, eset dhe shkrimet publicistike të shkruara nga Haki Blloshmi, i diplomuar në universitetin e Harvardit, në Amerikë, Abaz Ermenjit, i diplomuar në Sorbonë për letërsi e histori, Safet Butkës, i diplomuar në Grac të Austrisë, Arshi Pipës, të doktoruar në universitetin e Firences për filozofi, e që braktisi Italinë dhe erdhi për luftuar kundër fashizmit në atdheun e vet, kanë qenë “mollë e ndaluar” për ushqimin shpirtëror të paraardhësve të tyre. Pse këta dhe figura të tjera me kapacitet intelektual si Mit’hat Frashëri, Hysni Lepenica apo Kadri Cakrani, i diplomuar në akademinë ushtarake të Vjenës, duhen “fshirë” nga faqet e historisë, vetëm se nuk përkrahën idealet komuniste e që prej tyre u “damkosën” në mënyrë të njëanëshme me vulën e tradhëtisë.

Është e vërtetë shprehja, se “historia shkruhet nga fituesi, nën diktatin e pushtetit”, por sot kur ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga përmbysja e rregjimit monist, nuk ka arsye pse historia të mos korrigjohet në dritën e fakteve të reja. Për rrjedhojë edhe këngët e “burgosura” padrejtësisht, duhet të shkruhen, të këndohen, të gjykohen e vlerësohen në liri, si bashkudhëtare të historisë tonë. Duhet t’i ndjekim gjurmët e tyre “shtigjeve” të kohës nga kanë humbur, t’i mbledhim e t’i shtojmë në fondin e trashëgimnisë tonë kulturore, duke e pasuruar atë. Mandej, lexuesit e bëjnë vet gjykimin.

Është kjo arsyeja që më shtyti të hedh në letër këto rreshta pas shfletimit të librit “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, jashtë mendësive politike, me të cilat jemi mësuar të gjykojmë edhe kur bie fjala për vlera artistike dhe historike. I parë me këndvështrim të kthjellët, tej reminishencave të së kaluarës, libri më duket si një enciklopedi poetike e këngëve të humbura, i cili na zbulon për herë të parë pas kaq kohësh, një pjesë të shpirtit poetik të popullit të mbetur në errësirë, të mohuar, shpesh herë të baltosur. Nga ana tjetër, nëpërmjet këtyre këngëve kuptojmë edhe realitetin e deformuar qëllimisht, për të fshehur a justifikuar dramën njerëzore, vuajtjet, burgosjet e internimet e një pjese të popullsisë, që ishte në kundërshtim me mendimet politike të një pjese tjetër. Nisur nga kjo, libri i ri i autorit Enver Memishaj, përbën një kontribut të çmuar, për të mbushur një boshllëk të krijuar në trashëgiminë shpirtërore të popullit tonë, veçanërisht gjatë luftës antifashiste, midis viteve 1939-1944. Njëkohësisht, autori duke saktësuar me dokumenta autorësinë e çdo kënge, kohën kur është shkruar, ngjarjen apo personazhin që i dedikohet, krahinën ku ka lindur, shërben edhe si një nxitje për historianët, në kërkim të gjurmëve të humbura të asaj pjese të historisë të mbetur deri tani në errësirë, apo të “gërryer” e të deformuar nga “erozionet” politike të kohës.

 

Theodhori Proko

 

Filed Under: ESSE Tagged With: NË GJURMËT E KËNGËVE, TË HUMBURA, Theodhori Proko

Ndërrimi i emrit nuk të bën patriot …

April 11, 2018 by dgreca

1 Mehdi_Hyseni
Nga Prof.Dr.Mehdi Hyseni/
*** Kur shoqëria është e prekur nga shumë viruse epidemike (sëmundjet, padrejtësia, pabarazia, uria, varfëria dhe papunësia… etj.), shfaqen edhe dukuri negative dhe iracionale, sepse njerëzit  fatin e tyre  kërkojnë në llotari, në  lojëra bixhozi, në fajde, në idoktrinime të ndryshme politike dhe religjioze, në  konvertimin e identitetit personal ose religjioz, në mercenarizëm, në mashtrime, në shfrytëzimin e njeriut prej njeriut, në  dekadencë… dhe në filozofinë egzistencialiste, duke ëndërruar një jetë më të mirë jashtë realitetit.
Të mësohemi të jetojmë me realitetin maerialist dialektik, jo me  fantazma  që të prishin mendjen, të zhbirojnë zemrën dhe të verbojnë sytë.
Natyrisht se, do të ishte e mira e Zotit, e Kombit dhe  e Atdheut-SHQIPËRISË ETNIKE, që të punojmë siç na mëson Naimi Frashëri ynë “Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë…”, të edukohemi, të arsimohemi  dhe ta ndjekim rrrugën e ndritshme kombëtare dhe atdhetare patriotike të  kolosëve Hasan Prishtina, të Ismail Qemalit dhe të Adem Jasharit për të dalluar dritën nga terri dhe lirinë nga robëria. Mirëpo, kjo nuk arrihet duke ndërruar emra, duke tradhtuar, duke mashtruar, duke shpifur dhe duke luajtur bixhoz nëpër taverna dhe kafene  të  shkollës  falimentuese dekadente të egzistencializmit dhe të nihilizmit “modern”.
    Me injorancë, me përralla imituese dhe me fall indoktrinues rinfus, të konsumuar për t’i çoroditur dhe infektuar të tjerët. nuk bëhet ribashkimi kombëtar dhe i SHQIPËRISË ETNIKE.
 -Të bëhesh personalitet-VLERË me famë kombëtare dhe ndërkombëtare, emri s’lot rol, kush je, i kujt je dhe nga je, por mendja, puna e vyer, sjellja shembullore, kultura dhe vepra e dëshmuar, e çmuar dhe e vlerësuar nga  shoqëria.
-Ja disa shembuj konkret nga historia, nga politika, nga kultura kombëtare shqiptare: Hasan Prishtina dhe Babai  i Shqipërisë Etnike, Ismail Qemali nuk e ndryshuan emrin as fenë, por ishin dhe mbetën personalitete  dhe vlera emblematike të pavdekshme kombëtare dhe atdhetare shqiptare, që si SKËNDERBEU dikur, i thanë JO  TERRINËS DHE ROBËRISË SHEKULLORE, duke ia kthyer pushkën Perandorisë Osmane për çlirimin, për pavarësimin, për bashkimin dhe   për formimin e shtetit të parë shqiptar  brenda kufijve natyralë  autoktonë të Shqipërisë Etnike, më 28 Nëntor 1912.
 –Të gjithë ata, që ndjekin këtë rrugë të dritshme si dielli, nuk kanë nevojë të bëhen përgaz, duke ndërruar emër, komb e fe, sepse shpëtimi i shqiptarëve vjen nga  çuarja në vend e amanetit dhe e veprës së pavdekshme liridashëse, kombëtare dhe atdhetare e ndërtuar me shekuj nga plejadave  e RILINDËSVE dhe e LËVIZJES  KOMBËTARE  SHQIPTARE (1878 -2018).
S’ka asnjë dyshim se këtë vërtetë aksiomatike e provuan edhe veprat vlerore jetësore epokale, patriotike dhe kombëtare shqiptare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të Sami, Abdyl, Naim Frashërit, të  Pjetër N. Luarasit, të Papa K. Negovanit, të  Hoxhë Tahsinit, të Çerçiz Topullit, të Jeronim de  Radës, të  At Gjergj Fishtës, të Konstadin Kristoforidhit, të Ndre Mjedës, të Filip Shirokës, të Ismail Qemalit, të Hasan Prishtinës, të Luigj Gurakuqit, të Hoxhë Kadri Prishtinës, të Isa Boletinit, të Azem Bejtës, të Nënë Terezës, të  Shaban Polluzhës, të  Shaban, Hamzë dhe Adem Jasharit, të Adem Demaçit, të Fazli Greiçevcit, të Rexhep Qosjes, të Ismail Kadares, të Jusuf e Bardhosh Gërvalla, të Kadri Zekës…., e qindra e mijëra të tjerëve me emra dhe me mbiemra të ndryshëm  myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, që emrat dhe mbiemrat e tyre nuk ishin kurrfarë pengese, që të bëheshin pesonalitete grandaioze vlerore të kombit, të atdheut, të shkencës, të artit, të kulturës dhe të humanizmit kombëtar dhe botëror.
Prandaj, është naivitet dhe budallallëk sui generis të ndryshohet emri dhe mbiemri , sepse në rrethana dhe në kushte normale, nuk fiton  as dituri, as burrëri, as trimëri, as miliona e miliarda, as nuk gëzon kurrfarë autoriteti, respekti, as besimi nga  të tjerët, veçëse  bëhesh komik, i dyshimtë dhe objekt talljeje, duke mos  të vërë  “në pullë “ asnjë njeri normal.
Ndërrimi i emrit nuk të bën patriot  mbase nuk  është kurrfarë obligimi dhe  IMPONIMI KOLEKTIV KOMBËTAR, por vetëm  një dëshirë individuale   fantazie.
Prandaj, ai  që ndërron emër dhe mbiemër ose fe për qejf, s’ka nevojë t’u bjerë këmbanave të kishave, as t’ua nxjerrë gjumin minareve të xhamiave, sepse ai nuk është kurrfarë  apeli i dobishëm human  as për shpëtimin e njerëzëve nga fatkeqësitë elementare të natyrës (tërmeti, cunami), as për shpëtimin e njerëzëve nga rreziqet e luftërave dhe të epidemive të ndryshme shkatërrimtare të bashkësisë njerëzore  ( kanceri, kolera…etj.), as për  grumbullimin e ndihmave bemirëse humanitare kombëtare dhe ndërkombëtare, as për parandalimin e konflikteve dhe të luftërave grabitçare kolonialiste dhe neokoloniaste,  as për çlirimin, as për bashkimin e as për paqen e humanizmin si vlera siprane të qytetërimit dhe të mirëqenies së përgjithshme të botës së sotme modern (e pllakosur nga varfëria, nga papupunësia, nga uria e thellë, nga sëmundjet vdekjeprurëse, nga mjerimi ekonomik, si dhe nga ekzodi sistematik i miliona refugjatëve nga konitetet e ndryshme të botës), POR vetëm një lloj idealizmi   i verbër subjektiv i individëve  nihilistë, të cilët  ushqehen me  nusprodukte të ideologjisë së fetishit, jo të ideologjisë shkencore të realitetit të materializmit dialektik.
Kjo formë e idealizmit të fetishizimit të realietit, është instrumenti ideologjik më agresiv i vetëmohimit dhe i tjetërsimit të vetëvedijes së njeriut normal, i cili në këtë mënyrë endërron  për një jetë a fat më të mirë. Mirëpo,   pavarësisht nga ambicia negative, asgjë nuk mund të ndryshojë duke ndërruar emrin, mbiemrin, vendin ose religjionin, sepse pa mend, pa dituri, pa sakrificë, pa përpjekje, pa punë “ditë e natë…”( si shkruante Rilindsi ynë i madh, Naim Frashëri) , pa qendresë mbinjerëzore, pa ideal e realizëm të pathyeshëm dhe pa vepra kolosale të pavdekshme kombëtare dhe patriotike sikurse ato të  RILINDËSVE tanë, nuk mund të jesh as hija e Gergj Kastriotit- SKËNDERBEUT, as e Ismail Qemalit, as Naimit, as Abdylit, as e Samiut, as e Hasan Prishtinës…etj.
 
Ndërrimi i identitetit është çështje personale private, e drejtë e çdo individi
 
Mirëpo, individët, që ndryshojnë emrin dhe mbiemrin, nuk ka nevojë që përmes RTV-së dhe masmediave të tjera vendore dhe botërore  të “alarmojnë” si një  “zbulim shkencor” APO si një “akt heroik” kombëtar, duke imponuar ndonjë  shpërblim (çmim nobel), mobilizim, mbështetje apo mirënjohje  patriotike gjithëkombëtare  kolektive a shtetërore,  sepse ai është vetëm  një akt privat-një dëshirë personale, që prej tij nuk fiton asgjë interesi i përgjithshëm i shoqërisë, as i kombit, as i politikës, as i ekonomisë, as i atdheut, as i shkencës e as  i mirëqnies së përgjithshme të shoqërisë qoftë në kuptimin e ngushtë të brendshëm, qoftë në atë të gjerë të jashtëm.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ndërrimi i emrit, nuk të bën patriot, Prof. Dr. Mehdi Hyseni

SHBA me Kosovën edhe në Javën e Bibliotekës Kombëtare

April 11, 2018 by dgreca

-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në ceremoninë hapëse, theksoi mbështetjen  për veprimtaritë e Javës së Bibliotekës prej fillimit në vitin 2003/

1 ambasad ame -Në kuadër të “Javës së Bibliotekës” u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skenderbeut/
1 Libra femijeGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

1 salle

 PRISHTINË, 11 Prill 2018/ Në Kosovë ka filluar edicioni i 16-të i Javës së Biblotekës Kombëtare, me temën “Arsimimi dhe Trajnimi Bibliotekar”, aktivitet ky i përvitshëm, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me  një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i  cili tha se së bashku do të rrugëtojmë me librin dhe bibliotekën dhe do të marrim përgjegjësitë që na takojnë.Kreu i Qeverisë së Kosovës falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata që në ditë të vështira e mbijetuan librin, bibliotekën, të cilët na bënë të jemi këta që jemi sot.1 Haradinaj Kryeministri Haradinaj përmendi vakumin 10 vjeçar të paraluftës, shkatërrimet e luftës, por edhe kohërat emergjente, duke theksuar faktin se edhe në atë kohë nuk kemi qenë vetëm.”Më kujtohet, që herët, Ambasada e Amerikës, me një donacion të botimeve,  dedikuar qytetarëve dhe studentëve. E kam përcjell atë kohë dhe më pat bërë përshtypje”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Amerikën, popullin e saj, Ambasadën, për këtë kujdes të vazhdueshëm.

 Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në ceremoninë hapëse, theksoi mbështetjen  për veprimtaritë e Javës së Bibliotekës prej fillimit në vitin 2003.“Këtë vit, ambasada jonë është krenare që mirëpret Dr. Robert Montojën nga Universiteti i Indianës, Blumington, i cili do të flasë për edukimin dhe trajnimin në biblotekari dhe shkencë informative. Dr. Montoja sapo e ka përfunduar prezentimin e parë me bibliotekarët tuaj dhe mendoj se kjo ishte mënyrë e shkëlqyeshme për t’ia nisur veprimtarive të kësaj Jave. Dr. Montoja, ju faleminderit që jeni këtu me ne”, u shpreh Ambasadori Amerikan. 1 Ministri

Ai falënderoi Bibliotekën Kombëtare për përpilimin e një axhende shumë të mirë të veprimtarive për këtë javë, si dhe të gjithë punonjësit e bibliotekave dhe institucionet për mbështetjen e kësaj jave nëpër tërë Kosovën.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi përmes ambasadorit amerikan,  falënderoi Qeverinë, institucionet dhe popullin Amerikan për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për bibliotekën, duke vënë në fokus miqësinë e përhershme dhe të gjithanshme mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Ai vlerësoi këtë organizim tradicional i cili me sukses ka trajtuar tema të ndryshme duke sensibilizuar publikun për rëndësinë e bibliotekarisë dhe të librit në fushën e dijes dhe të kulturës, ndërsa theksoi se Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të ndihmojë në funksionimin e mirë të bibliotekave në Kosovë.

Në ceremoninë hapëse po ashtu morën pjesë edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj.

Në kuadër të aktiviteteve në Javën e Bibliotekës së Kosovës u ndanë mirënjohje për ata që kanë dhënë kontribut në ruajtjen dhe pasurimin e librit. Ministri Gashi i ndau mirënjohje Ibrahim Kuçit për pasurimin e biblitekarisë me 9996 ekzemplarë.

Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, u hap edhe ekspozita me gravurat nga botimet e librave kushtuar Skenderbeut.

Gjithashtu, ministri Gashi mori pjesë edhe në ndarjen e materialeve bibliotekare për fëmijët me nevoja të veçanta, “Biblioteka n’shesh – Fëmijët me nevoja të veçanta, bibliotekarë të ardhshëm”, aktivitet ky i organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Java e Bibliotekes. SHBA, Kosove

Freedom House: Demokracia në Shqipëri në vend-numëro

April 11, 2018 by dgreca

1 Freedom-House-933x445Demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”, sipas organizatës Freedom House.Shqipëria është në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan të qeta.

Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House, “Vendet në Tranizicion” – një përmbledhje të së cilit e përgatiti Zëri i Amerikës – thuhet se, përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, u zbeh nga dyshimet se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës.

Arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën nga zgjedhja si president i Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” , si edhe nga “zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në parlamentin e Shqipërisë të Prokurores së Përkohëshme më 18 Dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”, thuhet në raport.

Përparim në zgjedhje, por polarizimi politik vazhdon

Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit shënuan përparim, pasi ofruan garanci të gjera për opozitën. Falë këtij përmirësimi, rezultati i përgjithshëm i indeksit të demokracisë u përmirësua në 4.11 nga 4.14 që ishte një vit më parë. Sipas Freedom House, numri 1 përfaqëson nivelin më të lartë të demokracisë dhe numri 7 më të ulëtin.

“Fushata zgjedhore, si dhe numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishte shumë më pak probleme sesa në zgjedhjet e kaluara. Për këtë arsye, asnjë nga partitë kryesore nuk i kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve”, thotë raporti.Por zgjedhjeve u parapriu një bllokim politik mes opozitës dhe qeverisë gjatë katër muajve të parë të vitit 2017 “që e vuri të gjithë procesin zgjedhor në rrezik”.

Në raport thuhet se qeverisja demokratike në Shqipëri, u karakterizua nga ngecja në vend për shkak të polarizimit të thellë mes partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste në pushtet, si edhe nga prirjet autoritare në vitin 2017.Bojkotimi i parlamentit nga Partia Demokratike gjatë katër muajve të parë të 2017-ës, e frenoi reformën e kodit zgjedhor që ishte rekomanduar nga OSBE/ODIHR-i.

Po ashtu rrezikoi ta hidhte të gjithë procesin zgjedhor në kaos, pasi PD-ja refuzoi të emëronte përfaqësuesit e vet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe i regjistroi kandidatët e vet, shumë pas afateve të përcaktuara në kodin zgjedhor.“Marrëveshja e majit mes PS-së dhe PD-së, që i dha fund bojkotit, megjithëse u hapi rrugë zgjedhjeve të qeta, e sforcoi sistemin zgjedhor, pasi logjika politike iu imponua kodit zgjedhor”, thuhet në raport.

Ndërkohë raporti thotë se Partia Demokratike e opozitës dukej se, ishte në një proces shpërbërjeje pas humbjes më të thellë në 25 vjet, ndërsa presidenti i ri Ilir Meta nuk e kishte besueshmërinë për të mos lejuar abuzime të mundshme me pushtetin nga ekzekutivi.

Lufta kundër korrupsionit dhe kundër kanabisit

Freedom House thotë se, në vitin 2017 pati një farë përparimi kundër korrupsionit dhe rryshfeteve, veçanërisht në radhët e policisë, si edhe në luftën kundër drogës, që u vu re në reduktimin e kultivimit të kanabisit. Por përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, thuhet në raport, u zbeh nga njoftimet e agjencive italiane të rendit se ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-amerikan të trafikut të drogës.

“Megjithë këto njoftime, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë votoi kundër kërkesës së prokurorëve për t’i hequr Tahirit imunitetin parlamentar, që ai të mund të arrestohej”.

Në raport thuhet se kultivimi i kanabisit ra në mënyrë drastike në Shqipëri, pjesërisht falë ndërhyrjes së policisë shqiptare.

“Ndërsa zyrtarët e qeverisë ia atribuan këtë strategjisë së tyre kundër kanabisit, analistët e pavarur argumentuan se mbiprodhimi gjatë tre viteve të mëparshme, krijoi rezerva të pashitura të kanabisit që e shkurajoi kultivimin e mëtejshëm në vitin 2017”, thuhet në raport.

“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.

Përparimi i bërë në vitin 2017 për të ulur korrupsionin në nivele të ulta, thuhet në raportin e Freedom House, u zbeh nga humbja e terrenit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe kapjes së shtetit.

Raporti flet për strategjitë e miratuara kundër korrupsionit nga qeveria, përfshirë reformën në drejtësi që ka sy synim vetingun mes gjykatësve dhe prokurorëve në gjithë nivelet.

“Strategjia e qeverisë kundër korrupsionit u përqendrua pothuajse ekskluzivisht tek korrupsioni administrativ dhe neglizhoi korrupsionin politik dhe publik-privat, si kapja e shtetit”, thotë raporti që thekson se “institucione kyçe të anti-korrupsionit si Prokurorja e Përgjithshme e përkohëshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit dhe Kontrollit të Pronave dhe Konfliktit të Interesave nuk patën pavarësi pasi janë zgjedhur me shumicë të thjeshtë parlamentare të së njëjtës parti që u duhet ta kontrollojnë”.

Ndërsa duke folur për kapjen e shtetit, raporti thotë se ende nuk ka masa rregulluese për lobimin, nuk ka kufizime për zyrtarët që kalojnë në sektorin privat pas jetës publike – përveç drejtorëve të policisë – dhe një kuadër të pamjaftueshëm ligjor për konfliktet e interesave.

Reforma në Drejtësi

Bojkotimi i parlamentit nga opozita dëmtoi gjithashtu edhe reformën e drejtësisë, pasi Partia Demokratike nuk i paraqiti tre kandidaturat e veta në Komisionin Parlamentar përgjegjës për përzgjedhjen e anëtarëve të organizmave që do të kishin përgjegjësinë të kontrollonin figurat e gjykatësve dhe prokurorëve.

Kjo pengoi krijimin e dy institucioneve kyçe të drejtësisë: Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe vonoi procesin e vetingut që filloi më në fund më 26 tetor. Raporti thotë se mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shkaktoi bllokimin serioz në zgjedhjet e pasuesit të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla kur atij i mbaroi mandati, gjë që solli si rezultat zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të përkohëshme, Arta Marku nga Partia Socialiste në fuqi, me një shumicë të thjeshtë votash, që u kundërshtua me forcë nga partitë opozitare në parlament.

Shqetësime për prirje autoritare në qeverisje

Më 13 Shtator, parlamenti miratoi qeverinë e dytë të udhëhequr nga Edi Rama, që përbëhej pothuajse plotësisht nga besnikë të tij. Kjo, shkaktoi frikë mes analistëve politikë se Rama mund të qeveriste me grusht të hekurt, duke pasur parasysh shumicën e tij prej 74 vendesh dhe kontrollin e tij të fortë mbi ekzekutivin.

Raporti thotë se një numër ngjarjesh në vitin 2017 duket se i konfirmuan shqetësime të tilla, përfshirë amendamentet e propozuara për ligjin e taksave që i jepnin autoritet të pashembullt (qeverisë) për të përcaktuar nivelet e taksave për biznese të ndryshme si edhe përdorimi i shumicës së thjeshtë për të zgjedhur Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme.

“Në fakt, vendimi i Ramës për të zgjedhur në mënyrë të njëanshme Prokuroren e re të Përgjithshme të përkohëshme me një shumicë të thjeshtë në parlamentin shqiptar në dhjetor, duke shpërfillur kundërshtimet e ashpra të dy partive kryesore opozitare, shfaqi një hap të parë shqetësues në këtë trajektore”, thotë raporti.

Shoqëria Civile dhe Media

Në raportin e Freedom House shprehet gjithashtu shqetësim për mangësitë financiare dhe humbjen e besimit të publikut tek organizatat e shoqërisë civile. Sipas organizatës, komuniteti Roma mbetet më i diskriminuari, pasuar nga ai LGBT që “vuan nga nivele të larta të homofobisë”.

Media vazhdon të vuajë nga autocensura dhe lidhjet e ngushta mes politikës, biznesit dhe medias.

Raporti përmend faktin që parlamenti miratoi amendamente në ligjin për Mediat Audiovizuale, duke detyruar organet e medias që të ofronin kohë falas në valët televizive gjatë fushatës zgjedhore.

“Në relievin e medias shqiptare pavarësia editoriale vazhdoi të jetë e kufizuar, pasi pronarët e medias gjithnjë e më shumë vazhduan të përcaktojnë përmbajtjen”.

Sipas raportit, legjislacioni shqiptar mbeti i heshtur për të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë e redaktorëve. Si shembuj përmendet fakti që kontratat e drejtorit të televizionit ABC News dhe drejtorit të botimeve të MAPO-s, Alfred Lela nuk u ripërtërinë për shkak të politikës editoriale të pronarëve.

“Në vitin 2017, pronarët e mediave vazhduan të përdorin mediat e tyre për t’i bërë shantazhe qeverisë ose për ta detyruar atë që t’u bënte favore ekonomike”, thuhet në raport.

“Kështu më 30 mars, parlamenti miratoi një ligj që jepte 5 milionë Euro për organet e medias në mënyrë që të lehtësonin kalimin nga transmetimet analoge në ato dixhitale. Dy përfituesit kryesorë të këtij fondi ishin familjet Hoxha dhe Frangaj, që kanë në pronësi dy stacionet kryesore televizive në Shqipëri, Top Channel dhe Klan”, thotë raporti.

Ndërkohë në vitin 2017 shumë gazetarë vazhduan të punonin pa kontrata, të mos merrnin rrogat në kohë dhe nën rrezikun e pushimit arbitrar nga puna.

Parashikimi për vitin 2018

Sipas Freedom House, 2018-a paraqet mundësi për përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri, por edhe rrezikun e autoritarizmit. Me një shumicë të gjerë, Partia Socialiste në pushtet dhe kryeministri i saj kanë një shans të vërtetë për të kryer reforma të rëndësishme, që kanë mundësinë të ulin korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe ryshfetet në administratën publike, dhe njëkohësisht të përmirësojnë qeverisjen e mirë. Nga ana tjetër, kontrolli i plotë që ka kryeministri Rama mbi Partinë Socialiste dhe shumica e konsiderueshme që ai ka në parlament, e kombinuar me një kontroll të fortë mbi ekzekutivin, mund t’u hapë rrugën prirjeve autoritare që mund t’i vendosin institucionet shtetërore nën kontrollin e kryeministrit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokracia ne Shqiperi, Freedom House:, Hibrid

Tradhëtia e Madhe

April 11, 2018 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

Nga Alfons Grishaj/

 Asnjëherë nuk kam menduar se në kohët moderne me një përvojë politiko-shoqërore të  mjaftueshme të  ndodhin  budallallëqe diplomatike me përmasa të rrezikshme territoriale,  si  në Prishtinë.  Ministri i Brendshëm,  veproi si një diletant në kundërshtim me kompetencat, duke bashkëpunuar nën rrogoz me një shtet tjetër, pa informuar aspak Kryeministrin e tij. Ministri Brendshëm i Prishtinës veproi sikur Kryeministri i tij të ishte në Turqi dhe jo në Prishtinë. Kjo ngjarje ka lënë me gojë hapur shumë qarqe diplomatike europiane e perëndimore. Një akt i tillë do denohej në çdo shtet të botës si tradhëti. Mirëpo në Kosovë, Kryeministri Haradinaj, u mjaftua vetëm me shkarkim nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Akti i turpshëm i Ministrit të Brendshëm, u përshëndet nga shtypi i Erdoganit, si një akt i guximshëm dhe jo si një tradhëti. Gazetat e Erdoganit, anatemuan Kryeminstrin Haradinaj, allaturka si në kohën e sulltanëve. Një gazetë e quante dhe pianik. Sikur të ish gjallë Omar Khajam, do u recitonte mjeranëve lap(!)arë,  strofat 211-212:

Të madhit Muhamet i çon selam:

Dhe e pyet Imami Omar Khajam!

“O Pejgamer, më thuaj aman,

Pse dhallën bën hallall, verën haram?

 

Përgjigjet Muhameti me selam:

“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!

Dhalla hallall për lolot, mor aman,

Verën për t’ urtët nuk e bëj haram!”

Janë të kuptueshme gazetat e kohës së sotme, të cilat janë nën frenat e Sulltanit të Ri. Çudia e madhe vjen nga ca “faqe shqiptare”, me pezishkë diabolike gazetareske, të cilat, pa pikë turpi na tregojnë se kush janë miqtë dhe armiqtë e popullit shqiptar dhe arrijnë deri aty sa t’ na përmendin kryqat dhe çallmat. Ato anatemojnë tërthorazi Haradinajn si një kryqtar dhe si i tillë, ai duhet të vendosë kryq në qafë për t’u identifikuar, sepse vetëm kështu ithtarët e erdoganizmit, që nuk kanë derdhur asnjë pikë djersë për komb, e kanë të lehtë të shtijnë me shigjetat neotomane, kundër lirisë dhe mbrojtësve të saj! Me gjuhën e renegatëve, minjtë e Erdoganit e quajnë ish-pushtuesin turk, mik! Dhe mjerisht, vendi ynë siç ka nxjerrë shumë heronj, ka prodhuar dhe shumë renegatë dhe këlyshë renegatësh! Dhe sot i shohim puthadorët duke lëpirë dhe puthur këpucët e Sulltanit të Ri të Ankarasë.

Erdogan, i quan të gjithë kundërshtarët e tij, Gylenistë, dhe i paralajmëron të mos fusin duart në punët e qeverisë Turke. Kurse vetë ai, dhe pse fut dorën e hundët në punët e një shteti të pavarur e sovran, duke i kompromentuar Ministrin e Brendshëm, nuk përbën ndonjë problem?!

Edhe pse fuqia perandorake ka perënduar, politikat e vjetra të ish pushtuesve të Shqipërisë, nuk kanë hequr dorë nga synimet shekullore për ta mbajtur vendin tonë si një provincë të tyren. Me fuqinë e ofertave kompromentuese, këto politika ndërhyjnë në zhvillimet tona të brendshme dhe jo rrallë. Shumë devijime politike, ekonomike e diplomatike janë bërë tek ne si rezultat i këtyre ndërhyrjeve nga Ankaraja dhe Beogradi. Stadi i zhvillimit tonë ekonomik është pasojë e këtyre ndërhyrjeve, sepse këto dy vende, në kontekstin e ri gjeopolitik, ngaqë nuk mund mund t’i ëndërrojnë më Shqipërinë dhe Dardaninë, si mundësi për ekspansion territorial, po e përdorin si zonë tregu dhe influence! Si Serbët dhe Turqit, kanë mbetur të njëjtë. Ndërsa, kripto-turqit, apo kripto-serbët që flasin shqip e që jetojnë në vendin tonë, na servirin pjata minjësh për drekë. Njëra palë me gjak, tjetra me tradhëti.

Kështu, ca gazetarucë, nuk gjykojnë shëmtinë e ish Ministrit të Brendshëm, por gjykojnë një hero si Haradinaj, që sakrifikoi si pak kush për tokën e shenjtë të Dardanisë. Ramush Haradinaj është një shqiptar i vërtetë. Atdheu i tij është Shqipëria autoktone. Anatemimi i z. Haradinaj, apo i Ipeshkvit të Dardanisë, nuk i shërben askujt tjetër përveçse armiqve të Kombit. Sulmi ndaj  Ipeshkvit të Dardanisë, Dodë Gjergji, se gjoja ai nuk paska të drejtë të flasë për turpin e ndodhur, është një muzikë e vjetër.  O Zot! Po ku janë shkolluar këta  të mjerë?!  Po sikur Ipeshkvi Dodë Gjergji, të mos ishte prift dhe të ishte qytetar i lirë i Dardanisë, a do të kishte të drejtë të denonconte aktin e tradhëtisë që ndodhi në Prishtinë?

Sigurisht, priftërinjë e hoxhallarët shqiptarë, kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre politiko-sociale me gojën plot se janë nështetas dhe qytetarë të Republikës, dhe njëkohësisht kanë një plus që palo-gazetarët dhe palo-politikanët nuk e kanë. Ata ia kanë kushtuar jetën Zotit dhe të vërtetës, dhe jo veseve dhe luksit të rremë. Veçantia në Republikat laike është se, udhëheqsit shpirtërorë duhet të mbajnë fenë të ndarë nga politika dhe të zgjidhen në poste funksione shtetërore.

Çka më vret më tepër në “leksionet gazetareske”… është ligësia e përpunuar në laboratoret e varfërisë intelektuale, apo të huaja. Përmendia numërore në fe, është kompleks inferioriteti në vetëdije, në kulturë, në emancipim dhe logjikë kombëtare. Të gjithë ata që përmendin përqindjet, janë injorantë ose të djallëzuar. Kombet e qytetëruara nuk kanë “shumicë absolute”, por logjikë civile absolute, vetdije dhe identitet etnokulturor. Të vetmet shifra që vlejnë në demokraci, janë ato që i japin legjitimet një qeverisjeje që punon për interesat e shoqërisë që e zgjedh.

Termi “Tolerancë Fetare”, nuk është një term virtuoz, por një huazim me synime anadollake. Ky term, që ka lindur me ediktin e Milanos, nën firmën e Konstandit të Madh, me origjinë ilire, u ripërdor nga Sulltan Sulejmani, por që nuk gjeti zbatim në Shqipëri, u harrua në kohën e Enverit dhe u rishfaq dendur pas viteve 90, prej ardhacakëve nga terri. Tashmë me një kuptim më të rafinuar. Pakica ekziston falë mëshirës së shumicës! Kjo është dhe gënjeshtra më e madhe që e përdorin dhe disa të “mençur”, të cilët, tek filozofia e stërholluar osmane e asimilimit, gjejnë tezat dhe argumentet. Çdo argument tjetër etnologjik dhe historik është fshirë.

Në disa brezni, shqipëtarët gjejnë origjinën e tyre në Zef, Pjetër, Sofokli, Gjon etj. Lejimi që bëri Papati përdorimit të emrave jo të krishterë në publik, nga ana e atyre që praktikonin në fshehtësi ritet e besimit katolik, lindi kripto-katolikët. Një pjesë e tyre u konvertua gradualisht në muslimanizëm, por me një ndryshim të madh, se muslimanët shqipëtarë, nuk e mohuan kurrë origjinën e tyre, dhe ruajtën lidhjet e gjakut me vëllezërit, dhe kushurinjtë që mbeten kristianë. Këtu e ka bazën dashuria dhe respekti reciprok midis besimeve në Shqipëri. Vetëm familjet kolone turke, të vendosura në Shqipëri, kryesisht për arsye administrative (që janë me gishta), mund të krenohen se erdhën muslimanë dhe nuk u konvertuan. Tani ne po shohim  se,  disa të ardhur nga “Kosova” apo nga “Maqedonia” po na tregojnë dhe “origjinën” dhe “shumicën” etj. Këta na përmendin dhe kryqin dhe flamurin e Islamit pa ditur aspak çfarë janë.

Faktet shkencore,  për ata që kanë logjikë, janë të pakontestueshme: Judeistë, Krishterë, Muhamendanë, kanë një baba, Abrahamin (Ibrahimin).  Këto tri fe kanë 24 Profetë të përbashkët… Mjafton të lexosh me logjikë dhe zemër të pastër… Biblën, Torahun dhe Kuranin, dhe konkluzioni të vjen natyrshëm.  Sigurisht, ritualet, forma dhe mënyra e jetesës janë të ndryshme, por thelbi është i njëjtë, monoteizëm, një zot dhe një trashëgimi!

Përmendja  kryqit vend e pavend nuk është asgjë tjetër, vetëm  porta e kalbësirës së nënqenies, shpirtit. Krishti (Hazreti Isai), u kryqëzua për mëkatet tona, dhe  ky kryq, i shërbeu dhe po i shërben njerëzimit anë e kënd botës qëprej dy mijë vjetësh. Në emër të humanizmit dhe lirisë, ky kryq i shërbeu dhe Dardanisë. Kryqëzata (siç thonë disa udhëheqës serbë) kundër Serbisë naziste, për të çliruar popullin e Kosovës, u udhëhoq nga “Kryqtarët” e NATO-s … dhe mos të harrojmë se, bash midis sheshit të Prishtinës, është vendosur busti i një “Kryqtari”,  i cili quhet Bill Klinton,  çliruesi i popullit tonë, dhe jo busti i pasuesve të sulltanëve që e robëruan, gjakosën dhe çnderuan popullin shqiptar për afro 500 vjet!

Një porosi lapsarëve-puthadorë: kur të shkruani për ngjarjet në Shqipëri, veçanërisht në Dardani, kujtoni hordhitë turke që dogjën dhe përvëluan popullin shqiptar, eksodet biblike të popullit tonë nga toka e të parëve; kujtoni përdhunimet e motrava dhe nënave shqipëtare nga makina naziste serbe, kujtoni vrasjet barabare të motrave dhe vëllezërve tanë… kujtoni heronjtë e UÇK-së dhe gjakun e derdhur dhe do të kuptoni se armiqtë janë të ngjashëm në vepra dhe në qëllime, pavarësisht racës apo besimit. Pastaj, mos harroni të kujtoni Aleatët “Kryqtarë” që udhëhoqën NATO-n për të çliruar popullin e Dardanisë, liri që sot e gëzon e që përbën bazën për ditë më të mira. Pas kësaj, ju siguroj se, nuk do u ngelet asgjë tjetër për të gjykuar, veç mjerimit që ju ka molepsur që në djep!

Po e mbyll këtë shkrim me vargjet e Naimit nga poezia e famshme

“Trathëtorëtë”:

Shokë, kemi  ne mesin tënë

Shum’ armik’ e trathëtorë!

Popo! Mos u qoftë thënë!

Veç që s’kanë gjë  në dorë.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Tradhëtia e Madhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1460
  • 1461
  • 1462
  • 1463
  • 1464
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT