• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETA, DASHURIA DHE VDEKJA NЁ FAQET E NJЁ LIBRI

February 25, 2018 by dgreca

(Mbresa e pёrsiatje rreth vёllimit “Letra grues seme tё vdekun” tё GJOVALIN GJADRIT)/

1 Gjovalin Gjadri.JPG

Shkruar nga Eugjen Merlika/

“Lumturia ёshtё gjumi i dashurisё ; dhimbja ёshtё zgjimi”-M.me BASTA (1770 – 1836), shkrimtare franceze/

Kohёt e fundit shtёpia botuese “Onufri” I dha lexuesve njё botim, me tё vёrtetё dinjitoz, tё njё libri sa origjinal pёr nga pёrmbajtja, po aq tё pёrsosur nga stili i tё shkruarit. Ai titullohet “Letra grues seme tё vdekun”. Autori nuk ёshtё njё shkrimtar profesionist, por njёri ndёr njerёzit mё tё nderuar tё shkencёs shqiptare, njёri ndёr ingjinjerёt mё tё talentuar qё lindёn nё truallin e Shqipёrisё, i ndjeri Gjovalin Gjadri. E veçanta e kёtij libri , veç faktit se pёrbёn njё bisedё tё pёrfytyruar nёpёrmjet letrash, tё njё çifti tё ri shqiptar tё viteve 30, sa joshёs e i rrallё nё vlerat e tij njerёzore, aq i pafat nё fundin tepёr tё parakohshёm tё ndarjes nga jeta tokёsore tё gruas sё re, ёshtё njё shqipёrim, mbasi origjinali ka qenё shkruar nё gjermanisht e botuar nga shtypshkronja Gutenberg nё majin e vitit 1943.

Ёshtё meritё e spikatur e prof. Ardian Ndrecёs, qё me njё pёrkushtim sa tё ngrohtё njerёzor aq edhe shkencor, ka larguar pluhurin e kohёs dhe tё harresёs nga ai margaritar i rrallё i letrave shqiptare, duke i a rikthyer lexuesve nё njё shqipёrim qё, pa pikё dyshimi, mendoj se hyn nё fondin e artё tё llojit nё letёrsinё tonё.

Lexuesi i pёrciptё mund t’a veshё nё fillim me njё tis dyshimi e mosbesimi idenё se dy shqiptarё tё shkolluar tё viteve tridhjetё duhej tё bisedonin me njёri tjetrin nё njё gjuhё tё huaj, por kur tё mёsojnё se Leonidi dhe Mirejla, personazhet e veprёs, kishin kryer edhe shkollat e mesme e universitetin nё Austri, por kishin ndёrtuar folenё e tyre tё pёrbashkёt nё njё fshat tё Tiranёs, do tё bashkёndajё dhimbjen e tragjedisё sё tyre e do tё ndihet krenar qё i pёrket njё populli qё ka nxjerrё nga gjiri i tij tё tillё njerёz.

Letra e parё, me katёr faqet e saj, ёshtё njё shpalosje e saktё dhe e pёrmbledhur e gjithё tragjedisё, e cila ёshtё strumbullari rreth tё cilit ftillohen mendimet, ndjenjat, ndiesitё qё pёrshkruhen nё letrat e tjera. Do tё mjaftonte vetёm ajo letёr pёr tё dhёnё tё plota pёrmasat e rrёnojёs, nё tё cilёn ёshtё kthyer jeta e njё njeriu mbas goditjes shkatёrruese tё vdekjes sё gruas sё adhuruar. Ajo fillon me njё datё tё thjeshtё : 3 shtator 1941. Ajo datё nё krye tё letrёs mё solli ndёrmёnd njё kёngё shumё tё bukur tё njё kompozitori amerikan, Bobi Darling, me titull : “Kthehu nё shtator”, tё dёgjuar disa dhjetra vite mё parё. Ashtu si letra e parё e librit dhe ajo kёngё kishte nё thelbin e saj dy nga idetё mё tё pёrjetёshme e nё kundёshti me njёra tjetrёn, dashurinё dhe vdekjen.

Rrjeshtat e parё zbulojnё nё gjithё kobin e saj tragjedinё dhe e zhysin lexuesin menjёherё nё atё mjedis dhimbjeje e cfilitjeje shpirtёrore nё tё cilin pёrpёlitet shkruesi i tyre :

“E dashuna jeme ! Sot me 3 shtator janё mbushё shtatё vjetё qysh se jemi martue e ti nuk jeton ma. Ti ke vdekё e votra jonё asht shqimё, nuk kemi me zanё vend bashkё rreth saj pёr me u ngrohё, nuk kemi me u ulё bashkё nё tryezё pёr me hangёr, e s’kemi me kremtue ma pёrvjetorin e martesёs sonё. Un s’kam me puthё ma duert tueja tё dashuna, me vdekjen tande kam bjerrё çdo gja tё mirё dhe tё bukur…..”(faqe 27)

Mjaftojnё vetёm kёta pak rradhё pёr tё pёrcjellё nё gjithё shtrirjen dhe thellёsitё e tyre, pasojat e njё tragjedije qё ka goditur pa mёshirё jetёt e dy njerёzve qё ishin lidhur ndёrmjet vetit me magjinё e dashurisё sё parё qё i ngjante “njё bime tё pranverёs qё pёreronte çdo gjё me shpresёn e saj, madje dhe gёrmadhёn nё tё cilёn ishte kacavjerrё”, nёse mё lejohet tё huazoj kёtё fjali tё Flaubert-it. Shtatё vite bashkёjetese nё krahёt e njё dashurie sublime, tё aftё pёr tё kapёcyer pengesa tё pa marrura me mёnd, janё shtrati i ngrohtё nё tё cilin janё pёrkundur jo vetёm regёtimat e zemrave dhe drithёrimat e trupave, por edhe ёndёrrat, shpresat, projektet e s’ardhmes. Ajo dashuri shёmbёllente me njё lis tё lartё e tё gjelbёruar qё shikonte qiellin e nё tё cilin zogjtё ndёrtonin foletё. Papritmas sёmundja e pashёrueshme e Mirejlёs e goditi atё si njё rrufe, duke ngjitur nё qiell shpirtin e pastёr si ujёt e burimit tё nёnёs 27 vjeçare, por duke zhytur nё dёshpёrimin asgjёsues zemrёn e mёndjen e Leonidit.

Si lisi mbas gjuajtjes sё rrufesё Leonidi ёshtё tjetёrsuar. Zhuritja e brёndёshme shpirtёrore pёrcakton tё tjera masa tё gjykimit mbi botёn qё e rrethon, nga e cila nuk pret mё asgjё, sepse dёshpёrimi ka marrё formёn e njё zemёrate qё nuk kursen asnjё nga elementёt me tё cilёt ka qenё e lidhur jeta e gruas sё adhuruar, sidomos nё muajt e fundit qё kur u shfaqёn shenjat e para tё sёmundjes qё e pёrpiu. Kёtu zё fill proçesi i brёndshёm i gjykimit tё gjithshkaje, edhe tё vetё qenёsisё pёr tё cilёn tashmё e ka humbur interesin. Jeta pёr tё ka qenё sinonim i dashurisё sё Mirejlёs, se nё tё ai ka gjetur gruan ideale, vajzёn e cilёsive tё rralla, bijёn fisnike tё njё shtёpie tё madhe, tё pavarur nё mendime, me njё personalitet tё jashtzakonshёm tё formuar nё shkollat mё tё mira tё Vjenёs sё qytetёruar, bijёn e dhёmshur qё vuan nё heshtje ndarjen nga prindёt, por qё nuk nguron tё thyejё normat e njё morali qё bie ndesh me ndjenjat dhe konceptet e saj themelore tё krijimit tё familjes, tepёr tё guximёshme e bashkёkohore pёr Shqipёrinё e viteve tridhjetё, nё tё cilёn mendёsia lindore e trashёguar nga pushtimi i gjatё osman isht ende shumё e fuqishme.

“Ti ke shkapёrcye nji humnerё pesёqindvjeçare e tue ba ketё ke dalё nё krah tё nji tradite ma tё vjetёr, historikisht ma tё epёrme” (faqe 120) shkruan Leonidi nё letrёn e tij tё fundit. Ёshtё dёshmi e vlerёsimit moral dhe intelektual, por edhe qytetar tё baskёshortes, e stimёs sё tij, njё tjetёr element themelor nё qёndrueshmёrinё dhe jetёgjatёsinё e njё ndjenje tё fuqishme mes dy tё dashuruarish. Dashuria e tyre nuk ka nё themel vetёm hijeshitё e fytyrave e tё trupave, qё bёjnё tё shkёndijohen zemrat me shikimin e parё, por mbi tё gjitha respektin e ndёrsjelltё pёr cilёsitё e virtutet e njёri tjetrit. “Ti m’a ke mbushё jetёn plot, un isha shumё krenar pёr ty…” (faqe 28) shprehet me çiltёrsi Leonidi.

Tani qё Mirejla nuk ёshtё mё dhe ajo botё e tij vetiake, me tё gjithё pёrbёrёsit e saj zotёrues qё pёrcaktonin lumturinё, ajo ёndёrr e ndёrprerё papritmas, shkallmohen me pasojat e pёrfytyrueshme nё gjёndjen e tij shpirtёrore. Tani, pёr njё trill tё fatit, ai afrohet me armiken qё i ka rrёmbyer stolinё e vetme tё jetёs sё tij, me vdekjen, tek e cila shpreson tё rigjejё lumturinё e humbur, nёpёrmjet takimit nё pёrjetёsi me tё dashurёn e zemrёs. Problem i lashtё sa bota, tё cilin ingjinjeri i ri e pёrballon me qetёsinё stoike tё shkencёtarit qё i bёn llogaritё me veten, nё vetminё e honit tё llahtarshёm qё ka brёnda : “Due me vdekё e me u varrosё sё bashkut me ty. Kur tё vijё vjeshta, tragjedia e dashunisё sonё do tё gjejё plotninё e saj. Atёherё due me u prehё nёn dhe me ty e s’bashkut me festue pёrvjetorin e tetё tё martesёs sonё. Ky asht synimi i jem, nuk lakmoj tjetёr tashma.” (faqe 30)

            Ky duket se ёshtё vendimi qё, nё çastin e marrjes, nuk mban parasysh dy faktorё tё tjerё qё lidhen me jetёn e tij, qoftё edhe me gёrmadhёn nё tё cilёn ёshtё kthyer, Zotin dhe fёmijёn. Ideja e Zotit ёshtё e pranishme nё dёshirёn e Mirejlёs, edhe se myslimane, pёr tё festuar Krishtlindjen, ardhjen nё Tokё tё fёmijёs hyjnore, ashtu si ka bёrё nё vitet e studimeve tё saj nё Austri. Por marrёdhёniet e autorit me Zotin, si nё shumicёn e pёrvojave njerёzore i nёnshtrohen luhatjeve, madje edhe njё farё largimi, kur ne nuk jemi nё gjёndje tё kuptojmё thelbin e mesazhit tё tij, por e kushtёzojmё atё me kёrkesat e pёrditёshme tё jetёs sonё. Bёhet akoma mё e vёshtirё ajo bashkёlidhje kur vihemi pёrballё fatkeqёsish tё mёdha qё na ndajnё nga njerёzit tanё tё dashur.

“Sa ma i madh asht dёshpёrimi i jem aq ma fort dyshoj nё ekzistencёn e tij, pse nё fund tё fundit besimin tek Zoti ia atribuoj thjesht nji cilёsisё sё ulёt tё njeriut, frikёs sё tij.” (faqe 59-60) Ёshtё shprehje e njё mungese tё thellё tё besimit, tё tillё qё pranon edhe dhimbjen njerёzore, edhe flijimin edhe mundimet nё kёtё jetё, mbasi jemi nё njё provё tё vazhdueshme me tё cilёn çdo ditё duhet tё pёrballemi. Kёtu personazhi i afrohet mosbesimit, madje me arsyen e tij tё mjegulluar cek ateizmin, sepse nuk ka forcёn tё futet nё misterin e Hyjnisё, mbasi pranon ai :”Bota pёr mue asht rroposё. Me ty kam humbё çdo mbёshtetje qendёr ekuilibri.” (faqe 60)

Nё dalldinё e mendimeve qё kanё pushtuar trurin e tij tё stёrlodhur nga pёrsiatjet mbi marrёzinё e fatit qё i mohon praninё e njeriut mё tё dashur, Leonidi nuk gjen tjetёr rrugё pёr tё ruajtur lidhjen e pёr tё ushqyer shpresёn e njё ribashkimi me gruan qё, pёr nji vullnet epror, e braktisi nё vetminё e tij me njё fёmijё tre vjeçe. Ёshtё pikёrisht ai fёmijё dora e Zotit, qё u fal bashkёshortёve, para katastrofёs sё tyre, krijesёn qё lidh e pёrjetёson dashurinё e tyre. Por n’ata çaste Leonidi nuk e pёrcepton atё mrekulli, ёshtё rrёmbyer i gjithi nga dёshira pёr tё ripasur gruan e tij e, rёndom mendon si njeri i zakonshёm, nё thjeshtёsinё e tij, se kjo dёshirё mund tё sendёrtohet vetёm me vdekjen e tij. Por Zoti ёshtё pranё tij edhё nё kёta çaste tepёr tё dhimbёshme i shfaqet nё mendimet e tij tё trazuara : “Un s’due me tё humbё ty dhe prej dashunisё pёr ty mundohem me kёrkue nji shteg pёr me gjetё Zotin.” (faqe 62)

Shtegun pёr tek Zoti i a tregon vetё Mirejla duke i kujtuar bredhin e Krishtlindjeve qё n’atё vit nuk mundi tё stolisej nё shtёpinё e tyre. Nё qerthullin e ndёrlikuar tё cfilitjeve shpirtёrore qё i mpakin arsyen dhe vullnetin, depёrton drita e Zotit edhe se luhatja psiko emocionale, pasojё e mungesёs sё njё besimi tё thellё, vazhdon gjatё gjithё rrёfimit tё tij tek e dashura e vdekur, ajo dritё ndalon njё vendim fatal kundrejt vetes, qё do t’a bёnte tё pashpresё t’ardhmen e tij se do t’a ngarkonte me mёkatin e vetёvrasjes e tё braktisjes sё fёmijёs, gjё qё do tё asgjёsonte çdo shpresё pёr t’u ritakuar me tё zgjedhurёn e zemrёs nё njё tjetёr jetё. Fёmija ёshtё spiranca e shpёtimit, krijesa e gjallё qё i kujton çdo ditё bashkёshorten, me ngjajshmёrinё e tipareve tё pёrcjellura tek djali. Kaq e madhe ёshtё amullia e ideve nё tё cilёn e ka zhytur dёshpёrimi, sa qё Leonidi pohon se : “Nё idhnimin tem kam lanё mbas doret djalin dhe edukimin e tij. Qysh tash s’e due as gjysmёn e asaj qё e doja ma parё. Ai e ka humbё babёn e vet pёr sё gjallit. Kur ndonjiherё lёviz tek un nji ndjenjё atnore dhe nji shenj ngushёllimi ban me u ndie, kjo zgjat pёr nji çast e dashun ! Sa hap e mbyll sytё shkon si vetima dhe un fundosem rishtas nё terrin tem tё pangushullueshёm.” (faqe 63)

Ёshtё njё pjesё e rrёfimit tё Leonidit pёrpara Mirejlёs sё tij. Ёshtё pjesa mё e dhimbёshme, mё dramatike e rrёfimit tё tij, i cili bёn tё dridhet nga dhimbja edhe shpirtin e sё dashurёs, qё nga lartёsia e qiellit shoqёron çdo ditё djalin e saj. Me siguri, nёpёrmjet rrugёve tё panjohura i pёrcjell tё dashurit njё qortim, sepse tashmё jeta e djalit kёrkon zotimin e plotё tё babait nё drejtim tё saj. Para kёsaj domosdoshmёrie edhe dёshpёrimi asgjёsues duhet tё bjerё nё plan tё dytё. Ёshtё ligji i parё i Kodit tё Krijimit me vlerat e tij universale qё detyron atё qёndrim, sepse rritja e fёmijёs qё bart gjakun e nёnёs duhet tё bёhet pёrparёsi e interesave jetёsore tё babait i cili, me humbjen e gruas, ka detyrimin moral e ligjor tё vazhdojё jetёn nёpёrmjet  kujdesit pёr fёmijёn qё mbetet e vetmja vazhdimёsi e ёndrrёs sё zhuritur nga rrufeja, mbasi ёshtё fruti i prekshёm i asaj ёndrre.

Leonidi i pllakosur nga dёshpёrimi vazhdon jetёn pёr inerci, por fёmija bёhet me kohё thelbi i saj, qёllimi madhor qё e mban tё lidhur me kujtimet e dhimbёshme por edhe me ёndrrёn e shpresёs se djali njё ditё do tё ketё familjen e tij, duke ripёrtёrirё jetёn familjare tё prindёrve tё tij, njё lloj ringjallje tokёsore, prelud i ribashkimit nё parajsёn qiellore.

Arrin njё çast nё kalvarin e dhimbjeve shpirtёrore t’autorit, nё tё cilin duket se ai po futet nё hullinё e vazhdimёsisё sё jetёs, kur dёshpёrimi i le vendin njё analize tё ftohtё. Duket se ai del nga vetvetja, nga gjёma e tij, e vesh petkun e qytetarit e intelektualit qё priret nga gjykimi i Vendit tё vet, i historisё sё tij, i vendimeve tё popullit tё tij ndёr shekuj. Nё kёtё shqyrtim tё problemeve tё mёdha historike tё popullit tё tij ai mundohet tё inkuadrojё edhe tragjedinё e jetёs sё tij, duke u munduar tё gjejё njё lidhje shkak pasojё nё ndryshimin e besimeve fetare ndёrmjet tij dhe Mirejlёs, qё pёrcakton edhe qёndrimin e familjes sё saj myslimane kundrejt vendimit tё saj pёr t’u martuar me njё katolik. Madje nё kёtё kuadёr gjen vend edhe pushtimi italian i Shqipёrisё, krejtёsisht i dёnueshёm mbasi asgjёson lirinё e popullit tё tyre, por edhe ka si pasojё njё vendim sa tё padrejtё aq dhe tё paligjёsueshёm, atё tё marrjes sё shtёpisё sё tyre nga autoritetet pushtuese.

“Ti e kupton se un, nё dhimbjen teme, e kёrkoj shkakun e vuejtjes sonё mbrapa nё shekuj, e ti e rrokё me mend se un jam i mendimit qi lumtunia e jonё nuk do tё ishte shkatrrue nёse popullit tonё nuk do t’i mungonte nji bazё e njejtё shpirtnore….”(faqe 120) Veshja e fatkeqёsisё sё tij familjare faktorit fetar, nёpёrmjet qёndrimit pedant tё familjes, edhe se ka nё tё elemente vёrtetёsie, nuk mё duket plotёsisht i ligjёsuar. Nёse sёmundja e mallkuar do tё ishte shfaqur disa vite mё vonё, kur shkenca kishte zbuluar antibiotikёt, tragjedia do tё ishte shmangur dhe jeta e çiftit do tё kishte vazhduar si ajo e tё gjithё tё tjerёve qё u pёrballuan mё vonё me traumёn komuniste. Ndoshta nё atё drejtim nuk do tё kishte pasur pasoja tё rёnda, sepse ingjinjeri i talentuar gjeti edhe nё regjimin komunist, nё sajё tё punёs sё tij tё vyer, njё jetё normale. Sidoqoftё revolta e autorit kundrejt dukurisё sё ndikimit tё ndryshimit fetar nё krijimin e familjeve shqiptare, duke shkaktuar shumё drama nё shoqёrinё e shekullit tё shkuar, ёshtё pozitive dhe plotёsisht e ligjёsuar, edhe se pёrfundimet e tij mbi rolin e bejlerёve nё historinё e Vendit tё tij mё duken tё tepruara e tё papёrgjithёsueshme.

Megjithatё lexuesi i vёmendshёm, edhe se mund tё mos jetё i njё mёndjeje me autorin nё disa prej pёrfundimeve tё tij, duhet tё njёjtёsohet me dramёn e tmerrshme qё jeton personazhi, nё tё cilёn mёndja nuk mund tё jetё gjithmonё tёrёsisht e kthjelltё. Por ai nuk mund tё mos mrekullohet pёr fuqinё e qёndrueshmёrinё morale tё tij, qё e mbyll bisedёn e pёrfytyrueshme me gjysmёn tjetёr tё zemrёs me njё premtim, jo tё zakonshёm pёr shumicёn e burrave :

“….. tё kam premtue dashuni dhe tё jam betue me t’ndejt besnik. S’due me e hangёr fjalёn. Due me ju bindё dashunisё dhe karakterit tem. Tё vdekunit duen qetёsi dhe paqё. S’due me ua prishё qetёsinё e s’due me e shqetsue paqen tande. Due me e shkue jetёn ndershmёnisht, tue dashunue tё bukurёn dhe tue dashtё tё mirёn.

            Due me tё nderue tue mbajt zi. Due me tё qa me zemёr tё pastёr, pse lotёt e mij kanё me u terё vetёm kur tё shtrihem nё vorr afёr teje.” (faqe 124)

            Ka diçka sipёrnjerёzore nё kёtё premtim, nuk ёshtё retorika e zakonshme e shprehjes sё njё dashurie tё madhe tё goditur nga vdekja e papritur, ёshtё njё njimendёsim me vlerat madhore hyjnore e njerёzore. Ёshtё ngadhnjimi i jetёs mbi vdekjen, i sё mirёs mbi tё keqen, i detyrёs sё bashkёshortit e prindit mbi çfarёdo egoizmi e individualizmi.

Aq mё shumё merr pёrmasa madhёshtore ky premtim, kur dihet se u vu nё jetё gjatё viteve tё gjata, nё tё cilёt autori jetoi me dhimbjen nё zemёr, por me shpirtin tё qetё, me vullnetin e plotё pёr tё rritur djalin, duke e edukuar me parimet e tij e me dashurinё e nёnёs e, veç asaj, i dha Vendit tё tij ndihmesёn madhore nё profesionin e tij, nё pёrmasa t’admirueshme. Kur i ka ardhur çasti i fundit, nё bilancin e vetvetes ka qenё nё paqe, sepse nё ballafaqimin me Zotin e me tё dashurёn ёshtё paraqitur si prind, bashkёshort, qytetar e njeri shёmbullor.

Kam bindjen se pjesa tjetёr e jetёs, mbas vdekjes tokёsore tё tij, ёshtё njё lumturi e pafund, sё bashku me gruan e tij nё botёn e sё vёrtetёs, ku virtutet gjejnё shpёrblimin e tyre nёn dritёn dhe mirёsinё e pёrjetёshme tё Krijuesit tё gjithёsisё.

Si lexues, sё fundi, dua tё shpreh njё vlerёsim tё madh e tё sinqertё pёr prof. Ardian Ndrecёn, pёr punёn tejet cilёsore nё pёrkthimin e veprёs dhe njё falёnderim po aq tё sinqertё atij dhe shtёpisё botuese “Onufri” pёr ndihmesёn nё pasurimin shpirtёror tё shqiptarёve, nёpёrmjet botimit tё kёsaj perle tё rrallё tё traditёs sonё kulturore.    

  

Filed Under: ESSE Tagged With: DASHURIA DHE VDEKJA, Eugjen Merlika, jeta, NЁ FAQET E NJЁ LIBRI

RIHAPET NE VATER SHKOLLA SHQIPE E BRONKSIT

February 24, 2018 by dgreca

1 nxenesbashke tavdy me dyedhe i vogliera mesusjanxen e prin

Sot, e Shtunë 24 Shkurt, që në orët e para të mëngjesit, Shtëpia e Vatrës, ka ndjerë zërat e gëzueshëm të fëmijëve të shkollës shqipe në Bronks, e cila po rihap dyert sërish për këtë vit shkollor, këtë herë në mjediset e Vatrës derisa të gjendet një shkollë e përshtatshme. Themelusi i shkollës , kryetari i bordit të shkollës Gjergj Dedvukaj, drejtori Mustafë Qosja, mësuesja e pasionuar Violeta Dushallari ,Estela Hajdinaj dhe mësueset e tjerë i kanë pritur fëmijët me dashuri dhe kanë shpalosë programinin e funksionimit të shkollës me prindërit dhe fëmijët e tyre. Që sot fëmijët po i nështrohen programit mësimor. Njëri nga prindërit, Lulash Juncaj, tha për Diellin se fëmijët e tij ishin rritur me këtë shkollë shqipe dhe kanë mësuar shqip falë mësuesëve të pasionuar të kësaj shkolle.

Sot, ne diten e pare, mesueshet verifikuan njohjen e gjuhes shqipe pas nje pauze te gjate nga viti i kaluar, duke i ushtruar femijet ne shkrim dhe lexim. Era Shala, ndjehet mire para prinderve te vet pasi hartimin e shkurter arrin qe ta shkruaj me pak gabime ne gjuhen e bukur shqipe. Po keshtu dhe nxenesit e tjejer. Mesuese Violeta, teksa korrigjon gabimet, e pergezon Eren.
Shkolla do të vazhdojë sot regjistrimet deri në orën 12.00 am për të qenë cdo të shtunë e hapur në mjediset e Vatrës nga ora 10.00 am deri në orën 1.00 pm.
Ftohen prindërit që ta shfrytëzojnë ditën e sotme për regjistrimet, ndërsa ata që nuk kanë mundësi sot të kontaktojnë përmes telefonit: 347-316-6686 si dhe: 423-747-5100.
ADRESA:
2437 Southern BLVD
Bronx, NY 10158

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, rihapet ne Vater, Shkolla shqipe

KALVARI I NJË POPULLIT TE PËRGJAKUR ÇAMËRIA

February 24, 2018 by dgreca

1 Cameria Kalvar

Nga Isuf B. Bajrami/

“Çamët, vendin e tyre e duan me entuziazëm. Kur flasin për të, e vënë mbi vendet e tjera. Vështrimi i tyre vete kurdoherë mbi malet e Epirit”.- PUKËVIL, në “Voyage”, vëll.I, Kap.29

Vendimi për zhvendosjen e popullsisë çame në Azi

Më 23 janar 1923 u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në nenin e fundit të saj, përcaktohej shkëmbimi i popullsisë turke në Greqi, me atë greke në Turqi. Ky angazhim u konfirmua disa herë nga qeveria greke. Por në mënyrë të kundërligjshme u bënë shumë përpjekje të dhunshme nga qeveria greke dhe administrata lokale, që shqiptarët myslimanë me kombësi shqiptare të përfshiheshin në shkëmbim dhe të dërgoheshin në Azinë e Vogël. Tashmë ishte bërë e qartë për të gjithë se ishte planifikuar një strategji e tërë për shpronësimin e kolonizimin e pronave shqiptare, me refugjatët grekë të ardhur nga Azia e Vogël. Në mbështetje të kësaj ideje, Ministria e Bujqësisë Greke, më 1 tetor 1922, me anën e një Qarkoreje urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë”, (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Njëkohësisht, me urdhër, nisi zhvendosja e çamëve nga shtëpitë e trojet e tyre. Ja si shkruan Krapsites: Më 23 janar 1923 u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në nenin e fundit të saj, përcaktohej shkëmbimi i popullsisë turke në Greqi, me atë greke në Turqi. Ky angazhim u konfirmua disa herë nga qeveria greke. Por në mënyrë të kundërligjshme u bënë shumë përpjekje të dhunshme nga qeveria greke dhe administrata lokale, që shqiptarët myslimanë me kombësi shqiptare të përfshiheshin në shkëmbim dhe të dërgoheshin në Azinë e Vogël. Tashmë ishte bërë e qartë për të gjithë se ishte planifikuar një strategji e tërë për shpronësimin e kolonizimin e pronave shqiptare, me refugjatët grekë të ardhur nga Azia e Vogël. Në mbështetje të kësaj ideje, Ministria e Bujqësisë Greke, më 1 tetor 1922, me anën e një Qarkoreje urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë”, (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Njëkohësisht, me urdhër, nisi zhvendosja e çamëve nga shtëpitë e trojet e tyre. Ja si shkruan Krapsites:

“Qeveria greke, kishte planifikuar të vendoste në krahinën e Çamërisë, në pronat e shqiptarëve, 18.000 refugjatë grekë të ardhur nga Azia e Vogël. Ndërkohë, kontigjente kolonësh grekë, kishin nisur të vendoseshin në fshatin Gardhiq, Dhragomi, Karbunarë, Vole, Niste, Arpicë etj. Kështu p.sh., në fshatin Arpicë nga 300 shtëpi që kishte fshati, 250 i kishin zënë refugjatët, ndërsa shqiptarët u detyruan të sistemoheshin 3-4 familje në një shtëpi. (Vas.Krapsites, “Oi Mousolmanoi tsamides tis Thesprotias”, Athina, 1986, f.33). Edhe në fshatrat myslimane të Shkallës (Filat), si në Picar, Muzhakë, Sollopi, Pjadhul dhe Sklav, u zaptuan me forcë nga refugjatët grekë, shtëpitë dhe pronat e myslimanëve.

Më 15 shkurt të vitit 1923 u lëshua një urdhëresë tjetër lidhur me sistemimin e të krishterëve pa tokë, sipas të cilit, tokat publike dhe ato në pronësi të myslimanëve shqiptarë, do të ndaheshin për t’u sistemuar refugjatët . Ligji i shpronësimit u vu në bazë të Kushtetutës Greke të vitit 1911 dhe hyri në fuqi para vitit 1923. Ky ligj nuk ishte gjë tjetër, veçse një grabitje zyrtare dhe ishte i mjaftë për t’i lënë shqiptarët pa bukë dhe t’i shtrëngonte të largoheshin nga Çamëria, (“Oi Mousolmanoi tsamides tis Thesprotias”, Athina, 1986, f.33)…

Dhuna mbi popullsinë çame

Në skenarin e dhunës greke, më e goditura ishte popullsia çame e besimit mysliman. Ja si dokumentohet në AQSH: “…Përpara se Komisioni të arrinte në Çamëri (në fillim të vitit 1924), bandat greke të drejtuar nga kretasi Jani Mandi, Kollovci, Nikolla Qamo, Harilla dhe Vasil Mastora, bënin presion mbi popullsinë myslimane që t’i deklaronin Komisionit se ishin turq dhe donin të shkëmbeheshin, (AQSH, Fondi 251, viti 1923, ” Dokumente për Çamërinë”, dok.183, f.285). Kur Komisioni Miks arriti në Prevezë, zyrtarët e administratës lokale greke përdorën të gjitha format, që përfaqësuesit e Çamërisë të mos kontaktonin me anëtarët e Komisionit Miks për të parashtruar kërkesat në emër të popullsisë çame. Qeveria greke, për të realizuar planet e saj, nisi një valë arrestimesh dhe izolimin e përfaqësuesve të Çamërisë. Ja si pasqyrohet ky fakt në AQSH: “Goditja e parë ndaj patriotëve shqiptarë nisi në qendrat kryesore të Çamërisë: në Filat, Margëlliç, Gumenicë, Paramithi e Pargë. Në burgjet e Janinës dhe në kampet e internimit, dergjeshin njerëzit më të ndershëm të Çamërisë, si Musa Demi, Myftiu i Filatit, Mehmet Zeqirjai, Haki Musai, Mazar Dino nga Paramithia, Ymer Çapari nga Luarati, Jasin Sadiku nga Margëlliçi, Ymer Merishi etj.

…Më 2 qershor 1924, një i quajtur Llucaqis, torturonte banorët e fshatrave të Filatit, aq sa nga ulërimat e viktimave ishin traumatizuar gratë dhe fëmijët. Po kjo gazetë publikonte një korrespondencë me gratë dhe fëmijët, (AQSH, po aty).

Dëbimi i çamëve në shifra. Refugjatë grekë në trojet çame Sipas arkivave, në vitin 1925 e në fillim të vitit 1926, nga 3419 shtëpi myslimane në Çamëri, refugjatët grekë u vendosën më 1943 në shtëpi myslimane dhe në asnjë shtëpi të krishterë. Zënia e banesave, ullishtave, vreshtave, tokave prodhuese, kullotave nga refugjatët grekë, mori formën përfundimtare e solli pasoja të rënda në ekonominë e minoritetit çam.

Me ardhjen në fuqi të gjeneral Pangallosit, që e konsideronte Shqipërinë fqinje një aleate të mundshme ndaj rrezikut sllav, u ndërmorën hapa serioze në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me vendin fqinj. Ndër to mund përmendim vendimin për të shpërndarë silogjet vorio-epirote, që vepronin kundër Shqipërisë. Gjithmonë lidhur me problemin e çamëve myslimanë, ai urdhëroi ndalimin e vendosjes së mëtejshme të refugjatëve grekë në tokat e tyre dhe shpalli një amnisti të përgjithshme për të gjithë çamët e burgosur dhe të internuar nga qeveria greke . Me rëndësi të veçantë, ishte vendimi i qeverisë greke të Pangallosit për të lënë të lirë hapjen e shkollave shqipe në fshatrat e Çamërisë.

Qeveria shqiptare e përshëndeti qeverinë e Pangallosit për frymëmarrjen që u dha marrëdhënieve shqiptaro-greke, të cilat prej kohësh ishin të ngrira. Nga ana e tij Pangallosi, në një intervistë dhënë korrespondentit shqiptar në Athinë, më 14 shkurt 1926, theksoi: “Athina është e vendosur të ndëshkojë çdo veprim të keq në Greqi ndaj minoritetit shqiptar prej disa kokave të nxehta të papërgjegjshme”.

Duke marrë në mbrojtje çamët myslimanë në Greqi, Pangallosi shprehu besimin se edhe qeveria shqiptare do të mbante të njëjtin qëndrim ndaj pakicave greke në Shqipëri. “Me pakica greke në Shqipëri, theksoi Pangallosi në deklaratën e tij për shtyp, kuptojmë grekofonët në Shqipërinë e Jugut dhe aspak jo ortodoksët shqiptarë, që nga raca e kombësia janë zotër në shtëpitë e tyre. Jemi kundër asaj teorie të gabuar, vijon ai, që çdo ortodoks ta quajmë grek”, ( AYE,1926-1927-1928

, B/68/6. Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit për Ministrinë e Punëve të Jashtme Greke, Nr.41 (sekret), Janinë, 7 dhjetor 1926).

Por, rrëzimi i Pangallosit në verën e vitit 1926 e prishi klimën. Me ardhjen në fuqi të gjeneral Kondilit, çështja çame do të ishte problem kryesor i qeverisë greke. Athina nisi një tjetër kryqëzatë të re, për t’i detyruar myslimanët të largoheshin drejt Turqisë. Kështu, 280 familje çame nga Gardhiqi, Dhragomia, Kurtesi e nga Paramithia kishin kërkuar të linin vatrat e tyre e të vendoseshin në Turqi. Arsyet e vërteta të largimit të popullsisë shqiptare çame: “Ata, për të shpëtuar detyrohen të marrin udhën e mërgimit”, (Arkivat Greke, gazeta “Kiriks”, Janinë, 12 qershor 1921)…

Krimineli Metaksa shton reprezaljet ndaj çamëve

Dëshmi të kohës, por dhe dokumente të arkivave konfirmojnë se qeveria e diktatorit Metaksa, në vitin 1936, me politikën nacionaliste që ndoqi i shtoi edhe më tej masat diskriminuese për çamët. Ai e vuri në një survejim të plotë gjithë Çamërinë. Qeveria e diktatorit, duke menduar se kryeqendra e Çamërisë, Filati, gjendej përtej lumit Kalama, afër kufirit shqiptaro-grek, i dha prioritet për kryeqendër të Çamërisë, Gumenicës. Kështu që, Çamëria u bë qark dhe Gumenica qendër e saj. Qeveria e Metaksait i bëri këto ndryshime administrative, sepse nuk i shihte çamët si shtetas të besueshëm të shtetit helen. Opinioni i shëndoshë grek, konstatonte me dëshpërim se revanshi që kishte marrë Metaksai, i njohur për idetë e tij fashiste kundër minoritetit shqiptar çam, do të ishte me pasoja tragjike, jo vetëm për çamët myslimanë, por për të gjithë Greqinë. Në këto rrethana, në skenën politike greke dolën personalitete të njohur politikë si deputetët e Janinës, Jorgios Sp.Sakas dhe Kristo Vasili, të cilët i demaskuan planet djallëzore të Metaksait dhe të kabinetit të tij, për qëndrimet armiqësore dhe sjelljet diskriminuese që mbaheshin ndaj minoritetit shqiptar.

Dy deputetët grekë ishin kundër kufizimit të të drejtave te minoritetit shqiptar, kundër diskriminimit të tij dhe mosbesimit pa të drejtë që mbahej ndaj tij nga qeveria dhe administrata e Epirit. Dy zotërinjtë deputetë janinotë, kishin pasur raste të shumta kontaktesh me çamët e i kishin njohur mirë cilësitë e larta të tyre. Kjo i bënte ata e shumë grekër të tjerë, që të kishin ndaj myslimanëve shqiptarë në Greqi, një qëndrim absolutisht të kundërt me atë të qeverisë greke, që kishte mbjellë në çdo familje shqiptare pasigurinë, urinë dhe mjerimin, siç shprehej deputeti Jorgios Sp.Sakas: “Uria dhe mjerimi ka mbuluar popullsinë e Çamërisë. Ata nënshtetas të qetë, kot ngrenë zërin e tyre në të gjitha drejtimet”. Dhe në vijim, deputeti Sakas sqaron shkakun e vërtetë të këtij mjerimi: “…Arsyeja është: kohë më parë, qeveria greke vuri në zbatim Ligjin e Reformës Agrare duke shpronësuar tokat e tyre. Tokat e tyre u shpronësuan dhe ata mbetën më duarbosh e duke u përballuar me urinë. Kanë të drejtë të protestojnë”, (Arkiva Greke, gazeta “Kravji”, Janinë, 18 korrik 1936).

Z.Sakas, i bindur se nuk ka asnjë mjet në dorë për të ndikuar në ndryshimin e atij realiteti të hidhur, nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i drejtohet qeverisë greke me një lutje prekëse: “…Në emër të popullit të uritur, në emër të drejtësisë dhe të humanizmit njerëzor, i lutem kryetarit të qeverisë t’i ndihmojë këta bashkatdhetarë, vëllezërit tanë me të cilët na ndan vetëm feja, por na bashkojnë po ato zakone të njëjta, e kaluara dhe e njëjta histori”. Ai e përfundon artikullin duke i kujtuar qeveritarëve grekë se, “nuk duhet të harrojmë se edhe ata kanë të drejta në shtetin grek”, ( Arkiva Greke, gazeta “Kravji”, Janinë, po aty).

…Situata tepër e rënduar ndaj minoritetit shqiptar në Greqi vazhdoi deri në pragun e Luftës Italo-Greke. Athina kishte marrë sinjale nga Roma se një konflikt i armatosur do të ishte i paevitueshëm. Qeveria fashiste italiane, nën pretekstin se minoritetin shqiptar në Greqi kishte humbur të gjitha të drejtat e tij politike dhe ekonomike, e kërcënonte Greqinë që të bënte përmirësime, përndryshe ajo merrte përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij, (Documenti Diplomatici Italiani “DDI”, Nova Serie, V.5, Dok.429, f.411).

Por, siç do të vërtetohej më vonë, çështja e minoritetit shqiptar në Greqi ishte vetëm pretekst i Romës. Shkaku i vërtetë ishte ekspansioni i saj: pas pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill 1939, ajo kërkonte ta shtrinte pushtimin e saj drejt Greqisë.

Fundviti 1940, përgjakja masive e popullsisë çame

Qëndresa dhe pjesëmarrja aktive në luftë kundër pushtuesve grekë në fundvitin 1940 për popullsinë çame, nuk do të ndryshonte skenarin helen për zaptimin e trojeve e shpërnguljen e dhunshme.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Cameria, I NJË POPULLIT TE PËRGJAKUR, Isuf Bajrami, KALVARI

Të veçanta rreth personalitetit të Skënderbeut

February 24, 2018 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Duke përsiatur herë mbas here, si çdo shqiptar, rreth jetës e bëmave të  Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, këtij personaliteti madhor, më madhori e më i shquari i kombit tonë, më kanë bërë përshtypje disa gjëra.

Edhe në veshje e në paraqitjen e jashtme njeriu shfaq botën e tij të brendshme. Në përkrenaren e Skënderbeut qenë gdhendur koka dhe brirët e dhisë: një dëshmi e shkëlqyeshme që Ai është bir trojesh të lashta mitologjike e pagane, dhe është krenar për këtë. Në mitologjinë tonë iliro-shqiptare, dhija është simboli i orëve dhe zanave – hyjneshave të çuditshme që jetonin në tokë, por që kishin në vetvete cilësi e atribute tejtokësore, që jetonin me shqiptarët dhe ndikonin në fatet e tyre, i ndihmonin a edhe i ndëshkonin ashtu si perëndeshat olimpike. Ato shitonin a edhe dënonin me vdekje, me një vdekje sa të çuditshme aq të lavdishme: duke i përjetësuar në gur.

Ato i ndihmuan kreshnikët legjendarë të eposit tonë, Mujin e Halilin, në luftën për mbrojtjen e vendit prej armikut shkja. Ato do ta ndihmonin Heroin tonë, që kishte dalë nga legjenda dhe ishte futur në histori, në atë më të lavdishmen histori të kombit tonë.

Duhet vënë në dukje, gjithashtu, që si Aleksandri i Maqedonisë ashtu edhe Pirrua i Epirit kishin në përkrenaret e tyre brirët e dhisë. Fryt i një mendësie mitologjike ilire a i një nënshtrese më të hershme pellazge. Dhe Skënderbeu edhe pse ishte Mbreti i Arbërit, e quante veten “Mbreti i Epirotasve dhe i Maqedonasve”, sado që ky emërtim nuk përputhej plotësisht me realitetin e kohës. Bile, në një letër që i dërgoi Princit të Tarantit, më 31. X. 1460, siç na e jep Noli, Skënderbeu shkruan: “Në mos gënjefshin kronikat tona, ne quhemi epirotë”.

Ai shpalosi një Flamur, po aq të çuditshëm sa edhe përkrenarja e tij. Një flamur ku ishte fytyruar një shqiponjë me dy krerë; sikur të donte përsëri të dëshmonte se i përket një humusi pjellor mitologjik e pagan. Dhe sado që Europa e mikloi dhe Vatikani e ledhatoi duke i vënë epitetet më përlavduese të kohës, si “Atlet i Krishtit” ose “Mbrojtës i Krishtërimit dhe i qytetërimit përendimor”, etj., etj. ,  ai nuk i vuri flamurit një kryq, siç do t’i përshtatej besimit, mendësisë dhe sidomos qëllimeve të Europës, dhe siç e kishin në atë kohë shumë mbretërira e principata europiane. Një qëndrim tjetër këmbëngulës dhe i përkushtuar ndaj identitetit tonë etnik.

Ai e ruajti, e shpalli dhe na e la trashëgim këtë flamur me mbretin e shpendërisë, shqiponjën me dy krerë që vështrojnë drejt dy orientimeve të kundërta: Lindjes dhe Perëndimit. A kuptimësonte kjo një totem, një trill thjesht pagan, një kult, apor qe pjellë e një ndërgjegjeje tejet të trazuar, që parandjen dyzimin e fatit, që e ndoqi dhe e ndjek historinë e kombit tonë, një dyzim i shtrirë mes dy kontinenteve, mes dy botëve, mes dy qytetërimeve, mes dy kishave, mes dy besimeve. Gjithsesi, koha e fataliteteve ka perënduar, apo nuk ka qenë asnjëherë; por identiteti i një populli është një, dhe duhet ruajtur dhe dëshmuar në simbolet kombëtare dhe në çdo rrafsh të kulturës lëndore e sidomos asaj shpirtërore.

Shumë studiues e kanë lidhur shqiponjën e Skënderbeut me shqiponjën e Zeusit të Dodonës së Epirit, për të cilën bëhet fjalë në veprat homerike, etj.; gjë që na çon rishtas në një nënshtresë kulture ilire a edhe pellazge.

Sido të jetë, ne shqiptarët e pëlqejmë dhe na ledhatohet sedra ta quajmë veten  “bijt e shqipes”, ndoshta edhe për faktin e thjeshtë që shqipja është një shpend i lirë i maleve tona, një shpend që nuk mund ta robërojë kush.

Edhe në emrin e vet, Heroi ynë ka një diçka të veçantë. Ai iu paraqit botës me dy emra: me emrin Gjergj, të familjes, – siç duket në emër të Shen Gjergjit, pajtorit të drejtësisë, forcës dhe mposhtjes e ndëshkimit të së keqes, apo në emrin e një prej heronjve më heroikë të folklorit tonë, Gjerg Elez Alisë, – dhe me emrin e të huajit, Skënderbe, një emër i përngjitur nga Iskander, në emër të Aleksandrit të Maqedonisë, emër që ia vuri Sulltan Mehmeti II, dhe nga titulli Be-beu a Beg- Begu, siç e ka shkruar Ai vetë, titull që shënonte sundimtarin e një krahine, dhe që, edhe pse nuk ishte ndonjë titull ushtarak edhe aq i lartë në sistemin e titujve ushtarakë osmanë, ai e ruajti dhe me këtë emër të dyzuar u fut në histori për ta njohur dhe vlerësuar gjithë bota si një nga strategët më të shquar të të gjitha kohëve.

Mos qe edhe kjo refleks i asaj parandjenje të dyzimit që çekëm më lart, që i diktoi nevojën të porosiste popullin e vet që, edhe pse, në një masë të madhe do të kalonte në besimin islam, gjithsesi të ruante me një përkushtim të veçantë, pothuajse fanatik, gjithçka shqiptare që përbën shpirtin e tij?  Ashtu siç ngjau në të vërtetë. Megjithëse kaluan një provë jashtëzakonisht të rëndë, shqiptarët ruajtën gjuhën, zakonet, konstruktin e vet shpirtëror, krijuan historinë dhe kulturën e vet kombëtare, duke zgjidhur pa mëdyshje dihotominë e vet në drejtimin perëndimor.

Lidhur me emrin do të theksoj edhe këtë:  në letërkëmbim dhe në dokumentet zyrtare, Heroi ynë ka përdorur formën gjuhësore gege, Skander Beg, Skanderbeg. Këtë formë e ruajti Barleti në veprën e tij “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principes”, botuar në Romë në v. 1508-1510. Në portretin më të vjetër të tijin, që është cilësuar sipas Nolit dhe studiuesve tjerë si më autentiku, dhe që ruhet në Galleria degli Uffizi në Firence, shkruhet me shkronja të mëdha GORGIVS SCANDER BEK; Po ashtu, Dhimiter Frangu, në titullin e veprës së vet botuar në Venecie në v. 1541 shkruan: “Comentatorio dele cose de Turchi et del Georgiu Scanderbeg, Principe de Epyro.” Në këtë formë, emri i Heroit është ruajtur në morinë e madhe të veprave, portreteve, medalioneve, etj., që janë botuar më vonë. Atëherë, me ç’të drejtë ne nuk e ruajmë emrin e Heroit tonë, ashtu siç është në origjinal, po e deformojmë nga Skanderbeg në Skënderbeg, duke zëvendësuar atë tingull plot dritë  të “a-së” me një “ë”, që gjallon gjithnjë e hijesuar ? Është kjo një nga paradokset që ne shqiptarëve nuk na mungojnë, por i ruajmë me fanatizëm dhe kokëfortësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, të Skënderbeut, Të veçanta rreth personalitetit

NDOCI E JOLANDA GURASHI IKEN PERGJITHMONË

February 24, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/Melbourne/Australi/

1 Gurashi

NDOCI E JOLANDA GURASHI/

VDEKJA E MIQVE ASHT GJITHMONË TOPITËSE…/

ATA ASNJËHERË NUK KANË AS MOSHË !../

Në rrugen e bukur të Gjuhadolit per me dale tek Dugajt’ e Reja, majtas janë disa nga shtëpijat dykatëshe të viteve 1900… Të rreshtueme bukur dhe me dyer me harqe…

Në krahun e majtë asht edhe dera e Kol Gurashit. Aty deri vonë banonin tre djelmët e të Nderuemit Kolë, Zefi, Shani dhe Ndoci. Vajzen e kishte të martueme në Tiranë. Një nga shtëpijat e njohuna në Shkoder per disa virtyte të paharrueshme. Kola u plak tue kndue! Një muzikant dhe njohës i zakoneve dhe traditave Shkodrane. Kur hapej ajo derë aqsa e vjeter dhe e nderueme, njeriu kishte perpara një shprehje: “Hajde mirse të pruni Zoti!”

Mikpritja dhe buzqeshja nuk i mungonin asnjenit, tue fillue nga plaku muzikant.

Ndocin e njoha nga vllau im Alfonsi rreth vitit 1954 kur u lirue nga burgu i parë…

Ma vonë miqsia u trash dhe pa hy nder tunelet e moshave, kemi vazhdue si miq nga lidhja prej pikturës, ku Ndoci kishte shumë eksperiencë dhe pasion per atë art. Merrej me zbukurimin e ndermarrjes dhe në kohen e lirë Ndoci, vraponte me pikturue nder bukuritë natyrore të Shkodres, e cila të joshte sa në një qoshe në tjetren. Kemi vazhdue bashkë me Ndocin dhe një grup piktorësh Shkodranë, liceun artistik me korespondencë.

Aso kohe Ndoci ishte i martuem me Jolanden, vajza e argjentarit Nush Paci, që ishte Baba i shokut tim të shkollës Pedagogjike të Shkodres, piktorit njohun Ferdinand Paci.

Ferdinandi mbasi perfundoi pedagogjiken, punoi piktor në repartin e pikturës dhe, ma vonë kur ne vazhdonim liceun me korespondencë, Ferdinandi perfundoi shkollen e Arteve në Tiranë, sigurisht nder ma të talentuemit dhe të pergatitunit e asaj shkollë.

Pjesmarrja e ynë nder ekspozitat lokale në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, ku drejtonte piktori Vladimir Jani, kishte krijue edhe lidhje miqsore mes nesh, ku Ndoc Gurashi ka spikatë per miqësi, bujari, edukatë, besë e pse jo edhe si artist.

Në vitin 1966 kur në Shkoder ne komunikonim në shumë aspekte, një ditë shkova tek shtëpija e Ndocit, dhe tue u ngjitë në shkallen që të çonte nalt në katin e dytë.., ndalova një moment dhe po veshtrojshe pamjen e bukur të kompanjelit Kishës së Fretenve…

Ndoci, më ftoi dhe shkueme tek një dhomë pune, ku Ndoci kishte punue pejsazhin që më terhoqi aq shumë vemendjen per realizimin e mbrekullueshem artistik. Ma vonë ai pejsazh u ba aq problem sa rrezikoj per Ndocin edhe t’ ardhmen e Tij… Kur Ndoci ka dashtë me e paraqitë në Ekspoziten vjetore, nuk kanë mungue dashakqijtë e Ndocit…

Mbas shumë debatesh e telashesh si gjithnjë… Ndoci e terhoq vepren e Tij.

Jam i sigurtë se ai pejsazh asht edhe sot Kryevepra e Ndoc Gurashit…

Në vitin 1969, mue më larguen nga arsimi dhe shkova piktor në fabriken e Mëndafshit.

Aty ishte llogaritare Jolanda (pra Landi) zonja e Ndoc Gurashit, një trashigimtare e saktë e Nanës së vet Luçijes, që trashigonte mbi të gjitha dashamirsinë vllaznore…

Mbas vitit 1975 kur fatkeqsisht Fedrdinandi humbi jeten në aksidentin e Thethit, Ata dhe ne i shterngonim doren njenitjetrit, po në fyt lidhej një ny.., që nuk u zgjidh kurrma!

***

Kam komunikue me Ndocin dhe Landin edhe vitet e fundit…

Me moshen gjithshka sa vinte e vështirsohej, perveç dashunisë së Tyne të pakufi…

Ruej kujtime…

Po, Kolë Gurashi në sofren e Ndocit dhe Landit… Nuk këndon kurrma!

Trashigimtarëve të Kolë Gurashit prej zemret i uroj jetë të gjatë e të lumtun!

Melbourne, 24 Shkurt 2018.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fritz radovani, Ndoci dhe Jolanda Gurashi, shkuan pergjithemone

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1529
  • 1530
  • 1531
  • 1532
  • 1533
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT