• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETA

December 7, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Vdekja është fjalë e rëndë, ndjell lloj lloj mendimesh, por duhet thënë se duhet përmendur, edhe kur s’ndodh, është mësim i fundit  jetës. Si një udhëtim, kur anija është në spirancë, nëse shkon në breg për të marrë ujë, mund të zbavitesh duke mbledhur guacka ose gjëra të tjera, por mendimet dhe vemendja duhet të jenë drejt anijes, se po të thërrasë kapiteni, duhet t’i lësh të gjitha, që të mos kesh nevojë të mbartin si dele; po kështu në jetë, në vend të guackave, njeriu grumbullon e çfarë s’grumbullon, në shumë gjëra bëhet i pa ngopur, nuk diskutohet; por nëse kapiteni thërret, duhet t’i lërë të gjitha, të vrapojë drejt anijes, dhe të mos shikojë prapa. Nëse është plak, të mos shkojë kurrë larg nga anija, që të mos mungojë kur ajo të niset. Pra, mos kërko që ngjarjet të ndodhin siç dëshiron; por dëshiro që të ndodhin ashtu siç ndodhin, dhe gjithmonë do të jesh në vendin e duhur në kohën e duhur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, jeta

JETA, DASHURIA DHE VDEKJA NЁ FAQET E NJЁ LIBRI

February 25, 2018 by dgreca

(Mbresa e pёrsiatje rreth vёllimit “Letra grues seme tё vdekun” tё GJOVALIN GJADRIT)/

1 Gjovalin Gjadri.JPG

Shkruar nga Eugjen Merlika/

“Lumturia ёshtё gjumi i dashurisё ; dhimbja ёshtё zgjimi”-M.me BASTA (1770 – 1836), shkrimtare franceze/

Kohёt e fundit shtёpia botuese “Onufri” I dha lexuesve njё botim, me tё vёrtetё dinjitoz, tё njё libri sa origjinal pёr nga pёrmbajtja, po aq tё pёrsosur nga stili i tё shkruarit. Ai titullohet “Letra grues seme tё vdekun”. Autori nuk ёshtё njё shkrimtar profesionist, por njёri ndёr njerёzit mё tё nderuar tё shkencёs shqiptare, njёri ndёr ingjinjerёt mё tё talentuar qё lindёn nё truallin e Shqipёrisё, i ndjeri Gjovalin Gjadri. E veçanta e kёtij libri , veç faktit se pёrbёn njё bisedё tё pёrfytyruar nёpёrmjet letrash, tё njё çifti tё ri shqiptar tё viteve 30, sa joshёs e i rrallё nё vlerat e tij njerёzore, aq i pafat nё fundin tepёr tё parakohshёm tё ndarjes nga jeta tokёsore tё gruas sё re, ёshtё njё shqipёrim, mbasi origjinali ka qenё shkruar nё gjermanisht e botuar nga shtypshkronja Gutenberg nё majin e vitit 1943.

Ёshtё meritё e spikatur e prof. Ardian Ndrecёs, qё me njё pёrkushtim sa tё ngrohtё njerёzor aq edhe shkencor, ka larguar pluhurin e kohёs dhe tё harresёs nga ai margaritar i rrallё i letrave shqiptare, duke i a rikthyer lexuesve nё njё shqipёrim qё, pa pikё dyshimi, mendoj se hyn nё fondin e artё tё llojit nё letёrsinё tonё.

Lexuesi i pёrciptё mund t’a veshё nё fillim me njё tis dyshimi e mosbesimi idenё se dy shqiptarё tё shkolluar tё viteve tridhjetё duhej tё bisedonin me njёri tjetrin nё njё gjuhё tё huaj, por kur tё mёsojnё se Leonidi dhe Mirejla, personazhet e veprёs, kishin kryer edhe shkollat e mesme e universitetin nё Austri, por kishin ndёrtuar folenё e tyre tё pёrbashkёt nё njё fshat tё Tiranёs, do tё bashkёndajё dhimbjen e tragjedisё sё tyre e do tё ndihet krenar qё i pёrket njё populli qё ka nxjerrё nga gjiri i tij tё tillё njerёz.

Letra e parё, me katёr faqet e saj, ёshtё njё shpalosje e saktё dhe e pёrmbledhur e gjithё tragjedisё, e cila ёshtё strumbullari rreth tё cilit ftillohen mendimet, ndjenjat, ndiesitё qё pёrshkruhen nё letrat e tjera. Do tё mjaftonte vetёm ajo letёr pёr tё dhёnё tё plota pёrmasat e rrёnojёs, nё tё cilёn ёshtё kthyer jeta e njё njeriu mbas goditjes shkatёrruese tё vdekjes sё gruas sё adhuruar. Ajo fillon me njё datё tё thjeshtё : 3 shtator 1941. Ajo datё nё krye tё letrёs mё solli ndёrmёnd njё kёngё shumё tё bukur tё njё kompozitori amerikan, Bobi Darling, me titull : “Kthehu nё shtator”, tё dёgjuar disa dhjetra vite mё parё. Ashtu si letra e parё e librit dhe ajo kёngё kishte nё thelbin e saj dy nga idetё mё tё pёrjetёshme e nё kundёshti me njёra tjetrёn, dashurinё dhe vdekjen.

Rrjeshtat e parё zbulojnё nё gjithё kobin e saj tragjedinё dhe e zhysin lexuesin menjёherё nё atё mjedis dhimbjeje e cfilitjeje shpirtёrore nё tё cilin pёrpёlitet shkruesi i tyre :

“E dashuna jeme ! Sot me 3 shtator janё mbushё shtatё vjetё qysh se jemi martue e ti nuk jeton ma. Ti ke vdekё e votra jonё asht shqimё, nuk kemi me zanё vend bashkё rreth saj pёr me u ngrohё, nuk kemi me u ulё bashkё nё tryezё pёr me hangёr, e s’kemi me kremtue ma pёrvjetorin e martesёs sonё. Un s’kam me puthё ma duert tueja tё dashuna, me vdekjen tande kam bjerrё çdo gja tё mirё dhe tё bukur…..”(faqe 27)

Mjaftojnё vetёm kёta pak rradhё pёr tё pёrcjellё nё gjithё shtrirjen dhe thellёsitё e tyre, pasojat e njё tragjedije qё ka goditur pa mёshirё jetёt e dy njerёzve qё ishin lidhur ndёrmjet vetit me magjinё e dashurisё sё parё qё i ngjante “njё bime tё pranverёs qё pёreronte çdo gjё me shpresёn e saj, madje dhe gёrmadhёn nё tё cilёn ishte kacavjerrё”, nёse mё lejohet tё huazoj kёtё fjali tё Flaubert-it. Shtatё vite bashkёjetese nё krahёt e njё dashurie sublime, tё aftё pёr tё kapёcyer pengesa tё pa marrura me mёnd, janё shtrati i ngrohtё nё tё cilin janё pёrkundur jo vetёm regёtimat e zemrave dhe drithёrimat e trupave, por edhe ёndёrrat, shpresat, projektet e s’ardhmes. Ajo dashuri shёmbёllente me njё lis tё lartё e tё gjelbёruar qё shikonte qiellin e nё tё cilin zogjtё ndёrtonin foletё. Papritmas sёmundja e pashёrueshme e Mirejlёs e goditi atё si njё rrufe, duke ngjitur nё qiell shpirtin e pastёr si ujёt e burimit tё nёnёs 27 vjeçare, por duke zhytur nё dёshpёrimin asgjёsues zemrёn e mёndjen e Leonidit.

Si lisi mbas gjuajtjes sё rrufesё Leonidi ёshtё tjetёrsuar. Zhuritja e brёndёshme shpirtёrore pёrcakton tё tjera masa tё gjykimit mbi botёn qё e rrethon, nga e cila nuk pret mё asgjё, sepse dёshpёrimi ka marrё formёn e njё zemёrate qё nuk kursen asnjё nga elementёt me tё cilёt ka qenё e lidhur jeta e gruas sё adhuruar, sidomos nё muajt e fundit qё kur u shfaqёn shenjat e para tё sёmundjes qё e pёrpiu. Kёtu zё fill proçesi i brёndshёm i gjykimit tё gjithshkaje, edhe tё vetё qenёsisё pёr tё cilёn tashmё e ka humbur interesin. Jeta pёr tё ka qenё sinonim i dashurisё sё Mirejlёs, se nё tё ai ka gjetur gruan ideale, vajzёn e cilёsive tё rralla, bijёn fisnike tё njё shtёpie tё madhe, tё pavarur nё mendime, me njё personalitet tё jashtzakonshёm tё formuar nё shkollat mё tё mira tё Vjenёs sё qytetёruar, bijёn e dhёmshur qё vuan nё heshtje ndarjen nga prindёt, por qё nuk nguron tё thyejё normat e njё morali qё bie ndesh me ndjenjat dhe konceptet e saj themelore tё krijimit tё familjes, tepёr tё guximёshme e bashkёkohore pёr Shqipёrinё e viteve tridhjetё, nё tё cilёn mendёsia lindore e trashёguar nga pushtimi i gjatё osman isht ende shumё e fuqishme.

“Ti ke shkapёrcye nji humnerё pesёqindvjeçare e tue ba ketё ke dalё nё krah tё nji tradite ma tё vjetёr, historikisht ma tё epёrme” (faqe 120) shkruan Leonidi nё letrёn e tij tё fundit. Ёshtё dёshmi e vlerёsimit moral dhe intelektual, por edhe qytetar tё baskёshortes, e stimёs sё tij, njё tjetёr element themelor nё qёndrueshmёrinё dhe jetёgjatёsinё e njё ndjenje tё fuqishme mes dy tё dashuruarish. Dashuria e tyre nuk ka nё themel vetёm hijeshitё e fytyrave e tё trupave, qё bёjnё tё shkёndijohen zemrat me shikimin e parё, por mbi tё gjitha respektin e ndёrsjelltё pёr cilёsitё e virtutet e njёri tjetrit. “Ti m’a ke mbushё jetёn plot, un isha shumё krenar pёr ty…” (faqe 28) shprehet me çiltёrsi Leonidi.

Tani qё Mirejla nuk ёshtё mё dhe ajo botё e tij vetiake, me tё gjithё pёrbёrёsit e saj zotёrues qё pёrcaktonin lumturinё, ajo ёndёrr e ndёrprerё papritmas, shkallmohen me pasojat e pёrfytyrueshme nё gjёndjen e tij shpirtёrore. Tani, pёr njё trill tё fatit, ai afrohet me armiken qё i ka rrёmbyer stolinё e vetme tё jetёs sё tij, me vdekjen, tek e cila shpreson tё rigjejё lumturinё e humbur, nёpёrmjet takimit nё pёrjetёsi me tё dashurёn e zemrёs. Problem i lashtё sa bota, tё cilin ingjinjeri i ri e pёrballon me qetёsinё stoike tё shkencёtarit qё i bёn llogaritё me veten, nё vetminё e honit tё llahtarshёm qё ka brёnda : “Due me vdekё e me u varrosё sё bashkut me ty. Kur tё vijё vjeshta, tragjedia e dashunisё sonё do tё gjejё plotninё e saj. Atёherё due me u prehё nёn dhe me ty e s’bashkut me festue pёrvjetorin e tetё tё martesёs sonё. Ky asht synimi i jem, nuk lakmoj tjetёr tashma.” (faqe 30)

            Ky duket se ёshtё vendimi qё, nё çastin e marrjes, nuk mban parasysh dy faktorё tё tjerё qё lidhen me jetёn e tij, qoftё edhe me gёrmadhёn nё tё cilёn ёshtё kthyer, Zotin dhe fёmijёn. Ideja e Zotit ёshtё e pranishme nё dёshirёn e Mirejlёs, edhe se myslimane, pёr tё festuar Krishtlindjen, ardhjen nё Tokё tё fёmijёs hyjnore, ashtu si ka bёrё nё vitet e studimeve tё saj nё Austri. Por marrёdhёniet e autorit me Zotin, si nё shumicёn e pёrvojave njerёzore i nёnshtrohen luhatjeve, madje edhe njё farё largimi, kur ne nuk jemi nё gjёndje tё kuptojmё thelbin e mesazhit tё tij, por e kushtёzojmё atё me kёrkesat e pёrditёshme tё jetёs sonё. Bёhet akoma mё e vёshtirё ajo bashkёlidhje kur vihemi pёrballё fatkeqёsish tё mёdha qё na ndajnё nga njerёzit tanё tё dashur.

“Sa ma i madh asht dёshpёrimi i jem aq ma fort dyshoj nё ekzistencёn e tij, pse nё fund tё fundit besimin tek Zoti ia atribuoj thjesht nji cilёsisё sё ulёt tё njeriut, frikёs sё tij.” (faqe 59-60) Ёshtё shprehje e njё mungese tё thellё tё besimit, tё tillё qё pranon edhe dhimbjen njerёzore, edhe flijimin edhe mundimet nё kёtё jetё, mbasi jemi nё njё provё tё vazhdueshme me tё cilёn çdo ditё duhet tё pёrballemi. Kёtu personazhi i afrohet mosbesimit, madje me arsyen e tij tё mjegulluar cek ateizmin, sepse nuk ka forcёn tё futet nё misterin e Hyjnisё, mbasi pranon ai :”Bota pёr mue asht rroposё. Me ty kam humbё çdo mbёshtetje qendёr ekuilibri.” (faqe 60)

Nё dalldinё e mendimeve qё kanё pushtuar trurin e tij tё stёrlodhur nga pёrsiatjet mbi marrёzinё e fatit qё i mohon praninё e njeriut mё tё dashur, Leonidi nuk gjen tjetёr rrugё pёr tё ruajtur lidhjen e pёr tё ushqyer shpresёn e njё ribashkimi me gruan qё, pёr nji vullnet epror, e braktisi nё vetminё e tij me njё fёmijё tre vjeçe. Ёshtё pikёrisht ai fёmijё dora e Zotit, qё u fal bashkёshortёve, para katastrofёs sё tyre, krijesёn qё lidh e pёrjetёson dashurinё e tyre. Por n’ata çaste Leonidi nuk e pёrcepton atё mrekulli, ёshtё rrёmbyer i gjithi nga dёshira pёr tё ripasur gruan e tij e, rёndom mendon si njeri i zakonshёm, nё thjeshtёsinё e tij, se kjo dёshirё mund tё sendёrtohet vetёm me vdekjen e tij. Por Zoti ёshtё pranё tij edhё nё kёta çaste tepёr tё dhimbёshme i shfaqet nё mendimet e tij tё trazuara : “Un s’due me tё humbё ty dhe prej dashunisё pёr ty mundohem me kёrkue nji shteg pёr me gjetё Zotin.” (faqe 62)

Shtegun pёr tek Zoti i a tregon vetё Mirejla duke i kujtuar bredhin e Krishtlindjeve qё n’atё vit nuk mundi tё stolisej nё shtёpinё e tyre. Nё qerthullin e ndёrlikuar tё cfilitjeve shpirtёrore qё i mpakin arsyen dhe vullnetin, depёrton drita e Zotit edhe se luhatja psiko emocionale, pasojё e mungesёs sё njё besimi tё thellё, vazhdon gjatё gjithё rrёfimit tё tij tek e dashura e vdekur, ajo dritё ndalon njё vendim fatal kundrejt vetes, qё do t’a bёnte tё pashpresё t’ardhmen e tij se do t’a ngarkonte me mёkatin e vetёvrasjes e tё braktisjes sё fёmijёs, gjё qё do tё asgjёsonte çdo shpresё pёr t’u ritakuar me tё zgjedhurёn e zemrёs nё njё tjetёr jetё. Fёmija ёshtё spiranca e shpёtimit, krijesa e gjallё qё i kujton çdo ditё bashkёshorten, me ngjajshmёrinё e tipareve tё pёrcjellura tek djali. Kaq e madhe ёshtё amullia e ideve nё tё cilёn e ka zhytur dёshpёrimi, sa qё Leonidi pohon se : “Nё idhnimin tem kam lanё mbas doret djalin dhe edukimin e tij. Qysh tash s’e due as gjysmёn e asaj qё e doja ma parё. Ai e ka humbё babёn e vet pёr sё gjallit. Kur ndonjiherё lёviz tek un nji ndjenjё atnore dhe nji shenj ngushёllimi ban me u ndie, kjo zgjat pёr nji çast e dashun ! Sa hap e mbyll sytё shkon si vetima dhe un fundosem rishtas nё terrin tem tё pangushullueshёm.” (faqe 63)

Ёshtё njё pjesё e rrёfimit tё Leonidit pёrpara Mirejlёs sё tij. Ёshtё pjesa mё e dhimbёshme, mё dramatike e rrёfimit tё tij, i cili bёn tё dridhet nga dhimbja edhe shpirtin e sё dashurёs, qё nga lartёsia e qiellit shoqёron çdo ditё djalin e saj. Me siguri, nёpёrmjet rrugёve tё panjohura i pёrcjell tё dashurit njё qortim, sepse tashmё jeta e djalit kёrkon zotimin e plotё tё babait nё drejtim tё saj. Para kёsaj domosdoshmёrie edhe dёshpёrimi asgjёsues duhet tё bjerё nё plan tё dytё. Ёshtё ligji i parё i Kodit tё Krijimit me vlerat e tij universale qё detyron atё qёndrim, sepse rritja e fёmijёs qё bart gjakun e nёnёs duhet tё bёhet pёrparёsi e interesave jetёsore tё babait i cili, me humbjen e gruas, ka detyrimin moral e ligjor tё vazhdojё jetёn nёpёrmjet  kujdesit pёr fёmijёn qё mbetet e vetmja vazhdimёsi e ёndrrёs sё zhuritur nga rrufeja, mbasi ёshtё fruti i prekshёm i asaj ёndrre.

Leonidi i pllakosur nga dёshpёrimi vazhdon jetёn pёr inerci, por fёmija bёhet me kohё thelbi i saj, qёllimi madhor qё e mban tё lidhur me kujtimet e dhimbёshme por edhe me ёndrrёn e shpresёs se djali njё ditё do tё ketё familjen e tij, duke ripёrtёrirё jetёn familjare tё prindёrve tё tij, njё lloj ringjallje tokёsore, prelud i ribashkimit nё parajsёn qiellore.

Arrin njё çast nё kalvarin e dhimbjeve shpirtёrore t’autorit, nё tё cilin duket se ai po futet nё hullinё e vazhdimёsisё sё jetёs, kur dёshpёrimi i le vendin njё analize tё ftohtё. Duket se ai del nga vetvetja, nga gjёma e tij, e vesh petkun e qytetarit e intelektualit qё priret nga gjykimi i Vendit tё vet, i historisё sё tij, i vendimeve tё popullit tё tij ndёr shekuj. Nё kёtё shqyrtim tё problemeve tё mёdha historike tё popullit tё tij ai mundohet tё inkuadrojё edhe tragjedinё e jetёs sё tij, duke u munduar tё gjejё njё lidhje shkak pasojё nё ndryshimin e besimeve fetare ndёrmjet tij dhe Mirejlёs, qё pёrcakton edhe qёndrimin e familjes sё saj myslimane kundrejt vendimit tё saj pёr t’u martuar me njё katolik. Madje nё kёtё kuadёr gjen vend edhe pushtimi italian i Shqipёrisё, krejtёsisht i dёnueshёm mbasi asgjёson lirinё e popullit tё tyre, por edhe ka si pasojё njё vendim sa tё padrejtё aq dhe tё paligjёsueshёm, atё tё marrjes sё shtёpisё sё tyre nga autoritetet pushtuese.

“Ti e kupton se un, nё dhimbjen teme, e kёrkoj shkakun e vuejtjes sonё mbrapa nё shekuj, e ti e rrokё me mend se un jam i mendimit qi lumtunia e jonё nuk do tё ishte shkatrrue nёse popullit tonё nuk do t’i mungonte nji bazё e njejtё shpirtnore….”(faqe 120) Veshja e fatkeqёsisё sё tij familjare faktorit fetar, nёpёrmjet qёndrimit pedant tё familjes, edhe se ka nё tё elemente vёrtetёsie, nuk mё duket plotёsisht i ligjёsuar. Nёse sёmundja e mallkuar do tё ishte shfaqur disa vite mё vonё, kur shkenca kishte zbuluar antibiotikёt, tragjedia do tё ishte shmangur dhe jeta e çiftit do tё kishte vazhduar si ajo e tё gjithё tё tjerёve qё u pёrballuan mё vonё me traumёn komuniste. Ndoshta nё atё drejtim nuk do tё kishte pasur pasoja tё rёnda, sepse ingjinjeri i talentuar gjeti edhe nё regjimin komunist, nё sajё tё punёs sё tij tё vyer, njё jetё normale. Sidoqoftё revolta e autorit kundrejt dukurisё sё ndikimit tё ndryshimit fetar nё krijimin e familjeve shqiptare, duke shkaktuar shumё drama nё shoqёrinё e shekullit tё shkuar, ёshtё pozitive dhe plotёsisht e ligjёsuar, edhe se pёrfundimet e tij mbi rolin e bejlerёve nё historinё e Vendit tё tij mё duken tё tepruara e tё papёrgjithёsueshme.

Megjithatё lexuesi i vёmendshёm, edhe se mund tё mos jetё i njё mёndjeje me autorin nё disa prej pёrfundimeve tё tij, duhet tё njёjtёsohet me dramёn e tmerrshme qё jeton personazhi, nё tё cilёn mёndja nuk mund tё jetё gjithmonё tёrёsisht e kthjelltё. Por ai nuk mund tё mos mrekullohet pёr fuqinё e qёndrueshmёrinё morale tё tij, qё e mbyll bisedёn e pёrfytyrueshme me gjysmёn tjetёr tё zemrёs me njё premtim, jo tё zakonshёm pёr shumicёn e burrave :

“….. tё kam premtue dashuni dhe tё jam betue me t’ndejt besnik. S’due me e hangёr fjalёn. Due me ju bindё dashunisё dhe karakterit tem. Tё vdekunit duen qetёsi dhe paqё. S’due me ua prishё qetёsinё e s’due me e shqetsue paqen tande. Due me e shkue jetёn ndershmёnisht, tue dashunue tё bukurёn dhe tue dashtё tё mirёn.

            Due me tё nderue tue mbajt zi. Due me tё qa me zemёr tё pastёr, pse lotёt e mij kanё me u terё vetёm kur tё shtrihem nё vorr afёr teje.” (faqe 124)

            Ka diçka sipёrnjerёzore nё kёtё premtim, nuk ёshtё retorika e zakonshme e shprehjes sё njё dashurie tё madhe tё goditur nga vdekja e papritur, ёshtё njё njimendёsim me vlerat madhore hyjnore e njerёzore. Ёshtё ngadhnjimi i jetёs mbi vdekjen, i sё mirёs mbi tё keqen, i detyrёs sё bashkёshortit e prindit mbi çfarёdo egoizmi e individualizmi.

Aq mё shumё merr pёrmasa madhёshtore ky premtim, kur dihet se u vu nё jetё gjatё viteve tё gjata, nё tё cilёt autori jetoi me dhimbjen nё zemёr, por me shpirtin tё qetё, me vullnetin e plotё pёr tё rritur djalin, duke e edukuar me parimet e tij e me dashurinё e nёnёs e, veç asaj, i dha Vendit tё tij ndihmesёn madhore nё profesionin e tij, nё pёrmasa t’admirueshme. Kur i ka ardhur çasti i fundit, nё bilancin e vetvetes ka qenё nё paqe, sepse nё ballafaqimin me Zotin e me tё dashurёn ёshtё paraqitur si prind, bashkёshort, qytetar e njeri shёmbullor.

Kam bindjen se pjesa tjetёr e jetёs, mbas vdekjes tokёsore tё tij, ёshtё njё lumturi e pafund, sё bashku me gruan e tij nё botёn e sё vёrtetёs, ku virtutet gjejnё shpёrblimin e tyre nёn dritёn dhe mirёsinё e pёrjetёshme tё Krijuesit tё gjithёsisё.

Si lexues, sё fundi, dua tё shpreh njё vlerёsim tё madh e tё sinqertё pёr prof. Ardian Ndrecёn, pёr punёn tejet cilёsore nё pёrkthimin e veprёs dhe njё falёnderim po aq tё sinqertё atij dhe shtёpisё botuese “Onufri” pёr ndihmesёn nё pasurimin shpirtёror tё shqiptarёve, nёpёrmjet botimit tё kёsaj perle tё rrallё tё traditёs sonё kulturore.    

  

Filed Under: ESSE Tagged With: DASHURIA DHE VDEKJA, Eugjen Merlika, jeta, NЁ FAQET E NJЁ LIBRI

ALFONS GRISHAJ SJELL VARGJE SHPIRTI NE SOFREN POETIKE

January 12, 2017 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

Alfons-Grishaj1-250x300

JETA…. ËSHTË E BUKUR (REALE)/

Fëmijë ,  gëzoja  çdo ind të lirisë,/

Urrejtjen s’e njihja veç ëmbëlsi,/

Armatë e kuqe mbushur me ligësi,/

Ndëshkoi ashpër një  popull prej miopisë./

Pushkën rrëmbeva, por humbi llogore…/

Villja gjak … Zotin  s’e shita kurrë!/

U shfaq Engjëlli i bardh : ”Do jetosh burrë,/

Jeta është e bukur do gëzosh prore.”/

U çova nga varri që armiqtë e lirisë/

Popullin shqiptar pabesisht murosë,/

Flamurin tradhëtisht keq  katranosë./

Yllin komunist , akuiloni i Rusisë,/

U hoq nga ne , nga  gjaku i  rinisë,/

Por endet sërish  fantazma rozë!/
VATRA DHE TRADHËTARËT E KOMBIT

Bacilet e Kohn* emëtim si bushtrat,

Porsi grami  në tokë pjellore

Në eufemizë  zvarritë në  foltore…

Si peshq pa ujë kundërmojnë pushtat.

 

Rrahin gjoksin spiunët e Serbisë,

Pares huaj i thonë patriotizem …

Gjaku i pistë mpiks me Enverizëm,

Si urithat  në shërbim tradhëtisë.

Ka tjerë  shpirtështriga Salemit

Që pinë ujë në pisllek të  legenit,

Ku gjarpërinjtë  u krodhen, pështynë dhembët.

 

Ende nuk ësht’ tretë  çorbë e Titizmit

Armiku i regjur , Vatres  i trembet,

Prej lavdisë saj… toka i shembet !!!

SA SHUMË URREJTJE ?!

Sa  shumë urrejtje për të gjallët?!

Për të vdekurit,  rrul mbi varre për të zhdukur  jehonat.

Mizori insektesh rraca e  prishur njerëzore.

Qilimi asfalt  shprishet prej shpirtrave që këndojnë : “Paqe”!

O Zot!

Sa shumë mosmirnjohje ndaj Teje dhe njeriut të vërtetë

Që përçon mesazhin tënd !

Predikuesi falls urren  ozonin,

Duke klithur me gjuhën e gjarpërit:  “Jo kungim për “mëkatarët!” ,

E vetë …vjell vnerë çdo orë , në përfolje çdo minut ,

Kur këput kordat e  organos së preludit të shenjtë

Me instrumentin e verbërisë …

Paqja e Birit Tënd të sakrifikuar për mëkatet tona

Nuk përkon me predikimin e anti-Krishtit ,

Që vllaun e vet e don kërmë  për sorra dhe çakallë ,

E me besimtarin sillet si Neroni pagan…

Sa shumë urrejtje për të gjallët,

Për të vdekurit shumë më tepër mëri…

Mendel!*  Shtjellove  genin ,

po kurrë genin e zi !
VASHA ME BUSULL …

Echo! “Carmina Burana”*

Këmish stilos  notat me nam,

Tërsëllëm mot’ tek murana

Temelet rrënjë klith në gjam!

 

Nxjerr  kokën e zymtë  Lindje,

Larg  perëndim’ fikur alle,

Veriu  dhe Jugu në grindje

Kush heq të përtmortshmen  valle.

Moral  rrëzuar si çinarë

Prej më t’egrit  stuhi në gjak,

Krah varur mjelmë e vrarë

Shpirt lënduar , fjalë aspak.

 

Ja ! Busull brilant në dorë,

Në udhëkryq lind një shpresë,

Shtrin krahët vashë e gjorë

Shuan etjen si bar’ në vesë.

 

Përmes ozon’ diell’ në Lindje,

Hark perëndimi ngjyrë  bozhur,

Veriu, Jugu gjoks çel’  n’ andje,

Pjalm dashurie mbi buzët zhur!
ARKA E BESËLIDHJES SË RE

Gërmojnë  djersëtarët  arkeologë

Në mjergullën e kohës , gojëdhënës çart,

Por nuk humbi as nuk u dogj  Arkë e Artë,

Rabbitë  flirtuar  në sinagogë.

 

Tog  Engjëjsh  e morën  nuk i pa askush

Mes kataklizmës , flakës  dhe barbarisë.

Gjaku përrua, Tempulli i Solomonit prush

Nga Mbret’ që ndërtoi “Kopshtet e Babilonisë”!? *

 

E di ! Ekzistojnë ende  të Shenjtit Gurë,

Pllakat që u shkruajtën Urdhërimet Hyjnore…

Besimet , shkenca  s’ do i gjejë  kurrë!

Pa paq’ mbi dhe të  frymës  njerëzore.
————————————————————————————–

*Gregori Mendel , shkencatar , Babai i Genetikës . Ai i përkiste Urdhërit Agustinian

*Carmina Burana i Carl Orff ( O Fortuna – Carmina Burana)…

*Nebuchadnezzar i Dytë , Mbret i Babilonisë , pasi pushtoi Izraelin  dogji Tempullin e Solomonit , dhe sëbashku me Tempullin u “dogj” dhe  “Arka e Besëlidhjes Re”  Dhjetë Urdhërimet e Zotit , të shkruara në dy pllaka guri që,  Zoti ia dorëzoi  , Moisiut në malin e Sinait.

*Ferdinad Kohn , ishte i pari qe përshkruajti dhe spjegoi  ciklin e bacileve. Ai zbuloi disa lloje bakterjesh qe shkaktojnë infeksione….

*Shtrigat e Salemit , që u akuzuan dhe u varen  për metoda shtrigash në dëmin  e njerëzve. Por,  për të kuptuar realisht Shtrigat e Salemit ,  duhet lexuar libri i Mbretit , Xhejms VI  të Skocisë , “DAEMONOLOGIE”(Demonologji) .  Pas vdekjes Elizabet , Xhejms u bë Mbret  i  Anglisë…

P.S. Shënimet e mia…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: (REALE), alfons Grishaj, ËSHTË E BUKUR, jeta

JETA DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE E ISA DEMAJT

August 21, 2016 by dgreca

*Në  70 vjetorin e lindje e 31 vjetorin e vdekjes/

*Porosia e Isës, dashuria e Isës, idealet e Isës do të bëhen realitet. /A. Demaçi/

Shkruan Ismail Gashi-Sllovia/

Isa Demaj u lind më 12 janar 1946 në Shkrel të Rugovës, nga e ëma Zoja dhe i ati Musë Tahir Demaj,  i Bajrimerajve të fisit Kelmend. Familja kishte  traditë të lavdishme atdhetarie, që nga Avdi e Isuf Smajli, Hajdar Feku, Adem Isufi e Rexhë Avdisë, të cilëve ju këndohej brez pas brezi nga lahutarët deri te Ramë Abazi. Isa, djali i dytë, nga dhjetë fëmijët e Tahirit e Zojës, u rrit në mjedis të shëndoshë të Kosovës, në Rugovën e lavdishme e të pasur me male e gryka, lugina e kroje të freskëta e me livadhe e kullota të begatshme. Isa rritet dhe fëmijërinë e djalërinë e shëndoshë e kaloi në këtë pjesë të bukur të Kosovës, në rrjedhën e melosit artistik të Eposit të Kreshnikëve, zonë  e dalluar për karakterin heroik-legjendar dhe fuqinë e formësimit shpirtëror. Epika historiko-legjendare shqipe, me gjitha veçoritë e saj dalluese, edhe sot këndohet e dëgjohet në trevën e Rugovës. Isa u lind e u rrit në vendin ku lindin trimat, e nga njihet urtësia shqiptare, ku lindi e jetoi, por ku edhe sot dëgjohetlahuta e lahutarët. Isa u lind aty ku, në vazhdimësi është dëshmuar trimëria e guximi i burrave me përcaktim të thellë kombëtar, me zhvillim fizik të fuqishëm e pamje të bukur fizike. Pamja fizike është simetrike me ndërtimin e personalitetit të Isa Demajt, ato përputheshin me tiparet e karakterit. Këto karakteristika dalluese, mundësonin leximin e kuptimit të përmbajtjes shpirtërore atdhetare. Kushtet materiale e shpirtërore të natyrës, nga dolën njerëz të mendjes së hollë e mendim të thellë të urtësisë shqiptare, në Shkrelin e Rugovës, ku Isa rritej me dashuri e krenari djaloshare. Në vendin e traditës, jo vetëm nga begatia natyrore, por e pasur edhe nga tradita e lavdishme e frymës kombëtare. Formësimi atdhetar i tij, nisi nga edukimi i rrethit familjar, nga prindërit e lavdia e paraardhësve të kësaj familjeje të madhe shqiptare, që bartnin ndër gjenerata një thesar të pasur të vlerave tradicionale kombëtare. Themelet e ndërtimit të moralit të shëndosh tradicional shqiptar, të cilin Isa në vazhdim do ta ndërtojë e begatojë personalitetin e tij atdhetar në rrugëtim gjatë shkollimit e veprimtarisë jetësor. Mësimet e para, shkollën e ulët fillore, e kreu në vendlindje. Kurse ciklin e lartë të fillores i vazhdoi në Haxhaj, duke udhëtuar bjeshkëve e rrugëve të vështira nga disa kilometra në ditë. Kjo ishte shkalla e parë e përgatitjes për vazhdimin e mësimeve në Gjimnazin e Pejës, në drejtimin pedagogjik. Aty, në shkollimin e mesëm, Isa Demaj zgjeroi njohuritë e rrethin e shokëve. Këtu ishte bashkënxënës me Zymer Nezirin dhe kishte kontakte frymëzimi me Nezir Gashin, e atdhetarë të tjerë nga Peja e rrethinat. Më e rëndësishmja për formimin dhe forcimin e tij intelektual, në këtë hapësirë njohëse, ishte kontakti me literature e traditës së lavdishme e historike shqiptare. Këto mote, për herë të parë, Isa Demaj kontaktoi me Fishtën, lexoi e mësoi “Lahutën e Malësisë”, vargjet e të cilës i kishte dëgjuar nga këngëtarët e lahutarët rugovasë. Isa gjatë shkollimit të mesëm krijoi nivele, hapësira e mundësi të shtrirjes dhe thellimit bashkëveprues me miqtë bashkëmendimtarë nga mjediset e ndryshme të Dukagjinit e më gjerë. Për veprimet  politike, për liri kombëtare, e në veçanti për ndërprerjen e padrejtësisë historike ndaj Kosovës e viseve tjera etnike shqiptare, të cilat në ato kohëra të serta e të padrejta, që nga 1913 e deri në ditët tona, padrejtësisht ishin aneksuar nga komunizmi sllav.

Djali e burri i dalluar nga Rugova, Isa Demaj. Që nga vitet e shkollimit të mesëm, u angazhua në senzibilizimin e çështjes kombëtare. Ai kudo që ishte me guxim e pa asnjë hamendje, shprehte mendimet e qëndrimet e veta për çështjen kombëtare, duke folur e diskutuar, madje edhe kryer aksione konkrete, si shkrimi i parullave kundër okupuesit serb në kërkim të lirisë e bashkimit kombëtar. Kështu, më 1963, në një mbrëmje, bashkë me Isa Bicaj, në dy anët e hyrjes së gjimnazit në Pejë, shkruan parullat “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë Enver Hoxha!”. Dhe si rrjedhojë e kësaj, të nesërmen gjithë personeli arsimor dhe nxënësit e gjimnazit të Pejës, u vunë në mbikëqyrje nga organet e shërbimit shtetëror, për të kapur shkruesit e këtyre parullave. Megjithatë, ata, asnjëherë nuk u zbualan, sepse nxënësit dhe autorët e parullave ruajtën sekretin. Ai, djalë trim, kuptoi që në rini se, Kosova e shqiptarët në ish-Jugosllavi, janë popull e troje dy herë të robëruara. Në të parë, nga sllavët gllabërues, për çka kërkohej angazhim e sakrificë e madhe për dalje nga ky robërim. Dhe robërimi i dytë, ishte ideologjia e sistemit komunist, të  cilin shqiptarët pas lirimit të parë nga okupuesi sllav, që ishte domosdo urgjente, lehtë mund ta ndërronin me një ideologji apo do të zgjidhnin një sistem më të përshtatshëm qeveritar për të cilin shqiptarët në mënyrë demokratike, do të deklaroheshin me votën e tyre të lirë e demokratike për sistemin e dëshiruar shoqëror, por dhe shprehjen e mendimit të lirë për shtetin me të cilin ata duan të jetojnë. Ideologjia komuniste sllave, me ashpërsi e dhunë mesjetare, shqiptarëve ju injoronte e nëpërkëmbte, jo vetëm atdheun, por edhe identitetin kombëtar me gjitha vlerat shpirtërore e materiale të së kaluarës së lavdishme pozitive. Ju mohonte besimet fetare, e mbi të gjitha ju mohonte qenien fizike në këto hapësira, dhe veçoritë dalluese të identitetit kombëtar, gjuhën, vlerat shpirtërore artistike dhe simbolet kombëtare. Sunduesi serb nga shqiptarët  mundohej të krijojë qenie “proletare” të  zhveshur nga kompleksi i kënaqësive  materiale, dhe begative pozitive të vlerave shpirtërore, nga tradita e lavdishme pozitive kombëtare e historike. Kështu, Isa në parimin e drejtë u përgatit  me njohjen e veprimeve të ilegales shqiptare, që nga para lufta, gjatë luftës dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Andaj, më 1964, kur ai kishte 18 vjet, pas një takimi të rastit në tren me Azem Beqiri, me të cilin pa një vështirësi, u njoh e u morën vesh shpejt. Që këtu e tehu, praktikisht Isa u bë veprimtari më i ri “Levizjës Revulucionare për Bashkimin Kombëtar” në themelimin e së cilës mori pjesë dhe ishte anëtari me i ri në ilegalen e Bacë Adem Demaçit. Burgosja e tij dhe grupit të 1964, Isën e brengosi shumë, jo vetëm për dhembje. Por, për gatishmëri e sakrificë, pse edhe ai nuk u gjet prapa grilave, ashtu siç i kishte premtuar Azem Beqirit. Megjithatë, ai kontakt i mrekullueshëm me Azemin dhe lidhja e shpejt me Adem Demaçin, Isën e fusin në binarët e rregullt të veprimtarisë kombëtare, të cilën Isa gjatë shkollimit e veprimit e zgjeroi në formë e përmbajtje, dhe për asnjë çast, përkundër kërcënimit e rrezikimit, këtë veprimtari nuk e ndali. Gjatë studimeve në Shkollën e Lartë në Prizren, kontakton shpesh me Hasan Remën, dhe me shumë shokë patriotë nga gjithë mjediset shqiptare, Meriman Brahen e Simon Kuzhninin nga Prizreni, Haxhi Malokun nga Mitrovica, Haxhi Bajraktarin nga Theranda, Isa Morinën nga Dardana, Fadil Sylejmanin nga Tetova, Rafet Ramën nga Rahoveci e shumë studentë e atdhetarë të tjerë. Më 27 nëntor 1967 Isa me shokë student në Prizren, feston Ditën e Flamurit kombëtar, Po asaj nate, diktohet e arrestohet nga organet sigurimit shtetëror dhe dënohet me burg kundërvajtës. Përkundër torturës e dhunës fizike e psikike, Isa del nga burgu edhe më i fortë e më i guximshëm për veprime të mëtejshme. Padrejtësinë historike, kombëtare e njerëzore, rirobërimin e shqiptarëve të Kosovës e trojeve tjera etnike nga Komunizmi Jugosllav. Isa Demaj si edhe shumë të tjerë nga rinia studentore e popullit shqiptar, e kishte kuptuar ndryshe nga shtresa politike të popullatës brenda shqiptare. Më 6 tetor 1968, në Prizrenin historik, Isa Demaj bashkë me Grupin e Studentëve të Prizrenit, që në vazhdim do të merrte koordinimin dhe organizimin e demonstratave për Rrafshin e Dukagjinit, Meriman Braha, Zymer Neziri, Simon Kuzhnini e të tjerë, të motivuar nga Hasan Rema e të ndihmuar edhe nga Lemane Braha-Dobruna, Rafet Rama, Haxhi Maloku, Shpresa Elshani, Haxhi Bajraktari e të tjerë, të cilëve iu bashkuan shumë  qytetarë prizrenas, me flamur kombëtar, dolën në demonstrata. Kështu filloi ndezja falakadanit me kërkesa afirmative e politike. Grupi i Studentëve të Prizrenit. Për herë të parë, thyen “rehatinë” shumëvjeçare të sundimit komunist, me parulla për të drejtat shqiptare, liri, siguri e të drejtë në jetë të popullit shqiptar, që edhe ai, të gëzojë të gjithë të drejtat si edhe popujt të tjerë. Të flasë lirshëm në gjuhën e vet shqipe, të përdorë lirshëm simbolet e veta kombëtare, të shkollohet shqip nga fillorja e deri në mësimet universitare, dhe në administratë e shërbime shtetërore, të flasë e të shkruajë shqip, të përdorë në festa shtetërore e kombëtare  flamurin kombëtar. Kosova të marrë status shtetësie në shkallë Kushtetute. Që edhe në Kosovë të formohet universiteti. Mbi të gjitha, u kërkua e drejta për Republikë të Kosovës, me të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje, Këto kërkesa në vazhdimësi, do të thuhet e dëgjohen në gjitha demonstratat, që do të organizohen atë vit në Kosovë e troje tjera etnike, të okupuara edhe pas Luftës së Dytë Botërore nga ish-Jugosllavia. Nga këtu Haxhi Bajraktari, në marrëveshje me organizatorët e demonstratave të Prizrenit, dy ditë më vonë në Suharekë, organizoi demonstratë dhe nga Kryeqyteti i shqiptarizmës, Prizreni. Dy javë më vonë, më 19 tetor 1968. Studentët atdhetarë dukagjinas, në koordinim të Isa Demajt e në përgjegjësi të Zymer Neziri e Xhemail Gashi, me studentët Ramadan Blakaj, Sadri Kelmendi, Miftar Tishuku, dhe nxënësit e Normales, Demë Mulliqi, Sylë Kuqi dhe ndihmën e Tafë Shalës, Ramadan Shala, Afrim Logjës e Pashk Laiqi, me flamur kombëtar, u nisen nga shkolla Normale drejt qendrës së qytetit, të cilët arritën të marrin pas vete mijëra të rinj e qytetarë pejanë. Në shkallë të lartë të disiplinës e organizimit shembullor, që hutoi pushtetarët, ata në qendër të qytetit në Pejë, shpalosen flamurin shqiptar dhe lexuan kërkesat për të drejtat shqiptare. Kjo valë përfshiu  edhe Gjakovën dhe u kurorëzua, më 27 nëntor 1968, me demonstratat masive të rinisë studentore, klasës intelektuale e shtresës punëtore në Prishtinë e qendra tjera, Podujevë, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj, Me pjesëmarrjen masive të gjitha shtresave, niveleve e mjedise shqiptare të Kosovës. Më vonë vala e kërkesave shqiptare përfshiu edhe trevat tjera etnike shqiptare, Tetovën më 22 e 23 dhjetor 1968 dhe Ulqinin me 11 qershor 1969. Praktikisht, në demonstratë u përfshinë, gjitha trojet etnike shqiptare të okupuara nga jugosllavët komunistë. Isa, në demonstratat e Prishtinës, i përgatitur nga leksionet dhe i frymëzuar nga i madhi profesor Ismail Dumoshi, në bashkëveprim me organizatorët e demonastratave, Selatin Novosella, Osman Dumoshi, Agrim Loxha, Adil Pireva e të tjerë, mori pjesë aktive dhe printe në ballë të tyre dhe  të kërkesave të zëshme shqiptare, Kushtetutë ja me hatër, ja me luftë. Universitet, flamur kombëtar, vetëvendosje deri në shkëputje dhe Kosova Republikë. Ashpërsia e dhunës së tepruar nga pushteti komunist, ndaj kërkesave të arsyeshme të demonstruesve, u shndërrua në konflikt. Policia shtetërore përdori forcën, gazin lotsjellës, rrahjet, arrestimet dhe plumbat. Në këto demonstrata, në Prishtinë u vra nxënësi i shkollës teknike Murat Mehmeti dhe u plagosën shumë të tjerë. Mes tyre u plagos edhe Isa Demaj, i cili me ndihmën e Qeram Telqiut, u strehua dhe u shërua në fshehtësi në Obiliq.

Në demonstratat e 1968-ës Isa ishte, jo vetëm pjesëmarrës praktik, por edhe  organizator aktiv dhe i vendosur guximshëm përballë pushtuesit shekullor sllav. Ndërsa barbaria e dhunës serbe, gjatë gjithë kohërave, edhe në epokën e historisë së ditëve tona, trojet shqiptare i shikonte me lakmi gllabërimi, ndërsa shqiptaret me urrejtje në shkallë aparteidi e gjenocidi. Por, kjo pjesë e tërësisë etnike, kurrë nuk qëndroi në pozitat e nënshtrimit të mjeruar, që të priste ato thirrje ndjellakeqe për nënshtrim. Në atë kohë kur mendonim e vepronim, si nga legjendat e fantazmave, dilnin mrekullitë e ringjalljes shpirtërore me frymë kombëtare. Forcat shpirtërore të moralit kombëtar nisnin rrugëtimin e daljes para dhunës së shkelësit që t’i sfidonin vdekjes. Andaj, populli me shpirtin e vet moral e krijues nuk thërret rastësisht ketë fanitje, deri te Adem Jashari, që përkujton lavdinë e veprimtarëve atdhetarë për shkoqitje nga okupuesi barbar, lavdia që përmban krenarinë historike, kombëtare e njerëzore. Në këtë përpjekje, Isa Demaj është hallka e rrugëtimit drejt lirisë. Pas demonstrative Isa Demaj u bë motiv që organet shtetërore, mu për këtë, politika zyrtare Letrën e Titos, në Kosovë e zbatoi ndryshe nga mjediset e njësive tjera federale. Këtu u vërsul mbi kuadrot dikur student dhe organizatorë të ngjarjeve të mëdha të 1968, të cilat, sikur më 1968, i kishin shpëtuar ndëshkimit. Andaj, edhe Isa, si edhe shumë atdhetarë të tjerë, disa herë e larguan nga puna, deri sa në vitin 1979 e arrestuan dhe u dënua me 4 vjet burg të rënd. Isa Demaj me 1972/73 pasi erdhi ne zëvendësim të Zymer Nezirit në Qendrën e Mesme Shkollore Teknike në Prishtine, ku puna e bashkëpunimi i tij veçohej, si te nxënësit, ashtu edhe mes kolegëve mësimdhënës. Politika zyrtare pas mori udhëzime nga Letra e Titos, si edhe në shumë mjedise shkollore dhe në Universitet, mësyu edhe në Qendrën e Mesme Shkollore Teknike, që të bëjë “pastrime politike”. Me procedurë më të lehtë diktati, dhe për të dhënë shembull paralajmërimi, meqë ishte nëpunës administrate. Pa asnjë procedurë paraprake, largoi nga puna veprimtarin e madh të çështje kombëtare Metush Krasniqin. Hap që shërbeu për të sulmuar fuqishëm, që me votën e kolegeve, ta largojë nga procesi mësimore edhe Isa Demajn. Pas disa tentimeve, politikanët Komiteti Komunal nuk arriti ti dalin në krye, që Isa Demaj ta largojnë nga ky kolektive. Andaj, zgjodhën rrugën e paligjëshme, që me vendim e qëndrim partiak të Komitetit Komunal ta largojnë nga ky mjedis shkollor. Nxënësit e paralelës “Makarenko”, ku Isa ishte kujdestar klase, paralele e cila nga kolektivi mësimdhënës dhe nxënësit tjerë quhej “Klasa Makarenko”, kur morën vesh se profesor Isai paligjshëm është larguar nga procesi mësimor, madje edhe pa pëlqimin e pa votën e kolegëve mësimdhënës e drejtorisë së shkollës. Organizuan kundërshtim demonstrativ, për të shprehur pakënaqësinë e tyre, sa Komiteti Komunal dhe politika shtetërore e Prishtinës, mbeti në pozitë të pazgjidhshme për ta qetësuar, ma me pak pasoja gjendjen e krijuar. Vet organet politike u detyruan, që për disa ditë ta mbyllin Qendrën Shkollore Teknike.

Pas shërbimit ushtarak, personaliteti kompleks e atedhetari i pakontestueshëm, me 15 janar 1975, erdhi profesor në gjimnazin e Lipjanit, Isa Demaj erdhi në mjedis të panjohur, por erdhi aty ku e kërkonte arsyeja dhe ku ishte i kërkuar të vijë. Erdhi në mjedis që e njihte fort pak, por ku do të pranohet fort mirë si nga kolektivi arsimor, nxënësit, rinia studentore e këtij mjedisi dhe  qytetarët. Kjo hapësirë shkollore, ky mjedis me popullatë shqiptare kishte nevoje dhe priste një shkëndijë a strall atdhetarie. Kolektivi i shkollës, ashtu edhe gjithë mjedisi lipjanas, kishte parapërgatitje për ardhjen e Tij.  E mirëpriti këndshëm, Këtu Isa u bë shpejt i njohur dhe i pranueshëm. Lirshëm mund të thuhet se, Isa këtu erdhi me një përvojë e planprogram të përgatitur për veprim atdhetarie. Me plot gojë mund të thuhet, se ai këtë program të begatshëm atdhetaria, si një regjisor shembullor e vuri në skenë dhe e realizoi me precizitet shembullor. Isa erdhi në kohën kur aty kërkohej vetëm një strall që të ndez flake. Isa në këtë mjedis te ri, erdhi me përgatitje të një veprimtari atdhetar me përvojë të veprimit praktik të begatshëm, Erdhi si një meteor që orienton e drejton një masë të përgatitur për veprim, Erdhi si një flakadan për lëvizjen ideore e kombëtare. Përkundër ndjekjeve, largimit nga hijet përcjellëse të pushtetit, ai këtu përmbushi një hapësirë të re. Isa në Lipjan u prit nga një masë, bërthamë veprimtarësh athdetarë e përgatitur me orientim të shëndosh kombëtar. Praktikisht në Lipjan ishte një orkestër e përgatitur që nga 1974 dhe e shtrirë në çdo mjedis të kësaj hapësire shqiptare,  që kërkonte dirigjent. Isa në Lypjan e rrethinë, duke filluar nga nxënësit, kolegët mësimdhënës, rinia intelektuale e studentore, si dhe pjesa e prindërve, gjeti hapësirë, të vejë në skenë planin e veprimit në gjitha këto nivele e mjedise. Isa në Lipjan e rrethinë, zgjeroi veprimin arsimor të një arsimtari misionar e atdhetar, U bë udhërrëfyes, drejtues shpirtëror i të rinjve, cytës i një lëvizjeje të vrullshme të masës kombëtarisht korrekte dhe e gatshme për sakrificë, e cila këtë profesor me energji e kreativitet arsimor e pranoi dhe e peshoi drejt. Për qindra, po edhe mija nxënës, rini studentore e qytetarë, Isa u bë shpejt i njohur, i afërt dhe zgjoi kureshtjen e masës, e cila ishte vënë në lëvizje e përkrahje te këtij profesori patriot. Për profesor Isa Denaj gjitha nivelet e moshat shqiptare u bënë mburojë që e ruanin atë nga ndjekja e organeve të sigurimit shtetëror. Isën e mbanin nëpër shtëpitë e tyre, e nuk e tregonin kur e përcillte rreziku që ta zinin. Shkurt e shqip, ky mjedis kosovar, me Isën mori vulën e vazhdimësisë së aspiratave të ligjshme kombëtare të 1968, e në vazhdimësi të punës arsimore me nxënës e rini studentore lipjanase bën përgatitjen dhe paraprijnë demonstratat e pranverës së madhe të 1981-it. Thjeshtë për krahun e Lipjanit, Isa ishte fati ynë, ishte arma punëtore që na hapi rrugën e veprimit konkret të lëvizjes atdhetare. Kur profesor Isa fliste para nxënësve, kolegëve të punës, njerëzve në ndeja odash që ishin të shpeshta, sytë i flakëronin, fytyra i kthjellej nga dëshira entuziaste të thotë sa më shumë. Ai kishte artileri argumentesh, kur shtronte të kaluarën historike shqiptare. Vitalitetin, traditën e lavdishme pozitive, lashtësinë kombëtare, begatinë gjuhësore, letrare e shpirtërore të popullit shqiptar. Në anën tjetër gjente grumbull dëshmish, për anët negative të sistemit jugosllav e dogmës sllave, e cila punonte vazhdimisht të na zhvishte nga ndjenja kombëtare, fetare e njerëzor. Mu për këtë, thoshte Isa. Ne shqiptarëve na ndjek më shumë, na urren e nuk na ka besën hiç, sepse e di që nuk jemi qenie e tij. Në aspektin e veprimit politik, krijoi bërdhamë të fortë për veprim atdhetar. Nxënësit i bëri të afërt, shokë mendimi e veprimi. Ata i futi në binarë të punës e mësimit dhe i drejtoi në jetë. Nga mësimdhënësit krijoi skuadër punë për edukim kombëtar. Bashkë me disa kolegë mësimdhënës, krijoi ekip të vullnetshme e te guximshme pune, jashtë kornizave ideologjike të programeve të shabllonizuara mësimore. Bashkë me mësimdhënës tjerë, Isa fliste kudo për vlerat krijuese të personaliteteve të anatemuara. Shërbehej me vlerat e rilindësve dhe ato nga tradita. Potenconte mendimet e Fishtës, Konicës, Koliqit dhe begatinë kombëtare të vlerave tjera krijuese. Vazhdimisht e me kënaqësi fliste për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shpjegonte spastrimet e shqiptarëve nga trojet etnike, Nishi, Toplica e Kosanica, Fliste për Kongresin e Berlinit, gjysmimin e trojeve shqiptare, Vendimet e Konferencës së Bujanit dhe kërkesat e shqiptare për bashkim kombtar. Për Masakrën e Tivarit, Trogirit e rezistencën shqiptare, deri në gjendjen ushtarake të 1945. Isa me bashkëmendimtarë në trevën e Lipjanit vepronte vazhdimisht të bindte popullin, se është i robëruar dhe se duhet gjejë forma e mënyra të filloi rrugën për liri. Isa nuk bënte asnjë veprim, pa e futur atë në analizë të thellë vetë dhe me shokë, duke vështruar me vigjilencë, por dhe vlerësonte për mundësinë e arritjes së efekteve. Tipar i veçantë i këtij atdhetari ishte respekti ndaj atdhetarëve të dëshmuar. Me respekt fliste për Bacë Adem Demaçin. Metush Krasniqin, kishte konsideratë për shokët Fadil Sylejmanin, Sadri Fetiun, Zymer Nezirin, Meriman Brahen. Kishte moral respektiv e konsideratë korrekte për djemtë lipjanas, Avdi Kelmendin, studentet Sherif e Abdurrahman Konjufcën, si dhe nxënësit Islam Miftarin e Muhamet Ademajn e shumë të tjerë. Ndaj miqve Isa kishte respekt e ndaj kundërshtarëve kishte grushtin e hurin. Trim e burrë u dëshmua kudo e kurdo , si më 1968  në Prizren, në Pejë e në Prishtinë, si në dhjetor 1979 e maj 1980, kur bashkë me atdhetarët Shefqet Jashari, Ramandan Pllana, Avdi Kelmendi e të tjerë padrejtësisht u dënuan për veprimtari patriotike dhe paralajmëruan ngjarjet mëdha të 1981.

Për ndërrim vendi të punës e veprimit në shtator të 1978 Isa u transferua në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë. Në këtë kolegtiv shkollor Isa kishte edhe shokët e mëhershëm të veprimit, si Ramiz Shehun e të tjerë. Por, arsyeja e ndërrimit të vendit të punës ishte hutimi apo largimi nga objektivi i mbikëqyerjes së organeve përcjelljes të sigurimit të shtetit. Isa Demaj, veprimtar i patrembur për liri, që nuk mund ta thyenin as ndjekjet e përndjekjet, as burgjet e errata, as torturat mizore që iu bënë gjatë hetimeve e vuajtjeve të dënimit në burgjet serbe, gjithmonë ishte Ai dhe mbeti shembull atdhetarie si duhet të jetë veprimtari atdhetar i kësaj toke të përvuajtur shqiptare. Andaj, siç thot Baca Adem. Jeta nganjëherë luan me ne, e vdekjet vijnë si nuk e meritojmë. Kështu, Isa Demaj më 27 gusht 1985 nga pasojat e torturat e vrazhta fizike e piskike nga hetuesia e UDB-së, e vuajtjeve në kazamatet serbe, befasisht vdiç në një fatkeqësi komunikacioni. Kjo ishte një paderjtësi e natyrës, paderjtësi për këtë profesor shembullor, burrë të madh e atdhetar të përbetuar. Ai së paku kështu nuk e ka dëshiruar e as merituar vdekjen. Nëse duhej të vdiste, logjikshëm do të ishte një vdekje heroike, siç vdesin burrat e trimat e mëdhj. Por e drejta e natyrshme, do të ishte Isa të jetonte jetën e vet, sepse i duhej jo vetëm familjes e shokëve, por i duhej këtij popullit, kësaj kohe e kësaj toke. Ai meritonte te përjetojë kënaqësinë e motit të madh, Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe momentin e madh historik te shqiptarëve, pavarësinë e Republikës së Kosovës. Për kontributin e dhënë për pavarësi të Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, më 27 gusht  2010, në 25 vjetorin e vdekjes, Isa Demaj e dekoroi me Mirënjohje. Ndërsa më 18 prill 2016, në 70 vjetorin e lindjes dhe 31 vjetorin e vdekjes. Presidenti i Shqipërise Bujar Nishani dekoroi Isa Demajn me titullin “Klorsi i Urdhërit të Skënderbeut”, në vlerësim të veprimtarisë së tij të shquar, si një nga organizatorët e prijësit e demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, në kërkim të lirisë, përdorimit të flamurit kombëtar dhe gjuhës shqipe në administratë,themelimit të universitetit për Kosovën Republikë dhe Vetëvendosje, për shqiptarët në territoret e tyre në ish-Jugoasllavi. Dhe për kontribut të veçantë në veprimtari atdhetare e sakrificë për çlirimin e Kosovës. Isa Demaj si edhe shume atdhetarë tjerë e ka merituar uratën e madhe të popullit e krenarinë kombëtare.

Isa Demaj edhe pse jetoi jo më shumë se një gjysmë jete të natyrshme, vetëm 39 vjet, mbi gjysmën e kësaj gjysmëjete e kaloi në veprimtari atdhetare e arsimore. Kontriboi në edukimin e rinisë shkollore në shumë mjedise të  Kosovës, për të  cilët atëherë e sot mbeti përfaqësues i denjë i brezit të arsimtarëve e patriotëve tanë, që ka marrë vend nderi në historinë e lirisë së Kosovës, e në veçanti në histori të arsimit dhe shkollës shqipe. Personaliteti i tij prej arsimtari atdhetar, kontributi dhe veprimtaria e tij patriotike, do të mbetet shembull frymëzimi i patriotit ideal, që nderohet nga brezat e tanishëm, dhe ato që vijnë pas nesh.

Filed Under: Histori Tagged With: DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE, E ISA DEMAJT, Ismail Gashi, jeta

Një përmbledhje e shkurtër rreth jetës, veprës, dhe figurës së lartë të Profesor Dr. Martin Camajt

February 22, 2015 by dgreca

Darkë organizuar nga Shoqata atdhetare “Dukagjini” në Miçigan për përkrahjen e ngritjes së përmendoreve të heroit Mehmet Shpendit dhe Profesor Dr. Martin Camaj./
Paraqitur nga Dr. Gjeka Gjelaj, PhD./
21 Shkurt, 2015/
Imperial House/
Clinton Township, Michigan/
Ne Foto: Autori ne nje fotografi me Ipeshkevin e Kosoves Dode Gjergji/
Fort të nderuar famullitarë ( in absentia) Dom Ndue Gjergji dhe Dom Fran Kolaj, të nderuar përfaqësues të shoqarave atdhetare ,Organizata Panshqiptare “Vatra, më në krye zotëri Alfons Grishaj, shoqata “Mirdita” më në krye zotëri Kujtim Qafën, shoqata “Malsia e Madhe” më në krye zotëri Lek Gjonaj dhe present sonte sekretari zoti Luigj Gjokaj, kolegë të nderuar, intelektual të fushave të ndryshmë, bashkatdhetar, vëllezër dhe motra, dashamirës të Dukagjinit legjendar:
Mirmbrëma dhe mire se u takume në Dukagjin, gurrë e pashterrur e burrërisë, trimërisë, mikpritjes dhe diturisë shqiptare.
Jam mirnjohës shoqatës “Dukagjini” në Michigan, më në krye zotëri Nikolin Shytin që me nderuan me këtë detyrë:
Shkurtimisht të ju paraqes figurën madhështore dhe shume dimencionale te shkrimtarit, poetit, albanologut, dhe studiusit me renome boterore Profesor Doktor Martin Camaj me rastin e iniciativës atdhetare dhe lavdi plote: Ngritja e përmendores së trimit mbi trima Mehmet Shpendit – shaljanit te tete dhe gurit te cmuar te letersise dhe kultures shqiptare, birit te denjtë të Dukagjinit, Profesor Martin Camaj.

Kjo është një nderë e madhe për mua dhe në të njejtën kohë obligim i madh që unë do të mundohem ta kryej simbas mundësisë me gjithë shprit dhe zemër ashtu si I meriton nji dhe të vetmit Martin Camës.

Unë duke falenderuar Dom Prenk Ndrevashen, veteranin dhe mbrojtësin më të spikatur të emigrantit shqiptar, si dhe mikun dhe bashkëpuntorin tim më të shtrenjtë, Profesor Camen e kam takuar në Rromë kur unë isha në studime pranë fakultetit filozofic Urbaniana dhe ai ishte duke mbaruar studimet post universitare në universitetin e Rromës. Më perkujtohet mirë takimi i parë në Circolo Delli Albanesi në Rromë në praninë e Profesor Ernest Kolicit, piktorit Lin Delisë, At Vincens Malaj, Albert Akshisë, At Daniel Gjecaj, piktorit Gjelosh Gjokaj, dhe kolonelit anglez Robert McEever. Një fytyrë e shëndritshme, e ëmbël, e dashtun, dhe elegante.
Gjithashtu kam pasur fat që për herën e fundit ta takoj Profesor Camen këtu në Michigan tek kisha e vjetër në Beverly Hills, gjatë vizitës së fundit që ai i bëri mikut të shtrenjtë Dom Prekës. Pra, ju flas nga zemra dhe përjetimet personale.
Profesor Martin Camaj, simbas dokumentave ne disponim dhe burimeve të sakta, ka lindur me 21 Korrik te vitit 1925, megjithëse përmendet edhe viti 1927. Lindi nga një familje e një njohur të Dushmanit në Dukagjin nga baba Kol Camaj dhe nana Terezja e lindun në Prekal. Kola dhe Terezja, prindërit e Martinit, si dhe shumë të tjerë në fshat, në atë kohë jetonin një jetë të qetë baritore dhe bujqësore. Konditat e jetës ishin shumë të vështira dhe mundësitë aq më të vogla. Luftërat dhe tragzimet e pa ndara e bënin jetën edhe më të vështirë. Për të mbijetuar duhej vullnet i fortë, punë e pandarë, dhe sakrifikime maksimale e të pa numërta. Sa ma shumë fëmijë që një familje kishte, nëpër malësina, sic e dini edhe juve vetë, aq më e fortë konsiderohej për arsye të ndryshme egzintenciale.
Martini ishte djali i parë në mes të shtatë fëmijëve me të cilët Zoti kishte bekuar familjen e Kolës dhe Terezes. Neve që jemi lind dhe rritur në një ambient të tillë nuk kemi nevojë spjegimesh as sqarimesh sepse atë e kemi përjetuar dhe smund ta harrojmë. Jeta e profesor Camës në fëmijëri është pasqyrë e jetës në përgjithësi në malet e malësisë dhe për këtë gjë Profesor Camaj do të vuajnë tërë jetën.
Kur Martini ishte ende i vogël në atë zonë ishte famullitar At David Pepa, i cili kryente veprimtarinë e tij pastorale dhe atdhetare me nji përkushtim të zellshëm dhe bindje të pa tundur. Ai besonte në njeriun malësor, besonte në potencialin e tij, besonte në formimin e tij, besonte në mundësinë e arritjeve nëse kushtet ishin të përshtatshme. Ai, pra At Pepa vërejti në sytë e Martinit të vogël një mundësi “yll drite” të ardhshmërisë. Shfrytëzoj rastin dhe në mirësinë e tij bindi prindërit që ta lejonin djalin e parë të tyre që të zbriste në kryeqytetin e kulturës, atdhetarizmit, dhe të përparimit shqiptare, në Shkoder. Kështu edhe ndodhi.
Martini ishte vetëm 7-vjec kur u dërgua në kogjegjin e Shën Francesk Saverit. Ky ishte nji fat për Martinin, sikurse ishte fat për shumë të rinjë të malësinave, sepse ata do të dorëzoheshin për tu kalitur porsi ari në zjarrm nga duart e edukatorëve më të famshëm që ishin të mbledhur në kolegjin Saverian. Ky kolegj ishte nën drejtimin e shoqërisë së Jezuitve “Le Missioni Volante” dhe nën udheheqjen e të pavdekshmit At Daniel Dajanit.
Nëpër ato banka të shkollës ku kaloi Martini kishin kaluar më parë Imzot Lazër Mjeda, Imzot Luigj Bumci, Imzot Prek Doci, At Anton Xanoni, i famshmi Faik Konica, Legjendari Luigj Gurakuqi, dhe shumë e shumë të tjerë që u bane drita dhe fuqia shpirtërore dhe intelektuale e Shkodres dhe tërë Shqipërisë.
Lufta e dytë botërore dhe dimri i stuhishëm e më i egërt komunist e nxen Martinin dhe shokët e tij porsi bora e papritur si i nxen bora lulet e pranverës duke iua nxanë frymë dhe ngri gjakun. Martini ishte në lulëzim të tij intelektual she shpirtëror por kopshti në të cilin ai ishte rritur tashmë ishte mbuluar nga shtërngata komuniste dhe shpëtimi i vetëm ishte largimi nga ky kopsht plot lule të kendshme dhe erëdhënëse të diturisë dhe përparimit shqiptar. Kështu fillon golgota e Profesor Camës dhe e mijëra intelektualëve dhe atdhetarëve të vërtetë shqiptarë.
Mbasi punoi si mësues i vetëm në Prekal, në kushte të jashtëzakonshme por me një entuziazëm të pa shoq, dhe duke parë rrezikun që i kanosej, së bashkut me Franceskanin At Daniel Gjecaj, duke mos patur tjetër rrugë dalje përvec vdekjes, arratisen në Jugosllavinë e atëhershme. Kush mund ta mendonte se cfarë do të ndollte? Kush mund ta paralajmëronte rrugën e Kalvarit nëpër të cilen porsa filluan udhëtimin e tyre martirët kombëtar? Kush mund ta mendonte se kjo do të ishte shkëputja fizike e përgjithmonshme, pra rruga pa kthim e Profesor Camës dhe shumë klerikë, patriotë, dhe intelektualë dhe atdhetar shqiptar? Kjo arratisje e pa dashur, problematike, dhe pothuajse e pa pranueshme, ishte një perdhunim në mos më tepër një masakrim dhe deformim i vetë persones, që Martini me kolegët e vet kurrë nuk do ta harronin. Ishte lamtumira e fundit e Shkoder lokes, dhe në të njëjtën kohë, ishte ballafaqim me një realitet të ri që Martini do ta luftonte dhe kundërshtonte herë pas herë deri në mosbesim.
Mbas studimeve dhe krijimtarisë në Beograd dhe në Prishtinë, Profesor Camaj emigron në Itali dhe përqendrohet në qytetin e përjetshëm të Rromës. Arritja e tij në Rromë ishte një gëzim i madh dhe nji ngjarje tejet e rëndësishme sepse ai menjëherë inkuadrohet në rrethin më të ngushtë të inteligjencës shqiptare të mbledhur rreth të pavdekshmit profesor Kolicit, i cili kurrë nuk ka munguar për ta theksuar sa fat ishte për te dhe për “Shejzat” ardhja e Martin Camës në Rromë. Ai emërohet kryeredaktor dhe në te njëjten kohë vazhdon studimet e doktoraturës në fakultetin e filozofisë dhe letërsisë pranë universitetit të Rromës ku dhe mbron me sukses te shkelqyer suma cum lade tezën Il Messale Di Gjon Buzuku: Contributi linguistici allo studio della genesi.
Meshari i Gjon Buzukut: Kontributet gjuhësore rreth studimit të rrjedhjes.
Për tiu afruar shpirterisht, por edhe realisht ambientit malor te Dukagjinit, Profesor Camaj kërkon një vend malor sa ma afër ambjentit të Dukagjinit dhe këtë e gjen në Alpet Gjermane në kufi me Austrinë.
Një ndër objektivat dhe qëllimet kryesore të doktorit të ri të porsa krijuar në Rromë ishte që në cdo kusht të hapte katedrën e studimeve albanologjike pranë universitetit në Mynih, ku ai e kuptonte mirë se inteligjenca e Evropës do ta shqyrtonte me kujdes dhe përkushtim cështjen e gjuhes, të kulturës, dhe të kombësisë shqiptare. Me shumë vështirësi dhe sakrifikime por me një bindje të pathyeshme dhe qëndrim guri, ai këtij qëllimi ia arriti. Kjo ishte arritja më e madhe, në mendimin tim, që e qetësonte Martin Camen në mënyrën akademike dhe shpirtërore. Kishte hapur një front lufte me pendë të cilën ai do ta mbronte deri në frymën e fundit të jetës së tij.
Ai, pothuajse në moshën më të mirë të burrnisë shqiptare, kishte vetem 67-vjet, me 12 Mars të vitit 1992, ndërroi jetë me zemër të brengosur, pa parë dhe shijuar për herë të fundit bjeshkët e larta dhe malet e gjelbërta të Dukagjinit të cilave ai aq bukur iu këndoi.
Vdiq në një fshat malor gjerman i quajtur Lengries, në Baverinë e Eperme te Gjermanisë mbas një vuajtjeje të rëndë dhe të gjatë nga një sëmundje e pashërueshme, në duart e dashurisë së tij, bashkëshortes Doktoreshës Erika Camaj. Kështu pushuan njiherë e përgjithmonë trupi, mendja dhe shpirti i nji besnikut të pa shoq, nji poetit të kalitur, të nji shkrimtarit poliandrik, te një albanalogut më të shquar dhe me renome boterore, si dhe profesorit të rendit të parë që vështirë ma malet e Dukagjinit do të lindin shoqin e tij!
Martin Camaj ishte sikur hala e peshkut në fytin e kalbur të agjentëve komunistë shqiptar, të cilët rreptësisht ndaluan cdo mundësi kontakti ndërmjet lexuesit shqiptar dhe burimeve letrare shume diemsionale te tijat për arsye se e kishin kuptuar me kohë se ai do të depërtonte thellë në zemrën dhe mendjen e cdo lexuesit shqiptar, duke krijuar kështu një mundësi kundërshtimi apo opozite të rregjimit totalitar. Sa mëkat ishty kjo gjë! Sa dam i madh që ju bë atdheut! Ndërsa bota perëndimore si dhe ajo lindore ushqeheshin në nektarin e bukurisë letrare dhe poetike të Martin Camaj dhe ndërsa studjusit ma të spikatur të shkencave albanologjike orvatesheshin për ta kuptuar thellesinë e mendimeve te Profesor Cames, e ashtegjujtura “inteligjenca shqiptare” nën rregjimin komunist ushqehej me rrena e kacarrena, fantazma, e pretendime boshe të krijuara nga frika dhe tmerri i diktaturës.
Diamanti mbetet diamant dhe heret apo vonë, kur të zbulohet shkëlqen me gjithë bukurinë e tij. Edhe profesor Martin Camaj, edhe pse pak me vonesë, tashmë eshtë i zbuluar dhe i vendosur ne pedestalin e merituar të letërsisë dhe albanologjisë shqipe prej nga ai pedestal më kurre nuk do të largohet. Në ungjillin e Shën Markut 12:10 është shkruar se ndërsa Jezusi po u fliste në shëmbulltyra ndër të tjera iu tha: “po a nuk i keni lexuar këto fjalë në shkrimin shenjtë: guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë bërë gurë këndit; kjo eshtë vepër e Zotit, se cmrekulli në sytë tonë!”
Mendoj se në rastin e Dr. Camajt provania e Hyjit u tregua kjartas. Trashamanët, injorantë dhe egoistë, gjysmake në mëndje dhe të falimentuar në shpirt, gërgasa dhe shpifës, që për qëllimet e veta janë munduar në cdo mënyrë ta zdeshin dhe ta dëmtojnë deri në asgjësim figurën shëndritëse të Martin Camajt. Ishte i përjashtuar, ishte i mohuar nga armiqtë, por më në fund triumfoi ashtu sic triumfojnë të drejtët.
Këtë e konfirmojnë vetë faktet se ne 2002 i jepet cmimi i lartë Penda e Artë (Çmimi Penda e Artë jepet prej Ministrisë së Kulturës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë) si dhe në Tetor te vitit 2010, ish-presidenti shqiptar Bamir Topi, i jep nderimin më të lartë urdhërin “NDERI I KOMBIT”.
Për hir të kohës, po theksoj tri periudhat kryesore të krijimtarisë letrare të Martin Mamaj, duke vetëm përmenduar atë shkencore, që është një ndër më të pasurat.
Krijimtaria Poetike
Periudha e parë që unë do ta quaja: periudha kosovare fillon me botimin e “Një fyell ndër male” e botuar ne vitin 1953 në Prishtinë dhe duke vazhduar me botimin e dytë, “Kanga e Vrrinit” Prishtinë 1954. Ka mendime të ndryshme dhe të vlefshme por botimi i këtyre dy veprave mbyll periudhën e jetës poetike në ish Jugosllavi dhe Kosovë.
Periudha e dytë eshtë periudha italiane. Unë kisha më mirë me thëne italo-arbëreshe.
Në kontrast me atë të Kosovës, në Itali profesor Camaj frymëzohet më së fortit nga shkrimtari i njohur italian Giuseppe Ungaretti. Në Rromë ai boton “Legjenda” 1964 si dhe nji varg të gjatë të artikujve dhe studimeve të botuara nëpër të përkohshmet e sidomos në “Shejzat”.
Periudha e tretë është periudha gjermane. Në këtë periudhë Profesor Camaj boton tre libra poetik të cilët i japin pothuajse famë botërore.
1. Lirika mes dy moteve. Mynih 1967.
2. Njeriu me vete e me te tjerët. Mynih 1978.
3. Poezi – 1953-1967. Mynih 1981.
Krijimtaria në prozë
Martin Camaj e fillon krijimtarinë e tij në proze me nji tregim të gërshetuar ne prozë dhe vjershë të titulluar Diella, e botuar ne Rrome ne vitin 1958.
Rrathet – roman botuar ne Mynih në 1978.
Shkundullina (tërmet, shënimi im)- prozë . Mynih 1981.
Karpa- Rromë 1987.
Loja mbas darkes – Dramë. Mynih 1981.
Kandili argjandit – Dramë. Kozencë 1981.
Dranja – matringale. Mynih 1991.
Këtë paraqitje të shkurtër, por nga zemra, dhe me admirimin më të thellë ndaj kësaj figure kolosale, po e përfundoj duke ju lexuar vargjet e poezisë së tij titulluar Vendit tem
Kur të vdes , le të bahem bar
Në malet e mia në pranverë
Në vjeshtë do të bahem farë.
Kur të vdes, le të bahem ujë
E fryma eme avull
Në fush do të bie shi.
Kur të vdes , le të bahem gur
Në skajin e vendit tim
Të qindroj kufi.

Të përjtshme le të mbesin përkujtimet e heroit të kombit Mehmet Shpendit dhe albanalogut, poetit, dhe shkrimtarit të pendës së artë Dr. Martin Camës.
Shtesë për ata që deshirojnë ta kenë një pasqyrë më detale dhe të përpiktë të veprave të Martin Camës.
1953 Në Prishtinë boton vëllimin e parë me poezi me titull Nji fyell ndër male.
1954 Del vëllimi i dytë me poezi, Kanga e vërrinit.
Mâ vonë, autori distancohet prej dy vëllimeve fillestare dhe konvencionale
1958 Në Romë botohet Djella, roman me intonim poetik dhe i përshkuem me vjersha
1964 Në Romë del vëllimi poetik Legjenda
1967 Në Munih dalin, si botim i autorit: Lirika mes dy moteve, kryesisht vjersha të përpunueme nga faza e mâparshme Rrathë, roman Njeriu më vete e me tjerë, poezi
1981 Poashtu si botim i autorit dalin në Munih: Shkundullima, novela dhe nji dramë
Poezi 1953-67, vjersha të zgjedhuna Dranja. Madrigale. Prozë poetike
1985 Me titull Poesie në Palermo botohet përkthimi italisht i librit Njeriu më vete e me tjerë prej Francesco Solanos.
1987 Në Munih, Camaj boton librin Karpa, në të cilin eksperimenton me elemente të romanit fantastik
1990 New York. Në edicionin shqip-anglisht (përkthyesi: Leonard Fox)
Selected Poetry botohen për herë të parë dy ciklet poetike Nema dhe Buelli
1991 New York-Munih: Palimpsest, poezitë e fundit të botueme prej Martin Camajt, prapë si botim dygjuhës shqip-anglisht me përkthimin e Leonard Fox
1991 Në Munih del vëllimthi Gedichte, botimi i parë në gjermanisht, përkthye prej Hans-Joachim Lanksch
1993 Në Cosenza (Kozencë) të Italisë botohet drama Kandili Argjandit, në të cilën Martin Camaj punonte akoma në shtratin e vdekjes
1994 Në Prishtinë del Djella, version i përpunuem prej Camajt i romanit të vjetit 1958
1996 Në Tiranë botohen pesë vëllime me nji pjesë të veprave të Martin Camajt. Edicioni asht parapa me përfshî nantë vëllime. Botimin e përkrah Ministria e Kulturës. Kështu merr fund anatemizimi i disa dekadave i Martin Camajt. Mbas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare më 1997 thuhet se »Martin Camaj nuk botohet më«.
1998 Në Munih del përkthimi gjermanisht i Palimpsestit, përkthye prej albanologut prof. Wilfried Fiedler
1998 Në Tiranë, Martin Camajt i jepet post mortem nderimi mâ i nalt letrar i Republikës së Shqipnisë, Penda e Artë. Çmimi Penda e Artë jepet prej Ministrisë së Kulturës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nji ditë para dhanies solemne të Çmimit njoftohet tërhjekja e tij, dmth. se Çmimi nuk i jepet Martin Camajt.
1999 Në Klagenfurt, me titull Weißgefiedert wie ein Rabe, del përkthimi gjermanisht i vëllimit Njeriu më vete e me tjerë, përkthye prej Hans-Joachim Lanksch
2000 Në Pejë, redaktue prej Rexhep Ismajlit, del vëllimi Lirika, botimi gjer më tani mâ i plotë i poezive të Martin Camajt, përfshir edhe poezi prej trashigimisë letrare të Martin Camajt.
2002 Në Tiranë, Çmimi letrar Penda e Artë i akordohet Martin Camajt
Vepra Shkencore të Profesor Martin Camës
Il “Messale” di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Roma 1961.
Albanische Wortbildung. Die Bildungsweise der älteren Nomina, Harrassowitz, Wiesbaden 1966.

Lehrbuch der albanischen Sprache, Harrassowitz, Wiesbaden 1969.
La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino, Leo Olschki, Firenze 1971.
Racconti popolari di Greci (Katundi) in provincia di Avellino e di Barile (Barili) in provincia di Potenza, “Studi Albanesi” pubblicati dall’Istituto di Lingua e Letteratura Albanese dell’Università di Roma, Vol. III, Roma 1972.
Albanische Märchen. Herausgegeben und übersetzt von Martin Camaj und Uta Schier-Oberdorffer, Diederichs, Köln-Düsseldorf 1974.
Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza, Albanische Forschungen 16, Trofenik, München 1977.
Cuneus Prophetarum a Petro Bogdano, Patavii, MDCLXXXV (Mit einem Beitrag von Giuseppe Valentini und Martin Camaj), München 1977.
Albanian Grammar with Exercises, Chrestomathy and Glossaries (Collab. on and translated by Leonard Fox), Harrassowitz, Wiesbaden 1984.
La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese in provincia di Potenza, Centro Editoriale e Librario dell’Università della Calabria, Rende 1991.
Krahas me këto monografi, në periodikun shkencor Martin Camaj botoi mbi 150 kontribute për gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Gjeka Gjelaj-PhD, jeta, Martin Camaj, vepra

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit
  • Vendosja e Komandës së Trupave Amerikane në Kosovë, pikë kthese strategjike për sigurinë rajonale dhe integrimin Euro-Atlantik
  • Përkujtojmë sot juristin, filozofin dhe përkthyesin Abdulla Rami (20 maj 1908 – 29 janar 1973)
  • “Bekime dhe Mallkime” prezantohet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork
  • 52 vjetori i Revoltës së Spaçit (21 maj 1973 – 21 maj 2025)
  • Join Us for the 3rd Annual Albanian Picnic!
  • Konferencë Ndërkombëtare: Letërsia shqipe e mërgimit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT